Blog

  • Nga Armand MAHO – Motola zbyth Ramën… duhet ta bëjë dhe SPAK!

    Pas asaj që u transmetua në TV italian Rai 3 mbi lidhjet e kryeministrit me botën e errët të narkotrafikut dhe pastrimit të parave, SPAK duhet të kishte së paku një reagim.

    Pavarësisht spërdredhjeve të Ramës përpara gazetarit italin, diccka doli qartë. Në krye të vendit ne nuk kemi një kryeministër, ne nuk kemi një qeveri administrimi taksash, por një bandë që vepron nën dirigjimin e krimit, qoftë ky i  organizuar ose individual. Deklarata e ish-zëvendëskryeministrit se Rama në sallën e mbledhjeve të qeverisë priste e përcillte bandat, ishte tronditëse. Natyrisht Ahmetaj këtë e tha në mirëbesim , por kjo pak rëndësi ka. Ajo çka rëndësi është fakti se kjo është një e dhënë e cila flet shumë për mënyrën se si drejtohet ky vend.

    E thënë me thjeshtë, doli në dritën e diellit ajo që Rama i trembet jo pak. Fakti se shqiptarët që në atë sallë qeverie dhe atë zyrë prej më shumë se 11 vjetësh, paguajnë jo që aty të merren vendime për të ardhmen e tyre, për mirëmenaxhimin e ekonomisë dhe rendit, por si e si t’u shtrohet tapeti i kuq bandave për të pastruar paratë e tyre të narkotrafikut me PPP apo leje ndërtimi për kulla. Pra, s’kemi të bëjmë me administrim,  por me një pushtim i institucioneve të këtij vendi.

    Shqiptarët jo se nuk i dinin këto zullume, shumicën e tyre e kanë dëgjuar shumë herë qoftë nga denoncimet e opozitës, por qoftë dhe nga ajo pjesë e medies, e cila akoma nuk ia ka shitur shpirtin shejtanit. E veçanta në këtë histori është se gazetari Motola, i ra daulleve të sensibilizimit për veshin shurdh të ndërkombëtarëve që siç u pa, mbështetjen e tyre për Ramën nuk e bënin badihava, por në këmbim të aseteve publike apo dhe parave të hedhura pa fund nga buxheti i të gjithëve ne.

    Tjetër e re që u shfaq nga dokumentari ishte dhe shpërfytyrimi që iu bë Ramës, nga ai gazetar të cilin ai së bashku me Agaçin e tij e shpërfillën pak kohë më parë. Natyrisht si përherë Rama, u mundua t’i shkelte syrin, dhe pse jo në këmbim të heshtjes ishte i gatshëm ti ofronte diçka nga thesi i taksave tona. Por, me sa duket këtë herë ky marifet nuk i shkrepi. Përpara nuk kishte gazetarët që i bredh me çcarter apo që përloten për takimet e tij me emigrantët.

    Marifetçiu, i cili bleu shefin FBI, D’Alemën, Tonny Blair, Sgarbin, apo dhe Melonin po të doni, u zbyth keq para gazetarit, i cili ia kishte prerë që më parë mandatën. Kishte intervistuar Ahmetajn në Zvicër, rrëmuar tek D’Alema, apo nxjerrë në dritë lidhjet e investitorit strategjik Gaçi me ministrin e Melonit. Nuk diti t’i përgjigjet pyetjes se çfarë bën pastruesi i parave të Sinaloas në zyrën e tij, dhe përse nuk i bllokohen licencat e kazinosë apo PPP-ve që ai i ka dhënë. A ishte apo jo ideja e tij për kanabizimin siç tha Ahmetaj, apo se nga kanë ardhur 3.7 miliardë euro për kullat që shiten nga 4 mijë deri në 6 mijë euro metri. Ramën këtë herë se ndihmuan as shprehjet popullore që mundohej tia shpjegonte gazetarit italian, dhe as gjyshja e tij që dhe në botën e përtejme e ka nxjerrë jo pak herë nga situata. E çoi deri në atë pikë, sa për të dalë nga situata, justifikoi trafikantë të kërkuar ndërkombëtarisht

    Akoma më qesharakë u shfaqën mediet afër Ramës. Vetë kryeministri ishte kujdesur që intervistën e tij me Motolën ta shpërndante gati dy orë përpara, madje dhe me tituj qesharakë të tipit “Rama i përvishet gazetarit”, “Rama zë ngushtë Motolën”, pra Rama ky hero, ky spartan i diskurit politik dhe mediatik na paska “zbardhur faqen”, përparara atij “gazetarit dashakeq” që siç nënkuptojnë tekstet e medieve Ramiste paska ardhur këtu për të na “nxirë” këtë realitet të mrekullueshëm që jetojmë.

    Edi Rama nuk është vetëm turp për shqiptarët, por dhe një hall i madh i tyre. Kush të dojë le ta kuptojë.

    Kreu i SPAK jo pa nerv në komisionin e ligjeve do të deklaronte se ai “nuk varet nga askush”. Në rast se është kështu sot është dita t’a dëshmojë këtë. Siç e thashë dhe në krye të herës, ai duhet të kishte dërguar agjentët dhe prokurorët në atë vatër krimi që ndodhet në mes të Tiranë për të shpëtuar ç’të mundet. Fundja gazetari italian ka bërë punën e të gjithë prokurorëve që ka ai atje, ja ka dhënë krimin në tavë duhet që mjaft  të ballafaqohen faktet.

    Dhe sikur vartësit e tij të punojnë me 10% të zellit që harxhuan për të montuar akuzat fake ndaj Berishës, Dumani dhe të tijtë jo vetëm do çonin para drejtësisë të paktën gjysmën e kësaj qeverie, por do bënte shumë më shumë se kaq. Do i jepnin fund këtij tranzicioni të gjatë e të mundimshëm, i cili dhe pak barazohet me vitet që shqiptarët kaluan nën diktaturë.

  • Nga Enver BYTYÇI – Një fjalim i Edi Ramës, në opozitë pas emisionit të RAI 3, për qeverinë e Sali Berishës dhe vëllait të tij, Olsit!

    Pas një reportazhi, çfarë pamë dhe dëgjuam mbrëmë te REI 3 i Italisë, nëse ato fakte i adresoheshin kryeministrit të supozuar, Sali Berisha, kryetari i opozitës po ashtu i supozuar, Edi Rama, do të mbante këtë fjalim ose një të tillë akoma më radikal:

    – Më në fund shqiptarët panë me sy dhe dëgjuan me veshë ato që unë kam thënë vazhdimisht prej një dekade e më shumë për qeverinë ,mafioze të Sali Berishës. E kam thënë e shkruar përmes qytetarit dixhital, se qeveria Berisha është qeveri e mafies, është regjim, nuk ka të bëjë as më demokracinë e as më lirinë. Nuk ka pikë dyshimi tashmë se zyra e kryeministrit të vendit tonë nuk është më zyra e kujdesit për qytetarët shqiptarë, por është shndërruar në zyrë pazaresh me mafien vendore e ndërkombëtare, në një zyrë ku pasi është grabitur pasuria jonë kombëtare ajo i falet mafiozëve të Vlorës dhe atyre meksikanë. Ne do të zbulojmë se cila është pjesa e kësaj trorte që përfiton Berisha së bashku me familjen e tij dhe vëllain mafioz, Oslin!

    Ne pamë se si vëllai i Berishës, Olsi, akuzohet për lidhje ndërkombëtare të trafikut të drogës. Ai u akuzua jo vetëm nga RAI 3, por edhe nga gazeta më e mëdhe e Europës “BILD” për lidhje të forta me kartelin e drogës. Tashmë nuk ka asnjë dilemë se Olsi, pra vëllai i Sali Berishës, shetit me makinat luksoze të bosëve të mafies. Eshtë ky, vëllai i Sali Berishës, që ia çoi kryeministrit në zyrë bosin e Sinaloas dhe kjo është dëshmi e lidhjes së familjes së tij me kartelin ndërkombëtar të mafies. Jo vetëm kaq, por kryeministri ndan paratë e drogës e të trafiqeve duke dhënë liçensa për kazino dhe favore të tjera për mafien vendore shqiptare e ndërkombëtare!

    Njeriu deri dje më besnik i Berishës, bashkëpunëtori i tij në qeverisje dhe në korrupsion, Arben Ahmetaj, e akuzoi atë hapur për pritjen në zyrën e të parit të ekzekutivit shqiptar të bosëve ndërkombëtarë e shqiptarë të mafies. Po t’i shtojmë kësaj edhe pritjet që Sali berisha ka bërë për McGonigal dhe mafiozë të tjerë ndërkombëtarë, atëherë ne e kuptojmë se në çfarë humnerë ka rrëshqit Shqipëria. Zëvendësi i Berishës zbuloi edhe lidhjet dhe koordinatorin midis kryeministrit dhe mafies. Ai është djali i një ish-deputeti të Berishës, Agasi i Durrësit! Kjo zbulon se sa thellë janë rrënjët e këtij regjimi mafioz që është tashmë edhe një diktaturë mafioze! Ne do ta shkulim këtë diktaturë!

    Në intervistën e tij mbrëmë tek RAI 3 Berisha na tha se përfaqësuesi i Sinaloas ishte një kushëri i mafiozëve të Vlorës, i cili kishte para dhe donte të investonte në Shqipëri. Ky kamuflazh tregon se Sali Berisha është vetë anëtar dhe madje drejtues I kartelit të drogës në Shqipëri e me lidhje të shumta në vendet e tilla si ato të Amerikës Latine. Çfarë kushërninjsh paskan shqiptarët në Meksikë?! Kjo është pikërisht ajo që e bën regjimin Berisha edhe më të rrezikshëm për fatet e Shqipërisë. Ndërkaq, kur Berisha tha se është Hollanda qendra e trafikut europian të drogës, ai dëshmoi se është pjesë e këtij trafikimi edhe në portet holandeze, sidomos atë të Roterdamit.

    Vëllai i tij, Olsi, akuzohet nga BILD se bashkëpunon me grupet hollandeze përmes grupeve mafioze të Hanoverit! Pse vëllai i kryeministrit Berisha, Olsi pra, është tashmë një eksponent i njohur i mafies ndërkombëtare? Sepse ai ka mbështetjen dhe mbrojtjen e vëllait të tij, kryeministër! Ta shkulim këtë mafie bashkë me kryeministrin mafioz të Shqipërisë e të shqiptarëve!

    Ajo që mbrëmë dha RAI 3 për trafikun e lëndëve narkotike dhe akuzat e rënda të zëvëndësit të Sali Berishës, pra Arben Ahmetaj, për kryeministrin e Shqipërisë është një njollë turpi në historinë e Shqipërisë. Kurrë Shqipëria nuk ka qenë në këtë ditë tmerri si sot! Kurrë ajo nuk ka qenë më e turpëruar sesa sot! Prej kur Shqipëria doli nga Perandoria Osmane e krijoi shtetin e saj e deri më sot, ajo nuk ka parë një qeveri si kjo të lidhur me mafien nacionale e ndërkombëtare.

    Për qeverinë e Sali Berishës, tri kabinete të së cilës gjenden në qeli dhe janë dënuar ose po dënohen për korrupsion, pavarësisht presionit që ai i bën drejtësisë, Shqipëria nuk është prioritet. Madje ajo është tashmë e rrënuar dhe e shpopulluar! Imagjinojeni, tani kemi një Shqipëri që nuk di se çfarë të bëjë me regjistrimin e popullsisë. Prej gati një viti nuk nxjerrin dor shifrat e regjistrimit, sepse e kanë shpopulluar këtë vend prej shqiptarëve! Sipas të gjitha gjasave mafia e Sali Berishës po tenton të manipulojë shifrat e regjistrimit të popullsisë, sepse ndryshe ne do të kishim më pak banorë sesa Kosova!

    Në këto kushte Partia Socialiste dhe opozita shqiptare nuk do të rrijë duarkryq. Ne do të fillojmë protestat e fuqishme dhe mosbindjen civile në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Unë kam thirrur të shtunën e ardhshme Asamblenë e Partisë Socialiste dhe do të nisim aksionin politik “Ta çlirojmë Shqipërinë nga mafia kombëtare e ndërkombëtare, pra nga qeveria mafioze e Sali Berishës”! Askush të mos mendojë se fatet e Shqipërisë do t’i marrë e mbajë peng një kryemafioz, si Sali Berisha!

    Ne e dimë se Sali Berisha ka ndërtuar një bunker të errët e të madh në Surrel, njësoj siç kanë bërë Kim-i i Koresë dhe Putin-i i Rusisë. Por ne do t’ia shembim atë bunker. Ne do t’ia zbulojmë edhe miliardat që ai ka grumbulluar përmes lidhjeve të tij e të vëllait të tij, Olsit, me mafien ndërkombëtare! Do t’ia zbulojmë të gjitha pauritë miliardëshe që Berisha dhe Olsi kanë vënë! Investimet që kanë bërë, ortakëritë që kanë krijuar! Asgjë nuk do të mbetet në errësirë! Edhe nëse Sali Berisha aktivizon lidhjet e tij mafioze për të ushtruar dhunë e terror kundër opozitës, ai nuk do t’ia arrijë qëllimit të mbrohet nga zemërimi i popullit opozitar, sepse do t’i duhet të kalojë mbi trupat tanë. Ne jemi gati të japim jetën dhe Shqipërinë ta çlirojmë nga regjimi mafioz i Sali Berishës dhe vëllait të tij, Spinozës së shqiptarëve, Olsi Berisha!

    Një falenderim i sinqertë për zv.kryeministrin e Shqipërisë, bashkëpunëtorin e ngushtë të Sali Berishës, zotin Arben Ahmetaj, i cili ia hoqi maskën kësaj qeverie mafioze e kriminale! Pavarësisht se edhe ai ka përgjegjësitë e tij, me aktin e denoncimit të Berishës dhe faktet që solli, veçmas në adresë të koordinatorit të mafies e të kryeministrit, Agasi, meriton falenderimet tona të përzemërta!

    Ta çlirojmë Shqipërinë nga mafia e Sali Berishës dhe vëllait të tij, Olsit, nga kartelet e Meksikës, Kolumbisë, Hollandës, Ekuadorit etj dhe ta bëjmë Shqipërinë një kopësht me lule (kanabisi), siç është bërë Lazarati!

    Rroftë Shqipëria! Poshtë mafia e Sali Berishës dhe familjes së tij olsiane!

  • Nga Giorgio MOTTOLA – Arben Ahmetaj, ish zëvendëskryeministri i Tiranës: “I takon krerët e Mafias në zyrën e tij”

    Nga Giorgio MOTTOLA – Arben Ahmetaj, ish zëvendëskryeministri i Tiranës: “I takon krerët e Mafias në zyrën e tij”

    Për të Giorgia Meloni është e gatshme të vendosë dorën në zjarr. “Ndihmomëni t’i dërgoj solidaritet Edi Ramës për linçimin e pësuar vetëm sepse u përpoq të ndihmojë kombin tonë”, pati thënë në konferencën programatike të Fratelli D’Italia të prillit të kaluar pas episodit të “Report” mbi akordin për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë. Giorgia është e bindur se akuzat për bashkëpunim mes qeverisë Rama me mafian shqiptare janë propagandë e pastër.

    Por, dorën mbi zjarr, kryeministrja rrezikon të djegë. Në hetimin “Fushata në Shqipëri” që “Report” do ta transmetoje sonte, kemi mbledhur dëshminë e ish zëvendëskryeministrit shqiptar, Arben Ahmetaj, krahu i djathtë i Edi Ramës në tre qeveri. Një vit e gjysmë më parë ndaj tij ishte nxjerrë një urdhër-arresti për korrupsion në një hetim për inceneratorë që bëri të dridhej gjysma e qeverisë. Për të shmangur burgun, Ahmetaj u arratis në Zvicër dhe nga një një njeri i besuar i Ramës, është tani një nga më akuzuesit e tij më të ashpër. Ahmetaj ka rrefyer rolin thelbësor të mafies në ekonominë dhe politikën shqiptare: “Grupet kriminale marrin kontrata falë të tretëve që figurojnë vetëm si emër, riciklojnë paratë në Shqipëri në ndërtime. Ata koordinohen me Edi Ramën”.

    Sipas akuzave të ish-zëvendëskryeministrit të arratisur, Rama do të kishte marrëdhënie direkte me krerët e klaneve: “I takon krerët e Mafias në zyrën e tij, në ndërtesën e qeverisë, i kam parë”. Ahmetaj pretendon se marrëdhëniet ndërmjetësohen nga një sipërmarrës nga Durrësi, Ergys Agasi, biznesmen në sektorin e duhanit dhe djali i një ish deputeti të fuqishëm socialist. Në intervistën e gjatë për Report, Rama i hedh poshtë denoncimet duke e cilësuar si të pabesueshëm ish krahun e tij të djathtë: “Njerëz që nuk duhen marrë seriozisht. Politika shqiptare nuk është e ndotur nga mafia”. Por, pak më parë, pikërisht në zyrën e Ramës u zhvillua një mbledhje, nga e cila Report është në gjendje të tregojë provat fotografike, në të cilën mori pjesë Luftar Hysa, i konsideruar nga autoritetet kanadeze si një nga ricikluesit kryesorë të kartelit të Sinaloa. Dy muaj pas takimit me kryeministrin shqiptar, biznesmeni mori licencën për të hapur një kazino në një hotel luksoz në Vlorë. “E kam parë një herë dhe kurrë më”, është mbrojtja e Ramës. Por Shqipëria  nuk është tokë e lakmuar vetëm për klanet mafioze shqiptare. Vitet e fundit shumë sipërmarrës italianë kërkojnë fatin përtej Adriatikut. Mes tyre edhe Massimo D’Alema. Report ka zbuluar se vitin e kaluar ish kryeministri hapi një firmë lobimi A&I, në Tiranë, ku deri pak muaj më parë kompanitë e reja nuk paguanin asnjë taksë. “Në Shqipëri merret me kriptovaluta”, thotë Ahmetaj. I pyetur nga Report, D’Alema e mohon. Sidoqoftë, në Tiranë, më 2019 hapi siparin Consulcesi Tech, kompania që ka inauguruar në Maltë një fond të specializuar për investime në kriptovaluta. “Consulcesi” i referohet Massimo Tortorella-s, ish-partnerit të D’Alemës në kompaninë e tij të verërave. Më 2019, D’Alema dhe Rama pagëzuan së bashku fillimin e aktiviteteve në Tiranë të Consulcesi Tech, duke marrë pjesë në një konferencë.

    Marrë nga Il Fatto Quotidiano/ Giorgio MOTTOLA, i dërguar i “Report”, Rai 3

    Përktheu për gazetatjetër.net Dardan MITROVICA

  • Shqipëria e Narcos dhe aferave të Urso Jr., me miqtë e Ramës

    Shqipëria e Narcos dhe aferave të Urso Jr., me miqtë e Ramës

    Sonte, ‘Report’ rikthehet në Shqipëri, pak ditë nga reklama e Giorgia Melonit për qendrat e grumbullimit të emigrantëve. Do të jetë një spot publicitar i reduktuar ai i 5 qershorit. Qendrat e grumbullimit në ish-koloninë, që qeveria (italiane sh.p.) premtoi se do t’i hapte më 20 maj, siç e dimë, nuk janë ende. ‘Punimet do të përfundojnë në nëntor’, ka deklaruar roja i kantierit për gazetarin Giorgio Mottola të ‘Report’. Por, Edi Rama, kryeministri shqiptar që ka bërë akordin me kryeministren italiane ka e cilësuar si ‘të neveritshëm’ pjesën e parë të emisionit të Sigfrido Ranucci-t: në një intervistë agresive, si në një luftë trup më trup, Rama hedh poshtë me përbuzje akuzën se po drejton një shtet të ndotur nga paratë e narkotrafikut. Ndërsa Meloni, nuk ka pranuar të flasë me ‘Report’.  Ose Telemeloni ose asgjë. Ndërkohë, sërisht dje, Dje ajo i dërgonte ‘një përqafim’ Ramës dhe rikujtonte se 14 vende të tjera të Bashkimit Europian janë gati të ndjekin Italinë në metodën e zhvendosjes së emigrantëve.

    Por, Shqipëria flet vetë. Në Tiranën e rrokaqiejve, ku Rama ka qenë kryetar bashkie përpara se të bëhej kryeministër, për çdo tre kulla një është nën hetim për korrupsion apo lidhje të dyshuara me narkotrafikun. 60% e 3.7 miliardë eurove të investimeve në pasuri të patundshme më 2023, shpjegon ‘Report’ me ndihmën e Ola Xama, që është një gazetare ekonomie shqiptare, nuk vjen nga sistemi bankar dhe kësisoj e pagjurmueshme. Përsa i përket qendrave italiane të pritjes së emigrantëve, kostot kanë shkuar nga 39 në mbi 65 milionë: një shumë marramendëse për 3000 persona. Tenderat për parafabrikatet në Gjadër i ka fituar Ri Group Spa, kompani leçeze që i referohet Salvatore Tafuro, i gjykuar më 2018 dhe më pas i ndaluar më 2019 për manipulim të tenderave dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë të forcave ajrore ushtarake lidhur me qendrën e identifikimit në Foggia. Tenderi për mirëmbajtje, me një ulje prej 4.9% që e çon në 134 milionë euro për 4 vite, i shkoi Medihospes. Është një gjigant i sektorit, i lidhur me La Cascina, kooperativa historike e Comunione e Liberazione që ka lulëzuar prej dekadash derisa drejtuesit e saj pranuar fajin për korrupsion në hetimin i njohur si Mafia Capitale, edhe pse në fakt nuk ishte mafia. Medihospes është menaxhuesja kryesore e qendrave të emigrantëve në Romë, menaxhon edhe të tjera dhe kushtet çnjerëzore në të cilat jetonin të huajt edhe në qendrën e Foggia-s, u dokumentuan nga Fabrizio Gatti në ‘L’Espresso’.

    TË TJERË ITALIANË, rrëfen ‘Report’, bëjnë biznes në Shqipëri. Një fije e kuqe lidh Pietro Urso, kreun e një kompanie lobbyng society – Italian World Service – nga e cila i ati Alolfo u shkëput përpara se të merrte rolin e ministrit të Made in Italy, me ish politikanin e fuqishëm shqiptar Artan Gaçi dhe me vetë Ramën. Për këtë flet Francesco Becchetti, sipërmarrësi kontrovers roman që hapi kanalin Agon TV në Tiranë, u dënua me 17 vjet në Shqipëri por që tani pretendon 135 milionë euro (të fituara me gjys sh.p.) nga qeveria shqiptare në bazë të një vendimi të arbitrazhit ndërkombëtar.

    Në Dhomën e Tregtisë shqiptare Urso jr. rezulton pronar i Asigest Broker Albania, emër i ngjashëm me italianen Asigest Broker spa që vepron në sektorin e sigurimeve në kompetencat e Ministrisë Made in Italy, dikur e Zhvillimit ekonomik dhe e drejtuar pikërisht nga Urso babai. Në Asigest-in shqiptar është edhe një tjetër kompani nga Tirana, Generate, në pronësi të një farë Andi Canaj, ortak edhe i italianëve të tjerë në të dy brigjet e Adriatikut. E ka njohur Pietro Urso-n, ka shpjeguar për ‘Report’, ‘nëpërmjet miqve… të përbashkët’. Teksa Urso Jr. Thotë se nuk e njeh ortakun. Mister! Canaj është i lidhur me Gacin: është ‘vartës i tij’ ka konfirmuar për ‘Report’. Faktikisht ai përdor një adresë emaili të Atcc, kompania e Gacit.

    Vetë Gaçi nuk është ndonjë i çfarëdoshëm. Socialist, i afërt me kryeministrin, më parë deputet dhe ish kryetar i komisionit parlamentar të miqësisë italo-shqiptare dhe bashkëshort i ish-ministres së Jashtme të Ramës, Olta Xhaçka. Gaçi po ndërtonte një resort luksoz me vlerë mbi 5 milionë euro pak metra nga deti, në jug të Vlorës, por operacioni ka përfunduar në qendër të një hetimi për korrupsion dhe kantieri është sekuestruar nga drejtësia shqiptare. Plazhi përballë ishte dhënë për përdorim ekskluziv nga qeveria, në të cilën bënte pjesë edhe bashkëshortja e Gaçi-t,në kompaninë Agtcc HotelManager, të një njeriu të lidhur me ish politikanin. Që e ka selinë në të njëjtën adresë si Generate, pra kompania e Canaj e cila nga ana e saj është partnere e Pietro Urso.

    Nga Alessandro Mantovani / Il Fatto Quotidiano

    Përktheu Dardan MITROVICA

  • Nga Andi BUSHATI – Opozita duhet të çlirohet nga kompleksi i bojkotit

    Duke hedhur ku të mundet gurë mbi veten, për aktet radikale që ndërmori gjatë vitit 2019, opozita ende drithërohet kur përmenden fjalët bojkot, tërheqje, mospjesmarrje. Vuajtja prej kësaj sindrome po shfaqet edhe tani kur i duhet të diskutojë ftesën e Edi Ramës, për të marrë pjesë në komisionin absurd, “anti korrupsion”. Ka në gjirin e saj deputetë dhe figura nga ato që politikën e dinë si artin e të qenit i pëlqyer nga ambasadat, të cilët predikojnë se është më mirë të jenë prezent, të thonë fjalën e tyre dhe ti vërsulen si demi cohës së kuqe që u tund para brirëve kryemninistri.

    Por, kush e ndjen vetën kundërshtar të vërtetë të këtij regjimi, nuk ka pse i dëgjon këmbanat e këtyre idiotëve të dobishëm të pushtetit. Ka më shumë se një arsye se përse PD dhe aleatët e saj duhet ti thonë “JO” farsës së Ramës që u kujtua pas 11 vitesh, se korrupsioni u dashka luftuar.

    Së pari, kundërshtarëve të qeverisë nuk i intereson legjitimimi i këtij komisioni që e fillon punën në prag të zgjedhjeve dhe i mbivendoset komisioneve të tjera parlamentare apo institucioneve të pavaruara. Duke e pranuar atë opozitarët, në fakt, i hapin dritën jeshile panimit të produkteve për të cilat kërkohet ngritja e tij. Nëse ata pretendojnë se qëllimi është prekja e reformës në drejtësi dhe kontrollimi i mëtejshëm i SPAK, ata nuk kanë pse bëhen, qoftë edhe përmes kundërshtimesh, pis me këto qëllime të mbrapshta.

    Së dyti edhe nga ana formale, ky komision po ngrihet si një kostum i prerë me porosi për Edi Ramën. Ai e paralajmëroi atë me një fjalim të gjatë, denjoi vetë të shkelë në parlament për të mbështetur rezolutën dhe as nuk u konsultua apo dialogoi me opozitën. Edhe një ditë më parë ngritjes së komisionin, deputetët e saj nuk dinin as qëllimin dhe as objektin e tij, që edhe tani pas votimit me 74 vota mbetet ende flu. Pra përfaqësuesit e votuar të mbi 600 mijë kundërshtarëve të rilindjes janë të dënuar të mos e shndërrojnë ekzistencën e tyre në një fasadë të pushtetit. Ata nuk e kanë mandat për të lujatur rolin e kukullave të autokratit.

    Së treti dhe nga pikpamja politike opozitës nuk i leverdis të bëhet në prag të zgjedhjeve pjesë e bashkëfajësisë. Nëse qëllimi i shpallur i komisionit “anti korrupsion” është të riparojë efektet e një sistemi grabitës 10 vjeçar, opozita nuk ka pse merr përgjegjësi për të. Detyra e saj është të denoncojë abuzimet e kundështarit dhe jo ta ndihmojë atë të korrigjohet. Ftesa: “ne vjedhim e ju hajde na pastroni”, është absurde edhe të shqiptohet e jo më të pranohet.

    Por, përpos tre arsyeve të mësipërme ka edhe një tjetër shumë më themelore dhe më të rëndësishme. Ajo ka mbi të gjitha lidhje me numrat. Ata që predikojnë pjesmarrjen e opozitës në këtë komision parlamentar e argumentojnë qëndrimin e tyre me faktin se Edi Rama do të prekë reformën në drejtësi, do të heqë nene të kodit penal që frikësojnë zyratrët e tij, do të rrisë trysninë ndaj SPAK. Prandaj- thonë ata- ne duhet të jemi prezentë për të rrezistuar dhe denoncuar. Por, ata harrojnë një gjë. Forca për të penguar kryeministrin në këto qëllime hipotetike djallëzore, nuk varet nga prezenca në komision, por nga aftësia për të shtrënguar radhët për të mos i lejuar atij të votojë në parlament ligje apo ndryshime kushtetuese që kërkojnë shumica të cilësuara. Pra çfarëdo që të vendosë komision parlamentar ku rilindja ka shumicën dhe prodhon propozimet që do, nëse opozita ruan më tepër 1/3 apo 2/5 e deputetëve (sipas llojit të ndryshimit që propozohet) ajo e kthen në nul çdo nismë të shumicës. Në të kundërtën, nëse ajo nuk arrin të garantojë kompaktësinë e deputetëve të saj, pjesmarrja në komision është e kotë pasi Rama do votojë, në fund, çfarë të dojë.

    Pra, prezenca në komisionin e “anti korrupsionit” është një sifilatë e panevojshme. Opozita është e dënuar ta bojkotojë atë. Madje pa pasur pikë kompleksi nga kjo fjalë. Pa dëgjuar për më tepër ata që i bien fyellit të ambasadorëve, se PD është dëmtuar më shumë se gjithçka nga bojkoti.

    Të gjithë atyre që mbrojnë këtë tezë u duhet bërë një pyetje. Po mirë, po nga rruga konsensuale dhe nga marrëveshjet me Ramën, a ka fituar gjë PD-ja? A doli ajo me kokën lart, kur braktisi çadrën për të dëgjuar këshillat e emisarit amerikan Brian Hoyt Yee? A mori garanci kur u fut në qeveri me Ramën pas marëveshjes së majit 2017, gjoja për të garantuar zgjedhjet që ishin mbyllur që pa nisur?

    Po katë vjet më pas ç’e mirë i ndodhi, kur vendosi të lërë bojkotin për të hyrë në “tryezën politike”. Nga se e mbrojti marrveshja me garant SHBA dhe BE e 5 qershorit. A nuk i përmbysi Rama të gjitha, pa pyetur për arbitrat dhe duke bërë prapë atë që deshi?

    Pra, jo vetëm rruga radikale, por as ajo e të moderuarve që predikojnë kompromis, nuk japin garanci përballë rregjimeve anti demokratike që kanë në dorë dhe gurin dhe arrën. Në të tilla kushte të vështira opozitës i mbetet vetëm një gjë në dorë: të ruajaë parimin dhe të respektojë mandatin që i ka deleguar ajo pjesë e shqiptarëve që janë kundërshtarë të Edi Ramës. Ata janë kundër lojrave të të shërbyerit si fasadë, apo pjesmarrjes në farsat që organizon ai. Për çdo opozitar, frika se mund të tradhëtojë këtë thirrje duhet të jetë shumë më e madhe sesa kompleksi nga bojkoti.

  • Nga Alfred LELA – Policë, gazetarë dhe agjentë qeveritarë

    Nga Alfred LELA – Policë, gazetarë dhe agjentë qeveritarë

    Përfshirja e një gazetari dhe disa punonjësve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore-AMP në një skemë te dyshuar shantazhi nuk duhet trajtuar, siç ka përpjekje, si një problem i gazetarëve dhe medias.

    Një lexim i tillë dhe mbështetja aty e debatit do të ishte një shmangie e qëllimtë e asaj që është thelbi i problemit. Këtë gjë duket se e ka kapur Shoqata e Gazetarëve Profesionistë (APJ) që në një deklaratë kërkonte hetimin e ngjarjes dhe kujdes me përqendrimin e shigjetave të sulmit kundër gazetarit.

    Për ata që nuk janë familjarë me lajmin mund të klikojnë këtu.

    Për të mbështetur këtë linjë të qëndrimit duhet pak kontekst i cili lidhet me zbardhjen e bisedave të krerëve dhe ushtarëve të krimit të organizuar në vend, mundësuar nga autoritet franceze dhe paketuar më pas në një dosje të SPAK.

    Gjurma e ‘këpucës’ së Policisë dhe gjithë reparteve të saj në marrëdhëniet ‘intime’ me krimin e organizuar është kaq flagrante sa, e përsëris, kriminelët duken simpatikë.

    Pjesë e kësaj babëzie, këtij përdorimi, shitjeje të uniformës dhe imazhit të policisë shqiptare, është edhe episodi i fundit i punonjësve të AMP. Në thelb është një sipërmarrje ilegale që rrjedh nga konteksti i përgjithshëm që siguron superstruktura e shtetit që vjen nga pushteti.

    E cila në thelb përqendrohet te një kulturë abuzimi që zbret nga lart poshtë. Kështu punonjësit e AMP, në këtë rast agjentët sekretë të shtetit që hetojnë policinë duke parë batërdinë e eprorëve të tyre në Polici dhe licencën politike për veprimet e tyre, zgjedhin një qasje sa origjinale aq edhe ilegale. Pak a shumë, nëse këta shkërdhata (eprorët tanë) korruptohen, vjedhin dhe pasurohen po ne pse duhet të ruajmë kodin etik dhe ligjor?

    Është njëfarë robinhudizmi i kthyer mbrapsht. Pra, unë jam marr keqbërësit edhe pse kjo më bën keqbërës.

    Në një rrafsh sociologjik agjentët e AMP po fusin lugën në detin e bërë kos të kaosit amoral. E përkthyer në një devizë të parapëlqyer liberale ‘everything goes’.

    Por duhet mbajtur mend ajo që është kryesore: këto janë simptoma që vijnë nga trupi i sëmurë i trupit politik lejuar me licencë dhe botëkuptim të qeverisë Rama.

    Në këtë kuptim të shënjestruarit e gazetarit të përfshirë në episodin e AMP është me gjithë mend heqje e thelbit. Më shumë se kaq të debatuarit për sëmundjen e gazetarisë kur media është vetëm simptoma e jashtme e gjithë batërdisë që ka përfshirë shtetin, është dashakeqësi apo ndihmë në ruajtjen e kësaj status quo-je.

    Kjo do t’i shërbente pushtetit për të licencuar një gjueti të radhës shtrigash me justifikimin e purifikimit të arealit mediatik. Gjë që do të mbulonte problemin dhe sëmundjen e sistemit, por më keq se kaq do të anashkalonte edhe simptomën më të rëndë të murtajës qeveritare: kapjen dhe instrumentalizimin e asaj që quhet media ‘mainstream’.

    Pra, zëvendësimin e debatit me pseudo-debat.

    Një qeveri që ka mbyllur me favore apo forcë gojën e çdo Televizioni kryesor apo dytësor nuk ka gojë të flasë për mediat e reja, të vogla, qofshin portale, blogje apo faqe ne rrjete sociale.

    Kjo do përbënte edhe një përpjekje të radhës për të sunduar mbi bedenat e fundit të komunikimit të lirë publik.

    Ata që mbështesin këtë qasje nuk janë gjë tjetër veçse ‘mainstream agents’ të qeverisë.

    Nuk u intereson liria, ngase robëria paguan më mirë.

  • Nga Enver BYTYÇI – Patriotizmi fals i Edi Ramës! Gjermanët thonë: ‘Një herë tradhtar, gjithmonë tradhtar’!

    Eshtë një rast interesant studimor kjo që ndodh me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ai ndryshon si era. Sapo ka udhëheq një veprimtari anti-shqiptare, ndërron taktikë dhe para mijëra shqiptarëve përulet para flamurit, bën lëvizje humanizmi me puthje për brohoruesit e adhuruesit e tij. Njësoj siç bëjnë p.sh Noizi, Albani e të tjerë këngëtarë e këngëtare që i merr me vete në skenat greke, italiane e kudo tjetër. Ia thotë mendja se bëmat harrohen para shfaqjes për imazh në përpjekje për ta fshehur “tradhtinë”! Do të më duhet që fjalën “tradhti” ta vendos në thonjëza, derisa të hapen arkivat serbe, shqiptare, greke, turke e sidomos para se të dalin raportet e shërbimeve sekrete perendimore për takimet dhe bisedat e Edi Ramës me Aleksandër Vuçiç, Sergei Lavrov, Dritan Abazoviç, Zoran Zaev, Aleksandër Soros, Rexhep Tayp Erdogan, McGonigal e shumë të tjerë si këta. Në mos brezi im, ata që vijnë pas nesh do ta kenë rastin të mësojnë të vërtetat që sot fshihen në skuta.

    Në jetën njerëzore raste të tilla shpjegohen me sindroma të caktuara, kryesisht nga ato që ka ka trajtuar Frojdi dhe Jungu në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Kapërcimi nga një gjendje ekstreme në gjendjen tjetër ekstreme është karakteristikë e njerëzve të pa qëndrueshëm, të cilëve “nuk u duhet e as duan t’ia dinë se çfarë thonë e çfarë bëjnë vetë”! Por në politikë ndodhin jo pak eksperimente si ky që bëhet me kryeministrin tonë e me vetë Shqipërinë. Eshtë një sjellje kryekëput në raport me egon e Edi Ramës dhe jo me vetë personin e tij. Egoja e Edi Ramës është ajo që përdoret nga tutorët e këtij eksperimenti alla shqiptar, ku bëjnë fuzion shteti, mafia, krimi i organizuar, pra të gjithë të korruptuarit vendas e ndërkombëtar. Shiheni në veprimet e tij! Kur ia do interesi nxjerr gishtin e mesit! Kur beson se të ka nën këmbë dhe është në mbrojtjen e bodigardëve, bën imitime fyese. Kur ia hedh shishen e bojës në surrat, bën viktimën! Kur dëshiron t’i mashtrojë njerëzit, organizon tallava ose i puth në ballë! Vetëm fëmijët nuk i gënjen dot. Ata i tremb me energjinë e tij negative! 

    Me që ra fjala po marrim shembull një fëmijë, të cilit dikush më i madh në moshë ia marr lodrën që ka pranë. Ska rëndësi se çfarë lodre është ajo, dru, pastikë, gur, teneqe, fëmija do të reagojë fort, do të bërtasë, do të qajë dhe me ngulm do të kërkojë t’ia kthejnë lodrën e grabitur. Ndodh kjo, sepse fëmija e konsideron lodrën si pronën e tij. “Eshtë imja, thotë”! Në rolin e një fëmije të tillë duket se është vënë dhe kryeministri i Shqipërisë. “Unë jam i plotfuqishëm, thotë ai. Kam mbështetjen e të gjithë mafies ndërkombëtare. Pse të lejoj e të ndaj pasurinë e Shqipërisë me njerëz që nuk më shërbejnë mua?!” Dhe ja ku lindin “investitorët stregjikë”, PPP-të, llokmat për kreun e Guardia di Financa, për kryeministren Meloni ose për dhëndërrin e Donald Trump, 16 shkresat e në vendim qeverie të firmosura brenda një dite për inceneratorët. Çfarë nuk është eksperimentuar në këto 11 vite për të vënë në provë egon e Edi Ramës.

    Në fakt ky është një proces emotiv dhe praktik i përhershëm, objektiv. Njeriu kur rritet, në proporcion me forcën fizike ose me pushtetin politik ose ekonomiko-financiar e dëshmon veten arrogant në raport me atë që e quan të tijën. Dikush konsideron si të veten psurinë, edhe pse e di se kjo pasuri nuk e shoqëron në botën tjetër. Edi Rama konsideron si pasuri të tij pushtetin dhe ndjek filozofinë, sipas të cilës, pushteti fitohet me para dhe mbahet me para. Kësisoj paraja është garancia më e madhe e plotësimit të ambicjeve të tij egoiste. Pastaj ndryshon sërishmi sjellje e del në ndonjë skenë apo në twiter e shkruan: “Asnjë qindarkë të dikujt tjetër nuk e kam në xhepin tim”! Madje aktron në interpretim aq mirë sa bëhet “i besueshëm dhe i dashur”, njësoj si personazhet negative që luajnë me virtuozitet në filma. 

    Pushteti në duart e Edi Ramës është mjeti që shpreh egoizmin, atë që quhet imja, uni dhe aspak jona, aq më pak e atyre. Raporti pushtet – ego e kryeministrit shqiptar është raport i përhershëm, i pashkëputur dhe i ngjizur fort. Në 24 orë ai nuk pushon asnjë minutë të kënaqë ambicien e tij, krenarinë e tij, të plotësojë veten në imazh, dhe pikërisht në këtë gjendje të dehur harron se ku jeton. Të qenit “madhështor” në krah të më të mëdhenjve të botës është halli më i madh i tij, ndërkohë që udhëheqësit në shërbim të popullit të tyre e jo të egos së vet, i nxjerrin në plan të dytë këto ambicie. Kjo cilësi është e të gjithë njerëzve që nuk e plotësojnë veten me rezultate në fushën e vet. Edi Rama sportist mbeti i paplotësuar “me lavdi” si i tillë! Edi Rama piktor, sërishmi mbeti rob i skicave zhgarravina dhe i paplotësuar në famë! I betej vetëm posti i kryebashkiakut dhe ai i kryeministrit të Shqipërisë që ta plotësonte egon e vet.

    Si kryebashkiak i Tiranës bëri përpjekjet e para në këtë fushë. Si kryeministër u bë rasti specifik i përpjekjeve të mahnitshme për lavdi, supremaci, prestigj, e madhështi. Hamurabi, faraonët e deri diku shumë perandorë romakë të antikitetit dhe mesjetës u rrekën të shpallen njëherësh si të dërguar të Zotit në tokë, si udhëheqës ushtarakë dhe si komandantë ushtarakë. Të tri këto dimensione i synoi fort Edi Rama në këto 11 vite të sundimit të tij në Shqipëri e mbi shqiptarët. Për këtë arsye e ndërtoi marrëdhënien me Shqipërisë jo përmes personit Edi Rama, por përmes shfaqjes së egos së Edi Ramës.

    Të marrim vetëm një shembull: Në manifestimin e Athinës dhe atë të Milanos të dielën e kaluar kryeministri i Shqipërisë para mijëra manifestuesve u shfaq si “njeriu i brengosur” për vuajtjet e emigrantëve shqiptarë në Greqi në kohët e shkuara! Çfarë nuk tha dhe atakoi shumë pa takt politikat e Greqisë për asimilimin e shqiptarëve, duke i detyruar që të ndërronin edhe emrat. Për një qytetar të thjeshtë kjo qasje ngjit, madje fort. Sepse është kryeministri i Shqipërisë që “po mbron me vendosmëri” të drejtën dhe dinjitetin e shqiptarëve. Eshtë kjo një shfaqje në fakt që ka në sfond tërheqjen e simpatisë në kufijtë e faraonëve. Të një simpatie ose empatie që e sheh Edi Ramën “si të dërguarin e Perendisë për të përfaqësuar shqiptarët kudo që janë”!

    Por ç’na thotë e kaluara jo e largët? Kjo e kaluar është dëshmi e pazareve të kryeministrit të Shqipërisë për t’i fal Serbisë territoret më të pasura të Kosovës. Por le të qëndrojmë vetëm te “vajtimi” i tij në Athinë e në Milano për fatin e emigrantëve në Greqi. Shqiptarët në Greqi kaluan shumë vështirësi, por sot ata i janë sërishmi mirënjohës Greqisë dhe i kanë lënë pas vuajtjet e fillimit. Ndërsa shqiptarët në Kosovë ende nuk kanë varr për njerëzit e tyre të dashur të masakruar nga Serbia fashiste e Milosheviçit dhe e Vuçiq-it. Mbi 14 mijë prej tyre, ndër ta 1432 fëmijë, janë shkuar në plumba e bajoneta nga ushtria dhe policia serbe, sipas një projekti të shtetit, kishës e akademisë serbe të shkencave.

    Po e dini se çfarë thotë për këto viktima Edi Rama? – Ç’është kjo që t’i kërkohet Serbisë të ndjehet fajtore për vrasjet dhe genocidin serb në Kosovë?! Ajo ishte një “rrëmujë ballkanike”! –  Nëse Serbia do të duhet të kërkojë ndjesë, këtë duhet ta bëjë në fund të procesit të dialogut me Kosovën! Ndërsa këshilltari kryesor i tij, ai që e ndjek Edi Ramën nga pas në zyrën e kryeministrit prej ditës së parë të tij në detyrë, pra Baton Haxhiu, me gojë e me gjeste thotë se “Çka na duhet të kërkojmë që të dënohen krimet e Serbisë në Kosovë tash pas më shumë se 20 vjetësh?!”

    Ose je, ose nuk je human! Ose je ose nuk je atdhetar e patriot! Ose je, ose nuk je i drejtë! Edi Rama në raste ekstreme e për nevojat e egos së pushtetit të tij, nuk pranon krimet e genocidin serb në Kosovë, por çirret me të madhe pse një numër qoftë i madh shqiptarësh janë detyruar të ndryshojnë emrat në Greqi. A thua se ata shqiptarët e Kosovës janë të një grupi etnik të vendosur diku afër Nepalit në Himalaja!

    E prej këtej, për ta ndihëmuar Serbinë edhe në ditën më të zezë për të, sapo ndodhi akti terrorist i Banjskës më 24 shtatot 2023, Edi Rama do të deklarohej se “Veriu i Kosovës është tokë e askujt”! Pra sërishmi pas atij akti të mikut të tij president i Serbisë do të predikonte sovranitet të dyfishtë serbo-kosovar në komunat e veriut të vendit. Pse? Sepse nuk heq dorë nga ndarja e Kosovës, gjithnjë në marrëveshje me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Dhe për ta justifikuar ndarjen, mohon genocidin serb kundër shqiptarëve. Madje nuk pranon as ta miratojë projekt-rezolutën e opozitës në parlamentin e Shqipërisë.

    Por le të marrim dhe një aspket tjetër të egomanisë së kryeministrit në gjurmët e faraonëve të lashtësisë. Gjithkujt na kujtohet kur kryeministri nxori tanket në rrugët e Tiranës si alarm për Civid-19. Një akt i paprecedentë për gjithë botën. Njëkohësisht i panevojshëm dhe absurd. Ata që besojnë se ky urdhër u dha prej Edi Ramës për shkak të përballimit të situatës janë të gabuar. Tanket nuk luajnë asnjë rol me një armik imagjinar si pandemia. Atëherë pse ndodhi kjo? Sepse Edi Ramës i duhej një armik i sajuar për t’u shfaqur i fuqishëm. Tanket janë simboli i forcës. Kryeministri donte të tregonte se është edhe “komandant ushtarak i zoti”! 

    Prandaj i nxori tanket në rrugë. Të bëjë presion te qytetarët e që ata që ekzaltoheshin prej kësaj “force” e t’i besonin egos për madhështi të kryeministrit! Prej asaj kohe servilët e tij e thërrasin “Komandant”!

    Dhe së fundmi, nga pikëpamja politike. Në mungesë të rezultateve në qeverisje. Në kushtet kur krimi i organizuar, mafia dhe shteti i korruptuar i lidhur me to, bëjnë namin. Në rrethanat kur Shqipëria po shpopullohet me shpejtësi. Kur asgjë nuk funksionon. Kur ka degraduar arsimi e shëndetësia si dhe sektorë të tjerë jetikë të shtetit e të vendit. Në këto kushte Edi Rama ka zgjedh të paguajë për ta paraqit Shqipërinë dhe bukuritë e saj në mediet ndëerkombëtare. Nëse i ndiqni me kujdes e vëmendje lajmet për Shqipërinë turistike, ose atë që ai po e quan “Krenarë për Shqipërinë”, duket qartë asocimi i Edi Ramës me bukuritë mahnitëse të vendit tonë. Pra ai po tenton të injektojë te njerëzit përzeptimin se “është Edi Rama, ai që e bëri Shqipërinë “përrallore” në pasuritë e saj”, “se alpet e Shqipërisë, riviera shqiptare, fushat, kodrat, malet e bukura, liqenet e lumenjtë e Shqipërisë janë produkt i “gjenielitetit” të Edi Ramës”. Pra se ai, si me magji, krijoi Himarën, Vlorën, Syrin e Kaltër, Valbonën, Thethin e kështu me radhë.

    Dhe e gjitha ndodh për shkak se në këto 11 vite Edi Rama nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë. Me Shqipërinë ka lidhje vetëm egoja e tij, pushteti i tij absolut, arroganca e tij, ushtrimi i forcës kriminale, deri në eleminimin e kundërshtarëve politikë. Për Edi Ramën nuk ka më rëndësi, nëse shqiptarët ikin apo qëndrojnë në Shqipëri. Nëse shqiptarët jetojnë në liri e në mirëqenie ose jo. Nëse ata arsimohen në një sistem arsimor cilësor e të garantuar. Nëse kemi ose jo shëndetësi për qytetarët dhe në shërbim të tyre. Për Edi Ramën ka rëndësi vetëm nëse atij i thurin lavde ose jo. Nëse e presin me flamuj e banderola ose jo. Nëse mobilizohen rreth tij të gjitha qelbësirat që e sollën dhe e mbajnë në pushtet. Për kryeministrin e Shqipërisë ka peshë vetëm aktiviteti kriminal i ndërthur në segmentet e përbashkëta, qeveri-mafie, krim i organizuar-oligarki e përbërë prej ministrave e kryeministrit, sipërmarrësve të fuqishëm e strategjikë, të cilët kanë liçensë trafikimi të drogës dhe vrasjeve, pronarëve të medieve të korruptuara me para inceneratorësh etj.

  • Nga Milaim NELA – Patronazhistët mediatikë

    Sot ata që punojnë në median shqiptare, të shkruar apo audiovizive ndahen në 2 grupe:

    1. GAZETARË që janë shumë pak në numër e me thonj mbrojnë INTERESIN PUBLIK dhe nderin e tyre duke rrezikuar jo pak … dhe

    2. PATRONAZHISTË MEDIATIKË* që kanë edhe këta hierarki gradash mes veti.

    Këta janë në numër shumë të madh, marrin pagesa marramendëse e janë ndoshta arma më e fortë dhe padyshim më e fëlliqur e regjimit.

    Jo më kot është investuar kaq shumë tek këta!

    – Patronazhistë mediatikë janë drejtues emisionesh politike që pushtojnë kohën më të shikueshme të mbrëmjeve. Këta janë të superpaguar dhe nën maskën e “gazetarit të madh” bëjnë çmontimin e kauzave reale e që do duheshin trajtuar me profesionalizëm duke vënë gishtin në plagë e ndërgjegjësuar publikun.

    Këta bëjnë relativizimin e çeshtjeve serioze dhe e çoroditin opinionin publik duke “normalizuar” në sytë e publikut ngjarje vërtet të rënda!

    – Patronazhistë mediatikë janë të ftuarit e rregullt të tavolinave të emisioneve të këtyre që unë përmenda më lart. Ka fjalë që një pjesë prej tyre paguhen jo vetëm nga makineria qeveritare rilindase por edhe nga fonde të caktuara nga shtetet ballkanike apo me gjerë për shkatërrimin e Shqipërise dhe ruajtjen e statukuosë pra mbajtjen e publikut në konfuzion të vazhdueshëm dhe ngulitjen e idesë sidomos tek të rinjtë që “ky vend nuk bëhet” prandaj mbathjani. Roli i tyre nuk është i paneglizhueshëm në shpopullimin drastik të Shqipërisë!

    – Patronazhistë mediatikë shumë të rrezikshëm janë ata që quhen gazetarë të kronikës apo edhe të terrenit që pretendojnë se sjellin lajme ekskluzive për publikun dhe demek kanë akses tek burime qeveritare. Jo rrallë këta luajnë rolin e mesazherit të kodeve që i dërgohen eksponentëve të mafias permes studiove televizive.

    Ata sillen sikur i bëjnë shërbim publikut duke u sjellë si të pavaruar. Shpesh teatri i tyre shkon deri aty sa këta bëjnë edhe viktimën demek sikur rrezikohen nga regjimi e nga kjo pozitë demek opozitare godasin me helm edhe opozitën.

    – Patronazhistë mediatikë (çerra të vegjël) që përpiqen të ngjisin rangjet janë edhe ata që presin në korridoret e zyrave apo në rrugë për të bërë pyetje “me spec” që godasin opozitën!

    Disa nga këta i kam parë edhe në konferencat për shtyp që bën Dr Berisha…

    …ka edhe specie të tjera por po e lë me kaq sot dhe pa emra por ju i dini dhe i njihni të gjithë.

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Korrupsionin do na e luftoka Ndrangheta

    Nga Basir ÇOLLAKU – Korrupsionin do na e luftoka Ndrangheta

    Telenovela e djallëzuar socialiste për një rezolutë në Kuvend, sikur po u pikon zemra për sundimin e ligjit, për të luftuar medemek korrupsionin, është një masakër në atë sallë të kthyer në stallë.

    Meqë kanë këtë sevda hipokrite për paratë publike, të ftojnë Prokurorinë, të nisë hetime për dy qokat e dhjetë ditëve të fundit, mitingjet e Ramës në Greqi dhe Itali, një administratë shëtitëse për të mbushur sallë-stallat jashtë vendit.

    Ecim.

    Këta gënjejnë shejtanin duke shpresuar se Zoti nuk ekziston.

    Janë zhytur me ortakëri nëpër banda trafiqesh, e flasin për korrupsion. Janë ideues, garantues e mbrojtës të pastrimit të parave e flasin për korrupsion. Janë llumëzuar ne kokainë e flasin për korrupsion. Kanë plaçkitur çdo metër pronë publike e lotojnë për korrupsion.

    Olsi Rama është rikthyer në hetim për përfshirje në dosjen e kokainës së laboratorit të Xibrakës, e vëlla Edi cicëron për antikorrupsion. Agron Geron Xhafa vëllai i ministër Fatmirit është dënuar për trafik ndërkombëtar heroinë e krahëqafi idiktatorit na jep llogje antikorrupsioni.

    Njëlloj si paraardhës Tahiri në trafikun ndërkombëtar të drogës. Kodheli e mbrojtjes e harruar, ku historia e radarëve ka kapituj të cilat duhet ti shohë SPAK.

    Taulant Balla me status të pasqaruar ligjor për Toyota Yaris, apo përgjimet e zhdukura në vrasjet e Elbasanit në vitin 2016, për raportet me të superkërkuarin Suel Çela, qurravitet për antikorrupsion.

    Damiani igurusë indian, e lejes së naftës në lagje ruse, i hec-teceve rrotull Charles, e tërmeti vjedhjeve elektorale, hukat për luftë kundër korrupsionit. Ulusiu 184, shumë dosjeve e aspak hetimeve rend e lyp ligj, pasi i kërcet kallashi në burgjet e sigurisë së lartë, pa na thënë si merret aq badihava toka buzë liqenit të Tiranës, e pa hyrë në histori bregdeti në Durrës.

    Olta Strategjike me tendera e mbrojtjes e marrëveshjen e detit. Elisa e doganave me histori milaneze, kujdestarja elektorale e zgjedhjeve në Shkodër me shtab Pëllumb Gjokën e Bajrët rrufit ide antikorruptive.

    Beqja i ilaçeve e koncensioneve, Ahmetaj për vilat e të dashurave, Bllako, Subashi, Sako, Dako, e Koka të inceneratorëve, antikorruptivët shfarosës të parasë publike. Agaçi hija e zezë e reformës, miku gjeneralit të arrestuar italian, mesazhet e të cilit i dhanë Becchettit 150 milionë euro, gaditësi i 17 vendimeve për inceneratorët, korrupsion e ligjshkelje me tonelata.

    Klotilda e ligjeve me bashkëshortin ortak që duhet të sqarojë transaksionet me kompanitë e Bashkisë, të drejtorëve të arrestuar.

    Eglantina me vëllanë kreu i ILD, Ermonela Felaj me 5 anëtar të familjes në Prokurorinë e Tiranës, antikorrupsioni i kulluar. Etilda e drejtësisë e takimeve me Charlin e FBI, ekstraduesja nxituar e Nazer Seitit, që u hetua si paligjshmëri, e financierit të Habilajve të drogës, pa harruar skedinat familjare sportive në një video urbane.

    Erion Bashkia që i bëri të 99-at Bashkisë me qindra milionë euro, ku pastrimi parave është një minidosje për të.

    Ky është zuzarllëk që Reformën në Drejtësi rreken të na e shesin si mrekulli, kur duhen mbi 10 vjet për një çështje. Ku ka prokurorë e gjyqtarë të dënuar e dëbuar në sistem.

    Ku kushërinjtë kanë pushtur drejtësinë nga Kushtetuesja te Magjistratura, për ta bërë qershi me Manekun tre mbiemërsh, Ina Ramën me ca pasuri Bodini të pathëna, Sadushin në Gjykatë të Lartë, e bashkëshortja në Apel, e juristja e Ramës në Kushtetuese.

    Lërini denglat. Kjo është Mafia që kontrollon, qeveri, drejtësi, ekonomi, media. Pa hyrë te Sky Encro ku është më shumë se gjysma e qeverisë e Parlamentit.

    Lërini dënglat. Ktu ska antikorrupsion ktu ka MAFIA. Ndrangheta do na luftoka korrupsionin.

    Ky është një episod. Çdo qeveritar e deputet, bashkiak, e funksionar drejtësie, është kandidat për 41 bis…

  • Nga Armand SHKULLAKU – Loja perverse e emocioneve për një lavdi të munguar

    I rrënuar nga skandalet e panumërta dhe i mundur përfundimisht nga dështimi se në 12 vite rresht nuk arriti të regjistrojë një sukses të vetëm në krye të vendit, Edi Rama po tenton një fabul të re, sa të shëmtuar po aq edhe pa vlerë: lojën me ndjenjat patriotike dhe emocionale të shqiptarëve që jetojnë larg vendit të tyre.

    Takimi në Milano, ashtu si ai në Athinë e të tjerë që presin në radhë, janë shfaqja më e ulët dhe më e pamëshirshme për të shpëlarë një regjim të korruptuar e të kriminalizuar, me djersën dhe gjakun e qindra mijëra emigrantëve. Përdorimi i simbolikave patriotike e folklorike, i flamujve kuqezi, i këngëve të tipit “fol shqip se je shqiptar” apo i imazheve prekëse të eksodit biblik të viteve ’90, nuk është gjë tjetër veçse vjedhja e paskrupullt e emocioneve, nostalgjisë, lotëve dhe shpirtit të atyre që u mungon atdheu i tyre, për të mbushur gropën e lavdisë boshe të një lideri të dështuar.

    Përvetësimi i shpërthimeve emocionale të emigrantëve, të provokuara nga ballafaqimi me sakrificën për mbijetesë, si një mirënjohje për lidershipin e tij, është një perversitet politik i tepërt edhe për një politikan si Edi Rama. Përzgjedhja e imazheve tronditëse, renditja me një stil prekës i vuajtjeve të tyre 30 vjeçare për të shkuar tek pika kulmore se më në fund ata ia dolën, është ky filli i oratorisë së Ramës për të prekur zemrat e emigrantëve që, në thelb, ngrihen në këmbë në nderim të sakrificës së tyre dhe jo të atij që ua evokon atë. Mirëpo loja e Edi Ramës është pikërisht leximi mbrapsht i kësaj paradigme: lavdia është e atij që e rrëfen dhe jo e atyre që e kanë jetuar.

    Dhe, pasi emocionet bien dhe zemrat rifitojnë ritmin e përditshmërisë, pyetja mbetet e njëjta. Për çfarë duhen t’i jenë mirënjohës qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në mërgim kryeministrit shqiptar? Çfarë ka bërë ai për ta gjatë 25 viteve që ka qenë pandërprerë në majën e pushtetit në Shqipëri? Pse duhen të ndihen ata krenarë me lidershipin e tij?

    Lavdisë së kryeministrit do t’i shkonin ato ovacione nëse ai do ta ndërmerrte atë tur për të dhënë kumtin e pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian në shenjë falenderimi për ata shqiptarë që kontribuan me sakrificën e tyre. Do të kishte kuptim, qoftë edhe si ndjenjë krenarie, nëse vendi i tyre, nga më i varfëri dhe më i korruptuari në Europë, falë lidershipit të tij sot do të renditej disa shkallë më lart. Do të ishte legjitime po ashtu, nëse Shqipëria vërtetë një vend i varfër dhe me mundësi të kufizuara, por nën drejtimin e tij do të veçohej si model demokracie dhe shteti ligjor në rajon.

    Edi Rama nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë nga këto rekorde imagjinare. Ato realet janë pasojat e degradimit të vendit në udhëheqjen e tij, nga qeverisja e korruptuar deri tek kriminelët me pushtet, nga skandalet me miliona euro të vjedhura e deri tek ndarja e Shqipërisë si plaçkë elektorale për banditët që kontrollojnë çdo gjë. A vlejnë këto më pak se fjalimet e kryeministrit në OKB, samitet me pompë në Tiranë apo flamujt e nostalgjisë së emigracionit, për t’u ndjerë krenarë si shqiptarë?

    Edi Rama numëroi në Milano, bizneset e shqiptarëve në Itali por nuk tha sa emigrantë nga Italia kanë investuar në Shqipëri dhe çfarë lehtësish ofron qeveria e tij për ata. Pse në Shqipëri nuk vjen ndonjë nga shqiptarët e suksesshëm, por gjendet një “murator” me një të punësuar për t’i dhënë koncensionin 100 milion euro të sterilizimit, që është një aferë nën hetim nga SPAK? Pse gjendet italianë që projektojnë kullat dhe resortet qindra milionëshe dhe nuk thirren arkitektë shqiptarë që shkëlqejnë edhe në perëndim? Pse nuk arrijnë emigrantët e ndërshëm, vuajtjen e të cilëve evokon kryeministri, të marrin leje e troje për investime strategjike, por këto i gëzojnë ose banditët ose njerëzit e oborrit të pushtetit?

    Nëse do kishte bërë sadopak në këtë drejtim, Edi Ramës edhe mund t’i lejohej kalërimi i fundit i ndjenjave patriotike dhe emocionale të shqiptarëve. Por ai nuk ka asnjë rekord për të cilin një shqiptar mund të ndihet krenar, veç reklamës së kushtueshme që paguan vazhdimisht për vete. Në Shqipëri, përballë realitetit të skandaleve dhe kriminilazimit të thellë që ka prodhuar, kjo reklamë nuk i bën më punë. Ndaj, për t’i ikur pikërisht këtij realiteti, po provon të manipulojë me ndjenjat e atyre që gjenden larg tij. Përballë të cilëve nuk është i detyruar të japë llogari, por vetëm t’u shesë reklamën e emocioneve me kolonën zanore të Noyzit.