Blog

  • Nga Enver BYTYÇI – Pse respekti ndaj Kosovës dhe shqiptarëve është e vetmja alternativë për paqen në Maqedoni?

    Nga Enver BYTYÇI – Pse respekti ndaj Kosovës dhe shqiptarëve është e vetmja alternativë për paqen në Maqedoni?

    Në aeroportin e Shkupit ka ndodhur një skandal. Persona të sigurisë së këtij aeroporti kanë tentuar të ndalojnë dhe cenojnë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kur ajo po nisej nga ky aeroport për të marrë pjesë në një veprimtari në Slloveni. Personat në fjalë e kanë detyruar presidenten që të lëshojë çantën e dorës në skaner dhe i kanë kërkuar që edhe telefoni i saj të skanohej.

    Kontrolli i sendeve personale është rregull rutinë dhe i patolerueshëm për çdo qytetar të zakonshëm. Por në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, sidomos bazuar në Konventën Diplomatike të Vjenës, përmes së cilës rregullohen sjelljet e shteteve për personat e caktuar nga kjo konventë, askush, në asnjë aeroport, port apo dalje e hyrje kufitare nuk mund të kontrollojë sendet personale të një presidenti, kryeministri e kështu me radhë të personave me status diplomatik.

    Megjithatë një apo disa persona të sigurisë së aeroportit të Shkupit kanë guxuar ta shkelin rregullin ndërkombëtar dhe të tentojnë të dhunojnë të drejtën ndërkombëtare në rastin në fjalë. Këta persona nuk janë thjesht individë ose grup individësh. Ata janë urdhëruar nga dikush me autoritet të posaçëm në institucionet maqedonase për ta kryer këtë akt, që krijoi skandal në marrëdhëniet midis të dy vendeve fqinjë.

    Për këtë arsye nuk e shoh skandalin e aeroportit të Shkupit si një akt kundër presidentes, sa kundër Kosovës dhe të sponsorizuar nga qarqet serbe dhe ruse në qeverinë e institucionet e Maqedonisë së Veriut. Çdo akt si ky kundër autoriteteve të Kosovës, nga cilido vend e aeroport që nxitet, është akt kundër shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së saj. Por mesa duket Maqedonia e Veriut është vendi ku eksperimentohet lehtësisht diversioni, si ai i të enjtes së kaluar në Shkup.

    Maqedonia e Veriut është e njohur si vend me një përbërje dhe ndjenja të përziera pro dhe kundër. Padyshim se shqiptarët janë pro euro-atlantikë. Po ashtu një pjesë e maqedonasve. Ndërkohë që segmente të caktuara të popullisisë së saj janë edhe pro serbe e pro bullgare. Copëzimi i publikut në pro dhe kundër ka prodhuar edhe copëzimin e politikës së krahut maqedonas. Nëse shqiptarët janë të copëzuar, ata e bëjnë këtë thjesht për interesa të pushtetit dhe qëndrojnë në rrafshin politik brenda familjes së tyre. Por ata janë unikë në mbështetjen që i japin orientimit euro-atlantik të Maqedonisë. Këtë e dëshmojnë gjithashtu të dhënat e sondazheve që bëhen vazhdimisht.

    Përkundrazi, janë maqedonasit në shumicë anti-perendimorë. Dhe kjo ndodh, sepse grupe politikanësh maqedonas ushqejnë urrejtje ndaj shqiptarëve dhe kjo urrejtje e tyre funksionon sipas parimit “Miku i armikut tim është armiku im”! Fakti që shqiptarët janë pro-perendimorë i nxit maqedonasit ose një pjesë të madhe prej tyre që të ndjekin kursin pro-lindor, pro-rus. Nëse i shtojmë kësaj edhe investimin rus e serb në këtë fashë të besimit dhe orientimit të këtyre grupeve maqedonase, atëherë kuptojmë se cili është pozicioni i tyre aktiv kundër shqiptarëve e në rastin konkret kundër Kosovës.

    Nga ana tjetër veprime të tilla si diversioni i segmenteve antishqiptare maqedonase kundër Vjosa Osmanit na provojnë se sa lehtësisht mund të destabilizohet situata në këtë vend. Ministria e Brendshme në Shkup ka lëshuar një komunikatë me këtë rast, me të cilën më shumë merret me ndërhyrjen e stafit të sigurisë së kreut të parlamentit, Afrim Gashi, sesa me shkeljen e ligjit maqedonas e ndërkombëtar nga forcat e sigurisë së aeroportit të Shkupit. Dikush në atë ministri ka marrë përsipër që ta transferojë problemin te ata që e mbrojtën presidenten e Kosovës. Pra që të shfajësojë autorët e këtij akti bandidesk. Kjo është gjithashtu një provë tjetër se segmentet pro-serbe e pro-ruse në administratën e shtetit të Maqedonisë së Veriut janë trimëruar dhe guxojnë të kryejnë akte të tilla të papranueshme e anti-ligjore.

    Prandaj dhe ngjarjen e së enjtes në aeroportin e Shkupit, ku u dhunua e drejta dhe dinjiteti i kreut të shtetit të Kosovës, e shoh me shqetësim përtej kufijve të asaj ngjarjeje. Ajo mund të jetë një sinjal se shteti i Maqedonisë së Veriut mund të destabilizohet lehtësisht, Destabilizimi i tij do të sjellë zhbërjen e këtij shteti. Pra do të thotë luftë. Atëherë Shkupi nuk do të jetë më kryeqytet i Maqedonisë së Veriut, por do të bëhet kryeqytet i Dardanisë, siç ishte në kohët antike e moderne të shoqërisë njerëzore! Është në interesin e maqedonasve dhe të shqiptarëve njëkohësisht të jetojnë në paqe e harmoni në një shtet të përbashkët. Por nëse maqedonasit dhe politikanët maqedonas kërkojnë luftë, atëherë ata duhet ta dinë se luftën e kanë të humbur ende pa e nisur atë! Kompromisi dhe respektimi i shqiptarëve, përfshirë edhe shtetin e Kosovës, është e vetmja alternativë e paqes!

  • Nga Armand SHKULLAKU – Intervista e Ahmetajt, si dëshmi e tredhjes së SPAK-ut

    Deklaratat e Arben Ahmetajt, ish numrit dy të qeverisë së Edi Ramës, çertifikuan përfundimisht çdo dyshim se veprimtaria e SPAK në hetimin e skandaleve qeveritare e bashkiake, nuk udhëhiqet nga interesi publik por nga interesi politik. Duke qenë njeriu më i afërt i kryeministrit, ministri i tij i reklamuar si sukses i financave dhe i rindërtimit, anëtar kryesie dhe drejtues qarku, Ahmetaj tha se të paktën në një aferë korruptive me përmasa të frikshme, inceneratorin e Tirnaës, pronarët faktikë janë Edi Rama dhe Erion Veliaj.

    Por nëse për çdo qytetar shqiptar është e qartë se afera si inceneratorët, sterilizimi, 5D e shumë të tjera, nuk mund të jetësoheshin pa vullnetin e Ramës e Veliajt, çështja qëndron tek i ashtuquajturi hetim, që SPAK pretendon se ka ndërmarrë për zbardhjen e tyre. Pikërisht këtu, dëshmia e një zv/kryeministri dhe ministri Financash se prokuroria speciale nuk po heton procedurat që kanë prodhuar këto mega afera, vërteton jo thjesht faktin se ajo gjendet nën kontrollin politik të kryeministrit por dhe një tentativë të rrezikshme për t’i vënë kapak vjedhjeve më skandaloze në historinë e tri dekadave të fundit.

    Deri tani, SPAK ka dështuar së pari  të zbërthejë mekanizmin që ka prodhuar zhvatjen e qindra milion eurove qytetarëve më të varfër në Europë dhe së dyti po dështon të ndalë hemoragjinë financiare që vazhdon si pasojë e koncensioneve korruptive. SPAK evitoi t’u japë përgjigje pyetjeve të thjeshta të tilla si: Si dhe kush i përzgjodhi kompanitë koncensionare, pse u shmang gara, si u negociuan kontratat, pse kryeministri gënjeu publikisht për pronarët e inceneratorit të Tiranës, si iu besuan dhejtra miliona euro muratorëve nga Italia apo një bukëpjekësi, si iu dha bonus një biznesi që nuk ekzistonte.., Dhe mbi të gjitha ku kanë shkuar paratë e paguara deri tani nga xhepat e shqiptarëve.

    Ish numri dy i qeverisë deklaroi se hetimi i procedurave, që sollën këtë zhvatje kolosale, mund të çojë drejt zbulimit të përgjegjësve të vërtetë (pronarë të inceneratorit janë Rama dhe Veliaj, tha ai) si dhe shpellës që ka përpirë qindra miliona euro. Këtë me siguri e di fare mirë dhe Dumani dhe prokurorët e tjerë, prandaj duke zgjedhur të mos hetojnë procedurën ata në fakt kanë zgjedhur të mbyllin sytë dhe veshët ndaj të vërtetës që mund t’i çojë atje ku as guxojnë ta mendojnë: tek Edi Rama dhe Erion Veliaj.

    Duke tentuar të mbysin hetimin e vërtetë me statistika idiote, prokurorët e SPAK mund t’i sjellin vendit një dëm më të madh se sa vetë skandalet qeveritare.  Ata mund të arrestojnë Ilir Beqen për faturat e restorantit në vend të hetojnë koncensionet në shëndetësi, mund të burgosin Alqi Bllakon për rrogën e babait,  Lefter Kokën për letrat e të birit, Arben Ahmetajn për shtëpinë e gruas në vend se të zbulojnë si avullojnë qindra milion euro në një incenerator që nuk ekziston, mund të dënojnë Safet Gjicin për moral në vend të hetojnë 110 milion euro tendera në epokën e Rilindjes… por këto nuk i shërbejnë as të vërtetës dhe as integritetit të Prokurorisë Speciale. Prokurorët mund t’i rendisin këta emra si statistikë për të justifkuar rrogat e tyre, por në të njëjtën kohë ato shërbejnë dhe si lakmues për të çertifikuar tredhjen e tyre.

    Në asnjë dhe në asnjë rast, ata nuk kanë guxuar të nxjerrin këmbën nga rrethi në çështje të nxehta që mund të çojnë tek vendimarrjet apo skemat kriminale të kryeminstrit dhe kryetarit të Bashkisë. Ata kanë ulur kokën dhe mbledhin në thes ata që kanë “ngrënë kumbulla dhe dardha” pas shpinës së Edi Ramës dhe vetëm kur vendos Edi Rama. Ata nuk tregojnë dot se si ngrihen në ktë vend skemat e zhvatjeve qeveritare dhe as si vidhen votat që mbajnë në këmbë autorët e vërtetë të këtyre skemave.

    Imagjinoni si do të silleshin prokurorët në një vend europian nëse numri dy i një qeverie do të dëshmonte ato që dëshmoi Ahmetaj për Edi Ramën dhe krahasojini me guximtarët e SPAK që recitojnë statistika ndërsa milionat vazhdojnë të avullojnë në Sharrë, në tecet lundruese apo tenderat sekretë. Dëshmia e Ahmetajt nuk zbuloi diçka që shqiptarët nuk e dinë, por ajo vërtetoi se të besosh që në një regjim ka segmente të pavarura që mund të trondisin vetë regjimin, është një përrallë ose për naivët ose për ata që shpresojnë t’u ndodhë mrekullia ndërsa flenë gjumë.

  • Nga Nga Luçiano BOÇI – Zgjohuni njerëz…

    Me atë ç’ka rrëfeu Ahmetaj, përfundimisht jemi një popull me fat tragjik, fat të cilin e kemi shkruar në periudha të gjata të historisë me dorën tonë të gabuar, duke pranuar të udhëhiqemi nga politikanë grabitqarë, delikuentë të pashpirt, vrasës gjakftohtë, aventurierë të dalldisur pas vetes e dallkaukë djallëzorë si këta të sotmit. Duke mos kundërshtuar e duke u pajtuar me dhunën e pushtetit arbitrar.

    Nëse na ka mbetur akoma një fije dinjitet ne duhet të ngrihemi njerëz, në një lëvizje që koha e kërkon, për të rrëzuar nga themelet kastën më të korruptuar politike të drejtuar nga një gangster basifondesh blloku si Rama, të paparë në histori, për t’i dhënë fund një projekti, më armiqësorin të hartuar ndonjëherë kundër nesh si komb, i cili synon të mbysë me metoda stalinisto-sorrosiane çdo opozitë politike e njerëzore, të shkretojë çdo hapësirë jete, të ngulë shtyllat e së keqes e të instalojë sistemin më shembullor të padrejtësisë e ndëshkimit të së vërtetë e së mirës.

    Njerëz zgjohuni!!!

    Nuk është thjesht në rrezik vendi, familja dhe e ardhmja.

    E vërteta dramatike është se ato janë sot në frymën e fundit të ekzistencës, pas së cilës mundësia mund të zerohet dhe dorëzimi mund jetë fatal.

    Ata nuk po na grabisin vetëm pasurinë e jetën.

    Ata po na vjedhin dhe ajrin e ëndrrave dhe postvdekjen e ëndërruar me nder.

    Ata, jo vetëm po pasurohen duke thithur nën tingujt e batërdisë çdo pikë të sotme e trashëgimie, por duan të zhdukin në xhepat e tyre të panginjur dhe horizontin e së ardhmes.

    Njerëz revoltohuni!!!

    Është koha të revoltoheni.

    Mos vallë prisni të dëgjoni trokitjet apo kërcitjet në derë?!

    Zgjohuni!!!

    Mos keni iluzione!

    Ata janë tashmë tinzarisht brenda shtëpive tona, duke rrëmuar se çfarë na ka mbetur për t’u zhvatur, për t’u përvetsuar e vjedhur.

    Janë brenda mendjeve tona, duke na manipuluar mendimet e fundit tona të drejta, me mediat e paguara nga krimi i korrupsionit të tyre kapilar e korruptimi i qenies së tyre politiko-njerëzore.

    Janë brenda fateve tona, duke na imponuar procesione drejtësie si rite satanike, duke ekzekutuar çdo fije shprese e çdo fije drite që çan errësirën e zbulon mashtrimin e ndërtuar me kujdes nga ata.

    Zgjohuni njerëz!!!

    Është shumë pak të thuash se ata po rrëmbejnë miliona.

    Ata po rrëmbejnë dhe ditët, vitet e kohën që vjen pas, me qëllim që pas së cilës këtu të valviten flamujt e një populli që në hipnozë e sipër, në pafuqi e sipër, në dëshpërim e sipër mbyti me duart e veta fëmijën e fatit të tij, duke dalë kundër vullnetit të Zotit që na ka qëndisur fat krejt tjetër nga ky që kërkon të na imponojë shpura pink e Kryeministrit më të zi të historisë sonë politike.

    Zgjohuni sot o njerëz!!!

    Nesër s’do të ketë më nesër!

  • “Zëvendësoi njerëzit e Veliajt me ata të Ballukut”, pse Rama “preu kokat” e Ballës dhe Peleshit

    “Zëvendësoi njerëzit e Veliajt me ata të Ballukut”, pse Rama “preu kokat” e Ballës dhe Peleshit

    Kryeministri Edi Rama njoftoi mes zhegut të së dielës, pak para nisjes së pushimeve, ndryshime në qeveri dhe emërimin si kryetare Kuvendi të ministres aktuale të Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin, Elisa Spiorpali.

    Ndryshimet i rikujtojmë si mëposhtë:

    Zëvendësimin e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla (e dorëhequr sic deklaroi për arsye shëndetësore), me Elisa Spiropalin.

    Në vend të saj, emëron Taulant Ballën, të cilin e largoi pas një viti si ministër i Brendshëm. Në vend të Ballës surprizon me një emër jo të njohur politik, Ervin Hoxha.

    Ndryshime do të ketë dhe në ministrinë e Financave, ku Ervin Mete do të zëvendësohet nga Petrit Malaj, drejtori aktual i Agjencisë Kombëtarë të Burimeve Natyrore (AKBN).

    Niko Peleshi ikën si ministër i Mbrojtjes dhe në vend të tij vjen Pirri Vengu. Peleshi do të marrë kryesimin e grupit parlamentar socialist, i mbajtur nga deputeti Blendi Çuçi , i cili do të emërohej nënkryetar i Kuvendit.

    Por si i kanë lexuar analistët këto ndryshime të papritura?

    Mediu: Askush nuk e di, PS të bëjë transparencë

    Kreu i PR-së, Fatmir Mediu thotë se Partia Socialiste duhet të bëjë transparencë në lidhje me ndryshimet e fundit në qeveri që u njoftuan nga kryeministri Edi Rama në Kongresin e saj, ditën e dielë. Për të askush nuk e di pse u largua Taulant Balla si ministër i Brendshëm.

    “Ishte një shfaqje e ngjashme me ato të Koresë së Veriut, ku Liderin Suprem të gjithë e duartrokasin dhe të gjithë i buzëqeshin, pavarësisht se si ndihen. Duket që Shqipëria nuk është më as republikë kryeministrore, por republikë e një njeriu që bën lëvizje sipas dëshirave të veta.

    “Deri tani kemi mbetur në kuadrin e thashethemeve. Qeverisja e ka të detyrueshme transparencën, në raport me parlamentin dhe me qytetarët.

    Kudo që janë janë nga dëshira e kryeministrti dhe cdo gjë vendoset nga një njeri. Lëvizja e një ministri të Mbrojtjes është e lidhur me sigurinë kombëtare. Është një teatër absurd për të krijuar një perceptim sa për të ndryshuar dicka në thelb në qeverisjen e vendit”, tha Mediu në A2 CNN.

    Fevziu: Fushata e Ramës ka nisur, do mbështetet me emra të rinj

    “Zëvendësimi i dy figurave të rëndësishme politike të PS me figura të reja të cilat nuk kanë ngarkesë politike të drejtëpërdrejtë partiake. Do të jetë Rama ai që do japë një shpjegim pse i ka bërë këto ndryshime, por dicka duket qartë : ai po mundohet të zëvendësojë figurat e rëndqësishme politike me që nuk e kanë ngarkesën politike, me figura teknike dhe jo me një backgriund politk.

    Duket se Rama ka nisur një fushatë elektorale dhe fushata e tij do të jetë e mbështetur te emrat e rinj. Ky ka qenë paralajmërimi që në listat e deputetëve do të shohim me siguri edhe emra të rinj me të cilën po tenton të bëjë betejën elektroale të 2025.

    Bledi Koka: Po pastrohet qeveria nga njerëzit e Veliajt, po zëvendësohen me atë Ballukut

    “Duket sikur ka ripërcaktim balancash të reja brenda qeverisë. Për mua janë shërbëtorë të Ramës. Duket se kemi ngritje të klanit të Ballukut, pasi si z Vongu, Ervin Hoxha apo ministri i Finanavce njihen si njerëz të Ballukut pra pastrohet qeveria nga njerëzit e Veliajt, sic ishte ish ministri i Finanancave, Ervin Mete”, tha Koka në Euroneës Albania

    Nga ana tjetër, analisti Ben Andoni i konsideroi ndryshimet thellësisht politike, ndërsa u shpreh se kjo parti po afron gjithmonë alternativa për njerëzit teknicienë apo të rinjtë”.

    Andoni tha në News 24 se duket se Edi Rama ka menduar që të kthejë në terren njerëzit që kanë vota dhe me këtë logjikë janë kryer edhe lëvizjet, duke kthyer Taulant Ballën dhe Niko Peleshin në terren.

    “Mos harroni që Taulant Balla ka marrë më shumë vota në 2021, pra është njeriu i terrenit. Ai e përmbushi egon e tij për të qenë ministër i Brendshëm, tashmë bashkë me Niko Peleshin, duket se është menduar se do të jenë në terren”, tha Andoni.

  • Nga Erion DASHO – Vota e shqiptarëve të mërgatës, si faktor stabiliteti politik

    Nga Erion DASHO – Vota e shqiptarëve të mërgatës, si faktor stabiliteti politik

    Nuk reagova menjëherë pas vendimit historik për t’u njohur shqiptarëve të mërguar të drejtën e votës. Por lajmi më gëzon dhe më bën optimist. E drejta e votës që u jepet miliona shqiptarëve në mbarë botën ka avantazhe të shumta, ku do veçoja:

    》Ne, shqiptarët që jetojmë jashtë vendit, jemi në një masë dërrmuese të lidhur me atë që ndodh në Shqipëri. Bota e lidhur nëpërmjet internetit dhe medias sociale e mundëson diçka të tillë. Pra vota që ne do të hedhim, do të jetë një votë e mirë-peshuar dhe në përputhje me interpretimin që secili prej nesh i bën skenës politike shqiptare.

    》Përgjithësisht, shqiptarët jetojnë në vende me demokraci të konsoliduar ku nuk mund të konceptohen marifete si vjedhja e votës, blerja e saj, intimidimi i votuesve, etj. Gjasat që ata të votojnë të lirë janë shumë më të larta krahasuar me bashkatdhetarët në Shqipëri.

    》Ajo pjesë e shqiptarëve tashmë e integruar në vendin ku jeton, ka përjetuar fushata të shumta elektorale dhe ka mësuar se vota nuk duhet të hidhet me partizanllëk të verbër, por bazuar në programe dhe ide zhvillimore. Shqiptarët në emigracion kanë shansin të ndikojnë duke emancipuar edhe politikën në atdhe.

    》Së fundi, por më e rëndësishmja, vota e shqiptarëve të mërgatës do të sjellë një përmasë strategjike në politikën shqiptare. Të ndikuar më pak nga efektet afatshkurtër të zgjedhjeve, shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve janë shumë të ndjeshëm ndaj disa çështjeve kardinale si shpopullimi, integrimi europian, ruajtja e identitetit dhe vlerave kombëtare, etj.

    Sigurisht ka edhe arsye të tjera që e bëjnë votën e mërgatës një zhvillim pozitiv për politikën, sikundër ka patur dhe do të ketë edhe mendime kundër saj.

    Personalisht e kam vlerësuar dhe do ta vlerësoj si një zhvillim pozitiv dhe pres me shumë kërshëri efektet e parë të votës së mërgatës në zgjedhjet e 2025-ës.

    Shpresoj dhe uroj që këto efekte të jenë pozitive dhe të konfirmojnë rolin e jashtëzakonshëm të mërgatës jo vetëm si një faktor stabiliteti ekonomik për vendin amë, por edhe si një faktor ndihmues në zhvillimet politike.

  • Nga Alfred LELA – Asambleja e Partisë Socialiste si një përbetim i të korruptuarve

    Nga Alfred LELA – Asambleja e Partisë Socialiste si një përbetim i të korruptuarve

    Fjalimet e Edi Ramës kanë filluar e bien era njëllojtësi: një spruco padurimi dhe bezdie për vartësit. Kjo bezdi deri në përçmim nuk pikaset vetëm te brutaliteti me të cilin i ngarkon dhe i shkarkon, pa u thënë gjë, që dallohet në fytyrat e çmeritura të tyre, por edhe në kohën e pafundme që i jep vetes në pushtet, dmth trusnisë psikologjike që ushtron duke u kujtuar se kështu do të sillet me ta… edhe 50 vjet.

    Sot guxoi, si një cyborg, dhe tha…pse jo edhe 100 vjet. Është bezdia e atij që nuk ka një plan dhe, për më shumë, mendon se nuk ka as njerëz rrotull për planin e tij. Vetëm patologji të tilla e shohin pushtetin si jolikuid. Në një botë kaq likuide një projeksion i tillë fqinjëron me kufijtë e marrëzisë.

    Ndërkohë që Edi Rama luante Jackson Pollock mbi kanavaçën e purpurt të Rilindjes, një hutim u shfaq në fytyrën e Elisa Spiropalit, kur e gjet veten të graduar kryetare Parlamenti në vend të Lindita Nikollës. Jo se Elisës nuk i pëlqejnë postet e larta, por se në këtë ‘kurth’ i duhet të zgjedhë: të respektojë përbetimin ‘proamerikan’ dhe t’i heqë mandatin Xhaçkës, siç e kërkon Gjykata Kushtetuese, ose të rrijë në sqetullën e nxehtë të shefit, i cili nuk e do Oltën të sakrifikuar. Lindita nuk ka ikur për çështje shëndeti, por ka lëshuar një detyrë të lartë që iu kthye në kurth.

    Këto janë vetëm ngjyra, thuajse bukolizma politikë, të dala nga Asambleja e sotme e Partisë Socialiste. Gjithë pjesa tjetër, edhe më e rëndë, edhe më serioze, është një përbetim i errët të korruptuarish.

    Rama mund të mos ketë plan për qeverisjen e Shqipërisë, por e ka një për mbajtjen e pushtetit. E tha vetë sot tek “i çoi në të sëmës” ministrat apo këdo tjetër që ka ngrënë apo do të hajë kumbulla pas shpinës së tij. “Kështuqë, kush rri e numëron; ish ministri, e thirrën e bën, sikur numëron dëshmorë edhe sikur po na mbyll rrugët se s’po kemi të tjerë, s’po kemi forca se na iku njeri, na ikën dy, na ikën tre… Merreni, merreni. Ne jemi 800 mijë! …”    

    Rama është i qartë në lojën e pushtetit, por një kërcënim i hapur në punën serioze të qeverisjes së vendit. Taktika e tij është që ta lërë korrupsionin të gëlojë dhe të mbushë arkat e luksit dhe të luftërave zgjedhore. Në anën tjetër ai i hap dyert SPAKUT që të marrë këdo, veç vetes dhe 3-4 të paprekshmëve që i sigurojnë infrastrukturën e pushtetit dhe të financave. Për këtë është i gatshëm t’i çojë të gjithë në gijotinë, një dy, tre, siç thotë vetë… deri në 800 mijë.

    Për ta bërë më të durueshme dhe njëkohësiht më spektakolare sëpatën që lëshon mbi qeverinë e vet, ai herë pas here e rifreskon duke anëtarësuar në klubin e të korruptuarve të lartë drejtorë që vijnë direkt nga agjensitë e korrupsionit-të njëjtën racë që thotë nuk e lejon të jetë edhe drejtor edhe në Asamble, i bën ministra. Duke u tallur kështu hapur me të gjithë strukturën drejtuese të PS, që rrinin e shihnin si guakë të mrekulluar.

    Për ta kuptuar diferencën mes Ramës dhe një kreu qeverie të një vendi europian, parafytyroni për një çast se ç’do të kishte bërë në kushtet e tij ai/ajo kryeministër. Pra, nëse një grup deputëtësh dhe një grup ministrash do t’i kishte në paraburgim apo në burg për korrupsion. Asnjë Kryeministër europian nuk do të ishte në detyrë, edhe pa e rrëzuar zemërata popullore, do e largonte etika politike, personale apo e krishterë. Aq më pak do të dilte një kryeministër europian të përbetohej se partia e tij do ishte në pushtet 100 vjet, pavarësisht korrupsionit real apo të perceptuar, pavarësisht zhbërjes së gjysmës së kabinetit.

    Çka Rama bën sikur nuk kupton është rregulli i pashkruar, por logjik se, politikani që vjen në pushet me grupin bie bashkë me të; nëse ndodh e kundërta që grupi rrëzohet, për një arsye a një tjetër, kështu ndodh edhe me prijësin. Në një demokraci funksionale po flasim. Në të kundërt jemi në rastin e Enver Hoxhës kur ‘i pushkatohej’ apo ‘vetëvritej’ gjithë kupola udhëheqëse, por Partia dhe Udheheqesi vazhdonin te patundur rrugën drejt ‘vazhdimësisë’.

    Një rast i tillë është korruptimi më i thellë i sistemit politik, i garës, llogaridhënies, qeverisjes. Prandaj Asambleja e PS nuk i ngjante një kongresi që shpall zgjedhjet për superstrukturën partiake, apo bënte korrektime qeveritare, por një përbetimi të korruptuarish. Hutimi dhe sikleti në fytyrën e Elisës nuk është shenja se ka disidencë në kupolën e korrupsionit. Jo, se korruptimi është kaq i thellë, sa me veglat e tij duhen luftuar edhe ata që sollën një pjesë të instrumenteve për të zbutur korruptimin: amerikanët.

    Të cilët, edhe ata, guakë të heshtur si asamblistët e PS, rrinë e vështrojnë.

  • Si të zgjasësh jetën duke ngrënë (mirë), biologu: «5 rregullat që më kanë bërë 30 vjet më të ri»

    Si të zgjasësh jetën duke ngrënë (mirë), biologu: «5 rregullat që më kanë bërë 30 vjet më të ri»

    Janë pesë ushqime që duhen eliminuar nga çdo dietë, sipas biologut David Sinclair, studiues i famshëm i Harvardit. Duke vepruar kështu, “e vonova moshën time biologjike me 30 vjet”. Sipas studiuesit të njohur, pika e referimi në fushën e të ushqyerit, është qëndrimi larg pesë kategorive specifike, që janë çdo ditë protagoniste në tavolinë për shumë njerëz. Një recetë jetëgjatësie, thotë ai, padyshim e kombinuar me një mënyrë jetese të shëndetshme.

    “Armiku më i keq”

    Sipas ekspertit, sheqeri është armiku më i madh i një jete të gjatë dhe të shëndetshme. Ai thekson se konsumimi i sheqerit dhe fruktozës përshpejton plakjen dhe rrit rrezikun e sëmundjeve kronike. Ky afirmim mbështetet nga studime që tregojnë se si sheqeri kontribuon në glikimin e proteinave, duke kompromentuar funksionin qelizor.

    Për të shmangur sheqerin, Sinclair i jep përparësi ushqimeve natyrale, të papërpunuara, duke preferuar ëmbëltuesit natyralë me moderim dhe duke shmangur pijet me sheqer dhe lëngjet e përpunuara.

    Ushqime që rrisin sëmundjet e zemrës

    Karbohidratet e rafinuara, si ato që gjenden në bukën e bardhë apo krakersat e ndryshëm, kanë një efekt të ngjashëm në trup si sheqeri. Rrisin me shpejtësi nivelet e glukozës në gjak, gjë që mund të shkaktojë rritje të insulinës dhe të ndihmojë në përshpejtimin e plakjes. Disa studime kanë zbuluar se dietat e pasura me karbohidrate të rafinuara lidhen me një rrezik në rritje të sëmundjeve të zemrës dhe diabetit të tipit 2.

    Ushqime të tjera që duhen shmangur

    Reduktimi i ndjeshëm i konsumit të mishit dhe produkteve të qumështit është një tjetër shtyllë e dietës së këtij eksperti. Ai përqëndrohet në ushqimet me bazë bimore, duke pasur parasysh se proteinat me bazë bimore stimulojnë gjenet si sirtuinat, të cilat nxisin jetëgjatësinë. Në vend të proteinave shtazore, përfshi në dietën tënde më shumë bishtajore, arra, fara dhe burime proteinash bimore si tofu, tempeh dhe quinoa.

    Kur flitet për konsumimin e mishit të kuq, disa studime kanë sugjeruar një lidhje midis këtyre ushqimeve dhe një rreziku në rritje të sëmundjeve kronike. Për shembull, një studim i botuar në International Journal of Epidemiology – Revista Ndërkombëtare e Epidemiologjisë tregon se konsumi i lartë i mishit të kuq shoqërohet me një rrezik të shtuar të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, përfshi sëmundjet kardiovaskulare dhe kancerin.

    Sa i përket produkteve të qumështit, një studim i botuar në Journal of American Medical Association – Gazeta e Shoqatës Mjekësore Amerikane, ka zbuluar se konsumi i lartë i produkteve të qumështit mund të lidhet me një rrezik të shtuar të disa lloje kanceri, ndoshta për shkak të hormoneve dhe faktorëve të rritjes që gjenden në këto produkte .

    Jo konservuesve dhe alkoolit të tepërt

    Biologu rekomandon edhe shmangien e ushqimeve ultra të përpunuara dhe të atyre që përmbajnë konservues dhe aromatizues artificialë. Këta komponentë mund të ndikojnë negativisht në shëndetin dhe të përshpejtojnë mplakjen.

    Për të, është thelbësore t’i jepet përparësi opsioneve natyrale dhe minimalisht të përpunuara, të lexoni etiketat për të shmangur produktet me lista të gjata përbërësish të panjohur dhe të zgjedhësh ushqime të freskëta e të bëra në shtëpi.

    Një kujdes të veçantë nga konsumimi i tepërt i alkoolit. Edhe pse vera e kuqe përmban resveratrol, një përbërës i dobishëm për shëndetin, konsumimi i tepërt i alkoolit është i dëmshëm. Kjo është edhe arsyeja pse rekomandohet moderim në konsumimin e alkoolit dhe, nëse është e mundur, zgjidh pije joalkoolike. Nëse vendos të pish, eksperti sugjeron verëra të pasura me resveratrol si vera e kuqe dhe këshillon alternativa të shëndetshme si çajrat bimorë dhe ujin me shije frutash.

  • Dieta e kosit, si të biesh 10 kilogramë në dy javë. Studimi: “Femrat humbasin 81% të yndyrës në zonën e barkut”

    Dieta e kosit, si të biesh 10 kilogramë në dy javë. Studimi: “Femrat humbasin 81% të yndyrës në zonën e barkut”

    Dieta e kosit po tërheq vëmendjen e shumë njerëzve ditëve të sotme. Ata që përdorin këtë plan ushqimor mund të humbasin peshë shpejt, madje deri në 10 kilogramë në dy javë. Por si funksionon? Studimet shkencore kanë treguar se një vakt i pasur me proteina ju bën më aktiv dhe djeg kalori më shpejt. Plus, adhuruesit e kosit ndihen të ngopur më shpejt dhe më gjatë.

    Dieta e kosit: përfitimet

    Kosi është veçanërisht i varfër me yndyrna, por i pasur me proteina të vlefshme. Për më tepër, thuhet se kalciumi që përmban kosi ka edhe një efekt pozitiv në djegien e yndyrës. Kjo parandalon që trupi të prodhojë shumë insulinë, hormoni që bën të shëndoshesh. Efekti nuk është i parëndësishëm: Sipas një studimi, gratë që përfshijnë kos në dietën e tyre humbasin deri në 81% më shumë yndyrë në bark.

    Si funksionon dieta

    Menuja e kësaj diete kombinon kosin me ushqimet me pak karbohidrate për çdo vakt. Për mëngjes, për shembull, është i përshtatshëm kosi natyral me muesli hiperkalorik, me pak sheqer ose mollë të prera. Nëse ndiqni një dietë vegane, mund të përdorësh edhe kos soje.

    Për drekë, për shembull, mund të hash një sallatë makaronash me peshk, të cilën mund ta servirësh me majonezë me bazë kosi, ose me një sallatë të shijshme kastraveci me salcë kosi. Një kos me pak yndyrë, ose një ushqim i papërpunuar me salcë kosi në mes të ditës do t’ju mbushë dhe do të ta plotësojë kohën deri në darkë.

    Për darkë mund të hash perime të pjekura me kuskus dhe salcë kosi me hudhër. Është e rëndësishme, si në çdo dietë, të kombinosh ushtrimet fizike dhe të kërkosh këshilla nga një nutricionist.

    Një shembull i vakteve

    Dita 1
    Sapo zgjohesh: një gotë ujë të ngrohtë

    Mëngjesi: çaj pa sheqer, 300 g kos me pak yndyrë

    Dreka: supë vegjetale, 300 g kos me pak yndyrë

    Mesdite: 300 gr kos me pak yndyrë, çaj pa sheqer, 1 frut

    Darka: supe vegjetale, 300 g kos me pak yndyrë

    Para gjumit: kamomil pa sheqer, 3 kumbulla të thata

    Dita 2
    Sapo zgjohesh: një gotë me ujë natyral

    Mëngjesi: çaj i hidhur, 300 gr kos me pak yndyrë me 2 lugë drithëra

    Dreka: supë vegjetale, 300 gr kos me pak yndyrë, 1 frut

    Mesdite: 300 gr kos me pak yndyrë, çaj pa sheqer, 1 frut

    Darka: 200 gr peshk i pjekur, sallatë jeshile me 1 lugë vaj ulliri, lëngje frutash të ndryshme pa sheqer, 1 panine integrale

    Para gjumit: kamomil pa sheqer, 3 kumbulla të thata.

    Përgatiti për gazetatjeter.net Elvisa Mitrovica

  • Elisa e Skënderbeut kryeparlamentare, Balla ikën si ministër i Brendshëm,

    Elisa e Skënderbeut kryeparlamentare, Balla ikën si ministër i Brendshëm,

    Në më pak se një vit Rama ka prerë kokën e Taulant Ballës duke e eleminuar nga posti i rëndësishëm i ministrit të Brendshëm, duke e degraduar në postin e ministrit të Shtetit për marrëdhënien me Parlamentin. Këtë të fundit e mbante Elisa Spiropali e cila do te jete kryetarja e re e Parlamentit, që është shpërblyer për besnikëri të thjellë ndaj Skënderbeut, fjalimet e të cilit në OKB e kanë mbushur vendin me turistë të huaj. “Eh mor Pandi (Majko) na u rritën fëmijët” e komentoi Rama lajmin e gradimit të saj.

    Ndërkohë surprizë dhe mister qe njoftimi që degradonte Tulant Ballën. Ai që në Ministrinë e Brendshme pritet të zëvendësohet nga, Ervin Hoxha (shiko skedën poshtë), nuk e priste aspap këtë ndëshkim.

    Ndonëse nuk e shfaqi në intervistën që dha pas lajmit, as Niko Peleshi nuk e ka dashur largimin nga Ministër i Mbrojtjes për t’i lënë vendim, Pirro Vengut (shiko skedën poshtë). Niko Peleshi tani do të drejtojë grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ndërsa Bledi Çuçi që drejtonte atë deri më sot, do të jetë nenkryetari i Kuvendit, duke zëvëndësuar Ermonela Felaj.

    Po ashtu, Ervin Mete pas një kohe të shkurtër qëndrimi, ikën nga Ministria e Financave, post të cilin do ta marrë Petrit Malaj (shiko skedën poshtë).

    Edi Rama i shpalli këto ndryshime krejt në fund të fjalës së tij të gjatë përpara kongresit të Partisë Socialiste, pa asnjë diskutim me këtë forum, për ata që do të ikin, apo për të thyer anonimitetin e atyre që do të ngrihen. Mënyra sesi ai bëri shpalljen hodhi poshtë  predikimin e gjatë për platformën e prezantuar “deputeti që duam”, e cila ftonte socialistët e thjeshtë për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes.

    Menjëherë sapo mbaroi fjalimin ku shpalli ndryshime në kabinetin qeveritar, kryeministri u pa të shkojë në ambientet e Presidencës, aty ku Kreu i Shtetit e priste me besnikëri më këtë të dielë pushimi.

    Bajram Begaj ka marrë menjëherë në dorë propozimet që pritet ti dekretojë së shpejti.

    NDRYSHIMET NE QEVERINE RAMA

    Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla
    (pa prezantim)

    Ministër i Brendshëm, Ervin Hoxha
    Ervin Hoxha ka pasur një karrierrë të gjatë postesh të niveli të dytë:Drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Shef i Njësisë Kombëtare Europol, Shef i Zyrës Qëndrore Kombëtare Interpol, Drejtor i Policisë Rrugore, Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe mBashkëpunëtorëve të Drejtësisë, Drejtor i Hetimit Tatimor dhe Pastrimit të Parave, Zv. Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Së fundmi mbante postin e drejtorit të Përgjithshem të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

    Minister i Financave, Petrit Malaj
    Petrit Malaj ka qenë drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Burimeve Natyrore (AKBN) që në janar të vitit 2024. Specializimi i tij “Banking and Finance”. Më parë ka punuar si Drejtor Ekzekutiv në kompaninë “BDO Internationa’.

    Ministër i Mbrojtjes, Pirro Vëngu
    Pirro Vengu ka qenë drejtori i Antikorrupsionit në Kryeministri, ish shefi iu kabinetit në ministrinë e Jashtme kur e drejtonte Ditmir Bushatit dhe në fund Drejtor i Portit të Durrësit.

  • Prapaskenat e Kongresit, ylli i Belës në ngjitje, kandili i Veliajt po fiket

    Prapaskenat e Kongresit, ylli i Belës në ngjitje, kandili i Veliajt po fiket

    Belinda Balluku qëndroi në hije gjatë orëve të axhendës zyrtare të Kongresit. As e mori fjalën, as ia përmendi njeri emrin në recitimet e gjata patetike. U duk sikur dalja në një video promovuese do të ishte i vetmi vend që i kishin rezervuar në kongres. Por kur Rama zbuloi emrat e ministrave të rinj, emri i “Belës” nisi të lakohej gjithnjë e më i zëshëm në gumëzhimën e delgatëve në hollin e pallatit të Kongreseve.

    Sapo e panë, kolegët e rrethuan Belën me romuze dhe të qeshura (foto poshtë). Ata ishin të parët që e kishin nuhatur atë që kishte ndodhur. Zv.kryeministrja kishte qenë protagoniste e dorës së parë në kongres.

    Pirro Vengu dhe Petrit Malaj, dy vartës të Belinda Ballukut në ministri, njëri si drejtor i Portit të Durrësit dhe tjetri në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore sapo ishin katapultuar ministra, respektivisht tek Mbrojtja dhe tek Financat.

    I treti, Ervin Hoxha edhe ky me lidhje të tërthorta me Ballukun, sapo kishte marrë postin e Taulant Ballës.

    Kuptohet se para kongresit, Rama ia kishte vënë veshin sugjerimeve të Belinda Ballukut për emërimet në qeveri.

    Pozicioni i privilegjuar si gruaja që i pëshpërit në vesh Edi Ramës e bën Ballukun de facto numrin dy të mazhorancës qeverisëse. Asnjë krahasim me ministra apo deputetë të tjerë që presin në ankth çfarë do të ndodhë në kongres, pa e ditur nëse fjalimi i kryetarit do t’i rrokullisë në të tatëpjetë, apo do të shtangen nga ndonjë emërim surprizë në qeveri.

    Dikur në onturazhin e Edi Ramës, pozicioni i kanakarit ishte një ekskluzivitet i Erjon Veliajt (personi që duket në cepin e majtë, lart në foton më sipër).

    Disa nga njohjet e tij të hershme janë ende në qeveri, apo në role drejtuese të Partisë Socialiste. Të tjerë e kanë të freskët në memorie karrierën e ndërprerë për shkak të armiqësisë që kanë pasur me të.

    Vetëm se tani, për ish-delfinin e preferuar të Ramës fryn një erë tjetër.

    “Lali Eri” është në qendër të një fortune me drejtësinë që lidhet me aferën e kompanisë “5D” të drejtorëve të tij. I vënë nën hetim pasuror nga SPAK, me miqtë më të mirë që dergjen në qeli për vjedhje ulëritëse dhe me një mandat të fundit në bashki që sa vjen e shkurtohet, batutat e Ramës tingëllojnë dyfish therëse.

    Kësaj radhe në kongres, ia përmendi emrin Veliajt si asociim me varrmihësit e Sharrës dhe të Tufinës, kur ironizoi Pandeli Majkon se se “është mik me Lali Erin dhe i gjen varret aty ku do”. Është e disata herë, që Rama nuk nxjerr nga goja ndonjë fjalë të mirë për kandilin tashmë në fikje të Erion Veliajt.