Blog

  • Nga Gorbaçovi te Putin, si arritëm në Rusinë e sotme

    Nga Gorbaçovi te Putin, si arritëm në Rusinë e sotme

    Moskë, 25 dhjetor 1991: Mikhail Gorbachev jep dorëheqjen si president i Bashkimit Sovjetik. Dhe në shtizën më të lartë të Kremlinit, nuk valëvitet më flamuri i kuq me çekan e drapër, i zëvendësuar nga trengjyrëshi bardhë, blu e kuq i Rusisë së sotme, flamuri i carëve.

    Fundi i një epoke, shpërbërja e B.R.S.S.: Pothuajse në heshtje, një nga protagonistët e shekullit XX ul perden e 70 viteve historie, pa zhurmën e ceremonive solemne e as të turmat e mbledhura për të përkujtuar. E bën nëpërmjet një fjalimi të shkurtër televiziv, ku shpjegon se: “Sistemi i vjetër u shemb para se i riu të fillonte të funksiononte dhe kriza sociale është bërë edhe më e mprehtë. Por ndryshimet rrënjësore në një vend kaq të madh nuk mund të kalojnë pa dhimbje, pa vështirësi dhe trazira”

    Shpërbërja formale: Më 26 dhjetor 1991, pasardhësi i tij, Boris Jelcin, shpërbën zyrtarisht BRSS, një regjim i cili, para viteve të fundit të trazuara të historisë ruse, dukej të ishte solid, i pandryshueshëm dhe i përjetshëm. Për herë të parë në historinë njerëzore, një perandori e përmasave të tilla pushon së ekzistuari dhe nuk e bën sepse mundet në fushën e betejës.

    Ngritja në pushtet e Gorbaçovit: Gjatë viteve ’80, BRSS po kalonte një nga momentet më të vështira të historisë së saj, me çmimin e naftës që kishte rënë në mënyrë dramatike, me shpenzimet ushtarake në kulm për shkak të garës së armatimeve me Shtetet e Bashkuara dhe luftës në Afganistan. Ishte kjo situata kur Gorbaçovi u zgjodh më ’85.

    Nevoja për reforma: Ekonomia e vendit kishte nevojë për një reformë radikale për të rifituar dinamizmin: sistemi sovjetik, nën peshën e konkurrentëve ndërkombëtarë dhe joefikasitetit të makinës burokratike, duhej të ndryshonte. Dhe Gorbaçovi e dinte.

    Një rinovim radikal: “Ajo që ka nevojë sot BRSS”, thotë Gorbaçovi në një fjalim në kongresin e XXVII të PKBRSS, në shkurt 1986, është “ripërtëritja radikale e mentalitetit të të gjithëve, që nga punëtori i thjeshtë e deri te ministri, dhe përmirësimi i stilit të punës në përgjithësi”.

    Ristrukturim, transparencë dhe përshpejtim: Dhe ky rinovim radikal, për Gorbaçovin, kalon nëpër 3 faza: perestrojka (“ristrukturim”), glasnost (“transparencë”) dhe uskorenie (“përshpejtim”).

    Rinovimi: Çfarë nënkupton rinovimi i dëshiruar i Gorbaçovit? Para së gjithash, privatizimi i shumë sektorëve të ekonomisë shtetërore, më pas liria e informacionit dhe reduktimi i kontrollit ushtarak dhe politik mbi vendet satelite. Por jo vetëm.

    Çarmatimi: Gorbaçovi ishte i bindur mbi nevojën për të nënshkruar çarmatimin me Shtetet e Bashkuara, pasi konkurrenca midis dy fuqive nuk ishte më e përballueshme ekonomikisht për BRSS dhe nga fundi i viteve ’80 firmosi me SHBA marrëveshje për reduktimin e arsenaleve ushtarake.

    Pengesat: Jashtë vendit Gorbaçovi duartrokitet, por në atdhe ndeshet me frenim dhe pengesa: vendi fillon të mobilizohet, mes krizave dhe tensioneve sociale. Ndryshimet ekonomike, politike dhe institucionale dhe politika e zbutjes ndaj Perëndimin nuk sjellin rezultatet që lideri sovjetik priste.

    Konflikti politik bëhet i ashpër: Mungojnë mallrat e konsumit dhe ato që ekzistojnë kanë çmime të larta. Korrupsioni është i shfrenuar dhe, përballë trazirave sociale, konflikti politik bëhet edhe më i ashpër.

    Gjendja e keqe dhe kriza: Gjendja e keqe nuk vonoi të vijë, veçanërisht për shkak të rishfaqjes së nacionalizmit etnik në republikat sovjetike. Situata u përkeqësua midis viteve 1990 dhe 1991.

    Dyvjeçari ’90-’91: Në këtë periudhë tre republikat baltike dhe Gjeorgjia deklarojnë sovranitetin e tyre dhe pas tyre del Rusia, brenda së cilës paralelisht me atë zyrtar fillon të lëvizë një fraksion, i udhëhequr nga Boris Jelcin.

    Lituania: E para nga republikat sovjetike që u deklarua e pavarur ishte Lituania, në mars 1990. Vendi ishte ndjerë gjithmonë kulturalisht dhe politikisht i huaj nga Bashkimit Sovjetik dhe nuk vlenin aspak sanksionet e vendosura nga qeveria qendrore.

    Masakra e Vilniusit: Në fillim të vitit 1991, nis rënia e Gorbaçovit në autoritarizëm: urdhëron ushtrinë sovjetike të qëllojë mbi demonstruesit lituanezë, në atë që njihej si masakra e Vilniusit. Ka shumë të vdekur dhe të plagosur.

    Letonia dhe Estonia: Në solidaritet me viktimat lituaneze, njerëzit në Moskë zbresin në shesh dhe protestojnë kundër represionit. Shpejt edhe Letonia dhe Estonia shpallin pavarësinë e tyre. Tashmë ishte e qartë se lëvizjet e historisë po rezultonin në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik siç njihej deri në atë moment.

    Referendumi për Ruajtjen e B.R.S.S.: Në atë që dukej si një përpjekje e fundit për të ruajtur status quo-në, Gorbaçovi thirri një referendum për ruajtjen e BRSS, në të cilin vota “po” fitoi me rreth 78 për qind të votave. Dukej si sukses, por a ishte vërtet kështu?

    Bojkoti: Në realitet, Armenia, Gjeorgjia, Moldavia dhe tre republikat baltike vendosën ta bojkotojnë referendumin dhe të mos marrin pjesë në votim. Sinjali që po dërgonin ishte i qartë: dëshira e tyre ishte pavarësia. Filluan kështu negociatat midis Moskës dhe republikave të ndryshme.

    Ngjitja e Jelcinit: Edhe brenda Rusisë, në fakt, kishte filluar të dëgjohej nacionalizmi radikal. Megafoni i këtij zëri ishte figura e një lideri të ri: Boris Jelcin. Kundërshtar i ashpër me Gorbaçovin, mbështetës i status quo-së, Jelcin ishte mbështetës i zjarrtë i nacionalizmit radikal që do të jetë një konstante e asaj periudhe.

    Gorbaçovi mbahet me forcë në Krime: Gorbaçovi negocioi një traktat që parashikonte një qeveri më pak të centralizuar dhe një vend të përbërë nga shtetet e pavarura sovjetike. Ishte në prag të firmosjes kur më 18 gusht 1991 mbahet me forcë, bashkë me familjen në shtëpinë e tij në Krime. Por pse?

    Grusht shteti: Krahu konservator i qeverisë ruse donte të pengonte Gorbaçovin nga firmosja e traktatit që do të sanksiononte fundin e Bashkimit Sovjetik dhe, me mbështetjen e disa zyrtarëve të lartë, tentuan një grusht shteti. Me objektiv për të larguar Gorbaçovin.

    Fake news mbi sëmundjen e Gorbaçovit: Eksponentë të ndryshëm të qeverisë sovjetike deklaruan, së bashku me kreun e KGB-së, Vladimir Kryuchkov, se, për arsye shëndetësore, Gorbaçovi nuk mund të vazhdonte të mbante postin e presidentit të Bashkimit Sovjetik. Posti, pra, do t’i kalonte zëvendësit të tij.

    Ushtria refuzon të hapë zjarr ndaj demonstruesve: Moska është e pushtuar nga ushtria dhe trupat speciale që pushtojnë ushtarakisht qytetin, por tanket ndalohen nga mijëra e mijëra njerëz që zbresin nëpër rrugë për t’i bllokuar.

    Dështimi i grushtit të shtetit: Nëse dëshira e puçistëve ishte të parandalonin shpërbërjen e BRSS, rezultoi pikërisht e kundërta dhe, në atë moment, Jelcin arrin të fitojë gjithnjë e më shumë pushtet, veçanërisht pasi u zgjodh president i Republikës Ruse më 12 qershor 1991.

    Jelcin nxit popullin: Ishte ai, i ngjitur në një nga tanket e pranishëm në Moskë, që i nxiti qytetarët të luftonin për liri. Ushtria refuzoi të hapte zjarr ndaj demonstruesve. Ndodhi kështu që grushti i shtetit, i cili hyri nëpër anale si “puç i gushtit”, dështoi mjerisht. Më 24 gusht, tanket u tërhoqën nga rrugët e Moskës.

    Deklarata pavarësie zinxhir: Është Jelcin ai që tani ka në duart e tij frenat e vendit. Shumë shpejt pasuan shpalljet e pavarësisë së republikave të tjera: Ukraina, Bjellorusia, Moldavia, Azerbajxhani, Kirgistani, Uzbekistani, Taxhikistani, Armenia, Turkmenistani, Kazakistani.

    Komonuelthi i Shteteve të Pavarura: Më 8 dhjetor 1991, vetë Yeltsin, në cilësinë e presidentit të Rusisë, firmosi me presidentët e Ukrainës dhe Bjellorusisë, Marrëveshjen e Belaveža-s, që sanksionoi shpërbërjen përfundimtare të BRSS dhe lindjen e Komonuelthit të Shteteve të Pavarura, i hapur për të gjitha ish republikat sovjetike.

  • Nga Enver BYTYÇI – Kriminelët në dy kohë: – Para dhe gjatë Rilindjes!

    Para Rilindjes kishim kriminelë, por ata ishin frikacakë, fshiheshin, nuk bënin të fortin në mexhelis. Me Rilindjen kemi tashmë kriminelë trima. Nuk ua bën syri tërr as nga policia, as nga ligji. Janë kriminelë legalë. Të pandëshkueshëm. Madje me imunitet deputeti, kryetari bashkie, ministri e kryeministri.

    Para Rilindjes kriminelët u përpoqën të bëhen njësh me politikën që mund të fitonte zgjedhjet. Më kujtohet i ndjeri Sokol Olldashi. Grupet kriminale të Shijakut u ndanë më 2005-ën në dysh. Ishin një, u bënë dy. Kur ishin një mbështesnin deputetin e majtë në atë zonë. Kur panë që Koli do ta merrte mandatin, atëherë një pjesë e bandës u duk se po punonte për atë.

    Por ç’ndodhi? Sapo Sokol Olldashi u bë ministër i brendshëm i mori me fshesë të gjithë kriminelët e të dy pjesëve. Nuk pranoi të bëhet palë me ta. Goditi brenda vitit 40 banda kriminale të rritura në vezët e pararilindasve të Fatos Nanos.

    Në periudhën e Rilindjes, kreu i saj mori një qiri në dorë dhe kërkoi në çdo skutë për të zbuluar se cilët ishin kriminelët. Cilët ishin kapot e bandave dhe pjesëtarët më me ndikim të tyre. I mori ata në çetën e vet të Rilindjes. I bëri deputetë, kryetarë bashkie, ministra, drejtorë e gjithçka çfarë ata donin të bëheshin. U dha imunitet. U dha makina shtetërore me targa ministrash. U dha gjithashtu tabela “Policia”, për t’i vënë në xhamin e makinës. Dhe të gjitha këto lloj imunitetesh ishin me qëllim të kryenin lirshëm veprat kriminale, sidomos në trafikun e lëndëve narkotike.

    Në kohën e paraRilindjes janë bërë kontrolle në banesat e bandave kriminale. Por shumat e parave që janë gjetur ishin disa dhjetëra mijëra euro. Në kohën e fundit të Rilindjes janë mbushur tubat e aspiratorëve me euro, dollarë e stoli floriri. Madje në aspiratorët e shtëpive të pastrueseve. Një krimineli dje iu gjetën 3 milion euro kesh. Krejt rastësisht! Sepse shefi i krimeve në polici kishte harruar ta njoftonte “të shkretin” se do kontrollohej shtëpia e tij.

    Gjatë periudhës para Rilindjes euroja ishte e qëndrueshme. Kurrë nuk shkoi në disbalancën që është krijuar sot me rilindasit. Edhe çmimet e banesave ishin deri diku të qëndrueshme dhe përafruar me çmimet e tregut. Sot nuk ka më ekuilibër në vlerën e valutave. Nuk ka logjikë aritmetike dhe as metafizike të çmimeve të banesave. Sepse një kriminel i rëndomtë mban kesh 3 milion euro në banesën e tij. Ku do t’i çojë ai kaq shumë para? Do blejë 30 banesa me qëllim që t’i pastrojë ato?!

    Pra është shteti i Rilindjes që bashkëpunon me mafien dhe krimin, me bandat dhe grupet mafioze, ndaj dhe euro bie pikiatë dhe çmimet e apartamenteve shkojnë në stratosferë!

  • Nga Luçiano BOÇI – Derrkuci transgjinor i Tiranës

    Fëmijët dhe prindërit e shfaqjes së ofruar nga Bashkia e Tiranës u gjendën përballë një skene të pamenduar kur përpara tyre u zbulua pamja e një derrkuci transgjinor, i konfiguruar nudo.

    Nuk e di cili ka qenë reagimi i audiencës dhe aq më pak mund të parashikoj përgjigjet e prindërve ndaj pyetjeve kurioze të fëmijëve të tyre, por di që media jonë e famshme, ajo që ka ndikim në opinion, pse jo dhe edukim (pa zëvendësuar shkollën) e përcolli në heshtje si normalitet.

    Derrkuci transgjinor i Tiranës pati si pararendës Kllounin e kullës së sahatit në Elbasan, i cili i tregonte fundshpinën festuesve të ditës së verës. Këtu asgjë s’është e rastit.

    Reagimin e parë ndaj këtij perversiteti e lexova nga e mirënjohura Caslli.

    Guximi provokues i ideatorëve me agjenda të qarta të majta dhe apatia e publikut përballë këtij perversiteti, ndërkaq më kanë lënë pa fjalë.

    Provokatorët politikë majtistë, kanë kohë që investojnë në qëllimsinë e tyre për të devijuar perceptimin gjinor të shoqërisë. Shpesh si në rastin konkret e bëjnë në emër të artit (që nuk është aspak i tillë). Herë të tjera në emër të mosdiskriminimit dhe modernitetit.

    Dhe më pas akoma më keq, perversiteteve të tyre i japin formën e ligjeve për të imponuar standardin e tyre social me dhunë.

    Kjo ka kohë që ka nisur dhe shënjestra është familja, disintegrimi i saj nëpërmjet denatyrimit të konceptit gjinor të individëve dhe të vendit e rolit të anëtarëve brenda saj.

    Sulmi është i egër dhe i vazhdueshëm. Është politik, social dhe moral.

    Duan të thyejnë me çdo kusht konstitucionin tonë shpirtëror, tërësinë e atyre normave dhe rregullave të cilat kanë qenë mburoja jonë kryesore morale e shpirtërore që na ka mbajtur në këmbë përballë stuhive të kohës e historisë.

    Kjo agjendë ka autorët e saj pushtetarët e krenaristët e sotëm, të cilët madje e shohin këtë agjendë si mbështetësen kryesore, krahas të tjerave, nga ku buron dhe sundimi i tyre politik.

    Pasi shembën kolonat themelore të edukimit në arsimin parauniversitar, Rama me bashkiakët e tij e me stanin e rilindjes së tij,  iu sulën familjes me prindi 1, prindi 2 dhe me birësimet e deformuara.

    Po njëherazi duan të eliminojnë vlerën e mëmësisë me surrogacinë dhe tani promovojnë njeriun pa identitet gjinor, njeriun e transfiguruar në gjysma gjinish ose në mish-mash gjinish.

    Ky është ai njeriu i ri i dëshiruar i Rilindjes. Një njeri me mendje hermafrodite, pa identitet, pa ato vlerat e ndara  qartazi e të mbartura nga Zoti e natyra tek femra dhe mashkulli. Një njeri që nuk mendon, nuk reagon, nuk ka virtyte, ideale e ëndrra por vetëm një dimension fizik të përzier dhe të amullt që reflekton një gjendje psikike të dorëzuar e të nënshtruar përballë çdo të keqe, duke qenë vetë produkt dhe simbol i së keqes dhe i së shëmtuarës.

    Ky është projekti më kobzi që Rilindja e Ramës po realizon për atë që ai me pompozitet e lançon si Shqipëria e 2030-tës.

    Po publiku?!

    Publiku shpesh qesh, ose duartroket, me idenë profane se është në një shfaqe, pa llogaritur traumatizmin e moshave të vogla dhe thyerjet e atyre tabuve që mbajnë të shëndoshë raportet familjare e sociale.

    Perversiteti krijon gjithmonë kuriozitet dhe ilaritet në përballjen e parë, por efekti i tij le njollën e pashlyer tek fëmijët e njerëzit me dije të cunguar që e shohin atë si imponim kulturor dhe më pas e pranojnë si normalitet, duke ndikuar kësisoj në formën e të menduarit dhe të sjellurit të tyre.

    Perverisitete të këtilla minojnë dhe hedhin në erë ato rregulla të domosdoshme që kanalizojnë drejt ekuilibrit dhe zhvillimit një shoqëri normale.

    Përballë kësaj publiku duhet të reagojë.

    Zërat e Casllit apo të disa të tjerëve nuk mjaftojnë dhe nuk bëhet fjalë këtu për reagime shoqatash që mbrojnë vlerën e familjes.

    Derrkuci transgjinor i Rilindjes është një projekt politik që duhet shembur një orë e më parë.

    Shembja politike është shërimi nga kjo gjëmë që po pushton shoqërinë.

  • Nga Agron GJEKMARKAJ – ‘Diversiteti’ është një çati e madhe ku strehohen larmi idesh për një PD fituese!

    Nga Agron GJEKMARKAJ – ‘Diversiteti’ është një çati e madhe ku strehohen larmi idesh për një PD fituese!

    Një nga vlerat e shtuara të politikës shqiptare në këto 34 vjet liri është pas shumë ngjarjesh traumatike, bashkimi i PD në “diversitet”, një meritë kjo e të gjithë aktorëve politikë të kësaj force, por në veçanti e Sali Berishës dhe e Gazment Bardhit.

    Që nga ajo ditë, forca jonë politike fitoi seriozitetin e dëmtuar nga një mori rrethanash.

    “Diversiteti” është një çati e madhe ku strehohen një larmi idesh për një PD fituese dhe një opozitë më të fortë, e cila synim ka një qeveri ndryshe nga kjo e korruptuara, autokratikja e “teologjikja” rrethuar me skandale e Edi Ramës. Çfarë është kjo qeveri- mjafton të rrish para dyerve të SPAK-ut me një aparat në dorë ku sheh paraden e ministrave dhe kryebashkiakeve një nga një.

    Dikush mund të na akuzoje per dy standarte që e pranojmë punën e SPAK-ut kur godet qeverinë dhe e sulmojmë kur godet Sali Berishën. Duhet një shpjegim. Jam dëshmitar se si Sali Berishës iu kufizuan liritë pa miratimin e Kuvendit të Shqipërisë. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë, kjo e ekspozon SPAK-un për anësi politike!

    Çeshtja e hapur paçka se paditësi është Taulant Balla, ministri i brendshëm i PS, kërkon një proces të ndershem e të drejtë. Hetimi dhe procesi me çdo indicie të dhënë prej çdo kujt mund të fillojë. Por ndaj Sali Berishes nuk ka akuzë, nuk ka hetim, nuk u pyet Parlamenti, veç postfaktum për të rënduar masën si hakmarrje inatçore, dhe pse krejt e panevojshme!

    Kur kushtetuta dhunohet “ad hominem” per një person në ketë rast një personalitet me shumë simbolika, ajo është dhunuar për të gjithë dhe kjo e shnderron Sali Berishen në të burgosur politik.

    Tjetra anë që asnjëri nga personazhet e qeverisë nuk mund të barazohen me Sali Berishen i cili është Kryetari i PD dhe Lideri i Opozites per vullnet të qytetarëve. Po ashtu drejtues të tjerë opozitar në vitin elektoral janë nën presionin e perditshem të Spak-ut duke prishur “volens nolens” rregullat e lojes. Ndokush mendon që të thirrurit nga Spak janë “peshq të vegjel” një kartë elektorale që ta perdorë “peshku i madh”.

    Në teoritë e shumta konspirative që gelojnë në vendin tonë edhe kjo zë vend. Gjithsesi parada e pushtetarve në dyert e Spakut e ka rrezuar këtë qeveri moralisht dhe politikisht është detyra e Opozites ta bëjë! Që ta bëjë këtë ajo nuk duhet të dhurojë “spektakel” të vogël meskiniteti.

    Natyra njerzore e ka të veten ambicien një motor i madh energjie tek njeriu, xhelozinë e servilizmin po aq! Fenomene njerëzore janë por kur shnderrohen në debat publik dhe në aksioma politike ato e demtojnë një parti kaq të sulmuar siç është PD sot.

    Trupa politike e PD po leviz kudo nëper Shqiperi duke gjetur çdo ditë mbeshtetje gjithnjë e më të madhe. Njerëzit e kanë pritur bashkimin dhe duan ta forcojnë atë. Secili prej nesh u detyrohet atyre një ndjesë per dhimbjet, trazimet, zhgenjimet e plaget që ju kemi shkaktuar por mbi të gjitha duhet tu japim siguri se nuk ju shkaktojmë të tjera.

    Me keqardhje ditët e fundit ve re një deshirë per luftë klasore në PD, per gjetjen e “grupeve armiqesore”, per të ndarë “besniket” nga “opurtunistet”, per të kundervene militantet tanë të “varfer e të ndershem” ndaj deputetëve të “pasur e kodoshë” si në 1945, per të bërë një garë hipokrizie e servilizmi (si duket ndonje vetem kaq e ka vleren dhe fuqinë) ndaj Sali Berishes, të cilit nuk janë në gjendje ti japin asgjë për t’ja forcuar poziten dhe afruar lirinë me peshen e tyre publike e elektorale por duan ti marrin vemendjen per një kandidim hipotetik neser. Servilizmi është “Rosinanti” i tyre.

    Kushdo e di që ketë e bejnë 3-4 deputet brënda grupit dhe një aradhë e vogel jashtë tij për këtë arsye e të tjera si mundesia për të spikatur si sherbetorë sulmi, pa asnjë vlerë tjetër as njerëzore dhe as politike.

    Kesisoj shmanget beteja me Edi Ramen të cilin pas rezistences së Opozites 5 muaj në Kuvend, pas denoncimeve të forta të Gazment Bardhit dhe Belind Kelliçit, betejes në komisone hetimore të Salianjit e Vokshit me koleget e tjere, qarzësisht e kemi vënë në veshtersi të madhe!

    Ai është gati të paguaj që PD të prodhojë ngjarje të brëndshme, siç bëri dëmshëm në 2 vjet.

    Ne duhet ti ikim ketij tundimi meskin dhe këtë reagim publik e bej si thirrje alarmi. Koha është gjykatësi më i pameshirshem dhe ajo ecen me vrap. Po shkojme drejt zgjedhjeve në kushte të pabarabarta, maksimumi është detyra jonë, minimumi atentat ndaj vetvetes. Rihapja e konfliktit vetëasgjesim.

    Ne jemi parti e madhe me liderin të arrestuar, liria e të cilit është çeshtje e madhe principi!

    Ne jemi parti e madhe për të bindur shoqërinë të hipotekojë besim tek ne!

    Ne jemi parti e madhe për ti dhënë Shqiperisë ofertat më të mirat për ndryshim e fitore siç kemi bërë në 1992, 2005 apo 2009 ! Beteja jonë është me Edi Ramen dhe karvanin e tij!

    Ne mund ta mundim Edi Ramën me etiken e moralit, ne mund ta mundim në ide, ne mund ta mundim me njerez më cilesor duke hapur PD dhe jo duke e ngushtuar atë me debate të vogla shterpë, frut i inateve të çastit apo njerëzve që nuk prodhojnë gjë tjetër veç servilizmit , folklorit çapraz dhe skuthllëkut ezmer!

    Personalisht në një moment të jetes sime kur gjykova se aq sa kishim bërë por edhe duke mos bërë asgje po rrezikonim të asgjesonim PD-në dhe opoziten, një pergjegjësi kjo që do na ndiqte nga pas si mallkim brezash, kam dhënë dakortësinë time modeste per bashkim, duke i besuar Sali Berishes dhe duke respektuar vullnetin e shumices së demokrateve! Kam pranuar realitetin dhe lënë menjanë “luften civile”!

    Ama duke besuar veç instiktin politik të Sali Berishes , asnjë servil apo sherbetor dy lekesh tjetër!

    Ato i kemi njohur me kohë që nuk bëjnë asgjë, veçse zvarriten për të mbijetuar. Kush dëshiron të luftojë për PD, për Sali Berishën, për çdo demokrat në gjithë Shqipërinë, ka vetëm një rrugë: Të punojë 24 orë kundër Edi Ramës dhe për të forcuar e bërë më të madhe Partinë Demokratike e opozitën. Çdo gjë tjetër, i shërben vetëm atyre dhe çimenton pushtetin e Edi Ramës.Unifikimi po i zë frymen demokracisë shqiptare , diversiteti do e shpetojë atë!! Secili prej nesh është femijë i kohes në të cilen jeton!

  • Nga Kim MEHMETI – Piktori i përbuzi të gjithë votuesit e Kurtit!

    Edhe sikur të ishte rrugaç, e jo më Kryeministër i mëmëdheut, do çohej në këmbë që t’ia shtrinte dorën qoftë edhe një lypsari që i afrohet ta përshëndesë, e jo më Kryeministrit të Kosovës.

    Por Piktori nuk është rrugaç, e siç duket as Kryeministër, por vetëm një delirant që e shpërfaq mjerimin politikë të shqiptarisë.

    Dhe nëse e vëreni si është shtrirë në kolltuk, do mund ta lexoni pse nuk çohet dhe cilën porosi ua përcjellë votuesve të Kryeministrit të Kosovës – përçmimin!

    Pra nëse e vëreni kujdesshëm qëndrimin e tij përderisa i afrohet Kryeministri i Kosovës, do mund ta shpalosni se ai ndjehet si drejtues i një populli me elita pa ndërgjegje, andaj edhe nuk ka frikë që  paburrërinë e vetë ta shpallë si ves mbarë shqiptarë.

    Diku mes këtyre dy të vërtetave qëndron ajo më e dhimbshmja: ndaj Kryeministrit të Kosovës Piktori sillet siç nuk do sillej as një funksionar i Beogradit, mbase pse edhe ai, njësoj si gjithë burrështetasit serb, nuk mund ta imagjinojë se mund të ketë politikan të mençur dhe me dinjitet shqiptar nga Kosova, i cili do guxojë t’i kundërvihet Serbisë?!  

  • Nga Fatos LUBONJA – Rama si horr në Athinë

    Nga Fatos LUBONJA – Rama si horr në Athinë

    Shprehje “Nacionalizmi është streha e fundit e horrave” është e shumëcituar, por shpesh ka një keqkuptim në interpretimin e saj.

    Rëndom ajo përdoret, duke pasur parasysh krimet e mëdha që ka shkaktuar nacionalizmi në shekullin e XX – dy luftërat botërore, por edhe shumë luftëra e konflikte të tjera me bazë nacionale që kërcënojnë botën edhe sot, – për të akuzuar nacionalistët.

    Ky kontekst ka sjellë edhe dallimin konceptual midis termit “nacionalist” që përkufizohet nga disa si urrejtje për të tjerët dhe “patriot”, që përkufizohet si dashuri për vendin tënd.

    Keqkuptimi për të cilin e kam fjalën është se autori i shprehjes së mirënjohur, shkrimtari, poeti, linguisti i shquar anglez Samuel Johnson, e ka thënë këtë në një periudhë kur nacionalizmi nuk kishte lindur ende si ideologji. Madje, shprehja e saktë e përdorur prej tij është: “Patriotizmi është streha e fundit e horrave”, frazë që ia ka drejtuar më 1775 lordit William Piit duke e akuzuar për patriotizëm të rremë.

    Pra, shprehja e Johnsonit nuk kërkon të na thotë se patriotët apo nacionalistët në përgjithësi janë horra – temë kjo tjetër e një kohe tjetër – por se horrat, kur nuk u mbetet asnjë argument apo justifikim tjetër për të fshehur apo shpëlarë horrllëqet e tyre, hiqen sikur këto i kanë bërë apo bëjnë për patriotizëm.

    Në pamfletin e tij “Patrioti” ku kritikon patriotizmin e rremë, Johnson shkruan midis të tjerash se patriotizmi i vërtetë është “të qenit vazhdimisht vigjilent për të kapur çdo makinacion (që dëmton vendin) dhe për të shquar me largpamësi çdo rrezik publik”.

    Vizita e Ramës në Greqi duhet parë në optikën e kuptimit origjinal të shprehjes “Patriotizmi është streha e fundit e horrave”.

    Shqipëria sot po zien nga disa skandale që e kanë tronditur opinionin publik më shumë se kurrë gjatë viteve të fundit – si ai i inceneratorëve, ai 5D i Bashkisë së Tiranës apo edhe reportazhi investigativ i RAI 3 – që tregojnë se vendi qeveriset nga banditë të paskrupullt që e kanë shndërruar atë në një narkoshtet. Janë skandale që do ta shtynin çdo patriot të vërtetë – sipas kuptimit që i jep Johnson – të brengosej e të mendonte se ç’duhet bërë për të frenuar rrezikun që bart ky lloj banditizmi që ka shumë shenja se po çon në pastrimin etnik të shqiptarëve nga vendi i tyre.

    Fjalimi në Athinë/ Rama flet për racizmin grek dhe ligjin e luftës

    Ndërkaq, çfarë bën kryeministri i këtij vendi që, po të ishte një patriot i vërtetë, do të duhej të ishte më i alarmuari për faktin se i paska shpëtuar nga vigjilenca aktiviteti i banditëve rreth tij?

    E para, ai nxiton të mbajë brenda vendit një fjalim dyorësh me rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve nëpërmjet të cilit i thotë opinionit se ai nuk ka asnjë lidhje me këta njerëz e këto akte – ndërkohë që këta njerëz i ka vënë ai në postet e larta dhe aktet e tyre i ka mbështetur e aprovuar e promovuar ai vetë deri ditën që u zbuluan se ishin kriminale.

    Së dyti, nxiton të organizojë në një stadium në Greqi shpëlarjen në një banjë turme, me ujin dhe sapunin e një fjalimi patriotik dhe me shtupa flamujsh kuqezi, ndotjen e tij nga skandalet në Shqipëri.

    Së bashku me miklimin e ndjenjës së mburrjes kombëtare të shqiptarëve të cilëve u tha se nga shërbëtorë të të huajve, tani janë bërë bashkëzotër me grekët, të barabartë mes të barabartëve me popujt evropiane që deri dje i kanë trajtuar si inferiorë, ai u përpoq të demonstrojë atje, duke sjellë gjysmën e pjesëmarrësve me autobusë nga Shqipëria, se është një lider i dashur për shqiptarët dhe jo siç flasin qartë skandale e fundit, koka e një bande kriminale që u grabit shqiptarëve jo vetëm tokat, siç kanë bërë në Himarë e gjetkë, por edhe të ardhmen.

    Rama krahason emigrantët shqiptarë të 90’s në Greqi me çamët

    Këtë kamuflim të një “rreziku publik” në patriot, Samuel Johnsoni do ta quante ilustrimin më gjetur të thënies së tij. E vlefshme kjo edhe për të gjithë ata që e shoqëruan me këngë, valle, lavde dhe brohoritma në këtë kamuflim.

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Berisha është i lirë, ne jemi të burgosur

    Nga Basir ÇOLLAKU – Berisha është i lirë, ne jemi të burgosur

    Nuk e kanë me Sali Berishën, më së shumti e kanë me ne. Fuqia intelektuale, profesionale, politike, publike, diplomatike, mediatike, rajonale, miqësore, e Berishës, është pa konkurruese me pretendues e sfidues të shumtë, përkrah dhe përballë. Është normale të gabosh kur punon, sidomos kur kapërcen këdo në këtë përpjekje. Gabime ka bërë edhe ai. Madje disa nga gabimet, janë prodhimet partiake të Partisë së drejtuar nga Doktori, të kthyer në studentët më të dobët, e kundërshtarët fasonë.

    Përtej kësaj.

    Frika e Edi Ramës është Sali Berisha. Të tjerëve, ai ka dëshmuar se ua gjen pinin dhe i zbërthen sipas gërhimave të stomakut. Siç u kishte thënë ish ambasadorja Kim, Këshillit Amerikan të Ambasadorëve, na duhej një shembull të trembnim të tjerët. Absurd i ndodhur. Ndaj Rama me çetën u investua ekstremisht ta shpallë non grata. PD ra në reanimacion, në një vdekje klinike, pas zgjedhjeve dhe pas largimit që Basha i shtrënguar nga e shkuara e tij, bëri ndaj Berishës. Rama u rehatua dhe me qiraxhinj bënte kërdinë. Por Berisha ringriti PD prishi dasmat e krushqitë e pushtetit. Rama dha urdhër arresti. Gjeti një dosje ku fajtor ishte ai, Edi Rama, dhe e përdori për të arrestuar liderin e opozitës dhe dhëndërrin e tij. Jamarbër Malltezin, sepse mes mijëra qytetarësh mori ligjërisht pas 15 viteve, një pjesë milimetrike prone krahasuar me atë çka trashëgimia familjare i kish lënë. Gjyqtarë e Prokurorë partiakë të shantazhueshëm nga mëkatet e tyre shkelën çdo ligj kombëtar dhe ndërkombëtar. Mbanin veshëngrehur nga ambasadat dhe vendosnin sipas mesazheve. Njëlloj grabitën vulën dhe e mban Rama ta shesë rrugës. Ata po asgjësojnë opozitën reale. Duan pasardhës që thyhet nga Rama. Prodhuan drejtësi qejflie partnerësh.

    Tre emergjencat politike të PD

    1. Lirimin e Liderit
    2. Kthimin e vulës te anëtarësia shumicë duke bërë bashkë sa më shumë demokratë e opozitarë.
    3. Rrëzimin e Bandës mafioze kombëtare e ndërkombëtare të Edi Ramës.

    Berisha në foltoren e përnatshme nga banesa, ka bërë kallëzime e denoncime që të tjerë nuk munden ti bëjnë. Sepse ai është i lirë. Është i lirë për të denoncuar plane keqbërëse ndaj vendit e opozitës. Njoh shumë politikanë të lirë fizikisht gojëmbyllur. Bishtkrehës pushtetesh. Banorë të mejhanes së tenderave e lejes për të bërë para me hile. Kjo është rezistenca e madhe për të mos u arrestuar të gjithë ne. Ne jemi në masë arresti, Berisha jo. Ne qytetarët që po lartësojmë burgun tonë me gurët që na vë në kurriz Rama jemi të burgosur. Kur opozitarët të bëhen aq të lirë sa është Berisha edhe në masë arresti, por jo nga fb, atëherë do të nisë rënia e diktaturës së re. Ata opozitarë që presin lirinë ta fitojnë nga arresti i liderit, apo dhurata ndërkombëtarësh, janë rastësorë brenda karrigeve apo zarfeve.

  • 10 qytetet më të mira për pushime, vetëm: nga Turqia në Spanjë, ja kush janë destinacionet për të zbuluar

    10 qytetet më të mira për pushime, vetëm: nga Turqia në Spanjë, ja kush janë destinacionet për të zbuluar

    E thotë Bluepillow, një metamotor kërkues për apartamente dhe shtëpi pushimi me qira, i cili ka krijuar Travel Index only, Indeksin e Udhëtimit Vetëm, për të identifikuar 10 destinacionet më të mira evropiane për ata që duan lëvizin të vetëm

    Stambolli është qyteti më i mirë në Evropë për udhëtime vetëm. Kështu, indeksi ka marrë në konsideratë faktorë të ndryshëm, që nga kostoja mesatare e akomodimit dhe restoranteve, te niveli i sigurisë së qyteteve, e deri te tarifat e udhëtimit me transport publik dhe taksi.

    Në shkallën e sipërme të podiumit kryeqendra turke ka një rezultat prej 8.7 pikësh nga 10 maksimale, për shkak jo vetëm të restoranteve të lira (8.10 € për vakt për person) dhe çmimeve të ulëta të transportit lokal (0.30 € për biletë) dhe taksive (0,25 € për km), por edhe akomodim të përballueshëm (49 € nata).

    Në vend të dytë me 8,5 pikë renditet Varna, qytet bullgar me pamje nga Deti i Zi, i karakterizuar nga ambientet më të lira të akomodimit në listën e hartuar prej Bluepillow, me një tarifë mesatare 35 € nata, dhe nga kateringu i lirë, me çmime që variojne rreth €. 12 person.

    Në vend të tretë, me një indeks 7.1, kemi Faro, në Portugali, një destinacion që ofron taksi me çmim shumë të lirë (0.49 € për kilometër të udhëtuar) dhe shtëpi pushimi të përballueshme, me kosto mesatare rreth 50 € për natë.

    E mbyllin top 5-shen Krakovia në Poloni (7.05) dhe Bukureshti në Rumani (6.85), përkatësisht të leverdisshëm për restorante dhe shëtitje.

    Ndër 10 qytetet më të mira evropiane për udhëtarët vetëm, gjejmë sipas renditjes Pragën (Republika Çeke – 6,75), Kaunas (Lituani – 6,6), Budapesti (Hungari – 6,1) dhe Riga (Letoni – 5 ,4). Nëse kryeqyteti hungarez ofron restorante dhe transport publik me çmime të arsyeshme, kryeqyteti çek duket të jetë më i sigurti ndër destinacionet në renditje. Ndërsa, ajo që qyteti lituanez ka të përbashkët me atë letonez është çmimi i lirë i akomodimit, me tarifa mesatare që variojnë nga 47 euro në 54 euro për natë.

    Në fund të listës midis 10 qytetet më të mira të kësaj renditjeje speciale është Sevilja spanjolle, e vlerësuar 5.3, si rezultat i kostove të përballueshme për restorantet (15 euro), udhëtimet me taksi (0.97 euro për km) dhe udhëtimet me autobus, tramvaj. dhe metro (1,40 € për biletë).

  • E gjithë e vërteta për Nostradamusin, ana e errët për të cilën nuk flitet

    E gjithë e vërteta për Nostradamusin, ana e errët për të cilën nuk flitet

    Çfarë dini për njeriun që parashikoi të ardhmen?

    Nga profetët tek mistikët, tek fallxhorët etj. etj., prej mijëra vjetësh njerëzit kanë pretenduar se mund të parashikojnë të ardhmen. Megjithatë, është një njeri që ka fituar famë të veçantë përsa i përket parashikimeve të tij dhe ai është Nostradamus.

    Astrologu francez shkroi gati një mijë parashikime në librin e tij të vitit 1555 me titull “Profecitë”. Ky libër e bëri aq të famshëm sa përfundoi në oborrin francez. Dhe në shekujt pasardhës nga vdekja e tij, njerëzit i kanë atribuuar meritën e parashikimit me precizion të ngjarjeve kryesore historike, si Revolucioni Francez, ngritja e Adolf Hitlerit e madje edhe pandemia COVID-19.

    Edhe pse dinte aq shumë për botën në të cilën jetojmë, detajet e ndërlikuara të jetës së tij janë shumë më pak të njohura. Deri tani! Lëvizni më poshtë nëpër rreshta për të mësuar faktet më befasuese mbi parashikuesin më të famshëm të botës.

    Origjina – Nostradamus lindi më 14 dhjetor 1503 në jug të Francës, në Saint-Rémy-de-Provence. Ishte njëri prej nëntë fëmijëve të lindur nga Reynière de Saint-Rémy dhe i shoqi Jaume de Nostredame.

    Emri i latinizuar – Edhe pse e njohim vetëm me një emër, ai në fakt lindi si Michel de Nostredame. Nostradamus është forma latine e emrit të tij.

    Familja e tij ishte me origjinë hebreje – Nostradamus lindi në një familje hebreje që ishte konvertuar në t krishterë për shkak të tensioneve fetare. Gjyshi i tij, Guy de Gassonet, u konvertua në katolicizëm më 1455.

    E nisi jetën si tregtar -Nostradamus u martua pak më shumë se njëzet vjeç dhe u trajnua si mjek. Më pas hapi dyqanin e tij të barnave, ekuivalentin e farmacisë së sotme.

    Ofronte trajtime të ndryshme – Dyqani i Nostradamusit ofronte një sërë trajtimesh për klientët e sëmurë, si dhe ilaçe bimore dhe sheqerna.

    Zia – Besohet se Nostradamus nisi të parashikonte të ardhmen pas vdekjes tragjike të gruas dhe fëmijëve të tij për shkak të një epidemie murtajeje në Francë.

    Gjatë kësaj periudhe të vështirë, Nostradamus, i pikëlluar, filloi të shkruante parashikimet e tij. Filloi edhe të udhëtonte nëpër Evropë.

    Udhëtim i ri – Për më shumë se një dhjetëvjeçar përvetësoi ato që atëherë ishin ide të reja rreth okultizmit, nga misticizmi hebre e deri te teknikat astrologjike.

    “Profecitë” – Kur u kthye në Provenca, botoi të parën nga profecitë e tij më 1555 në atë që do të bëhej vepra e tij më e madhe, “Profecitë”. Libri përbëhej nga 942 parashikime.

    Fama e tij u përhap në shtypi – Falë shpikjes së shtypit, “Profecitë” e Nostradamusit u përhapën, duke e bërë të famshëm në të gjithë Evropën. Krahasuar me paraardhësit e tij, që bënin parashikime gojarisht ose përmes broshurave, Nostradamus përfitoi nga teknologjia e re e shtypit.

    Stili – Lexuesit u tërhoqën nga stili i tij unik; shkruante sikur vizionet i vinin direkt nga mendja e tij. Shkroi edhe në kuartina, vargje me katër rreshta me rimë, si edhe në disa gjuhë, ndër të cilat në greqisht, në latinisht dhe në frëngjishten e vjetër.

    Asnjë datë specifike – Një nga arsyet se përse parashikimet e Nostradamus vazhdojnë të magjepsin njerëzit ende edhe sot është sepse ato ishin gjithmonë të paqarta dhe nuk përfshinin kurrë data. Mundeshin, pra, të aplikoheshin në ngjarje të ndryshme dramatike përgjatë shekujve.

    Argumentet më të zakonshme – Nostradamus ka shkruar kryesisht për fatkeqësi, si tërmetet, urinë, sëmundjet dhe luftërat. Këto ishin të gjitha tema aktuale përgjatë jetës së tij, të cilat mund të shpjegojnë edhe parashikimet e paqarta.

    Mori patronazhin e Catherine de’ Medici – Fisnikja italiane Katerina de Medici ishte mbretëreshë e Francës midis viteve 1547 dhe 1559. Ishte supersticioze dhe pasi lexoi të gjithë veprën e Nostradamus e miri atë në oborrin francez.

    Vdekja e mbretit – Mbretëresha ishte e shqetësuar nga një parashikim i veçantë, vdekja e burrit të saj, mbretit Henri II të Francës. Kjo ngjarje ishte e para që Nostradamus parashikoi me sukses për të ardhmen, pasi ai e parashikoi vdekjen e Henrit tre vjet përpara se të ndodhte.

    Mbreti vdiq më 10 korrik 1559. Shtiza e kundërshtarit të tij u thye përmes përkrenares së tij, duke i shpuar sytë dhe fytin. Qëndroi gjallë për 10 ditë para se të vdiste nga infeksioni.

    Nostradamus kishte të drejtë – Kjo vdekje tragjike ishte në një linjë me rrëfimet e Nostradamus, i cili e kishte detajuar edhe vdekjen e gjatë dhe të dhimbshme të mbretit.

    Kishte frikë nga akuzat për magji – Origjina hebraike e Nostradamusit nënkuptonte se në një periudhë të rritjes së antisemitizmit, si nga ana e shteti francez ashtu edhe nga kisha, duhej të ishte i kujdesshëm pasi autoritetet vëzhgonin çdo lëvizje të tij.

    Gjuha e koduar – Duke iu frikësuar akuzave për ushtrim të magjisë, e dënueshme me vdekje, Nostradamus i shkroi parashikimet e tij duke përdorur një gjuhë të koduar.

    Nostradamus u akuzua për plagjiaturë – Në shekullin e 16-të, autorët kopjonin dhe parafrazonin shpesh vepra të tjera. Nostradamus ka parafrazuar profeci nga ‘Mirabilis liber’ (1522), e cila përmbante 24 citate biblike.

    Nostradamus ka parashikuar ngjarje të mëdha botërore – Nga Djegia e Madhe e Londrës e deri tek vrasja e JFK në Dallas, Nostradamus mendohet se ka parashikuar çdo ngjarje të madhe botërore.

    Ka parashikuar edhe se bota do të shkatërrohej më 1999 – Më 1999, stilisti franko-spanjoll Paco Rabanne i anuloi shfaqjet e tij në Paris sepse besonte se Nostradamus kishte profetizuar fundin e botës në korrik të atij viti. Asgjë nuk ndodhi.

    Procesi – Pas ardhjes së vizionet, Nostradamus do t’i kishte kodifikuar dhe interpretuar përmes intuitës dhe traditës mistike të Kabalës dhe astrologjisë.

    Rimartohet – Pas humbjes së familjes së tij nga murtaja, Nostradamus rimartohet sërish me një të ve të quajtur Anne Ponsarde, dhe së bashku ata patën gjashtë fëmijë. U vendosën në fshatin Salon-de-Provence.

    Nostradamus ka botuar edhe një libër gatimesh mjekësore – Nostradamus ka botuar edhe një libër gatimesh mjekësore të quajtur “Traité des fardemens” (1555). Përfshinte përgatitje kozmetike, ëmbëlsirash, reçelrash, madje edhe një ilaç dashurie.

    Nostradamus ka parashikuar edhe vdekjen e tij – Nostradamus vuante nga një sëmundje e rëndë e kockës së këmbëve që ia bënte shumë të vështirë lëvizjen. Një natë para se të vdiste më 1566, Nostradamus thuhet se i kishte thënë sekretarit të tij: “Nesër në agim nuk do të jem më këtu”. Të nesërmen në mëngjes, u gjet i vdekur pranë shtratit të tij në moshën 62-vjeçare.

  • Nga Enver BYTYÇI – Çfarë po fsheh Edi Rama përmes manifestimit “patriotik” në Athinë?!

    Atmosferë “patriotizmi” sot në Athinë. Shfaqja nis me këngën “Se në shekuj jam shqiptar” dhe shoqërohet me slloganin “krenar për Shqipërinë”! Titulli kryesor më i përhapur në mediet qeveritare është “Shqipet në Athinë”! Këngëtari shqiptar, Noizi, është në ekstazë, së bashku me shefin e tij shpirtëror, kryeministrin e Shqipërisë, Flaalatsi të Athinës. Këngë e valle pa fund! Ndërsa fjala e padishahut shqiptaro-greko-vlleho-turko-italiano-franko-serbo-rus është ajo që i ka bërë mijëra shqiptarë të ardhur shumica me autobuzë nga Shqipëria, të heshtin! Por e shoqëruar me ovacione patriotike që vijnë në vesh si valët e detit! Ndërsa ka skenarizuar skuqjen me flamuj në stadium, në fjalën e tij ironizoi pikërisht përdorimin e tyre!

    Nga ana tjetër Greqia tha se “jemi vend demokratik”! D.m.th nuk ka më fshesë, nuk ka më dajak, nuk ka më hakmarrje, nuk ka më urrejtje, nuk ka më armiqësi! Të duket sikur kemi krijuar një lloj konfederate të tipit që propozonte dikur Ismail Qemali, Shqipëri-Greqi! Gjithçka me regji të përsosur! Por e gjitha kjo më kujton vizitën e parë të Edi Ramës në Beograd në nëntor 2014, kur u luajt komedia “Provokacija”! “Patrioti i madh” Edi Rama u “dha ultimatum” serbëve në shtëpinë e vetË – “Njiheni Kosovën”! Dhe shqiptarët tanë të mësuar me “patriotizëm” flamujsh të periudhës së fundit të diktaturës komuniste, sa nuk dolën rrugëve të Kosovës e të Shqipërisë e të këndonin këngën “Dilni se na erdhi Edveri”!

    Patriotizmi është streha e fundit e horrave, kriminelëve dhe maskarenjve, ka thënë dikush. Por në rastin e Edi Ramës pas kësaj formule ka edhe diçka tjetër. Sa herë që ai bëhet “patriot” ka përgatitur një thikë pas shpine për Kosovën ose për Shqipërinë. Dhe kërkon që të eleminojë patriotët konsekuentë! Ky është edhe dallimi më i madh me patriotizmin e kohës së diktatorit Hoxha pas prishjes së tij me Kinën. Ndërsa një e përbashkët tjetër ka të bëjë me faktin tjetër se diktatorin shqiptar të periudhës së komunizmit e duartrokisnin njerëzit më të varfër të Europës, ndërsa pasardhësin e tij, liderin e sotëm global, e duartokasin në Athinë me qindra emigrantë shqiptarë që regjimi i Ramës vetë i dëboi nga atdheu i tyre! Në këtë kuptim nuk janë fajtorë vetëm autokratët e diktatorët, jemi ne fajtorët kryesorë që me dëshirë të madhe rendim pas mashtrimit!

    Fjalimi i Edi Ramës në Athinë ishte ndërtuar me tone harmonie me atmosferën nacionaliste të ideuar prej tij. Ndërkohë që fjalët ishin zgjedhur. Në fakt folësi me thinja “predikoi” bashkëpunimin shqiptaro-grek dhe luftë kundër nacionalizmit. Një fjalim ai në thelb e ftoi Greqinë për paqen e projektuar në shpallje të pavarësisë së Shqipërisë me krijimin e një feredate midis të dy vendeve. Fjalitë e tij që diferencojnë konceptin e popullit me konceptin e shtetit e konceptin e shtetit me atë të partive ishin ndoshta sinjali i asaj që e pret Shqipërinë pas këtij manifestimi patriotik. Pas “provokacias në Beogradin e vitit 2014 erdhën stuhi të shumta kundër Kosovës.

    Rama organizoi së bashku me Vuçiq ndarjen e saj, shuarjen e gjykatave për dënimin e krimeve të luftës, “harrimin” e genocidit serb në Kosovë, minishengenin dhe Open Balkan-in. Hartoi projektin e statutit të Komunave me Shumicë Serbe, si hap i parë i ndarjes së Kosovës. Lëvizi të gjithë gurët që kishte në dorë për ta realizuar projektin e Serbisë së Madhe në Kosovë e më gjerë. Por politikanët shqiptarë atdhetarë në Kosovë ia vunë kufijtë! Nuk e lanë të bëjë atë që donte! Më i zëshmi ishte dikur Ramush Haradinaj. Tani Rambo është tërheq dhe ia ka lënë bendin Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit!

    Çfarë pritet të ndodhë pas këtij manifestimi të sotëm? Do ta shohim! Megjithatë, kur kryeministri i Shqipërisë sulmoi patriotët e vërtetë në Shqipëri, duke i barazuar me organizatat vorioepirote në Greqi, e dha mesazhin e parapritës. Ai na tha se “Vetëm idetë e tij janë valide për shqiptarët. Nëse dikush do të kundërshtojë këto ide, atëherë ai bën herezi”! Ndaj dhe duhet të përgatitemi për një stuhi të re anti-shqiptare, nga ato që di të ngrejë në shkretëtirën e mendimit logjik e racional shqiptar, ai që kujton se bën diellin dhe shiun në qiellin shqiptar e përtej tij!