Blog

  • Nga Alfred LELA – Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….

    Nga Alfred LELA – Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….

    Debatet televizive janë kthyer prej vitesh në ikonoklastë* të konceptit të medias si mjet i publikut për të kuptuar ngjarjet dhe për t’u mbrojtur nga abuzimet e pushtetit. Për këtë nuk mund të fajësohen moderatorët, të paktën jo plotësisht, sepse ata janë pre e frymës së kohës për sensacionalen, për clickbites, për audiencën e madhe, dhe për paratë e reklamës që vijnë me të gjitha këto.

    Sidomos, dhe kjo duhet thënë, me një publik që është gjithnjë e më vulgar, i palexuar, i painteresuar dhe në kërkim të argëtimit, jo të dijeve. Ka qenë gjithmonë kështu në fakt, ajo që ka ndryshuar janë shumimi i platformave të komunikimit dhe tekonologjia, që u kanë dhënë mundësi të gjithëve të marrin një vend në agorën e pjesëmarrjes publike.

    Thënë këtë duhen kuptuar si Blendi Fevziu dhe kolegët e tij, ashtu edhe panelistët si Baton Haxhiu dhe kolegët e tij. Mbrëmë, kur po diskutohej dyshimi për pjesëmarrje në trafik droge të Olsi Ramës, që me të drejtë u kthye në vendosës të agjendës, thuajse në të gjitha debatet tv, nuk u shmang përpjekja për ta zhbërë agjendën që kish vendosur lajmi, por edhe vetë lajmi.

    Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është teatralizimi i debatit. Pra, të flasësh për çështjen nga margjinat e saj duke bërë qendrore gjërat më të parëndësishme. Paneli i mbrëmshëm, i vënë përballë kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike ishte, nuk e them dot rastësisht apo i përzgjedhur, për ta zhbërë thelbin dhe zhvendosur agjendën. Në krye të kësaj përpjekjeje u vunë me zell Baton Haxhiu dhe Iris Luarasi.

    Me sa e njoh unë median dhe debatin, ata e humbën betejën me Bardhin, por nuk ka rënëdësi kush fitoi apo humbi. Ajo që vlen në këtë rast është se, pse debati banalizohet, në mënyrë që sa më banale të jenë mendjet, dhe ato janë kryesisht të tilla, aq më shumë do të merren me të parëndësishmen, me anësoren, me hajgaren në vend të seriozes, me vogëlsinat në vend të thelbit.

    Një episod i kësaj përpjekjeje i takon Baton Haxhiut, një burri siguriosht të mençur, me hilen që inteligjencën e kam për vete, por edhe për t’jua hedhur më pak inteligjentëve se unë. Për Batonin, Olsi Rama është një hedonist, pra dikush që u jepet qejfeve të jetës. Sipas Batonit, Olsi ka qejf dy gjëra në jetë: futbollin dhe atë tjetrën që e kemi qejf të gjithë. Në një mjedis burrash ku nënkuptimet janë deomos mashkullore dmth p…. (megjithatë edhe këtu nuk kemi pse të jemi të sigfurtë sepse gjithnjë e më shumë p…po skualifikohet si totemi kryesor).

    Fevziu duke qenë, si burrë shqiptar, si moderator i emisionit kërkoi edhe një jargavitje më shumë nga publiku i tij në shkallët imagjinare të arenës, dhe e pyeti se çfarë është ajo gjëja që kanë qejf burrat.

    Gjetja e Batonit për ta fikur dritën e thelbit të debatit ishte e mirë, por efektet i ka patur jetëpaka. Edhe mendjet më vulgare e dinin se mbrëmë debati duhej të ishte “a ka përgjegjësi vëllai i njeriut më të fuqishëm në vend; a është ai pjesë e trafikut të drogës? Akuza bazohej mbi dyshime të arsyeshme, mbi piketa që lidheshin logjikisht, me dosje të prokuruara nga shteti dhe vinin nga një eksponent i lartë i partisë më të madhe të opozitës.

    Debati pra, ishte, a është i përfshirë Olsi, jo si qytetari Rama, por si vëllai i kryeministrit? A janë qepur dokumentet në mënyrë të tillë që ai ti shpëtonte përgjegjësisë? A e kanë fshehur prokurorët përfshirjen e tij? A janë promovuar ata në detyra të larta për këtë ‘shërbim’ ndaj kryeministrit?

    Të mbuluarit e këtyre pyetjeve me hedonizmin e personazhit në fjalë, dëshirimet e tij për futbollin dhe p…. janë banalitete, për vetë faktin e thjeshtë se thuajse të gjithë burrat, këtu apo në vende të tjera, këtë bëjnë: shohin shumë futboll dhe janë të trishtuar se pse kanë kaq pak p…

    Por, kjo përpjekje për ta vizatuar Olsin si hedonist, pra një qejfli të vjetër qyteti, është një skenar i përdorur, që pararendësit e Batonit në krijimin e mitit të Edi Ramës e kanë futur në qarkullim që në fillimvitet ’90. Ky mit e shpëtoi Ramën edhe nga kurthi i fotove nudo në plazhet e Francës, që u publikuan për ta dëmtuart dhe në fund e ndihmuan që të rizgjidhej në krye të bashkisë.

    Batoni dhe të tjerë, le të mundohen të ngrenë mit të ngjashëm edhe për Olsin, por kjo nuk e shmang pyetjen: keni ndonjë burrë shteti për të ofruar apo vetëm burra p…? 

    *ikonoklast-persona që mundohen të zhbëjnë apo sulmojnë besime apo koncepte të ngulitura dhe popullore.

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Nuk është Olsi, është big brother Rama!

    Nga Basir ÇOLLAKU – Nuk është Olsi, është big brother Rama!

    Ramës i del fjala… Burg, burg, burg, ulëriste si nopran ndëshkues ndaj çdo robi në vend edhe nëse teshtinte nga gripi. Dhe sot ka ministra, zv, kryeministër, bashkiakë, drejtorë, deputetë, në burg dhe të pandehur. Tani ka në zgrip burgu, më tepër se herë tjetër, të vëllanë Olsin. Shekspiri ka thënë, oreksi vjen duke ngrënë. Tani 313-ta, duket zyrë qeveritare.

    Denoncimi i Gazment Bardhit ka hapur thesin e kokainës.

    Laboratori i parë dhe më i madh i Kokainës në Shqipëri, me këshilltarë kolumbianë, ishte Xibraka. Përfshirja e Olsi Ramës, vëllait të Kryeministrit, shpartalloi operacionin e nisur nga partnerët gjermanë. Biznesmenë djemtë e ish-deputetes socialiste kishin magazinën. Nipi i diktatorit Hoxha pjesë e organizatës.

    Ata nuk e njohën!

    Foton Olsit fantazmë, të “pamundur” në identifikim, nuk e publikuan ta shpallnin në kërkim dhe ta njihnin të tjerët.

    Telefonin nuk ia morën të zbërthenin qelizën dhe të kqyrnin lëvizjet, vendndodhjet, bisedat, mesazhet.

    Makinën nuk ia kontrolluan.

    Gjurmët e gishtave nuk ia morën, ta krahasonin me gjurmët në vendngjarje dhe sendet e sekuestruara.

    Përgjimet zanore nuk i dëgjuan. As nga zëri nuk e njohën. Kampion krahasues nuk i morën.

    Gen Xhixha kapo i grupit ia mbathi në Kubë. Drejtorë të shumtë policie dhe administrate, e vizituan dhe ai i sajdisi atje pas arratisë.

    OFL-në e famshme nuk ia dërguan.

    Pas këtyre veprimeve, të pabëra, ai Olsi i panjohur do të rezultonte i përfshirë. Kjo do të sillte hetimin pasuror në kuadër të ligjit Antimafia. Jo vetëm për Olsin e panjohur, por edhe të vëllanë Edin, kryeministrin e njohur.

    Prokurorët Olsi Çela dhe Edvin Kondili, u treguan konsensualë. Kompromrntuan hetimin, kaparuan karrierën. Njëlloj hovi në karrierë, drejtori i policisë vendore të qarkut Elbasan, në kohën e ndodhjes së ngjarjes. Të pandehurit kërkuan gjykim të shkurtuar, prokurorët ranë dakort, gjykata jo, hetimi u rikthye. Dënimi u dha, poshtë kërkesave të akuzës, sërish Prokurorët si asnjëherë tjetër, nuk u ankuan, të pandehurit po. Në 2023, ankesa e të pandehurve në Gjykatën e Lartë u refuzua duke mbyllur fazat e gjykimit. Kjo mund të hapte shteg për asgjësim përgjimesh në dosje dhe burim.

    Olsi botoi si reagim. tekstin e vëllait, një çoroditje frike. Aty janë call centerat, bastet, kazinotë, investimet në bregdet, tenderat, pastrimi parave, ofshoret, aksionet në kompani të mëdha..

    Aty është Veliaj babëzi paligjshmërie. Nuk është Olsi, është big brother Rama.

    Çdo përkim me emra konkret nuk është rastësor…

    To be continued…

  • Me 2 dosje në SPAK, 6 drejtorë të akuzuar për korrupsion dhe miliona euro të shpërdoruara: A mund të jetë më Veliaj kryetar i Bashkisë së Tiranës?

    Me 2 dosje në SPAK, 6 drejtorë të akuzuar për korrupsion dhe miliona euro të shpërdoruara: A mund të jetë më Veliaj kryetar i Bashkisë së Tiranës?

    Ditën e djeshme Bashkia e Tiranës mori të dytën godtje nga Prokuroria e Posaçme nën akuzën e grupit të strukturuar kriminal. Deri më tani ka dy dosje hetimore në drejtim të Bashkisë së Tiranës dhe drejtorëve të saj. Fillimisht është dosja e aferës së Inceneratorëve, e cila burgosi drejtorin dhe bashkëpunëtorin e Erion Veliajt, Taulant Tushen si dhe disa zyrtarë të tjerë.

    Nuk vonoi shumë se e njëjta gjë ndodhi dje, ku u dhanë 9 masa sigurie për drejtorët dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Tiranës. Në pranga ka rënë krahu i djathtë i Veliajt në Bashki, Mariglen Qato si dhe drejtori i UKT-së Redian Molla. I gjithë aksioni i SPAK ditën e djeshme ka ardhur si pasojë e denoncimit që bëri kandidati i Opozitës për kryetar Bashkie, Belind Këlliçi për dosjen 5D Konstruksion.

    Të gjitha akuzat që Këlliçi ka bërë për dosjen 5D kanë rezultuar të sakta e janë konfirmuar dhe nga SPAK, i cili ditën e djeshme arrestoi të besuarit e Veliajt. Por ngrihet pyetja se çfarë do të bëhet me bashkinë më të madhe të vendit, me gjithë këto shkelje dhe akuza drejt saj. A duhet të vazhdojë puna normalisht apo e bashkia e Tiranës duhet që të përballet me votëbesim nga qytetarët.

    Këlliçi pas zgjedhjeve të 14 majit ka denoncuar të gjithë mekanizmin e deformimit të votës dhe vjedhjeve të zgjedhjeve, akuzë e cila u mbështet edhe nga hetimet e SPAK. Mbi këtë rast a duhet që të japë dorëheqjen Veliaj nga kreu i Bashkisë? Jo vetëm për të mos penguar drejtesinë që të bëj punën e saj dhe për të mos fshirë provat, por edhe për shkak se ka humbur mandatin moralisht për të drejtuar bashkinë e kryeqytetit.

    Deri më tani mbi këto ngjarje, nuk ka reaguar as vetë Veliaj dhe as kryeministri Edi Rama, i cili nën petkun e fjalëve “Nuk komentoj punën e drejësisë”, ka heshtur mbi të gjitha godtjet që kanë marrë Ministrat, Kryebashkiakët dhe deputetët e tij. A duhet që reagojë Edi Rama në këtë rast duke shkarkuar Veliajn, në mënyrë që Bashkia të shkoj në zgjedhje të reja paraprake.

    Kjo pasi të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur, kanë treguar që Bashkia Tiranë nuk është e aftë që të menaxhojë qindra milionë në vit, për shkak të korrupsionit galopant. Tashmë në Bashkinë e Tiranës morali i drejtuesit të bashkisë është në dyshim ndërsa administrata e pabesueshme.

  • A po “hanë rrushin” pas shpinës së Lali Erit?

    A po “hanë rrushin” pas shpinës së Lali Erit?

    Prangat e policisë u tundën dje brenda Bashkisë së Tiranës, pak para se kryebashkiaku Erion Veliaj të mbante mbledhjen e Këshillit Bashkiak, duke bërë rolin se “asgjë nuk ka ndodhur”…, ndonëse në çdo vend normal ajo që ndodhi do e bënte kryebashkiakun të jepte dorëheqjen e menjëhershme. Famozët Mariglen Qato dhe Redi Molla, drejtorë në IMT dhe UKT, u arrestuan me urdhër të SPAK dhe bashkë me ta e njëjta masë “arrest me burg” u caktua edhe për Taulant Tushën, i cili ndodhet në qeli edhe për çështjen e Inceneratorit të Tiranës. Po ashtu për shtatë të tjerë edhe ata “specialistë e këshilltarë të Lali Erit” janë me masën “detyrim paraqitje”.

    Për rastin konrekt bëhet fjalë për aferat e frikshme të drejtorëve të Veliajt që kishin krijuar kompani private dhe i jepnin vetes tendera publikë qindra milionë euro. Skema ishte e qartë prej shumë kohësh, por megjithatë SPAK u zgjua disi vonë për këto vjedhje kaq të trasha. I ndodhur në këtë gjendje, politikisht Erion Veliaj do të ndjekë udhën e Ramës për tu justifikuar. Për pak ditë ai nuk do dalë në publik, por ka gati qëndrimin duke u shprehur se nuk do të komentojë çështjen e drejtësisë.

    Njësoj si kryeministri edhe ai është gati të shesë këdo bashkëpunëtor të tij për të shpëtuar lëkurën e vet. Ka edhe një favor më shumë pasi çdo media e shkruar dhe vizive është nën kontrollin e tij të cilën e ushqen me leje ndërtimi, në këmbim që ata të transmetojnë çdo propagandë personale dhe mos i futen thellë asnjë abuzimi që ndodh në çerdhen e bashkisë.

    “Kush ka ngrënë dardha pas shpinës sime le të përballet me drejtësinë”-deklaroi Rama kohë më parë, teksa ish-ministrara, deputetë e kryebashkiakë të tij u arrestuan për korrupsion. Jo vetëm që nuk mbajti përgjegjësi por tentoi të fitonte teksa shprehej se ishte pikëriasht ai “babai i reformës në drejtësi”, duke shtua se po të mos ishte PS-ja, SPAK-u e institucionet e tjera as që do të ekzistonin. Tashmë po shtohet edhe Erion Veliaj në votrën ku korrupsioni, abuzimi dhe propaganda malinje janë rritur edhe më shumë se vetë kullat e oligarkisë së betonit.

    Mirëpo sot Veliaj ndohet paksa ngushtë për të qëmtuar në fjalorthin e tij fort të cunguar, sepse shprehjen “kanë ngrënë dardha pas shpinës sime” e ka zënë Rama më parë dhe në këtë rast Lali Eri nuk mund ta përdorë… Ka variante të tjera ende të pazëna si: “kanë ngrënë rrush pas shpinës sime, apo “qëruan fiqtë -pa e ditur unë”.

    Ato që Rama, Veliaj, Bela dhe ministra të tjerë abuzues i quajnë “fruta”, në fakt janë qindra miliona euro të rrëbyera në xhepat e qytetarëve. Ndër drejtorët e arrestuar të Veliajt është edhe Redi Molla që drejtonte Ujësjellës Kanalizimet Tiranë. Ndërsa kryeqyteti thahet për ujin e pijshëm që nuk pihet dhe çmimin është rritur mbi 70 % qëkur mori drejtimin e bashkisë Veliaj, drejtorët e tij I bëjnë “rrush e kumbulla” paratë qytetare që dridhen para faturave të ujit. Po Lali nuk dinte gjë për batërdinë e drejtorëve dhe bashkëpunëtorëve të tij? Çdolloj pretendimi dhe justifikimi i kryebashkiakut të Tiranës nuk ka buf ta kapërdijë, por situat është në favor të  ato para të rrëmbyera ndaj qytetarëve shkonin në kasafortët e llojit dhe sorolloëve të drejtuesve të Bashkisë Tiranë.

    Po ashtu në pranga është Edhe Mariglen Qato, drejtori malinj që lejoi të ndërtonin pa leje pallate e vila oligarkësh, ndërsa gjobiste dhe procedonte penalisht qytetarë që ndërronin çatitë e shtëpisë, shtronin pllaka apo restauronin avllitë e rrënuara. Të kenë “ngrënë rrush” pas shpinës së Veliajt?

  • Nga Luçiano BOÇI – Xibraka si fillim i projektit të narkoshtetit

    Nëse do ishte në dorë të autoriteteve shqiptare Xibraka dhe sot e kësaj dite do ishte laboratori kryesor në Ballkan për prodhimin e kokainës.

    Kjo për faktin e thjesht se ajo ishte nukli i fillimit të ndërtimit të ngrehinës së narko-shtetit që kemi sot.

    Falë angazhimit gjerman u arrit identifikimi i këtij laboratori. Gjermanët nga ana e tyre u tradhëtuan hapur nga policia shqiptare dhe akoma më keq u keqpërdorën pafundësisht nga përfaqësuesit e drejtësisë.

    Implikimi i vëllait të Kryeministrit aty nuk është një rastësi rrethanash e as një histori “çunash” që i detyron shoqëria të ulen në tavolina, apo të përdorin për hobi të njejtën makinë.

    Histori të tilla ka plot Shqipëria.

    Por nuk është ky rasti.

    Ajo që i bashkon emrat e përfshirë në këtë  është filli i fortë politik. Të gjithë me lidhje organike thelbësore me Partinë Socialiste të Edi Ramës që sapo kishte ardhur në pushtet.

    Një lidhje që niste me mitrën e komunizmit e vazhdonte me deputetë të atëhershëm të PS dhe që shkonte deri tek vetë Edi Rama.

    Kjo nuk është çështje biografie, por argumentesh e faktesh që dëshmojnë ekzistencën e projektit famëzi të narkoshtetit që prodhon para nga trafiku pafund dhe i përkthen ato më pas në vota dhe prona si investime politike e strategjike që çimentuan në Shqipëri një regjim spektakolar.

    Ndërtimi i këtij laboratori ishte strategjik. Xibraka gjendet në nyjen kryesore të lëvizjes dhe tranzitimit të lëndëve narkotike, në Elbasan dhe në një pikë ku vëmendja e njerëzve ishte pothuaj zero.

    Shto këtu dhe marrjen e masave mbrojtëse policore me vendosjen në drejtimin e drejtorisë vendore të policisë të personave që garantonin mbrojtjen e laboratorit.

    Xibraka hapi siparin e ndërtimit e konsolidimit të marrëdhënies së ngushtë krim-politikë, ishte hapi i parë domethënës i kupolës së re dhe të vjetër majtiste në zbatimin e projektit të tyre dhe shërbeu si frymëzim për ta shndërruar vendin në një platformë prodhimi dhe shitje narkotikësh.

    Xibraka u pasua nga simotrat e saj që ndoshta ende dhe sot janë aktive dhe krijoi nëpërmjet anëtarëve të saj për herë të parë lidhjet midis Amerikës Latine dhe Shqipërisë që sot janë akoma më domethënëse.

    Të gjitha pothuaj me mbrojtje shtetërore. Tonelata droge prej kohësh kanë kaluar e kalojnë portet shqiptare e kufirin shqiptar.

    Jo më kot Xibraka u pasua nga kanabizimi tërësor i vendit me bekim dhe vendim informal qeverie sipas dhe dëshmisë së zv/Kryeministrit Ahmetaj.

    Suksesi i gjithë kësaj ndërrmarje është shndërrimi i shoqërisë sonë në konsumatore marramendëse të kokainës e hashashit, ndoshta e para për numër banorësh.

    Projekti i narkoshtetit nuk mbeti vetëm në prodhimin e lëndëve narkotike dhe parave. Ai u shtri në politikë dhe ekonomi.

    Organizatat kriminale me mbështetje shtetërore u involvuan fuqishëm në politikën e majtë me përfaqësues dhe me angazhim kriminal ndaj votës, duke krijuar lehtësira të padiskutueshme për PS në marrjen e disa pushteteve.

    Ndërkohë paratë e fitura ndoqën dy drejtime: ekonami e propagandë. Kompanitë e krijuara nga paratë e trafikut me mbështetje e aksione politike sot dominojnë sektorët kryesorë të ekonomisë, veçanërisht turizmin dhe ndërtimin dhe pastrojnë rregullisht burimet e tyre financiare, duke u shndërruar në perandori të paprekshme.

    Gjithçka e dirigjuar nga politika e Rama që në çdo rast e ka vënë pushtetin në shërbim të tyre, duke marrë prej tyre shërbime politike dhe financa të drejpërdrejta të injektuara në blerje votash dhe ndërtimin e një propagande ekzemplare.

    Efektet që ka prodhuar fenomeni Xibraka si hapi i parë i projektit të narkoshtetit, janë të prekshme dhe të llahtarshme dhe kanë çuar deri në ekzekutimin e demokracisë në mënyrë të pashmngshme.

    Xibraka nuk u eleminua asnjëherë. Krerët e saj nuk e braktisën asnjëherë atë. Ajo vetëm u spostua fizikisht disa qindra metra më tej dhe u shumëfishua në gjithë vendin si detonacion i atij projekti që ka ndërtuar sot në Shqipëri narkoshtetin e parë made in Kolumbia apo alla Meksikë në Evropë.

  • Nga Andi BUSHATI – Rilindja paguan për të joshur turistët me një Tiranë që nuk ekziston më

    Sjellja në shqip e një artikulli të përkthyer të revistës lifestyle italiane Vanity Fair, shkaktoi një polemikë të vogël në mediat vendase. TV-të dhe gazetat on line të propagandës, brohoritën me të madhe për këtë sukses të ri të vendit, të udhëhequr nga rilindja.

    Ndërsa pak gazetarë skrupulozë, nga ata që dinë të lexojnë mes reshtave, vunë re një detaj të vogël që fshihte një anomali të madhe. Në fotot ilustruese të këtij artikulli, ishin fiksuar me gjithë magjinë e tyre godinat historike të Tiranës, po nuk dukeshin gjëkundi rokaqiejt që po i marrin frymën asaj. Kështu, në “kartolina” shihej ende ndërtesa e pashembur e Teatrit Kombëtar, nga hapsira përballë tij shquhej minarja e xhamisë tashmë e fshehur pas kullave, ndërsa nga sheshi Skënderbej dukej sahati pa grataciela në sfond.

    Pra, turistët që ftohem të vizitojnë Tiranën e sotme gënjehen me karremin e një qyteti që ne tashmë e kemi zhdukur.

    Pavarësisht se edhe, ashtu si disa media të tjera të pavaruara, e pa nga ky këndvështrim këtë manipulim me imazhet, thelbi i kësaj historie qëndron tjetërkund. Lajmi nuk është më te retushimi i fotove me kulla, për të cilat Erion Veliaj ka thyer rekorde qesharakëzimi. Debati nuk qëndron as vetëm te hipokrizia e atyre që kur japin leje i stigmatizojnë kritikët si kullofobë, ndërsa kur reklamojnë veten, i pastrojnë nga sfondi këto monumente të pastrimit të parave.

    Prezenca e “fotove gënjeshtare” në artikull tregon një gjë tjetër. Deri sa aty gjenden imazhet pa kulla që propogandon pushteti, të shtohen dyshimet se “Vanity Fair” nuk ka bërë një artikull gazetaresk, por një shkrim të sponsorizuar. Pra, revista italiane nuk ka sjellë këtu bashkë me gazetaren edhe fotoreporterin e saj, për të pasqyruar Tiranën siç është sot, po e ka ilustruar tekstin me imazhet që i kanë servirur porositësit.

    Edhe deri këtu gjithçka është normale. Qeveria pavarësisht se nuk e pranon, bën mirë që paguan për promovimin e turizmit në tregun ndërkombëtar. Madje ajo e ka detyrim ta bëjë një gjë të tillë.

    Por, problemi nis kur fillojnë e kërcasin boritë lokale të propaganës. I pari që e postoi linkun e Vanity Fair ishte Edi Rama, i cili me një lehtësi të habitshme, që do të bënte të nënqeshte çdo gazetar italian, e ngriti në rangun e revistës prestigjoze. Menjëherë mediat që i besojnë kryeministrit njësoj si një profeti, Shqiptarja.com, TV Klan, Koha Jonë, raportuan për ngjarjen e madhe që zuri vend në faqet e “prestigjozes” italiane. Mbarë pesazhi mediatik u përmbyt nga propoganda e atyre që nga izolimi i ballkonit të vet, Sali Berisha u ngjiti nofkën “tele-turizmi”.

    Pikërisht këtu qëndron e vërteta e trishtë e këtij manipulimi. Jo vetëm te fakti që rilindja paguan për të joshur turistët e huaj me një Tiranë që nuk ekziston më. Por se ajo, mbi të gjitha, gënjen shqiptarët për t’u shitur një fabul të paqenë. Duke përdorur artikuj që i ka sponsorizuar vetë, ajo u imponon atyre rrëfimin e një Shqipërie aq të lulëzuar, sa po tërbon dhe mediat ndërkombëtare.

  • 50 shitjet rekord në historinë e Milanit

    50 shitjet rekord në historinë e Milanit

    Për nevoja buxhetore, me kërkesë apo për zgjedhje teknike, përgjatë historisë së tij Milani ka mbyllur operacione të ndryshme në shitjen e lojtarëve me shuma të konsiderueshme. Edhe pse, pas përpilimit të kësaj liste, u zhgënjeve disi pasi prisja arkëtime shumë më të mëdha. Ndoshta sot klubi kuqezi paguan mungesën në organikë të lojtarëve të nivelit të lartë (si ata të një herë e një kohe) në momentin e shpërthimit në merkaton evropiane të transferimit rekord të Neymar në Barcelonë (dhe prej atij momenti, rritjen dramatike të vlerave të të gjithë lojtarëve).

    Kështu, nuk është rastësi fakti që shitja më e rëndësishme ekonomike e Milanit është ende ajo e Ricardo Kaka, i cili u shit te Real Madridi në verën e vitit 2009 për 67 milionë euro. Në atë periudhë një shifër shumë e respektuar, por që në renditjen e sotme botërore të transferimeve më të pasura nuk renditet as në top 30-she. Ndër operacionet e pranishëm në këtë listë ka lojtarë që kanë bërë historinë e Milanit, ka të tjerë që kanë veshur fanellën e kuqezinjve vetëm kalimthi, ka edhe të tjerë që janë shitur shumë të rinj dhe që kanë bërë pasurnë e klubeve të tjera në Evropë. Me pak fjalë, midis 50 transferimeve rekord të Milanit në historinë e tij, ka emra ndërkombëtarë, të zakonshëm dhe meteorë.

    1. Kakà

    Mosha e transferimit: 27 vjeç
    Sezoni: 2009-10
    Destinacioni: Real Madrid
    Kosto e shitjes: 67 milionë di euro

     

    2. Sandro Tonali

    Mosha e transferimit: 23 vjeç
    Sezoni: 2023-24
    Destinacioni: Newcastle
    Kosto e shitjes: 64 milionë di euro

     

    3. Andriy Shevchenko

    Mosha e transferimit: 29 vjeç
    Sezoni: 2006-07
    Destinacioni: Chelsea
    Kosto e shitjes: 43,9 milionë

     

    4. Thiago Silva

    Mosha e transferimit: 27 vjeç
    Sezoni: 2012-13
    Destinacioni: Paris Saint-Germain
    Kosto e shitjes: 42 milionë

     

    5. Leonardo Bonucci

    Mosha e transferimit: 31 vjeç
    Sezoni: 2018-19
    Destinacioni: Juventus
    Kosto e shitjes: 35 milionë

     

    6. Krzysztof Piatek

    Mosha e transferimit: 24 vjeç
    Sezoni: 2019-20
    Destinacioni: Herta Berlin
    Kosto e shitjes: 24 milionë

     

    7. Lucas Paquetà

    Mosha e transferimit: 23 vjeç
    Sezoni: 2020-21
    Destinacioni: Lion
    Kosto e shitjes: 23,4 milionë

     

    8. Francesco Coco

    Mosha e transferimit: 25 vjeç
    Sezoni: 2002-03
    Destinacioni: Inter
    Kosto e shitjes: 22,5 milionë

     

    9. Suso

    Mosha e transferimit: 26 vjeç
    Sezoni: 2020-21
    Destinacioni: Sevilia
    Kosto e shitjes: 21,7 milionë

     

    10. Zlatan Ibrahimovic

    Mosha e transferimit: 30 vjeç
    Sezoni: 2012-13
    Destinacioni: Paris Saint-Germain
    Kosto e shitjes: 21 milionë

     

    11. Mario Balotelli

    Mosha e transferimit: 24 vjeç
    Sezoni: 2014-15
    Destinacioni: Liverpool
    Kosto e shitjes: 20 milionë

     

    12. Patrick Cutrone

    Mosha e transferimit: 21 vjeç
    Sezoni: 2019-20
    Destinacioni: Wolverhampton
    Kosto e shitjes: 18 milionë

     

    13. Cristian Zenoni

    Mosha e transferimit: 24 vjeç
    Sezoni: 2001-02
    Destinacioni: Juventus
    Kosto e shitjes: 15,5 milionë

     

    14. Alexandre Pato

    Mosha e transferimit: 23 vjeç
    Sezoni: 2012-13
    Destinacioni: Corinthians
    Kosto e shitjes: 15 milionë

     

    15. Nikola Kalinic

    Mosha e transferimit: 30 vjeç
    Sezoni: 2018-19
    Destinacioni: Atletico Madrid
    Kosto e shitjes: 14,5 milionë

     

    16. Alberto Gilardino

    Mosha e transferimit: 25 vjeç
    Sezoni: 2008-09
    Destinacioni: Fiorentina
    Kosto e shitjes: 14 milionë

     

    17. Klaas-Jan Huntelaar

    Mosha e transferimit: 27 vjeç
    Sezoni: 2010-11
    Destinacioni: Schalke 04
    Kosto e shitjes: 14 milionë

     

    18. Manuel Locatelli

    Mosha e transferimit: 21 vjeç
    Sezoni: 2019-20
    Destinacioni: Sassuolo
    Kosto e shitjes: 14 milionë

     

    19. Yoann Gourcuff

    Mosha e transferimit: 22 vjeç
    Sezoni: 2009-10
    Destinacioni: Bordeaux
    Kosto e shitjes: 13,5 milionë

     

    20. Stephan El Shaarawy

    Mosha e transferimit: 23 vjeç
    Sezoni: 2016-17
    Destinacioni: Roma
    Kosto e shitjes: 13 milionë

     

    21. Javi Moreno

    Mosha e transferimit: 27 vjeç
    Sezoni: 2002-03
    Destinacioni: Atletico Madrid
    Kosto e shitjes: 13 milionë

     

    22. Patrick Kluivert

    Mosha e transferimit: 22 vjeç
    Sezoni: 1998-99
    Destinacioni: Barcellona
    Kosto e shitjes: 12,6 milionë

     

    23. M’Baye Niang

    Mosha e transferimit: 23 vjeç
    Sezoni: 2018-19
    Destinacioni: Torino
    Kosto e shitjes: 12 milionë

     

    24. Mattia De Sciglio

    Mosha e transferimit: 24 vjeç
    Sezoni: 2017-18
    Destinacioni: Juventus
    Kosto e shitjes: 12 milionë

     

    25. Gianluca Lapadula

    Mosha e transferimit: 28 vjeç
    Sezoni: 2018-19
    Destinacioni: Genoa
    Kosto e shitjes: 11 milionë

     

    26. Kevin-Prince Boateng

    Mosha e transferimit: 26 vjeç
    Sezoni: 2013-14
    Destinacioni: Schalke 04
    Kosto e shitjes: 10 milionë

     

    27. Marco Borriello

    Mosha e transferimit: 29 vjeç
    Sezoni: 2011-12
    Destinacioni: Roma
    Kosto e shitjes: 10 milionë

     

    28. Ricardo Oliveira

    Mosha e transferimit: 28 vjeç
    Sezoni: 2008-09
    Destinacioni: Real Saragozza
    Kosto e shitjes: 10 milionë

     

    29. Luca Saudati

    Mosha e transferimit: 22 vjeç
    Sezoni: 2001-02
    Destinacioni: Atalanta
    Kosto e shitjes: 10 milionë

     

    30. José Mari

    Mosha e transferimit: 24 vjeç
    Sezoni: 2003-04
    Destinacioni: Villarreal
    Kosto e shitjes: 9 milionë

     

    31. Jens Petter Hauge

    Mosha e transferimit: 22 vjeç
    Sezoni: 2022-23
    Destinacioni: Eintracht Francoforte
    Kosto e shitjes: 8,2 milionë

     

    32. Edgar Davids

    Mosha e transferimit: 24 vjeç
    Sezoni: 1997-98
    Destinacioni: Juventus
    Kosto e shitjes: 8 milionë

     

    33. Michael Reiziger

    Mosha e transferimit: 24 vjeç
    Sezoni: 1997-98
    Destinacioni: Barcellona
    Kosto e shitjes: 8 milionë

     

    34. Jon Dahl Tomasson

    Mosha e transferimit: 28 vjeç
    Sezoni: 2005-06
    Destinacioni: Stoccarda
    Kosto e shitjes: 7,5 milionë

     

    35. Carlos Bacca

    Mosha e transferimit: 31 vjeç
    Sezoni: 2018-19
    Destinacioni: Villarreal
    Kosto e shitjes: 7 milionë

     

    36. Matteo Pessina

    Mosha e transferimit: 20 vjeç
    Sezoni: 2017-18
    Destinacioni: Atalanta
    Kosto e shitjes: 7 milionë

     

    37. Marcel Desailly

    Mosha e transferimit: 29 vjeç
    Sezoni: 1998-99
    Destinacioni: Chelsea
    Kosto e shitjes: 6,7 milionë

     

    38. Alberto Paloschi

    Mosha e transferimit: 23 vjeç
    Sezoni: 2012-13
    Destinacioni: Chievo Verona
    Kosto e shitjes: 6,5 milionë

     

    39. Alexander Merkel

    Mosha e transferimit: 19 vjeç
    Sezoni: 2011-12
    Destinacioni: Genoa
    Kosto e shitjes: 6,5 milionë

     

    40. Simone Verdi

    Mosha e transferimit: 23 vjeç
    Sezoni: 1016-17
    Destinacioni: Bologna
    Kosto e shitjes: 6,4 milionë

     

    41. Christian Ziege

    Mosha e transferimit: 27 vjeç
    Sezoni: 1999-2000
    Destinacioni: Middlesbrough
    Kosto e shitjes: 6 milionë

     

    42. Antonio Cassano

    Mosha e transferimit: 30 vjeç
    Sezoni: 2012-13
    Destinacioni: Inter
    Kosto e shitjes: 5,5 milionë

     

    43. Patrick Vieira

    Mosha e transferimit: 20 vjeç
    Sezoni: 1996-97
    Destinacioni: Arsenal
    Kosto e shitjes: 5,3 milionë

     

    44. Martin Laursen

    Mosha e transferimit: 26 vjeç
    Sezoni: 2004-05
    Destinacioni: Aston Villa
    Kosto e shitjes: 5,3 milionë

     

    45. Bryan Cristante

    Mosha e transferimit: 19 vjeç
    Sezoni: 2014-15
    Destinacioni: Benfica
    Kosto e shitjes: 5,2 milionë

     

    46. Juraj Kucka

    Mosha e transferimit: 30 vjeç
    Sezoni: 2017-18
    Destinacioni: Trabzonspor
    Kosto e shitjes: 5 milionë

     

    47. Fabricio Coloccini

    Mosha e transferimit: 23 vjeç
    Sezoni: 2004-05
    Destinacioni: Deportivo La Coruna
    Kosto e shitjes: 5 milionë

     

    48. Roberto Ayala

    Mosha e transferimit: 27 vjeç
    Sezoni: 2000-01
    Destinacioni: Valencia
    Kosto e shitjes: 5 milionë

     

    49. Jesper Blomqvist

    Mosha e transferimit: 23 vjeç
    Sezoni: 1997-98
    Destinacioni: Parma
    Kosto e shitjes: 5 milionë

     

    50. Davide Astori

    Mosha e transferimit: 21 vjeç
    Sezoni: 2008-09
    Destinacioni: Cagliari
    Kosto e shitjes: 5 milionë

    Artikulli origjinal është publikuar nga 90min.com, me titull: 50 shitje rekord në historinë e Milanit

  • Golashënuesit më të mirë në historinë e Kampionatit Evropian

    Golashënuesit më të mirë në historinë e Kampionatit Evropian

    Kampionati Evropian në Gjermani po afron. Kombëtarja e Julian Nagelsmann do të mirwpresë edicionin e 17-të të Kampionatit Evropian të Futbollit. Me zyrtarizimin e grupeve, jemi në pritje vetëm të përfundimit të Playoff-eve, e më pas i gjithë kontinenti përgatitet të ndjekë një turne me kombëtare të ndryshme preferuara dhe shumë kampionë në fushë.

    Mes parashikimeve që shtyjnë Francën dhe Anglinë si kandidatët kryesorë për titull, debateve për vlerën e pretendentëve të tjerë dhe diskutimet se kush do të jetë ekipi zbulim i këtij kampionati, padyshim tema më e nxehtë e këtyre ditëve duket se është sulmuesi, pra kush do të jetë sulmuesi më i mirë që do të tërheqë për dore skuadrën e tij drejt titullit të aq shumë ëndërruar.

    Dhe deri në atë moment, le të zbulojmë së bashku se cilët janë golashënuesit më të mirë në historinë e Kampionatit Evropian, sa gola kanë shënuar dhe në cilin edicion të Evropianit.

    14 gola

    Është Cristiano Ronaldo golashënuesi më i mirë në historinë e Evropianëve. Kampioni portugez është edhe lojtari me numrin më të madh të ndeshjeve (25) dhe numrin më të madh të pjesëmarrjeve në kampionate (5 deri më tani, baraz me Iker Casillas). Krenohet me një fitore më 2016-ën dhe me dy tituj të kryegolashënuesit më të mirë (2012 dhe 2020).

    9 gola

    Në kuotën 9 është një ikonë e shquar e të kaluarës: fituesi i shumëfishtë i Topit të Artë, Michel Platini. Fenomeni francez ka marrë pjesë vetëm në edicionin e vitit 1984, duke shënuar plot 9 gola në 5 ndeshje dhe duke e çuar kombëtaren e tij drejt fitores me një mesatare prej 1.8 gola për ndeshje, në momentin më të mirë të karrierës së tij.

    7 gola

    Në kuotën 7 është legjenda e futbollit anglez, Alan Shearer dhe e kaluara dhe e tashmja e kombëtares franceze, Antoine Griezmann. Golashënuesi më i mirë në historinë e Premier League ka luajtur në tri kampionate evropiane, duke arritur suksesin më të madh më 1996, ku u ndal në gjysmëfinale nga fituesja e ardhshme e Kupës, Gjermania. Ndërsa “Le petit diable”, Greizmann sot ka mundësi të mëdha për të arritur bashkatdhetarin e tij Platini. Nga nxehtësia në shtëpi e Euro 2016 e deri në atë të Euro 2020, francezi ka zhvilluar gjithsej 11 ndeshje në këtë kompeticion.

    6 gola

    Shumë i dendur grupi i atyre që shënuan kanë ndaluar në 6 gola. Drejtojnë, në një renditje hierarkike në bazë të numrit më të ulët të paraqitjeve, holandezët Ruud Van Nistelrooy dhe Patrick Kluivert, i pari midis Euro 2004 dhe Euro 2008, ndërsa i dyti në dy kampionatet e mëparshme evropiane. Me një mesatare prej 0.60 gola për ndeshje, që i korrespondojnë 6 golave në 10 ndeshje, është edhe një treshe që drejtohet nga anglezi Wayne Rooney dhe kompletohet nga dy sulmues të ditëve të sotme, që do të jenë edhe pika referimi për kombëtaret e tyre në Evropianin e ardhshëm: Romelu Lukaku për Belgjikën dhe Alvaro Morata për Spanjën. 6 gola edhe për Thierry Henry (Francë), Zlatan Ibrahimovic (Suedi) dhe Nuno Gomes (Portugali).

    5 gola

    Akoma më e ngjeshur është kategoria e 5 golave. Me mesataren më të lartë (1.25 gola për lojë) kryeson Savo Millosheviç, 5 gola në 4 ndeshje me Jugosllavinë në Evropianin 2000. Pason, disi çuditërisht, Patrik Schick, golashënuesi më i mirë në 2020, me të njejtën sasi golash me Cristiano Ronaldon në këtë kampionat, me mesataren 1 gol për ndeshje dhe kujtimi i pashlyeshëm i një goli të mrekullueshëm nga mesi i fushës.

    Më pas Marco Van Basten për Holandën dhe një tjetër përfaqësues i Republikës Çeke. Bëhet fjalë për Milan Baros dhe shpërthimin e tij në Euro 2004. Robert Lewandowski me Poloninë e tij, është ndër ata që ndoshta do t’i shohim edhe në edicionin e ardhshëm, me një mesatare pak më të lartë se gjermanët Mario Gomez dhe Jurgen Klinsmann, spanjolli Fernando Torres dhe francezi Zinedine Zidane.

    Artikulli origjinal është publikuar nga 90min.com

  • Nga Erion DASHO – Shqiptarët dhe e ardhmja

    Nga Erion DASHO – Shqiptarët dhe e ardhmja

    Rifitimi i së drejtës kushtetuese të opozitës për të ngritur komisione hetimi parlamentar është një fitore që nuk duhet nënvlerësuar. Përballë rilindjes që ka gllabëruar çdo pushtet, gjithçka fitohet vetëm në fushën e betejës dhe gjithçka që fitohet merr vlerë të shumëfishtë.

    Por! E drejta për të ngritur dy komisionet parlamentare as edhe nuk duhet mbivlerësuar, sidomos ajo e ngritjes së komisionit që do të hetojë hajdutërinë me koncesionet e shëndetësisë.

    Opozita dhe shoqëria civile kanë vite që sensibilizojnë shqiptarët për shkeljet flagrante me koncesionet 500 milionë euro të shëndetësisë.

    Me koncesionin e check-up-it që shkatërroi kujdesin shëndetësor parësor në Shqipëri dhe i ktheu mjekët në shërbëtorë të koncesionarit. Paralelisht ky program ka mundësuar grabitjen e të dhënave shëndetësore të shqiptarëve, të cilat nuk dihet se kush është duke i vjelë.

    Koncesioni i sterilizimit bëri që shqiptarët të paguajnë shumëfish procesin e sterilizimit me tarifa skandaloze. Ndërkohë koncesioni i laboratorëve i vuri kazmën sistemit shëndetësor dhe bëri që mijëra qytetarë të mos marrin shërbimin e analizave pasi plotësohet kuota famëkeqe e koncesionarit.

    Ato që i bashkojnë koncesionet e shëndetësisë janë abuzimi skandaloz me financat publike, injorimi i mendimit shkencor dhe profesional të mjekëve, arroganca e pushtetit, fituesit e paravendosur, etj.

    Por ka edhe diçka tjetër që i bashkon koncesionet. Shqiptarët tashmë e kanë mësuar dhe janë plotësisht të ndërgjegjshëm për abuzimin katastrofik që ka ndodhur me paratë e tyre. Janë me qindra, për të mos thënë mijëra prononcime, intervista, emisione investigative, statuse, etj., të cilët kanë nxjerrë të vërtetën në dritën e diellit.

    SPAK-u po heton dhe ka vënë para përgjegjësisë penale (kryesisht bedelët), por pas presionit të opozitës dhe shoqërisë civile edhe ish-ministrin përgjegjës, Beqen e Boratit.

    Në këto kushte, komisioni hetues parlamentar do të vendosë vulën e besueshmërisë mbi argumentet tashmë të konsumuar dhe do të sjellë ndoshta edhe argumente shtesë, por pa e ndryshuar shumë diskursin politik mbi këtë temë.

    Shqiptarët kanë nevojë për diçka më tepër në vitin elektoral të saponisur dhe ky është vizioni për të ardhmen. Votuesit shqiptarë presin të dëgjojnë këtë vit atë që do të bëjë ndryshe opozita shqiptare pasi të vijë në pushtet në 2025-ën.

    Nëse debati mbetet në të shkuarën, aty ku djallëzisht do të mundohet ta lërë Borati dhe boratët, opozita do të jetë në disavantazh.

    Së pari, sepse siç e thashë debati politik publik tashmë është konsumuar.

    Së dyti, sepse rilindja ka pas vetes të gjithë tamtamet e pushtetit, median e blerë dhe median sociale të kontrolluar nëpërmjet suflaqexhinjve.

    Së fundi, sepse në tre fushata elektorale, boratët kanë gënjyer aq shumë sa nuk kanë ç’u premtojnë më shqiptarëve. Për autonominë kanë 11 vjet që flasin duke u bërë qesharakë, ndërkohë që në 11 vjet nuk kanë bërë asnjë reformë. Po kështu edhe në çdo sektor tjetër të sistemit shëndetësor.

    ***

    Komisioni i hetimit të hajdutërive të Boratit, Beqes së vet dhe boratëve të tjerë të sistemit shëndetësor është një hap që duhet përshëndetur, por nuk duhet kurrsesi të kthehet në strumbullarin e vetëm të veprimit opozitar.

    E ardhmja e sistemit shëndetësor, strategjia dhe planet e veprimit, idetë konkrete zhvillimore duhet të zënë një vend po aq të rëndësishëm.

    Vetëm duke treguar kontrastin midis vizionit shtetformues të opozitës së sotme dhe veprimi talebanesk, halldup dhe hajdut të rilindjes, shqiptarët do të binden se opozita e meriton shansin për të qeverisur.

    Shqiptarët presin të mësojnë vizionin për të ardhmen, një e ardhme që do të shënojë ndarjen përfundimtare me regjimin më të papërgjegjshëm dhe më kriminal që ka njohur ndonjëherë ky vend. Në shëndetësi dhe jo vetëm…

  • Çlirim KOKONOZI – Edhe ëndrrat gënjejnë

    Çlirim KOKONOZI – Edhe ëndrrat gënjejnë


    “Triumfi i Brunës”

    Bruna, një vajzë 20 vjeçe studente e vitit të dytë në Fakultetin X…,inteligjente e me pamje shumë tërheqëse, vazhdimisht ndjehej si e përkëdhelur nga fati. Rritur në një mjedis familjar gjithë përkujdesje, ajo s’kishte provuar veçse përkëdheljet edhe fjalët e ëmbla. Përgjithësisht, qe mësuar t’i plotësohej çdo dëshirë, madje dhe trillet. Megjithatë, nëpër ambiente tërhiqte vëmendjen dhe admirimin e të tjerëve. Shpesh, provonte një ndjesi të veçantë, një jehonë, një shndritje ledhatuese, rreth vetvetes, që e ndiqte ngado, një prani mbrojtëse, të përngjashme me diçka të njohur por të papërcaktuar, që i’a bënte gjërat e botës më ndjellëse e më të afërta. Kjo gjë, siç thoshte dhe ajo vetë, e lumturonte, e shtynte të hidhej në krahët e jetës e të pikaste se sendet përreth ishin shumë familjare dhe mbartnin shpirtin e përjetësisë. Megjithatë, ajo kishte gjithë një botë të brendshme, shpirtin, ende të panjohur për vetë atë. Kur bisedonte, në mënyrën si lëvizte trupin, si fliste, si e mbante kokën e si i paraqiste duart, ndjehej e ditshme, sikur kuptonte gjithçka, përveç se vetndijohej e bukur dhe gjithë elegancë. Gjatë ditës nuk ishin të pakta rastet, kur ndjente në thellësi të vetvetes diçka që nuk shkonte, që e irritonte, e pikëllonte pa ndonjë shkak që ta kuptonte, siç shprehej Bruna. Kishte çaste që ndjehej e rraskapitur. Pikaste një kontrast të madh në gjendjet emocionale të vetvetes. Herë, herë e kapte një si makth dhe jeta i dukej e shkretë, pa asnjë vlerë.


    Ky realitet i dyfishtë, i papërputhur me kërkesat emocionale të pavetëdijshme, ose të vetëdijshme, shkakton te njerëzit në përgjithësi, veçanërisht tek seksi femër, ndjesi mospëlqimi e reaksione të panjohura, të çuditshme, deri në shpërthime agresiviteti të paarsyeshme. Aq më tepër tek natyra e Brunës, e mbushur me përshtypje e kapricio që i’a bënin kuptimin e realitetit shumë të vështirë e të mundimshëm. P.sh., ajo nuk ishte e aftë të vlerësonte e të kuptonte ndryshimin midis një njeriu që i shkaktonte asaj emocione dhe ajo e pëlqente, nga një tjetër që, në fakt, i kuptonte realisht gjërat që kishte para sysh, duke vendosur me to një komunikim të drejtë e duke krijuar një relacion në masën e duhur. Për Brunën, ajo që i pëlqente asaj dhe i përçonte ndjesi dhe efekte, imazhe e ngjyrime, etj., ishte inteligjente dhe e respektueshme…!!! ajo krijonte kështu mitin e simbolin e saj në një rrugë inkoshiente e krejt të gabuar. Duke u robëruar prej iluzioneve pa e kuptuar.

    Njeriu, për të përcaktuar pozicionin e vetes ndaj vetvetes, duke thënë – “Unë jam ky”, për të përcaktuar aktivitetin shoqëror, ose veprime të tjera të jetës së përditshme, shpesh i referohet gabimisht një mjegullie të ngjyrshme e rrezatuese, e cila e ndjek atë qysh prej fëmijërisë. Bile mund të ndodhë dhe këto s’janë raste të pakta, që edhe në moshë shumë të rritur, ai të mos shkëputet prej sajë, duke u ndjerë, më vonë, nga kontrasti me të, i pafat, i dështuar, me shumë pengje e mosrealizime, duke mbetur gjithë jetën i pakënaqur e duke mallkuar fatin e tij…(!). Kjo jehonë, si një muzikë grishëse, realizon në psikologjinë e personit një zhvendosje të vetëdijes në një pozicion të paaftë për të nuancuar dhe kuptuar realitetin, për të vepruar në mënyrë konkrete e të drejtë, dhe e nxit individin të kapet nga mendime të pakuptimta, por që atij i faniten si reale dhe plot zgjuarsi. Personi kapet në këtë rrugë nga kurthi i ndjesive të superioritetit e të triumfit, të cilat bëjnë që të ndërpritet tek individi vijueshmëria dhe rrjedhja e jetës së lirë që e ngop njeriun me ngjyrime reale e të thjeshta ; të vërteta. Aq më tëpër, ndjenja e superioritetit dhe triumfit, bëjnë të presohen e të shtypen ndjenjat e vërteta të jetuarit e të poezisë së jetës. Çfarë është e keqja më e madhe ato kërkojnë ta mekanizojnë jetën e njeriut, ta modifikojnë me ndjesi të sforcuara, të manipuluara, praj nga shkaktohet tek individi një gjendje e nderë emocionale, e stresuar, plot ndjesi seksuale të pakontrolluara, irrituese e rraskapitëse. Ato krijojnë një gjendje pangopësie dhe urie seksuale jo reale dhe patologjike. Individi pushtohet nga mania për të përdorur fjalë të pista në drejtimin e aspekteve seksuale. Këto gjendje jo pak herë përfundojnë në neuroza seksuale, (mosndjesi seksuale të niveleve të ndryshme, deri në mosndjesi të plotë seksuale), sidomos në rastin e femrave, që pastaj këtë kërkojnë ta kompensojnë e ta nxisin me mënyra, veprime, të folur, maniakale, artificiale, të zmadhuara, grandomanike. Ose më e vogla këto përfundojnë, në gjendje të thella depresive dhe krizash psikologjike. Ose në moskuptime gjithnjë e më të avancuara, në lidhje me marrëdhëniet seksuale dhe sidomos me marrëdhëniet në çift, si në rastin e Brunës tonë.

    Në rastin e kundërt, ka natyra njerëzish, që nëpërmjet një qartësie të vetvetishme, të diktuar nga interesat e mbijetesës, i kapërcejnë sa më parë këto kapje marramendëse, të triumfit dhe superioritetit, topitëse dhe frenuese për kuptimin e realitetit.

    Veprimi i këtyre individëve, që mund të jetë edhe i vetëdijshëm, buron nga një njohuri e brendshme, instinktive e natyrës së tyre, që e kupton drejtë për drejtë realitetin e jetës dhe mund të shikohet si një “Vetësakrifikim” apo Vullnet Konstruktiv për t’u orientuar në vazhdën e jetës, pa influencat e frymës së bujshme dhe hijeve vezulluese të përftuara nga aspekti emocional dhe pavetëdija.

    Në të vërtetë, ky nuk është “Vetësakrifikim”, përkundrazi, pohimi i një personaliteti të drejtë, të aftë për të eliminuar ndërhyrjet iluzore, paqartësitë. Në këtë rast kemi të bëjmë me një vetëqartësim, që është në gjendje të kuptojë ndarjen ekzistuese midis vetes dhe të jashtmes, vetes dhe të tjerëve. Një natyrë e theksuar emocionale, e paqartë, e vetëlumturuar prej efektit dhe ndjesisë, si prej një llamburime të padukshme, që nuk kupton dhe nuk mund të ndajë ndjesitë e tij normale nga ato të të tjerëve që ndërhyjnë tinës tek ai, shpesh e ka të vështirë të kthjellohet, të njohë realitetin dhe të ndërtojë marrëdhënie të drejta me vetveten dhe me ambjentin e jashtëm.

    Ajo që e ndjek njeriun nga pas, si një frymë përkëdhelëse e joshëse, si një “aleate” e padukshme, aq e theksuar dhe improvizuese, sa është vështirë të dallohet e të ndahet, sepse shfaqet si e njëjtë me vetveten dhe e bën gati të pamundur shkëputjen praj saj. Ajo nuk mund të ndërgjegjësohet lehtësisht, si një diçka që nuk ka të bëjë me jetën reale, sepse paraqitet vetëkënaqëse, vetëlumturuese, si një arkipelag yjor, që projekton mirëqenien, ekzaltimin, triumfin e përjetshëm…!!!.

    Por, shpesh i ngjan një mjegullnaje rrëzëlluese mëngjesore, që fsheh një humnerë !… Jo rrallë, njerëzit kridhen në këtë mjegull, si në detin e jargavanëve, duke hasur më së fundi zhgënjimin dhe dhimbjen e madhe; atë që në jetën e përditshme quhet – “pabesi e jetës”. Në të vërtetë, është fjala më tepër për mungesën e vetëkontrollit, për rrëmbimin dhe pangopësinë njerëzore, e cila kur merr revan jashtë çdo kontrolli, prodhon një marrëdhënie konfuze dhe zhgënjyese.

    Bruna mendonte, se bota ishte ajo vetë, prania e imazhit të sajë. Ajo kishte bindjen instinktive, se gjithçka që ndjente dhe konceptonte qe vetë qenia e sajë. Nuk dallonte ndarjen midis vetes dhe frymës ndjesore që e gllabëronte. E dehur, nuk mund të dallonte humnerën midis vete reale dhe ndjesive të trëndafilave të muzgut, që trillonte fantazia e dehur. Nuk kuptonte, se ajo ishte një individ i caktuar në një mjedis real, të dhënë, që s’kishte lidhje me “përjetimin e bruztë emocional” dhe që për të jetuar duhej të ndërtonte marrëdhënie konkrete të vetëdijshme me këtë mjedis.

    Që të vendoset një marrëdhënie e drejtë e reale me atë që gjendet jashtë nesh, me të jashtmen, fillimisht është e domosdoshme qartësia për ndarjen që ekziston midis vetes dhe mjedisit që na rrethon. Midis vetes dhe tjetrit. Të jashtmes. Në të kundërt, me kë do të vendoset kjo marrëdhënie? Gjithçka s’do të ishte veçse një marrëzi, një konflikt. Pa realizimin e kësaj ndarjeje, sipas një diferencimi të dallueshëm e të vetëdijshëm, për njeriun do të ishte e pamundur vlerësimi i drejtë i rrethanave të jashtme dhe i pozicionit të tjetrit dhe për pasojë nuk do të ishte e mundur të vendosej një marrëdhënie reale.. Mund të ketë vetëm një lëmsh emocionesh dhe efektesh, që shndërrohen herë në pëlqim e herë në sulm reciprok. Në këtë rast njerëzit ndërhyjnë te njëri tjetri në një mënyrë të pavetëdijshme, duke kënaqur njëri tjetrin; aktet psikike e fizike humbin qartësinë dhe kuptimin. Ky terren psikologjik e emocional ngjiz shtrembërimin e personalitetit, përplasjet absurde dhe zilinë ose afrimin e tepruar pa motiv, dhe më vonë ndarjet e dhunshme, krimin.

    Bruna u martua dhe u nda pas tre vjetësh, pasi pat lindur edhe një fëmijë. Ngaqë kishte besuar, se te personi që dashuronte dremiste ëndrra e saj, e përngjashmja me atë vetë, simfonia grishëse e botës, ajo u kap prej një depresioni të thellë që i zgjati mjaft kohë. Me tepër se kujtdo, këtë simfoni grishëse të botës, një femër i’a bashkëngjit atij që dashuron. Bruna nuk kishte dashuruar pikërisht atë, një person me një individualitet të caktuar, që ekzistonte jashtë saj, por fantazinë e sajë, këngën e trilluar prej imagjinatës së saj erotike. Ajo nuk kishte krijuar marrëdhënie konkrete me një person tjetër, të gjallë, por me jehonën që përfton forma sensuale e një mashkulli, që asaj i ngjasonte me oshtimën misterioze dhe magjepse që endej nëpër kohëra…Si vetëtimat pa fillim e pa mbarim…

    Në këtë rast nuk mund të njihet personi me të cilin ke të bësh, nuk njihet individualiteti i tij i veçantë. Realizimi i marrëdhënies do të mbetet në stadin e një instinkti të përgjithshëm seksual dhe emocioni në nivelin e një emocioni të pa adresuar individualisht. Ky realitet psikologjik është produkt i vetëlumturisë fëmijërore ende të pa likuiduar nga ashpërsia dhe kërkesat e mbijetesës. Në fund të fundit, është fjala për konceptin e ndarjes së njeriut nga vetja e tij e jashtme, vetëlumturuese, e pavetëdijshme, e cila ka vetinë e ndërhyrjes dhe diktatit ndaj individit real, duke prodhuar “Niagara” fantazish të paqena. Kjo ndarje, që nënkupton distancën psikologjike të njeriut prej jehonave, imazheve dhe vezullimeve erëmirë,, është kushti themelor i vetënjohjes dhe i realizimit të Marrëdhënies Reale të Vetëdijshme me atë që nuk je ti. Nëse kjo nuk do të realizohet nëpërmjet një përpjekje të vetëdijshme të vazhdueshme, atëherë patjetër, ngjarjet e jetës vijnë të tilla, që ndarja nga iluzioni të ndodhë në mënyrë të dhunshme e konfliktuoze, por tani jo midis teje dhe projeksioneve të gabuara, jo reale të vetvetes, por midis teje dhe tjetrit, duke shkaktuar dhimbje. Depresion.

    Bruna akuzonte të shoqin, se nuk e kishte kuptuar dhe se sillej keq me të. E vërteta është se tek burri i sajë jetonte një tjetër individ, me natyrën e tij të veçantë, për të cilën ajo nuk bëhej e vetëdijshme. Bruna ishte futur te ai në mënyrë të pavetëdijshme, si një plotësim i pavullnetshëm dhe i egër dëshirash dhe përshtypjesh. Në mos një ditë, një tjetër, ndarja do të ishte e pashmangshme dhe patjetër e dhunshme, pasi dhe bashkimi pat qenë i dhunshëm, i pavetëdijshëm. Ndarja me të shoqin i krijoi asaj përshtypjen ekstreme dhe të kundërt me të fillimit, se jeta nuk e vlente. Në gjendjen e saj të rëndë ajo mendonte për vetëvrasjen.

    Duke fanitur dëshirën për të vdekur, vetja proteston ndaj njeriut, duke treguar se diçka tek ai, nuk ka shkuar mirë që prej fillimit dhe pikërisht ndërgjegjësimi për iluzionet dhe personalitetin e rremë.

    Ky material është vetëm për “gazetatjetër.net”