Blog

  • Nga Luçiano BOÇI – Brate Vuçiç i Druzhe Ramës

    Sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit tronditi opinionin ndërkombëtar dhe politikën shqiptare për mënyrën e qëllimin e ekzekutimit. Të gjithë pothuaj reaguan ashpër.  I vetmi që “nuk e prishi terezinë” ishte Rama.

    Ky njeri që “përvesh llërët” e gjuhës së tij të shthurur e sharëse ndaj kundërshtarëve politikë, sa herë i duhet në këtë rast foli pothuaj me përdëllim e përulje.

    “Patrioti i madh” që s’lë cep sallash pa mbushur me flamuj për të mashtruar emigrantët, nuk e fsheh pikëllimin e tij ndaj sulmeve që mund t’i bëhen Vuçiç-it dhe nuk ia ndien fare se çfarë po i ndodh Kosovës.

    1. Si në rastin e Banjskës të cilën e quajti “tokë të askujt”, vëllai i Vuçiç-it dhe territorin në Ibër Lepenc nuk e quan në asnjë rresht tokë shqiptare të Kosovës dhe cenim të integritetit të saj!

    2. Aktin terrorist ndaj Kosovës ky “druzhe” e quan akt sabotimi!!?

    A thua serbët kishin thyer një saraçineskë uji dhe jo që kishin vendosur 15 kg tritol në një pikë jetike! Ndërkohë që shënjestra është tipike terroriste: goditje ndaj infrastrukturave me rëndësi strategjike.

    3. Vazhdon duke e cilësuar si “krim të rëndë i cili cenon jetën e qytetarëve”!!?

    A thua të ishte një përplasje bandash nga ato që ndodhin rëndom në Shqipëri! Ndërkohë që ai është një sulm terrorist, jo thjesht ndaj cenimit të jetës, por dhe sulm terrorist ndaj shtetit të Kosovës dhe kombit tonë.

    4. Kërkon “zbardhjen e ndëshkimin në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar”!!??

    Hapur fare pa e fshehur sikurse Vuçiç, shpreh mosbesim të plotë ndaj institucioneve ligjzbatuese kosovare dhe hedh insinuata të rrezikshme ndaj qeverisë së Kosovës.

    Një poshtërsi epike kjo!

    5. Pretendon se “formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultate”!!?

    Këtu ky “patrioti tregishtësh” hidhet në sulm të hapur ndaj Kurtit e Kosovës!!!

    Me gjuhë gjarpri kërkon të ketë rikthim në idetë e tij të bashkërenduara me Vuçiç, ose për

    a) shkëmbim territoresh, të cilën tentoi ta realizojë dhe pa aprovimin ndërkombëtar, por me axhendë specifike. Ose për

    b) planin e tij të Asociacionit që e shpalosi me krenarinë e tradhtarit faqe botës, që mundëson një republikë të re Serpska në gji të Kosovës. Ose për

    c) atë konferencën e famshme ndërkombëtare të propozuar nga ky mendja globale, e cila që pa nisur, vë në dyshim ekzistencën e shtetit të Kosovës.

    As më shumë e as më pak kjo është një deklaratë që konfirmon qëndrimin pro serb të këtij argati, i cili me politikat e tij ka defaktorizuar sot peshën dhe rolin e shqiptarëve në rajon dhe ka prodhuar një sulm frontal ndaj tyre kudo: në Serbi, në Maqedoni, Mal të zi dhe madje deri brenda në Kosovë.

    Falë vëllazërisë Rama-Vuçiç sot Serbia ka marrë frenat e ekonomisë së rajonit e rrëmben investimet më të mëdha që vijnë nga Evropa, Turqia e deri Kina.

    Ky druzhja e bratja “patrot” i Vuçiç-it ndërkohë shkruan statuse përdëllyese ndaj akteve terroriste kundër shqiptarëve!

  • Nga Armir SHKURTI – Doktor Adhamudhi dhe Tik Toku

    Nga Armir SHKURTI – Doktor Adhamudhi dhe Tik Toku

    Kasaphanën e të miturve tek “Fan Noli” Edi Rama u ngut t’ia faturojë rrjeteve sociale. Ata na çedukojnë fëmijët që edukon nëna, baba, qeveria, shkolla, shoqëria, policia… çfarë edukon ditën gjithë ky “sistem i së mirës” na e shthurin natën djajtë e Tik Tokut dhe Snapçatit!

    Zgjidhja?

    “Të dhemb njëri sy? Kërreje të të shpëtojë tjatri! Të dhemb një dorë? Preje të të shpëtojë tjatra”! – zbulonte doktor Adhamudhi i Çajupit.

    Edhe Adhamudhi ynë në këtë përfundim të madh ka dalë: “Kërre Tik Tokun që na shthur fëmijën”!

    Tingëllon ëmbël për disa. Por asnjë s’e pyet doktor Edin: “Çfarë i ofron ti më të mirë se Tik Toku o kryeministër”?

    ■ Kur erdhe ministër kulture në qeverinë e Nanos, u ngute të mbyllësh kinematë, Adhamudh! I mori një miku yt që erdhi me ty nga Franca që bën pallate. Kryeqyteti ka një kinema sot. Qytetet s’kanë më asnjë.

    ■ Në sheshin Skënderbej kishim teatrin e kukullave. Me repertor mediokër dhe performancë për faqe të zezë, por ISHTE ATY. Sot nuk është më. E keni degdisur në të sëmës. Që të mos e vendos pikë më vete, të njejtin fat pati edhe cirku, i cili gjallon në një sallë mbledhjesh në një qendër tregëtare private.

    ■ RTSH, televizioni publik, e ka një kanal vetëm për fëmijët: “RTSH Femije”. Por për turp të Zotit, qarkullon prej vitesh 3-4 filma vizatimorë prehistorik: Ben Ten, Kamioni Leo, Roza dhe Rudi, filmavtë kohës kur ishin fëmijë prindërit e fëmijëve të sotëm. Të varfër në sasi, të mjerë në cilësi.

    ■ Teatrin kombëtar e shembi dhunshëm duke e shpërngulur në mjediset e një ish laboratori të hidraulikës. Vënia në skenë e shfaqjeve diktohet nga projektet, buxhetet, sponsorizimet dhe jo kriteret artistike.

    ■ Teatri i varietesë (estrada) nuk ekziston më.

    ■ Albafilm (këtu s’po harxhoj kohë!)

    ■  Fushat, sheshet dhe terrenet ku mblidheshim, luanim dhe kalonim kohën kur ishim fëmijë sot janë pallate ndërsa fëmijët duhet ti marrësh me makinë e ti çosh në periferi, në qendra tregëtare, për të luajtur në lisharës. Ndërsa fotboll – nëpër fushat private të kalçetove.

    Tani më thoni, o njerëz të mirë:

    ■ Ku duhet ta kalojë kohën fëmija ynë?

    ■ Çfarë alternative ka, përveç celularit dhe rrjeteve sociale, për tu argëtuar , informuar dhe kaluar kohën fëmija ynë?

    DHE PYETJA NJË MILIARDËSHE PËR DOKTOR ADHAMUDHIN:

    ■ Çfarë programi ka qeveria jote për kulturën?

    “Rilindja” është një emër i nderuar, që mbart shumë ngarkesë emocionale për shkak të rëndësisë në përgatitjen e pavarësisë së vendit. Dhe “Rilindja” e atëherëshme u bë me dije,  kulturë, shpirt dhe gjak. Ju e përdhosët atë emër duke e vjedhur atë kostum për t’ju shitur qorrave si Naimi, Lazgushi a Çajupi. Por programi i kësaj “rilindje” përmblidhet në tendera, sende, objekte, projekte por jo në platforma ringjallje të kulturës sonë, integrim me atë bashkëkohore dhe përhapje masive, në rradhë të parë mes të rinjve e fëmijëve. Kur kryeministri apo hip- hop kryetari i bashkisë së Tiranës dalin përqafe nëpër fushata me yje Tik-toku dhe reperë që i këndojnë krimit dhe drogës nuk kanë sy e faqe të qahen sot se “na zbën Tik Toku atë punë që bën familja, shkolla e qeveria bashkë për edukimin e kalamajve”

    Edhe një pyetje të fundit për Adhamudhin:

    E zemë se e hoqëm fare Tik Tokun, Snapçatin dhe gjithë platformat çedukuese. Çfarë do t’u ofrosh fëmijëve në këmbim?

  • Nga Armand MAHO – Berisha, saga e një beteje për dinjitet dhe zgjedhjet e 2025-ës!

    Lufta e Sali Berishës nuk filloi në dhjetorin e një viti më parë. Jo, në atë vit kulmoi me gjithë tërbimin e tij mekanizmi  pushtetit si mjeti i fundit për ta nënshtruar. Arresti shtëpiak, në shkelje të Kushtetutës së këtij vendi, ishte akti i fundit për të dekurajuar Berishën, i cili prej më shumë se tre vjetësh po përballet me një komplot të paprecedent në historinë politike. Them të paprecedent, pasi nuk është parë e dëgjuar që kundër një ish presidenti, një ish kryeministri dhe një politikani që ka qenë present në jetën e vendit prej 34 vjetësh, të ngrihej një sulm i tillë i pabazuar në asnjë provë e asnjë fakt. Në këtë intifadë kundër tij, Rama, i cili kishte si objekt rrënimin politik të tij, përdori çdo gjë. Paratë e krimit për të korruptuar deri funksionarë të lartë të departamentit të shtetit, favore për të marrë në krah të tij diplomatë dhe funksionarë të ambasadave, të cilët u bënë deri në qesharakë në pëdorimin e tyre. I përçau partinë. Luftoi fort që në krye të saj të qëndronte një kukull në duart e tij, duke i mbajtur peng simbolet dhe vulën për më shumë se dy vjet. Bëri gjithçka mundi për ta denigruar e shantazhuar deri tek të afërmit e tij. Përdori çdo media që kishte në dispozicion, duke rikthyer në to figura që si beson as familja e tyre  për të ngritur akuza qesharake të padëgjuara ndoshta që nga koha e mesjetës.

    Dhe jo vetëm kaq.

    Edi Rama nuk ngurroi të lëshonte si qen sulmi kundër tij dhe institucionet e drejtësisë dhe të tjera. Me prokurorë që vinin nga koha e qoftëlargut, me gjyqtarë me nga pesë mbiemra, të cilët ishin në konflikt interesi me detyrën që kryenin, pasi ishin shkarkuar nga Berisha për korrupsion në kohën kur ka qenë kryetar i KLD. Nuk ngurroi të bënte ‘kokë turku’ dhe bashkëpunëtorët e tij, vetëm e vetëm për të dhënë imazhin e rremë se ndaj Berishës, drejtësia po zhvillonte në proçes të balancuar. Shkuan deri aty sa avokat t’i caktonin një figurë qesharake nostalgjike të komunizmit dhe diktatorit. Ndoshta në këtë shkrim e kam të vështirë të kujtoj të gjitha ç’kanë ndodhur në këto 3 vite, por ajo që di është se çdokush tjetër do të dorëzohej para një represioni të tillë.

    Por ja ku jemi sot. Pas një maratone izolimi prej 330 ditësh, ku si armë të vetme lufte kishte dritaren e tij, fjalën dhe besnikët që mblidheshin çdo natë poshtë saj, Berisha ia doli të triumfojë. Njësoj si në vitet e vështira të ’97-’98, kur për çdo ditë me një grusht mbështetësish bëntë protestën e tij, edhe këtë herë ai nuk u dorëzua. Ia doli të dilte mbi romuzet politike dhe mediatike. Ia doli të sfidojë spindoctor-ët e Ramës dhe atyre të partisë “Euroatlantike” të Lulzim Bashës. Luftoi, luftoi, luftoi jo vetëm për të drejtën e tij, por dhe për të drejtën e gjithsecilit që përballet përditë me padrejtësinë e këtij pushteti, i cili jo pa shkak quhet dhe regjim. Shpesh e thoshte se :beteja për dinjitetin, është beteja më e fortë e njeriut”. Kjo aksiomë duhet të vlejë për çdokënd.

    Tanimë Berishën e pret një tjetër betejë. Është ajo e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Kohë s’ka shumë, por ka dhe mjaftueshëm për të organizuar partinë. Personalisht bëj pjesë tek ata persona që besojnë se Rama, pavarësisht të gjithave, është një kundërshtar plotësisht i mundshëm. Pavarësisht propagandës, ai asnjëherë s’ka fituar një përballje në terren të ndershëm loje. Nuk ka qenë fitues as në 2013-ën, as në 2017-ën dhe as në 2021. Në 2013-ën, ishte aleanca me Ilir Metën që e solli në pushtet, në vitin 2017-të dhe në vitin 2021 matematikisht ishte fituese opozita, por përçarja dhe lojrat me sistemin bënë që ta duronim jo pak por 12 vite rresht. Në këtë pikë Berisha s’është nga ata që bën gabime. Fitorja  betejës me rregjimin që u finalizua më 27 nëntor, duhet të kthehet në besim dhe frymë për demokratët dhe më pas për gjithë shqiptarët. Eshtë shembulli më i qartë, se kur ke të drejtë, dhe një njeri i vetëm mund të sfidojë një regjim, qoftë ky dhe si i Ramës, i ngritur në aleancat me krimin. Në rast se arrihet kjo, atëherë Ramën nuk mund ta shpëtojë nga dallga e humbjes as sistemi i shpifur i patronazhistëve që ka ngritur, as propaganda mediatike, dhe as paratë e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sidomos tani, që si ka mbetur asnjë fustan diplomateje që të mbulojë paudhësitë e tij.

  • Sot, 34 vjet nga lamtumira e Margaret Thatcher në Downing Street

    Sot, 34 vjet nga lamtumira e Margaret Thatcher në Downing Street

    Figura kontroverse, e cilësuar si një nga politikanet femra më me ndikim në histori

    Tridhjetë e katër vjet më parë si sot, më 28 nëntor 1990, Margaret Thatcher, pas 11 vitesh dominim thuajse të pakundërshtueshëm të politikës britanike, tërhiqet nga posti i kryeministres dhe udhëheqëses së partisë Konservatore. Figurë kontroverse, e konsideruar si një nga politikanet femra më me ndikim në histori, Thatcher është gruaja e parë angleze që bëhet kryeministre.

    Margaret Hilda Roberts, ende jo ‘The Iron Lady’, një pseudonim që do të vijë më vonë, lindi më 1925 në Grantham, Angli dhe u bë Margaret Thatcher më 1951 pasi u martua me Denis Thatcher, me të cilin ka dy binjakë: Mark dhe Carol. Me një diplomë në kimi në Somerville College të Oxford University dhe një diplomë në Drejtësi, filloi karrierën e saj politike në moshë shumë të re, vetëm 25-vjeçe, kur kandidoi për Partinë Konservatore në zonën Dartford, duke humbur, por duke shtuar në mënyrë të konsiderueshme votat për partinë e saj.

    Më 1959 zgjidhet në Dhomën e Komunave dhe happ rrugën për në parti, por duhet të presë 11 vjet, më 1971, për të ardhur në qeveri si Ministre e Arsimit pas fitores së Konservatorëve që sollën Edward Heath në Downing Street. Katër vjet më vonë, konservatorët humbasin përsëri zgjedhjet dhe Thatcher bëhet lidere e partisë, gruaja e parë që mbante këtë post. Në qeveri është James Callaghan, i Partisë Laburiste, por vendi po kalonte përmes një krize të madhe ekonomike dhe sociale, me borxhe të stërmëdha dhe papunësi gjithnjë e në rritje, teksa shërbimet publike ishin pothuajse në kolaps. Kështu, në zgjedhjet e ardhshme konservatorët fitojnë përsëri dhe Thatcher bëhet kryeministre. Fillon epoka e ‘thaçerizmit’ në ekonomi, e përbërë nga shkurtime në sektorin publik, privatizim të transportit dhe shëndetësisë, stimulim të aktiviteteve të biznesit, një kurë që sipas admiruesve të ‘Iron lady’ – ‘Zonjës së hekurt’ modernizoi vendin, e ndryshoi atë në mënyrë radikale, por sipas të tjerëve, goditi një vend tashmë shumë të brishtë, duke rritur pabarazitë e tij.

    Në fund të mandatit të parë, kur miratimi për qeverinë konservatore ishte shumë i ulët, Thatcherin ‘shpëtohet’  nga lufta e Falklands, kundër Argjentinës, më 1982: junta ushtarake e diktatorëve pretendoi ushtarakisht Ishujt Falkland, një territor britanik, i cili për qeveria e Buenos Aires ishin Malvinas dhe i pushtuan ilegalisht me ushtri.

    ‘The Iron Lady’ vendos të kundërpërgjigjet me armë dhe dërgon në Amerikën e Jugut një flotë anijesh luftarake. Operacioni u shndërrua në një sukses për Britaninë e Madhe dhe ktheu një konsensus shumë të fortë popullor ndaj Thatcher, e cila fitoi gjithashtu edhe zgjedhjet e vitit 1983, duke marrë mandatin e dytë rradhazi. Më 1984 doli e padëmtuar nga një sulm i IRA-s gjatë konferencës së Partisë Konservatore në Grand Hotel në Brighton, ku u vranë pesë persona. Në zgjedhjet e vitit 1987 fiton përsëri dhe bëhet kryeministri i parë dhe i vetëm britanik i shekullit të 20-të që fiton nominimin për tre mandate rradhazi. Qeveris përsëri për pothuajse gjithë legjislaturën, por grindjet e brendshme në parti e detyrojnë të bëjë një hap prapa. Jep dorëheqjen më 28 nëntor 1990, duke i dhënë fund një epoke që askush tjetër në Britaninë e Madhe nuk e ka përsëritur më!

    Materialin e përgatiti për gazetatjeter.net Dardan MITROVICA

  • Donald Trump mund ta pastrojë Amerikën nga ultramajtizmi “woke”

    Donald Trump mund ta pastrojë Amerikën nga ultramajtizmi “woke”

    Nga Mike Gonzalez & Armen Tooloee/ Wall Street Journal

    Woke do të thotë të besosh se Amerika është e mbushur me pabarazi, ku jo vetëm njerëzit e saj, por edhe vetë sistemi është racist dhe ka nevojë për rinovim sistematik; ku shoqëria është e ndarë mes “shtypësve” dhe “të shtypurve”; ku historia duhet fshirë dhe rishkruar. Kjo është një botë mashtrimesh. Por për elitën woke, ajo ngjyros gjithçka nga politika klimatike deri te lufta Izrael-Hamas

    Që elektorati [amerikan] e ka refuzuar woke-izmin kjo duhet të jetë e qartë tashmë. Reklama më efektive e fushatës së Donald Trump shfaqte sloganin “Kamala është për ata/ato. Presidenti Trump është për ju.” Edhe kolumnistja liberale e New York Times, Maureen Dowd, shkroi pas zgjedhjeve se “woke is broke” (woke humbi/ra).

    Por festa për fundin e pikut të woke-izmit dhe varrosja e tij plotësisht janë dy gjëra të ndryshme. Çfarë do të duhet për të vrarë woke një herë e përgjithmonë?

    Së pari duhet ta përcaktojmë. Woke do të thotë të besosh se Amerika është e mbushur me pabarazi, ku jo vetëm njerëzit e saj, por edhe vetë sistemi është racist dhe ka nevojë për rinovim sistematik; ku shoqëria është e ndarë mes “shtypësve” dhe “të shtypurve”; ku historia duhet fshirë dhe rishkruar. Kjo është një botë mashtrimesh. Por për elitën woke, ajo ngjyros gjithçka nga politika klimatike deri te lufta Izrael-Hamas.

    Kjo elitë ka shpenzuar vite duke mbushur çdo institucion me politika, procedura dhe mandate që synojnë transformimin e shoqërisë. Diversiteti, barazia dhe masat e përfshirjes, veçanërisht në qeveri dhe akademi, kanë krijuar një sistem të bazuar në identitet, në të cilin karakteristikat e pandryshueshme të njerëzve, jo zgjedhjet e tyre, përcaktojnë nëse ata janë të denjë për çmim apo ndëshkim.

    Për të ngulur një heshtë mu në zemër të woke, zoti Trump dhe Kongresi i ri duhet t’i ndryshojnë këto politika. Disa nga propozimet e mëposhtme do të jenë të lehta për t’u zbatuar, të tjerat më të vështira. Por të gjitha do të ndihmojnë në rivendosjen e normalitetit.

    • Të rishikohen dhe anulohen të gjitha urdhrat ekzekutivë të zotit Biden për zbatimin e DEI*-t dhe teorisë gjinore, duke përfshirë Urdhrin Ekzekutiv 13985, i cili avancoi një “axhendë të barazisë së të gjithë qeverisë”.

    Zoti Biden nënshkroi gjithashtu urdhra ekzekutivë që mbështesin ndërhyrjet mjekësore “afirmuese gjinore” ndaj të miturve, duke përfshirë bllokuesit e pubertetit, hormonet e seksit të kryqëzuar dhe operacionet. Edhe këto duhet të anulohen.

    Më pas zoti Trump duhet të nënshkruajë dy urdhra ekzekutivë. I pari duhet të rikthejë abrogimin e tij të vitit 2020 për trajnimet DEI për punëtorët dhe kontraktorët federalë. E dyta duhet të përcaktojë “mashkull” dhe “femër” në terma të saktë biologjikë, gjë që do të qartësonte atë që rregulli i Titullit IX** të Bidenit ka ngatërruar në mënyrë destruktive dhe do të ruante qëllimin e Titullit IX.

    Kongresi duhet të miratojë më pas dhe zoti Trump të nënshkruajë, Aktin e Çmontimit të DEI-t, në proces aktualisht në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili do të eliminonte praktikat e DEI-t në të gjithë burokracinë federale.

    • Anulimi i praktikave universitare woke. Plani i zotit Trump, të cilin e shpalli verën e kaluar, do të ndryshojë sistemin e akreditimit, do të mbrojë fjalën e lirë, do të eliminojë postet e kota administrative dhe do të përdorë Departamentin e Drejtësisë për të ngritur padi kundër shkollave që vazhdojnë të përfshihen në diskriminim racor.

    • Rimarrja nën kontroll e muzeve, duke filluar me Institutin Smithsonian. Muzetë Smithsonian kanë braktisur misionin e tyre për përhapjen e njohurive dhe në vend të kësaj po përpiqen të “çkolonizojnë” shoqërinë. Muzeu Kombëtar i Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane, për shembull, ka një faqe të tërë në internet që tallet me “brishtësinë e bardhë” dhe një “kulturë dominuese të bardhë”.

    Zoti Trump duhet t’i kërkojë Kongresit të rivendosë ekuilibrin ideologjik duke emëruar konservatorë të vërtetë të gatshëm për t’iu kundërvënë pikëpamjeve progresive në Bordin e Regjentëve, që qeveris Smithsonian-in. Ky bord është përgjegjës për emërimin e sekretarit ose të shefit ekzekutiv të Smithsonian. Sekretarja aktuale, Lonnie Bunch, thotë se DEI “është integrale për përsosmërinë në praktikën muzeale”.

    • Eliminimi i kategorive racore dhe etnike të regjistrimit. Këto kategori formojnë gjakun jetësor të politikave të identitetit dhe shpesh janë sintetike – disa u shtuan në Regjistrim vetëm kohët e fundit. Pentagoni etnoracial – indianët e Amerikës ose vendasit e Alaskës, banorët aziatikë ose të ishullit të Paqësorit, zezakët, hispanikët dhe të bardhët – u shfaq në Direktivën nr. 15 të politikës statistikore të Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit të SHBA-së në 1977 dhe u përdor për herë të parë në Regjistrimin dhjetëvjeçar në 1980.

    Aktivistët u mbështetën në atë që sociologia Cristina Mora e quajti “amnezi kolektive”, duke pritur që amerikanët të besonin se këto grupe identiteti ishin përcaktuar përgjithmonë. Ideja ishte të ballkanizohej kombi, të nxitej pakënaqësia midis grupeve dhe të lejohej e majta të fitonte pushtetin. Por shumë anëtarë të këtyre grupeve kanë votuar për zotin Trump në një numër të madh, veçanërisht këtë vit. Ata janë asimiluar. Është koha për të ndaluar ndarjen e amerikanëve në grupe etnike dhe racore.

    Z. Trump duhet të lëshojë një urdhër ekzekutiv që udhëzon OMB-në të anulojë direktivën e vitit 1977 (dhe rishikimet e mëvonshme) dhe të urdhërojë Byronë e Regjistrimit të braktisë këto kategori false. Nëse qeveria është vërtet e interesuar për pabarazitë, ajo duhet të bëjë pyetje që kanë ndikim real në prejardhjen dhe perspektivat e njerëzve, të tilla si: “A ka një baba në shtëpi?”

    • Shkrirja e Korporatës për Transmetim Publik, ose CPB, e cila financon organizatat e mediave publike që janë përgjegjëse për përhapjen e virusit woke. Zoti Trump nuk mund të kontrollojë kompanitë private, por NPR, PBS dhe transmetuesit e tjerë publikë marrin kolektivisht miliona dollarë nga taksapaguesit. CPB shpërndan më shumë se 70% të fondit vjetor prej 500 milionë dollarësh të Kongresit ndër mediat publike. Kjo duhet të ndalet. Transmetuesit do t’ia dalin duke u mbështetur në abonimet e anëtarëve.

    Kongresi duhet të miratojë më pas legjislacionin që zhbën Aktin e Transmetimit Publik të vitit 1967, i cili themeloi CPB-në. Është koha për ta mbyllur.

    Kjo nuk është një listë shteruese – mund të ketë shumë gjëra të tjera – por gjithçka këtu është jetike për ta nxjerrë Amerikën nga këneta e woke.

    *Z. Gonzalez është senior fellow në Fondacionin Heritage dhe bashkëautor i “NextGen Marksism”. Z. Tooloee është shef i kabinetit të aktivistit dhe autorit konservator Christopher Rufo.

    Fjalor

    *DEI Trainning: janë trajnime që kompanitë në Amerikw duhet të bëjë për ekipet e tyre për t’i mësuar rregullat e (Diversity, Equity, and Inclusion) diversitet, barazi dhe përfshirje.

    **Title IX-ligj federal i të drejtave civile i vitit 1972 që u amenduar nga Presidenti Biden.

  • Do gjente lidhjet e krimit në politikë, SPAK e gjen krimin te gazetaria

    Do gjente lidhjet e krimit në politikë, SPAK e gjen krimin te gazetaria

    Detyrim paraqitje për gazetarët, asnjë fjalë për politikanët e Elbasanit që ndihmuan bandat

    Një operacion masiv i policisë me qendër në Elbasan ka pasur në shënjestër jo vetëm disa prej emrave të njohur të krimit në këtë qytet, por edhe lidhjet e tyre në gjykata, prokurori, polici, madje edhe në gazetari siç pretendojnë prokurorët e SPAK.

    Një ndër emrat që rikthehet sërish në dosjet e SPAK është ai Suel Çelës, që njihet si drejtues i një organizate kriminale partnere me Partinë Socialiste të Elbasanit. Për Suel Çelën ka dëshmi dhe biseda në SKY ECC që e impikojnë për porositjen e vrasjeje në Elbasan, në Tiranë dhe në Belgjikë.

    Suel Çela, ose ndryshe Marius Lulaj është aktualisht në arrati. Opozita e ka akuzuar vazhdimisht për presione në fushatën zgjedhore, për lidhjet e ngushta me pushtetin e PS-së dhe për korruptimin e policisë dhe të prokurorisë së qytetit.

    Arrestimi i Bujar (Marsel) Shegës dhe ndikimi i tij në Peqin

    Një personazh pak i njohur mediatikisht, por shumë i fuqishëm në Elbasan dhe në Peqin u arrestua në Milano me urdhër të SPAK, si pjesë e të njëjtës dosje. Ky person quhet Bujar Shega dhe rezulton të jetë një ndër përfituesit e rregullt të tenderave qindra miliona lekë të pastrimit nga bashkia e Elbasanit, Peqinit dhe e Beratit.

    Sipas një denoncimi të një viti më parë, Bujar Shega rezulton të ketë kërcënuar edhe administratorin e universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan për të përfituar një tender në rikonstruksionin e godinave. Sipas një raportimi të Ina Media, përfitimet e Bujar Shegës nga tenderat e pushtetit lokal vinin nga lidhjet e tij me Suel Çelën në Elbasan apo me Aqif Rakipin në Peqin.

    Goditja e SPAK ndaj Bujar Shegës rezulton t’i ketë hapur rrugën një klani tjetër të Partisë Socialiste në zonën e Peqinit, pas mosmarrëveshjeve që ishin krijuar vitet e fundit.

    Një mandat tjetër arresti është firmosur për ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu, e cila ishte ndërkohë në arrest shtëpie për ndihmën që i ka dhënë dy vëllezërve Çopja, drejtues të trafikut ndërkombëtar të drogës me banim në Dubai. Dy vëllezërit Çopja akuzohen për porositjen e një duzinë vrasjesh me porosi ndaj rivalëve të tyre në Elbasan dhe disa qytete të tjera, për trafik droge, pastrim parash, korruptimit të gjyqtarëve, prokurorëve etj.

    Përveç se në derën e saj, SPAK ka trokitur edhe në banesat e ish-gjyqtarëve Taulant Tafa dhe Zihni Shahu dhe të ish-prokurorëve.

    Masë arresti shtëpiak është dhënë edhe për Blerina Beqirin, avokate e grupit të Suel Çelës.

    Ndër emrat e thirrur në SPAK tërhoqën vëmëndjen dy gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, dy nga personazhet më të zëshëm për dosjet e SKY ECC në kronikën e zezë.

    Në mënyrë të veçantë, Qyno ka spikatur me publikimin e bisedave në aplikacionin SKY, që dyshohet se nuk ishin zbardhur ende nga prokurorët e SPAK. Disa lajme ekskluzive në lidhje me bisedat e banditëve të Elbasanit në SKY ECC krijuan frustrim në radhët e prokurëve, që me një vendim të paprecedent urdhëruan izolimin e tij në godinën e prokurorisë dhe më pas bastisjen e shtëpisë së gazetarit natën e 13 dhjetorit 2023.

    Mbeten për t’u parë provat që ka SPAK ndaj Elton Qynos dhe Artan Hoxhës, që tashmë janë vendosur në masë sigurie “detyrim paraqitje”, si pjesë e të njëjtës dosje ku rezultojnë emra të rrezikshëm të krimit në Elbasan.

    Gazetarët Elton Qyno dhe Artan Hoxha

    Vija e kuqe e SPAK, lidhja e krimit me politikën

    Nga urdhër-arrestet që ka lëshuar SPAK krijohet ideja se ka një përpjekje për të çrrënjosur krimin nga qyteti i Elbasanit, duke përfshirë në hetime edhe ushtarët e maskuar nën petkun e gjyqtarit, prokurorit, policit etj.

    Vetëm se panoramës që jep dosja e SPAK i mungon një anë shumë e rëndësishme e realitetit; mbështetja politike që pati krimi.

    Vetëm duke pasur mbrojtje politike nga Partia Socialiste e Elbasanit, bandat u fuqizuan deri në pikën që arritën të rekrutojnë gjykatës, prokurorë dhe policë në radhët e tyre. Vetëm duke pasur mbrojtje politike u eleminuan rivalët dhe krimi u ushqye me paratë e tenderave të bashkisë. Vetëm duke pasur mbrojtje politike, krimi mori frenat e fushatës zgjedhore 4 vite më parë, që rezultoi me një person të vrarë.

    Por kjo anë e realitetit mungon në hetimin e SPAK. Ndaj në dosjen, që ende nuk është publikuar, afërmendsh mund të gjesh lidhjet e gazetarisë me krimin, por nuk del asgjë për lidhjet e krimit me politikanën.

  • Nga Alfred LELA – Pse Rama shkoi ‘i armatosur’ në Londër

    Nga Alfred LELA – Pse Rama shkoi ‘i armatosur’ në Londër

    Kundërshtarët e gjetën Edi Ramën edhe në Londër. Edhe pse Rama e konsideroi ngjarjen e 24 nëntorit si ‘atentat politik’ ndaj Shqipërisë, siç bën zakonisht, ai e di se protesta në kryeqytetin anglez është diçka tjetër.

    Ai e di këtë, qoftë edhe për faktin se kishte me vete karrocerinë me mbi 200 vetë, aq sa nxë një avion i Ryan Air, të cilin kabineti i tij kishte prenotuar për udhëtimin e kthimit në Tiranë- dhe që u nis me 1.5 orë vonesë për shkak të Ramës dhe shpurës.

    Ai e di këtë sepse ndihmësve të tij u janë dashur disa muaj për të pajisur me viza britanike të gjithë shpurën, dhe kjo ka qenë një ndër arsyet se pse tubimi i Londrës është shtyrë disa herë.

    Ai e di këtë sepse kishte marrë me vete kryebashkiakët e të gjitha qyteteve veriore që ka PS, duke e shpërfillur faktin se është ai vetë, dhe po ata krerë lokalë, që i kanë detyruar një pjesë të mirë të largohen.

    Ai e di mirë këtë, sepse ishte rrethuar nga të fortët e këtyre zonave të cilët, në një mënyrë a tjetër, kanë përfituar nga pushteti i këtyre bashkiakëve dhe i tiji në kontrata publike apo forma të tjera.

    Ai e di shumë mirë këtë, sepse ‘të ftuarit’ në tubimin e tij ishin njerëz që duhet të prenotonin bileta si të ishte një aktivitet sportiv apo artistik. E gjithë kjo bëhej me qëllimin që të kontrolloheshin pjesëmarrësit për të shmangur pikërisht kundërshtarët.

    Ai e di mirë këtë, sepse një pjesë e ‘biletëmarrësve’ dëshmojnë se janë paguar deri në 350 paund cash për të marrë pjesë në tubim.

    Ai e di mirë këtë, sepse kur protestuesit shpalosën pankartën dhe lëshuan thirrje kundër tij, vetëm një grup i vogël (truprojat e tij dhe të Taulantit dhe disa të fortë të marrë me vete, u angazhuan për të goditur bashkatdhetarët).

    Ai e di mirë se nuk ishte Sali Berisha organizatori i protestës, jo se nuk mundej, por se e di se nuk duhet organizim dhe porosi për t’i dalë kundër Ramës, sidomos në diasporën britanike, që është mishërim i emigracionit të dekadës së fundit, dhe përndjekjes që pushteti u ka bërë demokratëve apo qytetarëve të papërfshirë me Rilindjen.

    Si përherë, Sali Berishën e përdoror mburojë për të gjitha dështimet e veta, nga qeverisja e keqe e deri te mitingu në Londër, që as e nisi as e bitisi siç duhet, por e lau me turpin e vet dhe gjakun e bashkatdhetarëve që, nga atdheu i përzë dhe në vendin e adoptuar i acaron dhe provokon.

    Në radhët e cirkut të Edi Ramës askush nuk është dëmtuar, dhe ai mund të ndihet fitimtar, por fakti është se është bërë një lider qesharak, që i duhet të marrë truproja, të fortë dhe policinë vendase, për t’u mbrojtur në dhe të huaj nga qytetarët e vet.

    Nëse si zemërim me këtë ai përdor dhunën duke goditur Ilir Meshin e disa guximtarë të tjerë që iu futën mu në shpellën e frikës, aq më keq për të. Dhuna gjithmonë është instrumenti i fundit i bindjes politike, mjeti që dëshmon se gjithçka tjetër ka dështuar. Se nuk të duan dhe as të respektojnë.

    Momenti që shpreh fundin politik.

  • Nga Meri LIKA – Ramakracia

    Nga Meri LIKA – Ramakracia

    Edhe gjyshja ime thoshte gjëra të mençura, tani aq të mençura sa të gjyshes së Ramës jo, po përpiqej edhe ajo me mënyrën e saj.

    Ja për shëmbull, kur në një familje ishte një dru i shtrembër dhe të gjithë pyesnin me habi se kujt i ngjante ndërkohë që prindërit i kishte të mirë, gjyshja ime thoshte se nuk ishte e nevojshme t’i ngjante kujt sepse “kishte krijuar sojin e tij”, pra sepse ai kishte krijuar një tjetër njeri ndryshe nga prindërit e tij.

    Ndoshta, me këto që do shkruaj, do të dal kundër të gjithë atyre që thonë se jemi në autokraci, por edhe ndaj vetes sime, sepse edhe unë, deri më sot, kam menduar të njëjtën gjë.

    Në fakt deri dje përpara se të fillonte takimi i zjarrtë i kryeministrit tonë në Londër isha e bindur që ishim në autokraci, por pas masakrës kuvendore diasporiste kuptova se kjo diktatura jonë është njësoj si ai druri i shtrembër që thoshte gjyshja ime, ka krijuar llojin e saj, ka krijuar ramakracinë.

    Mund të më thoni se në të gjitha autokracitë, autokrati tenton ta vendosë veten mbi rendin normativ të vendosur, duke nënvizuar idenë perfide të një lideri të fortë që nuk duhet të humbasë kohë në diskutime sterile në parlament. Se ai, pretendon se mishëron vullnetin e vërtetë të popullit, të shtypur nga elitat e korruptuara të lidhura me median. E njëjtë kështu është edhe ky yni.

    Apo të më thoni se marrëdhënia midis populizmit dhe autokracisë janë të lidhura si lugina me malin. Se autokrati synon të mishërojë një dëshirë që ka fole në retinë e saj një ndjenjë unanimiteti, e cila propozon një të kaluar imagjinare, me një popull mitik që ndërton një histori të çmuar nga beteja dhe pushtime të mëdha dhe synon të projektojë lumturinë në segmentet e palumtur, lumturi të cilën i vetmi që ia mundëson është autokrati. E se njëjtë kështu është edhe Rama.

    Mund edhe të më thoni se autokrati shfaqet si i vetmi që mund t’iu bëj ballë të këqijave njëjtë si Uliksi këngës së sirenave sepse vetëm ai ua di pikën e dobët. E ju edhe për këtë mund të më thoni se lideruci ynë është njëjtë si ky.

    Mund të më thoni se është e vërtetë që shoqëritë nuk heqin dorë papritur nga vlerat demokratike; përkundrazi, ato e bëjnë këtë pas segmenteve të destrukturimit, zhgënjimeve dhe përkeqësimit të cilësisë së jetës, gjë që lehtëson fjalimet me një ton emocional, që aplikojnë deri një retorikë shpenguese shëlbuese, me apelin e realizimit të shpresës për realizimin e Mbretërisë së Qiellit. E se këtë e bën edhe ky i yni kur thekson parajsën turistike.

    Mund të rendis shumë gjëra që do të më tregoni për autokracitë e që përputhen me këtë …kracinë tonë, por ama ju nuk mund të mohoni këto që unë do them.

    Unë mund t’iu them se asnjë autokrat apo diktator nuk ka shkuar në një shtet tjetër (e aq më shumë në një shtet demokratik) dhe të dhunojë protestuesit kundër tij siç bëri ramakrati ynë.

    Asnjë autokrat deri më sot, as Vuçiçi, Erdogani, Putini apo të tjerë, nuk kanë arritur të korruptojnë një agjent të FBI-së,  dhe edhe pasi ky i fundit shpallet fajtor, autokratuci nuk pëson asgjë.

    Asnjë autokrat deri më sot, nuk ka mundur të shpopullojë vendin e tij dhe pastaj atyre që i përzuri të shkojë pa patur pikën e turpit t’iu këkrojë votën pasi ti zhdëpi në dru.

    Asnjë autokrat deri më sot, nuk e ka shitur vendin e tij për të mbajtur karrigen e pushtetit, siç i ka shitur dhe po i shet ky ramakratuci ynë copat e Shqipërisë si të ishte bukë në një sofër të uriturish.

    Asnjë autokrat deri më sot, nuk ka vjedhur kaq shumë sa ky ramakrati ynë, e që gjithmonë fajin e kanë të tjerët.

    Asnjë autokrat deri më sot, nuk e ktheu vendin e tij në koshin e plehrave të shteteve të mëdha, apo në tubon e shkarkimit të dufeve raciste. 

    Prandaj unë ju them se nuk jemi në autokraci por jemi në ramakraci.

    Ramakracia, sipas mendimit tim, është autokraci e llojit të veçantë, e cila përpiqet të duket si  pushtet në modë, por që gjithmonë ngelet si mall që nuk shitet dot as në outlet.

    Ramakracia mendon se do ta kthejë liderin në të adhuruarin e masave, por që në fund do ta kthej në përbuzjen më të madhe që ka ndjerë ndonjherë njeriu.

  • Nga Andi BUSHATI – Pjellat zvarranike të reformës në drejtësi

    Zakonisht regjimet autokratike mbështeten në dy grupime njerëzish: tek kamikazët, që janë gati të hidhen në zjarr për ti shërbyer dhe tek skuthët të cilët i përkrahin në heshtje, duke qenë njëkojësisht të turpëruar që ta bëjnë publikisht këtë. Në kontekstin tonë aktual, këto dy profile individësh i rinxori në sipërfaqe reforma në drejtësi.Të parët përfaqësohen nga spakistët, ushtarë të bindur të idesë se Shqipërisë i duhet një sistem me zgjedhje farsë, me opozitë të masakruar dhe me kryeministër mbi ligjin, që presupozohet të veprojë për të gjithë njësoj.

    Veçanësia qëndron tek të dytët. Përditë e më shumë konfigurimi i tyre po merr tiparet e fytyrës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Shumica të paaftë deri në kufijtë e injorancës, të pa karakter deri në përçudnim, meskinë, aq sa të mos ngrihen përtej halleve të tyre të vogla, ata simbolizojnë arketipin e qytetarit amebë që promovoi reforma euro atlantike. Një provë për këtë e dhanë së fundi edhe me mënyrën si u sollën në procesin e Sali Berishës. Kur pas orësh të gjata diskutimesh, në një sallë të mbyllur, vendosën të komunikojnë vendimin që kishin marrë, ata ngjallën më shumë paqartësi dhe konfuzion. Në media rrodhën lajmet e para se kushtetuesja i kishte dhënë pjesërisht të drejtë liderit të opozitës. Se ajo e kishte quajtur gabim kufizimin për sekuestrimin e pashaportës, ndërkohë që e konsideronte të arsyeshme masën e detyrim paraqitjes. Aq e turbullt ishte situata sa një reportere e spikatur e kronikës e përcaktoi këtë vendim si “as mish, as peshk”. Madje në momentet e para, disa gazetarë, pyetën të habitur njëri-tjetrin, se mos për Berishën po përfundonte arresti. Në media u shfaqën titujt e parë se gjykata i paskësh dhënë atij të drejtë për gjysmën e pretendimeve.

    Në fakt, realiteti ishte krejtësisht i ndryshëm. Verdikti qe i qartë se, lideri i opozitës duhej të mbahej në izolim dhe se procedura e ndjekur nga SPAK dhe GJKKO, për të shmangur lejen e parlamentit në rastin e kufizimit të lirisë së një deputeti, qe ajo e duhura.

    Pra, nëse do i përgjigjeshe në mënyrë të vulgarizuar pyetjes së një qytetari nëse ia mbajti apo ia hoqi kjo gjykatë masën Berishës ajo do të qe: e la në arrest.

    Atëhere pyetja shtrohet: po si qe e mundur që nga një vendim kaq i thjeshtë u krijua një paqartësi kaq e madhe? Këtu dalim sërish tek karakteri prej zvaranikësh i anëtarëve të kushtetueses. Tek truku i komunikimit që ata ndoqën për të shitur të zezën si të bardhë. Po të lexosh dizpozitivin e vendimit që bënë publik, të shkruar enkas me një gjuhë hermetike, aty i jepej më shumë prioritet një çështjeje anësore të procesit, si ajo e proporcionalitetit të masave ndaj liderit të opozitës, dhe jo thelbit të kërkesës së tij, që mëtonte të dinte, nëse arrestimi ishte apo jo në përputhje me kushtetutën.

    Duke përdorur këtë legenllëk në komunikim ata arritën të krijojnë konfuzion, ndërkohë që në realitet, kishin marrë një vendim krejtësisht kundër Berishës. Madje për të realizuar urdhërin që po zbatonin, arritën deri në asurditete të tilla sa të rishkruajnë kushtetutën, për të interpretuar se lëvizja e lirë nuk bën pjesë në liritë e njeriut.

    Nejse, pa hyrë në detaje, askush nuk priste të ndodhte ndryshe nën në një regjim ku po fiket privilegji për të vepruar dhe për tu sjellë sipas bindjeve që ke. Përveç naivëve që vetëm fizikisht jetojnë në këtë vend, të gjithë e dinin fatin që e priste Berishën. Anëtarët e kjshtetueses, që qëndrojnë në profesionalizëm dhe dinjitet shumë më poshtë paraardhësve të tyre tashmë të nxjerrë nga sitemi (që i zbrapsën me dhjetra ligje dhe PD dhe PS kur ishin në pushtet), kanë dëshmuar se janë thjeshtë masha të qeverisë. Si në çështjen Xhaçka që e shtynë në kalendat greke për të mos e zgjidhur kurrë, si në ankimin e ⅕ të deputetëve opozitarë për imunitetin e Berishës, që refuzuan ta shqyrtojnë edhe tek Butrinti apo tek pakti Rama-Meloni, ku i njollosi me turp krahasimi me vendimet e drejtësisë italiane, ata janë sjellë po njësoj.

    Por, thënë këtë, sërish ka një paradoks që mbetet pa spjegim. Pse kur dihet botërisht se janë të tillë, sërisht reken të maskohen? Çfarë iu shërben hipokrizia e pavarësisë, kur i nënshtrohen për gjithçka qeverisë? Pse duhet të mundohen në lojra prej skuthësh, kur s’ka njeri që se di që, në fund, do mbrojnë Xhaçkën dhe do fundosin Berishën?

    Përgjigjja e kësaj pyetje na kthen tek fillimi i këtij shkrimi, tek dy tipologjitë e grupimeve mbi të cilat ngrihen autokracitë. Nëse disa gjyqtarë dhe prokurorë të posatshëm i kanë vënë fytyrën dhe i kanë treguar gjoksin instalimit të këtij regjimi, këta të kushtetueses kanë përzgjedhur të mbulojnë surratin dhe të fshehin menderen, duke u hequr sikur nuk e kuptojnë dëmin që po bëjnë.

    Ata luajnë shejtan budallain gjoja pa kuptuar se e keqja nuk triumfon vetëm falë kamikazëve, por edhe si pasojë e butakëve që i duartrokasin.

    Ata kanë vendosur të mos kenë as minimumin e egos, asaj për ti vënë krimit emrin e tyre.

    Në këtë kuptim, ata janë specija më e neveritshme që i ofroi kësaj shoqërie reforma në drejtësi, që predikoi se do forconte pavarësinë dhe dinjitetin e trupave e të reja, por polli këto qënie pa shtyllë kurizore. Falë krijesave të tilla regjimet ashpërsohen dhe prandaj Hannah Arendt i renditi ata në kategorinë specifike të banalitetit të së keqes.

  • Nga Luçiano BOÇI – Kushtetuesja kundër Kushtetutës

    Edhe këtë nuk e kishim as parë dhe as dëgjuar.

    Gjykata kushtetuese që mbron me interpretime e vendime cënimin e Kushtetutës sot ka e ka rrëzuar atë, Kushtetutën.

    Detyrimi për paraqitje nuk na qenka kufizim lirie i deputetit sipas saj, sikur kjo paraqitje të ishte ftese për cirk dhe jo “kufizim i lirisë në çfarëdolloj forme”.

    Dhe këtë e ka bërë në emër të SPAK!

    Por thënë më saktë e ka bërë në emër të Ramës!

    Tanimë s’ka dyshim që ato janë një dhe që Reforma në Drejtësi është vetëm një revansh i pastër politik.

    Kjo nuk është një çështje vetëm e Sali Berishës. Kjo është çështje themelore e shtetit të së drejtës që në një formë apo tjetër e kemi brenda shtëpive tona.

    Çfarë ka mbetur tanimë në këtë vend?!

    Parlament jo!

    Qeverisje jo!

    Drejtësi jo e jo!

    Media po, por media që mbrojnë jo-të më lartë!

    E pse duhet te jetojnë akoma shqiptarët në mes të kësaj poshtërsie?!!

    Dy rrugë ka:

    1. Ose ikje nga sytë këmbët, duke lejuar nënshtrimin.

    2. Ose revoltë për të fituar dinjitetin.

    Revoltohuni o njerëz mos e vdisni njeriun brenda jush!!!!