Blog

  • Inceneratori që nuk ekziston, edhe 13 milion euro pagesa në 2025

    Inceneratori që nuk ekziston, edhe 13 milion euro pagesa në 2025

    Faturat e kripura nuk ndalen edhe pse mbeturinat vetëm groposen

    Për vitin që vjen, rreth 12.5 milion euro nga taksat e banorëve të qarkut të Tiranës do të shkojnë për inceneratorin që duhej të ishte ndërtuar dhe do ishte duke prodhuar energji elektrike, por që në fakt nuk ekziston. Të dhënat janë marrë nga projektbuxheti i vitit 2025. Tabela poshtë:

    Për inceneratorin inekzistent, qytetarët e Tiranës paguajnë 29 euro për një ton mbeturina që thjesht groposen, por që ndërkohë paguhen për një proces shumë më të komplikuar që parashikonte djegien dhe prodhimin e energjisë.

    Deri në shtator, Open Data njoftoi se janë paguar rreth 10 milionë euro, një shumë që e çon financimin e buxhetit të shtetit në total për këtë objekt në gati 72 milionë euro.

    Kompania e Klodian Zotos dhe Klodian Mërtirit, “Integrated Energy B.V SPV” u sekuestrua në gusht të vitit 2023 dhe paratë tashmë shkojnë në agjencinë e administrimit të pronave të sekuestruara. SPAK ka arrestuar disa drejtorë të bashkisë së Tiranës, antarët e komisionit që dhanë koncensionin dhe që llogaritën faturën e kripur të inceneratorit.

    Si e mbrojti Rama dhe Veliaj vjedhjen tek inceneratori i Tiranës

    Para sekuestrimit që i bëri SPAK inceneratorit, kryeministri Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kanë mbrojtur faktin se pagesat për inceneratorin e Tiranës duhet të vazhdonin pavarësisht se skema e korrupsionit tashmë ishte një skandal i njohur gjerësisht. Kur opozita dononconte faktin se paratë shkonin tek personat në kërkim, Rama mjaftohej duke thënë se “Tirana paguan shërbimin”.

    “Tirana është befasisht e pastër. Doni të bëjmë një provë. Është një provë që se bëjmë dot. Të ndalojmë pagesat për tre ditë e të shihni se ca ndodh me Tiranën. Sepse atje zhvillohet operacion i përditshëm i grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve. Paguajmë shërbimin”, shprehej Rama.

    Kur Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja u shpallën në kërkim, atëherë Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se pagesat do të vazhdojnë me arsyetimin se: “Në rast se ne nuk zbatojmë kontratat, nga ana e ligjit tregtar të kontratës, ne do t’i krijonim Republikës së Shqipërisë një dëm të tillë që me siguri do të përgjigjeshim në Arbitrazh”.

    Ndërkohë Erjon Veliaj ka qenë njësoj shpërfillës për faktin se paratë paguheshin por vidheshin sepse në realitet as nuk bëhej djegie e plehrave, as nuk kishte incenerator.

    “Cili është në kërkim dhe kush është pronari s’është problemi im”, ka thënë Veliaj kur pyetej për këtë çështje “Ka një supervizor privat, sot është në burg, se ai duhet ta kontrollonte. Kontratën ka detyrë supervizori ta monitorojë. A është Tirana më e pastër? A paguajmë më pak, kaq i intereson qytetarët”, shprehej ai.

    Hetimet e SPAK për vjedhjen e parave të inceneratorit të Tiranës nuk arritën asnjëherë tek Edi Rama që firmosi bonus për kompaninë e dy Klodëve në mënyrë të paligjshme dhe tek Erjon Veliaj, që firmosi angazhimin financiar prej më shumë se 120 milion eurosh pa marrë miratimin e këshillit bashkiak të Tiranës.

  • Nga Enver BYTYÇI – Shqipëria dhe Kosova në renditjen globale për lirinë!

    Projekti Botëror për Drejtësinë i vitit 2024 (World Justice Project 2024) i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka bërë sondazh në 142 vende të botës rreth aspekteve themelore të sistemit politik dhe funksionimit të lirisë. Është interesant të shohësh se si dhe ku qëndrojnë vendet e shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova, në këtë grafikë vendesh sa i përket respektit të lirisë dhe raportit të saj me ndërhyrjen e qeverisë. Sondazhi prek disa fusha, si atë të kufizimit të pushtetit të qeverisë, fushën e korrupsionit, lirinë e shprehjes, të drejtën për të protestuar dhe aktivizimin politik të lirë, zbatimin e ligjit në të drejtat civile, shkallën e ndërhyrjes së shtetit në vendimet gjyqësore civile e ato penale dhe në respektimin e proceseve të rregullta administrative.

    Thënë troç, ky është një sondazh, i cili dëshmon për shkallën e arrogancës ose në të kundërtën atë të demokracisë në një vend. Ajo që bie në sy lidhet me faktin se Shqipëria është shumë larg standardeve të lirisë e të demokracisë, të cilat i zbaton Kosova. Por jo vetëm Kosova. Në disa tregues Shqipëria tejkalon Vietnamin komunist, Kolumbinë e inkriminuar prej mafies dhe Bjellorusinë e Lukashenkos, të njohura këto edhe si shtete totalitare. P.sh në sondazh del se qeveria shqiptare ka pushtet të pakufizuar. Ajo zë vendin e 106-të në 142 vende sa i përket ndërhyrjes së ekzekutivit, përkatësisht kryeministrit, në pushtetet e tjera, ndërkohë që Vietnami është në vendin e 95.

    Ndërkaq në aspektin e ndërhyrjes në të drejtat civile, Shqipëria zë vendin e 101, ndërsa Vietnami është 5 vende më mirë se sa vendi ynë. Po ashtu në çështjet e ndërhyrjes së qeverisë shqiptare në çështjet penale Shqipëria zë vendin e 106 e Vietnami të 98-tin. Por nuk ishte ky objekti kryesor i treguesve që po analizojmë. Shqiptarët janë të interesuar më së shumti të shohin se cili është raporti midis Kosovës dhe Shqipërisë në këto tregues. Po i japim të konkretizuara:

    – Sa i përket kufizimit të pushtetit të qeverisë, si aspekti themelor i demokracisë, Shqipëria gjendet në vendin e 106, ndërsa Kosova në vendin e 59 në rang botëror. Diferenca është 47 vende. Gjë që do të thotë se Kosova është shumë më mirë sesa Shqipëria në fushën e respektimit të institucioneve të tjera nga ana e qeverisë, pra të respektimit të balancës së pushteteve. – Ndërsa, shkalla e korrupsionit na shpërfaq gjithashtu një diferencë tjetër prej 37 vendesh. Shqipëria zë vendin e 107, Kosova është në vendin e 65-të. Interesant është se sa i përket shkallës së korrupsionit, edhe Kolumbia është më mirë sesa Shqipëria, 7 vende më mirë se sa vendi ynë.

    – Po liria e shprehjes? Shqipëria renditet në vendin e 92-të, ndërsa Kosova në vendin 60-të. Edhe në këtë rast diferenca është 32 vende. Një shtet ende i pakonfirmuar në OKB, si Kosova, ka një performancë shumë më të mirë sesa shteti 122 vjeçar i Shqipërisë. – Kurse në të drejtën për të protestuar dhe për t’u aktivizuar politikisht sondazhi e çon sërishmi Shqipërinë në vendin e 102-të, ndërsa Kosovën në vendin e 60-të. Serbia qëndron më afër Shqipërisë sesa Kosovës, në vendin e 93-të.

    – Zbatimi i ligjit është një tregues që lidhet drejtpërdrejt me ekzistencën ose jo të shtetit të së drejtës. Por edhe në këtë aspekt Shqipëria është përkeqësuar dhe ka shkuar në vendin e 114-të. Kjo do të thotë se 113 vende janë më mirë dhe 28 vende në botë janë më keq sesa Shqipëria. Madje edhe Bjellorusia e Lukashenkos është më mirë sesa vendi ynë, ndërkohë që Kosova rezulton në vendin e 82-të, ose 32 vende më mirë sesa Shqipëria. – Procesi administrativ lidhet gjithashtu drejt për së drejti me mënyrën e menaxhimit dhe respektimit të rregullave në këtë drejtim. Po ku është Shqipëria? Në vendin 128-të, vetëm 14 vende larg nga fundi i listës. Ndërsa Kosova është në vendin e 95-të, sërishmi 33 vende më mirë sesa Shqipëria. –

    Kosova është 12 vende më mirë sesa Shqipëria në respektimin e të drejtave civile, 44 vende më mirë në fushën e ndërhyrjes së qeverisë në çështjet civile 110 me 66. Po ashtu Kosova ka diferencë prej 30 vendesh dhe 33 vendesh krahasuar me Shqipërinë sa i përket ndërhyrjes së qeverisë në çështjet penale. I pasqyrova këto shifra për të dëshmuar se Shqipëria jeton jo më në një regjim autoritar, por ka prekur totalitarizmin në qeverisjen e vendit. Fatkeqësisht ndeshim në një kontradiktë midis qëndrimeve politike mbështetëse për këtë regjim nga ana e ndërkombëtarëve perëndimorë dhe statistikave që shënojnë sondazhet në vlerësimin real të situatës në vend. Që do të thotë se ndërkombëtarët evropianë dhe amerikanë kanë hequr dorë nga kërkesa për demokraci në vendet që duan të integrohen në BE dhe kërkojnë thjesht stabilokraci. Se një qëndrim i tillë shkatërron edhe stabilokracinë, këtë nuk duan ta kuptojnë burokratët euro-amerikanë. Bëra këtë qasje analitike edhe për të provuar se shteti i Kosovës është shumë më demokratik, sesa shteti i Shqipërisë. Megjithatë, diplomatët evropianë dhe ata amerikanë hedhin baltë e akuza kundër qeverisë së Kosovës dhe përkëdhelin qeverinë e korruptuar e totalitare të Edi Ramës! Nonsens!

  • Nga Alfred LELA – Ju mund ta brohorisni Enverin dhe Edin, por haraçin e paguan Shqipëria

    Nga Alfred LELA – Ju mund ta brohorisni Enverin dhe Edin, por haraçin e paguan Shqipëria

    Kompleksi i kosovarëve dhe trevave të tjera shqiptare në Ballkan me Enver Hoxhën, ka qenë i përligjur dikur, përgjatë periudhës ‘70-’80, por edhe në fillimvitet ’90, kur Shqipëria u hap, por terrori në Jugosllavi u shtua.

    Te ky kompleks mund të gjeje atë lëngatën e gjatë të shqiptarëve përtej Shqipërisë londineze për të parë një atdhe të fortë me të cilën të ishin krenarë, një vend që u zëvendësonte atdheun e humbur, një pater familias që mund të qe i ashpër, megjithatë i përkiste gjuhës dhe gjakut ‘tonë’, dhe jo atij jugosllav.

    Këtë rol e luante Enver Hoxha, të cilit i falej shitja e Kosovës disa herë për interesa të pushtetit të vet, por i adhuroheshin deklaratat propagandistike boshe, ku ai hynte në luftë imagjinare me Beogradin.

    Edhe pse disa dekada kanë shkuar dhe dokumentacioni historik e ka të provuar tashmë ‘dashurinë ‘ e diktatorit për Kosovën, ka ende ishuj veneracioni për të në Kosovë, Diasporë apo gjetkë. Psikologjikisht, një lidhje e tillë instinktive me emisarë të së keqes është e përbotshme. Ka ende hitlerianë në Gjermani.

    Bota shqiptare, përkatësisht ajo e trevave në Ballkan që përsëriten edhe në komunitetet tona në Diasporë, nuk ka dalë nga një komatozë e tillë.

    Para disa javësh, Behgjet Pacolli, një politikan kosovar me aktivitet disa dekadësh në Diasporë-si të kish dalë nga panegjerizmi i viteve ‘80 për Enver Hoxhën, i blatonte Edi Ramës një lumë lëvdatash. Pavarësisht rekordit të Ramës, tentacionit të tij për të anashkaluar Kosovën dhe qeverinë e saj, për të krijuar një lidhje të shkurtër me Beogradin përmes “Ballkanit të Hapur”, shpërfilljes- në mos përçmimit për lidershipin kosovar-fut këtu edhe atë se Rama e konsideron Pacollin ‘mbret të kitsch-it’, për biznesmenin e shndërruar në politikan dhe pjesë e elitave qeverisëse të Kosovës, Kryeministri i Shqipërisë ishte më “i miri i të gjitha kohërave”.

    E zëmë se kjo është e vërtetë, por me Ramën gjallë, më shumë se vlerësim historik duket si përllogaritje interesi apo qokë personale. Më shumë se kaq, me këtë emfazë Pacolli bën në Shqipëri atë që bën Rama në Kosovë, futjen i paftuar në odat politike të Tiranës. Shqiptarët e Kosovës, aq më pak politikanët që ndërrojnë vend në qeverisje, duhet të tregohen më të matur në hiperbolizmat për ‘prijësat legjenddarë’ të këtej kufirit. Edhe për faktin se qëndrime të tilla i ka përgënjeshtruar historia një herë në rastin e Hoxhës. Enveriada nuk mund të vazhdojë në kushtet e lirisë, përndryshe shpreh një shpirt skllavi.

    Një ndërhyrje skiç, po aq publike dhe të pavend, bënë bashkëkombësit e trevave ballkanike në Diasporë para dy ditësh në Staten Island të New York-ut, nëpërmjet “shoqatës Ulqini”. Një organizatë me emër dhe fokus të tillë, komunitetin e ulqinakëve dhe malësorëve shqiptarë në Malin e Zi, është në të drejtën e vet të thërrasë dhe të presë z. Rama për çdo temë që ka të bëjë me kombin. Që nga librat, gjuha, shkollat, mundësia që konsulltata shqiptare në New York të ndihmojë shqiptarët e Malit të zi, e me radhë. Por kur tema e takimit janë zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe vota e Diasporës, dhe kur tubimi vishet kuq e zi, por e ka zemrën mavi, gjindemi në shkelje të hapur të bashkëkombësisë së mirë. Është të lejosh një komunitet të nderuar si ai i malësorëve atdhetarë dhe të mençur të Malit të zi të përdoren si electoral stunt.

    Është të ngatërrosh flamurin dhe simbolet e kombit me një pushtetar kalimtar të Tiranës, dhe të veshësh të dytin me të parat, sikur hiperoblës së Ramës të mos i mjaftonin elisat dhe helenat. Shqiptarët e Kosovës dhe të trevave të tjera shqipfolëse në Ballkan, apo të shpërngulurit në Diasporë, duhet ta vrasin Enverin brenda vetes.

    Historia ka folur në lidhje me të mirat dhe të këqijat e diktatorit për shqiptarët e Shqipërisë londineze dhe ata të mbetur jashtë kufijve. Përsëritja e sindromit Hoxha me Edi Ramën, në kushte krejt të favorshme për lirinë, informacionin dhe balancat kombëtare, nuk e ndihmon Shqipërinë, por vetëm pushtetin politik të kryeministrit.

    Sikur asgjë tjetër, fakti se edhe në vendet pasaportat e të cilave mbajnë shqiptarët e Diasporës, të Malit të Zi, Kosovës, etj., bëhen zgjedhje me standarde të pranueshme, ndërsa në Shqipërinë e Edit aspak të tilla, duhet që t’i vërë në pozitën e atyre që lirinë e tjetrit për të zgjedhur e vlerësojnë sa të tyren. Kur tjetri është bashkëkombës, çdo standard i dyfishtë është kriminal. 

    Në fund fare, si Edi si Enveri mund të adhurohen, por gjthmonë duke patatur parasysh edhe ata që u ëshë dashur apo u duhet t’i durojnë.

    Krahasimet çalojnë në çdo rast, por në Tiranë, ndër partitë e djathta nacionaliste, as për Titon as për Sllobodanin nuk është folur mirë.

    Për Dushanin dhe Vuçiqin po, por gjithmonë në anën e partisë së Enverit dhe Edit.

  • Barnat më të rrezikshme në botë

    Barnat më të rrezikshme në botë

    Janë barna që duhen marrë vetëm dhe ekskluzivisht me këshillën e mjekut

    Në treg ekzistojnë shumë ilaçe në treg të konceptuara për të bërë jetën tonë më të lehtë. Barnat me recetë kanë krijuar një botë në të cilën ndihemi më të lumtur dhe më rehat, sepse të gjitha shqetësimet tona kurohen. Por këto barna nuk janë gjithmonë trëndafila dhe lule…

    Kemi përpiluar një listë të barnave më të rrezikshme me recetë në qarkullim, të famshme për krijimin e varësisë dhe për shkaktimin e vdekjeve nga mbidoza. Por nuk ka arësye për shqetësim: nëse këto medikamente merren sipas përshkrimit, ato janë përgjithësisht të sigurta për t’u përdorur.
    Jeni kuriozë? Zbresim në rreshtat më poshtë për të parë se cilat janë barna e klasifikuar si më të rrezikshmet në botë.

    Fentanyl – Fentanili

    Një opioid sintetik 100 herë më i fortë se morfina ose heroina, fentanili gjendet zakonisht në marihuanën që përzihet ilegalisht me drogën. Ky opioid i fuqishëm përdoret për të trajtuar nga dhimbjet mesatare te ato në të forta dhe dikur përdorej edhe si anestezik, bëhet fjalë për vitet 1930. Fentanyl tenton të jetë shumë vdekjeprurës kur kombinohet me droga të tjera si kokaina ose metamfetamina.

    Pethidine – Petidina

    Ka të ngjarë që ky medikament të njihet edhe si Demerol, një ilaç që përdoret për të trajtuar dhimbjet e forta. Në fakt, pacientët shpesh këshillohen të mos e marrin këtë ilaç, pasi përdorimi i zgjatur i tij mund të çojë në varësi. Nëse ky mjekim kombinohet me alkool ose droga të tjera, presioni i gjakut bie, sistemi i frymëmarrjes bllokohet dhe mund të çojë në koma.

    Clonazepam – Klonazepam

    I njohur edhe me emrat më të zakonshëm Klonopin dhe Rivotril, ky medikament klasifikohet si një benzodiazepinë. Përdoret për të trajtuar krizat epileptike dhe çrregullime të lidhura me panikun. Ky medikament konsumohet gjerësisht për shkak të ndjenjës së euforisë dhe relaksimit që krijon. Edhe pse marrja e klonazepamit në vetvete rrallë është fatale, ai bëhet problematik kur përzihet me barna të tjera ose alkool.

    Morphine – Morfina

    Siç shumë e dinë, morfina përdoret në spitale për të trajtuar dhimbjet akute. Por efektet e tij euforike, si dhe simptomat e tmerrshme të astinencës, e bëjnë këtë ilaç një nga më të rrezikshmit në industrinë farmaceutike. Në Shtetet e Bashkuara ekzistojnë pesë kategori të klasifikimit të barnave, duke filluar nga I në V, secila prej të cilave i ndan barnat dhe drogat bazuar në potencialin për abuzim, me kategorinë “V” ajo me më pak potencial dhe “I” ajo me potencialin më të madh. Morfina klasifikohet si një ilaç i klasit II.

    Alprazolam – Alprazolam

    I njohur më shpesh si Xanax, alprazolam është një tjetër benzodiazepinë e fuqishme që përdoret për të trajtuar pagjumësinë dhe çrregullimet e ankthit të përgjithësuar. Rreth 20% e njerëzve që vuajnë nga çrregullimet e ankthit kanë gjithashtu probleme me abuzimin e barnave me bazë alprazolam. Në fakt, përdorimi i zgjatur i këtij ilaçi mund të shkaktojë çrregullime të pashmangshme neurologjike.

    Oxycodone – Oksikodoni

    Oxycodone është përbërësi kryesor si i OxyContin ashtu edhe i Percocet, të klasifikuar ndër barnat me recetë më të abuzuara. Ky medikament është një qetësues shumë i fortë kundër dhimbjeve që çon në varësi rreth 5-10% të pacientëve të cilëve u është përshkruar receta. Kur kombinohet me alkool ose substanca të tjera, mund të shkaktojë dëmtim të përhershëm të trurit.

    Hydrocodone – Hidrokodoni

    Një tjetër ilaç i përdorur për trajtimin e dhimbjeve kronike, hidrokodoni është ndoshta një nga më të rrezikshmit në qarkullim. Përdoret edhe si qetësues i kollës. Efektet anësore të këtij ilaçi përfshijnë sëmundje të mëlçisë dhe të veshkave, si dhe humbje të funksionit motorik. Nëse shkohet në mbidozë me këtë ilaç, shpejt do gjendeni veten të paaftë për të marrë frymë.

    Methylphenidate – Metilfenidat

    Ky medikament përdoret kryesisht për trajtimin e ADHD dhe narkolepsisë. Njihet më shpesh si Ritalin dhe është treguar të jetë efektiv në rritjen e niveleve të energjisë dhe performancës konjiktive. Edhe pse është e demonstruar se ky medikament ka efekte shumë pozitive tek pacientët, abuzimi me të mund të çojë në halucinacione, agresivitet, dhimbje muskujsh e deri në vdekje.

    Methamphetamine – Metamfetamina

    Ky stimulues sintetik është një substancë që krijon varësi e që përdoret për të nxitur sistemin nervor qendror dhe për të çliruar dopaminë në tru. Abuzimi me metamfetaminën mund të shkaktojë ndryshime shumë domethënëse në karakteristikat fizike, ndër të cilat humbjen të shpejtë të peshës dhe prishjen e dhëmbëve. Problemi me të cilin janë përballur shumë mjekë është se përbërësit për prodhimin e këtij ilaçi janë gjerësisht të disponueshëm dhe shpesh mund të çojnë në vdekje.

    Codeine – Kodeina

    Kodeina klasifikohet si një qetësues opioid pothuajse i ngjashëm me morfinën. Kodeina në fakt gjendet edhe në disa lloje shurupesh kundër kollës, edhe pse në sasi më të vogla. Shumë pacientë shkojnë në mbidozë me kodeinë kur marrin më shumë se sasia e përshkruar, zakonisht sepse kërkojnë dëshpërimisht të lehtësojnë dhimbjet. Simptomat e një mbidoze nënkuptojnë vështirësi në frymëmarrje, buzë të zbehta ose blu dhe përgjumje.

    Ketamin – Ketamina

    Edhe pse ketamina njihet si një drogë rekreativ, ajo është përdorur edhe në fushën mjekësore si anestezik falë vetive të saj. Disa ilaçe kundër depresionit përfshijnë edhe ketaminë, sepse përmirëson shumë shpejt humorin. Megjithatë, efektet afatgjata të këtij ilaçi janë të dëmshme dhe përfshijnë simptoma si dëmtim të kujtesës dhe probleme fatale të frymëmarrjes.

    Antidepressant – Antidepresiv

    Këto lloj medikamentesh janë më të njohura veçanërisht për trajtimin e çrregullimeve të humorit dhe depresionit të rëndë. Ndonjëherë përshkruhen edhe për patologji të tjera, si çrregullimi obsesiv kompulsiv dhe ADHD. Edhe pse çdo recetë kundër depresionit duhet t’i përshtatet individit, përdorimi i tepërt dhe abuzimi mund të shkaktojë shumë efekte anësore negative, ndër të cilat uljen e funksionit motorik dhe humbjen e vetëdijes.

    Diazepam

    Një tjetër benzodiazepinë e abuzuar është diazepami, i njohur shpesh edhe si Valium. Ky medikament përshkruhet për të trajtuar spazmat e muskujve, ankthin dhe konvulsionet, por mund edhe të jetë vdekjeprurës kur përdoret për qëllime rekreative. Abuzimi i zgjatur me diazepam mund të krijojë shqetësime të gjumit tek pacientët dhe të rrisë rrezikun e demencës.

    Amphetamine – Amfetamina

    Është emri i dhënë për një grup të tërë stimulantësh që rrjedhin nga amfetamina, ndër të cilët edhe Adderall. Përdorimi rekreativ i amfetaminave mund të shkaktojë pagjumësi, humbje të menjëhershme të oreksit dhe rritje të presionit të gjakut. Për të mos përmendur efektet anësore më të rrezikshme dhe ekstreme, siç është paranoja e dhunshme.

    Paracetamol

    Bëhet fjalë për një nga qetësuesit më të zakonshëm që gjenden sot nëpër shtëpitë tona, që e përdorim për të trajtuar dhimbjen dhe temperaturën. Më shpesh njihet si Tachipirina. Edhe pse ky ilaç nuk ka pothuajse asnjë efekt anësor kur merret me moderim, ai mund të jetë i dëmshëm në doza më të mëdha. Dëmtimi i mëlçisë dhe vdekja janë disa nga rastet më ekstreme, ndaj këshillohet një konsumim sa më minimal që të jetë i mundur.

    Burimet: (Avenues Recovery) (FDA) (Delamere Health) (Rehab Spot)

    Përgatiti për gazetatjeter: Dardan MITROVICA

  • Nga Luçiano BOÇI – Dosja që SPAK nuk do të donte ta kishte hapur

    Arrestimi brutal i Metës shfaqi hapur, përtej interpretimeve të mediave rozë të pushtetit, nervozizmin që ka kapluar SPAK-un.

    Për të shpërqëndruar vëmendjen e publikut dhe për t’i dhënë pak kohë vetes e Ramës, SPAK konkludoi me shpejtësi një hetim i cili kishte gjashtë vite që vijonte pa asnjë pengesë, fill pas arrestimit të sforcuar të deputetit të listës “së zezë” të Durrësit, Jurgis Çyrbes.

    Megjithëse SPAK u mundua ta shiste atë si një arrestim normal për shpërdorim detyre, informacionet rrodhën dhe tronditshëm opinioni mësoi se Çyrbja ishte maja e ajsbergut të një krimi akoma më të madh, brenda të cilit është përfshirë e gjithë kupola e PS bashkë me vetë Ramën.

    Sipas gazetarëve investigativë në dosjen “Çyrbja”, komunikimet midis grupeve kriminale dhe përfaqësuesve politikë socialistë, zbulojnë rolin aktiv të bandave në skemën e grabitjve të votave dhe faktojnë dominacën politike të tyre në vendimmarrjen politike.

    Këto grupe jo vetëm kanë influenca ekonomike të pastra e të pista të stimuluara nga Rama e pushteti i tij, por sipas komunikimeve i përcaktojnë kryeministrit dhe emrat e deputetëve dhe vendin e tyre në listë.

    Këto koncesione shoqërohen me angazhime elektorale të grupeve kriminale por që nuk përfundojnë këtu.

    Ato shtohen pas “fitoreve historike” të Ramës me shërbime e benifite shumëfishe, që përfshijnë dhe lobime për të pastruar aktivitetet kriminale, pranë dhe vetë SPAK.

    E gjithë kjo zbulesë kriminale, e denoncuar pareshtur nga opozita, më e rënda e ndodhur në historinë politike të shtetit shqiptar, pritet të prodhojë një tërmet politik të jashtëzakonshëm.

    Tërmet i cili mund prekë dhe vetë SPAKU-n tashmë të tronditur jo pak nga Toyota Yaris.

    Kjo dosje zbardh skemën e fusionit krim-politikë që qëndron në themel të narko-shtetit të sotëm.

    I gjendur në vështirësi midis vetes dhe Ramës, SPAK po mundohet të manovrojë.

    Arreston Metën për të krijuar ngjarje themelore, nxit Gjykatën në rastin Berisha, po përgatit një valë tjetër fletë-arrestesh për disa anëtarë grupesh, vetëm e vetëm për t’i dhënë kohën e mjaftueshme mentorit të vet Ramës që ky i fundit të mund të shpëtojë e të gjejë rrugëdaljen e situatës në të cilën është kapur si laraska dhe kësisoj t’i zbardhë faqen e nxirë dhe vetë SPAK-ut.

    Dosja Çyrbja djeg shumë dhe SPAK gjendet sot në vështirëse e nuk do kishte dëshirë që ta hapte atë, sepse të gjitha komunikimet aty të çojnë tek koka e krimit, Rama.

    Aq më tepër kjo dosje e rikthen SPAK-un tek hijet e së kaluarës dhe dëshmon komandimin e tij politik: Tek krimi elektoral i dosjes 339.

    Çyrbja nuk është fillimi, por vazhdimi i këtij krimi e nuk mbaron aspak këtu.

    Personazhet janë pothuaj të njëjtë, por me galeri të shtuar si nga grupet ashtu dhe nga politika.

    Ndërsa ky krim është kompleksi më i madh i SPAK-ut të cilin për arsye të pathëna por të kuptueshme, në 2020, ai nuk pranoi ta hetojë. Njëherazi është kufiri që Rama ia ka vendosur atij tek thana.

    339-ën SPAK e dështoi me sukses, duke ia kaluar për kompetencë prokurorisë së Durrësit.

    Po kështu bëri dhe me Gjushin, të cilin e amnistoi duke e akuzuar vetëm për shpërdorim detyre, ndërkohë që te gjithë e dinin që ishte stërmullari i skemës.

    Këtë tentoi ta realizonte dhe me Çyrben i cili “papritur e pa kujtuar”, hoqi dorë nga mandati.

    U mundua, por presioni i partnerëve ishte i fortë dhe sot dilema e SPAK mbetet shekspiriane.

    Çdo avancim sipas fakteve të kësaj dosje-dëshmojnë gazetarët-do çonte në arrestimin e Ramës e shpurës së tij dhe do hidhte në erë, çdo gjë politike të arritur deri më tani nga ai, sikurse do mbyllte një nga kapitujt me të zi politikë të kohës sonë.

    Nuk do SPAK apo s’mundet ta bëjë?-shtrohet pyetja.

    Duket se deri më tani, as nuk do e as nuk mundet.

    Por megjithatë zarët me dosjen Çyrbja tashmë janë hedhur…

    Dielli nuk mbulohet me shoshë!

  • A do të ulet tatimi për pagat e larta? Edi Rama gënjeu shqiptarët

    A do të ulet tatimi për pagat e larta? Edi Rama gënjeu shqiptarët

    A do të ulet tatimi për pagat e larta? Edi Rama gënjeu shqiptarët

    Të gjithë në Kushtetuese, sa shanse ka të rrëzohet ligji për tatimin mbi të ardhurat

    Në muajin mars kryeministri Edi Rama lajmëroi uljen e tatimit për pagat e larta. Sipas tij, rishikimi i taksës do të materializohej tre muaj më vonë. Verifikimet e Faktoje tregojnë se tatimi 23% për pagat e larta nuk u ul në qershor. Ministria e Financave nuk e ka në plan rishikimin as vitin e ardhshëm.

    ‘Kush fiton më pak paguan më pak, kush fiton më shumë paguan më shumë’- Taksimi progresiv ishte kali i betejës së socialistëve në fushatën elektorale të 2013 dhe shtylla kryesore e programit ekonomik të rilindjes.

    Taksa progresive hyri në fuqi në janar të 2014. Prej asaj kohe të ardhurat nga punësimi në Shqipëri tatohen me tre fasha: 0 për qind, 13 për qind dhe 23 për qind.

    Aktualisht, pagat deri në 50 mijë lekë kanë tatim zero, nga 50-60 mijë lekë paguajnë 13 për qind të shumës mbi 35 000 lekë. Nga 60-200 mijë lekë paguajnë 13 për qind të shumës mbi 30 000 lekë, dhe mbi 200 mijë lekë tatimi është 23 për qind. (Shiko tabelën)

    Por një dekadë më vonë, kryeministri Edi Rama pranon se tatimi i pagave të larta duhet ulur.

    “Kemi një projekt që besoj nga qershori do ta materializojmë për të ulur tatimfitimin e të ardhurave për ata që kanë pagat më të larta si punonjës.”, deklaroi Rama në muajin mars, në një nga seritë e podcastit FLASIM që publikohet çdo të dielë në rrjetet e tij sociale.

    “Një nga arsyet është se nuk mund t’i vëmë ne më shumë taksa njerëzve nëse nuk i japim shërbime më të mira. Për këtë nivel shërbimesh sot për sot nuk mund të pretendojmë të vëmë më shumë taksa”, argumentoi më tej kryeministri.

    Fakt

    Deri në fund të qershorit në Shqipëri numëroheshin 18,112 punonjës me pagë mbi 200 mijë lekë që paguajnë 23% të pagës si tatim.

    Nga verifikimet rezulton se rishikimi i kësaj fashe nuk ndodhi, sikurse deklaroi kryeministri. Madje, gjasat janë që lehtësimi i premtuar për pagat e larta nuk është në plan as vitin e ardhshëm.

    “Ministria e Financave nuk ka përgatitur ndryshime ligjore pjesë të paketës fiskale për vitin 2025. Ligji për tatimin mbi të ardhurat nuk është në plan për tu rishikuar në kuadër të propozimeve që lidhen me aplikimin e normave tatimore.”, pohon zyrtarisht Ministria e Financave.

    Prej 20 shtatorit, Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik draft-strategjinë afatmesme të të ardhurave dhe planin e veprimit, 2024-2027, një dokument strategjik, i cili përcakton politikën e ardhshme tatimore dhe të mirëadministrimit tatimor e doganor për 4 vitet në vijim.

    “Ndryshimet e politikës tatimore do të bëhen në përputhje me këtë strategji.”, thekson Ministria, duke lënë të kuptohet se ulja e 23% nuk është pjesë as tek strategjia afatmesme.

    Në Shqipëri ka një raport të zhdrejtë të taksave mbi punën dhe atyre mbi kapitalin- sipas ekspertëve të ekonomisë.

    “Duhet të ketë një raport të arsyeshëm të taksave mbi punën dhe atyre mbi kapitalin.”, argumenton Zef Preçi që drejton Qendrën Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

    “Për fat të keq, me sa duket nën ndikimin edhe të grupeve të biznesit dhe të oligarkeve që kontrollojnë tregjet kryesore në vend, gjatë dekadës së fundit vihet re një rritje e pajustifikuar e taksave mbi punën, dhe nuk ndodh e njëjta gjë për taksat mbi kapitalin, e kunderta ndodh.”, arguementon më tej ai.

    Sipas Preçit, rishikimi i progresivitetit duhet zbatuar nisur nga përvojat e mira botërore me një sistem të thjeshtë e të kuptueshëm- si dhe të krahasueshëm me rajonin.

    “Kurse premtimet do të shtohen, jeni në kushtet e fushatës permanente elektorale…”, përfundon ai.

    Përfundim

    Nisur nga informacionet e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama për uljen e tatimit për pagat e larta në qershor, e kategorizojmë të pavërtetë.

  • Nga Andi BUSHATI – Reforma në drejtësi, si puthja e Judës

    Prej minutave të para pas mesnatës, mes 21 dhe 22 korrikut 2016, ajo që ka ngelur e pashlyer në mendje është një puthje. Fotografët dhe kameramanët që i rezistuan orëve të gjata pa gjumë arritën më në fund të kenë edhe ata “gralin” e tyre.

    Personazhet që ata fiksuan, të rënë në krahët e njëri-tjetrit, më shumë të lumtur se sa të lodhur nga orë të gjata negociatash, qenë dy ambasadorë. Njëri, Donald Lu, përfaqësues i Shteteve të Bashkuara, ndërsa tjetra, Romana Vllahutin, e zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë. Të dy i gëzoheshin një votimi konsensual, të padëgjuar më parë, në sallën e parlamentit shqiptar.

    Të 140 të zgjedhurit e popullit, disa pas presioneve të marra drejtpërdrejt në selitë diplomatike perendimore në Tiranë, votuan ndryshimet kushtetuese për një reformë radikale të sistemit të drejtësisë. Të dy triumfatorët e këtij kalvari të gjatë patën propoganduar prej kohësh se kjo ishte mënyra e vetme që vendi ti jepte fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë, të zhytur shpesh në korrupsion dhe për t’i hapur rrugën një afrimi më të shpejtë me BE.

    Sot, tetë vite më pas edhe ambasadori Lu edhe homologja e tij Vlahutin janë larguar nga ky vend, pa asnjë përgjegjësi të vetme për atë që kanë lënë pas. Rreth gjysma e 800 Prokurorëve dhe Gjyqtarëve janë përjashtuar nga sistemi si të papërshtatshëm për drejtësinë e re.

    Më në në fund, janë ngritur në këmbë një prokurori dhe gjykatë speciale të destinuara për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin e shtetarëve të lartë. Por, megjithëatë, rezultatet janë zhgënyese. Pavarësisht se mbështetësit dhe përkrahësit vijojnë të propogandojnë arritjet sasiore të spastrimit të sistemit, cilësia e produktit të nxjerrë, ka vrarë çdo lloj optimizmi.

    Qytetarët e thjeshtë do të duhet të presin edhe ndoshta 10 vite, për të zgjidhur konfliktet e tyre për pronat dhe pensionet, të tubuara në mbi 140 mijë dosje që janë arkivuar në gjykatat e shkallës së parë. Që nga viti 2016 Shqipëria ka humbur plot 16 vende në klasifikimin për perceptimin ndaj korrupsionit që kryen Transparence Internacioanal.

    Ndërkohë, dy skandalet më të mëdha korruptive në vend, ai 420 milionë euro, për tre incernratorë për djegjen e plehrave, asnjëri prej të cilëve nuk punon, (madje ai i Tiranës që ka përpirë plot 110 milionë euro nuk ekziston) dhe një skemë e vjedhjes së fondeve publike nga bashkia e kryeqytetit, kanë të njëjtën moshë, dmth janë projektuar në të njëjtën kohë me startimin e Rerormës në drejtësi. Pra në vend që t’i trembte reforma amerikano-europiane i trimëroi hajdutët lokalë.

    Pyetja është si ndodhi kjo? Pse eksperimenti perendimor dështoi në Shqipëri, ndonëse BE ka disbursuar 50 milionë euro të taksapagesve evropianë, ose  ⅓-ën e shumës së përgjithshme për ta mbështetur këtë projekt?

    Përgjigja është e thjeshtë: sepse zyrtarët euro-atlantikë vunë bastin e pamundur për të ndërtuar një drejtësi të pavarur nën regjimin e Edi Ramës që bëhej gjithnjë e më autokratik. Ata tentuan sfidën e formimit të prokurorëve dhe gjykatësve të drejtë, në një sistem ku manipulohej vota e qytetarëve, ku informacioni dominohej nga mediat e 5 familjeve të kapura – sipas Reporterëve pa Kufi, nga reklama dhe punët publike me të cilat i shpërblente qeveria, ku opozitës politike i mohoheshin gjithnjë e shumë të drejtat elementare, duke nisur nga refuzimi për ngritjen e komisioneve hetimore në parlament e deri tek zhveshja nga detyra elementare për të bërë interpelanca apo mocione me shefin e qeverisë.

    Drejtësia e re, që u konceptua si një mundësi për ti vënë digë korrupsionit, u shndërrua në një armë që kryeministri Rama po e përdor për pushtet të pakontrolluar.

    Kjo përbën një kthim pas. Në tre dekada, që pas rënies së komunizmit në fund të vitit ‘90, historia e saj ka kaluar nëpër tre faza. Ajo e ish presidentit Berisha, që është ende sot shefi i opozitës, i cili në vitet ‘92-97, me pretekstin e spastrimit të institucioneve të diktarurës, ndërtoi një drejtësi të re të politizuar, duke e përdorur atë për të goditur rivalët e tij të drejtpërdrejtë politikë.

    Faza e dytë qe ajo e një drejtësie që i kishte duart të lidhura për të vepruar ndaj abuzimeve të politikanëve të lartë, e cila, ndonëse nuk varej prej askujt dhe qëndronte barazlarguar nga palët, qe e pafuqishme për tu përballur me secilën prej tyre. 

    Sot jemi kthyer në fazën e post diktaturës kur ajo po përdoret si gjueti shtrigash ndaj opozitës. Ndonëse prokuroria dhe gjykata e posaçme kanë çuar në burg ndonjë ish zyrtar të qeverisë – të gjithë ndërkohë të larguar paraprakisht nga detyra-, falë tyre Shqipëria është bërë vendi i vetëm në Evropë me të gjithë liderët kryesor të opozitës të izoluar. Kreu i partisë më të madhe opozitare, ish presidenti dhe kryeministri Sali Berisha gjendet në arrest shtëpie. Kreu i partisë të dytë nga rëndësia, ish kryeministri dhe ish presidenti Ilir Meta është në burg.

    Fredi Belerit, liderit të komunitetit të minoritetit më të rëndësishëm, atij grek, i rëmbyen fitoren në zgjedhjet lokale,  në një nga vetëm 7 bashkitë që nuk fitoi partia në pushtet, me anë të dënimit për vjedhje votash. Ervin Salianjit, zv/shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, u burgos me pretendimin për një vepër që se parashikon kodi penal, atë të kallëzimit të rremë, vetëm se denoncoi vëllain trafikant të ish ministrit të brendëshëm të Ramës, që refuzonte të kryente një dënim për trafik narkotikësh, të dhënë nga drejtësia italiane.

    Të gjithë këtyre personazheve kryeministri Rama u’a ka parathënë atë që do u ndodhte përmes deklaratash publike, duke bërë që ai t’i drejtohet zgjedhjeve të pranverës së ardhshme, me fushën të spastruar nga të gjithë rivalët politikë.      

    Po si ndodhi kjo para syve të kancelarive perendimore dhe madje me bekimin e tyre?

    Fakti që Edi Rama e mban pushtetin duke shfrytëzuar elementë dhe para të krimit të organizuar për të sunduar brenda vendit dhe i jep legjitimitet autokracisë të tij, falë një mbështetjeje ndërkombëtare, do një shpjegim.

    Ai duhet kërkuar fillimisht në një shfrytëzim më të mirë sesa të gjithë paraardhësit e tij, të argumentit se Shqipëria është një vend pa probleme etnike. Ai ka ditur të përfitojë nga sllogani i prodhuesit të stabilitetit në rajon. Për të promovuar këtë markë ai është futur në konflikt pothuajse me të gjithë liderët e Prishtinës, njëri pas tjetrit, sa herë që këta të fundit kanë pasur fërkime me ndërkombëtarët në kuadër të mosmarrëveshjeve Serbi-Kosovë. Por, tregëtimi i interesave kombëtare në favor të përfitimeve personale nuk është shfaqur vetëm në politikën ndaj Kosovës.

    Talenti për të qenë i vlefshëm për të mëdhenjtë e ka shenjuar diplomacinë e tij. Rama u bë i pari që hapi portat e vendit, për refugjatët afganë, menjëherë pas tërheqjes traumatike të Amerikanëve nga Kabuli, kur shumëkush hezitonte ta bënte këtë. Ndonëse kishte deklaruar publikisht se Shqipëria nuk do të bëhej kurrë burgu në qiell të hapur për emigrantët e vendeve të pasura, ai e lëpiu atë që kishte pështyrë dhe mbylli marrëveshjen “tete a tete” me post fashisten Giorgia Meloni, për hapjen e qendrave të refugjatëve në Shëngjin dhe Gjadër. Duke pritur ardhjen e Trampit në pushtet, të cilën në 2016 e pati quajtur në CNN ‘turpi i njerëzimit” dhe “fatkeqësi për planetin”, ai ka bërë plane për ti dhënë dhëndrit dhe vajzës së ish presidentit të SHBA-së ishullin e vetëm të vendit për qëllime turistike.

    Po ti shtosh këtyre edhe paratë okulte që përdorën njerëz të dalë drejtpërdrejt nga zyra e kryeministrit për të korruptuar agjentin me të lartë të FBI-së që është rekrutuar ndonjëherë, Charls McGonigalin, të dënuar tashmë në SHBA, bëhet e plotë pasqyra e mbështetjes ndërkombëtare për autokratin shqiptar.

    Prej 11 vitesh në pushtet si kryeministër ai ka ditur të ngrejë një rrjetë të tërë merimange për të mbajtur pushtetin me të gjitha mënyrat nga brenda dhe për ta noterizuar atë me vulë mbështetjeje nga jashtë.

    Pikërisht për këtë po përdoret edhe produkti kryesor i investimit më të madh që ndërkombëtarët kanë bërë gjatë kësaj dekade, reforma në drejtësi dhe dy margaritarët e saj të kurrorës, Prokuroria dhe Gjykata e posatçme. Në një regjim ku kanë rënë njëri pas tjetrit të gjitha pushtetet e pavarura, ato nuk mund të kishin fat të ndryshëm. Ato tashmë po shërbejnë për t’i kryer Edi Ramës, një sërë punësh të pista që më parë duhet ti mbaronte vetë. Më kryesorja: eleminimin e rivalëve të drejtpërdrejtë nga gara elektorale e pranverës së ardhshme.

    Në mënyrë paradoksale, reforma në drejtësi, që u shpik për të frenuar korrupsionin, do prodhojë fitoren e një pushteti edhe më të korruptuar, siç ndodh rëndom kur abuzuesit nuk i tremben ndëshkimit të mundshëm me votë.

    Edhe ata që dikur besuan tek puthja e para tetë viteve, Lu – Vlahutin, tani e kanë kuptuar se ajo i ngjan asaj të Judës. Qëllimi mund të qe i mirë, por ajo shërbeu për të treguar se çfarë duhej kryqëzuar: Shpresa. Ajo u vu në shërbim të një autokracie për të shtuar legjitimitetin ndërkombëtar të saj.              

  • Deklarohet i vdekur, rizgjohet gjatë operacionit për heqjen e organeve

    Deklarohet i vdekur, rizgjohet gjatë operacionit për heqjen e organeve

    Një rast prej medical drama të stilit Grey’s Anatomy po bën të tronditet sistemi i kujdesit shëndetësor në SHBA dhe po vë në pikëpyetje mënyrën se si deklarohen të vdekur pacientët nëpër spitale në mbarë botën. Një 36-vjeçar nga Kentucky, për të cilin ishte shpallur vdekja cerebrale pas një arresti kardiak pas një mbidoze, u zgjua gjatë operacionit për heqjen e organeve të tij.

    Anthony Thomas Hoover II, i njohur edhe si TJ, “po dridhej në tryezën e operacionit” gjatë atij operacioni të mallkuar, të zhvilluar në tetor 2021. Tani çështja e tij është marrë në hetim për të rishikuar procedurat që lidhen me dhurimin e organeve.
    Pacienti i deklaruar i vdekur zgjohet në sallën e operacionit

    Çështja u denoncua nga një ish-punonjëse e ruajtjes së organeve në Kentucky Organ Donor Affiliates (Koda), që ka treguar se kishte ekzaminuar shënimet në lidhje me operacionin, të cilat tregonin shenja jete për pacientin.

    Sipas NPR, National Public Radio, pacienti kishte shfaqur lëvizje gjatë një testi klinik për të vlerësuar përshtatshmërinë e zemrës së tij për transplant. Gruaja e përshkroi skenën me fjalë të forta: “Dhuruesi u zgjua gjatë procedurës dhe po dridhej në tryezën e operacionit”.

    Motra e TJ, së cilës i ishte komunikuar vdekja cerebrale e të vëllait, kujton se kishte vërejtur sytë e tij të hapeshin përpara operacionit, një fenomen që personeli mjekësor e shpjegoi si një refleks të thjeshtë. Disa dëshmitarë kanë treguar edhe për presione ndaj familjes për të vazhduar me dhurimin.

    Gjërat u përkeqësuan kur, gjatë përgatitjes për heqjen e organeve, TJ manifestoi lëvizje më evidente, madje edhe lot, duke i shtyrë mjekët ta anulonin operacionin.

    Si është TJ, pacienti që vdiq dhe më pas u “ringjall”

    Sot TJ është gjallë dhe kujdesi i tij i është besuar të motrës, por gjendja e tij mbetet kritike, me vështirësi në të folur, në kujtesë dhe në lëvizje. Rasti tashmë është objekt i një hetimi nga Health Resources and Services Administration, e cila po përpiqet të sqarojë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.

    Spitali Baptist Health Richmond ka ritheksuar në një deklaratë për shtyp se siguria e pacientit është dhe do të jetë gjithmonë një prioritet absolut, ndërsa Joda ka pohuar se operacioni u ndërpre sapo u bë e qartë që pacienti po tregonte shenja jete.

    “Kur gjendja e një pacienti përmirësohet apo nuk verifikohet një arrest kardiak brenda një harku të caktuar kohor, njoftohet familja dhe dhurimi nuk mund të bëhet. Kjo ka ndodhur edhe në këtë rast”, ka deklaruar organizata. Asgjë e çuditshme, atëherë? Jo, përkundrazi, duke qenë se në Shtetet e Bashkuara është rihapur një debat i gjatë.

    Cili është ndryshimi midis vdekjes biologjike dhe asaj cerebrale

    Vdekja biologjike përfshin ndërprerjen e të gjitha funksioneve jetësore pa mundësi mbështetje artificiale. Ndërsa vdekja cerebrale, ndikon vetëm në funksionet neurologjike. Për nga pikëpamja mjekësore janë ekuivalente, pasi humbja e funksionit të trurit është e pakthyeshme. Organet e tjera mund të mbahen përkohësisht gjallë për qëllime akademike ose dhurim organesh.

    Çështja ka rikthyer në qendër të vëmendjes definicionin e saktë të vdekjes cerebrale dhe kriteret që përdoren për të përcaktuar se kur është e mundur të vazhdohet me trapiantet, duke qenë se këto ndryshojnë nga vendi në vend dhe nga shteti në shtet në SHBA, ku kanë qenë për disa herë subjekt rishikimi.

    Kriteret shumë strikte mund të kufizojnë donacionet dhe të zgjasin në mënyrë të panevojshme përdorimin e burimeve spitalore. Mirëpo, më pak kontrolle mund t’i bëjnë rastet si ai i TJ, gjithnjë e më të zakonshme.

    Si shpallet vdekja cerebrale?

    Vdekja cerebrale është ndërprerja e plotë dhe e pakthyeshme e të gjitha funksioneve të trungut encefalik. Në Shtetet e Bashkuara, kryhet një ekzaminim neurologjik për të vlerësuar mungesën e reflekseve. Më pas ndjek një test apnee për të kontrolluar mungesën e frymëmarrjes spontane.

    Në disa raste mund të përdoren testet instrumentale si elektroencefalograma ose angiografia për të konfirmuar mungesën e aktivitetit të trurit. Kërkohet konfirmim nga një mjek i dytë.

    A mund të rizgjohesh nga vdekja cerebrale?

    Duke i marrë parasysh të gjitha, është e pamundur rikthimi në jetë pas vdekjes cerebrale. Por, si është e mundur që TJ të “ringjallet”, atëherë? Raste të ngjashme janë të lidhura me diagnoza të pasakta, në të cilat pacienti është në fakt në gjendje kome të thellë ose me aktivitet të trurit aq të reduktuar sa rezulton pothuajse i paperceptueshëm. Por po të ndiqen protokollet standarde, është praktikisht e pamundur të biesh në gabim.

  • Nga Armand SHKULLAKU – SPAK, arma e re e Ramës për të vrarë rivalët politikë

    Eksperimenti euro- atlantik, se në një vend ku të gjitha pushtetet i kontrollon një njeri i vetëm, mund të ndërtohen institucione të pavarura, ashtu siç pritej, dështoi me sukses. Ndonëse historia politike nuk njeh ndonjë rast ku regjimet autokratike të bashkëjetojnë me segmente të lira dhe demokratike, shqiptarëve iu rrëfye përralla se diçka e tillë mund të bëhej realitet nëse mbështetej nga partnerët strategjikë. Pastaj përralla u shndërrua në një iluzion, ku “heronjtë e rinj të fëmijëve tanë” do të ndesheshin dhëmbë për dhëmbë me krimin dhe korrupsionin dhe, më në fund, shqiptarët do të jetonin të lumtur përgjithmonë. Paradoksi regjim autoritar- institucione të pavarura, u pranua si normalitet dhe SPAK u vizatua si qerosi që ia del i vetëm të presë kokat e kuçedrës. Sot, ky iluzion i rremë ka rënë, por zhgënjimi nga një iluzion mund të jetë më traumatik se sa një realitet i kalbur. Ai mund të vrasë përfundimisht shpresën për ndryshim dhe nervin për të reaguar.

    Dështimi i paralajmëruar i eksperimentit shqiptar ndodhi përditë nga pak në sytë e të gjithëve, përfshi edhe të atyre që e sponsorizuan politikisht dhe financiarisht me taksat e qytetarëve të tyre, deri sa mbërriti në pikën pa kthim ku gjendet sot. Thjesht nuk deshën ta shohin dhe refuzuan ta pranojnë. Aksioma se s’mund të ketë drejtësi të pavarur në një shtet të kapur, u vërtetua që në krye të herës. Kur nisën emërimet në organet e vetingut dhe në këshillat e prokurorisë e gjykatave. Kur u grabitën anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe u çuan të betohen buzë lanës. Kur u dogjën ata që nuk ishin të partisë dhe kaluan ata që ishin të “krushqisë”. Dhe mbi të gjitha, kur reforma e famshme në drejtësi, që do ndëshkonte të paprekshmit, përkoi në kohë me projektimin dhe zbatimin e dy prej aferave më spektakolare të korrupsionit, që vazhdojnë ende, inceneratorët dhe e famshmja 5D.

    Përballë evidencave të qarta se edhe pushteti i drejtësisë së re po rreshtohej me shokët në sqetullën e Edi Ramës, iluzioni i madh ia lë vendin një më të vogli, në mos shpresëdhënës të paktën ngushëllues se investimi i reformës nuk kishte vajtur për dhjam qeni. Ky iluzion i vogël ishte sa qesharak aq edhe therrës: Edi Rama vërtetë ka ndikim mbi drejtësinë e re, por aty brenda ka individë që nuk i kontrollon dot. Pra institucionet e pavarura u katandisën në ca individë të pavarur.

    Sigurisht edhe ky mini iluzion e kishte jetën të shkurtër. Në kohë rekord, kryeministri vuri në rresht SPAK-un, gjykatat speciale, gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, në funksion të pushtetit të tij. Paralajmëroi Fredi Belerin nga studio e emisionit Opinion dhe policia, prokuroria, të gjitha shkallët e gjykatave e çuan deri në fund urdhërin e arrestimit dhe grabitjes së mandatit të Himarës. Kërcënoi Ervin Salianjin live në Kuvend dhe gjykata e Apelit nuk ia bëri fjalën dysh. Kërkoi të linçohej “tradhëtari” Arben Ahmetaj dhe prokurorët i nxorrën dhe vibratorët nga dhoma e gjumit. Urdhëroi nga Kongresi të arrestoheshin Berisha dhe Meta dhe SPAK me krenari mund të deklarojë se ia çoi fjalën në vend.

    Sot nuk ka më asnjë iluzion se drejtësia e re është në fakt arma e re në duart e Edi Ramës për të asgjesuar përpara zgjedhjeve opozitën dhe çdo kundërshtar politik. Nëse në zgjedhjet e kaluara përdori ndryshimin e kodit zgjedhor me vota të trafikuara dhe ndërkombëtarët heshtën me turp, për zgjedhjet e ardhshme po përdor drejtësinë e re që vetë ndërkombëtarët ia bënë dhuratë. Deri tani, “heronjtë e fëmijëve tanë” i kanë hequr qafe dy krerët e opozitës, njërin të izoluar në shtëpi dhe tjetrin të tërhequr zvarrë në qeli.

    Pandëshkueshmëria e para 15 vjetëve po rezulton më e rëndësishme se ajo që grabit aktualisht miliarda nga taksat e shqiptarëve. Sepse standarti I SPAK nuk është interesi publik por shërbimi politik. Ata që mund t’i prishin punë Edi Ramës për zgjedhjet e ardhshme nuk preken, paçka se janë kapur me preshë në duar e në gojë. Dosja e Çyrbes ndalohet të publikohet, ndërsa ajo e Ilir Metës shpërndahet me entuziasëm. Firmat e “shefit” nuk mund të hetohen, por ato të para 15 viteve s’mund të amnistohen. Korrupsioni i kundërshtarëve të Ramës është banal, ndërsa i atyre që vjedhin ditën për diell është intelektual. Dhe ky përdorim i drejtësisë së re, njësoj siç përdoren taulanët, helenat, spirot dhe palët, nuk është thjesht fundi i iluzionit euro- atltantik se në regjimet e korruptuara mund të krijosh institucione të pavaruara. Ai është degradimi përfundimtar i një shoqërie, që duartroket liderin suprem si kur cakton me votat e tij presidentit e vendit ashtu edhe kur urdhëron drejtësinë e re ta burgosë atë.

  • Më pak njerëz të shkolluar në vend, Shqipërisë po i emigron “truri”

    Më pak njerëz të shkolluar në vend, Shqipërisë po i emigron “truri”

    Drama e dyfishtë, Shqipëria ka pak njerëz të shkolluar dhe emigrim të lartë të trurit

    Një krahasim i Bankës Botërore për vendet e Rajonit ECA (përfshin 19 vende në zhvillim që nga Azia Qendrore, Europa Qendrore dhe Kaukazi në Ballkan, ku përfshihet edhe Shqipëria) tregoi se vendet që kanë një përqindje të vogël të popullsisë me arsim të lartë kanë edhe emigrimin të lartë të trurit.

    Sipas grafikut të mëposhtëm Shqipëria ka rreth 13% të popullsisë me arsim të lartë në një kohë që 45 për qind e tyre kanë emigruar.

    Ndërsa më shumë se një e treta e personave me arsim të lartë emigrojnë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kazakistani dhe Moldavia dhe më shumë se një e katërta në Armeni, Bullgari, Kroaci, Republikën e Kirgistanit, dhe Maqedonia e Veriut emigrojnë.

    Vendet me më pak të diplomuar në arsimin e lartë kanë normat më të larta të emigrimit mes tyre. Një pjesë gjithashtu e madhe e të diplomuarve me arsim të mesëm emigrojnë për të ndjekur studimet e larta jashtë vendit.

    Nga 151,274 individë të moshës 20-24 vjeç që migruan në Bashkimi Europian nga vendet e ECA në 2022, rreth 25,967 (17.2 për qind) e bënë këtë për tu arsimuar.

    Banka Botërore thekson se disa ka faktorë që mbështesin emigrimin e punëtorëve me kualifikim të lartë. Faktorët “tërheqës” përfshijnë afërsinë e vendeve me Bashkimin Europian, ku kërkesa për fuqi punëtore të kualifikuar është e fortë.

    Ndërsa faktorët “shtytës” përfshijnë mundësi të kufizuara pune për disa profesione të specializuara në vendet e origjinës. Banka Botërore sugjeron se vendet e origjinës duhet të përpiqen të zvogëlojnë fuqinë e faktorëve shtytës.

    Psh rritja e konkurrencës së pagave dhe produktivitetit në profesionet e rrezikuara me aftësi të larta mund ndihmojnë në dobësimin e stimujve për të emigruar.

    Vendet e vogla si Shqipëria mund të përqendrohen në zhvillimin e sektorëve të veçantë, si kujdesi personal dhe ai shëndetësor dhe shërbime për turistët, të cilat mund të ndikojnë në frenimin e të arsimuarve.

    Bota e zhvilluar tani ka plot shembuj se si duhet të zhvillohet sistemi i edukimit me ekonominë. Psh Sistemet arsimore në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e zhvilluara europiane kanë adoptuar qasje të ndryshme për integrimin kërkimin, edukimin dhe identifikimin e talenteve.

    Historikisht, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë investuar në qendrat kërkimore brenda në universitet, të cilat kanë zhvilluar mekanizma të fuqishëm për identifikimin dhe edukimin e talenteve, shpesh përmes proceseve konkurruese të pranimeve dhe programe të specializuara duke ofruar edhe bursa.

    Universitetet në këto vende kanë lidhje të forta me industrinë, të cilat ofrojnë mundësi identifikimi dhe zhvillimi të talenteve përmes praktikave, programeve të edukimit bashkëpunues dhe kërkimit të sponsorizuar nga industria të projekteve.

    Sistemi gjerman zhvilloi një strukturë të dyfishtë në të cilën universitetet fokusohen në mësimdhënie dhe kërkimin në zhvillimet industriale. Ky model nga disa vende evropiane dhe në ato postkomuniste identifikoi talentin përmes performancës në sisteme rigoroze të arsimit të mesëm duke identifikuar në një fazë të hershme talentet./Monitor.al