Nga Vehap KOLA – Shpërthimi i kontrolluar i zemërimit që nuk prek thelbin e regjimit oligarkik
Sektori i hidrokarbureve është një oligopol i qartë. Dmth, 3 apo 4 operatoeë importojnë naftë, benzinë dhe gaz dhe imponojnë çmimin më të lartë në Europë, jo vetëm tani por edhe para krizës. Gjatë këtyre ditëve, oligopoli i hidrokarbureve na dhuroi edhe rritjen më të madhe në botë të çmimit të karburantit.
Fitimet e shtuara të këtyre ditëve në arkat dhe llogaritë e oligopolistëve janë me dhjetëra miliona euro. Këto dhjetëra miliona u janë zhvatur shqiptarëve mbi zhvatjen e përditshme me çmimin më të lartë të Europës që aplikojnë prej vitesh oligopolistët.
Ndërkohë që sektori i hidrokarbureve është oligopol, sektoei i ushqimoreve është krejtësisht monopol. Për secilin artikull ushqimor si mielli, orizi, vaji, sheqeri, makaronat etj, ka vetëm një importues kryesor.
Të guxojë ndonjë sipërmarrës të sjellë grurë, miell, vaj, oriz, sheqer apo makarona. E para ia kalbin mallin në doganë, sepse monopoli ka ortak qeverinë në qesenë që mbush nga çmimet e larta dhe qeveria punon si agjent i monopolit në doganë. E dyta, të vjen anonimja që të jep një shans të fundit për të kuptuar gabimin dhe për të hequr dorë nga importi.
Agjensitë shtetërore si AKU, tatime, dogana e Inspektoriati Teknik janë tërësisht në shërbim të këtyre skemave. Inspektorët të mësyjnë në biznes ditën që ke shkelur në kallon e monopolistëve. Dhe të falimentojnë me gjoba ose zarfa.
Po ilaçet? Përveç se të papërballueshme, ilaçet tona janë të pasigurta. Një pjesë prodhohen në vend, një pjesë importohen nga vende të pasigurta përmes skemash bashkëpunimi qeveri-importues. Sa jetë njerëzish, sa shpirtra fëmijësh na kanë kushtuar këto krime? Asnjëherë nuk do ta marrim vesh.
Monopolistët e hidrokarbureve, ushqimeve, ilaçeve e gjithfarlloj importeve mbajnë me para politikanë, parti, media, gazetarë, funksionarë të lartë etj. Janë këta që e kanë shndërruar funkarallëkun në subjekt të teatrit bosh në Parlament apo në emisionet e mbrëmjes. Emrat e tyre nuk guxon t’i përmendë askush, ata sikur nuk ekzistojnë.
Siç kemi karburantin më të shtrenjtë në Europë, ilaçet më të pasigurta, kemi edhe ushqimet më të shtrenjta në Europë. Shkodra, Malësia e Madhe, Tropoja, Hasi, Kukësi, Pogradeci, e shpeshherë Korça, Gjirokastra e Delvina e bëjnë pazarin përtej kufirit. Makinat i mbushin me karburant po andej kufirit. Madje, edhe dasmat u bie më lirë t’i bëjnë andej.
Këta që na zhdukin rrogat dhe pensionet me çmimet më të shtrenjta, që na shkatërrojnë shëndetin dhe na marrin jetën me ushqime e ilaçe të skaduara e të rrezikshme, këta janë skeleti, mishi dhe damarët e regjimit oligarkik të Shqipërisë. Ndryshimet politike deri sot kanë qenë vetëm ndërrim i teshave dhe makiazhit të kësaj monstre. Ata nuk mund të lejojnë që as zemërimi ynë ndaj tyre të shpërthejë në mënyrë të pakontrolluar.