Blog

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Rama, Veliaj dhe Balluku në mes

    Nga Basir ÇOLLAKU – Rama, Veliaj dhe Balluku në mes

    Duket se kongresi i socialistëve të shtunën me 27 korrik, i shtyrë për kolaudime të shumta vizitash e pritash, ka një ankth në pritshmërinë sa qeveritare, aq edhe kalendarit të ri elektoral-parlamentar. Me SPAK-un gjithnjë e më shpesh te dera partiake, mazhoranca është e trullosur, se mbi kë do të vërë dorë shefi, për ta mbajtur ca më gjatë, apo për ta shtyre ca më shpejt drejt derës së kangjellave. Korridoret politike-mediatike, sjellin gjendjen e rënduar të Erion Veliajt, afria e të cilit me Edi Ramën është nën shënjestrën e një spastrimi milimetrik, ndërsa Belinda Balluku përpiqet ti japë një dorë rivalit, e ta zëvendësojë në tregun socialist të ambicieve.

    Bilanci kohët e fundit, është në favor të ministres, kur sasitë e dosjeve, inventari i zgjedhjeve të shkuara dhe koketeria ndaj shefit, favorizojnë atë me bonuese, afërsisht si kompania fantazmë e inceneratorëve. Veliaj ka 90 përqind të drejtorëve në qeli. Nga hetimi zyrtarisht, nga Prokuroria e Posaçme, pas një zvarritjeje me shumë kosto, ka akuzë për dy grupe të strukturuara kriminale, për vjedhje e plaçkitje në institucionin e drejtuar prej tij. Një vendim Gjykatës së Posaçme, kërkon përfshirjen në hetim për grup kriminal, bashkë me drejtorët edhe të kryebashkiakut. Erion Veliaj. Më tej i vëllai, Arbër Veliaj, gjendet në një hetim pasuror, e lidhur kjo me një procedim penal thuajse familjar. Bashkëshortja e zyrtarit gjithashtu është në fokus të veprimeve hetimore. Ndërsa Balluku, nuk ka mbetur pa një hetim pasuror të endur rreth saj. Ka një drejtor, atë të rrugëve, Evis Berberi, të arrestuar nga SPAK. Por më lart prokurorët nuk kanë mbërritur ende.

    As në plazh në Vlorë te anijet e energjisë të fikura, gllabëruese të miliona eurove, nuk kanë shkuar, as te tenderat e rrugëve të arta. Kanë përtuar të hedhin një sy edhe te tunelet për te sarajet e Samirit dhe te këneta e tunelit të Murrizit, rrugës së Llogarasë e asaj të Arbrit. Investime për shoqninë, ku ka shkëmbime qokash me ndere të mëdha propagande dhe jo vetëm. Duket se Veliaj, pasi shfrytëzoi rastin të kontribuojë në largimin dërrmues të konkurrentit të brendshëm partiak, Sajmir Tahirit, i cili ishte edhe vetëvrasës deri diku, tani në renditjen e pasardhësve, gjendet ngjashëm shënjestër e jo favorit. Prokuroria e Posaçme ka favorizuar kryebashkiakun në mënyrë të pashpjegueshme, duke i dhënë mundësi të pengojë drejtësinë e dëmtojë hetimin, pa kërkuar një masë arresti për të, pa e larguar nga zyra, në gjithë këtë dëm miliardash. Ku akte e fakte publike ulërasin ndërsa hetuesit ende heshtin. Bashkiakun kanë nisur ta braktisin për ditë e më shumë ushtarë, rrogëtarë e rojtarë. Madje edhe Fatmir Xhafa, i shpërblyer me mandat prej tij, kur Rama e degdisi në fundlistë në zgjedhjet e 2021, qëndron më afër kryeministrit. Duke ofruar devotshmërinë e përdorjes, ka marrë një komision kontrolli për drejtësinë, pasi ka nuhatur kurbanin e radhës.

    Biznesmenët të mëdhenj e të mesëm, pa harruar banditët e magazinave të parasë pastruese të drogës e korrupsionit, pas Vendimit të Këshillit të Minsitrave se mbi 5 mijë metër katror ndërtim, kalon nga firma e shefit të qeverisë, e shohin Veliajn një makinë që po ikën, ndaj rrinë nën sqetullat e ekzekutivit, kur të pikojë bereqeti. Nga ana tjetër, tendërat e punëve publike, koncensionet në energji, ku Balluku është orientuese e kontrolluese, bëjnë skedinën afër saj më të favorshme. Lobingjet e bashkiakut, ku Soros hedh foto më shumë me Ramën, vëlla-motrën e madhe se atë të vogël, janë një ngërç i ri, aq më tepër që në USA , era Trump, ku Rama rrotullohet me pazar nëpër këmbë, ndikon jo pak, tre muaj nga gara zyrtare. Deri tani Veliaj e ka zvarritur fundin. Vizitat në Amerikë, Turqi, Zvicër, janë blerje vaksinash shtesë, ku as Balluku nuk ka qëndruar urtë në trajektoren USA-BE. Nëse ai merr amnisti, atëherë Prokuroria e Posaçme, të ulë qepenat, të mbjellë domate në oborr, e të mos shesë dardha drejtësie. Edi Rama është një me Veliajn, Ballukun, e çdo hajdut qeveria e bashkie deri në 2 metra, duke qenë në majë të plehut të derdhur.

    Kjo pasi asnjë qindarkë nuk ka dalë nga thesari, pa dijeninë e tij se ku përfundon e kush përfiton, pa shmangur në asnjë sekond vetveten në tefter. Asnjë bandit e mafioz nuk ka pastruar para me bashkitë e ministritë, pa dhënë hesap, xhevap, e xhelep para tij. Këtë herë Veliaj ka qafën e shtrirë, e Balluku ankthin e ngrirë. Në kongresin e së shtunës, janë disa ministra të bërë gati për të këmbyer karriget, e ndoshta kjo është shenjë se për to, kanë mbërritur kallaballëk defterësh penalë nga partnerët, ku së shpejti do të bëhen mysafirët e “Dumanit” Parashikimet e motit politik te socialistët, janë disi tropikale, në varësi të interesit e humorit të Ramës.

    Por ngrehina ka marrë krisje serioze dhe kongresi do të përpiqet të vërë arna të reja. Koordinatorë e emërorë qarqesh duke pritur të parët e zgjedhjeve parlamentare nëpër rrethe, do të formatojnë skuadrat. Njëherësh grupet kriminale do të atashohen pranë ekipeve partiake, me garancinë se SPAK do të rrijë rehat, nuk do hapë kutinë e zezë, e dosjet do të zënë njëra-tjetrën. Vëzhgues mund të ketë jo rastësisht e pa qëllim edhe nga Ndrangheta, Sacra Corona Unita, Cosa Nostra, sidomos Sonaloa, e të tjerë. Sepse investimet e kokainës presin vazhdimësi kontratash. Tani në raportin e Ramës me Veliajn ka mbirë Balluku në mes, si sfiduese për më shumë aksion politik. Megjithatë ,aty ka socialist-komunistë të Zonës së Parë Operative, mbajtës të tapisë së vjetër, të cilët duhet të japin po-në e tyre për çdo aplikim karriere mbi aktualitetin.

  • Nga Armand MAHO – Derexheja Veliaj!

    Siç po rrjedhin ngjarjet duket se incidenti i ndodhur në këshillin bashkiak të Tiranës ka qenë një inskenim që si ideator dhe regjisor ka pasur Erjon Veliajn. Nuk di të them se çfarë ka pasur në mendje, por për ata që e njohin e dinë fort mirë që imagjinata e tij propagandistike është e pafundme.

    Afera e inceneratorëve, ajo e 5 d, apo dhe raportet për pastrimin e parave me tendera dhe kulla në Tiranë e kanë vënë në shënjestër kryetarin e bashkisë që cilësohet si ndër më të korruptuarit dhe të lidhur me krimin e organizuar, ndoshta që kur tirana është shpallur kryeqytet, duke thyer kështu dhe rekordin e Edi Ramës, i cili ngriti në sistem 20% e lejeve të ndërtimit. Të gjitha këro e kanë vënë një pozitë aspak komode.

    Tedi Blushi një gazetar prej më shumë se 20 vjetësh, u sulmua pabesisht nga një prej sejmenëve të Erjon Veliajt në mbledhjen e Këshillit Bashkiak . Për ne që e njohim Tedin prej më shumë se 20 vjetësh e dimë farë mirë se dhuna dhe konflikti nuk janë veçori të  karakterit të tij. Sa për mistrecin që tentoi ta sulmonte, ( them tentoi se nuk arriti) sja vlen të harxhojmë radhë shkrimi dhe energji, por fakti që na qenka irrituar aq shumë prej veprimit të Tedi Blushit që sbëri asgjë përveç se i hodhi në surrat “lalit” zullumet  e tij, tregon qartë se në çfarë derexheje ka mbërritur Veliaj dhe kush i ka mbetur që ti bëjë mbrojtjen.

    Duket qartë se Ai (Veliaj) ka kërkuar të krijojë një incident ditën e djeshme. Se për cfarë i duhet veshja antiplumb në mbledhjen e këshillit bashkiak dreqi e merr vesh. Tedi Blushi do shprehej se në sallë ndosheshin persona të dyshimtë, ndërsa detektuesi i metaleve atë ditë nuk punonte.

    Ndoshta të gjitha mund të jenë rastësi, por në rast se do  analizojmë sjelljet e kryetarit të Bashkisë ndoshta do ndërronim mendim. Fjala vjen, Veliaj në pjesën dërrmuese të rasteve qoftë dimër apo verë në publik dhe këtu spërjashtohen as mbledhjet e këshillit bashkiak paraqitet ose me mëngë të shkurtra ose me këmishë, ndërkohë që në këto kohë temperaturat janë 45 gradë, dhe pikërisht dje ai kish zgjedhur të vishej me xhaketë! E dyta, detektuesi i metaleve në bashkinë e Tiranës, qëndron non stop ndezur, madje kur ka mbledhje këshilli ka dhe përforcim me forcat policisë bashkiake që rrëmojnë dhe buzëkuqet e grave. E treta, dihet marrëdhënia e ngushtë e  “lalit” me elementë të krimit të organizuar dhe trafikut. Organet ligjzbatuese mjaft të hapin kamerat e institucionit dhe të shohin se kush hyn e kush del në zyrën e tij përgjatë ditës, për të kërkuar leje ndërtimi, tendera e gjithfarëlloj nderesh që shkojnë kryesisht në funksion të pastrimit të parave.

    Por natyrshëm lind pyetja përse do inskenonte Erjon Veliaj një situatë të tillë?

    Përgjigja është e thjeshtë.  Veliajt i duhet zhvendosë vëmendjen nga skandalet që kanë përfshirë atë  dhe institucionin që ai drejton, si dhe për të marrë sërish  vëmendjen e Ramës i cili pasi e shtrydhi si limon, e detyroi të firmoste gjithçka deshte, tashmë po e shikon vetëm si një barrë më shumë ish beniamin e tij që e mori nga hici për t’a vënë në krye të bashkisë më të madhe në vend.  Këtë herë, Veliaj smund ta bëjë këtë duke përdorur ahengxhinj  e çingie që i vendos në rresht për të mbjellë pemë, e bërë paradë. Nuk mund ta bëjë as duke u shpallur si kryebashkiaku më i mirë i kontinentit, nuk mund ta bëjë as duke dhënë shembullin e djalit të mirë që shkon me biçikletë në punë. Jo këtë herë atij i duhet një inskenim i mirëmenduar, për të paraqitur në publik një opozitë të dhunshme që të të gjitha akuzat i ka me synim marrjen e pushtetit…. Kjo në imagjitën e tij, do e paraqiste si viktimë e më pas si  hero jo vetëm në sytë e elektoratit socialist, por ndoshta do rimerrte dhe një herëvëmendjen e dikurshme të shefit.

    Për ata që mund tu duket një plan mediokër mos habiten aspak se Veliaj por dhe shpura e rilindjes kështu veprojnë. Sajojnë gjëra të paqëna për të fajësuar kundërshtarin, dhe më pas me të njëjtat gënjeshtra vijojnë luftën politike.

    A ishte Erjon Veliaj që si skuth lyente trushkulurit më 21 janar me bojë të kuqe për të krijuar një imazh tjetër nga ajo cpo ndodhte aty. A ishte ky që për vrasjen e Ardit Gjoklajt në landfill tha se ishte vrarë jashtë për të çorientuar hetimet. A ishte ky që tha se çmimi i përpunimit për ton tek inceneratorët  ishte më ulët se ai i propozuar nga opozita, ndërkohë që doli e kundërta. A ishte ky që në çdo emision lanconte si vlera drejtorët e tij hajdutë të “5d” si vlera të shoqërisë. A po na e shet ky vjedhjen e pronës, shembjen e teatrit, shkatërrimin e identitetit kulturor si progres. A ishte ky që gënjeu për çmimin e ujit?  A ështe Erjon veliaj avokati më i zjarrtë i çdo afere korruptive i gatshëm që është “shet”-in ta shesë për mjaltë.

    E pra të gjithë duhet ta mbajnë vath në vesh. Veliaj është një burracak i gatshëm të bëjë gjithçka për të shpëtuar veten dhe  pushtetin që e ka  marrë pa asnjë meritë. Ai me veprimet e tij, qesharake apo jo, me sejmenë që u hedh ndonjë kockë përherë do tentojë të turbullojë mendjet e njerzisë. Por këto kohë e ka trashur aq shumë zullumin sa duket se dhe të tijët po i rrinë larg si lebrozëve dikur.

    Litari i manipulimit dhe propagandës që se linte të mbytej, duket se këtë herë është këputur në mënyrë të pakthyeshme, aq sa dhe një kryeministri të pacipë si Rama i vjen turp prej tij.

  • Nga Andi BUHATI – Më mirë “M”… sesa i varfër

    Në Shqipëri përbën mallkim të jesh i varfër. Ky është konkluzioni i parë dhe i vetëm i skandalit të micro credive, që prej disa kohësh, po rrihet mbarë e parapë, duke anashkalurar në mënyrë ulëritëse thelbin.

    Disa synojnë ta lënë përgjegjësitnë te Banka e Shqipërisë, një palë e dytë mëton të drejtojë gishtin tek qeveria dhe ministria e drejtësisë, që ka dështuar të kontrollojë një tufë përmbaruesish abuzuesë, ndërsa të tjerë fajësojnë parlamentin që ka neglizhuar të ngrejë kuadrin e nevojshëm ligjor për  të ndaluar krimet e mostrave të financës. Por edhe në këtë rrëmujë opinionesh, se kujt do ti mbetet faji, pak kush kujtohet për viktimat e vërteta, ata nga 30 mijë deri në 100 mijë (nuk ka transparencë për shifrën) që përbëjnë pjesën më të vobektë dhe vulnerabël të shoqërisë.

    Simboli i tyre u bë Pal Trashaj, që i dha fund jetës një muaj më parë në dyert e SPAK, pasi nuk e përballonte dot më lakun e borxheve që po i merrte frymën. Ai u largua nga kjo jetë vetëm për 76 mijë lekë kredi, që pati marrë plot 16 vjet më parë, kamatat e së cilës vijonin ta përndiqnin si hije.

    Për të kuptuar historinë e tij dhe të shumë të ngjashmëve të vet, duhet njohur pak ecuria e ngjarjeve. Në vitet 2015-2016, sistemi ynë bankar ishte në prag të kolapsit. Bankat e nivelit të dytë numëronin në portofolin e tyre gati 25% kredi të këqia. Qeveria Rama 1 dhe ministria e financave u angazhuan vetë për të ristrukturuar dhe lehtësuar borxhet e më të mëdhenjve. Për të vegjlit, për ata që kishin marrë borxh sa për të mbajtur ndonjë biznes gjallë, apo për të mbyllur ndonjë brimë në shtëpi, u zbatua një skemë tjetër. U bë ligji për krijimin e kompanive që mblidhnin këto kredi të pashlyera. Dhe pikërisht këtu, bashkë me lejimin e kompanive të micro credive, u krijua një skemë mafioze. Financierë, përmbarues privaë, noterë e gjyqtarë formësuan lidhje okulte, që me anë kërcënimesh e mashtrimesh t’i rrëmbenin kredimarrësve të vegjël deri tetë fishin e shumës që ata patën marrë hua dikur. Me metoda brutale përmbaruesit shantazhonin të pambrojturit me sekuestrimin e pasurive dhe me nxjerrjen nga shtëpia. Pas tyre i vinte radha ‘dorës së ngrohtë’ të financierëve që ofronin zgjidhje duke dhënë një mikro kredi me kushte rrobëruese për të larë të parën. E kështu ai që kishte pasur dikur nevojë për një grusht lekësh shndërrohej në mënyrë të pakthyeshme në viktimë.

    Kjo skemë është bërë tashmë e njohur nga zbërthimi që i ka bërë prokuroria, që ka çuar edhe në sekuestro dy nga kompanitë abuzuese, por pyetja që shtrohet pas zbulimit të saj është: si askush nuk e vuri ujin në zjarr për më të pambrojturit?

    Po të ndjekësh sagën e këij skandali kupton se egzistonte një merak i shtuar për të shëruar bankat nga kreditë e këqia, se u bë ç’mos për të reduktuar borxet e kapitenëve të oligarkisë, por se asksush nuk e çau kokën për ata dhjetra mijra vikima që u lanë në mëshirë të fatit.

    Pse ndodhi kështu?

    E gjithë kjo neglizhencë për të mbrojtur hallkën e fundit të zinxhirit, kjo harresë për fatin e më të dobtëve, e ka një sfond dhe një shpjegim. Vendi sot qeveriset nga një forcë politike, e mbështetur nga një kastë e verbuar nga etja për fitim, e cila e konsideron si faj dhe turp varfërinë dhe që as nuk e ka në radarët e vet solidaritetin me të prekurit prej saj. Jo më kot, që në nisje të erës rilindase, shefi i saj i ftoi investitorët e huaj të zbarkonin në këtë vend ku puntorët shfrytëzoheshin më lehtë, pasi nuk ekzistonin sindikatat. Jo më kot, shumë vite më pas, ai u bëri thirrje biznesmenëve vendas të punësonin bangladeshas dhe ti zbonin ata pasi të mësonin shqip dhe të tuboheshin për të mbrojtur të drejtat e tyre.

    Partia që erdhi në pushtet duke ulëritur për padrejtësinë e 5% të shqiptarëve që kishin pasuri sa 95%-shi tjetër i popullsisë, përfundoi duke i shtuar pabarazitë në vend. Sot, në parajsën turistike të kontinentit, më shumë se gjysmës së popullsisë nuk ia mban xhepi të shkojë me pushime. Eshtë e njëjta gjysëm që sipas studimeve ndërkombëtare rrezikon të bjerë në mjerim, duke jetuar me më pak sesa 5 USD në ditë.

    Në këtë filozofi e merr përgjigjen edhe pyetja naive se si qe e mundur që askush nuk u kujtua për të mbrojtur viktimat e vrasësve financiarë që shpunë drejt vetëflijimt Pal Trashajn. Atë e kupton edhe më mirë, kur shikon se një parlament, që nxiton të prodhojë ligje me procedurë të përshpejtuar, për teatrin e Fushës, për portin e Alabarit apo për Zvërnecin e Kushnerit, nuk u kujtua për mbi një dekadë ti vinte tavan kamatave marramendëse që vrisnin më të varfërit.

    Këtu qëndron thelbi i skandalit të micro credive. Prandaj përgjegjësia nuk mund të mbetet jetime në ping pongun që bëjnë institucionet për t’i lënë fajin njëra-tjetrës. Ajo është shumë më e thellë sesa kaq. Ajo është simptomë e një vendi ku asksuh nuk merakoset për më të dobtin dhe më të pafuqishmin. E një shoqërie të cilës, kapitalizmi i egër, i’a ka ndryshuar fjalën e fundit të shprehejes së dikurshme: “më mirë M…sesa i vogël”.  Tani aty mund të lexosh “i varfër”.  

  • Nga Basir ÇOLLAKU – SPAK-u digjet, qeveria krihet…

    Nga Basir ÇOLLAKU – SPAK-u digjet, qeveria krihet…

    Ministri Arbian Mazniku dhe deputeti Plarent Ndreca, janë dy taksitë e fund dhe fillimjavës drejt Prokurorisë së Posaçme, duke e bërë tashmë të vështirë të gjesh një qeveritar socialist, qëndror apo vendor, të munguar në hetim, nën akuzë, të pandehur, të dënuar, të arratisur, në azil apo në kërkim.

    Dendësia dhe ngarkesa është tej parashikimeve. Të arrestuar, dënuar, në kërkim e hetim, të gjithë kanë një emërues të përbashkët. Korrupsion, vjedhje, shpërdorim detyre, mashtrim, pastrim të produkteve të veprës penale ose pastrim parash, hetim pasuror dhe grupe të strukturuara kriminale. Është e gjithë qeveria. Thjesht kanë data të ndryshme paraqitjeje për të dëshmuar.

    Të kallzuar, në hetim, të pandehur, në kërkim, në qeli:

    -Edi Rama

    Niset me shefin e madh. Nga zgjedhjet e “184-ës” së vitit 2016 në Peshkopi. Për të duhet një SPAK më vete, nuk dalin 20 prokurorët aktual me agjentët e Byrosë së Hetimit. Janë për Charles McGonigal, inceneratorët, invetimet strategjike, Teatrit Kombëtar, këshilltarët e karteleve mafioze të kokainës, italian e rumun, lobingjet, offshoret, call-centerat, rindërtimet e pastërmetit, kriptomonedhat e një numër të madh vendimmarrjesh me firmën dhe porositë e tij.

    -Arben Ahmetaj

    Ish-zv/kryeministër i Edi Ramës, sot në arrati, në proces azili në Zvicër, i pandehur në dosjen e inceneratorëve dhe dosjes “Buka”, njeriu i financave publike me dijeni sekondash për çdo qindarkë të harxhuar apo dhuruar.

    -Sajmir Tahiri

    Ish-ministër i Brendshëm dënuar për shpërdorim detyre, në hetim pasuror muajt e fundit dhe kërkesë ende e pambaruar e prokurorisë, për të rikthyer hetimin e akuzën në ngarkim të tij, për trafik ndërkombëtar droge. Për atë kanabizimin masiv, ku ai ishte administrator dhe Rama si pronar i platformës.

    -Ilir Beqja

    Ish-ministër i Shëndetësisë dhe koordinator projektesh të donatorëve të BE, i arrestuar javë më pare, pas një hetimi të gjatë. Aktualisht në qeli, në hetim për koncensionin e sterilizimit, por edhe projekte të BE, njëherësh në hetim pasuror dhe për lidhjet e bizneseve të tij e familjes në qarkullimin e parave. Ministri për të cilin Gjykata i kërkoi Prokurorisë Speciale afro një vit më parë, masë arresti, por dikush nga pushteti kurdisi akrepat ndryshe.

    -Ulsi Manja

    Ministër i Drejtësisë, personazhi në hetimet e dosjes së krimit elektoral “184”, i burgjeve ku armët hyjnë më kollaj se uji, ku të dënuar e pandehur drejtojnë institucionet, porosisin vrasje e vënë gjoba… e histori të reja të pritshme nga Franca.

    -Fatmir Xhafa

    Ish-ministër i Brendshëm me vëllanë e dënuar për trafik ndërkombëtar droge. Një hetim pasuror i filluar e pambaruar. Dhëndrri i tij, vartës i Veliajt tek lejet e ndërtimit, apo Lilo-ndërtuesi-përfitues, miku ku strehohen prokurorë e gjyqtarë.

    -Olsi Rama

    Rama 2 në një hetim për trafikun ndërkombëtar të kokainës për dosjen “Xibraka” ku gjermanët po sjellin habere të reja të përfshirjes dhe SPAK nuk do shurdhohet, si Krimet e Rënda dje.

    -Lefter Koka

    Ish-ministër i Mjedisit të qeverisë “Rama”, aktualisht në qeli, dënuar për iceneratorin e Elbasanit, në proces për atë të Tiranës, nën akuzat e shpërdorimit të detyrës e pastrimit të produkteve të veprës penale, njëherësh në hetim pasuror.

    -Erion Veliaj

    Në hetim pasuror, pasi më parë kishte hyrë në këtë regjim ligjor i vëllai Arbër Veliaj. Veliaj pas një presioni të madh publik, mediatik e sidomos të opozitës me 17 protesta, është thirrur për të dëshmuar për inceneratorët dhe dosjen “5D”. Gjykata e Apelit, në vendimin e disa ditëve më parë i sugjeronte Prokurorisë së Posaçme të hetonte të pandehurit e dosjes “5D” duke përfshirë edhe titullarin e Bashkisë Tiranë, si grup i strukturuar kriminal, akuzë e zyrtarizuar për një pjesë e në pritje për tjetrën. Vëllai e bashkëshortja e tij, kanë episode të rënda për të zbardhur në prokurori. Më herët janë shumë akuza ku përfshihet titullari, por prokurorët e kanë marrë me ngadalë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shembjen paligjshmërisht të Teatrit Kombëtar nga Bashkia, shkresa e firmosur nga Veliaj, ku merr tagrat e Këshillit Bashkiak për inceneratorët. Lidhjet e dyshimet e shumta për “Eco Tiranën” e lidhjet e ortakëve italianë me Ndranghetën. Dosja e ndërtimeve, prej katër vitesh e regjistruar, pjesë e asaj dosjeje me shumë përgjime të sjellë nga antimafia italiane, ku sërish shfaqet Ndrangheta si prenotuese kullash në Tiranë, me leje të bashkisë…. e shumë të tjera si miliona pemë imagjinare e tendera elektoralë.

    Vizitorë në SPAK apo prag të pandehur

    -Engjëll Agaçi

    Shumë vendime për inceneratorët 17 në një ditë, lidhja me Artur Shehun sipas reportazhit të Rai 3, për sugjerimin e garancinë ndaj gjeneralit të arrestuar e dënuar në Itali, Fabrizio Lisi, për dhuratën e 30.000 metër katror në bregdet gjeneralit hartues të raporteve të Guardia di Finanza, se është asgjësuar cannabis me 99.8 përqind në Shqipëri dhe dijeni për rrethana hetimore. Përfshirjet në çështjen Becchetti ku shqiptarët humbën për tekat e tij, të Veliajt e Ramës, 150 milionë euro e mjaft histori të tjera hetimore.

    -Damian Gjiknuri

    Udhëtime me Zoto e Mërtiri dhe verifikime të tjera për pagesa hotelesh, për dosje kur ka qenë ministër Infrastrukture, licensa hidrokarburesh për heqjen kompanisë amerikane e hapjes rrugë atyre ruse. Kompania amerikane në Arbitrazh ka fituar një pjesë të rëndësishme të pretendimit ndaj qeverisë sonë, duke na ndëshkuar miliona euro. Për Unazën e re, me 22 milionë euro një kilometër rrugë. Fijet me indianët 800 milionë eurosh, si gjoja emigrant dhe përfshirjen në investime të mëdha në Tiranë e jo vetëm. Guruja indian që e lidhte familjen e tij me një pretendim për një donacion shumë-shifror në një tempull në Frankfurt.

    -Niko Peleshi

    Ftuar në Prokurori për histori bashkiake e tendera, për të saktësuar rrethana hetimore, kur ka qenë kryetar bashkie në Korçë, por nuk mund të heshtet për shumë tendera në Ministrinë e Mbrojtjes e dijenia e tij është në sitë skanimi.

    -Arbian Mazniku

    Minsitër i pushtetit vendor, ish-nënkryetar i bashkisë Tiranë, e nisi me tre orë në zyrat e agjentëve të BKH të hënën e 22 korrikut, në cilësinë e personit që ka dijeni për tendera në bashkinë Tiranë, “5D” apo inceneratorët. Megjithatë, bizneset e familjarëve me pushtetarë të tjerë, ku kanë vërshuar para në shuma të mëdha indirekt nga vendimmarrjet e pushtetit janë në investigim prej kohësh.

    -Taulant Balla

    Denoncuesi i rremë për Berishën e Malltezin, për të cilin Prokuroria nuk nis hetime, me gjithë provat e shumta të depozituara prej tij vet. Personazh ku hetimi ende nuk ka konkluduar për dosjen e “Toyota Yaris” ku transportoheshin miliona euro cash, në skandalin e rëndë të TIMS, në përgjimet e asgjësuara për vrasjet në Elbasan, për hetimet rreth njohjes apo takimeve me Suel Çelën, të kërkuarin e drejtuesit të grupit kriminal të Elbasanit. Mbase edhe për rrethana të reja që kanë sjellë e do të sjellin dosjet nga franko-holandeze e belge, për xhevahiret kriminale të dala nga prodhimet e sky-encros.

    -Plarent Ndreca

    Deputeti socialist, mandatuar pas largimit të ish-zëvëndëskryeministrit Arben Ahemtaj është thirrur në SPAK, për tenderat e rindërtimit të komisariateve. Afërmendsh prokurorët duhet të marrin dëshminë e tij të munguar për tenderin 28 milionë eurosh të uniformave të policisë, që shkriu vakët në kohën e pandemisë.

    -Sandër Lleshi

    Thirrur si person me dijeni për tenderin e uniformave të policisë, ku mungon dëshmia dhe hetimi, për ish-sekretarin e Përgjithshëm të kësaj ministrie aso kohe, Plarent Ndreca, si dhe për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ard Veliu, firmëtari i dakordësisë për specifikimet teknike në tenderin 28 milionë euro, ku u dënuan specialistë të niveleve periferike.

    -Olta Xhaçka

    Investirorja strategjike bashkë me të shoqin e mbrojtur egërsisht nga Rama, ndonëse Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë heqjes së mandatit të saj. Një procedim penal për bazat detare e tendera në Ministrinë e Mbrojtjes, drejtuar prej saj në kohën e pandemisë, nuk janë histori të mbyllura. Historia e marrëveshjes me detin për zonën ekonomike me Greqinë, si dhe thesare të dosjes “41” të Ministrisë së Jashtme janë një tjetër minë me sahat e pashpërthyer.

    -Belinda Balluku

    Zëvëndëskryeministrja Balluku, askush nuk kujtohet të hetojë nga Prokuroria e Posaçme anijet amerikane scrap në Vlorë, kontraktuar për energji me prodhim zero, por marrin 90 mijë euro në ditë e zonja Balluku duhet t’u rrëfejë hetuesve të dremitur. Tendera rrugësh e tunelesh në Llogara e në Rrugën e Arbërit, ku abuzimet qindra milionë euroshe ulërasin, por ende nuk shfaqen të pandehurit, duke rrëshkitur me një drejtor rrugësh të arrestuar, thua ai ka firmosur nga Kina e jo nën hyqmin e Ballukut. Një hetim pasuror, gjithashtu është aty, ende pa një përfundim rezultatesh, për ministren e preferuar të kryeministrit.

    -Frida Krifca

    Ish-ministrja e Bujqësisë, e ka pasur hetimin më elitar. Zyra e hetimit të fondeve të BE, OLAF, solli investigimin për 33 milionë euro qokash për t’u kthyer nga mashtrime e abuzime e ngrirje të 110 milionë eurove të tjera, si projekte ndihme për fermerët. Prokuroria e Posaçme nuk di kë të thërrasë më pare. E zonja e ka një biletë vajtje në këtë institucion për të rrëfyer napolonin e qerasjeve me para të taksapaguesve europianë, shoqnisë së partisë e jo fermerëve të bujqësisë.

    –Anila Denaj, Ervin Mete, Ogerta Manastirliu, tre ministra të thirrur për vendime e firmosje në historitë e financave për inceneratorë e koncensione, për dosje të tjera, ku paraja publike është plaçkitur nga kolegët e tyre. Denaj, gjithashtu duhet të mbërrijë të flasë për gjendjen e frikshme të sigurisë ushqimore, ku kallëzimet e rënda të bëra publike, nuk mund të mbeten pa përgjegjës. Gjithashtu, Albana Koçiu, minsitre e Shëndetësisë duhet të kishte mbërritur për të dëshmuar për skandalin e Onkologjikut, për historitë e ilaçeve, mjekimet e të vdekurve e marketin vrasës në mjekësi. Afro 25 bashkiakë janë në një situatë të tillë nga burgjet në të pandehur e në pritje, së paku dy të tillë për tu arrestuar. Kërkohen faqe shumë për të renditur drejtorë administrate e oficerë policie, të çdo niveli, të përfshirë në Krim të Organizuar, ndonëse shumica ende vijojnë nëpër zyra. Çdo Mafie në planet nuk do e besonte se ka qeveri konkurruese me të, në këtë mënyrë rreshtimi kriminal. Por, Shqipëria dhuron këtë model të pahasur askund…

  • Nga Dardan MITROVICA – Unë të krijova, unë të shkatërroj. Joe Biden e likuiduan klanet dem

    Nga Dardan MITROVICA – Unë të krijova, unë të shkatërroj. Joe Biden e likuiduan klanet dem

    Joseph Robinette Biden, i lindur në vitin 1942, mund të mburret me shumë rekorde. Është bërë senator në moshën 29 vjeçare (anëtari i shtatë më i ri në historinë e Dhomës së Lartë të SHBA-ve), ka qenë senator për 57 vjet rresht (1972-2009), ka qenë presidenti më i vjetër i zgjedhur në historinë e SHBA (78 vjeç) si edhe i zgjedhuri me numrin më të madh të votave, më shumë se 81 milionë. Por le të themi të vërtetën: askush nuk e ka konsideruar ndonjëherë lider, askush nuk e ka cilësuar ndonjëherë si një gjeni politik. Dhe si president nuk i zhgënjeu ata që e njihnin mirë dhe as nuk i befasoi ata që e njihnin pak.

    Në realitet, në nivelet më të larta të politikës amerikane, Biden ishte një produkt i klaneve brenda Partisë Demokratike. Ishin ata që e deshën përkrah djaloshit Barack Obama më 2009, si kandidat për zëvendëspresidencën dhe zgjedhja kishte racionalitetin e saj: Biden nuk do ta kishte trajtuar kurrë detyrën si senator i Çikagos, por do t’i kishte sjellë një përvojë gjigante korridoreve parlamentare të Uashingtonit. Siç ndodhi, për shembull, më 2011, kur u ngarkua të ndërmjetësonte me Kongresin për nivelet e shpenzimeve federale, për të evituar shut down-in e qeverisë.

    Për më tepër, në Shtëpinë e Bardhë, Biden njihej si i madhi dhe simpatiku gaffeur, njeriu i fjalës së gabuar në momentin e gabuar. Dhe edhe si njeriu i disa, le ti quajmë probleme të sikletshme: për shembull ai i djalit të tij Hunter, i cili u bë anëtar i këshillit administrativ të kompanisë ukrainase të gazit Burisma menjëherë pasi babai i tij ishte emëruar nga Obama për të marrë rolin e të dërguarit special të SHBA-ve për Ukrainën.

    Për ta projektuar në Shtëpinë e Bardhë, katër vjet më parë, ishte dëshira e klaneve Obama dhe Clinton, dhe e figurave historike si Nancy Pelosi, në mënyrë që të garantonin kontrollin e partisë dhe politikës kombëtare nëpërmjet një personazhi të mirënjohur prej tyre, jo me ambicie të tepruar, në përgjithësi lehtësisht i kontrollueshëm. I vetmi faktor që ata nuk mund të kontrollonin nuk ishte mosha, për të cilën nuk u interesonte që kur e zgjodhën në moshën 78-vjeçare.

    Tani, përballë perspektivës së një disfate për të cilën nuk duan të marrin përgjegjësi, Clintons, Obama & Co. e kanë braktisur brutalisht. A thua se e patën zbuluar dje se Biden është 81 vjeç dhe se vuan nga disa defaillances senile, të theksuara dukshëm nga sforcimet e rolit dhe nga ekspozimi mediatik. Sigurisht, pa e pyetur veten se përse propozimi politik dem, në fund të një presidence mediokre por jo shumë të keqe, ka kaq pak ndikim në Amerikën e thellë. Nderim pra për Bidenin, i cili kurrë nuk na është dukur kaq presidencial sa kur, si një zotëri i madh, vendosi të largohej.

  • Nga Dardan MITROVICA – Biden tërhiqet dhe mbështet Kamala Harris: Partia Demokratike zhytet në pasiguri

    Nga Dardan MITROVICA – Biden tërhiqet dhe mbështet Kamala Harris: Partia Demokratike zhytet në pasiguri

    Joe Biden tërhiqet nga gara për në Shtëpinë e Bardhë. Në fund ndodhi, por për Partinë Demokratike vështirësia në funksion të zgjedhjeve presidenciale fillon tani. Pak më shumë se njëqind ditë para votës së nëntorit, në të cilin demokratët do të duhet të mbrojnë drejtimin e SHBA kundër Donald Trump dhe zëvendësit të tij J.D. Vance dhe pas presioneve të mëdha Biden zgjodhi të tërhiqet dhe të mos kandidojë për një mandat të dytë.

    Biden ka shpjeguar se ishte “në interesin më të mirë të partisë sime dhe të vendit që unë të tërhiqesha” pas një sërë sondazhesh negative që e shihnin në rënie të vazhdueshme kundër Trump, në shtetet kyçe. Gjatë javëve të fundit, debatit katastrofik kundër Trump i janë shtuar kundërshtitë e shumë figurave kryesore dem, presioni për të shtyrë konventën e emërimit, hapja e një çështjeje politike pas atentatit të dështuar në Butler, Pensilvani, i cili i dha politikisht një asist Trumpit, në terma të miratimit.

    Nga tani deri në fund të mandatit, shpjegon Biden, “do të përqëndrohem ekskluzivisht në përmbushjen e detyrave të mia si president”, ka shkruar komandanti i përgjithshëm në X, duke mos i dhënë menjëherë një endorsement preçiz askujt prej atyre që potencialisht mund të kurorëzohen si kandidatë alternativë ndaj tij. As alternativës së natyrshme, zëvendëspresidentes Kamala Harris. të cilës iu dha endorsement në një komunikim të dytë.

    Pra, a do të jetë Kamala kandidate? “Disa demokratë kanë argumentuar se zëvendëspresidentja Kamala Harris duhet të bëjë një hap përpara. Të tjerë kanë sugjeruar një garë të hapur përpara apo gjatë Konventës Kombëtare Demokratike, e cila nis më 19 gusht”, ka shkruar Nicola Nehamas në New York Times. Duke sinjalizuar kësisoj problemin e madh të brendshëm të Dems. A do të ishte e besueshme të qëndrohej një muaj të tërë në mes të fushatës zgjedhore pa kandidatë alternativë? Për të thënë të paktën, e paimagjinueshme me një Trump kaq luftarak.

    E nëse emrat e mëdhenj të Partisë Demokratike kanë emra të tjerë, do të duhet bëjnë shpejt. Kushdo që ka kërkuar dhe ia ka arritur që Biden duhej të largohet, do të duhet të demonstrojë se ka aftësinë për të gjetur një figurë ndërmjetëse, të aftë për të bashkuar në një program politik koherent shpirtin e moderuar, atë centrist dhe jo të parëndësishmen rrymën progresiste të demokratëve me një posturë të orientuar drejt një plani të përbashkët politik. Që të mos jetë “gjithkush vetëm Trump jo”. Mbi një bazë të tillë, të bazuar ri-industrializimin dhe në projekte investimesh, Biden fitoi më 2020 duke pushtuar shtetet e lëkundura në Rust Belt. Ata që e shtynë Bidenin të tërhiqet kanë nderin dhe barrën që të zgjedhin një projekt për alternativën, duke qenë se presidenti ka qenë i kujdesshëm për të mos i nxjerrë gështenjat nga zjarri. A do të mundë Harris të jetë figura në fjalë? A do të mjaftojë paraqitja në zgjedhjet e mëparshme, të fituara nga Biden, si zëvendësja e tij legjitime për të marrë miratimin e dem? Dhe, mbi të gjitha, a do të jetë në gjendje Partia Demokratike të ndryshojë një fushatë negative presidenciale? Javët e ardhshme do të kemi përgjigjet.

  • Nga Kim MEHMETI – Duaje Shqipërinë edhe kur atë e drejtojnë hajdutët e ‘Rilindjes’

    Duaje Shqipërinë edhe atëherë kur treqind kilometrat nga Shkupi deri në Milot i kalon për tre orë, e njëzet kilometrat nga Miloti deri në Lezhë për dy orë, sepse atë e drejtojnë njerëz që nuk e kanë kuptuar se rrugët janë ‘damarët’ e tokës. Dhe se kur ato mbyllen, siç ndodhë shpesh në Shqipëri, atëherë shteti përjeton ‘infarkt’.

    Vazhdo ta duash Shqipërinë edhe kur e dinë se gjysma e qeveritarëve të saj janë në burg. Dhe mos ia dëshiro zvogëlimin e numrit të pushuesve as kur e dinë se në bregdetin e saj jugorë ndërtojnë hotele e shtëpi luksoze edhe narko-mafiozët dhe hajdutët e Bashkisë së Tiranës, edhe atë jo pse duan ta zhvillojnë turizmin, por që t’i pastrojnë parat e pista dhe t’i fshehin ato që ia kanë vjedhur popullit.

    Shqipërinë duhet dashur edhe më shumë sot kur ajo ka elita mjerane të pandjeshme ndaj fatit kolektiv të shqiptarëve. Pra sot  kur ‘mendimtarët” e saj të ‘pavarur’ i kalojnë pushimet në jug, ku japin nga njëqind euro për një shezllon, ngaqë Piktori ua paguan shtrenjtë heshtjen e të vërtetave si dhe, rolin e ‘vajtojcave’ të shtirura të përnatshme nëpër ekranet televizive. 

    Duaje pa kushte Shqipërinë edhe kur nuk mund të pushosh në bregdetin e saj jugorë, por në Velipojë, aty ku nuk të shoqërojnë djemtë me makina të shtrenjta që ua kanë blerë baballarët hajdutë, e as bukuroshet që në trup kanë më shumë silikon e botoksë se sa muskuj.

    Pra Shqipëria duhet dashur gjithmonë, edhe kur pushon mes gjyshërve ‘skamnorë’ që asaj ia kanë dhuruar rininë, e që tani kujdesen për nipërit e mbesat e tyre si dhe, mes djemve e vajzave që i mbajnë për dore prindërit e tyre pleq, e të cilët nuk i freskon gjithaq uji i detit, sa kujdesi dhe dashuria e pasardhësve të tyre.

    Duaje dhe ndihmoje edhe më shumë Shqipërinë e sotme, këtë që e drejtojnë hajdutët e ‘Rilindjes”, e të cilët ndaj saj sillen si piratët ndaj anijes që u ka rënë në duar: pasi ta plaçkitin, të duan edhe ta fundosin. Që kurrë as ata vetë të mos e marrin vesh se cili prej tyre çka dhe sa ka vjedhur prej saj.

  • Rama duhet të na tregojë ndonjë provë të ‘komplotit kundër turizmit’

    Rama duhet të na tregojë ndonjë provë të ‘komplotit kundër turizmit’

    Nga Gjergj Erebara

    Fillimisht ishte një deputet socialist. Denis Deliu, i cili në jetëshkrimin e tij zyrtar deklaron se ka studiuar në Akademinë e Policisë në Tiranë, pyeti në mënyrë retorike kreun e SPAK gjatë një seance plenare nëse ky i fundit ka nisur hetime për një shqetësim shumë specifik të Deliut. Sipas tij, “ka një sabotim të turizmit, ka rritje të nivelit të dizinformimit”, sepse, shtoi ai, “këto dizinformime dëmtojnë ekonominë shqiptare.”

    “A ka hapur SPAK hetim ndaj këtij fenomeni, ndaj shërbimeve të huaja inteligjente”? pyeti Deliu, kuptueshëm, duke na e lënë mister se cili ishte burimi i tij i informacionit dhe se cilat ishin këto “shërbime të huaja inteligjente”.

    Pastaj në skenë hyri vetë kryeministri me boritë e tij të shumta mediatike. Sipas asaj që Rama tha, ka “shumë video, lajme, komente të rreme të manipuluara, të bëra me qëllim, që duan të thonë që këtu s’ka ardhur njeri.” Sipas tij, kemi të bëjmë me “sulm të organizuar që vjen nga disa anë. Fakti është që sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe, të sigurisë kibernetike.”

    Së fundmi, media proqeveritare deklaroi “fakte” më konkrete për të vërtetuar komplotin. Sipas një propagandisti qeveritar, agjenci të lidhura me resorte në Greqi paguajnë mediat, për të thënë që Shqipëria është e shtrenjtë.

    Nuk është shumë e vështirë të dallosh nonsenset në të gjithë këtë. E para, nëse ka ndonjë sjellje të koordinuar, me fjalë të hedhura në ajër, të pambështetura në prova, nuk ka pse të shkojmë më tutje. Pastaj, në botën e sotme, turistët informohen në Booking dhe AirBNB apo shërbime të tjera të ngjashme për të parë se në cilën zonë ka dhoma të disponueshme dhe se sa kushtojnë këto dhoma. Rrjedhimisht, është shumë e vështirë që të “dizinformosh” një vizitor potencial duke publikuar lajme për plazhe bosh apo për çmime të larta. Sepse, nëse publikon video me plazhe bosh, kjo ka gjasa që do të nxisë më shumë turistë që të vizitojnë këto plazhe, në një kohë kur mbipopullimi i qendrave turistike është shqetësim madhor për shumë vetë.

    Dhe, normalisht që është edhe kontradikta në vetë fjalët e Ramës. Nga njëra anë ai ankohet për këtë fushatën armiqësore kundër turizmit, ndërsa nga ana tjetër i bërtet operatorëve turistikë duke thënë se “kanë luajtur mendsh” me çmimet që kanë vendosur këtë vit.

    Nga ana tjetër, deputetët e tij flasin për shërbime të huaja armiqësore kundrejt një vendi që, në fakt, rrethohet nga të gjitha anët nga aleatë. A mundet që, fjala vjen, një shërbim i huaj që përhap informacione të pavërteta dhe dëmtuese për turizmin shqiptar të jetë, Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut apo Kosova, tre të parat, aleatet tona në NATO, ndërsa Kosova, ndonëse jo aleat në NATO, ka pak gjasa të hyjë në fushatë të tillë? Apo mos e kanë fjalën për Serbinë, vendin me të cilin kryeministri ka ndërtuar ura të forta bashkëpunimi përgjatë të gjithë dekadës së fundit (dhe një vend që nuk ka dalje në det dhe nuk ka se si të përfitojë duke na sharë turizmin ne)? Apo, mos ndoshta shërbimet sekrete turke, një vend me të cilin kemi jo thjesht aleancë, por marrëdhënie “vëllazërore”, po bëjnë atë që na shpjegoi Deliu në parlament? Apo pas fushatës dizinformuese është Putini?

    Normalisht që vetë raporti në përmasa të shtyn të mendosh se, edhe nëse do të ishin me të vërtetë armiqësore, as Greqia, as Turqia as Italia, as Kroacia e as ndonjë vend tjetër nuk do të merrte mundimin që të shante në rrjetet e medias sociale turizmin shqiptar për të përfituar vetë. Greqia, subjekti më afërmendësh i një teorie komploti, ka një vijë bregdetare prej 15 mijë kilometrash (ndërsa Shqipëria ka 400). Në një vit të zakonshëm ka 30 milionë turistë, të cilëve arrin t’u shërbejë para së gjithash falë punës së qindramijëra emigrantëve shqiptarë. Turqia ka rreth 8400 kilometra vijë bregdetare dhe rreth 50 milionë turistë në vit. Me pak fjalë, larg të qenit “halë” në sytë e armiqve, Shqipëria është një vend tërësisht i parëndësishëm për t’u marrë, edhe nëse këto vende do të ishin armike, kur në fakt janë aleate.

    Rama vetë na foli për “siguri kibernetike”. A mundet vallë? Siguria kibernetike nuk ka shumë të bëjë me thashethemet e pavërteta të përhapura në rrjetet sociale, por ka të bëjë me thyerjen e sistemeve kompjuterike. Ironia është që me të vërtetë Shqipëria ka një institucion të quajtur: Autoriteti Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike.

    E treta, aludimi se ka agjenci turistike në shërbim të resorteve në Greqi. Kjo ka pak gjasa të jetë e vërtetë para së gjithash për faktin se Greqia nuk është një vend i njohur për resorte. Turizmi në Greqi është zhvilluar sipas modelit të njësive të vogla e të mesme ekonomike, nën pronësi kryesisht familjare, me shumë pak hotele të mëdha dhe kurrsesi, jo me llojin e komplekseve të njohura si “resorte” me shërbime masive siç janë ato në Turqi e Egjipt. Është pak e vështirë të imagjinohet që ndonjë Kostas apo Nikos nga hoteli i tij me pesë apo dhjetë dhoma diku në Greqi të lidhet me ca agjenci turistike, të cilave, t’u shkojë në mendje të shajnë turizmin shqiptar në mënyrë që turisti të mos shkojë në Golem apo në Orikum, por të shkojë drejtpërsëdrejti te ky në Greqi.

    Çdokush ka të drejtë të thotë broçkulla, përfshirë deputetin Deliu apo opinionistët pranë qeverisë. Kjo hyn në kategorinë e të drejtave themelore të njeriut. Vetëm se kryeministri Edi Rama, në mënyrë që fjalët e tij të mos i klasifikojmë automatikisht në kategorinë e broçkullave, bën mirë në na japë ndonjë provë se ajo që ai tha, mbështetet në realitet dhe jo në fantazi. Ai mund ta fillojë shpjegimin duke na treguar se cilës agjencie qeveritare i është ndezur llampa e kuqe, se çfarë metodologjie analize ka ndjekur kjo agjenci për të identifikuar sjelljen keqbërëse si dhe, nëse mundet, të na tregojë nëse, kur z. Deliu foli për shërbime sekrete të huaja, ka pasur në mendje ndonjë informacion real nga agjenci reale të inteligjencës, apo jo.

    Thuhet me të drejtë se teoritë e komplotit ngjisin më shumë në vendet e Evropës Lindore postkomuniste për shkak të historisë. Përgjatë dyzet e pesë viteve, shqiptarëve iu ushqye vazhdimisht dhe vazhdimisht ideja e të qenit e rrethuar nga armiqtë. Nga televizioni te gazetat, librat apo infomacioni i shpërndarë nëpër shkolla, shqiptarët dëgjonin se si armiqtë e jashtëm bashkëpunonin me ata të padukshmit, të brendshëm, për të na rrëmbyer ne këtë parajsën që kishim këtu. Aspekti i interesit ekonomik si mekanizmi që nxit sjelljet armiqësore dhe komplotiste ka qenë shumë i rëndësishëm në modelin e propagandës komuniste, (krahas imazhit të armikut që vjen të të çnderojë), si mjet për të nxitur urrejtje ndaj të huajit. Kjo shpjegon teorinë e komplotit mes interesit të “resorteve në Greqi”, agjencive turistike dhe lajmeve të rreme të publikuara “në media”, (emrat e mediave nuk jepen), që dizinformojnë turistët për çmimet në Shqipëri. Tre dekada pas rënies së komunizmit, mentaliteti i shqiptarit dhe aftësia e publikut për të mos rënë pre e propagandës me komplote dukshëm nuk është përmirësuar mjaftueshëm. Teoritë e komplotit i sheh në të dyja anët e politikës, me raste të padëmshme, e me raste, me rrezikun që mbartin për dehumanizimin e tjetrit, siç është rasti i teorive të komplotit me “Prindi 1” dhe “Prindi 2”. Është një politikë shumë e shëmtuar kjo, të cilën publiku bën mirë ta shohë ashtu siç është: një politikë të shëmtuar./BIRN

  • Po tani? Raporti i DASH fundos qeverinë: “Investimet strategjike” i përfituan kompanitë pranë Ramës

    Po tani? Raporti i DASH fundos qeverinë: “Investimet strategjike” i përfituan kompanitë pranë Ramës

    Miq apo të njohur të kryeministrit Edi Rama që merren me biznes kanë një emër të dytë: investitorë strategjikë. Kush i ka kushtuar pak vëmëndje emrave që kanë përfituar nga ky ligj e kupton se njohjet personale janë çelësi i suksesit për të përfituar lehtësira të konsiderueshme në biznes, për investime që shkojnë disa miliona euro.

    Efektet e para të ligjit për investimet strategjike erdhën në formë anekdotash kur një aktor i Portokallisë takoi kryeministrin Rama dhe u zgjua një mëngjes si pjesë e një biznesi, të cilit qeveria i dha statusin e investitorit strategjik, shoqëruar me përfitime të shumta, si falje taksash, ndërtim të rrugëve, të rrjetit elektrik, të kanalizimeve etj.

    Ligji u përmend gjerësisht në media për skandalin e dy miqve të kryeministrit Rama, çiftit Artan Gaçi dhe Olta Xhaçka që e morën statusin e investitorëve strategjikë edhe pse Xhaçka ishte ministre e jashtme kur qeveria mori vendim.

    Situata degradoi vitet e fundit, kur u mësua se statusin e investitorit strategjik, Rama ia kishte dhënë edhe një biznesmeni të njohur të Velipojës, Pëllumb Gjokës që hesapet i zgjidhte me porositë e vrasjeve me pagesë nëpërmjet bandave më të rrezikshme të Shkodrës dhe të Tiranës.

    Por së fundmi, ligji është sulmuar fort edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit në një raport për Klimën e Investimeve në vendin tonë. Raporti bën një skanim të zhvillimit ekonomik dhe pohon se problem mbetet korrupsioni, konkurenca e pandershme që pengohet nga PPP, por edhe mungesa e vazhdueshme e fuqisë punëtore.

    Por aty disa herë bie në sy përmendja e ligjit për Investimet Strategjike, që u hartua nga Partia Socialiste në vitin 2015 për të thithur investitorët e huaj dhe që në realitet, po përdoret për t’i mbajtur larg ata.

    “Shumë pak investitorë të huaj kanë përfituar nga statusi “Investitor Strategjik” dhe pothuajse të gjitha projektet u janë dhënë kompanive vendase që operojnë në sektorin e turizmit. Investitorët e huaj që aplikojnë për statusin e investitorit strategjik citojnë se përgjigjet nga AIDA janë të ngadalta” thuhet në raport.

    Në fakt, kjo që shkruhet në raportin e DASH është artikuluar disa herë nga opozita, që e kundërshtoi zgjatjen e afateve të ligjit dy herë në parlament. Sipas opozitës, ligji për investimet strategjike është një mënyrë e ligjshme për t’u bërë dhurata oligarkëve dhe jo për të afruar investitorët e huaj. Përfitimet e kompanive me lidhje të forta me qeverinë konfirmohen edhe në raportin e DASH.

    “Pjesa e parëndësishme e investitorëve të huaj që kanë përfituar nga statusi i investitorëve strategjikë ka nxitur perceptimin tek investitorët e huaj se nga ligji kanë përfituar kryesisht kompanitë vendase me lidhje të forta me mazhorancën qeverisëse” thuhet në raport.

    Hetimi i “investitorëve strategjikë” me një komision parlamentar ka qenë një kërkesë e hershme e opozitës, por socialistët e kanë penguar hetimin parlamentar. Në fillim të këtij viti afatet e ligjit u zgjatën mes debatesh të forta për të dytën herë.

    Sipas raportit, korrupsioni mbetet një ndër problemet kryesore që ka larguar investimet e huaja. “Korrupsioni vazhdon të minojë shtetin e së drejtës, të rrezikojë zhvillimin ekonomik” thuhet në dokument, sipas të cilit investitorët e huaj përmendin korrupsionin në gjyqësor, qeveri dhe media si disa nga problemet më të mëdha që pengojnë mjedisin e biznesit në vendin tonë.

  • Deliri i Ramës me vlonjatët: “Do bien në gropën e gjoksit të tyre”

    Deliri i Ramës me vlonjatët: “Do bien në gropën e gjoksit të tyre”

    Kryeministri Rama ka mbajtur një fjalim haluçinant përpara kryebashkiakëve duke u përpjekur të bëjë bashkë dy gjëra krejtësisht kundërshtuese. Ai edhe ka propoganduar rritje marramendase të numrit të turistëve, edhe ka kërkuar që çmimet të ulen nga pronarët e hoteleve dhe restoranteve. Dhe për tarifat absurde kryeministri ka anatemuar kryesisht operatorët vlonjatë, me të cilët ka bërë sarkazëm plot dy herë, duke thënë se do të rrëzohen në gropën e gjoksit të tyre.

    “Si i thonë asaj fjalës: më mirë syri sesa nami, por pronarëve të hoteveve në Vlorë u ka dalë edhe syri, edhe nami, edhe trutë nga vendi me çmimet absurde që kanë vënë” i është drejtuar Rama kryebashkiakut Dredha, me autoritetin e atij që është i bindur se bizneset e qytetit jugor po përfitojnë prej ndryshimit radikal që i ka bërë ai qytetit.

    Në gati 10 minuta monolog përpara kryebashkiakëve (Shih videon poshtë nga minuta 20 deri 30) shefi i qeverisë nuk ka lënë epitet pa përdorur kundër bizneseve vlonjate të turizmit.

    “Vlonjatët janë molla e këtij sherri”, “Nuk mund t’i kërkosh vlonjatëve të zbrein me këmbë në tokë” është shprehur ai.

    Madje shpesh herë duke kundërshtuar edhe veten: herë duke thënë që në kapitalizëm atyre që duan të fitojnë para nuk mund t’u kërkosh të jenë moralisht të drejtë dhe herë tjetër duke predikuar se aplikimi i çmimeve të shtrenjta është i pamoralshëm dhe i turpshëm.

    Gjithsesi Rama bëri thirrjen: operatorët turistikë duhet të kuptojnë se kjo është vetëvrasëse.

    Por ky monolog, ku u mor si shembull Vlora, u zhvillua në sfondin e një tjetër kontradikte.

    Nga njëra anë, kryeministri hodhi poshtë idetë se plazhet janë bosh. Ai foli për një sulm të organizuar kundër turizmit shqiptar. Ai predikoi se sistemet tona të sigurisë kanë ndezur driten e kuqe për profilet false që bejnë këtë propagandë.

    Dhe e hodhi poshtë atë me anë të shifrave që lexoi vetë.

    Sipas një organizate ndërkombëtare të turizmit të cilës Rama iu referua, Shqipëria ka 86% rritje më shumë sesa vjet, ndërkohë që Serbia e ka vetëm 44%, Mali i zi 33% dhe Greqia 22%, pa përmendur vendet perendimore që kanë zbritje, tha ai. 

    Po me gjuhën e shifrave, shefi i ekzekutivit përmendi se kosovarë kanë ardhur 25% më shumë se vjet, italianë 57 % ndërsa polakë 74 %. “Në aeroportin e Tiranës nuk ulen dot më çartera, pa prenotuar tre ditë përpara”, tha kryeministri duke përforcuar idenë se këtë vit po bëhet nami me turistë.

    Por, pas kësaj ekspozeje ditirambike lind një pyetje. Kur fushata se “turizmi ka pësuar rënie” qenka e sponsorizuar dhe pjesë e një lufte të organizuar, pse u dashka shqetësuar për rritjen e çmimeve. kur ato nuk e paskan frenuar funksionimin e industrisë? Po kur rritja e numrit të turistëve qenka kaq marramendëse sipas shifrave që lexoi Rama, në bazë të ligjit të kërkesë ofertës, a nuk është logjike, që në qytetin më të madh dhe me cilësi më të lartë, në Vlorë, çmimet të rriten?

    Pra në monologun e kryeministrit ka një absurditet që nuk zgjidhet me batutat se “vlonjatët do bien në gropën e gjoksit të tyre: Ose ka rritje absurde çmimesh që ka frenuar dhe penguar ardhjen e turistave duke përligjur fotot dhe videot e plazheve bosh, ose ka fluks dhe rritje marramendëse, që sado që të duam do të sjellë bashkë me kërkesën edhe rritjen e çmimeve.

    Se cili nga këto dy versione qe më pranë të vërtetës në fjalimin edhe vetëmburrës, edhe kritik ndaj vlonjatëve që mbajti Rama, ishte e vështirë të kuptohej.