Blog

  • Nga Enver BYTYÇI – Aleatët më të mirë të Kurtit janë kundërshtarët e tij!

    Prej ditësh kundërhtarët e kryeministrit të Kosovës kanë dhënë alarmin. “Po u hap ura do të bëhet kataklizma! Do të ketë sulme terroriste! Terroristët serbë të stërvitur në kampe në territorin e Serbisë do të kryejnëa akte dhune! Serbët në veri do të ngrejnë barrikada! KFOR-i do të marrë kontrollin e territorit në veri të Kosovës”! e plot parashikime ogurzeza, të cilat janë hipoteza, por jo të vërtetuara. Këtyre kundështarëve të hapjes së Urës së Ibrit për shkak të armiqësisë me Kurtin brenda Kosovës u shtohen vazhdimisht ata të Shqipërisë e deri diku te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Në Shqipëri, nëse dëgjon lajmet e KLAN TV, TOP-it , Report TV, ABC, Klan News, Klan Plus etj, duket sikur në Kosovë ka plasë lufta gjatë monitorimit të urës për testimin e saj. Tre protestues serbë që shihen në ekran, propagandohen me fjali: “Serbët kundërshtojnë hapjen e urës”! Serbët u përleshën me policinë e Kosovës”! Lloj-lloj fjalish patetike anti-shqiptare përdoren, vetëm që të krijohet përshtypja se “Albin Kurti po gabon”!

    Kësaj stuhie kundër qeverisë Kurti i shtohen më pas reagimet e ndërkombëtarëve. Stano është zëdhënës i Borrell në Bruksel dhe del e thotë se “BE mund të shtojë masat e sanksioneve kundër Kosovës”! Ndërkohë logjika të thotë se në Europë nuk mund të ketë politikanë që kundërshtojnë, aq më pak të vendosin sanksione, për hapje urash për komunikimin njerëzor! Por nuk është ky rasti. Edhe Stano e Stanot e tjerë të huaj jashtë e brenda Prishtinës kanë vënë alarmin: – Pa ne mos e hapni urën se do ketë pasoja! Kjo është fabula e ndërkombëtarëve.

    Në këto kushte hapja e urës së Ibrit nga një rit i zakonshëm kthehet në një sfidë për qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës. Albin Kurtit i japin rolin e Gjergj Elez Alisë, sikur për hapjen e një ure, që mund të ndodhë krejt natyrshëm, po lufton me ciklopët e detit e përtej detit. Në fakt nuk është ashtu. Por duke e dramatizuar situatën, duke i dhënë aktit ngjyra tragjizmi, njerëzit e përcepptojnë kryeministrin Kurti si një person “Mbinjeri”! Ej! Sa i fuqishëm është ky Albini?! Të gjithë i ka kundër dhe po ia arrin ta bëjë të vetën”!

    Kjo lojë po krijon mitin Kurti! Po krijon mbipolitikanin! Të jashtëzakonshmin! Dhe elektoralisht kryeministrit Kurti i intereson shumë zhurma kundër aktit të tij për hapjen e Urës së Ibrit. Përveçse rastit të Banjskës, ku dhe kur policia e Kosovës e bashkë me të edhe qeveria e vendit kanë merita reale, të gjitha aksionet e tjera të Kurtit për të shtrirë sovranitetin e tij në veri të Kosovës, janë fry, janë ngritur në kult nga kundërshtarët politikë e mediatikë të Albin Kurtit. Njëjtë si në rastin kur Richard Grennell, së bashku me Agim Veliun e Hashim Thaçin e rrëzuan nga pushteti. Në vend ta groposnin, e lartësuan dyfish.

    Tani Kurti ka shansin t’i gëzohet pa masë opozitarizmit politik e mediatik në Kosovë. Po ashtu reagimeve kundër tij të ambasadorit amerikan apo të zëdhënësit të Brukselit, Stano. Pse mos t’u gëzohet këtyre kundërshtive! Sa më të fuqishme kundërshtitë, sa më të zhurmshëm zërat kundër, aq më i fuqishëm shfaqet Albin Kurti te fansat dhe mbështetësit e tij dhe aq më shumë i shtohen ata. Kurti nuk ka nevojë për lëvdatat e opizitarëve dhe kundërshtarëve të tij për të shtuar mbështetjen popullore në Kosovë. Përkundrazi, i duhet pikërisht qasja që po e shohim tani për këtë.

    Mbas disa javësh nuk do të flitet më për urën e hapjen e saj, sepse lëvizja përmes saj do të duket diçka e natyrshme, krejt e zakontë, si një herë e një kohë, në vitet 1970-1980! Dhe pikësrisht në këto momente njerëzia do të thonë: “Bravo i qoftë Kurtit! Të gjithë i thanë, jo mos e hap urën dhe ai e hapi! Tani shih si po ecim lirshëm me vetura e me kamionë në këtë urë”! Siç kanë filluar të thonë për targat, për dinarin, për dokumentet, për mbylljen e qendrave postare e me radhë. Çfarë ndodhi? Asgjë! Pse e kundërshtuan? Kot! Sa për ta denigruar kryeministrin! Atëherë ky i sfidon të gjithë! Ky është më i zoti plus më i pakorruptuari në Kosovë! Mjafton këto dy mite dhe në zgjedhjet e ardhshme Albin Kurti t’i forcojë edhe më shumë pozitat e tij në pushtet!

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Diktatura ‘Rama 2025’ dhe ‘shkrepësja demokratike’

    Nga Basir ÇOLLAKU – Diktatura ‘Rama 2025’ dhe ‘shkrepësja demokratike’

    Vrasja si oferte, krimi si normalitet, shkelja e Kushtetutës si fasoneri, vjedhja si përditshmëri, ekonomia si skedinë bastesh, mafia si ortake, zgjedhjet si paketë turistike, drejtësia si listë çmimesh.

    Këtu jemi.

    Opozita, Grupi Parlamentar i PD, i dërgoi një kërkesë Kuvendit firmosur nga 29 deputetë, më shumë se 1/5 për të dërguar relacion për mandatin e deputetes Olta Xhaçka,, në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta detyron mbledhjen e një seance të jashtëzakonshme brenda tre ditësh. Zonja Spiropali cakton një datë pas disa javësh për të shqyrtuar gjoja vendimin e Gjykatës.

    Kështu e do Edi Rama. Një shkelëse ligjesh e të Kushtetutës, për ti mbajtur ison.

    Gjykata Kushtetuese, ka folur ai nuk e zbaton. Drejtuesja e kësaj Gjykate Holta Zaçaj ka theksuar alarmin e mos-zbatimeve të vendimeve. Gjendja njëlloj.

    Gjykata Kushtetuese rrëzon vendimin për taksimin e profesioneve të lira. Rama sërish nuk e zbaton nuk u kthen detyrimet subjekteve.

    Gjykata Kushtetuese u shpreh për paligjshmërinë e shembjes së Teatrit Kombëtar. Ndërtimtari i Bashkisë nën urdhërat e Ramës vazhdon të hedhë hekur e beton..

    Olta dhe Gaçi, strategjikët e partisë kanë mburojë urdhërat e Ramës.

    Gjykatat e Strasburgut dhe Arbitrazhit kanë mjaft vendime detyruese për zbatim për Shqipërinë, por. zotërisë qeveritar nuk i kërcet ti zbatojë.

    Çorba e institucioneve me hartën e re gjyqësore e me vettingun partiak të Rama-Veliaj-Xhafa, ka krijuar magazinë me qindra mijë dosje duke e çuar në 15 e kusur vite ciklin kohor të shqyrtimit në tre shkallët e gjykimit, nga 1 vit e gjysmë më përpara.

    Prokuroritë e Gjykatat si speciale si të përgjithshme, shohin telefonin e KM si Kod Penal e atë të ambasadave si Kod Procedure dhe Kushtetutë. Eunukëri jo thjesht digitale.

    Zgjedhjet janë një operacion qeverie me shifra të gatshme. Kjo nga viti 2015 e në vazhdim. Rama po përgatit Diktaturën e Numrave pasi ka asgjësuar funksionimin e institucioneve. Madje do të përdorë dhunën e çdo lloji për shembjen e opozitës. Aty ku nuk i ecin blerjet. Privatizoi qeveri, parlament, bashki, drejtësi, medie, ambasada, diplomatë. Shëndetësia dhe arsimi kanë hyrë në genocid zyrtar. Ndërkohë ka nisur të qarkullojë nga oborret e njeriut nga fshati Surrel, thashetheme se do të marrë deri në 90 deputetë në 2025-ën.

    Kush duhet ta ndalojë?!

    Opozita detyrimisht. Ajo është në shenjestër asgjësimi.

    Me çdo kusht. Me çdo çmim. Ka një mundësi të vetme. Është si arma me një fishek. Do të qëllojë vetëm një qitje.

    Zgjedhjet 2025

    Përballja duhet të jetë agresive tej parashikimeve, jo për ekzistencë partie, por Demokracie.

    Nëse ai nuk njeh asnjë ligj asnjë të drejtë dhe përdor gjithçka si duhet ti përgjigjet opozita?!

    Si deri tani jo. Me fitore pirrosh jo. Me flirte jo. Nuk jep rezultat. Nuk vlen. Nuk largon të keqen. Nuk ndalon dot edëzimin e çmendurinë e tij.

    Nëse nuk gjuan ku dhe si duhet Diktatura e Numrave do të fshijë edhe liritë minimale të mbetura shoqërisë. Edhe në 45-ën, kështu nisi dhe qoftëlarg sa zgjati e sa kusure prodhoi. Ai duhet rrëzuar për të ndenjur kombi në këmbë. S’ka alternativë apo plan B ndryshe. Mbase edhe me shkrepëse demokratike…Mos mendoni se është armë e shkelet ligji. Jo. Kurrsesi jo. Ligji në “nahinë Rama” nuk ekziston. A shkelet mosekzistenca??!!

  • Nga Andi BUSHATI – A është real rreziku i antiamerikanizmit?

    Dy ngjarje që kanë rindezur tensionet në Kosovën veriore, ajo e mbylljes së disa pikave të pa liçensuara të postës serbe dhe nisma e qeverisë Kurti për të rihapur urën e Ibrit, i kanë shpërbyer radios Evropa e Lirë për të bërë një vëzhgim lidhur me shtimin e antiamerikanizmit. Në hulumtimin e saj citoheshin reagimet e forta, zëmërimi, e pse jo edhe sharjet që kanë marrë hov në rrjetet sociale kundër deklaratave të diplomatëve perendimorë për këto dy raste.

    Në fakt, në shembujt konkretë që citonte kjo media e financuar nga kongresi amerikan (lexoini këtu) mund të gjeje plot mosdakordësi me politikën ditore të ambasadorit Hovenier apo të diplomatëve të Quintit, por nuk kishtë asnjë gjurmë antiamerikanizmi. Por, këtej nga anët tona bëhet rëndom ngatërrimi, shpeshherë i qëllimitë e shpeshherë nga mendësia provinciale, i kritikës ndaj një qëndrimi konkret, me qasjen kundrejt një kombi, një modeli, apo një kulture të caktuar. Nejse kjo është një histori tjetër.

    E rëndësishme është të kuptohet, qoftë anti amerikane apo jo, a kanë sens qëndrimet kundërshtuese me direktivat që kanë dhënë ditët e fundit diplomatët perendimorë. Për të marrë vesh këtë duhet ditur pak a shumë e çfarë po ndodh. Prej ditësh qeveria Kurti, pasi ka inskenuar një kërkesë të këshillit komunal të Mitrovicës veriore, po jep sinjale që do ta hëpë për qarkullimin e makinave urën e famshme mbi lumin Ibër. Ajo ka qenë jo funksionale që prej çlirimit të Kosovës, në 1999, kur forcat franceze të KFOR, vendosën të ndanin de fakto Mitrovicën, në dysh, për të shpëtuar serbët nga hakmarrja e vendasve me emocione ende të trazuara.

    Minoriteti lokal e kundërshton këtë qasje që varros njëherë e mirë simbolin më të dukshëm të një Kosove të ndarë. Duke qëndruar peng të kohës kur e kishin bllokuar qarkullimin me barrikada, ata kanë reaguar me protesta duke pretenduar se ky veprim i hap rrugën një persekutimi më të madh prej shqiptarëve.

    Dhe këtu shkëqlen me gjithë verbërinë e vet hipokrizia e ndërkombëtarëve. Ndonëse që në vitet 2015-2016, në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit është vendosur për hapjen; ndonëse në raportet e saj BE-ja shkruan e zeza mbi të bardhë se mbi Ibër duhet të rifillojë qarkullimi, ndonëse vetë ajo e ka financuar me 1.5 milione euro rindertimin e saj, sërish diplomatët perendimorë shprehen tani kundër hapjes. Midis parimeve, predikimeve për lëvizjen e lirë dhe urave që lidhin njerëz e komunitete, ata kanë zgjedhur status quo-në dhe stabilitetin e rremë. Mes të drejtës dhe mbajtjes nën kontroll të humorit të Aleksndar Vuçiçit, kanë vënë bast për të dytën.

    Deklaratave publike të Albin Kurtit se ajo nuk është në dëm të askujt dhe se “Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, ambasadori amerikan iu përgjigj para gazetarëve me një gjuhë të drunjtë: “nuk e mbështesim një ndryshim të statusit të tanishëm të urës së Mitrovicës në këtë kohë”.

    Janë pikërisht qëndrime si këto të Jeffrey Hovenier, që i bëjnë qytetarët të vënë mendjen në punë. A e kanë të lehtë amerikandashësit e Kosovës që e adhurojnë këtë vend edhe për shprehjen e Reganit; “Mr. Gorbachev, tear doën this ëall!”, të kuptojnë ambasadorin e sotëm të SHBA-së? A mundet që ata të shpjegojnë logjikisht se pse mbi Ibër mund të kalojnë njerëzit dhe jo makinat? A ka sens për ta pse qarkullimi duhet ndaluar vetëm në këtë pikë simbolike, kur nga njëra pjesë e Mitrovicës në tjetrën mund të shkosh edhe me rrugë të ndryshme? A i’a rrok dot mendja se si një çështje administrimi lokal, duhet shndërruar në pikë të dialogut me Serbinë në Bruksel, ku për më tepër, për këtë është marë vendim plot një dekadë më parë?

    E pra, janë këto standarte të dyfishta, kjo hipokrizi flagrante dhe jo antiamerikanizmi që i bëjnë shumë njerëz të reagojnë në rrjetet sociale. Ata që kanë respekt për veten, për integritetin dhe mendjen e tyre nuk mund të rrinë dot pa e shprehur atë që mendojnë. Por ama, ajo që është e vërtetë gjendet diku tjetër. Ajo shihet në moskuptimin që ka një pjesë e madhe e shqiptarëve, për kritikat që SHBA dhe BE i kanë bërë këto tre vite Albin Kurtit, se kërkoi të zbatonte masat e reciprocitetit, “pa koordinim”, se i shtyu e i zhvilloi zgjedhjet e pjesshme në veri atëherë kur i thanë aleatët, të cilët prap e fshikulluan pasi dështuan të bindin serbët, apo se nuk pranoi që dinari të vazhdonte të qe monedhë lëgale e Kosovës. Një pjesë të mirë të njerëzve e frustron ideja se vendi sot gjendet në sanksione, ndërkohë që Vuçiçit, që frumëzoi dhe përkrahu një sulm terrorrist të arrmatosur në Banjskë, nuk i ka hyrë ende gjemb në këmbë. Këto po, që janë qëndrime të cilat ngrejnë pikpyetje. Nëse ato shumfishohen e shndërrohen në vijë sjellje, nëse qëndrimi i SHBA-së barabitet me atë të ambasadorit të saj Kris Hill, në Beograd, po patjetër do të vij një ditë, që mund të flasim për anti amerikanizëm. Por kjo ditë duket ende e largët e atë s’ka gjasa ta afrojë një episod si ai i urës së Ibrit. Pasi edhe kur të kalojnë mbi të, pjesa më e madhe e shqiptarëve, me një optimizëm naiv, do ta bëjnë gjoksin gropë duke u mburrurr se janë pjesë e popullit më amerikandashës në rajon.    

  • Nga Luçiano BOÇI – Neveria

    Nuk e kam fjalën për Sartrin, sepse në fund të fundit ishte një majtisto-ekzistencialist, megjithëse Antuan Rokëntën-i i tij (personazhi i romanit Neveria) përjeton një neveri të skajshme ndaj realitetit me të cilin mbështillet, sidomos në raport me baronin aventurier dë Rolëbon, një figurë e ngjashme kjo me aventurierin që drejton Shqipërinë, për të cilin do shkruante historinë, por dhe atë neverinë e drejtuar së brendshmi.

    E kam fjalën për atë shijen politike e sociale që të kaplon grykën e pështjellon lëngjet e stomakut dhe mendjes, e cila prodhohet prej vitesh nga proceset zgjedhore në Shqipëri e sidomos nga reagimet para e post zgjedhore mediatike. Një neveri deri në pështirosje totale.

    Himara ishte një akt i disatë brenda një teatri politik e mediatik gjigand kohor, pa qenë akoma një prolog. Por neveria që ajo prodhoi ishte e tejskajshme.

    Ndërsa fotoja e nxënësit Tavo me fletore përpara mentorit politik Ramë, të nesërmen e performancës neveritëse, duke marrë shënime për hallet e miletit, mundi çdo fantazi neveritëse.

    Neveria s’paska fund në këtë vend ku burimi kryesor vjen falas nga Kryeminisitria e jo vetëm. Atë e prekëm kudo. Gjithçka që u ndërmor për të ekzekutuar vullnetin e qytetarëve himariotë që zgjodhën si kryebashkiak Belerin, shkaktonte neveri.

    Kurthi, djallëzia politike, xhandarizmi i SPAK, arroganca, u bënë një dhe shpërthyen kanalet e zeza të neverisë pa pyetur fare, vetëm e vetëm për të arritur qëllimin e neveritshëm të një individi, i cili kërkonte të vinte me domosdo këmbën e zbathur mbi Himarën.

    Shfaqja e neveritshme vazhdoi më tej me figurat që drejtojnë neveritshëm institucionet mjerane të këtij shteti, të cilët pa një pa dy vendosën në mënyrë të neveritshme mbajtjen e një farse zgjedhore për Himarën. E fushata ishte shpërthimi i neverisë.

    Kandidati u urdhërua si ushtar të deportohej në Himarë si fitues i garantuar nga kryeneveria. Neveritshëm zyrtarët u shkulën nga punët e zyrave e përfunduan duke shantazhuar për të marrë atë votën e neveritshme. Nuk u kursyen e as paratë dhe as transferimet e as falsifikimet e as ndalimet e neveritshme. Pa harruar atë patriotizmin fals.

    Shteti ynë i neveritshëm donte të fitonte me cdo kusht kundër një kandidati i cili nuk ia njihte forcën neverisë qeverisëse. Dhe ia arriti neveritshmën. Pa harruar se e bëri nën marshet neveritëse të mjeteve të propagandës mediatike që krenarisht, pa pasur neveri fare nga neveria, lëpijnë sot për interesa të neveritshme pushtetin e “fitorjet” e tij të mëdha kundër armiqve.

    E neveritshëm na e paraqesin hajdutin, si kampion të nderit. Rezultatin e parapërgatitur, si rastësi. Grabitjen tradicionale të votës, si zotësi politike. Farsën si proces. Dhe vetë neverinë e përshkruajnë si gëzim marramendës.

    E tmerrshme se si e gjithë kjo neveri që prodhohet për shkak të kësaj që na rrethon, ka helmuar deri në qelizë politikën, jetën dhe ekzistencën. Që të shpëtojmë nga e gjithë kjo neveri e detyruar na duhet revolta. Arsyet e rradhës dhe shkaqet e neverisë, sado të vërteta që janë, brenda situatave neveritse, marrin vetë nota të tilla.

    Revolta është zgjidhja!

  • Nga Alfred LELA – Himara, këmbëzbathura

    Nga Alfred LELA – Himara, këmbëzbathura

    Poeti Xhevahir Spahiu ka një varg: “këmbëzbathur ullinjtë, brigjeve vetmojnë”. M’u kujtua tek shihja kryeministrin e vendit tënë, këmbëzbathur dhe çapraz, që u ka hyrë ullinjve dhe brigjeve, për t’i zëvendësuar me beton-armenë e rezorteve; në atë rrip aq të bukur të atdheut, ku nuk do vetmohet më asnjë sekondë, dhe falë kësaj ndërhyrjeje, deti do të dalë leshrandërkryer, brigjeve ku qëmoti kishte ullinj e tani pishina.

    Ky do jetë, fatkeqësisht, epitafi mbi sarkofagun e Himarës dhe të gjithë bregut, tani kur, për fitoren e Ramës polifonikët e internetit po thurin këngë që u ngjethin mishtë edhe guroreve të ‘investitorëve strategjikë’. Është ngulmimi i një klike ekonomiko-politiko-mediatike, që do të shkulë dhe ndryshojë gjithçka në emër të fitimit, duke mos kuptuar se atdheu është mozaiku, sidomos i vendeve ku shkohet për pelegrinazh, jo për plazh, jo për të fituar apo argëtuar.

    Ta gëzojnë edhe Himarën këtë piratë të postmodernizuar, të cilët iman kanë lekun e shpejtë dhe din shqiptarin që ikën dhe i këndon fisit, o nga shtëpitë e barit në Angli, o nga sallat e urgjencës në Gjermani.

    Fakti që Rama futet në Jug me një ‘grek’ të vetin, duke zëvendësuar ‘dallkaukun’ e Doktorit me një tip që është me PhD në dallkaukëri, vjen si tallje e ftohtë me isombajtësit. Të tijtë dhe të atyre që, pasi bukosën Tiranën me ndërtime, u zhvendosën në Breg. Kur ta shëmtojnë edhe atë do të nguliten në Itali dhe Greqi dhe nga brigjet përballë do të na qeshin.

    Këtu do të mbeten vetëm ata që kanë duruar prishjen, dhe janë prishur mendsh duke dëgjuar e pranuar se kjo nuk është prishje, por modernitet, rruga e duhur, i vetmi drejtim, Shqipëria 2030.

    Ka, sigurisht, shumë mënyra për ta parë humbjen e opozitës në Himarë dhe triumfin e qeverisë. Më e para është se, nuk ka as humbje dhe as triumf. Palët janë kapur në remi-në torturues, në të cilin sipas Y.N. Hararit “nuk ka më asnjë ideologji”. Derisa të formësohet një e re, do të vazhdojë ky hutim pa ideal. Edi Rama mbahet ende te gënjeshtrat e vjetra, aq të mëdha sa ende nuk janë konsumuar, si p.sh. shëndetësia falas. Sali Berisha është i ngecur në “missionary position”, me barrën e një misioni në një kohë si kjo e jona, e cila nuk njeh dhe as pranon asnjë mision, dhe të vetmin mision ka… të mos sipërmarrë asnjë të tillë.

    Paradoksalisht, atë që liberalët ekonomikë (jo socialë, se mos nxehet Goxhaj, gonxhja e vetme e konservatorzimit randian në Shqipëri) e kërkuan me dekada, laissez faire-in e famshëm, ka kaluar nga sferat e ekonomikes në ato të shpirtërores. Nuk ka gjë që depërton në një shpirt që kërkon të zhdukë çdo pezm dhe vuajtje, dhe të jetojë në amëshimin bosh të premtimit që gjarpri i bëri Evës në kopshtin biblik.

    Alas, ne mund të jemi aq biblikë sa na lejon Himara. Ky rrip toke mbushur plot me kinse kacafytje greke në tokë shqiptare. Pasi përzumë një grek si Beleri, që doli nga barku i gomarit të Trojës që kish futur Agamemnoni-Doktori dmth-nëpërmjet Odise Vangjelit (Jo Lencit, por Dules), Rama solli evangelistin e vet, pjekur dhe ai në tavë greke.

    Të luftojmë për shqiptarinë me grekun tonë dmth. Ose: “My feta cheese is better than yours” (and it brings all the boys – the strategic ones- to the yard).

  • Nga Enver BYTYÇI – Nga “spiunët” serbë si skenar i përçarjes në Kosovë!

    Ish-kryeministri Haradinaj akuzon kryeministrin Kurti si “spiun të Serbisë”! Ndërsa ish-zv.kryeministri Behgjet Pacolli, kërcënon presidenten Osmani me informacione kundër saj, duke shkruar se ai di shumë. Pra, në një farë mënyre edhe Pacolli kërcënon presidenten e vendit me akuza të kësaj natyre. Emisionet televizive në Kosovë gjithashtu janë shumëfishuar me temën e spiunëve dhe të spiunazhit. Çfarë po ndodh në fakt në Kosovë? Nuk do ta shtroj pyetjen se a paguan Serbia për të ringjall armiqësitë e brendshme në Kosovën ende të padefinuar ndërkombëtarisht si shtet sovran dhe të pavarur për të përfituar dhe sabotuar këtë shtet. Por jam i bindur se përfituese e këtij diskursi mediatik dhe politik në Kosovë është Serbia.

    Nëse shohim personazhet që janë angazhuar në këtë skemë perfekte të përçarjes brendashqiptare, atëherë nuk është zor të shohim se këto personazhe kanë qenë pjesë e shërbimit sekret të Serbisë. Këta mund të flasin pa e ditur qëllimin e editorial të emisioneve. Por ama ata përdoren e keqpërdoren me një qëllim të caktuar, duke shfrytëzuar gatishmërinë e tyre për të thënë disa të vërteta. Dhe e vërteta në parim duhet thënë. Por kur e vërteta thuhet pjesërisht, jo e plotë, çka bëhet vetëm përmes dokumenteve dhe për të gjithë, ajo shndërrohet në mjet përçarjeje, diversioni dhe deri diku hakmarrjeje mediatike ose politike. Asnjë dëshmitar I shërbimve secrete nuk mund ta përçojë të vërtetën bindëse për atë që thotë. Bidëse janë vetëm dokumentet. Derisa këto qëndrojnë të kyçura, atëherë duhen ndaluar spekullimet që përçajnë shqiptarët.

    Pse tani po ushqehet intervistimi i nëpunësve dhe agjentëve të sigurimit jugosllav?! Pse pikërisht në këtë kohë janë shpeshtuar akuza të paprovuara e të padokumentuara për lidershipin e sotëm të Kosovës?! Unë besoj se në këtë proces linçimi dhe denigrimi është investuar Beogradi, po aq edhe shërbimi secret rus. Nuk ka mundësi që debati të ndikojë edhe Ramush Haradinajn për etiketime ndaj kryeministrit të vendit, pa dhënë asnjë provë dhe asnjë fakt. Nuk ka mundësi që një ish funksionar i lartë i shtetit, si zoti Pacolli, të lëshojë kërcënime ndaj lidershipit të sotëm thjesht për shkak të një statusi të një këshilltari të presidentes së vendit.

    Vjeshtën e kaluar kur në Fushë – Kosovë do bëhej promovimi i librit tim  “Gjeopolitika Ruse në Europën Lindore dhe Juglindore, një farë Kajtazi, më duket nga Gjilani, i shkruante publikisht drejtorit të komunës së Fushë-Kosovës dhe i kërkonte të mos bëhej ky promovim, sepse “autori (pra unë) isha i dyshuar për lidhje me serbët dhe rusët”!  Për momentin, nja 10 a 20 sekonda u revoltova.

    Por pas pak thashë me vete “Ky duhet të ketë një problem me veten e tij. i kompleksuar nga problem i vet, kërkon ta transferojë atë tek të tjerët”! Kësisoj mendova se ky Kajtazi do bënte të njëjtën gjë edhe me dike tjetër, mjafton që të qetësojë veten e tij nga vuajtja që ndjen”! Dhe për pasojë nuk e vrava më trurin. M’u kujtua ky rast, për të thënë se kur dikush shpif, nuk është problemi yt, është i shpifësit. Edhe zoti Pacolli, nëse nuk është filorus, kkishte dhe ka mundësi ta tejkalonte situtën me një arsyetim të tillë. Nuk është gjithashtu e mundur që emisionet me spiunë qw akuzojnë të tjerët për spiunë, të mbushin prgramet televizive në këtë masë e çdo ditë, nëse nuk dalin përfitime personale e politike nga kjo fushatë.

    Serbia është përpjekur dhe përpiqet që të nxisë, sidomos në Kosovë përçarjen fetare. Qëllimi është i shumëfishtë. Por duke qenë se besimi islam mbizotëron, ajo përpiqet të nxitë ekstremizmin tek muslimanët e më pas t’i thotë Perendimit se këta shqiptarët janë “ekstremistë islamikë” e madje “terroristë islamikë”! Përçarja, etiketimi, iniciativat e nxitura politikisht për gjoja “kthim në fenë e të parëve”, tw gjitha këto janë mekanizma provokimi që nxisin mazhorancën fetare kundër besimeve të krishtera në Kosovë e në shqiptari. Jo rastësisht ngacmohet shumica, sepse vetëm ajo ka potencialin e hakmarrjes. Harmonia fetare te shqiptarët ka qenë dhe është gjithmonë arma e suksesshme e luftës kundër synimeve serbe në Kosovë. Prandaj ajo e dëshiron mundësisht një luftë fetare në këtë vend.

    Pas kësaj Beogradit i mbetet mundësia e përçarjes me spiunë. Dikush ka marrë në dorë skenarin serb dhe e zbaton pikë për pikë në këtë mision anti-shqiptar. Mund të jetë nga atë mediume që shkruan titullin sensasional “Serbët në veri festojnë madljen e Gjokoviçit”, e kur sheh videon të dalin vetëm tri vetura me flamuj serbë, të shfaqura në plane të ndryshme. Dikush tjetër beson se përfiton politikisht nga kjo skemë dhe nuk e vret trurin aq gjatë sa të mendojë se ku fillon e ku përfundon loja serbe e përçarjes së shqiptarëve. Ka nga ata që janë indiferentë ose partizanë e fanatikë partiakë që as dun t’ia dinë nëse dëmtohet apo jo Kosova me kësi qwndrimesh.

  • Nga Lutfi DERVISHI – Kush janë katër tradhëtarët e Tërbaçit?!

    Zgjedhjet në Himarë provuan edhe njëherë tjetër se çdo votë është e sh(tr)enjtë, por edhe këto zgjedhje nuk kaluan pa probleme. Dhe problemi  më i madh u shfaq në Tërbaç.

    Kandidati i qeverisë fitoi me mbi 98% të votave, duke dëshmuar qartë se besimi në unitetin e popullit rreth partisë është i patundur. Megjithatë fakti se në kuti përveç 330 votave të qeverisë dolën edhe 7 vota për kandidatin e opozitës të lë një shije të hidhur.

    7 votat për opozitën nuk janë një fake neës, por një fakt i konfirmuar edhe nga vëzhguesit e pavarur të zgjedhjeve të së dielës.

    Nga shtatë votat tradhtare kundër progresit dhe prosperitetit, kundër Shqipërisë turistike dhe vizionit 2030,  tre tashmë janë identifikuar. Janë tri votat e anëtarëve të komisionit të votimit dhe ata dihen dhe njihen me emër dhe mbiemër.

    Ata mund të justifikohen dhe mund të thonë se kanë votuar kundër kandidatit të qeverisë për të testuar integritetin e procesit dhe për të dëshmuar se pluralizimi është gjallë, por ky shpjegim sërish e lë misterin e pazgjidhur plotësisht: kush janë katër votuesit rebelë që guxuan të prishin objektivin për  100% të votave për qeverinë?! Kush janë ata që kërkojnë të njollosin emrin e mirë të fshatit dhe traditës së tij historike? Si mund të votohet kundër qeverisë më 2024? Ky nuk është skandal se po të ishte i tillë, do të vihej në lëvizje SPAK. Ky është rebelim dhe si i tillë duhet trajtuar.

    Ka vetëm një rrugëdalje nga masat ekstreme.

    Në frymën e transparencës dhe llogaridhënies, që karakterizon këtë qeveri, populli trim, liridashës, paqëdashës dhe demokracidashës i Tërbaçit tani pret me padurim autokritikën nga këta katër individë që me votën e tyre duan të mbjellin frymën e përçarjes në fshat. Nuk përjashtohet mundësia që të kenë hedhur votën gabim. Mund të jenë të rinj të gënjyer, mund të kenë qenë votues që nga vapa apo emocioni kanë gabuar, këtë gjë mund ta sqarojë vetëm një autokritikë e thellë e pastër dhe e sinqertë.  Cilado qofshin arsyet e tyre, ata i detyrohen bashkfshatërve jo vetëm një rrëfim por edhe një kërkim falje, në të kundërt drejtësia dhe qeveria do të thonë fjalën e tyre.

    Ne, sigurisht që jemi një vend demokratik, dhe opozita e ka vendin e vet në opozitë, por nuk mund të luhet me të sotmen dhe të ardhmen e qeverisë. Si mund të votojë dikush kundër një qeverie që qartësisht di çfarë është më e mira  për veten dhe popullin e saj? Votat për opozitë, qofshin ato edhe më pak se gishtat e njërës dorë kërcënojnë harmoninë dhe unitetin për të cilin është investuar jo pak.

    Katër disidentët ta kenë të qartë se nuk mund të fshihen si struci duke fshehur kokën në rërën e plazhit të Himarës, qeveria nuk do të lërë gur pa lëvizur për t’i çuar, aty ku e kanë vendin para drejtësisë.

    4 votat kundër nuk mund të prishin festën në Tërbaç.   Në një botë të mbushur me ndarje, konflikte dhe përplasje vota në Tërbaç tregon se ne qëndrojmë së bashku, krah për krah, nën udhëheqjen e lavdishme të një qeverie që çfarë nuk ka bërë që votuesit të kuptojnë se janë të lirë për të votuar 100% për kandidatët e saj.

    P.S. Pas autokritikes ose hetimit, grupi i fshatit ka përgatitur edhe këngë e re: Votat tona qeveris/uniteti nuk lëviz

  • Nga Andi BUSHATI – Himara, si fundi i farsës

    Rezultati pa surprizë i zgjedhjeve të Himarës ku “greku” i Ramës i mori vendin “grekut” të opozitës kërkon një shpjegim që e kapërcen kurthin e dasisë etnike, ku e futën me pahir, prej një viti. Nëse në majin e shkuar, Fredi Beleri fitoi me më pak se 20 vota, katërmbëdhjetë muaj më pas, Vangjel Tavo e njëqindfishoi diferencën në favor të tij. Pra pyetja që shtrohet është: si ndryshuan kah plot 1500 votues? Kush i bëri atyre magji? Si ndodhi kjo përmbysje në një kohë kaq të shkurtër?

    Në fakt, po të jetonim në një shoqëri normale dhe në demokraci të pranueshme, kahu i gjërave do të duhej të kishte qenë tjetër.

    Diferenca e ngushtë që Fredi Beleri arriti të krijonte në 14 maj 2023, do duhet të ishte shtuar prej rastit unik të arrestimit të një kandidati, dy ditë para garës. Ajo do të duhej të thellohej, pas injorimit të zbatimit të vullnetit popullor, që vendosi ta çojë atë në zyrën e kryebashkiakut të Himarës.

    Zakonisht, kur janë të lirë, njerëzit reagojnë dhe revoltohen para padrejtësisë. Kur shohin një polici politike që fabrikon prova, kur ndeshen me një administratë që fallcifikon dëshmitë e penalitetit, kur kanë para syve SPAK dhe GJKKO, që pranojnë dëshmitarë të rremë dhe nuk lejojnë ballafaqimin e tyre, kur përballen me prokurorë specialë që fshehin vendimet e gjykatave, kur ndjekin në aksion gjykatën e Durrësit, atë të Apelit atë të Lartë dhe Kushtetuese, që me urdhër politik bëjë ping pong me njëra-tjetrën, për ti penguar betimin një kandidati të zgjedhur, pra kur vihet përballë kësaj dhune, në kushte lirie, çdo kush ka tendencën të rebelohet. Ky rebelim mund të kishte qenë edhe më i madh, po të shikoje tredhjen e turpshme të institucioneve të pavarura: një KQZ, që zbaton standarte të dyfishta vetëm për ti shpallur zgjedhjet në ditën që ka paracaktuar Edi Rama; një president republike që, si një kapter i rëndomtë, nuk pret as kohën e domosdoshme të ankimimit, për të caktuar 4 gushtin si ditën e re të zgjedhjeve.

    Pra, kjo masakër demokratike teorikisht duhet ti kishte yshtur votuesit të bënin të kundërtën e asaj që i’u qe imponuar përdhunshëm. Me këtë logjikë, do duhej të njëqindfishohej diferenca prej një dyzine votash e Belerit dhe jo të ndodhte e kundërta, të rriteshin ato pro Vangjel Tavos. 

    Madje, madje, ky efekt kundërshtues prodhohet edhe në shoqëri thellësisht autokratike, por që duan të ruajnë një fasadë legjitimiteti popullor, si Turqia e Erdoganit. Kur në 2019, neo-sulltani vendosi të anullojë fitoren e kandidatit të opozitës Imamoglu, në Stamboll dhe shpalli zgjedhje të reja, votuesit i’u përgjigjën me një shuplakë të fortë, duke i dhënë një fitore dhe më të thellë të preferuarit të tyre, me gati 10% diferencë. Katër vite më pas, Rexhep Taip Erdogan nuk tentoi më ta ndalonte fitoren e opozitës në ish qytetin e tij. Qoftë dhe formalisht, satrapi turk e kapërdiu hidhërimin duke lënë të jetojë iluzionin se në sistemin e drejtuar prej tij është populli ai që vendos.

    Në Himarë, Edi Rama e vrau edhe këtë iluzion. Dhe problemi nuk është se regjimi i tij është më i egër se ai i vëllait të vet anadollas, por se ndryshe nga tjetri, autokrai shqiptar nuk duron më as të përkundet në ajër shpresa qoftë dhe e rreme se, në këtë vend, mund të vendosë dikush tjetër përpos tij.

    Në këtë kuptim, ajo që ndodh prej një viti në Himarë është një pikë kthese qoftë për demokracinë e çalë 30 vjeçare, qoftë dhe për vetë regjimin rilindas. Eshtë hera e parë që kundërshtarëve, nga tre, i lihen vetëm dy mundësi: ose humbja ose prangat. Përveç të drejtës për të fituar ata janë zhveshur edhe nga e drejta për të shpresuar.

    Ky është lajmi i ri i këtij 4 gushti. Vrasja përfundimtare e mirazhit se dikush ka forcë për të ndryshuar diçka me votën e vet. Dhe kjo është tragjedia e vërtetë e asaj që ndodhi këtë të dielë. Ajo nuk duhet kërkuar në manipulimin artizanal të votës, as tek njerëzit e ardhur me autobuza, as te shtimi i zgjedhësve të zhvendosur nga Gjendja Civile, as te pengimi i atyre me karta identiteti të skaduara, as te ndonjë joshje me dhënie tapish në zonën e lumit të Vlorës. Të gjitha këto marifete meskine kanë ndodhur edhe më parë. Risia e Himarës nuk qëndron tek batakçillëqet e vogla por tek ndryshimi i filozofisë për zgjedhjet në Shqipëri: deviza e tanishme është: të votosh nuk ka më vlerë pasi rezultatin e shpall tjetërkush.

    Këtu Himara përbën provën gjenerale të zgjedhjeve të ardhshme që na presin, ato kur në vend që të rebelohen përballë padrejtësive, njerëzit fillojnë të mësohen dhe akomodohen me to. Ky dorëzim përpara së keqes shpjegon edhe pyetjen e ngritur në fillim të këtij shkrimi, se si ndryshoi kaq thellë, në kaq pak kohë, rezultati i 14 majit të shkuar. Përgjigjja e tij vjen edhe nga statistikat. Kur në kohën e opozitës, Edi Rama ishte ende i panjollë, pa investitorë strategjikë, pa plazhin e Olta Xhaçkës, pa zaptimet e trojeve dhe hotelet e 5D në bregun e Dhërmiut, PS nuk merrte më shumë se 35% në Himarë. Ajo arriti në 49% një vit më parë. Por, kur në taborët e saj përfshiu përpos këtyre aleatëve 10 vjeçarë edhe policinë politike edhe SPAK-un, edhe GJKKO edhe gjykatën e Lartë edhe ate Kushtetuese edhe KQZ-në edhe Presidentin, ajo e ngriti Vangjel Tavon në 59%.

    Votuesi i gjendur fillikat përballë një aparati të tërë represiv, uli duart i dorzuar, i bindur se tashmë ti drejtohesh kutive të votimit do të thotë të marrësh pjesë në një farsë të kotë. Rama po e instalon suksesshëm këtë mentalitet dhe prandaj në të ardhmen ne do të shohim fitore triumfale Vangjelësh të tjerë që i vetëofrohen tavës së pushtetit.

  • Të gjithë ata që Rama vodhi nga “tava” e Metës

    Të gjithë ata që Rama vodhi nga “tava” e Metës

    Edi Rama e zboi Vangjel Tavon dhe kolegët e tij, në vitin 2017, me pretekstin, se ata e donin pushtetin për tepsinë dhe tavën e të mirave që ofronte. Ai mbylli kufirin katër vite më pas, me justifikim kovidin, që ta privonte atë nga mandati i deputetit, duke penguar ardhjen e minoritarëve për të votuar.

    Por sot, tetë vite pas largimit nga pushteti dhe katër vite pa qenë deputet, Vangjel Tavo është simboli më i mirë i shprehjes: “Bëji nënën të të thotë baba”.

    Pasi e zhveshi nga çdo mundësi Rama e afroi ish lë-së-i-stin si shërbëtor për zgjedhjet e Himarës, ku i duhet një kolaboracionist minoritar, për të paqtuar marëdhëniet me Athinën.

    Por, rasti i Vangjelit që rend sa nga një “tavë” tek tjetra, nuk është vjedhja e vetme që rilindja ka bërë mes ish besnikëve të Metës. Lapsi.al i është kthyer të gjitha atyre për të parë një betejë që zhvillohet në kuadër të luftës kundër opozitës.

    Episodi i kthyer në hit në rrjetet sociale, është ai i videos nën avujt e alkoolit, kur kryeministri dhe deputeti ende i paburgosur, Lefter Koka, ftonin ish ministrin Nasip Naço të braktiste LSI për ti’u bashkuar PS.

    Teri e pati hedhur hapin qysh herët. Kur në pranverën e vitit 2019, opozita vendosi të digjte mandatet dhe plot 19 deputetë të LSI i braktisën ato, “Teri” nuk e dorëzoi të vetin. Që athere qarkullonin fjalë se njerëzit e Ramës, që qenë në djeni për më shumë se 3 milionë eurot që ai kishte kaluar nga inceneratorët tek kompanitë e familjarëve të vet, e patën shantazhuar pikërisht me ato. Gjithçka u bë e qartë kur në fushatën e zgjedhjeve të 2021, Koka kaloi ylberin, konkuroi në Durrës për PS dhe i rëmbeu për pak vota LSI-se, mandatin në këtë qytet.

    Më vonë do kuptohej se e patën përdorur keq. Ai nuk e gëzoi mandatin, nuk shkeli më asnjë ditë në kuvend, pasi dha dorëheqjen në shtator 2021. “…është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël”, deklaroi ai. Tre muaj më pas do përfundonte në burg për paratë e rrëmbyera nga inceneratorët.

    Nga rrugëtimi i shkurtër me rilindjen Ramës i la dhuratë një mandat në Durrës dhe konvertimin e Nasip Naços. Ish ministri i drejtësisë te kabinetit Rama 1, pasi e joshën nën avujt e alkoolit, iu bashkua PS në qarkun e Beratit duke e trasferuar edhe ai një mandat, në 2021, nga LSI te PS.

    Pak muaj para zgjedhjeve Nasip Naço njoftoi largimin e tij nga LSI në qytetin e Beratit ku ishte në krah të ministrit të Turizimit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë ceremonisë së hedhjes së kryqit në janar. Ai që Meta e kishte përdorur keqas duke e detyruar të vetëshpallej si kandidat për kryeministër, rival i Ramës në 2013, u largua duke e konsideruar LSI si “eksperiment politik”. Ai tërhoqi me vete dhe deputetin tjetër të Beratit, Gledion Rehovica. Ky i fundit përmes një mesazhi në janar 2021 njoftoinse kishte vendosur të largohet nga kjo forcë politike pasi “eksperimenti i LSI-së ka përfunduar”.

    “LSI një klub në Tiranë që mbush televizionet me sharje. Eksperimenti i LSI-së ka mbaruar. Berati ka nevojë për progres. Tek LSI nuk kam vajtur me tender e nuk po iki me tender tek PS”, tha para zgjedheve Rehovica.

    Ndoshta prej këtyre shërbimeve dhe lënies së LSI pa deputetë, në bastionin e saj, Nasip Naço së paku po e mbyll mandatin e konvertuar me shumë më tepër fat sesa Lefter Koka apo Alqi Bllako. Ky i fundit ka qenë gjithashtu një njeri i afërt i Metës dhe sekretar i përgjithshëm gjatë presidencës së tij. Si lë-së-ist ai shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, kur ajo drejtohej nga Lefter Koka, kohë kur u dhanë dhe koncensionet e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës gjatë periudhës shtator 2013 deri në korrik 2017. Pasi LSI iku nga koalicioni, ai u bë nga të pakët të privilegjuar që Meta e tërhoqi me vete në presidencë, pozicion pune që e mbajti deri në shkurt të vitit 2019. Pas krizës politike të djegjes së mandateve, si gjithë të shantazhueshmit, që kishin përfituar nga inceneratorët ai u largua nga Presidenca e po ashtu nga radhët e LSI-së. Pas lamtumires nga ky institucion, ai u emërua si Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve (AKUM) dhe në 2021 u zgjodh deputet i PS në zgjedhjet e 25 Prillit.

    Ai e gëzoi për disa muaj këtë mandat deri sa SPAK i kërkoi kuvendit arrestimin e tij në mars 2022. Megjithëse ai tentoi të arratisej jashtë, një premtim i panjohur e ktheu në vend dhe e detyroi të pranojë burgun. Edhe në qeli, po ashtu si Koka, Bllako i ka qëndruar besnik shokëve të idealit, duke mos pranuar të bëjë të penduarin.

    Por, nëse te këta të dy tradhëtia ndaj LSI është bërë si pasojë e shantazhit për paratë e fituara, një lloj tjetër shantazhi, ai për prirje të pazakonta seksuale, ka funksionuar gjithashtu me sukses.

    Agron Çela e braktisi Ilir Metën në kushte të ndryshme. Ai i ndejti besnik LSI së Kryemadhit edhe në zgjedhjet e 2021, kur dezertuan, Koka, Naço, Bllako. Madje e fitoi mandatin në Shkodër, por më pas nuk i rezistoi tundimit për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, atëherë kur bateritë e pushtetit u fokusuan në marrjen e bashkisë nga Benet Beci.

    Që në dhjetor, para fillimit të fushatës, Çela u pa në një foto të përzemërt me Becin dhe Elisa Spiropalin. Më pas ai konvertoi në rilindas dhe kreun lokal të partisë së Lirisë, Edmond Ndou. Pasi u shfaq në Shkodër në krah të Ramës, deputeti që u bë meme me kërcimin përkrah Elisës, lëshoi thirrje se “duhet t’i japim shansin PS-së që të drejtojë bashkinë në Shkodër pas 30 viteve të drejtimit të PD-së”. Ndryshe nga kolegët e tij që kishin braktisur partinë duke pëshpëritur nën zë kundër drejtimit të Monikës, Çela po e linte atë pasi në krye ishte rikthyer Ilir Meta. E ndonëse ky i fundit deklaronte se me Çelën nuk humbëm asgjë, sepse iku “një biznesmen që s’ kish folur kurrë kundër qeverisë”, kjo gjë tregonte se efekti korruptiv dhe shantazhues i pushtetit qe bërë i papërballueshëm. Nga mbi 20 deputetë që kish pasur LSI në 2013 e 2017, këtë mandat ajo ka përfunduar me 3. Dhe kjo jo për ndryshim bindiesh ideore apo parimesh. Por, sepse pushteti blen dhe shantazhon. Vetë kryeministri, kur ka qenë në opozitë, është përballur me këtë lloj erozioni. Tani është ai që ka në dorë dhe gurin dhe arrën dhe paratë dhe bandat dhe mediat dhe SPAK-un. Këtë e vërteton dhe rasti fundit Tavo, të cilin pasi e legenosi si metist në Dropull, e rilindi si ramist në Himarë.

  • Nga Enver BYTYÇI – Ura duhet hapur! Por ….

    Nga Enver BYTYÇI – Ura duhet hapur! Por ….

    Debat i madh nëse do të hapet ose jo Ura e Ibrit. Shumica beson se ajo duhet dhe dhe do të hapet. Një pakicë, kryesisht garniturë e ideve për ndryshim kufijsh dhe Open Balkan, thonë se Albin Kurti nuk mund ta hapë urën, sepse nuk mund të konfrontohet me NATO-n.

    Unë di një gjë: – Kur Albin Kurti është nis ta realizojë diçka e ka realizuar, pavarësisht kostove që kanë patur aksionet e tij politike për vendosjen e kontrollit në gjithë territorin e vendit, sidomos në veri. Kësaj radhe është pak ndryshe. Kurti po e përdor me durim konsultimin me ndërkombëtarët. Jo se nuk e ka marrë vendimin. Por e shtyn vendimin thjesht që të justifikohet në publikun e Kosovës se nuk kanë munguar konsultat me aleatët.

    Aleatët kësaj radhe po duan ta angazhojnë edhe NATO-n, si pjesë e konsultave. Me qëllim që presioni ndaj Kurtit të rritet e ai të tërhiqet nga zbatimi i vendimit për hapjen e Urës së Ibrit. Mesa shoh QUINT-i dëshiron ta dështojë hapjen e urës, jo thjesht për shkak të cënimit të sigurisë, sa për shkak të impaktit që ka kjo për rritjen e autoritetit në elektorat të kryeministrit të Kosovës. Pra, ata nuk duan që Kurti pas zgjedhjeve të ardhshme të qeveris i vetëm.

    Për këtë arsye Kurti duhet të bëjë shumë kujdes. Të mos bjerë në kurth. Që do të thotë do të duhet të jetë i përgatitur për ndonjë agresion tjetër serb në komunat e veriut e ndoshta edhe në jug të vendit. Ka shumë mundësi që një ose më shumë vende të QIUNT-it, të gjitha ato anëtare me peshë në NATO, të bëhen palë inkurajuese për Serbinë për akte diversioni e ndoshta terroriste. Në politikë nuk kanë rëndësi mjetet, rëndësi ka qëllimi! Kjo është aksioma e përgjithshme e saj. Fatkeqësisht!

    Prandaj, nëse Kurti nuk e ka ose nuk mund ta ketë situatën e sigurisë nën kontroll të rreptë, e ka të vështirë ta hapë Urën e Ibrit. Sepse vërtet akti i hapjes së saj i sjell atij pikë elektorale e politike, por një akt terrori i Serbisë e çon këtë kredibilitet në fund të kuotave.

    Ndërkaq Kurti duhet të llogarisë të përballet me presionin politik të krerëve të shteteve dhe diplomacitë e vendeve të QIUNT-it. I pari do të jetë kryeministri i Shqipërisë, pavarësisht problemeve pa fund që i kanë dalë, ai që do ta dënojë hapjen e Urës jashtë kontekstit të bisedimeve Kosovë-Serbi e pa lejen e Brukselit. Amerika tashmë e ka bërë atë dalje!

    Unë jam i interesuar të fitojë Kosova. Pra, të mos fitojnë forcat politike të mëparshme, të cilat u luten diplomatëve perendimorë “Aman na ndihëmoni ta ndajmë Kosovën e t’ia japim pasuritë e saj  Serbisë”! E që do të thotë të fitojë së paku edhe një mandat koalicioni i sotëm qeverisës, i cili ka dëshmuar se sakrifikon për mbrojtjen e rendit dhe sovranitetit shtetëror dhe se e lufton më mirë korrupsionin. Them më mirë, sepse korrupsion ka edhe në administratën e kësaj qeverisjeje!

    Përfundimisht ura duhet hapur. Por nëse ata që e hapin kanë këllçe ta mbrojnë rendin, rregullin, qetësinë dhe paqen! Vetëm në këtë rast do të sfidohen sërishmi jo vetëm politikat e Beogradit në Kosovë, por edhe ata që këshillojnë që ura të mos hapet.