Blog

  • Nga Agim XHAFKA – Fjalimi i prost*tutës për virgjërinë

    Sot, pasi ka vite që iu përlye për vjedhje krejt ekipi qeverisës, pasi po i futen në burg duar-duar deputetë, ministra, kryetarë bashkie, drejtorë, pasi prognoza flet për qamet lejla, Rama në parlament bëri veç atë që bën vite e vite. Bojatisje, shpërqendrim, rrena, shpifje dhe aktrim. Kërkoi që të miratohej një rezolutë antikorrupsion.

    Kërkoi që me grabitësit e vet të luftojë grabitësit. Që i ka mes vedi.

    Pa bërë analizë se nuk ia vlen, nga që tashmë pa skaner fare perceptimi i shqiptarëve qeverisë së tij ia ka vënë emrin; ‘HAJDUTE’, them se atij i shkon për shtat analiza financiare e një shtëpie publike. Ose e një bordelli, siç rëndom e përdor Rama këtë fjalë.

    -Të bëjmë reformë të thellë,-propozoi në një mbledhje pronari i bordellit.

    -Si? Na e thuaj!-iu lutën anëtarët e bordit.

    -Po ja, ta fillojmë nga perdet. Të blemë ca të reja. Që të kenë ngjyrë lejla, psh.

    Ndërsa të pranishmit miratonin me kokë, pronari vazhdonte me zell.

    -Të ndërrojmë dhe krevatët. Që mos jenë të zhurmshëm. Qetësia u duhet klientëve ato çaste. Dyshekët t’i marrim antibakterialë, por dhe jo aq të butë. T’i blejmë të fortë që kështu t’i vijmë në ndihmë çdo pozicioni të çiftit.

    Kuvertat mendoj…

    Por nuk e vazhdoi dot më tej. Se ndërhyri kodoshja e bordellit. Ajo pasi përplasi shpullën mbi tavolinë tha:

    -Mjaft, o zotëri. Mjaft. Ne na duhen vajza të reja, të bukura, epshndjellëse. S’na vjen e keqja nga perdet apo dyshekët.

    Se askush ato çaste nuk sheh më dhomën ku është, jo më perdet që do varen në dritare.

  • Nga Enver BYTYÇI – Anëtarësimi i Kosovës në NATO është zgjidhja më e mirë për stabilitet në Ballkan!

    Sipas të gjitha gjasave sot Asambleja Parlamentare e NATO-s do të vendosë që Kosova të marrë statusin e anëtarit të asociuar në këtë asamble. Ky status e avancon pozitën e shtetit më të ri në Evropë dhe është hapi i fundit në rrugën e marrjes së statusit tjetër të “Partneritetit për Paqe” në organizatën më të madhe politike dhe ushtarake. Statusi i vëzhguesit, të cilin e kishte deri më sot Kosova, nuk presupozon që një vend me këtë status të gëzojë domosdo elementët e shtetësisë. Ndërkohë anëtari i asocuar konsiderohet gjithnjë për vendet e pavarura e sovrane. Pra, nesër NATO rikonfirmon shtetësinë e Kosovës!

    Dhënia e këtij statusi për Kosovën pra është rikonfirmimi i NATO-s se ajo është shtet sovran dhe i pavarur. Ndërkaq hap rrugën për proceset e ardhshme, të cilat pritet të përshpejtohen. Sa më shumë që zgjat lufta në Ukrainë dhe sa më e fortë të jetë lidhja Beograd-Moskë-Pekin, aq më e motivuar do të jetë NATO për ta përfshi Kosovën në planet e saj afat-shkurtra të zgjerimit. Interesi i Aleancës Atlantike është që Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina të bëhen me procedura të përshpejtuara anëtare të NATO-s. Kjo jo vetëm se vihen përfundimisht vijat ndarëse me Rusinë dhe ndikimin e lindjes, por edhe se Serbia vihet në darën e rrethimit me këto vende dhe do të detyrohet të rishikojë pozicionin e saj të aleancave.

    Nëse Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina bëhen anëtare të NATO-s dhe sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më mire do të jetë, Serbisë do t’i mungojnë territoret që ajo synon për krijimin e Serbisë së Madhe. Derisa këto dy vende bëhen anëtare të NATO-s. Serbia nuk do ta ketë më mundësinë dhe as aftësinë që të bëjë presion dhe të intervenojë me provokime ose me sulme ushtarake kundër Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. Kësisoj asaj i hiqet mundësia që të vazhdojë të aspirojë për territore në këto dy vende në emër të asaj që ajo e quan “Bota serbe”! Pra, për Beogradin do të mungojë objekti i sulmit. Do të bëhet e pamundur ndërhyrja me dhunë për të ndryshuar realitetet gjeopolitike në rajon.

    Nga ana tjetër, Serbia do të rrethohet plotësisht nga vendet anëtare të NATO-s. Të gjitha vendet në kufi me Serbinë do të jenë anëtare të kësaj organizate. Në këto kushte anëtarësimi i Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës do të ndryshojë edhe qëndrimet politike në Beograd sa i përket aleancave. Në pamundësi për të realizuar aleanca të suksesshme me Rusinë, politikanët dhe lidershipi serb do të jenë nën presion shumë të madh që të pranojnë integrimin e vendit të tyre në NATO. Natyrisht që kjo nuk do të ndodhë në një kohë shumë të shkurtër, sepse do të duhet të ndryshojë edhe opinion publik. Por një politikë pro-perëndimore do ta përshpejtojë perceptimin pozitiv të publikut serb sa i përket NATO-s. Sigurisht prej zorit dhe pamundësive që të vijojnë aleancën me Moskën. Ndryshe Serbia kurrë nuk do ta ndryshojë boshtin e politikës së vet të aleancave në drejtim të Lindjes.

    Serbia në NATO do të vendosë përfundimisht ekuilibrin e paqes dhe të sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore. Dhe Serbia në NATO nuk shkon me përkëdheljet e Perëndimit ndaj një politikani mashtrues e kriminel si Aleksandër Vuçiq, i cili në çdo dalje të tij publike nxit ekstremizmin nacionalist, njësoj si edhe Milosheviçi në kohën e tij. Me përkëdhelje e me ofrimin e karotave Serbia vetëm se tall trapin me Perëndimin. Ajo duhet rrethuar me shtete, të cilat bëhen dhe duan të bëhen anëtare të Aleancës Atlantike. Vetëm kjo do ta bëjë Beogradin të ndryshojë kahjen e qasjen e tij.

    Ka shumë prej atyre që e shohin të pamundur anëtarësimin e Kosovës në NATO, për shkak se katër vende anëtare nuk e kanë njohur shtetësinë e saj. Për mua mund të vendosë veto Hungaria, para se të vendosin Spanja, Greqia, Rumania e Sllovakia. Ndërkohë që nuk duhet harruar fakti që këto katër vende e kishin përkrahur ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës. Dhe nga ana tjetër i kanë njohur simbolet e shtetit të Kosovës, si pasaportat u udhëtimit, target dhe simbole të tjera të saj. Pra nuk është aq e pamundur vota e tyre pro-anëtarësimit të Kosovës në NATO. Sa për Hungarinë, ajo e ka të vështirë që e vetme të vendosë veto ndaj vullneti politik të 32 vendeve të tjera të Aleancës. E pamë këtë në rastin e anëtarësimit të Suedisë dhe të Finlandës. Kur Turqia hoqi veton për këto dy vende, edhe Hungaria u detyrua të bëjë të njëjtën gjë.

    Marrja e statusit të anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s është për Kosovën ngjarje historike. Ky status po jepet pavarësisht letrave dhe përpjekjeve të Beogradit për të bërë presion kundër këtij procesi. Madje edhe pavarësisht atyre politikanëve në Kosovë, që për letrat e Beogradit kundër Kosovës fajësojnë qeverinë e vendit të tyre. Paradokset nuk kanë fund te ne shqiptarët!

  • 5 kopshtet më të bukura në Evropë: një udhëtim midia natyrës dhe bukurive përrallore

    5 kopshtet më të bukura në Evropë: një udhëtim midia natyrës dhe bukurive përrallore

    Janë të shumta bukuritë nëpër Evropë për të cilat ne shpesh flasim me njëri-tjetrin, apo që na i këshillojnë miqtë a të njohurit tanë për t’i vizituar, veçanërisht tani, në sezonin veror. Disa i arrijmë e disa jo, disa afër e herë të tjera larg, janë të shumta e të ndryshme arsyet që na bëjnë të mos mund t’i vizitojmë të gjitha këshillat. Ndaj dhe ne, pas një eksperience të gjatë dhe një vëzhgimi të hollësishëm kemi marrë përsipër të flasim për to, qoftë edhe në formë këshille, duke evidentuar ato më kryesoret. Pra, cilat janë ato bukuri, ato mrekulli që që na magjepsin nëpër bisedat-konsulta tona për të bërë një udhëtim ta më të këndshëm dhe shplodhës për ne dhe familjarët tanë. Janë dhe nuk janë shumë. Por ne ju këshillojmë 5 prej tyre për t’i vizituar të paktën një herë në hetë. Duke filluar nga Gardens of Versailles – Kopshtet e Versajës, e duke vazhduar nëpër ato të Keukenhof Gardens – Kopshtet Keukenhof dhe në disa të tjera që janë një mrekulli të vërteta e Kontinentit të vjetër. Të karakterizuara nga veçantia dhe kurioziteti, këto vende të mrekullueshme ofrojnë një eksperiencë mahnitëse ku ti zhytësh në natyrë dhe në bukuritë arkitekturore. Le t’i zbulojmë së bashku këto mrekulli dhe bukuri të fshehura të këtyre kopshtieve magjepsëse.

    5 kopshtet më të bukura në Evropë

    E fillojmë udhëtimin tonë mes 5 kopshteve më të bukura në Evropë me kopshtin e famshëm të Versajës. I shtrirë në periferi të Parisit, ky park i jashtzakonshëm është i famshëm për shatërvanet, labirintet dhe skulpturat e tij që të lënë pa frymë. Duke vazhduar drejt Holandës, ku gjejmë Keukenhof, një parajsë e vërtetë pranverore me miliona tulipanë shumëngjyrësh. Ndërsa në Itali, nuk mund të mos përmendim Villa d’Este në Tivoli, me lojrat e tij të mrekullueshme ujore dhe tarracat panoramike. Pak më tej, në Spanjë, gjejmë Alhambra Garden – Kopshtin Alhambra, në Granada, që na ofron një kombinim unik të arkitekturës maure dhe vegjetacionit të harlisur. Së fundi, paksa përtej detit, në Angli, ku Kew Gardens në Londër janë një oaz i vërtetë botanik, me një koleksion të panumërt bimësh nga e gjithë bota. Secili prej këtyre kopshteve ofron një bukuri të pashoqe dhe një eksperiencë të paharrueshme për adhuruesit e natyrës dhe artit.

    Kopshtet e Versajës, Keukenhof dhe të tjerë: në zbulim të mrekullive evropiane

    Ndër kopshtiet më të bukura në Evropë, mbizotëron Kopshti i Versajës. Ky kompleks i jashtëzakonshëm, që daton në shekullin e 17-të, është projektuar për të magjepsur dhe për t’i goditur mysafirët e oborrit. Me lëndinat e tij të mëdha, shatërvanet madhështore dhe skulpturat elegante, përfaqëson një kryevepër të vërtetë të peizazhit.

    Duke vazhduar udhëtimin tonë, nuk mund të harrojmë Keukenhof, në Holandë, i njohur si “kopshti i luleve”. Çdo vit, gjatë pranverës, miliona tulipanë të lulëzuar, e ngjyrosin këtë park me një mozaik ngjyrash pafund.

    Të tjerë kopshte evropiane që nuk duhen humbur janë Kopshtet Boboli në Firence, me labirintet e ndërlikuara e statujat klasike dhe Kopshti i Claude Monet në Giverny, Francë, që ka frymëzuar shumë nga pikturat e tij të famshme. Çdo kopsht ka hijeshinë e tij unike dhe ofron një eksperiencë bukurie dhe qetësie.

    Karakteristikat unike dhe disa kuriozitete të 5 kopshteve më të bukura në Evropë

    Përveç bukurisë së tyre të jashtëzakonshme, 5 kopshtet më të bukura të Evropës prezantojnë edhe karakteristika unike dhe kuriozitete magjepsëse. Për shembull, në Kopshtin e Versajës ndodhet Grand Canal – Kanali i Madh, një hapësirë ujore e gjatë 1.6 kilometra, që përdorej për festa spektakolare me varkë.

    Në Keukenhof, përveç tulipanëve, mund të admirohen edhe varietete të tjera lulesh si daffodils, hyacinths dhe orchids. Villa d’Este, me karakteristikat e saj ujore, përdorte një sistem hidraulik inovativ për të krijuar efekte spektakolare.

    Në kopshtin Alhambra, shatërvanët dhe pellgjet e ujit reflektojnë arkitekturën maure përreth, duke krijuar një ndjesi magjie dhe qetësie.

    Së fundi, Kew Gardens – Kopshiet e Kew, përveç bimëve ekzotike, strehojnë edhe Pagodën Kineze, një kullë 10-katëshe me pamje panoramike mbi qytetin e Londrës. Këto kuriozitete i bëjnë këto kopshte evropiane edhe më magjepsës dhe të paharrueshëm.

    Duke eksploruar 5 kopshtet më të bukura në Evropë, është e pamundur të mos vëresh ndikimet kulturore dhe historike që i karakterizojnë ato. Kopshti i Versajës, për shembull, përfaqëson simbolin e fuqisë dhe madhështisë së monarkisë franceze, ndërsa Kopshti Alhambra pasqyron artin dhe arkitekturën maure. Ndërsa Keukenhof, është një homazh për industrinë holandeze të luleve, me fushat e saj të gjera të tulipanëve. Villa d’Este në Tivoli përfaqëson elegancën e Rilindjes Italiane, ndërsa Kopshtet Kew janë një homazh të eksplorimit botanik të Perandorisë Britanike. Këto kopshtie, përveçse janë kënaqësi për sytë, janë edhe dëshmitarë të historisë dhe kulturës së vendeve të tyre të origjinës.

    Si konkluzion, 5 kopshtet më të bukura në Evropë ofrojnë një eksperiencë të paharrueshme, një udhëtim nëpër natyrë dhe bukuri që rrëmben imagjinatën. Nëpërmjet veçorive të tyre unike, kurioziteteve dhe ndikimeve historike, këto kopshtie i magjepsin vizitorët dhe i shpien ata në brendi të një bote mrekullishë dhe qetësie.

    Kopshtet e Versajës
  • Shteti privat i Ramës, si i përdor pronat për vota në Himarë

    Shteti privat i Ramës, si i përdor pronat për vota në Himarë

    I zhytur në skandalet e grabitjes e tjetërsimit të pronave, me ministra që i ka bërë “investitorë strategjikë” e njerëz të oborrit të tij që kanë zaptuar trojet në bregdetin e jugut, Edi Rama zhvilloi së fundi një takim në Himarë. Sfondi elektoral ishte i qartë. Më shumë sesa të shpaloste zgjidhjen e një problemi të pronave, kryeministri ishte aty për të paraqitur Vangjel Tavon si shpëtimtarin e Himarës, prefektin që në një muaj detyrë arriti të bënte sipas Ramës rreth 400 certifikata pronësie. Se si e në çfarë kapaciteti mundet një prefekt të nxjerrë certifikata pronësie, këtë e di vetëm Edi Rama.

    “Nëse doni prona shkoni te Vangjel Tavo, nëse doni sherr shkoni te Vangjel Dule”, iu tha Rama disa banorëve të Himarës që ishin aty për të tërhequr certifikatat e pronësisë. Pra, Robin Hoodi i Himarës që iu jep zgjidhje punëve të pronave është ish-deputeti i LSI-së, për të cilin Rama thoshte në Gjirokastër 3 vite më parë “ma largoni këtë kancer”. Kësaj radhe Vangjel Tavo nuk është më “kancer”, siç Rama ua thoshte të tijve në Gjirokastër, por është njeriu që i duhet kryeministrit për të fituar Himarën në zgjedhjet e pritshme në vjeshtë.

    Shfaqja propagandistike me certifikata pronësie nëpër duar dhe lartësimi i Vangjel Tavos, janë nisja e fushatës për zgjedhjet në Himarë të cilat do të shpallen pasi Gjykata e Apelit të japë vendimin përfundimtar për Fredi Belerin. Hipokrizia dhe Edi Rama janë si një trupë i vetëm. Ky është kryeministri që hermetizoi Kadastrën dhe ktheu gjithçka online me gjoja pretendimin për t’i prerë rrugën korrupsionit. Ndërkohë tani për interesa të ngushta elektorale i orienton banorët e Himarës te zyra e Prefektit të Vlorës.

    E po të ikësh me këtë logjikë, për t’i dhënë zgjidhje batërdisë së bërë me pronat në Shqipëri, i bie që Edi Rama të gjejë ndonjë Vangjel Tavo në çdo zonë tjetër të vendit. Është thjesht hipokrizi e një kryeministri që nuk mban asnjë përgjegjësi për çfarë thotë e për çfarë bën. Jo më kot iu tha banorëve që sherrin e pronave në Himarë e kanë sjellë nipat e tyre dhe se ata nuk duhet të shikojnë as nga jugu e as nga veriu. Me paturpësi Rama mohoi gjithashtu që pronarëve legjitimë t’u jenë marrë tokat. “Nuk ka asnjë metër katror”, bërtiste kryeministri.

    Mashtrimin me zyra paralele që gjoja ndihmojnë banorët për çështjet e pronësisë, himariotët nuk e kanë diçka të re. Teksa dje Rama iu tha se kjo zyrë paralele është e prefektit Vangjel Tavo, më herët ka qenë ajo e deputetit të PS-së, Vullnet Sinaj.

    Pra, një qytetar që ka një çështje pronësore në Himarë nuk e gjen dot zgjidhjen në Kadastër, duhet të shkonte të zyra e deputetit të PS-së e sot te zyra e prefektit Vangjel Tavo. Ky është shteti paralel dhe privat i Edi Ramës, i ngritur sipas parimit që ai vetë bërtiste kur ishte në opozitë: Vidh vota për të grabitur Shqipërinë, pastaj grabit Shqipërinë për të blerë vota. Edi Rama bën ekzaktësisht të njëjtën gjë në Himarë e çdo cep tjetër të vendit.

  • Nga Lutfi DERVISHI – A flasin bandat për politikë në përgjime?

    Në dosjen Metamorfoza 2 ku shfaqen figura të njohura të botës se krimit dhe politikës flitet për marrje peng, nxjerrje në pritë, vrasje dhe biznes.

    Po çfarë   mungon në 240 faqet e akuzës?

    Mungojnë dialogjet per zgjedhjet dhe komunikimet me politikanët.

    Nëse themi se bandat janë përfshirë në zgjedhje me nxitje, bekim dhe mbeshtetje politike nuk kemi thënë asgjë të re.

    Po pse janë veçuar rrefimet dhe kontributet politike të 50 të akuzuarve në politikë?

    Cila është arsyeja që hetimi është ndarë në lote?

    Një vit para zgjedhjeve SPAK mund të jepte një kontribut konkret duke hetuar përfshirjen në fushatë të “biznesmenëve, Investitoreve strategjikë, alias vrasesve me pagesë.

    Ky hetim do të jepte shpresë se krimi zgjedhor më 2025 do të ulte pak kokën.

    Është më shumë se naivitet të mendosh se në bisedat e tyre nuk është folur për politike, për zgjedhje,  për votime dhe per emërime.

    Njerëz që diktojnë drejtore policie dhe kryetare bashkie afërmendsh që janë investuar në fushata.

    Disa prej të akuzuarve janë të njëjtët personazhet të përfshirë në krimin zgjedhor në Durrës dhe Diber. Prokurorët e SPAK  treguan mungesë kurajo  duke bërë ping pong me Prokurorinë e Dibres (dosja 188) derisa arriten t’ia ngecin asaj hetimin që u katandis si kokoshi një thelë.

    Ashtu si në dosjen e incineratorëve që u nda në tre lote edhe te Metamorfoza janë të njëjtët njerëz që vrasin, bëjnë biznes dhe kontribuojnë për vota në zgjedhje. Krim, biznes, politike – ky është trekendeshi i Bermudes ku nuk janë zhytur vetëm 50 të akuzuarit.

    Politika për krimin është si oksigjeni. Sa më shpejt të priten tubat e furnizimit aq më mirë për të gjithë.

    Varianti që ata nuk kanë folur në “Sky” për politikë ka pak gjasa të jetë i vërtetë se përndryshe na del që bandat i paskemi patur të depolitizuara. Emrat aty nuk të lënë asnjë pikëpyetje.

     Pyetja është pse janë veçuar rrëfimet për “politikën”?

  • Nga Erion DASHO – ‘Martesa’ e Lalit dhe agjendat e globalistëve okultë

    Nga Erion DASHO – ‘Martesa’ e Lalit dhe agjendat e globalistëve okultë

    Ka një javë që shoqëria shqiptare zien nga protestat kundër të ashtuquajturës “martesë” të organizuar nga Erioni i bashkisë. Një ceremoni kallpe, e organizuar nga një prift kallp dhe pa asnjë vlerë ligjore.

    Sigurisht që edhe në një shoqëri të traumatizuar dhe çorientuar, e cila prej 11 vitesh drejtohet nga një sharlatan pa asnjë vlerë personale, familjare, madje edhe njerëzore, reagimi ndaj një provokimi të tillë është i pritshëm.

    Por përse iu duhej kjo “martesë” sot, Boratit dhe Lalit të vet?!

    Në radhë të parë për të tërhequr vëmendjen nga mali me probleme ku maja e ajsbergut janë 5D-të, ministrat dhe drejtorët në SPAK, politikanët dhe policët e përgjuar nga aplikacioni Sky, emisioni i RAI3 dhe, mbi të gjitha, opinioni publik që përfundimisht po bindet se çfarë hajdutësh dhe kriminelësh drejtojnë në këtë vend.

    Në radhë të dytë, për të forcuar marrëdhëniet me eminencat e agjendave globaliste. Nuk është sekret se sot ka një sulm të koordinuar kundër vlerave konservatore si familja, kombi, besimi, sovraniteti, liria ekonomike, mirëqenia e qëndrueshme, etj. Promovuesit e këtyre agjendave kanë penetruar kupolën vendimmarrëse të SHBA-ve dhe janë duke përdorur prestigjin si edhe fuqinë ekonomike, politike dhe ushtarake të superfuqisë për t’i nxitur ato.

    Borati nuk ka nevojë të rishpikë rrotën, atij i mjafton të mësojë nga fqinjët. Një kryeministre pjesëtare e komunitetit LQBTQ, i mjaftoi Vuçiçit të mbretërojë i pashqetësuar, me gjithë qëndrimet dhe retorikën qartazi pro-Putin. Edhe grekët që janë po aq, në mos më shumë fetarë dhe konservatorë në krahasim me serbët, së fundi miratuan martesat brenda të njëjtës gjini, madje edhe adoptimin e fëmijëve nga këto çifte. Kërcënimi nga Turqia me sa duket është shumë më i fortë se vlerat ortodokse të shoqërisë greke.

    Mesazhi është i qartë. Nëse sot kërkon mbrojtjen e SHBA-ve, duhet të ndjekësh agjendën globaliste të eminencave gri të demokracisë më të fuqishme të botës.

    Së treti, këto javë do të hapet për diskutim mandati i Dr. Berishës. Doktori po i afrohet gjashtë mujorit në arrest shtëpie dhe sipas një interpretimi të rregullores së Kuvendit (sigurisht i nxitur nga boratët), atij mund t’i hiqet mandati i deputetit.

    Kjo goditje për opozitën është e shumta në radhën e goditjeve të njëpasnjëshme të dhëna në muajt e fundit. Sigurisht opozitarët të cilët në një masë dërrmuese e identifikojnë PD-në e Doktorit si opozitën e vërtetë, janë të gatshëm të protestojnë fuqishëm ndaj një shkeljeje të tillë. Duke e orientuar zemërimin e tyre drejt martesave LGBTQ, shpërqendrohet vëmendja dhe, si rrjedhojë, edhe rrezikshmëria e tyre për establishmentin dhe Boratët.

    Por, në radhë të parë, Lali i Boratit po tërheq vëmendjen nga thirrja e tij në SPAK, nga vendosja në mbikqyrje e llogarive bankare dhe nga shkarkimi apo burgosja e pritshme.

    Këto e tmerrojnë Lalin dhe për të larguar sadopak vëmendjen publike (në pritje ndoshta të mbylljes së tratativave që janë duke u zhvilluar pas kuintave), ai është i gatshëm të martojë krejt komunitetin LGBTQ, pavarësisht se Bashkia e Tiranës duhet të jetë vendi ku zbatohen ligjet e shtetit shqiptar dhe vetëm ato.

    * * *

    Për sqarim, unë personalisht kam qenë dhe do të jem gjithmonë mbështetës i të drejtës që ka çdo grupim, përfshi pjesëtarët e komunitetit LGBTQ, për të jetuar të lirë dhe larg çdo diskriminimi.

    Duke qenë mjek dhe drejtues për shumë vjet i Programit të Luftës Kundër AIDS, pjesëtarët e komunitetit LGBTQ kanë gjetur tek unë dhe ekipi im gjithmonë një mbështetje në luftën e tyre kundër diskriminimit dhe stigmatizimit.

    Qëndrimi i pjesës më të madhe të anëtarëve të këtij komuniteti që kanë zgjedhur me vullnet të lirë një mënyrë të caktuar jetese, ka qenë gjithmonë sa më larg vëmendjes së panevojshme dhe agjendave okulte që duket sikur i mbështetin, por në fakt i dëmtojnë interesat e komunitetit të tyre.

    Opinioni i shumë prej tyre (koincidentalisht edhe imi) për martesën e personave të të njëjtës gjini është kalimi i tij në një referendum popullor, kur çdo qytetar të shprehet dhe në fund të mbizotërojë përfundimi që përfaqëson shumatoren e vlerave të shoqërisë.

    Besoj se kaq mjafton për këtë temë.

    * * *

    Konservatorët dhe opozitarët shqiptarë duhet të zgjedhin betejat e tyre. Sot është një kundërshtar i madh që duhet luftuar me çdo mjet, Borati, dhe një vlerë e madhe e konservatorizmit dhe opozitës, Berisha, që duhet mbrojtur po me çdo mjet. Të merresh me fustanet e dy vajzave dhe “martesën” e tyre kallp, do të kishte vlerë në rrethana të tjera, por jo sot.

    Sot demokratët, opozitarët dhe konservatorët duhet të vazhdojnë të demaskojnë aferat e djegësve, koncesioneve të shëndetësisë, 5D-ve, rrugëve dhe shkollave të ndërtuara me çmime stratosferike, Portit të grabitur të Durrësit, etj. Demokratët duhet të bëhen bllok dhe, pse jo, të hapin forcërisht një korridor midis shtëpisë së Berishës dhe Kuvendit për ta çuar doktorin në Kuvend dhe shmangur djegien e mandatit të tij.

    Ose, më mirë akoma, të bashkohen në protestat më të fuqishme që ka parë ndonjëherë Shqipëria për të larguar Boratin dhe boratët nga pushteti i uzurpuar dhe hapur rrugën për një qeveri teknike si e vetmja garanci për zgjedhje të lira dhe transparente.

    Sot, para se të bëhet shumë vonë…

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Don Rama i Vendit të vogël, krijues i Mafias së Madhe

    Nga Basir ÇOLLAKU – Don Rama i Vendit të vogël, krijues i Mafias së Madhe

    A është Edi Rama trafikant?

    Jo!

    A është i korruptuar ?

    Jo!

    A është vrasës?

    Jo!

    A është oligark?

    Jo!

    A është investitor strategjik ?

    Jo!

    A ka aksione në bizneset e oligarkëve brenda dhe jashtë vendit ?

    Jo!

    A është urdhërues për prokurorë e gjyqtarë të paaftë e të lidhur me krimin ?

    Jo!

    A është blerës ambasadorësh e ndërkombëtarësh?

    Jo!

    A është mburojë e bizneseve ku përmendet vëlla Olsi, si call-centera e lojëra fati në të zezë?

    Jo!

    A e mbolli ai Shqipërinë me kanabis si rekord botëror ?

    Jo!

    A e kontrollon ai SPAK dhe GJKKO?

    Jo!

    A kanë ikur mbi 1 milionë shqiptarë nga ferrnaja e krijuar nga qeverisja e Ramës?

    Jo!

    A është ai mafioz?

    Jo!

    A do të bënin vaki përgjigjet e pyetjeve të mësipërme në Vendin e Vogël të sunduar nga Mafia e Madhe pa dijeninë, idenë, regjinë e vendimin e Edi Ramës?

    JOO!

    “Revanshi”, episodi i 3-të, i dosjes “Metamorfoza”, ku revanshin ende nuk duket se e ka drejtësia është një material voluminoz, i ardhur nga partnerët franko-belgo-holandezë, ku po zbardhet gjithnjë e më kthjellët një realitet kriminal, tej imagjinatës.

    Punë ka, banda ka, trafik ka, krim ka, vrasje ka, pastrim parash ka, korrupsion ka. Jemi kthyer në një supermarket të madh keqbërësish, ku gjen e shkëmben mall e veprime të paligjshme pafundësisht.

    Natyrisht, tani ka plot profesionistë të licencuar nga pushteti, qeveria, në një ortakëri të pahasur në mbi tre dekada. Nga qelitë e burgjeve të sigurisë së lartë, drejtojnë trafiqe, biznese e porosisin ekzekutime kundërshtarësh, paguajnë e marrin miliona euro. Deputetët, prokurorët, policët, biznesmenët, gjyqtarët, funksionarët publikë e mediatikët, hallka të këtij zinxhiri të gjatë që vetëm trashet.

    Ndoka, Rraja e Ndreca, tre deputetë e ish-deputetë socialistë shfaqen herë vrasës mes vedit, më tej në trafikun e drogës, për të mos munguar asnjë orë si shtabe elektorale zgjedhore të partisë qeverisëse.

    Erion Veliaj kthehet me një turrë drejtorë të tij, në procedim penal, nga Inceneratorët e shumë dosje të tjera në Bashkinë e Tiranës, ku nuk mungon Ndrangheta, vjen për t’u dhënë hesap “kolegëve” për pastrim parash, tashmë jo për të ardhura fiqsh e pensionesh. Qelia është një firmosje larg, mungesa e së cilës fajëson prokurorët.

    Olsi Rama vëllai i kryeministrit, kthehet në hetim, në dosjen e vitit 2014-të, kur përdorte një nga mjetet e pronarëve të laboratorit të parë të kokainës në Shqipëri, atë të Xibrakës. Aso kohe ua “hodhën” gjermanëve me dekonspirim e mosveprim, por shakatë me miellin e perëndimit, duket se nuk po ecin më. Hetimi pasuror ndaj Olsit do të përfshijë dhe vëllanë, sipas përcaktimit ligjor të Antimafias.

    Miliarda euro droge e korrupsioni investohen në Tiranë dhe bregdet. Edi Rama nuk mund të jetë qorri dhe shurdhi i pafajshëm në këtë rrënim të pushtetit e shtetit, kur është dorëzuar te Mafia gjithçka. Edhe horrnaja e gjoja takimeve patriotike në Greqi, Itali, etj, nga para mafioze mundësohet.

    Prokuroria e Posaçme jep shenja mungese të këllqeve të duhura, akoma pas tre vitesh, ta thërrasë në dëshmi Ramën. Ndërsa drejtësia amerikane e ka dënuar pas vetëpranimit fajtorin e tij bashkëpunëtor, Charlees McGonigal, ish-drejtorin e kundërzbulimit të FBI, të korruptuar nga zyra e kreut të qeverisë shqiptare.

    Ministrat e këtij kabineti janë thuajse të gjithë të pandehur të Prokurorisë së Posaçme, një e treta e bashkiakëve të dënuar, ose në pritje gjykimi. Ministra, deputetë, prokurorë, gjyqtarë, funksionarë të drejtësisë së medemek reformuar, drejtues të rëndësishëm policie, biznesmenë të mëdhenj e të mesëm e gazetarë janë në sofrën e madhe të Sky-Encro-s. Çudirat aty nuk sosin.

    Qeverisja qëndrore e vendore, bashkë me të kapurit e mëdhenj të drejtësisë, janë organizata kriminale më e madhe në vend. Ata të grupuar në këtë banditizëm pa fre, janë organizata mafioze më e madhe në vendin tonë të vogël. Ekspansioni i saj në vende të Europës e Amerikës, si furnitore dhe shpërndarëse e kokainës, nuk njeh tkurrje, por vetëm zgjerim.

    Edi Rama në çdo vend tjetër, ku pretendohet se funksionon drejtësia, do të ishte në burg, në një seksion me shumicën e ministrave, drejtorëve e kryetarëve lokalë. Në një seksion më vete do ishin njerëzit e policisë e drejtësisë, emëruar po nga ai. Oliogarkët, nëse nuk do përfundonin tej hekurave, do të përpiqeshin të sistemonin aksionet e fshehura në bizneset e tyre, dikur të shtuara nga investimi i kokainë-korrupsionit të pusht-tetit.

  • Nga Kim MEHMETI – ‘Shqipëritë’ tona kalben nga brenda!

    Nëpër “Shqipëritë” tona çdonjëri flet me të ngjashmit me vetveten. Kështu opinionistët tanë i vlerësojnë të gjithë të tjerët, përpos vetveten, filozofët debatojnë me njëri tjetrin për fe e xhami, por jo për urtësi, klerikët flasin mes veti për moral e familje, por duke mos u penguar kur feja bëhet ‘shërbëtore’ e politikës…

    Pra ne jemi mbyllur çdonjëri në rrethin e vet, ku debatojmë dhe flasim për tjetrin, por jo edhe me të tjerët.  Me çka “Shqipëritë” tona u bënë shoqëri të “hapura” të përbëra nga rrethe të mbyllur.

    Shkurt e shqip: nëpër “Shqipëritë” tona mungon komunikimi ndërqytetarë andaj ka protesta partiake, protesta të mjekëve, të studentëve, të bujqve…, por jo edhe protesta ku të gjithë së bashku do e luftonin hajdutërinë dhe krimin që i ka mbuluar shoqëritë tona.

    Po pra, nëpër “Shqipëritë” tona të gjithë janë mbyllur brenda llojit të vet dhe nuk bashkëbisedojnë me të tjerët, por e vlerësojnë tjetrin. Duke harruar kështu se çdo gjë e mbyllur, që nuk ajroset nga jashtë, fillon të myket dhe të kalbet.

    Dhe duke mos vërejtur se edhe “Shqipëritë” tona thuajse kanë nisur të “kalben” nga brenda, të bëhen vende ku një budalla përfaqëson mijëra të mençur, ku një hajdutë vendosë për fatin e qindra të ndershmëve dhe ku vriten më të vlefshmet që kemi – ëndrrat dhe shpresat rinore.

  • Kartëmonedhat më të bukura në botë

    Kartëmonedhat më të bukura në botë

    Është aq e lehtë të mësohesh me monedhën që përdor, sa të mos i kushtosh më vëmendje asaj! Shikimi i imazheve të paraqitura mbi paratë që përdorim çdo ditë mund të duket si humbje kohe, por ndonjëherë është mirë të bësh një përpjekje dhe të ndalosh.

    Janë shumë monedha që ndoshta nuk do t’i përdorim kurrë gjatë jetës sonë. Kjo është ndoshta edhe arsyeja kryesore pse nuk ke nevojë të shkosh t’i shohësh këto vende për të zbuluar se si janë paratë e tyre! Qoftë nga koha, qoftë nga kurioziteti apo në ndonjë rast edhe nga padija. Atëherë, zbresim bashkë nëpër rreshta dhe t’i hedhim një sy kartëmonedhave nga e gjithë bota.

    Euro (20 shtete)

    Euro është monedha e 19 vendeve në

    Bashkimin Evropian, ndër to Franca, Gjermania, Italia, Spanja,

    Portugalia, Holanda,

    Belgjika, Finlanda, Irlanda, etj.

    Kenia

    Monedha e Kenias është shilinga. Të gjitha kartëmonedhat kanë statujën e ish-presidentit Jomo Kenyatta dhe kafshë endemike.

    Ndërsa ana tjetër është tematike, përshembull, disa përfaqësojnë turizmin.

    Indonezia

    Rupia është monedha zyrtare e Indonezisë.

    Kartëmonedhat shfaqin personalitete indoneziane nga e kaluara në njërën anë dhe në anën e pasme janë paraqitur zona me bukuri natyrore.

    Mbretëria e Bashkuar

    Paundi britanik është monedha

    e Anglisë, Irlandës Veriore,

    Skocisë dhe Uellsit.

    Në njërën anë të çdo monedhe

    janë figura historike dhe në anën tjetër mbretëresha.

    Uganda

    Monedha zyrtare

    e Ugandës

    është shilinga.

    Mbi kartëmonedha

    shfaqen hartat

    të vendit dhe fauna e egër.

    Tajlanda

    Baht-i është

    monedha zyrtare në Tajlandë. Kartëmonedhat prezantojnë

    të gjitha mbretin, Maha Vajiralongkorn, ndërsa në anën e pasme

    monarkët e parë tajlandezë.

    Kili

    Monedha kiliane është peso.

    Kartëmonedhat në njërën anë prezantojnë personalitete kiliane

    të së kaluarës dhe

    në anën e pasme imazhe malesh, parqesh kombëtare etj.

    Polonia

    Polonia është një vend anëtar

    i BE-së dhe pritet

    që së shpejti

    të përdorë euron si monedhë.

    Megjithatë, për momentin,

    përdorin zloti-n polak.

    Egjipti

    Paundi egjiptian është monedha e Egjiptit. Kartëmonedhat paraqesin

    një kombinim imazhesh, ndër të cilat xhamitë e famshme, Sfinksin, Tempullin e Edfu dhe “The Seated Scribe – Shkruesin e ulur”.

    Rusia

    Rubla është monedha e Rusisë. Kartëmonedhat përmbajnë një sërë monumentesh dhe ndërtesash të rëndësishme.

    Janë prodhuar edhe kartëmonedha përkujtimore (p.sh. për Kupën e Botës FIFA 2018).

    Zvicra

    Franga zvicerane është monedha kombëtare e Zvicrës dhe e vetmja monedhë evropiane e mbetur me emrin “Frank”.

    Kartëmonedha prej 1000 frangash është në fakt kartëmonedha e dytë më e vlefshme në botë.

    Suedia

    Suedia është një vend anëtar i BE-së që nuk e përdor euron. Monedha e saj është krona suedeze.

    Kartëmonedhat më të fundit prezantojnë personalitete të famshme suedeze, si Ingmar Bergman.

    Malajzia

    Ringgit është monedha e Malajzisë. Çdo kartëmonedhë prezanton Tuanku

    Abdul Rahman, kreun e parë suprem të

    shtetit modern të Malajzisë. Nga ana e pasme ka kafshë, male, etj.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës

    Dollari i Shteteve të Bashkuara

    përmban shumë

    ish-presidentë:

    një president të ndryshëm

    në varësi

    të vlerës së kartëmonedhës.

    Turqia

    Lira është monedha e Turqisë. Të gjitha kartëmonedhat shfaqin figurën e Kemal Atatürk (themeluesit dhe presidentit të parë të vendit) në njërën

    anë dhe një kombinim figurash dhe simbolesh historike turke në anën tjetër.

    Venezuela

    Monedha në Venezuelë është Bolívar.

    Çdo kartëmonedhë përmban

    figura të rëndësishme historike të Venezuelës në njërën anë dhe në anën tjetër mund të dallohen kafshë endemike të vendit.

    Kina

    Renminbi është

    monedha zyrtare e Kinës.

    Mao Ce Duni shfaqet në çdo kartëmonedhë.

    Në anën tjetër ka zona ose ndërtesa të rëndësishme të Kinës.

    Argjentina

    Peso është monedha zyrtare

    e Argjentinës. Kartëmonedhat

    aktuale prezantojnë kafshë të egra vendase në njërën anë dhe zona me

    bukuri natyrore në anën e pasme.

    Nigeria

    Naira është monedha e Nigerisë.

    Kartëmonedhat përmbajnë një sërë personalitetesh

    të shquara nigeriane, si kryeministri i parë i vendit,

    Sir Abubakar Tafawa Balewa.

    Vietnami

    Đồng është monedha e Vietnamit. Ho Chi Minh, një politikan vietnamez, shfaqet në të gjitha kartëmonedhat. Në pjesën e pasme, mund të gjeden një shumllojshmëri vendesh, përfshirë Temple Of Literature – Tempullin e Letërsisë.

    Afrika e Jugut

    Rand është monedha e Afrikës së Jugut.  Të gjitha kartëmonedhat portretizojnë Nelson Mandelën në të dyja anët,

    por në anën e pasme ai është më i ri dhe i portretizuar nëpër vende të ndryshme të rëndësishme.

    Australia

    Dollari australian

    është monedha e Australisë.

    Kartëmonedhat prezantojnë shumë australianë të shquar të së kaluarës,

    ndër të cilët Dame Mary Gilmore dhe Edith Cowan.

    Brazili

    Real-i është monedha kombëtare e Brazilit. Të gjitha kartëmonedhat

    kanë Efígie da República – Efigjia

    e Republikës, në njërën anë dhe imazhe të kafshëve vendase në anën tjetër, si jaguarin.

    India

    Rupia është monedha zyrtare e Indisë. Të  gjitha kartëmonedhat

    paraqesin Mahatma Gandhi, ndërsa ana e

    pasme tregon shpella, tempuj

    dhe monumente të tjera me interes.

    Zelanda e Re

    Dollari neozelandez është monedha e këtij vendi.

    Kartëmonedhat shfaqin kryesisht në njërën anë banorë të Zelandës së Re dhe në anën tjetër një shumëllojshmëri zogjsh endemikë.

    Irani

    Ryal është monedha e Iranit. Të gjitha kartëmonedhat shfaqin Ajatollah  Khomeini, udhëheqësin e revolucionit iranian të vitit 1979. Ana e pasme e kartëmonedhave zakonisht përmban imazhe me rëndësi kulturore.

    Uruguai

    Peso është monedha e Uruguait. Kartëmonedhat shfaqin

    uruguajanë të rëndësishëm nga e kaluara në njërën anë dhe ndërtesa kryesisht të rëndësishme në anën e pasme.

    Singapor

    Dollari i Singaporit

    është monedha

    e këtij vendi.

    Çdo kartëmonedhë

    përmban ish

    presidentin  Jusof bin Ishak.

    Japonia

    Jeni është monedha e Japonisë. Për vitin 2024 janë paralajmëruar kartëmonedha të reja, të cilat do të shfaqin imazhe të figurave të famshme japoneze nga e kaluara. Kartëmonedha 1000 jen do të ketë në anën e pasme The Great Wave off Kanagawa – Vala e Madhe të Kanagawa.

  • Nga Çlirim KOKONOZI – Banka simbolike dhe metamorfozat e inkoshientit

    Nga Çlirim KOKONOZI – Banka simbolike dhe metamorfozat e inkoshientit

    Banka simbolike dhe aktiviteti jetësor i individit Si çdo aktivitet tjetë, edhe aktiviteti psikik i individit, gjatë jetës së përditshme, bëhet i mundur në saje të një lënde fillestare jetësore, që do ta quajmë “paraja simbolike”. Aktiviteti i përditshëm i individit, mund të kuptohet si aktivitet, që herë konsumon kënaqësi dhe herë nuk konsumon kënaqësi, pra, vetëzhdëmtohet. Sipas këtij rregulli, njeriu, gjatë aktivitetit të përditshëm, harxhon monedhë simbolike kur konsumon kënaqësi, ose depoziton “monedhë simbolike” në Bankën e tij të fshehtë, simbolike, sa herë që nuk konsumon kënaqësi. Në bazë të kësaj natyre, të veprimeve jetësore, Banka e fshehtë kryen operacione”bankare”, në monedhë simbolike, për llogari të individit. Sipas rastit, shpenzon ose depoziton. “Monedha Simbolike” mund të kuptohet si mundësia për të vepruar e lëndës së lirë jetësore të individit, që ne do ta quajmë Superlëndë.