Blog

  • Edhe gratë, ashtu si burrat, tërhiqen nga partnerët më të rinj: e thotë shkenca

    Edhe gratë, ashtu si burrat, tërhiqen nga partnerët më të rinj: e thotë shkenca

    Dashuria nuk ka moshë. Mund të tingëllojë si një frazë plot karamele e çokollatë, por është shkenca që e thotë: si burrat ashtu edhe gratë tërhiqen nga partnerë më të rinj, edhe pse nuk e kuptojnë. Është ky përfundimi i arritur nga studiuesit e Universitetit të Kalifornisë – Davis në konkluzionet e një studimi të kryer duke analizuar 4500 takime në errësirë të njerëzve në kërkim të një partneri afatgjatë.

    Duke ekzaminuar deklaratat e 4,500 personave midis moshës 22 dhe 85 vjeç, që iu drejtuan Tawkify, një shërbimi takimesh për persona singel në kërkim të një lidhjeje serioze, të ndarë në mënyrë të barabartë midis burrave dhe grave, studiuesit krahasuan preferencat e shprehura nga pjesëmarrësit përpara se të merrnin pjesë në një takim në errësirë dhe përgjigjet që ata dhanë pas takimit.

    “Pas një takimi në errësirë, pjesëmarrësit ishin pak më të tërhequr nga partnerë më të rinj dhe kjo prirje ishte si për burrat ashtu edhe për gratë,” ka nënvizuar Paul Eastwick, profesor i psikologjisë në UC Davis dhe autori kryesor i studimit: “Kjo preferencë për më të rinjtë e vërejtur tek gratë do të jetë ‘tronditëse’ për shumë njerëz, sepse në çift janë burrat që kanë tendencë të jenë më të moshuar se gratë dhe për më tepër, është fakti që gratë në përgjithësi afirmojnë që preferojnë të kenë një partner më të madh në moshë. Por preferencat femërore mbi takimet e kryera kanë zbuluar diçka krej tjetër“.

    Në letër, duke iu përgjigjur pyetjeve të një sondazhi, shumica e pjesëmarrësve ka treguar një kufi moshe më të ulët se ai i tyre për një partner të mundshëm, pa asnjë dallim midis burrave dhe grave. Përballë këtij fakti, studiuesit janë përpjekur të kuptojnë nëse gratë me të ardhura më të larta se mesatarja mund të priren për të zgjedhur një partner më të ri, por në këtë rast nuk ishte e mundur të arrinhej në një konkluzion të qartë.

    “Këto rezultate sugjerojnë që si burrat ashtu dhe gratë e shohin rininë disi më tërheqëse në fazat e hershme të një marrëdhënieje apo kontakti, pavarësisht nëse janë të vetëdijshëm apo jo, për këtë” ka deklaruar profesor Eastwick në konkluzionet shoqëruese të rezultateve të sondazhit, të publikuara në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences (PNAS).

  • Veliaj, Tahiri, Dako, Koka, Beqja – Edi Rama ua futi të gjithëve

    Veliaj, Tahiri, Dako, Koka, Beqja – Edi Rama ua futi të gjithëve

    Tashmë prej disa ditësh, kryeministri Edi Rama ka vendosur në “shënjestër” të sulmeve të tij Gjykatën dhe Prokurorinë e Posaçme, në një tentativë që mesa duket synon të bindë pasuesit e tij se ai nuk gjendet pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

    Por le të kthehemi 10 vite pas t’i hedhim një sy asaj që Edi Rama u ka bërë bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, kohë pas kohe e rast pas rasti.

    Sigurisht, kemi të bëjmë me rrethana, kohë dhe karaktere të ndryshme, por një gjë nuk ndryshon: Edi Rama i ka përdorur të gjithë pa përjashtim si limona të shtrydhur, duke u marë dhe pikën e fundit, dhe më pas i ka flakur tej, drejt e në “koshin e plerave” (lexo: burg).

    Në vitin e largët 2015, thashethemet flisnin për një garë të ethshme mes Ministrit të Brendshëm të kohës, Saimir Tahiri, dhe Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, se kush do ishte pasardhësi i kryerilindësit, kryeministrit dhe kryesocialisttit Edi Rama.

    Sot 10 vjet më pas, të dy janë totalisht të djegur politikisht dhe pa asnjë të ardhme në partinë e Edi Ramës.

    I pari që e provoi keqpërdorimin e Edi Ramës ishte Saimir Tahiri. Në vitet 2015-2016, në kulmin e kanabizimit të Shqipërisë nga Veriu në Jug, Tahiri mbante postin e Ministrit të Brendshëm, ndërkohë që, si Rama, ashtu edhe Ambasadori Amerikan i kohës, Donald Lu, flisnin për “suksese të paimagjinueshme” në luftën kundër narkotikëve.

    Në vitin 2017, kur historia e kanabizimit nuk mund të mbulohej as me shoshë e as me propagandë, në Itali dolën përgjimet e grupit kriminal të narkotrafikut “Habilaj”, kushërinj të Tahirit, Rama veproi shpejt dhe e largoi bashkpunëtorin e tij të ngushtë duke dhënë sinjale se tashmë kariera e tij politike kishte marë fund.

    Prokuroria në atë kohë kërkoi heqjen e imunitetit dhe arrestimit e ligjvënësit Saimir Tahiri. Rama e mbrojti me votë politike në Parlament, duke sulmuar prokurorët e çështjes, sidomos njërin prej tyre, që në atë kohë drejtonte Prokurorinë për Krime të Rënda. Por teatri i Ramës ishte sa për sy e faqe për t’u thënë socialistëve “shtrëngoni radhët”.

    Tahiri me shumë mundësi, e ka kuptuar që pas problemeve të tij ligjore fshihej Edi Rama, dhe lëshoi disa kërcënime në dëshpërim e sipër, megjithatë shpresoi në “dorën e ngrohtë” të Liderit.

    Shpresa ishte e kotë. Tahiri u dënua me burgim për “shpërdorim detyre”, sepse, siç tha gjykata, “ka lejuar kanabizimin e vendimit”.

    Por, ish-zv.kryeministri dhe ministër në qeveritë e Ramës, Arben Ahmetaj, dha një version tjetër mbi kanabizimin. Në një intervistë në fillim të vitit 2025, Ahmetaj deklaroi se “Edi Rama e dinte situatën e kanabizimit dhe e lejoi atë me vetëdije”, çka lë të kuptohet se Tahiri u dënua për një projekt kriminal që shkonte përtej tij.

    Në të vërtet, a ka njeri racional, me dy pare mend në kokë, që beson se një ministër mund ta kthej Shqipërinë në një fermë kanabisi pa dijeninë e Kryeministrit?!

    10 vjetë më pas, Rama, me stilin e tij “hëm të mbroj, hëm s’të mbroj. Hëm ke faj, hëm s’ka çfarë të të bëj”, i jep fund edhe karrierës politke të Erion Veliajt. (Nuk ka fare rëndësi se si përfundon çështja ligjore e tij).

    I kallëzuar zyrtarisht dhe i akuzuar publikisht për përfshirjen në aferën qindra miliona euro të inceneratorit të Tiranës dhe skandalit miliona euro “5D”, Veliaj gjendet pas hekurave vetëm për një skemë të dyshuar kalimi të fondeve të Bashkisë në rendin e disa qindra mijëra eurove drejt organizatave jo-qeveritare të menaxhuara nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxe.

    Por, a u keqpërdor Erion Veliaj si një makineri elektorale në Tiranë dhe jo vetëm, për t’i dhënë pushtet dhe hymër Kryerilindasit?! A thua se iu shkrep një ditë në kokë të ndërtonte incinerator pas shpinës së Ramës?!

    Në fakt, Veliaj firmosi vetëm një shkresë për inceneratorin, ndërkohë Mazniku ka firmosur me dhjetra shkresa dhe për momentin është në kabinet me Ramën dhe ende jo i dyshuar apo i pandehur.

    Por Ramës nuk i intereson që Veliaj të hetohet për inceneratorin se, ku i dihet, mund t’i dali për keq kjo gjë. Kështu që, më mirë le të hetohet për pasurinë personale, një gjë që nuk e lidh asgjëkundi Ramën me problem ligjore.

    Rama e përdori dhe tashmë po e flak tutje si një limon të shtrydhur. Le të kujtojmë kur e ndërseu Veliajn për çështjen e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe, pasi bëri marrëveshje me të singjashmin e vet, Armando Dukën, Rama e tërhoqi bedelin e vet, por jo pa kosto për këtë të fundit.

    Edhe kur Veliaj doli në hetim nga SPAK-u, Rama e bëri të dilte me deklarata absurd, duke sharë e mallkuar Saliun, a thua se fati i tij varej nga opozita.

    Kryerilindasi e keqpërdori kudo dhe pa fund njeriun, i cili mendohej si pasardhësi i tij, dhe në fund i dha goditjen finale.

    Është e paprecedentë sesa është numri i kullave në Tiranë, për të cilat duhej të flitej, të hetohej, të kishte dhe njerëz në burg. Por, në fakt, histeria që ka plasur, janë veshjet e gruas së kryebashkiakut. E gjitha kjo ngjan me një strategji të mirëmenduar nga vetë AY, i madhi.

    Duke marrë parasysh edhe gjendjen profesionale të medias sonë, ku të gjithë rendin kot më kot pas berihajit, reputacioni i Veliajt fundoset, pushteti i Liderit vazhdon qetë.

    Mesditën e së Enjtes, pas disa pjesëve teatrale disa-ditore, kur Gjykata e Posaçme rikonfirmoi masën e arresit, Rama shfaqi rolin e tij të vërtetë në këtë histori: “Beteja ligjore e Erionit është beteja e tij dhe e avokatëve të tij, jo e imja dhe e Partisë Socialiste”.

    Pra në harkun e 10 viteve, dy garuesit për pasardhës i kanë varur këpucët në gozhdë, ndërkohë lideri, arkitekti, i madhi, është aty.

    Por, në periudhën kohore mes rënies së këtyre dy konkurrentëve, janë disa viktima të tjera, diku me pasoja e diku pa pasoja penale.

    Vangjush Dako, ose “Gjush akullorja”, ish-kryebashkiaku i Durrësit, njëri nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Edi Rama, u arrestua për “shpërdorim detyre”.

    Një tjetër rast i një njeriu që kishte shërbyer si makineri elektorale për Rilindjen, i cili u shtrydh si limon dhe u hodh tej nga Rama.

    Dako, në ndryshim nga Tahiri e Veliaj, nuk kishte kurrëfarë ambicie për Lider, por, për t’i bërë qejfin anturazhit të Ambasadës Amerikane në Tiranë, e lëshoi dhe këtë, por për vepra penale që Rama nuk hyn prapë, nuk është aty.

    Pra Gjushi, që kishte krijuar makineri elektorale si të rrëmbente vota majtas-djathtas, si të shpërndante tendera për malavitën, si të fuste kandidatë banditë në listë fituese për Kuvendin e Shqipërisë, hetohet për ndërtim pa leje.

    Çfarë ironie, po me firmën e kujt vajtën kandidatët e malavitës në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve?! Të Ramës apo të Gjushit? Po edhe Gjushi, pasi është keqpërdorur, patjetër që do ketë fatin e gjithë limonave që AY, i madhi, i shtrydh dhe i hedh tutje.

    Mbetemi në Durrës

    Lefter Koka një biznesmen i hershëm dhe Ministër i Mjedisit nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në qeverinë “Rama 1”, Koka nuk kuptonte shumë, në mos fare, nga inceneratorët.

    Megjithatë, nën orientimin e kryeministrit Rama, firma e Lefter Kokës gjendet në tre aferat koncesionare të inceneratorëve Elbasan, Fier dhe Tiranë.  Pasi iu dha udhë inceneratorëve, Rama e tërhoqi Lefterin nga LSI-ja e Ilir Metës, duke e kandiduar në vitin 2021 në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste në Durrës. Koka fitoi zgjedhjet, por AY e nxiti që të mos e merrte mandatin e fituar, me shpresën që do t’i zgjidheshin hallet me drejtësinë.

    Në fund, Lefter Koka u arrestua, deri më tani është dënuar për aferën e dy inceneratorëve, atë të Elbasanit e Fierit, ndërkohë që është në gjyq për inceneratorin e Tiranës. Pra edhe Koka u përdor si limon i shtrydhur dhe u flak tej pasi nuk i duhej më Kryerilindësit.

    Të njëjtin fat si Koka pati dhe Alqi Bllako që investoi gjithë anën e tij shpirtërore dhe materiale për Rilindjen në zgjedhjet e vitit 2021, por që u detyrua ta lërë shpejt mandatin dhe tashmë ndodhet pas hekurave, pasi edhe ky u përdor si limon i shtrydhur nga Rama dhe anturazhi i tij.

    Ilir Beqja ishte një nga “dy të gjatët e qeverisë, të cilët, për shkak të gjatësisë, nuk kishte shans të korruptoheshin”. Një mik i hershëm i kryeministrit Edi Rama, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja ka firmën e tij në katër kontratat e dyshimta koncesionare në Shëndetësi.

    Fillimisht, Lideri e shpëtoi nga arrestimi, kur u mor nën akuzë për aferën 100 milionë euro të koncesionit të Sterilizimit. Madje, Rama sfidoi këdo, kur e emëroi Beqjan në krye të menaxhimit të fondeve të Bashkimit Europian, ndërkohë që ishte nën hetim për Sterilizimin.

    Sigurisht që Beqaj nuk i kishte bërë me kokën e tij këto kontrata, aq më tepër që aty është e përfshirë edhe Ogerta Manastirliu, sepse siç pamë edhe më lart, asgjë nuk bëhet pa bekimin, miratimin ose drejtimin e dirigjentit të Rilindjes, vetë të Madhit.

    Por, Ilir Beqja gaboi rëndë kur kujtoi se, meqë kishte vjedhur me leje, mund të vidhte edhe pa leje. Ai përfundoi në pranga, pasi disa mijëra euro të donatorëve europianë i kanalizonte për fatura në lokalin e bashkëshortes së tij. Lideri pastaj e flaku si limon të shtrydhur, duke i thënë mikut të tij të vjetër se “s’kam ç’të të bëj, ke vjedhur në mënyrë të rëndomtë”.

    Arben Ahmetaj, ish-ministër dhe ish-zv.kryeministër në qeveritë e Edi Ramës, tashmë në arrati, lideri e largoi fillimisht nga qeveria, kur ndaj Ahmetajt kishin nisur të hidheshin akuzat e para në publik për përfshirje në aferën e inceneratorëve.

    Më pas, Rama e riktheu fuqishëm, duke iu dorëzuar Ahmetajt postin e zv.kryeministrit dhe portofolin e ministrit të Rindërtimit dhe Pandemisë.

    Por, rikthimi nuk zgjati shumë. Brenda një kohe të shkurtër, Arben Ahmetaj u shkarkua nga të gjitha pozicionet në qeveri dhe parti, duke mbajtur vetëm pozicionin e deputetit. Ahmetaj u detyrua të largohej nga Shqipëria, pasi tashmë e kishte kuptuar se Lideri kishte vendosur fatin e tij-burgosjen.

    Sipas të gjitha gjasave, Ahmetaj e njeh më mirë se kushdo Ramën dhe mekanizmin e tij të përdorimit të limonit të shtrydhur, dhe iku me vrap jashtë në arrati.

    Jorgo Goro, ish-kryebashkiaku i Himarës, u përdor dhe u keqpërdor nga kryeministri Edi Rama sa të mbaronte “disa punë” me pronat për oligarkët në bregdet dhe, më tej, u hodh në duart e drejtësisë.

    Goro u arrestua për falsifikim dhe shpërdorim detyre në dy procese të ndryshme. Njëri prej tyre lidhet me pronën që iu dha Artan Gaçit, bashkëshortit të deputetes socialiste, Olta Xhaçka, për të ndërtuar resort në bregun e Dhërmiut.

    Olta Xhaçka është pjesë e asaj liste, të cilën lideri po e mbron me fanatizëm, sidomos gjatë kohës që ka qenë Ministre e Mbrojtjes, duke dhënë prona të ushtrisë oligarkëve të babëzitur të Shqipërisë së varfër.

    Oltën po e mbron edhe përballë Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht dyshimeve për abuzime, dhe provave që mbart një mandat të paligjshëm si deputete. Por është çështje kohe, kur edhe Xhaçka të shkoj atje, te vendi që AY rezervon për limonët e shtrydhur.

    Shpëtim Gjika, kryetari jetëgjatë i Bashkisë së Vlorës dhe një nga individët që siguronte hambar votash për Partinë Socialiste, u arrestua në vitin 2015 për leje abuzive ndërtimi. Rama, i cili i kishte besuar Gjikës fushatën elektorale parlamentare të vitit 2013, nga ku u zgjodh deputet, u shfaq “i pikëlluar” për fatin e keq të kryebashkiakut.

    “I dashur Shpëtim, uroj me shpirt që të jesh i pafajshëm”, deklaroi Rama, ndërkohë që Shpëtim Gjika shkonte i vrerosur drejt hekurave të qelisë.

    Deputeti Jurgis Çyrbja e pa veten “të flakur” politikisht dhe individualisht, pasi më herët kishte angazhuar grupet kriminale për të mbledhur vota për veten e tij dhe Rilindjen që ka në krye Edi Ramën.

    Safet Gjici, “bajraktari” i Kukësit u përdor nga Rama për të thyer një bastion si qyteti verior, duke siguruar vota pa masë për Rilindjen. Pasi doli e u krekos për një bashki më shumë, Rama priti rastin. Dhe rasti nuk vonoi.

    Gjici u arrestua për “korrupsion” erotik dhe, siç thonë burime të brendshme nga burgu i Durrësit, inatin e ka me Edi Ramën, që nuk përdori pushtetin e tij për të ndaluar rrjedhjen e videos skandaloze në portale të ndryshme.

    Edi Rama hodhi si limon të shtrydhur mentorin e tij Koço Kokëdhimën por jo vetëm. AY i hodhi tej edhe kryebashkiakë të dorës së dytë, atë të Lushnjes, Fatos Tushe; atë të Bulqizës, Lefter Alla; atë të Tropojës, Rexhë Byberi dhe atë të Fushë-Arrëzit, Fran Tuci, të cilët u arrestuan apo u detyruan të qëndronin në shtëpi, për abuzim me detyrën.

    Tani basti është kush e ka radhën Taulant Balla, zv.kryeministrja dhe njëkohësisht Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku; ish-ministrja e Shëndetësisë dhe aktualisht Ministre e Arsimit, Ogerta Manastirliu; apo ish-Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca e të tjerë të ngjashëm.

    Në çdo rast, Rama do i hajë të gjithë, sigurisht, pasi t’i përdori si limona të shtrydhur. Të gjithë në burg, vetëm AY, Lideri, do të mbetet aty, gjatë, shumë gjatë ndoshta.

    Me arrestimin e Veliajt, “i pezmatuari i shtirur” Edi Rama e ka një dorë më shumë të shtrirë në kollondrisjet e punëve në bashkinë më të madhe në vend. Jo se Veliaj nuk e pyste më parë, por çoç dilte ndonjëherë nga radha, duke tentuar të krijonte edhe ai oligarkinë e tij, të cilën e mori me vete në SPAK. Tashmë Rama i ka të gjitha, edhe atë që mëndonte se nuk e kishte tërësisht.

    Çdo gjë i shkon sipas planit. Me zhdukjen e Veliajt, me apo pa SPAK, e ka bërë gati pasardhësin për në Bashkinë Tiranë. Blendi Gonxhe është aty, i cili si një “qingj i urtë” priste radhën pa bërë zhurmë, pa e bezdisur kryetarin, duke pranuar poste të vogla për shumë vite dhe pritur xhevapin e Ramës për ta ngjitur në krye të Bashkisë Tiranë. Edhe Gonxhja mund të tentojë të “hapë petalet”, por e ka të qartë se AY sa të ketë frymë si fillim do të presë kokat e atyre që duan ta zëvëndësojnë.

    Në shkoftë tek shokët, me siguri do i gjejnë ndonjë kleçkë me makinat që i jepte me qera të kripura  institucioneve shtetërore dhe jo për faljen e pasurisë publike me të ashtëquajturën “paketa e maleve”, sepse aty ka dorë Kryeministri. Me radhë të gjithë! Radhën e cakton AY…

  • Rënia e Velisë është rënia e Edi Ramës

    Fundi i Ramës, njeriut që erdhi si shpresë për vendin dhe përfundoi si kapo e një bande keqbërësish

    Në 12 vite si kryeministër, Edi Rama nuk është dukur më keq se dy ditët e fundit, pas dërgimit në qeli të atij që ishte projektuar si pasardhës i tij në Partinë Socialiste. Me pamjen e një korbi të rrëgjuar, të cilit po i bien pendët duke i zbuluar lëkurën e sëmurë, kreu i organizatës së Rilindjes, është dorëzuar më në fund duke pranuar se parimet apo standartet e propaganduara prej tij deri më tani, kanë qenë thjesht pallavra.

    I kushtëzuar prej peshës politiko- mediatike të Veliajt që ai vetë ia ka dhënë, i panikuar se një “tigër nr.2” mund të klithë nga qelia dhe nën paranojën se “heronjtë” e SPAK po i paraprijnë një erë tjetër që fryn përtej oqeanit e mund t’i dalin nga kontrolli, kryeministri “reformator” ka dalë me tezën e rrezikut të një Republike Prokurorësh. I përbetuari se nuk do të komentonte kurrë veprimet e drejtësisë së re, akuzoi në cilësinë e kryeministrit prokurorë e gjyqtarë si kamikazë të opozitës e sigurimsa, u përmendi rrogat e larta dhe i shantazhoi se nëse merr mandatin e katërt do të vendosë të tjera standarte për drejtësinë. Me këtë qëndrim, ai ua ka mbushur gojën me diçka që do t’i pengojë të flasin, të gjithë atyre që alarmoheshin nga gjuha e Berishës, i cili nuk e ka fuqinë e kryeministrit për të ndikuar e shantazhuar drejtësinë.

    Më keq se kaq, Edi Rama u detyrua të shfaqet si langaraq përpara organizatës dhe “dëshmorëve” të saj, të cilëve deri dje u kishte trumpetuar se përgjegjësia është individuale dhe se partia nuk është zyrë avokatie për ata që hanë dardha pas shpinës së tij, porse në rastin e Veliajt përgjegjësia qenka e standarteve të drejtësisë së re.

    Deputetët e organizatës, që rrinë si pula të shushatura kur bossi i tyre ndërron qëndrim 180 gradë, dëgjuan se ai ishte i ndjeshëm për faktin se kush do ta çonte në shkollë djalin e Erjonit, por nuk i kujtuan fjala vjen se përse nuk u prek për foshnjen e Arben Ahmetajt apo vajzat e rritura që duhet të lexonin lajmet për vibratorë në shtëpinë e babait të tyre. Edi Rama me të drejtë mund të kërkojë prova për burgosjen e Velisë, por si kryeministër pse nuk i kërkoi edhe për Fredi Belerin e Sali Berishën? Atij i ardhkërka keq që një artisti iu mor telefoni nga SPAK, por fërkoi duart kur ish presidenti dhe njeriu që i dha pushtetin si në Bashki ashtu dhe në qeveri, u tërhoq zvarrë nga policë me maska.

    Këto standarte të dyfishta nuk vlejnë aq për të treguar moralin e Edi Ramës, se sa për t’u dëshmuar vetë socialistëve se lideri i organizatës ka mbërritur në pikën ku nuk mund të mbrojë e të tregojë asgjë bindëse përballë tyre, veç piruetave boshe dhe trashjes së zërit ndaj vartësve kur i ikën interneti. Me burgosjen e Velisë, teza e fajit individual ka rënë. Normalisht, në një vend ku demokracia funksionon, një kryeministër me kreun e bashkisë dhe numrin dy të partisë në qeli, me ministrat kryesorë në burg e një varg të tërë zyrtarësh e deputetësh të dënuar apo nën akuzë, të gjithë për korrupsion, do kishte dhënë dorëheqjen me kohë. Për të shmangur këtë përgjegjësi mëse normale, Ramës nuk i mbetej gjë tjetër veçse sulmi absurd ndaj një drejtësie që kurrë s’ka guxuar të shkojë deri tek ai apo tek krimi elektoral që e mban atë në pushtet.

    Rama sot nuk është i poshtëruar në sytë e atyre që e kanë zgjedhur, vetëm për faktin se ka ngritur një sistem të korruptuar. Ai është i menderosur përballë socialistëve të thjeshtë që po shohin çdo ditë se në çfarë luksi e kanë shndërruar votën e tyre Edi Rama me shokë. Erjoni nuk vesh fustan, u mundua të shfajësohet kryeministri, por nuk tha se 900 mijë euro blerje online Ajolës nuk ia ka dhënë “tata për bajrom”, por abuzimi dhe arroganca me një pushtet që konsiderohet i përjetshëm. Kryeminstri, qejfli i verave të shtrenjta, fluturimeve charter, ulëseve VIP në NBA, nuk mund të jepte shpjegim tjetër. Ai mund të shpenzojë për detokse fiziologjike, por është i dorëzuar përballë helmatisjes që u ka shkaktuar shqiptarëve.

    Prandaj këtë herë, kur trashjen e abuzimit 10 vjeçar në bashkinë e Tiranës nuk kishte rrjetë që ta lëshonte dot, Edi Rama nuk mund ta justifikonte me dardha e mollë. Bahçja e tij e korrupsionit ka dalë sheshit, bashkë me rrënimin e imazhit të një njeriu që erdhi si shpresë për vendin dhe përfundoi si kapo e një bande keqbërësish. Me daljet e fundit në publik, ai do të mbahet mend edhe si rekordi i një politikani që iu harxhuan alibitë për të mbuluar abuzimet dhe skandalet që prodhoi. Prandaj nuk po arrin të bëjë më bla bla bla, por vetëm kra kra kra.

  • Ajola vishet me Prada, Rama dhe Veliaj e mbrojnë me çdo kusht

    Ajola vishet me Prada, Rama dhe Veliaj e mbrojnë me çdo kusht

    Afro 1 milion euro blerje. Rama: “S’i vesh Erioni”. Veliaj: “Janë blerë për artistët”

    Ndonëse SPAK, sipas zakonit, ka vijuar me metodën e damkosjes së personalitetit të atyre që bien pre e tij, Rama dhe Veliaj kanë nxituar të bëjnë të kundërtën. Ata janë përpjekur me çdo çmim ë shfryjnë zëmëratën popullore për daljen e shifrave marramendëse të blerjeve të gruas së kryebashkiakut.

    Në komunikatën zyrtare të nxjerrë të hënë, për arrestimin e Veliajt dhe masën arrest shtëpie të bashkëshortes Ajola Xoxa, falë transaksioneve dhe pagesave që shkonin tek kjo e fundit në komunikatë u përmenden edhe shpenzimet e saj për plaçka dhe bizhuteri. “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja A. X., vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë, ose rreth 880 mijë euro. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të”, shkruhej aty. Një ditë më pas dalja e e vendimit të plotë të gjykatës i detajoi ato.

    Ky pohim për afro 220 mijë euro ne vit blerje këpucëssh çantash bizhuterish vjen pas akuzës së Arben Ahmetajt për shishet e verës 33600 euro copa që konsumon kryeministri në zyrën e tij. Ato dëshmojnë për botën ireale ku jetojnë prej kohësh hierarkët e rilindjes.

    Qoftë edhe për këtë Kryeministri i ka dalë në mbrojtje Ajolës duke vërejtur se është absurde “Të thuash 800 mijë euro blerje online për bizhu dhe fustan ndërkohë që kryetari i bashkisë nuk vesh fustan e nuk përdor bizhu dhe për këtë të marrësh një njeri të zgjedhur që ka një kontratë me qytetarët dhe ta mbyllësh në dhomë paraburgimi”. Më pas Rama shtoi se “hedhja e kësaj shifre në mexhelis është absolutisht e qëllimshme për të ekzaltuar masën që kërkon gjah dhe nga ana tjetër për të krijuar një situatë ku të jetë e pamundur që të diskutosh”. 

    Rama i mbajti këto qëndrime një ditë pasi në një deklaratë nga burgu Veliaj u mundua ti shpjegone ato që u quajtën si shpenzimet marramendës të bashkëshortes së tij, duke pretenduar se ato ishin blerë për artistët e kontraktuar nga Harabel. “Blerjet online janë të gjitha të deklaruara dhe në një shumë disa herë më të vogël, janë bërë për shfaqjet artistike të fondacionit kulturor të sime shoqeje. Faturimi i asaj shume në një akt-akuzë, si një lumë parash i derdhur për luks, është një perversitet kriminal”. Ai e akuzoi prokurorin Olsi Dado se nuk i pati marrë parasysh këto pretendime: Kur i thosha se kjo ishte e vërteta dhe kur në fakt, në shtëpinë tonë nuk ka gjetur as fustane mijëra eurosh, as bizhuteri me ndonjë vlerë të veçantë, ai zvarranik si i dalë nga qenefët e dikurshëm të Sigurimit të Shtetit zgërdhihej dhe më tregonte se si i binte violinës kur ishte i vogël”.

    Por në fakt Lapsi.al, ka lexuar dosjen e vendimi të Gjykatës për arrest me burg për Veliajn dhe me arrest shtëpie për Ajola Xoxën. Nga faqja 110 deri në faqen 124 të saj janë të detajuara, një për një, faturat e blerjeve, ç’doganimet e atyre që ishin bërë online dhe kartat e kreditit, shpëesh të personave të tretë, që i kanë kryer ato.

    Një ekspert i fushës i pyetur nga Lapsi.al tha në kushtet e anonimatit se është absurde të pretendohet që për një shfaqe të blehet për protagonistës veshje Gucci, Prada ose Luis Vuitton. “Nëse do ndodhte kështu kostot e eventeve do ishin marramendëse” tha ai. Pra përpos Alibisë së Ramës se Erioni nuk vesh fustane dhe nuk vë bizhu shifrat e blerjeve të çmendura kërkojnë shpjegim më serioz.

  • Erion Veliaj i dënuar?! Shënimi i pazakontë në Dosjen e SPAK, si është mbajtur i fshehtë ky fakt gjatë karrierës politike

    Erion Veliaj i dënuar?! Shënimi i pazakontë në Dosjen e SPAK, si është mbajtur i fshehtë ky fakt gjatë karrierës politike

    Një element interesant zbulohet në dosjen e SPAK në vendimin për dhënien e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Jemi të parët që kemi vërejtur që në dosje rezulton se Erion Veliaj është i dënuar edhe më parë.

    SPAK e ka shënuar gjendjen e tij gjyqësore të mëparshme si i dënuar, ndërsa le të kuptohet se ky nuk është një lapsus. Me një shënim “1”, sipër mbiemrit i dënuar, SPAK shton se nga verifikimet e bëra në sistemin gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, Veliaj rezulton se është i dënuar.

    Ky fakt nuk është bërë asnjëherë publik gjatë karrierës 25-vjeçare të Veliajt në politikë as nga Partia Socialiste dhe as nga vetë z. Veliaj.

  • Nga Lutfi DERVISHI – Spektakli i munguar i prangave

    Diskutimi mbrëmshëm në ekrane rreth kryebashkiakut nisi duke komentuar momentin e arrestimit, duke vene ne dukje sesa bukur ishte dhe duke sjellë në vëmendje precedentët. Ndalimi i kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit ishte krejt ndryshe.

    Po të mos ishte një kamera televizive që duket i rastësishëm, arrestimi i Erion Veliajt do të mbushej me konspiracion.

    Ajo që pamë është në kontrast të plotë me mënyrën se si u arrestua ish-Presidenti Meta. Oficerë të policisë me veshje civile shoqërojnë në makinë kryetarin e Bashkisë pa prezencë të tepruar, pa pranga, pa show.

    Operacioni u krye pa skena dramatike dhe pa gjeste që më shumë i shërbejnë spektaklit sesa drejtësisë.

    Në të shkuarën, arrestimi i figurave të njohura politike dhe publike ka qenë i shoqëruar me një regji të kujdesshme por të shëmtuar për kamerat.

    Ish-Presidentit Ilir Meta, i cili u ndalua në rrugë nga forca speciale, me kapuçë në kokë, me dhunë dhe me një regji perfekt për mediat, siç përdoret për huliganet e drogës diku.

    Më neveritës se mënyra e ekzekutimit të aksionit ishte justifikimi se “policia ka një urdhër arresti në dorë dhe nuk zgjedh sesi dhe ku do të kryejë ekzekutimin”.

    Në të dy rastet pasi merr urdhrin e prokurorit drejtuesi i operacionit harton skenarin se si duhet vepruar. Në rastin e djeshëm mesazhi ishte i qartë: ekzekutim në zyrë, pa bujë, pa kamera.

    Spektaklit të kamerave nuk i ka shpëtuar as Prof. Jamarbër Malltezi në aeroport, as ish guvernatori që më pas mori pafajësi dhe dëmshpërblim nga gjykata dhe as ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, kur doli nga Gjykata me pranga, ndërsa kamerat transmetonin çdo hap të tij drejt makinës së policisë.

    Këto raste janë shembuj që tregojnë se si vallëzon tango drejtësia me spektaklin. Në vend të një procesi normal, publiku bombardohet me imazhe që i ngjajnë më shumë një “reality show” politik sesa një shteti ligjor funksional. Dhe për rrjedhojë, në vend që të diskutohet për thelbin, diskutohet për formën.

    Nuk ka asnjë diskutim që, publiku ka të drejtë të informohet për arrestimin e zyrtarëve të lartë, por pa e kthyer procesin në një spektakël të dirigjuar nga interesat politike.

    Pavarësisht akuzave, çdo i arrestuar ka të drejtën e një trajtimi korrekt dhe të barabartë para ligjit.

    Nuk mund të ketë dy standarde: një për disa dhe një tjetër për të tjerët.

    Në rastin e Veliajt, policia bëri punën e vet pa bujë. A është ky një fillim i ri apo thjesht një përjashtim nga rregulli i deritanishëm? Këtë do të na e tregojë arrestimi i radhës.

  • Ushqime të dëmshme pas të 50-ave, si t’i minimizoni

    Ushqime të dëmshme pas të 50-ave, si t’i minimizoni

    Pas moshës 50 vjeçare, metabolizmi yt ngadalësohet dhe trupi bëhet më i ndjeshëm ndaj kushteve të caktuara shëndetësore, si probleme kardiovaskulare, diabet dhe osteoporozë. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje disa ushqimeve që nëse konsumohen me tepricë mund të kenë efekte negative në shëndet. Ja një listë e ushqimeve kryesore që duhen minimizuar:

    1. Sheqerna të rafinuara dhe ëmbëlsira industriale

    • Pse t’i kufizosh: Sheqernat e rafinuar kontribuojnë në shtimin në peshë, në diabetin e tipit 2 dhe në plakjen e parakohshme të lëkurës.
    • Ku gjenden: Pije me sheqer, karamele, biskota industriale, ëmbëlsira të gatshme.
    • Alternativa: Zgjidhni ëmbëlsues natyral, si mjaltë (me moderim) ose fruta të freskëta.
    1. Mishra të përpunuar

    • Pse t’i kufizosh: Janë të pasura me yndyrna të ngopura, natrium dhe konservues, duke rritur rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit.
    • Ku gjenden: Sallame, wurstel, salçiçe, proshutë, mish i konservuar.
    • Alternativa: Zgjidhn proteina pa yndyrë si pulë, gjeldeti ose bishtajore.
    1. Ushqime të pasura me natrium

    • Pse t’i kufizosh: Konsumimi i tepërt i natriumit mund të shkaktojë tension të lartë, duke rritur rrezikun e goditjeve në tru dhe infarkteve.
    • Ku gjenden: Nëpër ushqime të gatshme, snack, salca të paketuara, kubikë bujoni.
    • Alternativa: Përdor barishte dhe erëza për t’i dhënë shije ushqimeve.
    1. Yndyrna trans dhe të hidrogjenizuara

    • Pse t’i kufizosh: Këto yndyrna rrisin kolesterolin “e keq” (LDL) dhe ulin kolesterolin, atë “të mirin” (HDL), duke nxitur sëmundjet kardiovaskulare.
    • Ku gjenden: Në margarinë, prodhime furre të paketuara, patate të skuqura, ushqime fast food.
    • Alternativa: Përdor vaj ulliri ekstra të virgjër ose avokado si burim yndyrnash të shëndetshme.
    1. Alkooli i tepërt

    • Pse ta kufizosh: Alkooli mund të sforcojë mëlçinë, të rrisë rrezikun e kancerit dhe të ndikojë negativisht në shëndetin e kockave.
    • Konsumim i moderuar: Jo më shumë se një gotë në ditë për femrat dhe dy për meshkujt.
    • Alternativa: Pije joalkoolike si çajra bimorë apo ujë me aromë.
    1. Ushqime të skuqura

    • Pse t’i kufizosh: Janë të pasura me yndyrna dhe kalori, duke rritur rrezikun e obezitetit dhe problemeve kardiovaskulare.
    • Ku gjenden: Patate të skuqura, kroketa, ushqime fast food.
    • Alternativa: Provoni pjekjen në furrë ose skuqjen me ajër.
    1. Drithëra të rafinuara

    • Pse t’i kufizosh: Mielli i bardhë dhe drithërat e rafinuara humbasin fibra dhe lëndë ushqyese, duke shkaktuar rritje të sheqerit në gjak.
    • Ku gjenden: Në bukën e bardhë, makaronat jo integrale, oriz i bardhë.
    • Alternativa: Zgjidhni drithëra integrale si kuinoa, farro ose orizi kaf.
    1. Qumësht me yndyrë

    • Pse t’i kufizosh: Janë të pasura me yndyrna të ngopura, që mund të kontribuojnë në rritjen e kolesterolit.
    • Ku gjenden: Qumësht i papërpunuar, gjalpë, djathë të vjetëruar.
    • Alternativa: Zgjidhn versione light ose yogurt me pak yndyrë.
    1. Pije të gazuara dhe me sheqer

    • Pse t’i kufizosh: Shton rrezikun e obezitetit, prishjes së dhëmbëve dhe diabetit.
    • Alternativa: Ujë pa gaz, çaj jeshil ose infuzione pa sheqer.
    1. Salca industriale dhe erëza të gatshme

    • Pse t’i kufizosh: Janë të pasura me sheqer, yndyrë dhe natrium.
    • Ku gjenden: Ketchup, majonezë, salcë për sallata të paketuara.
    • Alternativa: Përgatit salca shtëpiake me përbërës të freskët.

    Konkluzion

    Adaptimi i një diete të ekuilibruar, të pasur me fruta, perime, drithëra, proteina pa yndyrë dhe yndyrna të shëndetshme është thelbësore për të mbajtur një trup të shëndetshëm pas të 50-tave. Moderimi dhe zgjedhja e ushqimeve të freskëta, pak të përpunuara janë çelësi për të parandaluar sëmundjet kronike dhe për të jetuar më mirë.

    Artikulli është përgatitur nga bashkëpunëtorë të jashtëm të gazetatjetër.net

  • Filmat (kryevepra) më të nënvlerësuar të të gjitha kohërave

    Filmat (kryevepra) më të nënvlerësuar të të gjitha kohërave

    Çdo vit, Hollywood prodhon qindra filma, aq shumë sa disa prej tyre mund të na rrëshqasin nga sytë, disa xhevahire të vërteta, të fshehura që vihen në hije nga blockbuster dhe nga filmat më të vlerësuar me çmime. Qofshin drama apo komedi romantike, disa nga këta filma, mizorisht të nënvlerësuar, nuk morën kurrë kreditin që meritonin. Disa kanë marrë edhe komente negative, por meritojnë një shans të dytë, ndërsa të tjerët janë pritur mirë nga kritika dhe spektatorët, por nuk kanë arritur kurrë një publik të gjerë.

    Jeni kurioz të dini për cilin film po flasim? Mjafton të vazhdojmë më poshtë për të mësuar se çfarë të shikoni mbrëmjeve tani e tutje!

    The Rules of Attraction (2002)

    Bazuar në romanin klasik të viteve ’80 me të njëjtin emër të Bret Easton Ellis, kjo satirë dark ndjek një grup fëmijësh ekstremisht pretendues të një kolegji letrar. Kasti përfshin Jessica Biel, James Van Der Beek, Ian Somerhalder dhe Kate Bosworth.

    Disobedience (2017)

    I interpretuar nga Rachel Weisz dhe Rachel McAdams, ky film tregon historinë e një gruaje që, me rastin e funeralit të të atit, rikthehet në komunitetin hebre ortodoks që nuk e mirëpret më. Teksa ndodhej aty, rinis lidhjet me gruan me të cilën kishte patur një marrëdhënie “të ndaluar”.

    Stardust (2007)

    Ky film ka gjithçka që i nevojitet një filmi fantazi me ndikim të madh: mbretër vrasës, një yll magjepsës që merr formën e një gruaje të bukur njerëzore dhe një treshe shtrigash të liga, të udhëhequra nga Michelle Pfeiffer.

    99 Homes (2014)

    Me një kast të rëndësishëm që përfshin Andrew Garfield, Laura Dern dhe Michael Shannon, ky film ndjek një baba singëll, së fundmi i papunë, që lufton për të rikuperuar shtëpinë e tij të bllokuar duke punuar për një ndërmjetës frustrues pasurish të paluajtshme.

    Chloe (2009)

    Interpretuar nga Julianne Moore, Liam Neeson dhe Amanda Seyfried, ky film tregon për një doktoreshë që punëson një eskort për të joshur burrin e saj, që dyshon se po e tradhton.

    Empire Records (1995)

    Ky film kult përqendrohet mbi një ditë epike në një dyqan disqesh, ku secili personazh kontribuon me diçka të ndryshme në histori.

    The Village (2004)

    Disa kritikë thonë se ky film i M. Night Shyamalan ishte një dështim. “The Village” ndjek një komunitet fetar të izoluar teksa përpiqet të mbajnë një lloj paqeje me përbindëshat që sulmojnë fshatin. Në fund ndodh edhe episod i bujshëm.

    Seeking a Friend for the End of the World (2012)

    Kjo komedi-dramë apokaliptike sheh Steve Carell dhe Keira Knightley në gjurmët e një çifti të të panjohurish që krijojnë një lidhje të papritur teksa ndihmojnë njëri-tjetrin të gjejnë një zgjidhje përpara se një asteroid të zhdukë jetën në Tokë.

    Jennifer’s Body (2009)

    Kjo komedi dark-horror, me protagonistë Megan Fox dhe Amanda Seyfried, mund të kishte qenë një super-dështim, por fitoi statusin e kultit falë skenarit dhe kastit të saj të zgjuar.

    …We Need to Talk About Kevin (2011)

    Nuk është filmi për ty nëse je në kërkim të një filmi që të bën të ndihesh mirë. Thënë kjo, Tilda Swinton interpreton nënën e Kevin. Gruaja lufton të pajtohet me të birin psikopat dhe horroret që ai ka kryer.

    Aniquilação (2018)

    Shkruar dhe drejtuar nga Alex Garland, ‘Annihilation’ ndjek një grup biologësh dhe ushtarësh që nisen në një ekspeditë të rrezikshme për të studiuar një zonë anormale. Kasti i rangut më të lartë, të gjithë yje përfshi Natalie Portman, Jennifer Jason Leigh, Gina Rodriguez, Tessa Thompson, Tuva Novotny dhe Oscar Isaac.

    The Fountain (2006)

    Filmi i Darren Aronofsky, me Hugh Jackman dhe Rachel Weisz, “The Fountain” tregon tre histori mbi pavdekësinë dhe dashuritë e humbura të personazheve.

    Mississippi Masala (1991)

    Me protagonist Denzel Washington, ky film eksploron lidhjen midis një çifti ndërracor në Jugun e thellë amerikan, nga fillimet e tij romantike, deri te drama që pason kur romanca e tyre bëhet publike.

    Owning Mahowny (2003)

    Dan Mahowny, i luajtur nga i ndjeri Philip Seymour Hoffman, është një nëpunës banke që ka një lloj varësie ndaj bixhozit. Kur fiton aksesin në një llogari shumëmilionëshe, gjërat ndërlikohen.

    Chef – The Perfect Recipe (2014)

    Ky film zbavitës dhe prekës flet për një kuzhinier që hap një food truck. Kasti impresionues përfshin Bobby Cannavale, John Leguizamo, Scarlett Johansson, Sofía Vergara dhe Robert Downey Jr.

    Two for the Money (2005)

    Në këtë film, Matthew McConaughey bën kopje me Al Pacinon në një film dramatik mbi botën e errët të basteve sportive. Nuk ka asgjë më të mirë se një film me policor mbi sportin!

    Near Dark (1987)

    Film horror, i përqendruar mbi djalin e një fermeri që përfundon duke udhëtuar me një grup vampirësh, si mund të mos intrigohesh nga ky film i viteve ’80?

    Good Time (2017)

    Në këtë film, Robert Pattinson interpreton një grabitës banke që rekruton të vëllanë me aftësi të kufizuara për ta ndihmuar në sipërmarrjet e tij kriminale. Por kur i vëllai arrestohet, duhet ta nxjerrë nga burgu.

    Perfume: The Story of a Murderer (2006)

    Një adaptim kinematografik i romanit të Patrick Süskind të vitit 1985, ndjek jetën e Jean-Baptiste Grenouille, një vrasës me një obsesion pas aromave.

    That Thing You Do! (1996)

    Shkruar, drejtuar dhe interpretuar nga Tom Hanks, ky film fantastik ndjek një grup muzikor që shtyhet drejt yjeve të viteve ’60. Patjetër që ia vlen të shihet.

    Sleeping With Other People (2015)

    Ky film është një perlë absolute si një komedi romantike moderne. Interpretuar nga Alison Brie dhe Jason Sudeikis, përqendrohet mbi dy njerëz që kanë patur një aventurë për një natë dhe takohen sërish një dekadë më vonë. Është padyshim një film tërheqës, zbavitës dhe natyrisht, romantik.

    The Assassination (2004)

    Bazuar në ngjarje të vërteta, ky film ambientohet në vitin 1974 dhe përqëndrohet mbi një biznesmen që merr masa ekstreme për të ndjekur “ëndrrën e tij amerikane”.

    The One I Love (2014)

    Mark Duplass dhe Elisabeth Moss interpretojnë një çift që ka probleme në marrëdhënien mes tyre. Gjërat bëhen të çuditshme kur fillojnë të vizitojnë një terapist që t’i ndihmojë për të zgjidhur vështirësitë e tyre.

    In a World… (2013)

    Shkruar dhe interpretuar nga Lake Bell, ky film tregon historinë e një vocal coach që konkurron me babanë e tij legjendar, dublues zëri dhe me dublues më të madh të zërit të momentit.

    Sunshine (2007)

    Teksa Dielli po vdes, e bashkë me të edhe Toka, një ekip astronautësh dërgohet për ta ringjallur atë, por dështon. Një ekip i ri dërgohet shtatë vjet më vonë si shpresa e fundit e njerëzimit.

    Montecristo (2002)

    Bazuar në romanin e vitit 1844 me të njëjtin emër, ky adaptim kinematografik i vitit 2002 tregon historinë e një të riu që burgoset padrejtësisht falë një miku të tij. Më vonë arratiset dhe përdor një thesar të fshehur për t’u hakmarrë.

    Win a Date with Tad Hamilton! (2004)

    Ky film ka recetën perfekte për të qenë një komed e madhe romantike. Një vajzë nga provinca fiton një takim me një personazh të famshëm dhe kur takimi shkon më mirë se sa pritej, formohet një trekëndësh dashurie mes saj, shoqes së saj më të mirë dhe yllit.

    Daredevil (2003)

    Ky film interpretohet nga Ben Affleck në rolin e protagonistit dhe nga Jennifer Garner në atë të Elektrës. Të dy bëjnë aleancë për të shpëtuar qytetin e tyre nga një armik i përbashkët dhe për t’u hakmarrë për vrasjen e babait të Daredevil.

    Vanilla Sky (2001)

    Me regji të Cameron Crowe, “Vanilla Sky” sheh si protagonist Tom Cruise në rolin e një manjati editorial që pëson një aksident me makinë të shkaktuar nga e dashura xheloze.

    Burimet: (Marie Claire) (Wired)

  • Nga Alfred LELA – Chris LaCivita në Tiranë: Një non grata ra dhe një tjetër u ngrit

    Nga Alfred LELA – Chris LaCivita në Tiranë: Një non grata ra dhe një tjetër u ngrit

    Christopher LaCivita shkroi sot në Tiranë një tregim të shkurtër ala Hemingway. Ai ishte sintetik dhe programatik, si një personazh i shkrimtarit amerikan. A burly presence, siç, me gjasë, do ta përshkruante autori i “Plaku dhe deti” z. LaCivita, ai shpalosi instinktin e pagabuar amerikan të të menduarit dhe të të formuluarit. Duke dhënë, më së pari, një leksion të artë në komunikimin publik: retorika është e duhura vetëm kur shpaloset shkurt dhe shkoqur. Në vetëm gjysmë faqe A4, ai tha ato që donte, duhej dhe dinte të thoshte, duke dhënë, çka është më e rëndësishmja, edhe mesazhet që donte të jepte. Që ishin dy.

    Së pari, “ne jemi sot këtu sepse dëshirojmë të zgjedhim një kryeministër [lexo: Berisha] që është një mik i vërtetë i SHBA, i cili do të punojë në mënyrë të suksesshme me presidentin Trump dhe me SHBA”.

    Së dyti: “Kryeministri aktual [lexo: Rama] nuk është asgjë më tepër se një kukull e George Soros-it; nuk mund të jesh edhe kukull e Soros dhe mik i SHBA-ve”.

    Të dyja këto pika, të shtrydhura për të nxjerrë prej tyre kuptim politik, duan të thonë: Edi Rama bëhet non grata nga ShBA dhe Sali Berishës i hiqet non grata.

    Për Partinë Demokratike ky bëhet zhvillimi më i rëndësishëm që nga humbja rraskapitëse në zgjedhjet e vitit 2013. E ardhur në këtë pikë përmes kostove të paimagjinueshme, por edhe rezistencës në prag të heroikes, ky ndryshim fati lidhet sidomos me emrin dhe personazhin e Sali Berishës [audentes Fortuna iuvat]. Sipërfaqja e buzëqeshjes në portretin e Doktorit sot, e gjerë sa ultësira Perëndimore, mbante brenda shpagimin që buron nga e drejta dhe guximi.

    Berisha erdhi deri këtu, siç thuhet në Bibël, përmes një pune të denjë dhe të drejtë. Mbijetesa e Partisë Demokratike dhe shpagimi i saj, konturet e të cilit u dukën sot qartë, si te paraqitja e LaCivita ashtu edhe arrestimi i Veliajt, pushon në shpatullat e mijëra demokratëve dhe të dhjetra bashkëpunëtorëve, por sidomos, siç mund do të shkruante, po Hemingway, në këmbënguljen e Doktorit për të bërë përpara si një raging bull.

  • Llogaritë bankare, paratë kesh dhe blerjet e çmendura të çiftit Veliaj

    Llogaritë bankare, paratë kesh dhe blerjet e çmendura të çiftit Veliaj

    Nga skema e korrupsionit që çoi në burg Erjon Veliajt tërheq menjëherë vëmëndjen luksi i shfrenuar dhe shpenzimet marramendëse që ka kryer bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dëshmi e një standarti jetese ekstravagant ku jetojnë pushtetarët tanë. Ndër shumat e parave që tërheq vëmendjen janë gati 900 mijë euro blerje të veshjeve online dhe të bizhuterive të Ajola Xoxës në katër vitet e fundit.

    Me një llogari të thjeshtë, rezulton se bashkëshortja e Veliajt shpenzonte rreth 220 mijë euro në vit vetëm bizhuteri dhe veshje, të paktën nga ato që ka zbuluar SPAK deri tani. Në njoftimin që shpërndau në media, SPAK tha se “Ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja A. X., vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë, ose gati 900 mijë euro.

    “Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të” shtoi Prokuroria e Posaçme.

    Paratë vinin nga biznesmenë, kryesisht ndërtues që duke derdhur shuma të konsiderueshme parash tek kompanitë dhe OJF e Ajola Xoxës, përfitonin leje ndërtimi nga Erjon Veliaj. Kjo skemë ryshfeti ka çuar para dyerve të SPAK edhe disa prej ndërtuesve të njohur në Tiranë, si Gent Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bejtashi etj.

    Janë paratë e tyre që siguronin një nivel jetese prej sheikësh në familjen Veliaj, të cilëve u është sekuestruar edhe një vilë në Qerret të Kavajës.

    Nuk janë të vogla edhe shumat që SPAK ka zbuluar në llogaritë bankare dhe paratë kesh të çiftit Veliaj-Xoxa që duket se shpenzimet e përditshme i mbanin të fshehura në një kasafortë në zyrat e kompanisë së Ajola Xoxës “Partners Law”.

    Gjatë kontrollit që kryen aty, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit gjetën një shumë prej 95 mijë eurosh, shumica e tyre prerje 500 euro. Përveç eurove, janë gjetur rreth 15 mijë dollarë dhe 665 mijë lekë.

    “Gjatë kontrollit të ushtruar pranë zyrave të “P. L.” shpk, administruar nga shtetësja A. X., e cila është njëkohësisht dhe pronare e vetme, janë gjetur në një kasafortë dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi të hollash, prej 95,350 Euro (shumica prej tyre prerje 500 euro), 14,900 USD dhe 665,000 Lekë” thuhet në njoftimin e SPAK.

    Në bankë, çifti kishte edhe llogari të tjera të majme. Vetëm tek “Intesa Sanpaolo Bank” dhe “Banka Kombëtare Tregtare”, në emër të Ajola Xoxës dhe shoqërive të lidhura me të, u gjetën 869 mijë e 149 Euro, thotë SPAK

    Shifrat e çmendura të blerjeve dhe paratë kesh që mbanin në kasafortë vizatojnë një dyshe tjetër nga ajo që dukej në publik. Përtej fasadë, Erjon Veliaj dhe Ajola Xoxa notonin në para korrupsioni dhe as nuk janë ruajtur fare për t’i fshehur paratë e përfituara nga ryshfeti.

    Hetimet për pasurinë e Erjon Veliajt nisën nga një denoncim që bëri një person anonim i quajtur Nesti Angoni, i cili zbuloi lidhjet mes kryebashkiakut dhe skemës së pastrimit të parave të mikut të tij, Elman Abule.

    Erjon Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë ankimuar në gjykatë sekuestrimet e telefonave dhe të parave.

    Pak kohë më parë, pasi mësoi për provat që kishin prokurorët, Veliaj tha se kontrollet në shtëpinë e tij ishin kryer pa një vendim gjykate. Ai u ankua për “intimidim dhe dhunë agresive” që prokurorët kanë shfaqur ndaj tij dhe bashkëshortes, Ajola Xoxa.

    Madje Veliaj bëri një krahasim që përdoret rëndom nga opozitarët, sipas të cilit, SPAK punon me metodat e Sigurimit të Shtetit.

    “Personat e thirrur me cilësimin “persona në dijeni” janë përballur me qasje kërcënuese dhe dhunë të stilit “sigurims”, duke u detyruar përmes presioneve dhe frikësimit të dëshmojnë kundër vetes” thuhet në pikën 4 të deklaratës.

    Javët e fundit, kryeministri Rama u pa në disa aktivitete të përbashkëta me Erjon Veliajn. Madje, pas kontrollit që SPAK kreu në shtëpinë e Veliajt, Rama tha se linçimi publik që po i bëhet kryebashkiakut dhe familjes së tij është i neveritshëm.

    “Erion Veliajt po i cenohet jeta e tij familjare nga gjyqi publik i bërë jo nga institucioni përkatës, por nga të gjithë ata që janë angazhuar në atë gjyq. I cenohet dinjiteti nga prokurorë dhe gjykatës të ulët nëpër klube mediatike, apo të fshehur pas ekraneve të portaleve” u shpreh Rama duke shtuar se “Linçimi publik i kryetarit të bashkisë është i neveritshëm, kërkimi i gijotinës për të është skandaloz”, tha Rama, i cili më herët e kishte shmangur Veliajn nga strukturat e Partisë Socialiste të Tiranës.