Erl KODRA – Rënia e sistemit dhe rishpikja e ngjarjes politike

1. Shqipëria gjendet nën shok traumatik. Zgjedhjet e 25 Prillit i dhanë goditje vdekjeprurëse jo vetëm Partisë Demokratike, por vet sistemit tonë politik, sistem i cili presupozohet se ngrihet mbi votën e lirë dhe ndarjen e pushteteve. Agjensitë e zbatimit të ligjit dhe gjykatat e vendit qartësisht janë nën urdhërat dhe shërbim të Edi Ramës, ndërsa një sistem paralel parapolitik kontrollon shoqërinë. Çdo përpjekje e opozitës për të kthyer legjitimitetin dhe të bëjë sistemin politik funksional, injorohet nga vet sistemi. Kjo gjendje e ka zhytur shoqërinë në depresion të thellë dhe të pashpresë, se mund të gjenden mjete ligjore për të mbrojtur të drejtat e saj civile dhe politike. Dy institucionet kryesore të mbrojtjes dhe zbatimit të ligjit në vend – Policia e Shtetit dhe Prokuroria – tashmë janë mjetet kryesore me të cilat Edi Rama formalizon të gjitha aktet anti ligjore, akte të cilat kanë eleminuar përfundimisht të drejtat civile dhe politike të qytetarëve. Në këto kushte, shteti ka pushuar së funksionuari dhe sistemi politik (Kushtetuta e Republikës) ka rënë.

2. Rënia e shtetit në duart e mbrapshta të Edi Ramës rrezikon jo vetëm të drejtat civile dhe politike të shtetasve, por edhe vet ekzistencën e shtetit shqiptar. Në një plan më të gjerë, shoqëria gjendet në një udhëkryq historik, që do të përcaktojë fatet e kombit në dekadat që do të vijnë. Nëse zgjedhjet e vitit 1945 hodhën themelet diktaturës, zgjedhjet e 25 Prillit shembën sistemin politik të Republikës, ku krimi i organizuar kontrollon dhe zotëron çdo insititucion të shtetit.

3. Partia Demokratike gjendet nën agresion dhe në rrezik imediat për t’u shpërbërë. Përpjekjet e saj për të mbajtur sistemin politik në këmbë (zgjedhjet parlamentare) dështuan. Realiteti i rëndë ku gjendet opozita shqiptare nuk është i ndryshëm nga realiteti i krejt shoqërisë, përfshirë edhe popullin e majtë. Tashmë nuk ka asnjë garanci se njerëzit e këtij vendi, të majtë e të djathtë që përbëjnë ashtin e shoqërisë, nuk do të braktisin Shqipërinë. Edhe kështu, shpopullimi i vendit ka grryer sistemin ekonomik dhe financiar, dhe me këto ritme, shumë shpejt do të të gjendemi  para paaftësisë për të përmbushur nevoja vitale të popullsisë.

4. Partia Demokratike ka përgjegjësinë historike të mbrojë popullin e Shqipërisë nga rreziqet e njohura dhe të panjohura. Humbja e të drejtave civile dhe politike, rënia e vendit nën një regjim qesharak gangsterësh rrezikon lirinë, demokracinë, pronën dhe jetën e shqiptarëve. Momenti aktual kërkon reagim energjik, propocional me rrethanat. Asgjë nuk mund ta justifikojë elitën shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, nëse dështon për herë të dytë në histori, njësoj si në vitin 1945.

5. Shqiptarët nuk kanë asnjë garanci juridike ose politike, se Prokuroria dhe Policia e Shtetit do të hetojnë deri në fund krimet zgjedhore, dhe se do të ketë vlerësim të paanshëm të provave dhe fakteve të blerjes, manipulimit dhe tjetërsimit të votave të 25 Prillit. Rrjedhimisht, qarku i mbyllur i një sistemi që nuk funksionon, kthyer në kamzhik në duart e Edi Ramës dhe Tom Doshit, ka rrënuar përfunsimisht shpresën e shqiptarëve tek shteti dhe sistemi politik. Shoqëria shqiptare është kriminalizuar në palcë, të rinjtë shqiptarë janë kthyer në trafikantë dhe dillera droge; në mafiozë dhe vrasës të pashpirtë; ndërsa zyrarët e shtetit janë ushtarë dhe sekserë të mafias lokale. Oficerët e Policisë së Shtetit punojnë së bashku me mafian, marrin urdhëra prej tyre, ndërsa përndjekin qytetarët e pambrojtur jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit. Ministra dhe drejtorë të Agjensive shtetërore punojnë dhe menaxhojnë vetëm punë të zeza, të angazhuar në një korrupsion të papërmbajtshëm, duke gllabruar me miliarda euro nga Buxheti i Shtetit. Nuk ka fushë të veprimtarisë njerëzore të papërfshirë nga akte të neveritshme korrupsioni kapilar: në media, shoqëri civile, sindikata dhe organizata jo-qeveritare. Rrënimi moral i shoqërisë ka ndodhur, ndërsa vet njeriu është kthyer në një qenie të pavlerë.

6. Kjo është arsyeja pse ndër shqiptarë gjenden disa qindra mijëra individë që shesin votën, sepse atyre me kohë ua kanë vrarë dinjitetin; gjithë jetën e tyre kanë jetuar nën trajtim çnjerëzor dhe degradues, të privuar nga të drejta elementare, të dehumanizuar nën akte dhune, pa bukë dhe rroba në trup. Kjo është një provë tjetër që sistemi ka degjeneruar, perderisa pjesa më e dehumanizuar e shoqërisë “vendosë” për fatin e vendit.

7. Në këto rrethana, Partia Demokratike nuk guxon të përfshihet nga depresioni, as të bjerë viktimë e luftës së brendshme për pushtet. Disa individë, shpesh herë mediokër brenda dhe jashtë opozitës, kujtojnë se u erdhi ora politike; dhe janë sulur ta coptojnë Partinë Demokratike duke mëtuar të kthehen në heronjë të shpëtim-copëtimit të saj. Këto akte nuk bëjnë asgjë tjetër, veçse ia lehtësojnë punën Edi Ramës të ndërtojë mbretërinë e tij të krimit dhe korrupsionit.

8. Partia Demokratike duhet të ridimensionojë kufinjtë e saj politik, duke tejkaluar sinoret me popullin e majtë dhe bashkuar forcat për të rindërtuar sistemin politik të vendit. Në këto kushte nuk kanë më rëndësi krahët politik, kur përballë ke anti-shtetin. Shqiptarët nuk mund të pranojnë edhe njëherë kthimin e shtetit në një makineri kriminale që asgjëson të drejtat civile dhe politike. Hija makabre e shtetit monist që kontrollonte gjithçka nuk mund dhe nuk duhet lejuar të ringjallet kurrë.

9. Për të ndalur rrënimin përfundimtar duhet forcë karakteri dhe vizion për të ardhmen. Ridimensionimi i Partisë Demokratike në vetvete nuk mjafton, sepse rrethanat politike dhe demografike të popullsisë nuk e lejojnë këtë. Që prej vitit 1990 më shumë se gjysma e popullsisë është larguar prej vendit, ndërsa vet Shqipëria kë pësuar transformim të thellë demografik dhe migrim të brendshëm. Fshatra të tëra janë shkretuar ose kanë mbetur vetëm të pleqë e plaka. Së fundi, emigrimi i rreth 500,000 shqiptarëve përgjatë 10 viteve të fundit e ka kthyer vendin në një shkretëtirë njerëzore, sociale dhe ekonomike.

10. Partia Demokratike është aseti më i çmuar në politikën kombëtare. Ajo përbashkon traditën më të mirë të etërve themelues, që prej vitit 1912 e deri më sot. Enver Hoxha kreu gjenocid politik mes shqiptarëve, duke vrarë nacionalistë, zogistë, ballistë  (por edhe komunistë), megjithatë, ai nuk arriti të vrasë ëndrrën e shqiptarëve për shtet të së drejtës. Prandaj tejkalimi i kufinjëve mes të majtës dhe të djathtës është domosdoshmëri, sidomos në situatën e rrezikshme në të cilën gjendet vendi.

Propozime

11. Për këto arsye – me qëllim që të shmanget rrëshqitja e vendit në humnerën e anti-ligjit, si dhe të kthehet legaliteti i sistemit politik, të mbrohet rendi kushtetues dhe siguria publike, Partia Demokratike duhet të veprojë pa humbur kohë me:

– të thërrasë në Tiranë një kuvend mbarëkombëtar i të gjithë faktorëve dhe aktorëve politik, brenda e jashtë vendit, të gjitha korenteve politike,

– me pjesëmarrjen e personaliteteve publike, pa dallime politike, krahinore ose fetare,

– me pjesëmarrjen e të gjithë intelektualëve që refuzojnë rënien e rendit kushtetues në duart e një individi,

– me pjesëmarrjen e gjithë gazetarëve që refuzojnë t’i shërbejnë regjimit që mëton të instalohet,

12. Partia Demokratike duhet të parashtrojë faktet dhe provat e rënies së sistemit, si dhe të eksplorojë rrugët e rivendosjes së rendit kushtetues. Kuvendi Mbarëkombëtar mund të zgjedhë përfaqësinë/kryesinë ose bordin ekzekutiv të Kuvendit, i cili do të ketë mandat këshillimor dhe diplomatik, brenda dhe jashtë vendit, me qëllim informimin e opinionit publik dhe organizmave ndërkombëtar me faktet dhe provat e rënies së rendit kushtetues në Shqipëri.

13. Si organizata më e madhe politike në vend, Partia Demokratike e ka për detyrë kushtetuese të informojë opinionin publik me rrezikun potencial që po ballafaqohet vendi, jo në kuptimin se ajo ndodhet nën agresionin e mafias së Kryeministrit, por se vet populli i Shqipërisë ka humbur të drejtat civile dhe politike. Përsëri, si organizmi i vetëm politik i papërlyer me krimet e komunizmit, Partia Demokratike e ka të drejtën morale të përbashkojë të gjithë faktorët dhe rrymat socio-kulturore të shqiptarëve. Mbi të gjitha, vet ekzistenca e Partisë Demokrtike është shprehja më e lartë e organizimit politik të shqiptarëve.

14. Përgjatë shekujve bota ka njohur monarki absolute dhe shtete terrori. Një shtet të tillë shqiptarët e shembën në vitin 1990, megjithatë, fantazma e tij akoma i përndjek. Shqiptarët nuk mund të pranojnë rënien e sistemit politik, rendit shoqëror dhe kushtetutës së vendit. Aventura e Edi Ramës duhet të ndalojë sot, nesër do të jetë vonë.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.