Blog

  • Facebook vs TikTok: ja si mund të fitosh para nga ‘Story’ në FB

    Facebook vs TikTok: ja si mund të fitosh para nga ‘Story’ në FB

    Facebook ka prezantuar një mundësi të re që u lejon përdoruesve të fitojnë para nga postimet në ‘Story’.

    Opsioni i monetizimit global është i disponueshëm për të gjithë përdoruesit me statusin ‘creators’ që janë pjesë e programit Facebook Content Monetization.

    Me këtë risi, gjiganti i medias sociale dëshiron të ofrojë një burim të ri të ardhurash për përdoruesit duke i nxitur që të postojnë më shumë.

    ‘Creators’ mund të monetizojnë përmbajtjet ekzistuese

    Përdoruesit mund të fitojnë para nga përmbajtjet që krijojnë dhe shpërndajnë duke i postuar në Facebook Story. Për shembull, nëse një ‘creator’ bën një Reel, mund të shpërndajë një pjesë të tij në Story për të fituar para. Kjo vlen edhe për përmbajtjet e tyre të zakonshme.

    Nuk ka prag për përfitimet

    Pagesat përcaktohen nga performanca e ‘Story’-ve. Përdoruesit mund të fitojnë para pa pasur nevojë që të arrijnë një prag specifik për shikimet. Kjo strategji e re synon të tërheqë ‘creators’ të TikTok në Facebook dhe Instagram duke u ofruar bonuse financiare, marrëveshje për përmbajtjen dhe mbështetje në rritjen e komunitetit të tyre.

    Programi i monetizimit

    Përdoruesit e regjistruar në programin Facebook Content Monetization që kanë të aktivizuar monetizimin e përmbajtjes nuk duhet të bëjnë ndonjë veprim shtesë. Programi i prezantuar vitin e shkuar sjell reklama gjatë transmetimeve, Reels dhe bonus për performancën. Me testimin te pjesëmarrësit beta, Facebook tani po aktivizon monetizimin e Story për të gjithë përdoruesit.

    Planet e ardhshme

    Në 2024, miliona ‘creators’ u ftuan për t’iu bashkuar programit. Facebook mendon që këtë vit të ofrojë regjistrim të hapur. Përdoruesit që s’janë pjesë e programit mund të shprehin interesin përmes një ftese në faqen e internetit të programit. Që prej vitit 2017 kur prezantoi monetizimin, Facebook ka paguar mbi 4 milionë përdorues dhe thanë se gjatë 2024-ës, ata kanë fituar mbi 2 miliardë dollarë nga platforma.

  • Çfarë mund të bëjë një haker me adresën tënde IP: rreziqet reale dhe si të mbrohesh

    Çfarë mund të bëjë një haker me adresën tënde IP: rreziqet reale dhe si të mbrohesh

     

    Qasja në internet ofron lehtësi, por sjell edhe ekspozimin e të dhënave të tua të ndjeshme si adresa IP, një kod numerik që identifikon në mënyrë unike çdo pajisje të lidhur në rrjet. Nëse bie në duar të gabuara, adresa juaj IP mund të bëhet një portë për hyrjen në informacionin konfidencial, në dobësitë e sistemit, madje deri edhe në sulme kibernetike.

    Por çfarë mund të bëjë vërtetë një haker me IP-në tënde? Le të zbulojmë pikë për pikë.

  • Nga Enver BYTYÇI – Evropa dhe Gjermania nuk bëhen ushqim për Rusinë! As Ballkani për Serbinë!

    Ish-presidenti rus, Dimitri Medvedev, ka marrë rol të veçantë në luftën e Kremlinit për pushtimin e Ukrainës. Jo rrallë herë merr pozat e një radikali ekstremist në raport me sulmet ushtarake të vendit të tij kundër Ukrainës. Para dy ditësh ai përdori metaforën e një dreke me Ukrainën dhe Evropën në dhomën e ngrënies. Ja si e përshkruan ai bisedën telefonike midis presidentit amerikan dhe atij të Rusisë: “Biseda telefonike mes presidentëve Putin dhe Trump konfirmoi idenë e njohur – ka vetëm Rusi dhe Amerikë në dhomën e ngrënies. Në menu: snacks – lakër Brukseli, peshk dhe patate të skuqura britanike dhe gjel parizian. Pjata kryesore – kotëletë në stilin e Kievit. Shijojeni vaktin tuaj!”, shkroi Medvedev.

    Mbetet të konfirmohet vetëm dhoma e ngrënies. Ku është ajo? Në Moskë apo në Uashington? Ndoshta dhe në Riadi. Sigurisht që Medvedev shkruan me lejen e Carit Putin. Ai duket shumë i kënaqur që presidenti amerikan po konfirmon njohjen e Rusisë si Fuqi e Madhe, të cilën nuk mund ta anashkalosh. Ky ka qenë gjithmonë shqetësimi i Kremlinit, lënia në hije e Rusisë nga ana e Perëndimit. Ndaj dhe Medvedev mburret që “së bashku me SHBA-të Rusia do të jetë në dhomën e ngrënies, aty ku Europa dhe Ukraina serviren në meny”! Është kjo një ironi djallëzore dhe foshnjarake njëkohësisht, e cila në vend të shërbejë për mirëkuptim e paqe,, hedh benzinë në zjarrin e luftës.

  • 10 fshatrat më të bukur në botë: ngjajnë si të dalë nga një përrallë

    10 fshatrat më të bukur në botë: ngjajnë si të dalë nga një përrallë

    Të udhëtosh do të thotë të zbulosh jo vetëm qytete të mëdha si Roma, Nju Jorku, Parisi, Londra dhe Tokio, por të zbulosh edhe qytete dhe fshatra të vegjël që duken si të dalë nga një përrallë. Këto vende, shpesh pak të njohura, ofrojnë përvoja autentike, peizazhe magjepsëse dhe të bëjnë të dashurohesh me traditat lokale. Në Evropë, ka shumë zona që ia vlen të vizitohen, vende ëndrrash që ndonjëherë kanë qenë burim frymëzimi edhe për përralla dhe filma. Të udhëtosh pra është një mundësi për të zbuluar jo vetëm qytete të famshme, por edhe për të eksploruar thesare të fshehura nëpër qendra të vogla.

    Colmar, France

    Dhe udhëtimi ynë nuk mund të mos nisë me një nga fshatrat më të famshëm ndër ata që duhen vizituar. Veçanërisht i dashur për fansat e Disney-t, të cilët e njohin atë si fshatin e Belës në “E bukura dhe Bisha”. Po flasim për Colmar-in, që ndodhet në Francë, një fshat simpatik me shtëpi shumëngjyrëshe prej guri dhe druri, me pamje nga kanalet me ujë të kristalta. Colmar është vendi i përsosur për t’u magjepsur nga tradita e rafinuar franceze e prodhimit të verës dhe për të vlerësuar artin në një kontekst me bukuri të jashtëzakonshme.

  • Nga Dardan MITROVICA: Carney, Merz dhe jo vetëm: kur financat tejkalojnë politikën

    Nga Dardan MITROVICA: Carney, Merz dhe jo vetëm: kur financat tejkalojnë politikën

    G7 kanadeze, që do të mbahet në Alberta në qershor, do të shohë jo vetëm rikthimin e Donald Trumpit në mesin e të mëdhenjve të Perëndimit, por edhe debutimin nën petkun e liderëve të vendeve përkatëse të kryeministrit të ri kanadez Mark Carney, presidentit të rradhës së mbledhjes, dhe të kancelarit të pritshëm gjerman Friederich Merz.

    Situatat paralele të Merz dhe Carney

    Por, çfarë kanë të përbashkët Carney, një liberal në plot kuptimin e fjalës dhe Merz, një konservator rigoroz katolik, dhe çfarë i bën ata të ngjashëm me vullkanikun Trump? Një e kaluar në botën e biznesit që, nëse për The Donald i referohej dinamikës së ndërtimit dhe pasurive të patundshme të Nju Jorkut, për Carney dhe Merz tregon drejtpërdrejt sektorin e financave.

    I sapoemëruari kryeministri kanadez, ka punuar për dhjetë vjet në gjigantin e aferave të financave Goldman Sachs, përpara se të kalonte në anën tjetër të barrikadës e të bëhej së pari guvernator i Bank of Canada dhe më pas i Bank of England, i huaji i parë që e ka drejtuar qysh prej themelimit më 1694.  ndërsa Merz, përgjatë një udhëtimi të gjatë nëpër shkretëtirë pasi pa pozitën e tij në Unionin Demokristian (CDU) të minuar nga ngjitja e yllit të Angela Merkel në fillim të viteve 2000, ka punuar si avokat korporate, anëtar bordi dhe këshilltar në disa kompani, duke kulmuar karrierën e tij me drejtimin kolegjit sindikal të BlackRock në Gjermani nga 2016 deri më 2016.

    Flasim për një ngjitje të shpejtë, për të dy, nga financat korporative apo institucionale në pozicione të larta politike që na tregon shumë për ndryshimet në paradigmën e përzgjedhjes të klasës sunduese dhe shpërndarjen e pushtetit në demokracitë e mëdha. Në kontekstin e perëndimit të ideologjive të mëdha dhe narrativave të mëdha, financa shndërrohet në një garanci të marrëdhënieve, aftësive dhe rrjeteve sociale që i mundësojnë një figure politike të shpërfaqet dhe jo vetëm kaq, por ajo i përgjigjet nevojave të kohërave të pasigurta në të cilat vendimmarrësve u kërkohet të veprojnë, shpesh brenda një kohe të shkurtër, duke privilegjuar atë që në botën e biznesit quhet ekzekutim i strategjisë.

  • Nga Andi BUSHATI – Lamtumirë Lal, ky ishte fundi

    Pas asaj që ka ndodhur ditët e fundit mund të thuhet pa frikë se ylli politik i Erion Veliajt është fikur. Dy ngjarje, që një koincidencë fatale i afroi pranë njëra tjetrës në kalendar, e konfirmuan këtë.

    E para ndodhi në sallën e apelit të Gjykatës së Posaçme. Tek dyert e saj, nuk u mblodhën më as militantë rilindas, as nënpunës bashkie, për të shprehur mbështetjen për idhullin apo punëdhënësin e tyre. Shefi i madh u’a pengoi me ferman duke shpallur se ajo që kishte ndodhur një muaj më parë ishte e gabuar. Pranvera e vetmisë së madhe të Lalit vijoji me braktisjen e mbështetjes nga deputetët socialistë. Pasi Edi Rama bëri shembull një status të Etjen Xhafajt, askush nuk guxoi të shprehe më solidaritet politik me të burgosurin e Durrësit.

  • Nga Dardan MITROVICA – Qeverisja e dështuar dhe sulmet e pacipta të sejmenëve të Edi Ramës kundër opozitës

    Nga Dardan MITROVICA – Qeverisja e dështuar dhe sulmet e pacipta të sejmenëve të Edi Ramës kundër opozitës

    Prej më shumë se një dekade në pushtet, Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë treguar një model të qeverisjes që gjithnjë e më tepër po zhgënjen qytetarët shqiptarë. Premtimet e pambajtura, korrupsioni galopant dhe përkeqësimi i standardeve demokratike kanë krijuar një realitet të zymtë për vendin. Në mungesë të arritjeve konkrete, Rama dhe taborët e tij mediatikë kanë intensifikuar sulmet ndaj opozitës, në një përpjekje të dëshpëruar për të shmangur vëmendjen nga dështimet e tyre.

    Dështimet e qeverisjes së Ramës

    Bilanci i qeverisjes së Edi Ramës është mbushur me skandale dhe premtime të pambajtura. Nga sistemi shëndetësor i degraduar e deri te infrastruktura që mbetet larg standardeve europiane, shqiptarët kanë parë vetëm përkeqësim. Ekonomia është e zhytur në borxhe dhe emigracioni masiv i të rinjve tregon qartësisht humbjen e shpresës për të ardhmen. Kapja e institucioneve shtetërore dhe përpjekjet për të kontrolluar drejtësinë dëshmojnë për një model autoritar të qeverisjes që nuk njeh kufij në mbajtjen e pushtetit.

    Sulmet e dështuara kundër Opozitës dhe Primaret e PD

    I ndërgjegjshëm për mungesën e rezultateve, Edi Rama ka zgjedhur të përqendrohet në sulme të ulëta ndaj opozitës, sidomos ndaj procesit të primareve të Partisë Demokratike. Taborët mediatikë të qeverisë janë angazhuar në një fushatë të paprecedentë shpifjesh dhe dezinformimi, duke tentuar të delegjitimojnë procesin demokratik brenda PD-së. Ky sulm tregon qartësisht frikën e Ramës nga një opozitë e bashkuar dhe e fuqishme që po përgatitet për të marrë frenat e vendit.

    PD do të fitojë: nevoja për një qeverisje të re

    Pavarësisht sulmeve të orkestruara nga qeveria dhe bashkëpunëtorët e saj mediatikë, opozita është gjithnjë e më afër fitores. Shqiptarët kanë kuptuar se e vetmja shpresë për ndryshim vjen nga një qeverisje e re, e ndershme dhe transparente. Angazhimi i PD-së për të rikthyer institucionet te qytetarët dhe për të luftuar korrupsionin po gjen gjithnjë e më shumë mbështetje popullore.

    Fund i pashmangshëm edhe për Opozitarët e Opozitës

    Një kapitull më vete përbëjnë të ashtuquajturit “opozitarë të opozitës”, të cilët janë vënë në shërbim të skenarëve të Ramës për të përçarë dhe dobësuar alternativën e vetme për ndryshim. Megjithatë, populli po i lexon qartë këto lojëra dhe fundi i tyre politik duket i pashmangshëm. Një opozitë e bashkuar dhe e fokusuar në interesat e vendit do t’i japë fund përfundimisht këtyre elementëve që synojnë të sabotojnë procesin demokratik.

    ***

    Shqipëria është në një udhëkryq historik. Qeverisja e dështuar e Edi Ramës dhe sulmet e tij të dëshpëruara kundër opozitës tregojnë se ndryshimi është më i domosdoshëm se kurrë. Populli kërkon një drejtim të ri dhe opozita duket më e gatshme se kurrë për të marrë përgjegjësinë e qeverisjes, duke i hapur rrugë një epoke të re të zhvillimit dhe demokracisë për vendin.

  • Vendet më të rrezikshme në botë, cilat janë?

    Vendet më të rrezikshme në botë, cilat janë?

    Vendet më të rrezikshme në botë mund të renditen nëpër mënyra të ndryshme. Për shembull, mund të mësohen duke vizituar listat zyrtare, ato të Ministrive të linjës. Ose mund të shkohet dhe të shihet se ku, sipas ekspertëve, nuk është ide e mirë të udhëtosh vetëm. Të gjithë mund të zgjedhin burimin e tyre të preferuar, fakt është se rezultati do të jetë gjithmonë pak a shumë i ngjashëm. Mbi të gjitha, sepse vendet që do të ishte më mirë të mos i vizitosh, apo t’u kushtosh vëmendje të veçantë, janë pak a shumë gjithmonë të njëjta. Krahasuar me vitet e mëparshme, me pak fjalë, ka fare pak ndryshime. Dhe kanë të bëjnë me luftëra, konflikte të brendshme, sulme terroriste dhe ngjarje të tjera më të fundit.

    Por edhe midis rreziqeve të ndryshme që vijnë nga dhuna duhet bërë një përzgjedhje e kujdesshme. Sepse një gjë është një vend si Gjermania, ku kohëve të fundit ka pasur akte terroriste, tjetër gjë është Siria, një vend dikur i qëndrueshëm, por që dekadat e fundit ka qenë vazhdimisht në krye të renditjes së rrezikshmërisë. Një shembull tjetër, edhe më i ndryshëm, është Angola, apo Liberia, vende në paqe, por në të cilat ka disa zona të cilat absolutisht duhen shmangur, në favor të atyre të tjera më të sigurta.

    Midis emrave që gjithmonë del në pah është Afganistani, i cili sot për sot mbetet në krye të listës për shkak të konflikteve të armatosura të vazhdueshme, si dhe aktivitetit terrorist të ISIS. Siguria e atyre që udhëtojnë është afër zeros: si për shkak të qeverijes së talebanëve dhe ligjeve të reja të saj, ashtu dhe për shkak të një territori të menaxhuar po aq nga banda të ndryshme të armatosura. E pastaj, sigurisht, janë Venezuela, Somalia, El Salvadori, Haiti, Hondurasi, veriu i Meksikës dhe disa zona të Irakut dhe Pakistanit.

    Zonat në luftë, për t’u shmangur me çdo kusht

    Dhe pastaj janë zonat në luftë. Që janë Libani, Siria, Izraeli, Territoret Palestineze, Irani, Rusia dhe Ukraina. Kjo listë e vendeve është e paplotë, sepse i mungojnë vendet e prekura nga luftërat civile si Sudani, por është lista e vendeve të fundit ku situata e luftës është përkeqësuar në nivele të ndryshme. Ukraina perëndimore, për shembull, është pak a shumë e sigurt, por e njejta gjë nuk mund të thuhet për atë lindore. E njejta gjë mund të thuhet për Iranin, Sirinë, Libanin (më i rrezikshëm në jug) dhe Izraelin (më i rrezikshëm në veri).

    Përgatiti për gazetatjeter.net, Dardan MITROVICA

  • Lali Eri dhe “Procesi” Veliaj: Justifikimet letrare përballë fakteve të SPAK!

    Lali Eri dhe “Procesi” Veliaj: Justifikimet letrare përballë fakteve të SPAK!

    Erion Veliaj, i vetëshpallur si viktima më e madhe e drejtësisë shqiptare që pas gjyqeve të diktaturës, ka përqafuar frymën e “Procesit” të Franc Kafkës për të shpjeguar dramën e tij personale. I izoluar në paraburgim që prej datës 10 shkurt, ish-kryebashkiaku i Tiranës ka hyrë dhelpërisht në rolin e një personazhi letrar, që vuan mes absurdit të shoqërisë ku jeton, por në anën tjetër përzgjedh paragrafë, fjali dhe detaje nga dosja hetimore, të cilat i nxjerr nga konteksti për të fajësuar drejtësinë me pyetje të tipit: “Mirë që jam fajtor pa faje e pa fakte, po dënimin pa gjyq pse??”.

    Në alibinë e tij letrare, që ndjek si një fill të gjitha statuset e tij në Facebook, Veliaj kujton se para se të arrestohej udhëtoi dy herë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në datën 30 Dhjetor dhe në datën 20 Janar. “U ktheva sërish” thotë ai i habitur. “Ku është rreziku? Ku është arratisja?”

    Prandaj dhe atë që e konsideron si rreziku i ikjes, Veliaj e thjeshton me fjalët: “Gjyqtari Bani arsyeton se meqë Ols Dado më akuzon për vepra që dënohen me 12 dhe 15 vjet – pra, 27 vite burg – unë do ikja nga Shqipëria”.

    Qëllimi i Veliajt është të shfaqet si një individ jo vetëm i pafajshëm, por edhe i pafuqishëm përballë një mekanizmi të padrejtë, të cilin e personifikon emri i prokurorit Ols Dado, njeriu që e mban në burg me pa të drejtë, ndoshta për hatërmbetjet e ndonjë leje ndërtimi të refuzuar dikur dhe që e ka shndërruar kryebashkiakun naiv dhe të mirë të Tiranës, në të burgosur politik.

    Në fakt, dosja e sigluar nga Altin Dumani dhe Olsi Dado dhe më pas vendimi i firmosur nga gjykatësi Erjon Bani përshkruan një personazh krejt tjetër nga qytetarët e përhumbur të Franc Kafkës.

    Në dosje, Veliaj del si një kryetar bashkie i korruptuar që me njërën dorë ndan leje ndërtimi, ndërsa dorën tjetër e shtrin në zyrat e bashkëshortes së tij, Ajol Xoxës dhe merr si ryshfet, vila dhe para kesh, të cilat i qarkullon për t’i pastruar me miqtë e tij të ngushtë.

    Dosja përmban fakte dhe episode, të cilat Veliaj nuk i përmend, por që më parë nuk ka pasur kurajon t’i bëjë asnjë politikan tjetër i marrë nën hetim nga SPAK. Janë këto fake dhe episode që e kanë bindur gjykatësin Erjon Bani të firmosë masën e sigurisë me burg të kryebashkiakut, në mënyrë që procesi i gjykimit të jetë më i drejtë dhe më i paanshëm.

    Përveç korrupsionit të përmasave olimpike dhe pastrimit të parave, kryebashkiaku i Tiranës i ka kaluar kufijtë e absurdit duke kërcënuar agjentët e BKH-së përmes mesazheve telefonike.

    “Lali” nuk ka pritur duarkryq që çështja të shkojë në gjykatë, nuk e ka ruajtur qetësinë dhe as është hutuar si ndonjë viktimë kafkiane që endet pa busull në labirintet e sistemit, kur ka mësuar se shtëpia e tij po kontrollohej nga agjentët e BKH. Ndryshe nga personazhi i pafuqishëm i “Procesit”, Jozef K. ai e sfidoi realitetin me mesazhe kërcënuese nga celulari i tij.

    Mesazhe, që mesa duket, drejtësia i ka lexuar si duhet.

    Prandaj dosja prej 360 faqesh shkon përtej gjysëm të vërtetave që përshkruhen në mesazhet e Veliajt në rrjetet sociale.

    Përveç akuzave për korrupsion dhe pastrim parash, SPAK ka argumentuar qartë se Veliaj nuk ka ngurruar të përdorë çdo mjet për të frikësuar hetuesit dhe për të manipuluar procesin. Dhe këtu hyn lista e “haramit” që kryebashkiaku nuk e përmend në statuset e tij patetike:

    1) Kërcënimet ndaj agjentëve të BKH-së – Po, po, Veliaj nuk ka pritur t’i çojë dikush tjetër mesazhe në emër të tij, por ka marrë vetë telefonin duke u përpjekur të ushtrojë presion mbi hetuesit. Një strategji që e futi edhe më thellë në batakun penal ku gjendet tani.

    Sjellja e shtetasit nën hetim Erion Veliaj, kur bëhet fjalë për komunikimin e përdorur me hetuesit e BKH-së dhe “kurajon” e shfaqur nga ky shtetas për t’i lënë të shkruara mesazhet e tij intimiduese në adresë të organit procedues, dëshmon qartë për personalitetin e këtij të fundit”

    2) Përdorimi i pushtetit politik në bashki – Marrja në pyetje e Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt, ishte një tjetër episod tragjikomik ku del në pah pushteti i tij si kryetar bashkie. Bashkë me Ajola Xoxën, në SPAK kanë qenë edhe punonjës të Bashkisë së Tiranës – një tjetër “detaj” që Veliaj nuk e përmend, por që tregon qartë se si e përdor administratën bashkiake si mburojë personale.

    Dhe në arsyetimin e tij, gjykatësi Erjon Bani e përmend këtë si faktor rreziku për “helmimin” e provave, kur thotë:

    Prania e punonjësve të rëndësishëm të Bashkisë Tiranë, vartës të drejtpërdrejtë të shtetasit Erjon Veliaj, si gjatë kontakteve që shtetësja Ajola Xoxa ka patur me personat e thurrr për të dhënë deklarime në prokurorinë e posaçme, ashtu edhe gjatë momenteve të kontrollit në zyrat e Partners Laë shpk, dëshmon synimin për të vënë në rrezik marrjen e provave, por nga ana tjetër edhe miksimin e funksionve publike me ato private të titullarit të bashkisë, duke i kërkuar personave që varen prej tij të kenë kontakte të paautorizuara me hetues në kryerje e sipër të detyrës”

    3) Mungesa e bashkëpunimit dhe përpjekja për të manipuluar dëshmitarët – Në dosje përmendet disa herë tentativa e Ajola Xoxës dhe deputetes socialiste, Klotilda Bushka për të maipuluar një nga dëshmitaret e procesit Ina Goxhaj, si një nga momentet kryesore që ka ndikuar në rëndimin e masës ndaj Erjon Veliajt.

    Gjykatësi Erjon Bani nuk e sheh veprimin e Ajola Xoxës si një episod të veçuar, por e sheh atë si pjesë të sjelljes mosbashkëpunuese të çiftit Veliaj-Xoxa, që të dy kanë bërë përpjekje për të penguar hetimin. Ndaj në vendim shkruhet “gjykata mban në konsideratë personalitetin e shtetasve nën hetim” duke llogaritur këtu se edhe pasi janë vënë në dijeni për hetimin, kanë vazhduar me shkeljet. Jo më kot, prokurorët kërkuan të llogaritet

    ambienti ku shtetasit nën hetim jetojnë, funksionin publik që ushtron shtetasi Erion Veliaj, njohjet e shumta, lidhjet e siguruara dhe ndikimin mjaft të fortë që buron nga ushtrimi i këtij funksioni, rëndësia e të cilit shtohet në mënyrë eksponenciale nisur nga territori që mbulon dhe fondet publike që administron Bashkia Tiranë, si Bashkia më e madhe në vend…”.

    Ndaj, atyre që ndoshta “lali” u ngjan me viktimat e sistemit, të cilat Kafka i krijoi me mjeshtëri, përgjigjia është “Jo, kjo nuk është e vërtetë”.

    Sepse ndryshe nga Jozef K, Erjon Veliaj ka qenë në majat e sistemit, ai ka pasur në duar çdo instrument të pushtetit politik dhe nuk ka hezituar ta përdorë fuqinë e tij për ta penguar hetimin ndaj tij.

    Dhe një reagim i tillë kundër drejtësisë, nuk të çon më në studiot televizive për intervista, por në qelinë e burgut. Aty ku statuset në Facebook janë e vetmja formë arratisjeje.

  • Transformimi qesharak i Edi Ramës dhe fundi i teatrit mbi rrënojat e Ukrainës

    Transformimi qesharak i Edi Ramës dhe fundi i teatrit mbi rrënojat e Ukrainës

    Kur servilizmi udhëheq politikën e jashtme, ajo merr formën e një meme të përmasave shtetërore

    Nuk është shumë e largët koha kur Edi Rama, “lideri global” i Shqipërisë së vogël ua përplaste në fytyrë rusëve të drejtën e Ukrainës për t’i mbrojtur territoret e saj me luftë, bash në Këshillin e Sigurimit, aty ku në rolin e bashkëpenmbajtësit të Shteteve të Bashkuara, sfidonte ambasadorin e Putinit dhe i jepte botës leksione mbi demokracinë, të drejtat e njeriut dhe luftën kundër agresionit rus.

    Sot? I njëjti Edi Ramë ka futur kokën në rërë si struci dhe po pret në heshtje, përgjigjet për pikëpyetjet e mëdha që kanë të bëjnë me luftën dhe nuk flet asnjë fjalë për gjendjen e shokut të tij të armëve, Vladimir Zelenskit, në kohën kur Shtetet e Bashkuara i kanë kthyer shpinën.

    Në fakt, dëshira e Trump për të bërë paqe me Putinin, ka kapur gafil liderë të vendeve shumë më të fuqishme se i joni. Kur mbetën pa fjalë, liderë si presidenti i Francës, kryeministri i Britanisë së Madhe apo komisionerët e Brukselit, ç’mund të thotë sot kryeministri i Shqipërisë së vogël?

    Më e mira për të, është të presë në heshtje, deri kur loja e madhe të ketë përfunduar dhe kur të gjithë gurët e shahut të jenë të sigurtë.

    Por pavarësisht kësaj, interesante është të shihet se aktroi Edi Rama në rrënojat e Ukrainës ku qindra mijëra jetë njerëzish u sakrifikuan për një kauzë që e besonin, por që për të, paska qenë thjesht një skenë gjigande teatrale në funksion të propagandës  dhe për t’u pëlqyer amerikanëve.

    Kalimi nga politikani trim dhe fjalëshumë, që e priste Vladimirin si hero në Tiranë, te ky Rama i sotëm që nuk guxon t’i përmendë emrin Zelenskit, është një transformim që meriton studime psikologjike.

    Kur Rama ishte “lideri global” dhe mbështetës i flaktë i Ukrainës

    Dhjetor 2022. Lideri më pro-ukrainas i Ballkanit, Edi Rama viziton Kievin. Lidhjet direke me Zelenskin për parlamentin shqiptar, shprehja e solidariteti në Facebook, ndihma modeste në armatime nuk mjaftonte. Duhej që Edi Rama ta shkelte vetë terrenin e luftës.

    Një ekspeditë që ai vetë e cilëson historike. Nuancën alla-shqiptarçe të pranisë në Kiev ia shton Dritan Abazoviç, kryeministri i Malit të Zi, që shqiptare ka vetëm origjinën.

    Për ta bërë akoma më historike vizitën, merr me vete një tufë me këshilltarë, protokollistë dhe gazetarë që t’i japin spektaklit të kurdisur ngjyrat e një momenti të papërsëritshëm. Udhëtimi u bë me tren, sepse kështu bëjnë liderët e mëdhenj kur shkojnë në zona lufte, dhe siç e tha vetë Rama në fjalimin e tij atje:

    “Ne jemi këtu sepse e drejta nuk mund të nëpërkëmbet, sepse një komb i vogël si Shqipëria nuk mund të rrijë duarkryq përballë një tragjedie të tillë.”

    Në takimin me Zelenskyn, me kamerat e vendosura në këndin perfekt për të kapur çdo gjest solemn, Rama shtoi:

    “Sot jam këtu si përfaqësues i një populli që e di çfarë do të thotë të përballesh me pushtuesin. Shqipëria ka qenë dhe do të jetë në krah të Ukrainës, pa kushte.”

    Premtimet për rindërtimin u bënë edhe në emër të popujve të tjerë të Ballkanit Perëndimor. Në bisedime u fol për idenë e Ukrainës si shtet anëtar të Bashkimit Europian.

    Shtator 2023. Rama, i veshur me kostumin e tij të radhës me dizajn eksperimental, drejton Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në tryezë është ulur edhe Zelensky, i veshur me një këmishë ngjyrë jeshile, format ushtarak.

    Prezenca e Zelenskit nxit menjëherë kundërshtimin e ambasadorit rus Vasily Nebenzya. Kur ky i fundit protestoi, Rama dha një nga ato shfaqjet që e bëjnë të duket sikur është protagonist i një filmi të Christopher Nolan:

    Rama: “Ky leksion nga ju për thyerje rregullash në këtë godinë është impresiv. Ju ndaloni luftën dhe Zelensky s’ka pse flet”

    Zelenski e mori fjalën më pas. Rama u kërkoi të gjithëve të bashkohen kundër Rusisë.

    “Vuajtja e Ukrainës, është vuajtja e të gjithë atyre që duan paqe” tha ai.

    Lajmi u përcoll nga mediat kryesore në nivel botëror. Kuptohet se jehona në Tiranë vinte e shumëfishuar. Enturazhi i zakonshëm u ngazëllye nga kjo shuplakë që iu dha rusëve, lideri i Shqipërisë.

    Më vonë, Elisa Spiropali do të shprehej se për këtë gjest të Ramës në Këshillin e Sigurimit, akoma më shumë turistë të huaj ishin bindur për të ardhur në Shqipëri dhe për të kaluar pushimet në bregdetin e vendit tonë. Vija ndarëse mes delirit dhe budallallëkut u zbeh si asnjëherë më parë.

    Në Tiranë, propaganda ecte me të njëjtin ritëm. Erion Veliaj nuk kishte humbur kohë për të bërë atë që di më mirë: spektaklin e rrugëve dhe shesheve.

    Ai kishte organizuar një marshim të madh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të shprehur mbështetjen për Ukrainën. Në mes të turmës binin në sy përfituesit e projekteve të financuara nga ambasada amerikane. Në rreshtin e parë, Juri Kim, ish-ambasadorja e SHBA-së, Erjon Veliaj, kryetari i bashkisë, Niko Peleshi, Ministër i Mbrojtjes etj. Flamujt verdheblu valëviteshin kudo.

    Erjon Veliaj u hodh në sulm i armatosur me një arsenal të klisheve patetike:

    “Tirana është qyteti i vlerave, qyteti i lirisë, dhe sot i themi Ukrainës: Ne jemi me ju!”

    Në një akt heroik të pashembullt, vendosi të ndryshonte emrin e rrugës ku ndodhet ambasada ruse në “Ukraina e Lirë”, një gjest simbolik që duhet të kishte tronditur Kremlinin deri në themel.

    E vetmja gjë që ndryshoi ishte se diplomatët rusë tani duhet të shkruanin një adresë të re në dokumentet e tyre zyrtare, pasi zhvendosën ambasadën.

    Shkurt 2024. Zelenski i kthen vizitën Edi Ramës, që ka vendosur ta shfrytëzojë për pak vëmëndje për veten.

    Për një ditë, Tirana ishte kryeqendra e solidaritetit europian për Ukrainën, me liderët e Ballkanit të ulur rreth një tryeze për t’i dhënë botës një mesazh të fortë: “Jemi me Ukrainën… Kuptohet për aq kohë sa nuk na kushton shumë!”

    Një tjetër moment që Edi Rama e shfrytëzon për të folur gjatë, përdor fjalë të mëdha kundër agresionit rus dhe pozon për fotot e rastit.

    “Putin donte ta fshinte nga harta Ukrainën, por ajo sot është më shumë e ankoruar në Europë!” tha Rama, duke e kthyer skenarin e luftës në një telenovelë me fund optimist.

    “Kombet e vogla nuk duhet të kthehen në ushqim për Rusinë!” shton ai me një seriozitet që do ta kishte zili edhe Churchill-i.

    Ndërkohë Zelenski i bëri thirrje Ballkanit që të fillojë të prodhojë municione, sepse “kemi 500 kompani në Ukrainë, por nuk mjaftojnë!” Si përherë, premtimet ishin shumë bujare me të.

    Misterin e samitit e nxit prania e Alex Soros, djali i miliarderit George Soros. Në fund të fundit, çfarë do të ishte një ngjarje gjeopolitike në Ballkan pa një përfaqësues të familjes Soros?

    Pas spektaklit, Rama postoi në Instagram një kolazh fotosh nga samiti, duke e quajtur “Një ditë të paharrueshme!” Jo për Ukrainën, as për Ballkanin, por sigurisht për veten e tij.

    Trump braktis Zelenskin, “lideri global” i jep fund teatrit

    Pastaj ndodhi ajo që nuk ishte parashikuar në skenarin e serialit të propagandës së Ramës: Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë dhe politika amerikane ndryshoi kurs. Trump jo vetëm që e uli tonin kundër Rusisë, por i tha Zelenskit LIVE se pa Amerikën nuk ka shanse të fitojë luftën.

    Financimet dhe ndihma ushtarake e SHBA për Ukrainën u ndalën. Presidenti hero po detyrohet të shkojë drejt një paqeje të dhimbshme.

    Dhe Rama? I njëjti që deri dje i tregonte dhëmbët Putinit, i ka kthyer shpinën Ukrainës, Zelenskit, Dombasit, Krimesë dhe çdo gjëje që ka të bëjë me këtë temë. Nuk shihet më në takime me Zelenskin. Nuk shihet më as me Aleks Sorosin. Madje nuk u pa fare, as në samitin e liderëve evropianë që u mbajt për të përkrahur Ukrainën dhe për të kundërshtuar politikën e Trump në raport me Zelenskin.

    E vetmja gjë që për të cilën Rama është shprehur javët e fundit, është një deklaratë për Trump-in, të cilin e ka quajtur “një bekim për Europën”. Pra, ai që dje u bërtiste rusëve në Këshillin e Sigurimit, tani po u thotë evropianëve se duhet të vlerësojnë vizionin e Trump, njësoj siç e kanë vlerësuar edhe rusët. Një kthesë kaq të fortë, edhe pilotët e Formula 1 do ta kishin zili.

    Nga hero lufte në karikaturë politike

    Në thelb, kjo është që ndodh kur politika e jashtme shndërrohet në një mjet për t’u servilosur dhe bashkë me propagandën e shfrenuar shkelmojnë çdo parim. Nëse vërtet do të ishte i bindur tek deklaratat që ka bërë në mbështetje të Ukrainës dhe sikur të kishte ruajtur pozicionin e aleatit modest, ky transformim i Ramës ditët e fundit nuk do të dukej kaq qesharak. Jo më kot, ka marrë trajtat e një provinciali të kompleksuar që nuk guxon të përmendë fjalën Ukrainë. Sepse kur bën politikë me meme, përfundon duke u bërë vetë një meme, që pret se nga do fryjë era e radhës.