Blog

  • Nga Alfred LELA – Rezoluta e Ramës: 1604 fjalë dhe asnjë kuptim

    Nga Alfred LELA – Rezoluta e Ramës: 1604 fjalë dhe asnjë kuptim

    Në 1604 fjalë të tekstit të Rezolutës së grupit parlamentar socialist, lexo Edi Ramës, nuk gjendet as edhe njëherë për be fjala ‘zgjedhje’.

    Pikërisht te kjo kujë e ka varur komunikimin publik, me të drejtë, opozita e vendit që prihet nga Sali Berisha.

    Një tjetër kalë beteje i opozitës ka qenë dhe mbetet shpopullimi, ikja masive nga Shqipëria e rreth 1 milion shqiptarëve, duke iu referuar këtu statistikave që vijnë nga organizata të huaja, pa lidhje me opozitën apo verbin e saj politik.

    As kjo fjalë, në asnjë variant të saj-emigracion, ikje, eksod etj- nuk gjendet në projektrezolutë.

    Ndër fjalët që gjenden aty, kumbojnë fort të tillat si ‘reforma në drejtësi’, pandëshkueshmëria’, ‘integrimi europian’, ‘lufta kundër korrupsionit’, etj. Në çdo rast, megjithë fisnikërinë që bartin në pamje të parë apo në parim, këta janë terma të boshatisur nga kuptimi dhe e kanë humbur rëndesën pikërisht nga stërpërdorimi dhe mosrespektimi. Rama dhe qeveria e tij janë deficitarë në të gjitha: tejzagjatje e integrimit dhe parodizim i tij-“çelja” disa herë e negociatave dhe koncertet shoqëruese-, sidomos lufta kundër korrupsionit, kur përdoren nga një kryeministër dhe qeveri-me një record të pahasur më parë në historinë e Shqipërisë, janë një ironi e madhe.

    Pa njohur këto dy shtylla të ligjërimit opozitar, dhe kolona të rëna të funksionimit të shtetit dhe shëndetit të kombit, çdo rezolutë është një mashtrim. Fakti që si lejtmotiv i saj është zgjedhur “Shqipëria 2030”, një slogan që Rama e përdor prej disa kohësh për të transportuar në imagjinatën e publikut idenë se ai do të qeverisë deri në atë vit, përbën edhe një tallje.

    Projekti për rezolutë fton opozitën pa e njohur dhe pa e kuptuar atë, madje duke e shpërfillur. Është marramendëse të imagjinosh se si kandidatët e qeverisë fitojnë në bashki si Rrogozhina dhe Kukësi për shembull, në kundërshtim të plotë me logjikën. Në rastin e parë pasi ka fituar me kutinë e votive të burgut dhe me një diferencë të vogël, dhe në të dytin pas skandalit në zyrën e kryebashkiakut Gjici.

    Në manualet e politikës botërore nuk ka raste të tillë kur dikë e forcon një skandal apo shkelje, në vend që ta dobësojë.

    Më herët në kohë dosjet 184 dhe 339, dhe vetëm një vit më parë përfshirja e bandave të Shkodrës demonstrativisht në fabrikimin e një rezultati që i dha për herë të parë fitoren në kryeqendrën e Veriut PS, nuk spikasin në botëkuptimin e projektrezolutës.

    Mospërmendja e zgjedhjeve dhe nevojës që procesi elektoral të normalizohet dhe të dekriminalizohet, lë jashtë horizontit edhe qeverinë teknike-pse jo sipas modelit maqedon- të cilin Doktor Berisha e ka paraqitur si kërkesë prej muajsh tashmë.

    Siç nuk duket askund as hija e padrejtësisë ndaj shefit të opozitës. Gjyqi politik i Sali Berishës, përveç mungesës së provave dhe fakteve, është spërkatur me ndyrësi spektakolare, ku spikasin fort “avokatja kryesisht” e caktuar nga gjykata e cila, jo rastësisht por “kryesisht” ishte një enveriste me yll, apo Irena Gjoka, që shfaqej sa në toplistën e të angazhuarve të aplikacionit të PS “Aktivisti”, sa në dosjet non grata të autoriteteve greke, apo dhe deri në konfliktin e interesit që i siguronte shkarkimi nga Presidenti Berisha në mesvitet ‘90.

    Të gjitha këto qëmtime e bëjnë rezolutën e Ramës një dokument propagandistik dhe electoral, jo një përpjekje për ulje të tensionit, paqe sociale dhe politike; aq më pak një dokument që hap rrugën për integrimin europian apo që ngrihet kundër dezintegrimit kombëtar, çka është në fakt shpopullimi masiv.

    Fakti që Ambasada Amerikane e mori seriozisht projekt-rezolutën nuk e bën atë automatikisht një dokument serioz. Kjo mund të tregojë një dëshirë amerikane të kahershme për grand coalition, por nuk i përgjigjet realitetit, dhe aq më pak shpresës për normalitet dhe zgjidhje. Siç e thotë edhe një slogan i paradokohshëm i Partisë Demokratike “pa zgjedhje të lira, nuk ka zgjidhje”. Të gjithë ata që kanë në duar barutin e vrasjes së zgjedhjeve nuk mund të bëjnë katarsis të shumëfishtë pa filluar nga riinstalimi i një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor.

    Përndryshe, rezoluta në tentativë nuk është më shumë se një lëmsh me 1604 fjalë, një babel që nuk na çon as te marrëveshja dhe as te Zoti.

  • Nga Dardan MITROVICA – Jemi të gjithë paksa Scrooge McDuck: të gjithë të lidhur me paratë

    Nga Dardan MITROVICA – Jemi të gjithë paksa Scrooge McDuck: të gjithë të lidhur me paratë

    Themi gjithmonë se nuk janë të rëndësishme, por është një gënjeshtër: në realitet, të gjithë kemi një marrëdhënie emocionale me paratë dhe kemi frikë t’i humbim po aq sa kemi frikë nga dhimbjet fizike. E dëshmuar botërisht

    Imagjinoni të jeni në radhë në kasën e një qendre tregtare ku keni shkuar për të blerë një celular 60 euro. Takon një mik që të thotë se ka parë të njëjtin telefon në dyqanin ngjitur, por me çmim 50 euro. Çfarë bëni? Me shumë mundësi do ta lësh atë 60 dhe do të shkosh të blesh atë tjetrin që është më i lirë. Tani imagjinoni se jesh në të njëjtën kasë, por duke blerë një televizor për 1580 euro. Edhe në këtë rast takon një mik i cili ju thotë se në dyqanin tjetër i njëjti televizor shitet për 1570 euro. Ndoshta në këtë rast nuk do ta ndërrosh aparatin: në 60 euro, 10 të duken shumë, ndërsa në një produkt 1580 janë marrëzi, ndaj nuk ia vlen ta ndryshosh blerjen.

    Sa kushtojnë 10 euro?

    Al denaro tendiamo ad attribuire un valore relativo, che si colora dell’esperienza e delle emozioni che vi associamo. Che cosa si nasconde dietro i nostri conti quotidiani (Bur), a commento di questo stesso esempio con cui introduce la sua tesi. Siamo propensi a considerare (e a spendere) diversamente i soldi della tredicesima, quelli che troviamo a sorpresa nella tasca di una giacca smessa da tempo e quelli per i quali abbiamo sudato sette camicie.

    Parasë priremi t’i atribuojmë një vlerë relative, që ngjyroset nga eksperienca dhe nga emocionet që i bashkangjisim. Çfarë fshihet pas llogarive tona të përditshme (Bur), si koment i të të njëjtin shembull me të cilin prezanton tezën e tij. Jemi të prirur t’i konsiderojmë (dhe të shpenzojmë) ndryshe paratë e rrogës së trembëdhjetës, ato që i gjejmë papritur në xhepin e një xhakete të hedhur në ndonjë cep prej kohësh dhe për të cilët kemi djersitur shtatë këmisha.

    Dinamika të bazuara në besim

    Fenomeni është përshkruar që në vitet Nëntëdhjetë nga Richard Thaler, një ekonomist amerikan që ka teorizuar të ashtuquajturën financa të sjelljes. Një anatemë për teorinë ekonomike që mbështet, me të drejtë, tezën e këmbyeshmërisë së parasë: domethënë që 100 euro të fituara në llotari, 100 euro rrogë, 100 euro trashëgimi duhet të kenë të njëjtën vlerë. Llogaritjet e ekonomistëve në fakt janë teori, ndërsa jeta e përditshme është një gjë krejt tjetër: praktikisht, shumë dukuri ekonomike kushtëzohen nga mendja jonë. Nuk është rastësi që kriza përkeqësohet kur mass mediat na përsërisin vazhdimisht se jetojmë në recesion: dinamikat ekonomike bazohet në fakt në besim: paraja është një premtim që na mundëson të blejmë ose të bëjmë diçka në një kohë të mëvonshme.

    Na pëlqejnë njerëzit bujarë

    Për të demonstruar lidhjen midis perceptimit të parasë dhe besimit, është edhe një studim interesant më 2014, i cili ka zbuluar se se si instinktivisht ne u besojmë shumë pak koprracëve. Një eksperiment i kryer me 265 studentë të universiteteve angleze, rezultatet e të cilit, të publikuara në PlosOne, zbuluan se si subjektet që gjatë disa lojërave të bazuara në ndërveprime ekonomike ishin treguar më bujarë ishin po ata ndaj të cilëve të tjerët ishin të prirur t’i jepnin besim më të madh. Veprat e bujarisë, për sa kohë që janë spontane, perceptohen si sinjale pozitive që i shtyjnë ata që na rrethojnë të mbështeten tek ne, shpjegon artikulli.

    Emocionet të lashta

    Paraja është protagonist i marrëdhënieve njerëzore. Jep akses ndaj performancave të tjera dhe në këtë mënyrë na bën të lirë dhe të pavarur. Bëhet, pra, pjesë e sferës sonë intime. Për këtë arësye, kur kërkesat ekonomike të të tjerëve e shkelin, ndihemi të sulmuar personalisht. Aq sa, sipas një studimi amerikan, frika e humbjes së parave është e barabartë në trurin tonë me frikën që ndjejmë nga dhimbja fizike. Që mbi dhjetë – pesëmbëdhjetë vjet më parë, në fakt, disa shkencëtarë i patën vënë vullnetarët në një lojë kompjuterike, gjatë së cilës fitonin gjithmonë 59 dollarë. Menjëherë pas fitores, çdo subjekti i shfaqej një mesazh: në disa raste paralajmëroheshin se do të humbiste 6 dollarë, në të tjera se do t’i nënshtrohej një goditjeje elektrike në krah. Duke analizuar reagimet në trurin e subjekteve mëpërmjet rezonancës magnetike, studiuesit zbuluan se dy tipet e frikës aktivizonin të njëjtin rajon të trurit. Konkluzioni? Paraja ngjall tek ne emocione të lashta dhe të rrënjosura thellë.

    Një koncept abstrakt

    Sidoqoftë, paraja ka edhe një vlerë më konkrete: lehtëson marrëdhëniet ndërmjet individëve, duke e bërë shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve të matshme në mënyrë objektive dhe pa rrezikun e keqkuptimeve. Mirëpo sot, jemi dëshmitarë të një krize të këtij modeli tradicional të parasë. Tanimë është shumë e shkëputur nga ekonomia reale dhe është bërë qëllim në vetvete, një spekulim i pastër. As natyra gjithnjë e më jomateriale e shkëmbimeve monetare nuk i bën gjërat më të lehta: kartat e kreditit, kartat e debitit dhe home banking i kanë shndërruar paratë në një koncept gjithnjë e më abstrakt. Pasoja më e menjëhershme është se mungesa e fizicitetit na shtyn të shpenzojmë më shumë. Dhe në fund të fundit të humbim domethënien e vërtetë.

     “Të pasurit i kushtojnë pak rëndësi parasë”. E thotë shkenca

    Sa më shumë para të kemi, aq më pak rëndësi i kushtojmë parasë. E ka demonstruar një ekip studiuesish të Cambridge (MB) më 2007 nëpërmjet një studimi mbi këtë temë të botuar në Neuron. Philippe Tobler me kolegë rekrutuan 14 vullnetarë, disa më të pasur dhe të tjerë më pak të pasur, të cilëve iu treguan imazhe abstrakte në një ekran kompjuteri. Mirëpo midis imazheve, kishte disa që përfaqësonin një monedhë: sa herë që pjesëmarrësit shihnin një të tillë, ata duhej të shtypnin një buton, duke fituar për çdo herë nga një shumë të vogël. Duke i analizuar më pas subjektet me rezonancën manjetike të trurit, rezultoi se qendrat e trurit të lidhura me mekanizmin e shpërblimit, të vendosura në lëvizje nga fitimi i parave, ishin shumë më pak aktive te studentët e pasur sesa te ata me më pak para. Me fjalë të tjera, ata që kanë më pak para i vlerësojnë më shumë paratë.

    Pse fshihet çmimi mbi dhurata?

    Sepse konsiderohet si gjë e keqe të “fitosh” nëpërmjet një dhuratë. Konceptet e dhuratës dhe parasë janë shumë të largëta mes tyre. Të dhurosh diçka do të thotë të japësh më shumë sesa vlera ekonomike e objektit: do të thotë të ndash mendimet e tua për tjetrin. Megjithatë, kultura jonë nuk i përbuz aspak paratë, përkundrazi. Ky standard i dyfishtë, tipik për shoqërinë tonë ku të gjithë duan të pasurohen, por që lë shije të keqe po të flasësh në mënyrë eksplicite për paratë, është tipike për botën katolike. Ndërsa në etikën protestante, e ngritur në angazhimin personal, të pasurohesh nuk është mëkat. Këtu konsiderohet e pakëndshme të dhurosh para. Logjika e merkatos karakterizon shumicën e marrëdhënieve, ndaj për këtë arsye të japësh para do të thotë të heqësh dorë nga mirëqenia dhe mundësitë për sukses në jetë, dhe kjo është e sikletshme.

  • E pabesueshme! Shtëpi për vetëm 5 mijë euro? Ja ku mund ta blesh menjëherë

    E pabesueshme! Shtëpi për vetëm 5 mijë euro? Ja ku mund ta blesh menjëherë

    Sado e çuditshme të na duket, pranë nesh (madje shumë, shumë afër) ka shumë, shumë shtëpi që kushtojnë më pak nga se sa do të paguash për një motor. Për shembull, por është vetëm një nga shumë mundësitë, duke u konsultuar me faqe të ndryshme online që monitorojnë çmimet e pasurive të paluajtshme në Portugali, Greqi, Bullgari, Rumani, Poloni, Hungari, por edhe në Kroaci dhe në dhjetëra vende të tjera dhe vendndodhje shumë afër nesh, ka shtëpi që kushtojnë vetëm 10 mijë euro, të tjera 5 mijë. Ndonjëherë madje me çmime edhe më të ulëta.

    Natyrisht, bëhet fjalë për shtëpi që kanë nevojë për një minimum rinovimi, shtëpi të vjetra fermash, shtëpi në fshatra historike apo që janë të pabanuara prej kohësh, por që sidoqoftë mbeten mundësi të shkëlqyera. Edhe sikur të shpenzoheshin disa dhjetëra mijëra euro për rinovimin e një shtëpie që ka kushtuar 5 mijë euro, në fakt çmimi në fund fare do të rezultonte shumë i ulët. Dhe është kjo arsyeja se pse këto shtëpi, zakonisht, kur ofrohen në treg, shiten si ëmbëlsira.

    Ku mund të blesh një shtëpi për 5 mijë euro?

    Një faqe interneti ku mund të gjesh dhjetëra njoftime për shtëpi, kudo në të gjithë Evropën, me kosto shumë të ulëta, është Propertyunder20k. Mbledh njoftime për shumë shtëpi që, zakonisht, nuk hyjnë në reklamat e zakonshme të pasurive të paluajtshme, pikërisht sepse kërkojnë restaurime. Ka edhe një arsye tjetër: agjencitë imobilare fitojnë në përqindje të çmimeve të negociuara, dhe për këtë arsye i leverdis të punojnë me prona të shtrenjta, apo relativisht të shtrenjta, ndërsa shtëpitë që kushtojnë vetëm 5 mijë euro nuk sjellin pothuajse asnjë fitim.

    Ja se përpse këto prona janë sistematikisht “të padukshme” për blerësit potencialë, sepse askush nga ‘publicitarët’ nuk është i interesuar të merret me to. Megjithatë, në këtë mënyrë është e gjithë shoqëria, dhe komunat apo bashkitë që humbasin: shtëpitë vjetërihen vazhdimisht, përkeqësohen në gjendje dhe humbasin vlerën, qendrat historike shpopullohen dhe shtëpitë historike mbeten bosh e kështu me radhë. Ndërkohë që nevojitet të rikthehen në treg shtëpi dhe apartamente të cilat janë, përveçse plot me histori, edhe me interes të madh për shkak të çmimeve të tyre të ulëta.

  • Cilat janë pasaportat më të fuqishme në botë për 2024-ën

    Cilat janë pasaportat më të fuqishme në botë për 2024-ën

    Janë publikuar rezultatet e Henley Passport Index 2024, që bën renditjen e pasaportave më të fuqishme të planetit në ditët e sotme. Indeksi vjetor u krijua nga kompania londineze e konsulencës për qytetari dhe rezidencë globale Henley & Partners, duke përdorur të dhëna ekskluzive të International Air Transport Association. Janë plot 34 pasaportat e vendeve që zënë 10 vendet e para të listuara në këtë galeri. Jeni kuriozë të dini se në sa destinacione ju mundëson njëra prej këtyre pasaportave nëse e zotëroni?

    10. Islandeze

    Qytetarët islandezë kanë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 185 destinacione në mbarë botën.

    9. Letoneze

    Qytetarët letonezë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 186 destinacione në mbarë botën.

    9. Sllovake

    Qytetarët sllovakë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 186 destinacione në mbarë botën.

    9. Sllovene

    Qytetarët sllovenë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 186 destinacione në mbarë botën.

    8. Estone

    Qytetarët estonë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 187 destinacione në mbarë botën.

    8. Lituaneze

    Qytetarët e lituanezë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 187 destinacione në mbarë botën.

    7. Kanadeze

    Qytetarët kanadezë kanë akses pa viza ose me vizë në mbërritje në 188 destinacione në mbarë botën.

    7. Amerikane

    Qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 188 destinacione në mbarë botën.

    7. Hungareze

    Qytetarët hungarezë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 188 destinacione në mbarë botën.

    6. Australiane

    Qytetarët australianë kanë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 189 destinacione në mbarë botën.

    6. Neozelandeze

    Qytetarët e Zelandës së Re kanë akses pa viza ose me vizë në mbërritje në 189 destinacione në mbarë botën.

    6. Çeke

    Qytetarët e Republikës Çeke kanë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 189 destinacione në mbarë botën.

    6. Polake

    Qytetarët polakë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 189 destinacione në mbarë botën.

    5. Greke

    Qytetarët grekë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 190 destinacione në mbarë botën.

    5. Malteze

    Qytetarët e Maltës mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 190 destinacione në mbarë botën.

    5. Zvicerane

    Qytetarët zviceranë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 190 destinacione në mbarë botën.

    4. Britanike

    Qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar kanë akses pa viza ose me vizë në mbërritje në 191 destinacione në mbarë botën.

    4. Belge

    Qytetarët belgë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 191 destinacione në mbarë botën.

    4. Luksemburgeze

    Qytetarët e Luksemburgut mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 191 destinacione në mbarë botën.

    4. Norvegjeze

    Qytetarët norvegjezë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 191 destinacione në mbarë botën.

    4. Portugeze

    Qytetarët portugez mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 191 destinacione në mbarë botën.

    3. Irlandeze

    Qytetarët irlandezë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në mbërritje në 192 destinacione në mbarë botën.

    3. Holandeze

    Qytetarët holandezë kanë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 192 destinacione në mbarë botën.

    3. Austriake

    Qytetarët austriakë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 192 destinacione në mbarë botën.

    3. Daneze

    Qytetarët danezë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 192 destinacione në mbarë botën.

    2. Koreanojugore

    Qytetarët e Koresë së Jugut mund të kenë akses pa viza ose me vizë në mbërritje në 192 destinacione në mbarë botën.

    2. Finlandeze

    Qytetarët finlandezë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 193 destinacione në mbarë botën.

    2. Suedeze

    Qytetarët suedezë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 193 destinacione në mbarë botën.

    Këtë vit, nje numër i paprecedentë vendesh ndajnë vendin e parë për dokumentet më të fuqishme të udhëtimit.

    1. Franceze

    Qytetarët francezë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 194 destinacione në mbarë botën.

    1. Gjermane

    Qytetarët gjermanë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 194 destinacione në mbarë botën.

    1. Italiane

    Qytetarët italianë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 194 destinacione në mbarë botën.

    1. Japoneze

    Qytetarët japonezë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 194 destinacione në mbarë botën.

    1. Singaporiane

    Qytetarët e Singaporit mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 194 destinacione në mbarë botën.

    1. Spanjolle

    Qytetarët spanjollë mund të kenë akses pa viza ose me vizë në momentin e mbërritjes në 194 destinacione në mbarë botën.

    Burimi: (Henley & Partners)

  • Makinat më të shpejta në botë: top 10-shja e pabesueshme

    Makinat më të shpejta në botë: top 10-shja e pabesueshme

    Çështja është gjithmonë e debatueshme: kush është makina më e shpejtë në botë. Emrat ndryshojnë herë pas here, mes makinash ekzotike dhe klasikesh të mëdha. Por, e vërteta, është se universi i katërrrotëshave nuk ndalet dhe klasifikimi përditësohet shpesh dhe me dëshirë, falë prodhuesve që kanë vetëm një objektiv: të jenë më të shpejtë nga të gjithë. Tani, le t’i shohim së bashku se cilat janë 10 makinat më të shpejta në planet.

    10 – Koenigsegg Gemera

    Koenigsegg Gemera, një bishë hibride plug-in me fuqinë e jashtëzakonshme prej 1700 KV dhe 3500 Nm, që arrin shpejtësinë maksimale prej 400 km/h dhe kap një rekord në arritjen e kësaj shpejtësie nga 0 në 100 km/h: vetëm 1.9 sekonda . Tashmë pragu prej katërqindësh në orë nuk duket më një pengesë e pakapërcyeshme. Për më tepër, falë ndarjes së tij të elektrifikuar, arrin të udhëtojë 50 km në vetëm modalitetin 100% elektrike.

    9 – Aston Martin Valkyrie

    Emër i fortë, pamje ekstreme dhe performancë ulëritësi. Është kjo sinteza perfekte e Aston Martin Valkyrie, një hypercar e aftë për të arritur performanca të jashtëzakonshme. Merita i shkon për shkak të powetrain-it të tij prej 1160 KV fuqi që ia arrin ta shtyjë makinën britanike në një shpejtësi maksimale prej 403 km/h, ndërsa shpejtësia maksimale nga e ndaluar në 100 km/h regjistrohet në 2.5 sekonda. Tronditëse!

    8 – McLaren Speedtail

    McLaren Speedtail, edhe pse vitet kalojnë, mbetet qëndrueshëm në top dhjetëshen e makinave më të shpejta. Supermakina e Madhërisë së Tij është një xhevahir teknik, falë motorit të tij dyturbosh prej 4.0 litrash me 1036 KV, që i mundëson të arrijë shpejtësinë maksimale prej 403 km/h. Për shkak të vjetërsi po i japim vendin e tetë, edhe pse ndan të njejtin rezultat me Valkyrie. Shpejtësia maksimale nga 0 në 100 km/h arrihet për 2,9 sekonda.

    7 – Rimac Nevera

    Është impresionuese të zbulosh se Rimac Nevera, një nga makinat më ekstreme në planet, është vetëm në vendin e shtatë në këtë renditje ekskluzive. Shpejtësia e saj maksimale, në fakt, “ndalet” në 415 km/h, duke shfrytëzuar maksimalisht potencialin e motorit të saj elektrik 1914 KV. Megjithatë, shpejtësia maksimale e arritur është rekord: 0-100 km/h në vetëm 1,8 sekonda.

    6 – Bugatti Veyron Super Sport

    Një tjetër lavdi e vjetër që mbrohet më së miri. Bugatti Veyron Super Sport i ka bërë të ëndërrojnë njerëzit dhe për një kohë të gjatë ka qenë përpara të gjithëve, në shkallën më të lartë të shpejtësisë. Motori mbresëlënës W16 prej 1200 KV e çon këtë hypercar ëndrrash në një shpejtësi maksimale prej 431 km/h, me një sprint nga vendi në 100 km/h për 2.9 sekonda.

    5 – SSC Tuatara

    Motori i SSC Tuatara është një 5.9 litërsh V8 biturbo flat-plane prej 1350 CV. Me specifika të tilla, rezultatet nuk mund të jenë tjetër veçse befasuese: me shpejtësi maksimale 455 km/h dhe 0-100 km/h në 2,5 sekonda. Fatkeqësisht për të, ka nga ato makina që mund të bëjnë më mirë. Vështirë të besohet, por kështu është.

    4 – Bugatti Chiron Super Sport 300+

    Bugatti është një markë veçanërisht e vëmendshme ndaj shpejtësisë për të arritur dhe për të vendosur disa rekorde të rëndësishme. Me Chiron Super Sport 300+, objektivat e saj janë për të shkuar në më shumë se 300 milje në orë. Një rezultat i arritur në mënyrë të admirueshme, sepse kjo makinë prej 1600 KV, me një një 8.0 biturbo W16, shkon deri në 490 km/h. Shpejtësinë e plotë e arrin nga 0 në 100 në 2.3 sekonda.

    3 – Bugatti Bolide

    Renditje që ngrihet, Bugatti që gjeni. Medalja e bronztë për makinat më të shpejta në botë shkon te Bugatti Bolide, një emër që i thotë të gjitha. Motori është prej 8.0 litra W16 këtë herë në 1825 KV, që shërbejnë për të arritur pragun fatal prej 499 km/h shpejtësi maksimale. Mëkat që për atë vetëm një kilometër në orë që nuk hyn në klubin e 500-shit.

    2 – Hennessey Venom F5

    Është, në fakt, makina e dytë në këtë klasifikim që arrin shpejtësinë maksimale prej 500 km/h. Po flasim për Hennessey Venom F5 të mprehtë dhe ekstrem, që falë një karrocerie të studiuar për të prerë ajrin mund të tregojë performancë kaq të shkëlqyer. Pa i hequr asgjë motorit V8 6.6 litra Fury biturbo prej 1.842 KV.

    1 – Koenigsegg Jesko Absolut

    Ja pra kujt i përket titulli i mbretëreshës së shpejtësisë: Koenigsegg Jesko Absolut. I vetmi objekt i pajisur me katër rrota për të arritur shpejtësinë maksimale prej 530 km/h, diçka mbresëlënëse. Motori V8 biturbo prej 5.0 litri që shpërndan 1280 KV duke përdorur benzinë standard e 1600 KV me biocarburante E85. Një objekt i jashtëzakonshëm, ekstrem edhe në pamjen e tij me shtojca të shumta aerodinamike që e bëjnë të ngjajë si një anije kozmike. Dhe, duke parë nga afër rezultatet, ndoshta është po aq i shpejtë sa një Enterprise e Star Trek. Një mrekulli e teknikës!

  • Nga Agim XHAFKA – PS si çingije e Ramës

    Ka muaj e muaj që krejt shoqëria flet çdo ditë për vjedhjet e mëdha qeveritare. Që nga 1 miliard eurot në vit sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit e deri te inceneratorët qindra milionë euro që nuk u duket as nami e as nishani edhe po ngrite në hava dron fotografik. Se satelitët e Ramës filmojnë qartë veç se sa pjesëmarrës ka në grumbullimet e demokratëve. Për kaq i paguajmë qira Erdoganit.

    Nuk po flas për pasivitetin popullor nga që popullata aktive thuajse e ka abandonuar atdheun. Nuk e kam fjalën për egërsi në protesta nga që Rama e ka privatizuar policinë dhe mjerë ai njeri që hyn në dorën e tyre xhahile. As për revoltë pensionistësh nuk po flas. Ata e dinë lëmoshën që marrin, por tulaten se fëmijët nëpër glob rropaten që të rrijë e qetë qeveria për këtë kategori të përvuajtur.

    Fjalën e kam për vetë Partinë Socialiste. Për dhjetëra e dhjetëra mijëra njerëz të thjeshtë që kanë mbyllur sy e veshë para shkërmoqjes së vendit tonë. Para eksodit që si hemorragji e egër nuk ndalet, para ekonomisë që ka kohë në greminë, para bujqësisë që u varros dhe ende nuk po e mbulojnë. E kanë lënë gropë hapur. Para rritjes galopante të importit dhe fikjes së eksporteve shqiptare. Para privatizimit të buxhetit të shtetit që ndahet jo për shërbime ndaj popullit, por për fitime të shokëve.

    Të gjitha këto ndodhin në sy të socialistëve,ditën për diell. Të atyre socialistëve të thjeshtë e atyre me poste. E të gjithë si Pandeli Majko heshtin. Paskan operuar masivisht gojët, mendjet, sytë, revoltën, protestën.

    Ndërkohë kryeministri bën çfarë i do kokrra e qejfit. Ato që i thotë mendja e ato që sheh në ëndrra. Ndan pasuritë tona si me qenë në arat e të atit. Fut hundët te gjyqësori dhe dënon me burg p.sh një fshatar për një çati e nuk dënon kryebashkiakë që gëlltitin qindra miliona euro. PS hesht. Madje më keq. Firmos që çdo grabitje e klikës të bëhet me ligj. Si Enveri që bënte ligje për internime e pushkatime. Ky Enveri i gjallë bën ligje për përvetësim e tjetërsim pronash, për dhënie pasurie kujt t’ia dojë kokrra e qejfit.

    Ndaj PS ka kohë që është bërë çingija e Ramës. Ajo vishet e ç’vishet sipas dëshirës së kryeministrit. Nuk bën as gëk, as mëk. Një përulësi neveritëse.

    Të merr malli për atë PS që kishte debate çdo ditë. Që në gjirin e vet kishte Doklen, Mejdanin, Ermelinda Meksin, Hajdaragën… Që Majko i atëhershëm qeshte, por dhe bërtiste e kundërshtonte. Që Braçe nuk fliste veç për trangullin, por ulërinte kundër trangujve në qeverinë e atëhershme. Që Nano nuk fliste dy orë pa lëvizur miza se lëvizte krejt partia që ta mbronte, që ta nderonte, por dhe ta dënonte dhe me të të debatonte.

    Sot PS si shkollë shurdhmemecësh. Që Rama si drejtor u ka mësuar heshtjen, përuljen dhe nënshtrimin. Kaq është degraduar sa dhe fjala çingije për të është fjalë poetike. I shkon më shumë një epitet më i rëndë,një më i zi, më përbuzës. Se kjo parti në pushtet ka përgjegjësinë e krejt të këqijave dhe mynxyrave që na ndodhin e do të na ndodhin. E po heshti më gjatë do themi pas ca vitesh:

    -Na ishte dikur një Shqipëri në këto troje…

  • Nga Luçiano BOÇI – Anulimi i fjalës

    Shqipëria renditet e fundit për sa i takon lirisë  së medias në rajon. Asgjë nuk është e rastit. Sirenat e alarmit kanë kohë që kanë rënë, por megjithatë liria e medias ka bërë hapa gjithnjë  më shumë pas në këto vite. Sulmet ndaj gazetarëve dhe programeve e mediave kritike të pushtetit kanë qenë një refren e zakonshëm i mjedisit mediatiko-politik.

    Gjithçka ka ecur në sinkron me zhbjerrjen e demokracisë në tërësi dhe shkarjen gjithnjë e më shumë të vendit në një autokraci politiko-kriminale.

    Sulmet ndaj fjalës së lirë dhe gazetarëve të lirë kanë njohur disa rrafshe. Si rrafshin e iniciativave ligjore, siç ishte ligji për shpifjen, për t’i vënë pranga fjalës, ashtu dhe rrafshin e censurës së diktuar e aplikuar rëndom në media e ndër gazetarë, si edhe atë të miklim-kërcënimeve direkte në adresë të mediave (sidomos online) e gazetarëve të bëra nga njerëz me pushtet administrativ e politik, ku përfshihet rëndom kryeministri dhe së fundmi kryebashkiaku në pikëpyetje i Tiranës.

    Pa harruar sistemin e ngritur si një rivalitet i kohës sonë absurde midis Ramës e Veliajt, për të blerë sa më shumë media e gazetarë pranë vetës.

    E gjitha kjo ka ndërtuar në vendin tonë kulturën e anulimit të fjalës, e cila konsiderohet malinje për sistemin demokratik, por shumë fitimprurëse për qeverinë e sundimin e saj politik. Rastet Telnisit me kërcënime jete, Ambrozias me agresion nga Rama, Isait me email-e shantazhimi, Xamas e Hoxhës me mesazhe e telefonata nga basifondet e burgjeve, nuk janë të vetmet.

    Ato i bashkohen qindra rasteve të tjerave të shoqëruara me shkarkime, lëvizje, me etiketime, përbuzje nga superiorët, censorët e komanduar apo pronarët e blerë,  raste që e kanë tulatur median, e kanë transformuar atë dhe distanca midis fjalës dhe së vërtetës sot është më e madhe se kurrë.

    Shto këtu ngritjen e institucioneve të censurës që marrin komandë nga drejtoria e informimit pranë kryeministrisë e cila është bërë omnipotente dhe dikton shumë politika editoriale në mediat më të shikueshme shqiptare.

    Parë në këtë optikë reagimet e fundit të Veliajt ndaj gazetarëve kritikë të tij të pafutur ende në thesin e interesave, nuk ishin një rrufe në qiell të pastër. Është kjo kulturë e anulimit e kthyer në normalitet që e bën atë dhe të tjerë të sillen me fjalën e gazetarët në formën më të shëmtuar të mundshme.

    Veliaj s’kishte si të bënte ndryshe nga Rama, i cili vetëm pak ditë më parë me arrogancën e tij të bërë rregull ndaj gazetarëve kishte përcjellë mentalitetin e tij harbut ndaj kritizerëve përtej Adriatikut kur iu gërmush drejtuesit të RAI-t për emision e tij zbulues të së vërtetave ulëritëse të realitetit shqiptar. Madje historia politike e Ramës është njëherazi një histori e një marrëdhënie pothuaj kriminale me median, histori e cila ka dy pamje.

    Ka pamjen e një krimi të bukur, shumë të mirëpranuar tek ne si diçka që s’ka pse mos të ndodhë, sepse me interesa dhe reklama ka futur në xhep një pjesë të madhe mediash e emisionesh. Dhe nga ana tjetër ka pamjen e një krimi klasik me shantazhe, bllokimi reklame, gjobvënie, sulme e intimidime personale ndaj gazetarëve cilësorë. Dhe këtë krim me dy pamje më mirë se e zbuloi Veliaj nuk mund ta bënte askush teksa sulmonte me gjuhë të papranueshme ato gazetarë që nuk ishin pjesë e plotësimit të interesave.

    Por kjo kulturë e anulimit të fjalës është akoma më e thellë dhe ka një përshfaqje akoma më hipokrite. Nuk është vetëm censura e përftuar në shumë forma si pengesë e transmetimit të fjalës dhe autocensura ato që kanë rrëzuar fjalën e lirë në Shqipëri. Censura nuk realizohet më vetëm si pengesë si dikur, por realizohet tashmë dhe si inflacion, duke synuar defaktorizimin e së vërtetës dhe realitetit dhe duke sjellë para publikut një realitet fals.

    Dhe kjo është mënyra më e poshtër e shembjes së lirisë së fjalës. E gjithë kjo skemë moderne  e zhvlerësimit të së vërtetës me anë të inflacionit të fjalës dhe dezinformimit realizohet nga pjesa shërbëtore e medias pushtetit që dominon sot teatrin mediatik dhe  ka në objektiv dy targete: luftën ndaj opozitës politike dhe glorifikimin e sundimit politik të mazhorancës.

    Është ky teatër mediatik që tërheq në vorbullën e tij shumë financa me burime të dyshimta, që deformon informimin e komunikimin publik dhe përcjelle imazhet e rreme.

    Ndërkohë solidariteti i komuniteti gazetaresk është rrudhur në mënyrë dramatike dhe mbrojta ndaj tyre pothuaj është në nivelin zero, pavarësisht zërave të sinqertë të disa të rinjve gazetarë pasionantë të së vërtetës dhe të fjalës.

    Nën këtë optikë figurat që dominojnë sot pushtetin në Shqipëri Rama-Veliaj nuk janë figura reale, por thjesht projeksione mediatike që i janë servirur publikut jashtë të vërtetave tronditëse.

    Zbulimi progresiv i së vërtetave të tyre politike po zhvesh jo vetëm propagandën, dezinformimin, inflacionin, piramidën e interesave media-politike, por dhe është një korridor drite për rikthimin, në një të ardhme të afërt të ndryshme politike, e lirisë së medias në shtratin natyral të saj, si një nga kolonat themelore dhe gardiane e vlerave demokratike.

  • Nga Basir ÇOLLAKU – SPAK e di, te Rama shkohet nga rruga Veliaj & Co

    Nga Basir ÇOLLAKU – SPAK e di, te Rama shkohet nga rruga Veliaj & Co

    Sa më thellë të gërmosh, aq më shumë hajdutëri do të zbulosh. Kjo po ndodh në qeveri, bashki, agjenci, Rama mendon se duke e hequr nga një foto e heq veten nga bashkëvjedhja me bashkiakun e Tiranës.

    Erion Veliaj dhe Edi Rama janë në të njëjtën organizatë kriminale.

    Disa nga dosjet e mëdha:

    -Inceneratorët. Një skemë piramidale mashtrimi me kosto mbi 430 milionë euro. Një djegës fantazmë nuk gjendet askund. Për të jepen ende 80 mijë euro në ditë. Arben Ahmetaj ish-zëvëndësRama ka pohuar se pronar faktik i këtij biznesi është Erion Veliaj.

    -Eco Tirana. Ortakja në Itali në lidhje të forta me Ndrangheta. Atje ka arrestime dhe sekuestrime të shumta.

    -Teatri Kombëtar. Nuk zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për paligjshmërinë e veprimeve të kryebashkiakut të Tiranës.

    -Vrasja e Ardit Gjoklajt.

    -Pemët. Çmbjellja e pemëve, heqja e palmave ndonëse kishin kushtuar 1500 euro copa dhe zëvëndësimi me pisha, deri në 6,3 milionë lekë një fidan. Propoganda për 1 milionë pemë të mbjella është një hetim i munguar.

    -Kullat si porosi e Ndrangheta. Nga antimafia italiane në vitin 2020 vjen një dosje me përgjime të kulluara. Mafiozët e përtej detit kishin gjetur garancitë nga drejtori i afërt i Veliajt dhe lejet e ndërtimit ishin premtuar. Në Itali u arrestuan disa të pandehur dhe sekuestruan asete. Ndërsa në Tiranë SPAK ka hyrë në vitin e 5-të të heshtjes. Në zyrën e urbanistikës në Bashkinë e Tiranës për shumë vitr drejtonte Joni Baboçi dhëndërri i ish-ministrit Fatmir Xhafa. Ai u “vetëlargua” në kohën kur nisi SPAK të vizitonte bashkinë.

    -Kompania bashkiake e rindërtimit DC. Në këto vite, nga krijimi ka nbi tre milionë euro humbje, si kosto pagesash e shërbime të padobishme. Si një çerdhe elektorale me para publike.

    -Asfaltet dhe tenderat elektoralë. Janë shumë rrugë në lagjet e Tiranës të tenderuara pasi kryheshin punimet nga punëtorë të bashkisë dhe paratë rrëshkisnin në llogaritë e firmave financuese të votëblerjes së Veliajt.

    -Super 5D. Tre drejtorë në qeli e gjashtë të tjetë në hetim. Tusha, Molla, Qato, ekipi bashkëgrabitës i Veliajt. Vëllezër e familjarë të tyre me invedtime dhjetëra milionë euro hotele e pallate me paratë publike të plaçkitura si një genocid. Do të duhet të vijohet me ujësjellsin, një pusetë thithëse shpërdoruese parave e taksave, ndonëse u dogj një arkiv shkresash kohë më parë.

    Të gjitha dosjet kanë qenë si enë komunikuese të qarkullim-përfitimit të parave me regji drejtorësh dhe afërmendsh shefit të tyre.

    Të lësh Erion Veliajn ende në zyrë dhe jo qeli është tregues varësie. Veliaj është rruga drejt Ramës. Njëlloj si Tahiri, Ahmetaj, Beqja, Xhaçka, Koka, Gjiknuri, Charles McGonigal, Balla Taulant, Xhafa Fatmir, Engjëll Agaçi, Dako Vangjush, e plot të tjerë. Asgjë në marrjen e miliona eurove nuk është bërë fshehtas kryeministrit dhe bashkiakut. Ka një pafundësi tmerresh e katrahure.

    Varet se kush ka lënë gjurnë më tepër.

  • Ja ku mund jetosh në luks me më pak se një mijë euro në muaj

    Ja ku mund jetosh në luks me më pak se një mijë euro në muaj

    Vende në botë ku mund të jetosh rehat me rreth një mijë euro në muaj  janë të shumtë. Pjesa më e madhe e tyre në Azinë Qendrore, Afrikë, në Evropën Lindore, Amerikën Jugore dhe Qendrore. Që do të thotë qindra qytete e krahina, zona malore dhe bregdetare, të gjitha ku me një mijë euro mund të bësh një jetë komode e pa shumë shqetësime. Por duke u thelluar dhe duke u përqëndruar pak më shumë në kontinentin tonë, në atë europian pra, ku janë ato vende ku mund të jetosh mirë me vetëm një mijë euro në muaj?

    Për t’iu përgjigjur pyetjes është më mirë të përqëndrohemi në tre pjesë të mëdha të Evropës: lindja, juglindja dhe jugperëndimi. E gjitha pra në zonën ballkanike, në Itali, Spanjë, Portugali, Greqi dhe Turqinë veriore, por edhe në republikat baltike, Poloni, Çeki, Sllovaki, Hungari dhe Bullgari. Deri në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Qipro.

    Evropa Lindore është padyshim një nga zonat më të bukura evropiane, më të afërta dhe komode ku mund të jetosh me mirë dhe me pak të ardhura. Po flasim për qytete si Krakovia, Zagrebi, Sofja, por edhe Praga. Të gjitha qytete me një trashëgimi kulturore të jashtëzakonshme, me muze, parqe dhe zona me vlera të mëdha. Dhe ku me shifra që shkojnë nga 900 deri në një mijë euro në muaj mund të bësh një jetë vërtet shumë komode.

    Vendet ku njerëzit jetojnë me shumë pak para

    Mali i Zi apo Portugali? Rumani apo Estoni? Italia jugore apo Spanja jugore? Ndoshta Sicili a ndoshta Qipro? Zona ku mund të jetosh me pak në Evropë ka shumë, dhe kanë qira mjaft të përballueshme (edhe më më pak se 300 euro), apartamente të bollshme, një klimë të butë, kuzhinë të lirë e të shijshme, për të mos përmendur një nivel të lartë sigurie dhe oferta burokratike të lehtësuara dhe ndihma të tjera. Janë zgjidhje ideale për ata që janë në pension, për ata që udhëtojnë për periudha të gjata por edhe për të gjithë ata që punojnë në distancë.

  • Nga Kim MEHMETI – Aty ku pushtetarët vjedhin, shteti u takon hajdutëve!

    Rasti i Lali Erit dhe orvatja e tij që prokurorët t’i shpallë kolegë e gazetarët armiq, shpërfaq të vërtetën se pushtetarët e fajshëm janë të mirësjellshëm, e madje edhe bamirës, por vetëm përderisa veprojnë të papenguar. Dhe se i kthehen origjinës dhe rrugaçërisë sapo i zbulojnë se nuk janë të atillë siç tregohen.

    Pastaj, rasti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës shpalosi të vërtetën se hajdutëria e politikanëve do ishte e pamundur nëse ata nuk do kishin mbulesën mediatike dhe përkrahjen e elitave që majmen e ushqehen nga hajdutëria e tyre.

    Dhe Lali Eri dhe hajnat e tij tregojnë se pse shqiptarët ndjeheshin si popull pa atdhe, e hajdutët e kudondodhur të shqiptarisë mburreshin me mëmëdhe Shqipërinë.

    Sjellja e sotme e Lali Erit shpërfaq edhe dëshpërimin e pushtetarëve të cilët gabimisht besojnë se kurrë nuk do bie dekori i rrejshëm i ‘spektaklit’ mediatik që ata i fshehë nga sytë e popullit, ‘spektakël’ që ka për qëllim ta mbulojë hajninë dhe banditizmin e tyre, ‘spektakël’ që është shkatërrimtarë për popullin dhe vrastarë për ëndrrat rinore, që e fshehë të vërtetën se anëtarë më të rëndësishëm të ‘Partisë së Hajdutëve’ janë ata që e mbulojnë hajninë.

    Pra Lali Eri tani ndjehet i tradhtuar nga të gjithë, duke filluar nga Kryeshefi i hajdutëve të ‘Rilindjes’ – Piktori, e deri te mediat dhe gazetarët qo i ushqeu për ta shpërfaqur si mbjellës pemësh edhe pse ishte vetëm një mbjellës i mjerë gënjeshtrash.

    Dhe s’ka si mos jetë i dëshpëruar nga të gjithë ata që e shoqëronin deri sot kur u zbulua se nuk do mund të ishte gënjeshtar i suksesshëm pa mbështetjen e atyre që defilonin nëpër ekranet televizive ku shiteshin si ajka e mendimit të pavarur dhe kritikë, por duke qenë ‘prostituta’ të paguara shtrenjtë nga makrotë e tyre – nga Lali Eri dhe Piktori!

    Dhe më në fund, vëllazëria e hajdutëve me seli te Bashkia e Tiranës dëshmoi diçka shumë të dhembshme që ka të bëjë me të gjithë ne: se o jemi popull pa elita, o kemi elita pe ndërgjegje! Me çka edhe vonë e kuptuam se përderisa ka dele, do ketë kush ato t’i qethë dhe se, aty ku pushtetarët vjedhin, shteti u takon hajdutëve!