Blog

  • Si të humbësh 5 kilogramë në javë (pa efektin yo-yo), sekretet e ekspertit: “9 gjërat që duhet patjetër të dish”

    Si të humbësh 5 kilogramë në javë (pa efektin yo-yo), sekretet e ekspertit: “9 gjërat që duhet patjetër të dish”

    Dieta për të humbur shpejt në peshë, pa efektin yo-yo që ju bën të rikuperoni sërish gjithçka (dhe të shtoni më shumë) në një kohë të shkurtër. Është ekspertja e të ushqyerit Fiona Kirk, e cila na zbulon nëntë ‘sekrete’ të dobishme për t’ia arritur. Me formulën e saj, është e mundur të zhduken deri në pesë kilogramë në vetëm një javë.

    Në librin e saj të botuar së fundmi, shpjegon disa “sekrete” që mund të ndihmojnë në humbjen e peshës brenda një kohe vërtetë të shkurtër.

    9 këshillat e ekspertes

    • Hani vezë gjysmë të ziera në mes të mëngjesit: ngopin, përmbajnë proteina dhe kanë pak yndyrë.
    • Snacks me bazë arra, fara dhe fruta: japin energji dhe janë të shëndetshme
    • Pi ujë para ngrënies dhe vakteve: redukton oreksin.
    • Për drekë, thjerrëza dhe fasule: ju ngopin deri në vaktin e rradhës.
    • Hiqni dorë nga pijet e lehta, nxisin dëshirën për sheqer.
    • Konsumoni curry: ato pikante ngrenë nxehtësinë trupore, duke bërë në këtë mënyrë të djegim më shumë kalori.
    • Pini kafe: Rrit normën tuaj metabolike dhe bën që trupi të përdorë më shumë yndyrë për të prodhuar energji.
    • Gjumi nga shtatë deri në tetë orë në natë ndihmon në rregullimin e niveleve të sheqerit në gjak dhe për të mbajtur në ekuilibër hormonet e urisë dhe të oreksit.
    • Vitamina D: merrni nga dielli. Rrit djegien e yndyrnave.

    Pije, çfarë të përdorni

    • Ujë mineral.
    • Çajra: të zi, të bardhë, të kuq, jeshil, matcha, chai, kombucha (i pa ëmbëlsuar).
    • Ujë kokosit: shtoni akull, thekone kokosi dhe pak lëng lime.
    • Lëng frutash të freskët të holluar me ujë.
    • Lëng perimesh të freskëta.
      Kaq!

  • Rama tha, Begaj dekretoi: 11 Maji, datë zgjedhjesh

    Rama tha, Begaj dekretoi: 11 Maji, datë zgjedhjesh

    Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar datën e zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Njëjtë siç kishte parlajmëruar Rama dhe më pastaj në seancë plenare, vartësja e tij, Belinda Balluku, kreu i shtetit ka caktuar datën 11 maj 2025

    Qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit në këtë datë, ndërsa shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, sipas Presidentit, qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja, për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i sukseshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit.”

    Njoftimi i Presidencës:

    Sot Presidenti i Republikës nxorri dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në datën 11 maj 2025.

    Për këto zgjedhje, Presidenti i Republikës kishte në dispozicion katër ditë të diela midis datave 15 prill dhe 15 maj 2025.

    Shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i sukseshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit.

    Presidenti i Republikës shpreh bindjen se sfida madhore e këtyre zgjedhjeve është votimi nga jashtë vendit dhe përfshirja masive e zgjedhësve me banim jashtë shtetit në këtë proces thelbësor për demokracinë. Të gjitha forcat politike kanë shprehur publikisht vendosmërinë për të ndihmuar këtë proces dhe për t’ia nënshtruar caktimin e datës së zgjedhjeve këtij interesi prioritar. Presidenti i Republikës bashkohet plotësisht dhe e respekton pa mëdyshje këtë vullnet.

    Partia Demokratike dhe një pjesë e konsiderueshme e partive parlamentare i paraqitën Presidentit të Republikës shqetësimin, se planifikimi i samitit të 6-të të Komitetit Politik Evropian (EPC) për datat 8 dhe 9 maj të vitit 2025, dy ditë para datës së fundit të mundëshme për zhvillimin e zgjedhjeve, formon ndikim dhe avantazh të papranueshëm për qeverinë, si dhe cënon ndjeshëm parimin e barazisë së armëve që kërkon Kodi Zgjedhor për fushatën zgjedhore.

    Pa vënë në diskutim lejueshmërinë ose jo të një veprimtarie të tillë, sepse kjo është kompetencë ligjore e KQZ-së, Presidenti i Republikës bashkohet në qëndrimin, se zhvillimi nga ana e qeverisë i një takimi të kësaj natyre në finalen e fushatës zgjedhore, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të lidershipit politik evropian, nuk mund të jetë pa ndikim në caktimin e datës së zgjedhjeve.

    Për këtë arsye, Presidenti i Republikës, pasi bëri të gjitha verifikimet e nevojshme me autoritetet kompetente të Shqipërisë, mori zyrtarisht sigurimet, se aktiviteti i mësipërm do të zhvillohet pas zgjedhjeve parlamentare, fakt ky i konfirmuar për Presidentin e Republikës edhe nga interlokutorët ndërkombëtarë.

    Konfirmimi zyrtar si më sipër heq rezervën e shprehur nga Partia Demokratike dhe nga pjesa tjetër e partive parlamentare ndaj datës 11 maj 2025 dhe e bën këtë datë të pranueshme dhe të pëlqyeshme për të gjithë faktorin politik.

    Për këto arsye Presidenti i Republikës vendosi që të respektojë kërkesën e KQZ-së dhe të caktojë datën 11 maj 2025 si datë për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.

  • Rama i fiksuar, paralajmëron ditën e gjykimit të Gaz Bardhit

    Rama i fiksuar, paralajmëron ditën e gjykimit të Gaz Bardhit

    Mesazhet që i dërgoi Berishës, Metës, Ahmetajt, Salianjit, Belerit para se t’i burgoste

    Nuk ka prova se Edi Rama qëndron personalisht pas sulmeve kriminale që organizohen ndaj atyre që ai kërcënon.

    Ama është fakt se, para se të plagosej nga breshëritë e plumbave të automatikut në autostradë, ish-prokurori Arjan Ndoji u përmend nga Rama në parlament si “një prokuror në Durrës, që punon për grupet kriminale dhe iu bën shantazh punonjësve të shtetit.

    Është fakt edhe se, para se të zhdukej, Vis Martinaj u përmend nga Rama në një miting në Lezhë, si “drejtori i basteve të kohës” të cilit patronazhistët ia dinin targën e makinës.

    Ekziston mundësia që në botën e krimit, dikush të përfitojë nga sherrnaja e shefit të qeverisë, për të mbyllur hesapet e vjetra. Por kur kundërshtari i Ramës është politik, përgjegjësia për pasojat ndaj tij bien direkt mbi Edi Ramën.

    Si këtë të enjte, kur kryeministri nuk i përmbajti dot simptomat e obsesionit për ta ndëshkuar Gazment Bardhin dhe për t’u hakmarrë për vëllain, të akuzuar se ishte pjesë e një grupi kriminal që ndërtoi laboratorin e kokainës në Xibrakë.

    Bardhi nuk bëri asgjë që t’i kujtojë kryeministrit brengën e vëllait të tij, Olsit. Ai thjesht kërkoi një interpelancë në kuvend për paratë që ka përfituar biznesmeni italian Francesko Beketi dhe për përgjegjësitë që bien mbi qeverinë.

    Për habi, përgjigjia e Ramës devijoi në kërcënime, shoqëruar me përbetime për eleminimin politik të njërit apo tjetrit dhe se në fund në politikë do të mbetet vetëm një. Nëse SPAK vërteton akuzat ndaj të vëllait, Olsit “nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiçfare” tha Rama.

    Vetëm se pa dalë përgjigjia nga SPAK, Rama thotë se nuk do t’i përgjigjet Bardhit për asgjë, pasi Bardhi ka thënë se ai ka fshehur “personin e paidentifikuar, 45 vjeç, me kapele”, i cili sipas Gazmendit na qenka Olsi Rama”.

    Në fund të mesazhit, Rama del me paralajmërimin për “gjykimin e Gazment Bardhit”, në lidhje me akuzat që ka bërë ky i fundit ndaj Olsi Ramës, sapo SPAK të zbardhë të vërtetën.

    Kam muaj e muaj që pres të vërtetën nga SPAK-u, ku Gazmend Bardhi shkon shpesh për të luftuar korrupsionin e kriminelët e qeverisë sime dhe nuk do lodhem së prituri, përpara se sa të bëj njërën nga të dyja. O të tërhiqem nga politika përgjithnjë, o të paraqitem në interpelancat e Gazmendit dhe pastaj shohim e bëjmë si vete kjo mesele më tutje, në sy të shqiptarëve e në rrugën e mëtejshme të drejtësisë, ku o do gjykohet im vëlla, o do gjykohet Gazmend Bardhi!

    Mesazhi është pak a shumë i ngjashëm me atë që shpërndau për mediat vëllai i kryeministrit Olsi Rama, pasi Gaz Bardhi dërgoi në SPAK informacionet që kishte nga dosja e Xibrakës. “Troç fjala këtu s’mund të ketë dy të vërteta dhe ose unë duhet të shkoj në burg si trafikant ose Gazmend Bardhi duhet të ndiqet penalisht dhe dënohet si fabrikues provash në dëmin tim, të fëmijëve të mi, të klubit të futbollit “Partizani”, të miqve të mi dhe të njohurve të mi.” u shpreh në atë kohë Olsi Rama.

    Që kur denoncoi përfshirjen e Olsi Ramës në grupin e Xibrakës, Gazment Bardhin ka marrë shpesh sharje dhe mesazhe të rënda kërcënuese. Sharjet si “nënnjeri” “çingie” “B e vogël” etj janë të përhershme, ndërsa pak kohë më parë ai akuzoi drejtuesin e abcneës se duke i paralajmëruar fatin e Vis Martinajt i kishte përcjellë një mesazh nga Rama.

    Edhe kur ra në burg Ervin Salianji, sërish Rama iu hakërrye Gazment Bardhit me kërcënime se nëse do të kishte bërë kallëzim, edhe ai do të përfundonte në burg njësoj si kolegu i tij.

    I fiksuar me hakmarrjen ndaj Bardhit që kur ky publikoi të dhëna nga dosja e Xibrakës, Rama ka treguar se nuk kërcënon sa për të larë gojën dhe shembujt janë disa.

    Paralajmërimet për Sali Berishën

    Në fillim të shkurtit 2019 Edi Rama i tha Sali Berishës publikisht në parlament se SHBA e kishin shpallur non grata. “Tani kam unë një pyetje të drejtpërdrejtë për ty. Sali, ti e kapërcen dot oqeanin po të duash? Hajde përgjigju. Më bëre një pyetje të drejtpërdrejtë. Ta dhashë përgjigjen e drejtpërdrejtë për të të bërë një pyetje të drejtpërdrejtë. Ti, po të duash, e kapërcen dot oqeanin Sali? Nëse unë do të isha ai që më përshkruani ju, të jeni i sigurt që unë nuk do e kapërceja dot oqeanin e jo më të komunikoja me Shtëpinë e Bardhë, me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, se unë nuk kam mundësi të kërkoj diçka të tillë”, tha Rama në parlament në 1 shkurt 2019.

    Ajo që kishte paralajmëruar kryeministri i Shqipërisë u bë realitet në Maj të vitit 2021, pak pas përfundimit të zgjedhjeve. Sali Berisha u shpall “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit. Sipas sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken “veprimet e Sali Berishës minuan demokracinë në Shqipëri”.

    Pas shpalljes non grata, Rama paralajmëroi burgosjen e Sali Berishës dhe bëri presion publik SPAK-ut që kreu i demokratëve të arrestohej. Dhe ashtu ndodhi. Në tetor të vitit 2023, dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi u arrestua me urdhër të SPAK, që vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe sekuestrim të pasaportës për Sali Berishën pa marrë autorizim nga parlamenti.

    Kur Sali Berisha refuzoi të bindej duke deklaruar se ishte deputet dhe se autorizimi i parlamentit ishte i domsdoshëm për një masë kundër tij, SPAK kërkoi arrestin në shtëpi. Dhe ashtu ndodhi. Për gati një vit, Sali Berisha qëndroi në arrest shtëpiak, me urdhër të SPAK.

    Paralajmërimi për Ilir Metën

    Burgosjen e ish-aleatit të tij Ilir Metës, kryeministri Edi Rama e ka kërkuar publikisht në mbledhjet e asamblesë dhe në kongresin e Partisë Socialiste.

    Dy vite më parë, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, Edi Rama i kërkoi SPAK-ut publikisht arrestimin e Ilir Metës. Rama kërkoi marrjen si të pandehur të atyre që i quante “peshkaqenët” në atë kohë duke iu referuar Sali Berishës dhe Ilir Metës.

    I pari që shefi i qeverisë i ka vënë në listën e detyrave të SPAK është kreu i shtetiti mandati i të cilit mbaron në 24 korrik. “Jo unë por gjithë Shqipëria, mezi pret ta shohë para SPAK-ut, Ilir Metën” tha ai duke e akuzuar Prokurorinë e Posaçme se përdor dy standarde me mazhorancën dhe me kundërshtarët e saj: “Durimi ynë po soset, i imi po njëherë, i juaji ka kohë që është sosur, po e di e ma vini fajin mua. Kjo do të thotë që SPAK e të gjithe ata të interesuar duhet të kujtohen që ne nuk e kemi humbur gojën, e kemi në vend”.

    Paralajmërimet për Fredi Belerin

    Gjatë mitingjeve në fushatën e 14 majit 2023, Rama tha se “në Himarë e kam personale, është personale” duke sulmuar direkt kandidatin e bashkisë që i rrezikonte fitoren, Fredi Belerin.

    Shumë shpejt, Beleri u shndërrua në target të fushatës së Partisë Socialiste dhe për të, Rama fliste edhe në mitingje në qytete të ndryshme. Nga mitingu i Kamzës ai paralajmëroi direkt Pandeli Kokaveshin, bashkëpuntorin e Belerit se do të merrej personalisht me të. Disa orë më pas, Kokaveshi u arrestua.

    Në emisionin Opinion, kryeministri pranoi se kandidimi i Fredi Belerit në Himarë “mua më çmend” dhe se “ka akoma njerëz në këtë vend që çmenden nga gjëra të tilla, se gjëra të tilla janë me rrezik shumë të madh” duke e kaluar përplasjen me Belerin në nivel tjetër. Siç dihet, Beleri u burgos dy ditë para zgjedhjeve. Ai u ndalua të betohej si kryetar bashkie i Himarës dhe u dënua me 2 vjet burg për blerjen e 8 votave sipas një procesi të montuar fund e krye nga policia dhe gjykatat.

    Paralajmërimi për Salianjin

    Për 5 vjet, Ervin Salianji u sorollat dyerve të gjykatave për një proces ku akuzohej për kallëzim të rremë, edhe pse nuk kishte bërë kallëzim të rremë. Çështja kishte të bënte me denoncimin e vëllait të Fatmir Xhafajt që udhëtoi drejt Italisë për të vuajtur dënimin që kishte atje.

    Askush në rrethin e Salianjit, as Salianji vetë, nuk e kishte besuar se do të mbyllej 1 vit brenda 4 mureve si kriminel. Por, Rama e kishte paralajmëruar në Parlament të bënte kujdes.

    Paralajmërimi për Arben Ahmetajn

    Arben Ahmetaj ishte mënjanuar nga qeveria dhe nga partia shumë kohë para se të arrestohej. Në vetvete, kjo lloj shmangie që i bëri Rama e bënte arrestimin e tij thjesht çështje kohe, por kryeministri nuk ngurroi të ekspozohej publikisht kur gazetarët e ftuan në replikë me Ahmetajn.

    Në 9 Mars 2023, kryeministri Edi Rama deklaroi “nëse unë do të kisha bërë rolin e gjykatësit, gjërat do të kishin qenë shumë më keq për ata që duan që unë të bëj gjykatësin”.

    Dhe vërtet. Gjërat u bënë shumë më keq për Arben Ahmetajn. Në 7 Korrik, rreth 4 muaj pas deklaratës së Edi Ramës, SPAK dërgoi në kuvend kërkesën për arrestimin e Ahmetajt që tashmë ishte arratisur jashtë vendit.

    Paralajmërimi për Irfan Hysenbelliun

    Në dukje, goditja në kompleksin “Prestige” të Irfan Hysenbelliut ishte një punë e institucioneve që po e ndëshkonin biznesmenin se nuk kishte paguar taksat.

    Por në realitet, shkatërrimi i pishinës dhe hotelit Prestige ishte hakmarrje e kryeministrit Rama për biznesmenin e pabindur. Në 2 Shtator të 2022, në shenjë paralajmërimi u prish pishina e hotelit, e realizuar sipas një vizatimi të vetë Edi Ramës dhe që pronarët e kishin ruajtur.

    Pronari i Neës24 akuzonte direkt kryeministrin Rama se prishja e pishinave në shtator ishte vetëm një paralajmërim. Dhe ashtu ishte. Marrëdhëniet mbetën të ngrira deri kur në Dhjetor të vitit 2022, Rama paralajmëroi shpërthimin e hotelit duke deklaruar: “Të gjithë të barabartë përpara ligjit, nuk do të ketë asnjë tolerim”. Vërtet që nuk pati asnjë tolerim.

    Në 4 Dhjetor, hoteli i Irfan Hysenbelliut u hodh në erë me dinamit. Video më poshtë:

    Mesazhi i plotë i Ramës për Gazment Bardhin, pasi ky kërkoi interpelancë për Beketin

    Më thonë që Gazmend Bardhi më paskërka kërkuar sot urgjent në Kuvend për “100 e kusur milionë Eurot”, të cilat sipas tij i paskërka marrë nga shteti shqiptar ai krimineli italian, të cilin partia e B-ve e ka një nga komerdaret e vjetra, që e nxjerr si rregull përpara se sa të mbytet nga dallga popullore në zgjedhjet e radhës!

    Këto “100 e ca milionët” ua treguan me të madhe shqiptarëve, si të marra e të futura në xhep prej italianit në fjalë edhe në 2021-shin, edhe në 2023-shin! Madje prodhuan edhe ca fletushka bakalli, që ua vinin njerëzve në xhamat e makinave, ku bënin thirrje për të votuar kundër meje dhe Partisë Socialiste për inat të “100 e ca milionë Eurove” të humbura për shkakun tim. Dihet se si votuan njerëzit, që qyshse i çuan në opozitë me 1 milionë shpulla dhe i lanë thuajse pa asnjë bashki së fundmi, nuk e kanë ngrënë asnjëherë për djathë sapunin e B-ve të mëdha e të vogla të Partisë Demokratike.

    Po pyetja sot është:

    A janë vallë kaq injorantë këta sherrxhinj e gënjeshtarë pa din e as iman, sa të mos e dinë që kur nga ky shtet dalin lekë, për çdo detyrim për diçka apo ndaj dikujt, ka dokumenta shtetërorë ku shkruhet shlyerja e detyrimit apo janë vallë kaq të poshtër, sa megjithëse e dinë që në këtë rast nuk ekziston asnjë dokument i tillë, vazhdojnë me avazin e kësaj shpifjeje të vjetër, për të ngritur akuza dhe helmuar popullin për zgjedhjet e reja?! Nuk e di, me shumë gjasë janë të dyja bashkë.

    Fakti që s’e luan topi është, se deri në këtë çast që flasim, ai kriminel i dënuar 17 vjet nga gjykata për tërë të zezat, nuk ka marrë akoma asnjë kokërr leku nga shteti shqiptar dhe nuk ka asnjë dokument shtetëror që të provojë të kundërtën! Madje ai ka hyrë tanimë në ca hesape të reja e të vështira shumë me shtetin shqiptar, që e ka denoncuar në prokuroritë e në gjykatat e disa shteteve, për korruptim flagrant të gjykatës së arbitrazhit, ku korrupsioni dhe manipulimi i procesit kundër Shqipërisë është provuar me letra, me zëra e me figura kriminelësh ndërkombëtarë me këmishë dhe kravatë!

    Tani këta katranë me bojë dinë vetëm të shpifin, pastaj shpifjen ta përhapin në kanalet e ujrave të tyre të zeza mediatike dhe pastaj të kërkojnë komisione hetimore e intepelanca, për të kërkuar llogari nga ne për shpifjet e tyre! Mirëpo kjo lojë nuk ecën dot fare me ne dhe gjykata e llogarive tona e të tyre do të na dëgjojë e do të na japë hakun në pranverë, kur populli shqiptar, brenda po edhe jashtë kufijve këtë herë, do të vendosë se kush duhet të qeverisë dhe kush duhet të rrijë në opozitë e me kismet, të mësojë se si mund të qeverisë në të ardhmen.

    Megjithatë, unë do t’i shkoj në çdo interpelancë Gazmend Bardhit, por vetëm pasi të ketë dalë përfundimi i hetimeve të SPAK-ut për trafikantin e drogës, që ai ka zbuluar në familjen time dhe vetëm nëse Olsi Rama nuk del siç pretendon ky zotëria që vetëm zotëri nuk është. Sepse nëse im vëlla del trafikant nuk do të kem si të shkoj, përkundrazi, nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiçfare. Por pa u zgjidhur e zbardhur plotësisht nga drejtësia kjo çështje, unë nuk kam sy e faqe të përballem me zbuluesin që pretendon me zë shumë të lartë, se ka hedhur dritë jo vetëm mbi aktivitetin kriminal të vëllait tim, po edhe mbi përfshirjen time kriminale në fshehjen e “personit të paidentifikuar, 45 vjeç, me kapele”, i cili sipas Gazmendit na qenka Olsi Rama dhe unë, duke abuzuar me detyrën dhe madje shpërblyer dy prokurorët e dosjes së laboratorit të drogës në Xibrakë, ia paskam fshehur drejtësisë.

    Kam muaj e muaj që pres të vërtetën nga SPAK-u, ku Gazmend Bardhi shkon shpesh për të luftuar korrupsionin e kriminelët e qeverisë sime dhe nuk do lodhem së prituri, përpara se sa të bëj njërën nga të dyja. O të tërhiqem nga politika përgjithnjë, o të paraqitem në interpelancat e Gazmendit dhe pastaj shohim e bëjmë si vete kjo mesele më tutje, në sy të shqiptarëve e në rrugën e mëtejshme të drejtësisë, ku o do gjykohet im vëlla, o do gjykohet Gazmend Bardhi!

  • Buxheti, sa paguajmë në 2025 për inceneratorin, që nuk ekziston

    Buxheti, sa paguajmë në 2025 për inceneratorin, që nuk ekziston

    Për herë të parë, paratë nuk do të shkojnë në xhepat e hajdutëve

    Foto më lart tregon një hapësirë prej disa qindra metra katrorë tokë në Sharrë, ku ishte planifikua të ndërtohej një impiant i djegies dhe përpunimit të mbetjeve, që do të prodhonte energji elektrike.

    Impianti, i njohur ndryshe si inceneratori i Tiranës u ideua në nivelet më të larta të qeverisë së Ramës pas kërkesave të ngutshme të kryebashkiakut Erjon Veliaj për menaxhimit të mbetjeve në Tiranë. Madje ky i fundit, pa marrë miratimin e Këshillit Bashkiak, hodhi firmën si garant i pagesës 128 milion euro për ndërtimin e inceneratorit. Thënë ndryshe, 29 euro paguhen për çdo ton mbetje, për një proces që përfshin edhe djegien e mbeturinave, gjë që nuk ka ndodhur ndonjëherë.

    Sepse inceneratori, thjesht nuk ekziston.

    Në fushën e Sharrës ndodh vetëm groposja e plehrave dhe jo djegia e tyre nga një impiant që prodhon energji elektrike.

    Dy mashtruesit Klodian Zoto dhe Klodian Mërtiri nëpërmjet ndihmës dhe aksesit që i dhanë drejtuesit e qeverisë dhe të bashkisë Tiranë vetëm sa bënë dokumentat dhe fituan koncensionin, pastaj mbushën llogaritë bankare me gati 100 milion euro dhe u zhdukën jashtë vendit.

    Lanë pas krahëve ca gropa që mbushen çdo ditë me plehra dhe një hetim gjysmak të SPAK, që në gusht të vitit 2023, gjashtë vjet pas nënshkrimit të kontratës urdhëroi sekuestron.

    Pavarësisht gropës që hapën dy Klodët me ndihmën e Ramës dhe Veliajt, për çdo vit, buxheti parashikon një shumë parash për inceneratorin që nuk ekziston.

    Lapsi.al ka vëzhguar relacionin për buxhetin të pasqyruar në faqen e kuvendit. Shifra që parashikohet të paguhet për vitin 2025 është rreth 13 milion euro.

    Lajmi i mirë është se këtë vit, për herë të parë, paratë do t’i shkojnë Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, ndryshe nga vitet e tjera kur derdheshin në llogaritë e kompanive që kishin krijuar dy Klodët dhe bashkëpuntorët e tyre.

    Por në anën tjetër, një pjesë e këtyre parave mund të ishin investuar për kopshte, shkolla, rrugë në Tiranë etj.

    Vitin e kaluar, Erjon Veliaj u gjend për herë të parë përballë një situate që nuk e kishte parashikuar. Belinda Balluku refuzoi t’i kalojë para në formën e granteve, ndaj Veliaj hoqi 600 milion lekë nga buxheti i arsimit të Bashkisë për t’ia kaluar inceneratorit të Tiranës.

    Mbetet për t’u parë manovra që ka parashikuar të bëjë këtë vit për pagesën e 13 milion eurove. Për Veliajn duhet të jetë e kollajtë. Në fund të fundit, nuk i nxjerr paratë nga xhepi i tij, por nga xhepat tonë.

  • Milan, Morata në lot: historia e Euro 2024. Ndërsa për shokët e tij të skuadrës…

    Milan, Morata në lot: historia e Euro 2024. Ndërsa për shokët e tij të skuadrës…

    Ëndrra e Euro 2024 e Kombëtares spanjolle nuk ndalet me triumfin në fushë, por shndërrohet në një histori prekëse falë dokumentarit të ri të titulluar “Një skuadër e quajtur Spanjë. Rruga drejt të Katërtit”. Ky film, i lançuar të premten më 29 nëntor në Prime Video, ofron një pamje ekskluzive dhe intime të momenteve më domethënëse të turneut, duke i mundësuar tifozëve të zhyten në zemrën e ekipit të tyre, të bëhen njësh me të.

    Një udhëtim në Zemrën e Kombëtares

    Dokumentari hapet me fjalët e kapitenit Álvaro Morata, qendërsulmues i Milanit, që ndan eksperiencat e tij gjatë Evropianit. Kritikat e marra dhe presionet e turneut rrëfehen me sinqeritet, duke zbuluar peshën që një lider duhet të ketë. Morata, dukshëm i emocionuar, shprehet se sa thelbësore ka qenë për të mbështetja e shokëve në ato momente të vështira. “Pa to, do ta kisha lënë Kombëtaren spanjolle,” rrëfen ai, duke i bërë shikuesit të kuptojnë rëndësinë e solidaritetit në një skuadër.

    Zëri i një Lideri

     “Më i miri i kapitenëve, në të ardhmen do ta kuptojmë se çfarë ka përfaqësuar për futbollin spanjoll”, këto janë fjalët e trajnerit Luis de la Fuente për Moratën. Fjalët e trajnerit nxjerrin në pah vlerën e Moratës si lojtar, por edhe si lider, i aftë për të frymëzuar dhe motivuar të gjithë skuadrën. Ky dokumentar nuk është thjesht një celebrim i një triumfi sportiv, por një homazh për lidhjen që bashkon anëtarët e skuadrës, elementë esencialë për të përballuar sfidat e një turneu kaq prestigjioz.

    Një emocion i përbashkët

    Pjesa e fundit e dokumentarit është veçanërisht prekëse, duke treguar një Morata të përlotur teksa reflekton se sa shumë të rëndësishëm kishin qenë për të shokët e skuadrës. Ky moment kap esencën e futbollit: nuk ka të bëjë vetëm me fitoren, por me ndërtimin e marrëdhënieve dhe mbështetjen e njëri-tjetrit në momentet më kritike. Kombëtarja spanjolle nuk është thjesht një grup talentesh, por një familje e vërtetë që së bashku janë përballur me sfida, fitore dhe humbje.

     “Një skuadër e quajtur Spanjë” është më shumë se thjesht një dokumentar: është një udhëtim emocional që i fton të gjithë sportdashësit të reflektojnë mbi rëndësinë e punës në grup dhe bashkimit. Mos e humbisni këtë mundësi për të zbuluar prapaskenat e një prej skuadrave më ikonike në futbollin botëror. Historia e La Roja dhe e kapitenit të saj Alvaro Morata vazhdon të frymëzojë dhe ky film është dëshmi se, së bashku, ne mund të shkojmë larg.

  • Nga Andi BUSHATI – Ajo çka SPAK fsheh në dosjen e Elbasanit

    Ç’i hynte në punë SPAK-ut se Artan Hoxha kishte arritur të manipulonte emisionin e Fevziut, apo Elton Qyno lajmet e Karlo Bolinos? Mos vallë këto qenë krimet më mostruoze të bandës së Suel Çelës?

    Po të bëhet një llogaritje e pasqyrimit mediatik të  “goditjes spektakolare”, që SPAK ndërmori ndaj  bandës së Suel Çelës në Elbasan, vërehet me lehtësi një anomali.

    Shumica e titujve i dedikohen “korruptimit” të gazetarëve Artan Hoxha e Elton Qyno, mënyrës se si ata “prodhonin lajme për llogari të bandave”, në këmbim të parave që merrnin prej tyre. Për të shkuar edhe më tej, një tjetër tymnajë u ngrit me të madhe edhe rreth vrasjes së mundshme të Saimirit të Stopit.

    Po të lexoje pështjellimin që krijuan këto “zbulime” ngjante sikur “spin doctors-at” e SPAK e kishin arritur qëllimin. Duke pompuar emrat e gazetarëve ata e patën përllogaritur përmasën e zhurmshme që kjo ngjarje do të merrte, aq sa për të lënë në heshtje çdo aspekt tjetër.

    Pak, fare pak, zëra vigjilentë u kujdesën të ngrenë pyetjen: Po pse duhej të ishte prioritet i prokurorëve të posatshëm, qoftë edhe nëse ishte e vërtetë që Artan Hoxha paskësh manipuluar për llogari të një bande? Nëse kjo ka ndodhur, ajo përbën pa asnjë dyshim një  përdhosje të moralit dhe profesionit të gazetarit, si nga ai, apo qoftë edhe nga Qyno, por deri këtu. Ata as kanë vrarë njeri, as kanë nxjerë dikë në pritë, as kanë shitur vota, drogë apo armë. Mëkatet e tyre duhet të qenë në fundit në klasifikimin e shqetësimeve të prokurorëve, nëse ata nuk kishin qëllim të vërtetonin teorinë e “mediave të kazanit”.

    Pra, ç’i hynte në punë SPAK-ut se Artan Hoxha kishte arritur të manipulonte emisionin e Fevziut, apo Elton Qyno lajmet e Karlo Bolinos? Mos vallë këto qenë krimet më mostruoze të bandës së Suel Çelës? Këto dilema bëhen edhe më të mëdha po të vëzhgohet përmasa që mori episodi i vrasjes në tentativë të drejtuesit të Stop. Po të lexohet dosja me vëmendje shikohet që ajo është një budallallëk me brirë. Suel Çela duket hapur që tallet me atë gjyqtaren e neveritshme që ia kërkon këtë edhe as nuk ka ndërmend të qëllojë mbi gazetarin. Edhe vetë Saimir Kodra e pohoi me modesti se ai as nuk kishte ndjerë, as nuk kishte marrë kurrë kërcënime. Pra kjo flluskë qe thjeshtë qesharake për të fituar përmasat që mori. 

    Po pse atëherë i’u dha kaq hapsirë në dosje këtyre emrave që dihej se do të shkaktonin rokopujë dhe pse rripat e transesionit të prokurorëve në media e shumfishuan atë?

    Përgjigjja e këtyre pyetjeve gjendet po të lexohen me vëmendje në 262 faqet e dokumentit që “rodhi” drejtpërdrejt nga zyrat e SPAK.

    Aty flitet për shembull për një biznesmen të quajtur Bujar, ose Marsel Shega që është i lidhur ngushtë me bandën e Suel Çelës. Por, po të shihet aktiviteti i tij, ai është favorizuar në marrjen e shumë tenderave shtetërore dhe punëve publike. Kompanitë e tij Viola Green dhe Wonder Green kanë përfituar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, në Elbasan, Berat, Peqin, Kuçovë duke u bërë kështu kanali përmes të cilit banda e Elbasanit ushqehej me të ardhura publike.

    Në dosje shihet gjithashtu se dy nga të arrestuarit si pjestarë të bandës, kanë arritur të katapultojnë mortën e tyre, direkt e në paradhomën e Edi Ramës.

    Adelajda Roka mban prej një viti detyrën e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, nga kalojnë të gjitha lejet e ndërtimit në vend. Në kontrollin e banesës që i’u bë njërit prej vëllezërve, thuhet se u gjetën edhe plane biznesi që kalonin nga Rama dhe e motra, duke krijuar një lidhje të drejpërdrejtë midis kriminalitetit dhe një sektori fitimprurës të rregulluar drejtpërdrejt nga kryeministri.

    Panorama merr formë të plotë po të kujtojmë se njëri nga këta vëllezër, dhe disa nga shokët e tij të armëve, ishin ata që u akuzuan se  masakruan Lulzim Bashën dhe përkrahësit e tij, në mes të Elbasanit në incidentin e famshëm të ditës së verës, në 2021-shin. Ishin po të njëjtët që emri u ka dalë në blerjen e votave, marrjen e kartave të identitetit dhe mbylljen e zyrave të LSI-së gjatë fushatës së fundit elektorale.

    Pra, le ta përmbledhim pak. Banda kriminale e Elbasanit, jo vetëm terrorrizonte në paprekshmëri të plotë qytetin, jo vetëm korruptonte policë e gjyqtarë, por partia në pushtet kujdesej ta furnizonte dhe me para publike. Ajo merrte tendera dhe filtronte lejet e ndërtimit që nënshkruan me dorën e tij kryeministri. Përse i merrte këto favore? Për arsyen e thjeshtë se ishte aktive në manipulimin e zgjedhjeve. Ilustrim më të mirë sesa i bën kjo dosje devizës së Ramës: “vjedhin Shqipërinë për të vjedhur vota dhe vjedhin vota për të vjedhur Shqipërinë”, nuk ka se si të ketë.

    Pikërisht për këtë arsye, për të fshehur këtë të vërtetë të thjeshtë duhej shpikur një zhurmë e madhe. Prandaj turmave i’u hodhën pa mëshirë emrat Artan Hoxhës dhe Elton Qynos si një brum i mirë për të ushqyer nofullat e pamëshirshme të mekanizmit mediatik. Natyrisht, mëkatet e supozuara të këtyre dy gazetarëve, që nuk e di a duhen më të quhen të tillë, nuk janë të vogla, por ato janë krejt të papërfillshme në rapport me krimin real që gjendet në atë dosje. Pikërisht për këtë të parët u përdorën për të mbrojtur të dytin. Dhe për këtë SPAK realisht duhet përgëzuar, pasi ka përqafuar më së miri filozofinë që mbretëron në Shqipëri së paku prej një dekade, për të arritur me anë të komunikimit, atë që nuk bën dot me punë.

  • Hetohet Dako, por lista e Durrësit mban firmën e Ramës (dokumenti)

    Hetohet Dako, por lista e Durrësit mban firmën e Ramës (dokumenti)

    Me fytyrën ku i lexohej shqetësimi për telashet e një dosjeje të re dhe me thinjat që i janë shtuar nga burgu i vjetër, Vangjush Dako reagoi i bezdisur kur një grup gazetarësh kureshtarë e rrethuan menjëherë për ta pyetur në lidhje me fletë-thirrjen e fundit, atë që ka të bëjë me Jurgis Çyrbjen, ish-deputeti që përdorte aplikacionin Sky Ecc për të folur me bandat e Shijakut.

    “Ikni se nuk ju them asgjë” i ra shkurt ish-kryebashkiaku, dikur drejtues politik i Partisë Socialiste në Durrës dhe anëtar i kryesisë qëndrore, ndërsa sot një ish-i burgosur që nuk bën dot asnjë hap nga shtëpia pa u shoqëruar nga një polic që i vinte nga pas edhe në rrugën Jordan Misja në Tiranë.

    Dako ende nuk ka nisur zyrtarisht dënimin me 2 vjet e 8 muaj burg për dy çështje të vjetra, një që ka të bëjë me një leje ndërtimi të dhënë me vonesë në Durrës dhe çështja e dytë, për shpenzimet e një shëtitore që nuk u ndërtua kurrë.

    Ç’ka e bën më shqetësuese situatën e tij, është fakti se hetimi i ri duket ku e ku më i rëndë, se sa dosjet e vjetra për të cilat e dënoi gjykata.

    Kush i dha garanci bandave të Shijakut për Jurgis Çyrbjen?

    Jurgis Çyrbja u rendit i treti në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste në Durrës për zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Por bisedat e zbardhura në SKY ECC dëshmuan se për t’u bërë deputet, Çyrbja nuk dha ndonjë kontribut në strukturat e Partisë Socialiste, por ai e kërkoi këtë nder nga bandat e Shijakut.

    Altin Hajri, kreu i një grupi kriminal me bazë në Shijak që akuzohet për zhdukjen e Jan Prengës rezulton se ishte një nga ata që i dilte garant Jurgis Çyrbjes për renditjen në listën e PS. Hajri ishte i përfshirë direkt në fushatën e PS dhe bënte llogaritë e votave, duke i premtuar ish-kandidatit se do të lobonte në Partinë Socialiste që ai të bëhej deputet.

    Në bisedën e datës 7 mars 2021 Altin Hajri njofton Jurgis Çyrbjen se kishte marrë garanci se ai dhe “liri” do të ishin kandidatë në listën për deputetë, në vendin e katërt ose të pestë, duke iu referuar kandidatit tjetër të Qarkut të Durrësit, Ilir Ndraxhi.

    Madje Altin Hajri e kishte listën e kandidatëve të Durrësit në telefonin e tij para se këtë ta kishte deputeti dhe është ai që e njofton në SKY ECC për renditjen e kandidatëve pasi merret vendimi.

    Përveç bisedave me Altin Hajrin, SPAK ka zbuluar edhe komunikimin direkt të Jurgis Çyrbjes me Edmond Çekiçin, i cili u vra disa muaj pas zgjedhjeve. Edhe ky, një emër i njohur i bandave të Durrësit del garant se Çyrbja do të ishte në listë në vendin e 5.

    Edmond Çekiçi: “Tashi sa e mbylla muhabetin tënd. Kam 3 orë me atë. Ia kërkova personalisht. E du unë ketë gjë i thashë. Përveç se e duan të gjithë. Do ja çoj ashtu, tha, ti i pesti, Liri i 7”.

    Jurgis Çyrbja i kthen përgjigje: “Ma ngrite moralin. Se na kishte ik mendja”.

    Roli i Dakos në Durrës

    Metodat e Vangjush Dakos janë të njohura nga përgjimet e ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda në dosjen 339 në të cilën doli se ish-kryebashkiaku angazhoi vëllezërit Avdylaj për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale të 2017 në Durrës dhe në Shijak.

    Në ato zgjedhje, Dako ishte kandidat i Partisë Socialiste të Durrësit për bashkinë dhe për të arritur objektivin kishte dorë të lirë nga kryesocialisti Edi Rama për të përdorur emra të njohur të krimit, personazhe që u zbuluan nga përgjimet e prokurorisë për hetimet e një laboratori heroine dhe për trafikun e armëve.

    Por dosja 339 u mbyll pa e cënuar Vangjush Dakon, që pas publikimit të përgjimeve u shpall “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Vetëm se procesi në zgjedhjet e vitit 2021 ka një dallim thelbësor nga ai i vitit 2017. Në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste ishte edhe Edi Rama, i renditur i teti në të njëjtën listë ku kandidat për deputet ishte edhe Çyrbja.

    Vangjush Dako mund të ketë qenë drejtues politik në Durrës, por a mund të vepronte ai pa dijeninë e Edi Ramës?

    Dako, kokë turku

    Në 5 vjet që kur është ngritur si strukturë. SPAK ka provuar disa herë se nuk mund ta thërrasë dot kryeministrin Edi Rama për ta marrë në pyetje. Sigurisht që nuk mund as ta procedojë penalisht atë.

    Ky defekt që ka institucioni, kjo vijë e kuqe që vizatohet në nisje të çdo hetimi, i detyron prokurorët t’i përvidhen disa të vërtetave duke dalë në konkluzione qesharake.

    E tillë është edhe fletë-thirrja drejtuar Vangjush Dakos, duke shpërfillur Edi Ramën.

    Dihet që listën përfundimtare të kandidatëve të Partisë Socialiste e firmos dhe e çon në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve kryetari i partisë, Edi Rama. Madje kjo listë është publike dhe gjendet me një kërkim të thjeshtë në internet. Siç duket më poshtë, lista e kandidatëve të Durrësit mban firmën e Ramës.

    Madje në datën Rama e ka prezantuar në publik listën e kandidatëve për të gjithë Shqipërinë, ai ka dhënë shpjegime për emra specifikë, personalitetin, cv dhe kontributin e tyre.

    Prandaj kur dolën përgjimet e Jurgis Çyrbjes në SKY ECC ishte mëse e kuptueshme që dyshimet për ndikim nga bandat kriminale të binin mbi Edi Ramën, si kryetar i Partisë Socialiste dhe firmëtar i listës që është dërguar në KQZ.

    Vetëm se SPAK nuk i lejohet ta shohë këtë realitet. Hetimet nuk mund të shkojnë aq lart, prandaj dhe situata kalon në absurd, sikur njeriu që ka hartuar listën e kandidatëve është Vangjush Dako, i cili me logjikën e SPAK rezulton se është ai përgjegjës për caktimin edhe të numrit 8 në listën e kandidatëve, që është vetë Edi Rama.

  • Suel Çela kryeredaktor i Shqiptarja.com dhe Report TV? Përplasja e Bollinos me Syrin në gjykatë

    Suel Çela kryeredaktor i Shqiptarja.com dhe Report TV? Përplasja e Bollinos me Syrin në gjykatë

    Plas debati i bujshëm. A kanë përgjegjësi Shqiptarja.com dhe Report TV për lajmet e infiltruara nga banda e Elbasanit?

    Pronari dhe botuesi i Report TV dhe Shqiptarja. com, italo-shqiptari Carlo Bollino ka njoftuar se do ti drejtohet gjyqit kundër medias online, Syri.net e cila, nisur nga publikimi i dosjes së fundit të SPAK, ka bërë një koment ku dilet në konkluzionin se banda e Suel Çelës përcaktonte politikat e tij editoriale.

    Shkas për këtë episod të ri të një përplasjeje të vjetër, është bërë emri i gazetarit Elton Qyno, i cili akuzohet nga Prokuroria e Posaçme se për gjatë vitit 2020 ka botuar mbi 10 lajme sipas porosisë së bandës elbasanase të Suel Çelës. Sipas dosjes prej të cilës gazetari është marrë në hetim ai ka publikuar në mediat e Bollinos, lajme kundër kundërshtarëve të Suel Çelës, lajme me emrat e atyre që do kontrollonte operacioni OFL si dhe ka kërkuar fshirje të emrave nga artikuj të botuar apo publikimin në vende më të dukshme të tyre. Pikërisht këto fakte ka rimarë Syri.net në artikullin Suel Çela si kryeredaktor i Carlo Bollinos!

    Sipas tezës që mbrohet aty, në bazë të përgjigmeve të nxjerra në SKY ECC, këto politika editoriale shkojnë me tej se kompetencat e një gazetari të thjeshtë. Në shkrimin e Syrit pretendohet se ky fenomen ka ndodhur vetëm në median e Bolinos dhe me djeni të tij.

    “Suel Çela, në mënyrë konstante vendoste se cili lajm duhet të dilte i pari, cili do të zbriste më posht në renditje, dhe si duhej bërë titulli, apo nëse duhej bërë flash e lajmi i fundit, e asnjë nga këto vendimarrje nuk janë kompetencë e Elton Qynos, si reporter lajmi. Për ata që njohin median, e dijnë fare mirë, që kjo kompetencë nuk është e gazetarit, pasi ai është raportues lajmi, e më pas janë drejtuesit e Redaksisë që vendosin për renditjen që i bëhet lajmeve, kush dhe kur del Flashi informative, apo renditjes së tyre në platformën online. Tek Report TV dhe Shqiptarja.Com, këtë eksluzivitet e mban Carlo Bollino, si drejtues editorial, por edhe pronar njëkohësisht”.

    Por pikërisht këtë qasje pronari italo shqiptar e quan si të denjë për gjyq. Në një shkrim ku jepet lajmi i padisë dhe ku citohet vetë Bolino ky i fundit bën alibinë e mediave të tij duke e hedhur fajin e vetëm tek reporteri që i boton lajmet pa pasur hierarki dhe redaktorë mbi kokë. Pa dhënë përgjigje për kritikën se në mediat e tij janë realizuar edhe akte editoriale që nuk mund ti kryejë një gazetar i thjeshtë bolino shkruan:  “Raporti mes një gazetari dhe eprorëve të tij bazohet tek besimi i ndërsjellë, dhe ky besim përfshin vërtetësinë e lajmeve që gazetari dorëzon për botim dhe korrektësinë e burimeve të tij, burime që gazetari ka të drejtë dhe detyrim deontologjik t’i mbajë sekret edhe ndaj kryeredaktorit të tij. Pas një bashkëpunimi profesional prej 10 vitesh me Elton Qynon, me qindra dhe qindra artikuj të botuara, të cilin gjithnjë e kam konsideruar korrekt, shpresoj dhe dua të vazhdoj të besoj në pafajësinë e tij. Por nëse akuzat e SPAK-ut do të vërtetohen nga gjykata, kjo do të thotë që Elton Qyno ka tradhtuar atë besim ndaj meje dhe kolegëve me të cilët bashkëpunonte, dhe në këtë rast unë dhe mediat e mia do të jemi viktima, jo bashkëpunëtorë të tij.”

    Pra shkurt, Qyno mund të ketë ngrënë kumblla dhe dardha pas shpinës së shefit. Ky është një version i vlefshëm vetëm për ata që këmbëngulin ta besojnë me çdo çmim. Por ama, thënë këtë një meritë i duhet njohur Carlo Bollinos, ajo e koherencës. Edhe kur në mars 2023 një tjetër gazetar i tij u akuzua pas daljesë së një përgjimi se e përdorte profesionin për vënie gjobash, ai e la përgjegjësinë tek reporteri duke thënë se në mediat e veta ka rregulla të forta profesionale dhe deontologjike për të botuar: “Sa i takon Adriatik Doçit ai e di shumë mirë se cilat janë rregullat etike, profesionale dhe deontologjike që duhet të zbatohen për të punuar te Shqiptarja.com dhe Report TV. Deri tani me mua i ka respektuar gjithnjë. Por nëse ka ndryshuar ide apo profesion, do të ishte mirë të ndryshonte edhe botues”.

    I armatosur me këtë mendësi duket se Bollino do ti drejtohet gjykatës për të kërkuar të drejtën përballë syri.net që e akuzonte se “Suel Çela arriti të merrte kompetencat e kryeredaktorit në organizimin e Edicioneve informative në Report TV dhe renditjes së lajmeve tek Shqiptarja.com, të cilën kurrësesi nuk mund ta bënte Elton Qyno”.

  • Nga Agim XHAFKA – Rama i shkruan Trump

    Fort i dashtun Donald,

    Po të shkruaj me të dy dialektet e shqipes që ta mësosh se na të duam e të kemi dasht si perëndi qysh kur ke lindur. Zgjedhja yte në krye të botës, se afërmendsh bota është USA, na gëzoi pa masë dhe gëzuashi e ju në postin e lartë.

    Mora kurajon me shkru këto rreshta nga që nuk po gjeja mundësi të hyja në bisedë telefonike me ty. Them me ty e jo me ju nga që të ndjej afër, si babain tim, si njeri të familjes sime. Ju e dini që mund të më quani kështu nga që dhëndërit ia dhashë me zemër ishullin e vetëm që kemi; Sazanin.

    Iu luta Vuçiçit, Orbanit e plot të tjerëve, por ndërsa ata më premtonin nuk më vinte sinjal prej jush. Duhet më besu që ngela në avion, mbi Evropë, thuajse tre ditë në pritje të një zile celulari. E kuptoj se e kini full agjendën, por dhe ne e kemi full dëshirën me folë me ju.

    Donald, këmbëngul me bisedu mes nesh sepse dua të të them ca sekrete që nuk t’i thotë ekipi yt. Nga që unë kam qenë mik, shok, vëlla quaje, me Sorosin e madh dhe të voglin e do ta kuptosh se sa të ka urryer ai e sa luftë ka bërë kundër teje. Soros gati më futi në luftë dhe me opozitën time duke bërë non grata liderin e saj, Berishën që është më proamerikani në krejt gadishullin tonë.

    Soros hodhi në erë sistemin e drejtësisë shqiptare. Na serviri një reformë që na e shiti për verë e na dual uthull që thartoi krejt shoqërinë.

    Më quaj një të penduar dhe si i penduar do ta zbras krejt barkun. Veçanërisht të kuptosh që thënia ime në CNN, që Trump, pra ju, jeni turpi i botës, është sajesë e Soros. Qysh atëherë ai përdorte Inteligjencën Artificiale dhe në atë studio nuk jam unë. Është dikush si unë që ka dasht me ma marrë erzin.

    Donald, po pres të më ftosh në inagurimin tënd. Do kesh në krah Edi Ramën që do të të japë hollësi për Sorosin, do të ndihmoj me këtë rast edhe Musk në rentabilitetin e shtetit dhe në efikasitetin e reformave gjigante që do ndërmarrësh o gjigand.

    Mos më lerë kështu tuj prit e tuj prit se jam tip emocional dhe nuk e di ku e zbraz zemërimin pastaj. Ndoshta ke dëgjuar që jam person me kartelë. Me kartelë sportive u them atyre që më shohin shtrembër.

    I yti për katër vjet.

    Edi, mo Edi.

  • Nga Basir ÇOLLAKU – ‘Biden i Hunterit’ dhe ‘Biden i Berishës’

    Nga Basir ÇOLLAKU – ‘Biden i Hunterit’ dhe ‘Biden i Berishës’

    Darka e fundit, dekreti i fundit, falja e fundit. Duket se presidenti amerikan në ikje, Joe Biden, bëri një punë për vete, duke çliruar nga dënimet federale me burg djalin e tij, Hunter Biden, të cilin drejtësia amerikane e kishte shpallur fajtor për së paku dy akuza.

    Kur sanksionoi Sali Berishën non grata në maj të vitit 2022, për pretendime korrupsioni as sekretari Antony Blinken, as Departamenti i Shtetit, prej dy vitesh nuk nxorën asnjë fije letre provë, në asnjë vend duke përfshirë Shqiprinë kaotikë e autokratike nën thundrrën e Edi Ramës.

    Kongresmeni Lee Zeldin, nominuar si sekretar për mjedisin në adminsitratën e re Trump, iu drejtua Departamentit të Drejtësisë disa herë, për dosjen e zotit Berisha. Zero përgjigje.

    Pasi Berisha bëri padi në Francë ndaj sekretarit Blinken, ekipi “Soros” lëvizi dhe ngriti në këmbë në Shqipëri, prokurorë e police, të gjenin një dosje për të fajësuar liderin e opozitës, sepse kishte ngelur gafil pa prova DASH dhe sekretari.

    Arnuan një tallava të Taulant Ballës një kallzim të rremë, për një Vendim Qeverie, se dhëndërri ish-kryeminstrit kishte marrë mes mijëra qytetarëve, 410 metra tokë pronë të tij si pjesë takuese të ish-klubit “Partizani”.

    Struktura e Posaçme u ngut të marrë masa sigurie e arrest shtëpie me një material sa komik aq dhe precedent të dëmshëm për drejtësinë e pretenduar si të reformuar, ndërsa tani Strasburgu po nxjerr lakrat politike të vendimit.

    Në 200 faqe vendim gjykate, mbahen me gjasme ndryshim të destinacionit të një prone, akt i firmosur nga kryeministri Edi Rama por fajin e ka Saliu.

    Katër vite hetime aq sa Hunter Biden, nuk sollën ende asnjë provë për Berishën, ndonëse kanë hetuar në çdo minut të detyrës së tij e familjes së tij.

    Hunter Biden del edhe në aferën e Charles McGonigali dënuar me Edi Ramën, ku këshilltarët e KM janë pjesë e kompanisë kineze, ku të dhënat dalin nga laptopi i djali të presidentit amerikan.

    Biden ishte shpallur fajtor për vepra penale federale lidhur me akuzat për mbajtjen në mënyrë të paligjshme të një arme zjarri dhe mospagim taksash.

    Kongresi e senati kanë hetuar edhe për marrëdhëniet me kompani kineze e ukrainase, për dyshime për akte të mëdha korruptive të familjes Biden.

    Njeriu me më fuqi në planet, ankohet se akuzat e ngritura ndaj të birit nga drejtësia amerikane, kanë ngarkesa politike.

    Përfshirje politike në aktpaditë amerikane qenkan konstatuar nga Presidenca, e cila ka korrektuar qëndrimin e drejtësisë me falje. Një e drejtë fundja që ia njeh Kushtetuta e vendit të tij.

    Ndërsa kujtojmë se ndaj Presidentit Donald Trump, prokurorë të zgjedhur nga mbështetja e Soros, ngritën 34 akuza, e gatuan pafund seance gjyqësore për ta dënuar, duke u munduar ta ndalonin të kandidonte e të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë.

    Pas fitores ata u tërhoqën dhe kishte nga ata të “penduar” që pranuan angazhimet e tepruara për synime politike. Ndërsa në Tiranë dosja e Berishës është e gjitha politike. Zv/drejtori i FBI në qeli, McGonigal u pajtua nga Rama të hetojë PD e të punojë me Soros e argatët e ekipit të Ramës, për të përfshirë në listën nongrata Berishën. Më politike se kaq, pa kokërr prove në katër vite, vështirë mund të gjejnë.

    Si ka firmosur sekretari pa asnjë vendim askund, apo si ka falur presidentit Biden të birin me së paku dy vendime amerikane të drejtësisë.? Duket se “Biden i Hunterit”, nuk beson te drejtësia amerikane, ashtu si “Biden i Berishës” besonte se drejtësia shqiptare ndonëse nuk kishte asgjë, do e gjente një dosje për të justifikuar vendimin e adminsitratës së tij. Ky vendim është në një farë mënyre heqja e atij sanksioni të lobuar politikisht e financiarisht nga aktorë të cilët janë në hetim. Në USA të dënuar, në Tiranë ende në hetim nga janari vitit 2022 në Prokurorinë e Posaçme..