Politika e Mbreti Zog për krijimin e elitës kosovare
Nga Prof. Hasan BELLO
Politikat me sfond dhe pikësynime të qarta irredentiste në drejtim të trojeve etnike të mbetura jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar me kryetar shteti “Mbretin e Shqiptarëve” Zog i Parë, edhe kur në dukje kishin thjesht karakter “arsimor” për edukimin shkollor të të rinjve shqiptarë etnikë – ishin pjesë integrale e një strategjie kombëtariste të mirëmenduar. Veprimtari kjo që shkaktoi panik në Legatën jugosllave të atashuar në Tiranë
Mbreti Zog ishte i bindur se krahas aksionit politik dhe diplomatik për të penguar shpërnguljen e planifikuar të popullsisë shqiptare të Kosovës prej trojeve etnike, ishte e rëndësishme që të formohej një elitë kosovare. Për këtë arsye, Mbreti Zog personalisht hartoi dhe zbatoi një strategji perfekte, e cila synonte arsimimin e të rinjve kosovarë në shkollat dhe gjimnazet shqiptare, në kurset dy-tre vjeçare të xhandarmërisë dhe ushtrisë shqiptare. Por shumë prej këtyre studentëve Mbreti i dërgoi me bursë shtetërore në universitetet e Italisë, Austrisë dhe Francës.
Si ilustrimi më domethënës shërben rasti i albanologut dhe gjuhëtarit të njohur Prof. Selman Riza, i cili në vitin 1922 do vijë në këmbë nga Gjakova në Tiranë, për t’u shkolluar.
Pas mbarimit të shkollës plotore “Naim Frashëri” me rezultate të shkëlqyera në vitin 1925, Selman Riza do të studiojë si bursist në Liceun francez të Korçës.
Në vitin 1932 ekselentit Selman Riza, Ministria e Arsimit do t’i akordojë një tjetër bursë, për të studiuar në Universitetin e Tuluzës në Francë.
Në vitet 1932-1935 ai do të diplomohet në dy fakultete: për Gjuhë-letërsi franceze dhe për Jurisprudencë.
Por ashtu si Selman Riza, në shkollat e Mbretërisë Shqiptare do të studiojnë edhe Fadil Hoxha (në Gjimnazin e Shkodrës dhe më pas në Normalen e Elbasanit), dhe Emrush Myftari (në shkollën Ushtarake Mbretërore dhe më pas në Liceun francez).
Pas Luftës së Dytë Botërore Fadil Hoxha dhe Emrush Myftari do të bëhen drejtues të rëndësishëm të lëvizjes komuniste dhe institucioneve të ish-Jugosllavisë.
***
Përpjekjet e Mbretit Zog për të krijuar një elitë intelektuale, ushtarake dhe politike që në ardhmëri do të orientonte drejt zgjidhjes së Çështjes së Kosovës. legata jugosllave në Tiranë i ndiqte me kujdes të posaçëm. Raportet e saj drejtuar ministrisë së Jashtme në Beograd ishin të mbushura me informacione alarmante. Kështu, në vitin 1931, ajo i raportonte MPJ se “është brengosës kujdesi dhe angazhimi i qeverisë shqiptare ndaj kosovarëve”.
Kjo legatë e konsideronte këtë strategji të Mbretit Zog si “hap i parë për krijimin e inteligjencës në radhët e shqiptarëve të Kosovës, të cilët më vonë do të dijnë t’i mbrojnë dhe t’i kërkojnë të drejtat e tyre kombëtare”. Prandaj legata në fjalë do t’i propozojë Beogradit të merrte masa për “parandalimin e këtij aksioni të rrezikshëm”.
Për të përgatitur elitën kosovare, me urdhër të Mbretit Zog në qytetet kryesore të Kosovës, si në Gjakovë, Prizren, etj., u përzgjodhën disa fëmijë që vinin nga familje kombëtariste dhe u kaluan ilegalisht në Shqipëri, për t’iu nënshtruar shkollimit brenda dhe jashtë vendit. Për këtë qëllim, në vitin 1935 vetëm nga Gjakova kishin hyrë në Shqipëri 14 fëmijë, të cilët ishin sistemuar në konviktet e shtetit shqiptar.
Sipas legatës jugosllave, deri në këtë moment afro 1 mijë nxënës kosovarë studionin në shkollat e cikleve të ndryshme dhe ato ushtarake të shtetit shqiptar. Këta nxënës, sipas Legatës jugosllave “indoktrinoheshin si luftëtarë të zjarrtë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe kundër Jugosllavisë”.
Përveç Mbretit Zog, Legata jugosllave fajësonte edhe Italinë, e cila, sipas saj, nxiste nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar.
***
Një aspekt tjetër shqetësues për këtë legatë përbënte edhe fakti se Mbreti Zog kishte emëruar si oficerë për mbrojtjen e kufirit me Jugosllavinë mjaft elementë të ardhur në Shqipëri nga Peja, Gjakova, Prishtina, Ferizaj, Kaçaniku etj.. Kjo ishte një zgjidhje perfekte, duke njohur atdhetarizmin dhe besnikërinë e kosovarëve në përmbushjen e misionit të mbrojtjes së dheut-amë, Shqipërisë, nga Jugosllavia antishqiptare.
Ndaj dhe Legata jugosllave në Tiranë i sugjeronte Beogradit që të pengonte me çdo kusht politikën e Mbretit Zog për shkollimin e kosovarëve në universitetet europiane. Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme në Beograd akuzonte legatën dhe konsullatën shqiptare në Shkup për përhapjen e librit shqip në Kosovë.
P.S.
Në arkivat shqiptare gjendet një sasi e madhe dokumentacioni që konfirmon kujdesin e shtetit shqiptar dhe personalisht të Mbretit Zog lidhur me Kosovën.