A mund të kuptohet si e ka shpërdorur jetën e një poeti regjimi i vjetër? Shihni si e shpërdor vdekjen klinike të vargut të tij regjimi i rilindur. Në këtë kuptim regjim i ri dhe i vjetër, nuk ka kuptim. Merr kuptim, si shprehje e nënvetëdijes: regjimi në moshë të re(fidan) dhe të vjeter(të thyer). Aq sa mund të ndahet Fatosi nga Nano, Lenini nga Marksi. Fakti: Reagimet partiake janë të njësuara; ato qytetare të larmishme. A i preu barku partitë per vargun e poetit apo i kruhet barku për varganin e mbështetësve të prillit? A mund të ndahet poeti nga Partia? Si mund të kuptohet vargu që jetën poeti ia përkushton Partisë e udhëheqësisë? Vetëflijimi është përzgjedhje vetjake, nuk ia gjykoj se nuk e gëzoj këtë tagër. Gëzon(te) të drejtën e tij. A mund të ndahet Majakovski nga Partia? Ta lësh bonjak, është padrejtësi më vete. Nëse ka qenë stihia e tij, vështire ta ndash. Do të ishte gjykim i padrejtë t’ia ndash shpirtin nga vepra.
Deri ku shkon hipokrizia poetike? Deri atje ku Ismail Kadareja i bëhet “purgatori” pas vdekjes, ndërkohë qe ishte “ferri” i tij në jetë! Për të bërë “paqe” me shpirtin e tij?! A mund ta gjejë pas 85-ve një shpirt i trazuar sokaqeve të marrinave ideo-kulturologjike?
E kam të vëshirë ta besoj, gjithsesi nuk ia vë vulën… Pragnobelisti, e di! Iku nga kjo jetë vargu i një poeti, pa dyshim, me të shumtit; që jetën e kishte të lidhur me vegjëlinë e Partisë dhe të udhëheqësisë së madhështisë. Është fakt. Ishte i çiltër në vargun e tij dhe prirjen e tij. Hipokrizia ishte kafshatë që s’kapërdihej, ashtu siç ishte mjerimi që Partia e tij ia pllakosi vegjëlisë së tij.
A do t’i mungojë vargut të pëlqyesve të tij, sigurisht. Edhe ky është një fakt me varg. A do të vijojë vargani i atyre që e kanë urryer e dashur në këtë jetë, dikush për smirë profesionale brenda llojit e të tjerë për frymën e kohës? A do t’ia kujtojnë Edveri dhe Erveri “Kështjellën” e tij me dasmën e tij? Pa ndërprerje. A mund të ndahet fryma nga vepra? Atë botë po, këtë botë jo. E sotmja është dëshmi e gjallë. E nesërmja, me zë e figurë.
Personalisht e gjej më të udhës të mbetem i përkorë, sesa të korr e shij fjalë në erë, kur ende s’janë hedhur lopatat me dhe mbi arkivolin e vargut të tij. Një njeri i sinqertë meriton sinqeritet: Të tilla janë lotet e familjes ideologjike të varganit të vargut. Të tjerat, lotë krokodili apo lotë arfificialë të yshtur me produkte farmaceutike. Na duhet, prandaj…i bëjmë temena! S’na e ndjen fare, ama…i bëjmë hosana!
Ndërkohë që shumë “mbështetës” të tij, shokët dhe shoqet Selfie, kanë heshtur gjatë jetës së tij dhe e kanë hapur gojën sa një kamare, tani që iu iku nga duart vargu gjeneral i ushtrisë së pakallur. Nga duar që janë lëvyrur e lëvyren hipokrizisht sa më s’ka. Këtë nuk e meriton poeti. Edhe pse sovjetik e xhonsovjetik…
Sepse është hipokrizia vetë, shkalla e fundit e saj: kur të jepet një e drejtë, e tepron me të dhe sillesh padrejtësisht. Më e vështira për t’u vetëpranuar.
Kjo është edhe sfida e qenies njerëzore me vdekjen klinike të vargut të poetit, për të mos rënë pre e ngasjes, e shkallares më të vështirë të hipokrizisë së kësaj jete. Shkallët e para janë më të dukshme: kur flet dhe gënjen, kur premton dhe s’mban premtimin. Kur të jepet një e drejtë, të sillesh padrejtësisht… Kjo e fundit përcakton mirë e qartë ditën e fundit të ndërbotësisë. S’ma ke borxh hipokrizinë, poet pragnobelist, prandaj edhe s’ta ofroj…