Fatos KOLA – Kulturat perandorake dhe kultura kombëtare (Triptik, pjesa 3)
(Vijon nga pjesa e dytë) Duke iu rikthyer triumfit meritor të folkut tonë në Festivalin Folklorik të Dizhonit, Prof. Sokoli këmbëngulte ta konsideronte atë si triumf të Kulturës dhe Identitetit Kulturor shqiptar. Madje ai ishte dhe mbeti i pari dhe i vetmi mendimtar i racës shqiptare që kam dëgjuar të ketë folur me terma dhe në rrafsh filologjik për Kulturën dhe Identitetin Kulturor, të cilët sipas tij duhet t’i konceptojnë drejt, t’i njohin dhe zotërojnë të gjithë ata që merren me kulturën, qoftë në rrafshin, studimor, qoftë në atë edukues e kultivues, apo në të dyja bashkë, (sikundër konsideronte vetveten).
Nga përpjekjet për të përkufizuar sa më thjeshtë konceptet aspak të shterruara të Kulturës dhe Identitetit dhe nga bashkëbisedimi me të kam shënuar se Kultura, sipas tij, është kategoria më e lartë filologjike që përmbledh dhe nënkupton tërësinë e vlerave, besimeve, zakoneve, traditave, mënyrës së jetesës dhe modeleve të të menduarit, gjuhës e formave të komunikimit e të sjelljes, etj., që mësohen dhe ushtrohen në jetë e që janë karakteristike për një grupim etnik apo social, që popullon një areal të caktuar gjeografik, etnik e kulturor. Sipas tij, kultura shërben për t’i dhënë një identitet të caktuar një grupimi të tillë, siguron mbijetesë dhe rrit ndjenjën e përkatësisë.
Prof. Sokoli theksonte se “Identiteti është përkufizimi i vetvetes. Është matricë vetjake referimi e një personi, referim me të cilin ai e percepton vetveten”.
Sokoli kish bindjen se “Identitetet ndërtohen nga lidhjet integrale të gjuhës, strukturave shoqërore dhe modeleve kulturore që përzgjedh e përdor një grupim etnik apo social, ndaj dhe ekziston një marrëdhënie komplekse midis Kulturës dhe Identitetit”.
Kjo mënyrë konceptimi e shtynte atë kah konkluzioni se Identiteti Kulturor si koncept organik është vetë-identifikim, është ndjenjë e përkatësisë së individëve ndaj një grupi që riafirmon vetveten. Është trualli në të cilin individi ndihet përfaqësues i një kulture të caktuar në sjellje, komunikim, psikologji dhe sociologji.
Përbërësit e Identitetit Kulturor janë vlera, kuptime, zakone dhe besime të përdorura për t’u përshtatur, për t’u lidhur dhe komunikuar me botën. Identiteti Kulturor mbart, konservon e pasqyron përvojat historike dhe kodet kulturore të përbashkëta, që i japin grupimit bartës trajtën e një entiteti me një kornizë të qëndrueshme e deri të pandryshueshme të referencës dhe kuptimit.
Identiteti Kulturor si kategori e lartë filologjike gjithashtu, intrigon dhe përthith gjykimet e njerëzve rreth objekt-shqyrtimit se cilët janë individët apo bartësit që i përkasin një grupimi kulturor, cilat janë lidhjet gjenetike, zakonet e traditat në veshje, në të kënduarit, vallëzuarit në festime, lindje, vdekje, varrime, si dhe në normat respektive të sjelljes…
Historia, kushtet e jetesës dhe rrethanat politike, aktorët dhe faktorët e pranishëm, influentë apo pasivë, situata apo vendi i ndërveprimit, gjithashtu ndikojnë në formimin, në përcaktimin, modifikimin dhe gdhendjen e Identitetit Kulturor gjatë procesit historik. Dhe kjo nënkupton se Identiteti Kulturor është dinamik dhe vazhdimisht evoluon, mbulon dhe ndikon fuqishëm jetën e një qenieje njerëzore dhe ndryshon në kohë e hapësirë, ndaj dhe mund të themi pa frikë se Identiteti Kulturor është kuptimi vazhdimisht i ndryshueshëm i identitetit individual të një personi në raport me të tjerët. Si i tillë Identiteti Kulturor padyshim që është bashkë-krijuar, negociuar, bashkë-pranuar dhe përforcuar gjatë ndërkomunikimit të bartësve të tij që bashkëveprojmë brenda një grupimi apo shoqërie. Gjatë këtij procesi bartësit e identitetit dhe elementët përbërës të tij shkrihen dhe bashkë-shndërrohen në aktorë dinamikë, fibra dhe inde të gjallë të shfaqjes dhe imponimit të pushtetshëm të Identitetit Kulturor në realitetin shoqëror. Ata bashkërisht gjithashtu reflektojnë, rrëfejnë dhe ndikojnë e performojnë mbi historinë dhe përvojën tonë unike të bashkësisë, grupit, njësisë etnike dhe jetës personale të gjithsecilit.
Identiteti ynë shpërfaqet publikisht e botërisht dhe përcaktohet e diferencohet nëpërmjet mënyrës sesi të tjerët na shikojnë, dhe sesi ne e shohim veten tonë. Format e shprehjes së tij i përmbahen normave dhe standardeve që një bashkësi kulturore ka krijuar gjatë procesit evolutiv historik e që kjo bashkësi i ndan dhe i ndjek në një mënyrë të qartë (përpunuar dhe përsosur me fanatizëm për një kohë të gjatë), që të tregojë se doemos ato i përkasin asaj dhe vetëm asaj, pra bashkësi-grupimit të veçantë që mbart dhe demonstron identitet kulturor të përbashkët.




IDENTITETI KULTUROR HIBRID DHE SUBKULTURAT
Në kontekstin evolutiv historik, formimi i Identitetit Kulturor gjithmonë nënkupton dhe përfshin përzgjedhjen e vazhdueshme të subkulturave dhe kulturave prej individëve bartës që janë në kontakt e me ndërveprim reciprok, gjatë synimit për t’u bashkuar me komunitetin kulturor të cilit këta individë i përkasin dhe mendojnë se përfaqësojnë e prej të cilit përfaqësohen. Gjatë këtij procesi evolutiv historik, identitetet, kulturat dhe subkulturat fqinje e ndërkomunikuese mund të ndërkallen. Dhe kuptohet se identitetet, kulturat dhe subkulturat dominuese, ose ato të shumicës së grupit, fisnore apo etniko-kulturore imponohen fort, por mund edhe të ndikohen dhe modifikohen nga kulturat apo subkulturat e pakicave në elementë subkulturorë si veshja, muzika, etj.. Në këtë kuptim, ndërkomunikimi kulturor ka mundësuar që individët që i përkasin grupeve të shumta kulturore dhe subkulturore, nga qenie të “mbuluara” prej kulturash dhe subkulturash që mbivendosen, të shndërrohen në “qenie të modifikuara” e me “identitet kulturor hibrid”. Dhe kjo vjen ngaqë një individ, ose grup, e shpërfaq dhe e interpreton identitetin e vet kulturor në kontekstin më të gjerë të shoqërisë, bazuar në përvojat, dëshirat, format, mënyrat dhe interesat e tij.
Procesi i përzierjes, apo i “hibridizimit” të Identitetit Kulturor zhvillohet, ose me dhunë dhe projekt të qëllimshëm e me veprim gradual e afatgjatë, ose ngaqë ndividët pa taban të identitetit kulturor bashkëveprojnë me njëri-tjetrin dhe krijojnë njëfarë identiteti grupi apo komunal të ndryshuar. Natyrisht që ky ndryshim identitar realizohet nëpërmjet tejkalimit të kufijve “të paprekshëm të kulturës dhe identitetit kulturor” si pasojë e ndërkomunikimit pa cak dhe krijimit e afirmimit të identitetit të ri të përbashkët, pas të cilit zakonet, traditat, praktikat dhe subkulturat e tyre komunale pasqyrojnë identitetin e ri kulturor të grupit.



RILINDJA KOMBËTARE, KULTURA DHE SUBKULTURAT
Të shqetësuar nga dëmtimi i rëndë i Kulturës, trashëgimisë kulturore dhe identitetit tonë kulturor prej rrënim-pushtimit qindravjeçar Otoman, ideologët e Rilindjes, përveç gjuhës shqipe nxituan të rekuperojnë edhe elementë të tjerë të identitetit tonë kombëtar. Ata fillimisht përcaktuan se çfarë është subkulturë dhe identitet shqip-shqip dhe paskëtaj qartësuan raportin midis identitetit kulturor shqiptar me ato të fqinjëve, të bindur se elementë të rëndësishëm të identitetit tonë kulturor fqinjët na i kishin përvetësuar edhe me ndihmën e shteteve që i kishin ndërtuar një shekull para nesh, e që kishin hartuar, financuar dhe jetësuar projekte asimiluese e disimiluese ndaj kulturës dhe subkulturave tona më të vyera.
Duke përfituar prej epërsisë kohore në shtetndërtim, prej ndihmës së perandorive aleate dhe prej fuqisë politiko-ekonomike, fqinjët tanë na sulmonin me akuzat e stërpërsëritura se “se shqiptarët s’kanë aftësi shtetformuese” dhe se “shqiptarët janë popull pa identitet kulturor”, për çka shfrytëzuan faktin se përbrenda perandorisë Otomane identitetet kulturore ballkanike dhe kulturat bazike ishin ndërkallur me subkulturat perandorake e ato të fqinjëve.
Gjatë projektimit të rekuperimit dhe ridiferencimit shpëtimtar të Kulturës dhe Identitetit tonë kulturor Rilindësit konkluduan se vetëm përhapja e shkollave, sidomos atyre laike e të arsimit klasik, krahas edukimit të fortë me traditat tona më të mira të trashëgimisë kulturore, janë rruga e vetme e mbijetesës dhe afirmimit kombëtar në liri dhe vetëvendosje. Dhe koha u dha të drejtë e ne mbijetuam në të gjitha kuptimet…
Në skedat e mia ende ruaj thëniet profetike të Sokolit të madh që më thoshte: “Identiteti ynë kulturor rrezikohet vazhdimisht, sepse të ardhurit nga shkollime e kultura të tjera po krijojnë grupim kulturor dhe subkulturë të ndryshme nga trashëgimia jonë e rraskapitur prej trysnisë kulturore të perandorive të mëdha. Prandaj në shkollat tona në kohën e Mbretërisë këmbëngulej fort për krijimin e muzikës identitare mbështetur mbi motivet shqiptare dhe prandaj asokohe ne djemtë e rinj që merreshim me muzikë vendosëm të krijojmë muzikën shqip-shqip të pandikuar nga muzika italike, sllave, greke, etj.. Në Shkodrën time, por edhe në gjithë Shqipërinë kjo kërkesë u bë motoja e krijimeve tona. Aty morën udhë krijimet e mia dhe të shumë shokëve të mi, që sot i quajmë muzikë qytetare shkodrane. Ky është thelbi i përplasjeve midis kombeve dhe perandorive në të gjithë planetin… sepse kombet mundohen t’i shpëtojnë rrafshimit prej subkulturave asgjësuese”.
Sipas tij, shembulli më kuptimplotë i identitetit kulturor hibrid është “Amerikanata” në SHBA, pra “mënyra amerikane e jetesës” që nënshtron identitetet kulturore të rreth 300 kombësive dhe krijon e modifikon vazhdimisht qytetarin amerikan me identitet kulturor hibrid, e që si triumf të parë regjistroi asimilimin kulturor të indianëve lëkurëkuq autoktonë. Asimilim që sipas Sokolit tentoi ta kryejë edhe perandoria sovjetike brenda BS dhe në vendet satelite të Lindjes komuniste, ku kultura perandorake rrekej të asgjësonte subkulturat dhe identitetet kulturore, pa dallim. Dhe duke e përmbyllur Sokoli më pohonte: “Prandaj realizmi socialist si doktrinë subkulturore po asgjëson individualitetet krijuese të kombeve dhe individët bartës të kulturave identitare brenda tyre”.



PERANDORITË SI ZHBËRËSE TË KULTURAVE DHE IDENTITETEVE
Prof. Sokoli është i pari dhe i vetmi mësues që më ka mësuar se pushtetarët tanë, vegla të armiqve historikë dhe të emëruar prej tyre, po veprojnë mbi individin dhe faktorin shqiptar me platforma dhe skema të gatshme e të sofistikuara të trushpëlarjes dhe zhbërjes, për të krijuar një homo albanicus robotik dhe shërbëtor të padronëve të pushtetit vendas, që është i varur nga pushteti perandorak. Ndaj dhe sipas tij, i vetmi faktor që mundëson mbijetesën e racës në këto kushte “laboratorike” të sforcuara e të krijuara enkas prej sundimtarëve vendas e të huaj, është Identiteti Kulturor kombëtar i ruajtur me fanatizëm e deri me vetëmohim.
Për Prof. Sokolin, riformulimi “gjenetik”, riformimi “embrional”, kultivimi, mbrujtja me edukim dhe rritja e Identitetit Kulturor si shtylla kurrizore e identitetit kombëtar të rrezikuar nga bjerrja pakthim, ishin dhe mbeten amanetet dhe detyrat kryesore që na la Rilindja kombëtare.
“Mezi e morëm vehten gjatë periudhës 20-vjeçare 1920-1939, dhe menjëherë na rifilloi pushtimi kulturor perandorak italian e gjerman, dhe pas ’44-ës e në vazhdim pushtimi sllav e më pas ai ideologjik”, – më rikujtonte shpesh Sokoli.
Identitetin Kulturor hibrid Prof. Sokoli e konsideronte si pasojën më fatkeqe dhe tragjike të abuzimit me ndërkomunikimin kulturor dhe subkulturor midis kulturave imponuese perandorake që synojnë zhbërje-rrafshimin, dhe kulturave të popujve të vegjël që rrezikojnë zhbërjen në fjalë, apo kulturave të imponuara me bajoneta nga fqinjët pushtues që synojnë shkombëtarizimin dhe asimilimin e popujve fqinjë të pushtuar.





PERANDORITË, KULTURAT, QYTETËRIMET
Filozofët e mëdhenj na ndërmendin midis rreshtash se Kultura dhe Civilizimi (Qytetërimi) janë arritjet më të larta të shoqërisë njerëzore në mijë-vjeçarët e ekzistencës dhe zhvillimit historik, por ato janë joidentike dhe të ndryshme nga thelbi e procesi evolutivo-kumulativ nëpërmjet të cilit janë përftuar. Dhe kjo sepse Kultura dhe Civilizimi janë produkte të proceseve të ndryshme (joidentike) fiziologjike të trurit të njeriut, që janë: Meditimi (që prodhon Kulturë), dhe Mendimi (që prodhon Civilizim).
Bartës i kulturës është njeriu, grupi, kurse bartës i civilizimit është shoqëria. Kufiri fundor i kulturës është pushteti i njeriut-bartës mbi vetveten gjithmonë përmes edukimit, ndërsa kufiri fundor i civilizimit është pushteti mbi natyrën përmes shkencës.
Kulturës i përket njeriu, filozofia, arti, letërsia, morali, besimet. Civilizimit i përket shteti, shkenca, qytetet, teknika e teknologjia.
Roma antike është shembulli i një civilizimi të lartë etatisto-perandorak, por kultura e saj shpesh e fragmentarizuar dhe e përmbytur nga subkulturat e popujve dhe fiseve barbare që kish pushtuar dhe që përbënin shumicën e korpusit demografik dhe gjeografik të perandorisë 3-kontinentale, nuk korrespondonte me të njejtën madhështi e lartësi. Në të kundërt të Romës antike, kulturave gjeniale të Majave, Actekëve, Inkasve, Afrikanëve e Aborigjenëve nuk u korrespondonte lartësia e civilizimeve (qytetërimeve) respektive.
Civilizimi arsimon, kultura edukon. Civilizimi kërkon mësim, kultura kërkon meditim, i cili të çon drejt urtësisë, mirësisë, fisnikërimit, paqes së brendshme. Meditimi ofron pushtetin mbi vetveten, ndërsa shkenca ofron pushtetin mbi natyrën.
Arsimimi ynë ndërton dhe lartëson civilizimin tonë, por i kontribuon shumë më pak kulturës sonë, madje shpesh, me apo pa qëllim, edhe e përçmon dhe e rrezikon kulturën tonë.
Mësimi dhe meditimi janë dy aktivitete mendore krejtësisht të ndryshme për nga produkti që prodhojnë e shërbejnë. Kundërshtia dhe dallimi midis tyre përsërit motamo kundërshtinë dhe dallimin midis intelektit dhe shpirtit, civilizimit dhe kulturës. Meditimi nuk është funksion i intelektit. Shkencëtari që projekton nuk mediton, ai mendon, hulumton, verifikon e krahason…
Perandoritë politike që na rrënuan gjatë historisë sonë tragjike dhe po kërkojnë të na zhbëjnë sot, pasi fillimisht rrënuan qytetërimin tonë me epërsinë që krijuan dhe e thelluan vazhdimisht në kohë, sot përfaqësojnë qytetërime ndofta më superiore. Por një gjë është e sigurt: ata na urrejnë për superioritetin kulturor dhe janë xhelozë, ndaj dikur na grabitën kulturën, na rrënuan, ndërsa sot po duan ta zhbëjnë qytetërimin tonë, sërish me anë të grabitjes dhe rrënimit të projektuar dhe realizuar nëpërmjet tradhtarëve që na kanë vënë mbi krye, të cilët ndonëse i mbështesin dhe i mbajnë fort në pushtet prej dekadash, na akuzojnë se i paskemi hierarkuar vetë, kurse ata si perandori thjesht paskërkan respektuar vullnetin tonë!!?
Me platforma zhbërëse e shkombëtarizuese dhe me grabitje sistematike sunduan serbët në Kosovë deri në fundshekullin e kaluar. Madje edhe kur ikën në panik nuk lanë pa grabitur artefaktet, arkivat, kadastrat, hipotekat, provat dokumentare dhe objektet e vyera të trashëgimisë sonë kulturore. Por heronjtë e Vilës 31 dhe Rognerit, komandantët injorantë dhe recituesit kokëboshë e me 3 mijë fjalë anglisht që erdhën në pushtet, e mbyllën gojën për këtë gjëmë antikulturore, teksa barbarët serbë ulërinin për “trashëgiminë kulturore serbe të rrezikuar”, derisa me ndihmën e perandorive aleate siguruan mbrojtjen e kishave dhe manastireve me tanke e autoblinda!!!
Pasi e lanë Kosovën shqiptare jashtë UNESCO-s, serbët na grabitën edhe Lahutën dhe e regjistruan atë në UNESCO si pasuri kulturore të tyren, por sërish kokëboshët e kollarisur dhe “akademikët” e të dy anëve të kufirit nuk bëzanë asnjë fjalë. Të paktën të kishin shfletuar dhe përdorur argumentet Sokolianë, derdhur në studimet e tij: “Veglat Muzikore të Popullit Tonë”; “Rreth disa Mjeteve Muzikore të Popullit Tonë”; “Veglat Muzikore të Popullit Shqiptar”; “Veglat Muzikore Ilire”; “Rreth Funksionit Etiko-Shoqëror të Veglave Muzikore Popullore”; “Për Zhvillimin e Veglave Muzikore Popullore”; “Dokumente mbi Mënyrën Tradicionale të të Kënduarit Shqip”; “Folklori Muzikor Shqiptar”; “Ndihma e Gjuhësisë Sonë për Muzikologjinë”; “Lahuta dhe Këngët e Kreshnikëve”.



TEK SOKOLI U BASHKËSUAN KULTURA DHE SHKENCA
Sokoli, ashtu si gjithë Rilindësit e mëdhenj (që si kulturologë përgjithësisht merreshin edhe me studime e hulumtime shkencore), dinte ta dallonte kulturën nga shkenca dhe me lehtësi gjatë gjithë jetës bëri edhe misionarin e qëmtimit dhe edukimit të kulturës, edhe mësuesin dhe studiues-shkencëtarin skrupuloz.
“Arsimimi ynë nuk po kontribuon në lartësimin e kulturës tonë. Prandaj ne duhet t’i rikthehemi arsimimit klasik që kishim në kohën e Mbretërisë ku ne mësonim detyrimisht vegla muzikore qysh nga fillimi e deri në fund të ciklit, si në shkollat profesionale ashtu dhe në ato të mesme të përgjithshme”, – më thoshte Sokoli që enkas hartoi programe për futjen me çdo kusht të lëndës së folklorit deri edhe në shkollat e arsimit profesional, me qëllim që në to të edukohej identiteti përgjatë procesit të formimit kulturor të përgjithshëm.
Fatmirësisht, sikurse edhe Rilindësit tanë të mëdhenj, Prof. Sokoli, si rrallëkush arriti të përbashkojë në Unin e tij kulturologun dhe shkencëtarin, medituesin dhe mendimtarin, përfaqësuesin gjenial të kulturës shqip-shqip me shkencëtarin e qytetërimit shqip-shqip.
Sokoli në thelb ishte dhe mbeti deri në fundjetë pagan e Pashkovasjan, dhe i njihte mjaft mirë edhe subkulturat religjive. Ai e njihte katolicizmin aqsa magjepste kardinalin Ivan Dias dhe peshkopët katolikë në mbarë shqiptarinë, madje bënte me ta edhe debate historiko-teologjike dhe gjithmonë triumfonte, sidomos kur trajtonte idetë e tij mbi identitaren edhe brenda religjonit.
Gjithashtu Sokoli magjepsi kryepeshkopin Anastas, krerët e Komunitetit Mysliman shqiptar, krerët e Bektashizmit shqiptar dhe përfaqësuesit e fondacioneve islamiko-kulturore iraniane me të cilët bashkëpunoi me shkrime të botuara në revistat e tyre.
Komunikimin me të gjithë këta Sokoli e ndërtoi mbi baza kulturologjike dhe teologjike që lidheshin me interesat e besimtarëve dhe klerikëve shqiptarë e brenda trojeve tona etnike. Si Pashkovasjan që fe kish Shqiptarinë dhe nuk betohej “për fe e atdhe”, Sokoli gjithmonë diferencoi me lehtësi religjionet dhe rolin e tyre nga thelbi i kulturës dhe i qytetërimit shqiptar (që ishin objekt i studimeve të tij), dhe këtë e bëri me mirëkuptimin e tolerancën me të cilat besimet dhe klerikët kishin bashkëjetuar në mbarë Shqiptarinë.
Sokoli ishte i bindur se arsimi ekzakt nuk i edukon njerëzit, nuk i bën më të lirë, më të mirë, më humanë. Thjesht i aftëson dhe i bën më efikasë në jetë. Dhe nuk gaboi, sepse sot filozofët e religjioneve Lindore konstatojnë se arsimimi shkollor në qytetërimin perëndimor është tejet intelektual, tejet shkencor, por shumë pak shpirtëror e humanist, çka në terma gnoseologjikë do të thotë se është tejet ekzakt dhe fare pak klasik. Sipas këtyre filozofëve, sot në Perëndim mund ta gjesh rëndom shkollarin që qysh nga fëmijëria i ka kaluar të gjitha nivelet e arsimimit cilësor nëpër kolegjet dhe universitetet më të mira, po kurrë nuk ka dëgjuar t’i flasë ndokush për normat dhe kufijtë moralë, për humanizmin, për të qënit doemos bartës dhe mbrojtës i parimeve të larta, për të qënit doemos fisnik, i ndershëm dhe i drejtë. Ai zotëron dije në shumëçka, por shumë pak të tilla për moralin, etikën.
Arsimimi ekzakt e përgatit njeriun të pushtojë natyrën, botën, ndërsa arsimimi klasik e përgatit atë të pushtojë shpirtërat, ndjenjat, pasionet dhe të rendë kah bota ideale e ideve të mëdha humaniste dhe jo kah bota materiale e plëncit plot e shpirtit bosh.
Pikërisht mbi këto sisteme arsimimi (klasik dhe ekzakt), projektohet dhe ndërtohet dallimi e kundërshtia midis Kulturës dhe Civilizimit.
Deri në triumfin e revolucionit industrial shoqëria e krishterë perëndimore e investoi fuqishëm arsimimin klasik dhe kultivoi e kulmoi filozofinë skolastike të Moralit dhe Etikës, ndofta edhe si shenjë pendese e vrasjeje të ndërgjegjes… Ngaqë gjatë Mesjetës së vonë e deri në fundshekullin XX, kur popujt e arsimuar iu nënshtruan manipulimit, interesave pushtetore, perandorake dhe ambicjeve për përfitime materiale, bënë akte barbarie të zhbërjes së qytetërimeve të tëra, bënë krime dhe gjëma të padëgjuara mbi individët apo popuj të tjerë, duke e njollosur përjetësisht me damkën e turpit civilizimin dhe mbarë njerëzimin.
Ndërkohë në Lindje arsimi klasik, etika, morali e shpirtërorja ishin kategoritë mbizotëruese kuptimore dhe skolastike. Bash kjo frymë dhe ky edukim që u ndih fort edhe nga arsimimi klasik, u pasqyrua me kulmim marramendës edhe në artin epokal bizantin ku figurat biblike morën trajta hyjnore dhe “fluturonin në ajri”.
Sokoli më mësonte se ndikimi i fortë i Bizantit si perandori kulturore gjeniale shenjoi dhe kulmoi kuota gjenialiteti edhe në Kulturën kombëtare dhe Identitetin kulturor shqiptar, sidomos në pikturë (ikonografi), arkitekturë dhe muzikë. Pjesë integrale e këtij kulmimi vlerash të botës dhe kuptimësisë spiritualiste e deri hyjnore, sipas tij ishin edhe bashkëkombësit e shquar që u hierarkuan plot lavdi në mjedisin perandorak Lindor si piktorë, arkitektë e muziktarë me identitet të pashoq. Të tillë, pra spiritualistë dhe humanistë, unikalë e universalistë (kështu rezulton sipas studimeve te tij), ishin pa përjashtim të gjithë artistët tanë para rilindjes, por sidomos ato të periudhës së Rilindjes…, derisa na pushtoi perandoria e Kuqe.


BARBARIA KOMUNISTE NË ARSIM DHE KULTURË
Komunizmi materialist e ateist e shkatërroi me projekt arsimin klasik në mbarë Lindjen, por edhe në vendin tonë nëpërmjet një sistemi arsimor rreptësisht të indoktrinuar, të dirigjuar dhe të nënshtruar ndaj interesave të ideologjisë sunduese dhe sistemit politik.
Lenini deklaronte se arsimimi nuk guxon të jetë neutral, objektiv, apolitik. Në kongresin e Parë të Arsimit Sovjetik mbajtur më 25 gusht 1918, ai deklaroi: “Puna jonë në sferën shkollore ka për qëllim shkatërrimin e borgjezisë, ndaj dhe haptas shpallim se shkolla jashtë politikës nuk ekziston… E kundërta është gënjeshtër dhe hipokrizi”.
Por edhe kapitalizmi industrial e shkatërroi arsimin klasik në favor të atij ekzakt, sepse për të shkenca është rezultat i intelektit, ndërsa industria nuk është tjetër veçse formë e aplikuar e shkencës.
Filozofët e religjioneve na mësojnë se shkolla është pjesë integrale themelore e civilizimit dhe e kontribuon kulturën vetëm nëse nuk është dresurë, nëse zhvillon mënyrën e të menduarit kritik dhe nëse i lë hapësirë lirisë shpirtërore të njeriut. Sipas tyre, shkolla që mëson, që shërben dhe imponon zgjidhje të gatshme politike, nga aspekti kulturor është barbare. Ajo nuk krijon individë të lirë por vegla njerëzore të nënshtruara, ndaj dhe si e tillë mbase i kontribuon Civilizimit por e shpie prapa Kulturën.
Kontributet pedagogjike dhe shkencore të Prof. Sokolit kishin në themel konceptet e mësipërme për këtë dikotomi të thellë të arsimit tonë dhe produktit të tij. Por ai anoi dukshëm dhe me qëllim kah arsimi klasik që e kultivoi dhe e kulmoi në lice deri edhe me ngritjen e Laboratorit të veglave muzikore popullore, teksa mbolli plot sukses farën elitare të Kulturës dhe Identitetit Kulturor shqip-shqip në shpirtrat dhe mendjet e qindra nxënësve të tij të shtrenjtë, që ishin dhe mbeten meritueshëm ndër artistët më të shquar të racës shqiptare.

KULTURA MASIVE SI KIÇ KULTUROR
Mësimet e Prof. Sokolit shërbenin kuptimësinë se subjekti i çdo kulture është njeriu si individ, si personalitet dhe individualitet i papërsëritshëm, ndërsa subjekti i kulturës masive është turma, masa ose njeriu-masë.
Filozofët e religjioneve na mësojnë se njeriu ka shpirt, kurse filozofët materialistë na mësojnë se njeriu ka vetëm nevoja, që në shumicën absolute të tyre plotësohen vetëm me lëndë materiale. Që këtejmi konkludohet se Kultura ngarend kah lartimi shpirtëror dhe përsomëria e njeriut-subjekt të saj, kurse kultura masive ngarend kah përmbushja e nevojave të të gjithë turmës së njerëzve.
Kultura e njimendtë synon të promovojë individualizmin, ndërsa kultura masive tërheq në drejtim të kundërt, kah uniformizimi shpirtëror i të gjithë frymorëve të turmë-masës.
Kultura masive arsimon por nuk edukon. Ajo e asfikson lirinë njerëzore me tendencën e saj për uniformizim, dhe këtë e bën qëllimisht ngaqë Liria individuale është kundërvënie e hapur ndaj uniformitetit.
Konceptuesit djallëzorë të inxhinieringut social majtist qëllimisht spekuluan me thelbin e nocionit “kulturë”, teksa duke shfrytëzuar faktin se bartës, kultivues dhe transmetues ndër breza të kulturës kombëtare janë popujt, fillimisht artikuluan termin “kulturë popullore”, e cila është gjithëpranuar si kulturë burimore, aktive dhe e drejtpërdrejtë. Paskëtaj këta spekulantë nga “Kultura popullore” kapërcyen pa u ndjerë tek termi spekulativ “kulturë masive”. Por ata harruan se midis këtyre nocioneve ekziston një dallim thelbësor: “Kultura popullore” bazohet dhe përhapet mbi konsensusin e individëve-bartës të ndërgjegjshëm për kulturën e tyre, ndërsa “kultura masive” bazohet dhe përhapet mbi kurrizin e manipulimit të turmë-masave të pakulturuara.
Mendimtarët kundërshtarë të ideologjive perandorake na mësojnë se; ritet, vallet, këngët janë çështje e përbashkët e grupit, fisit, etj., në gjirin e të cilëve nuk ka ndarje në ekzekutues nga njëra anë dhe dëgjues apo shikues nga ana tjetër. Kur fillon festa, këta individë përfshihen të gjithë si pjesëmarrës aktivë. Ndërsa kultura masive na ofron një shembull tërësisht të kundërt: tek ajo njerëzit e turmë-masës janë të ndarë rreptësisht në “prodhues” dhe “konsumatorë” të të mirave kulturore.
Askush nuk mund të ndikojë në përmbajtjen e programit televiziv nëse nuk është pjesë e stafit që harton dhe ekzekuton këtë program. Këtu kemi dy grupe të ndarë: projektues aktivë dhe konsumatorë pasivë të “të mirave kulturore”. Prandaj mjetet e komunikimit masiv si shtypi, radio e televizioni janë mjete të manipulimit masiv që trumbetojnë dhe divulgojnë trushpëlarjen dhe zhbërjen kulturore në interes të padronëve të pushteteve, të cilët u kanë dhënë atyre statusin e “pushtetit të katërt”.
Elitat totalitariste në shoqëritë totalitare të Plutokracive liberale tallen paq me popujt kur u deklamojnë se po u zhvillojnë demokracinë në përmbushje të vullnetit të shumicës të shprehur me votë… “Demokracia është një mashtrim i madh, sepse na e shesin si modelin më të mirë teksa vetë e pranojnë se ajo është produkt i votës së njerëzve më të paaftë të shoqërisë, që me votë përzgjidhkan njerëzit më të aftë të saj për të udhëhequr!!! A mundet i paafti të jetë në gjendje të identifikojë dhe zgjedhë një më të aftë se vetja(?!!), – pyeste plot qesëndi filozofi frëng Zhorzh Valo.
Ndërsa Duçja tallej edhe më keq me tamtamet e liberaldemokracisë, kur pohonte: “Demokracia është një fasadë pa ndërtesë”.
Mjafton të kujtosh komunistët kur deklaronin paradoksin logjik “Diktatura e proletariatit është demokraci e vërtetë”, dhe menjëherë të ndërmenden bijtë e Ramiz Alisë që prej 3 dekadash nuk shkulen nga pushteti në të cilin veçse alternohen dhe pasurohen nën përkujdesjen e perandorive protektore dhe zhbërëse të kulturës e të qytetërimit tonë, mbi të cilin ato dhe veglat e tyre shqipfolëse veprojnë me të njejtat koncepte e skema sikurse edhe perandoria paraardhëse e komunizmit lindor.



UÇI, ZHBËRJA E KULTURËS DHE ATË MËSHKALLA
Etërit e mëdhenj françeskanë kishin ngulitur në kujtesën e Prof. Sokolit inventarin e pashoq të kulturës tonë mijëra-vjeçare, ku shkëlqenin madhërishëm edhe objektet e kultit, ndër të cilët edhe Kisha katolike e “Shën Mërisë” në Vaun e Dejës, ndërtuar para pushtimit Otoman, rreth viteve 1300. Kjo kishë ishte kaq e famshme, saqë njihej dhe vlerësohej si një ndër perlat e trashëgimisë kulturore e arkitekturore të katolicizmit në Ballkan, saqë ishte regjistruar prej shekujsh nëpër katalogjet e Vatikanit dhe qysh me krijimin e UNESCO-s edhe nëpër analet arkivore të saj për vlerat e rralla, krahas objekteve të tjera të kultit, trashëgimisë së literaturës kulturore, librave, regjistrave dhe artefakteve magjepsës që ato mbartnin në shekuj.
Sokoli rrëfente me dhimbje zhbërjen nga antikombëtarët Hoxha e Shehu të objekteve të rralla të kultit gjatë fushatës rrënuese që pasoi fjalimin programatik të 6 shkurtit 1967 me titullin “Revolucionarizimi i mëtejshëm i Partisë dhe i pushtetit”, konceptuar nga Kryezhdanovisti Alfred Uçi, divulguar dhe detajuar po prej tij gjatë fushatës, dhe lexuar nga Enveri. Në këtë artikull, ndër të tjera Hoxha thekson: “Prishja e xhamive dhe kishave të vazhdohet në bazë të orientimeve që kemi dhënë… Armiqtë tanë brenda e jashtë vendit na akuzojnë për sektarë dhe terroristë, por ne jemi revolucionarë që zhdukëm pa nam e nishan ata vetë dhe ato çka mbronin”.
Jugosllavët, sovjetikët dhe kinezët nuk i zhdukën objektet e tyre të kultit, bartës këto të kulturave që shndrinin në kulturën mbarëbotërore, por veglat e tyre të Tiranës i tejkaluan edhe padronët në zellin rrënues. Ndaj dhe pasi dolën hapur kundër kulturës së popullit të tyre nuk u mbetej tjetër veçse të ndërronin edhe popull e të vetëshpalleshin “bij të popull-proletariatit mbarëbotëror” e pa identitet.
Asokohe Prof. Sokoli më rrëfente se në mes të tamtameve të barbarisë komuniste, mbarë shoqërinë shqiptare e kish tronditur kurajo vetëvrasëse e drejtorit të atëhershëm të Institutit të Monumenteve të Kulturës, arkitektit Gani Strazimiri. Ky intelektual me arsimim dhe kulturë perëndimore e lindore, jo vetëm kish guxuar t’u dilte kundër barbarëve për shkatërrimet masive, por kish ndërmarrë aktin e çmendur të paditjes penale të drejtues-rrënuesve hierarkë recidivistë, që kryesoheshin dhe mbështeteshin nga kryeministri Shehu. Si objekt padie, Strazimiri kishte përdorur shkatërrimin e Kishës së famshme të Shën Mërisë, shkatërrim ky me pretekstin e hapjes së sheshndërtimit për ngritjen e digës së Hidrocentralit të Vaut të Dejës.
Rrënuesit e frymëzuar nga enverizëm-zhdanovizmi i 6 Shkurtit nuk mund ta duronin dot sfidën e besimtarëve që kishin për Zot tjetërkënd dhe jo Partinë, ndaj dhe e shembën me zell Kishën, ndonëse mbi të qëndronte tabela “monument kulture…”.
Qëndresa trimërore dhe e argumentuar e Gani Strazimirit e kish detyruar Shehun të zbythej, ndërsa Hoxhën të merrte pozicionin e njeriut me kulturë që nuk i mbështeste veprimet në dëm të kulturës. Por ndonëse masakra më e madhe ishte bërë, kjo qëndresë e Strazimirit mundësoi shpëtimin e mjaft objekteve të kultit që ishin projektuar për t’u zhdukur nga zhbërësit zhdanovistë në përplasjen titanike me kulturën kombëtare, që e shihnin si pengesa kryesore e triumfit të ideologjisë komuniste dhe Proletkultit antishqiptar, nën marshet e përçudshme: “Ngrihuni e bjeruni, korrini e shtypini…”, apo “Botën mizore ta shkatërrojmë / që nga themelet dhe pastaj / për veten tonë të ndërtojmë / botën e re në vend të saj”..
Prof. Sokoli asokohe kish vuajtur shpirtërisht jo vetëm pasojat e barbarisë komuniste mbi kulturën kombëtare, por edhe burgosjen për së dyti të Atit të tij shpirtëror, Patër Mëshkallës, i cili me guxim të pashoq kish sulmuar hapur, me një letër, kryerrënuesin Mehmet Shehu, për çka u burgos edhe 11 vjet të tjera (1967-1978), pas dënimit të parë prej 15 vjetësh (1946-1961).
Sokoli i madh më tregonte me dhimbje se gjatë fushatës së rrënimit të objekteve të kultit, barbarët komunistë lokalë zhdukën bashkë me to edhe pjesën më të madhe të arkivave të çdo objekti shekullor kulti, regjistrat e lindje-vdekjeve të besimtarëve, shënimet historike krahinore e më gjerë, përkthimet e librave fetarë, studimet etnografike dhe përshkrimet e traditave e zakoneve të grigjës, duke zhbërë kësisoj historinë e popullit tonë, shkruar dhe pasqyruar nga prelatët e shkolluar të të gjitha besimeve, që grigjën, pra popullin e tyre, e dashuronin fort ngaqë e kishin amanet nga Perëndia, të cilës i ishin përbetuar për besnikëri dhe i faleshin plot përkushtim e përunjësi.
“Kemi humbur thesaret më të vyera Fatos. Thesare si ato që Atë Shtjefën Gjeçovi shfrytëzoi kur organizoi dhe shkroi Kanunin e famshëm të Lekë Dukagjinit, që është ndër visaret më të shkëlqyer juridiko-moralë me të cilët populli ynë në mijëra vjet kodifikoi e organizoi jetën e vet. Klerikët tanë ishin atdhetarë të mëdhenj dhe tejet të ditur. Prandaj Mbreti Zog për të ruajtur të pastër klerin shqiptar këmbënguli për autoqefalinë e Xhamisë, të Bektashizmit dhe të Kishës Ortodokse, si dhe laicizmin e shkollës shqiptare. Atë që bënë komunistët me zhdukjen e këtyre fondeve të të gjitha besimeve, nuk mundën ta bëjnë armiqtë tanë më të betuar”, – më thoshte Sokoli me sy të përlotur.
Mallëngjimi dhe tronditja e Sokolit asokohe më kujtoi sentencën lapidare të filozofit të madh tiranas Hafiz Ibrahim Dalliut tek vepra “Patriotizma në Tironë”, ku theksonte: “Sikur të gjitha pyjet t’i presim e t’i bojmë laps e letër, dhe sikur të gjithë lumenjtë, liqejtë dhe detet e Shqipnisë të bohen bojë shkrimi, nuk do të mjaftojnë për të shkru krimet e tmerrshme që ka për të bo në këtë vend komunizmi shqiptar”…, si dhe paragonin “Patriotët ndahen në 4 kategori: të ftofët; të vokët; të nxehtë, dhe; të flaktë”, Padyshim që Profesorin tim të shtrenjtë unë e konsideroja “patriot të flaktë”.
Paskëtaj m’u kujtua maksima e filozofit anonim që theksonte: “Askush nuk do të shqetësohej nga fakti se materialistët komunistë pranojnë se rrjedhin nga kafshët, por kjo botë pëson kur ata e përligjin kafshën brenda tyre nëpërmjet veprave kriminale”.
Prifti Mëshkalla i kujtonte Sokolit terroristin anti-intelektual, zhbërësin e kulturës dhe shkatërruesin e krijuesve “dekadentë” në pikturë, skulpturë e arkitekturë, bash Alfred Uç-uçilishten që e kërcënoi duke i thënë: “Akoma ti armik na sillesh nëpër këmbë dhe guxon të penetrosh e të mashtrosh Partinë dhe pushtetin popullor me gjoja kulturë kombëtare, duke e ditur mirë se cili je… Pse neve do të na e hedhësh me priftërinj e klerikë obskurantë e agjentë të Vatikanit dhe qendrave të tjera armiqësore?! Mos më thënçin Alfred Uçi po s’ta preva prapë biletën e të të çoj atje ku të kemi çuar njëherë dhe ku ke vëllezërit e tu, armiq të urryer të popullit e të Partisë. Ne të dhamë leje që të shkruash për kulturën e popullit dhe jo të shkruash se bartësit kryesorë të saj qënkeshin priftërinjtë dhe klerikët. Kështu ti po i kundërvihesh hapur vijës së Partisë, që na sqaron se ata përfaqësojnë errësirën dhe jo dritën e kulturës së popullit.”.
Uçi ish trimëruar edhe ngaqë kish marrë vesh se Hodo, vëllai i vogël i Ramadanit ish ridënuar si njëri nga drejtuesit kryesorë të revoltës së Spaçit.


KOMBËTARISTËT U DOGJËN NË ZJARRIN E HUAJ TË KOMUNIZMIT < > REVIZIONISTËT U DOGJËN NË ZJARRIN E VET KOMUNIST TË LUFTËS PËR PUSHTET
Duke karakterizuar luftën e klasave dhe dallimet brenda saj, Prof. Sokoli më tha plot pezm: “Fatos, ne kombëtaristët u dogjëm në zjarrin që ndezën komunistët për ne, për të na shfarosur… Ndërsa revizionistët e komunizmit u dogjën në zjarrin e vet të luftës dhe të rivalitetit të egër për pushtet, ngjashëm me bandat mafioze. Ky është një dallim thelbësor që na diferencon prej tyre si mendësi, por jo si tragjizëm, pasi edhe lufta e tyre brenda llojit ishte shumë e egër, ishte kanibaleske. Kanibalët komunistë hanin njëri-tjetrin, dhe revolucioni i tyre, ashtu si Saturni i Mitologjisë, hante bijtë e vet. Ne kombëtaristët ishim viktima të masakrës që ata e quanin Luftë e Klasave. Fati ynë tragjik ishte paracaktuar në kanceleritë e perandorive komuniste e të tjerave antishqiptare, ndërsa fati tragjik i viktimave të luftës brenda llojit ishte përcaktuar brenda shtëpisë së komunizmit shqiptar në pushtet”.
Kërshëria për të mësuar shkaqet e vërteta të luftës që ideuan dhe planifikuan Enver-stalinisti dhe “Zhdanovi” i tij Alfred Uçi, më çoi në njohjen me sfondin e ngjarjeve dhe zhvillimeve në arte e kulturë në ato vite.
Era e liberalizmit që kish filluar në arte e kulturë, thjesht u instrumentalizua nga arrivistët e vetëshpallur “talente të reja”, që menduan se kish ardhur koha e rihedhjes së zareve dhe e rishkartisjes së letrave, për të ndryshuar hierarkinë shtetërore dhe renditjen “profesionale” në listën zyrtare të pushtetit komunist në fillimvitet ’70.
Kjo listë asokohe kryesohej nga ata që ishin shkolluar në Rusi, sikurse Muntaz Dhrami, Kristaq Rama, Kujtim Buza, Vilson Kilica, Shaban Hadëri, Agim Zajmi, Andrea Mano, etj., që pasoheshin nga ata që ishin shkolluar në Çekosllovaki si Thoma Thomai, Hektor Dule, Fuat Dushku, Halim Beqiri e Dhimo Gogollari, për të vazhduar me Danish Jukniun që i kish kryer studimet në Poloni dhe Perikli Çulin që kish studiuar në Rumani.
Kryesuesit e listës me shkollim rus kishin kapur prej kohësh pozitat dominuese partiake, pushtetore dhe akademike. Ata ruanin ekuilibret e pushteteve në artet pamore dhe përcaktonin edhe rrugëtimin, ritmet dhe tendencat e krijimtarisë… dhe nuk e kishin problem nëse nën zë e nëpër skuta, takëmi i Ali Osekut dhe Maks Velos i etiketonin si “jomodernë, dogmatikë e jashtë kohe”, sepse për ta kjo nuk përbënte fyerje, përveçse siguresë besnikërie politike dhe çertifikim hierarkik “meritor”.
Ky grupim në fundlistën e tij pranonte me kënaqësi miqtë si Thoma Thomai, Hektor Dule, Fuat Dushku dhe Danish Jukniu, në vend të Andrea Manos, të cilit i ishte dënuar vëllai Lola me “grupin e Beqir Ballukut”.
Ishte pikërisht ky grupim që kurrë nuk lejoi të jepnin mësim në Institutin e Lartë të Arteve të famshmit kombëtaristë me arsimim perëndimor si Paskali, Paço, Buza, Kaceli, etj..
Bash renditjen e listës sovjetike sipërmorën për ta përmbysur rioshët arrivistë Ali Oseku (dhëndër i Lubonjëve) dhe Maks Velo, që asokohe u cilësuan si “yje në ngjitje” nga ndoca servilë të Todi Lubonjës, që thjesht zbatonte urdhërat që jepeshin nga “lart”, bënte eksport-importin e famës së listës që vinte nga KQ i PPSH, vegjetonte në krye të Radio-Televizionit dhe bashkëshoqërohej në mendime e shëtitje pasditeve me krushkun e tij Fadil Paçrami.
Ali Oseku, që s’ka patur e s’ka asnjë mendim, madje për asgjë, as dje e as sot, e jo më të ketë patur ndonjë platformë estetike, apo qoftë edhe njëzë deklaratë apo pohim gojor si dëshmi e antikomunizmit (sikurse edhe Edi Hila), të vetmin akt që kreu për të na dëshmuar se edhe harronte e mendonte ngandonjëherë, ishte Fletë-rrufeja (dacibao) që kërreu kundër kolegut piktor-skenograf Agim Zajmi, thjesht dhe vetëm për ta hequr Zajmin nga posti i kryeskenografit në thiatrot e kryeqytetit, e për t’ia zënë vendin me ndihmën e Todit, Fadilit dhe Komitetit të Partisë të Tiranës, ku ligjin për artet dhe kulturën e bënte sekretar Fadili.
Ndërsa Edi Hila asokohe punonte si skenograf në R.Tv.Sh dhe gjithë ditën i bënte temenara e hosanara drejtor Todit, për çka përfitonte shërbime dhe specializime jashtë shtetit, kur të tilla privilegje kishin vetëm fëmijët e udhëheqjes së lartë dhe më të përzgjedhurit e regjimit.
Madje as krijimtaria e Osekut dhe e Hilës e atyre viteve nuk del nga caqet dhe parimet zhdanovisto-socrealiste të krijimit, por është dhe mbetet ilustrim i rëndomtë i saj, plot imitime shtampash e shabllonesh të kopjuara nga librat e arteve lindore, që në ato vite gëlonin me tepri nëpër ambientet e artistëve që po i gëzoheshin liberalizmit të përkohshëm.
Asokohe liberalizimi i jetës artistike krijoi një situatë euforie, me ç’rast disa kritizerë të shtyrë nga zelli për të rënë në sy, apo nga klane që luftonin për të ngjitur shkallaren e pushtetit, u kacafytën në një luftë të paprinciptë, pa argumente e platforma estetiko-teorike, derisa përfunduan si denonciatorë e dëshmitarë në Parti, Sigurim, hetuesira e gjykata, duke na dhënë prova shkresore e ligjore të terrorit komunist mbi krijuesit, artet dhe kulturën.
Nëse do të hapeshin plotësisht arkivat e KQ të PPSH, LSHA, Prokurorisë, Gjykatave, dokumentacionet e ILA dhe të Liceut Artistik, këto të vërteta do të konfirmoheshin plotësisht.
Edi Hila, si skenograf i festivalit XI nuk pësoi asnjë gërvishtje, ngaqë i kishte shpatullat të ngrohta. Ishin të tjerë ata mbi të cilët ranë rrufetë e Zeusit.
Hila nuk e pësoi për “Mbjelljen e pemëve”, por për shkak të përgjysmimit që i bëri rraqeve të valixhes së kryesigurimsit të ambasadës sonë në Romë, që ia kish dhënë Edit valixhen si porosi për t’ia dërguar në shtëpi, në Tiranë. Mirëpo Edi kishte dorëzuar vetëm gjysmën e rraqeve të valixhes, kurse gjysmën tjetër e kish ekspozuar në punë dhe në xhiron e darkës, ku shkëlqente sidomos me xhaketën e famshme me kuadrate që kryesigurimsi e kish patur plaçkën më të vyer të blerë në Romë për vëllain e vet në Tiranë… Por doli se këtë xhaketë kryesigurimsi e kish patur edhe fitilin e dinamitit të zemërimit kundër Edit. Dhe këtë të vërtetë e di i gjithë kolektivi i RTvSh të asaj kohe, i cili sajoi batuta e narrativa humori të pafundme me xhaketën e famshme me kuadrate të Edi Hilës, që mbahej si ylli në ngjitje në fushën e modës së jakave të ngritura, të cilat Ali Oseku ia përmendte edhe 2 dekada më vonë në Akademi.
Kësisoj Edi Hila përfundoi ca kohë në Pulari, ku kreu kurën e vezëve aq të munguara asokohe dhe u përgatit për pula-rizmin e ardhshëm, ku u vetëshpall menjëherë disident dhe e zgjodhën anëtar të Kolegjiumit të Redaksisë së gazetës opozitare RD.
Në vitin 1993 këtë “disident” PD e emëroi Dekan të fakultetit të Arteve 1993-1996, që pasi u duk vetëm për pak kohë në ILA u zhduk pa gjurmë dhe përhapi lajmin se Partia e dërgoi për “specializim 2 vjeçar për dekan në Zvicër, pa shkëputje nga posti i Dekanit”, duke shpikur kësisoj specializimin më unikal në botë për poste drejtuese akademike e shtetërore!!!
Gjithashtu Hila u vetemërua si “Personalitet dhe Autoritet akademik”, titull ky i pandeshur askund në botë përveçse në Shqipëri, me ç’rast etiketoi edhe shkollën tonë të Arteve pamore si “shkollë autoritetesh!!!”.
Gjithsesi, nëse do ta quajmë ballafaqim estetiko-kulturor karambolin e peshës pupël Oseku me tank-përfaqësuesit e shkollës ruso-sovjetike të mbështetur edhe nga “Zhdanovi” i estetikës socrealiste Alfred Uçi, zhvillimet që pasuan Pleniumin IV dhe dënimin e Osekut vetëm prej mllefit ndaj Todit e Fadilit, dëshmuan triumfin e plotë të ruso-sovjetikëve mbi të tjerët, duke konsoliduar hierarkinë dhe statukuonë e atëhershme në Artet Pamore.
***
Pas vitit 1990, rastësisht mësova për tragjikomizmin e eliminimit të “kokave të komplotit armiqësor në arte e kulturë”, Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës, nëpërmjet një konfidentit tim që e kish dëgjuar të vërtetën nga vetë sekretari personal i Enverit, gjirokastriti Haxhi Kroi.
Kish qenë fundviti 1972 kur një pasdite Enveri kish shkuar në zyrë dhe kish hedhur vështrimin nga dritarja në bulevardin ku si zakonisht shëtisnin qytetarët e Tiranës dhe kishte vërejtur, apo i ishte dukur, se këta qytetarë ishin spostuar në trotuar, plot drojë.
“Haxhi, dil e shih dhe më thuaj se mos ka dalë në bulevard Mehmeti dhe Kadriu, që janë trembur njerëzia(?), – më tha kumandari. Dolla, pashë, më thanë… dhe i thashë se nuk kish dalë Mehmeti, apo Kadriu, por kishin dalë në xhiro Fadil Paçrami, Todi Lubonja dhe njëfarë Ali Oseku. Kush është ki mo(?), – më pieti kumandari. I thashë se është dhëndri i Todit dhe punon skenograf në thiatro, ku po bën goxha emër… Medemek edhe ki po bën goxha emër në thiatro, si Fadili(!), – foli kumandari me zë të thellë e të mbitur, që paralajmëronte zemërim, dhe menjëherë më pieti: Pa ma përshkruaj këtë Aliun mo Haxhi, si është ki në të parë? Është një shulak kokëmadh që vishet me të zeza dhe ecën me duar nga pas, ngadalë dhe hijerëndë. Mban kapotë të gjatë e me jakë të ngritur mbi veshë, të cilën e mban hapur që t’i bien në sy pantallonat me tiranda. Hedh mbi jakën e kapotës një shall të madh që i varet poshtë, – i thashë. Medemek e mbaka veten për dendi parisien, si ata qëmoti që ngrefoseshin nëpër trokaderonë dhe bulevardet e Parisit, – foli kumandari me zë të mbitur, duke shtuar: Akoma s’e kanë mësuar këta se nuk kanë lindur ende ata që ma trembin njerëzinë mua dhe ma çlirojnë bulevardin nga populli im i lumtur(!), po këtu jemi dhe do ta shohim, – e mbilli fjalën kumandari dhe unë që e njihja mirë e kuptova se po vinte gjëma”, – kish thënë Haxhi Kroi.
***
Ngjashëm me fatin e Ali Osekut shkoi e vate edhe fati i Maks Velos, asokohe në zenitin e pushtetit profesional të kryearkitektit të Tiranës, me ç’rast komunikonte me “udhëheqësit” e vendit sa herë që ata vendosnin të ushtronin pushtetin mbi tokë nëpërmjet arkitekturës, ku impononin shijet dhe tekat e tyre, për çka edhe kishin shkolluar fëmijët trashëgimtarë-pushteti dhe realizues të projekt-trilleve në ndërtimin “socialist” të vendit.
Por Maksi gabonte vazhdimisht sa herë që u kumtonte kolegëve-bij të udhëheqjes se “që të bëhesh arkitekt me emër duhet të dish të vizatosh, duhet të dish frëngjisht dhe të azhornohesh me literaturën franceze në arkitekturë dhe pikturë”.
Dhe paskëtaj Maksi u rrëfente e u rrëfente atyre se kish lindur dhe e kish kaluar fëmijërinë në Paris dhe se njihte e lexonte jo vetëm literaturën profesionale në arkitekturë, por edhe sepse një arkitekt i formuar duhet të rriste “talentin e lindur edhe në pikturë dhe skulpturë”.
Dhe këto ua thoshte Pranvera Enver Hoxhës, Klement Kolanecit, Vera Hysni Kapos, Tit Hazbiut, fëmijëve të Adil Çarçanit e Manush Myftiut dhe Fatos Josif Eleni Pashkos, duke ndezur flakët e zemërimit të byroistëve të cilët, të gjithë sëbashku, nuk kishin marrë qoftë edhe një provim të vetëm në Francën-vend pelegrinazhi perëndimor dhe që frëngjishten e pamësuar në Francë e kishin merak dhe peng…
Mirëpo “kupa ishte mbushur e derdhur” dhe Pranvera e Klemi kishin mbledhur këshillin familjar të Kolanecëve bashkë me krushqinë, ku bënin pjesë kryehetuesi i vendit Floriani (vëllai i Klementit) dhe kunati i tij Kujtim Buza, asokohe kryecensor zyrtar i Lidhjes dhe i pikturës shqiptare.
Kësisoj me një të thënë e një të bërë, siç dinin të thonin e bënin ata, fëmijët e byroistëve u çliruan njëherë e mirë nga karshillëku i Maksit, duke ia prerë biletën për në ferr për hiçgjë, përveçse për rivalitetin naiv me bijtë e “perëndive të olimpit”.
Pas dënimit 3-vjeçar Ali Oseku i shkroi nga burgu mbi 280 letra pendese Enverit, në të cilat i përgjërohej për besnikëri duke i përmendur faktin se ish rritur i uritur në një familje fshatare pa tokë e tejet të varfër, e se barkun me bukë ia kish ngopur Partia, të cilës ia njihte të gjitha meritat në jetë. Paskëtaj Osekun e liruan me amnisti dhe e emëruan në Ndërmarrjen e Dekorit të qytetit të Tiranës, ku gjeti edhe Hilën e ku bashkë me të bënin panotë me portret-pllakatet e byroistëve dhe klasikëve të M-L. Kaq i madh ishte përkushtimi dhe devocioni i Osekut dhe Hilës ndaj udhëheqësit, saqë propozuan dhe realizuan portretin e Enverit me dimensionet më të mëdha në botë, me të cilin mbuluan gjysmën e fasadës së Universitetit të Tiranës, pa u kujdesur aspak për zënien e dritareve që duhej të ushqenin me dritë auditoret për mësim.
Në këtë konceptim pllakatesk të agjitacionit figurativ të komunizmit ata kishin bashkëmendimtar Vilson Kilicën, që me të njejtin koncept pllakatesk kompozoi dhe realizoi mozaikun në fasadën e MHK.
Edhe Edi Hila që është vetëshpallur dhe ekspozuar nëpër botë si “disident dhe i dënuar për vepra jashtë parimeve zhdanoviste të krijimit”, bashkë me Ali Osekun patën për patentë të disidencës portretin gjigant të Enverit.
Para se t’i jepnin ato dy shpulla, Edi Hila ishte shpallur nga partia si përfaqësuesi i denjë i shkollës socrealiste shqiptare, sepse tabloja “Mbjellja e pemëve” është vepër tipike shkollareske e realizmit komunist.
Edi Hila u bë qesharak kur duke dashur t’ia hedhë shokut Kadri Hazbiu, ndërroi me 500 lekë të vjetra të asaj kohe llagapin, nga Hila në Agostini, për çka Partia dhe Sigurimi i Shtetit që nuk e morën vesh asnjëherë se nga mbiu në mes të Tiranës alieni Edi Agostini, e emëruan atë Sekretar të Parë të katit të dytë të Piramidës, që si Sekretar të Parë të katit të parë kishte “disidentin”, tjetër, udhëheqësin e malladjozh-komsomolit komunist të rinisë së fakultetit të Arteve Pamore bash Gazmend Lekën, në fundvitet ‘70.
“Edi Hila bashkë me Edi Ramën më vodhën disidencën dhe me ftesat e dërguara për mua vajtën në Poloni dhe u shitën sikur kishin bërë burg dhe kishin vuajtur…, por Edi Hila është spiun dhe nuk ka bërë burg”, – ankohej më kot Maks Velo dhe deklaronte se “as Hila, as Oseku e as Rama nuk kanë patur as dje në komunizëm dhe as sot, ndonjë vepër-disidente si unë, që kam patur 400 të tilla, që m’i sekuestroi Sigurimi”.
Kësisoj nëse do të marrim si referencë konkluzionin Sokolian, Oseku dhe Velo u dogjën në zjarrin e vet revizionisto-komunist jo si kundërshtarë në politikë, apo në konceptet estetike, por si viktima të rivalitetit dhe rrethanave që ata i perceptuan dhe i vlerësuan gabim, teksa guxuan të kërkojnë më shumë sesa u kish dhënë Partia e tyre me tepri dhe zemërgjerësi. Madje koha pas viteve ’90 tregoi se Velo ishte dënuar ngaqë nuk e kuptoi asnjëherë se kish hyrë në zonën e rrezikshme të domenit të byroistëve që kishin privatizuar Shqipërinë, kishin shpallur ambicjen për pushtet të përjetshëm dhe kishin publikuar hapur trashëgiminë tek bijtë e tyre.


TERRORI, PARANOJAT DHE FATE TË DHIMBSHME
“Rrjeta zhdanoviste” dha efektet e thurjes me perfeksion të saj, teksa zinte jo vetëm “armiqtë”, por edhe vetë arrivistët brenda komunistëve, që nuk i kuptonin dhe pranonin hierarkitë e pushtetit mafioz të ndërtuar nga Stalin-Enveri.
Terrori që shpërtheu pas Pleniumit IV të qershorit 1973, shkaktoi psikoza manjako-depresive tek shumë artistë që, me të drejtë ose jo, mendonin se po përndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit, sidomos pas dënimit me burgim të disave syresh.
Ndër to krizën më të rëndë psikike e vuajti pedagogu dhe aktori i njohur Vangjush Furxhi, i cili shkonte vullnetarisht dhe raportonte vetveten në Polici, duke kërkuar ta arrestonin dhe dënonin pasi në ëndërr kish menduar keq për Partinë. Paskëtaj ai kërkonte me çdo kusht të gjente dhe të jepte prova besnikërie ndaj Partisë nëpërmjet zbulimit dhe denoncimit të “veprimtarisë armiqësore” të kujtdo.
Viktimë e paranojës së tij isha edhe unë Fatos Kola dhe bashkë-studentët e mi të ILA: Maks Mustaka dhe Irakli Gjini.
Asokohe Furxhi i sapoardhur nga Korça banonte në një dhomë në katin e parë të godinë-fjetores së studentëve të Arteve.
Në tetor 1977, kur sapo pata filluar studimet në vitin e parë, një grup kontrolluesish(?!) i kryesuar nga Vangjushi kontrolluan raftet dhe valixhet e çdo studenti të godinës.
Mua më gjetën kroki të vizatuara në plazh gjatë parapërgatitjes për konkurs, ndërsa Maks Mustakës i gjetën një kopjim nga ilustrimi i një vepre të artit neoklasik francez, në reliev, titulluar “Nimfat që dalin nga uji”, ku draperitë që vishnin figurat ua pozonin edhe më shumë nuditetin. Kurse Irakli Gjinit i gjetën një nudo të Modilianit.
Paskëtaj Furxhi i mori “materialet armiqësore” dhe ia dërgoi Faslli Luarasit, që ishte sekretar i Partisë dhe pedagog i lëndës së Filozofisë m-l në gjithë ILA. Faslliu menjëherë dha alarmin dhe lajmëroi instancat përkatëse që të sillnin përfaqësuesit e tyre, pasi “ishin zbuluar..”..
Si ekspertë nga jashtë erdhën Muntaz Dhrami si përfaqësues i KQ të PPSH që kishte nën kujdestari ILA dhe kryecensori zhdanovist i LSHA Kujtim Buza. Ndërsa nga fakulteti, si kryetar dhe në qendër të Trupit Gjykues qëndronte Dekani kryezhdanovist Thoma Thomai, të cilit i ishin dorëzuar dhe i mbetën në xhep çelësat e censurës e të drejtimit administrativ gjatë viteve 1973-1993, kur edhe u kulmua zhdanovizmi në arsim dhe kulturë.
Anëtari i katërt dhe i brendshëm i Trupit Gjykues ishte bash krye-esteti zhdanovist i Arteve Pamore Andon Kuqali. Ndërsa si përfaqësues të Rinisë komuniste të ILA ishte Suzana Varvarica, e përforcuar nga kreu i Rinisë komuniste të Fakultetit të Arteve Pamore, Gazmend Leka.
Mbledhjet ishin një terror i rëndë mbi kokat tona dhe ato të të gjithë studentëve të tjerë dhe zgjatën mbi një javë e zhvilloheshin para çdo dite mësimore. Gjatë tmerrit, anëtari i KQ të PPSH Muntaz Dhrami dhe Dekani e njëkohësisht burri i mbesës së Vito Kondit, Thoma Thomai, më kërkonin t’u tregoja se çfarë kisha folur me “diplomatin mjekërkuq dhe me baseta të gjata të një ambasade të huaj, në plazh”, pasi për këtë “fakt” ata pretendonin se kishin të dhëna të sigurta, të konfirmuara nga “organet…”.
Në fund të gjyqit një javor Trupi Gjykues u tërhoq për vendim dhe dha këto vendime bazuar kryesisht në sjelljen tonë të mëparshme, apo bazuar në gabime të ngjashme, në origjinën familjare, në masën dhe “rrezikshmërinë e shkarjeve ideologjike…”.
“Fatos Kolës përderisa e ka për herë të parë, i jepet paralajmërim për përjashtim përgjithmonë nga shkolla. Po kështu edhe Maks Mustakës, student në vitin e tretë”. Kurse Irakli Gjinit që ishte student në vitin e katërt, i thanë se e kish rast të përsëritur dhe e dënuan me përjashtim përgjithmonë nga shkolla si dhe e dënuan me punë të detyruar në kooperativat bujqësore.
***
Terrori psikologjik e shtyu skulptorin e madh Janaq Paço të thyente nudot e famshme pas kërcënimit të drejtpërdrejtë të Sigurimit të Shtetit. Paskëtaj Prof. Paço kaloi në një depresion që u thellua dhe i shkaktoi Parkinsonin nga i cili la modelimin dhe vizatimin dhe vuajti për afro 10 vjet, deri në fundjetë.
Në korrik të vitit 1993, në 2-vjetorin e ndarjes nga jeta, me porosi të Prof. Sokolit dhe në bashkëpunim me vajzën dhe dhëndrin e Prof. Paços, mora përsipër dhe munda të realizoja restaurimin e një pjese të vogël (10 nudo nga rreth 100 vepra të thyera). Pjesën tjetër të veprave të pa restauruara vendosëm që të ekspozoheshin ashtu të thërmuara copë e grimë, për të dhënë imazhin e plotë të dramës shpirtërore të Prof. Paços në momentin kur e kërcënuan me jetën e tij dhe të familjes që t’i thyente, nëse donte të shpëtonte njëherë e mirë…
Prof. Sokoli ishte shumë i tronditur prej fatit tragjik të veprave dhe fundjetës së mikut të tij të shtrenjtë, vrasja me terror psikologjik e të cilit është vepra më monstruoze e krimit intelektual të komunizmit kundër jetës së artistit, artit dhe trashëgimisë artistike e kulturore.
Bash në atë përvjetor Prof, Sokolit i lindi ideja e të shkruarit të librit homazh “Krjime dhe flijime”, vepër të cilën do ta realizonte në vitin 2004, kushtuar miqve dhe kolegëve të tij më të shtrenjtë, që ai pati dhe që i shoqëroi apo e shoqëruan deri në fundjetë: sikurse Janaq Paço, Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Vladimir Jani, Naxhi Bakalli dhe Vladimir Metani.
Pas çeljes së ekspozitës homazh ndaj Paços, e cila shokoi Tiranën, gjithkush pati mundësinë të shohë sesi krimi i sofistikuar me doreza të bardha, e përdori dhe e përdor terrorin psikologjik dhe cinizmin për të dhënë kumtin vrastar se “Paço i theu vetë nudot, me dëshirën e tij, kështu që nëse vret veten nuk ta ka askush gjakun borxh”.
Megjithatë edhe sot mbetem me dyshim dhe habi përse të hierarkuarit e komunizmit në Artet Pamore, që kishin qenë të gjithë nxënësit e tij e që megjithë pushtetin e madh që kishin nuk e lejuan asnjëherë Paçon të jepte mësim në ILA, as që denjuan asokohe të vinin në ekspozitën homazh të profesorit të tyre.
Prof. Ramadani dhe unë në atë përvjetor dhamë intervistë në Radio Tirana për vlerat profesionale dhe morale të këtij artisti të madh e me nivele ndër më të lartat botërore, me ç’rast unë citova edhe fragmente nga studimi i im teorik vepër diplome “Mësonjësi i mësonjësve të mi”.
Por ky gjeni i skulpturës shqiptare e përfundoi jetën vetëm me kryeveprën shqiptare të shekullit XX, Skënderbeun e Krujës krijuar në vitin 1954, dhe me disa portrete të vendosura nëpër sheshet e Shqipërisë, ndërkohë që sharlatanët e skulpturës llupën për vete të gjitha porositë e marra si dhuratë shërbesash nga Partia, në shumicë absolute me prokurim të drejtpërdrejtë.
***
Pas dënimit të vëllait Lola Mano “si armik” i zbuluar bashkë me Beqir Ballukun, profesori im që kish mbaruar 3 akademi për skulpturë, dy në Perëndim dhe të tretën në Rusi, Andrea Mano, vuajti maninë e persekutimit, shkaktuar nga terrori psikologjik dhe trysnia ideologjike e kolegëve.
Në vjeshtën e vitit 1978, gjatë realizimit të një vepre për ekspozitën e fundvitit në GKA, Prof. Mano na mori si ndihmës mua dhe shokun tim të kursit, djalin fjalëpak, fisnik e besnik, Sokrat Kuvaratin.
Gjatë gjithë kohës, pasditeve kur ne punonim, Prof. Mano i ndjerë kalonte në gjendje paniku pas çdo zhurme apo fëshfërime të erës nëpër studion tonë të shpartalluar. Por paniku i tij thellohej kur dëgjonte nëpër korridor hapat dhe fishkëllimat e Dekanit censor Thoma Thomai, dhe profesori i terrorizuar na drejtohej neve nxënësve të tij me zë të dridhur: “Po çfarë i kam bërë unë këtij njeriu që më përndjek këmba-këmbës… Pse me mua do të merret ai, gjithë jetën?! Ja, ju kam juve të dyve dëshmitarë se nuk po bëj dhe nuk po them asgjë të dënueshme. Ja, më thoni mua, çfarë po bëj gabim, që ky më përndjek?
Dhe pasi vuanim ta qetësonim profesorin tonë të llahtarisur, ai në besim na thërriti që ta ndihmonim në studion e tij për realizimin e një vepre që do ta çonte në ekspozitën e përvitshme të nëntorit: “Ju kam marrë të më jepni një mendje se çfarë të bëjmë me duart e këtij punëtorit që po bëj, se duhet patjetër t’i vëmë në dorë ndonjë vegël. Po kazëm, drapër, çekan, pushkë, mistri, lopatë, kovë, bidon, legen s’i vëmë dot, se këto vegla ua kam vënë më parë nëpër duar punëtorëve të tjerë që kam bërë… Po këto vegla ua kanë vënë edhe të tjerët, kështu që nuk e përsërisim dot këtë gjë.”. Dhe kur ne mblodhëm supet se nuk po na vinte ndërmend ndonjë vegël e papërdorur më parë prej tij e të tjerëve, profesor Andrea thërriti me gëzim të papërmbajtur: “Djema, më në fund e gjeta, do t’i vë në dorë një sqepar. Dhe tani hajdeni më ndihmoni t’ia vëmë në dorë sqeparin, se shpëtuam…”.
Dhe pasi ia vumë në dorë sqeparin, plot gëzim profesori më tha: “Fatos ti kij kujdes se ta kanë vënë synë. Më pëlqeve që bëre minatorin me martinel. Bëje sërish minatorin, mos iu ndaj minatorëve deri në fund të shkollës nëse dëshiron të shpëtosh, se ndryshe nuk ka burrë dhe djalë nëne që të të mbrojë…”. Dhe unë e bëra realitet këshillën e tij, pasi deri në fund të vitit IV të shkollës bëra vetëm minatorë me martinel.
Vetëm si vepër diplome bëra heroinën e dashur të Atë Fishtës dhe të Prof. Sokolit, Tringa Smajlin, ku me atë rast studimi dhe vepra që i kushtova ma shndërroi Tringën në figurën më të shtrenjtë femërore që i dha kuptim dhe motiv dashurive të mija sublime…
Ndërsa Sokratin, Prof. Mano e porositi të bënte tornitorë pa fund, shoqëruar gjithmonë me porosinë “se kështu e duan këta…, se ndryshe ju piu e zeza dhe s’keni shpëtim, as ti dhe as Fatosi”.
Pasi vinte koha për të shkuar në shtëpi, Prof. Mano fillonte sërish të dridhej. Harronte ku kishte çelësat, dhe, kur i gjente, me duart që i dridheshin mezi gjente bravën…, rikthehesh në fund të korridorit për të parë nëse e kish mbyllur derën e studios, rubinetin e lavamanit, apo nëse i kish fikur dritat, etj..
Kur e përcillja vonë për në shtëpi, ai më porosiste vazhdimisht që t’i ruhesha censor Thomait e të mos i afrohesha asnjëherë bibliotekës së shkollës për të kërkuar libra arti se nuk do të merrja asgjë tjetër përveç dyshimeve dhe mllefeve të Dekan Thomait, që kish bllokuar të gjithë literaturën për artet pamore, të cilën e kish vulosur me vulën”Rezervat”, me të cilën edhe sot kjo literaturë është dhe qëndron e damkosur.
Një natë Prof. Mano më konfidoi se Dekan Thomai ishte ngarkuar personalisht nga shefi i Sigurimit në Parti, Hysni Kapo, si kaporal-censor dhe vijërojtës i ideologjisë komuniste dhe zhdanovizmit në arte në ILA dhe më gjerë, çka e vërtetova kur Thomai u përplas me Kristaq Ramën një dekadë më vonë dhe i tha në mes të kallaballëkut: “Ti Kristaq Rama duhet ta dish njëherë e mirë se nëse ti je Koka këtu, unë jam Qafa, dhe ti e di mirë se është Qafa ajo që e rrotullon Kokën…”. Kristaqi nuk e mohoi, as në atë rast dhe asnjëherë, që Thomai ishte dhe mbeti Qafa që rrotullonte Kokën dhe Kokat…, natyrisht të pushteteve në artet pamore, madje edhe sot e gjithë ditën, si këshilltari personal i kryeministrit Rama.
Para dhe pas rënies së komunizmit, të gjitha emërimet në fakultetin e arteve pamore i bënte dhe i bën Thomai. Madje sot, të gjithë pedagogët e skulpturës atje janë vetëm mxënës të Tomash-çekistit, të atelierit të Qeramikës së Aplikuar (Dizajni), drejtuar prej tij.



MITOMANËT NËPËR BOTË DHE NË QENDRËN POMPIDU
Pas “shpartallimit të grupeve armiqësore në Kulturë, Ushtri dhe Ekonomi (1973-1976)”; pas shpalljes së Enverit “Klasik i pestë i M-L dhe udhëheqës i proletariatit dhe i revolucionit botëror” menjëherë pas kongresit VII të PPSH (nëntor 1976) dhe si “demaskues i Revizionizmit modern e i Social-imperializmit kinez” në periudhën 1976-1978; pas varrosjes dhe burgosjes së “krijuesve dekadentë në artet pamore dhe në institucionet shkollore” prej Alfred Uçit, Andon Kuqalit, Kujtim Buzës dhe Thoma Thomait me shokë dhe prej kolegëve të tjerë që për shërbesa politike u emëruan artistë të popullit komunist, Enverit dhe ndihmësve të tij në arte dhe kulturë iu mbush mendja se përfaqësonin vlera unikale mbarëbotërore në mendimin politiko-ideologjik dhe estetik, por edhe në artet pamore. Arte këto të udhëhequra nga platforma estetike zhdanoviste e zhvilluar në veprat e Alfred Uçit “Estetika, jeta, arti (1970)” dhe “Labirintet e modernizmit (1978)”, që ishin programi udhërrëfyes politik zyrtar i krijimtarisë në fushën e pikturës, skulpturës, shkollave, akademizmit dhe kulturës në përgjithësi.
Pas “mahnitjes së mbarë botës” prej mendimit politiko-ideologjik të Enverit derdhur në kolanën e veprave të tij të botuara me cilësinë më të lartë dhe të shpërndara falas në 7 kontinentet, piktorët dhe skulptorët e popullit komunist prisnin me ankth rastin për të mahnitur edhe ata botën, sikurse lideri i tyre shpirtëror. Dhe rasti këtyre psikodelirantëve u erdhi me ngritjen e Qendrës Pompidu në Paris më 31 janar 1977, teksa shteti francez ideoi dhe shpalli se ofronte për promovim identitete kulturore, ndaj dhe ftoi shtete të ndryshme të ekspozonin arritjet dhe prurjet kulturore më të shënuara e më përfaqësuese, sidomos në artet pamore.
Triumfi i Dizhonit i kish shtënë në ngasje komunistët e etur për një tjetër triumf kulturor bash në Francën-avanpost të kulturës së Perëndimit e ku lëvdoheshin se “kish studiuar shoku Enver”, ndaj dhe në vitin 1984 dërguan atje një ekspozitë mikste, ku kishin përzier veprat më të mira socrealiste të pseudo-artit proletar pamor, me eksponatët e trashëgimisë ikonografike bizantine të piktorëve gjenialë Onufri e Shpataraku me shokë.
Pasi ishin marrosur prej fiks-idesë se “modernizmat” e mishëruara në rrymat perëndimore në pikturë dhe skulpturë ishin kiç kulturor dhe dështim total, mitomanët enveristë shqiptarë të arteve pamore mendonin se kishin nivel tejet të lartë dhe ishin origjinalë e identitarë. madje ishin të bindur se arti i tyre proletar ishte dukshëm më superior, më modern dhe më bashkëkohor sesa arti “dekadent” që kish masakruar esteti i tyre Alfred Uçi.
Asokohe Enveri po përjetonte ditët e fundit të jetës dhe shërbëtorët ia ushqenin delirin e madhështisë për ta përcjellë të lumtur në atë botë… Ndërsa “Zhdanovi” dhe zhdanovistët e tij, në pritjen troshitëse për “triumfin parizian”, përpinin azhanset e ATSH-së dhe përvëloheshin nën ethet e psikozës së shkallmimit të sigurtë të artit dekadent modernist evropian bash në Parisin dhe Francën ku këto arte ishin eksperimentuar dhe kulmuar përgjatë shekujve IXX dhe XX.
Ekspozitën e tyre në Qendrën Pompidu e përcolli drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve Fuat Dushku, i cili në tekst-parathënien që kish përgatitur e me të cilën shoqëronte ekspozitën, u thurte lavde artistëve zyrtarë të ekspozuar, konform skemës së eksport-importit të organizuar të famës. Skemë sipas së cilës me kasnecë të emëruar si “kuratorë zyrtarë” e pa kurrfarë platformash estetike, fillimisht i thuhet botës se “këta janë artistët më të mëdhenj shqiptarë”, dhe paskëtaj spekulohet me citimet e kritikës dhe medieve të huaja duke importuar famën e sajuar se gjoja janë këta, domethënë mediet dhe kritikët e huaj, që i kanë vlerësuar dhe shpallur filanin e fishekun si të tillë, pra si “artistët më të mëdhenj shqiptarë”!!!









POSHTËRIMI I SOCREALIZMIT ZHDANOVIST NË FRANCË
Për kryeveprat e ikonografisë sonë që u ekspozuan në Paris asokohe, unë Fatos Kola kam deklaruar më parë dhe deklaroj me bindje, përballë kujtdo, se ato janë kulmimi i arritjeve artistike të artit epokal bizantin në pikturë dhe ndër nivelet më të larta botërore të të gjitha kohërave. Madje me krenari pohoj se: nëse italianët kanë Xhokondën e tyre, ne kemi “xhokondat” tona të ikonografisë, pikturuar nga Onufri e Shpataraku me shokë…
Kritika franceze u magjeps nga ikonografia gjeniale shqiptare dhe piktorët bizantinistë shqiptarë i konsideroi “unikalë brenda artit epokal bizantin”. Por njëkohësisht u tmerrua nga niveli skandaloz profesional dhe imitim-kopjimi i turpshëm i arteve pamore sovjetike, euro-lindore dhe aziatike prej kërrenjësve tanë “ndihmës të partisë në edukimin komunist të masave që ndërtojnë socializmin, ndërsa partia i bën ato të ndërgjegjshme…”.
Po ku ta gjenin turpin “artistët tanë të partishëm”, që të turpëroheshin teksa dërguan në Francë veprat ku inventarizoheshin simbolet komuniste si pushkët, drapërat, çekanët, kazmat, lopatat, bidonat, legenat, e ku pozojnë humanoidë të shpërfytyruar, që kritika franceze i quajti “qenie të dehumanizuara, që me armët vrastare dhe me pamjet e tyre të llahtarshme kërcënojnë specien të cilës i përkasin, njeriun…”.
Në botën e teorive komuniste dihej që birbot tanë të politikës e të pseudoestetikës ishin plagjiatë të pacipë. Por kritikët francezë ua thanë copë në fytyrë piktorëve dhe skulptorëve të popullit komunist akuzën për kopjativë me bojë e me tasele edhe të veprave realsocialiste në BS dhe mbarë Lindjen e kuqe. Madje i kishin tallur paq duke ua qarë hallin për mundimin që kishin hequr duke transportuar deri në Francë morinë e kopjimeve identike, mbushur me inventar magazinash të veglave të punës dhe deposh të armëve, si dhe “plagjiatura të hapura të veprave të Vera Muhinës, Aleksandër Gerasimovit, Isak Brodskit, Mitofan Grekovit, etj..”.
Natyrisht që kritika profesionale franceze, pasi u kish thyer hundët komunistëve tanë për “artin proletar” pa identitet, u kish lëvduar paskaj artin ikonografik të gjyshërve tanë që, para se të mrekullonin Francën, kishin magjepsur Bizantin gjenial teksa kishin tretur në krijimet e tyre parimet bizantiniste të krijimit, si në artet pamore epokale ashtu edhe në muzikë e arkitekturë. Këtë kishin bërë para Onufrit dhe Shpatarakut me shokë edhe Jan Kukuzeli në muzikë, Sinani, Sedefqari dhe Kasemi në arkitetkturë.
Por siç thotë edhe një miku im me fantazi të zhvilluar e përplot sens humori të zi, mrekullimit të francezëve prej ikonografisë sonë ia kish zënë vendin me shpejtësi zilia, dhe më pas betimi e përbetimi i frikshëm që u bë realitet pas një dekade: Meqenëse nuk ua grabisim dot ikonat gjeniale, shumë shpejt or shqiptarë qyqarë do të fabrikojmë dhe do t’u vëmë në krye tradhtarë dhe hajdutë-shitës ikonash që do t’i marrin pa para ato dhe pasuritë e tjera kulturore për të na i sjellë këtu në Paris, për të hapur me to Luvrin e dytë e të tretë… “Dhe përbetim-kërcënimin francezët e bënë realitet fiks pas një dekade, – thotë miku im, – teksa më kujton: Pse, çfarë na bënë perandoritë? Na grabitën me duart e tyre dhe tonat të gjitha pasuritë dhe artefaktet kulturore, qysh nga shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut e të tjera. Otomanët nuk lanë thesar pa na vjedhur pas pushtimit, dhe po kështu vepruan serbët, grekët, italianët dhe austro-hungarezët gjatë LPB, dhe më vonë italianët e gjermanët gjatë LDB, ku shumicën e oficerëve e kishin studiues dhe etnografë, e aspak ushtarakë. Vetë më ke thënë mor mik se të gjitha perandoritë pushtuese që kanë kaluar këtej pari, në rreshtin e parë kishin vendosur vrasësit, e menjëherë pas tyre kishin rreshtuar hajdutët e floririt, artefakteve dhe objekteve kulturorë të papërsëritshëm e të pallogaritshëm për nga vlerat monetare e numizmatike, e me të cilat mbushën muzetë dhe koleksionet private, duke u shndërruar në perandori kulturore me kulturë të vjedhur… Vetë më ke thënë miku im Fatos se Mbreti Zog e kishte tmerruar arkeologun fashist Luixhi Maria Ugolini kur i kish vënë xhandarin tek koka në Finiq, Butrint e Koman, që të mos vidhte natën ato që zbulonte ditën. Vetë më ke thënë që po kështu ua kish nxirë jetën edhe etnograf-fashistit tjetër Antonio Baldaçit, arkeologut francez Leon Rey në Apoloni dhe Durrës, e të tjerë gjuetarëve të pasurive tona kulturore… Ndaj them se po të kishim Mbret dhe jo qiraxhinj-hajdutë mbi krye, nuk guxonte kush të privatizonte Butrintin tonë e ta grabiste atë me ligjet e miratuara nga tradhtarë-shërbëtorët e emëruar si sundimtarët tanë prej protektorëve të rinj ndërkombëtarë”, – e mbylli apologjinë e frikshme miku im.
Dhe unë iu përgjigja se: Helena, Semiramida e Babilonisë, Kleopatra dhe Teuta e Ilirisë, etj., ishin pretekste për luftërat dhe komplotet që synonin nënshtrimin, rrënimin dhe grabitjen e Trojës, Asiro-Babilonisë, Egjiptit dhe Ilirisë.



KULTURAT SI EKSPONATË TË MUZEVE PERANDORAKE
Për mua Fatos Kolën: Agamemnoni; Kiri i Madh i persëve; Aleksandri i Maqedonisë; rrënuesit e mbi 100 Aleksandri-qyteteve në Egjipt dhe mbarë Lindjen e Mesme e të Largët gjatë antikitetit; Jul Çezari; Mark Antoni; Oktavian Augusti; perandorët romakë pa përjashtim; mbretërit e fiseve barbare të mesjetës së hershme që rrënuan Romën dhe shkretuan mbi 100 Roma-qytetet në mbarë Perandorinë romake; Çinçiz Khani mongol; Kryqtarët dhe Saladini në Jeruzalem; Ferdinand Kortesi; Magelani; Amerigo Vespuçi në Lindjen e Largët; Napoleoni; sulltanët otomanë; carët rusë; Stalini; Musolini; Hitleri; Çurçilli; Ajzenhaueri; De Goli në Indokinë dhe Algjeri; Millosheviçi në Jugosllavi; aleatët perëndimorë që pushtuan Bagdatin në vitin 2003, etj., ishin jo vetëm rrënuesit më të mëdhenj të qytetërimeve dhe kulturave më madhështore të planetit, por edhe triumfatorë-hajdutët më të mëdhenj që grabitën thesare, artefakte e objekte të papërsëritshme.
Thuhet se Napoleoni e qëlloi me top, për ta shkatërruar, monumentin gjenial të Sfinksit egjiptian në vitin 1798, kur po rrezikohej nga afrimi i flotës turke në ndihmë të turqve dhe mamlukëve, me të cilët u përball në betejën e famshme të Gizës.
Sot vetëm në Luvër janë ekspozuar rreth 5 mijë artefakte egjiptianë, të grabitura gjatë fushatës egjiptiane të Napoleonit dhe gjeneralëve të tij në periudhën 1798-1801.
Gjenerali anglez John Hely Hutchinson i sekuestroi mbi 6 mijë artefakte dhe objekte egjiptiane të vjedhura gjeneralit francez Menou të Napoleonit, pas fitores së anglezëve të komanduar prej tij mbi francezët e komanduar nga gjenerali Menou në betejën e Aleksandrisë më 21 mars 1801. Këto artefakte, ndër të cilët shkëlqen artefakti i famshëm i quajtur “Guri Roseta”, u dërguan në Londër dhe sot ndodhen në Muzeun Britanik të saj.
Unë Fatos Kola dëshmoj se në Torino, vetëm në njërin nga dhjetëra muzetë e famshëm të qytetit antik lombard, ishin ekspozuar si eksponatë-pasuri kulturore mbi 4800 artefakte dhe objekte të lashtë egjiptianë.
Në mes të bombardimeve të tmerrshme të Bagdatit në vitin 2003, trupat aleate merreshin me grabitjen me kamionë të dhjetëra muzeve të famshëm të kryeqytetit iraken, ku ishin muzealizuar artefaktet më të vyer të perandorive kulturore asiro-babilonase, persiane e mesopotamike. Këto objekte të grabitura dërgoheshin në aeroportin e pushtuar të Bagdatit, ku avionët ushtarakë të boshatisur mbusheshin me to dhe niseshin me urgjencë drejt Perëndimit, ndërsa ushtarët “aleatë” linin automatikët e pajimet dhe bënin hamallin e ngarkim-shkarkimit të plaçkës së vjedhur të Irakut të pushtuar, ndërkohë që askujt syresh nuk i binte mendja për “Sadam-Hitlerin” kryegjah i kësaj “lufte”, ku “luftonte” vetëm njëra palë…,, natyrisht me thesaret dhe pasuritë kulturore.
Jo më kot ulërinte Erdogani para një dekade, për rikthimin nga Perëndimi të të gjitha artefakteve të grabitura në territorin e Turqisë, sidomos pas LPB dhe pushtimit të përkohshëm grek të pjesës europiane të Turqisë dhe të disa prej qyteteve kryesore të Anadollit, dhe pas vendosjes së regjim-kontrollit ndërkombëtar të Stambollit prej trupave të Fuqive të Mëdha me në krye ato britanike pas përfundimit të LPB e deri në vitin 1922, kur Ataturku mori përfundimisht pushtetin.
I gjithë krimi politiko-diplomatik sot në Kosovën-shtet i pavarur bëhet për të grabitur Mitrovicën, të cilën fillimisht e shfrytëzuan mbretërit ilirë dhe pas tyre romakët kur pushtuan mbarë Ilirinë dhe Dardaninë, ku grabitën dhe rrënuan mbi 400 qytete të famshme. Më pas përmbi 15 shekuj e shfrytëzuan pushtetarët që sunduan atje, e vazhduan serbët për mbi 3 dekada, e vazhdoi Hitleri gjatë LDB, teksa i dha Mitrovicës status special nën administrimin e drejtpëdrejtë të Berlinit, (ndonëse Kosova ndodhej nën pushtimin italian), dhe e vazhduan serbët nën Jugosllavinë e Titos e të Sllobos deri në vitin 1999.
Thuhet se aktualisht mbi Trepçën ekziston njëfarë statusi koncesioni 100-vjeçar, por dorëheqja e qeverisë Haradinaj dhe rrëzimi i qeverisë Kurti lidhet drejtpërsëdrejti me grabitjen e projektuar e të vulosur të Mitrovicës, marrëveshjen për të cilën do ta firmosë atdheshitësi Hashim, vetë ose vetë i dytë, bashkë me mikun e tij Vuçiçin-serb në favor të hajdutëve lobistë filorusë e filoserbë përtej Atlantikut.
E ngjashme me këtë grabitje është edhe grabitja e naftës shqiptare në pellgun naftëmbajtës të Patos-Marinzës, ku prej 15 vitesh shfrytëzuesit që kanë nxjerrë mbi 20 milionë tonë naftë nuk pranojnë të paguajnë asnjë kacidhe rentë minerare e tatim-taksa, me “arsyetimin” se po punojnë “me humbje(??!)”, pas të cilave çuditërisht nuk kanë ndërmend të largohen??!
Mendjet më të guximshme paralajmërojnë se do të vijë një ditë që atdheshitësit në pushtet ta gjobisin me ligj shtetin shqiptar për të shlyer humbjet që po “pëson” Bankers Petroleum që po digjet e përvëlohet për popullin tonë mosmirënjohës.
Po kësisoj e me të njejtën skemë vazhdon grabitja e xeherorëve të Munellës qysh prej 20 vitesh, xeherorë nga të cilët dilte shumica e floririt që prodhohej nga rafineria e Rubikut, pa përfshirë këtu metalet tejet të rralla bashkëshoqëruese, me vlerë kolosale.
Para dy dekadash luftanijet e Flotës VI amerikane shoqëruan nën masa sigurie “Xhokondën” e Leonardos, kur e dërguan nga Luvri në Nju Jork dhe nga Nju Jorku në Tokio, për ta ekspozuar. Madje kritikët i vunë asokohe edhe çmimin e frikshëm prej 2 miliardë $… Kurse kryeveprat tona e të mbarë botës, që u vodhën ditën për diell, perandoritë me arrogancë i ekspozojnë si pasuri të tyret, madje kërkojnë t’ua dijmë për nder kur na i japin për t’u çmallur me to, sikundër veproi Austria me shpatën dhe përkrenaren e Skënderbeut, që na i la për mëshirë 2 muaj, gjatë festimeve të jubileut të 100-vjetorit të pavarësimit të Shqipërisë, në vitin 2012.



SOKOLI, KULTURA, MUZEOLOGJIA, ARKIVISTIKA
Prof. Sokoli e vlerësonte maksimalisht rolin e muzeve dhe arkivave për ruajtjen dhe administrimin institucional të Kujtesës kulturore dhe i njihte teoritë, metodologjitë dhe metodat e ruajtjes së identitetit kulturor e atij kombëtar nëpërmjet Arkivistikës dhe Muzeologjisë.
Ai vlerësonte se arkivat dhe muzetë janë institucione të kujtesës kulturore, janë fuqia jonë institucionale për të menaxhuar kujtesën mbi Kulturën kombëtare. Ndaj theksonte se arkivat dhe muzetë duhet të menaxhojnë në mënyrë kolektive kujtesën tonë kolektive dhe njohuritë historike nëpërmjet formulimit të politikave arkivore e muzeale. Politika që sipas tij historikisht kanë vulosur vendimmarrjen teksa kanë ndihur për të hartuar dhe përsosur legjislacionin arkivor e muzeal konform koncepteve moderne të arkivimit e muzealizimit (shkencat dhe shërbimet arkivore e muzeale), të cilat na ndihmojnë t’i qasemi trashëgimisë kulturore pa devijime dhe kufizime konceptuale.
Prof. Sokoli këmbëngulte se menaxhimi shkencor i fondeve arkivore e muzeale nënkupton ruajtjen, përpunimin dhe përdorimin e tyre brenda kushteve optimale, në një mënyrë që siguron doemos autenticitetin, besueshmërinë, unikalitetin dhe kuptueshmërinë. Parametra këto që na sigurojnë se çdonjëri institucion i kujtesës kulturore është njëkohësisht edhe një nga themelet e Identitetit Kombëtar.
Identiteti kulturor i konceptuar dhe i etiketuar si Kulturë e Kujtesës, nënkupton përdorimin publik të së Kaluarës, ndërsa në një kuptim më të ngushtë përfaqëson një disiplinë shkencore që merret me interpretimin dhe shpjegimin e mënyrave të ndryshme të regjistrimit dhe përdorimit të së Kaluarës si njohje, si edukim-formim dhe si vizion zhvillimor.
Formulimi dhe përplotësimi kohor i Kulturës së Kujtesës si një prej segmenteve thelbësorë të identitetit kulturor, sipas disa mendimtarëve përcaktohet si “vetëdije e anëtarëve” të një grupi shoqëror që lind dhe zhvillohet historikisht në vartësi të raporteve që ky grup shoqëror krijon në marrëdhënie me grupet e tjera shoqërore.
Si e tillë, Kultura e Kujtesës përfshin besimin në origjinën e paraardhësve biologjikë dhe besimin tek rrënjësia e përbërësve historikë të identitetit e të së kaluarës.
Shikuar nga këndvështrimi i shkencës arkivore, Kultura e kujtesës presupozon modelimin nëpërmjet përpunimit të të dhënave të së Kaluarës, të cilat individët dhe grupet në situata të caktuara i përdorin për të ndihmuar që nëpërmjet të Kaluarës të ndërtojnë dhe interpretojnë të Tashmen e më pas të krijojnë një vizion solid të Ardhmërisë…

MUNGESA E QËLLIMTË E MUZEVE DHE E ARKIVAVE TË KULTURËS
Prof. Sokoli më thoshte se në Institutin e Kulturës Popullore ishin depozituar male me objekte të rralla e tejet të vyera kulturore, për të cilat gjatë Komunizmit dhe Demokraturës nuk u ndërtua qëllimisht asnjë arkivë apo muze, ngaqë synoheshin të vidheshin dhe zhdukeshin më vonë, sikundër edhe u veprua…
Gjatë monizmit komunistët ngritën qindra muze të pseudoluftës me “eksponate dhe materiale dokumentaro-arkivorë” të rremë, siguruar sipas skemës “veterani tregon”, për të përligjur me çdo kusht e çmim pushtetin e marrë me luftë civile, por kurrë nuk ndërtuan një muze kombëtar etnografik, apo të tillë nëpër qytetet e mëdha.
Tek Piramida komunistët vendosën si eksponate gjithë poturet dhe qillotat e kostumeve britanike të Enverit, deri edhe pajimet e mushkave që ai shalonte gjatë verimeve dhe dimërimeve nëpër Progonat, Vithkuq, Pezë, Tomorricë, Çermenikë e Shpat (gjithmonë me kuzhinë dhe voza me djathë Erindi nga pas), Por nuk u ra ndërmend të muzealizonin fondin e objekteve dhe artefakteve kulturorë që dergjej nëpër bodrumet dhe magazinat e mykura të Institutit të Kulturës Popullore, që u drejtua për dekada nga persekutorët e Prof. Sokolit, Zihni Sako e Alfred Uçi. Madje ky i fundit, për të shpëtuar nga akuza për lënien e qëllimshme në mëshirë të fatit të fondit kulturor të sipërcituar, në fundjetë, në një dokumentar të transmetuar nga R.Tv.Sh., pohoi duke i rrëshqitur përgjegjësisë: “Kur u bëra ministër i Kulturës (1989-1990), luftova fort për të mundësuar ndërtimin e një muzeu etnografik, madje sigurova edhe fondet, por sesi vajti puna dhe përse nuk u bë muzeu e ku vajtën fondet, këtë nuk e mbaj mend.”.
Por Kryezhdanovisti nuk na tha se ku i kish depozituar dokumentet e inventarizimit kontabël e fizik të Institutit që drejtoi për afro një dekadë, apo inventaret fizike e kontabile të MHK të drejtuar nga vartësja e ministër-Uçit, Teuta Hoxha, që u përfol për zhdukje të frikshme të mijëra objekteve dhe eksponateve të përllogaritura për t’u ekspozuar në muzeun më stërmadh të vendit, M.H.K.
Kryezhdanovisti i regjimit për më shumë se tre dekada, heshti si peshku edhe për humbjet kolosale të fondit të ikonografisë, të ekspozuar në Muzeun e Ikonografisë në Korçë, ku në vitet ’80-të deklarohej me mburrje se ruheshin mbi 5 mijë ikona e ikonostase, të cilat filluan të firojnë qysh në kohë të drejtimit të tij, ndërkohë që komunizmi kërcëllinte dhëmbët dhe shtrëngonte fort edhe inventarët fizikë e kontabël të gozhdëve e arkave të ambalazhit nëpër kooperativat bujqësore që ishin pronë grupi, e jo pronë shtetërore.


LARYSHIA E FONDIT TË KULTURËS MATERIALE
Gjatë ekspeditave dhe kontakteve vetjake, apo edhe nga informacionet e bashkëpunëtorëve-gjurmues të folkut në terren, Sokoli kish konfirmuar bindjen e patundur se çdo femër dhe familje shqiptare kishte krijuar muzeun vetjak të kostumeve, objekteve zbukurimore dhe artefakteve të rrallë, me të cilat mbanin mbushur sapete e arka (që u zhdukën më vonë), e që me laryshinë dhe bukurinë e rrallë, ndër dekada kishin mahnitur botën në festivalet folklorike të Dizhonit, Gjirokastrës, Beratit, Ohrit, Prizrenit, Strugës dhe kudo nëpër Shqiptari…
Sipas Sokolit, sepetet e familjeve shqiptare kishin veshje për fëmijë, veshje për ditën, veshje për darkë, veshje për burra, e veshje për gra, për pleq e plaka, veshje për vasha e për djelmosha, veshje për mort e veshje për dasma.
Në këto sepete gjeje gjithashtu modele shamijash pambarim, modele përparësesh të grave, të tirqeve, brekusheve, çorapeve, opingave, qelesheve, jelekëve e xhamadanëve unikalë. Madje hulumtimet dhe burimet historike dëshmojnë se midis grave shqiptare bëhej garë mijëra-vjeçare se cila syresh vishesh më bukur. Garë që edhe sot vijon si traditë në zonat fshatare, si në ato fushore ashtu edhe në malësitë e trevave të besimit mysliman, e sidomos të atij katolik, i cili është edhe më i vjetër, e ku karakteristike është xhubleta e famshme si ekzemplari endemik mbarëbotëror i kostumografisë shqiptare.
I tillë sipas Sokolit, pra i pambarimtë, është edhe fondi pasuror i këngëve dhe veglave në muzikë, sikurse edhe fondi i folkut poetik, ku mbarë komuniteti apo bashkësia e lë secilin anëtar të lirë të krijojë dhe ekzekutojë këngën dhe vallen e vet më të bukur.
Prof. Sokoli më thoshte se pasuria folklorike që kanë dhe ruajnë individët, familjet dhe bashkësitë shqiptare mundësohet nga liria e krijimit që buron nga mendësia “unë mendoj, unë krijoj dhe konceptoj kështu apo ashtu, si ma don qejfi e pa i marrë leje askujt…”. Dhe kësisoj, gradualisht, në shekuj e mijë-vjeçarë u shtua pambarimisht laryshia dhe u pasurua fondi ynë kulturor në vlera materiale e shpirtërore unikale e përplot identitet edhe brenda perandorive ku bëmë pjesë.
Piktori i madh Naxhi Bakalli më ka deklaruar se do të mjaftonte lidhja e shamisë së vajzave dhe grave shqiptare në qindra mënyra (sidomos i grave dhe vajzave malësore), për të kuptuar nivelin e lartë të shijeve dhe të shpirtit të tyre krijues të pashtershëm e tejet të kultivuar.
“T’u bohesh marak sesi zbulohej prej tyne nji vesh dhe si vishej e mbulohej ai… Si zbulohej nji kambë dhe si vishej ajo… Si zbulohej nji qafë femnore dhe si vishesh. Ata e shihnin femrën si hyjni dhe hyjneshat bojshin garë se cila prej tyne do ta vishte ma bukur burrë-Adamin e vet, pasi ma parë kishte veshun babën dhe vëllaznit, e ma pas hyjnesha hynte në garë me nuset e shpisë, nanat e gjyshet, duke thurun në vegjë, duke qepun e qendisun, dhe duke numru kalimet e penit dhe brimat e gjylponës mbi kostumet për burrin, prindërit dhe fëmijët. Masnej hyjneshat i shisnin mend shoshoqes se aksh xhamadan e aksh gjoksore e kishin bo duke kalu penin mbi kaq mijë brima gjylpone… Çdo lagje kishte laryshinë e vet në ngjyra, modele veshjeje e zbukurime teshash, e po kështu çdo katund e qytet…”.
Arkitekti i njohur Valentin Voshtina ishte magjepsur kur kish parë për herë të parë kullën mbi 300-vjeçare matjane në Gurin e Bardhë, fshat që ka shërbyer si rezidencë dhe pronë e Kastriotëve, (ku shquhej kalaja me gurë ciklopikë parailirikë e Petralbës së famshme).
Voshtina ishte magjepsur nga arkitektura dhe vetëmjaftueshmëria konceptuale dhe funksionale e organizimit të kullës, e cila në katin e tretë të saj kishte odën gjigante e burrave ku malësorët kuvendonin për botën e qiejve të tyre dhe çështjet jetike… Në katin e dytë vinte oda e gatimit të bukës dhe ushqimeve, në krah të së cilës vinin odat e fjetjes, oda e sepeteve të pajave të grave e vashave dhe e avlëmendeve e vegjave, si dhe odat e zahireve. Kurse poshtë tyre, në katin e parë ndodhesh katua-vatha ku mbaheshin ngrohtë bagëtitë, që siguronin mbijetesën.
Sipas Voshtinës, banjo-tualeti brenda Kullës së Pjetër Budit ishte dy shekuj më i vjetër sesa koha kur francezët ndërtuan për herë të parë tualetet brenda ndërtesave të banimit, ngaqë i kishin jashtë tyre dhe mbarë Parisi e qytetet kutërbonin nga aroma e tmerrshme e gjirizeve.
Por Enveri pas 4 shekujve i detyroi shqiptarët me 3 kunorë brenda një shtëpie, që të gatuanin aty ku defekonin dhe këndonin e propagandonin gjetjen gjeniale enveriste për pataten si “bukë dhe gjellë”.






NDIKIMI I SOKOLIT NË KRIJIMTARINË TIME
Në vitin 1981, nën ndikimin e Prof. Sokolit vendosa të realizoj si punë diplome në skulpturë shtatoren e Heroinës së Popullit Tringa Smajli. Për realizimin e saj Prof. Sokoli më siguroi tek miqtë e tij në Lezhë komplet kostumin e Malësisë së Madhe megjithë xhubletën dhe aksesorët shoqërues. Gjithashtu më siguroi material të bollshëm dokumentar për njohjen dhe konceptimin e saktë të figurës së heroinës, që kish vendosur dhe ishte shndërruar në burrneshë për të luftuar për lirinë e Shqipërisë.
Përfundimin e shtatores dhe vendosjen e saj në ekspozitën e 70-vjetorit të pavarësisë, e më pas në hollin e fakultetit të Arteve Pamore të ILA, Prof. Sokoli e priti me emocion të madh, u dashurua pas saj dhe deri vitin 1995 kur e thyen, më kërkonte të shkonim “xhiro andej nga Tringa jonë e të çmallemi me të”.
Thyerjen e saj e përjetoi mjaft keq dhe më thoshte se i kujtonte humbjet prore të tij në jetë.
Gjithashtu Prof. Sokoli u lumturua kur si temë teorike të mbrojtjes së diplomës zgjodha të trajtoj personalitetin dhe kontributet profesionale të skulptorit më të madh shqiptar të shekullit XX, mikut të shtrenjtë dhe njëkohësisht kolegut të tij, Prof. Janaq Paços.
Këtë temë e titullova “Prof. Paço, mësonjësi i mësonjësve të mi”. Gjatë realizimit të saj konsultohesha vazhdimisht me Prof. Sokolin dhe në përfundim trajtimi i pëlqeu shumë ngaqë pa të mishëruar në të figurën e papërsëritshme të intelektualit fisnik, aristokratit të kulturës dhe skulpturës shqiptare, Janaq Paço.
***
Në vitin 1986, me rastin e inaugurimit të Muzeut Historik Mat, nën ndikimin e Prof. Sokolit përzgjodha, ideova, kompozova dhe realizova shtatoren e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut. Sokoli i madh u entuziazmua dhe realizimin e saj sëbashku me realizimin e kryeveprës Bakalliane, muralen e pikturuar në atë muze, titulluar “Kuvendi i Dukagjinit 1602”, erdhi enkas dhe i pa në Burrel, duke u lumturuar bashkë me ne miqtë e tij.
E vuajti fort thyerjen e kësaj Shtatoreje gjatë trazirave të vitit të mbrapshtë 1997.
***
Në vitin 1992, bashkë me Prof. Sokolin dhe miq të tjerë shkuam për vizitë në Melisa të Kalabrisë, Itali.
Duke marrë shkas nga figura madhore dhe kontributet proshqiptare të prelatit të madh arbëresh Dom Mario Ferraro Vrasaqit, i cili i ishte drejtuar mbarë liderëve të demokracive në botë për të shpëtuar popullin shqiptar nga krimet e komunizmit, Prof. Sokoli më kërkoi të merrja pjesë në konkursin që asokohe komuna e Katanxaros dhe e Melisës po zhvillonte me pjesëmarrjen e skulptorëve italianë për realizimin e shtatores prej bronxi të Dom Mario Ferraro Vrasaqit, në të cilën mora pjesë dhe fitova, duke e realizuar shtatoren.
Kjo shtatore ishte e fundit që realizoj qysh nga ajo kohë, pasi “i humbas të gjitha ndeshjet në tavolinë” përballë dizinjatorëve vorbaxhinj e pedaguakë të neokomunizmit, që shtatoret i marrin si trofe nga partia e radhës në pushtet me Prokurim të Drejtpërdrejtë, pa garë.
Gjithashtu në Melisa të Kalabrisë në Itali, në kështjellën e famshme të Del Gaudiove, në përkushtim të miqësisë midis Prof. Dr. Xhuzepe Del Gaudios, Prof. Sokolit dhe meje, realizova një reliev në skulpturë, që si motiv kishte takimin e famshëm midis Skënderbeut dhe Mbretit Alfons të Napolit, nën bekimin dhe praninë e Papës së Romës.
Për realizimin e figurës së Skënderbeut shfrytëzova portretin tim; për figurën e Mbretit Alfons të Napolit shfrytëzova portretin e Prof. Del Gaudios; për realizimin e figurës së Papës shfrytëzova portretin e Prof. Sokolit, ndërsa për realizimin e figurës së këshilltarit të Papës shfrytëzova portretin e mikut të ngushtë të Del Gaudios dhe Prof. Sokolit, Padre Eduardos, një ndër mbështetësit më të zjarrtë të emigrantëve shqiptarë në Melisa e në mbarë Kalabrinë.

SOKOLI SI QITËS I DALLUAR NË MITROLOZ TË RËNDË
Në fundvitin 1991, lektori i shquar i Dantes në universitetin e Firences, akademiku dhe njëkohësisht kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Arbëreshë Prof. Dr. Xhuzepe del Gaudio, pas përkeqësimit drastik të imazhit të shqiptarëve në Itali, mendoi të shfrytëzonte ndikimin e Prof. Sokolit nëpërmjet dhënies së mesazheve pozitive… Ndaj dhe Del Gaudio i përgatiti Sokolit një takim në Firence, ku kish ftuar profesoratin dhe personalitetet më të shquara të kulturës fiorentine.
Në këtë takim Prof. Sokoli kish folur rreth kontributeve të personaliteteve më të shquara ilire dhe arbëreshe në historinë, kulturën, ndërtimin dhe administrimin e qyteteve të Italisë. U kish folur për perandorët, zv/perandorët, gjeneralët dhe guvernatorët e lavdishëm të Romës antike me origjinë ilire. U kish folur për papët dhe kardinalët, shtetarët, diplomatët, shkencëtarët, arkitektët, skulptorët, piktorët, muziktarët dhe kulturologët e shquar italianë me origjinë arbëreshe, etj..
Efekti kishte qenë tronditës, pasi të pranishmit për herë të parë mësonin origjinën e burrave më të shquar që kishin transformuar, ndikuar dhe lartësuar Italinë, kulturën dhe qytetërimin e saj në 2 mijë vitet e fundit. Dhe kur kishin filluar ta pyesnin për burimet e informacionit, Prof. Sokoli me një artikulim dhe kujtesë të shkëlqyer kishte cituar me saktësi dhjetëra autorë dhe vepra, italianë, ose jo, duke mahnitur auditorin.
Mirëpo pasi i ishin drejtuar shpesh herë me titullin “Profesor”, Sokoli ishte përgjigjur se nuk kishte kurrfarë titulli të tillë e se kish qenë gjithë jetën një mësues i thjeshtë.
Kur e kishin pyetur sesi kish mundësi një gjë e tillë, ai ish përgjigjur se i vetmi titull që kish në vendin e tij ishte vlerësimi me Fletë Lavdërimi si “Qitës i dalluar në mitraloz të rëndë”, çka kish shkaktuar të qeshura frenetike.
Paskëtaj Sokoli ishte përplasur me racistët dhe ksenofobët e kollarisur, të cilëve u kishte dhënë përgjigje dërmuese duke u ndërmendur se ndofta kishin qytetërim më të lartë sot, por nuk kishin aspak kulturë më të lartë se kombi shqiptar. U kish kujtuar se ishin mbretërit dhe perandorët e Romës që vinin dhe studionin në akademinë e Apolonisë së Ilirisë antike… Se ishin pikërisht romakët që shkatërruan shumicën e 400 qyteteve ilire bashkë me kulturën e lashtë ilire… Se ishin shqiptarët nën Skënderbeun që kishin mbrojtur Italinë dhe mbarë Europën nga Otomanët dhe i ndalën hordhitë e tyre duke u mundësuar italianëve dhe europianëve të realizonin Rilindjen si kulturë dhe qytetërim i lartë, ndërkohë që për vete pësuan rrënimin e tyre pakthim… Se italianët e kishin dëmtuar rëndë shqiptarinë në kulturë e qytetërim deri edhe gjatë LDB, teksa kishin shembur me tanket dhe bajonetat e fashizmit shtetin e një populli të vogël, anëtar i Lidhjes së Kombeve, ngritur me sakrifica të pashoqe pas 500 vjet robërie dhe luftërash copëtuese, madje e kishin grabitur atë, duke i marrë arin dhe artefaktet kulturorë.
Gjatë dhe pas atij takimi, Prof. Sokoli kish marrë me dhjetëra ftesa nominale për lektrime e referate nëpër auditore e simpoziume shkencore, të cilat ai i refuzoi sistematikisht me takt, për shkaqe financiare e shëndetësore, për çka përjetonte brengosje të pamatë.



SOKOLI I PASTREHË DHE PERIPECITË NË PLURALIZËM
Fiaskoja vetëdiskredituese më e rëndë e pluralizmit politik ishte shkatërrimi me projekt i institucioneve studimore shkencore e akademike me pretekstin e mungesës së fondeve. Paskëtaj shkatërruesit bënë çmos të ruanin me çdo kusht hierarkinë e monizmit në të gjitha fushat, çka nuk ish tjetër veçse ruajtje e statukuosë së shterpësisë shkencore të mediokërve të shpallur si studiues e akademikë nga Partia në monizëm, me qëllim ruajtjen e privilegjeve të tyre edhe në kushtet e reja.
Skema ishte e qartë: Partia në pushtet kishte nevojë për fasadë dhe gjoja mbështetje shkencëtarësh dhe akademikësh, ndaj dhe si askund në botë, me dekret presidencial, në vitin 1992 u hierarkuan në shkencë dhe akademizëm mijëra docentë dhe “bashkëpunëtorë të vjetër shkencorë”, që brenda natës u gdhinë në Prof. Dr. pa kurrfarë kontributi të ri shkencor dhe akademik.
Pikërisht këta hierarkë që u lartuan me vinçat e pushtetit, menjëherë u mblodhën në vitin 1992 dhe përzgjodhën njëri-tjetrin si anëtarë me të drejta të plota dhe anëtarë korrespondentë të Akademisë së Shkencave, ku në grupin e parë, propozuar nga partitë politike, u futën poetët dhe shkrimtarët më të hierarkuar të komunizmit, të cilësuar nga Enveri dhe PPSH si “Ndihmësit-leva të Partisë në edukimin komunist të masave”, e që nuk kishin bërë tjetër veçse kishin kërkuar në mijëra vite “rrënjët e Partisë që kishte mbirë si një rrap madhështor në këtë vend të lashtë”, ku “nga më i thjeshti komunist e gjer tek Sekretari i Parë” kishin “përbuzur zhabat e majme në gjol dhe ishin bërë miq me skifterët në çdo barrikadë, nga poli në pol”, e që kishin zbuluar “dy Tomorrë ballin ke qielli, njëri mal, tjetri Enveri”.
Por Prof. Sokoli, i vetmi shqiptar i Shqipërisë londineze që njihte shkenca botërore, asokohe nuk kishte asnjë titull, ndërkohë që për kryeakademik konkurronte një mjeran me 200 fjalë në fjalor, që të vetmen meritë shkencore për këtë vend kishte se trumbetonte lart e poshtë se po kërrente një “libër kushtuar vjehërrit të zotit President, që ka qenë sportist i shquar pas LDB dhe është marrë me disa sporte ku gjithmonë nëpër botë ka dalë i fundit, por ama na ka treguar se nuk kanë rëndësi rezultatet, por pjesëmarrja(!!?)”.
Në vitin 1994 parlamenti shqiptar me propozimin e maxhorancës së kohës e zgjodhi Ramadan Sokolin anëtar të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit, detyrë të cilën ai e mori me entuziazëm dhe brenda disa ditësh hartoi një platformë për shndërrimin e RTvSh në pronë të publikut me programe kombëtariste bashkëkohore, me parametra e organigramë të zhdërvjellët e funksionale, ku të mbizotëronin gazetarët dhe krijuesit e aftë të emisioneve edukativo-kulturorë unikalë dhe jo kopjuesit mediokër të formateve trushpëlarëse të televizioneve të huaja.
Gjithashtu Sokoli vlerësonte maksimalisht fondin arkivor të RTvSh në dokumentarët filmikë, por mbi gjithçka vlerësonte fonotekën e tij të rrallë, ku ruheshin pasuri të mëdha të muzikës, sidomos zërat përrallorë të këngëtarëve të muzikës sonë popullore e asaj të lehtë nëpër bobina të rrezikuara, për çka kërkonte e propozonte një trajtim shkencor për shpëtimin, ruajtjen dhe menaxhimin e tyre.
Personalisht kam qenë dëshmitar okular i hartimit të kësaj platforme dhe kritik i përzgjedhur nga miku im për ta përpunuar dhe përmirësuar cilësisht. Por fatkeqësisht anëtarët kolegë të Këshillit Drejtues e injoruan me mosreagim dhe mosvotim këtë platformë që binte ndesh me skemën e përdorimit të televizionit publik për qëllime politike të pushtet-mbajtjes dhe fabrikim-divulgimin e imazhit publik të udhëheqësit të ri shqiptar me përmasa ballkanike, kontinentale e globale…
Paskëtaj Sokolin nuk e thirrën më në mbledhjet e Këshillit deri në fund të mandatit 2-vjeçar, çka e dëshpëroi pa masë.
Megjithatë, për të korrigjuar gafat në trajtimin e tij pas triumfeve ndërkombëtare, në vitin 1995 Sokolit i dhanë titullin “Profesor” pa asnjë të drejtë përfitimi financiar, ngaqë i mungonte të qënit i punësuar si dhe bishti “Doktor i shkencave”, gradë shkencore që e kishin mbi 20 “doktorë shkencash” në mbarë vendin, marrë me temën e famshme: Roli i muzeut të LANÇl. të aksh fshati në edukimin komunist dhe patriotik të rinisë revolucionare të fshatit, apo të tjerë për punimin “shkencor”: Kullotat malore të maleve të Shqipërisë kanë shumë rëndësi për shtimin e prodhimeve blegtorale të deleve të atyre zonave.
Pikërisht në kulmin e varfërisë prej pensionimit edhe të bashkëshortes Lili, vajzës së rrallë e plot virtyte të familjes së shquar tiranase Petrela, bashkëluftëtares së heshtur dhe sakrifikuese deri në vetmohim. Prof. Sokoli qysh në fillimet e pluralizmit dorëzoi shtëpinë ku kish banuar për afro 20 vite ngaqë i doli pronari, dhe familjarisht përfundoi i pastrehë e pa mundësi ekonomike strehimi.
Shkoi tek Presidenti i Republikës i kohës dhe i kërkoi ndihmë për strehim, duke i paraqitur disa variante strehimi: “1) Më jepni shtëpinë e babës në Shkodër, që e mbani peng pasi e keni shpall monument kulture por e keni lënë të shembet pasi pretendoni se nuk keni fonde; 2) Ndërhyni tek aleati juaj zotni Gjinushi, e të më japë vetëm një dhomë të vetme nga vila e PSD që rri bosh tek rruga “Fortuzi”; 3) Nëse nuk e bindni dot kryetarin e PSD, të paktën ndërhyni tek aleati tjetër i juaji, mbrojtësi i pronave e i pronarëve, zotni Godo, që të ma japë vilë-pronën e gruas që e ka zënë për seli partie tek Stacioni i trenit; 4) Nëse s’e bindni dot edhe kryetarin republikan, ndërhyni tek zotni Gramoz Ruçi që mos të më japë as shtëpinë e parë 2 + 1 që i dha shteti kur e mori nga mësues në Salari dhe e dërgoi sekretar në Komitetin e Partisë të Tepelenës; 5) Të mos më japë as shtëpinë e dytë 3+1 që i dha shteti kur u bë sekretar i Parë i Tepelenës; 6) Të mos më japë as shtëpinë e tretë 4+1 që i dha Partia kur e emëroi ministër të Brendshëm e të cilën e privatizoi me dy lekë; 7) Të mos më japë as shtëpinë e katërt 4+1 që i dha shteti nga kontingjenti i shtëpive të ndërtuara me fondet e CAFOD-it, të dhëna nga komuniteti ndërkombëtar jo për të burgosurit politikë, por për ish ministrin e dhunës në Diktaturë; 8) Ndërhyni pra tek zotni Ruçi që të më japë shtëpinë atje në Salari, që të shkoj e të rrij unë atje, në stane, me barinjtë, si dikur nëpër ekspedita, e të këndoj e regjistroj këngë me cyrla dyjare e fyej.
Por për të gjitha variantet e propozuara për strehim, ish Presidenti i përgjigjej se ishte “shumë shakaxhi”, ndaj Prof. Sokoli iu përgjigj se nuk ishte shakaxhi por kish “qëllue shumë fotozhenik” dhe se bash për këtë e kishin “përdorë tanë kohën për të ba polifoto e për me përmirësue me fytyrën e Sokolit imazhin publik”.

PUSHTETARËT E PULA-RIZMIT DHE KULTURA E RRËNUAR
Në pasvitet ’90, teksa po shkonim bashkë me Prof. Sokolin për një vizitë në Itali, në doganën italiane na bllokuan dhuratat në skulpturë e pikturë, me argumentin ligjor se ishin vepra arti cilësore e me vlerë të lartë, që nuk lejoheshin të hynin në tregun italian pa u vlerësuar paraprakisht në para dhe pa u tatuar paskëtaj, me qëllim që të mbroheshin tregu dhe artistët italianë nga konkurrenca…
Pasi erdhi policia artistike dhe vendosi çmime dhe tatime tejet të kripura, ne e pamë më të arsyeshme të paguanim tarifë për ruajtje me afat, sesa tarifën tejet të lartë për to si vepra arti cilësore e të “tregtueshme”.
Gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Itali, të dëshpëruar që nuk mundëm t’ua jepnim dhuratat e përgatitura mikpritësve tanë, kujtonim blerjen me 5 aspra të sasisë kolosale të artefakteve dhe objekteve shqiptare në mbarë Shqipërinë prej shumë të huajve, ndër ta edhe prej miqve tanë italianë. Aq e madhe ka qenë kjo tregti sa dukej sikur e gjithë pasuria e Shqipërisë kishte dalë në pazar nga varfëria, uria dhe nga dëshira për pasurim e atyre që ia dinin “kimenë parasë”, dhe kryesisht këta ishin pushtetarët komunistë dhe postkomunistë, që gjithë jetën e kanë shitur atdheun me copa, për plënc dhe plaçkë.
Menjëherë pas kthimit në Shqipëri, Prof. Sokoli më mori dhe shkuam e takuam ministrin e Kulturës së asaj kohe, Teodor Laçon, i cili na priti mjaft mirë.
Prof. Sokoli ia tregoi Laços përvojën tonë me Doganat italiane, i tha gjithashtu se ishte gati të ndihmonte në formulimin e një ligji urgjent për ruajtjen nga trafikimi dhe çdo lloj shitjeje e pasurive kulturore dhe më pas unë shtova se nëpër dogana duheshin emëruar si policë doganorë të kulturës akademistë të shumtë të papunë, që të ruanin vlerat tona kulturore e muzeale dhe të vendosnin tarifa të kripura për dekurajimin e trafikimit dhe shitjeve me humbje kulturore e financiare. Por ministri e qesëndisi shqetësimin tonë dhe na tha se shteti qenkësh i varfër për të paguar njerëz shumë të ditur, etj., etj..
Më kot unë u mundova t’i tregoja se përfitimet nga një sipërmarrje e tillë ishin shumë të mëdha, por ministri i Kulturës as që shqetësohej për Kulturën, madje të jepte përshtypjen se shqetësimin e kishte për mbarëvajtjen e Programit të Zbulimeve Hapësinore e të Luftës së Yjeve (NASA).



RINGJALLJA E ÇELËSAVE KOPILË TË PERANDORISË SË KUQE
Menjëherë pas fillimeve të Pula-rizmit, “pishmanllëkut” dhe mohimit të veprave si “të indoktrinuara nga trysnia dhe fryma e kohës”, kryezhdanovistin Alfred Uçi e zgjodhën sërish akademik, sipas listave të Ramiz Alisë dhe Kadri Hazbiut, që udhëheqësit e rinj “antikomunistë” me teserë të kuqe në xhep gjetën mbi tavolinën e punës.
Ishte viti 1994 kur Alfred Uç-uçilishtja me guxim të habitshëm ndërroi udhë dhe nga trotuari tjetër doli e na zuri rrugën Sokolit dhe mua, tek dera e Institutit të Kulturës Popullore tek rruga “Vrana Konti – Kont Urani”, dhe duke iu drejtuar Ramadanit, i tha me arrogancë: “Kujtuam se ishit nga qentë që kafshojnë, por qenkeni nga qentë që vetëm lehin…”.
Prof. Sokoli, pasi mori drejtqëndrim ju gjegj; “Mba gojën se ke ngatërru adresë, se unë nuk jam raca e qenit si ti me shokët e tu, gjithëherët në pushtet me lehaqenie e me dhambë në zverkun tim. Shkove gjer në Rusi vetëm e vetëm për të mësu Darvinin e Pavllovin dhe teoritë e origjinës nga majmuni e të shqyerjes së kundërshtarëve me egërsimin e reflekseve të qenit. Ne i përkasim racës së njeriut të krijuar nga Zoti, po më lësho rrugën që më ke zanë, se pastaj nuk mbaj ma përgjegjësi…”.
Pasi “Majmun-qeni” futi bishtin nën shalë dhe me hap të shpejtë iku i sfiduar, unë i irrituar e pyeta Sokolin: “Pse e kurseve profesor, ia kishim treguar vendin siç e meritonte e i kishim la do haqe e do rraqe…”.
“Fatos bir, Sokoli nuk gjuan miza”, – ma ktheu Profesori.
Edhe sot jam i bindur se Enveruc Uci iku gjithë gëzim të lajmëronte shokët e tij të ricikluar në pushtet se Sokoli me shokët e vet bashkëvuajtës nuk ishin raca e qenit e se nuk kishin ndërmend të bënin revansh e të shqyenin shqiptarët siç bënë ata kur u ndërsyen prej padronësh të radhës dhe erës së pushtetit, teksa festuan sërish e qenërisht fitoren e kockë-pushtetit të merituar në perandorinë e re.


ONUFRI FYTYRËZOI QYTETËRIMIN SHQIPTAR
Në mesvitet ’90 Edi Rama shkroi një shkrim në të cilin kërkonte që “fytyrën tonë evropiane të na e pikturojë Europa”, ngaqë ajo dhe vetëm ajo “dinte” ta bënte këtë.
Prof. Sokoli iu përgjigj këtij koncepti të gabuar me një shkrim ku theksonte se ne shqiptarët, si kombi më i lashtë i Europës dhe origjinues i qytetërimit europian jemi aq të lashtë dhe aq të kulturuar, sa nuk kemi nevojë që të na e pikturojë Europa fytyrën, pasi ne kemi kontribuar maksimalisht për fytyrëzimin e qytetërimit europian.
Prof. Sokoli u kujtonte intelektualëve dhe piktorëve si Rama se, më kot përpiqeshin të gjenin në Europën dhe në botën e sotme piktorë të gjallë më të mëdhenj se Buza, Kaceli e Bakalli, dhe nëse s’u pëlqenin këta kolosë, po thërrasim baballarët e tyre si Onufri e Shpataraku me shokë, që na e kanë pikturuar fytyrën me cilësinë dhe dashurinë më të madhe, dhe e kanë bërë aq mirë sa na e kanë zili ata që thirren për të na e pikturuar…
Edi Rama u mllefos dhe në një shkrim në një gazetë të përditshme e quajti Prof. Sokolin “plak matuf”.
Prof. Sokoli u dëshpërua shumë sepse priste përgjigje të argumentuar dhe jo fyerje nga pedaguaku Edi Rama, që pavarësisht se punoi dhe mori rrogë për 11 vjet në Akademinë e Arteve, nuk la asnjë rresht të shkruar. (Pedaguakë i quante Kristaq Rama “pedagogët” që nuk kishin asgjë për të thënë në akademizëm ngaqë të gjithë ata, pa përjashtim, kishin mbaruar shkolla dizajni (Bauhaus) në Çekosllovaki, dhe jo si Kristaqi që kish mbaruar akademi.
Unë Fatos Kola deklaroj se: Sikurse dje, ashtu edhe sot e gjithë ditën, jo vetëm që pedaguakët dizajnerë nuk kanë shkruar qoftë edhe një leksion të vetëm, por insistoj se shkolla e arteve pamore është shkollë dizajni e padeklaruar, që gjithë jetën ka dizajnuar dhe dizajnonte deri vonë idetë e dala nga udhëheqja politike, ndërsa pedaguakët e quanin dhe e quajnë veten “shkollë praktike”, sepse pothuajse e gjithë trupa pedagogjike, edhe pas viteve ’90, kishin kryer studime tre vjeçare për aplikacion në ILA, siç ishin ato për grafikë, tekstil, skenografi e qeramikë dhe guxonin e jepnin “mësim” në Akademinë me 4 vite mësimore, dhe më vonë, pas vitit 2000, me Sistemin e Bolonjës japin mësim 3 plus 2, (5 vjet gjithsej)??!
Aq kulturë të madhe profesionale rrezatojnë pedaguakët e Arteve Pamore në Shqipëri, saqë edhe pse japin “mësim” në fakultetet e gazetarisë, nuk ua mësuan ende shqiptarëve, qysh nga pushtetari më i lartë e deri tek gazetari më i thjeshtë, që të mos ta quajnë më “bust” atë shtatoren e qoftëlargut, apo ato të lugetërve të tjerë që kanë realizuar dhe shpërndarë nëpër Shqipëri e Kosovë këto 60 vitet e fundit. (Për këto probleme do të shkruaj në të ardhmen…).
Unë u mundova ta qetësoja Prof. Sokolin e tronditur pas fyerjes, duke i thënë se Sorrë-isti ushtar i perandorive antishqiptare që po grabisin dhe rrënojnë Shqipërinë duke e lënë në vend të fundit në botë, si dje në komunizëm ashtu edhe sot në neokomunizëm, nuk mund ta fyejë Sokol-Shkabëtarin e Shqiptarizmës…



SHKËLQIMI I KULTURËS KOSOVARE NË DHEUN AMË
Për shkaqe të kuptueshme, niveli i zhvillimeve kulturore, cilësia e trashëgimisë dhe sasia e fondit kulturologjik në shtetin amë ishin më të larta e më të bollshme sesa në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare në Jugosllavi, ndaj dhe ndërpreja e marrëdhënieve ndërshqiptare pas zhvillimeve dramatike atje në vitin 1981, ishin një humbje e rëndë për kulturën dhe arsimin shqiptar në të dyja anët e kufirit.
Gjithsesi duhet pranuar se nga pikëpamja e nivelit, arsimimi i elitës kosovare ishte ku e ku më i lartë sesa ai në Shqipëri, për shkak të traditës dhe cilësisë shumë më të lartë të akademizmit gati dy shekullor serbo-kroat dhe specializimeve e shkollave të shkëlqyera perëndimore që djemtë arsimdashës të Kosovës kishin kryer.
Për pushtuesit serbë, shqiptarët e Kosovës e të viseve të tjera ishin të gjithë njëlloj, “shiptari”, ndaj dhe nuk bënin kurrfarë diferencimi klasor në arsimim, sidomos pas rënies së Rankoviçit dhe Kushtetutës jugosllave të vitit 1974, çka jepte shanse të kultivimit pa firo dhe filtra artificialë të talenteve në kulturë, shkenca dhe akademizëm… Kurse në Shqipërinë e pushtuar nga komunistët obskurantë, lufta klasore e kish privuar rëndë kulturën, shkencën dhe arsimin nga lartësimi i pritshëm e i natyrshëm, nëpërmjet asgjësimit fizik dhe mënjanimit ideologjik të elitës kombëtariste pas LDB.
Gjatë monizmit dëmi më i madh në këto fusha u shkaktua prej mohimit me motive biografike të shanseve për arsimim dhe kultivim të talenteve të shumtë që vinin prej shtresave bartëse të genomës elitare të racës shqiptare, që ishin cilësuar si të “deklasuar”. Por dëmin më të madh monist ndaj arsimit dhe kulturës e shkaktoi “planifikim-kuotimi i nevojave për kuadro” dhe stimulimi politik i të patalentuarve që vinin prej shtresave bazike të komunizmit, e që duheshin arsimuar me çdo kusht për të siguruar dhe çimentuar pushtet-mbajtjen, çka bëri që cilësia e prurjeve kulturore e shkencore në Shqipëri të pësojë dëme të pariparueshme.
Në fushën e arteve pamore e të kulturës, personalisht jam dëshmitar i faktit se, si pasojë e planifikim-kuotimit dhe luftës së klasave, talente të shkëlqyera mbetën pa arsim të lartë dhe u privuan nga kultivimi i mëtejshëm i talentit, madje u detyruan të shkëputen përfundimisht nga krijimtaria artistike dhe kultura për shkak të nevojave të mbijetesës që i çuan drejt profesioneve dhe punëve larg artit e kulturës.
Qysh gjatë komunizmit enveristo-ramizist, muzhikët në pushtet dhe detashmentet agjenturore kishin përhapur psikozën se shqiptarët e përtej kufirit janë të trashë e të pakulturuar, dhe se me të drejtë serbët paskëshin konstatuar diferenca të theksuara kulturore e karakteriale, prej nga rezultonte se “shqiptarët e Shqipërisë janë të mirë e të pranueshëm, kurse ata të Jugosllavisë janë të poshtër dhe e meritojnë keqtrajtimin…”.
Madje sllavofilë shqipfolës që në shtëpi në Tiranë flisnin serbisht e rusisht, të dërguar nga Ramizi ngrinin dolli me shlivovicë në Jugosllavinë e Millosheviçit me shkrimtarë dhe akademikë serbë, ku sulmonin shkrimtarët dhe akademikët kosovarë që refuzonin të merrnin pjesë në të tilla samite të organizuara nga mbështetësit në Jugosllavi të genocidit serb me memorandume e platforma politike antishqiptare.
Bash për këtë takëm pijanecësh atdhepërbuzës, Prof. Sokoli shprehej se “mendimeve, veprimeve dhe veprave të tyre u vjen era vodkë dhe shlivovicë…”.
Pikërisht në kulmin e kësaj klime antikosovare të përforcuar edhe nga legjendat serbo-sigurimse për “kosovarë të poshtër që bëjnë tregti dhe paturpësi” në Shqipërinë e fillimviteve të Pula-rizmit, pata fatin dhe nderin e madh të njihesha me tre përfaqësues të elitës kulturore kosovare dhe të “elitës së elitës” së racës shqiptare.
I pari ndër to ishte mendimtari, filologu, esteti dhe gazetari i shkëlqyer Ramadan Mysliu, që në detyrën e kryeredaktorit të gazetës “Rilindja” të Kosovës erdhi në Tiranë qysh në vitin 1993.
Bashkë me kolegun Mehmet Emërllahu, Mysliu drejtoi dhe kulmoi standardin e gazetarisë elitare atdhetare dhe moderne në Shqipëri, ku kultura ishte prioritare dhe trajtohej me optikë dhe cilësi Rilindëse.
Kjo gazetë ishte dritarja e vetme prej nga hidhej dritë mbi zhvillimet dramatike në Kosovën e gjendur nën tanket e regjimit gjakatar serb, por hidhej dritë edhe mbi përpjekjet titanike Rugoviane për ndërkombëtarizimin e Çeshtjes së Kosovës.
Gjithashtu kjo gazetë e shpërndarë kudo nëpër diasporë dhe në mënyrë klandestine edhe në Kosovë e Maqedoni, trajtonte me profesionalizëm të lartë dhe paanësi zhvillimet e gjithanshme në Shqipëri, duke rivendosur urat e komunikimit ndërshqiptar.
Pikërisht me këtë gazetë pata fatin dhe nderin të bashkëpunoja për trajtimin e problemeve artistiko-kulturore dhe akademiko-estetike, por mbi të gjitha ishte kjo gazetë dritarja prej nga kombi njohu idetë, pikëpamjet dhe trajtesat Sokoliane më të fundit në krijimtarinë e tij. Madje ishte Ramadan Mysliu dhe Rilindja e Kosovës që mundësuan botimin qoftë edhe me letër gazete të mjaft librave të Sokolit, që asokohe dhe sot e kësaj dite njohën dritën e botimit për herë të parë e të vetme.
Kësisoj nëpërmjet “Rilindjes”, gjysma e kombit njohu madhështinë e Sokol-birit të vet të privuar nga komunikimi me të, por njëkohësisht bash prej saj u lartua në apogje figura homerike e bard-rapsodit të shqiptarizmës, që gjithë jetën si lahutar i saj nuk i këndoi Partisë, as vetëm “Malcis”, por këndoi dhe përhapi kulturën elitare të racës…
Por kënaqësia ime kulturore preku zenitin kur gjithashtu pata fatin dhe nderin të njihesha e të bashkëshoqërohesha në vitet 1997-1999 me kolegët mendjendritur të Akademisë: Prof. Zeqir Hamiti, që jepte lëndët e Teatrit dhe Kinematografisë, dhe; Prof. Nexhat Krasniqi (Nekra), që jepte në akademinë tonë lëndën e Dizajnit.
E ku kish parë akademizmi shqiptar i arteve profesorë të tillë me kulturë marramendëse, çka të shtonte krenarinë për racën shqiptare, bashkë me besimin se Shqipëria etnike ka të ardhme e do të bëhet.
Por me çlirimin e Kosovës ata u larguan nga Tirana drejt Prishtinës, bashkë me mikun tjetër të shtrenjtë Ramadan Mysliu dhe gazetën “Rilindja”.
Gjithsesi shpresa se miqtë e mi do të ishin aktorë dhe protagonistë të ndryshimeve të pritshme në Kosovën e re, ma lehtësoi barrën e mungesës së tyre kulturologjike dhe fizike në Tiranë. Por fatkeqësisht, ashtu siç na ndodh gjithmonë ne shqiptarëve, një dorë e padukshme u kujdes që intelektualët e sipërpërmendur të spostoheshin e të margjinalizoheshin në periferi apo në askundin e zhvillimeve në Kosovë, ku protagonistë u shndërruan “partizanët Meke të zbritur nga mali”, që zdërhalleshin me “opinga me gjalmë” nëpër pallatet e pushtetit, rrethuar me guakë të kollarisur, apo me recitues shvejkianë të tipit “ç’më duhet mua se ç’them unë”.

PËRMBUSHJA E ËNDRRËS SË SOKOLIT PËR VAJTJEN NË KOSOVË
Në vitin 2000, në dy mijë vjetorin e Krishterimit, Prof. Sokoli u ftua për të marrë pjesë në simpoziumin me titullin “Shqiptarët dhe krishterimi”.
Këtë ftesë ai e përjetoi me emocionin e thellë të kombëtaristit të përvëluar për të parë për herë të parë e ndofta edhe për herë të fundit bash pjesën më të shtrenjtë e të martirizuar të atdheut, për të cilën kish pranuar edhe të flijohej personalisht dhe familjarisht.
Prof. Sokoli përgatiti me këtë rast referatin që i përcaktonte shqiptarët si ndërtuesit e parë të objekteve të kultit kristian në mbarë planetin.
Ai vendosi të na merrte mua dhe bashkëshorten e shtrenjtë Lili, që gjithashtu e kishim për herë të parë vajtjen në Kosovë, çka na lumturonte pa masë.
Prof. Sokoli, bashkëshortja Lili dhe unë mbërritëm me vonesë në vendzhvillimin e simpoziumit në Prishtinë për shkak të kontrolleve të rrepta të KFOR-it, por organizatorët të lajmëruar për mbërritjen e Sokolit nuk e kishin filluar aktivitetin dhe po prisnin…
Sapo hymë në sallë, spikeri njoftoi me zë të lartë mbërritjen e Prof. Sokolit dhe salla me mbi 200 pjesëmarrës të zgjedhur menjëherë shpërtheu në duartrokitje e brohoritje për minuta të tëra, Pastaj, pjesëmarrësit njëzëri filluan të këndojnë këngën Sokoliane “Besa-besë…”.
Prof. Sokoli, me gjunjë që i dridheshin nga mosha, shëndeti i dobët dhe emocionet mezi qëndronte në këmbë dhe filloi të epej. “Fatos po koritem dhe nuk po mundem me qëndru ma në kambë, po mos më lësho”, – më tha Sokoli duke u mbajtur fort pas krahut tim. Dhe sapo e ndihmova të ulej me kujdes, me zërin që i dridhej dhe me sytë e përlotur m’u lut që të dilja në podium dhe t’u kërkoja ndjesë të pranishmëve në emër të tij. Dhe unë, në emër të tij menjëherë u kërkova ndjesë të pranishmëve për faktin se Prof. Sokoli i emocionuar…, nuk po e përballonte dot qëndrimin në këmbë dhe kërkonte prej tyre leje që ta lejonin të qëndronte ulur, që të mos koritej…
Por kërkesa e ndjesës e ndezi edhe më shumë sallën që sërish shpërtheu në këngë, duartrokitje e brohorima që nuk pushonin dhe donin që Profesori të zinte patjetër vendin qendror në podium, dhe e gjithë kjo zgjati mbi 10 minuta.
Profesori zuri vend në podium dhe nga vendi referoi temën me titull: “Shqiptarët dhe kontributi i tyre në religjionin kristian”, e cila u ndoq me interes të jashtëzakonshëm dhe u ndërpre shpesh nga duartrokitjet miratuese për shumicën e paragrafeve.
Përveç faktit se iliro-shqiptarët e kishin mirëpritur dhe e kishin strehuar apostullin Pal sipas kodit zakonor që mësonte se “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, por edhe sepse kishat e para të Shën Gjonit u ndërtuan në territorin iliro-shqiptar, në studimin e tij Prof. Sokoli kumtonte për herë të parë fakte tronditëse të fillimeve të Krishterimit në tokën tonë. Madje ai parashtroi konkluzione të thellë filozofikë mbi shpirtin tonë bujar e të hapur për pranimin e risive pa dhunën dhe teprimet e vërejtura tek kombe dhe qytetërime të tjera.
Në simpozium u evidentuan prova e fakte mbi dokumentet arkivorë që vërtetojnë se kishat e para kristiane janë ndërtuar nga shqiptarët dhe se apostulli Pal kishte shëtitur nëpër mbarë territorin e Ilirisë dhe kishte predikuar mbi Krishtin duke arritur të rekrutonte shumë besimtarë me të cilët kish krijuar kauzën e përbashkët të përhapjes së besimit të krishterë. Referati shënoi triumf të plotë dhe u duartrokit gjatë…
Tejet i emocionuar, në fjalën e tij kryepeshkopi katolik i Kosovës deklaroi se ishte gati t’i dorëzonte Prof. Sokolit detyrën e bariut të grigjës katolike, por Prof. Sokoli iu përgjigj: “Ju falënderoj për fjalët tejet të ngrohta dhe vlerësimin, por unë qysh prej rinisë së hershme kam përqafuar besimin pagan, që është ku e ku më i hershëm se Katolicizmi në mbarë trojet tona dhe ndihem komod me të ngaqë nuk më imponon fe të caktuara. Por mbi të gjitha unë jam Pashkovasjan dhe për mua Feja e Shqiptarit eshtë Shqiptarija”, pohim që u prit me duartrokitje të stuhishme.
Në pushimin që pasoi, Prof. Sokoli i bëri me dije kryepeshkopit të Kosovës se një propozim të ngjashëm me të tijin kishte patur në vitin 1993 personalisht prej Nuncit Apostolik të Papës Gjon Pali, monsinjor Ivan Dias… Prof. Sokoli rrëfeu se Kardinali i njohur, pas disa ftesave dhe audiencave speciale i kish ofruar tituj të lartë dhe postin e këshilltarit të tij personal e të Nunciaturës Apostolike në Shqipëri, por Sokoli kish refuzuar me elegancë dhe i kish thënë se detyra dhe objektivi i tij në jetë si njeri i përbetuar ndaj kulturës kombëtare, ishte qëmtimi, zbulimi, promovimi kulturor dhe propagandimi i vlerave morale dhe i shpirtit të hapur e tolerant të shqiptarëve ndaj feve monoteiste dhe besimeve politeiste e pagane, përgjatë mijëra viteve histori, përfshirë edhe pasqyrimin dhe promovimin e ideve moniste të fesë kristiane nga pozita dhe rrafshe kulturologjike, për çka kish gjetur miratimin e Kardinalit Ivan Dias.
Paskëtaj simpoziumi vazhdoi me shfaqjen e dokumentarit me skenar të Prof. Sokolit, kushtuar figurës madhore të Sami Frashërit “ideologut tre-dimensional të shqiptarizmës me veprën ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është, dhe çdo të bëhet’, dokumentar ky i zgjedhur me qëllim nga Prof. Sokoli për të kumtuar se edhe besimtarët islamikë shqiptarë të përshkruar nga Samiu, gjithashtu e kishin pranuar besimin islam hapur dhe pa imponim.
Në ditët në vijim Prof. Sokoli zhvilloi takime me mjaft studiues dhe akademikë, ku shkëlqeu me kulturën, fisnikërinë dhe humorin e tij.
Por qysh para se të niseshim për në Prishtinë, Profesori dhe unë kishim marrë ftesë edhe nga profesorati i Akademisë së sapoformuar të Arteve të Kosovës, ku Sokoli bashkëbisedoi dhe sërish shkëlqeu me risitë e pafundme kulturore rreth historisë së artit tonë dhe botëror dhe me trajtimin e teorive të ndryshme të arteve. Ndërsa unë lektrova mbi temën “Shekulli XX dhe zhvillimet dramatike në artet pamore në Shqipëri”, ku ndër të tjera theksova tezën: Paskali i pari ndërsa Paço i vetmi në skulpturën shqiptare të shekullit XX, si dhe; Buza i pari dhe Bakalli i vetmi në pikturën shqiptare të shekullit XX – si autorë me vepra unikale arti, me fizionomi e fytyrë shqip-shqip.
Tema tjetër që lektrova ishte e karakterit thellësisht akademik, dhe titullohej “Skulptura dhe simbolet e saj”.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Prof. Sokoli u prit dhe u shoqërua me nderimet më të mëdha nga Ylli Doçi, drejtues i lartë i Kishës Protestante në Kosovë, si dhe nga dy etnologët e famshëm kosovarë Bahtir Sheholli dhe Rexhep Munishi, me doktoratura të mbrojtura shkëlqyeshëm në Perëndim, e me të cilët Prof. Sokoli bashkëpunoi për shumë tematika dhe preferenca shkencore të përbashkëta pas vitit 1990 e deri në fundjetë.
Sokoli vlerësonte tek miqtë e tij Shaholli e Munishi skrupulozitetin shkencor, kulturën e gjerë dhe këmbënguljen për t’u shkuar deri në fund studimit dhe evidentimit të vlerave thelbësore të dukurive etnologjike përfaqësuese sintetike të etnokulturës shqiptare.

SOKOLI PËRBALLË JANULLATOSIT
Kryepeshkopi Janullatos kish pritur rastin të njihej e të komunikonte me Prof. Sokolin, për të cilin kishte dëgjuar konsiderata të larta që e vlerësonin si përfaqësuesin e gjallë më të shquar të shqiptarëve, çka ia kish pohuar personalisht kur ishin takuar në fillimvitet 2000.
Prof. Sokoli më tregonte se kryepeshkopi Janullatos e kish ftuar në një simpozium që do të zhvillohej në MHK për trajtimin e historisë së Kishës e të besimit Ortodoks në Shqipëri.
Atë ditë e shoqërova Prof. Sokolin deri tek dera hyrëse e Muzeut, po kur u ktheva që ta marr nuk e gjeta, pasi kish ikur para kohe.
Që aty shkova gjithë merak tek shtëpia dhe e gjeta të irrituar… Menjëherë më konfidoi se çfarë i kish ndodhur: Organizatorët i kishin lënë një vend në qendër të rreshtit të parë, ku ngjitur kishin lënë enkas një vend bosh dhe nuk kishin lënë askënd të ulej aty deri 2 minuta para fillimit të simpoziumit. Pikërisht në atë moment kish ardhur dhe ish ulur pranë tij kryepeshkopi i KOASH, Hirësia Anastas Janullatos, sipas një skenari të parapërgatitur. “Më mbushi me komplimente dhe me lëvdata për kontributet histori-njohëse të shkrimeve të mia rreth besimit ortodoks në Shqipëri e më gjerë dhe më dëshmoi një kulturë mjaft të gjerë e të thellë, por në fund më kish ruajtur sfidën e paramenduar e plot me ligësinë dhe fyerjen ndaj shqiptarëve, teksa më tha: “Eh Prof. Sokoli, sikur të gjithë shqiptarët të ishin si ju, kaq dinjitozë, por përkundrazi… Atje në Greqi bashkatdhetarët e tu e kanë humbur kaq shumë dinjitetin saqë po ndërrojnë masivisht emrat dhe madje na luten për këtë, duan të ndërrojnë edhe kombësinë dhe s’duan të quhen më as shqiptarë…”.
Prof. Sokoli më tregonte se pas tronditjes së parë e kish mbledhur veten dhe i ishte përgjigjur: “Dëgjo hirësi, po ta them në konfidencë dhe afroje pak veshin se mos na dëgjojnë, se tashmë ne shqiptarët juve ju kemi njeriun tonë të vyer e të besuar, ndaj edhe të kemi vënë në krye të grigjës ortodokse shqiptare. Ne kombëtaristët shqiptarë hirësi, kemi ndërtuar një skenar që fillimisht emigrantët shqiptarë të pagëzohen me emra të rinj në kishën greke, dhe më pas, në momentin më të përshtatshëm, që këtu, pra nga Shqipëria, do t’u lëshojmë kushtrimin, e ata do të deklarohen njëzëri shqiptarë dhe do hidhen në aktivitet që ta bëjnë Athinën dhe mbarë Greqinë të flasin përsëri shqip… Si qëmoti”.
Çuditërisht Janullatosi i përkorë e plot politesë deri në atë çast, i tërbuar kish shkelur çdo normë mirësjelljeje, ish ngritur dhe kish ikur me vërtik duke e lënë të vetëm e të habitur Sokolin, i cili më thoshte: “Si ka mundësi që e lëshuan nervat Anastasin dhe reagoi në atë mënyrë!? Përvoja dhe misioni që i kanë dhënë atje në Greqi nuk ia lejojnë atë sjellje dhe humbjen e maturisë!”.
Mua s’më mbeti tjetër veçse ta përqafoja fort e t’i thoja shqiptarçe: Të lumtë ajo mendje florini bacë, që e paske shpëtu prapë nderin e shqiptarëve – dhe zumë të qeshim me humbjen e vetëpranuar të Janollatosit teksa kish çarë ferrën nga kryet, këmbët…

XHAMIA BLU DHE GJYSHËRIT E SOKOLIT
Në vitin 2005, në përbërje të një grupi artistësh, Prof, Sokoli shkoi në Stamboll dhe në shoqërinë e ambasadorit Mal Berisha vizituan Xhaminë Blu, (xhamia e ndërtuar nga Sulltan Ahmeti në periudhën 1609-1616), kryevepër e projektuar nga arkitekti shqiptar Sinani dhe e ndërtuar nga arkitekti-inxhinier zbatues, nxënësi i tij poaq i famshëm, Sedefqar Biçakçiu. Kjo xhami ka 6 minare, 5 kupola të mëdha dhe 8 kupola dytësore.
Ndërkohë që Prof. Sokoli po i shpjegonte ambasadorit Berisha përmbajtjen e sureve kryesore të Kuranit të shkruara në faqet e brendshme të xhamisë, ciceronit i tërhoqi vëmendjen vizitori i moshuar dhe e pyeti Sokolin: Po ju zotëri, çfarë po komentoni? “Përmbajtjen e sureve që shkruhen aty”, – iu përgjigj Sokoli.
“Po ju nga i dini këto gjëra?”, – e pyeti ciceroni. Dhe Sokoli iu përgjigj: “Unë vërtetë s’kam qenë asnjëherë këtu më parë, por suret e shkruara i di sepse këtë xhami e kanë bërë gjyshërit e mi”.
“Po kush janë gjyshërit e tu zotëri, që paskan bërë Xhaminë Blu?”, – pyeti ciceroni. Dhe Sokoli me krenari iu përgjigj: “Gjyshërit e mi janë Sinani dhe Sedefqar Biçakçiu. Gjysh Sinani ka bërë edhe Xhaminë Sulejmanie para kësaj, e plot xhami të tjera, bashkë me gjyshërit e tjerë, Sedefqarin dhe Kasemin me shokë…”.
Ciceroni thirri televizionet dhe i ndërseu tek vizitori kreshtëbardhë që “dinte dhe thoshte çudira…”, madje edhe gjëra që ai si ciceron po i dëgjonte për herë të parë. Dhe gazetarët turq dolën me torbën plot nga intervistimi i Prof. Sokolit, që i kish mrekulluar me kuriozitete, dije të pafundme dhe i kish qerasur me humorin që e kish armën e denjë të shkodranit të vërtetë.
ZHBËRJA E KOMBËTARIZMIT DHE RICIKLIMI I KOMUNIZMIT
Dështimi me turp i ekspozitës komuniste të vitit 1984 në Paris dhe diskreditimi i Socializmit Real si realitet sistemik shtetëror dhe si doktrinë teoriko-ideologjike, padyshim që do të hidhte në plehra edhe teorinë zhdanoviste të socrealizmit në kulturë dhe krijimtarinë artistike.
Enveruc Alfreduci u struk si struci dhe vegjetonte për turp në Komitetin e Arteve dhe të Kulturës, si dhe më pas në ministrinë e Kulturës që ia dhanë si kockë për ta lëpirë.
Përveç merhum-sharlatanëve të periferisë që mbaheshin fort pas kufomës së komunizmit që qelbej erë dhe nuk dëgjonin kambanën e vrasjes së Çausheskut, komunistët e Tiranës filluan të flasin për “hapje” e “demokratizim” të mendimit.
Ndërkohë Kadare në Pleniumin e Lidhjes në nëntor të vitit 1989 dha goditjen shkatërruese për Socrealizmin e diskredituar, të cilin deri atë kohë nuk kish guxuar ta atakonte: “Ne, e gjithë krijimtaria dhe veprat tona jemi njësoj, dhe i ngjajmë deleve të qethura”.
Deklarata e hierarkut të lartë pushtetor e të letërsisë shokoi gjithkënd dhe askush nuk guxoi të komentojë apo kundërshtojë.
“Pluralizmi i mendimit” në shembëllim të “pluralizmit të odave malësore të burrave”, dhe sidomos pohimi se “populli ynë nuk e kuptonte dot pluralizmin politik”, madje atë “nuk e kuptonte” as Ismail Kadareja, ishin tallja më e madhe e intelektualëve të përkëdhelur të komunizmit me popullin e varfër e të nëpërkëmbur shqiptar.
Komunistët e kthyen pllakën, e braktisën komunizmin, u “rinovuan” dhe ua lanë enverizmin ca humbamenove të rretheve të largëta, kurse vetë mbërthyen fort “social-demokracinë” evropiane gjithmonë duke marrë nga pas kontingjentet e kasketave të Sigurimit të Shtetit, të Ushtrisë e të “Veterënëve të LANÇl.”.
Ndërkohë deputetët dhe ekspertët e Bundestagut gjerman që edhën në Shqipëri në shkurt 1991, lëshuan deklaratën bombë që u censurua nga Televizioni publik ramizist: “Ata që me paramendim e kanë çuar popullin shqiptar dhe ekonominë e këtij vendi në këtë gjendje katastrofike urie, duhet përjetësisht të ndalohen të vijnë në pushtet, bashkë me bijtë e tyre”.
Deklarata ishte e qartë dhe kuptohet më qartë e direkt nëse asaj i ndajshtohet analogjia me Nazizmin dhe nazistët gjermanë, që pasi e shkatërruan Gjermaninë u ndaluan përjetësisht të rikthehen në pushtet, as ata vetë dhe as bashkë me bijtë e tyre.
Sot në Gjermani llagapet e krerëve të Nazizmit janë fshirë përjetësisht nga politika, kurse llagapet e krerëve të komunizmit shqiptar janë ricikluar në politikë dhe pushtetin shtetëror e në atë ekonomik.
Fatkeqësisht, nëse ka llagape që janë fshirë përjetësisht nga politika dhe jeta e shqiptarëve janë llagapet e baballarëve të Pavarësisë dhe të baballarëve të shtet-formimit të Kongresit të Lushnjes e të Mbretërisë.
Sot lidershipi politik shqiptar vjen nga hiç-meritat për këtë vend dhe është produkt i rekrutimit agjenturor antishqiptar prej perandorive që bëjnë ligjin dhe po përpiqen të zhbëjnë racën shqiptare.
Vetë humbja përfundimtare e llagapit të Sokolëve nga linja e gjakut, është dëshmi e zhbërjes së genomës së elitës së elitës së kombit dhe e zëvendësimit të saj me elitën e krimit, korrupsionit dhe antishqiptarizmës së institucionalizuar në të gjitha nivelet e pushtetit dhe në të gjitha fushat.



ANTIFONARI I DURRSAKUT GJERGJ DANUSH LAPACAJA
Në vitin 2000, nëpërmjet një burimi historik të ndeshur rastësisht, Prof. Sokoli ra në gjurmët e një antifonari (përmbledhjeje antifonash, apo këngësh) që përfliteshin se kishin për autor një studiues me origjinë shqiptare nga Durrësi, i quajtur Gjergj Danush Lapacaja, që kish jetuar gjithmonë në Itali.
Për t’ia bërë edhe këtë shërbim kulturës shqiptare, Prof. Sokoli u nis për në Itali me shpenzimet e veta të mbuluara nga pensioni tejet modest, dhe për fat të mirë vërtetoi se burimi historik ishte i saktë.
Antifonari përfaqësonte një dorëshkrim në pergamenë, që datonte në vitin 1531 dhe ishte depozituar në arkivën e kryekishës së qytetit italian Monopoli, për t’u transferuar më pas për ruajtje më të sigurtë në dioqezën e po këtij qyteti, duke u konsideruar pjesë integrale e fondit të dokumenteve të rralla.
Me kthimin në Shqipëri, Prof. Sokoli u përkushtua për shkruarjen e librit me titullin “Antifonari i durrsakut Gjergj Danush Lapacaja”, botim i shtëpisë botuese TOENA i vitit 2000 dhe përbëhet nga 63 faqe dhe fletë me qartësi filologjike, të cilat Sokoli përgjatë gjithë studimit i çmon si përmendore e muzikës arbërore të shekullit XVI.
Prof. Sokoli mendonte se Antifonari i durrsakut Gjegj Danush Lapacaja dhe meshari i Gjon Buzukut si i pari dokument i përpiluar në gjuhën shqipe, janë të së njejtës periudhë historike dhe mbeten dy kështjellat më madhështore të kulturës sonë, të zbuluara deri më tash.

HUMBJET PRORE TË SOKOLIT
Në periudhën 1991-2007 Prof. Sokoli humbi njerëzit më të dashur të jetës, miqtë më të ngushtë dhe familjarët e shtrenjtë: si Janaq Paço, Sadik Kaceli, Xhuzepe Del Gaudio, Vladimir Jani dhe Sadri Ahmeti, vëllezërit Ibrahim e Hodo dhe motrën Safet, si dhe më të shtrenjtën mike e bashkëluftëtare të jetës së tij, bashkëshorten Lili.
Nga të gjithë miqtë e shtrenjtë që humbi, ruante kujtime tejet serioze, kurse për mikun e shtrenjtë gjakovar, poetin mendimtar dhe piktorin e madh Sadri Ahmeti, dhimbja i përzihej me kujtimet rreth humorit brilant dhe të qeshurës së pambarimtë të Sadriut, që hapnin me lehtësi bravat e portave të humorit shkodran e të shpirtit Sokolian plot jetë e optimizëm.
“Nga ai krah i kandarit të Shqiptarisë kah peshon Ramadan Sokoli, nga ai krah anon edhe kandari i Shqipnisë etnike”, – thoshte filozofi popullor Sadri Ahmeti, vdekja e të cilit në vitin 2007, një vit para ndarjes prej jetës të Prof. Sokolit, u përjetua me shumë dhmbje prej tij.
Sokoli e vuante tmerrësisht dëshpërimin që shtëpinë e prindërve e mbuluan ferrat dhe që ekonomikisht nuk mundej t’i ndihmonte vëllezërit dhe motrën që vdiqën në mjerim, të strukur në bodrumet gjysmë të shembura të shtëpisë së Sokolëve në mes të Shkodrës.
Sot pushtetarët neokomunistë po restaurojnë shtëpinë e Enver Hoxhës në Gjirokastër dhe ato të hierarkëve komunistë të artit dhe kulturës, por nuk gjejnë fonde për restaurimin e shtëpisë së shpallur muze të Atë Gjergj Fishtës dhe shtëpinë po të shpallur muze të Sokolëve në Shkodër.



PËRSHPIRTJA PER SOKOLIN E MADH
Qysh nga viti 1991 kur Prof. Sokoli dorëzoi shtëpinë tek pronari i ligjshëm, mezi mundi të strehohej në bodrumin plot lagështi të njërës nga pronat e shumta të paliruara të bashkëshortes Lili, bijë e familjes tejet të pasur tiranase – PETRELA.
Zonja Lili ishte bashkëshortja model që provoi mbi shpinë të gjitha privacionet, por ia mbajti kokën lart “Mbretit” të saj. Ajo një jetë të tërë priti dhe përcolli me buzë në gaz varganë të pafund miqsh dhe bashkëpunëtorësh të Prof. Sokolit, të cilët i gostiste me të gjitha qerasjet e bollshme të gatuara me duart e saj, ku shquhesh shurupi prej trëndafilash të mbjella në kopësht enkas për qerasje. Kurse vetë Prof. Sokoli i qeraste miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të shumtë me skedat e pafundme, të ndara dhe të ruajtura enkas sipas fushave të profesionit dhe preferencave studimore.
Prof. Sokoli i ngjante Sizifit që e shkoi gjithë jetën në mundime dhe e konsideronte lehtësim të barrës kulturore që mbante mbi shpinë, dhurimin e dhuratave nga thesi i madh i dijes që zotëronte e akumulonte pambarimisht me studimet e pashtershme, produkt i një pune titanike sistematike prej afro 12 orësh në ditë.
***
Bashkëshortja Lili kontribuoi më së shumti në ruajtjen e shëndetit të brishtë të Prof. Sokolit, rrënuar pas dënimit me burg, torturave dhe punës së rëndë fizike nëpër kampet e punës.
E shtrenjta Lili i dhuroi Prof. Sokolit dy vajza të mrekullueshme, Mirlindën dhe Artesin, që i shpërblyen të gjitha sakrificat, mundin dhe mirësinë e dy prindërve intelektualë të shkëlqyer, duke u shndërruar gjithashtu në intelektuale të klasit të parë, sikurse ua çonte nderi e dera e fisit, nga të dyja familjet e prindërve.
Familja Sokoli dukej sikur ishte krijuar enkas për t’u ndërmendur shqiptarëve gjyshërit e lashtë ilirë që kishin ndërtuar momumentin fisnik të mundjes së shoshojt me dhurata… E ku më i madhi ishte ai që dhuronte më shumë, pasi dëshmonte se shpirti i tij ishte më i madhi ndër shpirtmëdhenjtë dhe se bash atij i takonte nderi dhe lavdia.
***
Kur Prof. Sokoli u nda nga jeta në datën 11 mars 2008, ish drejtori i MHK, Prof. Dr. Beqir Meta këmbënguli që ceremonia e homazheve për Sokolin e Madh të zhvillohej në Hollin qendror të MHK.
Në shenjë nderimi për mësuesin e shtrenjtë, nxënësi i tij Bato Gashi, violinist i shquar dhe njëkohësisht djali i mikut të ngushtë të Prof. Sokolit, historianit dhe hartografit të madh kosovar Prof. Ahmet Gashit, bashkë me një grup prej afro 20 violinistësh 10 vjeçarë ekzekutoi pjesë muzikore Sokoliane të përshtatura për violinë, duke e përcjellë Profesorin në ditën e mbrame me muzikën e kompozuar prej vetë atij.
Në ceremoninë mortore dhe në varrim morën pjesë të gjithë miqtë e tij të ngushtë.
Përfaqësues nga ministria e Bujqësisë sollën në ceremoni një sasi të madhe lulesh organike shumë të bukura, pasi mësuan se Prof. Sokoli kishte dashuri të pamatë për lulet.
Gjithashtu për homazhe pranë familjes morën pjesë personalitetet më të larta të jetës politike e publike të vendit, sipas parimit “vdis të të duam…”. Natyrisht këta morën pjesë në ceremoninë mortore edhe me synimin për t’u kapur nga kamerat e shumta të mediave që përcollën vakinë.
***
Po kalon plot një shekull që nga koha kur në Shqipëri lindi dhe jetoi një prej Lahutarëve më të mëdhenj të Shqiptarizmës, i cili tanë jetën e çoi nëpër luftëra e tramundana intelektuale e shpirtnore.
U zhyt në thellësinë e shpirtit të kombit të vet e atje u trand e u magjeps prej madhështisë e bukurisë.
Si një bahçevan i kopshtit parajsor i mblodhi nji më nji kangët e shpirtit të të parëve dhe këndoi bashkë me ta kangë majekrahi e iso polifonie, që i mbolli nji nga nji ndër vepra e krijoi me to kopshtnajën ilirishto-arbëroro-shqiptare. I lidhi ato besa-besë edhe ndër libra e leksione për nxënësit e tij, “për ta gëzu këta djalë pas djali gjersa jeta të mos u shujte”.E unë Fatos Kola thura me to nji kunorë, bash kunorën që shihni mbi kokën e tij.
Të gjithë në këtë botë e kanë të vështirë për me qëndrue të papërlyem, por mbi të gjithë, më të vështirë e kanë djemtë e baballarëve të mirë.
Në përkushtimin për bashkëshorten e shtrenjë Lili, vdekur në vitin 2004, Prof. Sokoli shkruan këto fjalë në kopertinën e librit “Krijime dhe flijime”: “Lilit tim, bashLil në ferrat e mia të jetës”.
Unë në përfundim të këtij triptiku, qe ma ka mbajt pezull shpirtin dhe kujtimin e tij të shtrenjtë, po e mbyll me vargjet lapidare e më të ndjera Lasgushiane: “Të kam shok nga kohë e vjetër / shok prej zemre e prej gjaku / shok të ri me besë plaku / Nukë ka, nukë ke tjetër. / Se çdo mall e brengë në zemër / ti m’i the emër më emër / Unë i mbylla mu në zemër / gjersa zemra të mos jetë. / E bën botën ziliqare / zemra e bukur shokërishte…”.
Fund, Tiranë, më 4 qershor 2020