Blog

  • Dieta e jetëgjatësisë, kështu mjeku 78-vjeçar është “rinuar” me gati 20 vite

    Dieta e jetëgjatësisë, kështu mjeku 78-vjeçar është “rinuar” me gati 20 vite

    Mosha biologjike është një masë e plakjes së organizmit, bazuar në efikasitetin e mekanizmave që i mbajnë të reja qelizat dhe në shënuesit e funksionalitetit të organeve dhe sistemeve të trupit të njeriut. Nuk është vetëm çështje gjenetike: vetëm 25% e shpejtësisë me të cilën plakemi është e lidhur me gjenet, pjesa tjetër është e lidhur me faktorë të jashtëm si ushqimi, aktiviteti fizik, marrëdhëniet shoqërore, zakonet e mira.

    Roizen ka përdorur të njëjtat parime që, sipas tij, e kanë mbajtur të ri për të zhvilluar një sistem Wellness në Cleveland Clinic. Duke u ofruar punonjësve stimuj financiarë, u bë e mundur implementimi i ndryshimit të stilit të jetesës drejt shtigjeve më të shëndetshme. Që nga viti 2008, programi i ka kursyer klinikës deri në 200 milionë dollarë në vit në kostot e kujdesit shëndetësor për 101,000 pacientë, ka treguar Roizen. Le të zbulojmë se me çfarë kemi të bëjmë.

    Dieta mesdhetare

    E përhapur në të gjithë botën, dieta mesdhetare është vërtetuar shkencërisht se është një mjet shumë i vlefshëm për shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve. Ushqime integrale, fruta, perime, bishtajore, produkte qumështi, përdorim i kufizuar i mishit të kuq, ushqimeve të përpunuara dhe alkoolit: dieta mesdhetare është konsideruar nga US News and World Report, për shtatë vjet rresht, si më e shëndetshmja ndër modelet e të ushqyerit.

    Përveç përmirësimit të shëndetit kardiak, kontribuon edhe në humbjen e peshës dhe në një mpakje graduale të plakies. Doktor Rozien rrefen se ai merr proteina shtazore nga ushqime të tilla si trofta dhe salmoni, të pasura me vitaminë D dhe acide yndyrore omega-3.

    Vakt i bollshme

    Një tjetër zakon i mjekut është të hajë një vakt të bollshëm për drekë. Ndërsa për darkë, ha pothuajse vetëm një sallatë. Kjo duket se e ndihmon të flejë dhe i jep një zgjim më të mirë.

    “Një studim i publikuar këtë vit nga studiuesit e Universitetit të Alagoas në Brazil ka zbuluar se ngrënia e pjesës më të madhe të kalorive në drekë mund të ndihmojë në parandalimin dhe trajtimin e obezitetit, pavarësisht nga cilësia e dietës – shkruan BI –. Të ngrënit në këtë mënyrë mund të përputhet më mirë me ritmet natyrale të trupit, ka sugjeruar ekipi i studiuesve”.

    Pesë ditë në muaj me pak kalori

    Një strategji që Roizen e konsideron të vlefshme është ajo e zhvilluar nga profesori i gerontologjisë dhe drejtor i Longevity Institute të University of Southern California, Valter Longo. Bëhet fjalë për “dietën e jetëgjatësisë”, e cila konsiston në një gjysmë-agjërim për pesë ditë në muaj: një mjet hipokalorik ky që është ekuivalent, në terma afatgjatë, me një agjërim gati shtatë vjeçar.

    Pas vetëm tre muajsh, pjesëmarrësit në eksperimentin dietik ishin kushin pothuajse tre vjet mosha biologjike më pak, ose ishin biologjikisht tre vjet më të rinj.

    Megjithatë, mjekë dhe shkencëtarë të ndryshëm kanë reaguar me skepticizëm ndaj këtyre eksperimenteve, duke pretenduar se dieta mund të jetë “e ashpër” për disa kategori njerëzish dhe punonjësish.

    Agjërimi me ndërprerje

    Ndër të tjera, Roizen edhe agjëron, me ndërprerje. Mjeku ka deklaruar se ha në harkun kohor nga ora 11:00 deri në orën 19:00. Edhe pse të dhënat për ndikimin e agjërimit me ndërprerje në jetëgjatësi nuk janë aq solide sa ato të një diete hipokalorike – me pak kalori, ai rrëfen se ndihet më mirë duke ndjekur këtë program. Ndërkohë që studime që po zhvillohen aktualisht flasin se ky lloj agjërimi, edhe pse jo plotësisht i paefektshëm, mund edhe të shkurtojë jetën e një personi.

    Mosha biologjike

    Mosha biologjike është një masë e plakjes së organizmit, bazuar në efikasitetin e mekanizmave që i mbajnë të reja qelizat dhe në shënuesit e funksionalitetit të organeve dhe sistemeve të trupit të njeriut. Nuk është vetëm çështje gjenetike: vetëm 25% e shpejtësisë me të cilën plakemi është e lidhur me gjenet, pjesa tjetër është e lidhur me faktorë të jashtëm si ushqimi, aktiviteti fizik, marrëdhëniet shoqërore, zakonet e mira.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Kryeministri lakuriq ul brekët e drejtësisë

    Nga Basir ÇOLLAKU – Kryeministri lakuriq ul brekët e drejtësisë

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku nuk tha të vërtetën publikisht, për vrasjen e Egli Progës.

    Humbi jo pak nga zanati.

    Njëlloj si gënjeshtrat e Ard Veliut e Alfred Shehut për ngjarjen e Elbasanit me 21 prill 2021 në Elbasan, ku humbi jetën Pjerin Xhuvani apo të vrasjes nga policia të të riut Klodian Rasha.

    Meti gënjeu për ekstradimet e Plarent Dervishit e Meçes nga Dubai sepse nuk thotë dot refuzimin e qeverisë për të nënshkruar dakortësinë e marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara.

    Nuk citon dot asgjë për vartësit buburrues me vite me sky-encrot, në tavën e kokainës. Rrumbullaku e di se po u solle si paraardhësi, Gledis Nano, shkarkohesh në mëngjes me gjithë garancitë ambasadoriale se do të ndikojë lart.

    Edhe Yuri del nga fjala. Një komunikatë e shkruar nga Rama dje, lexohet me mllef nga kryepolici, e më tej prokurorë e gjykatës. Luftë medies. Shërbimet angleze kanë çorapëzuar rrjetin investigativ ballkanik mediatik duke shitur edhe lakrat e tyre për mallra pa datë skadence.

    KM ka mbi 20 mote lakuriq para miletit. Jo ajo fotoja e 2007 me vegla në servis shoqërie.

    Tani kanë dalë cullak të tjera punë.

    Pafuqia dhe nënshtrimi qesharak i policisë

    Eunukllëku në rritje në prokurori e gjyqësor.

    Shërbimi inteligjent një asfiksim nën oreksin e KM

    Mediet servile dhe financiarisht kopile sillen rreth ushkurit qeveritar duke lënë jetim dhe ato pak emra rezistues me shumë kosto.

    Meloni po kqyr poshtë nga bregu, për të blerë një vilë rehatie ndoshta nga taksat e marrëveshjes me refugjatësh.

    Tony Blair u thirr për një qokë të re në këmbim të asi punësh hatërlie për të mbuluar m..me sh…

    Gjatësia e tij nëse do të vizitohej mjekët do ta izolonin me mjekim të detyruar. Kurimi tani është pamundësi, por po prodhon kosto rrënuese për vendin.

    Fb medemek rastësisht, nuk lejon shkrime qortuese ndaj policisë.

    Egli i vrarë në Pogradec, është armiku hesap-qërues te porta për të gjithë ne. Kryebetonieri Rama sado të arnohet nga media-bizneset nuk ka asnjë rreckë veshur.

    Mediet kombëtare dhe shumica atyre lokale, nuk kanë lidhje me gazetarinë. Janë klone të Zërit të Popullit dje.

    Fijet andej vijnë. Ata takojnë rrobaqepësin e Ramës dhe qepin mbulesat e tij për të fshehur lanetërinë e derdhur livadheve.

    Drejtësia në zinxhirin e saj është furnizim diplomatik, ku në telefonat e koduar pasi të lexosh bisedat, vështirë të gjesh kush është banditi, mafiozi, apo zyrtari.

    Pagesat deri në 1 milionë euro për vettingun janë bërë rutinë. Vëzhguesit e huaj, marrin hisen e xhixhave dhe eskortave lakuriqe sigurisht.

    Ka nga ata monitorues të harruar në marrjen e masave mbrojtëse dhe kanë pjellë kalamaj të reformuar, pastaj kanë ikur. Partnerët na mbajnë me gajret se tani korrupsioni po luftohet, ndërkohë ushtarët e luftës derrosen me korrupsion.

    Ata, të huajt e dinë se po na gënjejnë. Ne bëjmë sikur u besojmë. Nuk sekëlldisen, sepse paguhen sa një president amerikan me 30 mijë euro në muaj. Në katundin tonë Shqipëri, ku ka rradhë të gjata jashtë për të ardhur diplomat. Pa harruar tendera e aksione në punë për marshallah, për njerëz të tyre.

    Mirë KM është lakuriq, gjithëandej madje edhe me mexhlisin partiak, po Drejtësia përse nuk vë dorë të mbajë së paku ngrehur, brekët e veta..!!!

  • Nga Erion DASHO – Qytetarë të pambrojtur përballë horrave të pushtetit!

    Nga Erion DASHO – Qytetarë të pambrojtur përballë horrave të pushtetit!

    Dje, lexova një deklaratë të motrës së Egli Progës. Së bashku me dhimbjen dhe zotimin për vendosjen e drejtësisë, motra shprehej edhe se “nuk dëshiron të politizohet vdekja e tij”.

    Duken respektuar dhimbjen e një prej njerëzve më të afërt të Eglit, duke u lutur për të ndjerin dhe duke uruar e shpresuar në vendosjen e drejtësisë, mendoj se ky qëndrim nuk është i drejtë.

    E kam dëgjuar frazën, “të mos politizohet problemi” shumë herë dhe pothuajse në çdo rast e kam gjykuar atë të gabuar.

    Së pari, sepse krimet që ndodhin në Shqipëri, përfshi krimin që kulmoi me vrasjen e Egli Progës, janë në thelb krime politike!

    Po, po! Krime politike!

    Personat që janë akuzuar për vrasjen e Progës, janë përshkruar si të fortët e një qyteti që nuk është njohur ndonjëherë për këtë lloj force. Ata akuzohen se u është hapur shtegu për të vendosur gjoba e bërë të fortin pikërisht nga lidhjet politike, nga qenia patronazhistë.

    Së dyti, krimi politik ndaj Egli Progës nuk është i veçuar. Krimet politike në Shqipërinë e rilindjes janë një ndodhi e vazhdueshme.

    A mund të thotë kush se vrasja e Arditit nuk ishte krim politik? A mund të thotë kush se vrasjet me pagesë që ua kanë kaluar edhe filmave me fantazi të shfrenuar të Hollivudit, nuk janë krime politike?!

    Po vjedhjet dhe grabitjet? Incineratorët, koncesionet e shëndetësisë, koncesionet e rrugëve, porti i Durrësit, Teatri, trafiku i drogës, etj., a nuk janë krime politike?! Po 20,000 vrasjet e qytetarëve gjatë pandemisë, a nuk janë krime politike?!

    Të gjithë këto krime i bashkon si një fill i tmerrshëm frymëzimi dhe mbështetja që politika kriminale e rilindësve u jep ministrave të vet gllabërues, drejtorëve të vet hajdutë, patronazhistëve të vet të babëzitur dhe kriminelëve të vet grabitës votash.

    Për këtë arsye të gjithë këto janë krime politike.

    Së fundi, qytetarët duhet të kuptojnë se mbrojtësi i tyre më i fortë përballë abuzivitetit dhe agresivitetit të pushtetit është opozita. Kur opozita kalon në pushtet, rolet ndërrohen. Kjo është ligjësia e demokracisë.

    Opozita sigurisht e sulmon pushtetin me synimin për ta diskretituar, për të provuar gabimet, fajet dhe krimet e tij dhe, në fund, për ta mundur atë në zgjedhje. A punon opozita për interesin e vet? Sigurisht që po! Vetëm se paralelisht ajo punon edhe për interesin e publikut dhe ky është një shërbim i paçmuar, i pazëvendësueshëm.

    Kauzat shoqërore, mbrojtësit e të cilave kanë refuzuar me forcë politikën, janë shuar të parat. Sepse duhet investim social i jashtëzakonshëm për të mbajtur gjallë një kauzë për muaj e vite të tërë. E vetmja që e ka kapitalin njerëzor dhe politik të gatshëm është opozita politike.

    ***

    Shqiptarët duhet ta mbajnë mend tronditjen që i kanë dhënë qeverisë protestat e studentëve. Janë të vetmet ndaj të cilave qeveria ka reaguar në panik, madje është tërhequr dhe ka bërë lëshime jo pak të rëndësishme.

    Shprehja e preferuar e Boratit dhe boratëve gjatë këtyre protestave ka qënë, “të mos politizohen” ato.

    Sepse Borati e di mirë!

    Ishin studentët që sollën pluralizmin politik! Ishin studentët që përmbysën shtatoren e babait shpirtëror të tij, kryekriminelit Hoxha! Janë sërish studentët që do të kenë një rol kyç edhe në përmbysjen e bijve hajdutë e kriminelë të etërve gjakësorë.

    Le ta lëmë opozitën të bëjë punën e vet dhe ta mbështetim kur ofron shërbimin e saj si avokate e të drejtave të njerëzve të thjeshtë. Të atyre që po të lihen të vetëm përballë pushtetit, mund të thyhen prej tij si fije kashte.

    Duke patur në krah opozitën, motra e Eglit do të ketë gjithmonë garancinë se dikush do ta përmendë vëllanë e saj të ndjerë, se dikush do të flasë nesër nëse gjyqi nuk do të zhvillohet i drejtë dhe i ndershëm, ose, së paku, se asaj vetë do t’i ofrohet një mikrofon për t’ju dëgjuar fjala!

    Vetëm nëpërmjet aleancës së natyrshme midis qytetarëve dhe opozitarëve, vjen dita kur kokoroçët, hajdutët dhe kriminelët e pushtetit nisin të japin llogari për zullumet e bëra.

    Për Boratin dhe rilindësit kjo kohë ka kaluar prej vitesh! Për ta është tashmë koha e llogaridhënies…

  • Nga Lutfi DERVISHI – Misteri i një vrasje

    Qyteti i vogël liqenor që po përjeton rilindjen në çdo fushë dhe sidomos në teknologji u zgjua i tronditur nga një episod i pa shpjegueshëm.

    Pikerisht në kohën kur teknologjia ka arritur kulmin dhe ku gjithçka është e monitoruar, e mbikëqyrur dhe e rregulluar në mënyrë të përpiktë, ndodhi një ngjarje që synoi të hedh baltë mbi sistemin e përkryer dhe arritjet e pa mohueshme.

    Një pasdite të nxehtë vere, kur termometri nuk pranonte të zbriste poshtë 34 gradëve, ambulanca dhe policia mbërritën në një skenë krimi, ndoshta për herë të parë në histori, para se krimi të ndodhte. Dhe këtu filloi problemi. Viktima, një menaxher i një lokali të vogël të marrë me qera, guxoi të mos paguante “gjobën”, nuk kishte ende nevojë për mjek dhe agresori nuk e kishte ngritur ende dorën për ta goditur.

    Policia, falë Inteligjencës Policore dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët, e ndaloi të dyshuarin në mënyrë të beftë. Një sukses i paparë falë reformave sigurisht! Edhe kamerat e lokalit ku ndodhi ngjarja dhe atij perballe, të pajisura me teknologjinë më të fundit (sipas kërkesa e të ligjit) dhe me rezolucion të lartë, regjistruan çdo gjë. Por fatkeqësisht, rezolucioni ishte aq i lartë saqë askush nuk mund të shihte asgjë. Imazhet ishin aq të detajuara sa u bënë një lëmsh pixel-esh që nuk i shërbenin hetimit.

    Ndërkohë, dëshmitarët okularë, në një përpjekje heroike për të përshkruar ngjarjen, ofruan versionet e tyre të mbushura me detaje, por që të gjithë bashkoheshin në një pikë: “nuk pamë gjë”.

    Por pavarësisht gjithë këtyre përpjekjeve, çudia erdhi: vrasja ndodhi.

    Si?

    Kjo mbeti një mister. Dikush tha se ishte si një episod i “Paradoksit të Schrödinger-it” – viktima ishte njëkohësisht gjallë dhe e vdekur, për sa kohë që policia nuk ishte e sigurt.

    Prokuroria, duke u bazuar në dëshminë e të dyshuarit, mbërriti në një konkluzion shkencërisht të bazuar: ngjarja kishte ndodhur për shkak të temperaturave të larta, zjarreve aty pranë, luftës në Ukrainë dhe Gaza dhe ndikimit të ngrohjes globale. Ky përfundim u mbështet edhe nga një studim i ri, i cili thotë se nxehtësia e lartë shkakton agresivitet te njerëzit, veçanërisht kur ata ndodhen në afërsi të lokaleve të vogla që nuk paguajnë gjoba.

    Në bazë të këtyre fakteve, vrasja u cilësua si “nga pakujdesia”. Prokurori shpjegoi me qetësi se nuk ishte faji i askujt; njeriu nuk mund t’i rezistojë fuqisë së natyrës. Si rezultat, agresori do të dënohej me një “gjobë” simbolike, sa për të mos humbur traditat e lashta të sistemit ligjor dhe për të mos hedhur hije dyshimi te Drejtësia

    Gjykata gjithashtu vlerësoi faktin se viktima nuk humbi asgjë tjetër përveç jetës – paratë e xhiros së ditës ishin ende në xhepin e tij. Në një botë ku paratë jane gjithçka, humbja e jetës është thjesht një statistike.

    Kryeministri, me një buzëqeshje të qetë dhe të matur, ngriti në qiell reagimin e shpejtë dhe profesional të policisë dhe urgjencës. Ai e quajti këtë një shembull të përkryer të suksesit të sistemit të reformuar. Por, ai nuk e kurseu kritikat ndaj medias, duke i akuzuar për keqinformim dhe përhapje paniku. “Është e pafalshme,” tha ai, “që të bëhet kaq shumë zhurmë për një incident të tillë të rëndomtë, kur është provuar katercipërisht se sistemi ynë funksionoi më së miri!”

    Dhe kështu, qyteti vogël i një vendi me ego të madhe vazhdon të jetojë, duke festuar, reformat dhe duke bere like dhe komente në Facebook.

    Madje gjysma e qytetit thotë se vrasja nuk ka ndodhur fare , ndërsa gjysma e vendit thotë se sistemi funksionon!

  • Nga Agim XHAFKA – Dhe Rama bën serenatë

    U bënë muaj që media qeveritare, që për fatin e keq është shumicë me shumicë tek ne, po na baltos e po na bombardon trurin me lajme turistësh.

    E nisën me numrin mbresëlënës që asnjë vend nuk e kishte arritur, më pas kaluan në renditje shtetesh që ata përfaqësonin, së fundi në intervista me lumturinë e turistëve të lumtur.

    E protagonisti si në çdo lajm është një, po Rama mo, Rama. Sfondi në ekran ndërtohet në funksion të ngazëllimit të tij. Mbushur tv-të me video plot ngjyra dhe natyrë marramendëse të Shqipërisë a thua se dhe këto nuk i ka krijuar zoti, por i ka krijuar Rilindja.

    Edhe detet, edhe liqenet, edhe malet, edhe lumenjtë ajo i polli. Madje ca televizione guxuan dhe e zhvendosën këndej nga ne psh krejt popullsinë e Italisë. Nuk lanë një italian të pushojë në Siccili, në Sardenjë, në Napoli a qoftë dhe në Bari.

    I hodhën të gjithë te brigjet tona. Dhe kur vetë andej ngelën pa turistë, sipas medias tonë lëpirëse, nisën të ulnin çmimet. Na mori më qafë Shqipëria, ia nisën kujes!!!

    Po e vërteta, e provuar nga bizneset shqiptare dhe nga banorët e zonave turistike, është krejt tjetër. Thuajse 20-30% më pak ka pushues në brigjet e detit e liqenit. Thuajse 20-30% më pak se vjet është xhiro ditore e restoranteve.

    Aq dhe frekuentimi i hoteleve dhe njësive të tjera akomoduese. Pra qeveria gënjen me syrin pishë dhe me ballin lart. E për fat të keq nuk pushon. Trumbeton rekorde me zë e figurë vetë Rama. Po mbytemi nga turistët, shpërthen gazmendi i tij.

    Mes këtij horrliku, siç shprehen shkodranët, më vjen ndër mend një tip i leshtë në Korçë. Që rastësisht qe i gjatë sa Rama sot. I kishte rënë në kokë për një vajzë. Quhej Moza ajo.

    Pasi mendoi se ia mësoi shtëpinë shkonte çdo natë atje dhe mbante serenatë poshtë një dritareje.

    -Moza ime, moj,

     Jeta ime, moj…

    Njerëzia që kaloni aty pari qeshnin si fillim. Më pas e tallën dhe në fund i shpjeguan.

    -Asnjë Mozë nuk jeton këtu, o njeri. Ky kapanon, që ti po këndon, është magazina e patateve. Nuk është shtëpi.

    Po i fiksuari s’dëgjonte, vazhdonte. Sapo binte mbrëmja ai te magazina këndonte e këndonte:

    -Moza ime, moj,

     Jeta ime, moj…

  • Nga Alfred LELA – ‘Çeçenët’ e PS dhe ata të Rilindjes

    Nga Alfred LELA – ‘Çeçenët’ e PS dhe ata të Rilindjes

    Dy medalje bronzi të marra nga ekipi shqiptar në Lojërat Olimpike të Parisit janë kthyer në një rast tjetër të artë për narrativën publike të qeverisë.

    Edi Rama, ashtu si mbreti Mida u paraqit si ai që e kthen në ar çdo gjë që prek. Ashtu si me Europianin e parë dhe të dytin të Kombëtares, në një përrallë të dalë nga mjerimi, kryeministri është i pari në radhë për të lidhur edhe arritjet më modeste me erën e re të qeverisjes së tij.

    Ky sukses modest, më poshtë edhe se Kosova, një shtet fringo i ri, jo vetëm që nuk është i politikave qeverisëse, por më shumë se kaq shpjegon mungesat e tyre.

    Rama, ministrat e tij dhe kryebashkiaku i Tiranës kanë qenë më së pari të interesuar që çdo sukses të sportistëve shqiptarë ta kalojnë poshtë dafinave qeveritare. Gjithë interesimi i qeverisë për sportistët me performancë kombëtare apo ndërkombëtare, ka nisur dhe është mbyllur me një photo opp (një foto publiciteti).

    Edhe një nismë ‘shpërblyese’ për sportistët fitues medaljesh, Rama e mori në imitim të modelit grek, duke ofruar grada ushtarake. Kësisoj, Rama i ktheu sportistët e paktë me rekorde të Shqipërisë në vartës të tij, në vitrinë politike, në mjet propagande.

    Në një lëvizje djallëzore ai arriti t’i kontrollojë dy herë: së pari duke i parakaluar në kamera si shtojca propagande qeveritare, dhe së dyti duke i futur në rresht.

    Pikërisht ata djem dhe vajza që kanë si qëlllim karriere të arrijnë të parët, KM i zhvendosi në vend të dytë. Në fillim mbërrin ai vetë, ai është rekordmeni.

    Ky tundim i thellë për të kthyer në propagandë çdo gjë që ndodh në Shqipëri, na ka shërbyer edhe një paradoks: dy sportistë çeçenë/rusë janë kolonelë të ushtrisë shqiptare, një vendi të NATO-s.

    Duhet vetëm të lutemi që të mos dalin dylqinjat e tij dhe të na thonë se Edi, perveç sukseseve të tjera, arriti edhe më të paimagjinueshmin: anëtarësoi Rusinë në NATO!

    Këto janë, sigurisht, asgjë më shumë se simbolika, por nuk ka gjë më të rrezikshme se një qeveri që shqetësohet më shumë për lustrat e simbolikes se sa për politikat e rritjes së vendit.

    Fakti që dëgjojmë prej një viti më shumë për numrin e artë 10 milion turistë, dhe asgje për tunxhin e realitetit të industrisë së turizmit në Shqipëri, është një rast i freskët i kësaj filozofie.

    Por e majta shqiptare, që nga “vullnetarët e Enverit” dhe deri tek ata të Edit (patronazhistët), projekton te lustra e së tashmes edhe ndryshkun moral të së shkuarës.

    Kur i dëgjon sot të kthyer në filoçeçenë, të kujtohet fobia e tyre e dikurshme për “çeçenët”.

    Më saktë, bashkatdhetarët e tyre nga veriu i Shqipërisë, të ngulitur në periferitë e Tiranës, kryesisht në zonën përreth Kamzës. Emri denigrues për këta ‘atletë të lëvizjes së lirë’ në vendin e tyre, ishte pikërisht ai qe sot lavdojne. Në këtë term, “çeçenët”, paketohehsin dy kundërshtarë politikë. Njëri i brendshëm, kryetari i opozitës anti-komuniste (më vonë presidenti Sali Berisha), dhe një i jashtëm, populli i krahinës së Ceçenisë që, në vitet ’90, ne luftën për pavarësi u bë një kundërshtar i rreptë i Rusisë.

    Për të majtën e Tiranës, e lindur nga jugosllavizmi dhe ushqyer nga stalinizmi, kundërshtarët e Rusisë nuk mund të meritonin veçse një emër pezhorativ. Kështu termi çeçen u bë një mjet përbuzjeje për të shpjeguar, jo vetëm rivendikimin e brendshëm pas rënies së kastes komuniste, por edhe nostalgjinë post-sovjetike në planin e jashtëm.

    Sot termi “çeçen” është sheqerosur, nga nevoja e të kompleksuarit për të lustruar për veten një vend në kronikën e ditës.

    Historia nuk ka rëndësi.  

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Po rojet kush i ruan? – 500 mijë euro një prokuror-gjyqtar për të kaluar në…

    Nga Basir ÇOLLAKU – Po rojet kush i ruan? – 500 mijë euro një prokuror-gjyqtar për të kaluar në…

    130 mijë euro anijet joprodhuese të energjisë në Vlorë, me hije amerikane, italiane, me rrënjë ofshor, 80 mijë euroinceneratori joekzistues në Tiranë, me hije Ndranghete, janë kokërr më kokërr 210 mijë euro, çdo ditë të nxjerra nga xhepat tanë, e të përfunduara në duar e xhepa horrash, vendas e të huajsh. Asnjë kacidhe deri më sot SPAK nuk ka pasur pikën e takatit ta ndalojë. Përsenë e dinë ata, por sërish u mungon zëri ta thonë. Rama, Belinda, Veliaj, janë mjaftueshëm për qeli edhe me kaq.

    Por ka pafundësisht prapë.

    Në një rresht përgjimi nëpër dosje partnerësh, ka shpëtuar një pjesë dialogu bisedash mes bandash e ustallarëve të sistemit, e paretushuar. Një komisioner, pavarësisht shkallës, merr 500 mijë euro, për të mundësuar notën kaluese në rivlerësim, për një subjekt, me dosjen ku thërret qameti, për nga pasuria, lidhjet e papërshtatshme më nëntokën, e të tjera kusure penalizuese.Ka dhe më shtrenjt.

    Sipas tarifës, duket së është shkallë e parë, Komisioni i Pavarur, sepse e dyta, Kolegji i Posaçëm, ka dorë tre herë më të lartë në raste qokë-kalimi. Nuk dihet fije për fije, se sa ka ndarë trupa, sa ndërkombëtarët, apo sa harmoni kanë pasur mesazhet këshillonjëse nga lart. Po në një tjetër dosje franko-belgo-hollandeze, një gjyqtar me shumë rreth në kënetën e drejtësisë, i merr një strategjiku 500 mijë euro për ta kaluar dosjen e pronave qiqërr pa telashe. Kur ka parë dosjen e firmosur nga Edi Rama në investimin dhjetëra milionë eurosh, ka menduar se një qime shkulur derrit pasunar  nuk është se i prish punë udhëtimit të patrazuar strategjik. Një prokuror më tutje përlan 300 mijë euro për të harruar akuzën, e shkalafitur dosjen në dobi të të pandehurve. Dy të tjerë në shifra të përafërta kanë krasitur fashikuj në dobi ryshfetesh në shifra majmërisht të fryra.

    Lista e çmimeve për deputetë, drejtorë policie, portesh, agjencish ku vlon paraja, janë batërdi. Amerikanë e evropianë, financues të reformës së dështuar, e dinë me detaje dhe me emra konkretë se kush janë ata qelbësit e brendshëm të reformës dhe për hesap të kujt qëndrojnë ende nëpër zyra, duke u dhënë gabimisht serum mos-arresti. Sepse na bie reforma, nëse këta maskarenj në sisitem na prangosen. Në dosjen 5D ku kërcasin plot tendera nënshkruar nga Veliaj djegësi, del edhe emri i don Gramozit, mentori me fije krushqie i pasardhëses Spiropali, me një supershitje banese si në Manhatan. Drejtorët bashkiakë dhe Berberi i Ballukut, jo floktorja, ndonëse nëpër qeli, vazhdojnë të jenë fitues tenderash, sikur Prokuroria jonë të ishte pak e zënë në Bangaldash duke hetuar trazirat.

    Vapën e shton deri në trullosje përlarja e 224 mijë metrave në bregdet nga “fakirët” Edi, Olsi, një aferë ku shefi i qeverisë si firmëtari 7 VKM-ve, e dy ndryshimeve ligjore, vëllai i madh, duhet së pari të dorëhiqej, e pastaj të përballej me hetimin, si gjithnjë të munguar, të qorruar e të vonuar. Oficerët eprorë në Policinë e Shtetit emër-zbuluar nga partnerët e përcjellë në Tiranë nëpër dosje si tregtarë kokianë, vijojnë të shërbejnë me turne, transportit e fitimeve 20 orë, gjumë katër orë, kusuri i bie  zero të tjera, rendit e sigurisë. Porti i Durrësit 2 miliard eurosh, Eco Parku 13 milionë eurosh, AKSHI 43 milionë eurosh, Tuneli 190 milionë eurosh i Llogarasë, Olsi i Hanoverit të Xibrakës së kokainës, janë qindarka për të cilat presim Prokurorinë e Posaçme të thërrasë pak çetën ministrotre, me gjithë shefin në dëshmi.

    A po përpiqet Struktura e Posaçme e Prokurorisë të ruajë sekretin hetimor, apo më tepër po vërtitet rrotull të mbrojë qeveritarë si dhe rilindas administrate apo të Kuvendit të zhytur në afera të përbindshme të vjedhjes së parasë publike?! Kemi vendime të përsëritura të Gjykatës së Posaçme, firmosje avokatësh për msonxjerrje sekretesh, ndërkohë ngjasin vaksina të dhënash ku shpërthejnë burime të brendëshme, duke ndërtuar një hartë kaosi të organizuar në perfeksion.

    Lind komision alla “Xhafa” pasi katranosi vettingun e të tjerat, për të risjellë reformat në Parlament, ngjizen udhëzime nga kryeministria për përgjigje të kontrolluar prokurorisë, moslejim të agjentëve të BKH për të marë material, telefona apo dëshmi, një ideimi një institucion tjetër me ngjashmëri akuzën, për të mbikqyrur donacionet evropiane e koncensione. Janë këto e plot surpriza antiligjore dke u gatuar në guzhinën e mazhorancës, duke u pjekur kështu instrumente të shemjbjes së pavarësisë së institucioneve.

    Edi Rama nuk lejon BKH të marrë dosjen e Pëllumb Gjokës, afërmendsh as të Olta Xhaçkës e Artan Gaçit, Gaz Pajës, e shumë milionerëve të tjerë ardhur nga sektori miellit të bardhë kolumbian, sepse gjithkund është një hise e fshehur për bamirësin e garantuesin. Më këta hata kriminale e mafioze, shkojmë pas 7 muajsh në zgjedhjet paralamentare. Kur dosjet për krim elektoral në shtabet partiakëe mafioze, janë bashkë duke dremitur në gjirin e SPAK.

    Veliaj i pandehuri i përkëdhelur nga Prokuroria, gjen Tony Blair, të paguajë për lyerje fasade të bashkisë, duke gudulisur Ramën se zgjodhi mukun e tij, duke mos harruar miliona të tjerë, ku ai është përzgjedhur të marrë për shërbime anonime.

    Por në gjithë këtë marrëzi kriminale, akuza e rreme ndaj Berishës për asgjë, pa kokërr prove, është çengeli plot ndryshk i prokuror-gjyqtarëve të përdorur ambasadorisht. Bëhen në këtë mënyrë aksionerë të keqbërjes.

    Diplomatë të korruptuar në Shqipëri gjen me thes. Nga çdo shtet. USA dhe Evropë. Se në SHBA, ku Soros ka investuar 40 milionë euro për 70 prokurorë, njerëzia kanë nisur ti shkrehin, për shembejn e drejtësisë prej tyre, pasi udhëheqin mos-ndëshkime penale për banditët. Deri atëherë kandidatë nga qelitë, bandat, strategjikët, vëllazëritë kriminale, po mafiozojnë për Ramën 4., duke asgjësuar opozitën, si “sukses” demokracie e drejtësie, i shartuar më diktaturë. Po rojet kush i ruan, do të thoshte Dan Brown.

  • Izraeli ngre alarmin: “Irani do të sulmojë para të enjtes”

    Izraeli ngre alarmin: “Irani do të sulmojë para të enjtes”

    Vendi i Netanyahut frikësohet se pavarësisht përpjekjeve amerikane për një samit që synon vazhdimin e negociatave për një akord, përgjigja e Teheranit mund t’ia behë më shpejt

    Izraeli pret një sulm në shkallë të gjerë nga Irani dhe Hezbollahu përpara samitit të së enjtes së ardhshme të thirrur nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari për të arritur një armëpushim në Gaza. Sipas Haaretz, autoritetet e sigurisë janë në gatishmëri të lartë për një sulm të mundshëm nga Irani apo Hezbollahu, pasi në Izrael vlerësohet se, pavarësisht përpjekjeve amerikane për një samit që synon vazhdimin e negociatave për një marrëveshje të enjten, përgjigja e Teheranit mund të vijë më shpejt.

    Aparati i sigurisë beson se Irani dhe Hezbollahu nuk duan një luftë më të gjerë në rajon dhe Izraeli ka thënë se nuk do të tolerojë dëme ndaj civilëve, por brenda aparatit po zhvillohen debate të shumta rreth skenarëve të ndryshëm dhe përgjigjeve relative, shkruan sërish Haaretz . Sipas zëdhënësit të IDF, Daniel Hagari, në udhëzimet e Home Front Command nuk ka ndryshime dhe “forcat e ushtrisë janë të dislokuara dhe të përgatitura, nëse lind nevoja për të ndryshuar udhëzimet, ne do t’i përditësojmë”.

    Lajmi konfirmohet nga një reporter i Axios, sipas të cilit gjatë një bisede telefonike mes ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant dhe sekretarit amerikan të Mbrojtjes, vetë Gallant informoi homologun e tij amerikan se përgatitjet ushtarake të Iranit sugjerojnë që Teherani po përgatitet për një sulm në shkallë të gjerë kundër Izraelit. Austin, njofton Pentagoni, ka urdhëruar vendosjen e një nëndetëse me raketa të drejtuara mbi Lindjen e Mesme, midis tensioneve në rritje në rajon, si dhe ka urdhëruar edhe grupin e sulmit të aeroplanmbajtëses Abraham Lincoln që të nxitojë në vendosjen e tij në rajon.

    Gjatë natës, nga Hezbollahu në Libanin jugor janë lëshuar rreth 30 raketa në territorin izraelit, duke rënë në zona të hapura, raporton IDF, sipas së cilës nuk raportohet për dëme apo të plagosur. Sulmi u mor përsipër nga vetë Hezbollahu: “Bombarduam shtabin e përgjithshëm të Brigadës 146 në Gatton me raketa dhe Katyusha. Bombardimi ishte një përgjigje ndaj sulmeve në fshatrat e jugur”, ka bërë të ditur organizata pro-iraniane.

    Përsa i përket negociatave, kreu i ri i Hamasit, Yahia Sinwar, thuhet se është gati për një marrëveshje për një armëpushim dhe për lirimin e pengjeve në bazë të planit të paraqitur nga Joe Biden, raportojnë disa media. Megjithatë, Hamasi e ka bërë të qartë se nuk do të dërgojë ndërmjetësues të drejtpërdrejtë sepse konsideron që drafti nga i cili do të nisë një marrëveshje është ai i propozuar nga presidenti amerikan Joe Biden i miratuar nga OKB-ja dhe se nuk ka nevojë për negociata të reja.

    Apeli i Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë drejtuar Iranit

    Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania paralajmërojnë Iranin se nëse sulmon Izraelin do të “marrë përgjegjësinë” për përshkallëzimin në rajon. Në një deklaratë të përbashkët të cituar nga Times of Israel, të tre vendet i bëjnë thirrje Teheranit, duke ftuar Republikën Islamike që të shmangë kontributin në spiralen drejt luftës totale.

    “Jemi thellësisht të shqetësuar për përshkallëzimin e tensioneve në rajon dhe jemi të bashkuar në angazhimin tonë për uljen e tensionit dhe stabilitetin rajonal – shkruajnë të tre vendet – Në këtë kontekst, i kërkojmë Iranit dhe aleatëve të tij të përmbahen nga sulmet që mund të përshkallëzojnë më tej tensionet rajonale dhe rrezikojnë mundësinë e marrëveshjes për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve”, vijon deklarata, duke iu referuar negociatave mbi një marrëveshje të mundshme midis Izraelit dhe Hamasit, që pritet të rifillojnë ditët e ardhshme.

    Nëse Irani sulmon, “do të mbajë përgjegjësi për veprimet që rrezikojnë këtë mundësi për paqen dhe stabilitetin. Asnjë vend nuk do të përfitojë nga përshkallëzimi i mëtejshëm në Lindjen e Mesme”, përfundon deklarata.

    Irani Kinës, e drejtë një “përgjigje adekuate dhe parandaluese”

    Gjatë një bisedë telefonike midis ministrave të jashtëm të Iranit dhe Kinës, kreu i përkohshëm i diplomacisë së Republikës Islamike Ali Bagheri Kani ka rivendikuar për vendin e tij të drejtën e një “përgjigjeje adekuate dhe parandaluese” kundër shtetit hebre që vrau në Teheran, liderin politik të Hamas, Ismail Haniyeh, 31 korrikun e kaluar.

    Në një postim në X, Bagheri ka thënë se me kolegun e tij kinez Wang Yi diskutoi mbi zhvillimet e fundit në rajon dhe në veçanti “veprimet e regjimit sionist që vret fëmijë për të zgjeruar hapësirën e tensioneve përtej Gazës përmes lëvizjeve të fundit të rrezikshme në Liban, Jemen dhe vrasjen e Dëshmorit, Haniyeh, në Teheran”.

    Sipas ministrit iranian, “ministri i Jashtëm kinez i ka mbështetur përpjekjet ligjore të Iranit për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe nderin kombëtar të tij dhe shprehu dëshirën për marrëdhënie të ngushta me Iranin për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon”.

    Al Jazeera, Hamasi kërkon një kthim në planin e paqes së Bidenit

    Nuk është e vërtetë që Hamasi është mbyllur ndaj rifillimit të negociatave për armëpushim në Gaza: sipas Al Jazeera, në të vërtetë, kërkesa e lëvizjes së armatosur që qeveris Rripin e Gazës është që t’i kthehet propozimit në tre faza të paraqitur në fund të maj nga presidenti amerikan Joe Biden. Media me qendër në Katar dhe e ndaluar nga Izraeli kujton se për atë plan, i cili synonte përfundimin e luftës pas tre hapave të ndërmjetëm, fillimisht ra dakord edhe Izraeli por më pas negociatat nuk vazhduan për shkak të “bombardimeve të vazhdueshme izraelite në Gaza”.

    Atë kohë, kujton Al Jazeera, Hamasi pati lëshuar disa deklarata mbi nevojën për një armëpushim për të ndërprerë agresionin izraelit; sipas medies arabe në gjuhën angleze, interpretimi i deklaratës së Hamasit dhënë nga shtypi izraelit sipas të cilit “refuzon plotësisht” negociatat është i gabuar: lëvizja, përkundrazi, do të ishte e gatshme të diskutonte propozimin fillestar që ishte në tavolinë.

    Parolin telefonon Pezeshkian, që konflikti të mos përhapet

    Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Republikës Islamike të Iranit, Masoud Pezeshkian. E ka bërë të ditur drejtori i zyrës së shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni. “Kardinali, përveç urimit të presidentit për fillimin e mandatit dhe trajtmit të çështjeve me interes të përbashkët, shprehu edhe shqetësimin serioz të Selisë së Shenjtë për atë që po ndodh në Lindjen e Mesme, duke përsëritur nevojën e shmangies në çdo mënyrë që zgjeron konflikti serioz që po vazhdim duke preferuar dialogun, negociatat dhe paqen”.

    Borrell, sanksionet ndaj Izraelit në axhendën e ditës së BE

     “Sanksionet duhet të jenë në rendin e ditës së axhendës tonë të BE-së.” E thotë shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, “teksa bota shtyn për një armëpushim në Gaza, bën thirrje për ndërprerjen e karburantit dhe ndihmave për civilët. Ashtu si deklaratat e ashpra të ministrit Smotrich, kjo është një nxitje për krime lufte. Sanksionet duhet të jenë në axhendën tonë të BE-së”.

     “I bëj thirrje qeverisë izraelite që të distancohet pa mëdyshje nga këto nxitje për të kryer krime lufte dhe e nxis të angazhohet me mirëbesim në negociatat e lehtësuara nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti për një armëpushim të menjëhershëm”, shtoi ai.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Nga Lutfi DERVISHI – Olimpiada: Shqipëria do të lerë pas SHBA-në për medalje ari

    Shqipëria shumë shpejt do të jetë superfuqia olimpike e botës

    Pse të shpenzojmë kohë dhe para për të rritur talentet vendase kur mund të “punësojmë” atletët më të mirë nga e gjithë bota?
    Pastaj nuk është se na ka dale aq keq që terrenet sportive i kemi kthyer në kulla.
    Fundja, ne në ekonomi tregu jemi. Kur importojme çdo gjë pse të mos importojme edhe sportistë?
    Përderisa mundësit nga Rusia na zbardhën faqen dhe na bënë krenarë me medaljen e parë olimpike, pse të mos hedhin vështrimin nga vendet aleate të NATO-s dhe fqinjët?

    1.Basketbollistët nga Amerika

    Pse të mos marrim disa yje të NBA-së? P.sh; Steph Curry nuk luajti keq mbrëmë në finalen me Francën. Me çmimin e duhur ai dhe shoket e tij me siguri do të shkëmbejnë fanellën amerikane me fanellën kuq e zi. Me pagesën e duhur dhe një premtim për një pronë buzë detit në Durrës, Shqipëria do të bëjë një tri pikësh që do të mbahet mend gjatë.

    2. Yjet e Ping-Pong-ut nga Kina

    Skena e ping-pongut në Shqipëri është po aq aktive sa një stuhi bore këto ditë, por pse të lodhemi pas nje topi ping-pong kur mund të marrim disa lojtarë kinezë të klasit botëror? Me to e kemi pak më të thjeshtë: u ofrojmë shtetësi shqiptare dhe vakte makaraonash falas meqë janë velur nga orizi.

    3: Çiklistë nga Holanda

    Të gjithë e dinë që holandezët janë makina të çiklizmit. Pse të mos i ftojmë disa prej tyre për një udhëtim me biçikletë… nën flamurin shqiptar? U premtojmë disa shtigje malore dhe një peizazh të instagramueshëm dhe së shpejti do të kemi çiklistë holandezë që shkojnë drejt finishit të garës duke bërë simbolin e shqiponjës me duar nën thirrjen: O sa mirë qenka me qen shqiptar!

    4. Atlete nga Xhamajka

    Ëndrra e Shqipërisë për pista vrapi i ngjan një filmi të vjetër me xhiro të ngadalta. Tani që Luiza Gega është pranë “pensionimit” të sportit aktiv, nuk ka kuptim të trajnojmë atletë vendas dhe të ndërtojmë pista vrapi kur mund të huazojmë disa xhamajkanë të shpejtë si rrufeja. Besoj s’ka diskutim!

    5. Zhytës nga Australia

    Plazhet tona mund të jenë mahnitëse, por nuk kanë prodhuar ende zhytës olimpikë. Por Australia ka shumë për të ofruar. Do t’u ofrojmë atyre një qëndrim të përkohshëm në Sarandë, mundësinë për të shmangur krokodilë dhe së shpejti do të kemi një ekip zhytjeje që do të bëjë botën të na marrë seriozisht.

    6: Shpatarët nga Franca

    Shpatat nuk kanë qenë një arma jonë e preferuar që nga koha e Skënderbeut, por kush thotë që historia nuk mund të përsëritet? Me disa shpatarë francez në radhët tona, Shqipëria mund t’i kthehet së shpejti lavdisë olimpike. Gjithçka që na duhet është një baguette dhe një beretë për çdo rekrut.

    7. Waterpolo nga Kroacia

    Të mos harrojmë waterpolin. E vërtetë që nuk kemi traditë dhe nuk e levrojme si sport. Por hobi kombëtar i Kroacisë mund të bëhet arma sekrete e Shqipërisë. Thjesht u ofrojme atyre disa vila të bukura në Rivierën Shqiptare, dhe befas, ekipi ynë i ëaterpol-it do të jetë i paarritshëm.

    8. Xhudo nga Kosova

    Xhudistet i marrim me lehtë nga Kosova. Madje nuk kemi nevojë të shpenzojme asnjë euro. Thjesht i kercenojme me rritjen e tarifes se traut në Kalimash. Duke qene patriot, lojtaret dhe traineri tyre do të vënë interesant e Kosovës para interesave personale dhe do të pranojnë të garojne per Shqipërinë.

    9.Gjithologë nga Shqipëria

    Falë një lobimi të fortë që është duke u bërë vitet e fundit, burime të sigurta brenda kupolës së Lojërave Olimpike, njoftojnë se është marrë në konsideratë propozimi për të futur si disiplinë garuese “Gjithologjinë”, një sport i cili ka lulëzuar akoma edhe më shumë në Ballkan. Shqipëria është pretendente kryesore për medalie të artë, por i vetmi problem mbetet niveli i garës së brendshme e cila është mjaft e fortë ku pretendentët mbeten të shumtë. Përmes kësaj disipline, sportistët tanë të gjithologjisë të lindur në Shqipëri kanë shfaqur ambicje jo vetëm për medalje të artë apo të broxtë, por edhe prej diamanti nëse do lipset nevoja.
    Me këtë plan strategjik të “rekrutimit”, Shqipëria është në rrugën e duhur për t’u bërë vendi numër një per medalje të arta olimpike.
    Sigurisht, atletët fitues nuk do të jenë lindur dhe rritur në Shqipëri, por a ka kjo rëndësi para faktit se do të ngrihet Flamuri shqiptar dhe do të degjohet himni kombëtar!
    #KrenarpërShqipërinë2030-2100

  • Po të doni duajeni ose jo! Por dëgjojeni Ilir Metën!

    Po të doni duajeni ose jo! Por dëgjojeni Ilir Metën!

    Nga Enver Bytyçi

    Presidenti i PL-së, Ilir Meta, sot në një konferencë për medie tha se “Kam një mesazh për  grabitësin e Bashkisë së Himarës, për Edi Ramën: – Të gjitha këmbimet dhe shkëmbimet që bën ti, për të fshehur akte të tradhtisë kombëtare dhe për të fituar konsensus për grabitjen e pronave të himariotëve, për pastrim të parave nuk do të funksionojnë”! Po të doni duajeni e po të doni urrejeni Ilir Metën.

    Por kjo që tha sot është një e vërtetë e pakontestueshme dhe shumë e hidhur për vendin, për Shqipërinë, për shqiptarët në Ballkan e kudo që ata gjenden. Eshtë një e vërtetë e tmerrshme, të cilën Ilir Meta për shkak të detyrave që ka patur në më shumë se dy mandate të Edi Ramës i njeh mirë.

    Për çfarë po flet Ilir Meta? Çfarë di ai dhe cilat janë informacionet, të cilave u referohet ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë? Nëse e keni vënë re retorikën e zotit Meta në disa vite, edhe kur ishte president i vendit, kjo retorikë ka si tipar patriotizmin dhe denoncimin e tradhtive kombëtare të kryeministrit të Shqipërisë. Se Edi Rama nuk e ka tradhtuar vetëms në një rast interesin kombëtar të Shqipërisë, Kosovës dhe të shqiptarëve. Fillimisht e tradhtoi këtë interes kur u mor vesh me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për ndarjen e Kosovës. Dhe më pas me kulaç e me presion e detyroi ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, t’ia nisë kësaj valleje tradhtie. Më tej, e tradhtoi interesin kombëtar në Kosovë e në Shqipëri, si dhe interesin e qytetarëve të Shqipërisë, sidmos të fermerëve shqiptarë, kur sërishmi me Aleksandër Vuçiq nisi dhe zhvilloi inicativën e Ballkanit të Hapur. Gjithashtu kur Edi Rama vendosi të përçajë, përsëri në interes të Serbisë, skenën politike të Koosovës dhe jo vetëm. Pra, edhe politikën e Shqipërisë, atë të Maqedonisë së Veriut e madje deri politikën shqiptare në Luginën e Preshevës e në Mal të Zi! Nuk la segment politik shqiptar pa kundërvënie të brendshme të sponsorizuar nga Rama dhe Vuçiq!

    Por jo vetëm kaq! Kur është fjala për Kosovën tradhtia e kryeministrit të Shqipërisë do të provohet edhe në rastin e përpjekjeve të tij për të minuar vendosjen e rendit kushtetues e ligjor në të gjithë territorin e vendit me qëllim t’i lihet një derë e hapur procesit të nisur prej tij për ndarjen e saj. Megjithatë, Ilir Meta më duket se ka parasysh diçka tjetër, kur flet për tradhtinë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. A ka të bëjë kjo me detin Jon? Unë besoj se kjo është ajo që po paralajmëron presidenti i PL-së në këtë rast. Kjo nuk është vetëm intuitë. Është gjithashtu një lidhje faktesh. Le ta sqarojmë më komkretisht:

    Edi Rama ka hartuar një projekt për ndarjen e territorit detar midis Greqisë dhe Shqipërisë, projekt i cili e shtrin të drejtën greke në 12 milje në drejtim të bregut detar të Shqipërisë. Ky projekt u kund;rshtua nga ish-presidenti Meta dhe për pasojë, kryeministri i Shqipërisë vendosi së bashku me atë të Greqisë që t’i drejtohen Gjykatës së Drejtësisë në Hagë për opinion. Të dy këta kanë pranuar që opinioni i Hagës të jetë detyrim për palët. Rama do ta fshehë tradhtinë e tij, kësisoj, duke thënë se “Ishte vendimi i Gjykatës së Drejtësisë ky” dhe kështu Greqia do të përfitonte territor pa fund e padrejtësisht në hapësirën detare shqiptare. Ndonëse ishte Rama ai që e denoncoi në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë në vitin 2009 marrëveshjen me ndarjen kufitare ne linjën e 6 miljeve midis Greqisë dhe Shqipërisë. Mesa duket ai e ka bërë këtë veprim asokohe, për t’i thënë Greqisë se “Unë ju jap dyfishin! Vetëm më ndihëmoni të vij në pushtet”!

    Por nuk kishte llogaritur faktin se për formulimin e pyetjes në favor të grekëve për Gjykatën e Drejtësisë në Hagë i duhej miratimi i presidentit të Republikës. Ilir Meta e bllokoi këtë marrëveshje të Ramës me Athinën. Por Rama nuk ka hequr dorë. I duhet Athina për ta patur dorën e lirë në pronat e tokat e Bregdetit! Ndryshe qeveria e Athinës nuk kishte pse të toleronte masakrën elektorale të Ramës në Himarë. Së paku do të sillte nja 2-3 mijë emigrantë që të votonin për kandidatin e opozitës! Por jo.

    Mesa duket Rama beson se presidenti Bajram Begaj do ta firmosë këtë dokument të dëshirueshëm dhe fatlum për Athinën e kësisoj do ta kurorëzojë tradhtinë e tij kombëtare në bashkëpunim me presidentin. Unë nuk e besoj se presidenti Bajram Begaj do të firmosë një dokument, me të cilin i jepen territore ujore shtetit fqinjë, si trofe për pushtetin e pasuritë e Edi Ramës në Himarë e në të gjithë Shqipërinë! Por jam i sigurt se kryeministri i vendit tim nuk e llogarit kundërshtinë e tij! Ai e sheh presidencën shqiptare nga maja e piramidës së Ramesit! Megjithatë kryeministri Rama, nëse mbetet gjatë në pushtet, do ta shesë copë pas cope gjithë Shipërinë e jo vetëm Kosovën. Gjithnjë për të gjeneruar pasuri e pushtet të sërishëm! Veriun do ua shesë afganëve, iranianëve, afrikanëve që nisen për Itali! Jugun të pasurve të Europës, Amerikës dhe Arabisë!

    Për këto arsye besoj se Ilir Meta duhet dëgjuar! Aq më pak duhet neglizhuar! Edhe nga ata që e duan Ilir Metën, edhe nga ata që e duan atdheun, e ndoshta nuk e duan Ilir Metën!