GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Ayrton Senna: 60 vitet e legjendës braziliane

Edi DELIU – Më 21 Mars, Airton Sena do të mbushte 60 vjeç. Ai ishte një nga pilotët më të mëdhenj të F1 të të gjitha kohërave dhe kampion botëror në Formula 1 në 1988, 1990 dhe 1991

Ndoshta një nga pilotët më të formuar të parë ndonjëherë, Airton Sena forcën e tij e kishte në shpejtësinë puro, në aftësinë për ta zotëruar makinën, në menaxhimin e gomave dhe në pilotimin në kohë të lagësht. Këto karakteristika e bënë atë të arrijë si rekordin e 65 pole position deri në vitin 2006, ashtu edhe rekordin e 6 fitoreve në GP prestigjioz të Montekarlos.

Ayrton Senna da Silva lindi në São Paulo më 24 Mars 1960, në një familje me kushte të mira ekonomike. Familja përbëhej nga e ëma Neide Senna, me origjinë italiane, babai Milton da Silva dhe dy vëllezërit, Viviane dhe Leonardo.

Fillimet, deri në debutimin në F1

Ayrton Senna iu afrua botës së automobilizmit mjaft herët për kohën, ai filloi të garojë më 1973 në moshën 13 vjeç, me një go-kart Parillà 100 në Interlagos.

Instruktorit të tij të atëhershëm Luçio Pascual, i bëri përshtypje braziliani i vogël, me një stil që e dalloi atë për gjatë gjithë karrierës së tij, me vëmendje të veçantë për ngasjen në kohë të lagësht.

Në të parin vit të debutimit të tij ai fitoi kampionatin junior go-kart. Por sukseset e brazilianit, megjithatë, nuk u ndalën këtu, në 1977 dhe në 1978 ai ia arriti të fitojë Kampionatin e Amerikës së Jugut dhe më pas për 4 herë radhazi Kampionatin e Brazilit. Në 1979 dhe 1980 Airton Senës i shpëtuan nga duart për një fije dy tituj botëror. Në nëntor 1980, Airton Sena u zhvendos në Britaninë e Madhe, ku shoku i tij Chico Serra, e prezantoi me Ralph Firman, pronarin e një skuderie që garonte në Formula Ford. Pas një prove, Senna ia arriti të fitonte një vend në skuadër.

Përvoja e Formula Ford ishte si një trampolinë e kalimit për në F1 për asin e ri brazilian. Më 1981, viti i tij debutues në kampionatin 1600, fiton si kampionatin RAC ashtu edhe atë Townsend-Thoresen. Në 1982, transferohet në kategorinë e radhës, Formula Ford 2000, duke konkurruar menjëherë edhe këtu, si për kampionatin britanik Pace Britanik, ashtu edhe për atë evropian, EFDA.

Në të njëjtin vit ai bëri debutimin e tij edhe në F.3 britanike në garën përfundimtare në të cilën fitoi njëkohësisht pole position, xhiron më të shpejtë dhe fitoren përfundimtare. Një vit më pas, pra më 1983, ai garoi të plotë kampionatin botëror të F.3 britanik duke e fituar atë dhe duke debutuar në garën përmbyllëse të vitit në botërorin e F.3 në Macau, ku edhe fitoi edhe në këtë rast pole position, xhiron më të shpejtë në garë dhe fitoren GP.

Gjatë vitit 1983 Ayrton Senna bwri prova me disa skuderi Formula 1. Skuadra e parë që i lejoi një provë kampionit të ardhshëm brazilian ishte Williams, por një eksperiencë kjo, që nuk çoi në ndonjë bashkëpunim midis dy palëve.

Mclareni organizoi një seancë provash në Silverstone ku ftoi për të marrë pjesë Senën si dhe Martin Brundle dhe Stefan Belof. Por edhe në këtë rast, edhe pse Senna ishte më e shpejti në atë provë, nuk iu dha asnjë sedilje.

Ndërsa kontaktet midis Senës dhe Ecclestone, pronar i Brabhan, nuk rezultuan të suksesshme për shkak të dëshirës së sponsorit të ekipit (Parmalat), i cili dëshironte që të ishte një pilot italian ai që do të të zëvendësonte Riccardo Patrese, i cili iu bashkua Alfa Romeos për atë sezon sportiv.

E vetmja skuadër që i besoi talentit të brazilianit të ri ishte Toleman i cili i ofroi atij një timon për sezonin 1984. Performanca e makinës nuk ishte në nivelin e lartë por sidoqoftë Sena ia arriti të ngjitej në podium në tre gara, gati duke prekur fitoren në Monako. Përfundoi kështu vitin e parë në F1 në pozicionin e nëntë në renditjen e përgjithshme të pilotëve.

Trivjeçari i Airton Senës në Lotus

Vitin pasardhës Airton Sena kaloi tek skuderia Lotus. Në sezonin e 1985 ia arriti që në garën e dytë të fitojë GP në Portugali gjithnjë nën një shi të rrëmbyeshëm. Në këtë rast, për të gjithë dyshuesit, kampioni brazilian konfirmoi përfundimisht aftësitë e tij të shkëlqyera të drejtimit në lagështirë, duke i dubluar të gjithë pilotët deri tek i klasifikuari i tretë.

Për shkak të mungesës së konkurrueshmërisë së Lotusit, ai mundi të fitojë vetëm në GP-të e Portugalisë dhe të Belgjikës dhe duke marrë edhe katër podiume të tjera. E përfundoi sezonin me 38 pikë në dhe në vend të katërt në botërorin e pilotëve, 5 pikë para ndaj shokut të tij të skuadrës Elio De Angelis.

Më 1986 dhe 1987 u pa një skenar shumë i ngjashëm. Edhe pse Airton Sena tashmë i afirmuar nëpërmjet paraqitjeve të tij arriti të konkurronte edhe me top team-et, Lotusi i tij nuk ishte në të njëjtin nivel konkurrues. Edhe pse në të dy sezonet e ardhshme fillimet dukeshin shumë pozitive, me vijimin e sezoneve, me ndërhyrjen e zhvillimeve të reja teknike, skuadra angleze ishte vazhdimisht më pas konkurrenteve më të pasura Williams dhe Mclaren.

Më 1986, Seana ia arriti të marrë 2 fitore, 8 podiume dhe 8 pol position. Për të dytin vit ai arriti të zërë vendin e katërt në botërorin e pilotëve.

1987 ishte viti i ndryshimit të motorizimit nga ekipi Lotus për shkak të tërheqjes nga garat të Renault-it. Do të ishte Honda ajo që do të zëvendësonte shtëpinë transalpine. Pavarësisht ndryshimeve të mëdha teknike me Williamsin, Airton Sena arriti ta mbyllë sezonin në vendin e tretë pas Piquet, kampion bote për herë të tretë dhe Nigel Mansell.

Gjatë weekendit të Monzës të atij viti, u njoftua transferimi i brazilianit nga Lotus tek Mclaren si shok skuadre i 2 herë kampionit botëror Alain Prost.

1988-1993: Vitet në Mclaren të Airton Senës dhe rivaliteti me profesorin

Siç e thamë më lart, Senna gjeti në Mclaren, Alain Prost. Rivaliteti me “Profesorin” u bë gjithnjë e më i madh dhe pa frikë mund të tregohet si një nga ata që shënoi historinë e F1

Superioriteti teknik dërrmues i Mclaren në 1988 bëri që të dy të dominojnë kampionatin. Tw dy së bashku kishin fituar 15 nga 16 ndeshjet e kampionatit. Botërori u shndërua shumë shpejt në një çështje private mes tyre.

Pavarësisht skualifikimin në GP e shtëpisë në Brazil dhe tërheqjen disa xhirove nga fundi në Grand Prix i Monakos, sezoni i paulistit ishte në rritje, duke ia arritur të fitojë gjashtë gara radhazi dhe krzesimin provizor të kampionatit botëror. Por afërsia në renditje e bëri edhe më të ashpër luftën e brendshme, aq shumë sa që gjatë GP të Portugalisë, Senna, për t’u mbrojtur nga një sulm i partnerit të tij, e përplasi me muret e bokseve, por sidoqoftë duke mos arritur të mbronte vendin e parë.

“Profesori” e kritikoi manovrën e brazilianit në fund të garës, duke akuzuar shokun e skuadrës se kishte rrezikuar garën e të dyve.

Në Suzuka, brazilianit i duhej vetëm një fitore për t’u bërë kampion bote. Në kualifikimin Senna fitoi pole positionin, numër 12 në sezon; por një hezitim në nisje të garës e rreshtoi në pozicionet e mesme të klasifikimit.

Por, nisja e keqe nuk e demoralizoi asin brazilian, që me një rikthim spektakolar arriti të parakalojë shokun e tij të skuadrës, të kalojë në krye të garës dhe të fitojë Kampionatin Botëror të F1 për herë të parë me 8 fitore kundër 7 e Prost.

Dominimi i Mclaren dhe i 2 pilotëve të tij vijoi edhe në vitin 1989. 4 garat e para të kampionatit panë 3 fitore të Senës. Por prishja përfundimtare me shokun e skuadrës ndodhi në GP të San Marinos, me Airton Senën që nuk nuk respektoi marrëveshjen për të mos sulmuar që në xhiron e parë të Grand Prix. Sena e fitoi garën dhe Prost dështoi për ta arritur atë. Transalpini kërcënoi skuadrën se nuk do të garonte në GP në vijim në rast se piloti brazilian nuk do të kërkonte falje.

Problemet teknike të garave të mëposhtme të Airtonit, megjithatë, i bënë të mundur francezit që të kalonte në krye të kampionatit. Tre gara nga fundi i Botërorit, Airton Sena ishte 24 pikë pas shokut të ekipit. Për të rikonfirmuar veten si kampion bote ai do të duhej t’i fitonte të 3 garat e fundit sezonale. Sena fitoi në Spanjë, duke dominuar garën e duke i paraprirë Bergerit dhe Prostit.

Në takimin e parafundit, në Japoni, rivaliteti kishte arritur kulmin. Sena, i nisur nga pole position, u arrit dhe u parakalua nga Prosti i cili, në pjesën e parë të garës, arriti të distancohet mjaft prej tij. Braziliani, me një rikuperim të tërbuar e arriti shokun e tij të skuadrës dhe në xhiron e dyzet e gjashtë tentoi sulmin në Casio Triangle; francezi mbylli trajektoren dhe dy pilotët Mclaren prekën njëri-tjetrin duke ngecur në rrugën e arratisjes. Francezi tërhiqet ndërsa braziliani, me ndihmën e komisionerëve, u rinis dhe pasi ndryshoi hundën e dëmtuar të makinës në kontakt me shokun e tij të skuadrës, rikuperoi disavantazhin me liderin Nannini dhe e fitoi garën.

Por pas përfundimit të garës, Sena u skualifikua sepse ishte ndihmuar nga komisionerët pas kontaktit. Alessandro Nannini mori kështu fitoren e tij të parë në karrierë dhe Profesori u bë kampion botëror për herë të tretë.

Pas kësaj episodi Senna mendoi tërheqjen duke akuzuar Presidentin e FIA-së Jean-Marie Balestre se favorizonte bashkatdhetarin e tij francez.

Mclareni, me Prostin gati të kalonte tek Ferrari, mbështeti apelin e kampionit brazilian, por u refuzua. E pas disa deklaratave të bëra më tej, federata vendosi t’ia pezullojë super licencën Senës për gjashtë muaj.

Polemikat midis Senës dhe Balestrit u zgjidhën me kërkesën për falje nga braziliani dhe ridhënies së superlicense. Gerard Berger zëvendësoi Prostin tek Mclaren më 1990 dhe situata në ekip u normalizua, me Senën si pilot të parë dhe të riun austriak të dytin.

Por pavarësisht ndryshimit të vendeve, kampionat u dominua nga dy rivalët. Dy gara nga fundi, braziliani ishte nëntë pikë para francezit. Në Suzuka, me Prostin pa pikë, Airton Sena do të ishte kampione bote për herë të dytë.

Kësisoj, në garë, në nisje të saj, piloti i Ferrarit, i nisur nga pozicioni i dytë, mori komandën, duke përfituar nga hapësira e madhe në anën e pastër të pistës. Por që në kthesën e parë, Sena e bllokoi francezin duke bërë që të përplasen e duke i dhënë kështu fund garës për të dy. Pavarësisht zhurmës së madhe që shkaktoi manovra, FIA vendosi të mos bëjë asgjë e në këtë mënyrë Airton Sena fitoi kampionatin e tij të dytë botëror.

Më 1991 Sena shpallet kampion bote për herë të tretë në karrierën e tij. Fitoret e fillimsezonit arritën t’i jepnin mundësi asit brazilian, që gjatë pjesës së dytë të sezonit të mundë të përballojë rritjen eksponenciale të Williamsit të Nigel Mansell. Titulli botëror u fitua në garën e parafundit, në Suzuka. Airton Senës do t’i kishte mjaftuar edhe një vend i dytë për t’u kurorëzuar kampion. Gjithçka u zgjidh që në fillim të garës kur në kthesën e gjerë të cirkuitit e detyroi anglezin të tërhiqej.

Rivali i madh i Senës, Alain Prost, u bë protagonisti i një sezoni veçanërisht të errët; ai u largua nga skuderia Ferrari pas GP Suzuka, pasi e kishte përkufizuar makinën e tij si një “traktor”.

Në vitin 1992 adaptimi i motorit Honda V12 dhe futja me vonesë e kambios në timon, e kombinuar me disa probleme të besueshmërisë dhe konkurrencës së madhe të Williams, nuk e bënë të mundur që Airton Sena të luftonte për kampionatin që e përfundoi vend të katërt.

Një Mclaren pak konkurrues dhe vendimi i Hondës për të braktisur F1 në fund të sezonit e vunë në dyshim qëndrimin e Senës tek team Woking. Kjo e bëri të vendoste kontakte me Williamsin, të cilat sidoqoftë u ndërprenë me ardhjen e Alain Prostit në këtë skuadër.

1993 ishte një vit jo i mirë për brazilianin. Mbi të gjitha mbahet mend gara e Donington, ku ai e imponoi një shfaqje të një niveli mjaft të lartë, duke u shkëputur me Hillin e vendit të dytë me më shumë se një minutë.

Teksa po mendonte për një kalim në Formula Cart apo për tërheqje, Airton Sena arrin një marrëveshje me McLarenin. Braziliani do të vendoste garën pas gare nëse do të garonte apo jo për 1 milion dollarë për GP. Atë vit Mclaren e kishte zëvendësuar motorin Honda me Ford, por konkurrueshmëria e njëvendëshes nuk mundi të arrinte atë të viteve të mëparshme.

Pavarësisht inferioritetit të dukshëm të njëvendëshes së motorizuar Ford dhe marrëdhënieve me skuadrën drejt përkeqësimit të shpejtë, pjesa e parë e kampionatit ishte pozitive, me fitoret në Donington dhe Monaco, që e vendosnin brazilianin në krye të klasifikimit përpara rivalit të përjetshëm francez. Sena, pas Monakos, pranoi një kontratë deri në fund të sezonit.

Në pjesën e dytë të kampionatit iu desh t’i hapte rrugë stërfuqisë teknike të Williamsit dhe në fund zuri vendin e katërt në Botërorin e pilotëve. Gjatë vitit Senna u mor vesh me Williamsin për të zëvendësuar Prostin në sezonin 1994.

Airton Sena në Williams, 1994

Por, problemet e Senna Ayrton nuk gjetën zgjidhje me kalimin tek Williams. Ndryshimi i rregullores atë vit bëri që skuadra britanike të humbiste avantazhin konkurrues. Ndalimi i përmirësimeve elektronike dhe i kontrolli i tërheqjes, ndyshe thënë i pikave të forta të njëvendëshes së dy vitet të mëparshme, detyruan projektuesit të revolucionarizojnë konceptin e njëvendëshes kaq të suksesshëm në dy vitet e fundit. Format tepër ekstreme të kabinës, të krijuara nga Adrian Newey nuk e lejuan Senën të voziste siç dëshironte ai.

Kampionati filloi me 2 pole positione të brazilianit dhe me po kaq tërheqje. Edhe në garën e tretë arriti të marrë pole position-in por epilogu i garës pati një rezultat dramatik.

Aksidenti i Senës

Gara nisi me aksidentin që në starti mes JJ Lehto dhe Pedro Lamy. Mbetjet e makinave shkaktuan dëmtimin e disa spektatorëve. Pas daljes së safety car në xhiron e pestë dhe rifillimit të rregullt të garës, Sena doli nga pista në kthesën Tamburello, për shkak të një problemi. Ishte prishur ajo pjesë që ishte modifikuar për ta bërë më të lehtë drejtimin e makinës, e cila ishte modifikuar me kërkesë të vetë Senës, i cili nuk mund t’i shihte mirë instrumentizimet në bord. Papastërtitë e pistës vunë e nën presion mbi saldaturën manuale të bërë më parë, që u shkatërrua në xhiron e shtatë dhe e përplasi makinën me kampionin brazilian brenda, me murit mbrojtës.

Vdekja e Senës

Airton Sena, tashmë pasagjer në makinën që nuk po mundej ta drejtonte, u përpoq të frenonte, por nuk mundi të shmangte përplasjen. Impakti shumë i fortë u bë edhe më i ashpër nga çarja e betonit që bëri që makina të kërcejë dhe duke e bërë të kotë frenimin e mëtejshëm. Përplasja e fortë shkaktoi lëndime shumë të rënda. Kampioni brazilian humbi rreth 3 litra gjak dhe pas ndihmës së parë, të dhënë nga mjeku i FIA-s në rrugë, u transferua në Spitalin Maggiore të Bolonjës me helikopter.

Senna Ayrton e humbi jetën në orën 6.40 pasdite në moshën 34 vjeçe. Autopsia, e urdhëruar nga gjyqësori italian, tregoi se vdekja ishte shkaktuar nga prishja e makinës dhe jo nga përplasja pasi trupi nuk kishte shfaqur ndonjë dëmtim të ndonjë rëndësie të veçanërisht.

Pas funeralit shtetëror, trupi i Airton Senës u vendos në varrezat e Morumbi, në qytetin e tij të lindjes, San Paolo, më 5 maj 1994.

Airton Sena dhe bamirësia

Pas vdekjes së kampionit brazilian, motra e tij Viviane ka thënë se pjesë nga të ardhurat e fituara nga Sena në veprimtarinë e tij pilot, do të shkojnë për bamirësi tek njerëzit më në nevojë. Në testamentin e brazilianit, shuma të mëdha ishin destinuar për vepra bamirësie.

Kaska e Senës

Kaska që u përdor nga Airton Sena në Kampionatin Botëror të Formula 1 më 1990, në drejtim të Mclaren MP4-5b u vu në ankand për një çmim që varion nga 80,000 deri në 120,000 euro. Me këtë kaskë Senna fitoi si kampionatin e pilotëve ashtu edhe atë të konstruktorëve atë vit. Kaska ka shenjat e përdorjes si brenda ashtu edhe jashtë dhe shoqërohet me një vërtetim të vlefshmërisë nga Angelo Parrilla, menaxheri i Airton Senës gjatë periudhës së kartit.

Shifra dhe Statistika – Shifrat e Airton Senës në karrierën e tij në F1

161 pjesëmarrje në GP

41 fitore

65 pole position

19 xhiro të shpejta

7 Hat Trick (pole position, xhiro e shpejtë në garë dhe fitore në garë)

610 pikë

87 nisje nga rreshti i parë

96 renditje në pikë

80 podiume të fituara

13672 km në drejtim të një GP (2931 xhiro)

Materiali është përgatitur nga stafi i GT

You might also like