GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Fatos KOLA – Epidamn-Durrahu ynë 3000-vjeçar akuzon dhe apelon (2)

Themeluesit taulantë të Durrahut antik, kur hodhën themelet e para në një terren me pozicion të shkëlqyer brenda një Gjiri…, nuk mund ta imagjinonin se po ndërtonin një qytet-liman që do të shndërrohej në një nga kryeqendrat më të mëdha e më të ndritshme etatisto-qytetërimore, administrative dhe ekonomiko-kulturore të Antikitetit e deri të Mesjetës së hershme në mbarë Mesdheun.

Pozicioni gjeografik i Durrahut si portë hyrëse në gadishullin Ilirik, e shndërroi atë në një kryqëzim të njimendtë ndarës dhe përbashkues adriatiko-mesdhetar midis Lindjes dhe Perëndimit. Dhe më vonë, për shkak të pozicionit tejet strategjik, e shndërroi edhe në portën hyrëse dhe në urë-kapërcimin e në udhë-kalimin e ushtrive të perandorisë Romake në brendësi të gadishullit Ilirik nëpërmjet “Via Egnatias” dhe rrugëve të tjera.

Kësisoj Durrahu mori rëndësi gjeostrategjike dhe gjeopolitike si trampolina që në Lashtësi mundësoi pushtimin e gadishullit Ilirik nga romakët, ndërsa në Mesjetën e hershme (në vitin 483 pas Krishtit) i mundësoi Ostrogotëve të Teodorikut që të kapërcenin Adriatikun e të hidheshin në Itali, ku themeluan mbretërinë Ostrogote me qendër Ravenën. 

Edhe sot e kësaj dite, rëndësia gjeostrategjike, gjeopolitike dhe ekonomiko-kulturore e Durrësit mbetet e jashtëzakonshme, çka e shndërron në një aset të shenjtë e të paprekshëm të mbarë Shqiptarisë. Aset, për ardhmërinë e të cilit duhet të vendosin vetëm shqiptarët e gjithë planetit me referendum mbarëkombëtar, pasi asnjë qeveri me mandat disavjeçar nuk ka tagër dhe legjitimitet për të vendosur për projekte dhe investime më të mëdha sesa ato të punëve publike që mund të ndërmarrë dhe mbulojë Bashkia-Durrës.  

Fillesat dhe kulmimi etatisto-qytetërimor

Sipas autorëve të lashtë, Durrësi ka qenë njëri nga 4 margaritarët më të ndritshëm të Mesdheut gjatë Antikitetit, krahas Athinës, Romës dhe Aleksandrisë.

Vlerat urbanistiko-arkitekturore dhe rëndësia politiko-ekonomike e kulturalo-qytetërimore e tij shënuan kuota kulmore dhe mbetën vendimtare, me ndikim marramendës e me rrezatim historiko-epokal mbi arealin gjeopolitik ballkanik e mesdhetar.

Gjetjet arkeologjike, interpretimet dhe shtjellimet teorike të studiuesve tanë e të huaj, si dhe pohimet e autorëve antikë na dëshmojnë dhe sigurojnë se Dyrrahium-Epidamni, si vendbanim protohistoriko-bregdetar dhe proto-urban me liman, e ka zanafillën qysh në shekullin XI para Krishtit.

Por Durrahu antik mori trajtat e një polis-qyteti të mirëfilltë ilir me mbretërit themelues Durrah dhe Epidamn të fisit shtetformues të Taulantëve, të cilët në shekullin VIII para Krishtit themeluan të ashtuquajturën “Federata Taulane”, që e shndërroi Durrah-“Taulaninë” në qytetin kryesor të Ultësirës Perëndimore Panadriatike të Ilirisë.

Qysh nga epoka e ndritshme e themelimit, Durrahu antik njohu veçse zhvillim të pandalshëm e të gjithanshëm, sidomos nën sundimin e mbretit taulant Galaur gjatë shekujve VII-VI, e në vijim gjatë sundimit të mbretit tjetër taulant Grabo I, në shekullin V para Krishtit.

Por Durrahu ynë kulmoi si kryeqendër urbane sidomos me ardhjen e “Dinastisë së Glaukisë” në krye të Shtetit të Taulantëve, me sundimtarë mbretërit e famshëm: Glauku (335-300 para Krishtit); Monuni (280-270 para Krishtit); dhe Mytili (270-230 para Krishtit).

Provat e madhështisë qytetërimore

Arkeologu francez Leon Heuzey (në vitet ‘60 dhe ‘70 të shek. 19), arkeologu austriak Camillo Praschniker (në vitin 1918), arkeologu francez Leon Rey në vitin 1923, si dhe arkeologët dhe studiuesit e shquar shqiptarë Vangjel Toçi, Hasan Ceka, Selim Islami, Injac Zamputi, Neritan Ceka, Hava dhe Sali Hidri, Moikom Zeqo dhe Lida Miraj, kanë zbardhur shumë enigma të qytet-qytetërimit të varrosur të Durrësit antik e mesjetar, duke dhënë një kontribut shkencor të paçmuar, për të cilin shqiptarët duhet dhe do t’u jenë përjetësisht mirënjohës.

Këta kontributorë impresivë, bashkë dhe veçmas, kanë kryer studime serioze dhe kanë parashtruar interpretime thellësisht shkencore e tejet dinjitoze, bazuar në gjetjet arkeologjike, në burimet antiko-mesjetare dhe mbi shkollat më të përparuara të përpunimit të të dhënave, të rrafsheve dhe filozofisë së interpretimit teoriko-shkencor.

Këta studiues na bëjnë me dije gjithashtu se relievi, nëntoka dhe mbitoka ku shtrihej Durrahu antik kanë pësuar palosje tektonike të tmerrshme dhe tërmete shkatërrimtare, krahas luftërave civile e pushtimeve rrënuese që kanë varrosur e shkatërruar qytetin, e që në dhjetëra shekuj kanë mundësuar deri edhe avancimin e detit dhe përmbytjen e qytetit prej tij.

Si përqasje në mbështetje të paradigmës së përmbytjes së Durrësit antik nga deti, do të ndërmendja sot avancimin prej më shumë se 100 metra të detit mbi bregun jugor të Gjirit të Durrësit, në zonën e Karpenit të Kavajës. Avancim që gjatë 3-4 dekadave të fundit ka përpirë brenda tij brezin e bunkerëve të kohës së komunizmit, duke mbërritur tek dunat e rërës dhe brezi i pishave që mbrojnë bregdetin dhe shtrihen deri në Divjakë.

Ndaj dhe Durrësi antik na evidenton gjurmët e tij me prova dhe gjetje arkeologjike nënujore, që e shndërrojnë në imperativ ruajtjen e bregdetit nga rroposja në vazhdim e pasurive arkeologjike nëpërmjet krijimit sa më parë të Akua-parkut arkeologjik dhe ndërprerjes së investimeve të mëtejshme në vijën bregdetare të qytetit të Durrësit.     

Polisi antik i Durrahut dhe provat…

Zhvillimi i vrullshëm ekonomik dhe demografik i Durrahut antik stimuloi shtresëzimin piramidal dhe diferencimin e shpejtë pasuror, çka në fundore ngjizi dhe kulmoi hierarkimin social e pushtetor, ku dominonin aristokracia, oligarkia, shtresa e pasur e tregtarëve dhe ushtarakëve, përballë zejtarëve, detarëve e peshkatarëve, bujqërve dhe blegtorëve të periferisë.

Ky proces përfundoi me polarizimin metaforik midis pasunarëve nga njëra anë dhe qytetarëve te thjeshtë e fshatarëve të periferisë së Durrahut antik-nga ana tjetër.

Asokohe fasha e qytetarëve të thjeshtë jetonin në zonat periferike të qytetit si zejtarë e zanatçinj. Ndërsa bujqit dhe blegtorët mbarështronin blegtorinë, kultivonin tokat tejet pjellore pranë brigjeve të Kënetës dhe grykëderdhjeve të lumejve Erzen e Ishëm, duke furnizuar qytetin që rritej me shumicën e produkte ushqimore. Ndërsa pasunarët e qytetit jetonin kryesisht në pjesën më të ngritur e dominuese të tij, në Akropolin e famshëm, të cilin arkeologët e kanë piketuar me prova se shtrihej në kuotat 98 metër mbi nivelin e detit, në drejtim të Lindjes, në kodrat “Stan”.

Fragmentet arkitektonike dhe relievet dekorative klasike dëshmojnë se në Akropol, përveç banesave të sundimtarëve dhe pasunarëve të Durrahut, ishin ndërtuar tempujt dhe objektet madhështore publike të stërmbushura me skulptura… në shumicë prej mermeri tejet cilësor, të blerë në gadishullin Apenin përballë…

Gjatë mbretërimit të suksesshëm të Galaur-it, nëpërmjet zhvillimit të vrullshëm ekonomik Durrahu antik u shndërrua në “Emporium” stërmadh (pra “pikë kryesore tregtimi me shumicë”) në mbarë Adriatikun dhe Mesdheun e kohës, dhe rrjedhimisht edhe në “Apojki” (pra në “Qendër tregtare” stërmadhe për furnizimin e mbarë popullatës së shteteve dhe fiseve ilire, nëpërmjet aktivitetit tregtar të eksport-importit.

Zejet e përpunimit dhe ato të prodhimit e tregtimit të metaleve, qeramikës, pëlhurave, leshit dhe lëkurëve, e bënë të famshëm Durrahun në të gjithë Mesdheun e deri në viset kontinentale të mbarë Dardanisë, Maqedonisë, Epirit dhe Thrakisë.

***

Nekropole-varrezat e pasura me artefakte-objekte dhe krijime artistike tejet të vyera e cilësore, krahas burimeve antike dhe studimeve etnologjiko-antropologjike krahasuese – dëshmojnë diferencat pasurore dhe hierarkinë sociale që, përveç dallimeve…, njëkohësisht evidentojnë qartazi rezultanten përbashkuese, sipas së cilës: Iliro-taulantët paganë nuk besonin në ringjalljen fizike, por besonin fort në vazhdimësinë e jetës shpirtërore pas vdekjes.

Konceptimi i përtej-jetës, antropomorfizimi i hyjnive dhe ritualizimi i shërbesave e lutjeve në vendet e shenjta (sanktuare e altare), të evidentuara fort nga studiuesit, janë dëshmi të pasurisë shpirtërore dhe e unicitet-unikalitetit kulturor e etnologjik të ilirëve taulantë të Durrahut.

***

Por me rritjen e vrullshme demografike të qytetit në shekujt VI dhe V para Krishtit, vërehet zgjerimi i nekropolit antik dhe zhvendosja e banorëve pasunarë të Akropolit drejt veri-lindjes. Ndërkohë qyteti po rrethohej me mure me gurë “ciklopikë” prej shtufi, të palidhur me llaç, (sipas traditës ndërtimore pellazge), e që mendohet se merreshin nga malet e Krujës pranë, pasi ngjajnë me gurët e përdorur në Zgërdhesh (Adrianopolin antik).

Edhe gjatë betejave midis Çezarit dhe Pompeut, ky i fundit strehohej brenda mureve rrethues të qytetit, ndërsa Çezari vërtitej nëpër kodrat mbi Durrah, në pritje të daljes së kundërshtarit prej tij, çka dëshmon se muret ishin të pakalueshëm dhe rrjedhimisht qyteti ishte i papushtueshëm edhe nga Çezari gjenial.

Onomastika dhe kultura materiale e nekropolit…

Inventaret e varreve të nekropolit antik të Durrahut përmbajnë pllaka të shumta me mbishkrime të emrave ilirë, por listojnë edhe monedha dhe objekteve zbukurimore me të cilat shoqëroheshin të vdekurit, e që njëkohësisht dëshmonin diferencimin pasuror të vdekatarëve të nekropolit.

Në varret e Nekropolit antik janë gjetur diadema në formë gjethesh dafine e tulipani, si dhe varëse, unaza, fibula e byzylykë me bukuri magjepsëse.

Kur objektet e mësipërme ishin të arta, kuptojmë se kanë qenë pronë e vdekatarëve tejet të pasur, ndërsa kur janë prej bronzi, na bëjnë me dije se vdekatarët vinin nga shtresa e mesme e shoqërisë.

Trajtat më tipike të bizhuterive të banorëve ilirë ishin fibulat në formë heshte, byzylykët në formë gjarpëri, unazat me paftë ovale e të dekoruara me figura floreale, kafshësh dhe shpendësh, plot shije dhe cilësi të lartë artistike.

Në Dyrrah janë realizuar 10 prerje monedhash, nga të cilat 3 janë prerje në argjend dhe 7 janë në bronz.

Autorët antikë për Durrahun…

Historiani Apiani shkruan: “Mbreti i barbarëve të këtij vendi (ilirëve), i quajtur Epidamn, ndërtoi pranë detit një qytet dhe e quajti sipas emrit të tij: Epidamn. Nipi i tij Durrahu, ndërtoi pranë detit një liman dhe i dha emrin ‘Durrah’…”.

Aristoteli në shek V para Krishtit, në veprën e tij “Politika” flet për kushtetutën e Epidamnit dhe ndryshimin e saj me kërkesën e popullit, duke nënvizuar ekzistencën e institucioneve qeverisëse demokratike, sikurse “Këshilli i qytetit” dhe “Mbledhja e përgjithshme e popullit”, pa harruar të theksojë se “… Nga ana tjetër, qenia në krye e një Arhonti, ishte shprehje e regjimit oligarkik në këtë shtet”.

Thuqididi (që jetoi në periudhën 460-400 para Krishtit), teksa thekson rritjen e vrullshme të qytetit, shkruan: “Durrahiumi u bë i fuqishëm dhe me banorë shumë…”.

Kjo rritje ndoshta shpjegon edhe ngritjen e një limani të ri të veri të Durrësit… Liman antik ky që në fillimshekullin XX mori emrin “Porto Romano”.

Pas zgjerimit të qytetit drejt pjesës kodrinore veri-lindore, shkrimtari grek Pausania, shkruan: “Epidamnasit në kohën e sotme (në vitet 180-160 para Krishtit), nuk banojnë më në shumicë në pjesën e qytetit të vjetër, por në pjesën e re të tij, larg limanit. Qyteti i sotshëm quhet Durrah, prej emrit të themeluesit…”. 

Muret e para rrethuese-mbrojtëse të Durrah-Epidamnit, autorët antikë i kanë krahasuar me muret pellazgjike të Athinës, të Delfit dhe të Epirit.

Historiani romak Annael Lukani (nipi i Senekës), tek vepra “Pharsalia” i përshkruan muret rrethuese të Durrahut si të ngritur me punë mbinjerëzore…

Korpusi arkitektonik madhështor

Në Akropolin e Durrahut janë ndërtuar tempuj kushtuar Afërditës, Artemisës, Erosit, dhe altarë të tipit “Dorik” kushtuar Demetrës.

Topografia e gjetjeve arkeologjike na kumton se qendra administrative dhe ekonomiko-kulturore e Dyrrahut ka shenjuar kulmin e zhvillimit dhe trajtën më të plotë gjatë viteve 350-300 para Krishtit, dhe këtë e dëshmojnë “Mozaiku i Bukuroshes” dhe gjurmët arkitektonike, sikurse kolonadat dhe kapitelet dorike e jonike, frizat e arkitrarët…, prania e shumtë e të cilave dëshmon gjithashtu edhe ekzistencën e atëkohshme të godinave madhështore dhe përdorimin e teknikave tejet të avancuara të ndërtimit.

Tashmë është vërtetuar se ndërtesat kryesore për përmbushjen e funksioneve publike të drejtimit dhe administrimit të qytetit kanë qenë ato të “Kuvendit” dhe të “Këshillit të qytetit”, që rivalizoheshin dukshëm nga ndërtesa e Prytanisë (pakashumë Bashkia e qytetit), në krye të së cilës qëndronte Kryetari i qytetit, i quajtur “Prytanium (Prytani)”.

Sekretari i Prytanisë konsiderohej gjithashtu se kishte post publik tejet të rëndësishëm, pasi shpallte ligjet…

Qyteti ka patur shëtitore të ndërtuar pranë Agoras dhe ndërtesës së Teatrit.

Sipas autorëve antikë, Durrahu kishte bibliotekë, gjimnaz, teatër dhe stadium.

Nga të gjitha godinat, ajo e Teatrit (jo e Amfiteatrit, sepse këto objekte ndryshojnë midis tyre) zinte vendin më të zgjedhur të qendrës së qytetit, e ku aktorët e qytetit dhe komediantët shëtitës luanin veprat e Euripidit dhe Plautit.

Por qyteti, përveç Teatrit ku zhvilloheshin shfaqje teatrore dhe mbaheshin fjalime e debate politike me interes publik e zgjedhor, kishte edhe Amfiteatrin, që ishte njëfarë “teatri në natyrë”, ku zhvilloheshin ndeshjet e gladiatorëve midis tyre dhe me kafshët e egra.

Kapaciteti i Amfiteatrit të Durrahut antik ishte 18 mijë vende dhe për nga madhësia vinte direkt pas Amfiteatrit të Romës.

Mendohet se qyteti i Durrahut asokohe kishte më shumë se 50 mijë banorë.

Durrahu, mitologjia dhe idhujtaria

Babai i perëndive Zeusi, (i adhuruari i pellazgëve dodonas dhe njëkohësisht bashkëshorti i Dionës dodonase dhe i Herës kretase), mbeten figurat qendrore të panteonit antik të Dyrrahut.

Figurën e Zeusit në skulpturën durrahase e gjejmë të realizuar në një shtatore të përmasave natyrale, si dhe në një basoreliev, krahas Herës, si rrufe-hedhës (vepra që datojnë në shekujt VI-V para Krishtit). Gjithashtu Zeusi dhe Hera janë të pranishëm edhe në monedhat e prera nga qyteti.

Por Durrahu, sipas burimeve antike të shkruara, ka patur edhe një tempull kushtuar bijës së Zeusit, perëndeshës Athina.

Për nder të perëndeshës Afërdita, e cila konsiderohej si mbrojtësja e qytetit, në Durrahun antik kryheshin rituale të veçanta nderimi, ku gratë dhe vajzat i luteshin Afërditës që t’u falte pjellori, shëndet dhe bukuri.

Përveç Afërditës, (të cilën romakët pasi pushtuan Durrësin e emërtuan “Venera”), gratë dhe vajzat e Durrahut përzgjodhën edhe vajzën tjetër të Zeusit, Artemisën, si mbrojtëse dhe hyjni, ndaj dhe në nder të saj zhvilluan gjithashtu kult dhe adhurim pothuajse poaq sa edhe ndaj Afërditës.

Edhe Atemisën (Artemidën), romakët e pagëzuan me emrin e tyre “Diana”.

Gjithashtu Durrahu antik kishte ndërtuar tempuj dhe kulte edhe për Apollonin, Demetrën, Persefonin dhe vëllanë e Zeusit, Poseidonin. (Sipas mitologjisë, Poseidoni dhe Demetra ishin prindërit e Persefonit, kurse Apolloni ishte vëllai i Artemisës me baba Zeusin).

Adhurimi ndaj Hermesit (Mërkurit romak), këtij “mbrojtësi të të varfërve, udhëtarëve e tregtarëve”, nga gjetjet arkeologjike dhe pohimet e autorëve antikë dëshmohet se ishte më i përhapuri ndër banorët e Durrahut të atëkohshëm. Por edhe kulti i Dionisit (Perëndisë së rrushit dhe të verës së famshme durrahase), ishte shumë i përhapur dhe dominant.

Edhe Asklepi (Perëndia e Shëndetit dhe e Mjekësisë), zë një vend të rëndësishëm në jetën e durrahasve antikë, dhe rrjedhimisht edhe në panteonin e tyre të lutjeve dhe shërbesave…

Tek vepra e titulluar “Mbi mrekullitë e dëgjuara”, Aristoteli i famshëm, qysh në shekullin IV para Krishtit, shkruan: “Thonë se ilirët e quajtur ‘taulantë’, bëjnë nga mjalti një verë të ëmbël dhe të fortë…”.

Ndërsa autori romak i shekullit I para Krishtit, Plini, shkruan: “Qytetarët e Durrahut lëvdojnë dhe kultivojnë baliskën (lloj rrushi), që i ka kokrrat më të rralla dhe nuk do t’ia dijë as nga vapa e as nga era e Jugut…, dhe jep shumë prodhim”.

Në veprat durrahase të arteve pamore, krahas Zeusit, shfaqet dendur edhe figura e heroit mitologjik, Herakliut.

Që të dyja hyjnitë në fjalë Zeusin dhe Herakliun, durrahasit e lashtë i lidhnin me themelimin e qytetit, ndërsa perëndeshat Hera dhe Afërdita i konsideronin si mbrojtëset e qytetit zulmëmadh.

Thagma historike dhe teoriko-interpretative

Vijimësia e studimit dhe e interpretimit historiko-antropologjik të kulturës materiale të zbuluar nga Arkeologjia, nëpërmjet fuqisë analitike të instrumentariumit të Filozofisë së Historisë – e konsolidon konkluzionin e pakundërshtueshëm se: Kultura materiale, ajo artistiko-shpirtërore dhe religjiozo-qytetërimore, bartëse të të cilave ishte bashkësia e qytetarëve të të njëjtit komunitet etniko-kulturor në trajtën e substratit social durrahas në mbarë qytetin stërmadh dhe rrethinat – nuk janë tjetër veçse dëshmi të Etnicitetit Unik Ndërmesdhetar Iliriko-Taulant… Çka nëse perifrazojmë, do të thotë se pavarësisht luftërave civile dhe modulimeve demografike prej ardhacakëve (kolonëve “korfuzas-kërkyras” dhe korintas), apo prej ilirëve liburnë, (që ishin njëkohësisht detarët dhe tregtarët më të shquar të antikitetit) – Substrati Iliro-Taulant i Durrahium-Epidamnit antik mbeti i pandryshuar dhe vijoi historikisht si i tillë.

Thënë ndryshe, Durrahium-Epidamnin gjenial të antikitetit nuk e themeluan dhe nuk mundeshin kurrsesi ta themelonin ndoca ardhacakë të ishujve të Jonit të Jugut e të Egjeut, ardhur me anijëza që voziteshin me rrema, e që krahas mjeranëve të mardhur e të uritur mbartnin edhe ndoca amfora me vaj, mjaltë e verë… Ardhacakë këta që u mirëpritën nga taulantët autoktonë dhe u asimiluan.

Injorantët dhe qëllimkëqinjtë që abuzojnë me historinë dhe historiografinë burimore, ngatërrojnë ndikimet, shkëmbimet kulturore dhe prurjet minore demografike, me autoktoninë…  

Durrahu aleat i Romës

Në vitin 229 para Krishtit, Durrahu i mësuar me liri e refuzoi pushtetin e Mbretëreshës Teuta të Ardianëve (që mbretëroi vetëm 2 vjet gjatë periudhës 230-228 para Krishtit) dhe nga inati i Ardianëve që kishin pushtuar Lisusin-pronë e shtetit të Durrahut, nënshkroi traktatin me Romën, duke njohur sovranitetin e saj dhe duke garantuar autonomi vetëqeverisëse.

Pas rënies rob lufte të mbretit Gent të Ardianëve (familjarisht) në duart e romakëve (në vitin 169 para Krishtit), Senati romak vendosi që t’i jepte Durrahut aleat afro 80 anije nga rreth 220 të tilla që kishte patur flota detare e Gentit.

Pas njohjes së suzerenitetit të Romës prej Durrahut, me vendim të Senatit të saj Durrahu u shpall si njëri nga 10 qytetet ilire që u konsideruan “nën regjimin CIVITAS”, që nënkuptonte se ishin qytete autonome që administroheshin nga nëpunës vendas që zgjidheshin çdo vit, e që i paguanin Romës vetëm gjysmën e haraçit që paguanin qytetet e tjera ilire të pushtuara me luftë.

Çezari kundër Pompeut dhe Durrësi

Në vitin 49 para Krishtit, në kundërshtim me urdhrin e Senatit romak, Jul Çezari i ardhur nga Galia kapërceu lumin Rubikon (në veri-lindje të Lombardisë, sot pjesë e rajonit Emilia Romagna, midis qyteteve Rimini dhe Cezena) dhe mori nën kontroll Romën.

Kundër tij, me mbështetjen e Senatit romak u pozicionua gjenerali Pompeu me legjionet me të cilat asokohe kish pushtuar Maqedoninë dhe kontrollonte edhe aleatët ilirë si Durrahun dhe Apoloninë, ku kish instaluar legjionet.

Çezari, me flotën e tij me 7 legjione (42 mijë ushtarë), pasi zbarkoi në Palasë (Paleste) dhe në bregun e Germineve (Dhërmi), me një marshim të shpejtë pushtoi Orikun (Orikumin) dhe paskëtaj mori edhe Apoloninë (deri atëkohë nën Pompeun), ndërkohë që bylinët, amantët dhe epirotët i shprehën bindje dhe besnikëri.

Manovrat luftarake dhe luftimet midis tyre zgjatën më shumë se një vit dhe u zhvilluan në të gjithë ultësirën perëndimore, sidomos rreth qytetit të Durrahut dhe rrethinave, ndërkohë që Durrahu i rrethuar me mure të fortifikuara ishte shndërruar kryesisht në rezidencë të garnizoneve të Pompeut.

Beteja vendimtare midis dy ushtrive u zhvillua në Farsala të Thesalisë, ku Çezari triumfoi dhe filloi epokën e sundimit tiranik mbi Romë, deri kur u vra në mars të vitit 44 para Krishtit.

Paskëtaj mbi Iliri u vendos e ashtuquajtura “Pax Romana”, gjatë së cilës fuqia ekonomike dhe rëndësia e Durrësit u zvogëluan ndjeshëm për disa shekuj.

Rrënimet e Durrahut ndër shekuj

Perandori romak Dioklecian, që sundoi në periudhën 284-305, kreu Reformën Administrative që e ndau territorin e Ilirisë në 3 provinca të mëdha, nga të cilat ajo e Epirit të Ri (Epirus Nova) me kryeqendër Durrahun shtrihej në hapësirën gjeografike midis lumenjve Vjosa dhe Mat.

Milan Shuflai shkruan se: “Tërmetet më katastrofike që rroposën Durrahun antik ishin ato të viteve 177 pas Krishtit dhe pas tij, në vitin 345 pas Krishtit Durrahu u shkatërrua nga një tërmet i tmerrshëm që fundosi nën det të gjithë pjesën e poshtme të qytetit, që sot shtrihet në zonën midis Portit dhe Currilave.

Poaq shkatërrimtare ishin edhe dyndjet barbare, sikurse ato të vitit 401, kur Visigotët e Alarikut pushtuan pjesën lindore të qytetit.

Në vitin 459, mbreti Valamir në krye të Ostrogotëve arriti në periferi të qytetit, por vetëm në vitin 479 Durrahu u pushtua dhe u rrënua nga mbreti Teodorik i Ostrogotëve.

Por sipas Shuflait, në vitin 518, përsëri një tërmet tejet i fuqishëm e shkatërroi qytetin që ishte rindërtuar nga perandorët Anastas, Teodos dhe Justin… dhe i fundit tërmet i tmerrshëm ishte ai i vitit 1273.

Perandori romak “Anastas Durrahasi”

Pas hipjes në fronin e Romës dhe sundimit të perandorit Anastas i Parë (491-518), “Atdheu që ua kalon të tjerëve për nga bukuria-pra Durrahu-sipas Prokopit të Gazës”, filloi të rindërtohej dhe të rrethohej me mure të reja pas rrënimit të mureve të vjetra rrethuese nga tërmeti dhe nga dyndjet e barbarëve.

Perandori Anastas ndërtoi mure 12 metër të lartë, 4400 metër të gjatë dhe 3.5 metër të gjerë, që rrethonin një sipërfaqe të fortifikuar prej 110 hektarësh.

Kapitelet e gjetura nga arkeologu francez Leon Rei në vitin 1923, krahas përmasave të rrënojave bash në qendër të qytetit, sugjerojnë se në kohën e sundimit të tij perandori Anastas ndërtoi për Durrahun një nga katedralet më të mëdha të kohës.

Anastasi ndërtoi gjithashtu edhe hipodromin e qytetit, vepër që konfirmohet edhe nga Marin Barleti, por jo nga gërmimet arkeologjike të derisotme.

Justiniani dhe transformimet e Durrahut

Në periudhën e sundimit të perandorit Justianan i Parë (527-565), qyteti pësoi transformime të ndjeshme në arkitekturë dhe urbanistikë, duke marrë trajtat e një qyteti tipik bizantino-kristian.

Në shekullin VIII në Durrah u formua e ashtuquajtura Njësia Administrativë “Ahrondia e Durrahut”, formë vetëqeverisjeje kjo e qytetit bashkë me krahinat përreth.

Në vitet e para të shek. IX u themelua njësia administrative bizantine e quajtur “Thema e Durrahut”, me synim mbrojtjen luftarake nga armiqtë dhe mbrojtjen tregtare nga konkurrenca.

Kjo njësi ushtarako-administrative përfshinte trojet nga Tivari në Veri e deri në gjirin e Vlorës në Jug, ndërsa në Lindje kufizohej me lumin Drin.

Durrahu si kryeqendër e Arbërit

Në shekujt XI-XV shteti shqiptar njihej me emrin “Shteti i Arbërit”…, shtet që e arriti kulmin e zhvillimit gjatë periudhës së mbretërimit të Gjergj Kastriotit.

Sipas kronikanëve otomanë të shekullit XVI, Durrësi, apo siç e cilësojnë ata “Konstandinopoja e Dytë”, u pushtua nga turqit më 13 gusht të vitit 1501.

Ky pushtim shënoi një fazë të re të shkatërrimit të Durrahut nga otomanët. Shkatërrim që rrënoi totalisht muret mbrojtëse të rindërtuara nga Perandori Anastas i Parë Durrahasi.

Pas pushtimit otoman, Durrahu u shndërrua në një qytezë me 100-120 shtëpi, dukë mbetur e tillë për një periudhë relativisht të gjatë.

Në një relacion të Pjetër Bogdanit të viteve 1675-1676, Durrësi “… nuk është veçse një fshat me një fortesë të rrënuar”.

Vetëm në shekulli XVII, qyteti filloi të rimarrë veten dukë u shndërruar në qendër të tregtisë tranzite dhe në skelën kryesore të Shqipërisë së Mesme.

Familja e Engjëllorëve durrahas dhe Pal Engjëlli

Familja e Engjëllorëve ishte një ndër ato familje aristokratike, që menjëherë sapo la trojet arbërore dhe u vendos në Itali, kërkoi të rivendoste statusin e saj prej familjeje fisnike, duke rikonfirmuar të gjitha privilegjet që kishte në Shqipëri.

Papa Piu V i konfirmon Andrea Engjëllit, fisnikut, Dukës, Princit dhe Kontit të Drishtit, Durrësit dhe Pultit të Ulët, lidhjet e tij të gjakut me perandorët romakë, si dhe me perandorët e Kostandinopojës.

Njëri ndër figurat më të shquara të kësaj familjeje është Pal Engjëlli, Kryeipeshkvi i Durrësit dhe njeriu shumë i afërt i Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Ndërsa në anën tjetër Pal Engjëlli ishte personalitet shumë  i besuar i Selisë së Shenjtë dhe i Republikës së Shën Markut.

Durrahasi i famshëm Karl Topia

Karl Topia (1331-1388), ka qenë një fisnik arbër që sundoi në Arbëri në shekullin 14…, dhe pasi ftoi fuqitë otomane për të luftuar armiqtë e tij, Balshajt, u bë vasal i tyre dhe më pas i venedikasve.

Në vitin 1380 Karl Topia rindërtoi manastirin e Shën Gjon Vladimirit pranë Elbasanit, që ishte shkatërruar nga një tërmet.

Ai gjithashtu ndërtoi manastire e kështjella në Durrës, Petrelë dhe Elbasan.

Ai ishte i biri i Andreas së Tanush Topisë dhe ishte Kont i Matit.

Ishte djali i bijës natyrore të Mbretit të Napolit, Robertit të Parë të Anzhuinëve.

Në vitin 1381 Karl Topia ka lënë të shkruar se rrjedh prej gjakut të mbretit francez.

Pavarësisht se u mëshonte lidhjeve me Anzhuinët, Karli kishte vendosur t’u shkëpuste atyre Durrësin.

Në vitin 1368 Durrësi ra në duart e tij.

Durrësi në prag të Pavarësisë dhe më pas

Në “reformën administrative otomane” të vitit 1888, Durrësi u emërtua si Sanxhak i Vilajetit të Shkodrës.

Në fillim të vitit 1912, qyteti tashmë me rreth 4700 banorë ishte transformuar në nyjë kryesore ndërlidhjeje midis qendrave të lëvizjes kombëtarë për pavarësi.

Më 26 nëntor 1912 një grup atdhetarësh të kryesuar nga Ismail Qemali, ngritën në Durrës flamurin e Pavarësisë.

Sundimit turk i kishte ardhur fundi, por duket së qytetin e Durrësit e lakmonin pushtues të rinj.

Më 7 nëntor 1912 kryeministri serb Nikolla Pashiq i deklaroi gazetës franceze “Le Temps” se “Pa dalje në det, Serbia nuk ka asnjë garanci për ekzistencën dhe zhvillimin e saj ekonomik. Prandaj Serbia kërkon portin e Shëngjinit, Lezhën dhe portin e Durrësit”.

Edhe më 25 nëntor të vitit 1912, kryeministri serb Pashiq i deklaroi gazetës londineze “Times” se “Serbia kërkon Durrësin me pjesën më të madhe të hinterlandit (rrethinave)”.

Ndaj dhe kur pushtuesit serbë hynë në Durrës në vitin 1913, ushtarët serbë u futën në det, hoqën kapelet, i mbushën me ujë të cilin e hidhnin mbi uniforma, dhe në ekstazë thërrisnin me sytë të drejtuar nga qielli: “O bozhe moj…, nash Draç – O Zoti im…, Durrësi ynë”.

Gjithashtu Durrësi përjetoi edhe pushtimin austro-hungarez të vitit 1916 dhe pushtimin italian të vitit 1918.

***

Qysh nga antikiteti dhe gjatë gjithë Mesjetës e deri në kohët moderne, Durrësi është konsideruar kryeqendra administrative dhe qytetërimore e Ilirisë, Arbërisë dhe e Shqipërisë.

Esat Pasha, kur krijoi Qeverinë e tij të Durrësit në vitin 1913, kishte parasysh se Durrësi, dhe jo Vlora, ishte kryeqendra historiko-administrative e shqiptarëve qysh prej 3000 vjetësh, ndaj dhe e braktisi qeverinë e Ismail Qemalit dhe e la në Vlorë pa asnjë brerje ndërgjegjeje.

Princ Vidi e konsideroi Durrësin kryeqytet të Principatës së Pavarur të Shqipërisë me të në krye si Sovran, dhe po të tillë, pra si kryeqytet, e shpalli edhe Qeveria e Durrësit e vitit 1918, e Turhan Pashë Përmetit.

Të tillë, gjithashtu si kryeqytet e konsideruan edhe atdhetarët në Kongresin e Lushnjes, të cilët me vendosjen e selisë së qeverisë në Durrësin-kryeqytet të Shqipërisë londineze, synonin jo vetëm të neutralizonin përpjekjet e ithtarëve të Qeverisë së Turhan Pashë Përmetit, por edhe t’i kumtonin me simbolikë Esat pashë Toptanit që kish krijuar qeverinë e tij të Durrësit në vitin 1913, se më kot vazhdonte të vetëshpallej kryetar i ligjshëm i Qeverisë së Shqipërisë në Versajë. Pra atje ku zhvillonte punimet Konferenca e Paqes dhe ku Esati deklaronte se ishte aleati i Fuqive të Antantës, që kish luftuar me 5 mijë vullnetarë të tij në Frontin Lindor të Selanikut.

Ndaj dhe karvani i trupës qeveritare e zgjedhur nga Kongresi i Lushnjes, nën drejtimin e ministrit të Brendshëm Ahmet Zogu po marshonte drejt Durrësit. Por më kot, sepse ushtria italiane e tmerruar që Durrësi po i dilte nga duart, e ndaloi karvanin me dhunë.

Paskëtaj Ahmet Zogu, i cili kishte mbështetje të madhe në Tiranë si nip i derës më të shquar të Toptanajve dhe që kish besim të fortë tek atdhetarët tiranas, evitoi incidentin e rrezikshëm dhe e zhvendosi udhëtimin e karvanit qeveritar drejt Tiranës, pa marrë parasysh kërcënimet e italianëve, çka më pas solli si rrjedhojë shpalljen e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë.

***

Edhe më 7 prill 1939, margaritari i kurorës shqiptare që duhej shtënë në dorë i pari nga Perandoria e re fashiste e Duçes ishte Durrahu-Durrësi…, ashtu si në kohën e Romës së Lashtë, edhe tashmë nga Roma e Tretë.

Ushtria Kombëtare shqiptare me në krye Abaz Kupin e dinte këtë plan pushtimi, ndaj dhe përzgjodhi si luftëtarë rezistence qindra trima si Mujo Ulqinaku.

Ndaj dhe në drejtim të Durrësit Duçja nisi mbi 400 avionë, tanke e luftanije, krahas 40 mijë ushtarëve.

Skema e krimit kulturor të radhës në Durrës

Format klasike të pushtimeve ushtarake me gjakderdhje, tashmë ia kanë lënë vendin formave të sofistikuara të pushtimeve ekonomike dhe kulturore, si dhe grabitjes dhe rrënimit të aseteve të çmuara kulturore, arkeologjike dhe pronësore. 

Vazhdimi i projekteve për groposjen nën beton të zonave të shquara arkeologjike “në emër të zhvillimit ekonomik…”, realizohet me skemat e faktit të kryer, pavarësisht pengesave ligjore.

Me skemën e faktit të kryer u ndërtua nënkalimi me platformë betoni dhe mbi të Veliera e famshme.

Po me këtë skemë të faktit të kryer po kurorëzohet edhe plani për ngritjen e Pallatit të Drejtësisë në truallin e lakmuar të Lulishtes së Mauzoleumit të Dëshmorëve.

Ky projekt po rrezikon zhdukjen përfundimtare të pjesës së mbijetuar deri më sot të lagjes antike romake, që, fillimisht, ishte dëmtuar pakthim me Pallatin e Kulturës…

Kundër këtij projekti arkeologët e kanë ngritur zërin ngaqë aty “veprat e artit dhe mozaikët e afresket ndodhen me shumicë”, dhe se “qysh prej vitit 1961 nëntoka e Durrësit është shpallur…, ndaj dhe mbrohet me VKM nr. 172, datë 2 qershor 1961”.

Pavarësisht se arkeologët të mbështetur nga aktivistët e Shoqërisë Civile kanë paditur në gjykatë Bashkinë Durrës për hartim projektesh në kundërshtim me kuadrin ligjor, skema mafioze e faktit të kryer kur gjykimi zvarritet dhe ende nuk ka përfunduar, është shpërfillje flagrante e ligjit.

Por pasi këta shkelës të ligjit e vënë drejtësinë para faktit të kryer, lind pyetja: ku e marin guximin…, që nuk i tremben ndëshkimit ligjor? Natyrisht e marrin tek mafia e pushtetit dhe betonizuesit privatë.

Pra hall me e mbrojt Durrësin nga hasmi, hall me e mbrojt nga bolshevikët tanë dhe hajdutët privatë, si dhe hall me e mbrojt prej shumëkombësheve…

Pasi e zbatuan skemën me Velierën, shkelësit e ligjit thanë në gjykatë se atje nuk kishte kurrfarë objektesh arkeologjike. Padyshim që kështu do të thonë edhe kur ta zbatojnë skemën dhe ta mbulojnë gjithçka me betonin e Pallatit të Drejtësisë.

Hajde shkule betonin pastaj që të vërtetosh të kundërtën… Dhe fiton betoni…

Tashmë Durrësi pas 30 vjetësh i është nënshtruar marsh-marshimit të barbarëve, me vargjet “Botën mizore ta shkatërrojmë / që nga themelet dhe pastaj / për veten tonë të ndërtojmë / botën e re në vend të saj…”.

Për këtë marsh-marshim të barbarëve, Faik Konica, ky intelektual brilant, shkroi Apelativin: “Sot kanë dalë ca zuzarë / që u lindën shqiptarë / e punojnë natë e ditë /’ që të mbetemi pa dritë / Është turp për kësi krimbash / të mundohet një komb trimash”.

Sërish apelativi “Unë akuzoj”

Pas masakrës së projektuar për shkatërrimin me paramendim të kulturës 3 mijë-vjeçare të Durrësit dhe projektimit të grabitjes miliardare të aseteve ekonomike nga Jevgu i Shkretëtirës – nga thellësitë e mijëveçarëve stërgjyshërit tanë gjenialë që ndërtuan qytetërimin perandorak ilirik, bashkë me pasardhësit e lavdishëm të tyre apelojnë dhe akuzojnë… Këta janë: Mbretërit Epidamn; Durrah; Galaur; Grabo I; Glauku; Monuni; Mytili; mbretëresha Teuta; perandori Anastas I; Jan Kukuzeli; Karl Topia; Tanush Topia; Pal Engjëlli; Gjergj Danush Lapacaja; Leonik Tomeo; Andrea Aleksi; Aleksandër Moisiu; Mujo Ulqinaku; Ibrahim Kodra; Nikolin Xhoja; Vangjel Toçi; Gavril Priftuli; Sabri Tuçi; Nikolet Vasia; Moikom Zeqo; Guljelm Radoja.

Shpirtrat dhe gurët e varrit të tyre nuk do të pushojnë të qetë deri sa ne të përmbushim amanetin për të mos e falur Durrësin, që përjetësisht ka qenë dhe duhet të mbetet i iliro-arbër-shqiptarëve. 

Perëndimi dhe intelektualët publikë

Historia e qytetërimit perëndimor ku duam të integrohemi, është kronikë e zymtë dhe shpesh e dhimbshme e ballafaqimit midis mendimtarëve dhe intelektualëve antikonformistë nga njëra anë, dhe pushteteve politike të rreshtuar në krah të oligarkisë, nga ana tjetër.

Arritjet në të Drejtat e Njeriut dhe standardet demokratike nuk e kanë shterrur konfliktin midis intelektualëve shpesh të vetmuar dhe kundërshtarëve të tyre epikë, të palodhur në nëpërkëmbjen e vlerave njerëzore, kulturore dhe interesave publike e kombëtare.

Qëndrimet e mendimtarëve dhe intelektualëve që kemi cituar, janë dëshmi të përballjes së ashpër midis tyre, sidomos gjatë dy shekujve të fundit.

Këtë model ballafaqimi me ngadhënjyes moralë intelektualët, e kemi thirrur në ndihmë si udhërrëfyes dhe si model për mbrojtjen e kauzave e mëdha qytetërimore, kulturore dhe kombëtare.

Dimensioni kuazi-“profetik” i intelektualit

Intelektual është individi që jeton për ideale të larta dhe për ide sublime.

Intelektuali është individi tek i cili mendimi ka përcaktuar jetën.., është personaliteti që ka një qëndrim humanist ndaj shoqërisë në tërësi dhe ndaj rrethit të tij familjar e shoqëror në veçanti.

Një intelektual nuk mundet kurrsesi të jetë mesatar dhe mediokër në formim, përveçse i arsimuar dhe i edukuar me dije të thella e me cilësi të lartë.

Intelektuali nuk mund të jetë përveçse një njeri i mençur, që di sesi të lexojë thellësinë dhe brendinë e gjërave (intus-legere!). Ai duhet të dijë të deshifrojë dhe brendësojë përmbajtjen e librit enigmatik të natyrës dhe duhet të jetë i aftë për të rrokur dimensionet sekrete të betejave ekzistenciale në shoqëri.

Synimi i tij në arritjen e objektivave nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë sasia, por cilësia.

Për vlerësimin e një intelektuali nuk ka rëndësi vetëm çfarë ai di, por edhe për çfarë mendon, si mendon, si shprehet dhe si e gjykon botën rreth tij.

Intelektuali është një krijues në kuptimin e plotë të fjalës, sepse prodhon diçka të re dhe të vlefshme.

Fushat kryesore të profesionit dhe lënda e parë e një intelektuali janë filozofitë, idetë, fetë, botëkuptimet, problemet e ekzistencës dhe të veprimit njerëzor, kultura, shkenca, arti, qytetërimet, morali; përgjegjësia etike për racën njerëzore, ndërgjegjja e njerëzimit, problemet e jetës publike, qëndrimet kritike ndaj realitetit shoqëror, etj..

Instrumenti kryesor i përdorur nga një intelektual është intelekti i tij.

Intelektuali zotëron besim të thellë në fuqinë e arsyes dhe të dijes. Ai është një aristokrat i shpirtit.

Ai sfilitet teksa merret me problemet jetësore të njerëzimit dhe përpiqet t’i zgjidhë ato.

Për të, angazhimi mendor dhe moral është shumë i rëndësishëm.

Zgjuarsia është kriteri dhe mjeti kryesor i vlerësimit të cilësisë së punës së tij, prandaj një intelektual është një njeri që e vendos dhe e përdor vetveten sistematikisht dhe sinqerisht në funksion të shoqërisë dhe popullit të tij.

Ai është një mendimtar par exellence, integral dhe i gjithanshëm. Si i tillë, ai përqendrohet në zgjidhjen e problemeve të komunitetit duke zbuluar dhe vlerësuar kuptimin e mbijetesës.

Jeta dhe veprimtaria intelektuale kanë bazament dhe mision moralo-shoqëror, ndaj dhe intelektuali nuk mundet kurrsesi të vegjetojë dhe të nanuritet në shtratin e thjesht një profesioni dhe profesionalizmi të ngushtë, çfarëdoqoftë.

Në përputhje me vokacionin e tyre, ne mund t’i hierarkojmë intelektualët në lidhje me katër aspirata kryesore: 1-Besnikëria ndaj shpirtit, shpirtërores, virtytit, interesit publik, Atdheut, Kombit, për të cilët ata janë përgjegjës dhe bartës konceptesh e vlerash sipërore; 2-Dashuria për të Vërtetën, për të cilën ata janë mbrojtës; 3-Dashuria për të Mirën, që është Motra e të Vërtetës; 4-Promovimi aktiv prej tyre i idealeve humaniste dhe kauzave intelektuale.

Për shkak të këtyre përcaktuesve me rëndësi jetike, intelektualët duhet të zotërojnë cilësi, vlera shpirtërore dhe virtyte morale, aftësi për soditje, vigjilencë, mençuri, vërtetësi dhe sinqeritet, objektivitet gjykimi e qëndrimi, ndjenjë respekti ndaj fakteve, njohuri cilësore, vetëdije etike, përgjegjësi, adhurim të lirisë dhe mendim të lirë, ndershmëri, guxim, altruizëm, disiplinë, mendim kritik, përqendrim, zell, ndjenjë krijimtarie, aftësi për punë shkencore, etj..

Ideali dhe misioni themelor i një intelektuali është të jetë një dëshmitar i së Vërtetës dhe i shpirtit, krahas shërbimit ndaj tyre. Vetëm këto kauza i japin kuptim dhe justifikim ekzistencës së intelektualit.

Intelektuali është një individ meditativ, që ka si yll polar humanizmin dhe fatet e mbarë njerëzimit, çka natyrshëm e shtyn kah dashuria për popullin e tij, racën dhe kombin.

Si një aristokrat i shpirtit njerëzor, për nga konstrukti psiko-mental ai është i ngjashëm me profetët.

Intelektuali jeton, vepron dhe orientohet sipas fushës magnetike të inteligjencës… Inteligjencë të cilën jo vetëm e kultivon, por e përdor gjithmonë si mjet për të realizuar me cilësi maksimale të gjitha sipërmarrjet ideo-konceptuale dhe operacionet e mendimit të lartë tekniko-profesional e kulturor.

Angazhimi intelektual: kritik apo apologjetik?

Angazhimi i intelektualit synon të inkurajojë ndryshimin shoqëror kah përmirësimi i vazhdueshëm dhe i gjithanshëm i jetës publike.

Prej tij pritet të jetë i pavarur e i paanshëm në raport me të vërtetën që mbron, si dhe të deklarojë vetëm të vërtetën para pushtetit dhe publikut.

Detyra kryesore e misionit të tij është të kundërshtojë fenomenet dhe tendencat negative të sistemit, duke iu kundërvënë elitës dominuese me sens të fortë kritik dhe gjithmonë i pozicionuar në favor e në krah të publikut.

Në përballjen me pushtetin ai duhet të karakterizohet nga profesionalizmi cilësor, objektiviteti, principialiteti, fryma polemiste dhe guximi intelektual, edhepse kundërshtarët e tij në pikëpamje të dijeve profesionale mund të jenë pjesë e elitës sektoriale në administratën e këtij pushteti.

Madje edhe kur këndvështrimi i tij profesionalo-kulturor nuk ka shumë diferenca me paradigmat dominuese të pushtetit dhe nuk ofron zgjidhje dukshëm të ndryshme, angazhimi i intelektualit është simbolikisht tejet i rëndësishëm për shoqërinë. Dhe kjo sepse vetëm me ndihmën e intelektualit të pavarur dhe mbrojtës së interesave të saj, shoqëria distancohet dhe kundërpozicionohet aktivisht për të balancuar pushtetin që gjithmonë ka prirjen të dhunojë shoqërinë.

-“Më ke hipur mbi zverk dhe po më dhunon e po më vret, çfarë bën kështu?!”, i thotë shoqëria pushtetit!

-“Dua dhe do të bëj ç’të dua, ndaj dhe do të më durosh se s’bën, sepse më ke dhënë votën dhe legjitimitetin për 4 vjet”, i përgjigjet pushteti shoqërisë, teksa kalëron mbi kurrizin e saj.

-“Po nuk e kishin llafin kështu atëherë kur më luteshe dhe më premtoje parajsën në fushatën zgjedhore”, improvizonte dhe interpretonte dialogun virtual midis pushtetit dhe shoqërisë politikani Sabri Godo, për të ilustruar kundërvënien…

Dhe përvoja jonë 31 vjeçare e përplasjeve të dhunshme “pushtet-shoqëri”, deri në konflikt të armatosur, sintetizon ballafaqimin e përjetshëm midis dy poleve të sipërcituara.

Unë personalisht mendoj se angazhimi i intelektualit publik në raport me tandemin pushtet-shoqëri duhet të jetë njëkohësisht edhe kritik, edhe apologjetik.

Intelektuali në tranzicionin pluralist

Në shoqëritë në tranzicionin drejt demokracisë intelektuali përballet me rreziqe në rritje pas artikulimit të mendimit kritik dhe angazhimit shoqëror kundër sistemit, sapo ky nis të deformohet e të ngarendë kah profilizimi i regjimit autoritarist. Madje në këto shoqëri parademokratike intelektuali është “letër-lakmuesi” i parë që provon ekzistencën e mjedisit mbytës për Lirinë si koncept teorik dhe si e Drejtë e legjitimuar juridikisht por e mohuar në realitet, e që populli e sintetizon në maksimën “Ke të drejtë, po gjë s’të takon…”.

Një nga truqet më të zakonshme të pushtetit politik për të relativizuar, delegjitimuar dhe qesharakëzuar mendimin dhe qëndrimin kritik të intelektualit publik të bazuar plotësisht në fakte, është përdorimi i të ashtuquajturave “fakte alternative”.

Kaq abuzive, arbitrare, trysnuese e dhunuese të logjikës janë këto “fakte alternative” dhe kaq i pamundur është konfirmimi i vërtetësisë së tyre bashkë me origjinën dhe burimet institucionale, saqë rezultantja e përftuar garanton degradimin deri në shkërmoqje të plotë të besueshmërisë së intelektualit. Paskëtaj imazhi dhe autoriteti në publik i këtij intelektuali të projektuar si “viktimë e fakteve alternative”, njolloset plotësisht.

Përdorimi i “fakteve alternative” si marifet djallëzor anti-intelektual është simetrik për nga ligësia dhe brutaliteti me qëndrimin e Hitlerit, të cilit kur i vunë në dukje se faktet flisnin kundër tij dhe regjimit nazist, u përgjigj me batutën e famshme “Aq më keq për faktet.”.  

***

Një kërcënim i veçantë anti-intelektual është edhe fuqia në rritje e mediave në pronësi të disa qarqeve të padeklaruara dhe grupeve lobiste që kanë akses të frikshëm tek klikat përqark dhe brenda pushtetit politik. Këto media të vëna në shërbim të pushtetit të klikave dhe oligarkëve, në vazhdimësi kërcënojnë thelbësisht reduktimin e kapaciteteve dhe hapësirave publike të intelektualëve kritikë, duke kontribuar në rritjen e skepticizmit, frikës dhe në terrorizimin e opinionit publik.

Mediat dhe intelektualët publikë që dalin nga rreshti e që guxojnë të prishin skemat dhe të kërcënojnë interesat okulte, ndëshkohen me ligj. (Mjafton të ndërmendim për ilustrim këtu “Ligjin për Shpifjet në Media dhe Rrjetet Sociale…” të pushtetit socialisto-soroisto-edramist, që Europa ku duam të integrohemi e ka kundërshtuar ashpër si kundërvënie ndaj lirisë individuale të mendimit dhe ndaj lirisë së medias…, çka gjithsesi  nuk e ka tundur kryeministrin nga istikami…)

Dhe kur mendon se këtë ligj e ka ideuar ish gazetari Kohë-Jons i lirë për të thënë dhe shkruar gjithçka gjatë viteve ’90-të, kupton se pushtetet korruptive dhe agjendat e frikshme prodhojnë metamorfoza shpërfytyruese të ish intelektualëve të lirë që mohojnë lirinë dhe shndërrohen në autokratë kur futen në politikë dhe marrin pushtet.

Megjithatë, koha ka treguar se pesha specifike dhe fuqia publike e intelektualëve rritet nëse ata i qëndrojnë larg politikës dhe mbeten përfaqësues të lirë dhe bartës aktivë të autoritetit meritor në sytë e “të pazëshëmve të margjinalizuar, që s’i dëgjon dhe s’i pyet askush”.

Kanti, intelektuali dhe natyra njerëzore

Politologët dhe sociologët pajtohen njëzëri në konkluzionin se realiteti shoqëror është shumatore e lidhjeve të padukshme që formësojnë blloqe sociopolitike që pozicionohen në barrikadat e luftës për pushtet.

I distancuar prej këtyre blloqeve është dhe mbetet Intelektuali i Pavarur me Autonomi të Mendimit…, që vlerësohet si kategori historike me natyrë antropologjike dhe kulturologjike, subjekt dhe natyrë që ndryshojnë sipas epokave dhe sistemeve politike.

I pari që futi nocionin e autonomisë në çështjet morale ishte Kanti, sipas të cilit “Autonomia është një parakusht për realizimin e personalitetit të njeriut, ngaqë natyra nuk i ka dhënë njeriut përsosmërinë për të cilën ai është i aftë dhe ka nevojë ta përdorë, me qëllim që të zhvillohet…”.

Po sipas Kantit, “… njeriu nuk zhvillohet thjesht në liri dhe në kushtet e çfarëdolloj lirie. Ai nga natyra është i papërpunuar dhe nëse mbetet i tillë e pa zhvillimin e duhur arsimor e kulturor, shndërrohet në një qenie të ligë”.

“Ideja e lirisë është baza e nocionit të autonomisë intelektuale… Autonomi me të cilën lidhet në mënyrë ambivalente edhe parimi i përgjithshëm i moralit, që është udhërrëfyesi themelor i veprimtarisë humaniste të intelektualit dhe qenies njerëzore”, – përmbyll Kanti.

Intelektualët dhe pabarazia sociale

Kompleksiteti i shoqërisë bashkëkohore me kahje modernitetin dhe njohuritë e nevojshme që lipsen për ta drejtuar, çojnë pashmangshmërisht në dominimin e atyre që zotërojnë dije të sistemuara, të thella dhe jo thjesht njohuri. Kësisoj, gradualisht, pabarazia në dije dhe njohuri polli pabarazinë sociale që u shndërrua në sistem socio-ekonomik mbarëbotëror, por jo edhe në sistem vleror.

Krijimi i këtij sistemi të ri të pabarazisë sociale, natyrisht që bazohet edhe në diferencat në edukimin arsimor, aksesi në të cilin favorizon të pasurit që edukohen në shkollat më të mira dhe më të shtrenjtat, dukuri kjo që shndërrohet në një rreth vicioz që thellon pabarazinë sociale dhe atë të dijes.

Gjithashtu edhe përvetësimi i pushtetit nga të pasurit dhe elitat ndihmohet dhe thellohet edhe nga intelektualët, që janë bartësit e dijeve elitare dhe promotori i zhvillimit që ngarend edhe nga pushteti.

Kësisoj intelektualët, sidomos gjatë dhe pas revolucionit industrial u shndërruan në shtresën e monopolistëve të dijes, duke prodhuar dhe riprodhuar pabarazinë dhe duke i përdorur njohuritë e tyre për të nxjerrë maksimumin e fitimeve dhe përfitimeve për pasunarët dhe pushtetet e radhës.   

Ishin pikërisht intelektualët baza sociale e burokracisë dhe teknokracisë që përftojnë dhe prodhojnë njëkohësisht edhe elita sunduese sektoriale dhe pushtete në kushtet e kapitalit.

Anti-intelektuali i elitës pushtetore

Sot kompostura pushtetore i njeh rrjetit menaxherial të teknokratëve të ditur e tejet të arsimuar, një status të veçantë të konvertuar në mirëqenie dhe pozita dominuese në shoqëri.

Është pikërisht ky takëm “intelektuali” që për interesa materiale dhe joshje prej komoditetit dhe pushteteve që përkëdhelin sedrën dhe ambiciet për karrierë dhe vetërealizim, që një ditë prej ditësh i largohet misionit të mbrojtjes së interesit publik, që është shumatorja e interesave të më të varfërve dhe më të papushtetshmëve të shoqërisë.

Kësisoj dija dhe derdhja e saj në themelet e zhvillimit pollën bashkë me intelektualin edhe antipodin e tij: Anti-intelektualin e Elitës. Individ ky që në dallim nga intelektuali i vërtetë-përfaqësues i të pambrojturve dhe të pazëshmëve të shoqërisë, organizohet në elitë-klikat sunduese që gjithëherët kanë hipur mbi zverkun e të parëve që i votojnë sunduesit, me hir dhe me pahir, apo shitblerje votash.

Dhe kuptohet se, në përballjen midis intelektualit gjithmonë të paorganizuar dhe të parreshtuar, me elitë-klikën miliardare që shfrytëzon fuqinë e pushtetit dhe rregullat e lojës që i ka miratuar vetë, intelektuali si bartësi interesit publik bashkë me vetë publikun, gjithmonë humbasin… Dhe sërish vjen një ditë kur vullnetet dhe qëndresa thyhet, paratë korruptive blejnë shpirtin dhe varfërinë, dhe me vetëdije, si devetë, intelektualët e rrënuar dhe të pazëshmit e uritur, ulen me bindje për të marrë mbi shpinë shaluesin e pushtetit…

Kjo është edhe metamorfoza e dhimbshme e intelektualit drejt tiranisë së sofistikuar që merr trajtat e pushteteve politike “demokratike”, që prodhojnë e promovojnë gjithmonë oligarkë dhe interesa shumëkombëshesh që na thithin gjakun me tagrin e përfaqësimit që ua kemi falur vetë me anë të votave…

Ken Gallbreith për intelektualët

Publicisti dhe diplomati kanadezo-amerikan John Kenneth Galbraith, gjatë viteve ‘60 të shekullit të kaluar nënkuptoi dhe përshkroi bash klasën e re sunduese në kapitalizëm, teksa foli për “dominimin e korporatave të qeverisura nga teknokracia, qëllimi kryesor i të cilave është të mirëmbajnë dhe lartësojnë korporatat (dhe vendin e tyre në shoqëri), dhe jo të ardhurat e atyre që derdhin djersën…”.   

John Kenneth Galbraith

Galbraith teorizoi për “Revolucionin menaxherial”, koncept me të cilin përshkroi një “shoqëri të re, e cila nuk është as kapitalizëm dhe as socializëm, por është një shoqëri që është konverguar në një lloj unik të sistemit bazuar në dominimin e një klase të vetme të re – menaxherët teknokratë të partive politike, sundues në të gjitha fushat e jetës publike”. (Referuar këtij autori, mjafton të ndërmendim sesi partitë tona i kanë kapur dhe ndarë me skema e ujdira të gjitha institucionet, kushtetuese e jokushtetuese, universitetet, arsimin parauniversitar dhe Shëndetësinë, si dhe të gjitha llokmat e pushtetit në Shqipëri).

Çomski, intelektualët dhe Liria

Publicisti dhe intelektuali më antikonformist i epokës sonë, Noam Chomsky, i kritikon ata teoricienë liberalë që besojnë se guximi intelektual kërkohet dhe duhet të ekzistojë e të shpërfaqet vetëm në vendet me sistem politik jodemokratik. Teoricienë këta që po sipas tij propagandojnë se në Perëndim sistemi sundues demokratik i gjithëpranuar zotëron fuqinë që bazohet tek Liria Politike, tek Qasja e garantuar në Informacionin Zyrtar… prej Transparencës së Institucionalizuar, dhe, tek Liria e Shprehjes.

Çomski pohon me bindje të palëkundur se “Demokracitë perëndimore sigurojnë mjedisin, institucionet dhe kapacitetet trajnuese për një pakicë të privilegjuar intelektualësh, me qëllim që këta të përqendrohen fort dhe vetëm në kërkimin e së Vërtetës që qëndron gjithnjë e fshehur pas ekranit të përfaqësimit të rremë, pas ideologjisë dhe pas interesave pushtetore…”. Prandaj sipas tij, “Përgjegjësia e përhershme e intelektualit është të thotë të Vërtetën dhe të zbulojë Gënjeshtrat e t’i publikojë që të dyja në mediat e shkruara dhe vizive”.

Intelektualët sipas Zhan Bodrijar

Jean Baudrillard

“Intelektualët u tregojnë dhe u mësojnë qytetarëve atë që duhet të dëshirojnë, – shkruan filozofi i shquar frëng Jean Baudrillard (Zhan Bodrijar). Sipas tij, “publiciteti, informacioni, teknologjia dhe e gjithë elita intelektuale dhe politike janë në majë të pushtetit për të na treguar atë që duam të dijmë. Janë atje për t’u provuar qytetarëve se do të marrin atë që duan, që është e arsyeshme e që u është premtuar… Janë atje që t’u mundësojnë qytetarëve të shikojnë me sytë e tyre Vetëpranimin e Përgjegjësisë nga autoritetet shtetërore, deri tek garantimi i ndëshkueshmërisë ligjore në rastet e abuzimit prej tyre me pushtetin, detyrat dhe kompetencat”. Madje sipas tij, “Jo vetëm funksionari publik, por në radhë të parë intelektuali publik duhet të marrë përgjegjësinë e plotë për të gjitha pasojat e veprimeve të tij nga pikëpamja ligjore dhe etike”.

Fuller, intelektuali dhe “Etika e Përgjegjësisë”

“Etika e përgjegjësisë” si standard moral i pamundur për t’u kapërcyer dhe korruptuar, e kundërshton irracionalitetin e shoqërive… Irracionalitet ky që në histori dhe politikë gjithmonë i ka sfiduar dhe sakrifikuar idealet iluministe e humaniste të intelektualëve.

“Etika e përgjegjësisë” si matricë e standardit moral është jetësuar dhe ka triumfuar vetëm kur intelektuali i ka qëndruar besnik interesit publik e kombëtar, pavarësisht pasojave…

Ndaj dhe filozofi amerikan Lon Luvois Fuller (ashtu si edhe Maks Veberi”, beson se “intelektuali publik duhet të ketë një nivel të caktuar të guximit moral dhe të kundërshtojë bartësit e dominimit në shoqëritë liberale, sepse dëmi që mund të pësojë ai për shkak të angazhimit…, është gjithmonë shumë më i vogël se dëmi që pëson ai dhe shoqëria për shkak të mungesës së angazhimit”.

Sipas Fuller-it, “Një intelektual autonom ka fuqinë dhe aftësinë për të zhvilluar përgjegjësinë individuale dhe Etikën e Përgjegjësisë në shoqërinë e tij, pavarësisht nga lloji i sistemit. Madje pa përgjegjësi të integruar individuale, sipas shembullit të intelektualit autonom, një shoqëri dhe një komb nuk mund të zhvillohen”.

Fuller gjithashtu konkludon se “Autonomia morale e intelektualit dhe mbrojtja e vlerave universale dhe e mbarë sistemit vleror të shoqërisë krahas mbrojtjes së interesave të saj, janë reciproke dhe korresponduese…”. Për të idetë dhe vlerat janë mjete që intelektuali i përdor në shërbim të shoqërisë.

Fuller pohon se “Një intelektual publik jo vetëm që duhet të ketë si yll polar një sistem vleror, por duhet të ketë doemos një model kulturor referencial. Ai duhet gjithashtu të ketë dhe të mbrojë qëndrime morale pa ekuivoke, që gjithmonë e orientojnë kah një përmbushje dhe një lartësim shpirtëror”.

Intelektuali publik dhe kulturologët shqiptarë…

Korifejtë e Kulturës dhe intelektualët e angazhuar gjithë kohën në mbrojtje të interesit publik dhe atij kombëtar, profesorët Sokoli dhe Zheji, ma kanë sistemuar shqetësimin e tyre si intelektualë publikë për rrezikun e madh që, sipas tyre, i kanoset kulturës kombëtare dhe mbarë vlerave tona qytetërimore nga papërgjegjshmëria dhe babëzia e pushteteve politike dhe prej pasunarëve të rinj shqiptarë e prej atyre pasunarëve të huaj që vijnë në Shqipëri.

Habitshëm, duke njohur mirë debatin teorik dhe ballafaqimet publike midis intelektualëve dhe pushteteve e shumëkombësheve në Perëndim, Sokoli e Zheji më paralajmëruan se të tilla ballafaqime të ashpra do të shpërfaqeshin shumë shpejt edhe në mjedisin shoqëror dhe opinionin tonë publik.

Me këtë rast, këta mendimtarë, jo vetëm që e kishin të qartë pozicionin moral dhe rreshtimin e intelektualit në mbështetje të opinionit publik (siç e kishin patur ata vetë gjatë 40 vjetëve), por kishin formësuar qartë edhe konceptet e tyre për intelektualin publik, të pavarur në opinione dhe të pozicionuar kundër të gjitha projekteve antikulturë dhe platformave kundër interesit publik.

Prof. Sokoli më foli për rrezikun e madh të skemës hajdutërore “Shqipëria 1 euro”, të të dy krahëve politikë, që ende pa kthyer asnjë pronë të pronarëve të ligjshëm shpallin skemën e grabitjes së pasurisë kombëtare…

Ndaj më poshtë po jap opinionet dhe vlerësimet e tyre për intelektualin publik…

Intelektuali sipas Prof. Ramadan Sokolit

Prof. Sokoli më thoshte se “intelektual është ai që i përkushtohet vlefshmërisë dhe vërtetësisë së ideve për hir të tyre, dhe jo për hir të lidhjes së tyre shkakësore, apo për ndonjë qëllim tjetër”.

Duke aluduar maksimën e famshme popullore se “Burri ka kohë me u turpnue deri në ditë të dekës (vdekjes)”, Prof. Sokoli shtonte: “Vetëm në fund të jetës dhe të angazhimit publik mund të thuhet se dikush ka qenë një intelektual, pasi intelektualëve të vërtetë ndofta nuk mund t’u mjaftojë as edhe një jetë e tërë që t’i dëshmojnë popullit se jetën e tyre publike e kanë kaluar duke kontribuar në emër të dinjitetit njerëzor, me përgjegjësi të plotë ndaj vetvetes, ndaj historisë dhe kulturës, ndaj miqve dhe kolegëve, ndaj bashkatdhetarëve dhe kombit”.

Sipas tij, “Arsyeja kryesore e lindjes, kultivimit dhe e ekzistencës së intelektualëve është promovimi dhe lartësimi i merituar publik i të Vërtetës si e tillë dhe mbrojtja me çdo çmim e saj”. 

Po sipas tij, “Ndjenja kombëtare e individit dhe vetëdija kombëtare, gjithmonë kanë qenë subjekt i manipulimeve të mëdha nga emrat sugjestionues të pseudointelektualëve të politikës, dhe kjo gjithmonë ka ndodhur falë heshtjes dhe konformimit të intelektualëve të vërtetë gjatë diktaturës dje dhe gjatë Demokraturës sot”.    

Prof. Sokoli, në vijim shtonte: “Një intelektual gjithmonë shfaqet në një rol të dyfishtë shoqëror: në rolin e një specialisti në një fushë të punës intelektuale (shkrimtar, shkencëtar, profesor, filolog), dhe; në rolin e një njeriu që për disa arsye ndihet i thirrur moralisht dhe nominalisht për të marrë pjesë në mënyrë aktive dhe madje për të udhëhequr një komunitet super-profesional, apo një kauzë ose një lëvizje shoqërore”.

“Me mendimin e tij të lirë, kryesisht kritik, të pavarur e të pandikuar nga askush, intelektuali është i aftë të konservojë fenomenet thelbësore të kulturës dhe ta bëjë këtë me skepticizëm ndaj gjithkujt që ai e konsideron si rrezik potencial”, – theksonte Sokoli.

Shpesh në trishtim të thellë më thoshte se “… lufta e shumicës së intelektualëve me sistemet dhe regjimet politike zgjat sa vetë jeta e intelektualit, që pothuajse martirizohet dhe e humbet duelin e tij me kohën që ecën mbrapsht…”. Duke shtuar me nuanca perifrazuese se “Kjo ndodh ngaqë intelektualët mbartin dhe transmetojnë një kundërshtim të përjetshëm ndaj realitetit, sipas tyre të papërkryer, dhe shfaqin pakënaqësi kritike po të përjetshme ndaj strukturave etatisto-shoqërore”.

Intelektualët sipas Prof. Petro Zhejit

Kur e kam pyetur Prof. Zhejin se çfarë cilësish e karakterizojnë një intelektual, në skedat e shënimeve lexoj se më është përgjigjur: “Intelektualët janë individët ndër më të shquarit e shoqërisë dhe nuk kanë asnjë status të përcaktuar shoqëror. Ata janë personalitete të shquara në sfera specifike të jetës dhe mendimi i tyre në përgjithësi vlerësohet si më autoritativi.

Ata janë një grupim pa kurrfarë solidariteti reciprok dhe të shkëputur nga njëri-tjetri. Janë të paorganizuar, krenarë, tejet dinjitozë dhe shpesh qëndrojnë të vetmuar e bëjnë jetë asketike, zhytur në projekte vetjake profesionale e intelektuale dhe në ëndërrime të idealizuara, nëpërmjet të cilave konceptojnë dhe hierarkojnë përparësitë e zhvillimore shoqërore, sistemet dhe individët bartës të vlerave.

Ata janë si ulliri, si baobabi, si eukalipti, i përballojnë të vetëm rrebeshet e jetës dhe nuk janë si kungujt dhe ferrat, ndaj dhe nuk krijojnë “loze”, apo klika. Këto janë edhe cilësitë e arsyet përse intelektualët shndërrohen në gjah njerëzor, teksa pushtetet politike i sulmojnë veçmas dhe mundohen t’i “asgjësojnë” apo t’i blejnë një e nga një.

Kur janë natyra luftarake, ata i gjen në të gjitha frontet, ku përleshen si luanë për mbrojtjen e kauzave që sipas tyre janë të shenjta, ngaqë nuk pranojnë të investohen në fërkime kryeneçe individësh apo grupimesh pa rezonancë shoqërore.

Edhe vetë intelektualët nuk kanë pikëpamje të unifikuara për veten e tyre, ose për botën. Për shkak të kulturës së lartë, ata shpesh përfaqësojnë dhe mbrojnë mendime që dëshmojnë gamën dhe laryshinë e pafundme të shijeve dhe këndvështrimeve, të cilat ata i kualifikojnë sipas rëndësisë që kanë për shoqërinë.

Shpesh po ata vetë janë ndërtuesit e ideologjive dhe miteve, dhe po vetë ata i shkatërrojnë ideologjitë dhe mitet që krijojnë.

Përgjithësisht intelektualët antikonformistë janë ‘heretikë’. Ata nuk qëndrojnë asnjëherë të qetë dhe asnjëanës. Jeta e një intelektuali është një kronikë e dhimbshme, e jetuar dhe e shkrirë për të Vërtetën dhe triumfin e saj. Është jetë e sakrifikuar për ide dhe ideale”, – më thoshte Prof. Petro Zheji.

(Vijon së shpejti)


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More