Blog

  • Nga Andi BUSHATI – Burgosja e Salianjit si një pikë kthese për PD

    Burgosja e Salianjit ndonëse është një lajm i trishtueshëm për këdo që shpreson se krimi dhe trafiqet janë ende të denoncueshme në këtë vend, paradoksalisht hap për opozitën një parantezë të mirë. Këtej e tujtje PD dhe aleatët e saj, duhet të spastrojnë radhët e tyre nga idiotët e dobishëm që vazhdojnë të thonë: “besojmë tek drejtësia e re”.

    Pasi SPAK-u dhe GJKKO-ja tjetërsuan rezultatin e zgjedhjeve në Himarë dhe burgosën kandidatin fitues, vetëm përmes provave të fallcifikuara nga policia politike e regjimit dhe tani kur gjykata e shkallës parë dhe apeli përdorën të njëjtën teknologji me dëshmitarë të paguar, nuk ka më asnjë iluzion për reformën e mbështetur nga euro- atlantikët.

    Këto dy raste kanë njollosur si prokurorinë speciale, po ashtu edhe atë të zakonshme, si GJKKO, po ashtu edhe tre shkallët e gjykimit së bashku me Kushtetuesen.

    Ato dëshmuan se sajesa banale policësh të rëndomtë si Ermal Hajdini, Berti Nushi apo Andon Marko shndërohen në urdhra për drejtësinë, duke rënë aq poshtë sa pianecë të degraduar si Arsen Rama apo Alfred Alizoti, të shërbejnë për të shfuqizuar mandatet e dala nga zgjedhjet.

    Tashmë nuk ka mbetur asnjë iluzion se ashtu sikurse çdo gjë që mban etiketën e “pavarur” në këtë vend edhe institucionet e dala nga reforma në drejtësi, janë shndërruarr thjeshtë në leva të regjimit.

    Pranimi i kësaj të vërtete të hidhur duhet të jetë një pikë kthese edhe për opozitën. Fillimisht duke e pohuar me gojën plot këtë fakt dhe mbi të gjitha duke ndërruar qasjen e deritanishme ndaj tyre. Për këtë mund të niset me disa hapa…

    Së pari, në listat e reja të PD-së dhe aleatëve nuk mund të ketë më kandidatë për deputetë që nxjerrin nga goja idiotësira në mbështetje të SPAK-ut, GJKKO-së, Gjykatës së Lartë apo asaj Kushtetuese. Kështu ashtu, PD-ja do të dalaë e dërrmuar nga sfida zgjedhore e 2025, jo vetëm se opozita ka degraduar, por mbi të gjitha sepse regjimi është ashpërsuar dhe në këto kushte, ajo nuk e ka luksin të mbajë mercenarë brenda vetes. Shumë kush që vuan kompleksin se si do ta shohin ambasadori i ardhshëm amerikan apo ai aktual i BE dhe për këtë arsye vazhdon të broçkullisë të pavërteta, nuk mund të jetë këtej e tutje përfaqësues i zërit opozitar. Të qenit i tillë, pra kundërshtar i këtij regjimi, nuk çertifikohet thjeshtë nga kritika ndaj Ramës, por mbi të gjitha nga vija e qartë ndarëse me këtë drejtësi të kapur dhe ndërkombëtarëve që vazhdojnë të tregojnë përrallën e rilindjes së saj.

    Së dyti, PD duhet të shqyrtojë alternativën e shkëputjes së marëdhënieve me SPAK dhe të ndërpresë sfilatat me dosje denoncuese përpara kangjellave të tij. Ky ushtrim i pafrytshëm ka shërbyer vetëm për të përkundur iluzionin se një pjesë e shoqërisë sonë vijon të besojë tek heronjtë e një gruaje që nuk pati dot fëmijë. A kanë pasur kuptim të gjitha paditë e opozitës, kur për inceneratorët që nuk ekzistojnë, janë në burg ca pak vetë që kanë çuar në shtëpi qindarka? A kanë pasur fryt ato për koncesionet në shëndetësi, kur ish ministri akuzohet për abuzim me fatura restoranti? A kanë pasur impakt ato për 5D, kur kryebashkiaku pretendon se 30 milionët e tenderave publikë i’a kanë ngrënë si kumblla dhe dardha pas shpine?

    Më tepër sesa për “fundin e pandëshkueshmërisë” ruajtja e mërdhënies së PD-së me drejtësinë e re, ka shërbyer për të mashtruar ata qytetarë të zhgënjyer dhe të nëpërkëmbur nga një regjim që i mbyt dhe i vjedh, se dikush përtej opozitës do të hakmerret për këto padrejtësi. Edhe për këtë arsye PD-ja duhet ti japë fund kësaj loje që nuk dëmton vetëm atë, por e kyç shoqërinë në një gjumë letragjik.

    Nëse vërtet Berisha dhe nxënësit e tij të denjë i kanë shtrëmbrim karakterial denoncimet, ata le ti bëjnë ato në rrjete sociale, le të dalin ta përballin SPAK-unë me fakte nga foltorja e PD-së, por sfilatës së deputetëve me mikrofonë nga mbrapa, tek dera e një pallati ëndrash të ngritur vetëm për të mbajtur gjallë iluzionin goditjes së peshqve të mëdhej i duhet dhënë fund.  

    Së treti, që mos krijohet ndonjë keqkuptim, ndërprerja e marëdhënies me SPAK-un dhe drejtësinë e re, nuk do të thotë që ato të sfidohen apo kundërshtohen kur marrin vendime kundër opozitës. Rasti i Salianjit që zgjodhi të shkojë me këmbët e veta drejt burgut të padrejtë është simbolik për këtë. Kjo politikë distancimi nuk duhet të shfrytëzohet për t’u rrëfyer nga regjimi si një sjellje e nisur nga frika apo interesi personal. Ajo duhet të shërbejë si një vijë e qartë ndarëse për të dëshmuar se reforma Lu-Vlahutin, e votuar në kuvend me 140 vota, tashmë kundërshtohet nga një masë prej qindra mijra shqiptarësh.

    Vetëm duke u përcaktuar për këtë linjë të qartë ndarëse, opozita mund t’a nxisë shoqërinë të reflektojë për fabulën mashtruese të drejtësisë së re, që fatkeqësisht, falë propagandës intensive në linjën Tiranë-Bruksel- Uashington, ka ende që vazhdojnë ta besojnë. Askush nuk mund të imagjinojë ndonjë përmirsim dhe ndryshim pa u rrëzuar fillimisht kjo përrallë. Pa fituar betejën ideore nuk mund të ketë asnjë arritje konkrete. Dhe ky është rasti ideal për nisjen e këtij aksioni. Me vendimin e formës së prerë, për të shfajësuar një trafikant droge duke burgosur denoncuesin e tij, ushtarët e rilindjes në sistem e kaluan rubikonin. Ata servirën kazusin perfekt për të mos pasur më kthim pas.    

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Sky-Encro Drejtor i Përgjithshëm Policie?!?

    Nga Basir ÇOLLAKU – Sky-Encro Drejtor i Përgjithshëm Policie?!?

    Kur u bënë 15 aplikimet për të quajturën garë për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dy shkrepje morën vëmendje befasuese.

    Hajrulla Xhivini kandidat ishte në kërkim sepse kishte thyer masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’, ngaqë kishte shurrosur Gjykatën e Lartë. Derën jo përbërjen. Dhe Ilir Proda, drejtor në Elbasan, u gjend me telefon të sekuestruar nga SPAK në hetimin për dekonspirim në dosjen “Çopja”. Kishte jo pak emra të përzier në histori hetimore por kishte edhe të përshtatshëm për të qenë ndryshe.

    Kandidatët në kriteret e premtuara e të pahasura kund nga referenti ministër duhet të ishin filtër. Natyrisht SPAK duhej të kishte lëshuar formular pastërtie të deritanishëm. Ishin në konkurim dy tre emra të papërfolur por me zero shanse.

    A lidhet kjo mesele dekonspitimi e pretenduar me Suel Çelën, njeriu kontrollues në rendin e qytetit?! Dyshimet erdhën pas dosjes “Çopja” një nga djemtë e Dubait, i ekstraduar, pasi kishte nisur një proces gjyqësor në Belgjikë në botën e trafikut ndërkombëtar dhe Krimit të Organizuar. Një nga grupet me financa marramendëse të paligjshme.

    Suel Çela shfaqet në shumë dosje në Elbasan, ku Proda dy vitet e fundit ishte drejtues vendor i policisë. Vëllai i Çelës arrestuar në Itali dhe ekstraduar po në Belgjikë për një vrasje. Lidhjet e Suel Çelës me Taulant Ballës dalin në disa dosje dhe në fushata elektorale parlamentare e vendore në këtë qytet?! Ashtu siç dilte emri i Ballës dhe në përgjimet kur u vranë pjesëtarë të familjes Çapja. Më herët po në 2017 oficeri policisë Emiliano Nuhu akuzoi sërish deputetin për telefonatë me Suel Çelën ku i kërkohej të largonin kupolën drejtuese të policisë sepse ata kishin investuar tre milionë euro në fushatë?! Struktura e Posaçme nuk duhej të dremiste në këtë situatë.

    Ajo duhej t’i kërkonte ministrit të mos bënte propozim të një emri për të cilin ajo po bën verifikime. Apo tani hetimet marrin kthesë tjetër pas firmosjes së kryeministrit. Madje duhet të fuste në sitë të përshpejtuar të gjithë kandidatët me materialet e ardhura nga Franca e të tjera në arkivat e saj. Magazina e madhe informative sky-enchro të lidhjeve me botën e krimit me policë, prokurorë, gjyqtarë, ministra gazetarë biznesmenë e qeveritarë është shpërthyese.

    As kandidati propozuar nuk ka folur rreth gjendjes ku ndodhet. As nuk ka pohuar dhe as nuk ka mohuar përdorimin nga ana e tij të aplikacioneve të koduara apo njohjet me emrat e kërkuar të dosjeve të mëdha. Ndoshta në deklarimet e formularëve është një gjurmë. Transparenca e munguar është një shenjë kompromentuese. Struktura e Posaçme me drejtorin e ri në proces hetimi do na ofrojë zgjedhje parlamentare Sky-Enchro.

    Kjo mund të ngjasë me zgjedhjet e 12 drejtorëve nëpër qarqe si garanci e planeve elektorale të Mafies dhe dosjeve të ndodhura aty së bashku në ortakëri me Mazhorancën…

    Ky është tregues i frikës së Edi Ramës…

  • Nga Luçiano BOÇI – Ku jeni ju zotërinj ambasadorë?

    Dosja e Salianjit është nisur me shpejtësi drejt selive të kancelarive dhe mediave perëndimore.

    Ai është deputeti i vetëm i arrestuar politik në Evropë.

    Mekanizmi persekuetues i cili e realizoi burgosjen e tij është drejtësia 500 milionëshe e financuar nga ndërkombëtarët që sot heshtin.

    Hap i duhur ky i realizuar nga Partia Demokratike, por që natyrshëm nxit pyetjen:

    Po pse heshtën përfaqësitë diplomatike tek shihnin se si burgosej një deputet i opozitës mu në mes të Evropës për arsyen e thjeshtë se kishte denoncuar me dokumenta, të vërtetën e narkotrafikut të lidhur ngushtësisht më qeverinë?!

    Më saktë të lidhur me personin kyç të reformës së famshme të drejtësisë Fatmir Xhafajn, i emëruar në 2018 Ministër i brendshëm, vëllai i të cilit rezultonte i dënuar për trafik ndërkombëtar të drogës.

    Është e habitshme kur mendon se disa syresh, dikur dhe tani interesoheshin e reklamonin gjërat më banale si suksese qeveritare, ndërsa sot për një çështje politike me gati 50 procese gjyqësore, të shtrirë në gjashtë vite, nuk kanë një gjysëm fjale për të thënë, sepse nuk na ditkan gjë!?

    Së paku të dalin e të thonë se nuk i diskutojnë vendimet e gjykatave, sa për të larë gojën, siç vetëjustifikohen në rastin skandaloz Berisha, pavarësisht se e dinë shumë mirë se akuza ndaj Berishës është krejt politike e siç e dinë shumë më mirë se Ervin Salianji është dënuar pa bërë asnjë vepër penale dhe se termi “kallzim publik i rremë” ekziston vetëm në fjalorin personal të Ramës dhe ushtarëve të tij në drejtësi, por jo në kodin e procedurës penale.

    Heshtja e tyre për burgosjen politike të Salianjit kërcet, sepse ajo ndjek heshtjen tjetër:

    Atë të pranimit të emërimit të Xhafajt në krye të komisionit anti-SPAK.

    Është ironike të mendosh që as vetë SPAK dhe as ndërkombëtarët nuk shohin traun në syrin e pushtetit, por kërkojnë qimen në syrin e opozitës.

    Nuk shohin e nuk pranojnë që njeriu që ka udhëhequr reformën dje e komisionin sot, është subjekt i ligjit antimafia.

    E ta mendosh që ishte vetë Xhafaj ai që parashtroi eleminimin me vetting të gjyqtarëve apo prokurorëve që kishin kontakte me persona të papërshtatshëm, me të kaluar kriminale, ndërsa vetë e kishte në shtëpi.

    Ku ishit ju zotërinj ambasadorë tek aplikohej ky standart “bëni si them unë por mos bëni siç bëj unë?!

    Por kur me fakte Ervini dëshmoi qartazi që policia e shtetit me në krye Ardi Veliun, sipas audiopërgjimeve veproi si grup i strukturuar kriminal bashkë me Nushin e Markon për të sajuar dëshmitarin e rremë Alizoti?

    Pse heshtët ju zotërinj?!

    Së paku të flisnit në emër të mbrojtjes së taksave të qytetarëve tuaj, të harxhuara për policinë e drejtësinë shqiptare.

    Siç po vazhdoni të heshtni për mosveprimin e SPAK ndaj përgjimeve në Sky-Encro, ku del qartazi bashkëpunimi i qeverisë së Ramës dhe eksponentëve të lartë politikë me eksponentët e krimit të organizuar, për të deformuar rezultatin zgjedhor e për të ndarë interesa.

    Po kur Rama e la vendin pesë vite pa gjykatë kushtetuese dhe sot vendimet e saj i trajton si letër higjenike, ku ishit e ku jeni?!

    Po tani që me trupa gjyqësore politike Rama dënon Ervinin e jo vetëm Ervinin, pse denoncohet e vërteta e krimit dhe korrupsionit, pse heshtni ju zotërinj ambasadorë?!

    Të nderuar Ambasadorë!

    Detyra juaj kryesore është interesi i vendit që përfaqësoni.

    Por njëherazi dhe mbrojtja e parimeve dhe standarteve demokratike të lidhura ngushtë me liritë politike e liritë themelore në një vend partner të BE.

    Prej kohësh heshtja juaj po mbështet dhe stimulon një regjim që ka shkelur liritë politike e sot liritë themelore të lidhura me fjalën.

    Ka deformuar me metoda kriminale proceset zgjedhore, bashkëpunon me krimin hapur në të gjitha nivelet e format, ka grabitur pasuri, ka shpopulluar vendin e ka ndërtuar narkoshtet.

    Që kërkon të eleminojë opozitën, burgos deputetë dhe synon të burgosë kryetarin e PD dhe drejtuesit e opozitës.

    Arma më e fortë e Edi Ramës në këtë kurs antidemokratik është heshtja juaj, të cilin ai sot e përdor si dekorin e qeverisë së tij.

    Flisni e reagoni zotërinj ambasadorë!

    E vërteta shëron!!!!

  • Nga Kim MEHMETI – Shqipëria duhet të përbëhet nga sa më shumë shtete?!

    Jo vetëm bektashinjtë, por shtet të vetin në Shqipëri duhet të kenë edhe gjithë të tjerët. Dhe kështu, kur ta shohin të copëzuar në më shumë shtete, shqiptarët e atjeshëm mbase më në fund do e kuptojnë se kanë mbetur pa Shqipëri.

    Dhe vetëm një Shqipëri me më shumë shtete në vetvete do e pasqyronte të vërteton se jemi bërë ‘tallava’ popull me të cilin tallet Piktori. Pra se u bëmë popull i cili së fundmi nisi të tallet me vetveten duke u bërë i pandjeshëm ndaj fatit të vet kolektiv.

    Në Shqipëri duhet të kenë nga një shtet të vetin edhe gjitha partitë politike dhe çdo ‘bajraktar’ në të, sepse vetëm kështu ajo do mund ta arrijë paqen me vetvete e me të tjerët. Sepse vetëm kështu ajo do mund të barazohet me copëzat shqiptare të shpërndara nëpër shtetet fqinje dhe vetëm kështu Tirana zyrtare do e përmbush idealin serb për shumë shqiptarë pa aspak Shqipëri.

    Po pra, Shqipëria duhet të përbëhet nga më shumë shtete, sepse vetëm ashtu shqiptarët grindavec do mund të jetojnë në fqinjësi të mirë me vetveten.

    Dhe Shqipëria e vogël duhet të përbëhet nga më shumë mini shtete sepse vetëm ashtu ajo do mund ta përballë vogëlsinë e vet dhe vetëm ashtu do mund të vetëgënjehet se nuk i mungojnë copëzat shqiptare të mbetura jashtë kufijve të saj. Sepse vetëm ashtu në Shqipëri nuk do kenë shtet të vetin vetëm Piktori dhe hajdutët e ‘Rilindjes’, por edhe gjithë të tjerët.

  • Nga Andi BEJTJA – Formimi i Shtetit Bektashi

    17:34, 21/09/2024

    Puna për krijimin e Shtetit Bektashi në periferi të Tiranës ka nisur me shpejtësi marramendëse. Dhe ka filluar pikërisht nga përzgjedhja e bluzës së kombëtares së bektashinjve, edhe pse lojtarët e kombëtares së bektashinjve nuk janë përzgjedhur akoma. Edhe pse të dy si Rama ashtu dhe Baba Mondi kanë rënë dakort, domosdo që ngjyra e fanellës të jetë jeshile, ka pasur debate të forta midis të dyve për ngjyrën e brekëve. Nga burime te sigurta mësohet se Rama bie dakort me variantin e Baba Mondit që brekët të jenë të verdha, vetëm nëse Baba Mondi pranon të firmosë që ditën e parë Amistinë Fiskale. Në Kushtetutë, për të demonstruar tolerancen fetare, është e shkruar e bardhe mbi të zezë, që trajneri i kombëtares duhet të jetë ortodoks dhe të zgjidhet nga haëpsira e Ballkanit të Hapur.

    Në Republikën e Bektashinjve të gjithë do të jenë investitorë strategjik dhe PPP-të do të jenë filli i kuq i ndërtmit të shtetit. Në këtë kontekst, një kompani private ka marë përsipër kthimin e teqesë në gradaçelë 144 katëshe, ku nga krahu i majtë i minares do të jetë stadiumi 80 mijë vendësh, ndërsa në krahun e djathtë, qendra më e madhe tregtare në rajon.

    Ndeshja e parë në këtë stadium do jetë ajo midis Izraelit dhe Palestinës, dhe direkt pas ndeshjes, si futbollistët ashtu dhe tifozët do të marin pjesë në një samit për zgjidhjen e krizës, të drejtuar jo nga kryeministri i bektashinjve, por nga ai i Shqipërisë Edi Rama.

    Debate të forta ka patur midis Ramës dhe Baba Mondit për faktin se, Rama iniston që brenda territorit të Republikës, të përfshihet dhe inceneratori i Tiranës. Mësohet se Baba Mondi ka rënë dakort vetëm me një kusht: që inceneratori i Tiranës të kthehet në ‘duty free’.

    Është vendosur gjithashtu që monedha në përdorim të jetë ‘greencoin’ e ngjashme me ‘bitcoin’. Këto janë fazat e para të ndërtmit të shtetit, pasi të zgjidhet fanella e kombëtares, stadiumi, qendra tregtare, do vazhdohet me fazat e tjera të shtetbërjes, si plotësimi kushtetutës, parlamenti, drejtësia etj.

    Ndërkohë vazhdojnë diskutimet që për të dëshmuar tolerancën fetare në territorin e Republikës, të zhvendosen dhe muxhahedinët e Manzës, emigrantet e Gjadrit, afganët e mbetur dhe burgu Peqinit.

    Ndërkohë mësohet se pa nisur mirë krijimi i shtetit, do ketë disa monopole, si përshembull, furnizimi i Republikës me qengja, ku mesohet se ky monopol i është lënë Tony Blair. Dy magazinat e mëdha frigoriferike për ruajtjen e mishit ku me ligj të posaçëm Ivanka Trump dhe Aleks Sorosit.

    Monopol do jenë dhe pijet alkoolike dhe qilimat, ku në garë të fortë janë kompania e McGonigal me atë të Melonit.

    Mësohet se në Republikë do ndalohen mediat online, do ketë vetëm një TV dhe ndalohen me ligj pyetje përgjigjet në konferencat e shtypit.

    Formimi i shtetit të bektashinjve vazhdon…

  • Lutfi DERVISHI – Vatikani i Tiranës

    Vendit ku katoliket, ortodoksët dhe myslimanët ulen kembekryq për të pirë raki, vendit ku festat fetare dhe pagane festohen me të njëjtin zell, i mungon një element thelbesor – një Vatikan i ri, një vatikan 2.0 jo me Pape, por me dervish.

    Kryeministri Edi Rama, që fatin e keq që i ka rënë të qeverisë një vend të vogël e kompenson me idete e medha, i ka paraqitur New York Times projektin e “Shtetit Sovran të Urdherit Bektashi”

    Vatikani 2.0 do të jetë një shtet i vogel i vendosur në mes të Tiranës. Kryeqyteti ka gjithçka, por i ka munguar një shtet tjetër.

    Ndokush mund të pyese: pse na duhet shtet, duke pasur parasysh traditën e gjatë të tolerancës fetare në Shqipëri? Kunderpyetja: Pse të kënaqemi me bashkëjetesën paqësore kur mund të kemi një shtet prej 28 ha brenda 28 mijë km/2?

    Harrojini projektet e zhvillimit, si ndërtimi i shkollave, autostradat, hekurudhat apo energjjne, harrojeni vizionin Shqipëria 2030! Ajo që na duhet është një shtet tjetër. Së paku, për dy arsye.

    Arsyeja e parë është historike. Dy shtete shqiptare janë ndërtuar nga Fuqite e Mëdha. Është radha e shqiptarëve tani të bëjne vetë një shtet.

    Bektashinjtë, që besojnë se Zoti na dha mendje që të “mendojmë” – një ide revolucionare për kohën që jetojmë, janë gati të kenë shtetin e vet në mes të Tiranës.

    Imagjinoni pak: pasaporta, kufij, trup diplomatik, roje, monedhen dhe territorin me përmasat e çerekut të Vatikanit në Rome. Shteti i ri do të përfshijë të gjitha elementet thelbësore: një sallë lutjesh, një muze, administrate, trup diplomatik, një kullë diplomatike si pallati i xhamte i OKB që të strehojë gjithë ambasadat.

    Shteti i ri do të përfshijë të gjitha elementet thelbësore: një sallë lutjesh, një muze, administrate, etj. Të gjitha këto brenda një “enklave” të vogël me kupola, ku rregulli i vetëm do të jetë, “nuk ka rregulla”. Gratë? Vish çfarë të duash. Alkooli? Pa mase. Nëse Zoti do ndalonte alkoolin, me siguri nuk do të kishim hardhi.

    Arsyeja e dytë, për nevojen e nje shteti të ri, është gjendja e shtetit 112 vjeçar. Nuk po e ndritim megjithëse bëjmë reforma pas reformash dhe punohet natë e ditë.

    Korrupsioni në vend që të ulet vjen duke u rritur, krimi i organizuar ka arritur nivele persosje. Këto të këqija i kemi që nga koha e Perandorise Osmane. Duhet një shtet i ri, i pa infektuar nga e shkuara, që t’i tregojme botës se çfarë jemi në gjendje të bëjmë me duart tona. Duhet një shtet që ta bëj vetë drejtësinë pa vetting dhe pa pranine e huaj.

    Edhe pak kohë dhe bota do të ketë Vatikanin 2.0, edicioni i Tiranës. Rama do jete papa pa tym te bardhe -vendim kardinalesh! Kush ka me nevojë për shekujt e burokracisë fetare të Romës kur mund të kesh të njëjtat vlera mistike pikërisht këtu, por me më pak rregulla dhe me më shumë dervishë?!

    Në fund të fundit, përmasat e shtetit nuk kanë rëndësi, e rëndësishme është ideja. Siç thoshte dikur Viktor Hygo: me e fuqishme se forca e një ushtrie të madhe është fuqia e një ideje se cilës i ka ardhur koha!

    Ka ardhur kohe tjetër: koha e tolerancës fetare, por tani me “kufij”!

    Tashmë për besimtaret dhe ateistet ka më shumë zgjedhje: ose te Papa në Vatikan ose te Baba papa në Tiranë!

  • Nga Enver BYTYÇI – Përqasje për të shkuar te e vërteta: – Hipoteza, diagnoza dhe akuza kundër Berishës!

    Në shkencë studimet dhe hulumtimet shkencore synojnë të vërtetën. Pasi përcaktohet tema dhe pyetja kerkimore-shkencore, ndërtohet hipoteza. Studiuesit ndërtojnë skemën e kërkimeve për të provuar pikërisht hipotezën e përcaktuar. Ata nuk mund të shkojnë te e vërteta shkencore, nëse për hir të hipotezës ndryshojnë ose falsifikojnë të dhënat e grumbulluara përmes anketimeve, sondazheve, barometrit të perceptimit të publikut, ose të dhënat e grafikeve, diagrameve e statistikave. Kur nuk vërtetohet hipoteza, nuk ndryshohen të dhënat, por vetë hipoteza. Nëse ndryshojnë të dhënat, atëherë e vërteta që ata synojnë nuk është më e vërtetë shkencore. Është falsifikim i së vërtetës. Falsifikimi i së vërtetës në shkencë, shkakton drama dhe tragjedi që thellohen. Kështu ndodhi me spekulimet “shkencore” të Covid-19 dhe vaksinat vdekjeprurëse për shumë njerëz.

    Mjekët gjithashtu, pasi informohen për simptomat e pacientit, hipotetizojnë diagnozën. Por për ta provuar atë, ata kërkojnë prova dhe ekzaminime të tjera, si grafi, skopi, skaner, rezonancë manjetike, analiza gjaku, urine etj. Pasi grumbullojnë të dhënat dhe i analizojnë ato, atëherë ata përcaktojnë diagnozën. Pra zbulojnë të vërtetën mjekësore. Dhe mbi këtë bazë rekomandojnë mjekimin. Nëse përpiqen të falsifikojnë diagnozën, atëherë do të rekomandojnë protokolle mjekimi të gabuara. Edhe kjo u provua në kohën e Covid -19! Protokollet e gabuara të mjekimit çuan në humbje të jetëve njerëzore.

    Në drejtësi po ashtu, njësoj si në shkencë e në mjekësi, hetimi bëhet pët të shkuar te e vërteta. Punohet me të njëjtat metoda për zbulimin e saj. Mund ta supozosh një akuzë. Por për ta vërtetuar atë duhen faktet, provat, të dhënat, dëshmitë dhe në fund arrihet në përfundimin logjik të ngritjes ose jo të akuzës. Por nëse në fillim përcaktohet akuza e më pas rrugës “mblidhen të dhënat e provat e krimit”, atëherë akuza është e paracaktuar. Aq më tepër kur gjatë mbledhjes rrugës të tyre faktet e dëshmitë falsifikohen, seleksionohen, ndryshohen për “të provuar akuzën” atëherë kjo nuk ka lidhje me të vërtetën, as me drejtësinë.

    Kështu ka ndodhur e po ndodh me akuzën ndaj kreut të opozitës shqiptare, Sali Berisha. Në fillim është vendosur izolimi, pra arresti i tij. Më pas, për gati një vit, SPAK u përpoq të ndërtojë akuzën. Pra të thotë se Sali Berisha ka kryer aktin e korrupsionit, pra të mitmarrjes. Por kur i lexon ato 500 faqe të akuzës, në asnjë rast nuk gjen një provë, fakt, të dhënë apo dëshmi që e provon atë. Në çdo rresht e në çdo paragraf shprehet opinioni politik e mediatik, pa thënë të vërtetën që ekziston, pa e ballafaquar atë me fakte.

    Çdo krim ka disa elementë. Koha dhe hapësira janë dy elementët bazë të shoqërisë njerëzore ashtu si edhe të botës jo frymore. Nuk ka të vërtetë jashtë kohës dhe hapësirës. Por SPAK në rastin e Sali Berishës nuk ka dhënë asnjë element kohor e hapësinor, pra nuk ka thënë se kur, në cilën orë, në cilën ditë, dhe ku në cilin vend, Sali Berisha ka kryer veprën penale të korrupsionit, pra të mitmarrjes. Tentohet që e gjithë akuza të provohet me analizë opinionistësh. Meqenëse ai ka inicuar një ligj dhe me këtë ligj ka përfituar vajza e dhëndëri i tij në mesin e mijërave të tjerëve, atëherë ish-kryeministri, sipas SPAK ka favorizuar pjesëtarët e familjes së tij. Eshtë rast unik kur një akt-akuzë trajton me aq militantizëm qëllimet “kriminale” të Berishës dhe nuk ka asnjë fakt konkret e provë që ta dëshmojë këtë në një kohë e në një hapësirë të caktuar!

    E gjitha ndodh, sepse fillimisht është përcaktuar objekti i ndëshkimit, në rastin konkret, Sali Berisha “për të provuar se të gjithë janë të barabartë para ligjit” (e thënë kjo nga Juri Kim). Pastaj për të provuar “drejtësinë e aktit të shpalljes non-grata”! Më tej për ta lënë opozitën shqiptare pa kryetar e lider të saj. Pra për ta futur atë në kolaps në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit që vjen dhe përfundimisht për ta përjetësuar pushtetin absolut të monarkut shqiptar, Edi Rama! Është përsëritur historia e “drejtësisë” së diktaturës së kaluar, kur hartohej plani i goditjeve, më pas lista e “armiqve” me akuzën e paracaktuar dhe në fund do të sajoheshin opinionet që godisnin “elementin kriminal”, opinione të cilat merreshin si prova, fakte e dëshmi.

    Ndërkaq “shkencëtarëve prokurorë” të SPAK u kanë rrjedhur “dëshmitë” rrugës. Disa prej tyre janë heq nga akt-akuza, sepse janë në favor të viktimës. Disa të tjera u hoqën, sepse rrëzojnë akuzën. Të tjera akoma, sepse penalizojnë denoncuesin. Dhe kësisoj, viktima e paracaktuar “ndëshkohet” me një akt-akuzë pa asnjë provë e me gënjeshtra të sajuara. Politikisht kjo akt-akuzë opinionistësh sharlatanë i shërben narco-shtetit shqiptar. Nga pikëpamja e funksionimit të drejtësisë, e bën SPAK-un një vrasës të së drejtës. Në anën tjetër shoqëria shqiptare është më shumë viktimë e kësaj drejtësie, sesa vetë i akuzuari, Sali Berisha. Falsifikimi në drejtësi është shumëfishi i dëmit që shkakton falsifikimi në shkencë e në mjekësi. Drejtësia e falsifikuar për gjueti shtrigash e vendos shoqërinë në karantinë.

    Ajo që po ndodh me SPAK në rastin e Sali Berishës i ngjan gati identikisht mashtrimit të madh kriminal të pandemisë së Covid-19. Vaksina e drejtësisë shqiptare gjoja për të luftuar korrupsionin, thjesht ndikon në të kundërtën. Të korruptuarit në pushtet ngrihen e rriten nën hijen e një akuze absurde, të cilën SPAK-u e imponon më së shumti në publik për “ta denigruar” politikisht e moralisht kreun e opozitës shqiptare, sesa për të shkuar te e vërteta.

  • Nga Armand SHKULLAKU – Si i fabrikon Rama ‘yjet në ngjitje’ të Rilindjes

    Edi Rama i është përgjigjur flakë për flakë stuhisë tallëse në rrjet, që shpërtheu pas daljes në publik të atyre që u prezantuan si “rising stars” të Partisë Socialiste, duke emëruar më të spikaturën prej tyre, zonjën Ilva Gjuzi si zëvendës ministre të Turizmit. Kryeministri ka dashur të sfidojë kështu mbarë opinionin, i cili mbeti me gojë hapur disa ditë më parë, kur “yjet e reja” të Rilindjes deklaruan pak a shumë se Edi Rama ka vetëm një të metë: është më i mirë seç duhet.

    Çdo drejtues i një force politike, aq më shumë i një shteti, do të ulte kokën dhe do të skuqej përballë një deformimi të tillë të gjeneratës së re. Madje, me rreth 25 vite në pushtet, do të ndihej përgjegjës për modelin që ka projektuar dhe promovuar si “elitën” e ardhshme të vendit. Mirëpo Edi Rama bëri pikërisht të kundërtën: Sa më i deformuar, sa më servil, sa më patetik e qesharak në venerimin e liderit, aq më shpejt i kap majat e pushtetit. E para prej tyre, dje u bë numri dy i sektorit të shpallur si strategjik nga udhëheqësi, turizmit.

    Prezantimi katastrofik i “yjeve” të Rilindjes, provokoi një diskutim dhe reagim shoqëror, i cili u përqëndrua kryesisht dhe pa të drejtë tek tre të rinjtë si simbol i një brezi të përçudnuar nga pushteti ndërkohë që duhet të ishte shpirti i lirë i ndryshimit të realitetit. Sulmet dhe talljet ndaj tyre ishin shproporcionale, memet dhe humori në mjaft raste u bënë denigruese, duke dëshmuar kështu edhe një herë tjetër handikapin e madh të shoqërisë sonë, që merret me shfaqjen dhe refuzon të shikojë thelbin e fenomenit.

    Gjëja më e lehtë është shënjestrimi i dikujt që dobësinë apo deformimin e pësuar e shfaq publikisht. Pra në këtë rast, i gjithë mllefi i shoqërisë derdhet tek tre personazhe të rinj, që nga shpresë janë shndërruar në fshesë të së ardhmes, dhe jo tek inxhinieri pervers që, për më shumë se një dekadë, ka ndërtuar një fabrikë ku mendja dhe dinjiteti janë asgjesuar nga prodhimi në masë i servilizmit dhe debilitetit. Eshtë pikërisht modeli që ka instaluar Edi Rama dhe propaganda e shfrenuar që e lartëson atë, të cilat kushtëzojnë çdo prurje të re tek partia në pushtet.

    Përveçse i padrejtë, mllefi i shfrenuar ndaj “yjeve” të Rilindjes, është edhe hipokrit. Sa janë shtuar sot njerëzit që nuk preferojnë të ngrenë zërin, por të pranojnë me kokën ulur çdo padrejtësi? Sa prindër i këshillojnë fëmijët e tyre të pajtohen me realitetin, të futen në parti e t’i bëjnë like shefit të madh, si e vetmja mundësi për të kapur një vend pune? Në një mjedis të tillë, është shumë e lehtë të peshkosh gjuza apo kaçe, që shërbejnë për të përtërirë gjakun e prishur të Edi Ramës.

    Duke u ndalur tek faktorët e këtij deformimi të gjeneratës së re, që janë modeli i imponuar nga pushteti dhe rezistenca e dobët e shoqërisë, shfaqja e tre personazheve të PS ka vlerë vetëm si tregues se në ç’nivel kemi rënë. Ndërsa reagimi i kryeministrit, pas kësaj shfaqjeje, ka vlerë për të kuptuar si kemi ardhur deri këtu dhe çfarë do të jetë “Shqipëria 2030” në projektin e Edi Ramës.

    Emërimi zëvendësministër i dikujt, pas një performance veleritëse servilizmi dhe boshësie, nuk është thjesht trilli i një mendjeje të sëmurë. Por është akt i menduar mirë për të përçuar mesazhin se, po, vetëm njerëz të tillë, që adhurojnë liderin, që nuk mendojnë por recitojnë, bëjnë përpara. Dekreti i Ramës është koncentrat i viteve të tëra propagandë që më në fund po jep frytet e veta. Një shpëlarje masive trush, ku sa më mirë ta kesh kryer procesin, aq më lart ngrihesh dhe aq më pranë udhëheqsit frymon. Nuk do të jetë çudi kur një ditë, Njeriu i Ri i Rilindjes, do të ketë vetëm një fjalë për Edi Ramën: marrtë nga ditët tona!

  • Nga Lutfi DERVISHI – Sot je, nesër s’je

    Mbrëmë Gerti Bogdani ishte në një studio televizive. Sot në mëngjes në kafe me shokët e tij. Nesër, miqtë dhe të njohurit do t’i japin lamtumirën e fundit. Ishte 44 vjeç.

    Të njohur, por edhe të panjohur, miq dhe kundërshtarë politikë shprehën keqardhjen për ndarjen e beftë nga jeta.

    Ndërrimi i jetës së Gerti Bogdani na kujton papërsosmërinë dhe përkohshmërinë e jetës. Ndërsa rrekemi në rrugën tonë, shpesh të kapur nga rutina e përditshme, arresti kardiak i Bogdanit përveç shokimit ngre pyetjen e vjetër sa bota: Çfarë kuptimi ka jeta kur është kaq e shkurtër? A ja vlen gjithë ky mundim, tension, stres, për të arritur “objektivat” që i ke vënë vetes?

    Gerti Bogdani ishte një njeri i angazhuar, një personalitet publik që nisi një karrierë të pasur në politikë në moshë shumë të re. I arsimuar në SHBA, drejtues në pushtetin lokal, drejtues i Forumit Rinor ne PD, e deri te karriera si një deputet i respektuar, ai duket se e kishte gjetur kuptimin e jetës tek shërbimi publik.

    Por, ndarja e parakohshme e Gertit tregon se pavarësisht sa shumë përpiqemi, asnjëri prej nesh nuk ka kontroll mbi kohën që i është dhënë. Hebrenjtë thonë se nëse do ta bësh Zotin të qeshë, tregoji se çfarë planesh ke për të ardhmen.

    Bogdani, një i ri që e hasje gjithmonë me buzën në gaz, dukej se ditët më të mira i kishte përpara. Por ndarja e beftë na kujton që jeta nuk varet vetëm nga planet dhe ambiciet tona.

    Ikja e parakohshme e Bogdanit, përtej dhimbjes së madhe për familjarët dhe miqtë, është një zile alarmi për këdo, e veçanërisht për njerëzit e angazhuar në sherbimin publik.

    Ky moment na kujton një të vërtetë universale, të pranuar në librat e shenjte si në Kuran ashtu edhe në Bibël.

    “Pasha kohën! Me të vërtetë njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, dhe që këshillojnë njëri-tjetrin për të vërtetën dhe për durimin (Kuran, 103:1-3).

    Në Bibël, Predikuesi 3:1-2 thotë:

    “Gjithçka ka kohën e vet dhe çdo gjë nën qiell ka momentin e vet. Ka kohë për të lindur dhe kohë për të vdekur, kohë për të mbjellë dhe kohë për të korrur.”

    Kuptimi i jetës është një nga pyetjet më të vjetra dhe më të thella që njerëzimi ka shtruar ndër shekuj.

    Shkrimet e shenjta, kuptimin e jetës e shtrijnë përtej objektivave materiale!

    Kuptimi i jetës është një nga pyetjet më të vjetra dhe më të thella që njerëzimi ka shtruar ndër shekuj. Greket e lashtë e shoshiten gjatë pyetjen dhe arriten në përgjigjen: “kërko lumturinë”

    Mësimi nga shkrimet e shenjta dhe urtësitë e lashta është i qartë: kuptimi i jetës nuk është thjesht ajo që duam/arrijmë, por tek fjala e mire, mirësia dhe emri i mirë që lëmë pas.

    Gerti Bogdani do të mbahet mend si njeriu që asnjeherë nuk foli një “fjalë të keqe”

    Një frymë larg e ka njeriu vdekjen, por harron…      

  • Nga Alfred LELA – Shqiponjat (e Ramës) fluturojnë lart

    Nga Alfred LELA – Shqiponjat (e Ramës) fluturojnë lart

    E mbani mend para ca kohësh, kur nje kompani pati nxjerrë një edicion çantash vintage “Louis Vuitton” me flamujt e vendeve të ndryshme, kryesisht të botës së dytë e të tretë-përfshirë Shqipërinë-, duke synuar klientelën e të ‘pasurve të rinj’ (parveny)?

    Me siguri jo se, shumica juaj që e lexoni këtë, ose nuk ua mban xhepi, ose jeni aq sqimëtarë, sa të harxhoni shuma të tilla për gjëra më thelbësore.

    Por, ka një ironi fantastike me çantat e LV dhe Shqipërinë, sepse shqiponja që firma e njohur vendoste në çantat e saj, simbolikisht është zëvendësuar nga Aquila e qeverisë së Ramës!!!

    Gallatë e madhe!

    Edhe më shumë kështu nëse italianët t’i kenë dhënë asaj pikërisht një çantë me shqiponjën e flamurit tonë!

    Shqiponjat fluturojnë lart, apo jo?

    Nuk është vetëm histori korrupsioni, por sidomos filozofie qeverisese.

    Çfarë më kujton tjeter kjo çanta Louis Vuitton, e këmbyer në trafik diplomash, e zonjës Telhaj, reklamuar nga Rama si të ishte Ayn Rand?

    Idenë që, Rilindja, kur mbyll ose godet një gjë të keqe, nuk e bën se do t’i japë fund së keqes, por se do ta shumëfishojë atë.

    A nuk e ‘mbyllën’ Lazaratin me bujë e ububu të madhe-dhe me një dëshmor në mes-Ibrahim Bashën, pastë drittë!- dhe më pas e lazaratëzuan gjithë Shqipërinë?

    Jo se janë dashnorë të së gjelbrës, se atë e shkulën nga qytetet, por se e kanë të madhe ujën për atë jeshilen tjetër-të dollarit.

    E njëjta gjë me Reformën e Arsimit të Lartë, dhe mbylljen e 2-3 universiteteve-të cilat, megjithëmend, ishin pocaqi-qymyr, jo kristal.

    Dhe ja çfarë na shohin sytë: drejtueset e larta të Arsimit të Lartë janë të përfshira në kristalizimin e universiteteve të tjera (që nuk u mbyllën).

    Pra, goditën Kristalin, një pjesë të së keqes, për të siguruar vitrinën e rregullimit të Arsimit të Lartë dhe në proces vitrinizuan të gjithën.

    Arsimi që duam: 8 mijë diploma false të trafikuara në Itali (mendoni pak sa janë shitur në tokën e shqipeve?!).

    Shëndetësia që duam: Onkologjiku.

    Mjedisi që duam: Inceneratorët.