Blog

  • Nga Kim MEHMETI – Në Shqipëri nuk mund të bëhesh as hajdut pa pëlqimin e Kryeministrit!

    Thuajse të gjithë e dinë se në Shqipëri nuk mund të bëhesh as hajdut pa pëlqimin e Kryeministrit, por ecë e thuaje këtë publikisht kur e dinë se do të vërsulen me dhjetëra portale e media që i ‘redakton’ kryetari i Bashkisë së Tiranës.

    Në Shqipëri të gjithë e dinë se  properëndimorja e ‘Rilindësve’ është proporcionale me mos ndjeshmërinë e tyre ndaj shqiptarisë, por rrallëkush e thotë këtë publikisht ngaqë e dinë se diplomatët e huaj janë ata që e mbrojnë Kryeministrin e Shqipërisë dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës nga shqiptarët.

    Të gjithë gazetarët e Shqipërisë e dinë se po tregove publikisht se kush është pronari i vërtet i djegësit të Tiranës të djegin të gjallë mediat pro qeveritare, siç e dinë se në Shqipëri e vërteta të vret e të varfëron, ndërkaq gënjeshtrat të majmin dhe aq shumë të pasurojnë sa të kesh lekë që për çdo dalje televizive të blesh tesha të reja firmato që kushtojnë sa paga vjetore e një kameramani.   

    Po pra, i madh e i vogël e dinë se e vërteta në Shqipëri e ka më keq se sikur të ishte e ndaluar me ligj, ngaqë kështu, të lënë në duart e gënjeshtarëve, atë e vrasin mbrojtësit e saj të ‘Rilindjes’. 

    Në Shqipëri pra janë të pafund të vërtetat që i dinë të gjithë, e të cilat rrallëkush i thotë publikisht, por jo vetëm pse atje çdo gjë është në duart e hajdutëve të ‘Rilindjes’, por pse është pakësuar numri i atyre që e kanë kuptuar se gënjeshtarët e pushtetshëm e çnjerëzojnë shoqërinë, e lajmësit e guximshëm të të vërtetave e forcojnë boshtin e saj njerëzorë. 

    Pa dyshim se në mëmëdhe çdokush e dinë se as shtetet e popujve më të prapambetur të Afrikës nuk do pranonin që me kushtetutë, sistemin e drejtësisë – pra shtyllën bartëse të shtetit – t’ua  përcaktonin e t’ua mbikëqyrnin të huajt, por rrallëkush guxon ta thotë këtë të vërtetë ngaqë e dinë se në Shqipëri, edhe pas reformimit të drejtësisë, nuk vendosë ligji por ‘maliqi’.

  • Nga Luçiano BOÇI – Të vërtetat e Raportit të Këshillit të ambasadorëve amerikanë dhe media eunuke shqiptare

    Raporti i këshillit të ambasadorëve e thotë troç që shpallja non grata e Berishës u bë pa prova, me një proces in camera, larg traditës së të drejtës amerikane dhe u lobua nga njerëz me lidhje okulte me fondacionin Soros.

    Raporti fakt-mbledhës për nga vetë përmbajta dhe rëndësia e insitucionit që e ka gjeneruar, duhet të ishte nga dje kryelajmi i mediave. Bëhet fjalë për një vendim i cili ka afektuar dhe ka përcaktuar të gjithë jetën politike dhe vazhdon të jetë përcaktues në degradimin e demokracisë shqiptare në një narko-regjim.

    Raporti nxjerr në dritë lehtësinë dramatike të shpalljes non grata të Berishës, për hir të interesave imediate politike e ekstrapolitike dhe mungesën totale të fakteve.

    Sikurse, konturon qartë simptomat e një demokracie të vdekur, në themel të së cilës qëndron deformimi i votës, pastrimi i parave të pista, kriminalizimi i shtetit e politikës, korrupsioni galopant, kapja e sistemit të drejtësisë, protagonisti i të cilave është Edi Rama.

    Raporti impresionon me konkluzionet e tij dhe përshkrimin e rolit historik të liderit të Partisë demokratike në futjen e Shqipërisë në rrugën e demokracisë pas rënies së diktaturës.

    Ai lehtësisht dhe pa ekuivok zbulon para shqiptarëve një të vërtetë të ditur, por ende të pambështetur nga institucionet ndërkombëtare:

    Të vërtetën se Berisha u sanksionua vetëm e vetëm t’i hapej rruga sundimit të Ramës, i cili e ka shndërruar Shqipërinë në një parajsë të krimit dhe vend jo demokratik. Si dhe në emër në emër të bërit shembull, koncept komunist dhe i rrezikshëm ky. Të një shembulli pa asnjë fakt dhe provë, por thjesht për të trembur të tjerët.

    Raporti si i tillë imponon vëmendje dhe jehonë. Përkundër kësaj ai u përcoll sikur të ishte raport i një shoqate nga ato që rëndom financohen nga fonndacioni Soros si Aleanca për zhvillim gjinor, apo shumë të tjera të ngjashme.

    Mediat eunuke shqiptare në shumicën e tyre duken qartë që e kanë humbur raportin me interesin publik dhe të vërtetën dhe me zell i shërbejnë me regji kryeministrore të keqes dhe regjimit.

    Ndërkohë duket sa dramatik dhe qeshrak fakti se lajmin e ardhjes së delegacionit të Këshillit gati një vit më parë, këto media e kanë pasqyruar.

    Por për raportin nuk guxojnë të thonë qoftë dhe një fjalë.

    Sepse përmbajtja e tij hedh poshtë të gjithë narrativën e tyre anti-berishiane përgjatë tre viteve dhe njëherazi dëshmon gjendjen e tyre mjerane nën kotrollin total të Ramës dhe zyrës së propagandës së tij.

    Këshilli i ambasadorëve amerikanë është një organizatë reputative e pavarur me 200 anëtarë dhe që mbështet veprimtarinë e DASH.

    Ai herë pas here realizon misione fakt-mbledhëse në shumë vende dhe i pasqyron ato si problematika që duhet të korrigjohen.

    Gjetjet e këtij raporti duhet të ndryshojnë nga sot e tutje çdo interpretim politik dhe mediatik në hapësirën tonë të debatit publik.

  • Zija ÇELA – Fytyrë gruaje në gjumë…

    Nuk di si m’u dha, por atë mbrëmje kisha nxjerrë nga rafti makinën e shkrimit dhe, pasi kisha vënë letrën e bardhë, po luaja kuturù me shkronjat, si për të vënë në provë kujtesën e tastierës së saj. Për të mundur vetminë, në atë orë zakonisht bëja ndonjë Spider në kompjuter. Pak minuta dhe më ra zilja e telefonit. “Mos”, murmurita nevrik, duke lexuar emrin në ekran, “kushedi sa gjatë do të më mbajë me rrëfimet e tij!” Ishte Nazifi.

    Këtë Nazifin e kisha njohur dikur në rrethinat jashtë qytetit, në një ditë dimri me shiun rrebesh, kur isha detyruar të parkoja para një lokali të vogël buzë rrugës. Megjithëse pronar, ai bënte edhe punën e banakut, edhe atë të kamerierit. Tha se më njihte, më kishte fiksuar në panairin e fundit të agro-teknikës dhe më kërkoi miqësi në Facebook. Ishte një burrë me shtat mesatar, me faqet që i gufmoheshin kur fliste, flokët e butë e të shkallëzuar dhe sidomos sytë, sytë e mëdhenj që ia nxirrnin mirë në pah vetullat e holla. Sapo “nënshkruam” miqësinë, m’u ankua për sëmundjen e së shoqes dhe pyeti nëse njihja ndonjë mjek të mirë, që i trajtonte njëlloj si pacientët e qytetit, si ata të fshatit. (Më vonë do të më pyeste edhe nëse zonjat e qytetit kujtohen ndonjëherë për gratë e fshatit.) Mirëpo, megjithëse e ndihmova dhe e shoqja u shtrua në spitalin publik, sëmundja nuk pati shërim.

    Qysh prej asaj kohe, edhe pse kaluan vite, Nazifi më telefononte herë pas here. Ndodhte edhe pesë herë brenda muajit. Dhe në të pestat për të më pyetur si isha me shëndet (Po shëndeti i zonjës? Dija kimetin gruas, Andrea!), për të më shprehur mirënjohje dhe për të rrëfyer ndonjë kujtim nga bashkëshortja e ndjerë. Ai nuk e dinte se, dashje pa dashje, telefonatat e shpeshta më jepnin bezdi, ndoshta ngaqë edhe vetë kujtimet e tij po bëheshin gjithnjë e më përsëritëse. Por atë natë ndodhi ndryshe.

    E hapa telefonin duke vazhduar lojën me tastat dhe ai pyeti i hutuar:

    – Miku im, ç’është ky kallash matanë?

    Qortova veten për pakujdesinë, por përfitova për një të fshehtë, që atij nuk ia kisha thënë. Dhe, me këtë rast, e përforcova kështu të fshehtën time:

    – Është gruaja që punon në makinën e shkrimit. Mos u bëj merak, Nazif, kallashi ndalon menjëherë!

    Pastaj, sapo hoqa duart nga tastiera, m’u drejtua:

    – Ty as nëpër mend nuk të shkon një gjë, Andrea.

    – Çfarë? – u bëra kureshtar.

    – Sa kohë jetuam bashkë, unë kurrë s’e kam parë time shoqe duke fjetur.

    M’u duk sikur, krejt papritur, Nazifi bëri një zhvendosje nga periferia dhe më kaloi në qendër të vëmendjes.

    – Si, si?! – më shpëtoi mua.

    Dhe ai, me të njëjtin zë e të njëjtin gulsh të frymës, përsëdyti po ato fjalë: “Sa kohë jetuam bashkë, unë kurrë s’e kam parë time shoqe duke fjetur.”

    Tashmë e kisha dëshiruar vetë përsëritjen. Ai kishte thënë diçka, që asnjëherë s’e kisha dëgjua më parë nga një burrë. Do të shkonte gjatë, po t’jua numëroja shkaqet (vetë i dëgjova me durim) përse nuk e kishte parë. Merret me mend jeta e asaj gruaje fshatare, që shtrihej e fundit mbrëmje vonë dhe ngrihej e para në mëngjes herët. Nënë me tre fëmijë, amvisë shtëpie, bujkeshë për zarzavatet e kopshtit, blegtore me dy lopë e dhjetë dele, nuse në një shtëpi me vjehrrën sakate e vjehrrin e moshuar që prisnin gjithnjë nga kuzhina e saj. Kështu, Nazifi i kishte humbur ato çastet e përdëllimit mahnitës, sepse kur e sheh në gjumë një njeri të dashur, pa tendosjen e muskujve që zakonisht ia fiksojnë pamjen e përditshmërisë, ajo fytyrë të befason, duke zbuluar misteret e një shembëlltyre thuajse të panjohur. E megjithatë, ky burrë nuk ankohej për çfarë kishte humbur, por shprehte vetëm dhembje e ndoshta pak lavdi për Asijen e tij.

    Me të mbaruar bisedën, vura në karelin e makinës letër të re dhe nisa të shkruaja: “Sa kohë jetuan bashkë, ai s’e kishte parë ndonjëherë të shoqen duke fjetur. Kurrë, kurrë, kështu më tha ai burrë nga fshati.”

    Vetëm disa ditë më pas, kur vajta në varrezat ku prehet ime shoqe (Sa e fikët është heshtja e përmortshme atje!), edhe unë, një njeri i kufizuar me botën e mekanikës, vetvetiu thashë diçka për atë frymëmarrjen e lehtë, frymëmarrjen e lëmuar dhe thuajse të pandjeshme të grave në gjumë. E kjo m’u shoqërua në mend me flatrat që rreh flutura, me ajrin e butë në trupin e selvive, me valvula që përputhen si buzët, me petale që fërgëllojnë rreth zemrës së trëndafilit, si dhe me gjalpin që shkrin mbi bukën e thekur në tryezën e mëngjesit. Këto ndoshta s’janë fare të veçanta për ju, por mua kaq më rroku përfytyrimi atë mëngjes. Sidoqoftë, m’u bë se ia shtova një rreth asaj qendrës, ku më ishte shfaqur Nazifi, duke u zhvendosur nga periferia.

    Kam lexuar diku për rreshtimin sferik që bëjnë indigjenët. Kur rrethit të parë i shtohen rrathë të tjerë duke ruajtur po atë qendër, njerëzit që ndodhen në harqe më të largët, veprojnë si dëshmitarë dhe presin të flasin, po të jetë e nevojshme. E kështu, megjithëse nga mbulimi tashmë qendra nuk shihet, ajo ndjehet, pranohet e çmohet. Nëse jeni burra të martuar dhe keni për të shtuar diçka, që sipas jush ia kalon asaj të Nazifit, bëhuni qendër vetë, që t’ju ndjekim. Veçse shpalleni me zë. Madje, pse jo, tani!

    Sa për Nazifin, po t’ju interesojë sadopak si njeri, mbasi humbi të shoqen, flokët e butë iu thinjën shpejt, faqet nuk i ka më të gufmuara dhe përmbi vetulla i ka dalë një blanë gjithë pikëzime të kuqe. Nga stresi e ka? Nuk e di, por më ngjan si t’i ketë rënë prush në mish. Ndërsa mua (është vonë tani, është vonë!) ka nisur të më ngucë një peng i ri: Kur ishte në spital, përse u mpiva ashtu dhe nuk i dhashë me dorën time një pikë ujë zonjës së tij!

  • Nga Enver BYTYÇI – Berisha i kontestuar, keqkuptuar dhe i sulmuar si sokratian i shekullit XXI

    Kanë kaluar 60 ditë nga dita kur qytetarët shkojnë çdo mbrëmje pranë pallatit ku banon Sali Berisha. Dhjetwra mijë veta protestuan para pak kohësh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe brohoritën emrin e tij! Edhe pse i shpallur non-grata nga sekretari i Shtetit Amerikan, Blinken! Edhe pse është nën arrest shtëpiak dhe person në hetim nga SPAK! Edhe pse i izoluar dhe i anatemuar nga propagandistët e Rilindjes dhe të pushtetit të saj! Edhe pse i refuzuar jo pak nga ndërkombëtarët të tjerë, veç atyre amerikanë për shkak të investimit të madh të Sorosit! Pavarësisht të gjitha këtyre, Sali Berisha nuk ka rënë në kuotat e vlerësimit të publikut, sipas sondazheve të kohëve të fundit!

    Nuk ka dhe nuk ka pasur tjetër lider politik në Shqipëri gjatë historisë së shtetit tonë, që të ketë mbajtur mbi supe sulme kaq të ashpra dhe të shumta si Sali Berisha. Dhe nuk ka asnjë lider shqiptar në historinë e këtij shteti, për të cilin të jetë investuar aq shumë, “duke lënë lesht e kokës”, për ta degraduar, linçuar, goditur, poshtëruar dhe nënshtruar, sa Sali Berishën. Nëse dikush nuk do që t’i besojë këto që po shkruaj, të hyjë e të mbyllet në bibliotekën kombëtare së paku për pak muaj dhe të marrë të gjitha gazetat e botuara nga dhjetori i vitit 1990 e këtej, pastaj të marrë guximin dhe t’i përgënjeshtrojë ato. Nuk ka spiun të sigurimit të shtetit dhe të huaj që nuk është investuar kundër Berishës! Kanë bërë dhe bëjnë para e pasuri duke shpifur, trilluar dhe nxit urrejtje kundër tij.

    Vetëm se këta do të degradojnë edhe nga xhepat kur të mos jetë më Berisha për t’u marrë me të!

    Megjithatë, mbështetja popullore ndaj tij nuk ka rënë. Kjo mbështetje për liderin e demokratëve, Sali Berishën, është lajm i mirë jo vetëm për Doktorin, por edhe për shoqërinë shqiptare. Ka disa arsye për ta thënë këtë:

    Së pari, sepse qytetarët shqiptarë nuk janë joshur aq sa mund të mendohej nga propaganda perverse e Rilindjes së Sorosit në Shqipëri. Sepse miliardat e grumbulluara nga rilindasit në bashkëpunim me mafien e korrupsionit e të trafiqeve nuk kanë mundur ta ndryshojnë mendimin dhe besimin e qytetarëve shqiptarë sa i përket të vërtetës për Sali Berishën! Imagjinoni sa para dhe veprimtari investohen për të sulmuar vlerat e shoqërisë shqiptare e megjithatë mijëra e qindra mijë prej shqiptarëve i besojnë vlerave që barten në personin e kreut të opozitës, pavarësisht kritikave që mund të bëhen ndaj tij. Në fund të fundit çdo kush që punon fort, objektivisht edhe gabon shumë. Ata që i besojnë Berishës i njohin shumë mirë gabimet e tij, por ndërkohë vlerësimin dhe gjykimin e bazojnë në metodën krahasuese me rilindasit e sotëm e kundërshtarët e tjerë të tij. Këtu ata nuk gabojnë, kur thonë se Berisha nuk është si ata.

    Së dyti, Doktor Sali Berisha është modeli i një prej cilësive më të respektueshme të njerëzimit, dinjitetit njerëzor. Në Deklaratën e Përgjithshme të OKB-së të 10 dhjetorit 1948 dinjiteti njerëzor shpallet si kolona e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Respekti për dinjitetin e njeriut është kërkesa themelore e kësaj deklarate, sepse prej dinjitetit burojnë të gjitha liritë dhe të drejtat e tjera themelore e jo themelore të njeriut. Sali Berisha është tashmë simbol i rezistencës për dinjitet dhe integritet njerëzor. Shqiptarët nga natyra, edhe në kohët që janë udhëhequr nga kanunet e jo nga ligjet e shtetit, drejtësinë e kishin ndërtuar bazuar në dinjitetin njerëzor. Sali Berisha me aktin e tij të rezistencës unike në historinë e politikës shqiptare e jo shqiptare, u jep shqiptarëve shembullin e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor.

    Së treti, dinjiteti, integriteti dhe liria kanë si vlerë themelore të vërtetën. Lideri i opozitës, Sali Berisha, edhe kësaj radhe në moshën 80 vjeçare reziston në mbrojtje të së vërtetës. Ai është izoluar pikërisht si ndëshkim për të vërtetat që artikulon. Kur dikush gjen kurajon dhe artikulon të vërtetat e hidhura, ky person gjithmonë vihet nën akuzë. Kështu ka qenë që prej Sokratit të madh e deri në ditët tona. Mijëvjeçarët e shekujt që prej shekullit të pestë para Krishtit, kur jetoi Sokrati, nuk e kanë zbehë hakmarrjen e pushtetit të korruptuar kundër të vërtetës dhe atyre që e artikulojnë atë me guxim. Nëse në kohët tona do të kërkohej një model sokratian, ky është dhe mbetet të jetë Sali Berisha. Natyrisht jo i vetmi, por në Shqipëri nuk besoj se ka tjetër në përmasat e tij.

    Së katërti, gjithçka që ndodh për e rreth Sali Berishës, përfshirë dhe mbështetjen e pakursyer të qytetarëve është shpërblim për guximin e tij të pakrahasueshëm. Berisha nuk është nga ata që “kur zihet ngushtë” bën pakt me heshtjen, qoftë dhe përkohësisht. Atij iu bë oferta e kompromisit. I thanë: – Në këmbim të heshtjes do të shijosh të gjitha privilegjet që të takojnë dhe askush nuk do të merret me ju! I thanë “ik nga politika dhe prano koalicionin e qeverisjes Rama-Basha”! I thanë “mbylle dritaren e qytetarit dixhital, se po na prish shumë punë”! I kërkuan kompromisin e të bërit indiferentin në këmbim të lirisë personale. I thanë që të pranonte këmbimin e territoreve të Kosovës me Serbinë, ose shkurt ndarjen e saj. I kërkuan edhe që të mbështeste Ballkanin e Hapur për ta ribërë Serbinë padrone të shteteve të rajonit tonë. Kjo se Vuçiq u kërkoi amerikanëve të Sorosit dominimin e Ballkanit dhe krijimin e botës serbe në këmbim të anëtarësimit në strukturat euro-atlantike.

    Por Berisha nuk i pranoi këto. Ai nuk zgjodhi heshtjen e kompromisin e bashkëpunimit me mafien shtetërore! As me mafien ndërkombëtare të kryesuar nga George Soros! Kompromiset që iu kërkuan ishin gjithashtu kundër interesit tonë shtetëror e kombëtar. Prandaj ai vazhdoi të kundërshtojë fort politikat e denigrimit të dinjitetit të shqiptarëve. Tashmë pasojat e këtyre politikave i shohin dhe idiotët deri në atë masë sa të shpopullohet në përmasa dramatike Shqipëria. Sali Berisha nuk u tremb, edhe pse ata që e kërcënuan kishin fuqi planetare dhe udhëhiqen nga ideologjia Soros për zhbërjen e kombeve! Lideri i demokratëve besoi te qytetarët shqiptarë se një ditë ata do ta kuptojnë. Edhe Sokratin nuk e patën kuptuar para 2500 vitesh. Madje dënimi i tij me vdekje u hoq vetëm para një dekade nga Gjykata e Lartë e Republikës së Greqisë. I moskuptuari dhe i kontestuari i madh Sali Berisha në këtë kuptim është dhe do të mbetet një sokratian i kohëve moderne të shekullit XXI.

  • Nga Andi BUSHATI – Nuk luftohet Rama me hipokrizi ‘pro perëndimore’

    Cilido që i ka ndjekur penat më të mprehta analitike greke, që kanë komentuar situatën e marrëdhënieve Tiranë – Athinë, pas dënimit të manipuluar të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, me siguri ka vënë re një emërues të përbashkët. Në një pjesë prej tyre, që Lapsi.al i ka përkthyer dhe botuar, për të kuptuar më mirë opinionet që qarkullojnë në anën tjetër të kufirit, vihet re, një këndvështrim i veçantë ndaj Edi Ramës. Pa nguruar ta konsiderojnë si përgjegjës dhe fajtor për gjendjen e krijuar, ata e vlerësojnë për forcën që ai ka fituar dhe për mbështetjen ndërkombëtare që ka arritur të sigurojë.

    Pothuajse nuk ka artikull ku “kundërshtari”, që fajësohet se po i vë flakën pas dy dekadash marrëdhënieve Greqi – Shqipëri, të mos përshkruhet si i përkëdheluri i SHBA, si një lider autokrat që ka arritur të heshtë Brukselin, Berlinin dhe Romën për mëkatet e pushtetit të tij.

    Në këtë radhë përmenden vizita e Blinkenit, pakti për marrjen e refugjatëve me Melonin, apo bashkëpunëtorëve afganë të amerikanëve, ngritja e bazës së NATO-s në Kuçovë dhe kapja e drejtësisë me bekimin e aleatëve tanë perendimorë.

    Pra, ndonëse duket qartë se Athina po përgatitet për betejë, me atë që ish-kryeministri Antonis Samaras e konsideroi si “një regjim që s’ mund të ketë vend në BE”, fqinjët tanë jugorë e shohin me realizëm fuqinë e tij. Ata e pranojnë se falë koncesioneve, që ka ditur të ndërtojë me llokma Shqipërie, falë lobingjeve alla McGonigal, Edi Rama është një kundërshtar i fortë.

    Natyrisht, këtë profilizim politologët dhe analistët grekë e bëjnë nga këndvështrimi i tyre, të prekur në sedrën nacionaliste të dikujt që ndien se i kanë thyer hundët padrejtësisht, të lënduar në dinjitetin e fqinjit të parespektuar, por ajo që ka rëndësi për ne, në gjithë këtë tablo, është vështrimi realist se, kanë përballë një “armik” jo të lehtë dhe me mbështetje.

    Pikërisht kjo qasje bie ndesh, katërcipërisht, me atë që kanë adoptuar pjesa dërrmuese e rivalëve dhe kritikëve të kryeministrit autokrat brenda vendit. Ata janë të gatshëm të bëjnë qimen tra për ndonjë kritikë që vjen nga mediat perëndimore, të kapen si i mbyturi tek fija e flokut pas ndonjë rezolute pa rëndësi vendimmarrëse, të ekzaltohen për ndonjë deklaratë të balancuar të ndonjë ambasadori avdall.

    Ata i mëkojnë ndjekësit e tyre me iluzionin se “Amerika e drejtë” do të ndëshkojë satrapin qe i korruptoi agjentin e FBI-së, apo se evropianët nuk do ta durojnë më atë që e ka shndërruar vendin në një port gjigant prej ku eksportohet kokaina kolumbiane drejt brigjeve te tyre.

    Në thelb të këtij refuzimi për të parë kthjellësisht realitetin, qëndron ngurrimi dhe frika për të pranuar se regjimi shqiptar është një autokraci që qëndron në këmbë falë mbështetjes perëndimore.

    Pranimi i zgjedhjeve të vjedhura, mbyllja e syve fillimisht për kanabisin e më pas për depërtimin e parave të drogave të forta në ndërtim e turizëm, leja për të përdorur drejtësinë e re si kamxhik kundër rivalëve politikë, kanë të gjitha të njëjtin burim. Duke u hequr sikur nuk e sheh atë, opozita bëhet e pabesueshme dhe kritikët e kryeministrit hipokritë, pasi nuk mund të ketë rivalitet real me kundërshtarin, pa njohur peshën e tij reale dhe pa bërë llogaritë me pikat e tij të forta.

    Një betejë e ndershme me Edi Ramën kalon me detyrim përcaktim edhe përmes denoncimit të atyre qarqeve perëndimore që janë vënë në shërbim të vrasjes së demokracisë në këtë vend. Pak rëndësi ka se në target mund të jenë evropianë apo amerikanë, e vërteta ku kundërshtarët e regjimit besojnë duhet t’i ç‘kompleksojë ata nga çdo tabu.

    Shembulli i asaj që po ndodh në Kosovë, ku po lartësohet në publik figura e liderëve që mbrojnë interesat e vendit dhe parimet e tyre, qoftë edhe kur ato bien ndesh me atë çka u kërkojnë aleatët, është një dëshmi që tregon se shqiptarët e kanë arritur pjekurinë për t’u shkëputur nga komplekset e inferioritetit. Ata kanë nevojë për udhëheqës që u thonë të vërtetën dhe jo për hipokritë që valëvisin flamujt e perëndimit dhe kur mesazhet që vijnë prej andej pranojnë imazhin e autokracisë.

    Fiks për këtë ajo që po ndodh në Athinë duhet parë si një laborator ku mund të farkëtohet opozitarizmi shqiptar.

    Natyrisht, jo në aspektin e nacionalizmit shpesh të sëmurë dhe folklorik grek, por për aftësinë e tyre për të njohur përmasat reale të kundërshtarit që kanë përballë. Edhe në Shqipëri të jesh kundër Edi Ramës, përveçse të bësh llogaritë me oligarkët mediat dhe falangat e tij, duhet të ndërgjegjësohesh edhe për kundërshtimin e një koalicioni të fuqishëm ndërkombëtar që ai ka në krah.

    A është kjo një betejë e pamundur? Për këtë askush nuk mund të vërë bast. Ama një gjë është e sigurt: disfata do të jetë e pashmangshme për të gjithë ata që do vazhdojnë të shiten edhe si shokë të ambasadorëve edhe si “armiq” të diktatorit.

  • Ke jetuar një jetë të dytë? Ja kush janë shenjat që e vërtetojnë

    Ke jetuar një jetë të dytë? Ja kush janë shenjat që e vërtetojnë

    Nëse të kanë ardhur ndërmend kujtime që nuk të përkasin, bën ëndrra që përsëriten apo keni një lidhje të veçantë dhe të pashpjegueshme me një periudhë historike specifike, kjo mund të tregojë se shpirti juaj është rimishëruar disa herë.

    Nëse beson se keni jetuar jetë të mëparshme, shfletoni më poshtë dhe zbulo cilat janë indiciet që të tregojnë se kjo nuk është hera jote e parë në këtë Tokë.

    Ëndrra të përsëritura

    Ëndrrat janë pasqyrim i të pandërgjegjshmes dhe disa besojnë se ëndrrat e përsëritura mund të jenë pasqyrimi i eksperiencave të jetëve të kaluara.

    Shumë ëndërrojnë vende dhe njerëz që i ndjejnë shumë të afërt, edhe pse nuk kanë pasur kurrë mundësi të kenë kontaktuar me ta.

    Kujtime ngjarjesh që nuk kanë ndodhur kurrë

    Ka shumë raste fëmijësh që kujtojnë me saktësi njerëz, vende apo ngjarje që nuk kanë ndodhur kurrë.

    Edhe pse këto episode mund të jenë thjesht fantazi, nuk përjashtohet që ato mund të lidhen me jetët e kaluara.

    Intuitë e fortë

    Nëse ke një ndjenjë afrie të zhvilluar karshi gjërave që nuk kanë ndodhur kurrë apo di t’i kuptosh ngjarjet pa t’i shpjeguar kush, atëherë zotëron një intuitë të fortë.

    Intuita e fortë kërkon mençuri, që do të thotë se tashmë ke mësuar nga eksperiencat e mëparshme, në këtë rast nga jetët e kaluara.

    Déjà vu

    Të gjithë e kanë përjetuar një déjà vu, që zakonisht përjetohet nëpërmjet një arome, tingulli, pamjeje dhe faktorësh të tjerë.

    Pavarësisht se mendohet që fenomeni shkaktohet nga disonanca konjitive, disa besojnë se këto përjetime zbulojnë përvojat e jetës së kaluar.

    Je empatik

    Empatikët mund të përthithin emocionet, energjinë dhe dhimbjen e të tjerëve përreth, duke ndjerë drejtpërdrejt atë që ndjejnë të tjerët.

    Kjo mund të tregojë se shpirti yt është rimishëruar disa herë dhe se ti zotëron aftësinë për të kapërcyer mbi vetveten dhe për ta përhapur shpirtin tënd tek të tjerët.

    Parashikimi

    Konsiston në aftësinë për të njohur gjëra, objekte dhe ngjarje, edhe të ardhshme, nëpërmjet vizioneve, ndjesive fizike apo ëndrrave.

    Disa besojnë se ky fenomen tregon se shpirti është pjekur dhe ka jetuar disa jetë.

    Paranjohja

    Në të kundërt të parashikimit, paranjohja i referohet aftësisë për të marrë informacion mbi të kaluarën.

    Mund të jetë një tjetër indicie për rimishërimin.

    Shpirti i vjetër

    Të ndihesh më i vjetër se sa je në të vërtetë mund të jetë një tjetër shenjë që shpirti yt të ketë jetuar shumë herë.

    Herët kur je rimishëruar do të reflektohen nga sasia e energjisë që zotëron.

    Afërsi të pashpjegueshme për një periudhë kohore

    Të kesh një tërheqje të pashpjegueshme për një periudhë kohore, për një vend, një kulturë apo ambjent të caktuar mund të jetë një shenjë se i ke jetuar edhe më parë ato eksperjenca.

    Shembujt më të zakonshëm të këtyre afiniteteve janë të lidhura me kulturën greke, me shekullin e 19-të, Luftën e Parë Botërore dhe Egjiptin e Lashtë.

    Frikë ose fobi

    Frika ose fobitë e pashpjegueshme mund të jenë dëshmi e jetëve të kaluara.

    Disa deklarojnë se mund të ndjejnë jehona të përvojave traumatike të së kaluarës në formën e fobive.

    Në Tokë nuk ndihesh si në shtëpi

    Nëse mendon se Toka nuk është vendi yt në Univers, kjo mund të tregojë një dëshirë të pavetëdijshme për t’u rikthyer në origjinë.

    Shpirtrat e rimishëruar shumë herë mund të ndihen të lodhur nga jeta në Tokë dhe të kenë dëshirë për të shkuar diku tjetër për të përfunduar ciklin.

    Të folurit e një gjuhe tjetër

    Të folurit e një gjuhe të cilës nuk i je ekspozuar kurrë gjatë gjithë jetës, mund të dëshmojë se ke jetuar një jetë të kaluar.

    Ky fenomen ka prekur shumë njerëz gjatë historisë, përfshirë persona që papritmas janë në gjendje të flasin një gjuhë të re pas hipnozës apo pasi dalin nga koma.

    Nishane

    Ndonjëherë edhe nishanet duken të jenë një indicie e një jetë të kaluar.

    Për shembull, një nishan i madh midis ballit mund të tregojë se je qëlluar në një jetë të kaluar.

    Shpirti binjak

    Ndonjëherë ndiejmë një lidhje të pashpjegueshme me një tjetër qenie njerëzore.

    Një lidhje kaq e thellë duket se shpjegohet nga një takim që ka ndodhur tashmë në një jetë tjetër.

    Dhimbje e pashpjegueshme

    Dhimbja që i shpëton çdo shpjegimi racional dhe mjekësor mund të tregojë një jetë të mundshme të kaluar.

  • Ungjijtë Gnostikë: A janë këta librat e humbur të Biblës?

    Ungjijtë Gnostikë: A janë këta librat e humbur të Biblës?

    Mbi 70 vjet më parë, në Nag Hammadi, Egjipt, u zbuluan disa tekste gnostike. Ky shkrim hulumton në historinë e këtyre librave të lashtë dhe polemikat rreth tyre.

    A mund të jenë vërtet këta librat që mungojnë në Bibël? Le të zbresim më poshtë për ta mësuar.

    Si dhe kur

    Ungjijtë Gnostikë janë të përbërë nga 52 tekste të zbuluara në Egjipt më 1945. Këto tekste ishin të shkruar në papirus dhe të mbledhur në 13 libra të lashtë të quajtur kodikë. U zbuluan në dhjetor 1945 nga Muhamed ‘Ali al-Samman, një fermer arab, brenda një vazoje të groposur.

    Më pas librat u shitën në mënyrë të paligjshme në Kajro. Pavarësisht kësaj qeveria egjiptiane e ka konfiskuar shumicën e librave, vetëm një kod u transportua ilegalisht jashtë Egjiptit dhe mbërriti përfundimisht në Evropë.

    Ku janë tekstet tani?

    Tekstet origjinale aktualisht ruhen në Muzeun Kopto të Kajro me identifikimin NHC (Nag Hammadi Codes).

    Gnostikët dhe Gnosticizmi

    Termi “gnostik” vjen nga fjala greke “gnosis”, që do të thotë “dije”. Gnostikët besonin se zotëronin një dituri sekrete të Zotit dhe të Hyut, nga ku rrjedh edhe emri i tyre. Ata kishin prospektiva të ndryshme mbi Jezusin dhe mësimet e tij. Fatkeqësisht, për shkak të cilësimit si heretikë nga Kisha e atëherëshme, shumë prej teksteve e tyre u zhdukën.

    Gnostikët nuk ishin një fe e vetme e organizuar, përkundrazi, ato konsistonin në lëvizje të ndryshme fetare dhe filozofike që lulëzonin nga shekujt II deri në IV pas Krishtit.

    Besime gnostike

    Gnostikët besonin se bota materiale ishte e egër dhe ajo shpirtërore e virtytshme. Explore God, Eksploro Zotin, shpjegon se gnostikët i perceptonin qeniet njerëzore si “shpirtra të mirë të bllokuar në trupa materialë të egër”.

    Gnostikët besonin në një Zot suprem, transcendent dhe të pakuptueshëm. Gjithashtu, ata besonin se një tjetër Zot, më i vogël, i njohur si Demiurgu, ishte përgjegjës për krijimin e universit, dhe jo Zoti Suprem.

    Sipas Gnostikëve, Jezusi konsiderohej “Shëlbuesi” qëllimi i të cilit ishte t’i zbulonte të vërtetën njerëzimit. Ndërsa disa e shihnin Jezusin si tërësisht hyjnor dhe pa natyrë njerëzore (duke e konsideruar trupin fizik si të egër në thelb), të tjerët besonin në humanizmin e tij.

    Gnostikët besonin se shpëtimi nuk bazohej në shenjtërime apo në faljen e mëkateve. Ata besonin se njerëzit duhet të marrin “gnosis”, njohurinë sekrete, për të arritur shpëtimin.

    Bindja e gnostikëve ishte se duke kuptuar vetveten, mund të arrihet dija e Zotit. Një fragment nga libri “The Gnostic Bible”, “Bibla gnostike”, publikuar në gnosis.org, shpjegon se gnostikët nuk e pranonin rolin ndërmjetësues të priftërinjve, rabinëve apo të tjera figurave fetare.

    Çfarë është një Ungjill?

    Fjala “Ungjill” vjen nga termi grek “euaggelion”, që shpreh konceptin e “lajmit të mirë”. Të krishterët e parë e adoptuan këtë term për të komunikuar mesazhin e Jezusit dhe për t’i dhënë kuptim jetës së tij.

    Ungjijtë gnostikë

    Tekstet e njohura si ungjijtë e Gnosticizmit zbulojnë këndvështrimin e gnostikëve për Jezusin.Shembuj të njohur janë Thomai, Maria dhe Juda.

    Ungjilli sipas Thomait (Tomasit, apo Tomës)

    Opus Dei pretendon se Ungjilli i Thomait përmban 114 citime nga Jezusi, por nuk ka asnjë narracion.

    Ungjilli i Marisë

    Maria, në Ungjill rrëfen zbulesën e saj për ngjitjen në qiell.

    Ungjilli sipas Judës

    Sipas këtij teksti kontrovers, Juda ishte në të vërtetë një apostull i mirë, siç pretendon New York Times. Besohet se Ungjilli tregon që Juda e kreu tradhtinë e tij ndaj Jezusit me urdhër të vetë Jezusit.

    A janë të besueshëm ungjijtë gnostikë?

    Besueshmëria e këtyre teksteve është gjerësisht e diskutueshme. Në Clear Lens theksohen tre kundërargumente kryesore: datat, koherenca dhe konteksti historik.

    Profesori Francis Watson i Universitetit të Durhamit shkon më tej dhe pretendon se disa shkrime janë të rreme.

    Mark Goodacre, profesor i Testamentit të Ri dhe Origjinës kristiane në Duke University, ka një pikëpamje të ngjashme.

    Data

    Edhe pse për përmbledhjen e Biblës u deshën shumë vite, ungjijtë kanonikë qarkullonin shumë kohë përpara atyre gnostikë.

    Koherenca

    Duke marrë parasysh rrëfimet e shumta të Judës në tekstet kanonike nga apostujt e tjerë, është e natyrshme që interpretimi gnostik i Judës të ngjallë dyshime.

    Rrëfimet kanonike e portretizojnë mesazhin e Jezusit si të zbatueshëm universalisht, ndërsa versioni i gnostikëve sugjeron që ai e pati shpërndarë dijen e tij ekskluzivisht me disa të përzgjedhur.

    Konteksti historik

    Keqkuptimi sillet rreth përdorimit të miteve nga gnostikët për të përcjellë besimet e tyre, gjë që do të thotë se tekstet mund të mos japin detaje reale të jetës së Jezusit.

    Bibla

    Sipas Shoqatës Biblike Ndërkombëtare, Bibla i është nënshtruar një procesi të gjatë përpilimi dhe nga versioni përfundimtar janë hequr libra të ndryshën.

    Dhiata e Re

    Katër Ungjijtë e përzgjedhur për Dhiatën e Re janë shkruar nga Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni, të njohur si Ungjijtë kanonikë të pranuar zyrtarisht.

    Çfarë është një kanon?

    Biblika, Shoqata Biblike Ndërkombëtare, e përkufizon kanonin si një libër të njohur e të frymëzuar nga Zoti dhe autoritativ për besimin dhe jetën.

    Pse ungjijtë gnostikë u përjashtuan nga Bibla?

    Sipas studiuesit biblik Darrell L. Bock, në një intervistë për Beliefnet, “origjina e këtyre ungjijve (kanonikë) përfshin një figurë apostolike apo dikë të lidhur ngushtë me një figurë apostolike”. Dhe se “ungjijtë që u vendosën në Bibël janë të gjithë të shekullit të parë. Asnjë ungjill i kësaj liste [gnostike pra] që unë di nuk daton në të vërtetë në shekullin e parë.”

    Kodi i Da Vinçit

    Sipas National Geographic, libri popullor i Dan Brown është frymëzuar nga ungjijtë gnostikë, por studiuesit nuk pajtohen me mendimin e Brown.

    Pse këto tekste janë të rëndësishëm?

    Ungjijtë gnostikë ofrojnë një vizion të çmueshëm rreth gnosticizmin dhe rreth krishterimit të hershëm, duke hedhur dritë mbi ide të ndryshme të debatuara dhe interpretimin e tyre nga Kisha e hershme.

  • Milani fiton, por San Siro është e trazuar: ja çfarë fshihet pas fërshëllimave

    Milani fiton, por San Siro është e trazuar: ja çfarë fshihet pas fërshëllimave

    Kundër Slavias pati momente të ndeshjes në të cilat Meazza u bë zhurmshëm e padurueshme. Nga loja statike te jovijimësia, duke kaluar nëpër gabime individuale dhe të reparteve: të gjitha arsyet e zhgënjimit në sytë e tifozëve

    Milani i paradokseve – ai që dërrmoi PSG-në dhe më pas pësoi tre gola në Rennes, sa për të thuash – nuk ka përjashtime në vlerësimet e tifozëve rosonerë. Sepse edhe San Siro, nga një këndvështrim i caktuar, është një paradoks: njerëzit ndonjëherë fërshëllejnë, por – për fat të Djallit – është gjithmonë plot. Dhe kështu ndodh që teksa pjesëmarrja e përgjithshme sezonale po lëviz me shpejtësi drejt një milion e gjysmë tifozësh në stadium (mungojnë vetëm rreth njëqind mijë, krahasuar me të dhënat e vitit të kaluar në duar), duke dëshmuar dashurinë dhe dëshirën e madhe për të qenë gjithmonë pranë skuadrës prej popullit kuqezi, e në të njëjtën kohë lëshohen lumenj fërshëllimash. Në të tetën e Europa League, kundër të dytës së kampionatit çek – përkthyer: ka ndeshje më stimuluese për kuqezinjtë – në Meazza u prezantuan vetëm rreth 55 mijë tifozë kuqezi. Në pjesën e dytë, pasi panë Milanin në epërsi numerike për më shumë se gjysmë ore dhe në pamundësi për të mbyllur përfundimisht ndeshjen, nisën të fërshëllejnë. Nuk zgjati shumë, por kundërshtimet ishin padyshim të konsiderueshme.

    Ulje – ngritjet

    Episodi që bëri të shpërthejnë pakënaqësitë e lindur kohë më parë ishte një rrëmujë e madhe përpara Maignan, rreth një çerek ore nga fundi, kur kuqezinjtë rrezikuan seriozisht të pësonin edhe golin e barazimit të tre me tre, në përmbyllje të një serie tragjike gabimesh në fazën mbrojtëse. Goli i Leaos (pjesërisht) i përmirësoi gjërat, por nuk i fshiu problemet që, në teori, nuk duhej të kishin ndodhur. Problemi bazë është se ky Milan kalon me shumë shpejtësi nga Dr. Jekyll te z. Hyde. E paparashikueshme: ulje dhe ngritje që i shpiejnë tifozët nga kënaqësia në dëshpërim, me këtë të fundit që me kënaqësi do të donin të mos të kishin të bënin. Dhe jo vetëm gjatë sezonit, por edhe – dhe këtu gjëja bëhet më e rëndë – në brendi të së njejtës ndeshje. Pjesë të para të shkëlqyera dhe të dyta të ndërlikuara, ose anasjelltas. Diçka që gjeneron një zemërim të fuqishëm tek ata që ndjekin, sepse kur djalli është në momentin up, është një spektakël i vërtetë ta shikosh duke luajtur. Ndaj shtrohet pyetja se cili është faktori që e bën ekipin të tkurret në gjithçka: në rrjedhën e lojës dhe në qasjen mendore.

    Pak shkëlqim

    Veçanërisht kundër Slavia-s, Meazza po bëhej e paduruar që gjatë rreziqeve të para që u vërejtën në pjesën e dytë. Sepse, me përjashtim çerekut të fundit të pjesës së parë, Milani pati veshur një kostum gri aspak elegant, por të mërzitshëm dhe jocilësor. Një pafundësi pasimesh horizontale pa rrugëdalje, pa lëvizje, të diktuara nga mesfushorët. Një shifër mbi të gjitha mbetet për t’u kuptuar: Kjaer e preku topin 121 herë (!), një turp, duke u gjandur i detyruar për sekonda të gjata të shkëmbente topin me Gabbia, domethënë, me të vetmin shok skuadre që “praktikueshëm” nuk rrezikonte. Alternativat: ndonjë top të gjatë që humbiste në boshllëk, jo saktësisht mënyra më e mirë për ta nxjerrë skuadrën në kundërsulm edhe ndaj një kundërshtari me një lojtar më pak.

    Një skuadër e lëkundshme

    Në sy ranë edhe gabimet, shumë gabimet teknike. Në të gjitha repartet. Në dalje, në zgjedhjet e mesfushës sulmuese, në pozicionimin mbrojtës. Me Gabbia që bëri disa… shumë gafa, me Hernandez që e humbi kundërshtarin në golin e dytë të çekëve, dhe në faktin që askush nuk mundi ta ndizte Leaon me pak vazhdimësi. Dhe, por ky është një diskutim më i përgjithshëm, do të ishte e arsyeshme të pritej një kontribut më i madh nga bigët e skuadrës. Korsia e majtë, për shembull, vazhdon të funksionojë me lëkundje. Theo dhe Leao prej javësh janë të lëkundur dhe, kur arrijnë t’i bindin të gjithë se marshi i ndeshjes që kanë marrë në duar… në këtë rast duhet thënë në këmbë, më në fund është i duhuri, menjëherë në ndeshjen e rradhës e kthejnë në indietro. E pabesueshme, për sytë e tifozëve të cilët – tashmë prej kohësh – e kanë kapur mbi të gjitha me Piolin. Fërshëllimat e San Siros vërtetë i drejtoheshin të gjithëve, por në reflektimet e tifozëve kuqezinj i akuzuari i parë është trajneri, duke gjeneruar vendimin tashmë më të përhapur ndër kuqezinjtë: cikli ka mbaroi, ndryshimi është i pashmangshëm. Populli milanist tashmë e ka dhënë verdiktin e tij, klubi ende jo. Fillimisht duhet kuptuar evolucioni i dy muajve e gjysmë të fundit të sezonit, sepse për të ardhmen e Piolit, tani për tani është legjitime të imagjinohet çdo lloj skenari. Dhe ndërkohë paradoksi vazhdon: San Siro vazhdon të mbushet me njerëz, por shumë janë gati të fishkëllijnë.

  • Verstappen, çfarë suksesi. Por sa do të rezistojë në kaosin Red Bull?

    Verstappen, çfarë suksesi. Por sa do të rezistojë në kaosin Red Bull?

    Maks i mahnitshëm për shpejtësinë dhe izolimin prej kaosit Red Bull. Në ekipin kampion të botës ka shpërthyer stuhia. Dhe po do të ndodhnin disa gjëra, një skenar krejt tjetër, i bujshëm mund të shpaloset…

    Mrekullia e dyfishtë e Verstappen

    Se si ia arrin Max Verstappen të kryejë disa lloj bëmash teksa rreth tij ka shpërthyer një stuhi që nuk ka të ndalur, ky është një mister i vërtetë. Fitimi i pol position në një cirkuit qytetës duke pilotuar me mbi 254 km/orë është një sipërmarrje që flet vetë. Por të kesh pas një Charles Leclerc të tërbuar me plot 3 të dhjeta në Ferrarin më të mirë të viteve të fundit, e rrit edhe më shumë vlerën e asaj që Maks bëri dje mbrëma, në Jeddah. Dhe në këtë pikë lind dilema e zakonshme: meritë e makinës apo e pilotit? Një diskutim i pafundmë, që për ne ndalet në konstatimin banal se, me të njëjtën makinë, Perez (i treti) mbeti gjysmë sekonde pas, pra një diferencë që përcakton nivelin e ndryshëm të aftësive mes të dyve.

    Leclerc ka një armë sekrete?

    Për sa i përket çmimit të madh të sotëm, vlen diskutimi i prag Bahreinit: cili është limiti i vërtetë në të cilin mund të shtyhet Red Bull? Po ai i Ferrarit? Mund të ndodhë që të jemi dëshmitarë të një gare copy-paste e të shtunës së kaluar. Por disa fjalë të Leclerc bëjnë të mendosh se Ferrari ka diçka më shumë për të luajtur. Diçka që nuk është parë ende. Sepse, në fakt, SF24 është një laborator i punës në vazhdim, përsosmëria e të cilit u demonstrua nga djaloshi Ollie Bearman, debutuesi anglez, i cili, pasi ia hipi të kuqes pa as edhe një xhiro përgatitje, la një përshtypje të madhe në PL3 dhe në Q1, duke u vëmë gjithnjë pas, as më pak e as më shumë, vetë Hamiltonit, duke mbetur vetëm 3 të qindtat pas 7 herë kampionit të botës, duke humbur gëzimin e hyrjes në raundin vendimtar të kualifikimeve. Aty-këtu disa gabime të vogla, asgjë, por nëse Bearmani i shkëlqyer – për të cilin Mattia Binotto ka bast prej vitesh dhe i të cilit është mentori i vërtetë – luftoi kaq fort, do të thotë se Ferrari është një makinë e sinqertë, e sigurt në sjellje, mbi të cilën mund të mbështetesh.

    Red Bull, çfarë stuhie

    Por nëse shikojmë se çfarë ndodh në anën tjetër të box-eve, zbulojmë se kaosi te Red Bull rritet dita-ditës, në vend që të shuhet. Nga njëra anë (teorikisht) Horner me pjesën tajlandeze të pronësisë, nga ana tjetër (teorikisht) Max Verstappen, babai i tij, Helmut Marko dhe pjesa austriake e kompanisë. Në mes është i gjori Maksi që bëhet urë midis pyetjesh obsesive dhe çështjeve të sikletshme. I shkëlqyeshëm në vetizolim, për të bërë sikur nuk ka ndodhur asgjë, për të fshirë për një çast çështjet politike e për t’u lëshuar në pistë. Sa do të rezistojë? Do të largohet? Po sikur, pas cepit, – në çështje – të jetë duke u zhvilluar një lajm i bujshëm???

  • Nga Luçiano BOÇi – ‘Bomba’ e SPAK që dogji mullarët e qeverisë

    SPAK hodhi gjylen e madhe, të radhës, në oborrin e qeverisë. Qëllimi ishte i thjeshtë: Krijimi i tymnajës së radhës, sikur këto bumje janë bomba moderne e jo thjesht gjyle antike që po godasin fort fare korrupsionin.

    Që gjylja të ngjante si bombë atomike megatonëshe, kësaj here u shënjestrua ministri i vetë bombave, i mbrojtjes d.m.th Peleshi.

    Zgjedhja e Peleshit nuk ishte as rastësi dhe as domosdoshmëri drejtësie. Por ishte domosdoshmëri tymnaje.

    Sepse pas inaugurimit dhe të bazës së NATO-s efekti radioaktiv i kësaj gjyleje pretendohej të ishte akoma më i madh dhe zhurma akoma më shurdhuese.

    Kjo ka të bëjë me momentum-in e zgjedhur, sigurisht jo pa qëllim. Dhe ky moment ka të bëjë me situatën brenda institucioneve të drejtësisë.

    Nuk ka të bëjë vetëm me atë paradën e parë rëndom gjatë kësaj kohe, ku ministra e ish-ministra hyjnë e dalin nga SPAK sikur po kalojnë përmes lumit Jordan, për t’u pastruar nga mëkatet dhe jo për të mbajtur mbi supe grabitjet e shumëfishta të realizuar “en group” me Ramën në krye. Peleshi i shkretë ndryshe nga të tjerët kësaj herë bëri paradën (jo ushtarake) jo për mëkatet e veta (u thirr për inceneratorët!!!!?), por për mëkatet e vetë drejtësisë së re.

    Shkurt e qartë Drejtësia e re sot është e diskretituar si një drejtësi e kapur politike që ndjek e zbaton urdhra që vijnë nga ekzekutivi. Dëshmitë e rënies së drejtësisë janë tronditëse.

    Daljet në median greke të dokumenteve që dëshmojnë dënimin e gjyqtares së GJKKO, Gjoka me mbiemër të transformuar, ka hedhur në erë procesin e vetingut.

    Sikurse delegjitimon dyfish vendimet e saj e jo vetëm, të marra ndaj liderit të opozitës z. Berisha, me të cilin është dhe në konflikt interesi për arsye të shkarkimit të saj. Situata është akoma më e rëndë në raport me dy vendimet e fundit të GJKKO ndaj Belerit dhe të Gjykatës Lartë ndaj Berishës. Këto vendime dëshmojnë lojën e paradës së veprimtarisë së institucioneve të Drejtësisë së re sipas parimit: Bëj sikur arrestojmë tanët (qeveritarët) e burgosim kundërshtarët politikë. Dhe këtu veprojnë “bombat”:Thirret Gjiknuri (askush nuk e di për çfarë) e as përcaktohet me cilin status thirret, por për t’u dënuar dënohet Beleri, pa prova bindëse e stimulime antikushtetuese.

    Kalon në paradë Peleshi, pa asnjë dijeni për çfarë e si, se  me demek “sekret i modh”, por ama në arrest lihet Berisha.

    Ndërtohet kështu për publikun një pritshmëri false, e cila nuk prodhon asgjë të drejtë, përveçse justifikon arbitraritetin politik të një strukture që sa vjen e shfaqet gjithnjë e më shumë si armë politike që vret opozitën, por që gjuan njëkohësisht me gjyle mullarët e barit të qeverisë.

    Mato Gruda  i “Njeriut me Top” do ia kishte zili shënjestrën!