Year: 2022

  • Nga Sulejman GJANA – Tani e ka radhën konservatorizmi

    Nga Sulejman GJANA – Tani e ka radhën konservatorizmi

    Pas vitit 1990 në Shqipëri kanë funksionuar dhe kanë dështuar dy rryma të përafërta të mendimit politik dhe të modelit ekonomik: social-demokracia dhe liberalizëm-neoliberalizmi, të cilat i takojnë spektrit politik që shtrihet nga e Majta deri në Qendrën e Majtë. Tanimë, nëse duam ta shpëtojmë vendin që ka rrëshqitur skajshëm në humnerat e së Majtës, duhet të sjellim në pushtet të Djathtën Konservatore.

    Në takimin e famshëm të gushtit 1990 me intelektualët më të afirmuar të regjimit, si ilustrim të konceptit të pluralizmit Alia u kujtoi atyre se “pluralizëm politik tek ne do të thotë që përveç Partisë së Punës, të formohen e të garojnë në zgjedhje edhe parti të tjera si Partia Demokratike, Partia Social-demokrate, Partia Republikane, Partia Agrare, Partia e Gjelbërt-ambientaliste, etj..”.

    Pas disa muajsh kur Alia shpalli pseudo-pluralizmin politik katovician, u bë katërcipërisht e qartë përse ai themeloi, zyrtarizoi dhe futi në skenën politike e në zgjedhjet parlamentare të 31 Marsit 1991 pikërisht partitë që ua përmendi asokohe intelektualëve. Por u bë gjithashtu i qartë edhe shkaku përse dy partitë antikomuniste të traditës historike, PLL dhe BK që funksiononin në ekzil, u penguan qëllimisht për të mos u lejuar të merrnin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 31 Marsit 1991 dhe në ato të 22 Marsit 1992.

    Asokohe nuk ishin publikuar proces-verbalet e mbledhjeve të Byrosë Politike të fillim-vitit 1991, ku Nexhmija ulërinte me zërin e hollë dhe çjerrës: “Këta që kemi vënë në krye të opozitës janë djemtë tanë…, po imagjinojeni sikur në krye të saj të jenë bijtë e ballistëve dhe zogistëve…”, apo pohimi i Alisë se “ata dhe baballarët e tyre ballistë e zogistë i kemi vrarë tash e 40 vjet…”.

    Gjithashtu nuk ishin publikuar as deklaratat e xhup-zinjve që çuditërisht mbanin patllake në brez, sikurse: Zef Brozi dhe Emin Barçi…, apo ato të Blendi Gonxhes së “Komisionit nismëtar të PD”, që vinte tek studentët direkt e nga zyra e drejtoreshës së Muzeut Historik Kombëtar (mbesës së Ramizit dhe njëkohësisht nuses së djalit të Nexhmijes, Teuta Hoxhës). Dhe mbi të gjitha nuk ishte publikuar deklarata e këshilltarit për ekonominë të kryeministrit Çarçani, anëtarit të Komisionit nismëtar të PD Gramoz Josif Pashkos, dhënë Alfons Gurashit, ku thoshte: “Ju betohemi shoku Ramiz se kurrë nuk do ta tradhtojmë gjakun e derdhur prej jush dhe baballarëve tanë në luftën kundër pushtuesve, kolaboracionistëve e tradhtarëve ballistë e zogistë…, kurrë nuk do të lejojmë që gjakpirësit e popullit të na marrin tokat dhe pronat…”.

    ***

    Dhe ne pinjollët e kundërshtarëve gjenuinë të komunizmit, që kemi lindur dhe jemi rritur në Perëndim, asokohe pandehnim se urrejtja ndaj nesh e kishte strehën vetëm tek takëmi i pardesy-bardhëve “aleancistë” që, në vitin 1997, u bashkuan me krerët majtistë në Rebelimin e përgjakshëm dhe shembën shtetin…

    Do të kalonin 20 vjet me iluzione dhe mashtrime, deri kur në fushatën zgjedhore të 25 Qershorit 2017, negociatori i “marrëveshjes nokturne” eliminoi me marifetin e listave të sekondës së fundit, përfaqësimin politik të PLL dhe BK nga trupa zgjedhore e opozitës së drejtuar prej tij, pasi më parë na ishte lutur që të futeshim në zgjedhje me logon, siglën dhe listën e PD-së.

    Dhe këtë pabesi, Lulzim Basha ia bënte përfaqësuesit dhe kreut të partisë Lëvizja e Legalitetit (PLL), që krahas PBK, bashkëthemeloi pluralizmin politik në Shqipëri. Ia bënte kreut të partisë që trashëgoi dhe pasuroi traditën politike properëndimore – Partisë Popullore – që e pozicionoi Shqipërinë në familjen e madhe europiane dhe e anëtarësoi në Lidhjen e Kombeve para  një shekulli, në fillimvitet ‘20-të.

    ***

    Partia Popullore – pararendëse e OKLL-PLL, krahas Partisë Përparimtare – pararendëse e PBK, gjatë LDB i qëndruan ballas PKSH të themeluar nga serbët dhe veglat e tyre në Shqipëri.

    Sa për kujtesë të lexuesve, më duhet të pohoj se merita madhore e pararendëses sonë (Partisë Popullore) dhe e Partisë Përparimtare si pararendëse e PBK, nuk konsiston thjesht në bashkëthemelimin e pluralizmit dhe demokracisë parlamentare në Shqipëri… Por konsiston në shpërfaqjen e ofertave të vërteta demokratike për popullin, bazuar në doktrina politike, në platforma zgjedhore e programe zhvillimore politiko-qeverisëse, që jo vetëm rezultuan të suksesshme dhe tejet konkurruese e stimuluese, por një shekull më parë e nxorën vendin nga prapambetja e thellë dhe e futën në hullinë e zhvillimit krahas vendeve të tjera të Ballkanit, që e kishin fituar pavarësinë dhe i kishin formuar shtetet e tyre gati 100 vjet para nesh.

    ***

    Korpusi i ligjeve, kodeve dhe akteve nënligjore, krahas praktikës administrative respektive të periudhës 1920-1939, e që kulmuan me Statutin Themeltar të Mbretërisë, të vitit 1928, janë referencë vlerore, qoftë në rrafshin historik dhe studimor, qoftë edhe si model në praktikën paspluraliste të përdorimit të teknikave legjislative  të ligjbërjes.

    ***

    Ato arritje asokohe ishin produkt i mendjeve të ndritura të legjislatorëve tanë dhe ekspertëve të huaj, me njohje, përvojë e kulturë të thellë, që përshtatën në mënyrë të përkryer arritjet bashkëkohore në kushtet tipike e atipike shqiptare, formuluar me gjuhë dhe mendim të kulluar, që mahniti edhe studiuesit dhe ekspertët e pasviteve ‘90-të, ndaj dhe me të drejtë sot shërbejnë si tematika studimore të disertantëve shqiptarë në katedrat dhe universitetet europiane.

    Spartak Ngjela, Gramoz Pashko, Ardian Klosi e të tjerë i kanë pranuar publikisht këto të vërteta, pavarësisht prejardhjes nga shtresa e kundërshtarëve politikë të elitës që ideoi, ngjizi, jetësoi e kulmoi këto arritje madhore.

    ***

    Pluralizmi politik postkomunist e gjeti mendimin politiko-etatist shqiptar me një trashëgimi të thellë e të gjithanshme ideore e doktrinare, të mishëruar në veprat e shkruara të korifejve të mendimit politiko-filozofik shqiptar, sikundër Sami Frashëri, Faik Konica, Branko Merxhani, Vangjel Koça, Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja, Xhaferr Deva, Anton Harapi e Bedri Pejani, pavarësisht ngjyrimeve dhe anësive politike, çka në thelb përbënte larminë dhe fondin pasuror të kulturës sonë politike, qeverisëse e shtetformuese 3 mijë-vjeçare. Trashëgimi kjo, e evidentuar dhe e vlerësuar në kuotat më të larta nga studiuesit dhe mendimtarët e shquar bashkëkohorë si Hysamedin Ferraj, Abdi Baleta, Elvis Hoxha, Enis Sulstarova dhe Afrim Krasniqi.

    ***

    Sot PLL, BK dhe social-demokratët gjenuinë ndjehen krenarë për trashëgiminë e shkëlqyer të ofertave programore e politiko-qeverisëse me bazament të thellë filozofik, të hartuara respektivisht nga: Dr. Nuçi Kotta dhe Dr. Fuat Myftija për Legalitetin; nga Mit’hat Frashëri dhe Isuf Luzaj për BK; nga Hasan Dosti për Ballin Agrar dhe nga Musine Kokalari për partinë e parë Social-Demokrate shqiptare.

    Ne legalistët, dhe besoj edhe ballistët, atëkohë dhe sot, i kemi të qarta si drita e diellit shkaqet dhe arsyet që i shtynë Ramiz Alinë dhe PS e PD për të asgjësuar me skenar të paramenduar PLL dhe BK, duke mos i lejuar të regjistrohen e të garojnë si subjekte në zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 1992.

    Unë asokohe sapo kisha mbaruar studimet e larta dhe e kisha mbrojtur diplomën me një temë, në të cilën kisha trajtuar politikat zhvillimore të shtetit shqiptar në vitet 1920-1992, çka më mundësoi njohjen me ofertat programore të partive shqiptare që garuan më 22 mars 1992.

    Edhe sot e kësaj dite unë vijoj të mbetem i shtangur nga varfëria konceptuale, inkoherencat deri në kundërthënie, paqartësitë dhe demagogjinë që konstatohej në programet zgjedhore të partive garuese, duke filluar që nga Programi Minimal i PD e në vijim “i përmirësuar” dhe ato të të gjitha partive të atëkohshme… Programe të cilat ende i konsideroj si shumatore parullash, si plagjiatura skandaloze dhe enumeracion parimesh e standardesh të huazuara nga kartat ndërkombëtare të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, apo nga programet e partive të shquara europiane, përfshirë këtu edhe statutet e tyre qesharake, me frymë enveriste.

    Përballë tyre, dje dhe sot, qëndron programi i shkëlqyer i PLL i vitit 1993, i përditësuar dhe i përmirësuar më vonë.

    Sot më vjen mirë që të tjerë huazojnë pika të programit tonë (edhe pse në mënyrë sporadike dhe pa koherencë me “projektin” e tyre politik), sepse ne i kemi formuluar dhe publikuar pikërisht që të shërbejnë për të mirën e vendit.

    ***

    Sot dua të ndërmend me dhimbje se në vitin 1997 i ndjeri Pjetër Arbnori deklaroi me mburrje se gjatë legjislaturës 1992-1996 maxhoranca e kohës kishte miratuar një “korpus gjigant prej afro 6 mijë ligjesh, aktesh nënligjore dhe vendimesh, që mundësuan arritje të mëdha”. Por të gjithë e dimë se atij “korpusi” nuk i ka mbetur as nam e as nishan. Pra, “shumë e për lumë”, sipas modelit allashqiptar të “shkeljes në rrugë të pashkelura e krijuese”, ku ligji paraardhës, e pas tij edhe vijuesi, shpalleshin secili “i shkëlqyer”, ndonëse totalisht i ndryshuar, duke shqyer gazit çdokënd me mend në kokë.

    Ligjet dhe thelbi i tyre janë masakruar rregullisht (për shembull Kodi Fiskal i vitit 2003, i cili brenda gjashtëmujorit të parë të atij viti u ndryshua katër herë, kuptohet në favor të klientelës që synonte uljen e detyrimeve doganore e tatimore), pa përmendur ndryshimet e pafundme në vite të ligjit të buxhetit, nga mosrealizimet në arkëtime, apo në investime.

    Mishmashet dhe absurditetet në ligjbërje gjithmonë kanë lartësuar përvojën allashqiptare të rrugëve e shtigjeve të pashkelura, saqë hartuesit dhe mbrojtësit e tyre guxonin të mburreshin me faktin se nuk dinin se cilin model apo legjislacion kishin konsultuar dhe shfrytëzuar, madje edhe kur ekspertët apo kolegët i tallnin nëpër studio, ndërkohë që sipas statistikave dhe sondazheve, 80 % e deputetëve as që i kishin lexuar e jo më të kishin diskutuar për to në komisione dhe seanca plenare.

    Aq e papërgjegjshme është dëshmuar klasa politike e paspluralizmit në vlerësimin e rëndësisë kapitale të hartimit dhe zbatimit rigoroz të kuadrit kushtetues dhe ligjor për konsolidimin e shtetit dhe institucioneve, saqë në dhjetëra raste ka thyer hundët në Gjykatën Kushtetuese… Madje, në këtë turravrap çmendurie, absurdi sureal e pa kurrfarë brerje ndërgjegjeje ka arritur të masakrojë me gazmend e fanfara triumfi bash arritjen e tyre më cilësore në rrafshin konceptual dhe profesional, Kushtetutën e vitit 1998, që tashmë i ngjan një lëvereje këllirë, të papërdorshme për të zgjidhur ngatërresat dhe grackat kushtetuese e ligjore që palët formulojnë në tym, apo ia ngrehin njëra-tjetrës.

    Venecia dhe Komisioni i famshëm i saj janë shndërruar në “Mekë e Medinë” mëkatarësh recidivistë, që pandehin se me “haxhillëk” të përvitshëm do të lajnë mëkatet ndaj këtij populli, të cilin po e zvarrisin në golgotën e tranzicionit pambarim. Tranzicion që për nga jetëgjatësia po i afrohet sundimit enverist, teksa na trand e nanurit me ëndrrën e integrimit në Bruksel.

    Tashmë republikat e vetërrëzuara dhe republikanizmi alla-shqiptar janë shpërfytyruar deri në trajtat më groteske, duke lënë pa gojë ndërkombëtarët, ndaj dhe palët nuk kanë nevojë të shpikin republika të reja, me të cilat thjesht nënkuptojnë “modele” qeverisëse, që ngjajnë si dy pika ujë e që ngatërrohen me gjalmët e veta.

    Sot deklaroj me bindje se shkaku i tkurrjes drastike të së “Djathtës” shqiptare konsiston në mashtrimet parazgjedhore që përmbyseshin nga pushtetet, kur të paktën thjesht mund të mbeteshin si premtime të pambajtura.

    ***

    Nëse pronarëve legjitimë shqiptarë do t’u thuhej para 22 marsit se me Ligjin famëkeq 7501 do t’u grabitej toka nëpërmjet 80 ligjeve pasuese të miratuara në 20 vitet në vijim dhe ligjeve që pengonin kthimin fizik të saj, PD nuk do të fitonte as më 22 mars 1992 dhe sot nuk do ta kishim opozitën aktuale, që padyshim do të shkrihej si kripa në ujë nëse nuk do të ndodhte ‘97-a, që i ribashkoi antikomunistët…

    Fakti që fatura e mashtrimeve parazgjedhore i erdhi PD në derë vetëm 3 muaj pas fitores plebishitare të 22 marsit (në zgjedhjet vendore të 26 korrikut 1992), duhej të shndërrohej në mësim të madh. Por nuk ndodhi kështu, sepse më 6 nëntor 1994 ajo humbi referendumin për Kushtetutën.

    Aq e paaftë dhe e pakualifikuar është dëshmuar e “Djathta” në formulimin e ofertave programore, zgjedhore e qeverisëse diferencuese me kundërshtarët majtistë, sa shpesh të dyja “këpucët” e Ramiz Alisë kanë sajuar dhe publikuar të njëjtat premtime, çka e detyroi Gramoz Pashkon të ankohej: “Socialistët na kanë vjedhur programin… Ne vajtëm në berberhane dhe e varëm xhaketën në kremastar, kurse ata na e vodhën dhe e veshën paturpësisht”.

    Të njëjtën ankesë deklaroi Fatos Nano në vitin 2005 për PD-në e kohës. Dhe nuk kishte faj, sa kohë që si këshilltarë ekonomikë kishte neoliberalët Dritan Shano dhe Neritan Sejamini, të cilët më pas punuan edhe për Berishën në pushtetin vijues 2005-2013.

    Në fillim të pushtetit të marrë në vitin 2005, Berisha punësoi si këshilltarë grupimin e ekspertëve që në vitin 2004 formësuan me bujë mediatike forumin “Kolokiumi liberal”, prej të cilëve Ramë-majtisti u dashurua me doktrinën e Milton Fridmanit dhe trashëgoi platformat dhe projektet liberal-neoliberale, çka e shtyu të flakë ekspertët e njohur me në krye Arben Malajn e të mënjanojë Anastas Angjelin.

    Tashmë të dyja partitë neoliberale shqiptare (PS e PD) kanë përkatësisht si hartues të programit ekonomik bash grupimin neoliberal të punësuar në UET dhe neoliberalët Dritan Shano e Besart Kadia, ndërsa si fetish qeverisës kanë privatizimet, koncesionet dhe të famshmet PPP. Ndaj dhe kanë frikë të shpalosin programet ekonomike, por kanë filluar të sorollaten me folklor, bejte e batuta në fushatë dhe të fryjnë e pompojnë nëpër media librete humoristike, hatërmbetje personale kandidatësh pretendentë dhe lajme të rreme, duke u arratisur nga thelbi i programeve, që janë premtimet konkrete dhe vizioni për të ardhmen.

    Në rastin më të mirë, të vetmet premtime mbeten ato ku kandidatë të caktuar deklarojnë se subjekti i tyre “ka një plan për punësime, investime dhe integrime të mëdha fashash sociale”…, në filan sektor, qytet, apo qark – plane këto pa shpjegime e argumente shoqëruese, e sidomos pa fatura financiare.

    Ndaj deklaroj me bindje se oferta politiko-zgjedhore e qeverisëse për elektoratin shqiptar sot është më e varfër se kurrë dhe se krijimi i sistemit “bipolar” me dy subjekte të së njëjtës natyrë ideologjike dhe programore neoliberale me sfond dhe origjinë majtiste, përbejnë rreziqe serioze për pluralizmin dhe demokracinë, aq më tepër kur ndodhemi përballë së njëjtës klientelë oligarkësh, që shëtit nga një paradhomë pushteti në tjetrën, pas çdo “rotacioni”… Ndërkohë që pasuria publike zvogëlohet pambarimisht, varfëria dhe papunësia rriten skajshëm, bashkë me polarizimin e pakontrolluar që do ta çojë pashmangërisht shoqërinë në përplasje civile të frikshme. Ndaj lipset dalja në skenën politike të një fronti apo force konservatore fituese (deri më tash të munguara), të përgjegjshme për fatet e atdheut dhe popullit, të cilat rrezikohen nga katastrofa që u kanë ofruar dhe rezervuar formacionet politikisht të majta që, qysh prej 78 vjetësh, kontrollojnë dhe dominojnë skenën politike të Shqipërisë londineze.

  • Politika e Mbreti Zog për krijimin e elitës kosovare

    Politika e Mbreti Zog për krijimin e elitës kosovare

    Nga Prof. Hasan BELLO

    Politikat me sfond dhe pikësynime të qarta irredentiste në drejtim të trojeve etnike të mbetura jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar me kryetar shteti “Mbretin e Shqiptarëve” Zog i Parë, edhe kur në dukje kishin thjesht karakter “arsimor” për edukimin shkollor të të rinjve shqiptarë etnikë – ishin pjesë integrale e një strategjie kombëtariste të mirëmenduar. Veprimtari kjo që shkaktoi panik në Legatën jugosllave të atashuar në Tiranë

    Mbreti Zog ishte i bindur se krahas aksionit politik dhe diplomatik për të penguar shpërnguljen e planifikuar të popullsisë shqiptare të Kosovës prej trojeve etnike, ishte e rëndësishme që të formohej një elitë kosovare. Për këtë arsye, Mbreti Zog personalisht hartoi dhe zbatoi një strategji perfekte, e cila synonte arsimimin e të rinjve kosovarë në shkollat dhe gjimnazet shqiptare, në kurset dy-tre vjeçare të xhandarmërisë dhe ushtrisë shqiptare. Por shumë prej këtyre studentëve Mbreti i dërgoi me bursë shtetërore në universitetet e Italisë, Austrisë dhe Francës.

    Si ilustrimi më domethënës shërben rasti i albanologut dhe gjuhëtarit të njohur Prof. Selman Riza, i cili në vitin 1922 do vijë në këmbë nga Gjakova në Tiranë, për t’u shkolluar.

    Pas mbarimit të shkollës plotore “Naim Frashëri” me rezultate të shkëlqyera në vitin 1925, Selman Riza do të studiojë si bursist në Liceun francez të Korçës.

    Në vitin 1932 ekselentit Selman Riza, Ministria e Arsimit do t’i akordojë një tjetër bursë, për të studiuar në Universitetin e Tuluzës në Francë.

    Në vitet 1932-1935 ai do të diplomohet në dy fakultete: për Gjuhë-letërsi franceze dhe për Jurisprudencë.

    Por ashtu si Selman Riza, në shkollat e Mbretërisë Shqiptare do të studiojnë edhe Fadil Hoxha (në Gjimnazin e Shkodrës dhe më pas në Normalen e Elbasanit), dhe Emrush Myftari (në shkollën Ushtarake Mbretërore dhe më pas në Liceun francez).

    Pas Luftës së Dytë Botërore Fadil Hoxha dhe Emrush Myftari do të bëhen drejtues të rëndësishëm të lëvizjes komuniste dhe institucioneve të ish-Jugosllavisë.

    ***

    Përpjekjet e Mbretit Zog për të krijuar një elitë intelektuale, ushtarake dhe politike që në ardhmëri do të orientonte drejt zgjidhjes së Çështjes së Kosovës. legata jugosllave në Tiranë i ndiqte me kujdes të posaçëm. Raportet e saj drejtuar ministrisë së Jashtme në Beograd ishin të mbushura me informacione alarmante. Kështu, në vitin 1931, ajo i raportonte MPJ se “është brengosës kujdesi dhe angazhimi i qeverisë shqiptare ndaj kosovarëve”.

    Kjo legatë e konsideronte këtë strategji të Mbretit Zog si “hap i parë për krijimin e inteligjencës në radhët e shqiptarëve të Kosovës, të cilët më vonë do të dijnë t’i mbrojnë dhe t’i kërkojnë të drejtat e tyre kombëtare”. Prandaj legata në fjalë do t’i propozojë Beogradit të merrte masa për “parandalimin e këtij aksioni të rrezikshëm”.

    Për të përgatitur elitën kosovare, me urdhër të Mbretit Zog në qytetet kryesore të Kosovës, si në Gjakovë, Prizren, etj., u përzgjodhën disa fëmijë që vinin nga familje kombëtariste dhe u kaluan ilegalisht në Shqipëri, për t’iu nënshtruar shkollimit brenda dhe jashtë vendit. Për këtë qëllim, në vitin 1935 vetëm nga Gjakova kishin hyrë në Shqipëri 14 fëmijë, të cilët ishin sistemuar në konviktet e shtetit shqiptar.

    Sipas legatës jugosllave, deri në këtë moment afro 1 mijë nxënës kosovarë studionin në shkollat e cikleve të ndryshme dhe ato ushtarake të shtetit shqiptar. Këta nxënës, sipas Legatës jugosllave “indoktrinoheshin si luftëtarë të zjarrtë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe kundër Jugosllavisë”.

    Përveç Mbretit Zog, Legata jugosllave fajësonte edhe Italinë, e cila, sipas saj, nxiste nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar.

    ***

    Një aspekt tjetër shqetësues për këtë legatë përbënte edhe fakti se Mbreti Zog kishte emëruar si oficerë për mbrojtjen e kufirit me Jugosllavinë mjaft elementë të ardhur në Shqipëri nga Peja, Gjakova, Prishtina, Ferizaj, Kaçaniku etj.. Kjo ishte një zgjidhje perfekte, duke njohur atdhetarizmin dhe besnikërinë e kosovarëve në përmbushjen e misionit të mbrojtjes së dheut-amë, Shqipërisë, nga Jugosllavia antishqiptare.

    Ndaj dhe Legata jugosllave në Tiranë i sugjeronte Beogradit që të pengonte me çdo kusht politikën e Mbretit Zog për shkollimin e kosovarëve në universitetet europiane. Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme në Beograd akuzonte legatën dhe konsullatën shqiptare në Shkup për përhapjen e librit shqip në Kosovë.


    P.S.

    Në arkivat shqiptare gjendet një sasi e madhe dokumentacioni që konfirmon kujdesin e shtetit shqiptar dhe personalisht të Mbretit Zog lidhur me Kosovën.

  • Rusia, Mesdheu Lindor dhe Lindja e Mesme

    Rusia, Mesdheu Lindor dhe Lindja e Mesme

    Alexander PIVOVARENKO

    Ekzistojnë disa mite për përfshirjen e Rusisë në Libi, në veçanti, dhe në Mesdhe, në përgjithësi. Fatkeqësisht, “histori politike” të tilla janë të rrënjosura fort nëpërmjet traditave të Luftës së Ftohtë dhe atyre të periudhës post-sovjetike të “mjegullnajës gjeopolitike”.

    Miti i parë i stamposur në të gjitha përpjekjet për të bërë analiza politike është se “Gadafi i Libisë ka qenë një aleat besnik i Kremlinit”! Ky keqkuptim i krijuar me apo pa kontributin vetjak të kolonel Gadafit, ka qenë shkaku i shumë dështimeve në përshkrimin e së shkuarës dhe të tashmes së lëvizjeve politiko-diplomatike dhe ushtarake të Rusisë në Libi dhe më gjerë.

    Gadafi ishte një armik i përkushtuar i çdo gjëje komuniste, dhe ishte i gatshëm ta sakrifikonte çdo lidhje ruse për hir të përmirësimit të marrëdhënieve të tij të trazuara me amerikanët.

    Duke vepruar kësisoj, ai ndiqte gjurmët e shumë politikanëve të Lindjes së Mesme, të cilët shantazhuan Perëndimin me kërcënimin e “kthimit sovjetik”.

    Miti i dytë është se Moska historikisht është përpjekur ta shndërrojë Afrikën e Veriut dhe Mesdheun Lindor në “bastionin kryesor proletar”. Kjo narrativë daton në dekadat e hershme pas revolucionit të Tetorit 1917, kur imagjinata e disa amatorëve idealistë konceptoi “Revolucionin botëror”.

    Fatmirësisht për BS, kjo ëndërr romantike vdiq shumë përpara Luftës së Dytë Botërore; dhe për fat të keq për Perëndimin, qëndrimi i tij lidhur me këtë ëndërr mbeti i pandryshuar dhe u sfumua nga koha.

    Miti i tretë është se “Rusia nuk ka punë që të ndodhet diku jashtë kufijve të saj”!!?. Në fakt, ky është thjesht një qëndrim politik i përhapur nga Uashingtoni nëpërmjet aleatëve të tij në Evropë dhe përmes doktrinave të NATO-s, por nuk është aspak një mit. Argumenti antirus i perëndimorëve, zakonisht formulohet kështu, “Ne jemi këtu sepse jemi të mirë”, dhe “Ne jemi të mirë sepse themi këto që themi për rusët, të cilët nuk duhet të jenë këtu sepse janë të këqinj…” dhe se “ata janë të këqinj sepse ne themi kështu për ta”. Fjalët kyçe këtu janë “sepse ne themi kështu e ashtu…”.

    Tani, këto janë mitet. Çfarë mund të thuhet për realitetin?

    Mitet e shndërruara në realitet historik

    Në fillim, Rusia hodhi një vështrim nga afër Mesdheut, gjatë kohës së Katerinës së Madhe. Në atë kohë, koncepti dhe interesi gjeopolitik i Rusisë ishte i qartë. Nëse duam, duhet: a) të sigurojmë kufirin jugor, dhe b) të bëjmë tregti me botën, pa kufizime – ndaj dhe na duhet të kemi akses në detet e ngrohta të hapura. Që të ndodhte kjo, Moska duhej të projektonte Fuqinë. Ato ishin ditët kur Projektimi i Fuqisë ishte çelësi i suksesit të tregtisë.

    Cari rus Pavël Petroviç i Parë (që sundoi në periudhën 1796-1801), shkoi pak më tej teksa u përpoq të krijonte bazën detare të Rusisë në Maltë, por u ndal nga goditjet e përsëritura të Fuqive të Mëdha detare të Europës. Megjithatë, ideja e tij ishte mjaft e qartë: Mesdheu dhe Afrika e Veriut ishin padyshim tejet të denjë për vëmendjen e Rusisë perandorake.

    Udhëheqësit sovjetikë (bolshevikë-komunistë) nuk ishin studentë të shkëlqyer të historisë, por gjithsesi shfaqën vëmendje të veçantë për këtë zonë nevralgjike, ujërat e së cilës lagin dhe kufizojnë brigjet e Europës, Afrikës së Veriut, Turqisë dhe Lindjes së Mesme.

    Në pjesën më të madhe, i gjithë ligjërimi sovjetik rreth Lindjes së Mesme nuk mund dhe nuk duhej të ndahej nga trajektorja gjeopolitike dhe zona e Mesdheut Lindor. Natyrisht, Libia ishte e pozicionuar në mënyrë ideale për të justifikuar përpjekjet për të projektuar Fuqinë politike, ushtarake dhe ideologjike të BS dhe më vonë të Rusisë në Mesdheun Lindor.

    Ideologjia gjithashtu duhet të merrte vëmendje të madhe, pasi ka qenë gjithmonë në ofertë, duke qenë ende aty edhepse nën maskimin e “vlerave tradicionale”.

    ***

    Marrëdhëniet Moskë-Tripoli kanë qenë gjithmonë çdo gjë tjetër përveçse të qeta. Gadafi nënshkroi një paketë të konsiderueshme me Rusinë në fillim të viteve ‘70-të. Megjithatë, edhe kjo paketë mezi u jetësua teksa specialistët dhe këshilltarët rusë për muaj të tërë nuk u lejuan të shkonin në vendet e tyre të punës nëpër njësitë ushtarake pas mbërritjes së tyre në Libi. Në fillim kjo sjellje ishte një enigmë, por më pas u bë mëse e qartë se Gadafi e mbajti të hapur derën për Perëndimin nëpërmjet një truk-pengese në marrëdhëniet me Moskën, nëse situata me Perëndimin (nënkupton SHBA-të) do të ndryshonte për mirë.

    Përmirësimi i marrëdhënieve të kolonelit me çallmë me Perëndimin ndodhi gjatë viteve 2004-2006, kohë kjo kur Bashkimi Sovjetik ishte zhdukur prej kohësh, dhe kur Gadafi bëri lëshime të forta dhe Uashingtoni filloi e u ul këmbëkryq në Tripoli. Menjëherë, politikat kontraktuale të Gadafit u zhvendosën në favor të alternativave perëndimore, sikurse ishte nënshkrimi i kontratave të jashtëzakonshme me Italinë, ndërkohë që Gadafi ishte mik personal i kryeministrit kontrovers Berluskoni.

    ***

    Kur u zhvilluan disa takime mes Gadafit dhe liderëve të rinj rusë dhe u nënshkruan disa marrëveshje, kjo shërbeu si burim optimizmi në Kremlin dhe ndodhi bash në një kohë kur Rusia filloi të rivlerësonte pozicionin e saj në rajonin e Mesdheut Lindor.

    Marrëveshjet e reja të nënshkruara midis Moskës dhe Tripolit u perceptuan në Rusi si një manifestim i raportit të sapogjetur me vendin më të pasur të Afrikës së Veriut. Ndoshta, kjo periudhë, më shumë se çdo herë tjetër, shkaktoi spekulime për “miqësinë e përjetshme” mes Gadafit dhe Rusisë.

    Megjithatë, entuziazmi po zbehej pasi u bë gjithnjë e më e qartë se Gadafi ishte më i interesuar për ripranimin nga SHBA-të dhe ngaqë Libia kaloi: nga tmerret e politikës globale, në vendin e mirëpritur në dhomat diplomatike të Evropës dhe Amerikës.

    Në këtë sfond, Rusia hyri në vitet 2014–2015, duke paralajmëruar praninë e zgjeruar të saj në Lindjen e Mesme dhe Mesdhe.

    Përballja me botën e sotme

    Mendimi se Rusia është bërë tepër agresive në politikën e saj të Jashtme qysh nga ajo kohë, ka nxitur shumë ndjenja armiqësore në Perëndim, të konkretizuara këto me sanksione gjymtuese bash nga “partnerët” e mëparshëm, që janë “të pakënaqur” nga mënyra e veprimit të Rusisë. Gjithçka filloi në Ukrainë dhe me Krimenë, sepse në vitin 2013 pas rrëzimit të Presidentit Janukoviç të Ukrainës pati një shqetësim të bazuar për fatin e Sevastopolit strategjik, ngaqë elita e re politike në Kiev u turr për t’ia dorëzuar këtë bazë detare NATO-s.

    Kushdo me përvojë në politikën ndërkombëtare mund të nxirrte përfundimin se Sevastopoli ishte një vijë e kuqe e madhe për Rusinë. Bashkë me Sevastopolin, Rusia mund të humbiste aftësinë e saj për të operuar në Mesdhe dhe për të projektuar Fuqinë e saj në Lindjen e Mesme. Ky aspekt kaq krucial, çuditërisht mungon në diskursin perëndimor (dhe ndonjëherë edhe në diskursin lindor)!?

    Situata në qendër të së cilës ishte vendosur Sevastopoli strategjik, u përkeqësua nga fushata intensive anti-ruse në ish-Republikat Sovjetike në kufirin perëndimor (Letoni, Estoni, Lituani).

    Kriza e Jugosllavisë ngriti gjithashtu një çështje tjetër kryesore: kur “ata” bombardojnë, kjo duhet të jetë “lufta për demokraci”… Kur e bëjmë “ne”, ata e quajnë “shkelje, aneksim…”. Dhe çfarë do ta quani mohimin e të Drejtës së Rusisë për të ndikuar gjeopolitikisht, krahas lirisë së saj për prezencë në rajonet që Moska i konsideron zonat e saj të interesit, ndërkohë që përshëndesni dhe inkurajoni SHBA-të për të bërë të njëjtën gjë?!

    Prandaj na mbetet trajektorja e vetme në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, si dhe besimi i vërtetë se “kauza jonë është e drejtë dhe ne do ta përmbushim”.

    ***

    Flitet shumë për narrativën e “unazës së armiqve” dhe atë të “mëmëdheut nën rrethim”, çka gjoja pasqyron politikat ndërkombëtare të Kremlinit dhe ndikon në diskursin e tij në Lindjen e Mesme. Ky është një keqkuptim i rrezikshëm i situatës. Kjo është një narrativë amerikane dhe jo një narrativë e Kremlinit. Si çdo politikë kundërproduktive, kjo e shtyn Moskën ta shfrytëzojë këtë presion dhe të ketë një përgjigje adekuate nga niveli bazë. Të gjitha përpjekjet për t’i përshkruar ndryshe këto qëndrime dhe reagime vetëmbrojtëse të Kremlinit, janë iluzione të rrezikshme që rezultojnë në gabime gjatë formulimit të strategjive ruse.

    150 milionë qytetarët rusë që jetojnë në Rusi, ne duhet t’i llogarisim si një mbështetje e plotë e kursit politik të Kremlinit.

    Sfidat e Sigurisë në Siri dhe në Gjirin Persik

    Duke u bazuar tek ato që theksova më lart, mund t’i qasemi thelbit dhe objektivave të politikës së Jashtme të Rusisë ndaj Libisë dhe Mesdheut Lindor.

    Aktualisht Rusia e ka humbur interesin e dikurshëm ndaj Libinë për arsye pragmatiste. Për diplomacinë ruse Libia u konsiderua një fiasko perëndimore dhe pikërisht për këtë arsye u la që me Libinë post-Gadaf të merrej Perëndimi, sidomos pas vitit 2015, kur Siria mori vëmendjen maksimale.

    Mirëpo dosja siriane la shumë vend për spekulime, teksa shumë “specialistë” parashtruan se Rusia hyri në Siri për t’u transpozuar si Fuqi me rol të domosdoshëm dhe njëkohësisht si palë në procesin e ndërmjetësimit rajonal, ndër të tjera edhe për të përmirësuar imazhin ndërkombëtar të saj dhe për të lehtësuar pasojat e Çështjes së Krimesë.

    Në fakt, elita politike ruse, e orientuar kryesisht nga reagimet e brendshme, pohoi se Moska nuk ishte aspak e frikësuar nga aktivizmi perëndimor, madje si dëshmi e këtij këndvështrimi duhet pranuar se Moska e përdori me sukses fushatën anti-ruse të Perëndimit për qëllimet e saj, duke akuzuar hapur ish-“partnerët” për “papërgjegjshmëri”.

    Vendimi rus për t’u përfshirë në dosjen siriane u bazua në disa faktorë, por fatkeqësisht asnjëri prej tyre nuk u perceptua realisht nga Perëndimi. Ndër këta faktorë, i pari dhe më i rëndësishmi ishte Terrorizmi.

    Për Rusinë, Siria ishte shumë afër kufijve të saj, çka mjaftonte për të mos toleruar dhe lejuar që aktivitetet terroriste islamike të përhapeshin si valë dhe rrathë koncentrikë në mënyrë të papenguar. Ndaj bëhej e domosdoshme që jo vetëm t’u jepej fund grupeve radikalo-islamike si ISIS-i, por lipsej të eliminoheshin fizikisht terroristët më aktivë, në mënyrë që ata të mos mund të ktheheshin në atdheun e tyre, apo të fshiheshin. Pa dyshim se arsyeja e dytë ishte mbështetja me rëndësi strategjike e regjimit sirian, dhe kjo nuk nënkupton aspak se “ne na pëlqen Assadi, ndaj le të qëndrojë”. Maksima e vjetër që përcaktonte se “ajo që bëhej me forcë do të zhbëhej nga një forcë më e madhe” ishte thelbi i arsyetimit.

    Faktori i tretë ishte dhe duhet të jetë domosdoshmëria e pranisë ushtarake të Rusisë në Mesdhe, me arsyetimin: Nëse amerikanët kanë të drejtë…, atëherë edhe ne kemi të drejtë! Pas këtyre faktorëve u shfaq edhe ai i besnikërisë ndaj aleatit shumëvjeçar sirian dhe krahas tij edhe domosdoshmëria e mbrojtjes së të krishterëve ortodoksë në Siri, duke patur parasysh se diskursi i Ortodoksisë ka qenë një pjesë e rëndësishme e narrativës politike të brendshme në Rusi.

    Megjithatë, angazhimi “sirian” shërbeu si një katalizator për ndryshimin e statusit rus ndaj Libisë.

    Gjatë krizës siriane, këndvështrimi mbi paradigmën e Lindjes së Mesme u bë gjithnjë e më i “militarizuar” në kuptimin që Rusia mund të arrinte me anë të forcës më shumë sesa do të arrinte me aksion thjesht diplomatik dhe propagandistik. Në këtë koncept, ushtria filloi të zëvendësonte diplomatët në shumë vende, bazuar në argumentin: ka ende shumë aktivitet terrorist, kështu që ne duhet të jemi proaktivë.

    Me rezultatet e prekshme në Siri, opsioni libian në Moskë filloi të dukej gjithnjë e më i realizueshëm. Megjithatë, ende kishte hezitime për t’u angazhuar atje në nivel shtetëror. Gjithsesi qëndrimi i Kremlinit ishte i qartë: duke qenë se nuk e dimë se çfarë do të vijë si rezultat i kaleidoskopit libian, ne do të mbrohemi nga rreziqet që vërshojnë drejt nesh duke folur me të gjithë, por pa kërkuar angazhimin e askujt.

    ***

    Gjatë periudhës fillestare të angazhimit zyrtar në Siri dhe atij jozyrtar në Libi, Rusia u ballafaqua me disa sfida të cilat mësoi t’i përballonte, përveç asaj të Turqisë. Dhe kjo sepse Ankaraja u aktivizua në Lindjen e Mesme disa kohë para nesh, duke mbërritur më në fund në Mesdheun Lindor. Kjo ishte ndoshta diçka e re për vendet mesdhetare “të vijës së parë” të Europës, por jo për Rusinë.

    Turqia mbetet anëtare e NATO-s dhe, si e tillë, gëzon mbështetjen e shteteve të tjera anëtare të Aleancës Veri-atlantike. Por në Rusi ka zëra “optimistë” që thonë se Turqia është gati të largohet nga NATO dhe të ndërpresë marrëdhëniet me SHBA-të për të nxitur një aleancë të re me Rusinë. Ky është një mendim interesant, edhepse joreal.

    Në fakt, Rusia dhe Turqia, pasi kanë vepruar në afërsi ushtarake në Siri, tanimë duhet të kooperojnë me njëri-tjetrin përsëri në vijën e frontit në Libi.

    ***

    Qasja e Moskës ndaj Mesdheut Lindor bazohet në realitetin e ri kontekstual. Mesdheu duket se është në një fazë transitore: nga një karakter dhe bazament eurocentrik, në ato të Lindjes së Mesme. Dhe kjo sepse kohët e fundit, vendet kryesore të Gjirit Persik kanë treguar interesin e tyre të madh për atë që po ndodh në rajonin e Mesdheut Lindor. Nga këndvështrimi i Moskës, kjo do të thotë se konstrukti “liberal demokratik” i Mesdheut do t’i nënshtrohet gjithnjë e më shumë stres-testit nga rutina politike e “luftëtarit të shkretëtirës”. Në këtë kontekst, Rusia ndihet më rehat si një mjet politik gjithëpërfshirës i provuar historikisht, i aftë për të lundruar në ujërat tradicionale të “tokës së askujt të Lindjes së Mesme”. Rajoni po ndryshon dhe Rusia që zëvendësoi prangat e ideologjisë socialiste të së kaluarës me armën e fuqishme të vlerave tradicionale, tashmë e ndjen veten të aftë jo vetëm të marrë pjesë në këtë ndryshim, por edhe ta drejtojë atë.

    Përktheu Astrit Kola

  • Rusia, drejt një ekuilibri interesash në Mesdheun Lindor

    Rusia, drejt një ekuilibri interesash në Mesdheun Lindor

    Nga Andrey KORTUNOV

    Rusia nuk ka dalje dhe qasje të drejtpërdrejtë në Detin Mesdhe. Interesat e saj më të rëndësishme strategjike dhe ekonomike projektohen në pjesë dhe rajone të tjera të botës, sikurse janë Atlantiku Verior apo Azia Lindore. Megjithatë, për një kohë të gjatë Rusia është përpjekur ta evidentojë praninë e saj në Mesdhe.

    Ky interes gjeostrategjik i saj shpërfaqet qysh në shekullin XVIII dhe buron prej një sërë arsyesh gjeopolitike, ekonomike, strategjike, fetare dhe kulturore.

    Sot Moska është e pranishme në Mesdheun Lindor shumë më tepër sesa Bashkimi Sovjetik i dikurshëm në kulmin e ekspansionit të tij global. Për më tepër, Vladimir Putin mund ta prezantojë praninë e Kremlinit në Mesdheun Lindor si një nga arritjet personale më spektakolare dhe të padiskutueshme të politikës së Jashtme ruse.

    Duket qartë se Rusia ka një qasje strategjike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ndaj rajonit të Mesdheut Lindor, madje në këndvështrimin gjeostrategjik, krijimi dhe mbështetja e një qasjeje të tillë do të ishte një detyrë sfiduese e saj për një sërë arsyesh. Së pari, Mesdheu Lindor është thjesht shumë i madh dhe shumë i larmishëm për të patur një model të vetëm e të “një madhësie që i konvenon të gjithëve” për përballimin e krizave dhe konflikteve të shumta që po zhvillohen këtu. Së dyti, kapacitetet e Rusisë në rajon (veçanërisht në rrafshin ekonomik dhe në mjetet e Fuqisë së Butë), janë mjaft të kufizuara dhe nuk e lejojnë Moskën të ndjekë një strategji afatgjatë e të udhëhequr nga një vizion gjithëpërfshirës dhe poaq bindës për të ardhmen e rajonit.

    Ndryshe nga ish BS, Rusia nuk disponon asnjë model social dhe ekonomik që mund t’ua ofrojë kombeve të rajonit për ta ndjekur dhe imituar. Së treti, qasjet e Rusisë ndaj vendeve specifike në Mesdheun Lindor pasqyrojnë një ndërveprim kompleks të interesave të ndryshme politike, ekonomike, ushtarake, gjeostrategjike, etj., në raport me Moskën. Madje mund të pohohet me plot gojën se ekuilibri i saktë i këtyre interesave mund të luhatet nga një vend në tjetrin dhe nga një fazë e angazhimit rus në tjetrën. Kësisoj, duke nënkuptuar dhe përllogaritur të gjithë këta faktorë, mund të konkludohet se në vend që të përpiqemi të artikulojmë një “Doktrinë të Putinit” gjithëpërfshirëse për rajonin, do të ishte më e natyrshme që politika ruse të shihej si një përpjekje për të balancuar një sërë interesash dhe qëllimesh të ndryshme, krahas vlerësimit prej saj të prioriteteve dhe mënyrave e kostove të angazhimit në Mesdheun Lindor. Mirëpo në disa raste, ky bilanc rezulton mjaft i suksesshëm; kurse në raste të tjera çon në komplikime të paparashikuara dhe në rritje të rreziqeve politike.

    Qasja e Kremlinit ndaj Mesdheut Lindor ka qenë gjithmonë e varur në njëfarë mase nga marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin; Çdo ngritje ose ulje e rëndësishme në këto marrëdhënie ka prodhuar implikime të drejtpërdrejta dhe të dukshme për angazhimin dhe pozicionimet ruse në Mesdheun Lindor. Për shembull, nuk do të ishte ekzagjerim pohimi se “angazhimi fillestar ushtarak rus në Siri në vjeshtën e vitit 2015 kishte një dimension të rëndësishëm pedagogjik” – pas dështimit spektakolar të Perëndimit në Libinë e Gadafit dhe pas performancës së zbehtë të SHBA-ve në Irakun e Sadamit.

    Ndaj dhe Putini qartazi synon t’i mësojë Perëndimit sesi t’i “rregullojë” problemet veçanërisht pas krizës akute në Ukrainë dhe rreth saj, për çka mendoj se për Kremlinin do të ishte shumë e rëndësishme që të demonstronte se, në Mesdheun Lindor, Rusia nuk mund të bëhej pjesë e problemit, por pjesë e zgjidhjes.

    Prania politike dhe veçanërisht ajo ushtarake ruse në rajonin e Mesdheut Lindor shumë shpejt u bë një tjetër faktor ndërlikues në marrëdhëniet e vështira midis Moskës dhe kryeqyteteve perëndimore. Prandaj, balanca e prioriteteve të Kremlinit u zhvendos gradualisht: nga përpjekja për të krijuar një marrëveshje me lojtarët globalë, në angazhimin e aktorëve rajonalë – sikurse Damasku, Ankaraja, Teherani, Riadi, Kajro, etj..

    Ky ndryshim i prioriteteve të Rusisë ndodhi paralelisht me një rënie graduale të interesit të SHBA-ve në rajon dhe me përpjekjet e pasuksesshme të BE-së për të krijuar një qasje të konsoliduar evropiane ndaj Mesdheut Lindor. Mesa duket, sot Moska nuk është gati të rrezikojë partneritetet e saj të shumta rajonale për hir të marrëdhënieve më të mira me SHBA-të ose me Bashkimin Evropian.

    Deri më tash një qasje e tillë doli të ishte përgjithësisht produktive, por mund të humbasë efikasitetin e saj nëse Perëndimi fokusohet më shumë në rajon dhe investon më shumë burime dhe kapital politik në gërryerjen e partneriteteve ruse (p.sh. duke nxitur Turqinë të bëhet një anëtare më e disiplinuar e Aleancës së NATO-s).

    Mbështetja e “legjitimitetit” dhe e “stabilitetit”

    Kremlini pretendon se tradicionalisht ka patur një qasje të vazhdueshme legjitimiste ndaj zhvillimeve politike në botë, në përgjithësi, dhe sidomos në rajonin e Mesdheut Lindor në veçanti, teksa “ka kundërshtuar çdo përpjekje për ndryshim regjimi, edhe nëse Rusia ka patur rezerva të shumta për regjimin në fjalë”.

    Rusia nuk e mirëpriti Pranverën Arabe në vitin 2011, dhe denoncoi përmbysjen e dhunshme të Gadafit në Libi dhe Mubarakut në Egjipt. Moska më vonë mbështeti Asadin në Siri, duke argumentuar se ai përfaqësonte të vetmen fuqi legjitime në vend. Madje të njejtën gjë bëri edhe kur mbështeti presidentin turk Erdogan gjatë tentativës për grusht shteti më 15 korrik 2016.

    Megjithatë, pretendimi rus për respektimin e “parimit të legjitimitetit” ka shpërfaqur edhe kufizimet e saj. Për shembull, në Libi, Kremlini mbështeti Khalifa Haftar-in, megjithëse legjitimiteti i tij ishte qartësisht inferior ndaj legjitimitetit të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të udhëhequr nga Fayez al-Sarraj, të njohur këta si legjitimë edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

    Moska madje nuk shprehu kurrfarë shqetësimi për zëvendësimin e qeverisë legjitime në Kabul nga talebanët.

    Duket se Kremlini e zbaton qasjen e tij legjitimiste vetëm ndaj liderëve politikë që dëshmojnë se janë të aftë për të mbajtur jo vetëm një kontroll de jure, por edhe de fakto mbi territoret e vendeve të tyre. Me fjalë të tjera, Rusia përkrah jo aq shumë legjitimitetin në vetvete, por “rendin dhe stabilitetin”, të cilat perceptohen si vlerat më të rëndësishme dhe burimet e domosdoshme të legjitimitetit të secilit regjim në veçanti.

    Mbështetja e sekularizmit kundër islamizmit

    Në shumicën e rasteve, në Mesdheun Lindor dhe në pjesë të tjera të botës, Rusia preferon më shumë regjimet laike sesa islamistët, edhe në rastet kur islamistët vijnë në pushtet përmes zgjedhjeve të hapura dhe demokratike. Kjo preferencë mund të jetë e rrënjosur në përvojën e vetë Kremlinit me islamistët në Kaukazin e Veriut dhe në rajone të tjera kryesisht myslimane të Federatës Ruse. Nga sa më sipër duket qartë se në Kremlin ekziston një frikë instinktive e shkaktuar nga islamizmi i moderuar, për të mos përmendur paskëtaj mishërimet e tij më fundamentaliste dhe radikale.

    Moska hezitoi të hiqte Vëllazërinë Myslimane Egjiptiane nga lista e organizatave terroriste edhe pasi kjo lëvizje kishte ardhur në pushtet në Kajro dhe kandidati i saj Mohamed Morsi ishte bërë president i Egjiptit. Hezitim i njëjtë ky me atë që Moska shpërfaq formalisht ndaj talebanëve të porsaardhur në fuqi në Afganistan.

    Në Libi, Rusia mbështeti Khalifa Haftar-in sapo ai u pozicionua si një kundërshtar i islamizmit edhepse kishte njësi “Salafi” në ushtrinë e tij. Por çuditërisht Kremlini mban linja të hapura komunikimi me Hamasin në Palestinë, ose Hezbollahun në Liban, megjithëse të dyja këto organizata janë fundamentaliste islamike.

    Përpjekja e Rusisë për Prezencë  vs  Kontroll

    Në strategjinë e përpjekjeve të Bashkësisë Ndërkombëtare për zgjidhjen e problemeve dhe krizave në rajonin e Mesdheut Lindor, Kremlini më së shumti kërkon thjesht një vend në tryezën e bisedimeve, por nuk ka ambicie të drejtojë dhe imponojë… Kësisoj po sillet Kremlini edhe në rastin e Procesit të Paqes në Lindjen e Mesme, ku mbetet veçse një nga fuqitë e formatit të Kuartetit dhe po kështu po sillet edhe në Libi, edhe në Afganistan. “Pjesëmarrja dhe jo kontrolli”, i jep Rusisë një shans për t’u prononcuar publikisht për shumë çështje rajonale, pa marrë kurrfarë përgjegjësie të plotë për gjithçka që ndodh në këtë apo atë cep të rajonit.

    Por Siria shquhet si një “përjashtim i jashtëzakonshëm nga rregulli…”, megjithëse Moskës këtu i duhet të koordinojë aktivitetet e saj ushtarake me Teheranin dhe Ankaranë, në kuadër të Procesit shumëpalësh të Astanës. Por faktet dëshmojnë se në Siri Kremlini po kërkon kontroll dhe jo thjesht “prani”. Dhe kjo sipas shumë ekspertëve rusë po ndodh ngaqë “Rusia, në aspektin praktik po manipulohet nga Bashar Asadi, dhe jo anasjelltas”?!.

    Favorizimi i Gjeoekonomisë kundër Gjeopolitikës

    Megjithëse Kremlini e propagandon Rusinë si një “ofrues sigurie globale”, në fakt ajo do të dëshironte që në Mesdheun Lindor ta shihte pozicionin e saj si “ekonomikisht fitimprurës”. Lidhjet e forta ekonomike me Turqinë, shpjegojnë në fakt qëndrueshmëri e jashtëzakonshme të marrëdhënieve politike ruso-turke, pavarësisht nga shumë çështje të rëndësishme për të cilat Moska vazhdimisht nuk pajtohet kurrsesi me Ankaranë.

    Midis kombeve arabe të Mesdheut, Rusia fokusohet kryesisht në vendet relativisht të pasura, sikurse Iraku, Egjipti dhe Algjeria, që mund të bëhen konsumatorë të vlefshëm të pajisjeve ushtarake ruse dhe të eksporteve bujqësore, ose mund të ofrojnë mundësi fitimprurëse për kompanitë ruse të energjisë dhe infrastrukturës.

    Kanë të drejtë ekspertët që argumentojnë se “angazhimi rus në Libi kishte konsiderata gjeoekonomike”, sa kohë që Libia ishte, është dhe do të mbetet edhe për shumë kohë si një vend i pasur dhe i aftë financiarisht që të paguajë me para të thata për importet dhe projektet e saj të zhvillimit.

    BE dhe Rusia bashkërisht në Siri

    Megjithëse Moska përpiqet shumë që nga Siria të marrë mbrapsht fitimet ekonomike prej investimeve të saj politike dhe ushtarake, duket se ky synim nuk është i lehtë për t’u arritur – veçanërisht tani kur Damasku është i ekspozuar ndaj sanksioneve të shumta ekonomike të SHBA-ve dhe BE-së.

    Ekspertët i vlerësojnë shpenzimet e përgjithshme vjetore ruse në Siri në nivelin 1-2 miliardë dollarëve, megjithatë po sipas tyre, do të ishte e vështirë të imagjinohej që përfshirja e Rusisë në Siri të shndërrohej së shpejti në një projekt ekonomikisht fitimprurës!

    Duke patur parasysh problemet e brendshme social-ekonomike, duket logjike që në të ardhmen e afërt Rusia të vazhdojë t’i japë përparësi interesave ekonomike mbi ambiciet e saj gjeopolitike në Mesdheun Lindor. Kjo qasje raportesh ekonomike superiore ndaj atyre gjeopolitike, mund ta bëjë Moskën më të hapur dhe pranuese ndaj partneriteteve të mundshme me lojtarë të jashtëm, të gatshëm për të përballuar angazhimin politik dhe ushtarak të Rusisë me burime ekonomike dhe financiare që Kremlini aktualisht nuk i ka në dispozicion.

    Angazhimi shtetëror rus mbi dhe kundër atij “privat”

    Rusia është e njohur për qasjen e saj shumë etatiste ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare. Kremlini mbështetet kryesisht në marrëveshjet shtet me shtet, si dhe në ndërveprimet intensive midis burokratëve që përfaqësojnë ministri dhe agjenci të tjera qeveritare. Aktorët joshtetërorë rusë–si në sektorin privat, ashtu edhe në atë të shoqërisë civile–zakonisht ndjekin marrëveshjet shtetërore dhe të qëndrojnë në linjë me politikat shtetërore. Kjo qasje mund të jetë veçanërisht efikase në trajtimin e regjimeve autoritare, që përpiqen të kontrollojnë plotësisht: si biznesin privat, ashtu edhe institucionet e shoqërisë civile.

    Megjithatë, kohët e fundit Moska është përpjekur të diversifikojë grupin e instrumenteve të politikës së jashtme në rajonin e Mesdheut Lindor, duke lejuar grupet dhe organizatat private dhe gjysmë-private të luajnë një rol më të dukshëm dhe më autonom.

    Rusia në Libi dhe Mesdhe

    Një nga avantazhet që gëzon Rusia në Mesdheun Lindor është aftësia e saj për të mbajtur marrëdhënie konstruktive me palët e kundërta të konflikteve rajonale: me sunitët dhe shiitët; me iranianët dhe sauditët; me izraelitët dhe palestinezët; me turqit dhe kurdët; me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, etj.. Duke u sjellë kësisoj, Moska e mban të diversifikuar portofolin e saj të investimeve politike dhe shpreson të përfitojë nga çdo rezultat i besueshëm i konflikteve në fjalë. Për më tepër, ky pozicion unik i lejon Moskës të pretendojë rolin e një “ndërmjetësi të ndershëm” në mjaft situata. Kjo e ndihmon Moskën të shmangë disa nga gabimet e kryera shpesh nga fuqitë e tjera që kanë vepruar dhe veprojnë në Mesdheun Lindor.

    Megjithatë, pozicioni i një ndërmjetësi mund të jetë i vështirë për t’u mbajtur kur konflikti përshkallëzohet dhe palët ndërluftuese fillojnë aksione luftarake të ashpra dhe i kërkojnë Moskës të shtojë ndihmat dhe furnizimet ushtarake. Për shembull, partneriteti i ngushtë me Bashar Asadin në Siri i rrezikoi marrëdhëniet miqësore afatgjata të Rusisë me kurdët sirianë dhe tashmë partneriteti ruso-iranian në Siri është shndërruar në një faktor kryesor dhe tejet i ndërlikuar në marrëdhëniet ruso-izraelite.

    Përpjekjet e vazhdueshme për të marrë një pozicion të baraslarguar midis palëve në konflikt, mund ta gërryejnë besimin e tyre tek Rusia.

    Si përmbledhje mund të themi se arti i balancimit të objektivave të diplomacisë ruse, i mjeteve të politikës së jashtme dhe i ekuilibrave balancues midis partnerëve të shumtë rajonalë të Rusisë në Mesdheun Lindor, kërkon një qasje shumë të kalibruar dhe të saktë për çfarëdolloj angazhimi.

    Deri më tani, Kremlini ka arritur t’i mbajë nën kontroll rreziqet shoqëruese. Megjithatë, në rrugën plot vështirësi shumëçka do të varet nga faktorë përtej kontrollit të Rusisë – më i rëndësishmi ndër të cilët është dinamika e agravuar e sigurisë rajonale, si dhe sukseset apo dështimet e përpjekjeve të shtetndërtimit në Mesdheun Lindor, si dhe niveli e mënyrat e angazhimit nga aktorët kryesorë jorajonalë, sikurse SHBA-të. BE dhe Kina

    Përktheu Astrit Kola


    P.S.

    Të nderuar lexues! Kur vendosa të sjell këtë artikull për ju, nuk e bëra se jam dakord me diplomacinë dhe gjeostrategjinë e Rusisë zyrtare antishqiptare, por e bëra për t’u sjellë një manual brilant pune, vijësjelljeje dhe artikulimi apologjetik pseudo-shtetarëve dhe pseudo-diplomatëve tanë atdheshitës, sharlatanë, injorantë dhe asgjëbërës. Manual ky që i mëson sesi duhen mbrojtur interesat tona kombëtare dhe sesi duhet legjitimuar aksioni diplomatik i shtetit shqiptar, pa pyetur për reagimet dhe akuzat “për ndërhyrje në punët e brendshme” të fqinjëve që na kanë zaptuar trojet etnike dhe po na shkombëtarizojnë deri në zhbërje… 

    Kur rri si mut të shkelin me këmbë… Kur përpiqesh dhe lufton, ke shanse që me ndihmën e Zotit të triumfosh dhe të fitosh lirinë.

  • Nga Sebastian ZONJA – Infrastruktura hekurudhore, rrugore dhe energjetike në Ballkan

    Nga Sebastian ZONJA – Infrastruktura hekurudhore, rrugore dhe energjetike në Ballkan

    Një nga arsyet e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore ishte edhe gjeostrategjia dhe gjeoekonomia e Gjermanisë perandorake si komponentet e gjeopolitikës së një fuqie në ekspansion të pandalshëm, trupëzuar në megaprojektin e ndërtimit të hekurudhës Bagdad–Berlin, që natyrisht do kalonte përmes Turqisë dhe do të çante më dysh Europen Lindore.

    Edhepse asokohe Perandoria Otomane kish një shekull që ishte cilësuar “i sëmuri i Bosforit” dhe rrokopuja e fundosjes së saj kishte nisur, një rigjallërim i Stambollit me fuqinë teknologjike, financiare dhe intelektuale gjermane, paraqiste probleme për fuqitë e tjera botërore.

    Pasi gjermanët ndihmuan në ndërtimin e hekurudhës Stamboll–Hixhaz, Fuqitë e Mëdha të tjera – Rusia, Britania dhe Franca – me të drejtë u bënë xheloze dhe reaguan me shpejtësi e të sinkronizuara.

    Gjermania mund të fuqizohej aq shumë nga nafta dhe lënda e parë që do të merrte nga ai rajon i pasur, sa do të bëhëj Fuqi Botërore brenda pak vitesh. Ndërkohë, planet për ndarjen e tortës pas shembjes së perandorisë Otomane mund të mos realizoheshin nëse hekurudha Bagdat-Berlin do të ndërtohej.

    Ky konfigurim i ekspansionit teuton shfaqej edhe në Ballkan, ku gjermanët mbështesnin bullgarët dhe shqiptarët; anglezët mbështesnin grekët dhe franko-rusët mbështesnin Serbinë.

    Pra, s’ka marrëdhënie dashurie, por ka thjesht interesa.

    Lidhja e ngushtë e gjermanëve me perandorinë Otomane solli edhe prishjen e interesave anglo-franceze në kanalin e Suezit dhe më gjerë. Lufta, sikundër thonë, “është thjesht politikë por me mjete të tjera”, apo jo?

    ***

    Situata nuk është se ka ndryshuar shumë: interesat mbeten po të njëjta, ndaj gjykoj se edhe mund ta parashikojmë se çfarë do të ndodhë në 20 vitet e ardhshme në Ballkanin tonë, sa kohë që është konfiguruar mozaiku “ShBA+BE – Kinë+Rusi”.

    Tashmë kemi dy shtete shqiptare dhe kjo falë amerikanëve. A nuk i kishim dikur Tokat e Lirueme, por i “humbën” komunistët?

    Ahmet Zogut i duhej të zgjidhte mes Italisë dhe Jugosllavisë. Ose të nxirrte sllavët në Adriatik, ose ta lidhte vendin me Perëndimin. Ai zgjodhi Italinë. Politikan klasi.

    Enveri zgjodhi Jugosllavinë.

    ***

    Gjermanët sollën Vidin, por sipas kujtimeve të Xhemal Kusit, grupi kundërshtar ngriti në protesta Haxhi Qamilin dhe udhëzoi Musa Qazimin për ta hequr Vidin me armë nga Froni i Shqipërisë.

    Pra, vetëm pse hoqëm Vidin, vumë në kandar sërish fatet e vendit, që u rrezikuan me rishikimin e kufijve të Londrës-1913 në Paris-1919. Kush ishte asokohe i interesuar për atë lëvizje?

    Kë do të zgjedhim sot? I keni parë që “internacionalistët” janë anti-zogistë, anti-malokë…

    Cili politikan e ka sot mendjemprehtësinë e Zogut? Kush punon sot kundër interesave të shqiptarëve në Ballkan?

    Ja, për shembull, të shtrojmë disa pyetje: Kush e hoqi nga harta Korridorin 8?; Kush e vonoi Rrugën e Kombit?; Kush e sabotoi ndërtimin e autostradës Adriatiko –Joniane?; Po TAP-i, a nuk u vonua derisa të përfundonte ndonjë gazsjellës tjetër?; Po interkonjeksionin energjetik me Kosovën kush e vonoi?

    Sa më shumë i largohemi realizimit emergjent të këtyre projekteve strategjike, aq më shumë i largohemi Evropës dhe Amerikës. Njëjtë si gjatë diktaturës, kur u mbyllëm kundrejt gjithë projekteve strategjike në rajon, dhe ja ku jemi sot.

    Kujt i leverdis status-quoja dhe destabilizimi?

    Për shembull, kur anglezët ishin kundër projektit hekurudhor Bagdad–Berlin ngritën në protesta, nëpër vende të ndryshme, shumë arabë me ndihmën e T. H. Lawrence. Kohët ndryshojnë, teknikat janë të njëjta, apo jo?

    Bojkoti i projekteve strategjike që janë në dobi të Shqipërisë dhe të NATO-s, është politikë anti-kombëtare, është anti-amerikanizëm.

    Kush i ka shtyrë këto projekte në kalendar greke?

  • Destinacione ekstreme, vendudhëtime për më guximtarët

    Destinacione ekstreme, vendudhëtime për më guximtarët

    Disa vende të planetit tonë janë aq atipike saqë vetëm fakti që janë të banuara (jo të gjitha) i bën ato thjesht të jashtëzakonshme. Për këtë arsye kemi vendosur të zgjedhim për ju disa nga vendet më ekstreme në botë, vendudhëtime vetëm për udhëtarët më të guximshëm. Vendi i parë (në foton lart) në renditjen tonë, është Outback.

    2. Ladakh, me vendkalimin më të lartë të karrocuar në botë

    E fillojmë këtë udhëtim nga Ladakh, Indi, një shtet i vendosur në një luginë midis Himalajeve dhe Karakorum. Thuhet se ajo krenohet me vendkalimin më të lartë në botë dhe ku praktikisht nuk ka pemë, por nga ana tjetër është plot me manastire budiste. Këtu urat tronditëse për këmbësorë i bashkangjiten mureve të frikshme të grykave nga ku mund të admirohen majat e mbuluara me borë

    3. McMurdo, vendi më jugor i globit, i arritshëm vetëm me anije

    Veçanërisht ekstrem është McMurdo, një bazë e përhershme amerikane në Antarktidë. Shtrihet në ngushticën me të njëjtin emër, në zonën jugore të ishullit Ross dhe në vitin 1902 u ndërtua vendqëndrimi Discovery, mbi një shkëmb vullkanik. Është vendi më jugor në botë, i arritshëm vetëm me anije.

    4. Xhibuti, me temperaturat që i kalojnë 50°C

    Xhibuti, në Bririn e Afrikës, është një vend fare i vogël, por në gjendje për të na çmeritur. Këtu marrin jetë disa liqene, përfshirë atë të Assal, i cili gjendet 155m nën nivelin e detit, i mbyllur në një pellg të egër të dominuar nga male të ashpra, është pika më e ulët në kontinentin afrikan. Temperaturat në këtë vend i kalojnë 50°C dhe uji ka një përqëndrim kripe të barabartë me 350g për litër, 10 herë më të lartë se ai i oqeaneve.

    5. Mali Uashington, mali i vogël më i rrezikshëm në botë

    Padyshim magjepsës, por ekstrem, është mali Uashington në New Hampshire; maja më e lartë në Shtetet e Bashkuara Verilindore, e njohur edhe si mali i vogël më i rrezikshëm në botë. Gjatë gjithë vitit, në fakt, duket bora që bie nga qielli dhe ngjitet në tokë, erërat fryjnë me shpejtësinë më të lartë të regjistruar ndonjëherë dhe temperaturat janë aq të ulëta sa hipotermia është e zakonshme. Megjithatë, gjatë verës, rënia e temperaturave mund t’ju bëjë të humbni vetëdijen.

    6. Parku Kombëtar Madidi, me disa prej bimëve më helmuese në Tokë

    Jo më pak është Parku Kombëtar Madidi në Bolivi, ku bimësia e dendur, jeta e egër, lumenjtë që rrjedhin dhe ujëvarat bubullitëse përzihen me disa nga bimët më helmuese në Tokë. E jo vetëm kaq, pickimet e merimangave dhe të insekteve të tjera në këtë vend mund të rezultojnë fatale.

    7. Oymyakon, vendi më i ftohtë i banuar në botë

    Ndërsa Oymyakon, është vendbanimi më i ftohtë në botë. Ndodhet në rajonin Yakutia të Siberisë dhe temperaturat në dimër mund të bien nën minus 60 ° C.

    Mjaft të thuhet se është riemëruar “qyteti-frigorifer” ose “poli i të ftohtit”.

    8. Depresioni i Danakil, me zonën më të nxehtë në botë

    Një destinacion për udhëtarët ekstremë është edhe Depresioni i Danakil në Etiopi, ku shfaqet një pellg i kripur pothuajse pa pikë hijesh.

    Në 150 m nën nivelin e detit, është pika më e ulët e Afrikës dhe thuhet se është rajoni më i nxehtë në botë.

    9. Bikini Atoll, me nivele të rrezikshme rrezatimesh

    Bikini Atoll, i përbërë nga 23 ishuj të vegjël, është pjesë e Ishujve Marshall dhe midis viteve 1946 dhe 1958 kanë qenë vend për testet bërthamore gjatë Luftës së Dytë Botërore. 23 pajisje bërthamore janë shpërthyen nga Shtetet e Bashkuara në shkëmbinjtë koralorë të ishullit, në ajër, në brendi të ishullit dhe nën ujë. Në fakt, vetë Bikini Atoll ka shfaqur nivele të rrezikshme rrezatimi që e kanë bërë ishull të pabanueshëm edhe sot e kësaj dite.

    10. Outback, mes qiejve të pafund dhe gjarpërinjve

    Së fundi, Outback në Australi, ku përveç rërës së shkretëtirës Simpson dhe tokës së kuqe të vargmaleve McDonnell, ka vetëm spinifex, nxehtësi dhe qiej të pafund. Një rrip shumë i gjatë toke që shkon nga maja jugore e Australisë kontinentale deri në Darwin, në skajin verior. Shpesh i vetmi tingull që dëgjoni është kakaritja melankolike e sorrave. Poashtu e adhurojnë edhe gjarpërinjtë.

  • Nga Andi BUSHATI – Pse Basha po nxit dhunë?

    Nga Andi BUSHATI – Pse Basha po nxit dhunë?

    Ashtu siç ndodh rëndom në çdo betejë edhe në atë që po zhvillon tani PD-ja, për të parë se ku fshihet djalli, nganjëherë duhen qëmtuar detajet. Pra, ndërsa palët po nxehin militantët me një numër deklaratash, sa të përsëritura, po aq dhe të pabesueshme, për trafikantë droge, pastrim parash, aferash me drejtësinë, vëmendjen ma tëroqi një justifikim gati periferik, i strukur në një nga tekstet e mbështetësve të Bashës. Ashtu si i dalë nga labirinthet e së pandërgjegjshmes, ai dëshmonte më mirë se gjithçka mendësinë që ka kapluar “fraksionin e bravës”.

    Në një përpjekje për të kundërshtuar akuzat e berishistëve, se Basha vazhdon të uzurpojë zyrën me forcë, se pasi ndryshoi drynët dhe bravat, hoqi karriget e sallave dhe e mbushi selinë me kamera, se kryetari i shkarkuar ka blinduar portën kryesore dhe dritaret e katit të parë, përgjigjja ishte qesharake.

    Përqëndrohuni pak dhe lexojeni me vëmendje këtë frazë: “punimet dhe mirëmbajtja në seli këtë fillimviti bëhen në funksion të riorganizimit dhe rifreskimit të strukturave qendrore të partisë”.

    Ky pra është justifikimi. Ndërsa i gjithë publiku diskuton nëse do ta sulmojë doktori shtëpinë e tij duke e nxjrrë nga zyra pasardhësin, Basha do të na bëjë të besojmë se shqetësimi i tij kryesor qenkësh “rifreskimi i strukturave”.

    Ndërsa të gjithë kanë parë video ku dëgjohen zhurmat e frezave që presin çelikun që do blindojë godinën, në deklaratë flitet për retushim estetik.

    Ndërsa shumëkush jeton me ankthin e asaj që pritet në protestën e 8 janarit, kryetari, i shkarkuar me referendum, e paraqet të tërën si një procedurë të rëndomtë që ka lidhje me fillimin e vitit.

    Kur ndalon një çast për të menduar, automatikisht të lindin disa pyetje: pse Luli e ka më të lehtë raportin me gënjeshtrën, sesa atë me të vërtetën? A nuk do ishte me efikase dhe e ndershme ti thoshte publikut: “Po, po blindojmë dyert për tu mbrojtur nga sulmi i Berishës”? A nuk kishte mundësi më të madhe ta ndante opinionin duke i treguar realitetin, sesa duke fantazuar broçkulla çilimijsh me organizim dhe rifreskim?

    Zgjedhja e kësaj rruge, sa idiote nga pikpamja e komunikimit, po aq dhe ofenduese për logjikën e atyre që e dëgjojnë, nuk është një lapsus i rastësishëm, as një kalkulim i gabuar i “spin doctors”-ave. Ato janë shumatorja e detajeve që na mundësojnë të shohim djallin. Sepse në këtë mënyrë absurde, duke mohuar faktet në emër të krijimit të një realiteti virtual, Basha është sjellë që prej 9 shtatorit. Në këtë kuptim, alibia e ‘rifreskimit” është e ngjashme me atë të vendimit personal për të përjashtuar Berishën, e përbetimit se do mbyste demokracinë për të mos lejuar votime antiamerikane, e slloganit qesharak për një parti që paskësh shpallur aleat strategjik, jo të singjashmen e saj, por një shtet të tërë (madje më të fuqishmin e globit), e sjelljeve prej David Koperfildi që mëtojnë ta shesin një delagat sa për tre.

    Të gjitha këto pirueta të sforcuara kanë pasur një qëllim të thjeshtë, përpjekjen për të fshehur humbjen dërrmuese të mbështetjes në parti.

    Pa krijuar butaforinë e një realiteti fallc, Lulzim Basha nuk do kishte asnjë argument për të blinduar tani selinë. Blloqet e çelikta mbi dyert dhe dritaret e godinës së PD janë përfundimi logjik i demiurgut të një bote që e sheh vetëm ai vetë.

    Prandaj mëkati më i madh i kreut të shkakrkuar të PD nuk është tentativa për të bunkerizuar partinë, por ajo për ta shndëruar atë në simbolin e një fabule që nuk ekziston.

    Sepse duke mohuar realitetin, duke injoruar shumicën e antarësisë, duke mos njohur delegatët e kongresit dhe vullnetin e tyre, Basha po e shpie PD-në drejt një përplasjeje të pashmangshme.

    Ndonëse në pamje të parë duket sikur është Berisha, me steriotipin e tij agresiv, ai që po sulmon, sikur janë mbështetësit e tij që po përgatiten për dhunë, në fakt është e kundërta.  Në këtë rast, faji nuk është tek ai që mësyn, por tek tjetri që do të rrijë arbitrarisht atje ku si takon. Nëse Basha do ta mbajë zyrën me çdo çmim, ai e bën të justifikueshëm secilin mjet që do të shfrynte tollumbancen e pushtetit të tij të remë. E nëse rolin e kësaj e kësaj tollumbaceje po e luan selia e PD-së, ajo godinë duhet të bjerë.

    Sepse, për dhunën, ndonjëherë, më shumë sesa ai që e shkakton, bëhet fajtor , ai që e provokon.

    Dhe Basha e ka luajtur këtë rol.  Prandaj ai është përgjegjës, jo për gradhin e hekurt që po ngre, por për serinë e manipulimeve që po e detyrojnë të fshihet pas tij.

  • Kjo është gruaja më e vjetër në botë, sekreti i saj

    Kjo është gruaja më e vjetër në botë, sekreti i saj

    Kane Tanaka më 2 janar 2022 fiku plot 119 qirinj, mosha e saj e bën të hyjë në Librin e Rekordeve Botërore Guinness si gruaja më e vjetër në botë dhe i mundëson të ketë më shumë kujtime për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm. Një burim anekdotash nga të cilat mund të nxjerrësh pasuri.

    Ajo nuk ka jetuar vetëm gjatë pandemisë Covid-19, epidemi – në total – ka përballuar tre. I ka mbijetuar edhe dy Luftërave Botërore dhe ka mundur edhe një tumor. Një forcë e vërtetë e natyrës që ka qenë gjithashtu një pishtar i Lojërave Olimpike të Tokios (edhe pse stafetën nuk u mbajt për çështje teknike).

    Cili është sekreti i saj

    Kujt pyet nëse ka një sekret apo një formulë magjike që e ka lejuar të jetë aq në formë në moshën e saj, i përgjigjet se “fle mirë”. Ja, pra, ‘eliksiri i saj i jetës’.

    E lindur më 1903, ajo i mbijetoi gripit spanjoll 1918/20, Sars më 2004dhe Sars-Covid-19. Një dhimbje e rëndë në zorrën e trashë e goditi kur ishte 103 vjeç, por ajo e mundi edhe atë me forcën e një luaneshe dhe të një operacioni që i shpëtoi jetën.

    ***

    Kane Tanaka, gruaja më e vjetër në botë, jeton në një shtëpi kujdesi në Higashi-ku, në prefekturën Fukuoka, në Japoni dhe është në formë të shkëlqyer që e kanë zili edhe njerëzit shumë më të rinj se ajo. Argëtohet duke luajtur Othello dhe shëtit brenda strukturës. Synimi i saj është të jetë vazhdimisht e zënë dhe dëshiron të bëjë më të mirën e saj.

    Ka edhe një mendje matematikore që bën të jetë një as në llogaritje, gjithashtu i pëlqen edhe arti i kaligrafisë. Ndjek një dietë të shëndetshme dhe të ekuilibruar; preferon supëra, peshkun dhe orizin; dhe oreks nuk i mungon kurrë. Gjithashtu pi shumë ujë dhe vazhdon të stërvitet (fizikisht dhe mendërisht).

    Është edhe protagoniste e një libri që i biri ka shkruar për nder të saj, In Good and Bad Times, 107 Years Old – Në kohë të mira dhe të këqija, 107 vjeçe. Një ekzistencë e qetë, pa mendime dhe shumë vëmendje për të mos u mërzitur kurrë, janë sekretet e një zonje të shkëlqyeshme të cilës nuk mbetet tjetër veçse t’i urohen edhe 100 vjet të tjera.

    Një shembull për t’u ndjekur që mëson se nuk janë të dhënat personale ato që kanë rëndësi, por mënyra e jetesës që bën. Duhet të jesh i ri në shpirt dhe ajo e di mirë këtë.

  • Nga Armand MAHO – PD si ‘pallati i ëndrrave’ për soj sorollopët e pushtetit!

    Nga Armand MAHO – PD si ‘pallati i ëndrrave’ për soj sorollopët e pushtetit!

    Nëse do kishte një çmim për gjenialitetin e humbjes, pa dyshim që ish kreu i opozitës, në tetë vite do ishte rrëmbyes i atij trofeu. Dhe jo vetëm, por Lulzim Basha çuditërisht zotëron dhe një aftësi të pazakontë për të larguar njerëzit dhe në momentet kur i duhen më shumë.

    Sot ka arritur në pikën, kur ka ndërmarrë dhe hapa për blindimin e zyrave të PD-së, sipas një informacioni të mbërritur në zyrat e Syrit. Në rast se kjo vërtetohet atëherë ai përbën vërtet një rast studimor, përfundimet e të cilit me patjetër duhet të futen në tekstet e studimeve politike.

    Mënyra se si kërkon ta mbajë partinë është vërtet e habitshme. Duke e kthyer PD-në në një bunker, i cili mendohet të mbajë larg revoltën e atyre që u bënë copash në fushatë për të, është si t’i hedhësh benzinë zjarrit. Kemi dëgjuar për paranoja kryeministrash, presidentësh, mbretërish, që i druhen revoltës së qytetarëve të tyre, por paranojë nga një ish-kryetar që i druhet anëtarësisë së tij, është vërtet rast unikal.

    PD e sotme nuk ka asnjë ngjasim me një forcë politike. Mund të ngjasojë deri dikur me një institucion bankar, i cili ruhet me forca sigurie, një tip fortese e kohëve moderne, por kurrsesi në një godinë, ku forca e saj është fryma dhe mendimi që përçon.

    Rama e përdor këtë metodë sa herë ka protesta. Dhe frika e tij, për ndonjë përshkallëzim situate për shkak të zullumeve që ka bërë është e kuptueshme. Po Basha nga kush ka frikë? A mund të pretendosh të jesh kryetar i një partie në opozitë kur nuk mund të dalësh dot përpara njerëzve të tu?

    Jo më kot e përmenda që në krye të herës trofeun për “gjenialitetin” e humbësit. Viti i fundit, ai që sapo kaluam është dëshmia më e qartë se sa është dëmtuar PD dhe anëtarësia e saj. Në janar të vitit 2021, kishte entuziazëm tek demokratët për një fitore të mundshme më 25 prill. Vetëm mendjet e blera apo të sëmura mund t’i jepnin një fitore Ramës.

    Pavarësisht parave apo favoreve që shpërndante pushteti, sërish urrejtja kishte tejkaluar çdo manipulim. Madje tek një fitore e Ramës nuk besonte më as administrata. Poeti i ndjerë Arben Duka, që shquhej për militantizmin e tij të sëmurë ndaj së majtës, do shkruante madje dhe një poezi disfatiste, ku pranonte humbjen e së majtës në zgjedhje. Në 26 prill ndodhi pikërisht ajo që shumëkujt s’ja rrokte mendja. Rama fitoi një mandat të tretë.

    Kjo është arsyeja se përse janë revoltuar më së shumti demokratët. U investuan me mish e me shpirt për fitoren e një njeriu që me sa duket nuk e donte atë.

    Duke ashpërsuar gjuhën me liderin historik të së djathtës, dhe duke rehabilituar nga çështje të ndjeshme Ramën, mendon se tashmë që ka humbur anëtarësinë do arrijë të fitojë shtresën gri. Pra, rreket që të ngrejë një forcë politike të djathtë, me një shtresë që njerëzish që nuk kanë një qëndrim apo një formim politik. Që nuk kanë dalë kurrë në fushata, që nuk e dinë çfarë janë strukturat apo forumet, që nuk kanë pasur asnjëherë shpirtin partiak. Qesharake apo jo.

    Dëshpërimisht sot kërkon ta adresojë problemin e paaftësisë së tij tek non grata e sponsorizuar nga Rilindja për Sali Berishën. Një tezë që nuk ngjit. Kjo për faktin se dhe vetë Berisha është përballur nervozizmin e anëtarësisë për përkrahjen që i ka dhënë Bashës, qoftë dhe me heshtje. Pra, problemi ka ekzituar prej kohësh. Që në humbjen e 2017-ës, tek falja e pushtetit lokal Ramës, tek defaktorizimi i opozitës për shkak të kauzave të humbura. Basha për të gjitha këto ka qenë gjeni i dështimit, dhe këtë s’mund t’ja mohojmë.

     Demokratët që ta kuptojë Basha dhe ata përreth tij, janë revoltuar nga lojnat që ka bërë ish-kryetari. Janë revoltuar nga përdorimi që ai i ka bërë atyre, nga trajtimi si njerëz të dorës së dytë, ku nuk kuptohej se ku mbaronte diskriminimi i Ramës dhe ku fillonte braktisja që Basha i bënte anëtarësisë.

    Janë revoltuar nga përdorimi si pronë familjare e PD-së ku persona që nuk kishin asnjë lidhje me atë  forcë politike, i adresonin kauzat dhe përpjekjet opozitës drejt interesave personale të biznesit. Këto i kanë ditur të gjithë, i kanë parë të gjithë, i kanë prekur të gjithë, por kanë heshtur për hir të shpresës për fitore.

    Sot demokratët skanë më asnjë arsye ta mbështesin Bashën. Gjenialitetin e tij për të humbur është i lirë ta ushtrojë diku tjetër. Ashtu siç është i lirë të kontribuojë në pozita të tjera për mbajtjen në këmbë të pushtetit të Ramës, por jo nga zyra e kryetarit të PD-së. Selia është strehë e opozitarizimit dhe jo “pallati i ëndrrave” për soj e sorollop që kërkojnë të përfitojnë ndonjë post nga situata e krijuar, për ti shkelur më pas syrin pazareve me rregjimin.

    Sot Shqipëria ka një nevojë emergjente, atë të përballjes me regjimin Rilindas, dhe ky është një detyrim opozitar. Dhe kjo luftë  nuk bëhet për interesa personale askujt, siç rreket ai të na bëjë të besojmë. Kjo është në interesin e të gjithëve, dhe atyre që nuk e votojnë të djathtën.

  • Nga Edi PALOKA – Një mesazh dhe një propozim të fundit për Lulzim Bashën!

    Nga Edi PALOKA – Një mesazh dhe një propozim të fundit për Lulzim Bashën!

    Bashkëpunimi prej 8 vitesh në opozitë, si nënkryetar i PD, më ka imponuar gjatë kësaj kohe një qëndrim më të tërhequr e më pak agresiv ndaj teje. Ky qëndrim ka ardhur jo vetem për hir të marrëdhënies personale gjatë këtyre viteve, por kryesisht si marrje përgjegjësie mbi veten për aq sa më takon nga funksionet drejtuese që kam mbajtur në PD.

    Nga 9 shtatori jam pozicionuar qartë në krah të Berishës, për shumë arsye, po mbi të gjitha me bindjen se jam në krahun e së drejtës. Më pas iu binda vullnetit të shumicës absolute të demokratëve për mbledhjen e Kuvendit të 11 dhjetorit, siç duhet të kishin bërë të gjithë drejtuesit e PD duke filluar nga ty i pari.

    Ndërkaq ti zgjodhe që përballë vullnetit dhe interesit të demokratëve, të mbroje interesin tënd, lidhur tek karrigia e kryetarit të opozitës e në funksion të këtij interesi ngrite gjithë qëndrimet e mëtejshme duke iu dhënë goditje pas goditjesh atyre që për tetë vite luftuan e sakrifikuan për ty.

    Me 9 shtator deklarove se po merrje një vendim të detyruar nga të tjerë, kundër bindjes tënde dhe nuk le fjalë lartësimi pa përdorur për Berishën. More vendimin e gabuar, në mënyrën më të gabuar e ç’ishte më e keqja, duke qenë i paralajmëruar për pasojat që ai vendim do të sillte për PD!

    Më pas, kur jo vetëm Berisha, por shumica e demokratëve t’u kundërvunë, ti nuk zgjodhe ata si kryetar i tyre, por zgjodhe rrugën e kundërt!

    Nga ai moment, qëndrimet e kundërshtarëve më të egër të PD, u bënë qëndrimet e tua. E akuzove Berishën me fjalët e Ramës për çdo gjë, madje edhe për ato gjëra ku ti kishe përgjegjësi personale siç ishte 21 janari. E akuzove si “komunist”, si shkaktar të ‘97 e më tej…! Mirë që nuk e akuzove dhe se ka “vjedhur” rrugën e Kombit !

    Sigurisht që nuk i mendoje të gjitha këto kur Berisha të katapultoi fillimisht si deputet, pastaj tre herë ministër, më pas kryetar bashkie e në fund kur në opozitë të la në dorë postin e kryetarit të PD. I more të gjitha ato poste e privilegje vetëm prej Sali Berishës e prej askujt tjetër. Asnjë meritë, asnjë kontribut e ca më pak sakrifica nuk kishe në PD deri ditën që ai të katapultoi. E pra, ai Berishë ishte “komunisti që paskësh shkaktuar ‘97″ edhe kur të dha gjithe ato poste e privilegje. Madje ai ishte dhe me 9 shtator!

    Megjithatë, sikur këtu të bëhej fjalë thjesht për një marrëdhënie mes Berishes dhe teje mbase unë do të zgjidhja thjesht të heshtja. As me Berishën e as me ty, unë nuk kam patur marrëdhënien e ngushtë që ju keni patur me njeri-tjetrin. Por këtu nuk bëhet fjalë për këtë, po për PD, për të gjithë ne.

    Në fakt me sloganet “Të ndahemi nga e shkuara e të shohim të ardhmen” ti u ndave nga PD. Me sulmet e akuzat e Rames ndaj Berishës, ti ke hedhur poshtë e ke mohuar gjithë historinë e PD, gjithë sakrificat e demokratëve në 30 vite. Të atyre demokratëve që të dhanë gjithçka e nuk iu dhe kurrë çfarë prisnin prej teje. Tani, në mënyrë paradoksale, kërkon të qëndrosh në krye të një partie që e ke mohuar dhe për më tepër kundër vullnetit të shumicës absolute të demokratëve që me 11 dhjetor në Kuvend e më pas me 18 dhjetor me referendum, të shkarkuan nga kryetar!

    Nese ti nuk do e dije këtë realitet mbase dhe mund të faleshin këto qendrime, por ti më mirë se kushdo e di që demokratët nuk i ke me vete. Minimalisht ti je në dijeni të faktit se si me gjithë përpjekjet e bëra, nuk arrite të mbushësh as sallën e Pallatit të Kongreseve me demokratë të thjeshtë e jo më me delegatë. Nuk mjaftuan as familjarët, as punëtoret e disa bizneseve që erdhën me detyrim, as njerëzit e marrë nga rruga, po u deshën dhe socialistët e Ramës për të mbushur sallën me 2 mijë vende…! Këtë ti e di shumë mirë, pavarësisht se çfarë deklaron publikisht.

    E megjithëse i di të gjitha këto, ti zgjedh që pas përdorimit të sulmeve të Ramës të kopjosh pikë për pikë dhe qëndrimet e tij. E fillove me hile e truke “procedurash”, vazhdove me mosnjohjen e votës së shumicës e tani perfundove tek blindimi e bunkerizimi i selisë së PD!

    Rama me këto mënyra mbron karrigen e tij të pushtetit, po ti çfarë po mbron, karrigen e opozitarit të përjetshëm?!! Pse?!

    Ti e di që kështu, mund të jesh çdo gjë, po kryetar i demokratëve nuk mund të jesh kurrë. Po çfarë është më e rëndësishme ti e di shumë mirë që edhe sikur të përdorësh policinë dhe gjykatat e Ramës per të mbajtur një vulë e ca zyra boshe, as në ëndërr nuk i afrohesh dot më pushtetit e jo me ta marrësh. Atëherë plr çfarë te duhet gjithe kjo qe po ben?! Pse i genjen ende ata pak demokrate te thjeshte qe besojne me naivitet përrallën se vërtet pengesa per te marre pushtetin paska qene Berisha e tani pushtetin do na i sjellin ne pjate?!

    Ne kushte te tilla dy alternativa mbeten:

    -Te intereson thjesht karrigia e kryetarit te opozites per interesa personale biznesi.

    -Me ose pa vullnetin tend, je pjese e atyre qe kerkojne shkatërrimin e PD per t’i lehtesuar mbretërimin Rames.

    Per te qene i sinqerte , une nuk kam dashur te pranoje asnjeren prej ketyre akuzave edhe ne respekt te vetes time (gjithnje per hir te ketyre tete viteve te fundit). E po per kete arsye po bej dhe nje propozim te fundit me shprese te vaget se mund ta degjosh jo vetem per te miren e demokrateve por dhe tenden personale dhe te atyre pak veteve qe te ndjekin.

    Ky eshte nje mendim teresisht personal dhe nuk ka asnje lidhje me pozicionin qe une kam sot si njeri prej 29 antareve te Komisionit te Rithemelimit te PD.

    E kam thënë që në fillim të “konfliktit” se vetëm VOTA e demokratëve e zgjidh problemin. Në këto kushte, mbetet dhe një hapësirë e fundit; zgjedhjet në PD për të gjitha strukturat, përfshi dhe kryetarin e PD. Kuvendi i 11 dhjetorit ka caktuar një periudhë dhe 22 marsin si ditën e zgjedhjeve si dhe ka ngarkuar Komisionin e Rithemelimit për organizimin e tyre. Unë mendoj që për interesa madhore të PD, çdo gjë mund të negociohet për të zhvilluar një proces të pastër e me besimin e të gjithëve.

    Demokratët të vendosin me votën e tyre sepse vetëm kështu qëndrojmë teë bashkuar dhe gjithë energjitë tona i përqendrojmë në luftën kundër Ramës. Bëhu pjesë e këtij procesi.

    Kush fiton drejton! Por edhe ai që humbet, nuk humb përfundimisht!

    Zoti Basha, ti je ende i ri, kështu që edhe po të humbësh në këtë garë, nuk do të ishte fundi i karrierës tënde politike. Nëse do ndiqje këtë rrugë, kam bindjen që dhe shumica e demokratëve që sot janë kundër teje, do dinin të falnin e pse jo dhe të të mbështesnin në një të ardhme. Ndërkaq rruga ku je futur e po ndjek është fundi sepse nëse i çon demokratët deri npërplasje, nuk ben gjë tjetër veçse shërben si kamikaz për interesin e Ramës, i cili është i vetmi që përfiton.

    Prandaj zgjidh vërtet të ardhmen tënde dhe të PD, e prano votën e demokratëve si mekanizmin e kësaj të ardhmeje.