Blog

  • Cila ka qenë kënga më e famshme në vitet Gjashtëdhjetë?

    Cila ka qenë kënga më e famshme në vitet Gjashtëdhjetë?

    Kanë qenë vërtetë Beatles banda më popullore e viteve Gjashtëdhjetë? Natyrisht, përgjigja duhet të llogarisë një kompleks rrethanash, por zbulimi i Stacker do të na japë sigurisht një element refleksionesh.

    Stacker ka ekzaminuar klasifikimet e Billboard, që shërbejnë për të gjurmuar popullaritetin e këngëve dhe albumeve. Konkretisht, faqja Stacker iu drejtua Billboard Hot 100, i cili bazohet në shitjet, në sa herë një këngë luhet në radio dhe, së fundmi, edhe në transmetimet online.

    La scoperta è che, sì, i Beatles sono gli autori della canzone che è stata per più tempo in vetta alla Billboard Hot 100 dal 1960 al 1969, ma a pari merito.

    Dhe zbulimi është se, po, Beatles janë autorët e këngës që ka qenë për kohën më të gjatë në krye të Billboard Hot 100, nga viti 1960 deri në 1969, por me merita të barabarta.

    Kështu, në fakt, nëse Hey Jude mbajti shkallën më të lartë të podiumit për nëntë javë rresht, i njejti rezultat është arritur edhe nga Theme from A Summer Place,i Percy Faith and His Orchestra, që për herë të parë u shfaq më 22 shkurt 1960 (ndërsa Hej Jude, është e vitit 1968, kështu që është mirë të theksohet se krahasimi bëhet për periudha të ndryshme kohore).

     “Është befasuese të theksohet se e vetmja pjesë muzikore që ka barazuar Beatles në klasifikimet e viteve Gjashtëdhjetë ka qenë regjistrimi instrumental i nxjerrë nga filmi i vitit 1959, A Summer Place”, shkruan Stacker.

    Edhe pjesa përfaqësonte të vetmin sukses prej nr. 1 të Percy Faith, ajo bëri të mundur që ai të fitonte një çmim prestigjioz Grammy Award for Record of the Year (domethënë për regjistrimin e vitit) më 1960. Ishte parë dhe e vetmja herë për autorin në kategori.

  • Një popull, dy qeveri/ Çfarë i ndan shqiptarët andej dhe këtej kufirit

    Një popull, dy qeveri/ Çfarë i ndan shqiptarët andej dhe këtej kufirit

    Një popull që nuk pengohet më nga kufijtë mes dy shteteve, por qw ka diferenca të mëdha në kulturën e korrupsionit. Në njërën anë, ku jetojnë shqiptarët e Shqipërisë metasatazat e korrupsionit po bëjnë kërdinë, ndërsa në anën tjetër ku jetojnë shqiptarët e Kosovës, korrupsioni është në nivelet më të përmirësuara të rajonit.

    Ky përfundim del nga një raport i publikuar së fundmi nga SELDI (një organizatë e financuar nga Bashkimi Europian që vëzhgon korrupsionin dhe qeverisjen në vendet e Europës Juglindore) që e nxin qeverisjen në Shqipëri si më të korruptuarën e Europës Juglindore, por e vendos Kosovën në vendin me më pak korrupsion në rajon.

    Niveli i ryshfetit në Shqipëri më i larti në rajon

    Grafiku më lart tregon nivelin e ryshfetit, në Malin e Zi, Kosovë, Bosnje Hercegovinë, Serbi, Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri.

    Shqipëria është me të kuqe dhe siç shihet ka nivelin më të lartë të ryshfetit në rajon me 40% të fitimit. Për ta ilustruar grafikun e parë me një shembull vlen të përmendet rasti i kompanisë “5D” që ryshfetin nga 20% e çoi në 100%, pasi të gjitha paratë e parashikuara për një rrugë apo një projekt të bashkisë së Tiranës, drejtorët e Erjon Veliajt i çonin në kompaninë që menaxhonin vetë dhe kështu fusnin në xhep të gjithë fitimet e mundshme.

    Në Kosovë nuk funksionon kështu. “Taksa e korrupsionit” në formën e ryshfetit është ndër më të ultat, me 10%, njësoj si në Malin i Zi.

    Por ky nuk është treguesi i vetëm që bën dallimin mes qeverisjes në të dy vendet.

    Sipas të njëjtit raport, shqiptarët e Shqipërisë mund të konsiderohen ndër popujt më të “pajtuar” me korrupsionin, pasi 80% e tyre është e prirur për të pranuar ose ofruar rryshfet. Kjo e dhënë tronditëse dëshmon se pas dekadash bashkëjetesë me korrupsionin dhe të korruptuarit, ka mbetur vetëm 20% e popullsisë që vazhdon t’i rezistojë vjedhjes dhe futjes në xhep të parave të pista.

    Grafiku, përqindja e qytetarëve që iu nënshtruan presionit për të paguar ryshfet

    Një tregues po kaq domethënës për diferencat në dy anët e kufirit është edhe grafiku më lart, që tregon se shqiptarët e Shqipërisë janë nën presion më të madh për të paguar ryshfet (mbi 52% thonë se iu janë kërkuar para nga zyrtarët shtetërorë). Kjo e dhënë bie në kundërshtim me një mesazh që propagandohet vazhdimisht lart e poshtë sikur reforma në drejtësi i ka dhënë efektet e para dhe zyrtarët e korruptuar janë trembur nga hetimet e SPAK. Fakti që 52% e qytetarëve të pyetur thonë se iu është kërkuar ryshfet, tregon se kultura e korrupsionit mbetet ende e përhapur dhe do të duhet më shumë se një drejtësi me regji për ta zmbrapsur.

    Por nga raporti i publikuar nga SELDI, (grafiku me lart) bie në sy fakti se shqiptarët e Kosovës që pranojnë se iu është kërkuar ryshfet janë fare pak , vetëm 7% (grafiku lart). Kjo e dhënë i rendit ata në vendin që është më pak i ngarkuar nga klima e korrupsionit në të gjithë rajonin.

    Gjithnjë është folur për diferencat mes shqiptarëve këtej dhe andej kufirit, por siç tregojnë raportet ndërkombëtare, cilësia e pushtetit që prodhon njëri apo tjetri komunitet, rezulton të jetë një nga ndarjet më radikale që ekzistojnë mes nesh.

    Në 30 vitet e fundit metodat korruptive të qeverive të Shqipërisë kanë prodhuar skandale të nivelit botëror, siç ishte më i fundit rasti McGonigal.

    Në tetor të vitit të kaluar një raport i World Justice e renditi Shqipërinë të fundit në Europë për korrupsion, ndërsa atë të Albin Kurtit si ndër vendet e para në rajon.

    Nga një krahasim i shpejtë mes Shqipërisë dhe Kosovës në raportin e organizatës World Justice për Indeksin e zbatimit të ligjit për vitin 2023, del se diferencat mes dy qeverive shqiptare janë shumë të mëdha. Shqipëria rezultonte në vendin e 91 këtë vit, (Tabela më lart) duke lënë pas Marokun ku mbretëron monarku Muhamet dhe Serbinë, autokracinë e sunduar nga Vuçiç. Kosova ndërkohë qëndronte në distancë, shumë më lart, në vendin e 58, duke lënë pas Bullgarinë dhe Senegalin.

  • Ç’po ndodh? Pse institucionet e drejtësisë po i thonë “JO” komisionit Xhafaj

    Ç’po ndodh? Pse institucionet e drejtësisë po i thonë “JO” komisionit Xhafaj

    Ditët e fundit po vërehet një anomali për një regjim, ku gjithçka që del në publik është koordinuar më parë mes institucioneve. Edhe Gjykata Kushtetuese edhe ajo e Lartë e së fundi edhe SPAK kanë refuzuar në forma të ndryshme ftesën për të marrë pjesë në komisionin një ngjyrësh, që njihet me emrin e kreut të tij, deputetit socialist Fatmir Xhafaj.

    Komisioni parlamentar me emër të stërgjatë “Për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit, dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, që u ngrit në fillim të qershorit, shpalli se do të të ketë si prioritete “koordinim e mëtejshëm të tre pushteteve kushtetuese, legjislativit, ekzekutivit, gjyqësorit”, për të përshpejtuar integrimin e vendit në BE.

    Por shumë vëzhgues dhe kritikë i ranë borive të alarmit se kjo po bëhet për të thelluar kapjen e drejtësisë dhe neutralizimin e SPAK.  Frikën se pas gjithë kësaj lëvizje ekziston një plan i fshehtë e shumëfishuan në maj edhe qëndrimet diplomatike të vendeve kryesore të perëndimit, ambasadorët e të cilëve në mënyrë të koordinuar deklaruan se “reforma në drejtësi nuk duhet të preket“.

    Por gjithçka u bë më e koklavitur, këtë shtator, kur edhe ambasada e BE edhe ajo e SHBA shpallën se do të dërgonin përfaqësuesit e tyre pranë komisionit të veçantë parlamentar. Ndërsa tani, sërish një kthesë, pasi institucionet e drejtësisë së re reaguan në unison duke bërë me dije se nuk do të bëhen pjesë e aktivitetit të komisionit Xhafaj.

    Fillimisht Gjykata Kushtetuese me anë të kryetares së saj pohoi se nuk do pranonte të bëhej pjesë e mbledhjes. Holta Zaçaj tha se “Ne nuk marrim pjesë në aktivitete ligjbërëse”, duke shtuar se nuk do të dërgojë as ekspertë dhe përfaqësues.

    Këtë të enjte të njëjtin qëndrim, por më të detajuar mbajti edhe SPAK, që me anë të një komunikate bëri me dije se në mënyrë unamime të gjithë prokurorët kishin vendosur për mospjesmarrje. “Në mënyrë unanime të gjithë Prokurorët e Posaçëm nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerësuan se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse”, thuhej në deklaratën e SPAK, ku ishte gjetur një alibi jo shumë bindëse për ti thënë “JO” ftesës së komisionit Xhafaj.

    Një tjetër përgjigje mohuese ka bërë edhe Gjykata e Lartë përmes një letre të kreut të saj. Ajo e ka argumentuar refuzimin e ftesës me mospërpuethshmërinë e misionit të gjyqtarit me ftesën që i bëhet. “Duke mbajtur parasysh këtë funksion të Gjykatës së Lartë në raport me pushtetet e tjera, vlerësojmë se kërkesa Juaj për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të gjyqtarëve të kësaj Gjykate si anëtarë të një nëngrupi teknik, në varësi të Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë të Komisionit të Posaçëm, që duhet të kryejnë detyrat e caktuara sipas vendimmarrjes së Komisionit, nuk përshtatet me funksionin dhe misionin e gjyqtarit. Si e tillë, nga ana jonë nuk vlerësohet si zgjidhje e përshtatshme në përmbushje të misionit të Komisionit të Posaçëm”, ka shkruar Sokol Sadushi, i cili ndryshe nga kolegët e tij ka bërë një lëshim, duke caktuar tre këshilltarë që do të marrin pjesë në komision. Po të njëjtin qëndrim mohues ka mbajtur edhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD).

    Atëhere pyetjet që lindin janë: Si ka mundësi që këto institucione që i janë përkulur deri në dhimbje tekave të qeverisë, po e sfidojnë këtë herë mazhorancën? Si kanë marrë guximin ta bëjnë këtë, kur dihet që vetë Edi Rama është  angazhuar me mish e me shpirt për shpënien përpara të kësaj nisme dhe kur deputetët e tij në Kuvend votuan me 76 vota një rezolutë, tashmë të njohur me emrin antikorrupsion për ngritjen e këtij komisioni? Pse katër institucione të drejtësisë po thonë “JO”, aq më tepër që pjesëmarrjen në komision e ka konfirmuar edhe ambasada e BE dhe SHBA?

    Në fakt, këto të fundit kanë këmbëngulur fort që edhe opozita të jetë prezente në këtë komision për të pasur një lloj balance dhe kontrolli. Pasi nuk arritën dot ta bindnin PD, ato vendosën të merrnin vetë pjesë si vëzhhgues për të vigjiluar që reforma në drejtësi mos preket pa lejen e tyre.

    Por ama, nga ana tjetër duket se janë ato që kanë frymëzuar bojkotin e SPAK dhe gjykatave më të rëndësishme të vendit, për t’i thënë jo Ramës. Sepse mund ta pranojnë komisionin për të forcuar ndonjë masë kundër korrupsionin siç pretendohet, por duke dashur gjithashtu të delegjitimojnë çdo ndërhyrje në institucionet e drrejtësisë me bekimin e këtyre të fundit.

    Kështu shpjegohet edhe anomalia e rreshtimit të katër institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë kundër një projekti të Edi Ramës. Frymëzimi i tyre ka ardhur nga jashtë. Mes kësaj anomalie ka edhe një hipotezë tjetër që ngjan të jetë jo shumë larg së vërtetës. Qeveria, institucionet e drejtësisë dhe ndërkombëtarët i kanë krejt të rakorduara mes tyre këto lëvizje. Pra, refuzimi në bllok i SPAK, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe ILD, është bërë enkas sa për të forcuar imazhin e rremë të drejtësisë së pavarur nga mazhoranca socialiste. Kështu forcohet edhe alibia amerikane se “heronjtë e fëmijëve tanë” po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për pavarësinë e drejtësisë nga politika.  

  • Nga Basir ÇOLLAKU – ‘Hanover’ kthehet në ‘Xibrakë’, i bie nga SPAK apo nga DEA?!

    Nga Basir ÇOLLAKU – ‘Hanover’ kthehet në ‘Xibrakë’, i bie nga SPAK apo nga DEA?!

    Mendova se sherri me gjermanët e medies i KM tonë, është dalldi shqiptare e eksportuar. Sekëlldi e zhurmuar ku pandeh se është me vendorët dhe ai merr në telefon shefat e nënshtruar ku u dikton haberet. Po “kazanët” matanë të nemces kanë të tjera xhevahire nëpër duar. Kur lexova një qëndrim të zotit Dumani se ishin fokusuar te çështjet për ish-kryeministra, ish zv/kryeministra, thashë se po shton një fjali përvëluese se… edhe me Ramën po merren pasi po bëhet ish-kryeministër. Kjo nuk është e pamundur.

    Evropianët dhe amerikanët kanë pafund dijeni por më së shumti i kanë përdorur për të shantazhuar Ramën dhe mbaruar qoka të tyre. Por Berlini ka gërmuar në Hanover. Ngarkesa është nisur drejt Tiranës. Dekonspirimet nuk janë të lidhura vetëm me emrin e Genc Xhixhës larguar për në Kubë apo 45 vjeçari i panjohur me flokë shkurtprerë, ku dyshohet Olsi Rama. Hapja e zyrës së DEA dhe përkimi me rikthim të dosjes së Hanoverit për Xibrakën nuk lidhet vetëm me “Ramat” . Një organizatë me ndikim të madh në botën e trafikut është amnistuar. Ata janë sërish afër qeverisë. DEA ka pasur shenjestër këtë dorëzim të kontrolluar për të mbërritur në këtë adresë. Përgjimet mbi 60 orë nuk janë zhdukur. DEA e di. E ka emrin e 55 vjeçarit të sotëm 45 vjeçarit të 2014 kur nisi operacioni. Ata kanë dijeni edhe për emrin e aktivitetin e grupit kriminal pas këtyre ngarkesave. Ata janë biznese të mëdha. Kanë emrat e prokurorëve, gjyqtarëve, policëve e qeveritarëve të përfshirë. A duan të hapin arkën??! Do e bëjë sefte DEA me Hanoverin??!

    Çfarë nuk bën vaki. Komisionin “Rama-Xhafa” për të kontrolluar edhe shkresërisht institucionet ia refuzuan këta shefat e DEA. Gjykata Kushtetuese dhe SPAK thanë jo publikisht. Dikush u ka thënë se ata dëgjojnë dy telefona. Ramën dhe Ambasadën. Këtë herë telefoni i dytë ka funksionuar. Por jo aq me dobi sa të mbyllin linjën tjetër. Struktura e Posaçme ndoshta nuk do të presë 10 vite  sa kanë kaluar për pjesën e parë të dosjes.  Ndaj Rama nxitoi të bëjë qokën e Geronit me burg, se mos i ngjan peri gëzofit të Olsit…

  • PS nis sulmin, patronazhistët ‘përmbysin’ diasporën

    PS nis sulmin, patronazhistët ‘përmbysin’ diasporën

    Zgjedhjet e vitit 2025 nuk janë një përjashtim nga rregulli kriminal i çimentuar prej Edi Ramës dhe Partisë Socialiste në Shqipëri; patronazhimi i votave!

    Skema gjigante e keqpërdorimit të të dhënave personale dhe përndjekjes së njerëzve për të orientuar votën e tyre do të aplikohet sërish. Viktimë kësaj radhe në një formë disi më ndryshe nuk do të jenë vetëm ata që banojnë këtu, por edhe shqiptarët e diasporës.

    Lapsi.al mëson se në takimet që tashmë kanë nisur ne terren sipas qarqeve, të dërguarit e Ramës si drejtues politikë kanë filluar punën për ngritjen e një sistemi patronazhimi të votës edhe te emigrantët. Çdo bashki ka një koordinator të dedikuar për diasporën. E po kështu çdo qark ka një të tillë. Përgjegjësia e tyre direkte është të krehin listat e votuesve që janë në diasporë dhe më pas nëpërmjet familjarëve të tyre në Shqipëri të mbërrijnë tek ta.

    Natyrisht duke iu marrë kontaktet familjarëve, duke gjurmuar adresat dhe më pas të përpiqen me çdo formë të ndikojnë te vota e tyre. Sigurisht që ky është një operacion më i vështirë sesa ai që Rama bën brenda vendit. Këtu presioni i pushtetit me vendin e punës, biznesin, shërbimet, policinë politike dhe shtetin e patronazhistëve në tërësi është më i madh. E megjithatë PS do të tentojë një lloj ndikimi te diaspora përmes familjarëve të tyre në Shqipëri.

    Nëse tek votuesit brenda vendit presioni vjen direkt nga makineria shtetërore, për ata në diasporë presioni do të shkojë përmes familjarëve të tyre në Shqipëri, të cilët do të detyrohen në forma të ndryshme t’u japin patronazhistëve të Ramës adresat dhe kontaktet e njerëzve të tyre jashtë vendit.

    PS po punon aktualisht me ngritjen e kësaj infrastrukture dhe databazës për t’i paraprirë sistemit që do të hapë KQZ në muajin janar për regjistrimin e votuesve të diasporës. Synimi është të krijojë një kontigjent votuesish në diasporë të kontrolluar apo ndikuar përmes familjarëve që kanë në atdhe dhe t’i detyrojnë të votojnë pro Partisë Socialiste.

    Natyrisht që efektiviteti mbetet për t’u parë sepse kontrolli mbi sjelljen e votuesve të diasporës është më i ulët sesa kontrolli që partia-shtet ushtron në Shqipëri.

    PS e shikon diasporën edhe si një hambar të madh votash për t’u rritur më shumë në mandate. Përllogarja është që janë diku tek rreth 1.7 milionë shqiptarë me të drejtë vote jashtë vendit. Interesimi për të marrë pjesë në këtë proces që zhvillohet për herë të parë mbetet të shihet në pranverën e ardhshme.

    Vota do të dërgohet me zarf me postë zyrtare dhe do të numërohet në KQZ ditën e zgjedhjeve. Por paralelisht me revanshin e Ramës për shpërndarjen e patronazhistëve edhe në diasporë, PS i druhet gjithashtu një skenari bllokimi të opozitës në KQZ.

    Nëse nuk ka dakordësi për modalitetet e regjistrimit dhe administrimit të votës deri në mesin e muajit nëntor, mund të kthehemi në pikën zero ku diaspora do të privohet sërish nga e drejta e votës. Klima e tensionuar së fundi në Kuvend dhe përndjekja që Rama po iu bën deputetëve të opozitës nuk janë në favor të konsensusit që duhet edhe brenda KQZ-së.

  • Nga Lutfi DERVISHI – A ka shpresë për normalitet?

    Pyetja mund të merret si akuzë, si reflektim realiteti, mund të jetë lutje, por mund të jetë edhe retorike?

    Djegia e karrikeve nga deputetët e opozitës, para godinës së Kuvendit në shenjë proteste ndaj burgosjes së një kolegu, do të pasohet nga protesta e paralajmëruar e 7 tetorit që me shumë gjasë nuk do t’i ngjajë protestave të tjera. Pas zjarrit vijnë gjithnjë pasoja.

    Opozita po rrekej me javë dhe muaj për një “protestë të madhe”. Nuk po ndezte.

    Pas verës së nxehtë, vendi dukej se po futej në shinat e normalitet.

    Kryeministri që kishte injoruar një sërë interpelancash iu përgjigj kërkesës së deputetëve të opozitës dhe ngjarja më e madhe dukej se do të ishte shpallja e datës së zgjedhjeve të ardhshme.

    Dhurata opozitës i erdhi nga vetë pozita. Njëherë duke refuzuar vendimin e Gjykatës Kushtetuse për një deputet të vetin dhe herën e dytë nga gjykata e Apelit që mori një vendim jo vetëm të diskutueshëm, duke dënuar nënkryetarin e grupit parlamentar të PD-së.

    Gjykatësit dhe prokurori duke shkruar “kallëzim i rremë publik” bënë vetë një kualifikim vepre penale që nuk e ka as kodi penal, as ai i procedures penale (Parimi themelor që u mesohet studentëve në fakultet juridik dhe në shkollen e magjistratures: sine lege nulla poena (nuk ka denim për diçka që nuk parashikohet ne ligj).

    Për me tepër dënimi u dha jo me gjobë, jo me 6 muaj heqie lirie, por 1 vit burg që deputetit jo vetëm t’i hiqej mandati, por të vuajë edhe 5 vjet sipas ligjit të dekriminalizimit.

    Qershia mbi tortë në këtë rat është gëzimi i papërmbajtur i Kryeministrit që u shpreh nga Nju Jorku përmes platformës X.

    Shprehja “idiote” nuk komentojmë vendimet e gjykatave tani mund të lexohet: nuk komentojmë, por i gëzohemi dhe i përgëzojmë.

    Vendimet e gjykatave në një vend normal, zbatohen, por komentohen që ç’ke me të. Debati dhe teprimi në lirinë e shprehjes është çmimi që një shoqëri paguan për të qenë e lirë.

    Në një vend normal, ku gjykata nuk është zgjatje e tekave politike, kjo çështje nuk do të ishte çështje. Por ne pëlqejmë tragjikomedinë jo vetëm në politikë, por edhe në Drejtësi.

    24 deputetë të opozitës janë dërguar në SPAK për djegien e karrikeve! Në kundërpërgjigje 73 deputetë të shumicës janë paditur nga opozita në SPAK për mos zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuse.

    Në një vend normal, SPAK duhet të ishte lënë i lirë sepse vetëm me përgjimet e bisedave në SKY dhe Encrochat ka shumë punë për të bërë, duke nisur nga vettingu i vetes, për të vijuar me shumëkëndëshin Krim-politikë- biznes- media- drejtësi. Duket se i vetmi vetting që nuk mund të ndikohet nga politika dhe krimi mund të jetë zbardhja dhe hetimi i komunikimeve në këto aplikacione, ku përveç të tjerëve edhe prokurorë e gjykatës marrin e japin me botën e nëndheshme.

    Në një vend normal, Parlamenti, teorikisht djepi i debatit demokratik, nuk do të ishte teatër ku gjatë gjithë kohës aktorët janë në podium, duke hedhur kush propagandë e kush akuza.

    Në një vend normal deputetët angazhohen në një dialog të vërtetë dhe kuptimplotë.

    Në një vend normal, etika parlamentare nuk është thjesht një formalitet, por një udhëzues që respektohet nga të gjithë. Opozita dhe qeveria përballen në sallë, por konflikti mbetet brenda sferës së ideve. Këtu, preferohet një lloj tjetër drame, ku paditë fluturojnë si avionë letre, dhe etika ka aq forcë sa urdhëri i oficerit ndaj ushtarit ditën e fundit të ushtrisë.

    Media si marionetë për manipulim

    Në një vend normal, media raporton mbi çështjet, heton keqbërjet dhe mban pushtetin përgjegjës. Në një vend anormal media shfaqet si krah i qeverisë, ministrat kthehen në reporterë që raportojnë vetveten duke shpërndarë me gaz e hare propagandën e veshur si lajm.

    Në një vend anormal në lajme nuk sheh njerëz, por ministra, nuk sheh halle, por vetëm gaz e hare, nuk sheh njerëz që largohen, por vetëm turistë që vijnë, nuk sheh ngjarje, por protokoll, nuk sheh denoncime, por vetëm lavdërime, nuk sheh vepra, por zotime, nuk sheh mosrealizme, por inspektime.

    Iluzioni i Transparencës

    Ne flasim për transparencën si instrumet magjik që mjafton ta shqiptojmë dhe do të pastrojë sistemin dhe aktorët nga të gjitha mëkatet. E megjithatë, transparenca është më shumë një iluzion, një mirazh që zhduket sapo mendon se ke kapur një pamje të saj. Vendimet merren në dhoma të mbushura me tymin e puros, dhe ligjet gatuhen për t’i shërbyer interesave të një grushti njerëzish. Kemi mbërritur në pikën ku zyrtarët më parë dorëzojnë duart te Prokurori se të japin informacionin dhe dokumentat që e kanë detyrim ligjor për t’i dhënë.

    Një vend normal është ai ku institucionet janë më të forta se liderët që i zënë përkohësisht dhe jo ai ku institucionet përkulen sipas vullnetit të liderit.

    Korrupsioni nuk është thjesht një fenomen që e has kudo; është një mekanizëm plotësisht funksional që drejton sistemin, i vajisur me sloganin “kemi SPAK-un për këtë punë!”

    A thua se ekzistenca e vetëm një institucioni i shfajëson të gjithë të tjerët nga përgjegjësia! Vullneti politik sa vjen dhe i ngjan legjendës që shumë flasin për të, por askush nuk e ka parë.

    Në thelbin e anormalitetit është e vërteta e hidhur që ne nuk po flasim për problemet e vërteta. Në një vend normal, diskursi politik do të përqendrohej te politikat e orientuara drejt së ardhmes, në zgjidhjen e problemeve reale si varfëria, papunësia, shëndetësia, pensionet, largimi i njerëzve dhe jo te trushpëlarja e propaganda.

    Zgjedhjet si iluzion demokratik

    Në një vend normal, zgjedhjet janë të lira, të ndershme dhe një reflektim i vullnetit të votueve. Në një vend anormal, zgjedhjet kthehen në një treg ku paratë, ndikimi dhe fuqia e krimit të organizuar paracaktojnë rezultatin. Nga një garë me rregulla të qarta dhe kushte të barabarta mes partive garuese, zgjedhjet kthehen në një luftë të pushtetit me opozitën.

    A mund të jemi vend normal?

    Por para përgjigje se kësaj pyetje duhet adresuar pyetja: çfarë nënkuptojmë me vend “normal.”? Nëse normal do të thotë një demokraci funksionale, e lirë nga ndikimet toksike të korrupsionit, manipulimit mediatik dhe hakmarrjeve personale, atëherë kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë.

    Por ndoshta duhet të qartesohemi se çfarë vendi duam që të jemi. Për momentin jemi në rrugën e një cikli dystopik dhe nëse nuk dalim prej tij, normaliteti do të jetë fantazi dhe anormaliteti normalitet.

  • Nga Armand MAHO – Një ngjashmëri identike e dy autoritaristëve me përkrahje amerikane!

    “Në rastin e qytetarit Juan Antonio Hernandez, si në rastin e çdo Hondurani tjetër, Presidenti dhe qeveria e tij mbajnë qëndrimin se çdo individ është përgjegjës për veprimet e tij dhe se në asnjë mënyrë kjo përgjegjësi nuk mund të transferohet te dikush tjetër”

    Kjo është një deklaratë e dhënë në vitin 2018 nga zyra e ish presidentit të asaj kohe  Juan Orlando Hernandez pas arrestimit të vëllait të tij Juan Antonio Hernandez , alias Tony Hernandez, në Majami nën akuzën e trafikimit të drogës dhe pastrikmit të parave përgjatë viteve 2004-2016 në honduras.

    Presidenti Hernandez u dënua më 8 mars 2024  nga një gjykatë e New Yorkut me 40 vite për trafik droge dhe përdorimin e parave të drogës në fushatën e tij zgjedhore të vitit 2013. Arrestimi i Hernandez u bë më 15 shkurt të vitit 2022, vetëm 2 javë pasi kishte lënë zyrën.

    Ngjashmëria e ish presidentit të Hondurasit me Kryeministrin e Shqipërisë është rrënqethëse. Manipulim zgjedhjesh, përkrahje e bandave të narkotrafikut, vënien në dispozicion të territorit për bandat kriminale, manipulim zgjedhjesh, shpopullim dhe pastrim të parave që vijnë nga aktivitete kriminale.

    Ashtu si dhe kryeminsitri ynë presidenti Hernandez  deri pak para arrestimit, mbështetja e SHBA-ve ndaj rregjimit të Hernandez ishte e pa kufishme.

    Por duke përfituar nga kjo  Hernadez kishte ngritur një makineri të madhe manipulimi të votave, apo mashtrimi elektoral gjë e cila në vitin 2017-2018 shkaktori dhe krizën e emigrantëve në kufirin meksikano-amerikan .

    Përgjatë viteve të rregjimit të tij  u vu re një shpopullim në përmasa gjigande i Hondurasit. Milionat e refugjatëve që iknin nga regjimi mbushën mediat mbarë botërore duke u kthyer në një shqetësim serioz për administratën Trump.

    “Me ndihmën e vëllezërve Rivera, DEA ishte në gjendje të zbulonte lidhje të forta midis shumë figurave të rangut të lartë dhe organizatave të trafikut të drogës në Honduras. Kryetarët e bashkive lokale dhe zyrtarët në nivel kombëtar, bankierë të shquar, oficerë policie, gjyqtarë, deputetë, pilotë dhe zyrtarë të doganave u zbuluan se ishin përfshirë. Deri në vitin 2018, hetimi i DEA-s burgosi rreth 39 zyrtarë” thuhej në një raport të DEA të vitit 2018.

    Gjithnjë nga zyra e zotit Hernandez vijonte të vinte i njëjti njoftim mbi përgjegjësitë individuale të perosnave të përfshirë. Kulmi arriti kur vetë vëllai i Presidentit, Tony Hernandez u vu në pranga për të njëjtën akuzë, por Hernandez President do e shkarkonte nga vetja dhe këtë përgjegjësi.

    Përpos kësaj, Hernandez në atë kohë akuzohej se së bashku me motrën dhe kunatin e tij, devijoi në favor të fushatës së tij elektorale miliona dollarë të fondit të pensioneve. Gjithashtu u akuzua dhe për devijim të fondeve publike të destinuara për rrugë apo shërbime në llogaritë personale të tij apo bashkpunetoreve te tij.

    E pra duket se drejtuesit autoritarë kanë një ngjashmëri të frikshme mes tyre…

    Këtu nuk po përmendim persekutimet që i bënte aktivistë apo zërave opozitarë por për mënyrëne menaxhimit të shtetit. Një qeveri hajdute dhe autoritare asesi nuk mund të mbajë pushtetin pa mbështetjen e krimit të organizuar, pa forcën e tyre qoftë goditëse, qoftë financuese. Gjendja në Shqipëri është dhe më e rëndë se ajo në Honduras sepse kemi të bëjmë të me një kryeministër shumë herë me fodull dhe injorant se sa zoti Hernandez që fundja ishte me profesion jurist dhe kishte mbaruar Universitetin e New Yorkut në Albany. Gjithsesi me apo pa shkollë, me apo pa mbeshtetje amerikane, “derrat” një turi kanë.  Fundi i tyre dihet, është thjeshtë çështje kohe.

  • Nga Luçiano BOÇI – Duke pritur ‘Inglizin’ dhe 7 Tetori

    Nacionalistët shqiptarë përgjatë luftës, sytë, mendjen dhe ëndrrat i kishin të lidhura me aleatët. Ata ishin pro perëndimorë dhe anti bolshevikë natyralë dhe këtë e dëshmuan me aktivitetitin e tyre patriotik.

    Ndonëse zemërthyer për shkak të mbështetjes me të madhe që misionet angleze i bënë komunistëve (Promemoria e Mid’hat Frashërit dhe Abaz Ermenjit: “Kjo mbështetje morale dhe materiale e misioneve aleate ndaj bolshevizmit theu ekuilibrin në dëm të forcave nacionaliste shqiptare”. ), pas lufte ato nuk e reshtën luftën kundër komunizmit dhe asnjëherë nuk shkëputën shpresat për një zbarkim aleat antikomunist.

    Shumë prej tyre u sakrifikuan dhe u vetësakrifikuan përgjatë organizimeve të kryengritjeve e desantimeve, të mbështetura nga shërbimet anglo-amerikane, me qëllim shembjen e komunizmit.

    Megjithëse shumë patriotë sidomos në veri, arritën të nxisnin vatra kryengritje midis të cilave spikati ajo e Postribës, përhapja e tyre në gjithë territorin mbeti anemike.

    Shtypja e tyre me egërsi ekstreme dhe roli i Kim Filbit në dështimin e desantimeve, shtyu disa herë gadishmërinë aleate për një ndërhyrje.

    Ndonëse antikomunistët prisnin me padurim atë, ajo vonoi përfundimisht gjatë deri sa erdhi ‘90.

    “Inglizi” nuk zbarkoi, siç do dëshironte Frashëri, Ermenji, Guraziu, Kupi, Kazazi, Matjani, Lleshanaku, Cali dhe krerët e Veriut, etj, si dhe pjesa më e emancipuar e shiptarëve.

    Pavarësisht se Hoxha mbolli terror përgjatë sundimit të tij me burgosje, vrasje dhe pushkatime, ëndrra e së djathtës dhe nacionalistëve për liri e rend demokratik, nuk u shua asnjëherë.

    Por ajo mbarti me vete gjithmonë pyetjen sfiduese:

    Pse nuk zbarkuan aleatët të shpëtonin vendin nga dikatura e të rivendosnin demokracinë?!

    Përgjigjet mund të jenë të shumta, por midis tyre njëra ulëret më shumë:

    Duhej që lëvizja antikomuniste të ishte më e fortë, më e organizuar dhe e shtrirë në gjithë Shqipërinë.

    Duhet të ishin vetë shqiptarët kundërshtuesit e fortë të parë.

    Kjo do të shtynte aleatët të ndërhynin.

    “Inglizi” nuk erdhi sepse njerëzit me heshtjen e tyre për shumë arsye të thëna e të pathëna, iu nënshtruan në shumicë komunizmit, duke humbur liritë e të drejtat në progresion.

    Shqiptarët nënshkruan kështu një nga fatet më të kobshme të tyre.

    Pakica që rezistoi u përballë me krimet më çnjerëzore të regjimit, pa u dorëzuar deri sa dita e lirisë erdhi.

    Por ishte një pranverë e dalë nga një dimër polar i gjatë dhe i stërmundimshëm, i vonuar nga pranimi i së keqes.

    Nëse reagimi i qytetarëve do ishte i duhuri dhe i fortë, Hoxha s’do ushtronte terrorin e tij për 46 vite rresht.

    Aleatët do kishin ndërhyrë.

    Ky ishte çelësi që nuk funksionoi dhe pengoi aleatët të zbarkonin.

    Historia na paralajmëron qartë.

    Regjimet i përmbysin mosbindja e rezistenca qytetare dhe forca e opozitës.

    Pa iluzione se detyrën tonë do ta përmbushë vetëm “Inglizi”, kur ai ta mendojë se duhet ndërhyrë, me kanale apo pa kanale diplomacie.

    Koha e opozitës dhe e qytetarëve është tani!

    Për ato që presin vetëm “Inglizin”, por dhe për përfaqësuesit e “inglizëve”, po sjell në kujtesë refleksionin e oficerit britanik Toni Simkoks, i vendosur gjatë luftës pranë forcave çlirimtare të Gani Kryeziut.

    I shqetësuar nga politika e atëhershme e vendit të tij shkruante:

    “Duke i lejuar komunistët që me ndihmat tona të vrasin, të sulmojnë, apo të provokojnë kundërshtarët e tyre politikë, është më keq se sa ta kishim bërë ne vetë këtë gjë”.

    Mos harroni:

    7 Tetorin ta shndërrojmë në nisjen e betejës që nacionalistët dhe patriotët tanë të lavdishëm e patën të pamundur për ta bërë të plotë, e cila do të na sjellë me vete dhe “Inglizin”.

    E drejta dhe liria fitohen nuk dhurohen!

  • Nga Veton SURROI – Hapat e Leninit në Tiranë

    Nga Veton SURROI – Hapat e Leninit në Tiranë

    Debati rreth besimeve me “Vatikanin bektashi” dhe burgosja e deputetit Salianji si ndëshkim i fjalës së lirë janë probleme të reja e krejtësisht të panevojshme për një shtet që me probleme të mëdha, si krimi i organizuar, do të fillojë negociatat e anëtarësimit në BE

    1.

    Shqipëria mund të parafrazojë titullin e librit të librit të V.I. Lenin nga fillimi i shekullit XX  “Një hap para, dy hapa prapa: kriza në partinë tonë” , me zëvëndësim të fjalës “parti” me atë “shtet”. Pra, disa ditët e kaluara dhe të ardhme mund të tregojnë një çrregullim të funksionimit të shtetit, mbase edhe si paralajmërim të pakëndshëm për të ardhmën.

    Të fillojmë nga hapi para.

    Shqipëria në mesin e muaj tetor pritet të fillojë më në fund negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vendi është mbajtur për një dhjetëvjetësh në status kandidati për anëtarësim dhe përgjatë këtyre dhjetë vjetëve nuk kishte ndonjë arsye që lidhej me Shqipërinë e që do të duhej të pengonte hapjen e kapitujve negociatorë. Shqipëria ishte mbajtur peng lidhur me çështjeve identitetare të lindura nga zhbërja e ish Jugosllavisë, duke qenë tashmë pjesë e Klubit të Ballkanit Perëndimor (në shoqëri me 5 shtetet të dala nga ish Jugosllavia).

    Për dhjetë vjet vendi pagoi tagrin e problemeve identitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë e së fundmi edhe Bullgarisë, relacionit mes Kosovës dhe Serbisë, paralizës kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës dhe procesit të kontestimit të Malit të Zi si komb e shtet.

    Nga mesi i tetorit nuk do të jetë më me rëndësi për Shqipërinë në marrëdhëniet me BE-në se çfarë shkruan në librat maqedonas për heronjtë revolucionarë bullgarë, si mund të duket Bashkësia e komunave serbe në Kosovë, pse Dodiku mund të shpallë të pavlefshme përmendjen e gjenocidit të Srebrenicë apo çështja e ekzistencës të Kishës ortodokse malazeze të njohur nga Patrikana e Stambollit. I tërë ky konglomerat problemesh ishte aty çdoherë kur debatohej për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe disi me nënkuptueshmëri si pjesë e regjionit futej edhe Shqipëria.

    Në momentin e hapjes së “clusterit” të parë, Shqipëria do të negociojë në bazë të meritave të veta.

    2.

    Në këtë pikë, ende pa u hapur kapitujt e rëndë për Shqipërinë- siç është sundimi i ligjit- vendi kandidoi probleme që janë indikatorë seriozë për shtetin.

    Kryeministri Rama ofroi argumente serioze për kritikë natyrës së shtetit kur doli me iniciativën e tij për “Vatikanin mysliman”, gjegjësisht “sovranitetin bektashi” brenda territorit të Shqipërisë. Kryeministri shkeli me të dyja këmbët rregullin bazë kushtetues me të cilin mund të krenohet Shqipëria, madje ballëlartë pothuajse gjithandej Evropës, se “shteti është asnjanës në çështjet e besimit”. Kryeministri shpjegoi  se “ndryshe nga komunitetet e tjera, të cilat kanë avantazhin e natyrshëm të përkatësisë në komunitete shumë të mëdha me shtrirje globale – pra kanë edhe mundësi të mëdha mbështetjeje të pandërprerë në rrugën e tyre – komuniteti bektashi është si të thuash “jetim” në këtë këndvështrim. Prandaj afërmendsh që ngritja e statusit të Kryegjyshatës Botërore në Shqipëri në nivelin e një entiteti sovran, jo vetëm do të ulte ndjeshëm kërcënimin real të tkurrjes së atij komuniteti deri në tretje në harkun e disa dekadave, po do të garantonte një vazhdimësi të qëndrueshme të ekzistencës së tij për breza të tërë”. Kështu, ai ndërhyri në fushën e cila nuk i lejohet, asaj të besimeve. Sepse shteti laik ndonëse fillimisht i ndërtuar për ta mbrojtur shtetin prej religjionit ka edhe obligimin e mbrojtjes të religjionit nga shteti.

    Për më tepër, kryeministri i vendit po e hap një çështje tashmë të rregulluar juridikisht e praktikisht. Shqipëria ka njohur subjektivitetin dhe pluralizmin e krishterë e islamik- Këshilli i Ministrave dhe katër bashkësitë fetare (Komuniteti Mysliman, Kisha Autoqefale Ortodokse, Kryegjyshata Bektashi, Vëllazëria ungjillore) kanë nënshkruar Marrëveshje e cila i shndërron ato në subjekte juridike. Këtyre u është shtuar edhe Marrëveshja Shtetërore me Vatikanin që rregullon edhe materien e subjektivitetit të Kishës katolike në vend.

    Nga aspekti juridik e praktik nuk ka gjë që rrezikon besimin në vend. Gjegjësisht, nuk ka gjë që rrezikon bashkësitë fetare pos ndërhyrjes krejtësisht të panevojshme politike të njeriut më të fuqishëm politik në Shqipëri. Pas iniciativës së tij, reagimi i parë qe i komunitetit mysliman i cili pos që u ndie i ofenduar për vlerësimet për islamin nga ana e kryeministrit, u ofrua po ashtu të mohojë subjektivitetin bektashi duke u ofruar si ombrella e “të gjitha tarikateve”.

    3.

    Kryeministri në ditët në vijim po ashtu mori një anë të gabuar në një çështje tejet të ndjeshme të lirive politike me burgosjen e prijësit të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Ervin Salianji.

    Salianji po vuan që nga kjo javë dënimin e plotfuqishëm me burg njëvjeçar për diçka që në çdo vend evropian, përfshirë edhe Shqipërinë, duhet të jetë e drejtë e shprehjes së lirë jo më të anëtarit të Kuvendit, por edhe të çdo qytetari të rëndomtë. Kjo e drejtë e shprehjes së lirë nënkupton edhe të drejtën për të gabuar, sepse e drejta për të gabuar është thelbi i debatit demokratik. Pagabueshmëria është e kundërta e demokracisë andaj anëtarët e Parlamenteve flasin pa druajtje se mos eventualisht po gabojnë e po futen në burg. Korrigjimi i gabimeve në të shprehur bëhet në Parlament dhe në zgjedhje.

    Duke shfrytëzuar të drejtën e tij për të folur, qoftë edhe gabimisht, Salianji nxori disa akuza publike për një ministër të Qeverisë Rama dhe vëllait të tij i cili kishte qenë i dënuar për krime. Këto akuza dërguar “urbi et orbi”, pra askujt konkretisht, janë konstatuar si të pamjaftueshme për inicim të procedurave penale. Në një rend demokratik, çështja do të mbyllej me kaq, dhe në rastin më të keq, Salianji do të paguante tagrin politik për një akuzë e cila qe e pamjaftueshme për prokurorinë.

    Por dy gjykata, njëra e shkallës së parë dhe tjetra e apelit e dërguan në burg për një vepër të paqenë. Salianji u dënua për “kallëzim të rremë” që është vepër penale e cila konsumohet juridikisht kur personi paraqet gojarisht apo me shkrim denoncimin e tij për një vepër penale pranë organeve të hetimit, polici e prokurori dhe ai denoncim del të jetë qëllimisht i pavërtetë. Salianji këtë veprim nuk e ka bërë dhe tash është në burg si i dënuari i parë për “delikt verbal” në Shqipërinë post-komuniste e cila po i hap negociatat e anëtarësimit në BE.

    Kryeministri Rama, i njohur në fillet e aktivizmit të tij publik si njëra prej figurave më të spikatura liberale të angazhuara për liri të shprehjes, do të bënte mirë të mbante anën e duhur, atë të mbrojtjes së të drejtës së shprehjes të kundërshtarëve të tij politik. Jo vetëm që është vlerë morale, por edhe praktike, për një vend me aspirata demokratike si Shqipëria së cilës i nevojitet opozita.

    Për më tepër, Kryeministri Rama ka mundësi të përdorimit të një precedenti juridik në mbrojtje të të drejtës së zotit Salianji. Një deputet tjetër i opozitës, Gazment Bardhi, akuzoi vëllanë e kryeministrit si njeri të përfshirë në trafik droge. Vëllai i kryeministrit paraqiti deklarimin mediatik të deputetit Bardhi në Prokurori me akuzë për “kallëzim të rremë”, por Prokuroria hodhi poshtë këtë denoncim, sepse fjalët e deputetit Bardhi ishin të shprehura në medie e jo të deponuara në Prokurori. Saktësisht sikur në rastin Salianji.

    4.

    Shqipëria, e çliruar përtej problemeve identitare të fqinjëve të vet, po hyn me të shpejtë në hapjen e problemeve shtesë. Sikur të mos mjaftonte “elefanti në dhomë”-prania jashtëproporcionale krahasuar me vendet evropiane të krimit të organizuar në ekonomi dhe funksionimin institucional të vendit – krijimi i problemeve të reja nga ato deri më dje inekzistente si çështja e besimeve apo e shprehjes së lirë është oguri më i keq për ardhmërinë e negociatave evropiane të vendit./KOHA

  • Nga Armand SHKULLAKU – Çfarë ua ka zënë sytë ambasadave që shohin vetëm karriket e djegura

    Sot ishte një ditë kur ambasada e SHBA dhe ajo BE do të kishin bërë mirë të heshtnin se sa të reagonin për hir të reagimit. Shqetësimi i tyre për ca karrike të djegura në Kuvend, në raport me hedhjen në erë të të gjithë investimit për të ashtuquajturën drejtësi e re, i bën të duken këto përfaqësi si personazhi proverbial që krihet ndërsa Stambolli digjet.

    Ato vazhdojnë të flasin për dialog konstruktiv në një demokraci, që nuk dihet pse e cilësojnë funksionale, për diskutime paqësore e të tjera klishe boshe, ndërkohë që Shqipëria sot është një regjim nën diktatin e një njeriu të vetëm dhe shteti i vetëm në Europë me të burgosur qartësisht politikë.

    Nëse selitë e SHBA dhe BE nuk bëzajnë kur SPAK përndjek gazetarët, kur kryeministri përdor si vegla qorre polici, prokurori, gjykatat speciale e atë Kushtetuese për t’i rrëmbyer opozitës mandatin legjitim në Himarë, kur drejtësia e “pavarur” dënon me burg pas 6 vitesh një deputet opozitar, i cili i ktheu Italisë një të dënuar për trafik ndërkombëtar droge, që është dhe vëllai i kryekomisionerit të reformës në drejtësi, atëherë çfarë kanë kaq tronditëse 12 karrike që digjen sa të shqetësojnë dy superfuqitë perëndimore?

    Shqetësimi në këtë rast ka të bëjë me faktin se diplomatët e akredituar në Tiranë, duan t’i shohin ato karrike si shkakun e një dhune potenciale në vijim dhe jo si pasojë e dhunimit sistematik që i bëhet opozitës mu përpara syve të tyre. Meqë taksapaguesit perëndimorë kanë paguar për reformën shqiptare të drejtësisë, meqë kjo reformë u është shitur atyre si e suksesshme dhe meqë drejtësi e re dhe narkoshtet i korruptuar nuk qëndrojnë bashkë, përfaqësitë diplomatike në Tiranë nuk janë ndjerë as kur zgjatja e duarve të pushtetit mbi SPAK, gjykatat speciale dhe deri atë Kushtetuese ka ndodhur hapur ditën për diell.

    Ambasadat nuk kanë folur kur Edi Rama e trajtoi Gjykatën Kushtetuese si peshqir për shezlongët e Olta Xhaçkës. As kur SPAK e çliroi nga akuzat ish ministrin e Shëndetësisë që vazhdonte pa e prishur terezinë me zanatin rilindas të përvetësimit edhe kur bëhej fjalë për fondet e BE. Njësoj edhe kur vetë BE zbuloi batërdinë e abuzimeve me grantet për bujqësinë, askush nga perëndimorët e Tiranës nuk u shqetësua. Dhe nuk flasin as kur kryeministri i bën thirrje hapur drejtësisë të ndjekë e dënojë kundërshtarët e tij politikë. Nëse kjo quhet drejtësi e re dhe demokraci funksionale, atëherë 12 karriket qënkan një problem serioz për të ardhmen euro- atlantike të vendit. Si mund të mos reagojnë kokat e përfaqësive më të fuqishme perëndimore?

    Problemi i vetëm është se kur opozita politike burgoset njësoj si në Turqi dhe sytë t’i zë vetëm tymi i protestave që vijnë si rrjedhojë, shqetësimet e reagimet nuk janë mesazh për shqiptarët por justifikim për tolerimin e një regjimi që ka degraduar deri në përndjekjen e hapur të kundërshtarëve. Arsyet që arbitri i dikurshëm ndërkombëtar ka hequr dorë nga paanësia, sidomos dekadën e fundit, janë të shumta, por në disa raste të rënda të abuzimeve të pushtetit do të ishte mirë të mos ua kujtonte qytetarëve shqiptarë dështimin e tij. Çfarë efekti mund të kenë tek këta të fundit reagime të tipit që jemi të shqetësuar për dëmtimin e derës së Bashkisë, ndërkohë që brenda dyerve ka ndodhur vjedhja e shekullit nga vetë drejtuesit e Bashkisë.

    Nënkryetari i grupit parlamentar të opozitës burgoset për fjalën e lirë, në një proces të montuar krejtësisht nga pushteti, me dëshmitarë të prodhuar nga policia, vetëm se dërgoi në burg vëllain e ish ministrit të Brendshëm. Shqetësimi i sponsorëve të reformës në drejtësi duhet të ishte në shkallën më të lartë, jo vetëm nga burgosja e një kundërshtari politik, por edhe nga mesazhi që një akt i tillë u përçon banditëve në njërën anë dhe punonjësve të drejtësisë në anën tjetër. Mesazhi se kush është nën sqetullën e pushtetit është i paprekshëm dhe se dënimet politike nuk janë një tabu. Inkurajim për krimin dhe kontroll politik mbi drejtësinë. Mirëpo ambasadat e SHBA dhe BE e panë të arsyeshme të shqetësohen për 12 karriket.

    Çështja nuk është se si do të fiket flaka mbi karrike, por pse dhe kush e ndezi atë. Ambasadat sigurisht e dinë, pavarësisht se i shqetëson vetëm pasoja dhe jo shkaku. Për ta kuptuar këtë nuk ka nevojë për ndonjë studim akademik. Mjafton të lexojnë shtypin serioz të vendeve të tyre, i cili pasi bën skanerin e një shteti të kriminalizuar, shpjegon edhe mbylljen e syve nga perëndimi. Para dhe copa Shqipërie për korruptim e lobim në favor të një regjimi që sot ka edhe të burgosurit e tij politikë. Por ama ato 12 karriket janë aq të rënda sa dy fuqitë perëndimore nuk e mbajtën dot peshën dhe më në fund reaguan.