Blog

  • Nga Enver BYTYÇI – Krenar dhe të turpëruar nga manifestime të tilla si ai i Dortmundit?!

    Ishte madhështor, emocionues dhe një përjetim i jashtëzakonshëm ajo që ndodhi më 14 qershor ditën e ndeshjes Itali-Shqipëri për kampionatin europian në Dortmund të Gjermanisë. Gjithkush nga ne ka përjetuar çaste të mrekullueshme, madje shumica prej nesh jemi përlotur nga ai manifestim i paparë i 50 mijë shqiptarëve në rrugët dhe në stadiumin olimpik të Dortmundit.

    Një mrekulli që vetëm shqiptarët dinë ta bëjnë. Madje me zemër, me ndjenjë, me dashurinë e madhe jo vetëm për kombëtaren, por edhe për vendin, për kombin, për atdheun. Secili në mënyrën e vet shfaqi atë ndjenjë të ndrydhur në shpirtin e tij për më shumë se një shekull e ndoshta dy. Të ndrydhur nga sunduesit e nga pushtuesit, nga dhunuesit e egër vendas e të huaj! Liria që ne shqiptarët e fituam jo pa sakrifica në vitin 1991-1992 dhe më 1999-ën,  na ka dhënë këtë mundësi për të dëshmuar se jemi komb me identitet, integritet dhe autoritet të padiskutueshëm.

    Edhe nëse humbja do të komentohet si e tillë, pra si humbje, manifestimi i shqiptarëve në Dortmund të shtunën nuk do të harrohet. Ashtu si goli në sekondën e ’23-të i Bajramit kundër Italisë. Nuk do të harrohet as devijimi i Hysajt për të mos prekur topin , i cili pëtfundoi në rrjetën tonë. Nuk e dimë ende nëse Hysaj është ose jo patronazhist.

    Megjithatë me këto pamje e manifestime kënaquni, emocionohuni, po të doni derdhni edhe lot, por mos u mburrni, mos thoni “jemi krenarë se jemi shqiptarë”, se nuk jemi shqiptarë të mirë. Jemi fasada e së mirës dhe thelbi i të keqes! Jemi mbuloja e pisllëkut, por jo pastërtia që ngjall respekt! Mbështillemi me flamuj kuq e zi, por ama qeveritarët dhe deputetët shqiptarë në shumicë përdorën paratë tona për ta veshur atë flamur. Të tjerë oligarkë e mafiozë pranë qeverisë përdorën makina të blindume për të udhëtuar drejt flamujve të gjakosur me krime droge!

    Natyrshëm jemi krenar me flamurin, por a jemi krenar për ata që jemi, për atë që bëjmë, për ata që zgjedhim të na drejtojmë?! Noizzi thërriste nga stadiumi “Jam krenar se jam shqiptar”! Dhe mirë bën. Por luksi nuk e lejon të shohë se kokën na e ulin miqtë e tij në krye të shtetit! A mund të jemi krenar me atë që cakton lojtarët në kombëtare që t’i përdorur për interesat e tij politike?! A mund të jemi krenarë që një njeri na dikton gjithçka e na kontrollon për gjithçka, edhe për rezultatin e ndeshjes në Dortmund?! A mund të mburremi se Noizzi e miqtë e kryeministrit kanë vila, restorante e makina luksoze, ndërsa 30 përqind e popullsisë u largua nga Shqipëria për shkak të varfërisë dhe padrejtësisë?!

    Mos u mburrni, sepse mburrja na bën të harrojmë disa gjëra elementare dhe esenciale. Ne bashkohemi në stadiume, por nuk bashkojmë dot dy qeveritë e dy shteteve tona. Nuk i detyrojmë dot dy kryeministrat e dy shteteve tona të flasin bashkë. Njëri flet me armikun më të egër të shqiptarëve, Serbinë. Tjetri përpiqet të riparojë çfarë prish bashkepunëtori i Vuçiq! Ne bashkohemi në stadiume të Europës, por nuk bashkohemi në stadiumin e Tiranës. Ne bëhemi bashkë kudo nëpër botë, por zihemi dhe i nxjerrim sytë njëri-tjetrit në oborrin e shtëpisë tonë. Ne jemi gati të hedhim vallen dorë për dorë me çdo shqiptar edhe të panjohur, por politikanët tanë “i kanë vënë pushkën njëri-tjetrit”!

    Ne mblidhemi e manifestojmë me një performancë të shkëlqyer spontanisht në Europë, SHBA e gjetkë, gjithnjë kur luhet futboll. Por nuk e luajmë prapanicën për vëllain tonë gjatë samiteve rajonale e ndërkombëtare. Bëjmë kapedanin përballë vëllait, të vogël quajni po të doni! Por i japim territore në përdorim të huajve për të garantuar pushtetin! Ne nuk jemi ata të Dortmundit! Ne jemi faqja e zezë mbi këtë tokë. Ne në Shqipëri kemi instaluar mafien në pushtet. Dhe mafia e përdor Dortmundin e çdo mundësi tjetër ku valviten flamuj shqiptarë, për të fshehur veptimtarinë e vet kriminale të shtetit mafioz. Ne i bashkojmë flamujt në Europë, i puthim dhe i mbështjellim fort, por nuk i bashkojmë në veriun e Kosovës. Për këtë pjesë të shtetit të Kosovës themi se “është tokë e askujt”!

    Para se të vrapojmë me flamuj e të skuqim me ta stadiumet dhe rrugët e Europës ne duhet të kapim për veshi ata politikanë që punojnë për Serbinë e na mashtrojnë ne me ngjyra kuq e zi! Para se të vishemi me flamujt kombëtarë, shqiptari ka nevojë të vishet me dije dhe kulturë e të mos e durojë tiraninë e mafies në pushtet dhe të pushtetit—mafie! Para se të këndojmë për Adem Jasharin në kor duhej të nxirreshin jashtë stadiumit e jashtë qytetit të Dortmundit ata që dhunojnë çdo ditë gjakun e shenjtë të Adem Jasharit dhe familjes së tij!

    Ne duhet të mburremi! Por nëse na rriten të ardhurat! Nëse rriten pagat e pensionet! Nëse na ndërtohen rrugë! Nëse nuk na ngrihen çmimet! Nëse heqim nga çatitë depozitat e turpit të ujit! Nëse punohet e gjykohet me drejtësi! Nëse ndjehemi të lirë në vendin tonë! Nëse zgjedhim udhëheqësit që duam! Nëse arsimohemi me cilësi! Nëse shërbehemi si europian në spitale! Pra, nëse e rrisim mirëqenien dhe popullsinë në vendin tonë! Ata që na pakësuan me një milion banorë në një dekadë, shkojnë në Dortmund me paratë tona e më pas na hiqen patriotë me flamur! Ndërsa turma kuq e zi i bën të besojnë se janë baballarët t kombit! Ky është turp, nuk është krenari!

    Për këto e shumë arsye tjera, emocionet dhe kënaqësia e manifestimeve të tilla si ai i së shtunës në Dortmund mbesin si kategori psiqike e çastit, e momentit! Sapo të mendosh se çfarë ndodh në realitetin shqiptar, gjithçka kthehet përmbys! Një zymti e paparë në histori! Një ndjenjë turpi dhe jo krenarie! Dhe këtë na e shkakton vetëm një faktor, ai, ata që janë në krye të shteti-mafie!

  • Nga Artan HOXHA – Drejtësia është e Regjimit – asfare iluzion

    Nga Artan HOXHA – Drejtësia është e Regjimit – asfare iluzion

    Vendimi i Gjykatës së Apelit, që konsakroi të drejtat e ekstra shumicës demokrate, drejtuar nga Sali Berisha, mbi subjektin politik “Partia Demokratike”, krahas rikthimit në vendin e vet të së drejtës së uzurpuar nga ekstra pakica e demokratëve të asaj partie, i dha shtysë teorive të ndryshme konspirative: nga ajo që amerikanët tradhtuan Bashën, tek pakti i fshehtë Basha-Berisha për gjoja konflikt sa për t’i hedhur hi syve amerikanëve, e deri tek ajo më e fundit, pakti Rama – Berisha kundër Drejtësisë së Reformuar nga amerikanët e që nënkupton tradhtinë e Ramës ndaj paktit të tij me Bashën dhe amerikanët gjithashtu. Por meqë të gjitha këto nënkuptojnë se drejtësia është e varur nga të paktën një prej këtyre aktorëve politikë, pra asfare e reformuar për së mbari, nuk ia vlen të merrem me to.

    Një tjetër teori thotë se ky vendim tregon më së miri se drejtësia e post-reformuar është e ndershme dhe e pavarur dhe rrëzon kështu të gjitha pretendimet e demokratëve berishistë, ndaj pra edhe arrestimi i Sali Berishës dhe akte të tjera të saj nuk janë marrë mbi motive politike në shërbim të Qeverisë, por vetëm akte juridike të ligjshme e të paanshme, maksimumi gabime pa paramendim e në mirëbesim.

    Që nuk është kështu, do të mjaftonte konstatimi se kemi të bëjmë vetëm me një akt të drejtë në morinë e akteve të padrejta, edhe të anshme, edhe politikisht të motivuara, dhe pra, siç pranvera nuk vjen me një dallëndyshe, as drejtësia e vërtetë nuk vjen vetëm me një akt të këtillë. Por, teza meriton më shumë se kaq.

    Në fakt edhe analiza e kalvarit të gjyqeve të çështjes “Vula e PD-se”, rrëzon e vetme këtë tezë. Konflikti i brendshëm partiak, edhe ai më i fundit në PD, nuk është ngjarje e rrallë. Konfliktet e brendshme në partitë politike janë e zakonshmja. E veçanta në këtë rast kishte të bënte me atë që pakica, qartësisht e këtillë, tentoi dhe uzurpoi për një kohë shumë të gjate, mbi 2.5 vite, të drejtat ligjore të shumicës, qartësisht e këtille, në atë parti, dhe këtë privilegj, këtë përmbysje të paturp të rendit natyror, ligjor e moral, ia mundësoi drejtësia post-reformiste.

    Ndonëse një gjyqtar në shkallën e parë, pasi mori në dorëzim të gjithë dokumentacionin e Kuvendit të jashtëzakonshëm të 11 dhjetorit 2021, i shpalli ato konform statutit dhe ligjit, ky akt u bllokua që të regjistrohej e të shpallej në regjistrin e partive, me kërkesa artificiale dhe futjen si palë në proces të një tjetre që nuk mund të ishte palë (siç dhe u vendos së fundmi), akt ky që u miratua edhe nga shkalla apeluese e drejtësisë post-reformë.

    Gjithashtu, në dy procese zgjedhore, në mars 2022 dhe maj 2023, grupimit berishist iu mohuan të gjitha të drejtat elektorale të subjektit politik PD, e këto iu njohën grupimit bashist, vendime këto të marra jo vetëm nga pjesa politiko-administrative e KQZ-së, por edhe nga Kolegji Zgjedhor, një segment ad-hoc e i specializuar për zgjedhjet i Gjykatës së Apelit post-reformist. Kolegji arriti deri në absurdin që njohu shkresën mbi njëvjeçare të Bashës që delegonte përfaqësimin tek Alibeaj – këtij iu vu emri edhe në fletën e votimit – ndërsa nuk njohu shkresën e freskët të Metës që deklaronte se përfaqësuesi i koalicionit ishte Berisha dhe imponoi që në fletën e votimit të ishte emri i Metës e jo i Berishës.

    Nëse këtu sjellim në vëmendje edhe raste të tjera vendimesh të drejtësisë post-reformiste të tilla si: i gjithë procesi skandaloz i hetimit të deritanishëm dhe i masave të sigurisë ndaj Sali Berishës tërësisht në shkelje të Kushtetutës dhe të të drejtave të njeriut; hetimi tendencioz dhe moslejimi i Fredi Belerit as të kryeje betimin (gjatë zgjedhjeve 2023 nga dhjetëra kallëzime të opozitës asnjë hetim i nisur a i bitisur nga SPAK ndërsa kallëzimet e vetë policise rilindase që të gjitha vetëm kundra kandidatëve opozitare dhe stafeve te tyre); hetimet e zellshme ndaj eksponentëve të tjerë opozitarë apo “armiqve” nga radhët e mazhorancës dhe hetimet e vetëfrenuara ndaj të përkëdhelurve të kryeministrit; rastet e turpshme të shkeljes flagrante të lirisë së medias siç ai me portalin Lapsi.al apo gazetarin Qyno; atëherë tabloja e drejtësisë post-reformiste, thekshëm e anshme politikisht, bëhet mëse e qartë, ndaj edhe vendimi i Gjykatës së Apelit për “Vulën e PD-së”, mbetet të jetë një rast përjashtimor që e përforcon tiparin e kësaj Drejtësie si Drejtësi Regjimi, nuk e ndryshon atë asfare në të kundërtën e vet.

    Si gota qe mbushet nga shume pika uji, deri tek ky vendim u arrit prej disa shkaqeve e faktorëve.

    Së pari, shumica demokrate, drejtuar nga Berisha kishte absolutisht të drejtë edhe në proces, edhe në substancë. Nëse fare pak të mos kishte të drejte vendimi, e sigurt, do kishte qenë ndryshe. Gjithashtu, nëse do të ishte marrë vendimi i kundërt, të njihej pra pjesa bashiste si palë në proces, ky vendim do të përbënte një precedent tejet të rrezikshëm për të drejtat procedurale në të gjitha proceset civile, ndërsa pasoja substanciale e tij do të shkaktonte pasiguri të lartë mbi të drejtat thelbësore civile të çdo shumice në çdo organizatë shoqërore, politike apo biznesi – çdo pakice mund të uzurponte të drejtat e shumicës. Me gjasa, edhe Regjimi, edhe Gjykata e Lartë e tij e bënë këtë bilanc në dhjetor dhe nuk u kuturisën që për “hatër të Lulit” të shkaktonin këto dëme kolosale, për rrjedhoje, Apeli Gjyqësor në qershor zbatoi mot a mot “udhëzimet” e Gjykatës së Lartë.

    Së dyti, raportet numerike kanë qenë tejet të qarta. Që në fillim ekstra shumica e demokratëve mbështeti e ndoqi Sali Berishën, ekstra shumica e anëtarëve të strukturave, që nga seksionet e deri tek Kuvendi, mbështeti dhe ndoqi Sali Berishën, po ashtu zgjedhësit në dy palë zgjedhje vendore dhe së fundmi, që nga shtatori 2023, edhe pjesa dërrmuese e deputetëve u bashkuan efektivisht në një grup parlamentar dhe ky realitet politik u njoh fillimisht nga ndërkombëtarët, më pas edhe nga Regjimi.

    Së treti, aksioni opozitar i kësaj shumice demokrate erdhi në forcim e zmadhim, denoncimet më të shumta e më të thella, protestat më të shpeshta e më intensive, mitingjet si gjithnjë masive, por me kompaktësi dhe vendosmëri në përshkallëzim lart.

    Natyrisht e së katërti duhet llogaritur edhe pragmatizmi i Regjimit që fillimisht “mori peng vulën” dhe me pas, “kur mori peng liderin” e la “të lirë vulën”, qoftë edhe me shpresën se me këtë mund të arrije nga brenda, përmes konfliktesh të mundshme për drejtimin praktik të partisë në mungesë të liderit a për nevojë të tij, atë që nuk e arriti nga jashtë me Bashën.

    Ndaj Gjykatat dhe Prokuroritë, të të gjitha llojeve e niveleve, bashkë me organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë së reformuar, janë qartësisht të Regjimit dhe për këtë s’ka asfare vend për iluzion. Asnjë ndikim nuk ka opozita në këtë sistem. Zero.

    Dhe kur them Regjimi, natyrisht që kuptoj Regjimin Rilindës të Edi Ramës, tashmë me kontroll të personalizuar mbi të gjitha pushtetet e këtij shteti, Regjim që ende gëzon, për arsye që dihen a të tjera që mund të hamendësohen, mbështetjen e një rryme të fuqishme politiko-lobiste edhe amerikane edhe europiane me ndikim përcaktues në qeverisjen e sotme të këtyre vendeve, për rrjedhojë mbështetjen zyrtare edhe të vetë këtyre shteteve.

    Se sa do vijojë kjo mbështetje, mbetet për t’u parë, por krisjet kanë filluar të duken – pasojë e zullumit XXXL të këtij regjimi dhe dinamikave të reja politike në Amerikë dhe Europë, krisje këto që po ndikojnë deri edhe zhvillimet e brendshme në Drejtësinë e bindur të Regjimit, por që, me nxitjen e duhur, mund të veprojë një ditë papritur si bishti që vret akrepin.

  • Nga Enver BYTYÇI – Mos mbështesni non-gratën, mbështesini kreun e mafies!

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka publikuar sot një njoftim, me të cilin rikonfirmon se ky vend (SHBA-të) nuk dëshiron që politikanët të sanksionuar prej saj të mbështeten nga politikanë të tjerë si dhe elektorati. Fjala është sërishmi për të goditur liderin real dhe zyrtar të Partisë Demokratike, Sali Berishën. Mesazhi i asaj deklarate është mos mbështesni non-gratën, por mbështesni kreun e mafies, Edi Rama! Paradoks! Presidenti Biden firmos sërishmi ligjit kundër korrupsionit në Ballkanin Perendimor, ambasada vazhdon e thotë se “Rama është me duar të pastra dhe se Berisha paska bërë korrupsion”! Ndërkohë kanë plasur pusetat e krimit të lidhura me Ramën kudo nëpër botë!

    Në fakt kjo deklaratë doli në ditën që u publikua një koment i ish-ministrit të Jashtëm të Shqipërisë dhe president i Shoqatës së Këshillit të Atlantikut, Dr. Arian Starova. Ishte përgjigje e një pyetjeje që shtroi gazetari i TOP CHANEL, qëllimisht që të merrte këtë përgjigje! Në komentin e tij zoti Starova bën thirrje që të hiqet vendimi i departamentit të Shtetit për shpalljen non grata të Sali Berishës, duke argumentuar në thelb se ai vendim është arbirtrar dhe i paarsyetuar! Nuk dyshoj aspak në mendimin objektiv të zotit Starova, ashtu siç jam i bindur se shumica e shqiptarëve besojnë se masa e non gratës për Sali Beroshën është kurth i Sorosit, Edi Ramës dhe disa personaliteteve të korruptuara të departamentit të shtetit, përfshirë Donald Lu e Juri Kim. McGonigal është dëshmia e kësaj intrige që fatkeqësisht vjen nga perandoria e demokracisë në botë!

    Nga ana tjetër, reagimi i ambasadës amerikane sot, patjetër në kundërshti të komentit dhe analizës së Dr. Arian Starova, dëshmon edhe për atë se amerikanët nuk e kanë pritur mirë vendimin e gjykatës së Apelit për ta kthyer vulën e Partisë Demokratike te Sali Berisha dhe grupimi i tij. Por duket se kjo ambasadë nuk është investuar në gjykatë në masën dhe me metodat e Juri Kim për ta parandaluar një vendim të tillë. Pra nuk shkuan përfaqësuesit e saj në sallën e gjyqit për t’i intimiduar gjyqtarët dhe ndikuar në marrjen e këtij vendimi. Mesa duket praktikat e Juri Kim shihen si të dëmshme për autoritetin e SHBA-ve në Shqipëri. Megjithatë e thirrën beniaminin e tyre, Lulzim Basha dhe e porositën që të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë. Ky e hëngri karamelen e ëmbël të ambasadës amerikane dhe sapo doli prej andej tha se do të bëjë rekurs. Sikur mos të ishte Ghykata e Lartë ajo që rekomandoi vendimin e Gjykatës së Apelit për vulën e Partisë Demokratike! Shumë i lehtë në gjykim e arsyetim, shumë naiv duket ky vendim i Lulzim Bashës. Nejse! Mediet do të kenë me çfarë gafash të gajasen edhe disa muaj!

    Por le të aryetojmë logjikisht rreth deklaratës së ambasadës së SHBA-ve! Ajo bën thirrje të izolohet Sali Berisha. Flet për non-gratat, por Tom Doshin nuk guxon as ta izolojë, as ta përmendë. Arsyeja pse adresohet vetëm te emri i Sali Berishës: – Sepse Amerika e ka shpallur atë non-grata pa asnjë arsye, pa asnjë provë, pa asnjë fakt, pa asnjë motiv të shpallur publikisht. Në dokumentin e shpalljes non-grata kanë thënë se “Berisha është rrënuesi i demokracisë”! Ndërkohë shqiptarët dhe demokratët mendojnë ndryshe. Se Sali Berisha e çoi Shqipërinë në NATO! Se ai e çoi Shqipërinë drejt vendimit pët të marrë statusin e vendit kandidat për në BE! Se liberalizoi vizat me vendet më demokratike të zonës Shengen! A ka kuptim që një person me këto arritje në tetë vite qeverisjeje pikërisht në ndërtimin e demokracisë, të jetë njëkohësisht “rrënues i demokracisë”! Ndërkohë nuk na kanë thënë as tash pas tri vitesh asnjë provë e fakt për akuzën që bëjnë.

    Të përpiqesh nga pozitat e të fortit të imponosh jo vetëm vullnetin, por edhe politikanët që e drejtojnë Shqipërinë është një akt korruptiv autokratik e jo demokratik. Nëse ambasada këmbngul në këtë linjë, atëherë pak nga pak do ta transformojë miqësinë me SHBA-në në armiqësi ndaj saj. Sepse njerëzit nuk hanë bar, as barin e Juri Kim. Ata kanë aftësinë të gjykojnë dhe të mendojnë, të ndajnë se çfarë është e drejtë e çfarë është e padrejtë”! Kur perandoritë janë zhytur në padrejtësi, ato kanë përgatitur fundin e tyre! Ky ëhtë mësimi i historisë. Padrejtësia ushqen korrupsionin dhe rasti McGonigal nuk është as i pari, as i fundit. Fakti që Alex Sorosi gjendet në çdo forum që ka të bëjë me Shqipërinë, dëshmon se pas mbështetjes së Edi Ramës dhe bashkëpunimit të tij me mafien ndërkombëtare qëndrojnë interesa të përbashkëta mafioze. Fakti që SHBA-të luftojnë kundër Sali Berishës dhe mbështesin pa limit Edi Ramën, thotë shumë në sytë e shqiptarëve. Të mbështetësh një kryemafioz, i cili ka korruptuar në rrjetin mafioz plot ndërkombëtarë, dhe të luftosh kryetarin e opozitës shqiptare, është akt çmendurie, edhe nëse është fjala për çmenduri të tilla amerikanësh!

  • Nga Erion DASHO – Opozita përballë provës

    Nga Erion DASHO – Opozita përballë provës

    Dorëzimi i drejtësisë së Boratit, pas dëmit katastrofik që i shkaktoi opozitës me mbajtjen peng të vulës, nuk duhet parë si qëllim, por vetëm si mjet. Duke fituar legjimitetin politik, Partia Demokratike vetëm sa ka hequr pengesën e parë, që ishte njëkohësisht edhe pengesa më absurde, në përballjen e saj me partinë-shtet me emrin rilindje.

    Midis pengesave të mbetura, njëra më e vështirë se tjetra, mund të përmenden:

    》aleanca e rilindjes me oligarkinë kriminale.

    》aleanca me krimin e organizuar.

    》aleanca me narkotrafikun kombëtar dhe ndërkombëtar.

    》rrjeti jashtë ligjor i patronazhistëve dhe aktivistëve.

    》kapja nga Borati dhe rilindja e gjithë pushtetit ekzekutiv në çdo segment të tij.

    》kapja e çdo pushteti tjetër, përfshi atë juridik dhe mediatik, madje edhe median sociale.

    Për më tepër, rilindja ka ndërmarrë në tre vitet e fundit një fushatë denigruese kundër Sali Berishës, si i vetmi faktor i mbetur politik me potencial për ta sfiduar dhe mundur atë.

    Kjo përbën edhe pengesën e fundit në rrugën e opozitës drejt një përballje të barabartë në 2025-ën.

    Po ç’duhet të bëjë opozita sot?

    Në radhë të parë, duhet të vazhdojë të denoncojë me fakte të rinj, por duke risjellë në vëmendje edhe faktet e njohur, aleancat e tmerrshme të rilindjes me krimin, ologarkinë dhe narkotrafikun. Një faqe online mund të renditë të gjithë faktet shkatërruese që janë grumbulluar në këta 11 vjet pushtet të Boratit dhe rilindjes.

    Së dyti, të përsëriten në çdo media elektronike dhe sociale faktet për kusaritë më flagrante të rilindjes, si djegësit, koncesionet e shëndetësisë, çmimet e tejfryra të punëve publike, vjedhja e pareve të COVID-it, vjedhja e fondeve të rindërtimit, madje edhe grabitja e paturpshme e 130 milionë eurove të projekteve të BE-së.

    Së treti, të denoncohet rrjeti i patronazhistëve dhe aktivistëve para çdo ambasade, qeverie perëndimore dhe institucioni ndërkombëtar. Një rrjet spiunazhi parapolitik, i furnizuar me të dhëna nga e-Albania, që survejon dhe shantazhon votuesit, mjafton për të skandalizuar çdo faktor demokratik në botën perëndimore.

    Së katërti, të vendoset qeveria teknike si kusht i panegociueshëm për zgjedhjet e ardhshme. Në rast se qeveria e rrëzon këtë kërkesë, të shfrytëzohet çdo mjet demokratik për të pamundësuar mbajtjen e zgjedhjeve.

    Por, mbi të gjitha, opozita ka nevojë për të krijuar frymën fituese që, sipas mendimit tim, kalon nëpër disa pika:

    》ftesa për unifikim të çdo faktori që është deklaruar kundër rilindjes. Nëse partitë apo lëvizjet e reja politike nuk i përgjigjen thirrjes së PD-së për të qënë pjesë e frontit anti-rilindje, ato praktikisht kanë dënuar veten dhe zgjedhjet e 2025-ës me siguri do t’i nxjerrin jashtë loje.

    》harmonizimi i synimeve politike të opozitës së bashkuar, ku duhet të spikatin dy parime të patjetërsueshme: nevoja për t’ju kundërvënë shpopullimit dhe zhbërjes së kombit, si dhe zotimi për të vënë para drejtësisë Boratin dhe boratët. Për mendimin tim, pushtetarët e 11 viteve të fundit duhet të dalin përballë një gjyqi si ai i Nyrembergut, pasi krimet e këtyre viteve kanë qënë krime kundër kombit dhe duhen ndëshkuar si të tilla.

    》hartimi i programit të shpresës, me mesazhe të qarta, me objektiva afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, si dhe me plane zbatuese realiste. Ky program duhet t’i flasë çdo shtrese të shoqërisë dhe t’i bindë ata se opozita nuk po vjen me lugë në brez drejt pushtetit, por me zotimin për të marrë përsipër përgjegjësi historike.

    Vetëm në këtë mënyrë, opozita do të jetë në gjendje t’u flasë shqiptarëve në Shqipëri dhe në emigracion, të krijojë ndër ta shpresën dhe besimin dhe, së fundi, të arrijë të mobilizojë energjinë e shoqërisë për ndryshim.

    Të gjitha këto janë të mundshme, por koha në dispozicion për t’i realizuar ato është shumë e shkurtër. Çdo vonesë dhe mëdyshje do të ishte fatale. Puna duhet të nisë që sot për të garantuar fitoren në 2025-ën. Shqiptarët i kanë sytë tek Partia Demokratike dhe opozita e vërtetë dhe Partia Demokratike nuk duhet t’i zhgënjejë ata!

  • Nga Enver BYTYÇI – Ah, Ibrahim Rugova!

    Ah, Ibrahim Rugova! E dija që as ata të tutë nuk të duan. E dija, se i kam parë vetë me sy, kur pas vdekjes tënde, ata të tutë, para publikut të ngrinin në qiell dhe kur uleshin në kafe a restorant të përgojonin, sikur të ishe roja e Lidhjes Demokrarike të Kosovës! E kam ditur se do të duhet të vijnë gjenerata të tjera për të parë mirë e qartë çfarë madhështie kishe dhe ke ti, o Presidenti Historik!

    Por nuk më kishte shkuar kurrë në mendje se kreu i partisë që ti e themelove dhe i dhe emër të lartë në rajon e në botë, pra se pas 18 vitesh, që ur ti shkove në amshim, do të përdhoste kaq poshtërsisht emrin dhe veprën tënde! Nuk e dija se në ditën e çlirimit të Kosovës, pas 25 vitesh liri, do të vinte një liliput me buzët me qumështin e Sorosit e do të thërriste armikun më të madh tëndin e të shqiptarëve, Edi Ramën, që të dërdëlliste për ty! Nuk e kam pritur kurrë se ky përdhunues i Kosovës në bashkëpunim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, të kthehej i ftuar në dasmën e viktimave të tij! Dhe përdhunuesin në këtë dasëm e solli Lumir Abdixhiku. Thjesht për interesa meskine të tijat.

    Ah Rugovë! Sa shumë fjalime mbajnë për ty dhe sa shumë të urrejnë pikërisht ata që betohen në emrin tënd! Ta heqin edhe fotografinë sa herë japin intervista, sepse nuk duan që fotografia jote t’u bëjë hije! Përpiqen të flasin për ty dhe spekullojnë si djalli me emrin tënd. Betohen në veprën tënde e ndërkohë shohin të përmendin vetëm atë pjesën që u shërben për interesat e tyre të pushtetit! Madje spekulluan në emrin tënd edhe për ndarjen e Kosovës. Thoshin se Rugova e ka pranuar këtë opsion, ndërkohë që ti kurrë nuk e kishe thënë, madje e kishe kundërshtuar deri me qëndresë lufte çdo kërcënim për ndarjen e saj!

    Ah Rugovë! Kur lejuan të të përdhosë Edi Ramën, këta që le pas nuk kanë për të lënë gjë pa bërë! Këta janë gati që për pushtet të bashkohen me atë që nuk pranoi t’jua përmendë emrin në një fjalim shumë të gjatë në parlamentin e Kosovës. Këta janë gati të bashkohen sërishmi me ata që organizuan atentate ndaj teje! Këta nuk guxojnë një herë të vetme të kërkojnë ndëshikimin e vrasësve të bashkëpuntorëve të tu! Fatkeqësisht edhe disa fëmijë të këtyre viktimave që kanë zënë vend në partinë tënde, në këmbim të karrierës kanë pranuar të heshtin!

    Ah Rugovë! Dje ishte ditë e zezë për ty o president e lider i papërsëritshëm! Nuk ishte ditë feste për ty! Ishte ditë trishtimi! Ish kryeministri italian, D’Alema tha diçka shumë fyese për ty. Tha se Bill Clinton kishte frikë se ti pas lirimit nga pengmarrja e Milosheviçit mund të kërkoje pushimin e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Kaq larg kishte shkuar propaganda e armiqve të tu në Tiranë e në ROGNER dhe ne nuk e paskemi ditur. Ndërkohë personi ndërlidhës i ROGNER-it dhe qeverisë shqiptare që të akuzoi atëherë, sot ishte tek ti për të thënë fjalë, që kurrë nuk i kishte shkuar ndërmend t’i besojë e t’i bëjë vetë. Tha se ti ishe i durueshëm dhe me paturpësinë më të madhe këshilloi që durimi të jetë tipari i politikës. Ndërkohë vetë ka dëshmuar padurimin më të madh që ka parë historia shqiptare.

    Ai, pra kryeministri i Shqipërisë që foli dje në konferencën me emrin tënd, ishte i padurueshëm për ta përshejtuar procesin e ndarjes së Kosovës! Madje duke të keqpërdorur ty!  Ishte i padurueshëm për ta implementuar Open Balkan dhe zhbërë pavarësinë e Kosovës! Ishte i padurueshëm për ta përçarë skenën politike të Kosovës, duke filluar me kryeministrin Isa Mustafa, vazhduar me Ramush Haradinajn dhe deri te Albin Kurti e Vjosa Osmani! Ishte i padurueshëm kur para gati një viti anulloi një natë para mbledhjen e përbashkët të dy qeverive të Shqipërisë e të Kosovës në Gjakovë. Ishte i padurueshëm për të thënë se “Kosova është tokë e askujt”! Ishte i padurueshëm për ta rrënuar gjithë trashëgiminë tënde, Rugove! Megjithatë Lumiri i Partisë që ti e themelove e solli sot në Prishtinë, jo për të të mburrur ty, për të të përdorur ty i dashur Rugovë.

    Lumiri u bë papritmas shkallmuesi i kësaj trashëgimie! Por skenarin dhe projektin e përgatiti Edi Rama në Tiranë! Siç di ai të shkallmojë! Pa mëshirë, pa droje, pa pishman, pa kërkim-falje! Në atë formë që sipas Thomas Ericson veprojnë vetëm  psikopatët!

  • Pastrimi i parave dhe investimet në shtëpi bosh i ka bërë çmimet të papërballueshme në Tiranë

    Pastrimi i parave dhe investimet në shtëpi bosh i ka bërë çmimet të papërballueshme në Tiranë

    Çmimi i shtëpive është bërë i papërballueshëm për shumicën e popullsisë, për shkak të kërkesës së lartë, teksa në anën tjetër në kontrast qëndron fakti që një pjesë e stokut të banesave janë bosh.

    Profili i Shqipërisë për Zhvillimin Urban, Strehimi dhe Menaxhimin e Tokës, publikuar këto ditë nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Europën, sjell në vëmendje arsyet që e kanë bërë blerjen e një banese të papërballueshme për shumicën e popullatës.

    “Ndërsa Shqipëria ka disa nga normat më të larta të banesave të pabanuara në Europë, shkalla e mbipopullimit për popullsinë tejkalon 58 për qind, më e larta në Europë, me përjashtim të Malit të Zi.

    Këto pabarazi strukturore janë rezultat i rritjes së niveleve të pabarazive sociale dhe hapësinore. Boshatisjet kanë rrjedhur nga emigracioni masiv nga zonat më të varfra dhe rurale, nga njëra anë, duke rezultuar në prona të shumta të shkreta.

    Nga ana tjetër, grupet më të pasura kanë investuar në prona të reja si një “strehë e sigurt”, shpesh duke i lënë këto prona të pabanuara. Kjo vetëm gjeneron kërkesë të mëtejshme dhe rritje të çmimeve në zonat me kërkesë të lartë.

    Pastrimi i parave ka qenë një tjetër faktor kontribuues në rritjen e çmimeve të banesave në Tiranë dhe në zonat bregdetare të Shqipërisë.

    E kombinuar me të ardhurat mesatare të ulëta të disponueshme të familjeve, e bën blerjen e një shtëpie të re në zonat e dëshiruara të papërballueshme për shumicën.

    Kjo ka çuar në norma të larta të mbipopullimit, veçanërisht në mesin e grupit me të ardhura të ulëta. Tirana është një nga shtatë qytetet kryesore europiane me nivelet më të larta të papërballueshmërisë së banesave” vlerëson raporti.

    Sigurimi i strehimit të sigurt, të përballueshëm dhe të përshtatshëm ka qenë shqetësimi kryesor për politikën kombëtare të strehimit.

    Në krye të parathënies raporti sjell në vëmendje garantimin e të drejtës për strehim të përshtatshëm.

    “Neni 59 i Kushtetutës së Shqipërisë njeh të drejtën për strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm si një nga objektivat sociale të shtetit shqiptar. Gjithashtu, neni 18 për barazinë siguron mbrojtjen e grupeve të ndryshme sociale kundër çdo forme diskriminimi.

    Pas privatizimit masiv dhe ndërtimeve informale në vitet 1990, sektori i banesave në Shqipëri është dominuar nga pronësia e shtëpive private, me shumë shtëpi të reja vetë-ndërtuara dhe ndërtesa të tjera të ndërtuara fillimisht ilegalisht dhe në zona të banuara.

    Sektori social i banesave me qira (qoftë publik, privat apo i përzier) përfaqëson vetëm rreth 0.1 për qind e totalit të banesave të banuara dhe nuk mund të konkurrojnë me tregun privat.

    Tregu hipotekor (në këtë rast ka të bëjë vetëm me shtëpi që blihen nga kreditë interesat e të cilave i subvencionon shteti si pjesë e programeve të caktuara) gjithashtu sapo po zhvillohet, me më pak se 1 për qind e pronarëve të shtëpive që paguajnë aktualisht një të tillë.

    Kjo është pjesërisht për shkak të rolit të rëndësishëm të sektorit informal dhe të vetë-ndërtuar, ku janë aktivitetet e ndërtimit financuar kryesisht nëpërmjet parave vash dhe remitancave.

    Zhvillimet e organizuara formale (ndërtimet e reja të pallateve) synojnë segmente të banesave me çmim të lartë në zona me kërkesë të lartë dhe janë të papërballueshme për shumicën e popullsisë” thuhet në raport./ MONITOR

  • Nga Çim PEKA – Abdixhiku, ‘Luli’ i Ramës në Prishtinë!

    Nga Çim PEKA – Abdixhiku, ‘Luli’ i Ramës në Prishtinë!

    Kjo foto është marre nga intervista e pare e Abdixhikut si kryetar i LDK në zyrat e selisë.

    Tek muri pas Lumirit ishte foto e Rugovës, vetëm pak minuta para intervistës, stafi i tij e hoqi.

    Abdixhiku donte që LDK të identifikohej tashme me të dhe jo me Rugovën. Madje edhe në intervistë e pyeta për atë akt që më bëri përshtypje.

    Sot Abdixhiku kishte bërë një aktivitet mbi Ibrahim Rugovën, folës kryesorë ishin dy zëdhënësit e Thaçit në vitet ‘98-‘99’ në Tiranë, Rama e Fevziu.

    Se çfarë kanë thënë këto dy personazhe atë kohë për Rugovën, nuk ka nevojë ta risjellim, por të mos flasë Sabri Hamiti e të flasë Rama për figurën e Ibrahim Rugovës, vetëm një sozi e Lulzim Bashës në Prishtinë mund ta bëjë.

    Rama ka nevojë për një “Lul” kudo në trevat shqiptare, por Kosova ka nevojë për “rugovistë” të vërtetë!/Syri

  • ​146 vjet nga Lidhja e Prizrenit

    ​146 vjet nga Lidhja e Prizrenit

    Sot mbushen 146 vjet që kur më 10 qershor 1878 filloi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

    Është kjo njëherësh një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e 15.

    Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtarë shqiptar.

    Komiteti i Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllave dhe ai grek, pasi që Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke më 1875/76, me shpejtësi po goditej dhe tronditej nga e ashtuquajtura “Kriza Lindore”, shqiptarët të cilët vepronin dhe punonin në kuadër të Perandorisë në fjalë, me kohë kishin nuhat rrezikun e copëtimit të trojeve të tyre, andaj, ata me shpejtësi themeluan “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike.

    Komitetin e Stambollit e përbënin një plejadë intelektualësh më të shquar të kombit në kohën aktuale të krizës lindore. Pashko Vasa, Jani vreto, Ymer Prizreni, Zia Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj. Këtyre intelektualëve do t`u bashkohet ideologu dhe patrioti i shquar i familjes së njohur Frashëri, Abdyl bej Frashëri.

    Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pati karakter gjithëkombëtar, kurse Prizreni nuk u zgjodh rastësisht kryeqytet dhe seli, në të cilin u mbajt Kuvendi mbarëkombëtar shqiptar më 10 qershor 1878.

    Delegatët që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kishin për çështjen kryesore të ditës një unitet të plotë mendimi; të gjithë qenë të vendosur për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë.

    Mendim të njëjtë shprehën delegatët që u takonin qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte Kuvendi. Ata kërkuan me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar.

    Në ditën e parë të punimeve në Kuvend folën delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që u mbajtën në këtë ditë ruhet vetëm një fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë, i vilajetit të Janinës.

    Duke mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ftoi të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit. Abdyli ndër të tjera tha: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.

    Delegatëve të grupimit atdhetar, iu desh të përballeshin në Kuvend si me qëndrimet e dëmshme të qarqeve pro Turqisë ashtu autoriteteve qeveritare osmane, të përfaqësuara nga mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu, që ishte i pranishëm në këtë tubim. Ata u përpoqën të pengonin bashkimin e shqiptarëve në një lidhje kombëtare.

    Megjithatë, Kuvendi i Prizrenit e përmbushi misionin e tij historik kombëtar. Akti më i rëndësishëm i tij ishte vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje. me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit.

    Po atë ditë Kuvendi Kombëtar miratoi tekstin e një proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës ngrihej zëri kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve fqinje. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfaqësuar në Kuvendin e Prizrenit.

    Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e tij iu dha goditja e parë dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për ta veshur Lidhjen me karakter islamik dhe u hodhën themelet e një organizate kombëtare shqiptare, e cila, qysh në ditën e parë të saj, pati një karakter atdhetar.

    Menjëherë pas themelimit të Lidhjes u formuan organet e saj të larta. Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore, ndërsa kryetar u zgjodh Iljaz pashë Dibra.

  • Zgjedhjet Evropiane, në Gjermani Afd e dyta, kalon SPD-në e Scholz-it. Bum i ekstremit të djathtë në Austri

    Zgjedhjet Evropiane, në Gjermani Afd e dyta, kalon SPD-në e Scholz-it. Bum i ekstremit të djathtë në Austri

    Në Gjermani, Partia Popullore CDU/CSU janë me 30%, AfD kalon socialistët me 16%. FPÖ austriake, konservatore dhe nacionaliste, do të ketë arritur në 27% të votave

    Teksa pritet të mbyllet kjo e dielë e votës evropiane, kanë filluar të dalin edhe rezultatet e para, para së gjithash rritja e PPE. Interesante është ajo çfarë po ndodh në Gjermani dhe në Austri.

    Në Gjermani, CDU/CSU ka marrë 29,50% të votave, por rezultati më i rëndësishëm duket se është ai i AfD-së, me 16,50%, duke e vendosur për herë të parë në vendin e dytë në rang kombëtar, mes partive me konsensusin më të madh; e ndjekur nga SPD me 14%, Bündnis 90/Die Grünen me 12%, FDP liberale me 5%. Janë këto shifra që dalin nga një vlerësimi i parë për Gjermaninë i publikuar për zgjedhjet në Parlamenti Evropian. Partia e majtë radikale BSW 5,50%, Die Linke 2,80%. “Jemi edhe një herë forca më e fortë në Gjermani”, “populli i ka ndëshkuar ekstremistët e djathtë dhe të majtë”, ka deklaruar presidentja e Komisionit Europian dhe spitzenkandidat e PPE-së, Ursula von der Leyen, duke komentuar exit poll-et e para nga Gjermania për zgjedhjet evropiane. “Duhet të presim për rezultatet e zgjedhjeve të të gjitha vendeve anëtare. Kam besim se EPP do të bëjë mirë edhe atje”, ka shtuar ajo.

    Ndërkaq, sipas exit polleve të para, në Austri do të ishte përpara me 27% të votave Partia e Lirisë Austriake (Fpö), e djathtë, nacionaliste dhe konservatore. Pasuar nga Partia Popullore Austriake (ÖVP) konservatore me 23.5% dhe Partia Social Demokratike e Austrisë (SPö) me 23%. Sekretari i përgjithshëm i FPÖ, Christian Hafenecker, ka shprehur “entuziazmin” dhe “mirënjohjen për besimin” pas parashikimeve të para. Dita e sotme tregoi se qytetarët austriakë dëshironin “ndryshim politik”, shtoi ai.

  • Nga Nga Luçiano BOÇI – Beni pendohet vetë

    Arben Ahmetaj me shfaqet e tij të herëpashershme në ekrane mban pezull shumë frymë.

    Disa i kap frika dhe disa entuziazmohen nga të vërtetat e tij.

    Shumica kërkojnë që ai të bëhet “pentito-ja” klasik që shkatërron përfundimisht Mafian në pushtet ose më mirë të themi Narkoshtetin. Një lloj Tommaso Buscetta i cili me “hakmarrjen” zbërtheu strukturën e organizatës e tij e dërgoi në qeli një varg drejtuesish të Cosa Nostrës, si dhe zbardhi shumë ngjarje kriminale e personazhe të errët përfshirë vrasjen e Falcone-s e Borselilno-s.

    Personazh karizmitik i dekadës së fundit, Ahmetaj ishte një “mjeshtër” i financave dhe i protagonizmave politikë.

    Socialist “par exellence”, ai ka meritë të padiskutueshme në mbajtjen e pushtetit nga PS me të gjitha format e mundshme.

    Sepse Beni ishte qendra e shumë lojrave. I kudondodhur, sidomos afër Ramës, gjatë këtyre viteve ai ka qenë  mbajtës i debateve politike të ditës dhe njëherazi i besuari i arkës së shtetit personal të Edi Ramës, por dhe negociatori i shkathët i shumë lidhjeve dhe fijeve midis pushtetit dhe botës së errët.

    Beni i dikurshëm i Ramës di kaq shumë për Ramën sa Rama ndjehet “i qetë” që ai ka nxjerrë në shesh kaq pak.

    10 vitet e marrëdhënies së tyre kanë qenë intensive dhe të imta, derisa midis tyre hyri SPAK.

    Dhe Rama me nuhatjen e tij instiktive e kuptoi mirë se kurbani që i vendoste kapak pusetës së korrupsionit të tij, ishte bashkëpunëtori i ngushtë.

    Rama ishte i sigurtë se Beni do ishte i gatshëm të bënte ca ditë burg për partinë e atë vetë.

    Por kjo nuk përputhej me natyrën libertine të Ahmetajt, i cili nuk ngurroi të nxjerri thonjtë.

    Pasi nuhati kurthin e  artë të Ramës, Ahmetaj u arratis.

    Ky ishte momenti i parë i pendesës së tij.

    Mbrojtës kampion i Reformës në drejtësi, Beni ishte bërë pishman për panegjerizmin e thurur dhe besimin tek drejtësia.

    Ai nuk besoi më tek ajo që kishte bërë e thënë, sepse më shumë se kushdo ai dinte dorën e zgjatur të Ramës tek SPAK.

    Ky lloj pendimi i tij ka transmetuar mesazhe të forta për këtë lloj drejtësie. Arratia u duk se do pajtonte gjakrat, por Rama avancoi në goditje duke e prekur Ahmetajt tek pika e dobët, familja.

    Veprimi i Ramës ishte tipik mafioz. Shantazho familjen që ta mbash viktimën në kontroll. Buschettës, Toto Riina i vrau dy djemtë.

    Dhe normal kjo zemëroi Ahmetjan i cili realizoi dhe pendesën e dytë me dëshirën e tij: intervistën me Çim Pekën si vazhdim i asaj të Opinion, ku ai qartazi, ndonëse me gjuhë të rrumbullakosur e vuri fajin e aferës së inceneratorëve tek Veliaj e Rama.

    Sinjalet e Ahmetajt, Rama i dekodoi keq e me shumë panik dhe tmerr “e trashi” gjuhën, mendimin dhe veprimjn ndaj tij.

    Pas kësaj erdhi dhe pendimi i tretë i Ahmetajt.

    Me gazetarët e RAI3 në një bisedë të lirë ai dha fakte tronditëse për Narkoshtetin dhe Ramën.

    Rama qeras botën e krimit ndërkombëtar me favore, koordinon bandat, i përdor për vota, korrupton faktorin ndërkombëtar.

    Tërbimi e destabiliteti mental i Ramës kaloi në zenith dhe shpërtheu në një lumë sharjesh e mallkimesh pa fund.

    Pas kësaj të gjithë që e dinë raportin e dikurshëm të tyre, presin me padurim se çfarë do nxjerrë tjetër Ahmetaj që mund të jetë vdekjeprurëse për Ramën.

    Po SPAK çfarë bën në të gjithë këtë histori?

    A e konsideron dhe a e dëshiron Ahmetajn, megjithëse në arrati, si një pentito?!

    SPAK nuk ka reaguar në asnjë rast të deklaratave të Ahmetjat dhe nuk ka bërë asnjë tentativë negocimi me të.

    Thënë troç SPAK nuk do që Ahmetaj të dëshmojë, ose të pendohet, apo konsiderohet si i tillë.

    SPAK nuk dëshiron të dëgjojë asgjë nga ato që i thotë Ahmetaj, përndryshe do kishte vepruar sipas asaj që duhet. Një gjë e tillë i rrezikon SPAK-ut “shefin e madh”.

    Ahmetaj e di këtë dhe me stilin e tij po gërric pak pak pak SPAK-un dhe Ramën.

    Mendja e hollë e tij e njeh mirë ankthin që i shkakton Ramës dhe po luan me të si macja me miun.

    Ndonëse me SPAK në krah Rama s’ka më qetësi.

    Një i penduar në kontrollin e SPAK për Ramën do ishte më pak i dëmshëm.

    Një “i penduar” i lirë nga SPAK, si ç’është Ahmetaj është rrezik permanent.

    Prandaj ai nuk ka nevojë për SPAK.

    Beni pendohet vetë (kur do).

    Ai ka kaq shumë gjëra për të thënë sa Rama vetëm sa e mendon dhe shfazohet.

    Perdet sapo janë hapur….