Blog

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Veliaj, ‘GJELDETI’ i Edi Ramës për 2025-ën

    Nga Basir ÇOLLAKU – Veliaj, ‘GJELDETI’ i Edi Ramës për 2025-ën

    Erion Veliaj mund të konsiderohet politikisht e penalisht, si “gjeli i detit” i Edi Ramës për vitin e mbyllur 2024, në prag të ndërrimit të moteve për tu bërë 2025-a, edhe elektorale. Erion Veliajt, si funksionar publik, mund t’ia kalojë vetëm kryeministri Edi Rama, për akuzat rënduese në adresë të tij, në të gjitha dosjet hetimore me emra pushteti. Çdo përpjekje për të lejuar apo mundësuar të hyje sërish në zyrën e kryetarit të bashkisë së Tiranës, pas “dashurisë së fshehtë amerikane” me foto Soros, kur u njoftuan akuzat zyrtarisht, do të rezultonte një rrezikshmëri e lartë shoqërore, e konsumuar publikisht.

    Vizita te vëlla Leksi Soros në Amerikë, për t’i dhënë një dorë te vëlla Edi apo “kolegët” në Prokurorinë e Posaçme, nën etiketën e pavërtetë për takime zyrtare, është një mashtrim i madh. Është ndikim mbi prodhimin e gjoja drejtësisë nga fondacioni. Asnjë publikim agjende për punë zyrtare tjetër. Asnjë ftesë institucionale nga USA, apo kërkesë e njëjtë nga Tirana. E gjitha një histori fundshpine e Veliajt. Një ikje për të fituar kohë, apo harruar në kohë. Korrupsion, fshehje e pasurisë, mosdeklarim pasurie dhe interesave me persona private dhe pastrim parash, janë akuza të dala nga denoncimi i veshur me prova, sipas prokurorëve.

    Kjo, për këdo zyrtar ka sjellë masë sigurie, ku arresti me burg është dominues. Janë qindra milionë euro. Janë disa dosje në hetim, ku spikasin ato të inceneratorëve, Teatri, 5D, Tirana DC, Eco Tirana, Ndrangheta, pemëmbjellja e plot të tjera. Nuk mund të jetë vetëm, por ka tentuar dhe ka krijuar parcelën e vet sa politike aq edhe ekonomike e financiare, duke sfiduar ligjin, por edhe shefin, bashkëfajtor në mjaft veprime e nënshkrime. Tetë ministra, tetë deputetë e 25 kryebashkiakë, janë inventari i SPAK-2024 për mazhorancën, në qeli, në kërkim e në hetim, shifër kjo në rritje intensive në muajt e ardhshëm të 2025. Duken dosjet qeveritare, si librat e Mafias, kur flasin për familjet kriminale “Gambino” “Genovese”, “Lucchese”, “Bonanno”, ku mund të përafrojë në batërdinë e krijuar në Shqipëri me “Veliaj”, “Rama”. Duket se partnerët nga Franca-Holanda-Belgjika, me pafundësinë e përgjimeve miliarda mesazheve të Sky-Enchrot të sjella në Tiranë, kanë hapur portat e ferrit për politikën, drejtësinë, policinë, pushtetin, biznesin e mediet. Akuzat ndaj Veliajt dhe tre familjarëve të tij, me gjasë shkojnë në kahun e një grupi të strukturuar kriminal, ku ndonjë i penduar surprizë, me rezistencë të pamjftueshme ndaj qelive, mund të groposë shkaktarët e zyrtarët e kësaj sage.

    Dhuratat janë djegëse. Ngjan se Veliaj u bë “gjeli i detit” për Edi Ramën në datë-festën e vitit të ri. Pijet e “shëndetshme” duket se vijnë nga grupi i strukturuar kriminal “Beqja” në ministrinë e Shëndetësisë, vera nga “kantina 5D” e drejtorëve të bashkisë, zjarri nga oxhaku i inceneratorit, “babagjyshi” zbret te Porti i ri i Durrësit, ndriçimi nga agregatet, anijet e energjisë në Vlorë, kartolina nga qesja 130 milionë euroshe e Becchettit, ndonjë vijë e bardhë nga “Xibraka” e vëlla Olsit, dhurata strategjike nga Olta, korsia e shpejtësisë së toyotave të Taulantit, nga tuneli i Llogarasë së Belës. Të gjitha pa u trazuar nga doganiere Elisa. Taksia, nëse do të dalë në punë, duhet të vijë detyrimisht nga SPAK dhe BKH. Gëzuar për shumë vjet që vodhët, e këtë vit e paçi vit “taksash”, kafazesh, sekuestrosh, konfiskimesh e burgimesh…!

  • Nga Luçiano BOÇI – Kapsi

    Si ka deklaruar përsëri Rama?!

    Që reformën në drejtësi e ka bërë ai, duke i treguar dhe njëherë amerikanëve atë që ai e pëlqen më shumë!?

    Për saktësi dhe amnezi të Ramës, Reforma në Drejtësi e shoqëruar me ndryshimet Kushtetuese, nuk mund të kalonte pa votat e opozitës, e cila e votoi me ndërmjetësim të fortë amerikan.

    Juridikisht kështu ndodhi.

    Prandaj, ti Ramë nuk e bëre Reformën në drejtësi!!!!

    Ti e kape atë!

    E kape, por me ndihmën e sorosianëve.

    E kape siç ke kapur qeverisjen, me krim e korrupsion zgjedhor.

    E kape siç ke kapur çdo pushtet.

    E kape siç ke kapur çdo skutë e gjiriz të këtij vendi.

    Sepse ti nuk je ai shtetari i reformave, ti je ai KAPSI, zhgrapsi, llapsi, dhjaksi.

    Ti e deformove Drejtësinë me Vettingun politik e klientelist. Raportet e ndërkombëtarëve e Strasburgu ta thonë qartë.

    E deformove me gjueti shtrigash, kundër “malokëve”, të djathtëve, të panënshtruarve dhe me eunukët e tu politikë ndërtove piramidën e padrejtësisë.

    E kape si ai Kapsi që i turret rosës pasi ai gjuetari e ka vrarë në ajër.

    Sepse ti ke frikë Ramë!

    Frika është gjendja jote permanente, ndonëse ndër shqiptarë je munduar të instalosh këto vite frikë.

    E kape që të zgjasësh frikën tënde, e cila është bisha që të komandon ty e të cilën ti e qetëson vetëm me pushtet.

    Sepse je kryeministri që u bë bandit për të fshehur e kontrolluar frikën e tij.

    Kryebanditët që bëhen të tillë nga frikërat e tyre, nga komplekset, janë gjithmonë më të rrezikshmit dhe më të egrit.

    E kape që të shpëtosh veten.

    Para kësaj për ty të gjithë janë të kapur nga ato me të cilët i kap, pavarësisht se ti je i kapur në vjedhje e korrupsion me inceneratorë, me koncesione, me rrugë, me porte, me banda, me vota, me të gjithë këta.

    E kape që ta ndërsesh kundër opozitës e t’i burgosësh asaj kryetarët, deputetët, funksionarët.

    E kape që të vjedhësh pa frikën e frikës tënde permanente ç’të dalë para e ç’ta merr mendja, bashkë me shpurën tënde, por që ty të mos të hyjë gjemb në këmbë, se sa për shpurën i ke si fatorinot e autobuzëve të Lanës. S’ka rëndësi emri. E ka Tahiri, Beqaj, Veliaj apo…..

    Ti i ndërron ato çdo stacion me Bora, Liza, miza.

    Që në fund, pasi i ke treguar me gisht bashkëhajdutët e tu, turma e militantëve të duartrokasë ty si shpëtimtarin e situatës.

    Dhe ti harron një ditë, në fund gjahtari e braktis Kapsin, pavarësisht dashurisë së vjetër.

    Për ty Ramë kjo ditë ka ardhur.

    Prandaj boll me pirueta e dëngla!

  • Babai i inteligjencës artificiale ngre alarmin: “Mund të na shkatërrojë brenda 30 vjetëve”

    Babai i inteligjencës artificiale ngre alarmin: “Mund të na shkatërrojë brenda 30 vjetëve”

    Po, inteligjenca artificiale mund ta shkatërrojë njerëzimin. Madje brenda një kohe shumë të shkurtër. Është ky alarmi i ngritur nga Geoffrey Hinton, fitues i çmimit Nobel për fizikën më 2024 dhe një nga baballarët e AI. Shkencëtari anglo-kanadez ka shpjeguar se ka “një probabilitet 10-20 për qind që brenda 30 viteve të ardhshme inteligjenca artificiale të shkaktojë zhdukjen e njerëzimit”. Një profeci, kjo e mikrofonëve të programit “Today” – “Sot”, në BBC Radio 4, ndryshe nga ajo e mëparshme, në të cilën fliste për një përqindje rreth 10 për qind.

    Hipoteza e apokalipsit të shkaktuar nga AI ekziston dhe nuk duhet nënvlerësuar: paralajmërimi i Hinton është serioz. Edhe sepse ritmi i evolucionit të inteligjencës artificiale “po ecën shumë më shpejt” se sa pritej. “Shikoni, kurrë nuk na është dashur t’i bëjmë llogaritë me gjëra më të inteligjente se ne”, do ta theksonte eksperti: “Dhe sa shembuj njihni që një gjë më inteligjente të kontrollohet nga një gjë më pak inteligjente? Ka shumë pak shembuj. Është një nënë dhe një fëmijë. Evolucioni ka punuar shumë për t’i mundësuar foshnjës të kontrollojë nënën, por ky është i vetmi shembull që njoh. Më pëlqen ta mendoj kështu: le të përpiqemi ta imagjinojmë veten si një fëmijë tre vjeçar dhe AI ​​si një të rritur”.

    Më 2023 Hinton dha dorëheqjen nga Google, ku punonte për zhvillimin e AI. Një zgjedhje e diktuar nga dëshira për të folur haptazi mbi rreziqet që sjell zhvillimi i inteligjencës artificiale të pakufizuar. Shqetësimet e tij janë të njohura për të gjithë: profesori në Universitetin e Torontos ka frikë se sistemet më inteligjente se njerëzit mund të përbëjnë një kërcënim ekzistencial për specien tone duke dribluar çdo pengesë dhe çdo kontroll njerëzor. “Nuk e mendoja se do të mbërrinim këtu ku jemi tani” ka pranuar: “Mendoja se do të arrinim, por në një të ardhme më të largët. Në njëzet vjet do të zhvillojmë një inteligjencë artificiale që është më inteligjente se njerëzit. Dhe kjo është një hipotezë shumë e frikshme”.

    Por jo vetëm kaq. Hinton beson se lënia e AI në duart e kompanive të mëdha, të motivuara vetëm nga fitimi, nuk mjafton për të garantuar se do ta zhvillojnë atë në mënyrë të sigurt: “E vetmja gjë që mund t’i detyrojë ato kompani të bëjnë më shumë kërkime për sigurinë e AI është rregullimi i sektor prej qeverive”.

    Artikulli është përgatitur nga bashkëpunëtorët e gazetatjeter.net

  • Nga Lutfi DERVISHI – Nesti Angoni

    Në vendin ku shartohet djathi me dardhë, dhe ku rregullisht mbetet mushka me barrë, u lind legjenda e radhës.

    Ashtu si të gjithë mitet e mëdha, ekzistenca e saj nuk lidhet me fakte, por me aftësinë unike për të sajuar  e besuar në sajesë me entuziazmin e fëmijës që shtrëngon fort në gjoks dhuratën e Babagjyshit.

    Siç do të thoshte Yuval Harari, jemi bërë njësha për t’u bërë njësh rreth një miti.

    N.A. është kryevepra më e fundit. Është këqyrur me imtësi regjistri i gjendjes civile dhe rezulton se nuk ka as certifikatë lindje as certifikatë vdekje. Nuk ka as llogari në TikTok sepse ndryshe TikTok do të ishte mbyllur pa paralajmërim.

    Por Ai ekziston kudo dhe askund. Është po aq real sa Bitcoin dhe po aq mitik sa drejtësia.

    Gjurmët e gishtërinjve të tij nuk gjenden askund, por ai lë njolla në çdo fletë akuze.

    Mosekzistenca është forca më e madhe e tij. Asnjë urdhër ndalimi nuk e ndal dot në kufi dhe asnjë gjykatë nuk e dënon sepse deri më sot askush nuk ka dënuar halucinacionet kolektive. Megjithatë, mu si Bitcoin, fuqia e Tij rritet në raport me besimin që investojnë te ai prokurorët, gazetarët dhe politikanet.

    Në kafenetë e kryeqytetit, në debatet e mbrëmjes dhe në rrjete sociale nuk flitet më për asgjë tjetër veçse për atë. U harrua miti i gjallë Parashqevi. Patronazhistë që dinë gjithçka për gjithkënd janë zënë gafil.

    Tani mbeten pyetjet.

    A është Ai një përrallë e krijuar nga SPAK, apo një figurë hyjnore, që mishëron çdo mëkat që shqiptarët duan ta shohin të ndëshkuar?

    Si është e mundur që Ai arriti atë që nuk ka mund të arrijë as premtimi më i madh elektoral, vëmendjen e të gjithëve?

    Si gjithnjë për pyetjet e mëdha kemi ekspertët dhe analistë.

    “Ai është dëshmi e gjenialitetit të Akuzës,” tha një ekspert i njohur në programin e përnatshëm “Na”.

    “Ai vërtet nuk ecën mes nesh, nuk e ka parë askush, por është meritë e madhe e prokurorëve të SPAK që e kanë marrë në pyetje. Ndoshta dhe ka shumë mundësi që e kanë bërë me një aparat izraelit që është sekret që e dinë vetëm dy persona.”

    “Unë parashikoj një gjë tjetër,” tha një tjetër analist i njohur për përcjelljen në opinion të gjërave që vetëm ai mund të shohë: “shumë shpejt te ushtari i panjohur, do të ngrihet monumenti i denoncuesit të panjohur. Aty do të bëhen homazhe ditën e drejtësisë”.

    Pas sqarimeve të emisioneve të mbrëmjes, mjegulla nis dhe largohet: Ai nuk është person. Ai është monument i kapacitetit tonë të jashtëzakonshëm për të besuar dikë që nuk ekziston as në regjistra, por që arrin të regjistrojë procedim dhe regjistrohet në mendjen tonë duke ngjallur ngazëllim e përçmim.

    Ai është dëshmia që e kemi me të lehtë të bëjmë zhurmë rreth fantazmës sesa të përballemi me heshtjen para së vërtetës lakuriqe.

    Ai është legjendë. Për të, si për të gjithë legjendat do të flasin të gjithë, por askush nuk do ta shohë. As prokurorët.

  • A duhet të kërkojnë falje çingijet që bënë thirrje për të votuar Veliajn?

    A duhet të kërkojnë falje çingijet që bënë thirrje për të votuar Veliajn?

    A e mbani mend Eneda Tarifën kur çirrej: “Nëse do kishte bërë nëna nja tre si Erion Veliaj, nuk e di ku do të ishim këtë 4-vjeçar“? A ju kujtohet demokratja Çilieta Xhilaga, kur e kthente pllakën: “Lali Eri është nga ata djem që di t’i fitojë zemrën rinisë dhe ma ka fituar zemrën dhe mua”? Po Ermal Mamaqi që dikur këndonte për Sokol Olldashin e tani thoshte: “Me lalin në krye ndryshimi është bërë i prekshëm në çdo rrugicë dhe cep të qytetit”.

    Natyrisht nuk mund të harrohet Kastro Ziso që pohonte me mburrje se kishte lënë alkoolin dhe LSI-në dhe i kishte qartësuar idetë sepse “tani i kanë ardhur trutë” dhe merrte nga dora e kryebashkiakut tesrën e PS.

    As Noizy me stilin e tij: “puna flet vetë, për gjithë këto vite që e ka kthyer Tiranën në një qytet Europian. Dikur më vinte turp të sillja shokët e mi ose miqtë e mi që vinin nga jashtë, në Tiranë t’u tregoja që ky është kryeqyteti im”.

    Aq më pak Alban Skënderaj që i quantë qora dhe shurdhë ata që s’dinin të vlerësonin madhështinë e Veliajt: “Unë kam përshtypjen që puna në Tiranë flet vetë. Kush ka sy të shikojë, shikon dhe kush ka veshë të dëgjojë, dëgjon”.

    Natyrisht, kush ka pasur sy dhe veshë e ka ditur dhe kritikuar që më parë atë që dosja hetimore kundër njërëzve më të ngushtë të Veliajt, drejtorëve të tij në bashki dhe drejtuesve të fushatës së tij elektorale ka bërë të qartë për të gjithë. Bashkia e Tiranës ka qenë një bandë e madhe grabitjeje, ku ata që kishin në dorë të firmosnin, i jepnin tenderat dhe punët publike kompanisë që kishin ngritur vetë, “5D”. Pra që nga viti 2016 e mbrapa godina e njeriut të punës ka qenë ajo e pasurimit të disave në kurriz të të tjerëve, duke bërë aq para sa për të blera vota, mbështetje, madje dhe klounë cirku.

    Por lista nuk përfundon këtu. Rolin e shejtan budallait e patën bërë edhe Marsela Çibukaj, Anxhela Peristeri, Capital T, Rovena Dilo, Ilir Shaqiri, Elhaida Dani etj. Ata e kishin rrugën të shtruar. Më parë aktorët e teatrit, bura të thyer në moshë e me peshë në skenë, hoqën dorë nga mbrojtja e kauzës së tyre për bakshishet e financimit të shfaqeve që u sponsorizonte Bashkia e Tiranës. Edhe këngëtarët, estrataxhinjtë, ndoqën të njëjtin biznes fitimprurës gjatë fushatës së fundit.

    Rruga më e kollajshme për para të lehtë kalonte nga Lali Eri. Që gjatë garës elektorale u bë publike një faturë 50 milionëshe e koncertit të Noizit, njërit prej mbështetësve më të zëshëm të Veliajt në fushatë. Ai i kishte përlarë këto para ndonëse koncerti ishte me bileta me pagesë.

    Për kaq, larja e borxhit me një mesazh se për kë duhet votuar në instagram është kostoja më e vogël e mundshme.

    Ndonëse qëllimi i shumicës prej këtyre njerëzve të spektaklit ka qenë i qartë, deri më tani ata kanë pasur një justifikim. Ata bënin thirrje pro Veliajt sepse shihnin tek ai “njeriun e punës”. Pyetja është: po tani që doli në dritë të djellit se ai ka qenë në majën e piramidës të një bande grabitësisht, a do të kërkojnë falje ata që bënë thirrje për të votuar Veliajn dhe e mbështetën atë me mesazhe publike?

    Një shprehje e njohur thotë se të gabosh është njerëzore, ndërsa të kërkosh falje është hyjnore. A do dinë të ngrihen në të tillë lartësi çingijet e Lalit? Pak kush e beson këtë, sepse veprimet e tyre më shumë sesa pasojë e një gabimi ndoshta kanë qenë efekt i një shpërblimi.

  • Shtetet me pagat më të larta në botë

    Shtetet me pagat më të larta në botë

    Para, para, para: variabli që bën të mundur ndërtimin e botës sonë dhe që përcakton mundësinë për të jetuar një jetë sa më të mirë. Paga minimale e një shteti ndryshon shumë nga ajo e një tjetri, por si pozicionohet paga mesatare sot?

    Vendet me një pagë mesatare të lartë mund të kenë gjithashtu edhe një kosto të lartë jetese dhe gjetja e ekuilibrit të duhur për sa i përket cilësisë së jetës mund të jetë një sfidë e vërtetë.

    Jeni kuriozë? Klikoni në rreshtat e mëposhtme për të parë se cilat shtete kanë pagat më të larta dhe për të bërë më pas të gjitha vlerësimet e duhura.

    Të gjitha vlerat janë të shprehura në dollarë amerikanë.

    30. Hungaria

    Në vendin e 30-të është Hungaria, ku paga mesatare është rreth 30,200 dollarë në vit. Që do të thotë pak më shumë se 2500 dollarë në muaj. Është interesante se Hungaria ka një kosto mjaft të ulët jetese dhe banorët në qendër të qytetit paguajnë mesatarisht 500 dollarë në muaj për një apartament me një dhomë gjumi.

    29. Estonia

    Në pjesën baltike të Evropës, paga mesatare e Estonisë është rreth 34,500 dollarë në vit. Kostoja e jetesës është mjaft e moderuar dhe mundëson një standard të arsyeshëm jetese. Megjithatë, shpenzimet në kryeqytetin Talin janë shumë më të larta dhe mund të rëndojnë buxhetet.

    28. Republika Çeke

    Paga mesatare vjetore në Republikën Çeke është rreth 35,500 dollarë. Kostoja e jetesës është relativisht e ulët, veçanërisht jashtë Pragës, edhe pse një apartament me një dhomë gjumi në qendër të kryeqytetit kushton 800 dollarë në muaj.

    27. Portugalia

    Në Portugali, paga mesatare është rreth 35,700 dollarë në vit. Edhe pse kostoja e jetesës është më e ulët se në vendet e tjera të Evropës Perëndimore, pagat shpesh mezi mbulojnë kostot në rritje të jetesës në qytetet e mëdha, duke e bërë jetën të vështirë për ata që jetojnë atje.

    26. Letonia

    Një tjetër vend baltik hyn në këtë listë, me një pagë mesatare vjetore prej rreth 36,900 dollarësh. Pagat në Letoni mund të ofrojnë një mënyrë jetese esenciale por të rehatshme, edhe pse të kursesh mund të jetë e vështirë për shumë njerëz.

    25. Polonia

    Polonia, është një vend i Evropës Qendrore që ka një pagë mesatare vjetore prej rreth 39,300 dollarë. Kostoja e jetesës është relativisht e ulët dhe i mundëson punonjësve të përballojnë një standard të mirë jetese, edhe pse mundësia për të kursyer është e kufizuar, veçanërisht në qytetet e mëdha si Varshava.

    24. Japonia

    Në Azi, Japonia ofron një pagë mesatare prej rreth 42,100 dollarë në vit. Sidoqoftë, kostoja e lartë e jetesës, veçanërisht në qytete si Tokio, bën që pavarësisht fitimeve të mira, presioni financiar të jetë i konsiderueshëm për shumë njerëz.

    23. Italia

    Në Itali, paga mesatare është rreth 46,000 dollarë në vit, që korrespondon me një të ardhur mujore prej rreth 3,800 dollarësh. Por Italia ka një kosto jetese tepër të lartë, kryesisht për faktin se një nga sektorët kryesorë ekonomikë të vendit është industria e turizmit.

    22. Lituania

    Kombi i tretë dhe i fundit baltik që hyn në listë! Lituania ka një standard jetese mjaft të arsyeshme në krahasim me shumë vende të tjera evropiane dhe paga mesatare në vend është rreth 46,800 dollarë në vit.

    21. Koreja e Jugut

    Në Gadishullin Korean, paga mesatare vjetore e Koresë së Jugut është afërsisht 47,700 dollarë. Megjithatë, shumë banorë i nënshtrohen tensioneve të forta ekonomike, veçanërisht në kryeqytetin e vendit.

    20. Spanja

    Në Spanjë, kostoja e jetesës ndryshon shumë në varësi të vendit ku shkon. Qytete si Madridi dhe Barcelona janë tepër të shtrenjta, por paga mesatare vjetore është në përpjesëtim me standardin e jetesës, me banorët që mesatarisht fitojnë rreth 47,800 dollarë në vit.

    19. Sllovenia

    Kësaj liste i bashkohet edhe Sllovenia, ku një banor mesatar fiton rreth 53,300 dollarë në vit. Krahasuar me Evropën Perëndimore, kostoja e jetesës në Slloveni është relativisht e ulët, madje edhe në qendër të kryeqytetit të vendit.

    18. Irlanda

    Irlanda ka një pagë mesatare prej rreth 53,400 dollarë në vit. Raporti midis pagave dhe standardit të jetesës është pabesueshmërisht i vështirë, veçanërisht kur vëren se kostoja mesatare e një apartamenti me një dhomë gjumi në disa qytete është afër 1800 dollarë në muaj.

    17. Suedia

    Vendi i parë nordik që shfaqet në këtë listë është Suedia, ku paga mesatare vjetore është 55,000 dollarë. Kostoja e jetesës në Suedi është tepër e lartë, por cilësia e jetës së vendit është po aq tërheqëse dhe shumë njerëz nga e gjithë bota duan të transferohen këtu.

    16. Finlanda

    Vendi kufitar me Suedinë ka një pagë mesatare prej 55,000 dollarë në vit dhe kostoja e jetesës është sigurisht e barabartë me pagat. Edhe pse kryeqyteti është mjaft i shtrenjtë (një bukë kushton rreth 3 dollarë), vendi është i pasur me kulturë dhe natyrë.

    15. Mbretëria e Bashkuar

    Vitet e fundit, Britania e Madhe ka përjetuar një rritje të fortë të kostos së jetesës, edhe pse paga mesatare vjetore prej 55,200 dollarë ka mbetur afërsisht konstante. Sidomos në Londër, presioni financiar është i dukshëm dhe shumë banorë e kanë me pikëpyetje nëse është e mundur të vazhdohet të jetohet në qytet.

    14. Franca

    Në Francë, paga mesatare është rreth 55,700 dollarë në vit, një vlerë pak a shumë e ulët po të konsiderohet se kryeqyteti i vendit, Parisi, është një nga dhjetë qytetet më të shtrenjtë në botë ku mund të jetosh.

    13. Zelanda e Re

    Neozelandezët fitojnë rreth 56,000 dollarë në vit dhe ka një ekuilibër të qartë midis kostove të larta të jetesës së vendit dhe bukurive të tij natyrore. Shpenzimet në qytetin Auckland vënë në provë të ashpër limitet financiare, por paga mesatare sigurisht që mundëson një cilësi të mirë jete.

    12. Gjermania

    Gjermanët, me një pagë mesatare prej 62,473 dollarë në vit, kanë një kosto jetese nga mesatare deri në të lartë. Qytetet si Mynihu dhe Frankfurti vendosin në provë të fortë buxhetet personale, por të ardhurat e mira mbështesin përgjithësisht një cilësi të mirë jetese, edhe pse kostoja mujore e një apartamenti me një dhomë gjumi është afër 1000 dollarë.

    11. Kanadaja

    Në Kanada, paga mesatare prej 63,400 dollarësh shpesh nëpërkëmbet nga kostoja tepër e lartë e jetesës, veçanërisht në Toronto dhe Vankuver. Në fakt, një apartament me një dhomë gjumi në qendër të qytetit do të kushtonte rreth 1400 dollarë në muaj.

    10. Australia

    Në anën tjetër të botës, australiani i mesëm fiton rreth 63,900 dollarë në vit, përballë një kostoje të lartë jetese. Sidoqoftë, disa mund të argumentojnë se kultura e vendit dhe hapësirat ia vlejnë koston.

    9. Danimarka

    Kryeqyteti i Danimarkës, Kopenhaga, është një nga qytetet më të shtrenjtë për të jetuar: një apartament me një dhomë gjumi në qendër të qytetit kushton rreth 1200 dollarë. Sidoqoftë, kjo kosto është më e pranueshme kur krahasohet me pagën mesatare vjetore të vendit prej 65,600 dollarë.

    8. Holanda

    Në vend të tetë është Holanda, ku banorët fitojnë rreth 65,600 dollarë në vit. Amsterdami, në veçanti, ka një kosto tepër të lartë jetese, edhe pse transporti i shkëlqyer publik dhe kultura e hapur e vendit bëjnë t’ia vlejë barra qeranë.

    7. Norvegjia

    Duket se vendet nordike janë ndër më të mirat për të jetuar, pasi një tjetër komb i bashkohet listës. Paga mesatare vjetore e Norvegjisë është rreth 67,200 dollarë amerikanë dhe kostoja e jetesës është sigurisht e lartë.

    6. Austria

    Austria krenohet me një trashëgimi kulturore veçanërisht të pasur dhe një pagë mesatare vjetore prej 67,400 dollarë. Çuditërisht, kostoja e jetesës është e ulët në krahasim me shumicën e vendeve të tjera evropiane. Në fakt, kostoja e një apartamenti me dy dhoma në kryeqytetin Vjenë është vetëm 950 dollarë në muaj.

    5. Belgjika

    Në vend të pestë është Belgjika, ku paga mesatare është rreth 69,900 dollarë në vit. Në fakt kosto e jetesës në Belgjikë është më e ulët se ajo e Austrisë dhe pagat sigurisht që janë të mjaftueshme për t’i mundësuar banorëve të bëjnë një stil të rehatshëm jetese.

    4. Shtetet e Bashkuara

    Duke marrë parasysh hapësirat e mëdha të Shteteve të Bashkuara, nuk është çudi që paga të varet tërësisht nga vendi ku jetohet. Megjithatë, mesatarisht, paga në Shtetet e Bashkuara është rreth 77,200 dollarë në vit. Jeta në zona me ritme të shpejta si Nju Jork Siti është tepër stresuese, teksa stresi financiar është më i ulët në fshat.

    3. Zvicra

    Zvicra ka koston më të lartë të jetesës në planet: një apartament mesatar me një dhomë gjumi në qytet kushton rreth 1900 dollarë. Megjithatë, ofron gjithashtu edhe një pagë mesatare prej rreth 79,000 dollarë në vit, e cila mundëson një mënyrë jetese shumë komode.

    2. Islanda

    Islanda, një tjetër vend nordik, i bashkohet listës me një pagë mahnitëse prej 81,400 dollarë në vit. Vendi ka një kosto jetese jashtëzakonisht të lartë, aq sa një apartament mesatar me një dhomë gjumi në qendër të qytetit mund të arrijë një çmim prej 1900 dollarësh.

    1. Luksemburgu

    Vendi i parë i takon Luksemburgut, vendi i shtatë më i vogël në Evropë! Paga mesatare vjetore në Luksemburg është 85,500 dollarë, edhe pse kostoja ekstremisht e lartë e jetesës ndikon vërtet në pagën e një personi. Në fakt, kostoja e një apartamenti me një dhomë gjumi tejkalon atë të të gjitha vendeve të tjera në këtë listë dhe mund të shkojë në rreth 2700 dollarë në muaj.

    Burimet: Organization for Economic Co-operation and Development, Numbeo, Visual Capitalist

    Materiali është përgatitur nga bashkëpunëtorët e gazetatjetër.net

  • Nga Andi BUSHATI – Pse Rama është i dënuar ta mbrojë Veliajn

    Sa më shumë që Erion Veliaj po shpenzon kohë me kolegët e SPAK-ut, në dëm të qytetarëve të Tiranës, aq më e fortë po bëhet një dilemë që ka kapluar qarqet politike: ç’do të bëjë me të Edi Rama? Që pasi shpërtheu skandali i kompanisë 5D, kryeministri nuk e ka përgënjeshtruar kurrë deklaratën e bërë në fillim të prillit të këtij viti, kur tha se “Bashkohej fjalë dhe presje me qëndrimin e Erionit”.

    Atëhere, pas arrestimit të drejtorëve të bashkisë, që u kapën duke vjedhur fondet e buxhetit për ti shpënë në kompaninë e tyre private, Veliaj pati hedhur tezën: nëse kryeministri nuk di gjë që vërtësit e tij, madje as që zëvendësi i vet akuzohet si hajdut, as unë nuk kam pse mbahem përgjegjës, po qe se ata poshtë meje, hanë kumblla dhe dardha pas shpinës sime.

    Në këtë pikë, Rama e barabiti delfinin e dikurshëm me veten duke mbështetur alibinë se Tusha, Molla dhe Qato mund të kenë përvetësuar para publike, pa djeninë e atij që kishin mbi krye.

    Po përse Rama i qëndron prej një viti këtij versioni dhe pse ai është i dënuar ta mbrojë me çdo çmim “Tiranën e Lalit”?

    Kur ka qenë puna për skandale të tjera, mes të cilave shkëlqen ai i inceneratorëve, kryeministri është rekur të argumentojë se qëllimi i tij ka qenë i mirë, por ka pasur disa shokë të skuadrës që e kanë tradhëtuar atë rrugës. Ai është përpjekur të manipulojë se ia kanë futur, Arbën Ahmetaj që kishte një miqësi të vjetër me Mirel Mërtirin, Leftër Koka që ka dashur të kalojë para në llogarinë e tij personale, apo Alqi Bllako që ka siguruar paga të majme për të atin pensionist. Por ama, një logjikë e tillë nuk mund të funksionojë për Erionin. Pikë së pari se ai është sjellë gjatë gjithë kohës si lakeu par exellence i shefit.

    Të gjithë e dinin se ai qe zbatuesi më i pështirë i çdo urdhëri. Le të marrim për shembull rastin e inceneratorit të Tiranës. Në atë kohë grupi i strukturuar e kishte shmangur Arben Ahmetajn. Ky i fundit, siç del dhe nga dokumentet e SPAK, e kishte refuzuar këtë aventurë të re, madje i kishte kthyer mbrapsht propozimet e Veliajt. Pra nëse ai paskësh qenë “truri” dhe “nismëtari” qëllimkeq, pse projekti vazhdoi edhe kur atë e nxorën jashtë? Fare e thjeshtë, sepse urdhërat jepeshin nga Rama. Vetëm kjo fuqi madhore mund ta detyronte Veliajn të vinte firmë miratuese duke shkelur ligjin dhe marrë kompetencat e këshillit bashkiak. Vetëm ajo mund ta shndërronte atë nënshkrim me fuqi edhe për bashkitë e Kavajës, Vorës e Kamzës.

    Pra, është e dukshme se Veliaj ka vepruar si ushtar. Kjo është e qartë edhe për ata që nuk duan ti hyjnë gjërave thellë. Mjaftojn të kujtojnë se si një kryebashkiak, që “de jure” ka autonomi nga shefi i ekzekutivit, merrte urdhra para kamerave, për të lyer që në pesë të mëngjesit shkallët e pista të një pallati, apo për të kapur me vrap lopën e një katundari.

    Që Rama e kishte nën kontroll të plotë Veliajn këtë e tregon edhe lista e përbashkët e bashkëpuntorëve të afërt. Shokët më të ngushtë të Lalit ishin ata që kryeministri mbante në paradhomë, çka tregon se mes tyre, më shumë sesa aleanca politike, funksiononte përkatësia e të qenit pjesë e të njëjtit klan.

    Servil deri në dhimbje dhe manipulator gjer në madhështi, për llogari të shefit, Lali, rekrutonte aktorë protestues të teatrit, që Rama vendosi të shembte, ai turrej të përçante ata që kundërshtonin prishjet abuzive të shtëpive dhe bizneseve, ai i sulej si qen i tërbuar FSHF-së, kur merrte urdhrin se partia duhet të politizonte dhe futbollin.

    Të gjithë e kuptonin se këto kosto, një pjesë të çmimit të të cilave po e paguan tani, Veliaj nuk i merrte me qef, por sepse pati vendosur ti shërbente me të gjitha mënyrat atij që njihte si padrino.

    Edhe për skandalin e 5D, që në sipërfaqe mund të duket si i kurdisur pas shpinës së shefit, të gjithë socialistët e dinë se drejtorët e bashkisë ishin edhe krerët e shtabit elektoral të kryeqytetit. Rama që përditësphet rregullisht me matjet e opinionit, ka qenë gjatë gjithë kohës i ndërgjegjshëm se rezultatet zgjedhore të Tiranës, nuk mund të mbërriheshin kurrësiesi pa u vënë në punë makineria okulte e Veliajt, Qatos, Mollës, Tushes etj, të cilët mendonin vërtet së pari për vete, ama nuk e harronin kurrë nënën parti.

    Gjithë sa u rendit më sipër i’a bën të pamundur Edi Ramës që të përsërisë edhe për Veliajn të njëjtën fabul: “Edhe ky ma futi pas shpine”. Me hir apo me pahir, mardhënia që ka ngritur me ish drejtuesin e Mjaftit dhe G 99 e ka dënuar atë që të jetë i detyruar ti’a mbrojë figurën dhe bilancin.

    Thënë këtë, duhet pranuar se kjo zgjedhje politike e Ramës nuk e bën automatikisht të paprekshëm Veliajn. Nga mënyra se si po rrjedhin ngjarjet, duket sikur mëkatet vanitoze të bashkëshortes, fallciteti i një aureole artistike, ca dhjetra mijëra euro të harruar nëpër sirtarë, shkujdesa për grimcat që pikonin në llogari bankare, perversiteti për të mbajtur miq me të shkuar të errët, nuk është çudi ta bëjnë atë komshi provizor të ish drejtorëve të vet.

    Por e gjitha kjo mund të mbetet në kuadrin veseve të vogla që bashkëjetonin me një personazh të lehtë dhe fluturak si Erioni. Për to mund ta paguajë personalisht njeriu. Ndërsa për Ramën, “fenomeni Veliaj”, atij të cilit i trashëgoi dashurinë e parë, Bashkinë e Tiranës, ai që shumëkush e shikonte si pasardhës, mbetet i paprekshëm. Jo se e do apo e çmon, por thjeshtë se i është bërë e papërdorshme alibia e tradhëtisë. Tashmë kjo gjë duket sheshit. E vetmja dilemë është nëse dhe SPAK do të ndjekë të njëjtën rrugë, duke hetuar veset e Erionit dhe jo Veliajn si ingranazh i një makinerie kriminale.

  • Nga Lutfi DERVISHI – Kur gënjen policia!

    Nuk është hera e parë që policia e shtetit kapet në gënjeshtra. Por pyetja: kush ideon, shkruan dhe shpërndan gënjeshtra në emër të Policisë së Shtetit duhet të marrë një përgjigje.

    Seriali i dezinformimit, që kulmon me manipulime të turpshme në raste tragjike si ai i Klodian Rashës, shënoi mbrëmë episodin e radhës me nënkryetarin e Kuvendit, Agron Gjekmarkaj.

    Rasti i Klodian Rashës, që u vra nga policia, pas protestave solli dorëheqjen e ministrit të Brendshëm. Por, edhe pse autori është në burg nuk mund të thuhet se u bë drejtësi, sepse kurrë nuk u zbardh kush ideoi/publikoi deklaratat dezinformuese që tentuan të manipulonin ngjarjen?

    Në deklaratën e sapo bërë publike, Agron Gjekmarkajt rrëfen përballjen me një grup policësh të cilët, pavarësisht identifikimit të tij si nënkryetar i Kuvendit, përdorën dhunë.

    Çfarë ndodhi pasi Gjekmarkaj mbërriti në spital? Si gjithmonë, Policia lëshon një deklaratë dhe në vend se të qartësojë, tenton të manipulojë opinionin publik.

    Në një vend normal, do të niste hetimi. Por kur policia zvarrit në mes ditës ish Presidentin si të ishte terrorist, manipulimi dhe reagimi si cuba duket gjëja më e vogël.

    E vërteta është se policia vazhdon me gënjeshtra sepse jo vetëm nuk mban kush përgjegjësi, por ngrihen në përgjegjësi. Kujto rastin e drejtorit të përgjithshme të Policise që gënjeu publikisht për ngjarjen tragjike në Elbasan në prag të zgjedhjeve të 2021 dhe u gradua zëvendësministër.

    Nuk behet me fjale për raste të izoluara, por për një model që ushqehet sa nga arroganca në rritje aq edhe nga mungesa e transparencës dhe përgjegjësisë.

    Nëse dhuna i ndodh nënkryetarit të Parlamentit, nesër mund te dhunohet kushdo. Edhe atij që sot mendon se është i paprekshëm.

    Në vigjilje të Krishtlindjeve, Agron Gjekmarkaj thotë se shpreson për një Shqipëri më të bardhë dhe më të mirë.

    Por, në një vend ku dhuna dhe gënjeshtra janë modus operandi, kjo mbetet një ëndërr që kërkon më shumë sesa shpresë, kërkon veprim dhe drejtësi.

    Ndryshe prisni deklaratën e radhës nga policia e shtetit…

  • Nga Luçiano BOÇI – Valltari i Vdekjes

    Rama po përdor vrasjen Martinit për të zgjatur jetën e tij politike.

    Ai vazhdon të hedhë vallen e tij pa pyetur fare as për jetën dhe as për edukimin.

    Thjesht kërkon të justifikojë veten e qeverisjen, por dhe në formë cinike të mbyllë një komunikim problematik për qeverisjen dhe një motor i cili ka ndihmuar në përmbysjen e pushteteve të kalbura si i Ramës.

    Përdorimi i humbjes së jetës së Martinit, si sebep për të censuruar fjalën e opinionin, ngjan si një tjetër goditje e dhënë nga njeriu që ka përgjegjësi direkte për ngjarjen e rëndë në shkollë.

    Aq më tepër që komunikimet që shkaktuan përplasjen, nuk vërtetohen ende që erdhën nga kjo platformë me gjithë problemet që ka.

    E vetmja arsye e vendimit duket se është ajo politike.

    Megjithëse personalisht nuk jam ndonje fans i TikTok dhe as i rrjeteve në përgjithësi, e kam ndjekur jo pa vëmendje debatin që bëhet sot kudo për Tiktok.

    Çështja e mbylljes së tij ka përfshirë disa vende, duke u fokusuar kryesisht në aspekte të sigurisë kombëtare, mbrojtjes së të dhënave dhe ndikimit social.

    Po asnjëri nuk ka kaluar në masën ekstreme, e cila në rastin e Ramës ngjan dhe idiote.

    Një vit mbyllje s’ka asnjë kuptim as në aspektin edukues dhe as në aspektin e ndikimit negativ.

    Alternativat e rrjeteve të tjera janë aty dhe teknologjia do të gjenerojë akoma të ngjashme.

    Specialistë të komunikimit, sociologë dhe metodistë megjithëse parashtrojnë disa shqetësime, për Tiktok si zgjidhje optimale, sugjerojnë kontrollin nëpërmjet filtrave e kufizimeve përmbajtjesore e moshore.

    Megjithëse TikTok është kritikuar për mbledhjen e një sasie të madhe të dhënash nga përdoruesit, të promovimit të sjelljeve të rrezikshme ose të dëmshme, manipulimit të informacionit dhe konkurrencës së padrejtë, ai ka një sërë avantazhesh të renditura nga specialistët të cilët kanë hartuar një listë të arsyes të mosmbylljes së tij, që janë:

    1. Liria e shprehjes:

    – Mbyllja e një platforme të madhe sociale mund të konsiderohet një shkelje e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të përdoruesve.

    2. Nxitja e kreativitetit:

    – TikTok ka shërbyer si një hapësirë për krijues të rinj dhe ka krijuar mundësi për sipërmarrës dhe artistë të promovojnë punën e tyre.

    3. Përdorim i përgjegjshëm:

    – Problemet që lidhen me përmbajtjen dhe sigurinë mund të zgjidhen me rregullore më të mira dhe me masa mbrojtëse, pa e ndaluar plotësisht aplikacionin.

    4. Ndikimi ekonomik:

    – TikTok ka krijuar vende pune dhe ka ndihmuar shumë biznese të vogla përmes reklamave dhe strategjive të marketingut.

    Pra Tiktok nuk është vetëm me pamje djalli,siç mundohet ta paraqesë Rama për arsyet e tij politike e të censurës. Aq më tepër njeriu e njerëzimi nuk mund të dalë kundër teknologjisë

    Në vend që të mbyllet, disa vende kanë propozuar:

    – Rregullime për mënyrën se si TikTok menaxhon të dhënat.

    – Monitorim më të mirë të përmbajtjes dhe zbatimin e kufizimeve për përmbajtje të papërshtatshme.

    – Ndërtimin e serverëve lokalë për të ruajtur të dhënat e përdoruesve brenda kufijve të vendit.

    Pra gjithcka duhet të bazohet në një analizë të kujdesshme të përfitimeve dhe rreziqeve që ofron platforma.

    Por valltari i vdekjes nuk pyet.

    Ai kërkon të arrijë qëllimin e tij në funksion të jetës së tij politike e cila po fiket çdo ditë që vjen.

  • Nga Andi BUSHATI – Shikojeni pak Ramën përmes Tik Tok-ut

    Vendimi për të mbyllur me dhunë një platformë komunikimi i ngjan atij për asgjesimin e Covidit përmes nxjerrjes së tankeve në rrugë. Ato janë dëshmi të fytyrës autoritare të një regjimi

    Kush ndërmer guximin ti kthehet kujtimeve aspak të bukura të kohës së Covidit me siguri e mban mend një akt, sa të çmendur po aq dhe qesharak. Në betejën e ethshme për të luftuar virusin, kryeministri ynë vendosi të nxjerrë autoblindat në bulevardet e kryeqytetit. Bashkë me masat dhe oraret që shpallte nga kulla e ngujimit në Surrel, se kur duhet të dilnin nga shtëpia pensionistët, kur nënat me fëmijë dhe kur adoleshentët, Edi Rama imponoi iluzionin se mund ta mposhte virusin me grykën e tankeve. Pikërisht ky absurd i kohës së izolimit, ngjan së tepërmi me urdhërin e fundit të rënë nga qielli, për të mbyllur për një vit Tik Tokun në Shqipëri. Ajo çka ka të përbashkët lufta, si kundër virusit shëndetësor edhe ajo kundër atij social, është mendësia diktatoriale e të përballurit me to.

    Ky duhet të jetë edhe këndi për të shikuar këtë masë absurde. Ndonëse në arenën tonë publike po debatohen tema mbi efektin e platformës kineze për shëndetin mendor të të rinjve; ndonëse shumë opozitarë ngrenë gishtin për të denoncuar, se promovuesi i kulturës së dhunës me të zgjedhurit në parlament dhe bashki, nuk mund të ketë edhe ilaçin për ta kuruar atë; ndonëse disa të tjerë shohin tek ky akt një manovër elektorale; thelbi i asaj që po ndodh është shpërfaqja e fytyrës autokratike të Edi Ramës.

    Për të kuptuar këtë, mjafton të përmblidhen disa të vërteta të thjeshta. Shqipëria do të bëhet i vetmi vend i botës demokratike ku pretendon të bëjë pjesë, që ka mbyllur totalisht një ptatformë të rëndësishme sociale. Argumentat morale që po hedh në treg Edi Rama, për ta bërë këtë, ngjajnë njësoj si ato që talibanët përdorën për ta çrrënjosur Tik Tokun, pas rikthimit të tyre në pushtet në Afganistan. Fakti se një gjë e tillë po ndodh duke e lidhur në mënyrë abuzive me vdekjen tragjike të Martin Camit, ndërkohë që është provuar se, as viktima dhe as vrasësi nuk kishin lidhje me këtë rrjet social, ngre pikpyetje për një veprim arbitrar. Parodia që u përdor për konsultimin publik me prindrit, për të justifikuar një vendim të marrë paraprakisht, është një farsë që ndodh vetëm në regjimet anti demokratike.

    Masa ekstreme dhe aspak proporcionale e mbylljes, pa kaluar në parë nga hapat e ndërmjetëm si, vënia e filtrave, apo kufizimet moshore, është tipike për mënyrën se si veprojnë këto regjime.

    Duke rreshtuar të gjitha këto, duhet pranuar se debati për mbylljen apo jo të Tik-Tokut nuk është thjeshtë një sherrnajë e provincës sonë të vogël. Ai ka ndarë në pro dhe kundër edhe shoqëri shumë më demokratike se kjo jona. Kështu, në SHBA, në periudhën e presidencës së parë Trump, ky i fundit e kërkoi një gjë të tillë. Por prit, mos u rrëmbeni për të thëhë: “ja e shikoni, qenka ide amerikane”. Argumentat nuk kishin asgjë të përbashkët me denoncimet morale për “rrugaçin e lagjes”. Debati u bë rreth cënimit të sigurisë kombëtare, mundësisë së spiunimit të qytetarëve amerikanë nga një platformë e bazuar në Kinë e po ashtu edhe për vjedhjen dhe përdorimin e të dhënave të tyre personale.

    Por, ndonëse në SHBA përplasja nuk kishte të bënte me skrupuj moralë, por me arsye shtetërore, në atë vend demokratik fitoi kauza e atyre që luftonin për të drejtat dhe liritë, përpara sigurisë.

    Në argumentat e tyre përmendej se Tik Toku ishte një rrjet penalizimi i të cilit mund të kufizonte fjalën e lirë, mund të vriste të drejtën për tu shprehur të miliona njerëzve që komunikonin mes tyre dhe krijonin përmbajtje. Ata vinin alarmin se një akt i tillë mund të krijonte precedentin e rrezikshëm të përsëritjes së këtij sanksioni ekstrem edhe për platforma të tjera.

    Kjo është arsyeja që asnjë pjestar i orbitës euro altantike nuk e ka ka hedhur këtë hap.

    Ndërsa ne po e bëjmë, përmes shkopit magjik të një njeriu të vetëm, i cili vendos edhe për vrasjen me tanke të virusit edhe për hyrjen apo daljen nga Ballkani i hapur edhe për dhurimin e sovranitetit të shtetit duke ngritur kampe italiane emigrantësh.

    Prandaj, para së gjithash, më tepër sesa një debat që ka të bëjë me shëndetin mendor të fëmijëve, me luftën ndaj kulturës së dhunës, me manovrat elektorale të momentit, tek akti i mbylljes së Tik Tokut duhet të zbulojmë mjetet dhe armët që përdoren në këtë betejë. Mënyra e vendimarrjes, manipulimet që i paraprinë dhe farsa përmes të cilës i’u servirën publikut, flasin shumë. Ato nxjerrin në pah tiparet e domosdoshme për të skicuar fytyrën e një regjimi. Ato dëshmojnë se ky vendim është ilustim i thelbit autokratik të pushtetit të Edi Ramës. Se ku po na shpie kjo, nuk ka nevojë për shumë shtjellim. Në fund të viteve ‘60, Shqipëria u bë i vetmi shtet në botë që ndaloi fenë me ligj. Rekordi sot po përsëritet duke iu kundërvënë një besimi gati shpirtëror të këtij shekulli të ri, religjionit numerik.