Nga Armand MAHO – Primaret, një ‘gabim’ që Edi Rama nuk do e bënte kurrë!
Primaret për kandidatët e zgjedhjeve lokale në PD, mund të konsiderohen një nga zhvillimet më të rëndësishme politike të këtyre 30 e ca viteve ndryshim sistemi. Mund të duken si klishe dhe gjykimi sipërfaqësor i njeriut apolitik, mund ta konsiderojë si një garë të paracaktuar, por në të vërtetë nuk është ashtu.
Kjo për faktin se përfshirja në to edhe e simpatizantëve jo vetëm të anëtarëve, e bën të paparashikueshëm rezultatin në fund. Shembulli i Tiranës është më i qarti. Në garë deri më tani zyrtarisht janë Belind Këlliçi dhe Gerti Bogdani, ndërkohë që për të hyrë në primare kanë shfaqur ambicie dhe Ilir Alimehmeti mjek i njohur, si dhe aktori Jul Deda.
Kush merr përsipër të shpallë fituesin, bën gabim që në nisje. Kjo sepse që të dalësh si kandidat zyrtar në zgjedhje, duhet që në votimet e 6 dhjetorit të kesh marrë 50+1 përqind të votave të anëtarëve dhe votuesve tradicionalë të së djathtës. Pra, me shumë gjasa do ketë balotazh. Një individ mund të ketë mbështetjen e anëtarësisë, por kurrsesi s’mund të kontrollojë votën e simpatizantit apo votuesit. Sidomos nga e djathta kjo është shumë e vështirë. Kandidatët në proces do kenë komisionerët e tyre të besuar, dhe manipulimi i rezultatit është thuajse i pamundur. Nga ana tjetër, vetë kreu i PD nuk ka asnjë interes të njollosë besueshmërinë e procesit për shumë arsye.
Aq shumë ka tërhequr vëmendjen e opinionit primaret, sa duket sikur më 6 dhjetorit do zhvillohen zgjedhjet e 14 majit dhe jo zgjedhje të brendshme për të caktuar kandidatët. Në këtë revansh audience, Veliaj e di mjaft mirë që është në minorancë. Ndjehet aq inferior përkundrejt këtij procesi sa ka shkuar deri aty sa me mediet e kontrolluara prej tij, të fillojnë një gjoja luftë kundër Edi Ramës, përmes të cilës lë të kuptohet se për katrahurën urbane në Tiranë, faji kryesor nuk është i tij, por i shefit të madh. Kjo është gjysmë e vërtetë, por gjysmë të vërtetat nganjëherë janë më keq se sa gënjeshtrat.
Veliaj ka pjesën kryesore të fajit për 7.3 milionë metrat katrorë beton në Tiranë, për rritjen e kostos së jetës, për shtrenjtimin deri në çmenduri të banesave, për nxjerrjen jashtë të njerëzve nga shtëpitë, për mungesën e hapësirë dhe për çdo katrahurë tjetër që ka ndodhur këto vite. Pra, goditja e Ramës nga Veliaj, duket më shumë si strategji PR për të hequr vëmendjen nga skandalet e bashkisë apo dhe primaret e opozitës, se sa një luftë brenda llojit.
Ndonja një muaj më parë kur kreu i PS u pyet nëse do zhvillonte primare në parti, u përgjigj shkurt “jo, faleminderit”. E shoqëruar me një qeshje ironizuese, kjo përgjigje për shumëkënd mund të duket si një përgjigje e rafinuar për të zhvlerësuar procesin që po ndodh nga pala tjetër, procesi i cili ka marrë goxha vëmendje në opinionin publik.
Por ajo nënqeshje ironizuese nuk është gjë tjetër vetëm se një tregues i qartë se Rama, për sa kohë të jetë në atë post, nuk do e lejojë elektoratin e tij të vendosë. Natyrisht këtë deformim demokracie, që ka imponuar brenda forcës së tij politike, ai e ka pasqyruar si jo më mirë dhe në qeverisje, duke e injektuar më pas në masë të madhe dhe në shoqëri. Sot janë të pakët ata shqiptarë që mbajnë mend emrat e shumicës së ministrave të Ramës. Pra, kush ka shpresë se vetë Rama do e lëshojë beniaminin e tij në këto zgjedhje, gabohet.
Rama kërkon të emërojë pasi vetëm kështu ka mundësi të kontrollojë. Një njeriu të dalë nga vota e lirë, s’mund t’i bëjë shantazh askush, qoftë ky dhe kryeministri për faktin e thjeshtë se pushtetin e tij do e dërgonte në greminë. Me korrupsionin që shoqëron qeverisjen e tij, e vetmja mënyrë për të mbajtur në këmbë regjimin është manipulimi i votës, me gjithçka në dorë, patronazhistë, emërime nepotike, shkëmbim favoresh apo para në këmbim të votës.
Belind Këlliçi, një prej kandidatëve të shpallur nga PD, ditën kur bëri prezantimin, por edhe më pas, është shprehur se duhet rrëzuar miti që Erjon Veliaj është një kandidat i pamundshëm në Tiranë. Sipas tij, Erjon Veliaj është një kandidat i dobët, dhe çdo kandidat tjetër përballë tij do ishte shumë më i mirë në administrim se sa ai.
Ky konstatim i Këlliçit mbart në vetvete një të vërtetë të madhe. Shtyllat që e mbajnë Veliajn në krye të Bashkisë së Tiranës janë dy. E para është propaganda dhe e dyta lidhjet e nëndheshme me korrupsionin dhe kriminalitetin. Në atë post, ai është një sekser i Ramës për të mos penguar punët e tij në adresë të ndërtimit të kullave për oligarkët, pastrimit të parave, uzurpimit të trojeve publike dhe kështu me radhë.
Ky i fundit, Edi Rama pra, nuk do e bënte kurrë gabimin që ta nxirrte Veliajn në primare përballë elektoratit socialist. Janë me qindra apo mijëra ata anëtarë e simpatizantë të PS-së, që njësoj si qytetarët e thjeshtë të Tiranës, janë të neveritur nga mënyra e se si administron qytetin, mashtrimet që i ka në majë të gjuhës e të gjitha të tjerat me radhë.
Brenda PS-së, Veliaj pa ndihmën e Ramës ka qenë përherë një kandidat i dobët. Kjo është treguar qoftë ne zgjedhjet e vitit 2009, ku kryetari i atëhershëm i G99, doli si rruar qethur, në garën për FRESSH-in ku kërkonte të vendoste në krye të këtij organizimi bashkëshorten, apo dhe në zgjedhjet moniste të vitit 2019, ku veç braktisjes nga elektorati mori dhe një numër rekord votash të pavlefshme që përmbanin sharje për Veliajn.
Në këto kushte është e natyrshme që Rama atë ta mbrojë nga çdolloj gare, me shprehje të tipit se “nuk kemi asnjë më të mirë se Veliaj, po ta kishim, do e vendosnim kandidat”. Në fakt në rast se nuk bëhet zgjedhje, askush s’mund ta dijë se kush është më i mirë se Veliaj.
Dhe kjo lloj sjellje duket se Ramës do i vlejë për të gjithë kryebashkiakët e tij, që më shumë se administratorë qytetesh, janë ushtarë të bindur të Ramës. Subashi i Fierit, Ndreu i Lezhës, apo dhe kryetarët e bashkive të tjera të mëdha si Durrësi apo Elbasani (edhe këta njësoj si anëtarët e qeverisë janë të vështirë për tu mbajtur mend) nuk janë gjë tjetër vetëm se noterë të urdhrave të kryeministrit. Si të tillë ata mund të kenë pëlqimin e Ramës, por jo të elektoratit. Mentaliteti autokrat i kryeministrit e do elektoratin për ta manipuluar, për ta mbajtur në pushtet, por jo për të zgjedhur.