“RAMA VUÇIÇ” – Vija e kuqe e Berlinit për planin e përbashkët: pa reforma nuk ka hyrje në tregun europian

Në një kohë kur Shqipëria dhe Serbia kërkojnë të anashkalojnë procesin e gjatë të anëtarësimit duke hyrë në tregun unik europian pa përmbushur standardet demokratike, Berlini jep një përgjigje të prerë: përfitimet ekonomike nuk mund të ndahen nga detyrimet politike. Deputeti gjerman Peter Beyer rrëzon idenë e “rrugës së shkurtër”, paralajmëron kundër zëvendësimit të anëtarësimit të plotë me modele të ndërmjetme dhe thekson se BE-ja nuk shpërblen autokracitë elektorale pa reforma të thella

Në skenën politike europiane, ku debati për zgjerimin e Bashkimit Europian është rikthyer me forcë, Berlini ka dhënë një sinjal të qartë që prek drejtpërdrejt ambiciet e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiçit. Dy liderët ballkanikë, në një editorial të përbashkët, kërkuan akses në hapësirën Shengen dhe tregun unik të BE-së, pa të drejtë vetoje dhe pa përfaqësim institucional. Një formulë që synon të marrë përfitimet ekonomike të integrimit, por pa kaluar nëpër filtrin e reformave të thella demokratike.

Por Gjermania, përmes deputetit të CDU-së dhe drejtuesit të Grupit të Ballkanit Perëndimor në Bundestag, Peter Beyer, e ka rrëzuar prerazi këtë qasje. Në një intervistë të drejtpërdrejtë, ai theksoi se nuk mund të ketë hyrje në tregun unik pa respektuar standardet e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e demokracisë. Për Berlinin, ideja e Ramës dhe Vuçiçit nuk është progres, por shmangie nga llogaridhënia.

Beyer paralajmëron se përfitimet ekonomike nuk mund të shkëputen nga detyrimet politike. Ai kujton premtimin e Selanikut të vitit 2003, duke e quajtur “tradhti” çdo përpjekje për t’i ofruar vendeve të Ballkanit një status të ndërmjetëm që nuk çon drejt anëtarësimit të plotë. Në këtë kontekst, edhe propozimi francez për “Komunitetin Politik Europian” shihet me dyshim, sidomos kur përdoret si alternativë për të shmangur reformat.

Berlini rrëzon idenë e përfitimeve pa detyrime

Peter Beyer e bën të qartë se nuk mund të ketë hyrje në tregun unik pa përmbushur kriteret e Kopenhagenit. Ai thekson se Rama dhe Vuçiç po kërkojnë një rrugë të shkurtër, duke propozuar madje edhe heqjen dorë nga e drejta e vetos për të marrë akses ekonomik. Por për Gjermaninë, kjo është e papranueshme.

Pra, po flitet për akses në tregun e brendshëm ose në tregun unik. Siç thoshte me të drejtë Bill Clinton, “është ekonomia, budallenj”. Po, sigurisht që ekonomia është e rëndësishme, por kjo nuk mund të mbarojë vetëm aty. Nuk mund të përfitosh vetëm nga tregu i brendshëm dhe pastaj të harrosh gjithçka tjetër. Prandaj shumë njerëz po lodhin mendjen për të gjetur çfarë mund të bëhet për të krijuar stimuj, edhe sa i përket popullaritetit të procesit të anëtarësimit në shoqëritë përkatëse, si ta bëjmë më tërheqës, si të rrisim motivimin dhe mbështetjen” ka thënë Beyer.

Ne e kemi parë që kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç së fundi bashkëshkruan një opinion mbi këtë temë, i cili ngjalli reagime të ndryshme, mbështetje, por edhe kritika. Unë mund ta kuptoj qëllimin e tyre. Ata madje propozuan se ndoshta nuk do të ishte e nevojshme që menjëherë të kishin edhe të drejtën e vetos. Pra, po flitet për akses në tregun e brendshëm ose në tregun unik. Siç thoshte me të drejtë Bill Clinton, “është ekonomia, budallenj”. Po, sigurisht që ekonomia është e rëndësishme, por kjo nuk mund të mbarojë vetëm aty. Nuk mund të përfitosh vetëm nga tregu i brendshëm dhe pastaj të harrosh gjithçka tjetër. Prandaj shumë njerëz po lodhin mendjen për të gjetur çfarë mund të bëhet për të krijuar stimuj, edhe sa i përket popullaritetit të procesit të anëtarësimit në shoqëritë përkatëse, si ta bëjmë më tërheqës, si të rrisim motivimin dhe mbështetjen” ka thënë Beyer.

Sipas tij, ekonomia është e rëndësishme, por nuk mund të jetë justifikim për të anashkaluar demokracinë. Ai paralajmëron se vendet e Ballkanit nuk mund të marrin përfitime dhe më pas të “harrojnë gjithçka tjetër”. Për këtë arsye, Berlini kërkon stimuj të rinj për procesin e anëtarësimit, por jo shkurtore që dëmtojnë besueshmërinë e BE-së.

“Ka një gjë që dua ta them si paralajmërim. Disa njerëz në Evropë mendojnë se kjo duhet të jetë pika fundore, vetëm një anëtarësim i asociuar dhe jo anëtarësim i plotë në fund, pra që BE-ja t’u ofrojë me bujari vendeve kandidate vetëm një status të ndërmjetëm. Kjo do të ishte tradhti, tradhti ndaj vetes sonë. Përsëri i referohem samitit të Selanikut në vitin 2003. Ne premtuam një perspektivë evropiane dhe mendoj se ai premtim duhet të mbetet i vlefshëm. Po, të mendohet për diçka gjatë rrugës drejt anëtarësimit të plotë, unë e mbështes plotësisht këtë. Por duhet të ketë kuptim, të jetë e mençur, jo zgjedhje sipas qejfit nga njëra anë dhe jo një rrugë pa krye nga ana tjetër”

Kritika nga Kosova dhe skepticizmi europian

Letra e Ramës dhe Vuçiçit ka shkaktuar reagime të forta edhe në rajon. Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla, e quajti artikullin një akt që i jep oksigjen Vuçiçit në momentet kur ai përballet me presion nga Europa. Ajo theksoi se çdo projekt që anashkalon Kosovën është i gabuar dhe i dëmshëm për interesat shqiptare.

Ndërkohë, Beyer shton një tjetër të vërtetë të hidhur: zgjerimi i BE-së nuk është prioritet as në Bruksel, as në Berlin. Madje, në shumë vende europiane, ai është jopopullor. Për këtë arsye, vendet e Ballkanit duhet të fokusohen te reformat, jo te sloganet si “28 deri në 2028”.

Ai rikujton parimin e “regatës”: çdo vend gjykohet sipas meritave të veta. Nuk ka afate magjike, nuk ka përjashtime dhe nuk ka rrugë të shkurtra.

Në fund, mes deklaratave të forta dhe realpolitikës europiane, mesazhi i Berlinit është i qartë: integrimi ekonomik nuk mund të jetë një shpërblim pa reforma. Ballkani Perëndimor duhet të ecë drejt anëtarësimit të plotë, por vetëm duke përmbushur standardet që e bëjnë BE-në atë që është. Koha e iluzioneve ka mbaruar; tani kërkohet punë e vërtetë.



Disa tekste ose imazhe të përfshira në të janë marrë nga interneti dhe, për rrjedhojë, të konsideruara që janë në përdorim publik; nëse publikimi i tyre shkel ndonjë të drejtë autori, ju lutemi na njoftoni me email: ato do të hiqen menjëherë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *