Blog

  • Nga Armand SHKULLAKU – Kur Rama ankohet se fajin e ka Tik Toku

    Shembulli dhe modeli i Rilindjes janë sot deformimi më i madh që po i bëhet shoqërisë shqiptare

    Kryeministri- artist shpalli sot përpara shqiptarëve dilemën e tij të madhe nëse duhet të vendosen filtra sigurie për rrjetet sociale apo duhet marrë një vendim drastik, siç tha ai, për mbylljen e plotë të tyre. Tronditja shoqërore që shkaktoi vrasja e një 14 vjeçari nga një bashkëmoshatar i tij, pranë një shkolle në mes të Tiranës, e detyroi Edi Ramën të dilte vetë sot personalisht përpara kamerave, pas mbledhjes së qeverisë. Dhe, në pamundësi që për këtë rast të deklaronte se fajin e ka Saliu dhe opozita, shpalli pretencën për Tik Tokun dhe Snapchat-in.

    Sigurisht që ngjarje të tilla tragjike nuk bëjnë automatikisht me faj qeverinë, ato mund të ndodhin kudo në botë. Përgjegjësia e atyre që janë zgjedhur për të drejtuar, konsiston në sistemin edukativ që ndërtojnë dhe masat efikase që premtojnë të marrin për të rritur sigurinë. Por të dalësh para qytetarëve dhe këto përgjëgjësi t’ia kalosh Tik Tokut, duke lënë të kuptohet se qeveria ka bërë gjithçka dhe mbyllja e plotë e disa rrjeteve sociale do e zgjidhë problemin e dhunës në shkolla, është skuthëri politike dhe pandjeshmëri ndaj një tragjedie.

    Edi Rama nuk ka zbuluar ujin e nxehtë duke thënë se disa platforma online nxisin dhunën. Por ai nuk është kryeministër për të përsëritur analizat e sociologëve e psikologëve. Ai në radhë të parë duhet të analizojë se çfarë modeli i ka ofruar shoqërisë në 12 vite qeverisje, si edukativ ashtu edhe social.

    A ka përgjegjësi Tik Toku për nivelin e degraduar arsimor e edukativ këto 10 vitet e fundit? Për mashtrimin e 2013-ës se buxheti i arsimit do të shkonte në 5 përqind të GDP me ardhjen e Rilindjes në pushtet? Po për kullëzimin e terreneve sportive, kinemave, qëndrave kulturore e rekreative? Shqipëria ka njohur një rënie të lirë si në cilësinë e arsimimit ashtu edhe në krijimin e mjedisit të shëndetshëm e të sigurtë për edukimin e brezit të ri. E këtu futet edhe siguria në shkolla, ku çdo ditë raportohet për akte dhune, shitje e përdorim narkotikësh e deri tek mbajtja e armëve. Mbyllja e Tik Tokut vështirë të jetë zgjidhja për këto fenomene, pavarësisht idesë gjeniale të Edi Ramës.

    E sa i takon modelit social që disa platforma si Tik Toku ofrojnë, duke shkaktuar devijime të rrezikshme, është mëse e vërtetë, por ato janë ku e ku më të papërfillshme në krahasim me modelin që Rilindja i ka imponuar shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe të rinjve në veçanti. Gjuha e dhunës, bullizuese, seksiste e denigruese e kryeministrit ndaj kundërshtarëve politikë,  lë pas edhe tiktokerët më të zellshëm në këtë fushë. Zgjedhjen dhe promovimin si përfaqësuesit më të lartë të qyetarëve në Parlament, pushtet lokal dhe qeveri, të kriminelëve, banditëve dhe hajdutëve, nuk ka platformë online që ta promovojë si model më mirë se sa Rilindja. Depuetë që qëllojnë me armë, që godasin me grushta në Kuvend, që paguajnë për vrasje, që trafikojnë drogë, strehojnë vrasës e blejnë vota. Të zgjedhur lokalë që dhunojnë me shkopa bejsbolli e kërcënojnë me armë, ministra që vjedhin edhe të sëmurët në spitale e kryebashkiakë që rruajnë paratë e buxhetit direkt për xhepat e tyre. Drejtorë e shefa që zhvasin taksat e qytetarëve për llogaritë e kompanive të tyre private apo për të mbushur tubat e aspirimit. A ka platformë në botë që mund të ndikojë si model suksesi tek të rinjtë më shumë se sa kjo e Rilindjes?

    Nëse kryeministri nuk do të marri përgjegjësinë që i takon si për modelin edukativ ashtu edhe atë social që ka instaluar në këto 12 vite, më e ndershme do të ishte të heshtte se sa të shpallte “masa drastike” për mbylljen e plotë të Tik Tokut e Snapchatit. Sepse nuk ka platformë virtuale që mund konkurrojë me atë reale të Rilindjes. Fotot dhe videot e Edi Ramës and co nëpër fushata me këngëtarë, që jo vetëm predikojnë dhunë por janë dhe vetë të përfshirë në të, madje që edhe sponsorizohen në rrjet për t’u shpërndarë sa më shumë, ku ndryshojnë nga mesazhe të ngjashme në Tik Tok? Po transformimet estetike të ministreve e drejtueseve të shtetit që shteruan krejt botoksin dhe e kanë shndërruar parlamentin dhe qeverinë në sallon mode, a kanë më shumë ndikim se sa manekinet që fryjnë buzët në Instagram?

    Për të mos folur pastaj për hipokrizinë e një kryeministri, që përgjegjësinë për sigurinë në shkollat shqiptare do t’ia rrasi Zuckerbergut apo kinezëve, ndërkohë që ai vetë dhe oborri i tij, i kanë fëmijët në shkolla private, madje duke i garantuar në trafik edhe me policinë e shtetit.

    Shembulli dhe modeli i Rilindjes janë sot deformimi më i madh që po i bëhet shoqërisë shqiptare, i cili nuk mund të mbulohet me fajin e ka Tik Toku. Edi Rama mund të mbylli gjithçka dëshiron në këtë vend, madje pa patur dilema fare, i ka mundësitë. Por ai nuk mund të mbyllë dot kurrë sytë e njerëzve, para të cilëve është përgjegjësi real dhe jo virtual i dramës që po jetojnë.

  • Nga Lutfi DERVISHI – Një tragjedi që mund të përsëritet …

    Ngjarja tragjike e ndodhur në shkollën Fan Noli në Tiranë, ku një 14-vjeçar humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur pas një sulmi brutal, ka tronditur shumëkënd. Por është një tragjedi e paralajmëruar. Ky akt dhune, kryer nga tre bashkëmoshatarë të viktimës, nxjerr në dritë një realitet të hidhur: pasojat e rënda të konflikteve të nisura dhe të nxitura në rrjetet sociale dhe dhunën si model suksesi.

    Sipas raportimeve fillestare, motivi kryesor i krimit duket të ketë qenë një sherr në rrjetet sociale që më vonë përshkallëzoi në dhunë fizike. Brenda 90 sekondave, një “sherr” virtual u shndërrua në  tragjedi. Ngjarja është një këmbanë alarmi për të gjithë: familjen, shkollën, institucionet shtetërore dhe vetë shoqërinë.

    Duhet pranuar se modeli i suksesit që promovohet prej vitesh është modeli i dhunës: dhunë verbale, dhunë virutale, dhunë fizike. Dhuna që gjenerohet në rrjete sociale, promovohet në median tradiconale dhe finalizohet me “top modelë” në Kuvend dhe institucione

    Rastet e dhunës ku përfshihen të mitur nuk janë të reja. Kanë ndodhur dhe do të ndodhin. Por mungesa e mbikëqyrjes dhe ndikimi i mediave sociale e ka bërë situatën edhe më shqetësuese. Mediat sociale, që  janë krijuar për të bërë bashkë njerëzit dhe për të ndarë informacion, po shndërrohen gjithnjë e më shpesh në platforma për ngacmime, bulizim, kërcënim dhe përshkallëzim konfliktesh.

    Për nxënësit, të cilët janë ende në proces të formimit emocional dhe social, konflikte të tilla marrin përmasa dramatike. Një status, një foto, një koment i pamenduar ose një postim provokues mund të nxisë zemërime që kalojnë nga ekrani në rrugë.

    Ngjarja ku humbi jetën 14 vjeçari ngre pyetje që sot janë retorike:  A jemi të ndërgjegjshëm për komunikimin dhe mjedisin e dhunshëm në të cilin po jetojmë? A është bërë mjaftueshëm për të mësuar të rinjtë mbi menaxhimin e konflikteve? A janë prindërit dhe mësuesit të vetëdijshëm për ndikimin që mediat sociale kanë në jetën e nxënësve?

    Detyra e shkollës sot nuk mund të kufizohet vetëm në dhënien e dijeve akademike. Sot më shumë se kurrë duhet folur për rrezikun e konfliktit dhe nevojën e komunikimit. Në të njëjtën kohë, prindërit duhet të jenë më të interesuar jo vetëm për jetën reale, por edhe jetën virtuale të fëmijëve të tyre.

    Ngjarja e sotme është vetëm një nga shumë raste që tregojnë se si dështimi për të adresuar ndikimin e mediave sociale dhe mungesa e edukimit për të menaxhuar emocionet dhe konfliktet mund të sjellin pasoja fatale.

    Eshtë urgjente nevoja e rritjes së  ndërgjegjësimit për ngacmimin virtual.

    Shumë lajme janë bërë dhe shumë garanci janë dhënë  për “përfocimin e sigurisë publike në shkolla”. Ngjarja e sotme tregon se çdo propagandë nuk të çon gjatë. Fjalët bosh për “paketa sigurie” në shkollë, për memorandume dhe strategji sot tingëllojnë si tallje.

    Tragjedia në Tiranë nuk është vetëm një ngjarje e izoluar, por një simptomë e një problemi më të madh shoqëror. Që shkollat të mos shndërrohen në skena tragjedish, por të jenë hapësira për edukimin e brezit të ri, debati duhet të nisë sot.

    Mosveprimi sot mund të kushtojë jetë të tjera nesër. Diskutimi për ndikimin e mediave sociale nuk është më zgjedhje, por një domosdoshmëri.

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Nëse nuk do të kishim SPAK, Rama, Balluku, Veliaj, Balla +, do të ishin në qeli

    Nga Basir ÇOLLAKU – Nëse nuk do të kishim SPAK, Rama, Balluku, Veliaj, Balla +, do të ishin në qeli

    Zhurma euforike e reformës në drejtësi nuk mund ta heshtë dëmin e madh të mosveprimit të saj. Ka vepra të rënda. Të cilat e thellojnë të keqen me kosto të rëndë e të pariparueshme.

    Ja u bë SPAK.

    U puthën Lu-ja dhe Vlahutini. U ngritën përpjetë 140 kartona mandatesh.

    Festë ambasadash. Por Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë më keq do të jetë.

    Nëse nuk do të kishim SPAK do kishin ndodhur së paku këto ngjarje të domosdoshme.

    Do ishin të pandehur ose në qeli detyrimisht, këto emra të munguar.

    Edi Rama; do të ishte i pandehur për dosjen e Inceneratorëve 430 milionë euro, Charls McGonigal, Portin e Durrësit 2 miliardë euro, investimet strategjike, Tunelin e Llogarasë, rrugën e Arbërit, rrugën Kashar-Thumanë, Eko Parkun Durrës 13 milionë euro, ku janë familjarë të tij, Tenderat e AKSH 43 milionë euro, ku janë familjarë të tij e një pafundësi përfshirjesh

    Belinda Balluku; do të ishte e pandehur për tenderat bashkë me drejtorin e saj Berberin. Për Llogaranë tunelin 190 milionë eurosh me dëm së paku 50 milionë euro, tendera rrugësh, si ajo e Arbërit afro 600 milionë euro, dhe Kashar Thumanë me koncension 1 2 miliardë euro, tenderat e energjjsë qindra milionë euro, Agregatët në Vlorë mbi 100 mijë euro në ditë,

    Erion Veliaj; do të ishte i pandehur dhe arrestuar prej kohësh për inceneratorët, dosjen 5D ku dy grupe të strukturuara kriminale akuzohen në Bashki dhe kanë në krye drejtorët e tij. Për Eco Tiranën ortake me Veronën ku janë arrestuar krerë kompanish e bashkish për lidhjet me Ndranghetën, për pemët që kushtojnë një fidan 6375000 lekë një fidan. Për dosjen e ndërtimit të kullave të Ndranghetës sipas dosjes së Antimafias italiane ardhur në 2020 në SPAK ku në Itali ka të arrestuar dhe sekuestrime. Për tenderat elektoralë. Për ndërtime shkollash e kopshtesh si qoka kompanive financuese në zgjedhje. Për përqindjen e banesave sociale kthyer në para. Për lejet e kullave shumëkatëshe në Tiranë.

    Taulant Balla; do të ishte i pandehur. Për Toyota Yaris. Për lidhjet me Begon dhe punët rreth tij. Për përgjimet e zhdukura të 2016 kur u vranë Çapjat në Elbasan. Për përgjimet sipas kallzimit të oficerit Emiljano Nuhu, ku Suel Çela kërkonte mbajtjen e premtimeve se kishte paguar 3 milionë euro në fushatën e vitit 2017. Për masakrën e shkatërrimit të sistemit TIMS. Për përgjime në sky-encro ku emri përmendet pafundësisht herë

    Ulsi Mania; do ishte në hetim për investimet në Farkë. Për ushtrim të ndikimit të paligjshëm në disa raste hetimesh, për burgjet ku kërcet pistoleta më fort se luga. Për përmendjet nëpër telefonat e kriptuar për histori jo fort rozë

    Olta Xhaçka; do ishte e pandehur për investimet strategjike me bashkëshortin Gaçi. Për tenderat kur ishte ministre e mbrojtjes. Për tendera konsulence për Tony Blair e të tjerë. Për marrëveshjen e detit ku katrahura rri ende mbuluar. Për bazën detare. Për dosjen 41.

    Benet Beci e Armando Subashi; Beneti për tenderat ku u tolerua arresti për shkak të lidhjeve në Strukturën e Posaçme. Nëse merren zgjedhjet e 14 majit 2023 lidhjet e përgjimet ku banda e qytetit ka qenë aty. Subashi për inceneratorët dhe histori të dala rrugës të cilat struktura i ka nëpër dosje.

    Ardian Çela drejtori socialist Durrës

    A është në dosjen e Çyrbes dhe këtë SPAK e di e thërret por nuk e thotë publikisht. Sepse janë emra të tjerë politikë në Durrës dhe zinxhiri është i gjatë. Gjushi është sërish emër i përsëritur. Rama ka miratuar kërkesat e grupeve kriminale të këtij qarku.

    Olsi Rama; do të ishte i pandehur dhe në qeli nga viti 2014 në dosjen “Xibraka” të kokainës. Për biznesin e call centerave financia në shuma marramendëse ku emri del në investigimet e medies së huaj. Për raportin e OSBE shtator 2015 ku thuhet se Edi Rama ka 200 milionë euro pasuri të cilat qeverisen nga i vëllai në SHBA.

    10 prokurorë e gjykatës të SPAK-GJKKO

    Do ishin në pranga për nderet e bëra banditëve ku emrat e tyre lakohen pafundësisht në mesazhet telefonike nëpër përgjimet e gjendura në dosje.

    10 gjykatës të niveleve të larta dhe KPK e KPA

    Përdorues të sky-encro dhe të përfshirë në vepra të rënda kriminale. Prokurorë e gjyqtarë të çdo niveli duke përfshirë SPAK e GJKKO në masën 80 përqind për veprime nën ndikimin e KM Edi Rama.

    Së paku 20 oficerë të lartë policie

    Do ishin të pandehur dhe në qeli për bashkëpunim të frikshëm me grupet kriminale. Pjesëmarrje në vrasje. Trafik droge pastrim parash. Bashkë në ekipe elektorale të qeverisë e partisë në disa zgjedhje

    Ilir Proda; nuk do të ishte sot drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit por në hetim, pasi vetë struktura i sekuestroi telefonin për dyshime dekonspirimi për operacionin Çopja.

    10 biznese të mëdha do ishin të pandevur arrestuar dhe në qeli. Pasi janë përfshirë në lidhje kriminale të trafiqve dhe pastrimit të parave. Bashkëpunime e ryshfete të mëdha pushtetit me ministra e zyrtarë të lartë.

    Rradha e amnistisë është e madhe. Në një vend ku nuk do të kishte SPK, por do të kishte Krime të Rënda apo thjesht Juridiksion i Përgjithshëm emrat më sipër do ishin nëpër kafaze. Por ne kemi SPAK dhe kemi edhe këto….

  • Nga Meri LIKA – Po me antikitetin do krahasohemi?

    Nga Meri LIKA – Po me antikitetin do krahasohemi?

    Ligjërata arrogante e kryeministrit, ashtu si gjithmonë janë ligjëratat e tij, i ra gozhdës dhe patkoit, vetëm në dy pika; tek bonusi për pensionistët dhe tek krahasimi me qeverinë e demokratëve përpara 12 vitesh. T’i thuash sot pensionistëve se pensionin do t’ua rrisësh vetëm 400 lekë dhe se do t’u japësh lëmoshë në fund të vitit, është t’i kthesh ata në kohën kur shqiptarët hanin vetëm një herë në vit.

    Theksimi i shpeshtë, gjatë ligjëratës së tij, i 2 bonuseve nuk është asgjë tjetër, por një karrotë që rreket t’i tërheq pensionistët për t’u marrë votën, po jo për t’u dhënë dinjitetin. Kryeministri nuk iu tha pensionsitëve se përse ata janë të trajtuarit me më pak dinjitet se të ngjashmit e tyre në rajon. Ai nuk iu shpjegoi se përse ata e kanë pensionin mesatar 128 euro ndërkohë që të ngjashmit e tyre në Bosnje e kanë 272 euro, ata në Maqedoni 283 Euro, ata në Serbi 287 euro dhe ata në Mal të Zi 359 euro. Ai nuk iu shpjegoi se përse të ngjashmit e tyre në Kosovë, tek një shtet i cili ka vite jetë shumë më pak se sa Rama ka në pushtet, pensioni mesatar u bë 318 euro.

    Por kryeministri nuk na shpjegoi as shumë e shumë gjëra të tjera. Ai nuk na shpjegoi se sa do të ishin fondet për arsimin në mënyrë që të ndryshojë renditja në raportin Pisa. Ai nuk na tregoi se sa do të ishin fondet që do të investohen në mjekësi në mënyrë që mjekët të mos kthehen në pazarxhinjë të ilaçeve që mungojnë.

    Ai nuk na tregoi se sa do të investohet në bujqësi që fermeri ynë të mos i lër tokat djerrë e të shkojë të punojë tokat e Evropës. Ai nuk na tregoi se sa do të investohet në turizëm që pronat e shqiptarëve të mos bëhen plaçka të të përzgjedhurve të tij si investitorë strategjik. Ai, në asnjë moment nuk na tha se do të investohet në mbrojtjen ushqimore për të ndaluar ëë ushqimet serbe, por dhe mbeturinat e botës të mos e kthejnë tumorin si grip. Ai, në asnjë moment nuk na tregoi se si do përballohej dëmshpërblimi që mori Francesco Becchetti. Ai, në asnjë moment nuk na tregoi se si do ndalet korrupsioni i koncesioneve dhe PPP-ve, të cilat sot marrin pjesën e luanit.

    Ai në asnjë moment nuk na tregoi se si do të investohet në siguri që të kemi jetën të sigurt. Ai në asnjë moment nuk na tregoi se sa do të investohej në atë të shkretin “Ujë 24 orë” që është premtuar që para 12 viteve. Kryeministri gjatë ligjëratës së tij pasi e hodhi dhe e përdrodhi fjalën bonus lartë e poshtë, majtas e djathtas, madje edhe diagonal, kaloi tek krahasimi i sukseseve të qeverisjes së tij me ato të qeverisjes së demokratëve përpara 12 vjetësh.

    Pas dymbëdhjetë vjetësh në pushtet, kryeministri harroi të bëntë krahasime të sukseseve të tij me qeverisjen e Enverit, të Zogut madje do kishte bërë mirë të krahasohej dhe me antikitetin se me siguri që sukseset e tij do ishin patjetër “evidente”. Të flasësh për qeverisjet e mëparshme 12 vjet më pas kur i ke patur vetë, timonin dhe tepsinë dhe të mos kesh bërë asgjë për të rritur nivelin e mirëqenies, shëndetësisë, sigurisë, arsimit, ushqimit, bujqësisë e as të turzimit, është si të ulet një piktor e të na flasë për teorinë e relativitetit.

    Në fakt mendoje se kam gabuar kur kam thënë se po të krahasoje me antikitetin sukseset do ishin evidente. Gabim i madh ky nga ana ime. Në kohën e antikitetit por edhë në të gjitha qeveritë e mëparshme kurrë nuk ka qenë një numër kaq i vogël shqiptarësh që jetojnë në tokën e tyre dhe të kenë qenë kaq të keq qeverisur, kaq të vjedhur, kaq të shitur dhe kaq të varfër.

  • Nga Lutfi DERVISHI – Problemi më i madh

    Në Shqipërinë tonë të vogël, më e madhe se dashuria për atdheun, është  talenti që kemi për të bërë paqe me çdo problem.

    Jemi populli që jo vetëm dimë të mbijetojmë, por dimë edhe të mos bezdisim veten duke kërkuar zgjidhje. Refreni ynë? “Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë do të jetë”

    Trafiku

    Çdo mëngjes, në kryeqytet, në hyrje dhe dalje të tij, zhvillohet një shfaqje artistike: makina që ndalojnë, lëvizin 5 cm, ndonjëherë 10 cm dhe prap ndalojnë. Zgjidhje për trafikun? As që bëhet llaf. E kemi pranuar me filozofi stoike: “Do kemi trafik, dhe një ditë do të ketë aq makina në rrugë sa as makina s’do mund të leviz më!” Një vizion gjenial për të krijuar muzeun e parë të trafikut të përhershëm.

    Ikja

    Kemi nisur të flasim për  largimin masiv të nga vendi. “Kanë ikur, po ikin dhe do të ikin,” thonë politikanet, me një buzëqeshje që sfidon edhe nënqeshjen e Mona Lizës. Nuk ka asgjë  për t’u shqetësuar. Është vetëm historia që përsëritet. Dikur emigronim për bukën e gojes, tani për të shkuar në një vend ku sundon ligji.

    Korrupsioni

    Korrupsioni është si rakia: e prodhojmë me bollëk dhe e ndajmë me të gjithë. “Gjithmonë ka pasur korrupsion,” thonë ekspertët, ministrat dhe analistët. Ashtu si oksigjeni, është i domosdoshëm për jetën, edhe korrupsioni është vaji që lubrifikon sistemin. Lufta  kundër tij do ishte si të tentosh  të ndalosh frymëmarrjen.

    Punët Publike

    Punët publike këtu janë si serialet turke: askush nuk e di kur do të mbarojnë. Por nuk ka vend për t’u shqetësuar! Refreni që dëgjojmë jo vetëm që na qetëson, por na vë edhe në gjumë: “Ska kohë për pushim.” Sigurisht, kjo nuk do të thotë që rruga do të perfundojë, është sinjal që do të zvarritet në mandatet e ardhshme. Të mos harrojmë, zvarritja është pjesë e trashëgimisë tonë kulturore.

    Pensionistët

    Me çmimet që fluturojnë në qiellin plot ré dhe pensionet që zvarriten, pensionistët po praktikojnë një jetë me më pak kalori. Ndërkohë, qeveria që e kap lepurin me qerre e gjen tak – fak fajtorin: bizneset që nuk duan të paguajnë më shumë taksa., Afermendsh, problemi s’mund të jetë sistemi. Faji është gjithmonë i tjetrit.

    Konkluzioni

    Në vend që të luftojmë për zgjidhje, kemi gjetur një mënyrë më të lehtë: paqe me problemin. Vendi është kthyer në një tokë pjellore që kultivon artin e pranimit fatalist. Dhe siç themi sa herë ndihemi keq: “E bën Zoti mirë…”

    Dhe meqë punët e mëdha ja kemi lënë Zotit, derisa Ai të kujtohet për ne, ne, ngushëllohemi me trafikun, korrupsionin dhe ikjen. Pasi, ashtu si e ka thënë filozofi modern shqiptar: “problemi ynë më i madh është se ne nuk kemi problem asnje problem.”

  • A ka media që paguhen për t’i shërbyer Kinës dhe Rusisë, në Shqipëri?

    A ka media që paguhen për t’i shërbyer Kinës dhe Rusisë, në Shqipëri?

    Shefja e SHISH: ja lista e mediave të rublave.  Pas dyerve të mbyllura thuhet se është dorzuar nje dokument “mediash online që vihen në dispozicion”

    A duhet të besojmë se në Shqipëri ekziston një grupim mediash që paguhen ose i shërbejnë vendeve si Kina e Rusia, ose bien në mënyrë të pavullnetshme pre e tyre? Kështu mund të besohet dëgjon ato pak informacioneve që kanë rrjedhur nga Komisioni i Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.

    Në këtë komision absurd, që është bojkotuar nga opozita, e cila e ka parë me dyshim si një gjueti shtrigash kundër fjalës së lirë, ka dhënë sot dëshminë e saj shefja e shërbimit sekret Vlora Hyseni. “Çeshtja nuk eshte a ka dezinformacion, por se si duhet prandaluar ai” tha ajo gjate fjales se saj ne pjesen e hapur per publikun.

    Ndonëse në faqen zyrtare të kuvendit theskohet se “kjo seancë dëgjimore u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të informacionit të klasifikuar”, në deklaratën që dha para mediave kryetari i këtij komisioni, Erion Braçe, theksoi se SHISH-i kishte dorëzuar një listë të gjatë mediash që bien pre e dezinformimit dhe që janë përdorur për fushata manipulative. “Në informacionin që ka ardhur pranë Komisionit të Posaçëm të Kuvendit ka një listë të gjatë të mediave që bien pre, ashtu siç ka dhe një listë të gjatë tjetër mediash online që vihen në dispozicion”, u shpreh fillimisht Braçe.

    Ky ka qenë në fakt edhe refreni që është dëgjuar që para votimit për ngritjen e këtij komisioni në mesin e prillit të këtij viti. Papritmas socialistët zbuluan se kjo influencë e huaj ishte shndërruar në një urgjencë për vendin. Vetë Rama publikoi një status ku kërkonte ecjen me shpejtësi në këtë rrugë. Ish-kryeparlamentarja Nikolla i dërgoi një letër diplomatit të lartë amerikan, James Rubin, i cili mbulon këtë fushë në vendin e tij, për të folur përpara kuvendit për të njëjtën çështje. Ndërsa TV-të pranë qeverisë njoftuan se në skanerin e komisionit të sapo ngritur do të kalojnë mediat on line, për të cilat, fiks siç u tha dhe sot, shërbimi sekret ka të dhëna që financohen në mënyra të errëta.

    Në fakt, ky komision u ngrit, në shembullin e disa vendeve të tjera perendimore qe kanë shqetësim për dezinformimin nga Rusia dhe Kina, u fol se do të shqyrtohej influenca e tyre edhe tek ne.

    “Komisioni i Posaçëm do të zbatojë një qasje holistike dhe afatgjatë për adresimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike, që mund të përfshijnë fushatat e dezinformimit në mediat tradicionale dhe sociale për të ndikuar në opinionin publik, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë për përpjekjet për dezinformim, shantazhimin ekonomik të aktorëve publikë dhe manipulimin e shoqërisë civile” thuhej në kërkesën e socialistëve për ngritjen e këtij komisioni.

    Tani pas shtatë muajsh, sipas informacioneve të flitruara në publik, të cilat i referohen deponimit të shefes së shkikur Vlora Hyseni, rezultoka se ka media që bëjnë lojën e vendeve armiqësore me shqipërinë kundër demokracisë së saj. 

    Pra lista e panjohur për të cilën aludohet se është dorëzuar këtë të mërkurë pranë komisionit përmban dhe Tv apo portalet që kanë ceduar në këtë drejtim. Pyetja që shtrohet është: a duhen mbajtur ato pas dyerve të mbyllura? Apo në të kundërt këto fakte duhen bërë publike në mënyrë që qytetarët të jenë vigjilentë ndaj këtyre influencave.

    Sepse duke u sjellë kështu, në një komision vetëm me rilindas dhe me gjysma faktesh, që i bëjnë pis të gjithë, po pa përmendur asnjërin konkretisht, duket sikur kemi të bëjmë me një fushatë propagandistike kundër lirisë së fjalës, përmes njollojses të të tërëve.

    Vendet nga të cilët rilindasit pretendojnë se e kanë kopjuar këtë nismë, nuk kanë folur në ajër, por me emra konkretë. Kështu janë të njohur eurodeputetët që dyshohen se ruajnë kontakte me oficerë të FSB-së ruse. Po ashtu janë përmendur drejtpërdrejt portale në Evropën lindore që financoheshin për të ndaluar ndihmën ndaj Ukrainës. Fakte të tilla nuk ka pse ruhen pas dyerve të mbyllura duke u mbajtur sekret dhe përdorur si shantazh. Madje më e mira e nismave të tilla është që ato të denoncojnë me prova në sytë e publikut që ai të jetë sa më pak i prekshëm ndaj kësaj propagande.

  • Nga Andi BUSHATI – Republika ku Rama është mbi ligjin, as pyetet, as dëshmon, as hetohet

    Pse sjellja e deputetëve socialistë që refuzojnë dëshminë e Ramës, nxjerr në dritë të keqe prokurorët e SPAK

    Deputetët socialistë në komisionin hetimor për koncesionet në shëndetësi dëshmuan një qëndrësë të hekurt, për të mos lejuar marrjen në pyetje të kryeministrit Edi Rama, lidhur me PPP-të që i kanë kushtuar buxhetit të shtetit afro gjysëm miliardi Euro.

    Ndonëse opozitarët këmbëngulën se të drejtën për të thirrur këdo që i’u dukej e arsyeshme e kishin fituar prej Gjykatës Kushtetuese, prtetendimet e tyre ranë në vesh të shurdhër. Argumentat kundërshtues qenë nga më banalët deri tek më qesharakët. Dikush thoshte se koha e komisionit skadonte këtë të enjte, e për këtë arsye nuk mund të kishte dëshmi të reja, e një tjetër mbronte tezën se opozita duhet të kënaqej duke pyetur ish ministrin e shëndetësisë, Ilir Beqaj – që e kishin enkas nga qelia – dhe nuk kishte të drejtë të kërkonte më tepër sesa kaq.

    Deri këtu nuk ka asnjë gjë për t’u çuditur. Ka kohë që Edi Rama po e trajton veten si dikush që qëndron mbi ligjin dhe e ka banalizuar aq shumë këtë koncept, sa ushtarët e tij e mbrojnë pa i’u skuqur faqja. Ai kërkohet në interpelanca në kuvend dhe i injoron ato. Ai thirret për mocion nga deputetët dhe as do ti’a dijë aspak se është i detyruar të japë llogari. Madje edhe më keq se kaq. Thjeshtë me pretendimin se s’më do qejfi, ai pengon të drejtën e opozitës për të ngritur komisione hetimore, ku ai gjendet i përfshirë, si ato për udhëtimet me çarterin personal, apo ato për mbylljen e televizionit Agon Channel, për të cilin shteti shqiptar pritet të paguajë mbi 100 milionë euro dëmshpërblim.

    Kjo sjellje prej derkuci më të barabartë se të tjerët brenda të njëjtës fermë, nuk përbën më problem për vetë Ramën. Ai e ka shpallur publikisht sjelljen e vet prej autokrati që i shpërfill me përbuzje rregullat demokratike. Por ajo krijon së paku dy probleme midis atyre që konsiderohen si kundërshtarë të tij, apo si pushtete të pavarura që teorikisht duhet të kontrollojnë atë.

    Në radhë të parë, ajo demaskon ata opozitarë që luajnë rolin e debilëve të dobishëm, duke bërtitur lart e poshtë se beteja me kryeministrin nuk zhvillohet në rrugë, por në kuvend; se në garën me të, më shumë se protestat, kanë vlerë idetë; më shumë se flakadanët kanë rëndësi argumentat, më shumë se bojkotet janë të dobishme përballjet. Pyetja për ta është e thjeshtë: si mund të bëhesh pjesë e kësaj sfide kur njëra palë refuzon komisionet hetimore, interpelancat apo mocionet? Ç’të mirë sjell normaliteti në një gjendje anormale?

    Ndërsa pyetja tjetër është për prokurorët e SPAK. A kanë ata këllqe të jenë pak më të pavarur sesa Plarent Ndreca apo Edona Bilali në komisinin e sotëm hetimor? Këta të dy të fundit, bashkë me kolegët e tjerë rilindas, ishin të vendosur në bindjen e tyre së është e pa imagjinueshme të mendohet se Edi Rama mund të japë llogari. E njëjtë është edhe sjellja e “herojve të fëmijëve tanë”. Ata e dinë se për aferën që kanë burgosur Berishën, po aq përgjegjës është edhe Rama, por pa imagjinuar të shkojnë më tej, tregojnë frikë edhe për ta pyetur për mënyrën si u kthye në truall ndërtimi një terren sportiv. Ata e kanë plasur brenda Ilir Metën, me akuzën se për të kaluar një ligj do shpërblehej me një vilë, por nuk guxojnë ti marrin dëshmi atij që e mbrojti publikisht ligjin dhe që dha dyfishin e votave të LSI-së për ta miratuar atë. Ata i kanë tundur prangat ngrënësve të kumbullave dhe mollëve, Koka e Ahmetaj, por “kanë harruar” shefin që i urdhëroi të paguanin për inceneratorët që nuk ekzistojnë.

    Pra mes një rilindasi leshko që është palë dhe një një heroi spakist që hiqet si i pavaruar, duket sikur nuk ka ndonjë diferencë të madhe. Të dy sillen sipas devizës së regjimit: “Rama qëndron mbi ligjin”. Ashtu si të parët pengojnë komisionet hetimore, dëshmitë, mocionet e interpelancat, të dytët nuk guxojnë as ta marrin në pyetje “shefin e madh”. Pikërisht për këtë skenat e neveritshme që pamë sot tek hetimori i koncesioneve në shëndetësi, nuk mund të skuqin deputetët e PS-së. Atyre tashmë i ka plasur cipa. Ato janë më tepër një njollë turpi për ata që aktrojnë rolin e të pavarurit.

  • Nga Alfred LELA  – Pse fitorja e Trump e kalon PD nga mbrojtja në sulm

    Nga Alfred LELA  – Pse fitorja e Trump e kalon PD nga mbrojtja në sulm

    Parathënia që ‘First Lady’ Linda Rama i kishte ujdisur përkthimit shqip të autobiografisë së Kamala Harris-it, dhe ideja për ta promovur librin në ditët fill pas shpalljes së pritshme të saj si President/e e 47-të e Amerikës, ishte vetëm njëra prej stolive që ‘Komisioni socialist i festës’ kishte përgatitur në Tiranë.

    Një shtab elektoralo-mediatik, nën drejtimin e n/kryetares së Bashkisë, Romina Kuko, ishte ngritur në Partinë Socialiste natën e 5 nëntorit për të pritur me triumfalizëm, shampanjë dhe fishekzjarre zgjedhjen e se preferuarës së socialistëve të Ramës. Në një lidhje direkte të Kukos me emsionin “Open”, përkujdesja e saj për të mos e shprehur hapur mbështetjen për Harris (në rast të çdo eventualiteti), përzihej me dy detaje interesante. Kuko e pranoi se shtabi socialist merrte të dhëna në kohë reale nga shtabi i zv/Presidentes Harris ndërsa në shpinë të saj lëviznin të rinj që, gjatë kohës që ajo fliste konsumonin pije ose ushqime.

    Ishte mjedisi i një feste që nuk përfundoi si e tillë. Diku në orët e para të mëngjesit, ashtu siç mbështetësit e Harris ikën të trishtuar nga Howard University në DC, edhe mbështetësit e saj në Tiranë lanë ‘shtabin e festës’.

    Socialistët, pavarësisht idesë plot me iluzione se Rama “e ka rregulluar me Trump se do t’i japë Sazanin”, nuk e durojnë dot Presidentin Republikan. Ata do të donin, dhe po prisnin, që të zgjidhej Kamala Harris. Jo se e njohin atë, apo se ia çmojnë politikat dhe prirjet për Shqipërinë apo rajonin, por se ishin të sigurt për lidhjet e forta të mikut të shefit të tyre Rama, Alex Soros me Kamalën dhe kampin demokrat. Sidomos pas martesës së Soros Jr. me Huma Abedin, një stratege dhe këshilltare e kahershme e elitës demokrate në Amerikë.

    Për të kuptuar se socialistët i humbën shpresat dhe i ulën armët e ‘shtabit të festës’ në Tiranë, mjafton të dini se Romina Kuko refuzoi të lidhej sërish me emisonin “Open” të mërkurën në mbrëmje kur presidenca Trump ishte një fakt i certifikuar.

    Me siguri, porosia nga ‘qendra’ ka qenë: nëse nuk gëzojmë dot për Harris, nuk na lejohet as të shprehim mërzinë për Trump.

    Në këtë kuptim, kapitulli i socialistëve me Shtëpinë e Bardhë dhe favoret ekstra-institucionale duke përdorur dorën e Alex Soros në derën e 1600 Pennsylvania Avenue, duket i mbyllur. Derikur dhe nëse do të gjendet një sekser tjetër, socialistët duhet të mjaftohen vetëm me ëndrrën e ishullit të Sazanit që kalon nga firma e Ramës.

    Nëse një kapitull është mbyllur, është hapur një tjetër. Për Partinë Demokratike. E mbijetuar pas një përpjekje të përqendruar trans-nacionale, partia më e madhe e opozitës po përjeton një lehtësim të ligjshëm pas rezultatit spektakolar të Trump.

    Emërimet e Presidentit të zgjedhur, të paktën në fazën e parë, i japin të drejtë. Lee Zeldin, ish-kongresmeni aq i zëshëm në komisionet e Kongresit për non grata-n e Sali Berishës, disa herë i pat kërkuar Sekretarit Blinken llogari dhe fakte për dizajnimin e ish-kryeministrit shqiptar. Trump e zgjodhi që në ditët e para si shef të EPA-Agjencisë së Mbrotjes së Mjedisit, pozicion në rangun e një Sekretari (ministri) duke patur parasysh vëmendjen që merr mjedisi, sidomos në rrafshin e përplasjes mes të majtës dhe të djathtës për naftën, energjinë e rinovueshme, makinat elektrike apo konvencionale, shpimet në Alaskë, ngrohjen globale etj.

    Edhe zgjedhja e pritshme e Sekretarit të Shtetit, zëvendësuesit të Blinken, që zyrtarisht parashikohet se do t’i shkojë Marko Rubios, por në prapaskenë po lobohet edhe për Ric Grenell, në çdo rast është një emërim që favorizon opozitën e djathtë. Rubio është pasardhës i kubanëve të larguar nga terrori komunist i Kastros dhe, rrjedhimisht me një vesh më të ndjeshëm për retorikën anti-komuniste. Narrativa e Grenell është tashmë e qartë në Tiranë: sikur asgjë tjetër ai e ka thënë publikisht se gjatë punë së tij si shef i shërbimeve inteligjente amerikane ai nuk ka parë asnjë provë dëmtuese për Sali Berishën.

    Edhe përzgjedhjet e tjera, si ajo e Stephen Miller, shef kabineti për politikat, një skifteri të kauzave anti-liberale, dhe sidomos Elon Musk, flasin për një prirje të qartë të administratës Trump. Miliarderi Musk mund të konsiderohet, bashkë me Viktor Orban në Hungari dhe Sali Berishën në Shqipëri si një nga tre njerëzit kryesorë të retorikës anti-Soros në botë.

    Mund të thuhet me siguri se Shtëpia e Bardhë e katër vieteve të ardhshme është qartësisht anti-Soros.

    Ky konfiguracion i ri politik në Washington thotë shumë teorikisht. Praktikisht, e çliron Berishën dhe PD nga të luftuarit në ‘frontin perëndimor’. ‘Armiqtë’ amerikanë kanë humbur dhe non grata shndërrohet sakaq nga një certifikatë me shtysa ideologjike dhe politike, në një vendim që mund të shfuqizohet me mjete të procedurës, pra një burokraci.

    Sepse, duhet thënë, nëse i heq mantelin politik, non grata e Sali Berishës bie bashkë me Blinkenin si Sekretar Shteti dhe forcën e Soros në Shtëpinë e Bardhë.

    Kjo dijeni i lejon Partisë Demokratike që, nga sot e deri në zgjedhjet e ardhshme e në vijim, të dalë nga pozicioni mbrojtës e të luajë në sulm.

  • Nga Basir ÇOLLAKU – SKY-PD, ‘Çyrbja-PS’ dhe Ols …

    Nga Basir ÇOLLAKU – SKY-PD, ‘Çyrbja-PS’ dhe Ols …

    Rritja e numrit të dosjeve sky-enchro, shoqëruar me publikime përgjimesh ka rritur edhe hallet nëpër partitë politike, drejtësi, polici, biznese e medie.

    Dje Partia Demokratike, grupi i saj parlamentar ka propozuar një ndryshim në Rregulloren e Kuvendit, duke kërkuar që çdo deputet të vetëdeklarojë nëse ka përdorur  aplikacion “SKY ECC dhe ENCRO-CHAT”. Ka bërë mirë. Shanset e mazhorancës për të pranuar këtë, janë ZERO.

    Publikimet e disa përgjimeve të dosjes “Çyrbja”, deputetit të arrestuar të PS kanë thelluar telashet.

    Propozimi i PD

    PD ka qëlluar në adresën e duhur me këtë akt, ndonëse qëndrimi e vendimi i PS, dihet. Kundër totalisht. Por, do të ishte më mirë që PD, propozimit t’i bashkëngjiste në Kuvend dhe 52 deklaratat e deputetëve të saj, si jopërdorues të këtyre aplikacioneve. Natyrisht të ftonte edhe 7 deputetët aleatë të plotësonin deklarimet. Kjo, për të mos pasur kusure, duhet të jetë kriter edhe për parlamentarët 2025, për të gjithë kandidatët garues në kahun opozitar e madje edhe për funksionarë të tjerë të saj. Përgjegjësia e këtij pohimi të shkruar, do të bjerë individualisht mbi këdo. Përballja penale, nëse qëllon të jetë rrëfim i rremë, nuk duhet të përfshijë në asnjë rast partinë si mbrojtëse.

    Çyrbja-PS

    Deputeti i PS u “këshillua” të lërë mandatin për hetimet rreth padisë së deputetit të PD, Edi Paloka dhe ca orë më vonë shpërtheu akuza nga dosja e telefonave të kriptuar. Aty dalin ngjarje të rënda. Edi Rama rezulton të ketë firmosur ndryshimet në renditjen e listës së deputetëve, sipas kërkesave të grupeve kriminale. Ardian Çela, si drejtues politik në Durrës, ish-drejtor i OSHE është thirrur për dëshmi rreth kësaj historie. Gjushi, është emri tjetër i përdorur nga bandat në bërjen gati të listës së deputetëve. Natyrisht, nuk është histori akulloresh.

    Ols … dhe ndikimi?!

    Sërish në dosjen e deputetit të arrestuar, ka ndikime të tjera të paligjshme. Hajri, një tjetër emër i botës së krimit në Durrës kërkon ndere për kunatin. Tjetri për të prishur mrrokllën pistoletë pa leje. Pagesat, sa të duash. Hap gojën.

    Ky ministri është burrë i mirë!! E dini kush është? Të nderuar Prokurorë, ne nuk kemi 5987 ministra. Drejtësia dhe rendi kanë maksimumi katër emra për verifikim në periudhën e ndodhisë hetimore. Po njoftuesit e Çyrbes për sekrete, kaq zor është të gjenden?!

    Po Ols … që ka bërë punën e vet?!

    Kur duhet zgjatur koha e ekstradimit? Nuk e ka praktikën SPAK?!?  Nuk e merr dot në Prokurori dhe Ministri?!

    Disa nga emrat Ols në drejtësi

    Olsian Çela, Prokuror i Përgjithshëm më pare, edhe ish-kreu i Krimeve të Rënda,

    Olsi Xhavella ish-gjyqtar i Gjykatës së Apelit Korçë, i shkarkuar nga procesi i rivlerësimit.

    Olsi Komiçi, komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, paditur në 2021 në SPAK, nga Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion për falsifikim dokumentesh

    Ols Dade, prokuror në Strukturën e Posaçme dhe nga 21 janari 2020 deri në 6 mars 2023, ndihmës magjistrat në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme.

    Nuk ka dijeni kush ishin prokurori përgjegjës në Prokurorinë e Përgjithshme dhe burri i mirë në Ministrinë e Drejtësisë?!

    As studion avokatore të një deputeti të mazhorancës nuk e gjejnë dot, ndonëse e kanë me emër dhe mbiemër?!

    Sipas përgjimeve, episodi i datës 28 janar 2021, ndër të tjera në bisedat mes Altin Hajri dhe Jurgis  Çyrbja thuhet:

    “..ma kanë dhonë fjalën, veç po presim një letër-porosi dhe jam ok vlla. Ka mundësi ai, se është burrë i mirë ky tani që është ministër vlla. E ka shumë shok më thane, shife vetë se më prishin shumë punë, se po i rregulloj ishalla këtë muaj që vjen. Dhe Ols, e ka bo punën e vet vlla, thuaj faleminderit shumë se i kishte thënë avokatit, “është porosia e shefit”. Për Ols vëlla, plus ka qenë ke avokati vetë 2 herë e ka bo punën e vet…”

    Natyrisht kërkohet kryqëzim informacioni dhe dokumentacioni, duke saktësuar periudhat e veprimeve. Shpesh thotë Niçja Fridrih, se për të parë thellësinë e gjërave, duhet të shohësh thjesht në sipërfaqe. Apo e nget më tej William Shakespeare, kur përmend se: “Është më mirë të vdesësh i keqkuptuar, sesa të kalosh gjithë jetën duke u shpjeguar”…!

  • Nga Erion DASHO – Borati përballë Trampit: Make Albania Great Again!

    Nga Erion DASHO – Borati përballë Trampit: Make Albania Great Again!

    Donald Tramp shpërtheu dyert e qeverisjes amerikane me një prej agjendave më sovraniste dhe më konservatore që mund të mendohej. Asnjë politikan i kohës moderne nuk ka arritur një fitore kaq spektakolare duke patur në qendër të fushatës një qëndrim kaq radikal dhe anti-establishment.

    Turmat e oborrit qeverisës në Shqipëri, përfshi median e blerë dhe puthadore të Boratit, pasi u mbetën të pahapura shishet e shampanjës me të cilat shpresonin të festonin fitoren e agjendës “woke”, janë duke bërë me djallëzi pyetjen, “A do të preket direkt Shqipëria nga fitorja e Tramp?”

    Përgjigjja ime është një “Po” e qartë dhe pa asnjë mëdyshje!

    Shqipëria është pjesë e botës dhe sikundër çdo cep i botës edhe ajo do të preket direkt nga agjenda konservatore dhe kursi sovranist që do të ndërmarrë në katër vitet e ardhshëm superfuqia ekonomike, politike dhe ushtarake e planetit.

    FAMILJA

    Në qendër të ideologjisë fituese të Trampit është familja e shëndetshme, e madhe në numër, e ndërtuar sipas konceptit tradicional; familja e cila ka shërbyer prej mijëra vjetësh si bazë e ndërtimit të shoqërisë njerëzore.

    Për të kuptuar dallimin e qartë me përafrimin trampist, mjafton të shohësh përçudnimin që ka sjellë rilindja në mënyrën e funksionimit të familjes dhe përpjekjen e sforcuar dhe artificiale për t’i imponuar shoqërisë shqiptare vlera të huaja dhe të papranueshme.

    Me fitoren e Trampit, shoqëria shqiptare tradicionale dhe konservatore në gjenezë, do të marrë frymë e lehtësuar. Së fundi, edhe në Shqipëri do të rivendoset theksi tek familja si bërthama e komunitetit, shoqërisë dhe kombit.

    KOMBI

    “Make America Great Again”, MAGA, është një parrullë të cilën duhet ta zbatojë çdo popull dhe çdo komb, sidomos shqiptarët të cilët mund ta përdorin MAGA-n edhe literalisht, thjesht duke ndërruar America me Albania!

    Sovranizmi që shpreh kjo parullë është emocionues për çdo patriot të mirëfilltë. Sigurisht jo për patriotët e shtirë dhe maskarenjtë e rilindjes të cilët tek nacionalizmi i shpifur kanë gjetur këto muaj strehën e fundit.

    Në kohën kur kombi shqiptar ndodhet përballë sfidës më të madhe ekzistenciale, asaj të shpopullimit, MAGA shqiptare do të ishte parulla që do të shndërrohej në mision të lëvizjes që duhet të synojë fillimisht ndalimin e hemorragjisë apo “komb-rrjedhjes” dhe gradualisht do të sjellë rimëkëmbjen e kombit shqiptar.

    MAGA shqiptare duhet të krijojë një “Aliyah” të kombit shqiptar për të rikthyer në Shqipëri të gjithë shqiptarët e dëbuar mizorisht nga tradhtarët dhe gjakprishurit e rilindjes dhe Boratit.

    KUFIRI

    Sot çdo vend ka nevojë për një emigracion të kontrolluar, por jo për një emigracion me dyer të shqyera. Në qeverisjen e Boratit, Shqipëria u kthye në kosh mbetjesh për kriminelët e botës, vend transit për trafikun e qenieve njerëzore dhe destinacion i forcës punëtore më të pakualifikuar.

    Në epokën e inteligjencës artificiale, Shqipërisë i duhen indianët dhe ukrainasit që programojnë robotët e së ardhmes, jo bangladeshasit, nepalezët dhe afrikanët që vijnë në Shqipëri për ta përdorur atë si trampolinë në procesin e trafikimit në Evropë. Shqipërisë nuk i duhet as plani degradues “Meloni” dhe publiciteti negativ që ai krijon.

    Shqipërisë së shekullit të 21-të i duhet qasja trampiste, hungareze dhe polake ndaj mbrojtjes së kufijve. I nevojitet emigracioni përzgjedhës, për të sjellë në vend emigracionin cilësor, për të mundësuar sa më tepër emigracion të trurit dhe sa më pak emigracion të muskujve.

    EKONOMIA

    Përkundër agjendës “drill baby, drill” të Trampit që synon ta kthejë Amerikën në fuqi energjetike, Shqipëria e Boratit i ka mëshuar agjendës hajdute të paneleve diellore dhe blerjes së energjisë së ashtuquajtur “të pastër” me çmime astronomike.

    Llogaria është e qartë. Nëse KESH e ble energjinë diellore me një çmim nga më të lartët në botë, dikush mund të jetë duke përfituar qindra milionë euro nga kjo aferë. SPAK e ka për detyrë të hetojë atë që mund të jetë një krim ekonomik dhe korrupsion shumë më i rëndë se koncesionet e rrugëve, PPP-të e shëndetësisë dhe djegësit.

    Çdo vend duhet të gjejë rrugën e vet të rritjes së qëndrueshme ekonomike. Shqipëria është ende duke e kërkuar atë, por është e sigurt se as korrupsioni i kusarëve grykës të Boratit, as aleanca me oligarkinë dhe as ortakëria me narkotrafikun ndërkombëtar nuk janë modelet e duhur.

    Shqipërisë sovraniste i nevojiten modele zhvillimi të ngjashme me ato që krijuan tigra si Singapori i largët, apo ekonomi solide si Sllovenia e afërt. Shqipëria duhet të identifikojë dhe të nisë të zbatojë një model, bazat e të cilit ka për detyrë t’i krijojë një lëvizje politiko-shoqërore e drejtuar nga parimet e MAGA-s.

    BESIMI

    Kombet e sotëm kanë patur tek besimi një nga bazat më të forta në rrugën e përvijimit dhe zhvillimit. Në amullinë e shekullit të 21-të, besimet vazhdojnë të ofrojnë yllin polar drejt të cilit shoqëritë orientohen kur rrezikojnë të humbin vlerat.

    Borati katoliko-ortodokso-myslimano-ateist është në fakt një birbo që nuk ka asgjë të përbashkët me besimin. Besimi nuk mund të jetë kurrsesi shfrytëzim i fesë për palaçollëqe si marifeti me shtetin bektashi, apo përfshirja e komunitetit të nderuar mysliman në lojëra force me gylenistë dhe erdoganistë.

    Shqiptarët e shekullit të 21-të duhet t’i rikthehen besimit. Duke u bërë myslimanë të mirë, ortodoksë të mirë, katolikë të mirë dhe bektashinj të mirë, qytetarët e vendit tonë do të bëhen edhe shqiptarë më të mirë.

    ***

    Unë nuk e di nëse Trampi do të arrijë ta zhdukë apo ta dobësojë sorosizmin aq shpejt sa duhet për të mos e lejuar atë të njësohet me politikën amerikane dhe të bëjë ligjin në cepin tonë të botës.

    Nuk e di as nëse Trampi do të arrijë ta rishikojë në kohë dosjen “non grata” të Doktor Berishës për t’i mundësuar opozitës një fushatë elektorale më të ndershme dhe më të barabartë.

    Por ama unë jam i sigurt se një agjendë e bazuar tek familja, kombi, besimi dhe ekonomia e fortë do ta bëjë Shqipërinë një vend më të denjë për të jetuar sesa agjenda e bazuar tek perversitetet e lëvizjes “woke” që sollën në Shqipëri Borati dhe rilindja.

    Unë jam i sigurt se “Make Albania Great Again” mund të frymëzojë shqiptarët e shpërndarë nëpër botë të rikthehen në tokën e tyre për ta bërë atë një vend të begatë dhe familjet e fëmijët e tyre qytetarë dinjitozë të botës.

    Unë besoj në forcën e ndryshimit që ka nisur me presidencën e dytë Tramp dhe uroj që në të njëjtin këndvështrim ta shohin edhe gjithë shqiptarët!

    Çështja e shtruar sot para shqiptarëve është, “A do t’i bashkohen agjendës së Trampit apo do të vazhdojnë llokoçitjen në ujërat e turbullt ku noton prej 12 vjetësh Borati dhe rilindja?”

    Mbështetja për Boratin dhe rilindjen sot është në kundërshtim me zhvillimin që do të nisë në mandatin e dytë të Trampit dhe me gjasa do të vazhdojë edhe në të ardhmen e parashikueshme.

    Me zgjedhjet e majit 2025, bashkatdhetarët tanë në Shqipëri dhe në botë kanë shansin që vetëm pak muaj pas fitores së Trampit në Amerikë ta kthejnë Shqipërinë në një vagon të lokomotivës që sot quhet MAGA.

    Ne, shqiptarët, duhet të kuptojmë se ka ardhur koha të hipim sërish në trenin që na çon në drejtimin e duhur të historisë…