Blog

  • Nga Basir ÇOLLAKU – DEA e  njeh Olsin e Xibrakës, në vitrinë dje e në magazinë sot

    Nga Basir ÇOLLAKU – DEA e  njeh Olsin e Xibrakës, në vitrinë dje e në magazinë sot

    “Xibraka e Kokainës” u dekonspirua nga policia shqiptare në nivele të larta drejtuesish. Ka shumë emra të fshehur të botës së trafikut e biznesit. Kokat e grupit nuk u arrestuan. Madje as në dosje te Krimet e Rënda nuk u përfshinë. Ministri Tahiri dhe Kryeministri Edi Rama mësuan se emri Olsi Ramës do trazonte deri në rrëzim qeverinë me kosto të lartë prangash. Ndaj dekonspirimi ndodhi me leje e ndihmë të drejtuesve të policisë.

    Rikthimi në hetim

    Pas daljes nga SPAK, Olsi Rama u përpoq të vakte peshën e ngjarjes për të cilën rrëfeu përballë prokurorëve. ” Kam marë makinën një personi për të shkuar dy ditë në Selanik..skam asnjë lidhje tjetër..”  Pak minuta më pas Edi Rama cicëronte duke mbrojtur vëllanë për gjoja kotësinë e kallëzimit. Halle halle kjo dynja, halli halli nuk i ngjan. Kokaina ka bërë batërdinë.

    E pavërteta e Olsit dhe Edit ka përballë shkresa zyrtare. TIMS të cilin Balla u përpoq ta asgjësonte ka të dhëna krejt ndryshe.

    Dokumentet e TIMS-it, nuk janë dakort me Olsin lëvizjet e tij me makinën e “Xibrakës së Kokainës”

    • Makina AA653DM: Disa nga kalimet
    • Me datë 13.7.2014, ora 18.06 minuta
    • Me datë 6.6.2014, ora 13.30
    • Me datë 8.8.2014
    • Me  datë 11.7.2014, ora 15.45

    Gentian Gjoni, Ermal Hoxha, Genc Xhixha, Ilir Hyseni janë disa nga të pandehurit. Gjermanët nisën përgjimet me Ilir Hysenin. Në Hanovër federalët po zbardhnin se si do të trafikohej kokaina nga organizata. Prokurorët e policët kur mësuan ndër të tjera se Olsi Rama ishte në këtë valle vrapuan të shpartallojnë hetimet. Krerët ikën. Episodet ku gjendej Olsi u gjymtuan dhe pezulluan.  Olsian Çela dhe Edvin Komdili bënë përpjetë në karrierë pas kësaj megaqoke. Oficerët e policisë gjithashtu. Kolumbianët ekspertë droge në laborator ishin një garanci më tepër, u arrestuan dje e janë dhëndurrë shqip sot. Nëse mbi 60 orë përgjime video e foto janë zhdukur me porosi të Ramës e Tahirit në Hanovër janë përsëri e SPAK duhet ti rimarrë. Amerikanët e gjermanët donin të bënin dorëzime të kontrolluara e zbulonin rrjetin nga Kolumbia në Gjermani. Tonelata kokainë nuk janë pak. Por në Prokurori. Policinë e Shtetit, Ministrinë e Brendshme janë fajtorët e pahetuar. Rama Edi duhet të dëshmojë. DEA e di kush është 45 vjeçari i paidentifikuar i vitit 2014 apo 55 vjeçari i sotëm rikthyer në Prokurori. E di aktorin vitrinë me hyrje e dalje në magazinë e në makinë. Një organizatë kriminale me rrezikshmëri të lartë ia doli të fshinte çdo gjë e mbetej gjoja anonime për hetimin në Shqipëri. Xhixha u ndihmua dhe  u kthye në Kubë. Oficerë të lartë policie e vizituan atje dhe u hargalisën me të pas dhurimit të lirisë. Ajo dosje ka plot fajtorë të pandëshkuar në nivele të larta qeverie dhe drejtësie. Kryqëzimi informacionit me gjermanët, mundet kollaj ta bëjë vëlla Ramën të pandehur. Mafia këtë kërkon të ndalojë..që te “Xibraka”,  Olsi i vitrinës mos rrëfejë mallin e magazinës..

    SPAK e ka këtë patate të vluar nëpër duar.

  • Censi2023, treguesit e shpopullimit dhe dyshimet për manipulim të shifrave

    Censi2023, treguesit e shpopullimit dhe dyshimet për manipulim të shifrave

    Janë publikuar mes polemikash rezultatet e Censit të shtator-nëntor 2023 nga drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli që për t’i bërë publike nuk organizoi një konferencë me gazetarët, por një aktivitet ku kishte ftuar ministra, ambasadorë, përfaësues të pakicave etj.

    Sipas këtyre rezultateve në Shqipëri banojnë 2 milion e 402 mijë e 113 banorë. Një pjesë e mirë e popullsisë, më shumë se 32% jetojnë në Tiranë, ose rreth 758 mijë banorë.

    Qarku i dytë më i madh për nga numri i popullsisë është Fieri me 240 mijë banorë, pastaj vjen Elbasani me rreth 232 mijë banorë, Durrësi me 225 mijë banorë, Korça me 173 mijë etj.

    Debati për manipulimin e shifrave

    Numri i banorëve në Shqipëri ka qenë përherë objekt i debatit politik. Opozita pretendon se që kur Partia Socialiste mori pushtetin në vitin 2013, nga Shqipëria janë larguar 1 milion banorë ose më shumë.

    Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha pretendon se shifrat janë manipuluar dhe se në të vërtetë në Shqipëri kanë mbetur rreth 1 milion e 500 mijë banorë.  Berisha doli me një status ku shprehu qëndrimin se shifrat e Censit janë manipuluar.

    “Nesër Edi Rama, “Çubrilloviçi i shqiptarëve” publikon të dhënat e regjistrimit të popullatës pasi ka manipuluar ato nga e para tek e fundit. Pasi ka shtuar qindra e mijëra qytetarë që nuk janë më në Shqipëri këtë vit, as prej vitesh” u shpreh Berisha.

    Dyshimet për manipulimin e rezultateve të Censit u përforcuan për shkak të vonesës së publikimit të rezultatit. Intervistimi i popullsisë nisi në shtator dhe supozohej të zgjaste vetëm 6 javë. Por pas mbylljes së procesit u tha se rezultatet do të publikoheshin në datën 19 Qershor. Më vonë, drejtoresha e Instat e shtyu akoma më tej shpalljen e rezultateve deri në 28 Qershor. Këto janë vetëm rezultatet e para, pasi INSTAT do të publikojë në Tetor një platformë me të gjitha të dhënat e detajuara në nivel bashkie.

    Kësisoj vonesa zgjatet për thuajse një vit, pa një arsye të qenësishme.

    Dyshimet u shtuan pasi në Kosovë rezultatet e Censit atje u publikuan për rreth një muaj pasi përfundoi procesi.

    Thuajse 500 mijë shqiptarë të larguar jashtë

    Përtej debatit politik, shifrat e INSTAT nuk e fshehin largimin masiv të shqiptarëve në 13 vitet e fundit.

    Krahasur me vitin 2011 në vendin tonë rezultojnë të jenë larguar rreth gjysëm milioni shqiptarë për të jetuar jashtë. Nga diferenca e shifrave të INSTAT dallohet se qytetarët e larguar jashtë vendit janë 419 mijë e 831 banorë.

    Por shifra shkon deri në 500 mijë banorë nëse këtu shtohet edhe shtesa natyrore që duhet të kishte pasur popullsia në këto vite, prej 88 mijë banorësh.

    Në gjithë këto vite është folur gjatë për shpopullimin dhe për shkaqet se pse shqiptarët largohen jashtë vendit, herë si azilkërkues në Francë në Belgjikë apo herë si refugjatë në Britaninë e Madhe. Prirjet për të emigruar në Shqipëri janë të larta dhe ndër arsyet kryesore mbeten papunësia, korrupsioni dhe varfëria.

  • Nga Luçiano BOÇI – Guximi i mashtruesit

    Të gjithë u habitën kur Rama publikoi pas një viti tundues plot korrupsion, afera, rrëmujë drejtësie e rrëmujë mediatike censin e pritur.

    Sipas zyrës së tij, Shqipëria na është plot me njerëz, të rinj e të reja, profesionistë e elitarë, zullumqarë e ziliqarë, të ndershëm e të ethshëm, euroatlantikë e proamerikanë, të korruptuar e të mbaruar, të vërtetë e hipokritë.

    Ndërkohë realiteti është tërësisht tjetër.

    Shkolla e klasa pa nxënës, universitete pa të rinj, biznese e bujqësi pa fuqi punëtore e specialistë të kualifikuar, fshatra, qyteza e qytete nën ankthin e zbrazjes.

    Thënë troç: një vend i cili dalëngadalë po shndërrohet në një shkretëtirë njerëzore.

    E këtë shkretëtirë vetëm një njeri sot në Shqipëri kërkon ta fshehë e ta mbulojë e ta paraqesë thjeshtë mirazh, me një guxim prej të çmenduri.

    Ky është Rama, Kryenarkosi i një shteti. dikur vital, me moshën më të re në Evropë dhe që për 12 vite të sundimit të tij u mpak e u mplak me shpëjtësi rrufe.

    Nuk është as i verbër e as ai budallai i mençur i fshatit nacionalist.

    Është ai që kemi vite që e njohim dhe i cili tanimë nuk fshihet fare. Është mashtruesi epik i kohës sonë.

    Mashtruesit si tipologji krahas aftësisë parashtruese, kanë me vete gjithmonë një guxim prej të dali mendsh.

    Sepse ky “guxim” i bën të mos llogarisin as përmasën e mashtrimit dhe as edektet e tij në ardhmen.

    Ata vetëm duan të kapërdijnë momentin. Vetëm janë nën pushtetin e etheve të fitimit. I gjithë aparati i tyre emocional e mental i shërben vetëm mashtrimit deri në detaje.

    Asnjë muskul nuk i lëviz dhe syri nuk i bën dritë. Ndërsa vetëgjykimi është fshirë totalisht dhe empatia nuk ekziston. Përmasa njerëzore ka vdekur prej vitesh.

    E ky kufoma shpirtërore, ta mendosh në një moment, ka në dorë fatet e shumë njërzve ndërkohë që është i interesuar vetëm për fatin e vet personal.

    Pikërisht me këtë guxim, guximin e mashtruesit, Rama mbajti në sirtar prej një viti censin, për ta shfaqur në momentin që ai donte.

    Fiks si ai mashtruesi bixhozxhi që nxjerr asin e fundit të mbajtur nën mëngë me hilen karakteristike, për të shpëtuar situatën.

    Prandaj mos u habisni që jemi kaq të shumtë në numër, sipas mashtruesit.

    Mos u habisni nga ky “guxim” degradues.

    Rama i tillë ka qenë prej vitesh në pushtet.

    Me të njëjtin guxim mashtroi për shëndetësinë falas e ku sot vdekja jo vetëm shëndeti blihen me shumë lekë.

    Me të njëjtin guxim mashtroi për arsimin e dixhitalizuar e ndërkombëtarizuar e sot i fundit në renditjen botërore.

    Po kështu mashtroi për bujqësinë e varfëruar, drejtësinë e deformuar, zgjedhjet e shëmtuara e për gjithçka, duke dhuruar propagandë pa hesap me media që mashtrojnë dhe ato në sinkron me të dhe që i shërbejnë guximit të mashtruesit.

    Prandaj mos u habisni , sepse ne sot mund të rezultonim dhe 10 milion dhe ata që e brohorasin në sallat e mbyllura e portalet e mediat e paguara, përsëri do ta besojnë nën efektin e hipnozës së guximit të mashtruesit dhe të këndelljes së interesit financiar e militant.

    Dhe zgjidhja nuk është korrigjimi, apo nxjerrja e të vërtetave statistikore për censin, apo për drejtësinë, shëndetësinë, arsimin e.t.j.

    Zgjidhja është rrëzimi i mashtruesit që ai mos të guxojë më të nëpërkëmbë më të vërtetat e një kombi të tërë.

  • Nga Kim MEHMETI – Piktorin duhet përçmuar, Albinin duhet respektuar!

    Thuajse të gjithë funksionarët e ‘Rilindjes’ përfunduan në SPAK.  Mbeti i ‘paprekur’ nga hetuesia vetëm ai që i përzgjodhi gjithë ata që tani kanë probleme me drejtësinë – Piktori.

    Dhe sikur të ishte i drejt ndaj vetvetes dhe të zgjedhurve të vet, sikur të kishte sadopak ndërgjegje dhe ndjesi për përgjegjësi, Piktori i paftuar do shkonte në zyrat e SPAK-ut dhe ‘kolegëve’ të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës do ua pranonte të vërtetën se në Shqipëri s’mund të bëhesh as hajdut pa përkrahjen  e tij.

    Por Piktori mbase beson se edhe nëse të gjithë të zgjedhurit e tij përfundojnë në burg, se edhe nëse të gjithë shqiptarët e braktisin vendin, ai do i nevojitet Shqipërisë që të rrëfejë për vitet kur u tallë me popullin dhe e vendin e vet dhe kur e keqpërdori pandjeshmërinë e shumicës së shqiptarëve ndaj fatit të vet kolektiv. 

    Dhe përderisa regjimi i Piktorit rrënoi arsimim, shëndetësi, drejtësi, artë, kulturë … dhe forcoi hajdutërinë, Kryeministri i Kosovës mundohet ta mirëmbajë ndershmërinë e ta çojë përpara atë dinjitet e shtet që ka Kosova. Për çka Piktori e meriton përçmimin edhe kur e zhvillon turizmin, e Kurti e meriton respektin edhe kur i forcën shqiptarët e Maqedonisë duke i përçarë ata mes veti.   

    Dhe kur jemi te përçmimi dhe respekti, gjërat janë shumë të thjeshta dhe të qarta: si të mos e përbuzësh atë që e vjedh popullin dhe vendin e vet – Piktorin, e si të mos e respektosh atë, i cili, në mos më shumë, shenjë njohëse ka ndershmërinë dhe që nuk e plaçkit vendin dhe popullin që drejton.

  • Nga Enver BYTYÇI – Mesazhi që dha dështimi i takimit Kurti – Vuçiq në Bruksel!

    Dje pati pritje e shpresa të mëdha se një takim tripalësh midis kryeministrit Kurti, presidentit Vuçiq dhe zotit Borrel e zotit Lajçak do të përfundonte me një hap të rëndësishëm në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Por ndodhi e kundërta. Kryeministri i Kosovës vendosi kushte për një takim dhe bisedime me presidentin Vuçiq gjatë takimit të parë e të dytë të tij me shefin e diplomacisë europiane, Joseph Borrell. Këto kushte u sintetizuan me kërkesën që marrëveshja e Brukselit dhe plani i zbatimit të nënshkruhen nga të dy palët, Kosova dhe Serbia. Që të tërhiqej letra e dhjetorit të vitit të kaluar, të cilën ish-kryeministrja e Serbisë, Brnabiq, ia dërkoi Këshillit Europian, ku lajmëronte se Serbia heq dorë nga pikat e marrëveshjes për njohjen e integritetit territorial dhe pranimin e Kosovës në OKB e organizata të tjera ndërkombëtare. Dhe së treti, Kurti i kërkoi Borrell që Serbia të dorëzojë te autoritetet gjyqësore të Kosovës Radoiçiçin dhe terroristët e tjerë që Beogradi aktivizoi në Banjskë më 24 shtator 2024.

    Me një fjalë, kryeministri Kosovës kërkoi garanci juridike të logjikshme e racionale, me qëllim që të bëhej takimi midis dy përfaqësuesve në dialog si dhe ndërmjetësuesit europian. Arsyetimi ishte se “tani rrethanat kanë ndryshuar. Jemi në një periudhë post-Banjskë, d.m.th pas sulmit terrorist të Serbisë në Kosovë dhe për ta dënuar atë sulm nuk është bërë asgjë. Bisedime e dialog, aq më pak marrëveshje, nuk mund të ketë në kushtet e mos-ndëshkueshmërisë së atij akti terrorist. Kanë ndryshuar edhe gjëra të tjera në Kosovë. Iu vunë asaj sanksione dhe derisa ato të hiqen plotësisht nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

    Ndërkohë nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit të shkurt-marsit 2023 nga ana e zotit Vuçiq është kusht i panegociueshëm, sepse ajo marrëveshje kërkon garanci, madje edhe me ratifikimin e saj në parlamentin e Serbisë dhe depozitimin e saj në OKB. Një ish-këshilltar i Hashim Thaçit më thoshte dje në një diskutim televiziv se “Nuk ka nevojë të kërkohet nënshkrimi, sepse për marrëveshjen janë garant miqtë tanë amerikanë dhe të BE-së”! Nëse e bëjnë diplomacinë autodidaktë si ky këshilltari i presidentit të ndarjes së Kosovës në ujdi me Vladimir Putin e Aleksandër Vuçiq, atëherë Kosova do të duhet ta dorëzojë sovranitetin e vet sërishmi në Beograd. Marrëveshjet mund të garantohen nga SHBA e BE dhe ky është një avantazh i madh. Por ato nuk mund të quhen marrëveshje, nëse nuk nënshkruhen e ratifikohen nga sovrani i secilit vend. Kush beson se SHBA e BE garanton marrëveshje me Serbinë, ai është naiv ose argat i Serbisë.

    Sepse Serbia nuk respekton marrëveshjet e nënshkruara e jo më atë që nuk i nënshkruan, përkundrazi i ka refuzuar zyrtarisht në Këshillin Europian.

    Kushtëzimet e zotit Kurti nuk janë ndaj Serbisë. Ato i drejtohen pikërisht përfaqësuesve të BE-së, zotit Borrell e zotit Lajçak, sepse është detyrë e këtyre të bëjnë presion te presidenti i Serbisë, që ai të firmosë marrëveshjen dhe aneksin e lartpërmendur. Mirëpo Borrell në një farë mënyre edhe kësaj radhe fajësoi kryeministrin e Kosovës për dështimin e dialogut, kur tha se “Zoti Kurti vendosi kushte”! A nuk është vendosje kushtesh refuzimi i presidentit të Serbisë për ta firmosur marrëveshjen dhe aneksin në fjalë? A nuk është në kundërshtim me frymën e dialogut e të marrëveshjes mbrojtja që Vuçiq i bën Radoiçiç dhe terroristëve të tjerë të Banjskës?! Edhe pse Borrell u gjend para këtyre kërkesave të drejta të Albin Kurtit, nuk ia kërkoi së paku publikisht zbatimin e tyre Aleksandër Vuçiq.

    Ndërkohë Vuçiq u hoq si triumfator, kur tha se “Kurti ka frikë të ballafaqohet me të”! Konstatime foshnjarake të tipit ballkanik. Sepse Kurti ka dëshmuar se nuk frikësohet as nga dialogu, as nga takimet me Vuçiq. Kushtet që vendosi sot janë e drejtë e patjetërsueshme. Nëse pala në dialog nuk merr përgjegjësitë e saj bazuar në proçedura të provuara të së drejtës ndërkombëtare, atëherë është e drejtë e palës tjetër, në rastin e dhënë të Kosovës, të kërkojë zbatimin e këtyre proçedurave. Ndërkohë analistë të shumtë në Tiranë dhe në Prishtinë përdorën mbrëmë gjuhën e Vuçiq, kur thoshin se Kurti “nuk do të ballafaqohet me Vuçiq”, ose se ai “i përdori kushtet për të mos dialoguar, sepse është në vit fushate elektorale”!

    Gjuha kockë nuk ka! As mendja nuk merr mësysh! Por edhe sikur të jenë këto arsyet e reagimit të kryeministrit Kurti, llogaria bëhet me Kosovën e jo me kapitalin politik që fiton kryeministri i Kosovës. Ngado që ta marrim, qëndrimi i djeshëm i Kurtit ishte në favor të Kosovës. Ai dha mesazhin që BE ta marrë seriozisht Kosovën, së paku aq seriozisht sa e merr Serbinë. Mjafton kjo për ta vlerësuar pozitivisht qëndrimin kushtëzues të kryeministrit të Kosovës!

  • Nga Andi BUSHATI – Tregëtarët e vdekjes nuk lindën nga hiçi

    Skandali i mjekëve të arrestuar, që privonin të sëmurët me kancer nga mjekimi në spitalin publik, për ti shitur më pas ilaçet në mënyrë klandestine dhe me çmime të papërballueshme, është shumë më tepër sesa komploti i shtatë bluzave të bardha në dëm të pacientëve të tyre. Sado të pamoralshëm, makabër, apo kriminalë qofshin ata, prangosja e tyre, përgjimet e dala dhe zbardhja e një skeme që e përflasin të gjithë që ua ka dashur halli të përballen me mjekime të shtrenjta është dëshmi e një sistemi shëndetësor të kalbur. E po të mendosh se shëndetësia është një nga pasqyrat më të pamëshirmshme të zhvillimit të një vendi, aq më tepër kur ai udhëhiqet nga një forcë që shitet si e majtë, rrënjet e të keqes zbresin edhe më thellë.

    Kujt nuk i’a ka sjellë fati të ndeshet personalisht me këtë dështim spektakolar në drejtimin e një shteti, kur pyetet për sistemin mjeksor, mban mend kryesisht tre gjëra: premtimin e Edi Ramës para se të vinte në pushtet, për mjeksi falas; daljen e tij tek Ylli Rakipi me një tufë veglash të ndryshkura në dorë për të bërë krahasimin me ndryshimin e madh që ka ndodhur; dhe së fundi, propagandën rreth një kryeministri që brodhi botën si lypsar për vaksina, për të shpëtuar jetën e popullit të vet.

    Por kjo zhurmnajë e denjë për regjimet totalitare bëhet pluhur e hi kur e vë përballë realitetit të hidhur të shifrave. Jo vetëm pasi sot të gjithë e kanë kuptuar se ndryshe nga premtimet e bukura kosto e mjekësisë është bërë më e shtrenjtë se kurrë, por edhe për faktin se statistikat tregojnë se ne klasifikohemi më të keq se kushdo në Evropë, madje edhe në rajonin tonë. Shqipëria renditet e fundit në Ballkanin perendimor për numrin e mjekëve për 10 mijë banorë. Sipas OBSH-së ajo numëron rreth 18.8 të tillë ndërkohë që mesatarja e vendeve të zhvilluara të Evropës është tek 40-shja. Po të shohësh një tregues tjetër edhe më simbolik, atë të vdekshmërisë foshnjore, që tregon jo vetëm efikasitetin e sistemit shëndetësor, por edhe gjendjen e varfërisë dhe situatën ekonomiko shoqërore, e vërteta është me e hidhur. Këtë të dhënë që i shërbeu gjeografit dhe sociologut të shquar Emanuel Todd, për të parashikuar që në vitin 1976 rënien e perandorisë sovietike dhe që përdoret sot e gjithë ditën si tregues i shëndetit të një shoqërie, ne e kemi sa dyfishi i rajonit. Në Shqipëri vdesin 8 bebe në çdo 1 mijë lindje.    

    Edhe me statistikat aq shumë të propoganduara për luftën e suksesshme ndaj kovid 19, përralla e sukseseve rilindase është një gënjeshtër me bisht. Ndonëse Edi Rama e ktheu në kauzë të tij të fushatës elektorale suksesin në përballimin e pandemisë, madje duke manipuluar edhe formularët e vdekjeve, sipas të dhënave të Eurostatit dhe të FMN-së Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë të vdekjeve në Europë gjatë vitit 2020. Edhe për fushatën e vaksinimit, për të cilin kryeministri mburrej: “fat që më keni mua”, jemi renditur të parafundit në rajon duke lënë pas vetëm Bosnje Hercegovinën.

    Këto janë të dhënat e një sistemi në prag kolapsi, të cilin për hir të së vërtetës rilindja, kur erdhi në pushteti, e trashëgoi në të njëjtën gjendje, por ama për të cilin nuk bëri asgjë për ta përmirësuar. Dhe kjo e ka një shpjegim, pavarësisht investimeve që janë hedhur dhe kopshteve apo fasadave të rinovuara të spitaleve që i tregohen publikut në edicionet e lajmeve.

    Që kur erdhi në pushtet, Rama dhe të tijët, i panë koncesionet në shëndetësi, ashtu siç do të projektonin më pas inceneratorët: si një mirierë ari për tu grabitur. Jo më kot ato po hetohen nga nga drejtësia që ka nxjerë deri tani në pah abuzime të paimagjinueshme. Sepse paratë e hedhura gjoja në emër të shëndetësisë falas kanë avulluar. Për Check Up-in, e dështuar ku paguhet edhe për ata që nuk paraqiten, taksapaguesit shqiptarë shpenzojnë mbi tetë milionë euro në vit. Për ofrimin e setit të instrumenteve kirurgjikale, që quhet i konsumuar edhe për një heqje thoi, harxhohen aktualisht rreth 17 milionë euro.Për dializën që kryet në mjediset e spitaleve publike mbi 9 milionë euro ndërsa për laboratëorët dyfishi i kësaj shume.

    Pra gjysëm miliardi euro, të hedhura në favor të njerëzve anonimë, shpesh pa lidhje me fushën dhe me procedura krejtësisht të dyshimta. Kjo është e vërteta rrënqethëse e sistemit tonë mjeksor, për të cilin ata që sapo dalin nga bagat e shkollës duan ta braktisin për të vrapuar drejt Gjermanisë, ndërsa një pjesë tjetër, për ta mjelë, siç bënin ata monstrat e onkologjikut.

    Kur mëson këtë gjëndje të mjerueshme, kur ndërgjegjësohesh për grabitjen e dirigjuar nga lart, natyrshëm të ngrihen disa pyetje: A nuk është një sprovë e madhe të qëndrosh profesional dhe i moralshëm brenda këtij sistemi? A nuk e tradhëton mungesa e idealizmit të shefave, betimin e rekrutëve të rinj të urdhrit të Hipokratit? A nuk stimulon grykësia e atyre që kanë mbi kokë, oreksin e peshqve të vegjël? A nuk e ysht ky batak vesin?

    Asnjëra prej këtyre pyetjeve nuk ka për qëllim të shfajësojë sadopak mostrat e dyshuara se bënin biznes me vdekjen nga kanceri. Nëse i kanë kryer krimet për të cilat akuzohen, ata le të digjen në turrën e druve të moralit publik. Por ama, linçimi i tyre nuk është asgjë më shumë sesa një pjesë e së tërës, sepse sado kriminalë dhe të pashpirt të jenë treguar ata janë njëkohësisht mostrat dhe viktimat e një sistemi të projektuar mbi kokat e tyre, arkitektët e të cilit do vazhdojnë të pjellin të ngjashëm.

  • Nga Romir SARAÇI – Biznesi me vdekjen! Ministrja e neveritshme!

    Pas skandalit, ministrja e Shëndetësise, Albana Koçiu, nxitoi të justifikojë “Biznesin e Vdekjes” në QSUT, duke distancuar veten e duke bërë të paditurën për realitetin me të cilin përballen qytetaret çdo ditë në dyert e këtij spitali!

    Në vend të dorëheqjes, ministrja përdori fjalën “neveri”, duke qarë ditën, atë që ajo dhe paraardhësit e saj kishin pushkatuar natën!

    Sa herë është denoncuar në media nxjerrja jashtë funksioni e pajisjeve të Onkologjikut? Sa herë KLSH ju kërkoi ndërhyrje urgjente për mjekët-matrapazë e drejtuesit-matrapazë të QSUT?

    Sa herë keni parë në media njerëz me vdekjen në trup, që qanin dyerve të Onkologjikut se nuk kishin lekë të blinin ilaçet që ju duhet t’ia jepnit falas? Sa e sa shërbime të tjera funksionojnë me të njëjtën skemë në QSUT? Nëse nuk i di zonja e neveritur, mjafton të numërosh ambulancat e spitaleve private që hyjnë e dalin çdo ditë në spitalin tuaj të neveritshëm!

    Mjekët që kishit në krahë para 2 ditësh, kur pozonit për rihapjen e urgjencës janë po aq të neveritshëm, se çdo i sëmurë me zemër nëse nuk u jep atyre me të cilët ju pozuat pushimet në Maldive, përfundon në morg ose me 5-fishin e Maldiveve në monopolin privat të shërbimeve kardiologjike!

    Neveri?! Neveri që Shefi i “Spitalit nr.5” në QSUT siç quhet rëndom, ka hapur departament paralel në një prej spitaleve private e çdo fatkeq me trombozë, pasi peshkohet në shtretërit tuaj, çohet për ndërhyrje te privati?

    A e dini sa e sa pajisje të tjera keni jashtë funksioni ne QSUT? Neveri? Të neveritshëm jeni ju që bëni sikur vini nga një botë paralele e nuk i dini vuajtjet e qytetarëve dyerve të spitaleve! Edhe mund të mos i dini, sepse kur zv. Ministres tuaj i ra sëmundja në trup, nuk kishte besim të kurohej në spitalet që vetë drejtoni, por e dërguat për kurim jashtë vendit! Nuk janë këta Hipokritët e vdekjes neveri! Por jeni ju, që pasi të vrisni natën, dilni ditën e të qani në dyert e Onkologjikut!

    Kursejuni talljen familjeve që humbën të afërmit për shkak të mungesës së shërbimit, apo atyre që vijojnë të lëngojnë me vdekjen në trup!

    PS: Sa për efekt dufi! Qëllimi i këtij hetimi nuk ishte goditja e “biznesit të vdekjes”, se po të ishte ky, këta fëlliqësira do të ishin në qeli, por qëllimi ishte goditja e konkurrencës, pasi kjo skemë është minore përballë skemave të tjera në QSUT, apo skemës qe ju vetë keni ndërtuar!

  • Nga Armand MAHO – Rëndësia jetike e rrëzimit të Ramës

    Ardhja e Edi Ramës në pushtet në vitin 2013 ishte një aksident fatkeq për shqiptarët. Natyrisht, këtu nuk duhet hequr faji dhe një pjese të administratës së lartë të asaj kohe, e cila me arrogancën e saj kishte ngjallur jo pak pakënaqësi brenda shoqërisë. Por pavarësisht kësaj, Rama kurrsesi nuk duhet të vinte në pushtet. Ne e dinim të gjithë kush ishte. Arroganca dhe hajdutllëku i tij ishin përfolur e përmendur sa e sa herë në qarqet mediatike, shoqërore apo politike, që nga koha kur ishte ministër i Kulturës dhe më pas si kryetar bashkie.

    Rama do ishte i pari që do fuste kulturën e kapjes së medieve, bashkëpunimin e ngushtë me bandat kriminale, kulturën e korrupsionit me 20% e lejeve të ndërtimit, refuzimit të sistemit të sistemit, cilësimin e kundërshtarit politik si armik dhe futjen e gjuhës së urrejtjes. Pra kishte të gjitha tiparet e një autokrati hajdut dhe ardhja e tij në pushtet nuk do sillte asgjë të mirë.

    Tashmë ai është në fund të mandatit të tretë dhe aspiron për të katërtin. Të tria këto mandate janë të mbushura me skandale dhe dështime si asnjwherë më parë. Sot kemi një vend të ngërthyer nga Mcgonigalë e Coldea që ose paguhen me para korruptive për lobingje po aq korruptive, ose paguhen si këshilltarë Ramës nga kartelet e drogës në Amerikën Latine, ku pasojat i shohim fare qartë duke filluar nga çmimi i banesave.

    Shqipëria dalwngadalë po kthehet në pikën e nisjes, si në vigjilje të viteve 90-të. Shqiptarët janë sot më të pasigurt se kurrë për të ardhmen e tyre. Rama nuk e cilëson veten si administrator të shtetit, por si pronar të tij. Në këtë inkursion të neveritshëm vjedhjeje dhe goditje të demokracisë ai ka pasur natyrisht dhe përkrahjen e disa dinsëzve mercenarë që na shiten si ndërkombëtarë, që duhet pranuar se detyrën e tyre kundrejt shpërblimin e kanë bërë më së miri. Kemi parë këtu dhe ndërkombëtarë të flasin me gjuhën e Elisa Spiropalit dhe kjo është e dhimbshme.

    Rrëzimi i Ramës nga pushteti është jetik. Këtë e dinë shumë mirë ata që janë kundërshtarët e tij, por e po aq mirë e dinë dhe ata që janë përkrahës të së majtës. Madje po aq mirë e dinë në sistem makro dhe ata birbot që kanë pas vetes, që përfitojnë tendera, leje ndërtimi, PPP e të tjera me radhë. Them në sistem makro, pasi e njohin mirë, ndërsa në atë mikro janë të detyruar t’i bëjnë lëpirjet dhe shërbimet e radhës pasi e dinë fort mirë se në një konkurrencë të lirë janë të marrë fund.

    Ata që akoma janë të pavendosur, ose nën amnezinë e propagandës duhet ta dinë se çdo ditë që ky individ shkel në atë zyrë është një dëm që na bëhet të gjithëve. Ramës i duhet dhe një katër vjeçar tjetër për dy gjëra. E para çka është më e rëndësishme, për ti shpëtuar gjykimit nga drejtësia që e mban peng me pushtetin e tij, dhe e dyta për të rrëmbyer atë çka mbetur nga rrënimi pa fund që i ka bërë vendit. Shpresa që ai të ndryshojë diçka në shtetbërje është më e vogël se zero, pra në rast se do kemi Ramën sërish do vijojmë me rritjen çmimesh, largime të atyre që kanë mbetur, me mungesën e shërbimeve dhe me këtë propagandë të bajatshme tash 11 vjet. Me pak fjalë dhe katër vite të tjera në këtë halenë e qelbur do rikthehemi sërish në pikën e nisjes ne vitin 90.

    Pastaj ato përrallat që tregon Elisa, Balla, Lali Eri, që vjedhin si derrat nga mëngjesi në darkë, se kush janë pro perëndimorët dhe kush jo,  janë pordhët e aromatizuara që lëshon pushteti për zgjatjen e kësaj amnezie që po e vdes dalëngadalë këtë shoqëri.

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Sa rrezikon SPAK të jetë vrasësi i zgjedhjeve 2025

    Nga Basir ÇOLLAKU – Sa rrezikon SPAK të jetë vrasësi i zgjedhjeve 2025

    Nëse Prokuroria e Posaçme nuk merr urdhër te Rama dhe në Ambasada ajo ndalon të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme së paku emrat e mëposhtëm:

    • Edi Ramën
    • Erion Veliajn
    • Taulant Ballën
    • Damian Gjiknurin
    • Ulsi Mabian
    • Belinda Ballukun
    • Blendi Klosin
    • Olta Xhaçkën
    • Ilir Beqen
    • Engjëll Agaçin
    • Mimi Kodhelin
    • Elisa Spiropalin
    • Fatmir Xhafën
    • Bledi Çuçin
    • Dalina Brahimin
    • Plarent Ndrecën
    • Frida Krifcën
    • Vangjush Dakon
    • Blendi Gonxhen
    • Mirela Kumbaron
    • 25 kryebashkiakë…

    Të tjerë drejtorë policë e njerëz të drejtësisë vijojnë listën..

    Opozita vjen në protestën e 12-të, këtë herë zyrtarisht e realisht si një PD më e plotë dhe bashkuar. Janë miliarda euro, janë dhjetëra drejtues të bashkisë Tiranë,qeveritarë, janë fije të lidhura me Mafian, Ndranghetën, Camorra, Sacra Corona, Sinaloa, së paku prej katër vitesh nëper dosjet e partnerëve dhe Prokurorisë së Posaçme, por sërish dy dhallë e një kos, na vjen rezultati nga hetimi zhurmues, i ngadaltë dhe i kontrolluar. Opozita ka denoncuar dosje voluminoze, duke dëshmuar hapur për vjedhjet e pronës, taksave e pasurisë publike. Organizata Kriminale Elektorale e Tiranës e drejtuar nga Erjon Veliaj, është më së shumti në qeli, pjesa tjetër në hetim, e pandehur, në prag arresti. Pak vite më parë tek lexoja e publikoja një dosje të një tenderi të shkuljes së palmave e mbjelljes së pishave në aksin Kamëz-Kashar, brenda një ditë-nate kompanisë “Fusha” i ishte dhënë një tender prej 3.2 milionë eurosh, e brenda një jave në dhjetor dy ditë pa mbyllur viti, i ishin kaluar edhe paratë në arkën e saj si punëmbaruar. Ndonëse kompania nuk kishte këtë target biznesi. Aty u ble një fidan pishe Pinea 3 metër me vlerë 6 milionë e 375 mijë lekë. Në treg në rastin më të shtrenjtë nuk kalonte 1 milionë lekë. Prokuroria bëri sikur hetoi e gjykata sikur e pushoi e Veliaj nuk shkoi as në pyetje as seancë duke shpërfillur dhunshëm drejtësinë. Raste tenderash të tillë ajo bashki me atë kryetar ka plot e prokurorë pa këllqe për t’i hetuar ka po plot. Tani krimi ka privatizuar Bashkinë më të madhe në vend, SPAK lë në detyrë të akuzuarit duke ndihmuar në prishjen e hetimit pengimin e drejtësisë. Publiku ushqehet me barcoletat e Ramës kur e heq nga foto festash duke shpresuar se Prokuroria ka marrë leje ta marrë të pandehur. Kjo është varësi. Mungesë ulëritëse pavarësie. Arrestimi Erion Veliajt është gjysëmarrestim i Edi Ramës. Kjo lidh SPAK e sidomos tani me Komisionin kontrollues të Fatmir Xhafës i cili duke mbrojt Erion Veliajn, mbron vartësin e tij ish shefin e lejeve të ndërtimit drejtorin e zyrës së urbanistikës dhëndërrin e tij Ditjon Baboçin i larguar së fundmi pas nisjes së stuhisë penale në Bashkinë e Tiranës. Sepse aty dalin dhe lejet e shumta të “Arlis”  Armand Lilo tjetër rreth familjar i Xhafës. SPAK po e komprometon veten duke zvarritur aq gjatë e amnistuar së paku 6 dosje mafioze të Bashkisë lidhur me Qeverinë

    Inceneratorët

    5D

    Tirana DC

    Ndrangheta ndërtimet

    Eco Tirana

    Teatri Kombëtar për të cilën ka vendim të pazbatuar të Gjykatës Kushtetuese.

    Është edhe biznesi i bashkëshortes Ajola Xoxe, me zyra në kullën e Kostas, ku u shtuan 5 kate dy vitet e fundit, e akuzuar për pastrim parash. Edhe i vëllai Arbër Veliaj është në hetim pasuror me kryebashkiakun.

    Dhe ky hetim lidhet domosdoshmërisht me një procedim penal. Dhe hetimi pasuror për funksionarët publikë dhe personat e lidhur, është derivat i ligjit Antimafia.

    A kanë shërbyer dhe po përdoren paratë e vjedhura të këtyre dosjeve për lobingje në USA e BE për të shpëtuar Veliajn?!

    A janë hetuar veprimet e tij jashtë vendit?!

    Prokuroria të mos ndjekë axhendën politike. Të mos hetojë sipas humorit të Edi Ramës. As sipas komisionit të Fatmir Xhafës.

    SPAK ka premtuar të merret me krimin elektoral të shumë dosjeve që ka të vjetra e të reja. Veliaj dhe Bashkia janë megadosja kriminale elektorale. 184 u amnistua se aty ishin ministra deputetë dhe KM Rama. 339 u shkërmoq aty ishin bandat elektorale. Revanshi pjesa e tretë e Metamorfozës ardhur nga Sky-encro është një 339 e zgjeruar. Të njëjtët të pandehur të lirë në dosjen e parë akuzohen tek e dyta. 

    Nëse po amnistohet kjo pafundësi vjedhjesh, dhe koha për të bindur po skadon, atëherë Drejtësia e Re është Kryevjedhja më e madhe, grabitësja e zgjedhjeve për llogari të mazhorancës.

  • Nga Erion DASHO – Inteligjenca artificiale dhe hajdutëritë e Boratit

    Nga Erion DASHO – Inteligjenca artificiale dhe hajdutëritë e Boratit

    Nuk është hera e parë që Borati dhe boratët flasin për inteligjencën artificiale (AI). Sipas elifimatrakëve të rilindjes, AI ishte zgjidhja magjike që do harmonizonte legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.

    Ndërkohë dje paska nisur një procedurë negocijimi me Boston Consulting Group (një nga kompanitë më të rëndësishme ndërkombëtare të këshillimit) për të hartuar rekomandimet që do të mundësojnë përdorimin e AI në luftën kundër korrupsionit!!!

    ***

    Lufta kundër korrupsionit është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet pothuajse çdo shoqëri. Ndër aplikimet e mundshme të AI, sigurisht ka të tilla që mund të ndihmojnë edhe në luftën kundër korrupsionit, për shembull:

    》analiza e të dhënave (sidomos e “big data”);

    》monitorimi i transaksioneve financiare;

    》automatizimi i procedurave administrative;

    》parashikimi i sjelljeve korruptive bazuar mbi të dhënat historike;

    》forcimi i procedurave të auditimit duke analizuar në mënyrë të paanshme dokumentet dhe proceset;

    》identifikimi i konfliktit të interesit;

    》mbështetja e hetimeve për rastet korruptive; etj.

    Kjo listë mund të vazhdojë gjatë dhe të gjithë zbatimet e mundshme të AI do ta bënin realisht Shqipërinë një vend më të drejtë dhe të ndershëm. Sidoqoftë ka dy pengesa madhore që duhen tejkaluar para se AI të mund të zbatohet për të luftuar korrupsionin në Shqipëri. Le të nisim nga pengesa e parë, ajo teknologjike.

    ***

    Përpara se AI të nisë të zbatohet në Shqipëri, duhet të plotësohen disa parakushte teknike dhe infrastrukturore, ku një transformim digjital është i domosdoshëm si hap pararendës për të mbështetur përdorimin e AI.

    Së pari, kjo përfshin digjitalizimin e të gjithë të dhënave. Sa më shumë nga të dhënat e rëndësishme të shtetit duhet të jenë në format digjital, me cilësi të garantuar, me besueshmëri të lartë dhe të ruajtura në baza të dhënash të sigurta.

    Së dyti, duhet të investohet në një infrastrukturë të fuqishme dhe moderne të teknologjisë së informacionit, duke përfshirë serverë të fuqishëm, rrjete të shpejtë dhe të sigurtë, si dhe kapacitete të mëdha ruajtjeje. AKSHI me serverat e vet në bodrumet e INSTAT-it ofron kapacitete qesharake në këtë drejtim.

    Së treti, siguria e të dhënave dhe sistemeve është kritike për suksesin e AI. Duhet të implementohen masa të forta sigurie për të mbrojtur sistemet dhe të dhënat nga sulmet kibernetike. Nuk mund të zbatohen aplikacione të AI në një vend ku hakera amatorë hyjnë e dalin sipas dëshirës në të dhënat më sensitive të shtetit.

    Së katërti, duhen ligje dhe rregullore shumë të forta për ruajtjen e privatësisë së të dhënave. Në Shqipëri gjithë të dhënat e shtetit kanë dalë prej vitesh në shitje në dark web, kurse patronazhistët kanë në celular gjithë databazën e eAlbania.

    Së fundi, që të zbatosh programe të AI në shkallë të gjerë, në nivel kombëtar, nevojiten burime njerëzore. Duhet filluar nga rekrutimi i inxhinierëve, programuesve dhe shkencëtarëve të të dhënave. Për të kaluar tek sensibilizimi dhe trajnimi i stafit të gjithë administratës publike.

    Kur e sheh listën e parakushteve, problemet duken tepër të vështira, por gjithsesi jo të pakalueshme. Kuptohet se një listë kaq e gjatë parakushtesh kërkon vite të tërë për t’u plotësuar, investime gjigande dhe nuk zgjidhet me një të rënë të lapsit.

    ***

    Por problemi më i madh, ai i pakapërcyeshëm, nuk lidhet me teknologjinë.

    Nën qeverisjen e Boratit dhe të Rilindjes korrupsioni nuk është parë si sfidë, por si përafrim qeverisës. Duke u korruptuar gjithë nivelet e piramidës qeverisëse nga Borati deri tek nëpunësi më i thjeshtë  (ku vetë ish-zëvendësi i Boratit, Tigri, ndodhet prej gati një viti në arrati si i kërkuar për hajdutëri) janë grabitur miliarda euro taksa të shqiptarëve, janë siguruar paret e vjedhjes së votave, paret e blerjes së medias, paret e ngritjes së sistemit gëbelsian të propagandës, si dhe paret e kapjes së shtetit në çdo segment.

    Prandaj, Borat mos vazhdo t’i hedhësh hi syve të shqiptarëve me përralla me robotë dhe inteligjencë artificiale!

    Teknologjia nuk mund ta kthejë shtetin tënd të korruptuar deri në palcë në parajsë ndershmërie!

    E vetmja e mirë që mund t’i ofrosh ti sot shqiptarëve është dorëheqja dhe hapja e rrugës për një qeveri teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

    Për të sjellë në pushtet një klasë politike që avantazhet e teknologjisë do t’i shfrytëzojë në dobi të shqiptarëve dhe jo për hajdutëri, kusari dhe makutëri.

    Një klasë politike kaq të ndryshme nga ti, Borat…