Nga Red VARAKU – Perpjekja e dështuar e Ramës për të fshehur çarjen përfundimtare me Evropën

GazetaTjeter
3 Min Read

Edi Rama, kryeministri më i korruptuar i Europës dhe përfaqësuesi i shtetit më të varfër në Europë, ka nisur një sulm histerik mbi Bashkimin Europian me një fjalor dhe gjuhë identike me autokratët e korruptuar të Ballkanit.

Për herë të parë, ai po paralajmëron dhe kërcënon se është gati të nderpresë përfundimisht procesin e integrimit të Shqipërisë, duke u bërë kështu dhe kryeministri i parë shqiptar që futet në përplasje të hapur me kontinentin e vjetër dhe kryeministri i parë në historinë tridhjetë vjeçare të pluralizmit, që vë në dyshim ëndrrën e lashtë të popullit shqiptar për tu ribashkuar me Europën .

Edhe pse në pamje të parë ky reagim mund të duket shumë ekstrem, në fakt është një reagim krejt normal përballë shtatë refuzimeve të njëpasnjëshme dhe një BE-je të vendosur, që po i thotë troç se problemi më i madh i Shqipërisë nuk janë dhe aq reformat, por problemi më i madh i saj është dhe mbetet ai vetë personalisht.

Nevoja për të fshehur ndarjen përfundimtare me Europën shkakton dhe gjoja nervozizmin dhe histerinë e tij , të cilat në këtë kuptim nuk janë gjë tjetër vetëm se një përpjekje për të neutralizuar mesazhin e qartë dhe të palëkundur që vjen nga BE në lidhje me përpjekjet e tij për të asgjësuar demokracinë .

Pra, spektakli banal që ai po na ofron në këtë vapë me një gjuhë lafarakësh ordinerë, në fakt nuk lidhet dhe aq me dështimin e integrimit në vetvete.

E vërteta është që ai nuk është se e ka dashur ndonjëherë integrimin përndryshe do të plotësonte pesëmbëdhjetë kushtet e vendosura nga BE ku kryekushti ishte rikthimi i demokracisë përmes zgjedhjeve të lira me një kod zgjedhor të dakortësuar.

Beteja e tij lidhet me përpjekjen e tij për të fshehur çarjen e tij përfundimtare me Europën dhe faktin që ndarja që ka ndodhur midis tyre është e pakthyeshme dhe nuk ka më asnjë shans që të rikuperohet.

Tani problemi është se rezistenca e Edi Ramës ndaj presionit për largimin e tij nuk dëmton Edi Ramën, por ajo është një taksë që duhet ta paguajnë të gjithë shqiptarët.

Për pasojë, kjo nga një situatë komike që është, ku gomarit i duket vetja kalorës, tani po kthehet në tragjike, pasi Shqipëria po hyn përfundimisht në një epokë të errët ,në një tunel pa dritë.

Share This Article
Leave a Comment