Blog

  • Nga Agim XHAFKA – O qeveri, pensionistët nuk janë numra, janë njerëz!

    Këto ditë po flitet shumë për të moshuarit. Veçanërisht pas indeksimit me 4% të pensioneve të tyre. Është pak ta quash tallje. Dhe për më keq është kriminale t’u thuash atyre,nuk kemi fonde që t’ua rritim pensionin. Në këtë klimë ngarkuar me dhimbje e trishtim i shoh pensionistët të dy nga dy,tre nga tre ose te ndonjë cep lulishte,duke luajtur tavëll e domino,ose te ndonjë cep dyqani të fruta-zarzavateve,duke mbushur qeset plastike me mallrat që janë gjysmë të kalbura e shitësi i ka nxjerrë që t’i marrin falas nevojtarët. Dhe në këto kohë më nevojtarë se të moshuarit nuk ka shtresa të tjera të shoqërisë. Ata që rrëmojnë kazanëve dhe ata që lypin në rrugë janë më të kamur. Se e nxjerrin një 2 mijë të lekësh në ditë. Ndërsa pensionistëve shqiptarë qeveria u jep lëmoshë. As 500-600 lekë në ditë. I shoh ata duke u çapitur në shtëpi me domate e speca gati të qullur nëpër duar e më dhemb zemra. Njoh midis tyre plot inxhinierë që ndërtuan hidrocentrale,pedagogë që përgatitën aq e aq kuadro,mjekë që ndenjën roje te shëndeti ynë ndaj këlthas:

    -Qeveri,mos i shih pensionistët si numra! Shihi si njerëz! Se ata janë njerëz!

    Si njerëz që kanë dinjitet,por që Rilindja ua ka nëpërkëmbur. As cakton minimum jetik,as nuk cakton një pension minimal që ata të marrin frymë. Të jetojnë normal. Jo me sytë dhe dorën nga fëmijët,nga farefisi,apo fqinji. Mos i përmendni me shifra,mos thoni që janë 700 mijë. Mos thoni që jetojnë gjatë. Të gëzohemi që jeta e tyre zgjatet. Por të urojmë që ditët e shtuara t’i kenë pa halle,pa vuajtje,pa zvarritje pafuqie.

    Veçanërisht Rilindja kësaj shtrese u ka borxhe me shumicë. Ndaj duhet t’u gjendet sa më pranë. Se ata janë depozita e votave. Pa ata për 101 vite Rama nuk shkonte dot te zyra ku sot bën arrogantin.

    Po ku do i gjejë qeveria fondet për shtesën e pensioneve? E thjeshtë fare; atje ku i gjen paratë kur shton miliona euro në kontratat e rrugëve me shpjegimin se qenka rritur çimento,hekuri,kosto e punës e dhjetëra justifikime. Te abuzimet e tenderave që përherë fiton ai që kap vlerën e 99% të shumës së caktuar. Te shpenzimet marramendëse të administratës,te fryrja e saj me dhjetëra mijë të punësuar. Te koncesionet që po e vdesin buxhetin. Te…

    Ka plot rrugë që të moshuarve kjo qeveri t’u gjendet. Por ajo i gjendet vetes dhe kriminelëve që ka rreth vetes. Pensionistët për Rilindjen janë veç numra. Kaq. Nuk i sheh si njerëz. Madje me aq pensione mizerabël nuk i quan as njerëz…

  • Nga Andi BUSHATI – Ç’mund të predikojë ambasada amerikane pas fitores së Trump?

    Pas zgjedhjes së njeriu të krengritjes së dhundhme të 6 janarit dhe atij që drejtësia amerikane u përpoq ta pengojë për të garuar

    Fitorja tronditëse e miliarderit të konvertuar në politikë, Donald Trump, e cila do të ushtrojë ndikim në pikat më të nxehta të globit, nuk do të kalojë e pavërejtëshme as në provincën tonë të vogël dhe të largët.

    Nëse në SHBA, ai do të ketë një fuqi absolute, duke kontrolluar edhe senatin, që kaloi në shumicë tek republikanët, me shumë mundësi edhe kongresin e sëbashku me to edhe Gjykatën Supreme; nëse mbi NATO-n, Ukrahinën, apo çështjen palestineze efektet e kësaj fitoreje priten të jenë rënqethëse; për Shqipërinë mund të ketë vlerë mënyra sesi ai u zgjodh dhe rruga që ndoqi për t’u bërë i dyti president në historinë e Amerikës, që rikthehet në Shtëpinë e Bardhë pasi është larguar njëherë prej saj.

    Në kontekstin tonë aktual është e rëndësishme të shikohet se si bëri për vete zemrën e shumicës së amerikanëve një njeri që kundërshtoi me dhunë rezultatin e zgjedhjeve që i lëshoi thirrje mbështetësve të tij të sulmonin Kapitolin, se si i’a doli ai të fitonte pavarësisht çështjeve të panumurta hetimore dhe proceseve që i hapën.

    Po ta shqyrtosh në thelb, ky rrugëtim bie ndesh me të gjitha predikimet që diplomatët dhe zyrtarët amerikanë të nivelit të mesëm dhe të ulët, predikojnë prej vitesh për Shqipërinë.

    Në 6 janarin e katër viteve më parë, pasi nuk kishte njohur fitoren e kundërshtarit të tij Joe Biden, të çertifikuar nga të gjitha institucionet, pasi kishte bërtitur pa prova të qara se vota e tij ishte vjedhur, Trump që ende nuk kishte dalë nga presidenca, i bëri thirrje mbështetësve të tij të ndesheshin për të rifituar Amerikën. “Nëse nuk luftoni për demokracinë vendi juaj do të zhbëhet”, i tha ai turmave duke u premtuar se do të marshonte bashkë me ta drejt Kapitolit për t’i bërë presion kongresmenëve që të mos miratonin rezultatet e prtetenduara si të trukuara.

    Ndonëse numri i të vdekurve shkoi në katër, megjithë skenat e dhunës dhe shkatrimit brenda kongresit amerikan, Trump vazhdoi ti quante sulmuesit “njerëz specialë” dhe të shkruante në Twitter se i “dashuronte” ata që nuk e pranonin vjedhjen e pavërtetuar të votës.

    Katër vite më pas, amerikanët e dërguan këtë profil politikani në krye të vendit të tyre. Por, pas gjithë kësaj, a nuk duken qesharake deklaratat patetike të ambasadës së SHBA në Tiranë, kur digjet ndonjë karrige në kuvend, kur hidhet ndonjë fishekzajrre mbi kryeministri, apo kur zhgarravitet ndonjë mur i bashkisë?

    Nejse, këto episode simbolike, që tregojnë se popujt nuk ndjejnë të njëjtën frikës nga destabiliteti sa dhe burokratët që reagojnë nga errësira e zyrave të tyre, janë vetëm ana sipërfaqësore e asaj se si fitorja e Trump mund të përkthehet këtej nga anët tona. Thelbi qëndron tjetrëkund. Dhe ai lidhet me surprizën shokuese të një kandidati, të cilin, përndjekja nga sistemi i drejtësisë i vendit të vet, nuk e pengoi dot të fitonte. Që kur u zhvesh nga posti, Donald Trump është përballur me një numër të pafund procesesh penale dhe civile. Penalisht ai u hetua për ndërhyrje në zgjedhje, për manipulimin e dokumentave të klasifikuara, për tentativat e korruptimit të pornostares Stormy Daniels, që mos fliste kundër tij, si dhe për sulmin mbi Kapitol. Përpos këtyre ai u përball me procese civile për fshehje taksash dhe agresion seksual. Qëllimi i gjithë kësaj fushate u akuzua nga mbështetësit e vet republikanë si një tentativë për të penguar idhullin e tyre të garonte në zgjedhje.

    Por fillimisht, Gjykata Supreme e rrëzoi një pretendim të shtetit të Kolorados për ta nxjerrë Donald Trumpin nga gara presidenciale, ndërsa, këtë të martë, shumica e qytetarëve amerikanë e hodhën poshtë iluzionin se mund të ketë institucione, qoftë edhe ato të drejtësisë, që mund të përcaktojnë, në vend të tyre, se kë ata duan të zgjedhin në krye të vendit. Amerika dëshmoi se nuk e gëlltit dot instrumentalizimin e garës ose tkurrjen që një kastë e caktuar reket ti bëjë mundësive të pamata për të vendosur.

    Por shembulli i kësaj Amerike, bie katërcipërisht ndesh me praktikën që zyrtarët e mandatuar prej saj po praktikojnë në Tiranë, ku me anë të të ashtuquajturës reformë në drejtësi, po nxjerrin nga loja elektorale të gjithë rivalët e pushtetit. Të njëjtat metoda, të cilat dështuan të pengojnë Trumpin, po përkrahen në mënyrë të suksesshme nga diplomatët e SHBA për të nxjerrë jashtë gare krerët e partive opozitare shqiptare dhe për të zhbërë rezultatin e votës polullore, siç ndodhi në Himarë. Ata që kërcënuan zgjedhësit shqiptarë me “ngënie bari”, që dhunuan çdo kod diplomatik duke bërë thirrje për të mos votuar për “non gratat”, tani kanë zgjedhur të mbështesin një segment të drejtësisë, që pretendon të bëjë në ndryshimin e elitave politike duke shmangur dhe kapërcuer votën. Kjo është diametralisht e kundërt me verdiktin popullor të kësaj të marte.

    Pra, si konkluzion, mund të thuhet se mbi 70 milionë amerikanë e kanë bërv të duket qesharake, qasjen që politika e jshtme amerikane po eksperimenton këtu tek ne. Por ama kujdes! Ndonëse duket sikur ky përfundim shkon në favor të opozitës zyrtare në vend, e cila ka qenë e humbura e madhe e kësaj farse me drejtësinë, askush nuk duhet të ushqejë iliziuone se, këtëj e tutje, gjithçka derimisht do të ndryshojë për mirë.

    Historikisht Amerika ka dëshmuar se vlerat dhe parimet që vlejnë për të, nuk janë të detyrueshme edhe për satelitët e vegjël që e ndjekin nga pas. Pikërisht ajo që filozofi dhe intelektuali socialist, autori i  “Një histori popullore e SHBA”, Howard Zinn e konsideron si hipokrizia amerikane, nuk është çudi të përsëritet edhe këtë radhë.

    Aq më tepër një lider kontrovers si Donald Trump nuk jep asnjë garanci për kultivimin e këtyre vlerave. Prandaj, ndonëse fitorja e miliarderit republikan e rrëzoi fabulën e deritanishme, nuk është e thënë se farsa e një autokracie me mbështetje amerikane nuk do të vazhdojë.

  • Nga Luçiano BOÇI – The wind of change

    E masakruan, e hetuan, i ngritën kurthe e procese gjyqësore pa fund, donin ta vrisnin dhe ja tani ku është.

    I mundi të gjithë, madje dhe parashikuesit e vet më optimistë.

    Hodhën para pa fund dhe përdorën gjithë administratën e drejtësinë sorosiane kundër tij dhe ja tani me ndihmën e Zotit i diskreditoi faqe botës!

    E quajtën të vjetër, të mplakur, me kohë të ikur dhe ja tani u rikthye me energji të pashtershme, me ide reale e të prekshme dhe me vizion që i shërben çdo familje, çdo të riu, çdo fëmije.

    Që i shërben vendit të tij, Amerikës së madhe!

    E nga sot era e ndryshimit shpërndahet kudo dhe forca e aroma e saj ndjehet dhe në Shqipëri!

    Sistemi anti-social dhe anti-politik i agjendave anti-njeri është në frymëmarrjet e  fundi!

    Ka ardhur momenti t’i rikthehemi Scorpions-ve “WIND OF CHANGE”.

    Shqipëria do të ndryshojë!

  • Nga Enver BYTYÇI – Për Shqipërinë dhe Kosovën Trump nuk është gogoli! Përkundrazi, Sorosi është rrënuesi ynë!

    Miku im, Milaim Nela, ka shkruar se zgjedhja e Donald Trump është katastrofë për Kosovën, ndërsa zgjedhja e Kamelas është katastrofë për Shqipërinë. Ndërkaq sondazhet e Gallup tregojnë se Harris është e preferuara e evropianëve perëndimore, përfshirë edhe shqiptarët e Kosovës, 59 përqind prej të cilëve thonë se do të donin Harris dhe 27 përqind Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në Serbi ndodh e kundërta. Ata do të donin Trump si president të SHBA-ve. Por presidentin amerikan nuk e zgjedhin europianët. As rusët e kinezët. Amerika nuk është si Shqipëria, një narco-shtet, vullnetin e së cilës e dikton mafia.

    Shpesh herë besoj edhe unë të njëjtën gjë si Mlilaim Nela. Por më duhet që të jap dhe interpretim tjetër. Se fitorja e demokratëve sjell katastrofë për Shqipërinë, kjo është e provuar tashmë në 11 vite të qeverisjes së kreut të narco-shtetit shqiptar dhe rilindjes së tij. Këtu ka plotësisht të drejtë miku im, Nela. Mbështetja që Shtëpia e Bardhë e sidomos DASH i Sorosit në SHBA i ka dhënë Edi Ramës është vërtetë shkatërrimtare jo vetëm për lirinë e demokracinë, por edhe për ekzistencën e shqiptarëve. Shpopullimi është pasoja e shuarjes së kombit shqiptar në kohën e Ripjerdhjes socialiste dhe kjo vazhdon të ndodh me mbështetjen e demokratëve amerikanë. Kamala Harris e përsëriti këtë mbështetje për narco-shtetin e Edi Ramës edhe dje përmes një thirrje drejtuar shqiptarëve në Amerikë për ta votuar atë.

    Megjithatë nuk është se Edi Rama u vu në sëkëlldi gjatë katër viteve të Donald Trump. Edhe atë periudhë 2016-2020, Rama vegjetoi si pasha. Asnjë gjemb nuk i hyri në këmbë. Pikërisht në atë kohë ndodhën sulme të egra kundër opozitës, bashkë me rastin e McGonigal, sigurisht me ndihmën e Lulzim Bashës. Edhe pse Edi Rama foli në CNN-in amerikan dhe e quajti zotin Trump “turpi i civilizimit”, sërishmi u mbështet nga SHBA-të. Donald Lu dhe Juri Kim ishin produkti anti-shqiptar i Sorosit në atë kohë. Në vitin 2019 ishte Trump në pushtet, ndërkohe Palmer mbrojti me ngulm regjimin e mafies në Shqipëri. Pra, nuk ka lidhje shumë se kush zgjidhet president në SHBA. Politikat amerikane i dikton tjetërkush! Megjithatë ekziston një lloj pritshmërie nga ana e opozitës në Shqipëri nga zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-ve. Të shohim sa do të ketë efekt për opozitën shqiptare ardhja e tij në Shtëpinë e Bardhë! Ndërkohë Rama e ka josh dhëndërrin e Trump me copa Shqipërie (Sazanin e Zvërnecin)!

    Po në Kosovë? Ka një kakofoni dhe Donald Trump na paraqitet si gogol për shtetësinë e saj. Sikur ai me një lëvizje të gishtit do të vendosë që Kosova t’i japë territore Serbisë. Dhe kësisoj brenda natës do ta mbyllë konfliktin shqiptaro-serb. Ndërkohë që projekteve serbe në Ballkan i shërben më shumë Soros, Edi Rama dhe shumë politikanë të tjerë, të cilët kanë mbështetjen e pakufishme të demokratëve amerikanë. Eshtë e vërtetë se në qershor 2020 Hashim Thaçi u nis për të nënshkruar marrëveshjen e ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës në favor të Serbisë. Në zyrën ovale e priste Donald Trump. Presidenti i Kosovës u ndalua në rrugë, sepse prokurori i Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë shpalli akt-akuzë kundër tij.

    Por nuk duhet të harrojmë se ajo marrëveshje ishte vullneti i presidentit të Kosovës. Të dy liderët, ai i Serbisë dhe ky i Kosovës, ishin të gatshëm të nënshkruanin një marrëveshje të tillë. Nëse ata nuk do ishin në një mendje për ta ricopëtuar Kosovën, këtë nuk do ta impononte Donald Trump. Por ka dhe aksesorë të tjerë, të cilët na bëjnë të reflektojmë pak më ndryshe për sjelljen e presidentit Trump me Ballkanin. Së pari, as Trump dhe as Harris nuk do të kenë kohë e mundësi të merren aq shumë me Ballkanin. Bota është në luftë dhe Ballkani është aq periferik në këtë kaos, sa vështirë të merret drejtpërdrejt presidenti amerikan.

    Së dyti, nëse e marrim të mirëqenë angazhimin e presidentit amerikan, në rastin konkret Trump, ne e dimë se ai përdor diplomacinë ekonomike për të shuar konfliktet. Marrëveshja e 4 shtatorit 2020, të cilën e nënshkroi Abdulla Hoti, pikërisht këtë na e dëshmon. Presidenti Trump detyroi Benjamin Netanjahun që ta njohë shtetin e Kosovës. Nuk e bëri këtë për tetë vite para tij Barak Obama, i cili kishte gjithashtu kuota shumë të larta preference në Europë e madje edhe te shqiptarët.

    Trump nuk është gogoli i Evropës, i Ballkanit dhe as i Kosovës. Është gabim i madh nëse e trajtojmë si të tillë. Në fund të fundit nuk është më “i keq” sesa Soros. Jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën. Sorosi synon dhe punon me narco-shtetin shqiptar për ta zhbërë Shqipërinë. Unë nuk e besoj këtë formulë në politikën e Donald Trump, sido që që kam rezervat e mia, pasi që ai në fushatë elektorale e në opozitë e godet ideologjinë e Soros e kur vjen në pushtet nuk merret më me të.

  • Incredible Trump

    Incredible Trump

    Kundër gjyqtarëve, kundër sondazheve, kundër atentatorëve, kundër gjysmës së botës dhe për disa edhe kundër mirëkuptimit

    Kundër gjyqtarëve, kundër sondazheve, kundër atentatorëve, kundër gjysmës së botës dhe për disa edhe kundër sensit të shëndoshë. Teksa po shkruanim, në faqen e internetit të New York Times, bilanci tregon se në në një kohë kur nuk është numëruar më shumë se gjysma e kutive të votimit, Donald Trump ka një shans 89% për t’u bërë sërish president i Shteteve të Bashkuara. Nuk ishte një siguri matematikore, Kamala Harris kishte ende shpresë, të zbehtë sigurisht, por në momentin kur nuk arriti të fitojë tre nga shtetet e pasigurta të të ashtuquajturit Rust Belt, atëherë rruga për kthimin e manjatit në Shtëpinë e Bardhë ishte e qartë. Dhe fatmirësisht në mënyrën më demokratike të mundshme, pa pasur nevojë për shamanë dhe tentativa për grusht shteti.

    Do të ketë kohë për analiza, por që tani mund të nxirren disa përfundime. Ndërkohë, mund të thuhet se edhe një herë janë pak ata që e kanë kuptuar thelbin e Amerikës së thellë, asaj midis valëve të Kalifornisë dhe dritave të Nju Jorkut, asaj Amerike ku rezonon një mesazh bazik: jo emigracionit të paligjshëm, jo ​​inflacionit, jo luftërave të përhershme. Çështje të thjeshta, të përsëritura deri në rraskapitje, por që kanë funksionuar, aq sa Trumpi është kapërceu edhe triumfin historik të votës popullore.

    Realiteti i dytë i qartë është se vala e pritshme demokratike, e parë në rritje të vazhdueshme pas ndryshimit të guximshëm të kandidatit në garë, nuk ndodhi. Harris nuk ia doli mbanë nëpër Swing States. Jo vetëm kaq, por nuk pushtoi as segmentet e elektoratit që analistët dhe mediat (përfshirë disa paloanalistët tanë) i konsideronin si të mirëqena: gratë, afro-amerikanët dhe latinët. Dikush thekson dhe do ta thotë patjetërm maskilizmin mbizotërues të personalitetit të manjatit, që pas Hillary Clinton do ta mundte edhe Harrisin, por ndoshta historia e saj personale si përfaqësuese e establishmentit peshon më shumë në Hollivud, pranë yjeve të shndritshme të spektaklit dhe të bukurisë që e mbështetën të gjithë, por larg nevojave të Vendit real, atij që është i pisët dhe jo aq i bukur e i shndritshëm.

    Ja pra, nëse rifitimi i Amerikës dukej i pabesueshëm vetëm pak muaj më parë, Trump tani po përballet me një sfidë edhe më të ashpër: rifitimin e vlerësimit të atij Perëndimi i cili që që nga sulmi në Capitol Hill e ka cilësuar atë si të papërshtatshëm për shumëgjë. Të sigurtë që nuk do të mërzitemi as kësaj rradhe, do të jemi spektatorë të interesuar. Dhe me një mësim të madh në mend: nëse Trampi i vetëm, kundër gjyqtarëve, kundër sondazheve, kundër atentatorëve, kundër gjysmës së botës ia arriti kushedi çfarë mund të bëjnë të tjerët…

    Dardan MITROVICA

  • Nga Enver BYTYÇI – Regjimet nuk bëjnë drejtësi!

    Mbrëmë kryeministri i Shqipërisë në një dalje televizive të gjatë nuk tha asgjë. Duket se atij i ka mbaruar karburanti. Nuk e çon timoni më as deri në Surrel. Nuk ka çfarë thotë, nuk ka çfarë jep, megjithëse ai kurrë nuk ka dhënë, vetëm ka marrë! Por diçka e përsëriti thekshëm edhe në intervistën e mbrëmshme. Tha se ka arritur suksese në reformën në drejtësi, se “Partia Socialiste për herë të parë është duar-jashtë nga drejtësia dhe SPAK” etj. Në fakt, tashmë ne e dimë se për gjithçka që thotë Edi Rama, duhet besuar e kundërta. Madje sa më fort i mëshon pavarësisë së gjyqësorit, aq më e varur është drejtësia te ekzekutivi.

    Ndërkaq ambasadori i BE-së në Tiranë, përsëriti këto dy ditë sërishmi “sukseset” në gjyqësor dhe lavdëroi punën e SPAK. Eshtë kjo një medalje që publiksiht ndërkombëtarët e varin në qafën e Edi Ramës dhe e motivojnë atë të thotë se “Amerika ka bërë Noc Rrokun” në drejtësinë e Shqipërisë. Kjo deklarata e fundit e mbrëmjes së shkuar provon se kryeminsitri dikton axhendën e SPAK dhe deri diku të drejtësisë shqiptare, kur është puna për të mbrojtur bandat dhe kriminelët. Por si është e vërteta në letra? Çfarë thonë raportet ndërkombëtare për drejtësinë në Shqipëri?

    Sipas raporteve të Komisionit Europian, përfshirë dhe këtë të fundit të para disa ditëve, në vitin 2015, kur ende në Shqipëri funksiononte drejtësia e para vitit 2013, vendi ynë radhitej në vendin e 46-të sa i përket rankimit ndërkombëtar për drejtësinë. Sot renditet në vendin e 92 ose 46 vende më poshtë. Ndërsa sipas raportit të fundit të Projektit Botëror për Drejtësinë Shqipëria renditet e fundit në Europë sa i përket sistemit gjyqësor. KiE në raportin e tij shkruan se në Shqipëri duhen 8680 ditë për të dhënë drejtësi për një çeshtje administrative.

    World Justice Project hulumtoi në 142 vende të botës dhe Shqipërinë e rankoi në vendin e 106-të sa i përket ndërhyrjes së ekzekutivit në gjyqësor. Edhe Vietnami komunist me një parti në sistemin politik të tij ishte më mirë se Shqipëria, në vendin e 98-të! Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet në vendin e 114-të sa i përket zbatimit të ligjit. Që do të thotë se në vendin tonë ligjin e bën dhe e zbaton Maliqi (Edi Rama)! Bjellorusia e Lukashenkos në këtë tregues ka zënë vendin e 82-të, ose 32 vende më mirë sesa Shqipëria e Edi Ramës.  Edhe një fakt: Raporti përcakton se Shqipëria ze vendin e 128-të në shqyrtimin e çeshtjeve administrative, sepse një qytetari shqiptar duhen 23 vite (8680 ditë) të marrë drejtësi kur shteti dhunon të drejtat e tij.

    Megjithatë ambasadorët e huaj në Tiranë ende vazhdojnë të “mburren” me reformën në drejtësi. Po drejtësinë nuk e bën reforma. E bëjnë njerëzit. Dhe njerëzit që e zbatojnë këtë reformë, së paku të deformuar, janë pjesë e regjimit. Nëse një regjim bën drejtësi, këtë le të na e shpjegojnë ambasadorët, përfshirë edhe ambasadorin e BE-së në Tiranë!

  • Nga Lutfi DERVISHI – Lupa e SPAK-ut mbi aromën e tradhtisë

    Në luftën e pashoqe kundër krimit të organizuar, korrupsionit në nivele të larta dhe pandëshkueshmërisë SPAK-u, goditi fort sot, duke drejtuar lupën e tij hetimore ndaj një kërcënimi të përmasave të papara!

    Nuk është fjala për rreziqet e ngrohjes globale, as për rrezikun e një lufte bërthamore, as për rrezikun e asteroidëve dhe as për rrezikun e Inteligjencës Artificiale.

    Lupa e hetimit të prokurorëve të SPAK shkoi sot te Elda Hoti një deputete e opozitës që guxoi të fuste një shishe parfum në Parlament. Madje ajo arriti deri aty sa te sprucoi sallën me parfum.

    Harrojini baronët e drogës që gdhendin inicialet e tyre në muret e qyteteve me plumba. Harrojini vrasësit e abuzuesit. Sot vendi merr frymë i lehtësuar, sepse një nga 20 prokurorët që ka SPAK-u e ka përqendruar vëmendjen te i vetmi fajtor: një deputete që guxoi të sillte një shishe të vogël 50 ml në Parlament, që i shkaktoi një bezdi disa ministrave që nuhatën për herë të parë aromën e parfumin.

    Harrojini krimet kibernetike. Rreziku kryesor është krimi aromatik.

    Në vend që në zyrat e SPAK-ut të ushtojnë shuplakat e drejtësisë ndaj mafies aty gjendet kohë për të hetuar “erën e rrezikshme” të rebelimit parlamentar.

    Ndoshta javën tjetër, prokurorët e SPAK do të kalojnë te hetimi i krimeve më të tmerrshme—flitet se një tjetër deputete e opozitës është kapur duke lënë një qeskë çaji në gotën e saj plot tre minuta.

    Ndërsa bosët e krimit enden të lirë në makina që duken si arsenale në lëvizje, ndërsa dosjet e abuzimeve e bëjnë Malin e Dajtit të duket si kodër, prokuror të SPAK-ut kanë kohe të hetojnë krimin e rëndë ndaj produkteve të higjienës personale.

    Mos e dhëntë Zoti që t’i kthejnë sytë te bisedat në Sky Ecc apo EncroChat, te minierat digjitale ku kriminelët e vërtetë diskutojnë hapur për vrasjet, zgjedhjet, biznesin dhe politikën. Por kush ka kohë për këto gjëra kur një shishe parfumi shqetëson shumicën në Parlament?

    Por, çdokush mund të fle i qetë sonte sepse jo vetëm është zbuluar aroma e parfumit, por edhe aroma e partisë.

    Le të shpresojmë që SPAK-u të kujtojë se paguhet jo për të humbur kohë me gjëra qesharake, por të merret me kriminelët e vërtetë që po e trajtojnë vendin si kënd lojrash në pronën që u ka lënë baba.

    Deri më tani SPAK është përmbytur me denoncime të rëndësishme dhe të pa rëndësishme. Mirë është të mos mbytet në një shishe parfumi…

  • Veliaj vs Balluku/ Hiqen si rivalë, por zhvasin njësoj

    Veliaj vs Balluku/ Hiqen si rivalë, por zhvasin njësoj

    Dy investigime që provojnë përdorimin e njëllojtë të fondeve publike

    Pavarësisht se për Erion Veliajn dhe Belinda Ballukun egziston një gojëdhënë që ka marrë dhenë publikisht, duke i paraqitur ata si rivalë deri në armiqësi, qëllon që të dy rilindasit të jenë më shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin sesa mendohet. Këtë na e kanë shpalosur më së mirë dy emisione investigative që me një përkim të çuditshëm, u shfaqën në të njëtën mbrëmje të së mërkurës në ora 21 00. I pari “Kronos” në MCN tregonte se si skema  e “5D Konstruksion” nuk qe i vetmi skandal në Bashkinë kryeqytetit ku drejtorët e saj merrni para publike për ti kaluar ato në kompanitë e veta private. Gazetarët Ola Xama dhe Xhevahir Zhabina kishin vërtetuar me fakte dhe prova konkrete se si edhe në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit në këtë bashki ka funksionuar i njëjta skemë e përvetësimit të fondeve publike po ashtu sikurse bënin Mareglen Qato dhe Redi Molla. Por kurioze ishte të shihej në Plug në Syri TV se si njësoj vepronin edhe vartësin e zv/kryeministres Belinda Balluku. Më konkretisht aty bëhej fjalë për drejtorin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë (OSSH) Blendian Dalipi. Edhe ky i emëruar dhe i preferuar i Belinda Ballukut. Ky i fundit nëpërmjet kompanisë ABNID në pronësi të tij dhe kompanisë IDK Konstruksion në pronësi të babait të tij, ka marrë mbi 30 milionë euro tendera publik. Lapsi.al e ka krahasuar imtesisht ngjashmërinë mes rasteve….

    Bashkia Tiranë, emra të tjerë, skemë e njëjtë

    Emisioni “Kronos” në MCN TV ka traguar se në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit ka funksionuar një model i ngjashëm me atë të “5D Konstruksion”, ku ish drejtoresha e Përgjithshme Erinda Fino (foto krah Veliajt majtas) dhe vartësit e saj, drejtori i Pyjeve dhe Kullotave Redion Çatri apo shefja e sektorit Vilma Diçi kanë dhënë tendera te një kompani e cila zotërohej nga bashkëshorti i Vilmës, Fabjan Diçi. Përmes një skeme jo aq të komplikuar, sa Alitn Dumani ta konsiderojë si krim intelektual të vështirë për tu zbuluar ata dyshohet se kanë ndarë me njëri tjetrin qindra mijra euro.

    Kështu në 2022, që vitin e parë të ushtrimit të aktivitetit ka fituar 165 mijë euro të ardhura si punë. Në 2023 xhiro u shumfishua në rreth 1 milion euro xhiro, falë dhe kontratave të marra gjithmonë nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit. Pavarësisht ndryshimeve të objektit apo emrit të kompanisë ky grup i vogël dyshohet se kanë bashkëpunuar në dhënie tenderash, shpesh pa konkurencë, për shitje makinash, pyllëzimin me akacje të parqeve të kryeqytetit, për furnizim me kafshë shumë më të shtrenjta se tregu dhe me ushqim për to për kopshin zoologjik, etj.

    Por e bukura nuk përfundon këtu. Kushdo që kalon nga Liqeni artificial i ka parë dy fushate e tenisit të ngritura buzë tij. Pranë tyre është një kafene e cila qëndron plot edhe kur fushat janë bosh dhe të pamirmbajtuara. Të gjitha këto sëbashku i kanë kushtuar taksapaguesve afro gjysëm milioni euro. Por kush e shfrytëzon kafenenë? Natyrisht kompania e pronarit të dyshuar si fiktiv, Fabian Diçit. Ai paguan pak më shuëm se 1 mijë euro në muaj qira për një hapsirë rreth 600 M2 dhe deklaron rreth 300 mijë euro xhiro në vit.

    Që të tre shefat e Veliajt janë në bashkëpunim me njëri tjetrin e vërteton edhe një fakt tjetër. Pasi Erinda Fino e la drejtorinë e parqeve dhe u emërua drejtoreshë e përgjithshme në ndërmarrjen “Tirana Parking”, ajo i mori me vete vartësit e saj të mëparshëm duke vebndosur në postin e drejtorit Redian Çatrin dhe atë të shefes së sektorit Vilma Diçin, bashkëshorti i së cilës kishte në emrin e tij kompaninë që dyshohet se qe e përbashkët. Dhe çfarë ndodhi? Menjëherë u organizua një garë ku kompania e tyre u shpall fituese e një kontrate të madhe me vlerë 120 mijë euro për blerje makinash elektrike me një ofertë sa 95% e fondit limit. Fatmirësisht kjo u anullua sepse ndërkohë skandali kishte plasur dhe ishin burgosur drejtorët e 5D.

    Bela ndryshe, po po njësoj

    Pak a shumë e njëjta skemë ka vepruar edhe nën hundën e Belinda Ballukut me të preferuarin e saj, drejtorin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë, Blendian Dalipi (foto krah Ballukut djathtas). Sipas investigimit të PLUG, të shfaqur të mërkurën në mbrëmje, Dalipi nuk kishte përdorur bashkëshortin e punonjëses së vet, por direkt të atin e tij. Kompania I.D.K. Konstruksion e babait, Bajram Dalipi, ka fituar rreth 30 milionë euro punë publike që kur socialistët kanë ardhur në pushtet në vitin 2013. Por sipas investigimit një pjesë e madhe e tyre janë dhënë nga institucione që kanë qenë në vartësi të Belinda Ballukut. Dhe jo vetëm kaq. Por drejtori i OSSH-së kishte ngritur edhe kompaninë e tij. Nga dokumentetet zyrtare që gjenden në qendrën kombëtare të biznesit, rezulton se kompania e Blendian Dalipit, ABNID shpk, ka përfituar mbi 11 milionë euro si punë të dhëna nga kompania e babait, I.D.K. Konstruksion, e cila paratë që merrte nga buxheti i shtetit, i dërgonte drejtpërdrejt në xhepin e drejtorit të Belinda Ballukut.

    Natyrisht ndonëse në investigim nuk jepen prova konkrete nëse at e bir i ndanin fitimet me atë që kishin mbi kokë, logjika ta do se ka ndodhur pikërisht kështu. Pasi kompania e Bajram Dalipit ka fituar një licensë për ndërtimin e një parku fotovoltaik me procedura të përshpejtuara, me firmë të ministres Belinda Balluku. Ajo ka përfituar gjithashtu edhe mjaft tendera në bashki të drejtuara nga socialistët duke krijuar percedentin e çuditshëm të pasurimit të punonjësve të lartë shtetërore, si rezultat i findeve që jepen për punë publike.

    Konkluzioni

    Pavarësisht se nga mediat paraqiten si rivalë dhe armiq, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku janë fatkeqësisht të ngjashëm deri në detaje. Ata dyshohen se kanë aplikuar, të njëjtat skema të për të arritur të njëjtat qëllime. Në institucionet që ara drejtojnë ka marrë fund koha kur për një punë të fituar jepej rryshfet. Në epokën e rilindjes me sa duket puna kalohet e gjitha tek të afërmit, familjarët apo të besuarit. Me siguri për të pasur në duar më shumë fonde për të korruptuar dhe për ti përdorur për zgjedhje. Kjo nuk ka shumë nevojë për tu kuptuar ndonëse protagonistët vijojnë të revitojnë variantin e bërë bozë nga shefi se janë ata poshtë që hanë kumblla dhe dardhë, pa djeninë e vendimmarrësit.

  • Opozita bllokoi rrugët, përplasje me policinë në Tiranë dhe Elbasan

    Opozita bllokoi rrugët, përplasje me policinë në Tiranë dhe Elbasan

    Bashkërendimi i punës midis deputetëve: një grup deputetësh takoi eurodeputetët bashkë me socialistët, pjesa tjetër udhëhoqi protestën

    Për thuajse tre orë, opozita mbajti të bllokuar disa nga rrugët kryesore të vendit, jo vetëm si një formë e proteste kundër arrestimit të Sali Berishës, Ilir Metës dhe Ervin Salianjit, por edhe si një test për të dhënë prova të rezistencës ndaj presioneve të pushtetit.

    Protesta kishte parashikuar bllokimin e sheshit Shqiponja në Tiranë, të rrethrrotullimit të Milotit, të rrethrrotullimit të Shkozetit, në rrethrrotullimin e Bradasheshit, në rrethrrotullimin e Rrogozhinës dhe në Levan.

    Në pjesën më të madhe të kohës, protesta ka kaluar e qetë. Qytetarët u grumbulluan në sheshet e paracaktuar rreth orës 17:00, pasi deputetët e PD vendosën në mes të rrugës makinat e tyre, ndërsa policia ka qëndruar në distancë.

    Në të gjitha raste ambulancat janë lejuar të kalojnë, ndërsa protestuesit kanë djegur goma në rrugë.

    Ndërkohë që në orën 19:00 u duk se policia mori urdhër për të bërë përpjekje për të prishur protestën. Në Tiranë dhe në Bradashesh pati përplasje me deputetët. Policët afroheshin ngadalë, hap pas hapi dhe në fund, kur protestuesit u gjetën të mënjanuar, kanë reaguar.

    Përpjekjet e policisë për të liruar rrugën kanë qenë të suksesshme në Bradashesh, ku mbështetësit e opozitës u tërhoqën pas disa përplasjeve me uniformat blu.

    Ndërkohë në Tiranë, protestuesit nuk janë tërhequr dhe kanë qëndruar deri në fund, kur ishte vendosur mbyllja e protestës, deri në orën 20:00. Flamur Noka që kishte marrë përsipër të udhëhiqte protestën në sheshin Shqiponja, tha se, nëse policia do t’i shpërndante protestuesit me dhunë, atëherë “destinacioni i radhës ishte Surreli”.

    Por ndërkohë që një pjesë e qytetarëve ndoqën Flamur Nokën në Tiranë apo Tomorr Alizotin në Bradashesh që u përplasën me policinë, një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike nuk morën pjesë në protestë.

    Ina Zhupa, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj, Oerd Bylykbashi dhe kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ishin caktuar të shkonin në takim me një delegacion deputetësh nga Parlamenti Europian.

    Prezenca e deputetëve në një takim me eurodeputetët vërtetë nuk ishte në sintoni me sakrificën që i kërkohet mbështetësve të opozitës për mosbindje civile dhe bllokim rrugësh, akte për të cilat policia paralajmëroi disa herë se do të ndiqen penalisht dhe ata që i kryejnë, rrezikojnë burgun, por ajo ishte një lëvizje në sinkron me pjesën tjetër të grupit parlamentar dhe të kryesisë së PD.

  • Nga Andi BUSHATI – A do të kërkojnë falje ata që mbështetën shkatërrimin e opozitës

    Arrestimet e opozitarëve që u kurorëzuan së fundi me burgosjen e Ilir Metës i kanë ndarë si me thikë, në dysh, ata që janë prononcuar publikisht për këto ngjarje. Këtu nuk e kam fjalën për militantët e partive apo për ata që sponsorizohen për të gërthitur në studio televizive, por për të tjerët, që reken të vënë në punë arsyen dhe të argumentojnë si difektet dhe risqet që përmban veprimtaria e SPAK, apo në të kundërt, të mirat dhe perspektivën që mund të përftohen prej akteve të tij.

    Teza e njërës palë është se duke izoluar krerët e partive me të mëdha opozitare, në ndonjë rast duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e votimit popullor, apo në ndonjë tjetër, duke burgosur ata që kryejnë detyrën e dencocuesit si opozitarë, drejtësia e re po bëhet pjesë e lojës politike, duke përçudnuar fushën e garës ku ajo zhvillohet.

    Në këtë logjikë argumenti është se zgjedhjet e ardhshme janë vrarë ende që pa nisur, se ato i kanë garantuar autokratit në pushtet jo vetëm një fitore të sigurtë, por në përmasa të atilla, sa në parlamentin e ardhshëm mund të ketë një shumicë të kuafifikuar, të vlefshme për të ndryshuar kushtetutën dhe për të thelluar kleptokracinë tashmë të instaluar.

    Në këtë kuptim, frika është se SPAK dhe GJKKKO, që lindën për të luftuar pandëshkueshmërinë dhe korrupsionin, mund ti bëjnë edhe më të paprekshme ato, duke u sjellë si faktor vendimtar për triumfin e një pushteti që do të jetë edhe më i pakontrolluar, si rezultat i një opozite të shkalafitur nga ndërhyrja e drejtësisë.  

    Duke qenë se personalisht ndaj analizën e mësipërme për zhvillimin e ngjarjeve si dhe për atë që mund të ndodhë nesër, i kam ndjekur me tepër kujdes dhe vëmendje ata që predikojnë të kundërtën. Në këtë grup bëjnë pjesë si opinionistë që mbajnë mantelin e të pavarurit, po ashtu edhe drejtues emergjentë të partive të reja, që kanë dalë në skenë kohët e fundit. Si në korr ata pretendojnë se drejtësia e re nuk është një armë në dorën e Ramës. Ata analizojnë se ajo nuk po godet liderët e opozitës por, se janë këta të fundit që po barikadohen tek forcat e tyre të vjetra politike, për të marrë një mbrojtje artificiale. Ata e thonë me gojën plot se kanë besim te SPAK dhe e shohin si pozitiv për të ardhmen e vendit, aksionin e tij. Ata mohojnë të perceptojnë ndonjë rrezik për demokracinë, madje pretendojnë se nxjerrja nga loja e “liderëve të pavdekshëm” do të hapë mundësinë për suksesin elektoral të partive të reja, të papërlyera dhe të pa korruptuara. Sipas tyre, kjo do të sillte automatikisht edhe fundin e një autokrati si Edi Rama, atuja e vetme e të cilit, për të qëndruar në pushtet, është se ka përballë rivalë me legjitimitet të shkatërruar si Berisha dhe Meta.    

    Pra, po të përmbledhësh bastin që ata kanë vënë për të ardhmen e afërt, ai parashikon vetëm zhvillime pozitive. Në optikën e tyre, e mira e parë do të jetë heqja qafe e figurave që vazhdojnë të na qëndrojnë prej tri dekadash përdhunshëm mbi shpinë, si Sala dhe Likja. Kjo do të pasohet nga një zhvillim tjetër, nga rinovimi i elitave politike në opozitë. Dhe të dyja këto së bashku do të prodhojnë në finale edhe krisjen apo degradimin e imazhit të Ramës, duke prodhuar fundin e erës së tij.

    Por fatkeqësisht, e mira e këtyre optikave diametralisht të kundërta është se matja e vërtetësisë analitike të tyre, kësaj here ka afat, madje një kohë tepër të limituar. Prova e tyre e zjarrit janë zgjedhjet e majit të ardhshëm.

    Jam tepër kurioz të shoh qëndrimin që ata do të mbajnë nëse pas shtatë muajsh, ashtu siç prtitet të ndodhë në çdo regjim autokratik, falë ndërhyrjes së drejtësisë në garën elektorale, opozita zyrtare (PD-LSI) do të dalë shumë më e dobët sesa tani, por duke ruajtur sërish mopolin e opozitarizmit?

    Çfarë do të thonë nëse me gjithë luftën që i’u bë të vjetërve, Berisha dhe Meta, partitë e reja do të kenë sërish rezultate irilevante, për arsyen e thjeshtë se është në ADN e çdo regjimi anti demokratik që të mos lejojë opozita të forta?

    Si do të reagojnë nëse loja e SPAK për të zhbalancuar garën, do të prodhojë edhe më shumë fuqi në duart e Edi Ramës duke i dhënë atij përmes zgjedhjeve mundësinë për të dizenjuar në pushtet absolut?

    Ç’do të bëjnë nëse e gjitha kjo përfundon me opozitën e vjetër të raskapitur dhe me të renë krejtësisht të papërfillshme, pra me dobësimin e mëtejshëm të pluralizmit politik në vend?

    Ky skenar tani ngjan më afër se kurrë dhe të gjithë ata që po duartrokasin asgjesimin e kësaj opozite, ashtu të keqe dhe të pamoralshme siç e kemi, nuk mund të shtiren sikur nuk e shikojnë.

    Nëse nuk kanë qenë me mision për të prodhuar fillesat e një realitet të ri diktatorial, por thjeshtë naivë të sinqertë, ata do të duhet të kërkonin falje, nëse kjo hipotezë vërtetohet pas zgjedhjeve të ardhshme. Edhe për opinionistët e pavarur edhe për krerët e partive të reja që mbrojtën këto teza do ishte e pashmangshme një ndjesë publike, nëse do kishin ndihmuar, me apo pa dashje, në krijimin e një Shqipërie më të keqe.

    Nëse premtojnë t’a bëjnë këtë, le të vazhdojnë edhe këto shtatë muaj të mbrojnë idenë se një drejtësi me dy standarte kundër opozitës, prodhon një vend më të mirë për të gjithë ne. Në kushtet e sotme nuk mund të kërkosh më shumë prej tyre.