Blog

  • Kush i sabotoi arrestimet për inceneratorin e Tiranës

    Kush i sabotoi arrestimet për inceneratorin e Tiranës

    Tetë fletë-arresti, asnjë i arrestuar për inceneratorin e Tiranës.

    Rekord i ri në listën e operacioneve të dekonspiruara të Prokurorisë së Posaçme, që në mënyrë të përsëritur ka provuar se peshqit i shpëtojnë rrjetës së çarë. Emrat e disa prej të arratisurve pëshpëriteshin prej kohësh në rrethet e gazetarëve. Disa të tjerë u mësuan deri në momentet e fundit, kur SPAK shpalli një njoftim për mediat.

    Në fletë-arreste ishte emri i biznesmenit Ilir Dedja, drejtuesi i televizionit Top Neës Endrit Habilaj, apo të tjerë si biznesmeni Dashamir Ymeraj, Denisa Tollkuçi administratore e Integrated Technology Services, Renardo Nallbani biznesmen që dyshohet se ka vënë në zbatim një skemë me faturat fiktive dhe 3 shtetas të huaj, Giusepe Ciaffaglione, Marc Lappat dhe Michael Dryijts, administratorë të kompanisë “Geogenix BV”.

    Prokurorët i akuzojnë se kanë marrë rreth 20 milion euro nga paratë që duhej të përdoreshin për ngritjen e një inceneratori për Tiranën. Akuza i konsideron grup i strukturuar kriminal që ka bërë pastrim parash.

    Vonesa e Irena Gjokës për të firmosur fletë-arrestet

    Në njoftimin e SPAK bien në sy disa saktësime datash, që në kontekstin e dështimit të operacionit, ngjajnë me një shfajësim të Prokurorisë së Posaçme.

    Nga njoftimi mësohet se urdhër-arrestet u dorëzuan në Gjykatën e Posaçme që në datën 29 qershor. Por dosja qëndroi aty për thuajse dy javë.

    Vetëm në datën 12 korrik gjykatësja (Irena Gjoka shën. red) i hapi rrugë arrestimeve. Policia kreu kontrolle për 3 ditë, (nga data 12 korrik deri në datën 15 korrik) por atëherë ishte tepër vonë. Tetë të kërkuarit ishin arratisur.

    Kuptohet se prokurorët rreken t’ia lënë fajin gjykatëses Irena Gjoka. Ishte ajo që e mbajti dosjen për 14 ditë me radhë në gjykatë, duke i dhënë kohë “grupit të strukturuar kriminal” të çante ferrën.

    Por sa qëndron ky shfajësim i prokurorëve? A është faji vetëm i gjykatëses për arratisjen e të akuzuarve?

    Refuzimi i SPAK për të identifikuar kokat e aferës së inceneratorëve

    Pika e dobët e alibisë së SPAK për dekonspirimin gjendet në po të njëjtin njoftim që ata shpërndanë për mediat. Prokurorët e SPAK janë kujdesur që të shkruajnë aty se:

    “Në krye të grupit të strukturuar kriminal qëndrojnë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri ndaj të cilëve është proceduar më parë me caktim mase sigurimi “arrest në burg”.

    Kjo fjali në njoftimin e SPAK përmbledh një qëndrim, për të cilën është debatuar shumë. Vërtet ishin “dy Klodët” pronarët realë të inceneratorit të Tiranës? A ishin këta të dy që ulën në gjunjë të gjitha ministritë dhe bashkinë e Tiranës për të siguruar financimin e inceneratorit?

    Nëse “dy Klodët” ishin në krye të grupit të inceneratorëve si e bindën ata kryeministrin Edi Rama të firmosë bonus për kompaninë e Klodian Zotos para se ajo të krijohej? Si e bindën “dy Klodët” Erion Veliajn të firmoste financimin e inceneratorit të Tiranës, para se të mblidhte Këshillin Bashkiak?

    Kush ka lexuar dosjet e SPAK e ka të qartë se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri nuk mund të ishin kokat e grupit të strukturuar kriminal që vodhi paratë e inceneratorëve. Shefat e mëdhënj janë në kryeminstri dhe në bashkinë e Tiranës, por SPAK refuzon ta pranojë këtë fakt. Prandaj e gjen fajin tek Irena Gjoka. E cila, njësoj si “Dy Klodët” ka shefat e saj.

  • Nga Haley te DeSantis, Trump bashkon GOP dhe e sheh fitoren gjithnjë e më afër

    Nga Haley te DeSantis, Trump bashkon GOP dhe e sheh fitoren gjithnjë e më afër

    Edhe ish-rivalët po shtyjnë për të. Dhe sondazhet e shpërblejnë kudo

    Donald Trump ribashkon Partinë Republikane dhe i sjell të gjithë ish-kundërshtarët e tij në skenën e Milwaukee Convention – Konventës së Milwaukee, të cilët njëri pas tjetrit duken koheziv duke deklaruar se ish-presidenti duhet mbështetur pa asnjë nëse apo por. Uniteti është një passwordi i ngjarjes në Wisconsin, me tycoon që rikthehet në Fiserv Forum për të korrur një ovacion të ri. I sigurt dhe pompoz, Trump drejtohet në skenën e familjes ku po e presin fëmijët e tij dhe zëvendësi i ri JD Vance (në debutimin e tij nëpërmjet një fjalimi të përqëndruar fort mbi historinë e jetës së tij personale), teksa një ekran gjigand tregon pengimet dhe rrëzimet e Joe Biden, së bashku me ato që ai i konsideron si dështime mbi emigracionin dhe sigurinë kufitare.

    “Do të filloj duke e bërë të qartë një gjë: Trump ka mbështetjen time të fortë. Nuk pajtohemi për gjithçka, por biem dakord për më shumë gjëra sesa nuk pajtohemi”, thotë Nikki Haley, rivalja e tij e hidhur në zgjedhjet paraprake republikane, duke shpallur një endorsement diplomatik. “Nuk duhet të jesh 100% dakord me të për ta votuar, merrni shembullin tim”, vijon ish-ambasadorja në OKB, duke iu drejtuar drejtpërdrejt atyre njerëzve që kanë rezerva për kandidatin e GOP për në Shtëpinë e Bardhë. “Presidenti më kërkoi të flisja në këtë Convention në emër të unitetit”, thotë sërisht Haley, një ftesë që ajo “e pranoi me kënaqësi”. Dhe për politikën e jashtme, kujton se «kur Trump ishte në Zyrën Ovale, Putin nuk bëri asgjë. Asnjë pushtim, asnjë luftë dhe nuk ishte një rastësi. Putin nuk e sulmoi Ukrainën sepse e dinte se Trump ishte i ashpër. Një president i fortë nuk i fillon luftërat, por i parandalon ato”.

    Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, një tjetër prej rivalëve kryesorë të The Donald në primaret, e lëvdon atë për politikat e tij ekonomike dhe kufitare të SHBA. “Vendi ynë ishte i respektuar kur ai ishte Komandanti ynë i Përgjithshëm – nënvizon – Si qytetar, si bashkëshort dhe si baba, jam i alarmuar nga fakti që presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara nuk e ka aftësinë për të përmbushur detyrat e tij zyrtare. Le ta rikthejmë Bidenin në bodrumin e tij dhe Trumpin në Shtëpinë e Bardhë”. DeSantis përdor një ton shumë të ndryshëm nga ai i Haley dhe i drejtohet kryesisht bazës republikane (me tycoon që duartrokit vazhdimisht dhe shihet dukshëm më entuziast për fjalimin e tij sesa ai i ish-guvernatores së South Carolina). As Haley dhe as DeSantis nuk ishin fillimisht në programin e Convention, por u ftuan të flisnin pas atentatit të së shtunës. Në skenë ngjitet edhe Ted Cruz, senatori i Teksasit i cili më 2016 ekspozoi përçarjen mes konservatorëve duke refuzuar të mbështesë Trump në Cleveland Convention. Tani tensionet duken shumë të largëta dhe Cruz evokon bekimin hyjnor për ish-presidentin, duke deklaruar se ai do të rivendosë rendin në kufi dhe do të rrisë sigurinë në të gjithë vendin pas politikave të dështuara të Biden. Ndërsa senatori Marco Rubio mbron fuqishëm America First, duke nënvizuar se “nuk ka absolutisht asgjë të rrezikshme apo përçarëse në vendosjen e amerikanëve në vend të parë”.

    Haley dhe Rubio konsiderohen si kandidatë për rolin e sekretarit të shtetit, në një administratë të dytë të mundshme të Trumpit (teksa ish-komandanti i përgjithshëm në lidhje me ekipin thotë në një intervistë se ai mund të konsiderojë Jamie Dimon, CEO-n e JpMorgan, si Sekretar i Thesarit).

    Ndërkaq, në klanin Trump ka një yll të ri: Lara, nusja e djalit të The Donald dhe bashkë-presidente e Partisë Republikane, e cila flet për të si “një baba dhe një gjysh” që kandidoi “sepse e do këtë vend”. . “E di që kam fatin ta quaj vjehrri im dhe ta shoh pak më ndryshe se të gjithë ju… Ky është një njeri që është sakrifikuar për familjen e tij dhe që me të vërtetë u sakrifikua për vendin e tij”, vazhdon bashkëshortja e djalit Eric, me të cilin ka dy fëmijë.

    Dhe Trump arkëton edhe një lajm të mira në frontin e sondazheve: sipas projeksionit të fundit nga New York Times, ai është përpara rivalit të tij Biden në të shtatë shtetet kryesore, përkatësisht Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, North Carolina, Pennsylvania dhe Wisconsin. Avantazhi më i ngushtë është në Michigan, ku tycoon ka 42% të preferencave kundrejt 40% për kandidatin demokrat, dhe në Pensilvani (43% kundër 40%).

  • Armani dhe Dior në shënjestër të antitrustit: hetim mbi praktika tregtare të dyshimta

    Armani dhe Dior në shënjestër të antitrustit: hetim mbi praktika tregtare të dyshimta

    Akuzat përfshijnë punësimin e punëtorëve me paga të pamjaftueshme, orë pune përtej kufijve ligjorë dhe kushte të pamjaftueshme të sigurisë dhe shëndetit

    Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregut ka nisur një hetim për praktika të mundshme të padrejta tregtare të zbatuara nga grupet Armani dhe Dior. Lajmi tronditi botën e modës, duke shkaktuar një reagim të menjëhershëm nga dy gjigantët e luksit. Në një deklaratë zyrtare, grupi Armani shprehu gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me autoritetet, por duke hedhur poshtë me forcë hipotezat e ngritura nga Antitrusti, të cilat u cilësuan si të pabaza. Më pas ndërhyri edhe Dior. Ja çfarë ndodhi.

    Çështja

    Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregut ka nisur një hetim për disa kompani të grupeve Armani dhe Dior për praktika të mundshme të padrejta tregtare në promovimin dhe shitjen e artikujve dhe aksesorëve të veshjeve. Hetimi, i mbështetur edhe nga Prokuroria dhe Gjykata e Milanos, ka të bëjë me Giorgio Armani S.p.A., G.A. Operations S.p.A., Christian Dior Couture S.A., Christian Dior Italia S.r.l. dhe Manufactures Dior S.r.l. Sipas Antitrustit, të dyja sipërmarrjet mund të kenë bërë deklarata të pavërteta në lidhje me etikën dhe përgjegjësinë sociale, veçanërisht në lidhje me kushtet e punës dhe respektimin e ligjit te furnitorët e tyre. Akuzat përfshijnë punësimin e punëtorëve me paga të pamjaftueshme, orët e punës përtej kufijve ligjorë dhe kushtet e pamjaftueshme të sigurisë dhe shëndetit, në kundërshtim me pretendimet për mjeshtëri dhe përsosmëri të prodhimit që mburren nga dy shtëpitë luksoze.

    Përgjigja e Armanit

    “Armani Group merr parasysh fillimin e procedimeve për praktikat e supozuara të padrejta tregtare të cilat pretendohet se lidhen me disa aspekte të komunikimit institucional. Kompanitë e përfshira sigurojnë bashkëpunim të plotë me Autoritetin procedues, i konsiderojnë si të pabaza hipotezat e paraqitura dhe kanë besim se hetimet do të jenë të suksesshme”. Kështu është përgjigjur grupi pasi Antitrusti nisi hetimin në fjalë. Menjëherë ndërhyri edhe Dior: “I ndërgjegjshëm për seriozitetin e shkeljeve të kryera nga furnitorët në fjalë dhe për përmirësimet që duhen bërë në kontrollet dhe procedurat e tij, Maison Dior po bashkëpunon me organet e drejtësisë italiane”. “Asnjë porosi e re nuk do të bëhet me këta furnitorë në të ardhmen. Dior po punon intensivisht për të përforcuar procedurat ekzistuese. Pavarësisht kontrolleve të rregullta, këta dy furnitorë kishin arritur t’i fshehin këto praktika nga Dior”, saktësoi Maison në një deklaratë.

    Fjala për Codacons

    Sipas Codacons, nëse do të konfirmohen parregullsitë mbi të cilat po heton Antitrusti, do të shkaktoheshin dëme si për konsumatorët që blejnë veshje dhe aksesorë nga markat Armani dhe Dior, ashtu edhe për punëtorët, të nënpaguar dhe të detyruar të punojnë në kushte të këqia sigurie. Organizata komentoi hetimin e hapur nga Autoriteti për Konkurrencën, duke nënvizuar se konsumatorët shpenzojnë shuma të konsiderueshme për produkte që duhet të përfaqësojnë më të mirën në cilësi dhe punim. Megjithatë, akuzat e Antitrustit sugjerojnë të kundërtën, duke treguar se, siç ishte parashikuar, furnizimet vinin nga laboratorë që punësojnë punëtorë me paga të pamjaftueshme, orë pune përtej kufijve ligjorë dhe kushte të pamjaftueshme shëndetësore dhe sigurie. Këta elementë do të bënin të pajustifikuara çmimet shumë të larta të dy markave, duke shkaktuar dëme të qarta për konsumatorët. Për më tepër, Codacons ka evidentuar pabarazinë midis të ardhurave të dy gjigantëve të modës dhe pagave të punëtorëve të shfrytëzuar dhe të nënpaguar.

    Për këtë arsye, nëse hetimi Antitrust konfirmon paligjshmëritë, organizata është e gatshme t’u japë ndihmë ligjore punonjësve të përfshirë, për të kërkuar dëmshpërblim nga kompanitë e grupeve Dior dhe Armani.

  • Nga Lutfi DERVIHI – Raporti: Si agjenturat e huaja sabotuan turizmin

    Operacioni: PPP

    Tashmë nuk ka dyshim se Shqipëria ndodhet para një lufte hibride shumë të sofistikuar që synon shkretimin e turizmit. Agjencite inteligjente kanë zberthyer një plan që vepron prej vitesh, por që u bë publik vetëm gjatë 48 orëve të fundit.

    Agjentura ruse, në bashkepunim me atë serbe dhe të një vendi tjetër që për momentin nuk është bërë publik, gjatë viteve të fundit, ka vënë në zbatim operacionin e koduar PPP (plazhet  pa pushues). Raportohet se këtij plani i është bashkëngjitur së fundmi edhe Greqia, që siç dihet,  mban ende në fuqi ligjin e luftës!

    1. Agjente të maskuar si turiste

    Sipas raporteve të besuesheme të SHISH, agjentë të huaj, të infiltruar si turiste, gjatë dy tre viteve të fundit, kanë folur me pronare hotelesh, veçanërisht në Jug të Shqipërisë, Vlorë, Sarande, Ksamil, duke u qarë hallin për çmimet. Shumë lirë! Gjynah! Ketu është më mire se në Maldive. Parajsa mbi tokë!  Mos u bëni budallenj rrisni çmimet! Dhe… ne, që fjalën e të huajt e dëgjojmë më shumë se fjalën e prindit, rritem çmimet pa e ditur se po beheshim bashkepunetore të armiqve traditional të Kombit shqiptar, që historikisht na kanë hapur varrin.. me duart tona.

    2. Biznesi i Shezlongëve

    Të pakënaqur me sabotimin e hoteleve, agjentura ruse në bashkepunim me atë serbe kanë penetruar deri në qeveri dhe veçanërisht në ministrinë e Turizmit për të nxitur me ligj një biznes krejt të veçantë të pa dëgjuar në pellgun e Mesdheut dhe në historinë boterore të turizmit. Ata kanë nxitur, mbeshtetur dhe sponsorizuar biznesin e shezlogjeve- janë mbi 1400 biznese të tilla nga Velipoja në Ksamil. Operacioni “Pikaso” (Le të ketë shezlongë,” por të jenë më të shtrenjtë se një veper e Picassos!) ka vite që është në zbatim. Hapesirat e plazheve krahas hoteleve u janë dhënë individeve që nuk kanë asnjë aftësi tjetër veç aftësise për të thithur si magnet idete e armiqve tanë.

    Pa e kuptuar zyrtarët tanë duke menduar se po bëjnë mrekulli kanë bërë marrëzi! Tani, çdo pushues duhet të paguajë nga 10 deri në 100 euro për  të qëndruar në hije! Nga informacionet e një sherbimi partner perendimor mesohet se agjentit që ka dhënë këtë ide i është lidhur pension i përjetshëm.

    3. Supermarketet

    Agjenturat e huaja me një plan të mirëmenduar kanë  shtrirë tentakulat e tyre edhe te Autoriteti i Konkurrencës  dhe Agjencia Kombëtare e Ushqimit duke bërë të  mundur që djathi në supermarket tona të jetë më i shtrenjtë se në Paris, sallami më i shtrenjtë se në Romë dhe buka më  e shtrenjtë se në Gjermani.  Kështu, tregtaret shqiptare janë bërë bashkëpunëtor të pavetëdijshëm në këtë komplot të madh, duke ofruar mallra me çmime aq të larta sa turistët të mendojnë 12 herë para se të futen sërish në supermarketet tona.

    4. Uji!

    Agjentët e huaj me metoda të sofistikuara, vijon raporti i SHISH, kanë bindur autoritetet të mos bëjnë asnjë perparim në trajtimin e ujërave të zeza dhe furnizimin me ujë të pijshem. Impiantet e trajtimit të ujerave të zeza te ndertuara dhe vënë në funksionin para 10 vitesh nuk punojnë ndërsa ka një plan të detajuar që premtimi i lashtë për ujë të pijshem 24 orë të mbetet gjithë jetën premtim. Operacioni “rubinetat e thata” është në veprim prej 33 vitesh dhe parashikohet të mbyllet në vitin 2124!

    5. Rrugë të florinjta

    Megjithëse ka zera se agjenturat e huaja në bashkepunim me agjentet lokal kanë rritur kostot e ndërtimit të rrugëve, në dorë të SHISH ka rënë një email me subjekt: “te mesojme kosovaret”

    Në tekst thuhet se Kosova ka ndërtuar dy prej autostradave më të mira në rajon, por kosovaret nuk janë mësuar të paguajne në rrugë, sepse qeveria në Prishtinë nuk pranon të vendose tarifa. Është detyrë e  Shqipërisë, që përmes tarifave në rrugë në monedhen që ata përdorin (euro) të mesoje shqiptarët e Kosovës se si paguhet ndërkohë që vozit në rrugë. Objektivi është që udhëtimi me makinë të bëhet me i shtrenjtë se udhëtimi me avion.

    6. Goditja e madhe

    Së fundi, në një goditje spektakolare, agjentët e huaj në bashkëpunim me krimin e organizuar shqiptar dhe atë ndërkombëtar kanë  zhvleresuar euron. Euro e dobësuar është garanci shtesë që të ketë sa më pak të huaj dhe shqiptare të Kosovës.  Bashkepunimi për këtë pikë shtrihet sa nga drejtoria e pastrimit të parave aq edhe te sistemi i drejtësisë dhe ai bankar.

    7. Greqia

    Raporti veren se veçanërisht pas çështje Beleri, Greqia, që vjet kapi 36 milionë turistë, është hedhur në sulm për  të demtuar sezonin turistik në Shqipëri. Është dora greke (pavarësisht se nuk ka prova) që Shqipëria po telendiset këto ditë nga UNESCO per Butrintin, Beratin, Gjirokastren.

    *

    Nëse shikoni ndonjë të huaj që pi koktejl në Jug, buzeqesh me pamje të lumtur dhe thotë sa lirë është këtu me siguri është agent rus, serb ose grek. Nëse këto fjalë i thotë në një plazhi që është bosh, me siguri është poliagjent që po shijon rezultatet e  operacionit PPP (plazhet pa pushues).

  • Nga Alfred LELA – Plaçkitja e paraqitur si ‘krim intelektual’

    Nga Alfred LELA – Plaçkitja e paraqitur si ‘krim intelektual’

    Në fillim duhet anashkaluar miti që një pjesë e medias, komentariatit politik dhe politikës vetë ka ndërtuar për SPAK si një organizatë me shpatën e drejtësisë dhe të pagabueshmërisë. Janë disa prova të mëdha që e kundërshtojnë këtë. SPAK nuk duhet të ‘shenjtërohet’ si lopa në Indi, kafshë që bredh rrugëve me më pak kufizime se njerëzit dhe makinat. Nëse lopët në Indi pengojnë pamjen dhe qarkullimin, një vështrim i SPAK si ‘i paqortueshmi’, mjegullon logjikën.

    Kështuqë, le të jetë SPAK, si çdo institucion tjetër i kritikueshëm dhe të shihet si i gabueshëm.

    Pjesë e ndërtimit të mitit të SPAK, ndër më kryesorët, kanë qenë sondazhet televizive ku Prokuroria e Posaçme ‘shkëlqen’ me rreth 70 përqind të besimit të shqiptarëve.

    Ndërkohë që mund të jetë kështu, pyetja e parë që duhet bërë është: pse e beson populli SPAK, se sheh drejtësinë e bërë, apo sepse argëtohet nga spektakli, argëtimi dhe shpagimi? Pra, nëse po dënohen dhe burgosen disa vetë në vend-sa mirë, oh, ç’u kënaqëm!- a po vendoset vërtetë drejtësia? Miratimi popullor për dënimet e SPAK është si ndeshjet e përgjakshme të gladiatorëve në Romën e lashtë, ku populli kërkonte dënimin duke ulur gishtin poshtë apo faljen me gishtin lart.

    Është pra një pjesëmarrje në linçim më shumë se vendosje e balancës në peshoren e drejtësisë.

    Nuk është vetëm linja logjike që lidh apo ndan gjërat, që e përmbys aprovimin me 70 përqind për SPAK-më së pari si amatorizëm-por edhe vetë ‘gjuha’ dhe ‘gjuha e trupit’ të shefit të SPAK, Dumani.

    Në përballjen me deputetët në raportimin vjetor të veprimtarisë së institucionit, z.Dumani nuk u soll për asnjë moment si shefi i një ‘partie’ që ka 70 përqind, por sikur nuk përfaqësonte më shumë se 0.7 përqind. Mund të ketë në këtë rast një shpjegim të tipit: nuk ka përvojë publike dhe është i intimiduar nga skena e madhe, ndërkohë që ata përballë tij kanë një apo dy dekada në përplasje politike.

    Nuk është kjo, sepse gjuha e trupit komandohet nga ‘kode’ të brendshme, jo ndikime të jashtme, dhe mimika e Dumanit nuk ishte e një rishtari në përplasje, por e një të kompleksuari apo të dikujt që sikletoset kur ajo që thotë dhe ajo që din janë në kontradiktë. Si kur u pyet për arrestimin e Berishës, si për incineratorët, si për ‘vijën e kuqe’, shefi i SPAK përçoi këtë kontradiktë.

    Në këtë mënyrë ai kontradiktoi edhe sondazhet ‘miqësore’.

    Cilido qoftë ‘besimi popullor’ për SPAK, e vërteta është e thjeshtë: Prokuroria e Posaçme ende nuk ‘ka hedhur në erë’ asnjë prej çështjeve të mëdha të korrupsionit ekonnomik dhe politik. I ka trajtuar po, shterruar jo.

    Të fshehurit e mos-suksesit pas shprehjes se ‘krimi është intelektual’ dhe si i tillë i sofistikuar dhe i vështirë për t’u zbuluar, është një fyerje më vete (jo për popullin, por për publikun). Vjedhje më të trasha se këto të dekadës socialiste nuk mbahen mend në Shqipëri që nga viti 1913 kur nëpër atdhe poshtepërpjetnin disa ushtri të huaja e qindra banda plaçkitësish vendas.

    Plaçkitja nuk është ‘krim intelektual’, është një marrje me forcë në sy të të gjithëve, shoqëruar me parajamërimin: mos e hap gojën!

    Te arsyet e mos-hapjes së gojës mund të gjenden edhe ngërçet në gjuhën e trupit të z. Dumani.

  • Nga Kim MEHMETI – Shqiptarët shtohen, e Plazhi i Madh i Ulqinit mbetet saç ka qenë!

    Nuk ka verë të mos vij në Ulqin, sepse atë e dua dhe ai është pjesë e biografisë sime. Por Plazhi i Madh i tij kurrë nuk më është dukur  me kaq pak pushues, pa lazdranin fëmijërore, si i plogësht dhe i lodhur nga vetvetja.

    Ekspertë e ‘shkathtë’ menjëherë i tregojnë shkaqet e rënies së numrit të pushuesve: çmimet e larta! Ndërkohë Ulqini që ka det, thuajse me asgjë nuk është më i shtrenjtë se Prishtina që nuk ka as lum, se Tirana të cilën e qelb Lana dhe Shkupi të cilit Vardari i kalon në mes, thuajse vetëm sa për ta ndarë pjesën shqiptare të tij ku mezi merret frymë nga ajo maqedonase me përplot gjelbërim dhe ku mungojnë vetëm palmat.

    Andaj, them në vetvete, mbase nuk janë në pyetje çmimet e larta, por rritja e numrit të shqiptarëve që duan të ushqehen me mish e peshq, por që kanë para vetëm sa për të paguar atë që hanë nëpër shtëpitë e veta: bukë, domate e djathë!.

    Sidoqoftë edhe sivjet, si edhe shumë vite më parë , kam ndjenjën se nuk vij në Ulqin që të pushoj, por që të ‘lodhem’ duke e ndërmendur të shkuarën. Si për shembull, vitet e rinisë, kur për ne shqiptarët e Maqedonisë, Ulqini ishte shumë më i largët se sot, sepse duhej t’i biem rreth e rrotull Shqipërisë dhe ngaqë ishim të paraparë t’u shisnim akullore e petulla pushuesve gjerman, e jo të laheshim në det.

    Disa nga ne edhe asokohe vinim në Ulqin në rolin e pushuesve. Por me ‘bukën tonë’ dhe me bujtinë të ‘rezervuar’ nën hijen e ndonjë pishe te Plazhi i Madh. E ku arrinim me makinën e famshme në formë veze, të quajtur ‘FIço’, që ishte shpikje italiane e prodhim jugosllav dhe që, nuk kishte mjaftueshëm vend as për grahësin e saj e le më për ne katër vetat që nuk ishim të sigurt nëse ajo do na çonte neve deri te Pazhi i Madh, apo ne atë deri te punëtoria e vogël e ndonjë automekaniku ulqinak. 

    Dhe kur arrinim atje nuk harronim t’i afroheshim Bunës, duke ëndërruar që një ditë të dalim matanë lumit, atje ku kishim mëmëdheun dhe ku do mund të pushonin ‘shqip’ e jo ‘serbisht’.  Por pa e ditur se përderisa nga kjo anë e lumit, pra përderisa te Plazhin i Madh i Ulqinit pushonin gjermanët, atje matanë, në plazhin e Velipojës, kullotnin gomarët. 

    Përndryshe edhe ne të rinjtë e asaj kohe, njësoj si këta të sotmit, fotografoheshim duke u hedhur në det. Dhe fotot e atëhershme bëheshin krejt ndryshe dhe ishin bardh e zi, por ne i shinim në ngjyra. Mbase pse në prapavijën e tyre shiheshin shpresat tona rinorë për një të ardhme të ndritur, e jo si në këto të sotmet të bëra me telefona celular, të cilat janë në ngjyra, por që rrezatojnë vetmi.  

    Më vonë, kur unë isha në moshën që kanë sot fëmijët e mi, e kur ata ishin sa fëmijët e tyre tani, Plazhi i Madh i Ulqinit thuajse mezi mund t’u bënte vend të gjithë atyre që donin të rreziten mbi zallin  e tij. Dhe asokohe mua më dhimbseshin shqiptarët e Maqedonisë që e ushqenin me akullore e petulla thuajse tërë  bregdetin jugosllav , por pa mundur ta shijojnë ujin e njelmët të detit.

    Për dallim nga atëherë, sot më dhimbsen ulqinakët të cilët mbase edhe gabuan kur nisën të besonin se  nuk kanë nevojë më për shqiptarët e Maqedonisë, se ata vet do mund të bëjnë byrek të shijshëm si ai i tetovarëve dhe se akullorja bëhet nga uji i ngrirë e jo nga qumështi. 

    Përderisa shëtis bregut të detit, më bëhet se i dëgjoj thirrjet e largëta to shitësve të gazetave, në të cilat njësoj si sot, dominon lajmet për luftërat që kanë nisur qysh se botën e kanë populluar njerëzit, e që do përfundojnë kur të mos këtë njeri mbi tokë. Pra lajmëronin edhe për luftën në Palestinë ku qartë thuhej se Izraeli është okupator e palestinezët viktimë, edhe atë jo vetëm pse Titoja e Arafati ishin si vëllezër të një nëne,  por pse mediat e asaj kohe nuk redaktoheshin në një kryeqendër të botës. 

    Po pra, nuk ka verë të mos vij në Ulqin. Mbase jo gjithaq për të pushuar, por që të pushojnë nga unë familjarët e mi, të cilët, si i papunë që jam, për çdo ditë i bezdisa me përshkrimin e asaj që ishte dikur. Si dhe duke i lodhur me shpjegimet se numri i pushuesve bie çdokund, e jo vetëm në Ulqin. Dhe mbase jo shkaku i çmimeve të larta, por pse numri i banorëve të botës dhe ai i shqiptarëve rritet, por toka dhe Plazhi i Madh i Ulqinit janë aq saç ka qenë gjithmonë. Kështu që nuk kanë mjaftueshëm ushqim të lirë për t’i ushqyer të gjithë skamnorët e kësaj bote!

  • Nga Armand MAHO – Zbythja me Belerin, sikleti me Dumani si qerthull vicioz i qesharakut Rama!

    Përveç të nxehtit përvëlues dy ditët në vijim kanë qënë ditë halli jo të vogël  për Edi Ramën. Në aeroportin e Rinasit, Fredi Beleri u nis drejt Straburgut për t’u betuar si anëtar i Parlamentit Evropian, ndërsa në Kuvend, Altin Dumanit, kreut të SPAK, duhej t’i rridhnin djersët curg për të mbrojtur zullumhanën e ‘rilindjes’, me shprehjen standarde ‘çështje në hetim’.

    Po le t’i marrim me radhë. “Kalorësi” i zbatimit të ligjit, Edi Rama, bashkë më shqytarin e tij të dosjes 184 Ulsi Manja si ministër Drejtësie, u zbythën në atë farë feje para Belerit, sa ju desh që të shkelte ligjin në dy raste. E para, leja shpërblyese jepet për personat e dënuar deri në 3 vjet dhe kur të kenë kryer të paktën 1/3 e dënimit, dhe e dyta nuk lejohet që leja të konsumohet jashtë vendit ku është marrë vendimi…..

    Ky dhe disa nene të tjera që as nuk janë parë dhe as marrë parasysh në inkursionin e zbythjes që ka bërë Edi Rama në rastin e një eurodeputeti që pa fakte dhe pa prova, me një gjyq të montuar polikisht e mbajti në burg për më shumë se një vit, dhe nuk e lejoi të shkonte të bënte betimin si Kryetar i zgjedhur i Bashkisë Himarë. Nga sot, Beleri përfiton nga imuniteti i europarlamenarit dhe në  rast se Rama me atë idjotllëkun e tij nuk pranon ta shkarkojë nga të gjitha akuzat, do e bejë Gjykata e Strasburgut, e cila për fat nuk ka kryetare apo anëtarë militantë të tipit Irena Gjoka. Sot Edi Rama në Parlamentin Evropian u vizatua si kryeministër i gjyqeve politike, i cili përdor çdo armë për të luftuar kundërshtarët, qoftë në rastin Beleri, qoftë në rastin e liderit të opozitës Sali Berisha. Dhe jo vetëm kaq, por del qartazi se ka përdorur fondet dhe mbështetjen e BE dhe SHBA për të vënë në krye të drejtësisë militantët e tij. Tallje më të madhe që mund t’i bëhej komunitetit ndërkombëtar nga një sharlatan s’mund të ketë.

    Momenti i i dytë i vështirë për të ishte dhe seanca e parlamentit ku duhej të raportonte Altin Dumani. Si zakonisht dhe këtë herë Rama nuk mori pjesë në seancë, por u pa qartë nga përmbledhja e pyetjeve se në çdo çështje përvëluese del emri i tij. Dumani pavarësisht se i këshilluar që të përdorte vetëm shprehje standarde dhe të shmangte sa më shumë komentet politike, u pa qartë se në atë pozicion ose i ka duart e lidhura në rastin më të mirë, ose ishte tërësisht nën ndikimin e mazhorancës dhe Ramës në rastin më të keq. Nuk ma do mendja se përbën ndonjë sekret hetimor fjala vjen roli i Erjon Veliajt te inceneratorët apo te dosja 5D. Ashtu siç nuk përbën sekret hetimor, që Rama ka firmosur 17 vendime në një ditë për inceneratorët, që ka marrë këshilltar me 7 mijë euro në muaj Florian Koldean e Sinaloas, apo roli i tij dhe të vëllait në dosjen e ‘Xibrakës’, koncesioneve në shëndetësi, e shumë e shumë të tjerave që tani s’po më kujtohen.

    E për t’i shpëtuar kësaj përmjerrjeje që mori qoftë nga Beleri, qoftë nga paraqitja blozë e Dumanit në parlament, Edi Rama, si për të vënë në vend një dinjitet që as ai vetë se di se ekziston, sërish nuk hoqi dorë së bëri qesharakun.

    Kulmi ishte kur rreth mesditës të 16 korrikut , SPAKU i tij do nxirrte një njoftim për shtyp ku njoftohej rihapja e hetimeve për 21 janarin, një çështje të cilën Rama e përdor si tallje me trushkulurit e tij, por që në të vërtetë është i pari që do ta varrosë sepse e di se është i pari që përfundon në pranga si strumbullari kryesor i asaj ngjarjeje të turpshme antishtet të 13 vitevetë shkuara. Dëshmitarët okular të asaj dite e kanë parë me sytë e tyre se si hordhitë rilindase, me urdhër të Edi Ramës ishin gati të digjnin, vrisnin e prisnin çdo kënd për të sjellë në pushtet një bandë hajdutesh.

    Më tej vetëm një ditë pas turpërimit të Ramës, në shërbim të tij do vihej dhe Gjykata e Lartë  e cila la në fuqi vendimin e dy karikaturave të drejtësisë si Kraja dhe Gjoka. Berisha duhet të qëndrojë në arrest shtëpie, pa prova, pa fakte, pa moral, vetëm e vetëm se daljes së tij në terren dhe forcës së tij organizative, Rama i trembet si djalli temjanit. Jo më kot rekrutoi një numër të madh delenxhinjsh të tipit McGonigal kundër tij.

    Por pavarësisht se rreket të hiqet si gjel beteje, Rama po tregon se nuk është gjë tjetër vetëm se një laraskë pa bisht që ka humbur busullën. Këto që bën s’janë gjë tjetër vetëm se veprimet e një dështaku që i tmerrohet humbjes së pushtetit. Ai ( Rama) e di fort mirë, se në rast se bie nga ajo karrige të cilën e mban të uzurpuar me manipulime zgjedhjesh dhe vjedhje taksash, të parët që do ja ngrenë trekëndëshin për ta kryqëzuar pas hekurave, janë pikërisht ata që sot i mbajnë ison deri në paligjshmëri. E megjithatë “kambanat po bien”. Po përdor një shprehje, kjo që e kishte për zemër një prej aleateve të ngushta të Ramës, mbështetëse e zjarrtë e korrupsionit dhe trafikut në Shqipëri. Dhe kur ato të heshtin…

  • Çfarë tregon duartrokitja e socialistëve në kuvend për Altin Dumanin

    Çfarë tregon duartrokitja e socialistëve në kuvend për Altin Dumanin

    Përgjigjet e Altin Dumanit në parlament nuk zbuluan asgjë të re nga dosjet e rënda të politikës që ka në dorë SPAK. Si për hetimet e inceneratorit të Tiranës, për Charles McGonigal, sterilizimin, shembjen e teatrit, arrestin shtëpiak të Berishës apo përfshirjen e Olsi Ramës në dosjen “Xibraka”, shefi i SPAK e anashkaloi kuriozitetin e deputetëve me justifikimet klishe se “dosja është në hetim” dhe se “prokurorët janë duke mbledhur prova”.

    Por seanca pati vlerë për të kuptuar diçka më shumë nga dilema që mbart SPAK që nga krijimi; Nëse e ka vënë në vështirësi mazhorancën qeverisëse me arrestimet që ka bërë? Apo se është pjesë e teatrit, që arreston peshqit e vegjël në qeveri dhe liderin e opozitës në anën tjetër, sipas një skenari që dirigjohet nga shefi i mazhorancës, Edi Rama?

    Dihet se në mesin e opozitës dominon kundërvënia e ashpër ndaj SPAK.

    Më besnikët e Berishisës u dëgjuan fort në seancë sot, kundër prokurorit që e mban të izoluar në shtëpi prej më shumë se 7 muajsh. Madje në një moment, i bezdisur nga fjalët e Flamur Nokës nga vendi, Dumani kërkoi ndihmën e drejtueses së seancës, Ermonela Felaj sepse nuk mund të fliste i qetë. Video më poshtë:

    Por interesante në seancë ishte të shihej qëndrimi që mbajti ana tjetër e sallës, ajo anë ku ulen deputetët e Partisë Socialiste.

    Ndryshe nga ç’thuhet e ndryshe nga çfarë propagandohet, këta nuk u duk të kishin ndonjë problem me kreun e SPAK, Altin Dumanin. Përkundrazi, e mbrojtën atë nga hamendësimet e opozitës.

    Kur Dumani kthehej në të djathtën e tij, ai duhej t’i zgjidhte mirë fjalët, të justifikohej për hetimet dhe të mbrohej kur i kërkonin llogari.

    Por kur kthehej në  anën e majtë, e prisnin pyetjet limonatë të tipit “Sa i ka ndihmuar hetimet zgjatja e afateve? A keni pasur rezultate? Si është bashkëpunimi me prokurorinë e përgjithshme?” nga Klotilda Bushka.

    Aq i kënaqur ishte nga SPAK, deputeti i Partisë Socialiste, Denis Deliu saqë shprehu idenë në formën e një pyetjeje që të hapeshin zyra të reja edhe në qytete të tjera. Idea u shoqërua me premtimin e Dumanit se do të ndodhte.

    Një moment për t’u shënuar në seancë ishte ai kur Ermonela Felaj humbi durimin dhe i preu fjalën deputetes së PD, Elda Hoti, e cila po interesohej për hetimet e kompanisë “5D”, të drejtorëve të bashkisë së Tiranës, duke pyetur nëse sekuestro ishte e vonuar.

    Teksa deputetja e PD Elda Hoti po fliste, ajo u ndërpre nga Ermonela Felaj që i bërtiti: “Ulu moj zonjë, ulu. Nuk do mbash fjalim këtu. Bëni pyetje, jo ligjërata…”.

    U desh që deputetët e PD të çoheshin në këmbë në shenjë proteste, që Elda Hoti të merrte fjalën sërish.

    Si të mos mjaftonte vigjilenca e Ermonela Felajt, ishte Ministri i Brendshëm, Taulant Balla që i doli në mbrojtje Altin Dumanit dhe kërkoi disiplinimin e fjalimeve të opozitës.

    “Është qesharake ajo që po ndodh, kur pjesa më e madhe e pyetjeve nuk kanë të bëjnë fare për atë që jemi mbledhur. Zonja drejtuese e seancës do t’ju kërkoja që t’i referohemi saktësisht nenit 103” u shpreh Balla.

    Për sa kohë Altin Dumani ishte në foltore, socialistët u shndërruan në avokatë të zellshëm të prokurorit që thuhet se po bën kërdinë në radhët e Partisë Socialiste. Edhe vetë Dumani tentoi që ta shprehë këtë ide që qarkullon në opinionin publik. Video poshtë:

    Kur vuri re pakënaqësinë e opozitarvëve, ai lëshoi një pasthirrmë ironie: “Mirë! Shyqyr që erdhi kjo ditë! Kur të arrestosh një ish-ministër, një ish-kryeministër, gjyqtarë, prokurorë apo deputetë nuk ke bërë asgjë… apo ish-zv.kryeministër!”

    Në fakt, shifrat janë në anën e tij. Gjahu i SPAK është i bollshëm; Një ish-zv.kryeministër si Arben Ahmetaj, një ish-ministër Shëndetësie si Ilir Beqaj, një ish-ministër Mjedisi si Lefter Koka, një ish-kryebashkiak si Vangjush Dako, një tjetër si Jorgo Goro, një deputet si Alqi Bllako, Arben Ndoka etj.

    Po ashtu SPAK po heton pasurinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliajt, ka thirrur për të marrë në pyetje ish-ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, ka marrë në pyetje ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu, ish-drejtorin e legalizimeve, Artan Lame etj.

    Por me të gjithë këta ish-drejtues socialistë që ka hetuar dhe ka burgosur, sërish Dumani dhe kolegët e tij në SPAK nuk e kanë lëkundur ngrehinën që mban në pushtet të njëjtët njerëz prej 13 vitesh.

    Madje në hetimet që kanë bërë, ata kanë shmangur gjithnjë njeriun që udhëheq socialistët, kryetarin e tyre Edi Ramën. Provë e kësaj është edhe fakti se Rama është nga të paktët politikanë që nuk është thirrur asnjëherë në SPAK, qoftë edhe për t’u marrë në pyetje në lidhje me dosjet që e prekin si kryeministër.

    Prandaj, kur ai foli në parlament, socialistët e lanë të flasë pa e shqetësuar, e mbrojtën nga akuzat e opozitës, madje e duartrokitën në fund, jo se është ndonjë “hero i fëmijëve tanë”, por se nga mënyra si e trajtuan në Kuvend, e konsiderojnë hero të partisë.

    Video më poshtë, kur vetëm gjysma e sallës, nga ana e socialistëve e duartroket Altin Dumanin në fund të fjalës së tij.

  • Nga Agim XHAFKA – Nuk duam as drita, as ujë. Duam që qeveria të thyejë qafën!

    Po kërkuam drita kur na ikin, na hakërrehen se nuk dashkemi Reformën në Drejtësi!!

    Kur bërtasim uji nuk na ngjitet as në katin e tretë, na shajnë e na “sqarojnë”, kjo ndodh ngaqë ne urrejmë Reformën!!!

    Kollitemi nga ajri i helmët, nuk shërohemi nga ilaçet fallco, syrgjynosemi nëpër botë nga që nuk gjejmë punë në atdhe, sërish fajin e kemi vetë ne… se nuk dashurojmë Reformën.

    Kaq manipulues është media lëpirëse, qeveria grabitqare, propaganda sa nuk guxon të thuash një të vërtetë. Në çast etiketohesh armik i Reformës.

    Jetojmë në një republikë me kokë poshtë. Hajduti është ministër, vrasësi bëhet deputet, injoranti rektor në universitet dhe bojaxhiu drejtor materniteti. Pjesa tjetër e shëndoshë, ajka e shoqërisë, goditet sapo kërkon një të drejtë, sapo skicon rrugën e progresit. Dje dënoheshim për sulm ndaj atdheut shkëmb graniti, sot si sabotatorë të Reformës në Drejtësi. Ndaj nuk guxon më njeri të qahet për punë e zhvillim. Se e di reagimin.  Dhe shqiptari i ndershëm, punëtor, që të mos vdesë nën varenë e Rilindjes, ikën nga sytë këmbët. Sot vendi nuk na mban në gji. Si leshterikë na përplas shkëmbinjve dhe na urdhëron: “Duajeni Reformën! Duajeni ose vdisni!”

    Kësaj arrogance, ka mbërritur çasti t’i themi:

    -Qeveri, pirdhu me gjithë Reformën tënde. Nuk duam as drita, as ujë, asgjë, vetëm të zhdukeni nga drejtimi i vendit. Se mësuam që dini të vidhni, të vrisni, të gënjeni, të rrëmbeni, por nuk keni haber nga njerzillëku, nga dashuria, dija e harmonia.

    Ndaj atë Reformën në Drejtësi futeni në bythë e gënjeshtrat bëjini çaj përzierë me trefletshin që bleruat krejt Shqipërinë. Racë zuzarësh që epitetin e keni kleptokratë cilësorë. Bartës të ADN-së të vesit.

  • Nga Luçiano BOÇI – Atentatorët

    Atentatori që qëlloi mbi Donald Trump, nuk ishte thjesht 20 vjeçari i regjistruar si republikan e që jepte donacione për Biden. Ai ishte gishti në këmbëz. Por vetëm gishti. Jo koka apo kokat.

    Ata që e çuan Crooks në çati, janë disa faktorë, të ngjashëm me kalorësit e apokalipsit. Jo thjesht njerëz dhe jo një atentat i vetëm.

    Ata janë axhendat, propagada pa fre, indoktrinimi, sulmet shtetërore, gjuha e urrejtjes, linçimi i kundërshtarit politik. E normal pas këtyre fshihen njerëz e qëllime.

    Vetë Trump përfaqëson iniciativën politike të së djathtës konservatore që i kundërvihet të gjithë formave shkatërruese e deformuese të demokracisë, shtetit, drejtësisë, familjes e besimit.

    Tentuan ta eleminonin brenda vetë partisë nuk e arritën. U imponua me forcë si kandidat. I sajuan procese gjyqësore pa fund dhe e trajtuan në opinion si kriminel dhe përsëri nuk ia arritën. Atentati ishte një pasojë pothuaj logjike e gjithë investimit të një pushteti axhende për të eleminuar sfidantin.

    Pushtetet që burojnë nga indoktrinimet e axhendat e korruptuara dhe ideologjitë ekstreme, janë të njëjta kudo e sillen njësoj, pa dallim kohe dhe hapësire. Ato përdorin rregullisht “atentatorë”, qoftë dhe ata që vetëfrymëzohen. Nuk ka rëndësi çfarë emri kanë e nëse janë individë apo institucione. Janë libertinë apo funksionarë. Këto pushtete të deformuara kanë të njejtin qëllim. Zgjatjen e pushtetit të establishmentit.

    A nuk përdori dhe Putin në fund të fundit “atentatorët” e tij perfidë shtetërorë, me gjykata e burgje, për të vrarë Navalnin që i rrezikonte pushtetin?! Sepse pushtetet e këtilla mbahen me atentatorë dhe donatorë.

    Ngjashëm ndodh dhe tek ne, ku pushtetit i axhendës e i korruptuar aktivizon atentatorët e vet për të eleminuar sfidantin e pushtetit, kreun e opozitës Berishën. Sepse dhe ai sikurse Trump është iniciativa politike e së djathtës për demokraci, shtet të së drejtës, për liri, për familjen e besimin.

    “Atentatorët” e përdorur nga pushteti i korruptuar i Ramës përfshijnë sot një seri institucionesh e njerëzish, mediash dhe basifondesh.

    E ndryshe nga Amerika, ku aktivizimi atentues kalon me induksion vetëm nëpërmjet axhendave, gjuhës së urrejtjes e indoktrinimeve, pa përfshirë drejtpërdrejt politikën e përfaqësuesit e saj, në Shqipëri atentatorët sajohen, mbështeten e stërviten e urdhërohen nga politika e pushteti, madje nga kryeministri dora vetë.

    Atentatorët ndaj Berishës njësoj si ndaj Trump, janë gjithfarë ngjyrësh. Propaganda, gjuha e urrejtjes, lincimi politik e njerëzor si faktorë-atentatorë që ato përdorin janë ekzemplare. Axhendat e tyre stimulojnë urrejtjen e disintegrimin social kapilar. Ata vepruan për të eleminuar e vrarë Berishën brenda partisë, por dështuan me sukses. E gjitha e ndërkallur dhe e brenda një kori bretkosash me spin-doktorët e mediave të blera që përdoren si atentatorë me pagesë duke shëtitur emision më emision.

    Nuk nguruan dhe me një “Crooks”, për ta goditur fizikisht dhe vrarë si rastësisht Berishën. Zoti atë ditë ishte afër tij. I gjakosur e pagjunjëzuar përcolli në miting mesazhet e tij antiestablishment.

    Pas kësaj Rama aktivizoi “atentatorët” e vrasjes së votës, për “të vrarë” në zgjedhje Berishën, pa ia arritur qëllimit. Delinkuentë me kollare e pa kollare, hajdutë xhepash e tenderash, banditë ordinerë e politikë u bënë bashkë si atentatorë vullnetarë, për të hedhur plumba votash të grabitura mbi Berishën.

    Pas atentatorëve të zgjedhjeve Rama aktivizoi “atentatorët” e drejtësisë së re në SPAK e GJKKO, për ta “vrarë” domosdoshmërisht Berishën. Me hetime pa fakte e pa prova, me arrestim antiligjor e antikushtetues, atentatorët me tunikë e me tre mbiemra kanë arritur përkohësisht ta izolojnë Berishën, pa mundur ta eleminojnë atë dhe rolin e tij si kryetar i PD.

    “Atentatorët” kundër Berishës të urdhëruar nga kryeatentatori po bëjnë gjithçka për ta “vrarë”, por ai ka mundur t’i mbijetojë atentateve të disata. Kjo falë forcës e qëndresës politike të tij, të cilat do të japin në fund frutin e triumfit.

    Zoti është me të vërtetin e të drejtin! Ai ndihmon guximtarët.Pushteti që mbahet në këmbë me atentatorë, duhet shembur nga themelet.