Blog

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Kongresi, gjyshja e gjysh Ramës dhe gjyshja e Elenës…

    Nga Basir ÇOLLAKU – Kongresi, gjyshja e gjysh Ramës dhe gjyshja e Elenës…

    Gjendur cullak e gafil, i lajthitur pa kthim, kristal i kokainosur, hundëfërkuar nga vesi, me një qeveri të pandehur drejt burgosjes një pas një, njeriu i lidhjeve të zeza, mbajti sot kongresin e dëshpërimit dhe humnerizimit të Shqipërisë. Eshtë ai, Edi Rama, ky kriminalizues i shoqërisë, asgjësues i ndarjes së pushteteve, gatues i eksodit shfarosës të qytetarëve, kthimit të vendit në një azil fatkeq.

    Do rrimë në pushtet 100 vjet thotë ai. Kush na ndalon? Përse? Sepse ai vret!? Ka grupe vrasësish e trafikantësh në stafet elektorale të fjetur nëpër dosjet e SPAK! Ai po thotë se askush ju prek. Vazhdoni serinë tjetër. Policë, prokurorë e gjyqtarë, në çeta krimi, u siguruan. Të tjerët morën mesazhin të ulin kokën. Miliardat e karteleve vendosin. U premtoi se nuk e shkel dot kontratën. Sepse

    Dhe kjo është dëshmi kapitullimi të drejtësisë. Asaj demek të resë. E ngordhur përballë bandës së madias. Ata nuk e marrin dot të pandehur, e ta dërgojnë në qeli atë dhe ekipin e tij më hajdutin, më trafikantin, kanibalin më ligj-ngrënës, të kontinentit dhe jo vetëm

    Shqiptarët kanë emergjencë kombëtare largimin dhe izolimin e Ramës. Me çdo mjet lejues dhe rekomandues të demokracisë, kur kjo e fundit ka detyrim mbrojtjen e ekzistencës.

    Ai nuk tha do shkoj të dëshmoj në SPAK

    Do tregoj për Charlin e FBI

    Nusretin e Portit të Durrësit

    Coldean e kokainës së Meksikës

    Vëlla Olsin e kokainës së Xibrakës

    Për Eco Parkun ku ai gjendet familjarisht dhe firmëtar e përfitues

    Investitorët strategjikë të Krimit të Organizuar. E mjaft batërdi penale.

    Duket se Rama ka thelluar krizën duke larguar grupet e brendëshme të presionit. Asgjësues forumesh vendos personalisht. Ikja e Nikollës është edhe një shenjë e mosdërgimit në Kushtetuese të mandatit të Xhaçkës. Atë që USA e kërkonte me ngulm. Kujtojmë vizitën në Kushtetuese të të ngarkuarit me punë të Ambasadës kur u mor vendimi. Gjendur mes presionit amerikan për të vepruar e atij ramist për të mos vepruar kryetarja e Kuvendit u sëmur me dorëheqje. Dërgimi i Spiropalit zëvëndësuese është radikalizim i mosveprimeve Balla është largim i imponuar nga dosjet në SPAK. Financat kanë rënë nga mosbindja ndaj orekseve të porositura, e mbrojtja nga mëkatet penale. Ministrat e mësojnë largimin dhe emërimet publikisht, të shpërfillur shëmtuar. Veliaj dhe Balla u thartuan e mpinë nga ndodhitë duke u ndier të goditur. Një episod ai nënkontekstoi Veliajn kur tha kush ka përballje me SPAK në këtë sallë, adresa është atje. Rama sjell në qeveri profile periferike, drejtorë të bindur, për të rritur nënshtrimin. Ramës Nga gjyshja e gjysh Ramës te gjyshja e Elenës, një tallje vertikale për dashurinë e verbuar popullore. Një sjellje ushtarake e një kongresi për të dëgjuar tre rreshta njoftim për ndryshime qeveritare. Por nuk tha përse ikjet ndodhën. Histori gjyshesh të një gjyshi të lodhur në politikë. Duket se nuk e mundi denoncimin e ish-ministrit.

    A ka gjasa të ketë rrjedhje votash në Parlament?! Pazaret janë rënduar !! Hajdutëve e milionerëve nuk u kërcet për unitetin!!

  • Kongresi i sikterisjes së Lali Erit si punëtor komunalje

    Kongresi i sikterisjes së Lali Erit si punëtor komunalje

    Dikur Erion Veliaj ishte një ndër njerëzit më të afërt të Edi Ramës, njeriu që dinte se çfarë do të nodhte në parti e qeveri para se ato të ndodhin, kjo për faktin se Edi Rama e kishte të preferuarin e tij.

    E mori nga rruga dhe i dha pushtet të jashtëzakonshëm në PS. Por Lali i Eri mesa duket u tregua i paduruar. Filloi të krijojë rreth, ose struktura paralele në parti dhe filloi të ngrejë sekma vjedhje ekskluzive të tijat për të krijuar pushtet ekonomik, të cilin së bashku me atë njerëzor do ta përdorte në momentin më të para që ta shihte të mundur kundër Edi Ramës për t’i marrë partinë.

    E tillë ishte afrimiteti i Veliajt me Fatmir Xhafajn dhe me Taulant Ballën, si edhe guximi për të krijuar skemat e tij të vjedhjes, disa fish më të përparuara se ato të Ramës, si afera “5D”. Veliaj kraha investimit në njerëz brenda PS, skemave 100% të vjedhjes duket se nuk la pas dorë as kapjen e njerëzve të drjetesisë, ndoshta jo në nivel sa Rama, por edhe ai arriti të ketë njerëzit e tij në drejtesi aq sa t’i shtyhet sa të mundet vënia para përgjegjësisë, kjo edhe kundër vullnetit të Ramës.

    Veliaj nuk ka lënë gur pa lëvizur edhe nga miqtë e përbashkët ndërkombëtar që ka patur me Ramën duke u kërkuar të ndikojnë sa të munden në gjetjen e një ujdie. Mirëpo Erion Veliaj, ndërkohë që bëhej gati t’i zërë vendin Ramës, ka harruar se në çfarë partie bën pjesë.

    Në një parti që ka patur në gjithë historinë e saj mbi 70 vjeçare vetëm një përson, pari e njëshit, dhe cilido që ka guxuar të bëjë lojëra të rrezikshme siç tentoi Lali Eri ka përfunduar në rrugë.

    E ky duket se ishte edhe qëllimi i kongresit të sotëm të Rilindjes, ku Edi Rama shkarkoi nga detyra njeriu i cili pati filluar të besojë së mund t’ia dalin së bashku me Lali Erin për t’i bërë komplot Ramës, ky njeri është Taulant Balla.

    Shkarkimi i tij i beftë dhe pa dhënë asnjë shpjegim nga ana e Ramës tregon se kreu i organizatës së Rilindjes i ka dëgjuar tashmë me veshët e tij bisedat e Lali Erit dhe Taulantit në Sky-Encro (telefona specialë) për komplotin ndaj Ramës.

    Sot Rama komunikoi ndryshimet në qeverinë e tij dhe të gjithë u habitën nga lëvizja e Taulant Ballës, përveç Veliajt, ai nuk u habit, por u tmerrua kur dëgjoi emrin. Kjo për faktin se ai di arsyen e shkarkimit të Taulantit.

    Dhe në po të njëjtin fjalim që njoftoi shkarkimin e shokut të Erionit, Rama nuk la pa i çuar një mesazh të drejtpërdrejtë edhe atij vetë.

    Në të vetmen herë që e përmendi e trajtoi si punëtor komunalje që merret me pjesën e varrmihësve dhe që do t’i tregonte Pandi Majkos adresat e njerëzve që largohen nga kjo botë.

    “Pandeli Majko është i pavdekshëm, gjithmonë e kemi këtu. E kemi si dëshmitar për të gjitha ngjarjet. Kush e di se sa do ketë përcjellë Pandi në Sharrë e Tufinë se është mik me lali Erin dhe ia gjen varret aty ku do”, u shpreh Rama.

    Përmendja e Pandit si i pavdekshëm dhe trajtimi i Erionit si guidë varrezash e pezmatoi Veliajn, i cili ditët e findit pati menduar se u fal dhe nisi të aktivizohet më shumë publikisht dhe të tregojë një farë karshillëku ndaj rivalëve të vet brenda organizatës së Rilindjes, sikur donte t’u mburrjes se, ja ç’më bëri Rama, asgjë.

    Pas këtij kongresi Lali Eri do duhet t’i lutet Ramës që ta caktojë cicëron vetëm të njëra prej varrezave, sepse Sharra dhe Tufina janë edhe larg nga njëra-tjetra dhe bëhet telef sa në një cep të Tiranës në tjetrin për t’i treguar Pandit të pavdekshëm të vdekurit.

    Kongresi i sotëm i Rilindjes mund të quhet fare mirë edhe “Kongresi i sikterisjes së Lali Erit”.

  • Nga Andi BUSHATI – Ndryshimet e ministrave, si përdhosje e kongresit

    Edi Rama mund ta zgjonte nga gjumi Bajaram Begajn gjatë çdo lloj të diele të zakonshme, për t’i dorëzuar dekretet për ministrat e rinj.

    Ai mund të ishte treguar më i kujdesshëm me Niko Peleshin, i cili megjithëatë, nxitoi të shpallte se ndihej i lumtur që nuk qe konsultuar as për trajektoren e fatit të vet.

    Ai mund të kish zgjedhur foltoren e kryeministrisë për të shpallur ata që do degradonte apo do largonte nga kabineti dhe të rinjtë që do propozonte aty. Por ai preferoi t’a bëjë pikërisht gjatë kongresit të PS-së, të cilit i’a kishte ndryshuar disa herë datën në funksion të kapriçove të çarterit të vet.

    Fakti që kryeministri zgjodhi këtë formë për të shpallur “surprizat e reja”, nuk është, as i rastësishëm, as i pafajshëm. Mesazhi qe i qartë: kongresi si forumi më i lartë i PS, nuk është asgjë tjetër veçse një vegël në shërbim të gjithëpushtetshmërisë së vet.

    Në të vërtetë, i gjithë show-u i kësaj të diele fundkorriku ishte konceptuar si i tillë, si një himn për madhështinë e prijësit që vendos i vetëm. Kjo u pa në performancën e turpshme të students Helenë, që lexoi fjalimin e parapërgatitur me fabulën e gjyshes së saj, që bënte be për udhëheqësin dhe besonte symbyllur se premtimet e tij do realizoheshin. Ajo u duk në venerimin që ministrja e negociatave tregoi për kohën e lavdishme të bashkisë, kur i kish ndritur fati për të punuar me liderin e ardhshëm. Ajo vezëlloi me emfazën e ministres së fëmijëve, që këtë herë e shprehu përdëllimin e saj pa gafa të dukshme. Ajo shpërtheu me frazat e Mamicës të cilat qenë dëshmia më e qartë se servilizmi dhe lëpirja shpërblehen një ditë.

    Të gjitha ato që u thanë me fjalë në tribune, për pushtetin absolut të një njeriu të vetëm, u konkretizuan edhe me mënyrën pa dinjitet sesi ai i serviri kongresit tekat e tij për qeverinë. Askush nuk e mori vesh për çfarë arsyeje iku Taulant Balla nga ministër i Brendëshëm. A kish punuar mirë, apo keq? A i shërben më shumë partisë si polic, apo si roje i deputetëve? Në fund të fundit, se çfarë bëri ai në gati një vit në krye të njërit prej dikastereve më të rëndësishme?

    Po në më pak se dhjetë muaj, cili qe impakti i Ervin Metes te Financat? A ishin të vërteta aludimet se ai nuk hidhte firmat për çdo fantazi të çartur me synime grabitqare?

    A meritonte një diskutim forumi më i lartë i PS-së për ndryshimet në ministritë më të rëndësishme si Rendi, Financat dhe Mbrojtja? A mundej dikush të kishte ndonjë propozim më të mirë sesa të panjohurit nga publiku i gjërë: Ervin Hoxha, Petrit Malaj apo Piro Vengu?

    Natyrisht, le të mos bëhemi naivë. Asnjeri nuk mund të priste nga Rama të konsultohej me të tjerë, se kë zgjedh ushtarë apo sejmenë për veten e tij. Këtu ai është koherent dhe na ka mësuar prej kohësh me këtë personalizim të skajshëm.

    Por ajo që pritej, qe që së paku ai të tregonte më tepër skrupuj formalë dhe mos ta mblidhte forumin më të lartë të partisë, thjeshtë si sfond me ngjyra, ku shpall fermanet e veta.

    Begajn mund ta zgjonte kur të donte, vendin mund ta zgjidhte si të kishte qejf, po Rama kongresit mund ti’a shmangte këtë përdhosje. Jo për gjë, por sepse ajo që duket si një sjellje koherente, në këtë rast pillte një kontradiktë dhe një paradoks të madh.

    Shefi dhe ministrat e tij folën gjatë me fjalë për pratformën « deputeti që duam ». Ata i bënë thirrje militantëve që të zgjidhnin vetë përfaqësuesit e tyre, të ishin aktivë, të bënin propozime, të mobilizonin dhe të tjerët, për të pasur më shumë zë në vendimmarrje.

    Po pyetja bëhet : ç‘kuptim ka të propogandosh të tilla pallavra, kur në fund jep mesazhin e fortë se vendimet merren unilateralisht nga lart dhe pa konsultim me askënd ?

    Ç’do mendje normale këtu do të kapte një kontradiktë mes asaj që thuhet dhe asaj që bëhet.

    Por as kjo, ndoshta, nuk ka qenë një rastësi. Profile të shumta autokratësh apo diktatorësh, në kohë dhe hapsira të ndryshme, tregojnë se pas nënshtrimit ata kanë kënaqësinë perverse t’i tallin turmat që i’u këndojnë hosana. Me gjasë kjo ka ndodhur në atë sallë pallati kongresesh, të ideuar që në gjenezë për shfaqe të tilla, ku nga njëra ana shefi i ftonte pjesmarrësist të ishin aktivë e të jepnin mendime dhe nga ana tjetër i trajtonte si kukulla që thjesht aprovonin vendimet e marra.

  • Nga Luçiano BOÇI – El Chapo, El Mayo dhe El Rama

    Lajmi për kapjen e El Mayo-s pushtoi mediat e botës dhe bëri xhiron e rrjeteve sociale.

    Bashkëpunëtori i El Chapo-s u arrestua nëpërmjet një komploti të brendshëm të paimagjinuar, por akoma në kufijtë e misterit. Djali i El Chapo-s e dorëzoi në pjatë të argjendtë.

    Nuk është as rasti i parë dhe as i fundit në morinë e përplasjeve të gorrillave të narkotrafikut.

    El Chapo dhe El Mayo prej gati 30 vitesh drejtuan një nga kartelet më të egra të narko-trafikut, Sinaloas dhe ishin një shtet brenda shtetit, pa hezituar të vendosnin ose të prisnin në mes fate politike e fate politikanësh të vendit.

    Tentakulat e këtij karteli kanë arritur deri në tokën e shqipeve në zemër të ballkanit.

    Sinaloasit e famshmëm nëpërmjet lidhjeve të tyre depërtuan lehtë në sferat e larta të biznesit e politikës shqiptare, duke futur kollaj në thesin e tyre dhe aventurierin e thekur të Shqipërisë problematike, Ramën.

    Shqipëria u pa nga ato si një vend i përshtatshëm për të pastruar para dhe për të ngulur më pas aty një pikë referuese të perandorisë së tyre.

    Rekomandimin ia dha me siguri oficeri i shërbimeve sekrete rumune Coldea, i cili jo rastësisht ishte dhe këshilltar i Ramës.

    Vetë Rama në bindjen e tij vazhdon të ecë me parimin se zhvillimi i vendit bëhet me para droge e pastrimi parash. Këtë ai nuk e ka fshehur asnjëherë dhe madje ka mbajtur vetë ndezur iniciativën për ta shndërruar qeverisjen në një ndërrmarrje gjigande narko-trafiku dhe pastrimi pa limit të parasë.

    Sipas rrëfimeve të zv/kryeministrit këtë iniciativë ai e shndërroi në politikë qeverisëse, pas së cilës Shqipëria hyri në epokën e barit.

    Rama vetë kaloi në fazën e Felix Gallardos (ish shefi i El Chapos dhe El Mayo-s) i cili fillimisht e nisi karrierën me hashashin me kartelin e Guadalajarës që u shndërrua më vonë në atë të Sinaloas.

    Rama me ndërgjegje nën veladonin e politikës u shndërrua hap pas hapi në një menaxhues minikartelesh e organizatash kriminale, të cilave u dha akses absolut në kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve.

    Fiks si Feliks i cili u bë tutori i gjithë karteleve meksikane, duke vendosur paqen dhe bashkëpunimin midis tyre për trafikun e kokainës, por dhe një tutor politik që përcaktonte fituesit e garave politike. E jo vetëm kaq. U shndërrua në një korruptes të talentuar të personazheve të rëndësishme politike e sferave të sigurisë.

    Jo më kot në disa korridore diplomatike disa nga miqtë e tij të veseve e thërrasin me përkëdheli Felix.

    Pas kësaj Rama, korruptuesi i FBI-së, dhe grabitësi kriminal i zgjedhjeve, i krijoi kushte këtyre organizatave, përfshi dhe Sinaloan, që paratë e tyre të qarkullonin e pastroheshin lehtësisht në ndërtim e banka.

    Kushti ishte këmbimi me pushtetin e vazhdueshëm politik.

    Kjo është dhe faza e fundit, ajo e El Rama.

    Është faza pas së cilës vjen domosdoshmërisht rrëzimi.

    DEA e cila ka seli vetëm në vendet narko-trafikuese e njeh mirë rolin e Ramës në historinë e trishtë me pamje karteli të vendit.

    Dita për të vepruar është pjekur dhe El Rama i ka ndërtuar vetë vetes fatin e El Mayo-s.

    Sado të spërdridhet e të fshihet pas pushtetit dita po vjen.

  • Nga Lutfi DERVISHI – PS kërkon mandat të katërt?! Po pse?!

    Nga Lutfi DERVISHI – PS kërkon mandat të katërt?! Po pse?!

    Një parti kërkon pushtet për të realizuar premtimet veta. Por në kushtet që PS i ka përmbushur të gjitha premtimet nuk kuptohet pse kërkon votën e shqiptarëve më 2025.

    Premtimet e bëra publik para 11 vjetëve më 2013 janë realizuar plotësisht.

    Premtoi ujë të pijshmë 24 orë dhe askush nuk ankohet sot për mungesë uji.

    Premtoi ujë për vaditje dhe arat po përmbyten edhe në korrik.

    Premtoi legalizimet dhe nuk ka më asnjë pronë të palegalizuar

    Premtoi shëndetësi falas dhe nuk ka shqiptar që nuk e ka shijuar shëndetësinë falas.

    Premtoi sistem hekurudhor modern dhe udhët e hekurta përshkojnë Shqipërinë nga Veriu në Jug dhe nga Lindja në Perëndim.

    Premtoi trajtimin e plehrave dhe çdo gjë funksionon për mrekulli, përjashtim bën vetëm Vlora!

    Premtoi rritje të pensioneve dhe çdo pensionist e ka ndjerë në kurriz çfarë do të thotë rritje pensioni.

    Premtoi luftë ndaj korrupsionit dhe sot korrupsionin e gjen vetëm në libra dhe filma.

    Premtoi subvencione për fermerët dhe nuk ka mbetur fermer pa u subvencionuar.

    Premtoi luftë ndaj monopoleve dhe sot nuk ka asnje monopol!

    Duke qenë se vendi nuk ka më asnjë problem çfarë do të bej PS në mandatin e katërt?

  • Nga Alfred LELA – Lista të hapura, interesa të mbyllura

    Nga Alfred LELA – Lista të hapura, interesa të mbyllura

    Me votimin e një minipakete zgjedhore të premten në mbrëmje, që i hap rrugën votës së shqiptarëve jashtë atdheut dhe zhduk herësin, janë përmbyllur edhe tre vendime kushtëzuese ndaj Parlamentit të Gjykatës Kushtetuese.

    Si gjithmonë nuk bie në sy ajo që është egalitare (e barazisë), por kërkohen medoemos gjurmë të pabarazisë (hendeku i saj shet mirë). Nganjëherë edhe me zor e shtërzime. Kësaj here u gjetën te listat e hapura/të mbyllura. Edhe në këtë rast minipaketa zgjedhore përmbyllte një venditm të Kushtetueses që kërkonte hapje të listës së kandidatëve për deputetë në masën 2/3. Në pamje të parë, në sajë të zhurmës, duket sikur raporti është i përmbysur: 2/3 janë të mbyllura dhe ç’mbetet të hapura. Nuk është kështu, por e tillë është zhurma e krijuar, kryesisht nga aktorë të vegjël politikë, të cilët me anë të populizmit (populli t’i zgjedhë të gjithë dhe t’i zgjidhë të gjitha) shpresojnë dy gjëra.

    Së pari, të godasin opozitën e madhe, lexo Partinë Demokratike (me kryetarin në burg) dhe, së dyti, të shfaqen si të vetmit besimtarë të popullit në skenën politike. Kjo bëhet me qëllimin taktik dhe propagandistik ‘dy të mëdhenjtë janë e keqja, ne jemi shpëtimi’. Ama, nëse sheh tehun goditës të ligjërimit të tyre ai pret opozitën dhe nuk e shqetëson fare pushtetin.

    Sipas tyre është opozita që e tradhëtoi popullin, është Partia Demokratike që e shiti Reformën Zgjedhore e me radhë, pasaktësi të marinuara në keqdashësi.

    Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet e qartë në luftën për zgjedhje të lira (pa to nuk ka zgjidhje!). Ka qenë dhe mbetet e qartë në referimin e drejt rekomandimeve të OSBE-ODHIR, ku dhe vetëm ku duhet të mbëshetet Reforma Zgjedhore. E cila nuk ka ndodhur, nuk është bërë, dhe me sa duket nuk do të bëhet. Kjo sepse mazhoraca nuk e ka vullnetin. Propozimet e ekspertëve të Partisë Demokratike janë rrëzuar. Të ndeshur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, qeveria ka pranuar vetëm ato që kishin në fokus këto vendime.

    Në këto kushte, Partia Demokratike ose duhet të mos votonte për shqetësimet që i ka ngritur vetë-më së pari vota e Diasporës-duke i dhënë shansin mazhorancës që t’i thoshte Kushtetueses se nuk i kalon dot, duke treguar me gisht si pengesë opozitën.

    Në këtë rast ndoshta të njëjtët kritizerë do të qortonn sërish Partinë Demokratike. Preteksti do të ishte aty: ajo po luan lojën e qeverisë e cila, gjithashtu, nuk e do votën e Diasporës.

    Kurthi i dytë ku provohet të futet PD është ndarja shpërpjestimore e listë e hapur/ e mbyllur. Duke marrë shembull Tiranën thuhet se PD, sipas rregullit të listët së mbyllur në 1/3, do ketë 12 vende të sigurta. Matematika e heres së fundit i lejon kështu demokratëve edhe 4 vende maksimumi, nisur nga 16 mandatet e vitit 2020. Këtu ka një krizë besimi indviduale dhe shoqërore. Aktorët të palëvizur, gjendjen e ngrirë, qeverinë qibare. Ky lloj ligjërimi ndihmon mazhorancën. Detraktuesit e opozitës i njohin skandalet qeverisë, por jo edhe tkurrjen. Ata fografojnë projeksionin e tyre anti-PD, jo gjendjen e cila është zhvendsour, është likuide, ka ndryshuar.

    Në fund ajo që vërtetë krijon absurd në këtë qëndrim është fakti se i kërkohet Partisë Demokratike më shumë se ajo ka dhe mund të japë. Qeverisë, nga ana tjetër, gjithmonë më pak se sa ka mundësi dhe ajo i ka të gjitha mundësitë.

    Kështu, të pëmbysura, raportet dhe realitetet krijojnë një skizofreni politike. Gjendje të tilla gjithmonë i japin një dorë atij që ka shumë duar për të kontrolluar gjërat. Ata që kanë në dorë vetëm një gjë, ta mbajnë alarmin te qeveria, bëjnë të kundërtën.  

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Omerta! Mafia ‘Rama’ dhe koka e Ahmetaj…

    Nga Basir ÇOLLAKU – Omerta! Mafia ‘Rama’ dhe koka e Ahmetaj…

    Omerta, kodi siçilian i heshtjes. Kjo është oferta e Mafias në pushtet ndaj ish-zëvëndës kryeministrit Arben Ahmetaj, i rikthyer në një intervistë të dytë për gazetarin Çim Peka në Syri.tv të hënën e 29 korrikut. Kanë dalë binarësh. Janë tërbuar. Janë çmendur dhe tani janë gati të vrasin. Madje ultimatumi është për zëvëndësin e Kryeministrit. Edi Rama, Erion Veliaj, Belinda Balluku duket se janë shënjestrat e ministrit në arrati, akuzuar për inceneratorët dhe çështjen “Buka” Në një reagim lajmërues të intervistës Ahmetaj shprehet se i kishin thënë se do të të lëmë fëmijët jetim. Shqeto, do të të vrasim.

    Rrëfimet e azilantit tregojnë plaçkitjen e qindra milionë eurove. Inceneratorë, rindërtime nga tërmeti, investime publike, tendera, kush janë abuzuesit e miliardave financa publike. Kush janë ortakët. Si u kap dhe privatizua drejtësia me demek e re. Si mjaftonte një sms për të shkarkuar një gjyqtar dhe prokuror.

    Dëshmia e Ahmetajt, duhej të ishte dosje e madhe ndërsa SPAK ka ndenjur çuditërisht e heshtur, me shpresë se harresa do mbulojë bëmat.

    Kur në Shqipëri “Ndrangheta” e “Sinaloa” dy nga organizatat mafioze ndërkombëtare të traikut të kokainës, pastrimit të parasë, e shumë krimeve të tjera të rënda, ndër më të frikshmet në planet, kanë lidhje me njerëz të qeveri-bashkisë në Tiranë, janë përfitues e diktues punësh, atëherë kush flet bëhet shenjestër ekzekutimi.

    Ne nuk kemi Giovani Falcone dhe Paolo Borsellino dhe as Ahmetaj ende nuk është një i “penduar” si Tommaso Buscetta, për të nisur proces ndaj një binjakeje të “Cosa Nostra” e mbirë keq e mënxyrshëm në Tiranë nga ajo që Edi Rama ka ndërtuar me vendas e të huaj. Ortakëria kriminale ndërkombëtare nuk e lëshon kryeministrin se e ka në krye të pazareve të nënshkruara. Gjithë ministrat e tij janë në SPAK. Kryebashkiaku gjithashtu. Vëllai i tij Olsi i keqpërfshirë në histori në hetim trafiqesh kokaine dhe jo vetëm. Shkërmoqja nisi me Tahirin e dënuar. Kokën ministër e hodhën në qeli. Beqen e falën shpesh por ai nuk ndalej. Ahmetaj e kuptoj. Do ishte kurbani i rradhës. Jo nga pafajësia. Në lojë janë miliarda. Ish-zv kryeministri di çdo qindarkë. Ka ndarë mendjen të flasë. Kjo ka rëndësi të madhe për drejtësinë. Disa shkresa të dalë nga dijenia e tij kanë zënë lakuriq edhe Prokurorinë e Posaçme. Ajo nuk duhet të kthejë kurrizin. Lajmërimi i vrasjes është bërë publik. Autorët nuk janë anonimë. Pas Ramës, Ballukut, Veliajt, Ballës, të gjithë e dinë se ka mafiozë, trafikantë, vrasës, investitorë strategjikë, Lisi, Coldea, ose Ndrangheta Sonaloa e plot të tjera. Ata kanosën edhe Rai Tre…kur ujërat e pusetës së mafias shpërthyen në Tiranë..Deri të hënën paniku, qeveria dhe SPAK kanë kohë…

  • Nga Agron GJEKMARKAJ – Rrëfenjë e shkurtër patriotizmi të ndezur për duelin ndërmjet Gjikurisë dhe Tavos!

    Nga Agron GJEKMARKAJ – Rrëfenjë e shkurtër patriotizmi të ndezur për duelin ndërmjet Gjikurisë dhe Tavos!

    Si dy “panepirotë të ndezur” unë lezhjan me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe dhe Flamur Noka nga Novosela e Kukësit ja behem në Himarë! Medemek ne qenkemi gushëbardhë e jo gushëkuq?!

    Rrugës mu kujtua shakaja e Hilë Mosit kur tek sekretari i tij Jorgo në ministrinë e arsimit paraqitej herë njëri herë tjetri si patriot i ndezur, i flaktë, i zjarrtë dhe ai nga frika mos i merrte flakë binaja e Ministrisë i thotë Jorgos aman bëji shurrën ministrisë se do na digjet e mbesim batall.

    Një i tillë adet duhet dhe për ata që na bënë ne “panepiriotë të ndezur” megjithëse shkuam për të mbështetur shqiptarin nga Dhermiu Petro Gjikuria , ish i persekutuar politik qysh me 1945 edhe nënshtetas amerikan si kandidat i Opozitës për Bashkinë e Himarës.

    Nëse do ishte grek prapë njësoj mjafton të jetë i pa vese dhe i ndershëm.

    Se ne nuk jemi naziste që i ndajmë grekët si dikur hebrenjtë me yllin e verdhe të Davidit në krah, por shqiptar që mburremi me të drejtë për vlerat e bashkëjetesës e harmonisë për bese e bujari!

    Nashi edhe për standarde demokratike e të drejta robit!

    Në parim birinxhi po yçklat nuk kanë të sosur!

    Aferim do thotë ndonjë deri këtu!

    Petët e lakrorit hapen më vonë.

    Pas reagimeve fillova të ndihem në ankth ! Mos jemi gjë në lufte me Greqinë dhe po ndihmojmë ushtritë pushtuese ?

    Kufijtë na i rrezikon gjë? Në Nato a jemi bashkë? Qiejt tanë a i mbrojnë avionët grekë? A i kemi andej 700-800 mije shqipo që të marrin gjak në vetull me një e dy pasaporta? Mos po na marrin Himarën me buldozer dhe e çojnë në Kretë? Ndoca heronj të revolucionit a qenë arvanitas?

    Zoti nuk me la me kaq !

    Me Flamur Nokën shkuam në Borsh për të takuar një tahmaqar të punëve të kombit!

    Evlati kishte qenë patriot i madh. Na dha një leksion të mirë atdhedashurie sa mu duk vetja tradhtar në shërbim të Greqisë! Gjynah që nuk na rrahu paq , ku na dhëmb e ku na djeg! Një dajak do na bëhej mësim.

    Nga biseda me të mësova sa shumë e urreja Shqipërinë dhe sa e doja Greqinë. Unë kam mbështetur Fredi Belerin tha që është shqiptar se Beleri emër grek s’ka , por  hiqet si grek ! E kapa shpejt u distancova sapo pas fitores kënduan këngën e Spiro Milos. Aty ishte derdhur shishja , s’kishte mbajtur më.

    Po e shihja me admirim teksa mendoja nuk shprishet jo gjaku i arbrit. Ky më dukej si pasardhës i luftëtarëve legjendarë të Sopotit qe as shitej as blihej po fli ama bëhej për dhe të vet!

    Petro Gjikurinë tha nuk e mbështes se është pjesë e lobeve greke kundër Shqipërisë dhe Himarës bën pjesë tek një shoqatë. Nuk ja prisha qejfin t’i tregoja që edhe prifti Karavella qw doli në resme Kryeministri ynë kur kërkonte vaksinat faizer bën pjese në të njëjtën, madje Petrua me dore te tij u kishte bërë resmen! Madje edhe Karluço këshilltar i Trampit po aty. More  i uruar i thamë është shqiptar por edhe sikur të ishte grek se fjala grek nuk është fjalë e pistë , na ke dëgjuar tek themi jemi vëllezër, jemi gjitonë, ! Ai nëse është “grek” nga Himara vendali jo nuk e mbështes po i eksportuar  nga grekët e Dropullit po ! Himara ka luftuar kundër Osmaneve , ka nxjerrë kanun e kapedanë e meriton një bir të vetin.

    Unë jam nacionalist tha e dua vatanin do votoj Vangjel Tavon. U habitem vallahi.

    Po ay është greku i vërtetë i thamë se ka mohuar kurrë edhe pse zëvendësi i Goros në krah të tij në fshatrat e Lumit të Vlorës ka thënë të votojmë Tavon që të mos flitet me greqisht në Himarë.

    Medet, po si ta privojmë Tavon nga gjuhë e nënës?

    S’ka gjë gugati ai e ka tradhtuar Greqinë ndaj e dua, Petro shqiptari që bën lojën e grekut haram i  qoftë , Vangjo greku që bën lojën e Shqipërisë hallall i qoftë.

    Aty me linden ndoca pikëpyetje! Po si po qysh do renegatet, atdhemohuesit megjithëse se di në Tavo është i tillë?! Shumë shumë ka mohuar Ilir Metën e LSI dhe ka harruar akuzat ndaj Ramës kur ishte kandidat për deputet se nuk lejonte emigrantet të kalonin kufirin për ta votuar po kaq! Kjo është pakogjë!

    Kur pa mbaruar llafin aty ja behu vetë Vangjua me një sejmen nga pas erdhi e ngjatetoi posaçe patriotin e ngapak dhe ne të tjerëve!

    Qerratai!  Dola prej aty i berlykur. Desh ja dhashë vajit. Flamuri me tha mbahu, je axhami ne pune patriotizmi duhet të nxesh! Sevdaja për Atdhe mësohet ku nuk ta pret mendje! Si ka thëne Lame Kodra “ e dua Shqipërinë për një stan në Trebeshinë”! Ja ky është bari i interesave kombëtare dhe i këtij stani me bulmet.

    U ndjeva i pagdhendur. Tjetri pa asnjë interes për idealizëm të pastër, pa asnjë ofertë, me zë të qëruar në emër të nacionalizmit, i bër tel i skuqur nga inati për këngët kushtuar Spiro Milos të1914 e kishte bërë hasha shqiptarin Petro në emër të patriotit Shqiptar minoritarit grek Vangjel!

    Mejtova ta shkruaj këtë rrëfenjë se me la pa mend e gojë e nuk po ja gjej fillin!

    Mbase ndokush me ndihmon të kuptoj?!!

  • Akuza e Musk: “Kultura woke vrau djalin tim”

    Akuza e Musk: “Kultura woke vrau djalin tim”

    Elon Musk, i intervistuar nga Jordan Peterson i Daily Wire, nuk ka përdorur fjalë të ndërmjetme për të treguar historinë personale të njërit prej fëmijëve të tij – Xavier, i lindur nga dashuria me ish gruan e tij Justine Wilson, tani Vivian Jenna Wilson – dhe rrugën e tij të tranzicionit.

    “Kultura woke vrau djalin tim.” Dhe sërisht: “Më mashtruan, do ta shkatërroj kulturën e keqe trans”. Duke komentuar: “Është vërtet gjymtim dhe sterilizimi i fëmijëve”.

    Të shkojmë me radhë. Më 2022, i ndjeri Xavier paraqiti një kërkesë në një gjykatë të Kalifornisë për të ndryshuar emrin dhe gjininë e tij për t’u bërë Vivian Jenna. Pronari i Tesla-s thotë: “U nxita të firmos dokumente për një nga fëmijët e mi më të mëdhenj, Xavier. Këtë përpara se të kuptonim se çfarë do të ndodhte. Ishte Covid dhe kishte shumë konfuzion dhe më thanë se, nëse nuk do të kisha firmosur, Xavier mund të kryente vetëvrasje”. Musk jo vetëm u ndje i mashtruar. Intervista e tij hap siparin për të vëzhguar mbi një fenomen që është ende shumë i nënvlerësuar: sipas miliarderit, në fakt, ka të rritur që “manipulojnë fëmijët” të cilët po kalojnë një krizë identiteti “duke i bërë të besojnë se i përkasin gjinisë së gabuar”: Është mizore, bëhet fjalë për fëmijët që janë shumë nën moshën e pëlqimit. Është vërtetë gjymtim dhe sterilizim i fëmijëve”.

    Dhe çështja është pikërisht kjo: askush nuk bërtet me plot mushkëritë se bllokuesit e pubertetit janë në të vërtetë ilaçe sterilizuese. “Kështu e humba djalin tim”, reflektimi i hidhur i pronarit të X: “E quajnë ‘deadnaming’ për një arsye, që do të thotë se djali yt ka vdekur, kështu djali im Xavier ka vdekur, i vrarë nga virusi i kulturës woke. Është pabesueshmërisht mizore, ata që promovojnë trajtime të tilla terapie afirmuese të gjinisë duhet të shkojnë në burg.”

    Synimi i Musk për të luftuar cancel culture dhe ideologjisë gjinore, duke ndihmuar të gjithë ata prindër që mund të gjenden në të njëjtat kushte dramatike si ai, mund të jetë shtytja e nevojshme për të trajtuar seriozisht një tematikë që ndikon në jetën dhe mirëqenien e njerëzve. Vërtet gjymtimi dhe sterilizimi i një personi, në një fazë të jetës – në adoleshencë – e karakterizuar pikërisht nga lufta e brendshme që do të çojë në zbulimin e identitetit, është rruga e drejtë drejt lumturisë?

    Një fjalë popullore thotë “rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira”. Por, në këtë rast, qëllimet e mira duhen vënë në dyshim.

    Përgatiti për gazetatjeter.ner, Dardan MITROVICA

  • Nga Enver BYTYÇI – Kosova dhe Krimeja nuk janë e njëjta meny në të drejtën ndërkombëtare!

    Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, njihet si një nga diplomatët më të aftë të kohës së sotme. Ai në një takim me përfaqësues të organizatave joqeveritare tha se të gjitha “telashet, problemet, krizat nuk kanë të bëjnë me faktin se OKB-ja ‘nuk po e përballon’, siç thonë disa, por për faktin se “Karta e OKB-së nuk zbatohet ose, nëse zbatohet, bëhet në mënyrë të njëanshme”. “Perëndimi po shkel Kartën e OKB-së si në raport me Kosovën ashtu edhe në lidhje me Krimenë”, ka deklaruar Lavrov. “Perëndimi zgjedh si nga një meny. Në një rast, parimin e mbrojtjes së sovranitetit, siç bëri duke refuzuar të njohë një referendum absolutisht transparent në Krime, dhe në rastin tjetër, ai udhëhiqet nga parimi i një kombi të vetëvendosjes, siç ishte rasti me Kosovën.

    “Në këtë deklarim shefi i diplomacisë ruse është shumë i qartë. Ka projektuar mesa duket opsionin rus të zgjidhjes së konfliktit dhe ndalimit të luftës në Ukrainë. “Na njihni Krimenë dhe ne njohim Kosovën”! Ky është mesazhi i tij. Më pas, sigurisht që do të kërkojë edhe ruajtjen e sovranitetit rus në rajonet lindore ukrainase të pushtuara nga ushtria e Vladimir Putin. Por nuk dua të ndalem gjatë në këtë aspekt.

    Thjesht e shoh të domosdoshme që të ve në dukje disa arsye pse rasti i Kosovës dhe i Krimesë nuk janë e njëjta meny në të drejtën ndërkombëtare. Këto arsyetime kanë sfond historik, aktual dhe janë në ballafaqim me të drejtën ndërkombëtare, të sintetizuar kryesisht në Kartën e OKB-së dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit. Le të përmendim disa prej tyre: Së pari, Rusia e ka njohur shpalljen e pavarësisë së Ukrainës që në vitin 1991. Ndërkohë më 5 dhjetor 1994, kur në Budapest u nënshkrua marrëveshja për çatomizimin e Ukrainës, u ritheksua qëndrimi i Kremlinit për të respektuar sovranitetin shtetëror të Ukrainës, brenda kufijve të së cilës ishte Krimeja. Këtë marrëveshje e nënshkruan presidenti amerikan, Bill Clinton, presidenti rus, Boris Jelcin dhe kryeministri britanik, Tony Blair.

    Për Kosovën pati thjesht përpjekje për ta mbajtur atë nën okupim, nënshtrim dhe aparteid. Në vitin 1997 presidenti rus Jelcin vizitoi Kievin dhe nënshkroi më 31 mars të atij viti Marrëveshjen e Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Partneritetit me Ukrainën dhe përmes saj rikonfirmoi njohjen dhe respektimin e sovranitetit shtetëror të Ukrainës. Kosova u nda nga pjesa tjetër e territorit shqiptar më 1913 me dhunë, pa dëshirën e banorëve të saj shumicë dërmuese. Asnjë shqiptar nuk ka hedhur firmën për ndarjen e saj. Ajo u aneksua me forcë nga Mbreti i Serbisë Karagjergjoviç me dektret të 7 shtatorit 1913. Dhe u mbajt për gati 100 vite me dhunë e terror nën sovranitetin e Serbisë. Këto janë dy gjëra të ndryshme. Kosova dhe shqiptarët banorë të saj kanë luftuar dhe kanë rezistuar një shekull për lirinë e tyre nga Serbia.

    Së dyti, Në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë Kosova kishte statusin e një njësie konstituive në Federatën Jugosllave. Krimeja kishte autonomi pas shpalljes së pavarësisë së Ukrainës, por nuk kishte statusin e një njësie federative me të drejta specifike në pjesëmarrjen e saj në pushtetin qendror. Prandaj Kosova kishte të drejtën e vetëvendosjes, nëse shpërbëhej, siç u shpërbë, Federata e II e Jugosllavisë. Së treti, Kosovës iu grabit dhunshëm autonomia nga ana e regjimit të Milosheviçit në mars të vitit 1989, ndërkohë që Krimesë nuk iu grabit asnjë lloj e drejtë në vetëadministrimin e saj. Kosova pas heqjes së autonomisë u administrua nga një guvernator i qeverisë serbe dhe iu suprimuan të gjitha institucionet lokale, si parlamenti, qeveria, gjyqësori.

    Madje shqiptarëve iu hoq e drejta e punës, e drejta për arsimim e informim në gjuhën shqipe e deri te e drejta për shërbim shëndetësor. Në Krime, shteti ukrainas asnjëherë nuk e çoi gadishullin në këto rrethana dhune e terrori. Së katërti, Pavarësia e Kosovës është produkt i shpërbërjes së Jugosllavisë, aneksimi i Krimesë është produkt i ndërhyrjes nga jashtë i Rusisë. Vërtet kishte një referendum, por ai referendum ishte nën diktatin e presionit e forcave ushtarake dhe policore ruse që kishin hyrë më herët në territorin e Krimesë. Së pesti, kërkesa për pavarësi në Kosovë ishte lëvizje nga brenda, vullnet politik i qytetarëve të organizuar në parti politike, ishte gjithashtu vullnet i parlamentit legjitim të Kosovës (Deklarata e 2 korrikut dhe Kushtetuta e 7 shtatorit 1990 e Kaçanikut).

    Pavarësia e Kosovës ishte një proces i gjatë, me demonstrim të vullnetit politik të qytetarëve të saj për liri e shtetësi. Krimeja u aneksua brenda disa ditëve, afërsisht një procesi një javor, për shkak të përdorimit të forcës nga një superfuqi nukleare si Rusia. Nuk mund të jenë e njëjta meny e së drejtës ndërkombëtare këto dy raste. Së gjashti, për të shkuar te pavarësia e Kosovës u ndoq një proces dhjetëvjeçar i lëvizjes paqësore të shqiptarëve në Kosovë. U ngritën institucione paralele. U refuzua regjimi i Milosheviçit.

    Në Krime gjithçka ndodhi me “urdhër të peshkut të madh të Moskës”! Më pas në Kosovë pati një lëvizje çlirimtare. Milosheviçi u përgjigj me masakra të panumërta. U vranë 13.500 shqiptarë. U zhdukën kufomat e 3600 të tjerëve. U vranë 1402 fëmijë nën moshën 12 vjeç. U përdhunuan mbi 20 mijë gra e vajza e madje edhe djem e burra. U dogj 70 përqind e objekteve dhe pasurive të kosovarëve. Prandaj dhe pavarësia e Kosovës konsiderohet si produkt e genocidit serb kundër shqiptarëve. Dhe kjo nuk mund të jetë në të njëjtën meny me Krimenë, ku nuk pati thuajse asnjë viktimë dhe asnjë lloj dhune nga ana e Kievit. Së shtati, Lavrov e di se Kosova i është nënshtruar një procesi politik e diplomatik ndërkombëtar për të realizuar një zgjidhje të konfliktit midis saj dhe Serbisë. Për këtë u krijua Grupi i Kontaktit, në të cilën bënte pjesë vetë Rusia.

    Dhe ai është në dijeni të asaj çfarë është diskutuar në mbledhjet e këtij grupi. Madje përfaqësuesi rus në Këshillin e Sigurimit ka pranuar rezolutën e këtij këshilli me numër 1190 të fundit të shtatorit 1998, në të cilën thuhet se “Konflikti në Kosovë rrezikon katastrofë humanitare dhe të zgjerohet në rajon”! Ky konstatim i kësaj rezolute ishte dokumenti që shërbeu për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Rusia nuk pranoi të votonte bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, por ama e kishte pranuar muaj më parë se konflikti rrezikonte katastrofë humanitare dhe të përhapej jashtë ish-Jugosllavisë. Bazuar në kapitullin e shtatë të OKB-së këto dy konstatime ishin arsye e mjaftueshme dhe e bollshme për ndërhyrje ushtarake për shuarjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë.

    Për Kosovën pati 4 rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për Krimenë asnjë, sepse në Krime nuk pati konflikt. Konfliktin e solli Moska në këtë gadishull. Për Kosovën u mbajt një konferencë e rëndësishme ndërkombëtare, ajo e Rambujesë, ku ishte i pranishëm dhe ministri i Jashtëm i Rusisë. Për Krimenë nuk u bë asnjë akt preventiv diplomatik, sepse Vladimir Putin e konsiderote si çeshtje të tijën problemin e Krimesë. Së teti, pavarësia e Kosovës ishte produkt i një procesi të parashikuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, të cilën e ka votuar edhe Rusia më 10 qershor 1999. Kërkesat e kësaj rezolute u zbatuan me përpikmëri dhe madje kundër dëshirës dhe vullnetit politik të shqiptarëve. Me atë rezolutë Kosova u bë protektorat ndërkombëtar.

    Serbisë iu vunë kufijtë për policinë 5 km e për ushtrinë 20 km në thellësi të territorit të saj. Që do të thotë se Serbia duhej të qëndronte larg Kosovës nën administrimin tashmë të OKB-së. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur me Krimenë. Bazuar në rezolutën 1244 statusi i Kosovës duhej të zgjidhej brenda Federatës Jugosllave, që nënkuptonte ajo të ishte Republikë e kësaj federate. Por Federata Jugosllave u shkërmoq kur Mali i Zi në korrik 2006 shpalli pavarësinë e tij. Nuk kishte më federatë. Prej kësaj kohe vazhdoi një proces bisedimesh midis Kosovës dhe Serbisë, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për statusin e Kosovës.

    Kosovës iu ndalua bashkimi me një shtet tjetër (paramendohej Shqipëria), por që në parimet e bisedimeve nuk i ndalohej e drejta e pavarësisë. Ndalimi u bë me kërkesë të përfaqësuesit rus në Grupin e Kontaktit. Parimet e bisedimeve u miratuan edhe nga ai në këtë grup. Kështu që kreu i bisedimeve, Martti Ahtisaari, pas dy viteve në procesin e tyre arriti në përfundimin se Kosova mund të ishte një shtet i pabarur. Për Krimenë nuk ka pasur asnjë përpjekje ndërkombëtare bazuar në rezoluta apo dokumente të OKB-së për definim tjetër të statusit të saj. Kur Kosova u shkëput nga Serbia, ajo nuk ishte pjesë e saj, ishte protektorat i OKB-së, edhe me votën e Rusisë. Ndërkohë që Krimeja ishte pjesë e njohur juridikisht e Ukrainës.

    Kosovës iu ndalua bashkimi me Shqipërinë, Krimeja iu bashkua Rusisë me dhunë. Ndërkohë që ligji ndërkombëtar, sipas George Brunner, përcakton se „Nëse një territor shkëputet nga një shtet dhe banorët e këtij territori dëshirojnë t‘i bashkohen një shteti tjetër, atëherë për këtë duhet dakordësia e shtetit nga i cili ndahet dhe i shtetit me të cilin bashkohet“! Kjo ishte arsyeja pse Kosovës nuk iu lejua bashkimi me Shqipërinë. Ndërkohë që Rusia e Lavrov nuk pyeti për kritere të tilla të së drejtës ndërkombëtare, por brenda disa ditëve shpallën aneksimin edhe në Dumësn Ruse. Së nënti, këto janë edhe arsyet pse Kosovën e kanë njohur më shumë se gjysma e vendeve anëtare të OKB-së, ndërkohë Krimenë e aneksuar nga Moska e kanë njohur vetëm 2 vende të botës.

    Nuk e kanë njohur as aleatët e ngushtë të Rusisë. Dhe njohja e kaq shumë vendeve për shtetin e Kosovës i jep këtij shteti legjitimitet të plotë. Këto janë gjithashtu argumente pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në vendimin e 22 korrikut 2010 i jep legjitimitet pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, duke e konsideruar atë akt nëpërputhje me të drejtën ndërkombëtare si dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Lavrov nuk mund të provojë me asnjë prej këtyre argumenteve ngjashmërinë e Kosovës me Krimenë dhe për këtë arsye nuk mund ta gjejë gjithashtu Kosovën në një menu me Krimenë. Kosova është në menynë e së drejtës ndërkombëtare për vetëvendosje për ato arsye që u renditën më lart. Ndërkohë Krimeja nuk mund të jetë brenda kësaj menyje për shkak se nuk përbën asortiment për t’u servirur në pjatën e së drejtës ndërkombëtare!