Nga Sulejman GJANA – Tani e ka radhën konservatorizmi
Pas vitit 1990 në Shqipëri kanë funksionuar dhe kanë dështuar dy rryma të përafërta të mendimit politik dhe të modelit ekonomik: social-demokracia dhe liberalizëm-neoliberalizmi, të cilat i takojnë spektrit politik që shtrihet nga e Majta deri në Qendrën e Majtë. Tanimë, nëse duam ta shpëtojmë vendin që ka rrëshqitur skajshëm në humnerat e së Majtës, duhet të sjellim në pushtet të Djathtën Konservatore.
Në takimin e famshëm të gushtit 1990 me intelektualët më të afirmuar të regjimit, si ilustrim të konceptit të pluralizmit Alia u kujtoi atyre se “pluralizëm politik tek ne do të thotë që përveç Partisë së Punës, të formohen e të garojnë në zgjedhje edhe parti të tjera si Partia Demokratike, Partia Social-demokrate, Partia Republikane, Partia Agrare, Partia e Gjelbërt-ambientaliste, etj..”.
Pas disa muajsh kur Alia shpalli pseudo-pluralizmin politik katovician, u bë katërcipërisht e qartë përse ai themeloi, zyrtarizoi dhe futi në skenën politike e në zgjedhjet parlamentare të 31 Marsit 1991 pikërisht partitë që ua përmendi asokohe intelektualëve. Por u bë gjithashtu i qartë edhe shkaku përse dy partitë antikomuniste të traditës historike, PLL dhe BK që funksiononin në ekzil, u penguan qëllimisht për të mos u lejuar të merrnin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 31 Marsit 1991 dhe në ato të 22 Marsit 1992.
Asokohe nuk ishin publikuar proces-verbalet e mbledhjeve të Byrosë Politike të fillim-vitit 1991, ku Nexhmija ulërinte me zërin e hollë dhe çjerrës: “Këta që kemi vënë në krye të opozitës janë djemtë tanë…, po imagjinojeni sikur në krye të saj të jenë bijtë e ballistëve dhe zogistëve…”, apo pohimi i Alisë se “ata dhe baballarët e tyre ballistë e zogistë i kemi vrarë tash e 40 vjet…”.
Gjithashtu nuk ishin publikuar as deklaratat e xhup-zinjve që çuditërisht mbanin patllake në brez, sikurse: Zef Brozi dhe Emin Barçi…, apo ato të Blendi Gonxhes së “Komisionit nismëtar të PD”, që vinte tek studentët direkt e nga zyra e drejtoreshës së Muzeut Historik Kombëtar (mbesës së Ramizit dhe njëkohësisht nuses së djalit të Nexhmijes, Teuta Hoxhës). Dhe mbi të gjitha nuk ishte publikuar deklarata e këshilltarit për ekonominë të kryeministrit Çarçani, anëtarit të Komisionit nismëtar të PD Gramoz Josif Pashkos, dhënë Alfons Gurashit, ku thoshte: “Ju betohemi shoku Ramiz se kurrë nuk do ta tradhtojmë gjakun e derdhur prej jush dhe baballarëve tanë në luftën kundër pushtuesve, kolaboracionistëve e tradhtarëve ballistë e zogistë…, kurrë nuk do të lejojmë që gjakpirësit e popullit të na marrin tokat dhe pronat…”.
***
Dhe ne pinjollët e kundërshtarëve gjenuinë të komunizmit, që kemi lindur dhe jemi rritur në Perëndim, asokohe pandehnim se urrejtja ndaj nesh e kishte strehën vetëm tek takëmi i pardesy-bardhëve “aleancistë” që, në vitin 1997, u bashkuan me krerët majtistë në Rebelimin e përgjakshëm dhe shembën shtetin…
Do të kalonin 20 vjet me iluzione dhe mashtrime, deri kur në fushatën zgjedhore të 25 Qershorit 2017, negociatori i “marrëveshjes nokturne” eliminoi me marifetin e listave të sekondës së fundit, përfaqësimin politik të PLL dhe BK nga trupa zgjedhore e opozitës së drejtuar prej tij, pasi më parë na ishte lutur që të futeshim në zgjedhje me logon, siglën dhe listën e PD-së.
Dhe këtë pabesi, Lulzim Basha ia bënte përfaqësuesit dhe kreut të partisë Lëvizja e Legalitetit (PLL), që krahas PBK, bashkëthemeloi pluralizmin politik në Shqipëri. Ia bënte kreut të partisë që trashëgoi dhe pasuroi traditën politike properëndimore – Partisë Popullore – që e pozicionoi Shqipërinë në familjen e madhe europiane dhe e anëtarësoi në Lidhjen e Kombeve para një shekulli, në fillimvitet ‘20-të.
***
Partia Popullore – pararendëse e OKLL-PLL, krahas Partisë Përparimtare – pararendëse e PBK, gjatë LDB i qëndruan ballas PKSH të themeluar nga serbët dhe veglat e tyre në Shqipëri.
Sa për kujtesë të lexuesve, më duhet të pohoj se merita madhore e pararendëses sonë (Partisë Popullore) dhe e Partisë Përparimtare si pararendëse e PBK, nuk konsiston thjesht në bashkëthemelimin e pluralizmit dhe demokracisë parlamentare në Shqipëri… Por konsiston në shpërfaqjen e ofertave të vërteta demokratike për popullin, bazuar në doktrina politike, në platforma zgjedhore e programe zhvillimore politiko-qeverisëse, që jo vetëm rezultuan të suksesshme dhe tejet konkurruese e stimuluese, por një shekull më parë e nxorën vendin nga prapambetja e thellë dhe e futën në hullinë e zhvillimit krahas vendeve të tjera të Ballkanit, që e kishin fituar pavarësinë dhe i kishin formuar shtetet e tyre gati 100 vjet para nesh.
***
Korpusi i ligjeve, kodeve dhe akteve nënligjore, krahas praktikës administrative respektive të periudhës 1920-1939, e që kulmuan me Statutin Themeltar të Mbretërisë, të vitit 1928, janë referencë vlerore, qoftë në rrafshin historik dhe studimor, qoftë edhe si model në praktikën paspluraliste të përdorimit të teknikave legjislative të ligjbërjes.
***
Ato arritje asokohe ishin produkt i mendjeve të ndritura të legjislatorëve tanë dhe ekspertëve të huaj, me njohje, përvojë e kulturë të thellë, që përshtatën në mënyrë të përkryer arritjet bashkëkohore në kushtet tipike e atipike shqiptare, formuluar me gjuhë dhe mendim të kulluar, që mahniti edhe studiuesit dhe ekspertët e pasviteve ‘90-të, ndaj dhe me të drejtë sot shërbejnë si tematika studimore të disertantëve shqiptarë në katedrat dhe universitetet europiane.
Spartak Ngjela, Gramoz Pashko, Ardian Klosi e të tjerë i kanë pranuar publikisht këto të vërteta, pavarësisht prejardhjes nga shtresa e kundërshtarëve politikë të elitës që ideoi, ngjizi, jetësoi e kulmoi këto arritje madhore.
***
Pluralizmi politik postkomunist e gjeti mendimin politiko-etatist shqiptar me një trashëgimi të thellë e të gjithanshme ideore e doktrinare, të mishëruar në veprat e shkruara të korifejve të mendimit politiko-filozofik shqiptar, sikundër Sami Frashëri, Faik Konica, Branko Merxhani, Vangjel Koça, Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja, Xhaferr Deva, Anton Harapi e Bedri Pejani, pavarësisht ngjyrimeve dhe anësive politike, çka në thelb përbënte larminë dhe fondin pasuror të kulturës sonë politike, qeverisëse e shtetformuese 3 mijë-vjeçare. Trashëgimi kjo, e evidentuar dhe e vlerësuar në kuotat më të larta nga studiuesit dhe mendimtarët e shquar bashkëkohorë si Hysamedin Ferraj, Abdi Baleta, Elvis Hoxha, Enis Sulstarova dhe Afrim Krasniqi.
***
Sot PLL, BK dhe social-demokratët gjenuinë ndjehen krenarë për trashëgiminë e shkëlqyer të ofertave programore e politiko-qeverisëse me bazament të thellë filozofik, të hartuara respektivisht nga: Dr. Nuçi Kotta dhe Dr. Fuat Myftija për Legalitetin; nga Mit’hat Frashëri dhe Isuf Luzaj për BK; nga Hasan Dosti për Ballin Agrar dhe nga Musine Kokalari për partinë e parë Social-Demokrate shqiptare.
Ne legalistët, dhe besoj edhe ballistët, atëkohë dhe sot, i kemi të qarta si drita e diellit shkaqet dhe arsyet që i shtynë Ramiz Alinë dhe PS e PD për të asgjësuar me skenar të paramenduar PLL dhe BK, duke mos i lejuar të regjistrohen e të garojnë si subjekte në zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 1992.
Unë asokohe sapo kisha mbaruar studimet e larta dhe e kisha mbrojtur diplomën me një temë, në të cilën kisha trajtuar politikat zhvillimore të shtetit shqiptar në vitet 1920-1992, çka më mundësoi njohjen me ofertat programore të partive shqiptare që garuan më 22 mars 1992.
Edhe sot e kësaj dite unë vijoj të mbetem i shtangur nga varfëria konceptuale, inkoherencat deri në kundërthënie, paqartësitë dhe demagogjinë që konstatohej në programet zgjedhore të partive garuese, duke filluar që nga Programi Minimal i PD e në vijim “i përmirësuar” dhe ato të të gjitha partive të atëkohshme… Programe të cilat ende i konsideroj si shumatore parullash, si plagjiatura skandaloze dhe enumeracion parimesh e standardesh të huazuara nga kartat ndërkombëtare të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, apo nga programet e partive të shquara europiane, përfshirë këtu edhe statutet e tyre qesharake, me frymë enveriste.
Përballë tyre, dje dhe sot, qëndron programi i shkëlqyer i PLL i vitit 1993, i përditësuar dhe i përmirësuar më vonë.
Sot më vjen mirë që të tjerë huazojnë pika të programit tonë (edhe pse në mënyrë sporadike dhe pa koherencë me “projektin” e tyre politik), sepse ne i kemi formuluar dhe publikuar pikërisht që të shërbejnë për të mirën e vendit.
***
Sot dua të ndërmend me dhimbje se në vitin 1997 i ndjeri Pjetër Arbnori deklaroi me mburrje se gjatë legjislaturës 1992-1996 maxhoranca e kohës kishte miratuar një “korpus gjigant prej afro 6 mijë ligjesh, aktesh nënligjore dhe vendimesh, që mundësuan arritje të mëdha”. Por të gjithë e dimë se atij “korpusi” nuk i ka mbetur as nam e as nishan. Pra, “shumë e për lumë”, sipas modelit allashqiptar të “shkeljes në rrugë të pashkelura e krijuese”, ku ligji paraardhës, e pas tij edhe vijuesi, shpalleshin secili “i shkëlqyer”, ndonëse totalisht i ndryshuar, duke shqyer gazit çdokënd me mend në kokë.
Ligjet dhe thelbi i tyre janë masakruar rregullisht (për shembull Kodi Fiskal i vitit 2003, i cili brenda gjashtëmujorit të parë të atij viti u ndryshua katër herë, kuptohet në favor të klientelës që synonte uljen e detyrimeve doganore e tatimore), pa përmendur ndryshimet e pafundme në vite të ligjit të buxhetit, nga mosrealizimet në arkëtime, apo në investime.
Mishmashet dhe absurditetet në ligjbërje gjithmonë kanë lartësuar përvojën allashqiptare të rrugëve e shtigjeve të pashkelura, saqë hartuesit dhe mbrojtësit e tyre guxonin të mburreshin me faktin se nuk dinin se cilin model apo legjislacion kishin konsultuar dhe shfrytëzuar, madje edhe kur ekspertët apo kolegët i tallnin nëpër studio, ndërkohë që sipas statistikave dhe sondazheve, 80 % e deputetëve as që i kishin lexuar e jo më të kishin diskutuar për to në komisione dhe seanca plenare.
Aq e papërgjegjshme është dëshmuar klasa politike e paspluralizmit në vlerësimin e rëndësisë kapitale të hartimit dhe zbatimit rigoroz të kuadrit kushtetues dhe ligjor për konsolidimin e shtetit dhe institucioneve, saqë në dhjetëra raste ka thyer hundët në Gjykatën Kushtetuese… Madje, në këtë turravrap çmendurie, absurdi sureal e pa kurrfarë brerje ndërgjegjeje ka arritur të masakrojë me gazmend e fanfara triumfi bash arritjen e tyre më cilësore në rrafshin konceptual dhe profesional, Kushtetutën e vitit 1998, që tashmë i ngjan një lëvereje këllirë, të papërdorshme për të zgjidhur ngatërresat dhe grackat kushtetuese e ligjore që palët formulojnë në tym, apo ia ngrehin njëra-tjetrës.
Venecia dhe Komisioni i famshëm i saj janë shndërruar në “Mekë e Medinë” mëkatarësh recidivistë, që pandehin se me “haxhillëk” të përvitshëm do të lajnë mëkatet ndaj këtij populli, të cilin po e zvarrisin në golgotën e tranzicionit pambarim. Tranzicion që për nga jetëgjatësia po i afrohet sundimit enverist, teksa na trand e nanurit me ëndrrën e integrimit në Bruksel.
Tashmë republikat e vetërrëzuara dhe republikanizmi alla-shqiptar janë shpërfytyruar deri në trajtat më groteske, duke lënë pa gojë ndërkombëtarët, ndaj dhe palët nuk kanë nevojë të shpikin republika të reja, me të cilat thjesht nënkuptojnë “modele” qeverisëse, që ngjajnë si dy pika ujë e që ngatërrohen me gjalmët e veta.
Sot deklaroj me bindje se shkaku i tkurrjes drastike të së “Djathtës” shqiptare konsiston në mashtrimet parazgjedhore që përmbyseshin nga pushtetet, kur të paktën thjesht mund të mbeteshin si premtime të pambajtura.
***
Nëse pronarëve legjitimë shqiptarë do t’u thuhej para 22 marsit se me Ligjin famëkeq 7501 do t’u grabitej toka nëpërmjet 80 ligjeve pasuese të miratuara në 20 vitet në vijim dhe ligjeve që pengonin kthimin fizik të saj, PD nuk do të fitonte as më 22 mars 1992 dhe sot nuk do ta kishim opozitën aktuale, që padyshim do të shkrihej si kripa në ujë nëse nuk do të ndodhte ‘97-a, që i ribashkoi antikomunistët…
Fakti që fatura e mashtrimeve parazgjedhore i erdhi PD në derë vetëm 3 muaj pas fitores plebishitare të 22 marsit (në zgjedhjet vendore të 26 korrikut 1992), duhej të shndërrohej në mësim të madh. Por nuk ndodhi kështu, sepse më 6 nëntor 1994 ajo humbi referendumin për Kushtetutën.
Aq e paaftë dhe e pakualifikuar është dëshmuar e “Djathta” në formulimin e ofertave programore, zgjedhore e qeverisëse diferencuese me kundërshtarët majtistë, sa shpesh të dyja “këpucët” e Ramiz Alisë kanë sajuar dhe publikuar të njëjtat premtime, çka e detyroi Gramoz Pashkon të ankohej: “Socialistët na kanë vjedhur programin… Ne vajtëm në berberhane dhe e varëm xhaketën në kremastar, kurse ata na e vodhën dhe e veshën paturpësisht”.
Të njëjtën ankesë deklaroi Fatos Nano në vitin 2005 për PD-në e kohës. Dhe nuk kishte faj, sa kohë që si këshilltarë ekonomikë kishte neoliberalët Dritan Shano dhe Neritan Sejamini, të cilët më pas punuan edhe për Berishën në pushtetin vijues 2005-2013.
Në fillim të pushtetit të marrë në vitin 2005, Berisha punësoi si këshilltarë grupimin e ekspertëve që në vitin 2004 formësuan me bujë mediatike forumin “Kolokiumi liberal”, prej të cilëve Ramë-majtisti u dashurua me doktrinën e Milton Fridmanit dhe trashëgoi platformat dhe projektet liberal-neoliberale, çka e shtyu të flakë ekspertët e njohur me në krye Arben Malajn e të mënjanojë Anastas Angjelin.
Tashmë të dyja partitë neoliberale shqiptare (PS e PD) kanë përkatësisht si hartues të programit ekonomik bash grupimin neoliberal të punësuar në UET dhe neoliberalët Dritan Shano e Besart Kadia, ndërsa si fetish qeverisës kanë privatizimet, koncesionet dhe të famshmet PPP. Ndaj dhe kanë frikë të shpalosin programet ekonomike, por kanë filluar të sorollaten me folklor, bejte e batuta në fushatë dhe të fryjnë e pompojnë nëpër media librete humoristike, hatërmbetje personale kandidatësh pretendentë dhe lajme të rreme, duke u arratisur nga thelbi i programeve, që janë premtimet konkrete dhe vizioni për të ardhmen.
Në rastin më të mirë, të vetmet premtime mbeten ato ku kandidatë të caktuar deklarojnë se subjekti i tyre “ka një plan për punësime, investime dhe integrime të mëdha fashash sociale”…, në filan sektor, qytet, apo qark – plane këto pa shpjegime e argumente shoqëruese, e sidomos pa fatura financiare.
Ndaj deklaroj me bindje se oferta politiko-zgjedhore e qeverisëse për elektoratin shqiptar sot është më e varfër se kurrë dhe se krijimi i sistemit “bipolar” me dy subjekte të së njëjtës natyrë ideologjike dhe programore neoliberale me sfond dhe origjinë majtiste, përbejnë rreziqe serioze për pluralizmin dhe demokracinë, aq më tepër kur ndodhemi përballë së njëjtës klientelë oligarkësh, që shëtit nga një paradhomë pushteti në tjetrën, pas çdo “rotacioni”… Ndërkohë që pasuria publike zvogëlohet pambarimisht, varfëria dhe papunësia rriten skajshëm, bashkë me polarizimin e pakontrolluar që do ta çojë pashmangërisht shoqërinë në përplasje civile të frikshme. Ndaj lipset dalja në skenën politike të një fronti apo force konservatore fituese (deri më tash të munguara), të përgjegjshme për fatet e atdheut dhe popullit, të cilat rrezikohen nga katastrofa që u kanë ofruar dhe rezervuar formacionet politikisht të majta që, qysh prej 78 vjetësh, kontrollojnë dhe dominojnë skenën politike të Shqipërisë londineze.