GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Nga Sebastian ZONJA – “Zyrtarisht jemi pjesë e një botë shumëpolare”

NATO, nga samiti i Madridit, shpalli dokumentin e saj strategjik për dekadën e ardhshme. Veç Rusisë, edhe Kina është shpallur kërcënim. Aleanca vë në pah edhe partneritetin strategjik mes dy gjigantëve aziatik për të minuar rendin amerikan të pas Luftës së Dytë Botërore.

Kinezët, ndërkaq, kanë artikuluar për herë të parë, zyrtarisht, nga ministria e Jashtme, rrezikun e një Lufte të re të Ftohtë.

Shumëpolariteti do të thotë se amerikanët nuk janë më superfuqia e vetme në botë. Që nga ky fundqershor jemi pjesë e një botë shumëpolare. Me herët kjo parashtrohej nga ekspertët, por tani është e shkruar zyrtarisht nga aleanca ushtarake që drejtojnë amerikanët.

Sikundër shkruajnë edhe autorë të rëndësishëm për gjeopolitikën, me rënien e superfuqisë amerikane, tani ka mundësi të kemi konflikte rajonale më të shpeshta.

Ndërkohë, Amerika mbetet fuqia ushtarake, teknologjike dhe ekonomike më e madhe në botë. Në krahun tjetër, aktorë të mëdhenj rajonalë do të zgjerojnë influencën e tyre.

Veç Rusisë, Brazilit, Iranit apo Indisë si aktorë rajonalë, në afatgjatë, Kina paraqitet si kërcënim kryesor.

Nga një aktor ekonomik sot, ajo do të kthehet në një faktor ushtarak, më pas hegjemon rajonal, për të shkuar në hegjemon global, siç është Amerika aktualisht.

Shqipëria është në NATO dhe rajoni në të cilin ndodhet është i gjithi në NATO. Rajoni ka tensione për shkak të Serbisë, por serbët janë të rrethuar nga NATO dhe BE, e nuk kanë lidhje territoriale me Kinën apo Rusinë. Është në dorë të faktorit shqiptar se si do ta ndërtojnë strategjinë për aleancat ballkanike dhe avancimin e interesave të tyre. Sa më shumë t’i biem daulleve të nacionalizmit, aq më në dëmin tonë është. Amerikanët dhe evropianët janë në rajon si aleatë për paqe dhe siguri, jo si miq të shqiptarëve. Sa më shumë të kthehemi në faktor stabiliteti rajonal, aq më shumë përfitojmë.

Vlen të theksohet se Kina ka qenë një vend mik i shqiptarëve që ka investuar shumë gjatë kohës së komunizmit.

Shqipëria duhet të tregojë maturi e nuk ka pse kthehet në arenë tensioni, siç deshën ta kthenin gjatë komunizmit shërbimet sekrete me desantët që hidheshin si kundërpeshë e faktorit komunist në Greqi.

Edhe këtë radhë, çelësat e Mesdheut për avancim kinez apo rus i kanë turqit dhe shqiptarët duhet të ndërtojnë aleancë të qëndrueshme me Turqinë, institucionale, jo thjesht mes individësh.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More