Qindra qytetarë të Kosovës dje demonstruan në mbrojtje të jetës së grave pasiqë ngjarja e fundit e sensibilizoi opinionin publik. Në vitet e fundit në Kosovë janë shtuar rastet e krimit dhe vrasjeve të grave. Për pasojë rinia, studentët dhe qytetaria kosovare del në rrugë për t’u kërkuar autoriteteve që qeverisin dhe pushtetit gjyqësor të veprojnë e të kryejnë detyrat. Ishte impresionuese protesta e po ashtu përcaktimi i fajtorëve. Pikëndalesa e protestuesve ishte Ministria e Drejtësisë, ajo e Punëve të Brendshme dhe prokuroria. Në të tri këto institucione protestuesit kërkuan drejtësi dhe angazhim serioz në mbrojtje të grave dhe vajzave kosovare.
Ndërkohë gjatë protestës u vu re se pjesëmarrësit ishin të ndikuar nga protestat në Tiranë. Disa parulla qenë madje të njëjta me ato që rinia dhe studentët e Tiranës hedhin kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Kosova është modeli i protestave. Është nana e tyre. Ajo di të protestojë më mirë se çdo vend tjetër në Ballkanin Perendimor. Është origjinale në akte, parulla dhe simbolika, si askush tjetër në rajon. Rinia e studentët e Tiranës për herë të parë bënë risi me protestat e flamingos dhe me protestat e këtyre gati 20 ditëve, ndryshe nga ato të flamingove. Por më parë asnjë protestë në Shqipëri nuk ka qenë origjinale. Kanë qenë madje monotone, pa shpirt dhe pa zemër, përjashtuar protestave të dhjetorit 1990 dhe të vitit 1991. Ndërsa në Kosovë çdo protestë është zhvilluar me frymë të qartë dhe unike në llojin e vet.
Objekti i protestës në Kosovë ishte mbrojtja e jetës së grave dhe vajzave të dhunuara. Objekti i protestave në Tiranë është mbijetesa. Madje më shumë sesa mbijetesa: – Është mbrojtja e ekzistencës së elementit shqiptar në Shqipëri si edhe mbrojtja e territorit shqiptar. Protestat në Kosovë bëhen virale, sapo fenomeni tejkalon masën. Protestat në Shqipëri nuk sensibilizojnë e nuk mobilizojnë njerëzit edhe pse ato bëhen kur zullumi nuk mban më dhe vendi është në prag të katastrofës kombëtare. Protestat në Prishtinë e adresojnë problemin shumë shpejt. Ndërsa qytetarët në Shqipëri duhet kohë të reagojnë për një çeshtje ose për një tjetër.
Imagjinoni sikur Kosova të kishte skandale të njëpasnjëshme, siç ndodh me qeverinë shqiptare! Do të ishin rrëzuar e riformuar nja dhjetë qeveri. Ndërsa në Shqipëri nuk bën aq përshtypje fakti se kryeministri emron një koordinator të tij me organizatat kriminale dhe kartelet e drogës! Në Shqipëri nuk sensibilizon as edhe degradimi i kreut të shërbimit informativ deri në atë pikë sa të japë sekrete shtetërore te koordinatori i Ramës për krimin e organizuar, as edhe kur e mbron atë në arrati me premtimin për “fikjen e radarëve”! Reagimi qytetar në Kosovë është gjithmonë gardiani i qeverisjes së mirë. Edhe sikur në krye të qeverisë të ishte atje Edi Rama, nuk do të kishte guxuar të bëjë as një të dhjetën e krimeve që i ka bërë në Shqipëri. Sepse në Prishtinë ka nerv, ka intuitë, ka reagim aktiv. Ndërsa në Tiranë dhe në Shqipëri shumicën e kohës zotëron apatia dhe heshtja, indiferentizmi dhe frika.
Gjithmonë në histori ka ndodhur që Kosova të ishte në pararojë të zhvillimeve shqiptare. Kam parasysh këtu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, kryengritjet e vitii 1910-1912, lëvizjen kaçake, luftën kundër komunizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore, demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981, grevën e minatorëve të Trepçës në vitin 1988, homogjenizimin e shqiptarëve të Kosovës gjatë lëvizjes paqësore aktive të udhëhequr dhe ideuar nga presidenti historik, Ibrahim Rugova dhe deri te Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo do të thotë se reagimi në Kosovë është kulturë e kultivuar në gati dy shekuj. Kjo provon atë që thoshte Arshi Pipa: “E dua Kosovën se aty lindi Shqipëria”!
Ndërsa në Shqipëri duhet të bëhet krimi mullar dhe sërishmi është vështirë të lëvizin njerëzit nga vendi. Edhe pse ndiqen penalisht e dënohen ministra, zv. kryeministra, deputetë e zyrtarë të lartë me shumicë, sërishmi njerëzit shohin “rehatin” e tyre! Mungon ai lloj solidariteti që buron nga brenda shpirtit për të përkrahur lëvizjet e mëdha për ndryshim dhe progres. Prej më shumë se 150 ditësh studentët dhe të rinjtë janë në rrugë, ndërsa njerëzit qetë-qetë shijojnë kafen e mëngjesit dhe të mbrëmjes në lokalin e preferuar. Bizneset thonë “Jemi me ju e mos na dëmtoni”! Por në fakt shumica janë indiferentë dhe nuk duan të solidarizohen me studentët dhe rininë, e cila çdo ditë përleshet me policinë e “Gestapos” së Edi Ramës. Duket sikur jetojmë në dy botë të ndryshme, edhe pse jemi i njëjti komb dhe i njëjti gjak me të njëjtën gjuhë! E papranueshme kjo diferencë në kulturën politike të të dy vendeve tona!









