Blog

  • Nga Luçiano BOÇI – Kambanat folën

    Folën, pasi ka kohë bien.

    Ato që i dëgjuan kanë nisur zmbrapsjen, për të mos përdorur fjalë tjetër. Ndryshimet politike që pasuan pas zgjedhjes së Presidentit të ri, e po vazhdojnë nën formën e një efekti domino të pashmangshëm, janë të dukshme e të prekshme.

    Rikthimi i Trump duket se është epokal. Bota përgatitet të ndryshojë rrjedhë kah normaliteti.

    Zoti dhe amerikanët e thjeshtë e bënë të tyren.

    Pas shumë vitesh nën presionin e së majtës ekstreme Amerika dhe bota tani po ndjejnë aromën e lirisë, e përzier këto kohra me aroma të pista agjendash që e mbytën atë dhe e morën peng me mijëra forma e marifete.

    Fitorja e Trump është e ngjashme për nga rëndësia, por dhe efekti që po paralajmëron, me rënien e komunizmit.

    Rendi i ri botëror që imponoi e majta sorosiane ishte një rend ku dominoi degradimi politik, social dhe moral i shoqërisë.

    Një lloj neokomunizmi pervers i cili imponoi formatin e “luftës së ftohtë”me forcat e djathta, duke pasur si ndryshim vetëm kufijtë.

    Nuk kishte më Lindje dhe Perëndim me kufij të përcaktuar sipas shteteve, por sorosianë dhe republikanë në pothuaj të gjitha shtetet.

    E majta me synime të qarta “pushtuese” e dominuese, shenjëstroi dhe zhbalancoi sa mundi e kudo mundi, ekuilibrat demokratikë politikë e njerëzorë, duke synuar nxjerrjen e së djathtës jashtë shahut politik dhe duke synuar deformimin e thelbit natyror të shoqërisë.

    E majta i shpalli kudo luftë identiteteve dhe besimeve.

    Sulmoi pa reshtur identitetin gjinor të njeriut dhe ndërmori një fushatë të egër rrafshimi të konservatorizmit ideologjik dhe moral, si identitet i spikatur politik.

    Deformuan pa hezitim çdo koncept klasik mbi të drejtën dhe lirinë dhe devijuan balancat ekonomike në dëm të vetë SHBA-ve.

    Shqipëria është dhe ende mbetet një nga eksperimentet politike më të suksesshme të sorosianëve.

    E majta ekstreme u mbështet dhe u investua për të ngulur në vend një sundim shumëvjeçar që progresoi paralelisht me një luftë të egër për të eliminuar të djathtën të përfaqësuar nga Partia Demokratike.

    Sipas agjendës falë Ramës, kjo e majtë kishte filluar pandalshëm të hidhte hapa konkretë dhe në aplikimin e çorientimit gjinor e social.

    Pasojat që prodhuan këto operacione janë të prekshme.

    Vendi ka humbur çdo standart demokratik dhe ka rrëshqitur drejt një sundimi absurd përmes krimit dhe korrupsionit të stimuluar dhe nxitur nga pushteti.

    Për këtë shkak pritja e kambanave këtu ka qenë po kaq dëshirore sa vetë në Amerikë.

    E folura e tyre nën betimin e Trump është e qartë:

    Në një rend të ri botëror vlerash e parimesh nuk ka më vend për matrapazë të vlerave të patjetërsueshme themelore politike dhe njerëzore.

    Koha e regjimeve dhe krerëve të tyre të majtë ekstremë, sivëllezër të Soros ka mbaruar.

    Kambanat e betimit folën qartë…

    Mjerë kush bën sikur s’i dëgjon.

    Davos-i nuk e amniston dot Ramën.

    Zoti e bekoftë Amerikën!!!!

  • Cilët janë liderët politikë më të pasur në planet?

    Cilët janë liderët politikë më të pasur në planet?

    Forbes ka publikuar një listë të personave më të pasur në botë dhe në vend të parë ishte Jeff Bezos, themeluesi i Amazon. Sigurisht, ai nuk është i vetmi që mburret me pasurinë e tij. Në fakt janë edhe shumë figura politike dhe liderë që mburren me pasuri të paimagjinueshme.

    Vazhdojmë më poshtë dhe do të zbulojmë se cilët janë figurat më të pasura publike dhe madje mund të fshehin më shumë pasuri nga sa mendojmë!

    17 – Ilham Aliyev

    Pasuria e vlerësuar – 500 milion dollarë

    Presidenti aktual i Azerbajxhanit ka një pasuri personale gjigande. Fiton rreth 228,000 dollarë në vit, por vlerësohet se mund të ketë shumë më tepër pasuri. Sipas Washington Post, më 2010, djali 12-vjeçar i presidentit ka blerë nëntë ndërtesa luksoze në jug të Dubait, duke shpenzuar rreth 44 milionë dollarë.

    16 – Wen Jiabao

    Pasuria e vlerësuar – 2.7 miliardë dollarë

    Ish-kryeministri kinez duket se është një tjetër njeri me një pasuri të madhe. Ka sunduar nga viti 2003 deri më 2013 dhe gjatë asaj kohe ka grumbulluar një pasuri që e ka bërë një nga njerëzit më të pasur në botë.

    15 – Isabel dos Santos

    Pasuria e vlerësuar – 3.4 miliardë dollarë

    Biznesmenja, vajza e madhe e ish-presidentit të Angolës, José Eduardo dos Santos, është gruaja më e pasur në Afrikë. Sipërmarrësja ka biznese në Angola dhe Portugali dhe operon në sektorë të tillë si telekomunikacioni, bankat, energjia dhe tregtia me pakicë.

    14 – Hans-Adam II

    Pasuria e vlerësuar – 4 miliardë dollarë

    Princi 73-vjeçar i Lihtenshtajnit është monarku më i pasur në Evropë. Siç ka zbuluar Express, princi zotëron një koleksion të pasur të artit antik që vlen një pasuri më vete, prona të ndryshme, pallate dhe është kreu i bankës që i përket familjes së tij.

    13 – Kim Jong-un

    Pasuria e vlerësuar – 5 miliardë dollarë

    Udhëheqësi i Koresë së Veriut është një tjetër njeri i fuqishëm që mburret me një pasuri shumë të madhe. Pasuria e tij vjen nga trashëgimia e babait dhe gjyshit, siç raportohet nga International Business Times.

    12 – Dawood Ibrahim

    Pasuria e vlerësuar – 6.7 miliardë dollarë

    I konsideruar si një nga kriminelët më të pasur në histori, në vitet ’70 themeloi D-Company në Mumbai. Të kurrikulumin e tij mbizotërojnë krime si mashtrim, komplotin dhe krim i organizuar, sipas Interpolit.

    11 – Khalifa bin Zayed Al Nahyan

    Pasuria e vlerësuar – 15 miliardë dollarë

    I njohur si Sheikh Nahyan, është kreu aktual i shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Emir i Abu Dhabit. Pasuria e tij nuk është vlerësuar me ekzaktësi, por mendohet të jetë shumë më e madhe nga sa mund të mendohet, veçanërisht pasi ndër zotërimet e tij bie në sy një jaht që i vetëm vlen rreth 622 milionë dollarë, sipas Thrillist.

    10 – Zine al Abidine Ben Ali

    Pasuria e vlerësuar – 17 miliardë dollarë

    Presidenti i Tunizisë midis viteve 1987 dhe 2011, ish-lideri ka një pasuri të pallogaritshme. Pavarësisht se u rrëzua nga pushteti me të famshmin “Revolucion të Jaseminit”, Zine Al Abidine Ben Ali vazhdoi të grumbullonte një pasuri të madhe.

    9 – Hassanal Bolkiah

    Pasuria e vlerësuar – 20 miliardë dollarë

    Sipas The New York Times, Sulltani dhe Monarku i Bruneit zotëron rezidencën më të madhe mbretërore në botë, me 1788 dhoma. Pasuria e tij vjen kryesisht nga shitja e naftës dhe gazit.

    8 – Bhumibol Adulyadej

    Pasuria e vlerësuar – 30 miliardë dollarë

    Ish-mbreti i Tajlandës sundoi nga viti 1946 deri në vdekjen e tij më 2016. Gjatë mbretërimit të tij 70-vjeçar, grumbulloi një pasuri të pamasë, e cila u trashëgua nga i biri Maha Vajiralongkorn, mbreti aktual në fuqi.

    7 – Ali Abdullah Saleh

    Pasuria e vlerësuar – 30 deri në 62 miliardë dollarë

    Ali Abdullah Saleh (1942-2017) ka qenë president i Republikës Arabe të Jemenit nga viti 1978 deri më 1990. Gjatë jetës së tij grumbulloi një pasuri të pamatë, aq sa vlera e saktë e saj ende nuk dihet.

    6 – Hosni Mubarak

    Pasuria e vlerësuar – 70 miliardë dollarë

    Ka qenë president i Egjiptit nga viti 1981 deri më 2011, përpara se të rrëzohej gjatë “Pranverës Arabe”. Sipas një artikulli në The Washington Post, Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera botërore besojnë se ish-presidenti Mubarak mund të ketë pasuri më të madhe se sa dihet, si ar dhe para të padeklaruara.

    5 – Bashar al-Assad

    Pasuria e vlerësuar – 122 miliardë dollarë

    Burimet zyrtare zbulojnë se pasuria e Bashar është rreth 1.5 miliardë dollarë, por ato mund të jenë shumë më të mëdha. Siç zbulon LiveLeak, mendohet që presidenti sirian të ketë një pasuri më të madhe se 120 miliardë dollarë.

    4 – Muammar Gadaffi

    Pasuria e vlerësuar – 200 miliardë dollarë

    Para fundit të tij tragjik, ish-diktatori libian kishte një pasuri të pamasë, aq sa konsiderohej një nga njerëzit më të pasur në planet. Koloneli libian, i cili vdiq më 2011, besohet se ka fshehur më shumë se 200 miliardë dollarë në llogari sekrete, fryt i investimeve në pasuri të paluajtshme dhe korporatative në mbarë botën, raporton Los Angeles Times.

    3 – Vladimir Putin

    Pasuria e vlerësuar – 200 miliardë dollarë

    Sipas CNBC, presidenti i Rusisë mund të jetë edhe më i pasur se Bill Gates dhe Jeff Bezos. Dyshimet për vlerën e saktë të aseteve të Putinit u ringjallën kur ish-presidenti i një fondi amerikan investimesh, Bill Browder, deklaroi se pasuritë e liderit rus i kalonin 200 miliardë dollarët, lajme të raportuara edhe në Komitetin e Drejtësisë të Senatit të Shteteve të Bashkuara.

    2 – Famiglia Rothschild

    Pasuria e vlerësuar – 350 miliardë deri në 2 trilion dollarë

    Kjo familje hebreje, me origjinë nga Hamburgu (Gjermani), ka themeluar një perandori të vërtetë bankare të përhap në të gjithë Evropën. Sipas Celebrity Net Worth, pasuria e tyre do të arrinte miliarda e miliarda dollarë.

    1 – Dinastia saudita

    Pasuria e vlerësuar – 1.4 trilion dollarë

    Dinastia e sauditëve ka një pasuri që vlerësohet në rreth 1.4 trilion dollarë, sipas faqes së internetit të House of Saud. Pasuria e tyre vjen kryesisht nga biznesi i naftës.

    Përgatiti për gazetatjeter.net, Dardan MITROVICA

  • Kush do të performojë në ceremoninë e betimit të Trump: një festë me shumë muzikë country

    Kush do të performojë në ceremoninë e betimit të Trump: një festë me shumë muzikë country

    Nesër, më 20 janar, Donald Trump do të marrë detyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, për herë të dytë në jetën e tij, pasi e pati bërë këtë edhe më 20 janar 2017.

    Në worldvizion – Eventi, që do të transmetohet në mbarë botën, tashmë po merr formë dhe, si në raste të tjera, do të ketë praninë e shumë yjeve, si këngëtarja kantri, Carrie Underwood.

    Performanca – Artistja, e bërë e famshëm falë programit “American Idol”, do të performojë në “America the Beautiful” vetëm pak minuta përpara se Donald Trump të betohet në United States Capitol, sipas “The Associated Press”.

     “Një nder” – Në një deklaratë të lëshuar nga artistja, siguron se është “një nder të jesh një pjesë e vogël e kësaj ngjarjeje historike”, që për më tepër do të shihet nga miliona njerëz në mbarë botën.

    Rikthim në vitet ’70 – Por Carrie Underwood nuk do të jetë e vetmja artiste që do të ketë momentin e saj në inaugurim. Përpara saj, në inaugurimin e eventit do të performojnë “Village People” dhe edhe një ditë më parë, në mitingun që Donald Trump do të mbajë në Uashington, përpara se të marrë detyrën si President i Shteteve të Bashkuara.

    Kolona zanore e fushatës së Trump – Grupi, referencë i LGBTIQ+ në vitet ’70, ka qenë kolona zanore e fushatës së Donald Trump për fitoren e tij të dytë të Shtëpisë së Bardhë.

    Dy këngë legjendare – Në çdo tubim të kandidatit republikan janë kënduar dy nga këngët legjendare të grupit: “YMCA” dhe “Macho Man”, të cilat, me sa duket, do të këndohen edhe në eventin e 20 janarit.

    ‘Një himn botëror’ – Disko-bandi, përmes llogarisë së tij zyrtare në Facebook, afirmon se “muzika duhet të interpretohet pavarësisht politikës. Kënga jonë Y.M.C.A. është një himn global që shpresojmë të ndihmojë në bashkimin e vendit pas një fushate zgjedhore të trazuar dhe përçarëse, në të cilën kandidati ynë i preferuar humbi”.

    Artistë të tjerë të konfirmuar – Bashkë me këto dy performanca të konfirmuara, do të jetë edhe artisti country Lee Greenwood, i cili do të performojë teksa Donald Trump largohet nga ceremonia e betimit.

    Himni Kombëtar – Këngëtari lirik, Christopher Macchio, do të jetë i ngarkuar të interpretojë Himnin Kombëtar të SHBA-së në fund të programit, si kulmi final i Partisë Republikane.

    Katër ditë plot evente – Komiteti i planifikimit të inaugurimit ka shpërndarë një kalendar të katër ditëve që do të pasojnë eventin, me një pamje krejt ndryshe nga inaugurimi i Joe Biden më 2021.

    Siguri ekstreme – Katër vjet më parë, sulmi në Capitol Hill shënjoi ceremoninë e 20 janarit dhe Donald Trump refuzoi të marrë pjesë në inaugurimin e Joe Biden. Ndërkohë, Presidenti në largim, ka konfirmuar se do të jetë i pranishëm në betimin e rivalit të tij politik.

    Përgatiti për gazetatjeter.net, Dardan MITROVICA

  • Nga Sebastian ZONJA – Skandali i arsyes – besimi në Zot!

    Nga Sebastian ZONJA – Skandali i arsyes – besimi në Zot!

    (Ekzistencializmi i Soren Kirkegardit përballë Absolutes së Frederik Hegelit)

    Për dekada të tëra dukej thuajse e pamundur t’i aviteshe nga ndonjë skutë e vockël kështjellës së madhe të filozofit Hegel dhe të thoshe se ka problem në aksh fortifikatë. I vetmuar, danezi Soren Kirkegard iu afrua kësaj katedraleje madhështore dhe pa me sytë e tij udhët e ngatërruara si rrjeta merimangash teksa ndjeu të ftohtin e gurëve të mëdhenj, stivë, që Hegeli i kishte marrë hua nga katakombet e filozofëve të lashtë për të ndërtuar dialektikën e tij. Ngjashëm me katedralet që premtojnë përjetësi, edhe Dialektika hegeliane premton kuptimësinë e plotë të ekzistencës — unitetin mes shpirtit (frymës) dhe materiales (botës), një proces historik që marshon pandalshëm drejt Absolutes.

    Ndërkohë, danezi melankolik kishte një shqetësim që i bjerrte shpirtin. Dije kam boll, thosh ai, por pse s’më shërben si balsam për shpirtin që dridhet nga dëshpërimi? Më duket sikur qëndroj në cepin e një humnere…

    Eh, Kirkegardi! S’ju mbush mendja se historia është përparim i pandalshëm i arsyes. Me Hegelin shkon në qiell, ndërsa lufta e vërtetë nuk qëndron në ngjitje, por në zbritje, thoshte Kirkegardi. Lufta qëndron teksa zbret në thellësitë e vetes, tek tmerri, dëshpërimi dhe ankthi që përcakton ekzistencën.

    Danezi i vetmuar e shihte sistemin madhështor të Hegelit si burg, si përpjekje mbytëse për të nënshtruar individin nën marshimin e pandalshëm të historisë dhe arsyes.

    “E ç’është vetja nëse reduktohet në një pjesë të vockël të makinerisë së dialektikës?”, pyeti Kirkegardi. “Refuzoj këtë shkatërrim të individualitetit, këtë reduktim monstruoz të jetës nëpër kategori abstrakte, sepse ekzistenca nuk është koncept por realitet që përjetohet plot ankth, zgjedhje dhe, mbi të gjitha, që bart mbi supe barrën e rëndë të lirisë”, tha ai.

    Kur e merr veprën e Hegelit në dorë është si me dëgju Moxartin. Një simfoni apo muzikë kozmike që harmonizon çdo disonancë. Megjithatë, imagjino të dëgjosh të njëjtin tingull në përjetësi. Monotoni e tmerrshme. “shurdhëri ndaj thirrjeve të shpirtit”, shkruan diku Çehovi. Nëse për Hegelin historia është shpalosja e Absolutes me anë të një procesi racional ku kundërshtimet zgjidhen me një unitet më të lartë, Kirkegardi thotë se kjo është tradhti ndaj njerëzores brenda nesh. Jeta nuk është dialektikë e rregullt. Nuk del një problem përpara dhe ti fillon të arsyetosh se kjo është teza, pastaj duhet të hasësh një antitezë dhe në fund zgjidhja do vijë me anë të një sinteze.

    Jo!

    Jeta është e rrëmujshme, plot me paradokse që as që zgjidhen ndonjëherë. Paradoks është vetë Besimi. Është kërcim përtej arsyes, dorëzim ndaj absurditetit. Nuk është pika fundore e një procesi racional, por përballje me të pafundmen. Një takim që shkatërron iluzionet e sigurisë. Kësisoj e ndërton kritikën e tij më shkatërruese danezi melankolik për sistemin madhështor të Hegelit. Nëse Hegeli supozon se njeriu mund ta kuptojë hyjnoren vetëm përmes arsyes dhe e Pafundmja mund të deshifrohet në terma të fundmë, Kirkegardi e dinte mirë se Zoti nuk është një ide, por prani, mister që nuk mund të hapet por vetëm të përjetohet nën drithërimë dhe mahnitje.

    Kjo e çoi danezin në thellësitë e dëshpërimit, për të cilin thosh se nuk ishte defekt që duhej kapërcyer, por vetë gjendja e njeriut. Ndryshe nga Hegeli që shihte gjëra të mëdha në dialektikën e përbotshme, Kirkegardi gjeti një vendlindje të re të ekzistencës së tij. Me ekzistu, sipas tij, do të thotë të qëndrosh mes së fundmes dhe të pafundmes, të përkohshmes dhe të përjetshmes, mes një tensioni që nuk mund të zgjidhet por vetëm të durohet. Për Kirkegardin, besimi është forma më e lartë e ekzistencës, por jo përfundim i arritur përmes logjikës. Është kërcim tej, braktisje e sigurisë së arsyes dhe pranim i paradoksit që Zoti u bë njeri. Për hegelianët besimi është skandali më i madh për arsyen, një absurditet që na del duarsh nga Teoria e madhe që kemi ndërtuar. Ideja se e pafundmja u bë pjesë e së fundmes, e përjetshmja mori trajta të mishit të njeriut — kjo është çmenduri për arsyen, por shpëtim për besimtarin.

    Çfarë na la pas Kirkegardi? Asnjë sistem, as ndonjë arkitekturë të madhe mendimi, por diçka shumë më të vlefshme: një vizion të njeriut si qenie e lrië dhe e përgjegjshme, një qenie që qëndron e vetme përpara Zotit dhe botës. Ekzistenca dhe realiteti nuk është problem që duhet zgjidhur, por mister që duhet përjetuar. Kirkegardi na tha se besimi nuk është mungesë dyshimi, por përqafimi i tij, një hovje drejt së panjohurës ku arsyeja nuk mund të ndjekë pas. Kësisoj ai u bë ati i ekzistencializmit. Çeli rrugën për Niçen, Dostojevskin, Sartrin dhe Kamynë. Kur i lexon sheh se të gjithë bashkë kërkuan të përballeshin me ashpërsinë e jetës pa iluzionet e sigurisë që të japin sistemet e mëdha të arsyes. Megjithatë, zëri i Kirkegardit mbetet unik. Atje ku Niçja e vrau Perëndinë, ai u kap pas Tij me gjithë pasionin e një shpirti të munduar në dëshpërim. Nga të rrallët që pa tek absurdi jo dromca dëshpërimi, por shpresë; jo vdekjen e kuptimit, por lindjen e tij. Kirkegardi na thotë se jeta është luftë me engjëjt dhe demonët dhe përballje me sfidat me kurajë dhe besim.

    Sot e nderojmë këtë njeri të vetmuar që ecte rrugëve të Kopenhagës, i përhumbur në mendime, me barrën e peshës së ekzistencës dhe i revoltuar ndaj tiranisë së abstraksionit, duke këmbëngulur tek Besimi i tij përballë absurdit.

  • 25 dribluesit më të mirë në historinë e futbollit: klasifikimi

    25 dribluesit më të mirë në historinë e futbollit: klasifikimi

    Arti i driblimit është thellësisht i ndërthurur me futbollin dhe shpesh do do të thotë që të bësh më të mirën ndaj kundërshtarëve. Dribluesit ekspertë janë të paçmuar për skuadrat e tyre, ndaj, le t’i hedhim një vështrim disa nga më të mirëve që kemi parë dhe që historia e futbollit na tregon.

    Bergkamp zbarkoi te Arsenal dhe u bë menjëherë një sensacion në Premier League. “I vinte në gjumë mbrojtësit nëpërmjet një ndjenje të rreme sigurie dhe më pas nxirrte një truk magjik nga kapelja e tij,” shkruan Bleacher Report.

    Mesfushori argjentinas është shquar si një nga lojtarët më elegantë dhe efikasë në rolin e tij. E farkëtoi reputacionin gjatë kohës në Real Madrid dhe te Milan, duke fituar UEFA Champions League në tre raste.

    Përpara se në Barcelonë t’ia behte Lionel Messi, ishte László Kubala ai që konsiderohej shpesh si lojtari më i mirë i klubit katalanas. Sulmuesi hungarez ishte një ikonë e Barcelonës dhe këtë e vërtetojnë edhe statistikat. Ka shënuar 288 gola në 361 ndeshje, sipas faqes zyrtare të FC Barcelona.

    Eden Hazard i Chelsea ka qenë pa dyshim një nga dribluesit më të mirë të futbollit modern. Me një shkallë suksesi mahnitëse prej 63.1%, sipas Opta Analytics, anësori belg ka qenë i pandalshëm në krah.

    I konsideruar një nga lojtarët më të mëdhenj skocezë të të gjitha kohërave, Grey bëri emër te Leeds United. I mbiquajtur ‘Valseri i fundit’, sulmuesi skocez ishte një driblues i mahnitshëm. “Kur ai luan në dëborë, nuk lë gjurmë”, ka thënë për të Don Revie (ish-trajneri i Leeds).

    Një nga futbollistët irlandezë më të mëdhenj në histori, sulmuesi i Celtic konsiderohej një nga dribluesit më të mirë të kohës së tij. “Në 20 metra larg portës, Patsy Gallacher ishte sulmuesi më i rrezikshëm që kam parë ndonjëherë”, kujton legjenda e Rangers, Alan Morton.

    Meazza konsiderohet si një shtyllë e futbollit italian për nga ndikimi që ka pasur në lojë. Interi i ka dhënë emrin e tij stadiumit pasi kaloi 13 sezone me ta (duke debutuar më 1927).

    Overmars ka qenë një nga dribluesit më vdekjeprurës të ’90. I fortë, i shpejtë dhe i shkathët, ishte një kërcënim i vazhdueshëm për mbrojtësit. Ish lojtari i Barcelonës ka shënuar 21 gola në 172 ndeshje, sipas faqes zyrtare të klubit.

    Shpërthimi i Franck Ribéry nga krahu ishte i tmerrshëm për mbrojtësit, të cilët përpiqeshin të gjenin çdo lloj mënyre për ta ndaluar francezin. Sipas Opta Analytics, gjatë sezonit 2021-2023, Ribery ka regjistruar një normë suksesi në driblim prej 47.8%.

    Një tjetër sulmues “magjik” brazilian që ka patur një ndikim të madh në futbollin evropian ishte Romario. Sipas vetë futbollistit, ka shënuar rreth 1047 gola, por të dhënat zyrtare e mbajnë në 690. Pëlqen apo jo, ai ka qenë padyshim një nga më të mirët.

    Figo ishte pjesë e gjeneratës së artë portugeze (asaj që nuk arriti dot ta fitonte një titull) dhe konsiderohej një lojtar jashtëzakonisht inteligjent në fushë. Vizioni dhe aftësitë e tij të shkëlqyera në driblim e bënë një sulmues shumë efektiv.

    Ikoniku sulmues anglez nga Hanley ishte një tjetër forcë për t’u konsideruar në fushë. E kundërta e George Best, ka qenë një futbollist vërtet i disiplinuar gjatë gjithë karrierës së tij. I mbiquajtur “magjistari i driblimit”, ka qenë një model i rëndësishëm për brezat e ardhshëm.

    Sulmuesi italo-argjentinas është konsideruar si një nga dribluesit më të mirë gjatë karrierës së tij (1954-1969), duke fituar një reputacion të jashtëzakonshëm në të gjithë Evropën. Gjatë tetë sezoneve të tij në Juventus, shënoi 134 gola në 215 ndeshje dhe fitoi tre Scudetto, sipas Transfermarkt.

    Sulmuesi brazilian konsiderohej një yll i La Ligës gjatë kohës së tij te Barcelona ​​dhe me të drejtë! Neymar kompletonte repartin vdekjeprurës sulmues të klubit katalan, bashkë me Suarez dhe Messi. Gjatë kohës së tij në La Liga, ka regjistruar 5.75 driblime të kompletuara për ndeshje, sipas StatMuse.

    Cristiano Ronaldo është një tjetër emër i madh në listë. Sulmuesi portugez ka plazmuar një gjeneratë futbollistësh gjatë rivalitetit të tij epik me Messin. Edhe pse Messi ishte një driblues më i zotë, Ronaldo sidoqoftë ishte në luftë të vazhdueshme me argjentinasin. Sipas StatMuse, Ronaldo ka regjistruar 2.21 driblime të suksesshme për çdo 90 minuta.

    Jairzinho ka qenë një tjetër sulmues i suksesshëm brazilian përgjatë viteve ’70, duke shënuar në çdo ndeshje të Kupës së Botës më 1970. Kishte këmbë që lëviznin aq shpejt saqë mbrojtësit pyesnin gjithmonë se ku ishte topi.

    Për shumë, Pelé ka qenë më shumë se një futbollist, ishte një ikonë. I mbiquajtur ‘O Rei’ (Mbreti), sulmuesi brazilian ishte i njohur për aftësitë e tij të shkëlqyera në finalizim dhe driblim. Sipas FIFA-s, ai është “lojtari më i mirë në historinë e futbollit”.

    ‘Zizou’ ka qenë një tjetër lojtar i madh, që ka fituar gjithçka gjatë karrierës së tij. Ishte një mesfushor jashtëzakonisht i talentuar, që i superonte kundërshtarët me driblime të klasit botëror. Shumëkush do ta mbajë mend firmën e tij ‘Zidane roulette’.

    Një tjetër legjendë braziliane për të cilën disa thonë se ishte edhe më i mirë se vetë Pelé: Garrincha, i njohur për aftësitë e tij të shkëlqyera të driblimit, të plotësuara tunele, finte dhe kthesa të forta. Ishte thjesht i paparashikueshëm, pavarësisht se vuante nga një sërë problemesh, si këmbën e djathtë të përkulur dhe këmbën e majtë më të shkurtër.

    Legjenda e Barcelonës ishte një gjeni në fushë dhe i çmendte mbrojtësit. Ai është një nga lojtarët e paktë në këtë listë me një driblim të quajtur me emrin e tij: ‘Cruyff turn’.

    George Best ka qenë një rockstar i vërtetë në fushën e futbollit dhe një anësor jashtëzakonisht i talentuar që i tërbonte kundërshtarët me driblimet e tij. I lindur në Irlandën e Veriut, e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij te Manchester United dhe, deri më sot, konsiderohet si një nga lojtarët më të talentuar që ka luajtur ndonjëherë në atë pozicion.

    Top i Artë 1968 – Më 1968 fitoi Topin e Artë, duke fituar edhe një Kupë Kampionesh dhe dy kampionate.

    Ronaldo ka qenë një tjetër lojtar brazilian me famë botërore, i cili, sipas shumëve, ka qenë në të vërtetë më i miri në artin e tij. Përpara dëmtimit në gju, sulmuesi brazilian ishte i pandalshëm. “Ronaldo ishte heroi im”, ka thënë Messi gjatë viteve të tij të para në Barcelonë, duke theksuar ndikimin e tij.

    Fenomeni – ‘O phenômeno’ kishte një aftësi të jashtëzakonshme në driblimin e kundërshtarëve dhe për t’u pozicionuar për një goditje premtuese. Gjatë kohës së tij te Inter, ka shënuar 59 gola në 99 ndeshje, sipas Transfermarkt.

    Çfarë mund të thuhet për të madhin Lionel Messi? Konsiderohet nga shumë si ‘GOAT’ për shkak të rekordeve të tij mbresëlënëse në karrierë dhe aftësisë unike me top.

    Driblues i paparë – Sipas Opta Analytics, Messi (2021-2023) ka regjistruar një përqindje driblimesh të suksesshme prej 58.4%, duke arritur në mesatarisht 7 driblime për ndeshje.

    Një tjetër gjeni i kohës së tij ka qenë padyshim Diego Armando Maradona. Ishte një lojtar jashtëzakonisht i talentuar I cili, për fat të keq, ishte gjithmonë në qendër të stuhisë. Sidoqoftë, aftësia e tij e jashtëzakonshme me topin e bënte një makth të vazhdueshëm për mbrojtjen.

    Kupa e Botës 1986 – E udhëhoqi Argjentinën dhe Napolin drejt suksesit, duke fituar Kupën e Botës më 1986 dhe Scudetton e parë të Napolit më 1987.

    Nëse pyesni ndonjë tifoz futbolli, në mbarë botën, se çfarë mendon për “Dinhon”, pjesa më e madhe do ta njohin atë si dribluesin më të madh të të gjitha kohëve. Stili i tij unik dhe aftësia e jashtëzakonshme në fushë e kanë ngritur atë si një lojtar fantastik mes legjendave.

    Këmbë magjike – Këmbët e tij magjike do të thyenin çdo mbrojtje kundërshtare, duke e bërë të paparashikueshëm me topin. Gjatë sezonit të tij 2005 me Barcelonën, regjistroi numrin më të madh të driblimeve të kompletuara me një përqindje suksesi prej 61% (87/134), sipas Opta Analytics. Zinédine Zidane e kujton kundërshtarin e tij si “klas total – një lojtar shumë i madh”.

    Materiali u përgatit për gazetatjeter.ner nga Dardan MITROVICA

  • Nga Enver BYTYÇI – Pse Edi Rama çdo vendim e merr në errësirë?!

    Sa herë zgjohemi dhe ende pa hapur sytë hapim televizorin, dëgjojmë vendimmarrjet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Dhe në të gjitha rastet vemë re se vendimet e tij nuk janë kolegjiale, por personale. Në përmbajtjen e vendimmarrjes së strukturave të shtetit shqiptar të gjitha vendimet merren me imponimin e Edi Ramës. Edhe ato të gjyqësorit, kur interesi i tij është aty.

    Në kohën e diktaturës kishte rate kur Biroja udhëzonte diskutime në struktura ose në masë për të shkuar te një vendimmarrje. Të tilla tentativa u bënë nga qeveria e Edi Ramës vetëm në dy raste, atë të Open Balkan dhe të legalizimit të kanabis-sativa. Të dyja në errësirë, formalisht, pa asnjë lloj transparence, me kryekontrollor kryeministrin. Ndërsa për Tik-Tokun errësira ishte katran! Akoma më katran se katrani janë vendimmarrjet për investitorët strategjikë. Së fundmi u shpall si i tillë dhëndëri i presidnetit Trump, Kushner. Vendimmarrja është shpallur para shumë muajsh. Askush nuk e di se si u arrit në këtë vendimmarrje. Kush u konsultua? Cilat struktura bënë ndonjë hulumtim ose studim për interesin dhe dobinë e këtij investimi për shqiptarët. Gjithçka duket investim politik për pushtetin e Edi Ramës! Ndaj dhe vendimmarrja edhe në këtë rast ishte në errësirë të plotë.

    Duket qartë se Edi Rama i merr vendimet në mënyrë autoritare, pa konsulta, pa pyetur, thjesht duke dhënë urdhra. Ky fakt është i njohur. Nuk është pra diçka e re. Por ajo që e bën absurd situatën në këtë vend ka të bëjë me faktin se kryeministri i Shqipërisë nuk mban asnjë përgjegjësi për vendimet që vetë i merr. Parimi i tij është “çfarë u duhet qytetarëve se cfarë bëj unë?! Ata më kanë dhënë mandatin dhe unë bëj me këtë mandat atë që dua”! Ky lloj konceptimi i votës së qytetarëve është themeli i strukturimit të diktaturave.

    Vendimet e Edi Ramës jo vetëm merren në errësirë, por ato nuk lejohet as të vlerësohen e gjykohen nga taksapaguesit shqiptarë. Ndonëse është ai që emëron ministra e zevendësit e tij, asnjëherë nuk mbajti përgjegjësi juridike, morale apo politike për vendimmarrjen e tij, kur këta ministra u kapën “duke ngrënë dardha pas shpinës së tij”! Ndonëse pa asnjë konsultim dhe pa marrë as edhe ndonjë info prej institucioneve të zbatimit të ligjeve i dha statusin e investitorit strategjik Pëllumb Gjokës, sërishmi tha se “Përgjegjësia është individuale”!  Vetë e promovon, vetë e favorizon, vetë e legjitimon si strategjik, vetë e inkurajon të grabisë qindramijë metra katror tokë në bregdet, vetë e mbron edhe kur strategjiku bën vrasësin dhe në fund thotë se “Unë nuk e dija, përgjegjësia është personale”!

    Por kur vendimmarrja është personale, siç ndodh me marrjen e çdo vendimi nga ana e Edi Ramës, atëherë vërtet përgjegjësia është personale, por e vetë kryeministrit të Shqipërisë. Edi Ramës nuk ia imponon askush vendimet që merr. Është ai imponuesi më i madh në historinë post diktatoriale në këtë vend. E megjithatë, ai në stilin e diktatorit Hoxha, akuzën e ndërton sipas stratagemës se “Uji kullon i pastër në krye, por turbullohet rrugës”! Kur Enver Hoxha i dënonte të ashtuquajturat grupe armiqësore, thoshte se “gjithçka është bërë pa dijeninë e udhëheqjes (udhëheqësit) dhe në tentativë për ta eliminuar atë”! Identike është filozofia e sotme e Edi Ramës. Nuk ka rast që nuk e justifikon si përgjegjësi të tjerëve.

    Ndonëse të gjitha vendimet merren prej tij. Ndonëse nuk ka asnjë lloj transparence në marrjen e këtyre vendimeve dhe bërjen e ligjeve, Edi Rama sërishmi hiqet si “engjëll”, ai që “nuk di asgjë’”, “është njëkohësisht i larë në katran dhe i pastër, pa ngjyrë”. Kjo situatë në një demokraci është turpi i kësaj demokracie. Është gjithashtu edhe turpi i të gjithë atyre njerëzve demokratë e të ndershëm brenda dhe jashtë vendit tonë, të cilët nuk duan ta shohin atë.

  • Nga Alfred LELA – Rama në monologun e viktimës, heroit dhe të inkriminuarit

    Nga Alfred LELA – Rama në monologun e viktimës, heroit dhe të inkriminuarit

    Edi Rama, në monologun e gjatë të një të diele, kur njerëzit i lë pushim edhe Zoti, nuk ka pushuar mbi gjysmë ore duke folur për persekutim imagjinar politik nga kundërshtari. Ky i fundit ka emrin e përhershëm, shkrumbuar prej 15 vitesh në sloganin që qet tym, por barutin e ka të lagur dhe, as nuk vret e as nuk bind, “fajin e ka Saliu”.

    Një kryeministër në pushtet q’prej vitit 1998, pra plot 27 vite, që ankohet për rivalin e votuar jashtë pushtetit, para 12 vitesh, dhe që ka 10 vite më pak se ai në pushtet, është një rast haluçinance që meriton studime të posaçme të shkencës politike, por edhe Psikologjisë.

    Duke bërë pikërisht atë që ia mvesh si faj kundërshtarit, përdorimin e familjes së tij biologjike, Rama thirri dje ngjarje të vjetëruara, në një apel të pakërkuar dhe të çuditshëm për një publik që, në masën më të madhe i ka harruar batërditë në fjalë.

    Shndërrimi i vetes në hero të viktimizuar ndoshta mund të kuptohet më mirë duke risjellë një përkufizim psikologjik që quhet triada e errët (dark triads) që, sipas Britannica, karakterizohet si  kombinim i tri trajtave negative të karakterit: makiavelizmi, narcisizmi nënklinik dhe psikopatia-me tipare të caktuara si ftohtësia, agresiviteti dhe dupliciteti.

    Pra, Rama në monologun e gjatë të hero-viktimës, paraqitej si prijësi i ftohë dhe përllogaritës i Makievaleit, narcizi që sheh veten e bukur në pellgun e parafytyrimit popullor për të, dhe duplicisti që shpreh mendime të dyfishta kontradiktore.

    I kësaj të fundit është rasti kur përgjigjet për akuzat se bashkëpunon me krimin duke sqaruar se është ai që i zgjedh bashkëpunëtorët, jo e kundërta. Duke thënë se ai ka fuqinë për të zgjedhur, sepse është numri 1, ai kundërshton veten në pretendimin tjetër, atë të ‘shkëputjes’, prej bashkëpunëtorëve politikë. Jo se nuk e ka fuqinë e përzgjedhjes edhe në këtë rast, por se ai pranon se ka bërë kaq shumë zgjedhje të këqija, por zgjedhjet nuk kanë lidhje me të.

    Rama gënjen kur thotë se bashkëpunëtorët e zgjedhur për në Kuvend, qeveri apo bashki të vendit janë larguar nga politika nga dekriminalizimi, i cili paskërka patur edhe mbështetjen e tij. Aspak ashtu, sepse Rama i ka mbrojtur deri në fund të gjithë bashkëpunëtorët me probleme me dekrimin, dhe i ka lëshuar kur e ka kuptuar se ishte e pamundur t’i mbante. E ka bërë këtë me Dakon, Roshin, Kajmakun e gjithë të tjerët.

    Një sjellje pjesërisht të kundërt ka dëshmuar në mandatin aktual, kur ka lëshuar pa shumë vonesa disa prej bashkëpunëtorëve, por vetëm pasi i ka shkarkuar nga detyra dhe i janë dashur si ‘koka turku’, por edhe si pakt me SPAK, sipas parimit të jap disa ‘dëshmorë’, por të tregoj vijën e kuqe të pakalueshme.

    Mënyra që Rama zgjedh për të përligjur raportin me krimin është posaçërisht interesant. Duke thënë se ka fuqinë të zgjedhë bashkëpunëtorët (pra edhe në rastin e paktit me krimin) ai inkriminon veten. Jo prej arrogancës që dëshmon fjalia, por për faktin se në dosjet e shërbimeve të huaja, ka dëshmi indirekte dhe direkte të këtij bashkëpunimi. Rasti i deputetit Çyrbja të Durrësit, ku Rama është prijësi, është flagrant. Bisedat e zbardhura mes narcos të Durrësit që përcaktojnë Çyrbjen si të tretin në listë, janë në vetvete loja për territor dhe pushtet të bandave të të qytetit për dominimin e portit, narkotrafikut dhe rrjeteve ekonomike të zonës. Një prej mënyrave se si shfaqet kjo fuqi është lidhja me Kryeministrin, dhe shembulli më ilustrues i kësaj është ndikimi tek ai për kandidatët në listën e PS në Durrës. Çyrbja, i nisur për i pesti a i gjashti në listë, do të ishte sërish deputet, por banda që e mbështeste, duke e zhvendosur lart, në vendin e tretë, u dëshmonte rivalëve ndikimin te Kryeministri. Nëse kjo nuk thuhet drejtpërdrejt, a dyshohet se emrat dhe pozicionet në listë i vendos miratimi dhe firma ekskluzive e Edi Ramës?! Atij që ka fuqinë ‘të zgjedhë bashkëpunëtorët’ dhe jo “të zgjidhet prej tyre”.

  • Nga Kim MEHMETI – Kurtin e forcojnë kritikët e tij të çartur!

    Gjatë fushatës parazgjedhore në Kosovë thuajse të gjithë pyesin pse drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje nuk marrin pjesë nëpër debate televizive? Përgjigjja është shumë e thjeshtë: sepse e kanë kuptuar se ata më së shumti i forcon kritika çmendurake ndaj tyre dhe se më së miri përfaqësohen nga kritikët e tyre, të cilët kur i dëgjon, të duket se flasin me gojën e Radojçiit.

    Andaj se VV është e partia më e fortë në Kosovë dhe se ajo do i fitojë edhe këto zgjedhje parlamentare, më së miri dëshmojnë kundërshtarët e saj që nuk mund të përmbahen e sillen si të çartur. Dhe të cilët as që mund ta fshehin se më së shumti Kurti i ka dëshpëruar pse edhe duke qenë Kryeministër nuk u bë si ata – hajdut!

    Ndërkohë mbete e vërteta se VV është e fortë sepse ka kundërshtarë drejtuesit e PDK’së të cilët ia gjetën emrin lirisë, por assesi ta zbulojnë mbiemrin e hajnisë si dhe, drejtuesit anemik të LDK’së të cilët të vetëdijshëm se nuk kanë kurrnjëfarë fizionomie politike, e përdorin portretin e Rugovës.

    Duke shpresuar  kështu se sërish do u jepet mundësia që, njësoj si disa herë në të shkuarën, popullin ta zhvatin qetë e butë dhe duke i  buzëqeshur.

    Kuptohet, të sundosh pesë vite e të mos kesh bërë gabime është e pamundur. Por të verbuar nga urrejtja patologjike ndaj Kurtit, kritikët as që i shohin gabimet e tij reale.

    Siç është për shembull gara e tij me Piktorin se kush do i merr peng shqiptarët që jetojnë jashtë Shipërisë e Kosovës e që e çoi atë të ndërhynte në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë, ku i ‘forcoi’ shqiptarët e këtushëm duke i copëtuar si dhe, duke e përkrahur VLENin e përdorshëm vetëm për qeverinë më proserbe që ndonjëherë ka pasur ky vend: atë të VMRO-DPMNE’së!

    Në të vërtet, si majtist i rreshkur, Kurti i çmon lartë vetëm ata që e adhurojnë. Madje atij i duket e pabesueshme të ketë shqiptar që nuk e ka atë idhull. Andaj atë më së shumti mund ta dëmtojnë dhe ta harxhojnë politikisht vetëm adhuruesit e tij të verbër.

    Kurti e dinë këtë dhe prandaj adhuruesve të vet ua ka ndaluar pjesëmarrjen nëpër emisione debatuese dhe nëpër TV ekrane ku të gjithë flasin vetëm për të dhe askush nuk flet për partitë tjera.

    Adhuruesve të vet ai ua ka lënë në disponim vetëm rrjetet sociale ku rëndom, budallai ia zbërthen politikën të hutuarit.

  • Nga Armand SHKULLAKU – Olsi Rama, si alibi për mëkatet e të vëllait

    Për shumkënd ishte i habitshëm dhe jo proporcional një monolog prej 35 minutash i kryemistrit Rama me rastin e deklarimit nga SPAK, se vëllai i tij nuk rezultonte i përfshirë në çështjen e trafikiut të kokainës, të njohur si dosja Xibraka. Ndonëse Gazmend Bardhi, njeriu që inicioi verifikimin e implikimit ose jo të Olsi Ramës, e cilësoi qesharake dhe jo përfundimtare deklaratën e prokurorisë, kryeministri ka përfituar nga rasti për t’iu drejtuar qytetarëve me një fjalim të pazakontë, si një alibi patetike për gjithë veprimtarinë e tij politike e njerëzore.

    Me tonet dramatike, interpretimin me një zë që dridhej dhe sytë që tregonin lëndimin e padrejtë, Edi Rama foli për brengat e prindërve të ndarë nga jeta, për seksualitetin e tij, për skizofreninë e sajuar, akuzat për dhunë në familje e deri tek ajo për atësinë e djalit të tij. Një rrëfim i pakërkuar që, detyrimisht të çonte tek pyetja: pse e gjithë kjo valë viktimizimi patetik, edhe nëse SPAK i kishte dhënë të drejtë vëllait të tij?

    Arsyeja e elegjisë së Edi Ramës për veten, mund të kuptohej vetëm në fund të 35 minutave, kur në emër të poshtërsisë që kundërshtarët i paskëshin bërë atij, ai u kërkoi votat shqiptarëve për një mandat të katërt. Për të arritur në këtë kërkesë, Rama shfrytëzoi të vëllain si alibi për të gjitha mëkatet, skandalet dhe aferat korruptive që rëndojnë mbi atë dhe qeverinë e tij. Mesazhi që ai u mundua të përcjellë, duke iu referuar pjestarëve të familjes me qëllim të qartë ndjeshmërinë e publikut, ishte ai se ashtu si në rastin e Olsit edhe të gjitha akuzat e tjera ndaj tij nuk janë të vërteta. Se ato nuk kanë për bazë realitetin, por hakmarrjen e verbër ndaj suksesit të tij si politikan. Nëpërmjet Olsit, Edi Rama tentoi të zhbëjë edhe Tahirin, Beqajn, Ahmetajn, Kokën, Bllakon, Prengën, Ndokën, Roshin, Çyrben, e dhjetra të tjerë duke i servirur jo si produkte të sistemit që ai ka ngritur, jo si përgjegjësi politike, por si devijime që opozita i përdor me patëdrejtë për të goditur figurën e tij të pastër si kristali.

    Jo pa qëllim, ndonëse nuk e kishte përmendur askush, ai e nisi rrëfimin e tij me aspektin personal për të dalë pastaj si rrjedhojë “logjike” edhe tek profili politik. Apologjia e kreut të organizatës së Rilindjes ishte e ndërtuar mbi këtë dikotomi. Pra nuk jam homoseksual siç më kanë akuzuar, por nuk kam as saraje. Nuk jam skizofren, por nuk kam përfituar asnjë kokërr leku. Nuk kam dhunuar gratë e familjes, por nuk kam lidhje me asnjë kriminel. Nuk kam shpifur ndaj babait tim, por nuk kam vjedhur apo blerë zgjedhjet…

    Në një gjysëm rasti që iu dha, nëpërmjet “çlirimit” të të vëllait nga implikimi në një aferë të rëndë, Edi Rami provoi të përfitojë për të barabitur kësisoj të gjitha akuzat ndaj tij. Por problemi i kryeministrit nuk është i vëllai, të cilin nuk e ka zgjedhur vetë, por ata që ai zgjedh për të qeverisur shqiptarët dhe për të cilët edhe sot e kësaj dite nuk ka marrë pikën e përgjegjësisë politike. Çfarë lidhje kanë të ndjerët Aneta e Kristaq me skandalet elektorale të Dibrës, Durrësit apo Elbasanit? Po orientimi seksual i kryeministrit ku ndikon tek sterilizimi apo inceneratorët? Nëse zëvendësi i tij ka denoncuar se bashkëshortja e kryministrit abuzon me pushtetin e këtij të fundit te AKSHI apo e bija ka përfituar tek projekti i Eko Parkut, ku hyn akuza për skizofreni apo dhunë ndaj grave?

    Pra është e qartë se i gjithë parashtrimi emocional i monologut të Ramës me rastin e Olsit, nuk ishte gjë tjetër veçse një tentativë propagandistike për t’u parë nga shqiptarët si viktimë edhe për gjëmat e Rilindjes në këto 12 vjet. Dhe ndonëse qëllimi për t’ia bërë publikut “mishin me kokrra” ishte primar, kryeministri nuk e përmbante dot gjuhën e urrejtjes duke e zhvlerësuar instiktivisht dëshirën për t’u dukur si viktimë. Jashtënxjerrje, palo djalë, tutor, zorrë jashtëderdhje etj, ishin shpërthimet e “viktimës” që po e tret jetën për të mirën e Shqipërisë.

    E nëse elegjia e Ramës për veten nuk do të ishte një monolog, përballë tij do të kishte mjaftuar vetëm një pyetje për të kuptuar thelbin e rrëfimit patetik: Po mirë Olsi e të gjitha akuzat personale janë shpifje të ulëta, po shokët e armëve, banditët e zgjedhjeve, milionat e avulluara, hajdutët e ministrive e bashkive, kriminelët jashtë e brenda, i zgjodhe vetë apo t’i caktuan opozita, kanalet e portalet? Rasti i Olsit nuk është i vlefshëm për të bërë katharsisin e Rilindjes. Përndryshe kthehet në rastin tipik të përdorimit të familjes për kredite politike, pikërisht ai për të cilin Edi Rama akuzoi kundërshtarët në monologun 35 minuta.

  • Nga Armand MAHO – I paskemi hyrë në hak zavallit!

    Tartufi, në komedinë me të njëtin emër të Molierit ishte një klerik i cili kishte fituar besimin e mikut të tij borgjez Orgonit, por në të vërtetë nuk ishte tjetër, vetëm se një gënjeshtar dhe mashtrues. Në një kohë që kishte marrë premtimin e mikut të tij për t’i marrë vajzën, joshte dhe gruan e këtij të fundit. Vetë Molieri, arti gjenial i të cilit ishte demaskimi i hipokrizisë dhe të metave njerëzore pyetur rreth këtij personazhi do të përgjigjej “Edhe gjërat më të shenjta nuk janë të mbrojtura nga njerëzit e korruptuar: dhe ne shohim faqezinj, që abuzojnë çdo ditë me devotshmërinë dhe e bëjnë atë t’i shërbejë krimeve më të mëdha”.

    Megjithëse ka 12 vjet në pushtet, Edi Rama, u tregua mjaft i devotshëm në rolin e viktimës. Në një mesazh të stërgjatë, të lodhshëm që nuk jepte asnjë zgjidhje, Rama, përdori vendimin e fundit të SPAK që zhvishte nga akuzat e implikimit në dosjen e laboratorit të drogës në Xibrakë vëllain e tij, Olsin, i cili la Amerikën pikërisht në ditën që i vëllai mori kryeministrin, për të na “iluminuar” rreth akuzave që i janë bëtë atij ndër vite.

    S’ke se si duke pasur përpara një njeri me pamjen e gjyhnaqarit siç u shfaq ai sot, mos të bëjë të reflektosh për një moment se “ndoshta dhe mund t’i kemi hyrë në hak kot zavallit”!

    Në subkoshiencë në të qindën e sekondave mund të kalojë ajo ideja se ndoshta akuzat që janë ngritur në tërë këto vite, që e vizatojnë Ramën si politikanin më të korruptuar që ka nxjerrë ndonjëherë ky vend, ndoshta, ndoshta, kanë qenë të tepruara.

    Por ja që memorja nuk të lejon t’ia bësh këtë nder Edi Ramës.

    Ky individ, më jetëgjati në pushtet, ( që nga shtatori i vitit 1998) sapo ka ardhur nga Franca ku bënte jetë barboni, ka pasur si axhendë vetëm vjedhjen.

    Si ministër Kulture u akuzua për vjedhjen me fasadat, dhe ndërhyrjen që i bëri atëherë pushtetit vendor për qendrën e qytetit, me qëllimin që t’i jepte vetë lejet e ndërtimit brenda unazës së vogël. Më pas, aktiviteti i tij në Bashkinë e Tiranës dihej. Ishte ky individ që vuri si normë 20%-shin e famshëm për lejet e ndërtimit, madje një ndërtues atëherë e akuzoi publikisht. Përpos kësaj, hyrja e tij në politikë e pushtet, vendosi dhe standardin e blerjes së medias apo shoqërisë civile, duke ngritur përreth tij murin e shërbëtorëve të tipit Erion Veliaj.

    Por që mos shkojmë aq larg, ne kemi 12 vjet që pushtetin e këtij farë kryeministri dhe miqve të tij banditë ose jo po e provojmë në kurriz. Akuzat që i janë ngritur i ka merituar një më një.  A ka qenë individi me emrin Edi Rama që i ka dalë në mbrojtje çdo afere korruptive dhe vjedhjeje që ka ndodhur në këtë vend?

    A ka qenë ky, që i doli për zot kanabizimit të vendit, dhe e shpallte Sajmir Tahirin si “Kapiten të luftës kundër drogës”

    A ishte ky që hartoi ligjin hajdut të investimeve strategjike?

    A është ky që e ka çuar ndërtimin e një kilometri rrugë 20 milionë euro?

    A është ky që firmosi për vjedhjen me inceneratorët?

    A është ky që korruptoi ish drejtorin e FBI-së McGonigal?

    A është ky që për interesa tërësisht korruptive fali portin e Durrësit?

    A është ky që solli në Vlorë dy anijet që nuk prodhuan asnjë kwh, me një kosto prej 90 milionë euro?

    A nuk është ky që e ka shndërruar Shqipërinë në lavatriçe të pastrimit të parave?

    A është ky që gënjeu pa pikë turpi për shëndetësinë falas, për pensionet e të tjerat me rradhë?

    Koha do ishte e gjatë për të renditur hajdutërinë dhe mbrojtjen që ky individ, i ka bërë gjithfarëlloj allishverishi në këtë vend dhe pa ju nxirë faqja, sot del e kërkon mëshirën e shqiptarëve në votën e 11 majit!

    Edi Rama njihet për aftësinë e paskrupullt të gënjeshtarit, shtirakut, oportunistit mashtruesit që bën gjithçka për t’ia dalë mbanë. Ai e di fort mirë se çfarë ka bërë i vëllai. Fundja në këtë katundin tonë me firmën dhe mbrojtjen e Ramës janë pasuruar gjithfarë horri, banditi e ahengxhiu, pse duhet të bënte përjashtim vëlla Olsi?

    Jeta personale e Ramës nuk është se na hyn shumë në punë. Pra, është ose jo homoseksual, bi apo trans, nuk na duhet hiç. E rreh ose jo gruan e tij apo gratë e të tjerëve, përderisa s’ka ndonjë denoncim dhe derisa e lejojnë, të bëjë ç’të dojë. Po ama akuzat për vjedhje dhe abuzim me pushtetin në adresë të tij, i rëndojnë një më një. Ai dhe mund të vazhdojë me çmendurinë që e ka kapluar për të burgosur opozitën, vetëm se një gjë e ka të sigurt…. Shpejt ai s’do jetë me ‘Skënderbeu i Elisës’, dhe ditët e tij të pleqërisë nuk do i kalojë me Koçon në Vuno. Ai do ketë fundin që kanë të gjithë mashtruesit dhe ata që abuzojnë me besimin e njerëzve, njësoj si Tartufi i Molierit!