Blog

  • Nga Kim MEHMETI – Më parë arrinë në Stamboll se sa në Prishtinë!

    Dikur moti, BDI-ja u lëvdua me arritjen e madhe që kufirin shqiptaro – shqiptarë, pra atë me Kosovën, qytetarët e Maqedonisë ta kalojnë vetëm me letërnjoftime.

    Naiv siç kemi qenë gjithmonë, besuam se nga Shkupi në Prishtinë do mund të shkonim pa pengesa e pa humbur kohë, por ndërkohë ndodhi e kundërta: u zgjatën kolonat e makinave që me orë të tëra pritnin që ta kalonin kufirin e Maqedonisë.

    Mëkot ankoheshim për pritjet abnormale, ngaqë gjatë pjesëmarrjes së tyre njëzetvjeçare në qeveri, për kryetrarin e BDI-së – njësoj si për VLEN’istët e sotëm – Maqedonia ishte shteti ku jetonin shqiptarët e lumtur të kësaj bote. Dhe tani kur mbeti në opozitë, kur nuk mund të majmet duke ngrënë në grazhdin e shtetit – siç do ndodhë edhe me VLEN’istët kur do të mbeten jashtë qeverisë – ai përnjëherë i vëren të gjitha të metat dhe gjithë antishqiptarinë e këtij shteti.

    Tani pra pjesë e qeverisë së Maqedonisë është VLEN’i i pavlerë shqiptarë, që premtoi se me ardhjen e tyre në pushtet çdo gjë do jetë më ndryshe seç ishte gjatë qeverisjes së BDI-së.

    Dhe e mbajtën fjalën; sot thuajse çdo gjë është më keq seç ishte gjatë epokës vasale të BDI-së!

    Më keq sot është edhe në vendkalimin kufitarë të Bllacës, ku kolonat e veturave që presin ta kalojnë kufirin dhe të futen në Kosovë, janë kilometrike.

    Sidoqoftë duhet pranuar: fatkeqësia e shqiptarëve të Maqedonisë nuk janë politikanët e tyre që kanë pranuar të jenë vasal të sunduesit maqedonas. Shqiptarët e këtushëm janë të pafat sepse nuk kanë atë me të cilën legjitimohet një popull dhe pa të cilën populli mbetet pa fizionomi – elitat që do u kundërviheshin politikanëve të pafytyrë!

    Pra shqiptarëve të këtushëm nuk ka kush u shpjegon se përderisa je vasal, të lejohet ta zhvatësh popullin tënd. por jo edhe ajo që i mundësohet vetëm sunduesit – të marrësh pjesë në rregullimin e shtetit.

  • Nga Alfred LELA – Komploti solo i Arben Ahmetajt

    Nga Alfred LELA – Komploti solo i Arben Ahmetajt

    Intervista e tretë e ish-zv/Kryeministrit Ahmetaj, bashkë me dy të parat, por ndoshta edhe më shumë se ato, të vendos përballë pafuqisë. Jo përballë pyetjes “çfarë po ndodh?”, por “kush janë këta njerëz?”. Kush është Edi Rama dhe ata që e rrethojnë, dhe pse ky rreth, sa i fandaksur aq edhe banditesk, e ka mbytur Shqipërinë me një pabesi që, sa më e madhe bëhet aq më shumë e zvogëlon rreshtin e besnikëve.

    Territorin e shkretuar të pabesisë mund të qëmtosh përreth Edi Ramës edhe nga fakti se ai nuk ka më besnikë. Ka vartës, nevojtarë, puthadorë, ushtarë të grykësisë, të trembur prej tij, por jo besnikë. Besnik është dikush që beson te ideja jote dhe te forca jote për ta materializuar atë ide. Një ndryshim i madh ky prej shërbëtorit, i cili nuk ka asnjë ide dhe asnjë forcë, as atë për të besuar te ideja e dikujt tjetër. 

    Kjo e bën Edi Ramën aq të qetë kur i braktis të vetët, sidomos kur ata nuk pranojnë t’i ofrojnë shërbimin e fundit: të flijohen që ideja e tij e pushtetit të shkojë përpara. Arben Ahmetaj u fut në grykën e sulmit të Kryeministrit, edhe për faktin se ai nuk qe i gatshëm ta ulte kokën në prehrin e gijotinës, të shërbente edhe me disa vite jetë burgu. Shprehja e Ramës ‘ata që prishin unitetin e partisë të shkojnë në të sëmës’, duhet lexuar “ata që nuk janë gati të flijohen për mua…”.

    Ahmetaj, sa herë që del-apo nuk del- shërben si kujtesë e kësaj, e faktit se edhe një autokrat egomaniak e ka pushtetin të kufizuar-ai nuk futet dot deri te liria e njeriut për të zgjedhur lirinë e vet.

    Kjo është premisë fuqie, si për Ahmetajn ashtu edhe për një pjesë të publikut, por është pafuqi përballë pranisë dhe rezistencës së të keqes, që Rama dhe rrethi i tij përfaqësojnë.

    Kjo pafuqi rrjedh sidomos nga pamundësia e dramës për ta zgjidhur konfliktin, dhe kthyer në tragjedi. Në rastin Rama-Ahemtaj konflikti nuk është përplasja mes tyre, por realiteti politik që na shpërfaq kjo përballje. Zakonisht, ngjarjet zgjidhen, duke degraduar ose nëpërmjet një elementi tragjik. Rasti i parë krijon komedinë, i dyti tragjedinë. Tragjikët e mëdhenj, që nga grekët e lashtë e deri te Shekspiri, e kanë zgjidhur konfliktin me anë të vrasjes mizore. Komplote të tilla të mëdha, jo vetëm në fiction, por edhe në ngjarje të jetës, si Çezari apo Trujillo, nuk zgjidhen solo. Kërkohen pra, bashkëkomplotistë. Bruti, as i vetëm dhe as vetëm me Kasin, nuk do ta kishte vrarë dot Çezarin. Ai mbështetej në një rreth senatorësh dhe ushtarakësh, por edhe vegjëlie që formoi më pas ushtrinë, që të dy palët kundërvunë. Ajo që Arben Ahmetaj nuk ka kuptuar, dhe e bën të pafuqishëm, është ky rol solo në komplot. Pra, ai është në një komplot të pamundur.

    Pavetëdijshëm-ose jo- gjatë intervistës për “Çim Peka Live” ai bënte aleance fluide e virtuale, sa me Fatmir Xhafajn, sa me ‘socialistët’ si grup përballë Edi Ramës, me Saimir Tahirin apo edhe deri me Erion Veliajn. Roli i vërtetë politik i Ahmetajt mund të jetë pikërisht ky: si i ‘penduari i parë’, ai duhet veprojë sikur nuk e lejon të jetë i fundit. Pyetja e parë që ai-apo kushdo ndër eksponentët e qeverisë apo PS- mund të bëjë është: kush e ka radhën? A është gati të flijohet apo të rezistojë? Sa larg është gati të shkojë për lirinë e vet, por edhe të shoqërisë? A është besnik i Ramës apo shërbëtor, dhe si po goditet, si i llojit të parë apo të dytë?

    Është e vërtetë ajo që Ahmetaj shpallte në ekran, se Ramës ‘i kanë rënë katër qarqe elektorale’, por si fakt në vetvete, si episode të shkëputura korruptimi, deputetët dhe ministrat nuk janë më shumë se kaq, zyrtarë të lartë të korruptuar, njerëz politikë që, ‘i hanë Ramës kumbulla pas shpine’. Në rastin tjetër, të një bashkëpunimi me drejtësinë, si të penduar dhe si grup të penduarish, nuk është Rama që ha kokat e tyre, por ata që hanë kokën e tij.

    Arben Ahmetaj e shprehte njëfarë keqardhjeje për Saimir Tahirin, por dy kohë me vonesë. Pesë ministra që janë kundër planit të kanabizimit, dmth kriminalizimit të vendit dhe të shoqërisë, që rebelohen publikisht, do të ishin një lëvizje politike. Fakti që u përkulën dhe shërbyen, duke braktisur idenë për njeriun që kishte idenë e gabuar, bëhet fati i tyre i parashkruar. Saimir Tahiri bëri burg, Arben Ahmetaj është në ekzil, Fatmir Xhafaj u largua si ministër, dhe po ashtu Ditmir Bushati.

    Kokat që vetëofrohen për t’u prerë, nuk kanë pse falen, apo jo?

    Komploti solo i Arben Ahmetajt është diçka për t’u parë dhe shijuar si spektator, por pa u bërë tragjik, pa futur në të edhe të tjerë, është i dënuar të dështojë.

    Asnjë Brut, i vetëm, nuk e vret dot Çezarin.

  • Nga Armand SHKULLAKU – Dëshmia e Ahmetajt përballë Altinit dhe Nuredinit

    Intervista e tretë e Arben Ahmetajt, ashtu siç pritej, u përcoll me të njëjtën strategji nga pushteti dhe kanalet e tij të propagandës. Censurë nga disa, zhvlerësim i personit dhe injorim i akuzave nga ca të tjerë dhe kulmi, ata që e kritikuan e analizuan por pa publikuar asnjë fjalë nga ato që tha ish zv/kryeministri.

    Por nëse për Ramën dhe mediat e tij, kjo është një mënyrë dëshpëruese për të ruajtur të pacënuar pushtetin, për prokurorët e SPAK intervista në fjalë është një sfidë mes tyre dhe opinionit publik. Nëse një pjesë e shqiptarëve besojnë ende dhe sot se SPAK vepron i pavarur dhe i motivuar nga interesi publik, Arben Ahmetaj e ka vënë këtë institucion në dritën më të keqe që nga krijimi i tij.

    Jo se kritikët e SPAK kishin ndonjë dyshim për kontrollin e kryministrit mbi “heronjtë e fëmijëve tanë”. Përdorimi totalisht nga Edi Rama për të goditur kundërshtarët e tij politikë, impotenca për të hetuar procedurat e vjedhjeve të shekullit si inceneratorët dhe 5D, kompromisi i ndotur për të amnistuar krimet elektorale, mbyllja e syve përballë aferave ku përfshihen hapur krimininelë, politikanë në pushtet, oficerë policie, prokurorë e gjyqtarë, të gjitha këto e kanë çuar shumë më keq se standarti i dyfishtë reputacionin e SPAK. Ai po përdoret si vegël e kryeministrit, madje më keq akoma, siç pretendon Erjon Velija dhe mediat e tij, si shkop gome i një klani brenda PS për të goditur klanin tjetër. Më keq se kaq, investimi i madh euroatlantik nuk mund të katandisej.

    Megjithatë, falë propagandës dhe borive entuziaste të disa kaqolëve ndërkombëtarë, përralla e drejtësisë së pavarur vazhdon t’u serviret shqiptarëve për t’i vënë në gjumë. Në këtë kontekst, intervista e Ahmetajt shërben të paktën për të hapur sytë dhe për ta vënë SPAK përballë një sfide të thjeshtë: sa motivohet super struktura e drejtësisë nga interesi publik dhe sa motivohet nga interesi i Edi Ramës.

    SPAK që merr seriozisht fjala vjen akuzat e Nuredin Dumanit, çfarë ka bërë deri më tani për akuzat e ish numrit dy të qeverisë, ministrit të ekonomisë dhe financave të shtetit shqiptar? Dumani, Nuredini jo Altini, ka qenë pjesë e një organizate kriminale, e ka njohur krimin nga brenda. Ahmetaj po ashtu. Pse dëshmia e të parit është e vlefshme për prokurorët, ndërsa e të dytit jo? Apo dhe SPAK diktohet njësoj si mediat e Ramës, që Nuredinit i botojnë çdo fjalë, ndërsa Arbenit i censurojnë çdo gërmë?

    Arben Ahmetaj, u hetua nga SPAK, pasi Edi Rama e shkarkoi dhe e distancoi publikisht, në kohë rekord. Hotelet ku kishte fjetur dhe mënyrat se si kishte paguar. Tani, ish krahu i djathtë i Ramës deklaron publikisht se kryeministri i vendit ka frekuentuar të paktën dy herë një resort detoksi në Itali ku një javë kushton 10 mijë euro. Ahmetaj thotë se ka qenë në shoqërinë e një biznesmeni që ka përfituar leje ndërtimi në Tiranë. Në emër të interesit publik, a do të duhej që SPAK të kërkonte informacion zyrtarisht nga hoteli në fjalë dhe të verifikonte nëse kryeministri e ka deklaruar një shpenzim të tillë.

    Po në emër të këtij interesi a mund të verifikonte SPAK kush është biznesmeni që ka paguar fluturimet charter të kryeministrit shqiptar dhe a janë deklaruar edhe këto shpenzime në ILKPD? Nëse ish numri dy i qeverisë dëshmon se kryeministri ka pranuar t’i paguhen udhëtime nga biznesmenë që përsëri përfitojnë leje ndërtimi, minimumi i ndërgjegjes së një prokurori do të ishte verifikimi i një akti të tillë. Njësoj si për biletat dhjetra mijëshe të NBA, që ende dhe sot qytetarët që i paguajnë rrogën kryeministrit, nuk e dinë se kush ia ka bërë “dhuratë”.

    Ahmetaj tha se në cilësinë e zv/kryeministrit ka qenë prezent në një aferë mes kryeministrit dhe dy biznesmenëve turq dhe dëshmoi në vetë të parë se në mënyrë të paligjshme kosto për tunelin e Llogarasë ndryshoi, duke avulluar 50 milion euro. A ka interes publik më të madh se sa miradministrimi i taksave të qytetarëve, nga të cilat paguhen edhe prokurorët e SPAK? Po milionat e AKSHI që vazhdojnë të derdhen thuajse në një dorë të vetme dhe denoncimi konkret për projektin 15 milion euro që ish zv/kryeministri deklaroi se paratë të çojnë tek familja e Edi Ramës?

    Në çdo vend demokratik dhe me drejtësi funnksionale, do të mjaftonte vetëm njëra prej këtyre dëshmive për të nisur një proces hetimor. Numri i dy i qeverisë akuzon direkt kryeministrin dhe sjell të dhënat për hotele luksi, fluturime charter, etj që nuk janë deklaruar. A ka prokurorë me minimumin e ndërgjegjes profesionale dhe qytetare që, më së paku, do të udhëtonte deri në Bolzano për të na thënë që ose kemi një kryeministër që shkel ligjin ose kemi patur një zv/kryeministër mashtrues. Ky do të ishte motivimi nga shqetësimi qytetar dhe jo nga konjukturat e pushtetit.

    Nëse propaganda e Edi Ramës merret me personalitetin e Ahmetajt, me censurimin dhe deformimin e dëshmive të tij, me zhvlerësimin e personit dhe jo me faktet tronditëse që nxjerrin zbuluar një qeverisje kriminale, detyra e një prokurori që niset nga interesi publik do të ishte marrja seriozisht me to. Mirëpo këtu ka më shumë vlerë një vend pune se sa e vërteta, prandaj në vend të prokurorëve guximtarë kemi thjeshtë hetues me honorar. Askush nuk do të provojë të ndalë as hemoragjinë financiare dhe as krimin elektoral. Dhe më shumë se dëshmia e një zv/kryeministri do të ketë vlerë Nuredini. Ky është revolucioni që po bën Altini.

  • SKANDAL, milionat e AKSHI-t të çojnë te familja e Edi Ramës

    SKANDAL, milionat e AKSHI-t të çojnë te familja e Edi Ramës

    Denoncimi i Ahmetajt: Janë grisur dy urdhër arreste për një tender 15 milionë euro

    Ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj, i është rikthyer të hënën në mbrëmje super aferës së AKSHI-t, Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informimit, e cila ka qenë vazhdimisht nën akuzë për avullimin e dhjetra milionë euorove dhe në mbrojtje të së cilës nuk ka ngurruar të dalë me zë dhe me figurë vetë kryeministri Rama. Sipas dëshmisë së Ahemtajt, Edi Rama e ka bërë këtë sepse nëse do të ndiqej paraja, rruga do të çonte në Surrel.

    Ish zv/kryeministri ka treguar tek “Çim Peka live” fakte dhe të dhëna për të paktën një projekt plot 15 milion euro, atë për laboratorët e AKSHI-t, të cilin e ka fituar një kompani që rezulton e baxhanakut të kryeministrit Rama.

    Në intervistën e tretë në Çim Peka Live në SYRI TV, Ahmetaj ka theksuar se kompania e cila ka përfituar projektin 15 milionë euro të laboratorëve të AKSHI-t, është e baxhanakut të kryeministrit Edi Rama. Për këtë aferë skandaloze, Ahemtaj tha se SPAK nuk pati këllqe të hetojë deri në fund dhe se para një muaji u grisën dy fletë- arreste, si pasojë e ndikimit të kryeministrit mbi organet e drejtësisë.

    Për rastin në fjalë Ahmetaj evidentoi dy aspekte. Së pari që projekti 15 milion euro rezulton një vjedhje e frikshme dhe së dyti, se paratë e grabitura të çojnë te familja e Edi Ramës. Për faktin se projekti është një grabitje, Ahmetaj tha se mjafton të shihen regjistrat doganorë për të konstatuar se me çfarë çmimi janë futur në Shqipëri pajisjet e laboratorëve dhe se më pas janë faturuar dhjetë fish më shumë. “Gërmoni këto, shkoni në doganë, po qe se nuk gjeni 10-fishin e kostos si fitim atëherë kthehuni tek unë”, deklaroi Ahmetaj.

    Ish numri i dy i qeverisë Rama, denoncoi gjithashtu se projekti 15 milion euro është bërë pa tender të hapur, madje nuk është botuar fare si thirrje për aplikim. “Gjejeni të botuar! E ka marrë kompania First dhe ‘follow the money’”, tha Ahmetaj duke sjellë më pas të dhëna se kjo kompani është e lidhur me kryeministrin Edi Rama. “AKSHI është kopshti privat i kryeministrit, ku njerëz të lidhur me familjen e tij, bëjnë çfarë ju do qejfi… Kam një ekstrakt tatimesh. Ju them gazetarëve investigativë, ‘follow the money’, le të thotë Rama do ta gri maskarain, për mua, dhe le të thotë Altin Dumani e kam personale. Pyetje për gazetarët investigativë: Si është fshehur ish- kompania ABS tek kompania AIBS? Mund të bëni një kontroll se te SPAK-u s’kam besim. Kompania e baxhanakut”, deklaoi Ahmetaj, i cili bëri dhe një skanim të fitimeve dhjetra fish të kompanisë në fjalë.

    “Shikoni sa interesante. Në vitin 2021, kjo kompania që thashë si është fshehur, ABS në AIBS, ka pas të ardhura totale në 2021 afërsisht 2 milionë dollarë dhe shpenzime totale i ka 200 mijë dollarë. Në ç’vend të botës keni parë ju që të harxhosh 200 mijë dollarë dhe të fitosh 2 milionë? E kuptoni, 10 fishin e kostos? Pastaj në 2022 të ardhurat totale shkojnë tek 3.1 milionë dollarë, shpenzimet totale i ka vetëm 97 mijë dollarë, pra fitimi është 2.9 milionë dollarë. Ku keni parë që të shpenzosh 1 euro dhe të fitosh 10 euro. Po pse mo, Elon Musk janë këta? Korrupsion i hapur”, tha Ahmetaj në mbështetje të tezës së tij se AKSHI është kopshti privat i Edi Ramës. “Meqë skeptikët deshën fakte. Merrini, ndiqni këto. ‘follow the money’ që t’u çojë tek familja”, ishte sfida e Ahmetajt.

    AKSHI ka qenë në qendër të denoncimit të ish numrit dy të qeverisë edhe në intervistën e tij të dytë për Çim Pekën, ku deklaroi se një video përgjim që implikonte edhe bashkëshorten e kryeministrit gjendej në SPAK,ku dëshmohej qartë ndikimi i saj mbi drejtuesit kukulla të Agjensisë. Bashkë me zonjën Rama, akuza ka patur edhe për eminencën gri të kryeministrit, Ergys Agasi, i cili thonë se komandon praktikisht gjithë aktivitetin e AKSHI-t. Arben Ahmetaj deklaroi të hënën mbrëma se Agasi, të cilin më parë e kishte cilësuar si koordinator të krimit pranë kryeministrit, ka udhëtuar me këtë të fundit pak kohë më parë në Emiratet e Bashkuara dhe në Davos të Zvicrës.

    Sipas raportimeve të herë pas hershme në media, AKSHI ka rezultuar jo thjesht një kopësht privat por edhe një lopë rrace për t’u mjelë nëpërmjet tenderave të dyshimtë dhe të përqëndruar në pak duar.

    Gjatë vitit të kaluar, AKSHI ka prokuruar në total rreth 35 milionë euro tendera. Nga këto 28.1 milionë janë fituar nga kompania Soft & Solution, ose vetëm ose në joint venture. Saktësisht 80 për qind e shumës së prokuruar ka shkuar vetëm në një dorë. Ky është përqëndrimi më i madh i tenderave në historinë e shttetit shqiptar. Dhe për çudi, “heronjve të fëmijëve tanë” nuk u bën asnjë përshtypje.

  • Nga Andi BUSHATI – Ahmetaj këtë radhë foli për jetesën prej sheiku në të cilën është zhytur Rama

    Sa herë që Arben Ahmetaj i dhuron episodin e radhës Çim Pekës në debatin publik ngre kokë një dilemë: A tha diçka të re? A nxori fakte? Ai i provon dot akuzat që bëri?

    Këtë herë mesazhet që erdhën nga Zvicra nuk kishin të bënin me korupsionin tashmë të stërditur. As me mënyrën se si jepen tenderat e rugëve, sesi abuzohet me paratë e AKSH-it, se si u ndërtua EcoParku, apo se ku shkuan paratë e tunelit të Llogarasë.

    Për to, të gjithë ata që reken të relativizojnë një evenimet mediatik mund të vijojnë të thonë: po këto ne i dinim. E njëjta logjikë vlen edhe për akuzat diskredituese, për dy standartet e SPAK-ut, apo për lidhjet e pushtetit rilindas me ergysërinë e botës së krimit.

    E reja këtë radhë është tjetër. Jo tek denoncimi për mëkatet e qeverisjes, por si rrëfim i bashkëpunëtorit që ka i ndenjur më pranë se kushdo, atij që po përshkruan sot. Vlera e saj nuk qëndron thjeshtë tek vizatimi i portretit të politikanit Rama, por, në të kundërt, tek dëshmia mbi jetën private, veset, tekat, kapriçot drejtuesit të plotfuqishëm të vendit.

    Ish numri dy i qeverisë nuk tregoi thjeshtë për “krimet” e kryeministrit, por për shtrëmbimin karakterial që atij i kanë bërë gati një çerekshekulli pushtet. Arben Ahmetaj këtë radhë foli për jetesën prej sheiku në të cilën është zhytur Edi Rama. Ai na rrëfeu për drekat që shtrohen në dhomën e luleve, mjedisin e ngrënies në kryeministri, ngjitur me zyrën e tij, ku hapen shishe verërash që kushtojnë 33 mijë euro. Ai na tregoi për vanitetin e udhëtimeve me çarter, ato për të cilat nuk u la kurrë të ngrihej një komision hetimor, vlera e të cilave, sipas llogarive të bëra nga burime të pavarura, është e barabartë me shifrën e humbjeve që po e shpien drejt falimentimit kompaninë Air Albania. Ai përmendi me emër qëndrën lukzose të detoksit në Bolzano, ku një javë qëndrim e çiftit Rama, e paguar nga një biznesmen përfitues lejesh ndërtimi në Tiranë, ka kushtuar 20 mijë euro. Ai foli për biletat e ndeshjes së basketbollit në NBA, dhuratë nga “njërëz të panjohur”, që ligji shqiptar e kërkon të deklarohen, që e kalojnë shifrën e 22 mijë dollarëve.

    Pikërisht kjo zhytje mes luksit, kjo përhumbje e sensit të realitetit, këto vese që burojnë nga mungesa e llogaridhënies dhe mbretërimi në një sistem pa konroll dhe pa balancë, ishin risia e episodit të tretë të serialit Ahmetaj.

    Sado paradoksale që të duket, rrëfime të tilla të bëjnë të mendosh se ndoshta qe më mirë që autori i tyre arriti ti shmangej drejtësisë dhe ti shpëtonte kthetrave të SPAK-ut, të cilat çuditërisht, nuk kanë pasur forcë të bëjnë të flasë kundër “shefit”, askënd nga ata që kanë arritur të plasin brenda. Arben Ahmetaj vendosi të arratisej, duke kryer atë që ndoshta s’do kishte pasur mundësi ta realizonte në qelitë ku po rezulton e ndaluar të bësh të penduarin.

    Natyrisht edhe pas shpalosjes së kësaj tabloje do të ketë nga ata që do të thonë se nuk u bindën me fakte për përmasat përrallore të jetës së atij që vazhdojnë të votojnë. Do gjenden midis tyre që do këmbëngulin se nuk kanë parë asnjë foto të Ramës në Palazzo di Merano, se nuk ka asnjë provë për tapën e hapur të Romanée Conti në dhomën e luleve, se askush nuk ka nxjerrë ndonjë faturë fluturimi një orësh me vlerë 15 mijë euro.

    Por edhe për verbërinë apo cinizmin e tyre ekziston një përgjigje. Sepse ato mbështeten mbi një premisë të bazike. Në atë që Arben Ahmetaj s’duhet besuar, pasi është një gënjeshtar patologjik. Një i sëmurë, që ndjenja e urrejtjes apo yshtja e hakmarrjes, e bën të vizatojë një realitet monstruoz. Një mashtrues ordiner që nuk trillon vetëm për tenderat, koncesionet dhe lidhjet me krimin, por që qenkesh aq meskin, sa të fantazojë edhe për detaje të imta të jetës së përditshme.

    Në fakt, kjo alibi ka një problem. Sepse Ahmetaj ka qenë një nga anëtarët më jetëgjatë të qeverisjes Rama. Ai ka mbajtur portofolet e ekonomisë dhe financave. Ai është ulur për plot tetë vite në tryezën e Këshillit të Ministrave. Edhe pas një shkarkimi të shkurtër Rama e thirri sërish në qeveri, për të menaxhuar krizën e tërmetit dhe më pas atë të vaksinave. Pas zgjedhjeve të fundit e gradoi zv/kryeministër.Pra, edhe nëse ai paskësh qenë trilluesi patologjik dhe fantazisti i sëmurë, a nuk mbakërka përgjegjësi lideri që i ka servirur shqiptarëve një njeri të tillë, si personazh kyç të mbretërimit të vet?

    Në këtë pikë, është vërtet vështirë të zgjedhësh, nëse i duhet besuar më mirë versionit të një kryeministri të cilin pushteti i gjatë e ka zhgryer në vese, apo, në të kundërt, atij se ai na ka vënë mbi kokë qeveritarë të ngjashëm me versionin e Ahmetajt që kërkon të na shesë sot.

    Për Edi Ramën të dyja këto hipoteza janë po aq diskredituese, sa edhe demaskuese. Ndërsa për ata që përpiqen të kuptojnë, pandehma e një autokrati të cilin vaniteti e ka zhytur në lluks, ka më tepër gjasë të jetë e besueshme. Prandaj në portretin risi që skicoi për publikun, duket sikur Ahmetaj ka të drejtë, qoftë edhe nëse vetë po e bën këtë, me ndjenjën e atij që i duket sikur u përjashtua nga kjo lloj jete, në mënyrë të padrejtë.

  • Nga Fatos KOLA – Çelësat kopilë të Perandorisë së Kuqe

    Nga Fatos KOLA – Çelësat kopilë të Perandorisë së Kuqe

    Të nderuar miq! Që nga dita e sotme do t’u njoh me një studim vetjak të një dekade më parë, ku kam marrë në shqyrtim Krizën Rrënuese të Socrealizmit si doktrinë teoriko – ideologjike e “artit” që mori tatëpjetën deri në theqafje bashkë me pushtetin politik që e polli dhe e promovoi për t’i shndërruar artistët në shërbëtorë të diktaturës.

    Të nderuar miq! Që nga dita e sotme do t’u njoh me një studim vetjak të një dekade më parë, ku kam marrë në shqyrtim Krizën Rrënuese të Socrealizmit si doktrinë teoriko – ideologjike e “artit” që mori tatëpjetën deri në theqafje bashkë me pushtetin politik që e polli dhe e promovoi për t’i shndërruar artistët në shërbëtorë të diktaturës. Studimi, i cili është pjesë e librit tim që ndodhet në proces botimi, synon të risjellë në evidencë dështimin e sharlatanëve socrealistë, të cilët ruajtën të njejtën emërtesë dhe radhitje “korifejsh” në listat e katovicarëve të pushteteve politike të tranzicionit. Shërbëtorë këta të partisë, të cilët Ramiz Alia dhe Gramoz Ruçi i rimorën nga llogoret e sistemit dështak dhe, motamo si prestigjatorë virtuozë, i nxorën nga mëngët, u dhanë titujt akademikë si profesorë, dhe ua rishfaqën shqiptarëve sërish si “eminentë të akademizmit dhe artit pamor”. “Korifej” që dje “shkëlqenin në socrealizëm” (të cilin e shndërruan në modën e vetme të krijimit), ndërsa sot “shkëlqejnë” në postmodernizëm dhe në të gjitha izmat ku partia – mëmë i shpërndau si patronazhistë – lëvrues dhe zotërues të rrymave të artit pamor të shekujve XX dhe XXI.

    ***

    Skema e patronazhimit të arteve pamore nëpërmjet uzurpimit të shkollave dhe institucioneve të artit me patronazhistë, u ideua dhe u projektuara nga i plotfuqishmi i PS, Gramoz Ruçi, qysh në vitin 1997. Kjo skemë duhej institucionalizuar dhe legjitimuar me ligje dhe akte nënligjore e administrative, me anë të të cilave patronazhistët kryesorë të artit, pedaguakët injorantë të Arteve pamore në Akademinë e Arteve (kësisoj i quante Kristaq Rama dhe më pas i quante e i tallte publikisht edhe i biri) duheshin veshur me titujt akademikë të munguar. Për këtë qëllim, në vitin 1998 Ruçi miratoi ligjin sipas të cilit titujt “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar” do të jepeshin jo bazuar në kontribute të mirëfillta akademike sikurse tekstet dhe leksionet autoriale si në të gjitha akademitë e botës, por duke u bazuar vetëm mbi vjetërsinë si mësimdhënës (përkatësisht 14 vjet punë për “profesorët” dhe 10 vjet punë për “profesorët e asociuar)”. Kësisoj pedaguakët patronazhistë morën tituj edhe pa libra e leksione, gjithmonë duke deklaruar se “në asnjë akademi arti në botë nuk ka libra e leksione, pasi ne jemi shkollë praktike!!!”. Sa më sipër, me një aritmetikë të thjeshtë, rezulton se skema e Ruçit shpërblente me tituj akademikë vetëm ata që në kohën e Qoftëlargut kishin kryer patronazhime ndaj shokëve dhe për këto merita ishin emëruar pedaguakë. Për këto të vërteta tragjike mjaftojnë si fakte vetëdeklarimet publike të “korifejve” të Socrealizmit Agim Zajmi e Thanas Papa, që dëshmuan se çdo javë kishin për detyrë të raportonin patronazhimet e shokëve në ambasadën shqiptare në Moskë. Madje në kulmin e sinqeritetit, Thanas Papa deklaroi publikisht se të gjithë studentët që shkonin për studime jashtë shtetit, më parë kontaktonin individualisht me shokun Kadri në Ministrinë e Brendshme dhe se në këtë kontakt Kadriu u kërkonte atyre që gjatë gjithë periudhës së studimeve të ishin “syri dhe veshi i Partisë” dhe t’i raportonin shokët në çdo fundjavë, me emër dhe me bëma, për gjithçka që e konsideronin gabim, faj, ose tradhti. . . Megjithatë duhet pranuar ndershmërisht se patronazhimin nuk e kanë shpikur Rama dhe Ruçi, ata thjesht e rilindën, e risollën në mes nesh dhe më pas e instaluan në detaje dhe e institucionalizuan.

    ***

    “Fatos Kola që na deklaron se gjoja Sistemi i Bolonjës në të cilin ne duhet të atashojmë arsimin universitar na kërkon të përgatisim leksione teorike…, thjesht gënjen. Unë që kam mbaruar akademinë e arteve në Bolonjë dëshmoj publikisht se në atë shkollë profesorët nuk jepnin leksione, pasi ajo ishte shkollë praktike…”, – pohonte plot bujë “bolonjezi” Vladimir Llakaj. Dhe teksa unë shqyhesha gazit prej këtyre deklarimeve marroqe, kryepatronazhisti dhe njëkohësisht “kryetari i Këshillit artistiko – shkencor të fakultetit të Arteve të Bukura”, Gazmend Leka, në kundërvënje ndaj meje sajoi ndoca “leksione” me bolla e zhapikë mitologjikë, me pemë me rrënjët lart dhe me kurorët poshtë, e ku si mrekulli e akademizmit mbi artin pamor mbizotëronte numerologjia – më në fund gjeti një televizion periferik dhe ligjëronte… Dhe fliste e fliste plot pathos për numrin “shtatë” dhe mrekullitë e tij, por kurrë nuk tha qoftë edhe një fjalë të vetme për Teorinë e Ngjyrës në arte, për çka pretendonte se lektronte si mësimdhënës qysh në vitin e pare të Akademisë.

    ***

    Pikërisht për të ligjëruar “Rama – reformën në Universitetin e Arteve dhe Arsimin e Lartë”, në Ligjin respektiv për to, kryepatronazhist – sundimtari i shqiptarëve zhduku nocionet “lektor”, “leksion” dhe “lektrim”, duke ua hequr patronazhistë – “profesorëve” dhe “pedaguakëve” të arteve pamore barrën për të përgatitur dhe dhënë leksione. Ndaj sot për artet pamore kemi “shkollë pa shkollë” në të gjitha nivelet, dhe të gjithë mësimdhënësit e arteve pamore thjesht llafosin për artin me nxënësit dhe studentët. Edhe Leonardo e Mikelanxhelo në studio – atelietë e tyre u jepnin çirakëve dije të thella e të sistemuara për artet, që i formësonin ata mjeshtërisht, çka ndikoi edhe në kulmimin me kryeveprat që kryemjeshtrat realizuan dhe që njerëzimi trashëgoi. Sot qysh nga mjeshtrat e mëdhenj të Lashtësisë, Mesjetës dhe Epokës moderne janë botuar leksione e traktate për vizatimin, kompozimin, ngjyrat, format, etj. . (Nëse ndokush prej profesorë – pedaguakëve patronazhistë ka ndërmend të më kundërshtojë publikisht, si dikur pas shpine, jam gati që ta përball para kamerave dhe t’ia dëshmoj këto që pohova, krahas injorancës teoriko – profesionale për të cilën i akuzoj, pa dallim”.

    ***

    Para disa vitesh Edi Rama u tërbua dhe bubulloi para kamerave me ton të lartë kërcënues kur mësoi se pas shpinës së tij këta pedaguakë me pupla akademizmi e tepruan teksa Akademinë e Arteve e shndërruan në Universitet të Arteve. Në tërbim e sipër ai deklaroi: “Ç’është kjo punë kështu, kush e ka miratuar këtë marrëzi që Akademinë e Arteve ta bëj Universitet pa dijeninë time që e njoh këtë punë më mirë se të gjithë??!! Natyrisht që Rama e kuptoi fluturimthi se me këtë ndryshim statusi, Universiteti i Arteve, shndërrohej në një institucion që ligjërisht fitonte me grabitje atribute zyrtare të pamerituara e të pamiratuara, me synimin që përveç diplomave dhe lëndëve e notave fiktive të sajonte e shpërndante tituj akademikë dhe grada shkencore edhe për familjarë – patronazhistët e rinj që punësuan me skema nepotike, apo t’ua shisnin sa frëngu pulën atyre që kanë para dhe ambicje akademike. Sot mendoj se Rama që s’ka tituj e grada reagoi ashpër ndaj servilë – kolegëve (që dikur i tallte paq e që tash iu shpërfaqën si “profesorat i arteve”), padyshim kujtoi kohën kur vetëm Kristaqi mbante titullin akademik “Docent”. Ndaj dhe pandeha se sundimtari ynë do të bënte gjëmën për këtë pafytyrësi të padëgjuar, teksa viktimat e preferuara të humorit të tij poshtërues e kishin sfiduar me tituj akademikë që duhej jo vetëm t’i pranonte e legjitimonte, por edhe t’i paguante si kryepagator i administratës publike dhe si menaxhues i taksave tona. Mirëpo më vonë ai jo vetëm që nuk veproi për ta ndaluar me mjete ligjore dhe me kompetencat kryeministrore këtë mënxyrë antiakademike, por heshti si peshku dhe e ligjëroi “faktin e kryer”. Mesa duket Ruçi e këshilloi të mos merrej me punët okulte të patronazhistë – akademistëve, sepse kjo skemë e tij dhe e padronëve ishte perfekte dhe thjesht duhej zbatuar saktësisht, pasi garantonte kapjen e të gjitha institucioneve dhe universiteteve, si formë – metoda më e detajuar e uzurpimit të përjetshëm të pushteteve me hafije – patronazhistët e punësuar dhe të stër – shpërblyer me taksat tona. Prandaj, pasi mori mandatin e tretë dhe projektoi edhe të tjerët pasues deri në pafundësi, Rama e mirëkuptoi dhe e shenjtëroi skemën e Ruçit, tashmë pa Ruç – ideatorin sigurims, teksa me mburrje u deklaroi shqiptarëve: “Patronazhistët që përgojoni bëni mirë që i keni frikë dhe duhet t’i keni frikë, sepse ata dijnë gjithçka bëni dhe ju njohin me rrënjë e me degë, me dhëmbë e me dhëmballë”. Ndërsa sa i përket pranimit të hierarkisë reale në pushtetet okulte, Rama ka deklaruar pa droje: “Sa kushton dhe peshon Gramoz Ruçi vlen e gjithë Partia Socialiste”. Menjëherë paskëtaj kamerat fiksuan buzëqeshjen triumfale të Ruçit dhe belbëzimin prej tij të fjalëve: “Sa mirë e njeh qeni të Zonë. Vazhdo kështu, se do të rriç shumë gjatë në pushtet, sepse e meriton…”.

    ***

    Dje inventarizuesit e patalentuar të artit pamor socrealist i mbushnin kërrenjat me pushkë e me kazma, me shata e me lopata, me bidona e me legena, me “heronj” e me ushtarë, me lopë e me magjarë, me mushkarë e me kafsharë… Ndërsa sot në epokën e “konstruktivizmit postmodernist” i mbushin kanavacat dhe mjediset publike me tuba qenefesh, me konstruksione alla – skela “Syla” dhe kërpurdha të bojatisura allçie… Pikërisht kjo kërpurdhë e ngjyrosur është përzgjedhur dhe vendosur bash në oborrin e institucionit më të lartë ekzekutiv të Shtetit Shqiptar. Është vendosur në vendin e nderit që meritueshëm i takonte shtatores së themeluesit, kryeshtetarit dhe kryeministrit të parë të shqiptarëve, Ismail Bej Qemal Vlorës. Pra në këtë vend të bekuar Rama nuk ka vënë Shtatoren e Babait të Kombit, por ka vënë kërpurdhën shumngjyrëshe, me të cilën përballen të gjithë shtetarët e huaj kur vijnë të vizitojnë Shqipërinë. Dhe thonë pastaj që “Rama nuk po bën shtet”.

    (Vijon…)

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Familjet ‘Rama-Veliaj’ në SPAK, kush kanos kë !!

    Nga Basir ÇOLLAKU – Familjet ‘Rama-Veliaj’ në SPAK, kush kanos kë !!

    Duket se dosja 1 miliard euroshe e inceneratorëve ka shërbyer si leje qeveritare për të vjedhur. Kjo çështje bëri edhe Strukturën e Posaçme të varur nga pushteti dhe ambasadat.

    Në një prokurori të pavarur të pandehur do të ishin shumë ministra e zyrtarë të tjerë. Lista do të kryesohej nga Edi Rama Erion Veliaj dhe Agaçi. Ndonëse për Veliajn kemi akuzën më të rëndë për një funksionar publik, pastrim parash, fshehje pasurie, mosdeklarim pasurie, interesa me të tretët, ‘kolegët’ nuk kanë këllqe veprimi.

    Duke lejuar vajtjen e tij në zyrë e dhënë mundësi të dëmtojë tërësisht hetimin. Copëzimi i çështjes Elbasan, Fier, Tiranë, mosngritja e akuzës organizatë kriminale, është dështimi i Prokurorisë. Me dashje. Dhënia e bonusit nga Rama kompanisë fantazmë ndonëse ministrja e kishte lajmëruar për mosegzistencën, është tregues i qartë.

    Arben Ahmetaj kishte refuzuar disa herë inceneratorin e Tiranës. Rama dhe Veliaj e kapërcyen dhe e sajuan. Hetimet e dosjeve të tjera në SPAK për vëllanë e bashkëshorten e Veliajt u bënë në kohë të përafërt me atë të vëllait Olsi Rama. Ndonëse prej tre vitesh ka ngecur disa dosje ku gjendet emri i kryeministrit si McGonigal e mjaft të tjera.

    Po te dosja ‘Xibraka’ ku prokurori i partisë përse u zgjodh Alfred Shehu?! Ai që tha të pavërteta publikisht për ngjarjen e Elbasanit për vrasjen e Xhuvanit, duke mohuar gjetjen e materialeve elektorale në makinën e të kërkuarve. Deklarim i rrëzuar në gjykatë.

    Në rastin Xibraka, Shehu nxiton të provojë besimin për shpërblesën. Ripezullon hetimin për 45 vjeçarin, sot 55 vjeçar!

    Çfarë nuk bëri Shehu?!

    A dërgoi letër porosi në Hanover SPAK? Sigurisht jo! Aty ku është fillesa e hetimeve. A kërkoi publikimin e fotos për të identifikuar të ‘panjohurin’ dhe emra të tjerë të panjohur gjoja?!

    A është frikë kjo se përgjigja sjell thellim hetimesh?

    SPAK po toleron Veliajn për arsyen e vetme se inceneratorët dhe 5D-ja dhe shumë kulla shumë katëshe në Tiranë kanë duart e Ramës nëpër dakordësi e firmosje.

    Veliaj kanos Ramën me rrëfim dhe anasjelltas. Ose ai ka rrëfyer diku dhe ajo dëshmi mund të mbërrijë në duart e lidhura të Strukturës së Posaçme. Ku janë sot familjarët e Veliajt?

    A ka dërguar kund letërporosi SPAK për të gjetur strehën e parave të inceneratorëve?!

    Ka pesë vite duke i kërkuar e nuk po i gjen?!?!

    Dokrra!

    Në të dy rastet kemi Prokurorë e Gjyqtarë përgjegjës të Strukturës të cilët mund të akuzohen për mosveprim, shpërdorim detyre dhe pengim të drejtësisë.

    Të dy kanosin njëri-tjetrin dhe së bashku SPAK-un.

  • Nga Edi DELIU – Reflektim mbi dështimin e qeverisjes Rama dhe nevoja e fitores së PD

    Nga Edi DELIU – Reflektim mbi dështimin e qeverisjes Rama dhe nevoja e fitores së PD

    Opozita shqiptare, kryesisht Partia Demokratike, po shfaqet gjithnjë e më e fuqishme në skenën politike shqiptare, duke reflektuar mbi sfidat e së shkuarës dhe duke ndërthurur një vizion të ri për të ardhmen. Takime të përditshme me njerëzit, shpjegimi i vizionit opozitar për qeverisjen e mirë nesër, rritja e rrogave dhe veçanërisht e pensioneve dhe lufta e pakompromis kundër korrupsionit, janë pikat kryesore ku PD ka mbështetur fushatën e saj, e cila pret të fuqizohet edhe me shumë me rezultatin e Primareve që do të zhvillohen brenda partisë më të madhe të opozitës shqiptare. E teksa PD, pra, po çimenton pozitat e saj, qeverisja e tretë e Edi Ramës po rezulton një histori dështimesh dhe pakënaqësish të thella në mesin e qytetarëve shqiptarë.

    Mandati i tretë: Një rrugë e rrënuar nga dështimet

    Qeverisja e Partisë Socialiste, e veçanërisht ajo e në mandatin e saj të tretë ka hasur vështirësi të shumta, duke u përballur me skandale të rënda, korrupsion të shfrenuar dhe mungesë efektiviteti në adresimin e problemeve kryesore të vendit. Kriza ekonomike, papunësia në rritje dhe shpërfillja ndaj prioriteteve të qytetarëve kanë shkaktuar një valë të gjerë pakënaqësie. Politikat e Ramës duket se kanë humbur qartësinë dhe fokusin, duke u kthyer në premtime të pambajtura dhe programe të dështuara.

    Fushata e PS: Një strategji e lodhur

    Ndërsa PS po rreket të mbajë pushtetin sa me këmbë e me duar, një nga strategjitë kryesore të saj ka qenë denigrimi i kundërshtarëve, madje deri në kërcenim dhe burgosje të liderëve opozitarëve. Pra PS dhe qeveria Rama po fokusohet më shumë në sulmet ndaj opozitës sesa në ofrimin e zgjidhjeve konkrete për qytetarët. Kjo qasje bie në sy si një tregues i dobësisë politike dhe mungesës së vizionit për të ardhmen.

    Sfida të opozitës: Ndërthurja e unitetit dhe vizionit

    Për Partinë Demokratike dhe aleatët e saj, sfida kryesore mbetet ndërthurja e unitetit brenda kampit opozitar dhe krijimi i një plani të qartë për qeverisjen e ardhshme. Ndërkohë, PD po shfaqet më e organizuar dhe më e përgatitur për të marrë përsipër drejtimin e vendit, duke përçuar mesazhe shprese dhe ndryshimi te qytetarët shqiptarë.

    Rrëzimi i qeverisë Rama: Një domosdoshmëri kombëtare

    Ndërsa pakënaqësia publike ndaj qeverisjes së Ramës vazhdon të rritet, opozita ka gjetur terrenin për të shtuar presionin mbi qeverinë. Protestat masive dhe fushatat kundër korrupsionit janë kthyer në simbol të luftës së popullit kundër keqqeverisjes.

    Qeverisja e nesërme: Një vizion i ri

    PD premton një qeverisje të bazuar në transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje të gjërë të qytetarëve në vendimmarrje. Prioritetet kryesore përfshijnë forcimin e ekonomisë, reformimin e institucioneve dhe luftën e paepur kundër korrupsionit. Mesazhi kryesor i PD është kthimi drejt vlerave të vërteta të demokracisë dhe respektimit të dinjitetit të qytetarëve shqiptarë.

    Ndërsa vendi përballohet me sfida të shumta, shpresat për një të ardhme më të mirë janë më të gjalla se kurrë. Shqipëria meriton një qeverisje që vendos interesat e qytetarëve mbi gjithçka.

  • Zgjedhjet e 11 majit/ Hapet gara për Primaret, ja njoftimi i PD, për demokratët

    Zgjedhjet e 11 majit/ Hapet gara për Primaret, ja njoftimi i PD, për demokratët

    Partia Demokratike e Shqipërisë, ka njoftuar se do të fillojë procesin e garës për Primaret brenda radhëve të saj, të cilat do të përzgjedhin kandidaturat elektorale për zgjedhjet e përgjithshme 2025.

    Një njoftimin e bërë publik, theksohet se në zbatim të pikës 4 neni 12 të statutit të PDSH-së, të gjithë kryetarët e degëve duhet të dorëzojnë dorëheqjen brenda datës 26 janar 2025.

     ‘Ju informoj  se nëse keni vendosur të garoni në primare, duke u përfshirë në rrethin e kandidaturave elektorale, brenda ditës së diele datë 26 janar 2025, duhet të depozitoni dorëheqjen tuaj nga pozicioni i kryetarit të degës pranë Sekretariatit të Organizimit’.

    Kujtojmë se me anë të procesit të primareve, demokratët kanë në dorë të zgjedhin vetë listën e deputetëve që do garojnë përballë PS-së, në zgjedhjet e 11 majit.

    Njoftimi i plotë

    Njoftimi i Partisë Demokratike:

    Pershendetje,

    Per shkak te pergatitjes se rregullores proceduriale te gares per Primare, te cilat do te perzgjedhin kandidaturat elektorale te PDSH per zgjedhjet per Kuvendin 2025;

    ne zbatim te pikes 4 neni 12 te statutit te PDSH,

    Ju informoj  se nese keni vendosur te garoni ne primare, duke u perfshire ne rrethin e kandidaturave elektorale, brenda dites se Diele date 26 Janar 2025, duhet te depozitoni doreheqjen tuaj nga pozicioni i kryetarit te deges prane Sekretariatit te Organizimit.

  • Nga Lutfi DERVISHI – 7 akuzat e SPAK ndaj Bardh Spahisë

    Lajmi se SPAK ka marrë në akuzë ish-kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, sepse ka hequr nga puna një drejtor në bashki, është veç maja e ajsbergut. Është gjysma e së vërtetës. Si mund të merret SPAK me një çështje kaq “të rëndomtë,” kur nevojat për të hetuar çështjet e mëdha janë ulëritëse? Në Shkodër thonë se po te kërkosh lopën e zezë në mes të natës, çdo mi të duket si bishë.

    E vërteta e plotë është se pas një hetimi shterues, ku janë shpenzuar qindra orë të oficerëve të BKH dhe vetë prekurorëve, SPAK ka arritur të zbulojë se Bardh Spahia:

    1. Ka fshehur inceneratorin e Tiranës. Jo vetëm që e ka fshehur, por e ka maskuar si landfill.

    2. Si mjek, jo vetëm që Spahia ka ideuar, nxitur dhe konceptuar koncesionin e sterilizimeve, por ka dyshime të arsyeshme se ka nisur një projekt për të sterilizuar votuesit e qeverisë

    3. Si kryetar bashkie, është provuar se ka lidhje me bandat e Shkodrës, veçanërisht me Bajrat, të cilëve u ka premtuar vendin e drejtorit që ka hequr nga puna.

    4. Bardh Spahia ka qenë në prapaskenë të demonstratës së dhunshme të 21 janarit, duke organizuar gjithçka dhe duke përdorur edhe paratë e veta për të financuar udhëtimin e “shkodranëve” drejt Tiranës.

    5. Bardh Spahia është porositësi i Toyota Yaris dhe njeriu që ka tërhequr gjithë fijet në prapaskenë.

    6. Bardh Spahia del në çdo bisedë të krimit të organizuar në aplikacionet Sky, EncroChat, Matrix.

    7. Prekurorët e SPAK ende nuk kanë zberthyer një mesazh të koduar me dy fjalë dhe për këtë mesazh po kërkojnë ndihmën e partnerëve. Mesazhi është: “Nadja e mirë”

    Kjo dosje monumentale e Bardh Spahise do të mbetet krenaria e SPAK-ut, për 5 vitet që kaluan dhe për 5 vitet që do të vijnë. Dosja e qepur me delikatesë konsiderohet si “Monaliza e drejtësisë shqiptare”.

    Nëse dikush thotë se SPAK po merret me çikërrima, le ta mësojë sot se kjo çështje nuk është suksesi i radhës, por edhe një tekst mësimor për brezat e ardhshëm të prekurorëve:

    SPAK-u nuk ndalet! Është e qartë si drita e diellit që në Shqipëri krimi i organizuar dhe korrupsioni dridhet vetëm nga prekurorët që nuk dinë ku të ndalen!

    P.S. Është dhe një akuzë tjetër e rëndë për krime të kryera jashtë vendit: pas urdhrit të Presidentit Trump që CIA të hap dosjet e vjetra, rezulton se Bardh Spahia është përgjegjës edhe për vrasjen e Kenedit.