Blog

  • Nga Kim MEHMETI – SPAK-u po bën çdo gjë për të mbrojtur pronarin e Shqipërisë, Edi Ramën

    E nxorën zvarrë nga makina?! Si të ishte kryebandit, vendndodhjen e të cilit mezi e kishte zbuluar policia, e jo ish-President i shtetit, i cili me asgjë nuk la të kuptohet se do ikte nga vendi apo do e shmangte përballjen me drejtësinë.

    E Ilir Meta i sotëm, me asgjë nuk është më i ndryshëm nga ai i ditës kur u zgjodh President dhe kur Piktori e lëvdonte si më të mirin që kurdo qoftë e ka pasur Shqipëria. Përpos që asokohe Piktori shpresonte se do e kishte nën kontroll dhe se nuk do bëhej ky që është sot: armik i tij politik, i cili me asgjë nuk mund të shantazhohet.

    Tani të gjithë pyesin se kujt i nevojitej një spektakël i tillë që u ka hije vetëm shteteve që nuk janë shtete, por vëllazëri bandash? Pra, thuajse të gjithë shtiren se nuk e dinë se ky demonstrim force primitive ndodh vetëm në vende ku policia e mbron pushtetin e jo shtetin dhe ku duhet të shihet qartë se Shqipëria ka pasur mbret e diktator, por kurrë jo atë që ka sot: pronarin e vet – Piktorin!

    Dhe duke qenë e tillë, çdo gjë në të, që nga Gjykata Kushtetuese e deri te SPAK-u, e kanë për obligim ta mbrojnë atë nga gjithë ata që mund ta rrezikojnë pronarin e saj – Piktorin. Si dhe të mos lejojnë që kushdoqoftë ta rrezikojë ‘aleancën e qelbësirave’ me përfaqësuesin e saj më të denjë: drejtuesin e shkollës së hajdutëve –  Kryetarin e Bashkisë së Tiranës!

    Po pra, me këtë spektakël policor, Piktori ua ripërsëriti kundërshtarëve të vet politik porosinë, të cilën vite me radhë ata assesi ta kuptojnë: se jo vetëm Shqipërinë, por edhe shqiptarët në të ai i konsideron si pengje në duart e hajdutëve të ‘Rilindjes’.

    Sot pra e arrestuan ish-Presidentin e Shqipërisë. Edhe atë në mes të rrugës, duke e nxjerrë zvarrë nga makina, ashtu siç nuk do veprohej as me ndonjë kryemafioz të kërkuar me vite. Por siç mund të veprojë vetëm policia e Piktorit, të cilit askush nuk i ka treguar se ai që në luftën për t’i mënjanuar kundërshtarët e vet politik e përdor shpatën, ka vetëm një përparësi: paraprakisht e sheh vendin ku një ditë do rrokulliset edhe koka e tij!

  • Jeni grindur? Këngët më emocionale për të kërkuar falje

    Jeni grindur? Këngët më emocionale për të kërkuar falje

    Elton John thoshte se “më fal” duket të jetë fjala më e vështirë nga të gjitha. Ndoshta kishte të drejtë! Të kërkosh falje mund të jetë e ndërlikuar, por është diçka që shumica prej nesh e kanë bërë dhe duhet ta bëjnë gjatë jetës. Dhe në çfarë mënyrë më të mirë për t’i kërkuar falje dikujt sesa përmes një kënge?

    Këtu do të gjeni një seri këngësh për t’ia dedikuar një personi që do të dëshironit t’i kërkoni falje. Lëvizni nëpër rreshta dhe lëshohi kah frymëzimit!

    ‘Please Forgive Me – Të lutem më fal’: Bryan Adams

    Kantautori kanadez qëllon drejt e në shenjë në hitin e tij të vitit 1993 ‘Please Forgive Me’ me këto fjalë: “Please forgive me, I know not what I do / Please forgive me, I can’t stop loving you” – “Të lutem më fal, nuk e di se çfarë bëj / Të lutem më fal, nuk mund të ndaloj së të dashuruari”.

    ‘Always on My Mind – Gjithmonë në mendjen time’: Elvis Presley

    ‘Always on My Mind’ e realizuar nga zërat e Elvis Presley, Willie Nelson dhe Pet Shop Boys është një këngë e madhe për falje. “Maybe I didn’t treat you / Quite as good as I should / Maybe I didn’t love you / Quite as often as I could / Little things I should have said and done / I never took the time / You were always on my mind. – Ndoshta nuk të kam trajtuar / Aq mirë sa duhet / Ndoshta nuk të kam dashur / aq shpesh sa kam mundur / Gjëra të vogla që duhet të kisha thënë dhe bërë / Nuk i kam marrë parasysh / Ti ke qenë gjithmonë në mendjen time”.

    ‘Hello – Përshëndetje’: Adele

    Adele këndon këtë këngë zemërthyese për ish-in e saj dhe na bën të mendojmë me keqardhje për gabimet e së shkuarës. Teksti përfshin vargje të tilla si: “I must’ve called a thousand times / To tell you I’m sorry for everything that I’ve done […] Hello from the outside / At least I can say that I’ve tried / To tell you I’m sorry for breaking your heart – Duhet të kem telefonuar mijëra herë / Të të them se më vjen keq për gjithçka kam bërë […] Përshëndetje nga ana tjetër / Të paktën mund të them që u përpoqa / Të të them se më vjen keq që të kam thyer zemrën”.

    ‘Sorry Seems to Be the Hardest Word – Më fal duket të jetë fjala më e vështirë’: Elton John

    Kjo këngë e Elton John e vitit 1976 është një klasike e vërtetë, por dhe një këngë e mrekullueshme për t’i kërkuar falje dikujt, edhe pse ndonjëherë të pranosh se ke gabuar është shumë e vështirë. Teksti përfshin vargje emocionale si: “What do I do to make you love me? / What have I got to do to be heard? /What do I do when lightning strikes me?” and “It’s sad, so sad / It’s a sad, sad situation – Çfarë do të bëj që të më duash?/ Çfarë duhet të bëj që të më dëgjosh? / Çfarë të bëj kur më godet rrufeja?” dhe “Është e trishtuar, aq e trishtuar/ Është një situatë e trishtuar, e trishtuar”.

    ‘Purple Rain – Shi i purpurt’: Prince

    Një nga këngët më të famshme të Prince, ‘Purple Rain- Shi i purpurt’, fillon me një falje të përzemërt: “I never meant to cause you any sorrow / I never meant to cause you any pain – Unë kurrë nuk kam menduar të të shkaktoj ndonjë trishtim / Unë kurrë nuk kam menduar të të shkaktoj ndonjë dhimbje”.

    ‘All Apologies – Të gjitha faljet’: Nirvana

    Kurt Cobain nga Nirvana kërkoi falje duke kënduar: “What else should I be? / All apologies” e “Everything is my fault / I’ll take all the blame – Çfarë tjetër duhet të jem?/ Të gjitha falje” dhe “Gjithçka është faji im/ Unë do ta marr të gjithë fajin”.

    ‘Back to December – Kthehu në dhjetor’: Taylor Swift

    Kjo këngë ka të bëjë me ish-in e këngëtares, por shumë prej nesh mund të lidhen. “So this is me swallowin’ my pride / Standin’ in front of you sayin’ I’m sorry for that night / And I go back to December all the time / It turns out freedom ain’t nothin’ but missin’ you / Wishin’ I’d realized what I had when you were mine – Pra, kjo jam unë duke gëlltitur krenarinë time / Qëndroj para teje duke thënë ‘Më vjen keq për atë natë’ / Dhe unë kthehem në dhjetor gjithmonë / Më doli se liria nuk është gjë tjetër veçse ‘më mungon’ / Do të doja të kuptoja se çfarë kisha kur ti ishe i imi”.

    ‘Jealous Guy – Djalë xheloz’: John Lennon

    Ish-Beatlesi kërkon falje që kishte lënë xhelozinë të merrte më të mirën prej tij. “I didn’t mean to hurt you / I’m sorry that I made you cry / Oh no, I didn’t want to hurt you / I’m just a jealous guy. – Nuk doja të të lëndoja / Më fal që të bëra të qash / Oh jo, nuk doja të të lëndoja / Unë jam thjesht një djalë xheloz”.

    ‘Apologize – Kërko falje’: Timbaland – (feat. One Republic)

    Ky hit i vitit 2011 na ka bërë të mendojmë për të gjitha ato raste që kemi gabuar dhe na ka bërë të kërkojmë nëse “it’s too late to apologize – është tepër vonë për të kërkuar falje”.

    ‘Sorry – Më fal’: Justin Bieber

    Thuhet se kjo këngë ka të bëjë me ish-in e Bieber, Selena Gomez. “Yeah, is it too late now to say sorry? / Cause I’m missing more than just your body / Is it too late now to say sorry? / Yeah I know that I let you down – Por, a është tepër vonë tani për të thënë falje? / Sepse më mungon më shumë sesa thjesht trupi yt / A është tepër vonë tani për të kërkuar falje? / Po, e di që të zhgënjeva”.

    ‘Ms. Jackson’: Outkast

    Kjo këngë është shkruar për nënën e Erykah Badu (reperi André 3000 kishte një lidhje romantike me Badu). Thotë: “I’m sorry Ms. Jackson (oh), I am for real / Never meant to make your daughter cry / I apologize a trillion times – Më vjen keq znj. Jackson (oh), unë jam i sinqertë / Asnjëherë nuk kam dashur ta bëj vajzën tuaj të qajë / Ju kërkoj falje një trilion herë”.

    ‘Sorry – Më fal’: Ciara

    Një tjetër këngë me falje e përzemërt e shkruar për një ish. “Say baby, I’ll do what it takes / And I will be here all the way, baby / All you had to do is say that I’m sorry (Baby I’m sorry) – Thuaj bebi, unë do të bëj atë që duhet / Dhe unë do të jem këtu gjatë gjithë rrugës, bebi/ E gjitha ajo që duhet të bëje ishte të thoje më vjen keq (Bebi, më fal)”.

    ‘A Song for You – Një këngë për ty’: Amy Winehouse

    Kjo këngë, e shkruar fillimisht nga Leon Russell, është publikuar pas vdekjes. “I’ve treated you unkindly but can’t you see / There’s no one more important to me – Të kam trajtuar keq, por nuk mund të shohësh / Nuk ka njeri më të rëndësishëm për mua”.

    ‘Swallow My Pride – Gëlltis krenarinë time’: The Ramones

    Nuk është e lehtë të gëlltisësh krenarinë tënde dhe të kërkosh falje, siç këndon Joey Ramone në këtë këngë punk rock të vitit 1977. “Swallow my pride / And things were lookin’ grim / But they’re lookin’ good again/ Swallow my pride – Gëlltis krenarinë time / Dhe gjërat dukeshin të zymta / Por ata duken mirë përsëri / Gëlltis krenarinë time”.

    ‘Sorry – Më fal’: Halsey

    Kjo këngë ka të bëjë me keqardhjen që nuk i kemi trajtuar të dashurit tanë ashtu siç duhet dhe madje t’u kërkojmë falje paraprakisht të dashurve të ardhshëm. “Sorry to my unknown lover / Sorry I could be so blind / Didn’t mean to leave you / And all of the things that we had behind -Më fal i dashuri im i panjohur / Më fal që isha kaq i verbër / Nuk doja të të lija / Dhe të gjitha gjërat që lamë më pas”.

    ‘I Did It – Unë e bëra’: Dave Matthews Band

    Jo të gjitha këngët që kërkojnë falje duhet të jenë një shfryrje e rëndë emocionale. ‘I Did It’ e Dave Matthews Band është shembulli më i mirë i optimizmit. “I did it / Do you think I’ve gone too far / I did it / Guilty as charged – Unë e bëra / A mendon se kam shkuar shumë larg / Unë e bëra / Fajtor si i akuzuar”.

    ‘Forgive Me – Më harro’: Evanescence

    E publikuar në vitin 1999, kënga e pasionuar e Amy Lee e bën këtë këngë një apologji të vërtetë të fuqishme. “Can you forgive me again / I don’t know what I said / But I didn’t mean to hurt you – A mund të më falësh përsëri / Nuk dija çfarë thoja / Por nuk doja të të lëndoja”.

    ‘Cat’s In the Cradle – Macja në djep’: Harry Chapin

    Historia e një babai të keqardhur që nuk kishte patur kohë për djalin e tij dhe se si i biri rezultoi njëlloj si ai. Është mjaft emocionuese.

    ‘In Between – Në mes’: Linkin Park

    Kjo këngë ka të bëjë me vështirësinë e të mos qenit personi që duhet të jesh. “Let me apologize for what I’m about to say / But trying to be genuine was harder than it seemed / And somehow I got caught up in between – Më lejo të të kërkoj falje për atë që do të them / Por të mundohesha të jem e sinqertë ishte më e vështirë nga sa dukej / Dhe disi mbeta në mes”.

    ‘Hurt – Të lënduar’: Christina Aguilera

    Kjo këngë flet për humbjen e një personi të dashur dhe sa e rëndësishme është të kërkosh falje kur të mundesh. “Oh I’m sorry for blaming you / For everything I just couldn’t do / And I’ve hurt myself by hurting you – Oh, më fal që të fajësova ty / Për gjithçka që thjesht nuk munda të bëja / Dhe kam lënduar veten duke të lënduar ty”.

    ‘So Sorry – Ndaj më fal’: Feist

    Këngëtarja e pranon gabimin e saj në ‘So Sorry’. E gjithë kënga shpreh faljet e saj: “I’m sorry / Two words I always think / After you’ve gone / When I realize I was acting all wrong – Më fal / Dy fjalë i mendoj gjithmonë / Pasi je larguar / Kur kuptova se bëra gabim”.

    ‘For What It’s Worth – Për atë që ia vlen’: Liam Gallagher

    Ish-frontmeni i Oasis e nis këtë këngë me një tekst me efekt të madh: “In my defense, all my intentions were good / And heaven owns a place somewhere for the misunderstood / You know I’d give you blood if it’d be enough – Në mbrojtjen time, të gjitha qëllimet e mia ishin të mira / Dhe parajsa diku e ka një vend për të keqkuptuarit / Ti e di që do të të jepja gjakun nëse do të mjaftonte”.

    ‘Don’t Love You No More (I’m Sorry) – Mos të të dua më (më fal)’: Craig David

    Teksti i kësaj kënge është brutalisht i sinqertë. Thotë: “I don’t care babe who’s right or wrong / I just don’t love you no more – S’më intereson bebi kush ka të drejtë apo gabim / thjesht nuk të dua më”.

    ‘Më fal – I’m Sorry’: Blake Shelton

    Kjo këngë flet për faljen, por ndonjëherë faljet nuk janë të mjaftueshme dhe Blake Shelton e di mirë këtë kur këndon: “Well, I’m sorry / But sometimes sorry / Just ain’t good enough – Epo, më fal / Por ndonjëherë më fal / Thjesht nuk mjafton”.

    ‘I Apologize – Unë kërkoj falje’: Anita Baker

    Këngëtarja i kërkon falje personit që dashuron pas një zënie, duke kënduar: “I apologize / Oh, believe me I do / I apologize / Honest and true / Because I know I was wrong / So I sing you this song / And I’m tryin’ to get through / To make it up to you, yeah – Kërkoj falje / Oh, më besoni unë dua / Kërkoj falje / Të sinqertë dhe e vërtetë / Sepse e di që kam gabuar / Kështu që po të këndoj këtë këngë / Dhe unë po përpiqem ta kaloj / Unë e bëj për ty, po”.

    ‘Baby Come Back – Baby, kthehu’: Player

    Kjo është një tjetër këngë klasike faljeje. Teksti thoshte: “Baby come back, any kind of fool could see / There was something in everything about you / Baby come back, you can blame it all on me / I was wrong and I just can’t live without you – Bebi kthehu, çdo lloj budallai mund të shihte / Se kishte diçka në gjithçka për ty / Bebi kthehu, mund t’i fajësosh të gjitha te mua / Kam gabuar dhe thjesht nuk mund të jetoj pa ty”.

    ‘Hard to Say I’m Sorry – Vështirë të them më vjen keq’: Chicago

    Kjo këngë e vitit 1982 është me të vërtetë një këngë falje shumë e ndjerë. Është kënga perfekte për të kërkuar falje pas një pauze në marrëdhënien tënde. “I will make it up to you, I promise to / And after all that’s been said and done /You’re just the part of me, I can’t let go – Do ta shlyej, të premtoj / Dhe pas gjithë asaj që është thënë dhe bërë / Ti je thjesht pjesë e imja, që nuk mund ta lë të shkojë”.

    ‘I’m Sorry – Më fal’: Brenda Lee

    Kjo këngë e vitit 1960 përmbledh domethënien e kërkimit të faljes: “I’m sorry, so sorry / That I was such a fool / I didn’t know / Love could be so cruel – Më fal, më fal shumë / Që isha kaq budallaqë / Nuk e dija / Dashuria mund të jetë kaq mizore”.

    ‘Sorry – Më fal’: Madonna

    Nëse je si Madonna dhe keni vështirësi të falësh dikë, atëherë kjo këngë është për ty: “Please don’t say you’re sorry / I’ve heard it all before – Të lutem mos thuaj se të vjen keq / i kam dëgjuar të gjitha më parë”.

    Burimet: (Music Grotto) (Billboard) (Spinditty)

    Përgatiti: Dardan MITROVICA

  • Rënia e grupit socialist të Durrësit

    Rënia e grupit socialist të Durrësit

    Ndërsa mandati qeverisës i dalë nga zgjedhjet e vitit 2021 po i afrohet fundit, tre nga tetë kandidatët fitues të Partisë Socialiste janë dy në burg dhe një i dorëhequr. Historitë e këtyre deputetëve nxjerrin në sipërfaqe penetrimin masiv të krimit të organizuar në radhët e partisë në pushtet.

    Në zgjedhjet e vitit 2021, Durrësi ishte një nga qarqet që kontribuoi në fitoren e mandatit të tretë qeverisës të kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste, një palë zgjedhje në të cilat tashmë është e qartë që struktura të krimit të organizuar patën rol domethënës, e ndoshta, vendimtar në disa zona për garantimin e fitores.

    Socialistët fituan 50% të votave në Qarkun Durrës ose 77 mijë, duke rrëmbyer tetë mandate pasi votat e opozitës u ndanë mes PD dhe LSI ndërsa LSI nuk arriti të marrë një mandat për shkak se mori 136 vota më pak nga sa nevojiteshin.

    Por ndërsa socialistët fituan zgjedhjet, si falë numrit të votave ashtu edhe rastësisë së shkaktuar nga formula D-Hondt që përdoret për ndarjen e mandateve, telashet e tyre filluan menjëherë pas fitores. Akoma pa marrë mandatin, Lefter Koka, një politikan vendor të cilin PS e mori nga LSI, dha dorëheqjen në shtator të vitit 2021 pa dhënë shpjegime për shkaqet. Në deklaratën e dorëheqjes, Koka la të kuptohet gjithashtu se ai po tërhiqej nga politika.

    Shqiptarët votuan në zgjedhjet e vitit 2021 me lista thuajse të mbyllura të partive, por Edi Rama, në ndryshimet që i bëri Kodit Zgjedhor në vitin 2020, i dha mundësinë votuesve të jepnin edhe një “votë pëlqyese” për kandidatin për deputet. Koka kontribuoi fort në fitoren e socialistëve në Durrës pasi mori në ato zgjedhje 9,600 vota pëlqyese ose 15% të të gjitha votave të socialistëve. Dhe Koka ishte i pari që u rrëzua. Në dhjetor të atij viti, ai u arrestua nga SPAK nën akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Ai është dënuar dy herë për incineratorët e Elbasanit dhe të Fierit. Çështja e tij vijon të shqyrtohet në Apel.

    Rrahman Rraja, deputeti nga zona e Fushë-Krujës, i cili në zgjedhjet e vitit 2021 mori gati 7800 vota pëlqyese ose 12%, u dorëhoq dhe u tërhoq nga politika në gusht 2023. Arsyeja e dorëheqjes së tij lidhej me publikimin e një video ku të afërm të tij, përfshirë edhe të birin, rrahën në mënyrë barbare dy qytetarë, “krimi” i të cilëve ishte që ata ishin ankuar në komisariatin e policisë për shpërthimet që po kryheshin në një gurore dhe që po i dëmtonin shtëpitë. Mes dhunuesve ishte i biri i deputetit, Rexhep Rraja, dhe i vëllai, Xhelaj Rraja. I vëllai u arrestua së fundmi si pjesë e dosjes së shtatë bandave, i akuzuar se në aleancë me Durim Bamin planifikoi vrasjen e Arben Ndokës, një ish-deputet tjetër socialist.

    Së fundmi, arrestimi i Jurgis Çyrbjes duket se do të rëndojë mbi socialistët më gjatë. Karriera e Çyrbjes ka nisur si drejtor hipoteke në Durrës në vitin 2013 kur ishte 28 vjeç. Ai u bë katër vjet më vonë deputet në listat e Partisë Socialiste dhe u konfirmua më 2021, kur fitoi gati 6600 vota. Njoftimi i prokurorisë për arrestimin e tij për tre akuza, e portretizon Çyrbjen si një njeri që kryente ndërmjetësin mes strukturave të paidentifikuara shtetërore dhe grupeve kriminale për të trafikuar informacion sekret mbi planet policore për operacione dhe për arrestime te krimi. Prokuroria veçon marrëdhënien e tij me Altin Hajrin, pronari i një kompleksi dasmash në Shijak në të cilin, në vitin 2020 humbi jetën Jan Prenga. Sipas prokurorisë, Çyrbja ka ndihmuar Hajrin t’i shpëtojë drejtësisë, duke ndërhyrë në agjenci ligjzbatuese ndërsa ka kryer korrupsion aktiv në zgjedhje në lidhje me të. Hajri nga ana e tij i ka siguruar atij votues.

    Në total, Koka, Rraja dhe Çyrbja morën bashkërisht në zgjedhjet e vitit 2021 24 mijë vota ose 38% të të gjithë votave të Partisë Socialiste në qarkun Durrës./BIRN

  • Dështoi aventura Rama-Meloni, gjykata urdhëron kthimin e refugjatëve në Itali

    Dështoi aventura Rama-Meloni, gjykata urdhëron kthimin e refugjatëve në Itali

    Borxhin që i kemi Italisë do t’ia shlyejmë një herë tjetër. Gjykatat italiane kanë rrëzuar paktin Rama-Meloni, pasi asnjë prej të dyve nuk ka të drejtë të burgosë askënd, aq më tepër refugjatë fatkeqë që kapen në mes të detit dhe kërkojnë azil. Edhe pse kampet u ndërtuar në Shqipëri për të shmangur gjykatat italiane, sërish plani nuk funksionon dhe është rrëzuar nga një vendim i gjykatës së Romës, që e ndalon izolimin e emigrantëve.

    Vendimi i dhënë këtë të premte i jep lirinë edhe 12 fatkeqëve të parë që provuan burgun në Shqipëri dhe i detyron autoritetet italiane t’i rikthejnë ata menjëherë në Itali, të gjithë, edhe sikur kërkesat e tyre për azil të jenë refuzuar nga komisionet përkatëse.

    Vendimi i gjykatës italiane sapo ka përmbysur kështu një nisëm plot pikëpyetje të dyshes Rama-Meloni, e cila u denoncua nga shumë organizata humanitare si një shkelje e hapur e të drejtave të njeriut.

    Vendimi i gjykatës italiane bazohet në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë të datës 4 tetor, që u mor pak ditë para hapjes së qendrave të Shëngjinit dhe të Gjadrit. Sipas këtij vendimi, vendi nga ku niset një refugjat që kërkon azil duhet të jetë “i sigurt” dhe nuk mund të ketë persekutim, diskriminim apo torturë ndaj askujt në asnjë zonë të territorit. Dhe Egjipti dhe Bangladeshi, nga ku vinin emigrantët e parë që u burgosën në Gjadër, nuk konsiderohen vende “të sigurta”.

    La Repubblica citon drejtuesen e seksionit të emigracionit në gjykatën e Romës, Luciana Sangiovanni që thotë në një deklaratë për shtyp se: “Izolimi i emigrantëve nuk është legjitimuar në bazë të parimeve, detyruese për gjyqtarët vendas dhe për vetë administratën, të përcaktuara nga vendimi i fundit i Gjykatës Europiane. Mohimi i legjitimimit për izolimin në strukturat dhe zonat shqiptare, të barazuara me zonat kufitare ose tranzitore italiane, lidhet me pamundësinë e njohjes si vend “vende të sigurta” të shteteve të prejardhjes së personave të mbajtur (në këto struktura), me pasojë mosaplikimin e procedurës kufitare dhe, sic parashikohet në protokoll, të transferimit jashtë territorit shqiptar të emigrantëve, që kanë të drejtën të kthehen në Itali”.

    Në thelb, gjykata ka refuzuar të pranojë burgosjen e emigrantëve, të cilët sipas paktit Rama-Meloni, pasi sillen në Shqipëri nuk mund të lëvizin të lirë në territorin shqiptar. Për këtë arsye, emigrantët do të duhet të hipin sërish në një anije për t’u kthyer në Itali, në portin ku qeveria italiane vendos t’i zbarkojë.

    “Autoritetet italiane kanë për detyrë të kthejnë të arrestuarit në Itali dhe t’i lejojnë ata të ushtrojnë të drejtën e azilit në territorin italian”, citohen avokatët e një prej emigrantëve që aktualisht është mbyllur në kampin e Gjadrit nga mediat italiane.

    Pakti Rama-Meloni mendohet se i ka kushtuar Italisë disa qindra miliona euro. Marrëveshja u përshëndet me entuziasëm nga forcat e të djathtës ekstreme që kërkojnë masa më të forta kundër refugjatëve që hyjnë ilegalisht në Bashkimin Europian.

    Dhe sot ka mbërritur “jo” për ndalimin e të dymbëdhjetë të parëve dhe qendrat shqiptare në Shëngjin dhe Gjadër mund të mbeten bosh nga mbrëmja e sotme.

  • Qeverisja e dem dhe rikthimi i Trump: pse Kamala Harris po bie në sondazhe

    Qeverisja e dem dhe rikthimi i Trump: pse Kamala Harris po bie në sondazhe

    Më pak se një muaj para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, fushata elektorale e zëvendëspresidentes ka ngecur. Bie mbështetja nga afrikano-amerikanët dhe të rinjtë. Kjo është arsyeja pse gjithçka është ende në lojë

    Muaji i mjaltit mes amerikanëve dhe Kamala Harris ka përfunduar përfundimisht. Ditë pas dite, inercia e sondazheve tregon jo vetëm se rezultati i zgjedhjeve është shumë i hapur, por mbi të gjitha se Donald Trump po fillon të rimëkëmbet dhe të anulojë avantazhin që zv/presidentja pati grumbulluar gjatë verës. Fillojmë me shifrat dhe të përshkruajmë skenarin. Për momentin supermedia e portalit FiveThirtyEight, Harris ka një avantazh kombëtar prej 2.6 pikësh, 48.5% për të kundrejt 46% për tycoon – manjatin. Por janë shtetet në ekuilibër ato që duhen parë. Ato pjesë të Amerikës, pra, ku presidenti i ardhshëm do të zgjidhet realisht me një grusht votash më shumë. Po flasim për Blue Wall të Wisconsin, Michigan dhe Pennsylvania dhe për shtetet jugore me Nevadën, Arizonën, Xhorxhinë dhe Karolinën e Veriut. Në të gjithë këta skenarë, dy kandidatët janë kokë më kokë:

    • Wisconsin: Harris përpara (49% me 48%)
    • Michigan: Barazim (48% me 48%)
    • Pensilvania: Harris përpara (49% me 48%)
    • Nevada: Barazim (48% me 48%)
    • Arizona: Trump përpara (49% me 47%)
    • Gjeorgjia: Trump përpara (49% me 48%)
    • Karolina e Veriut: Trump përpara (49% me 48%)

    Nëse shikojmë këtë hartë kuptojmë se gjithçka do të vendoset nga diferenca e një grushti votash. Madje, për momentin është Harris që rrezikon më shumë. Që nga viti 2000, demokratët kanë treguar se vuajnë shumë nga sistemi i kolegjeve elektorale. Domethënë mekanizmi me të cilin zgjidhet presidenti. Për të fituar, një kandidat duhet të marrë shumicën e zgjedhësve (numri minimal për të fituar është 270) duke fituar shumicën e votave në shtete individuale dhe duke marrë këta zgjedhës të mëdhenj. Kjo do të thotë se nuk fiton ai që ka më shumë vota në absolut, por ai që fiton më shumë shtete.

    Që nga fitorja e madhe e Xhorxh W. Bush kundër Al Gore në vitin 2000 e këndej, republikanët kanë demonstruar se kanë forcën për të fituar zgjedhjet edhe pa fituar votën popullore. Donald Trump arriti të mposhtë Hillary Clinton më 2016 pa e marrë shumicën e votave popullore. Për këto arsye, gjatë viteve, ekspertët kanë llogaritur se për të shpresuar që të fitojnë demokratët duhet të ketë një diferencë votash në nivel kombëtar prej më shumë se 3 pikësh. E gjitha kjo shpjegon përse Harris ka hyrë ndoshta në momentin më kompleks të fushatës së saj elektorale. Do të kishte nevojë për një hendek më të madh në sondazhe, por për momentin hendeku me Trump po zvogëlohet në vend që të rritet.

    Rastësia, ekonomia dhe imigracioni

    Arsyet e këtij shqetësimi diktohen si nga ngjarje të rastësishme ashtu edhe nga arsye më të thella, dhe të dyja janë të lidhura dukshëm. Aktualisht, Harris vjen nga qenia si një anëtare e shquar e administratës aktuale. Një pjesë votuesish e akuzojnë atë dhe Biden për menaxhim jo optimal të dy dosjeve themelore: ekonomisë dhe menaxhimit të emigrantëve përgjatë kufirit jugor. Le t’ia fillojmë nga e para. Të dhënat makro të ekonomisë tregojnë një vend të shëndetshëm, me ofertë të bollshme pune, GDP në rritje dhe kompani në zgjerim. Problemi është se për shumë votues nuk është kështu, ose më saktë, për muaj të tërë ata janë ekspozuar ndaj inflacionit shumë të lartë që i bëri ata ta qajnë presidencën Trump dhe stabilitetin e periudhës 2016-2020.

    Çështja e dytë është emigracioni. Pas bllokadës pandemike të kërkuar nga manjati që kishte ngrirë hyrjet e emigrantëve të rinj, administrata Biden hoqi një sërë kufijsh dhe hyrjet e rregullta, e mbi të gjitha ato të parregullta, u rritën për muaj e muaj të tërë, derisa u vendos një tampon i parë me një akord si të rastësishëm me fqinjin, Meksikën. Emigracioni klandestin dhe i pakontrolluar vihet në dukje nga të gjithë si një nga çështjet më shqetësuese, bashkuar me shqetësimin në rritje për rritjen e krimit (i cili edhe pas viteve të vështira të pandemisë është kthyer në nivele të ngjashme me ato të 2019-ës).

    Këta dy elementë kanë ndikim mbi të gjithë amerikanët, por kanë efekt veçanërisht mbi dy pakicat që përbëjnë koalicionin elektoral demokrat: afrikano-amerikanët dhe hispanikët. Të dy kanë qenë më të prekurit nga inflacioni dhe janë ata që i frikësohen më shumë hyrjes së emigrantëve të paligjshëm që mund t’i “manipulojnë” ata duke ulur koston e punës. Dhe kështu Harris në ato dy segmente që janë thelbësore për të fituar gjendet e detyruar të luajë në mbrojtje, me republikanët që vazhdojnë të zgjerojnë konsensusin e tyre, veçanërisht midis të rinjve meshkuj me ngjyrë dhe latinë.

    Lodhja e vendit

    Në nivel më të gjerë, Harris dhe demokratët po paguajnë për një faktor tjetër. Nga viti 2008 e këndej kanë qenë në qeveri për 12 vjet kundër katër të republikanëve dhe Donald Trump. Periudha filloi me Yes We Can – Po ne mund, të Barack Obamës, me shpresën e shumë njerëzve për ta ndryshuar vendin, por më pas, tetë vjet plus katër në pushtet nuk sollën ndryshimin e shpresuar, veçanërisht në aspektin e qetësisë ekonomike dhe stabilitetit social. Për më tepër, qëndrimi për një kohë të gjatë në qeveri ka një efekt të dyfishtë, largon vëmendjen nga ai që mund të përkufizohet si “vendi i vërtetë” dhe redukton propozimet dhe idetë. Shumë demokratë, me të drejtë ose gabimisht, perceptohen si të paaftë për të çuar përpara një ide të gjerë në vend. I vendosur jo në propozime, por në mbrojtje të “flamujve”, si aborti, tranzicioni i gjelbër dhe gjithëpërfshirja e politikisht korrektes.

    Një program që mund të funksionojë mirë në zona të mëdha urbane të qyteteve si Çikago, San Francisko ose Nju Jorku, por jo në pjesën tjetër të vendit. Dhe kështu, plani i madh i Joe Biden për të ribashkuar Amerikën e polarizuar është shkrirë si bora në diell.

    Përgatiti për gazetatjeter.net: Dardan MITROVICA

  • Nga Andi BUSHATI – Derrat e Orwellit dhe rilindasit e drejtësisë së re

    Pa ndonjë surprizë të madhe Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën për pezullimin e dënimit të ish deputetit Ervin Salianji duke thelluar edhe më tepër instalimin e dy standarteve të drejtësisë së re atlantiste. Interesant në këtë akt nuk është vendimi i pritshëm i gjykatësve, por argumentat e mbrojtjes që ata kënë hedhur poshtë. Në 12 faqet që avokatët kishin depozituar tek togat e zeza “më të kualifikuara të vendit”, një pjesë të rëndësishme e zinte krahasimi diskriminues midis ndërprerjes së mandatit të një të zgjedhuri nga populli, që i përkiste opozitës dhe mbetjes në parlament të një të ngjashmeje të tij që i takonte qeverisë. Paralelet hiqeshim me rastin e ish ministres së jashtme Olta Xhaçka. Pa qenë në gjendje të gjykoj se sa efekt mund te kenë këto argumenta nga ana juridike, mendoj se shqyrtimi i tyre, jep për publikun e gjërë, një pasqyrë ulëritëse të kritereve të dyfishta që janë instaluar në ketë vend.

    Le ti marrim me radhë. Ndonëse Gjykata Kushtetuese, një herë bëri pirueta për të ndihmuar mazhorancën, ndërsa herën e dytë e detyroi me vendim parlamentin që të votonte për ti shpënë asaj rastin e “investitores strategjike”, kjo e fundit është ende e pa shqetësuar në parlament. Mandati i saj vijon pa të keq dhe me siguri kështu do të jetë deri në fillimin e fushatës së ardhshme. Nga ana tjetër Ervin Salianjit i’u dogj pa një pa dy mandati që i dhanë zgjedhësit në 2021-shin, ende pa pritur qoftë dhe zbardhjen e vendimit, por duke u mjaftuar vetëm me dizpozitivin.

    Së dyti, deputetja e PS e mban detyrën, ndonëse kryebashkiaku që dha truallin në të cilën u implikua emri i saj u burgos nga SPAK për korrupsion. Nga ana tjetër homologu i saj u zhvesh prej saj dhe përfundoi në burg vetëm prej “rrëfimit” të një dëshmitari të përpunuar dhe të paguar nga policia e Fierit.

    Së treti, me faj ose jo, Xhaçka akuzohet se ka përfituar nga detyra dhe se ka vepruar në konfikt interesi, ndërsa kolegu i saj opozitar, në mirë apo në keq besim, ka pasur si qëllim interesin publik, duke dashur të pengojë një trafikant që të përfitonte nga të pasurit e vëllait ministër të brendëshëm. Pra ai që denoncon e pëson, ndërsa ai që abuzon është i nderuar.

    Por, fatkeqësisht, ky nuk është rasti i vetëm ku lidhja okulte e politikës me ata që do i jepnin fund epokës së pandëshkueshmërisë, prodhon standarte të dyfishta.

    Po të shikosh procesin kundër Sali Berishës, që qëndron i izoluar pasi akuzohet se ka prodhuar vendime qeverie dhe votime parlamenti për të favorizuar dhëndrrin e tij në privatizimin e klubit Partizani, vë duart në kokë. Me të njëjtin standart Edi Rama duhej të kalbej prej kohësh në burg, jo vetëm sepse ka bërë të njëjtën gjë për inceneratorët që mbetën në letër, por se ka shkuar edhe më tej, duke miratuar bonusin për një kompani që nuk ekzistonte, pavarësisht se ministrat e tij e kishin vënë në djeni për këtë gjë. Por ndërsa Berisha po i afrohet fushatës ekektorale si lider i izoluar, SPAK, as ka guxuar ta pyesë kryeministrin aktual, qoftë edhe si person që ka djeni për vjedhjen e shekullit.

    Po të njëjtën fabul përforcon edhe procesi i atij që konsiderohet nga opozita si i burgosuri i tretë politik në vend, Fredi Belerit. Pa marrë parasysh se ai u dënua me prova dhe dëshmitarë të manipuluar, pra qoftë edhe duke prezumuar se gjithçka në procesin e tij qe e rregullt, sërish ka diçka që ulëret. Si ka mundësi që drejtësia u alarmua për 8 vota të ish kandidatit të Himarës, që sipas saj nuk vlenin së bashku më shumë se 3 mijë euro dhe nuk e ka vënë ende ujin në zjarr për vjedhjen sistemike të votës, që gjithë Shqipëria e dëgjoi me veshët e saj falë përgjimeve të publikuara prej Bildit. Apo mos vallë një i votuar minoritar bëhet më kollaj kokë turku, sesa e gjithë partia shtet, e impikuar në manipulimin eelektoral të Dibrës dhe Durrësit?

    Prandaj dhe mbrojtja e Salianjt, ndonëse ashtu sikurse pritej nuk pati sukses, bëri mirë që e vuri theksin tek trajtimi i diferencuar, i vendosur nga lidhja okulte qeveri drejtësi, ku opozitarët diskriminohen, ndërsa pushtetarët favorizohen.

    Reforma e euro-amerikanëve e cila u propogandua se kishte qëllimet më të larta, sot ka degraduar në një farsë të denjë për romanet e Orwellit. Më mirë sesa gjithçka asaj i shkon shprehja e stërpërdorur e fiksionit të shkrimtarit vizionar, për një regjim ku të gjitha kafshët janë të barabarta, por ama ka dhe disa që janë më të barabarta se të tjerat. Njësoj edhe sot ata që japin drejtësi në bashkëpunim me rilindjen i ngjajnë derrave të “Fermës së kafshëve”, që e vranë parimin e të qenit të barabartë përpara ligjit. Pikërisht për këtë, një deputet i opozitës e humbet mandatin, ndërsa tjetri i qeverisë jo; një ish kryeministër izolohet, ndërsa i njëjti mëkat për pasardhësin nuk konsiderohet faj; një kandidat që dyshohet se ka blerë pak vota shkon në burg, kurse ata që e kanë industrializuar manipulimin e zgjedhjeve quhen fitimtarë. Kjo është ripërtritja e pushtetit të derrave dhe ne nuk po përjetojmë asgjë më shumë se sa na ka parathënë këtu e tetë dekada më parë Orwelli.

  • Robin Hood, Hercules, William Tell… Por, a kanë ekzistuar vërtet?

    Robin Hood, Hercules, William Tell… Por, a kanë ekzistuar vërtet?

    Ekzistenca historike e këtyre personazheve nuk është vërtetuar asnjëherë

    Këta personazhe të famshëm kanë një ndikim të padiskutueshëm kulturor dhe simbolik. Megjithatë, shtrohet pyetja në kanë ekzistuar vërtet apo jo…? Në fakt, vetë ekzistenca e tyre, një përzierje e historisë, mitit dhe letërsisë, është shpesh e debatueshme. Tani, le të shkojmë së bashku në zbulim të disa prej këtyre heronjve.

    Robin Hood

    Robin Hood do të kishte jetuar nën mbretërimin e Mbretit John Lackland. Jetonte në pyllin Sherwood në krye të një bande të jashtëligjshshmish që luftonte kundër padrejtësive. I famshëm se vidhte të pasurit dhe ua jepte të varfërve, Robin Hood është një hero popullor anglez, ekzistenca e të cilit nuk është vërtetuar kurrë.

    Hercules – Herkuli

    Herkuli mund të jetë frymëzuar 

    nga një udhëheqës i lashtë ose luftëtar, megjithëse është qartë një produkt i mitologjisë. Njihet për forcën e tij mbinjerëzore dhe për kryerjen e dymbëdhjetë detyrave pothuajse të pamundura.

    Gilgameš – Gilgameshi

    Ekzistenca e tij historike si sundimtar është objekt debati. Në fakt, Gilgameshi paraqitet si një mbret gjysmë hyjnor i Urukut, që kërkonte pavdekësinë. Protagonist i veprës “Epopeja e Gilgameshit”, një nga tekstet më të vjetra letrare të njerëzimit, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë mesopotamiane.

    William Tell

    Figurë qendrore e kulturës zvicerane, megjithatë ekzistenca e tij historike nuk është konfirmuar asnjëherë qartësisht.

    Legjenda thotë se ky hero kombëtar zviceran, i famshëm për aftësinë e tij me hark, u detyrua t’i lëshonte një mollë në kokë të birit.

    El Cid – Rodrigo Díaz de Vivar

    Figura historike e El Cid Campeador, emri i vërtetë i të cilit ishte Rodrigo Díaz de Vivar, ka ekzistuar me të vërtetë. Janë bëmat që i atribuohen atij të cilat janë trillime letrare. Ky kalorës mercenar kristian, hero i Reconquista, që luftoi për të çliruar Spanjën nga maurët, u emërua Princ i Valencias.

    Lady Godiva

    Edhe në këtë rast, pavarësisht se bëhet fjalë për një figurë historike, veprat e tij kanë qenë me shumë mundësi të trilluara. Sipas legjendës, kjo fisnike anglo-saksone ecte e zhveshur nëpër rrugët e Coventry për të protestuar kundër taksave që burri i saj vendoste ndaj nënshtetasve të tij.

    Papa Joana

    Edhe pse historia e sipërmarrjes së saj shfaqet nëpër dokumente dhe kronologji të ndryshme,

    Kisha Katolike e konsideron Papën Joana një mit.

    Sipas një legjende mesjetare, ajo u maskua si burrë për t’u bërë papë.

    Jason

    Edhe pse është një figurë parësore në shumë histori antike, nuk ka asnjë dëshmi se ka ekzistuar në të vërtetë.

    Lider i Argonautëve në mitologji,

    ai është i famshëm për kërkimin e tij për Vellos së Artë.

    Mbreti Lir

    Mbreti Lir i Shekspirit është një tragjedi rreth çmendurisë dhe tradhtisë. Frymëzohet nga miti britanik i Lir, mbretit legjendar të Brittany, mbretërimi i të cilit zgjati 60 vjet dhe që e ndau mbretërinë e tij midis vajzave të tij.

  • Janë të gjithë gjallë? Çfarë thuhet për disa prej yjeve më të mëdhenj që nuk rrojnë më

    Janë të gjithë gjallë? Çfarë thuhet për disa prej yjeve më të mëdhenj që nuk rrojnë më

    Nga Elvis Presley, Tupak Shakur dhe Marilyn Monroe, duke kaluar nëpër Princeshën Diana të Uellsit, Michael Jackson e deri te zhdukjet e Kurt Cobain e Jim Morrison

    Sipas New York Times, teoritë e konspiracionit bazohen në besimin se “versioni zyrtar” i ngjarjeve është një gënjeshtër e madhe, e përhapur në dobi të interesave të errëta dhe të fuqishme. Ja disa shembuj të spekulimeve pa bazë shkencore apo prova konkrete, por që kanë qenë shumë të njohura në kohën e vdekjes së këtyre personazheve të famshëm.

    Elvis Presley

    Vdekja e “King of Rock” më 1977 u vu menjëherë në dyshim për shkak të pamjeve të supozuara të mëvonshme të këngëtarit, si dhe të mospërputhjeve në dokumentet zyrtare të vdekjes së tij. Konspiracistët sugjerojnë se, i lodhur nga fama, Presley e stimuloi vetë vdekjen e tij.

    Tupak Shakur

    Reperi Tupac Shakur, i njohur edhe për lidhjet e tij me disa banda kriminale, u vra më 1996, supozohet nga grupet rivale. Duke qenë se autori i krimit ende nuk është zbardhur, si dhe për shkak të teksteve të disa këngëve të tij, janë ushqyer teori sipas të cilave, në të vërtetë, është ende gjallë.

    Marilyn Monroe

    Versioni zyrtar është se Marilyn u vetvra më 1962, por vdekja e saj ndezi spekulime të shumta për një vrasje të mundshme, për shkak të lidhjeve të supozuara të saj me Kennedyt dhe të zbulimeve të mundshme komprometuese që ajo mund të kishte bërë.

    Princesha Diana e Uellsit

    Vdekja tragjike e Dianës më 1997 ka ndezur teori të ndryshme konspirative, ndër të cilat që ajo u vra nga familja mbretërore britanike për të parandaluar martesën e saj me Dodi Al-Fayed dhe konvertimin e saj të supozuar në Islam. Pati edhe spekulime se ajo ishte shtatzënë nga Al-Fayed, gjë që do të kishte pasoja katastrofike për familjen mbretërore.

    Michael Jackson

    Që nga vdekja e tij më 2009, janë shfaqur teori që sugjerojnë se Jackson është gjallë, në arrati nga fama, borxhet dhe akuzat e shumta për pedofili. Teoritë bazohen në foto dhe video që supozohet se janë bërë pas vdekjes së tij dhe mospërputhjet në raportet zyrtare.

    Jim Morrison

    Vdekja e liderit të The Doors më 1971 e klasifikuar zyrtarisht si ndalim zemre, u vu në dyshim për shkak të mungesës së një autopsie. Partnerja e tij Pamela Courson, e vetmja dëshmitare okulare e ngjarjeve, u gjet e pajetë tre vjet më vonë, më 1974, duke hedhur një vello tjetër misteri mbi incidentin.

    Kurt Cobain

    Vdekja e frontmanit të Nirvana më 1994 u klasifikua si e vetëshkaktuar, por, me kalimin e viteve, ka qenë gjithmonë objekt i teorive konspirative. Më e përhapura prej tyre thotë se ishte një vrasje që përfshin drejtpërdrejt edhe gruan e tij Courtney Love si të dyshuaren kryesor.

    Amelia Earhart

    Zhdukja e Earhart më 1937, teksa fluturonte mbi Oqeanin Paqësor me Fred Noonan në një përpjekje për të përfunduar një rreth lundrimi të botës, shkaktoi spekulime për fatin e saj, përfshirë teoritë sipas të cilave aviatorja mund të ishte kapur nga forcat anti-feministe japoneze apo se mund të kanë marrë një identitet të ri.

    Bruce Lee

    Vdekja e papritur e Bruce Lee më 1973 iu atribuua zyrtarisht një reaksioni alergjik, që ka nxitur teoritë konspiracioniste që supozojnë për një vrasje, të lidhura me mosmarrëveshjet me eksponentët e arteve marciale që kundërshtonin përhapjen e praktikave të tilla në Hollywood.

    Përgatiti për gazetatjeter.net: D. Mitrovica

  • Ja 10 sekretet që mund të ta ngadalësojnë për disa vjet plakjen

    Ja 10 sekretet që mund të ta ngadalësojnë për disa vjet plakjen

    Nga aktivitetet më të shëndetshme, tek zakonet e të ngrënit dhe një jetë e gjallë

    Të gjithë jemi të frikësuar nga pleqëria, por sot dihet që jetën tënde mund ta shtosh me të paktën disa vite me më shumë aktivitet, me daljen nga rutina që në fakt mund të ndërhyjë në ngadalësimin e kësaj detyre jo fort të këndshme. Atëherë pra, ja cilat janë 10 sekretet për të qëndruar të rinj, mendërisht dhe fizikisht, për sa më gjatë të jetë e mundur.

    Dietë e ekuilibruar

    Ndiq një dietë të pasur me fruta, perime, proteina pa yndyrë dhe yndyrna të shëndetshme. Ushqime si manaferrat, zarzavatet me gjethe, arrat, peshku i pasur me omega-3 dhe drithërat janë veçanërisht të dobishme. Lëndët ushqyese antioksidante në këto ushqime ndihmojnë në luftimin e komponentëve që përshpejtojnë plakjen.

    Ushtrime fizike

    Aktiviteti fizik ndihmon në ruajtjen e masës muskulore, fleksibilitetit dhe densitetit të kockave, duke reduktuar rrezikun e sëmundjeve kronike. Ushtrimet aerobike, forca dhe streçing janë të gjitha të rëndësishme. Studimet sugjerojnë se sikur edhe vetëm 30 minuta ushtrime në ditë mund të bëjnë diferencën.

    Gjumë mirë

    Gjumi është thelbësor për rigjenerimin e qelizave dhe shëndetin në përgjithësi. Synimi për 7-9 orë gjumë cilësor çdo natë ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit hormonal dhe reduktimin e stresit, të dy faktorë kryesorë në ngadalësimin e plakjes.

    Stresi

    Teknika relaksimi si meditimi, joga dhe frymëmarrja e thellë mund të ndihmojnë në uljen e niveleve të kortizolit të hormonit të stresit, i cili mund të përshpejtojë plakjen. Gjetja e mënyrave për t’u çlodhur dhe për të shijuar jetën është thelbësore.

    Hidratimi

    Pirja e mjaftueshme e ujit është thelbësore për të mbajtur lëkurën tuaj të hidratuar dhe për të parandaluar rrudhat. Uji ndihmon edhe në eleminimin e toksinave nga trupi dhe mbështet të gjitha funksionet trupore.

    Mbrojtje nga dielli

    Ekspozimi ndaj rrezeve UV është një nga shkaqet kryesore të plakjes së parakohshme të lëkurës. Përdorimi i kremit kundër diellit çdo ditë, edhe kur koha është me re, mund të parandalojë rrudhat, njollat ​​nga diellit dhe të zvogëlojë rrezikun e kancerit të lëkurës.

    Duhani dhe alkooli

    Pirja e duhanit dhe konsumimi i tepërt i alkoolit përshpejtojnë procesin e plakjes. Pirja e duhanit zvogëlon rrjedhjen e gjakut dhe oksigjenon më pak lëkurën, ndërsa alkooli dehidraton dhe dëmton lëkurën dhe organet e brendshme.

    Kujdesu për lëkurën

    Ndiq një rutinë kujdesi të lëkurës që të përfshijë pastrimin, eksfolimin dhe hidratimin. Përdorimi i produkteve me përbërës antioksidantë dhe retinoidë mund të ndihmojë të mbash një lëkura të re.

    Mendje aktive

    Stimulimi i trurit tuaj me aktivitete si leximi, lojëra logjike dhe mësimi i gjërave të reja mund t’ju ndihmojë ta mbani mendjen tuaj të mprehtë dhe të zvogëloni rrezikun e sëmundjeve neurodegjenerative.

    Shoqërohuni

    Pasja e një jete shoqërore aktive dhe ndërveprimi me të tjerët mund të përmirësojë goxha shëndetin mendor dhe emocional. Marrëdhëniet pozitive sociale janë të lidhura me një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme.

    Ndjekja e këtyre këshillave mund të të ndihmojë të mbash trupin dhe mendjen të re, duke kontribuar në një jetë të gjatë dhe të shëndetshme.

  • Ja 10 kafshët më të lezetshme në botë, disa jetojnë edhe mes nesh

    Ja 10 kafshët më të lezetshme në botë, disa jetojnë edhe mes nesh

    Nga dhia pigme te lory i ngadaltë, dhe jo vetëm

    Po, është e vërtetë, koncepti “i lezetshëm” është shumë njerëzor. Vetëm për ne diçka është e lezetshme, sepse ndoshta ndjek forma të njohura, na kujton vetveten dhe obsesionet tona të mirëqenies dhe sigurisë. Sepse, që jemi egocentristë, pra, e para çdo gjëje kemi vetveten e keni kuptuar edhe vetë tashmë. Megjithatë, të bësh një udhëtim natyralist dhe gjeografik midis specieve më të bukura dhe më të lezetshme në botë i bën mirë edhe vetë zemrës.

    Le të shohim se për çfarë po flasim.

    Fennec Fox

    Dhelpër e vogël me veshë të mëdhenj dhe pamje të adhurueshme.

    Këto “shtojca” të saj të këndshme e ndihmojnë

    ta largojë disi nga vetvetja nxehtësinë e shkretëtirës së Afrikës së Veriut të cilin e ka edhe si habitatin e saj kryesor.

    Koala

    Si një top pellushi,

    me veshë të mëdhenj dhe sy të ëmbël.

    E kalon pjesën më të madhe të kohës duke fjetur mbi pemë eukalipti.

    Padyshim që e gjeni në Australi.

    Red panda – Panda e kuqe

    Një gjitar i vogël me bisht si shkurre me vija

    dhe një fytyrë të adhurueshme.

    Njihet për sjelljen e tij lozonjare dhe aftësinë për t’u ngjitur nëpër shtylla, mure, a gjithçka tjetër.

    Gjendet kryesisht në pyjet malore të Himalajeve.

    Quokka

    E mbiquajtur “kafsha më e lumtur në botë” për shkak të buzëqeshjes së saj natyrale (por që në fakt nuk është një buzëqeshje e vërtetë).

    Është e famshme për afërinë që tregon dhe për faktin që nuk ka frikë nga njerëzit.

    Jeton në ishullin Rottnest në Australi.

    Axolotl

    Salamandër ujore me një pamje unike

    dhe të lezetshme, me gushë të jashtme plot pupla.

    Është i njohur për aftësinë e tij për të rigjeneruar pjesët e trupit.

    Gjendet në liqenet Xochimilco, në Meksikë.

    European hedgehog – Iriqi

    Gjitar i vogël me gjemba,

    shpesh i mbajtur si kafshë shtëpiake.

    Rrotullohet si një top për t’u mbrojtur nga grabitqarët.

    Njihet edhe me emrin shkencor Erinaceus europaeus.

    Meerkat

    Gjitar i vogël social i njohur për qëndrimin mbi dy këmbët e pasme për të ruajtur territorin e tij.

    Jeton në grupe të mëdha dhe ka një strukturë komplekse shoqërore.

    Mund të shihet nëpër shkretëtirat dhe savanat e Afrikës Jugore.

    Slow loris

    Një kafshëz fare e vogël

    me sy të mëdhenj të ëmbël,

    i njohur për lëvizjet e tij të ngadalta.

    Ka gjëndra helmuese që i përdor për mbrojtje.

    Jeton në pyjet tropikale të Azisë Juglindore.

    Pygmy Goat – Dhia pigmea

    Një dhi e vogël me një pamje të lezetshme dhe lozonjare.

    Shpesh mbahet si kafshë shtëpiake për shkak të natyrës së saj miqësore.

    Me origjinë nga Afrika, tani është e përhapur në të gjithë botën si kafshë shtëpiake.

    Pikas

    Gjitar i vogël me veshë të rrumbullakosur dhe një fytyrë të adhurueshme, të ngjashme me lepurin.

    Jeton në mjedise malore dhe ndërton fole bari nëpër rajone të Azisë dhe Amerikës së Veriut.