GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Fatos KOLA – Misionari Sokoli përballë Perandorisë së kuqe (Triptik, pjesa 2)

EKZKLUZIVE – Kushtuar Prof. Ramadan Sokolit në jubileun e 100 vjetorit të lindjes, nga miku dhe bashkëpunëtori i tij i afërt, Fatos Kola

(Vijon nga pjesa e parë) Qysh në vitet ‘20-‘30 kombëtaristët e shquar në fushën e kulturës u ndërkallën në garën e ethshme se cili syresh do të hartonte Poemin Kosovar më të bukur dhe do t’i këndonte më me pathos Kosovës martire shqiptare. Ndër ta shkëlqenin Lasgushi e Kuteli.

Dënimi i tre Sokolëve (Isufit, Ibrahimit dhe Ramadanit, krahas mijëra kombëtaristëve të tjerë) si dashurorë të Kosovës, i diskreditoi Hoxhën dhe regjimin e tij pas prishjes me Titon. Ndaj dhe me një rrugë e dy punë, pasi ia faturoi Koçi Xoxes dashurinë për serbët dhe ndëshkimin barbar të nacionalistëve prokosovarë, Enveri kreu një amnisti që nxori nga burgu pas 5 vitesh Ramadanin, babanë Isuf dhe Ibrahimin. Paskëtaj Sokolët e rikthyer në shtëpi-katandinë e rrënuar nga konfiskimet e pakthyeshme u ndeshën me urinë, izolimin klasor dhe papunësinë, që sfidonin pseudolirinë…

Veper kushtuar Sokolit nga Janaq Paco

VRIT TË MENÇURIT DHE SHPRONËSO TË PASURIT…

Deviza e sintetizuar në epitafin e një varri mbretëror babilonas, që thoshte: “Nëse synon të zhbësh armiqtë e tu vrit të mençurit dhe shpronëso të pasurit e tyre…”, gjeti mishërim të përkryer në veprën rrënuese të sllavo-komunistëve shqiptarë. Kjo devizë po jetësohej prej tyre bash në kohën kur fryma moderne e Perëndimit, Demokracia Liberale dhe Socialdemokracia po përplaseshin për jetë a vdekje në fillimLuftën e Ftohtë me Majtizmin ekstrem të sllavokomunizmit në pushtet, që ushtronte një ndikim dominant në Ballkan pas LDB.

Sokolët familjarisht plotësonin të gjitha cilësitë për t’u masakruar pa mëshirë prej sllavokomunistëve: ishin tejet të mençur, të ditur dhe asokohe numëronin brezin e pestë të djelmënisë me universitete perëndimore e lindore, por njëkohësisht ishin edhe shumë të pasur, me prona në Shqipërinë londineze dhe jashtë saj. Ndaj dhe obskurantët gjakësorë që na i faturuan perandoritë antishqiptare, nuk humbën kohë për të nisur dhe bitisur zhbërjen e projektuar të racës…

Ramadan Sokoli i vuajti skajshëm mbytjet në biruca të etërve franceskanë (me në krye Imzot Prendushin), dhe të miqve të shtrenjtë Qemal Draçini, Myzafer Pipa e Rasim Kazazi, pasuar me vrasjet e Kazazëve të tjerë (miq të familjes prej një shekulli) si Abdulla, Halit, Jup e Seit Kazazi, atdhetarë të mëdhenj, organizatorë dhe drejtues të Kryengritjes së Postribës bashkë me Ibrahim Sokolin.

Dobësia e tij njerëzore kulmonte për vëllain e vogël, Hodon, dhe motrën, Safetin (me zë brilant e talent të rrallë muzikor), që si natyra gjithashtu mjaft të buta e të brishtë fizikisht, e vuajtën thellë persekutimin e punët e rënda, dhe madje nuk arritën as të krijojnë familje e të trashëgohen. Fatin e keq për të mos lënë pasardhës e pati edhe vëllai i madh, Ibrahimi, ngjashëm me paraardhës të tjerë të familjes Sokoli qysh prej një shekulli.

Teksa Ramadani ndante bukën me familjen e rrënuar ekonomikisht e nga shëndeti, në vitin 1960 arrestohet si “armik” dhe dënohet me burgim të rëndë vëllai i vogël Hodo, çka u përdor si “provë lakmuesi” për akuzën ndaj Prof. Sokolit si “armik që vjen nga familje armiqsh të partisë dhe pushtetit popullor”.

Hodo vuajti plot 26 vjet burgim politik dhe 4 vjet internim, derisa në vitin 1990 u lirua me ndërhyrjen e Ismail Kadaresë. Pas burgosjes dhe internimit të tij motra e vogël Safeti mbeti e vetme në shërbimin ndaj prindërve të sëmurë në fundjetë dhe u vetëmartirizua duke u rënë pas vëllezërve në burgje e internime dhe duke i përballuar vuajtjet e skamjen me dinjitet dhe punë krahu nga më të rëndat.

VDIS E PËRTËRIHU…, SI FENIKSI NGA HIRI

Ramadan Sokoli urrente të bëhej qaraman dhe ishte bartës i devizës rilindëse: Për atdheun dhe kombin mos vdis kurrë por Rilind si feniksi nga hiri.

Pas daljes nga burgu, me papunësi, mjerim, me prindër të sëmurë e me Ibrahimin të internuar për 4 dekada në gulagët e Myzeqesë, Sokoli mezi mbijeton për më shumë se një vit në Shkodër, për t’u zhvendosur në Tiranë në fillimvitin 1952.

Në mjerim të thellë, me ndihmën e miqve fillon punë në Filarmoninë Shqiptare që vuante për specialistë muzike të kualifikuar si ai. Por më kot: nuk mori asnjë rrogë përveçse pushimit nga puna pasi u stërmundua për një vit të tërë. Po kështu, (sërish pa pagë dhe i pushuar) e pësoi edhe kur filloi punë dhe u rraskapit për një vit të tërë në Shtëpinë e Kulturës Tiranë, pavarësisht se programoi dhe organizoi grupe muzikore e festivale, krahas zbulimit të talenteve të rrallë si Fitnete Rexha e Hafsa Zyberi.

Më në fund, në vitin 1954 arriti të punësohet me ndihmën e ish shokut të shkollës, Llazar Siliqit, në liceun artistik “Jordan Misja”, i porsahapur atë vit, komplet pa programe, leksione e libra. Emërtuesit i dhanë Sokolit detyrën: bëji ti të gjitha, siç ke bërë edhe të tjerat para se të vish këtu, dhe ne të të shohim ty sesa mirë i bën, përndryshe…

Ramadani misionar mori përsipër t’i përmbushte të gjitha mungesat në programe, tekste e metodika për lëndët e muzikës, dhe ia doli mbanë brenda një kohe të shkurtër, pothuajse i vetëm. Këtë të vërtetë të atëhershme e vulos sot e gjithë ditën fakti që ende nuk gjendet asnjë libër dhe metodikë e asaj shkolle në muzikë, me emrin e ndonjë mësimdhënësi tjetër, përveç atyre me emrin “Ramadan Sokoli”.

Kësisoj Sokoli hartoi tekstet shqip-shqip, që nga “alfabet-abetarja” e muzikës shqiptare e deri tek librat e tjerë Sokolianë, saqë kur erdhën sovjetikët shqipfolës të muzikës me libra rusisht, puna e teksteve mësimorë shqip-shqip ishte përfunduar dhe atyre nuk u mbeti tjetër përveçse të vetëshpalleshin profesorë pa libra e leksione, dje, sot e gjithë ditën.

Sokoli dha mësim për një kohë të gjatë lëndët: flaut, folklor muzikor, harmoni, histori muzike, teori solfezhi, muzikë dhome, etj..

Sokoli krijoi metoda mësimore për të gjitha instrumentet. Metoda me të cilat do të lidhej tradita dhe muzika hyjnore e të parëve tanë me fidanishten e re të muzikantëve. Kjo udhë e ndjekur prej Sokolit çoi kah ndërtimi i shkollës Identitare të muzikës me fytyrë shqip-shqip, sipas parimit të artit të vërtetë që Identitetin ka si përmasë të parë…

Me këtë sipërmarrje sizifiane Sokoli realizoi ëndrrën e kahershme të Mjedës për ngritjen e një shkolle dhe mundësisht të një Konservatori të muzikës shqiptare. Këtij misioni i shërbeu edhe ngritja dhe plotësimi vit pas viti nga Sokoli i Laboratorit të parë të Instrumenteve dhe Veglave Popullore, dëshmi e traditës së konsoliduar mijëra-vjeçare dhe e pasurisë marramendëse të fondit instrumental muzikor të folkut shqip-shqip. Sot zhbërësit dhe varrmihësit e shkollës që la pas Sokoli ia kanë arritur ta zhdukin laboratorin në fjalë.

Bekuar nga amaneti i rilindësve Sokolit i ndriti djersa dhe filloi të korrte sukseset e punës teksa u arrit të gjallërohej jeta artistike dhe institucioni u shndërrua në vatër të dijes, me kontributin edhe të pedagogëve të shquar si elita artistike e vendit, sikurse kolegët e tij të muzikës Lola Gjoka, Marie Kraja, Jorgji Truja, Gjyze Kosturi, Genc Bogdo, Ludovik Naraçi dhe magjiku Lam Petrela, violinisti personal i Mbretit Zog.

Përveç këtij kontributi, përsëri në bashkëpunim me dirigjentin Gaqo Avrazi hartoi projekt-programet e ngritjes dhe funksionimit të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke ia dalë sërish me sukses.

Kësisoj del e qartë se Sokoli ishte projektues-realizuesi i shkollës dhe i institucioneve shqiptare të muzikës. Kolegëve të tij u mbeti për të bërë vetëm rolin dhe detyrën e ndihmës-inxhinierëve të “zbatimit”.

E megjithatë shpirtin e tij të butë shpesh e pushtonte trishtimi kur e merrte malli për prindërit, vëllezërit e motrat që i kish larg dhe puna e stërmundimshme, me përgjegjësi e orar të zgjatur, ia pamundësonte kontaktin me ta.

Sokoli deri në fundjetë vuajti e ndau ndëshkimet mizore dhe mallin e pashuar për ta dhe për Shkodër-locen e shtrenjtë. Shpesh kam qenë shoqërues i tij në vizitat dhe vakitë në Shkodër, apo dëshmitar kur dorëzohej, lotonte e bashkëvuante me ta dhimbjet për humbjet e jetëve, mjerimin dhe idealet e bjerruna.

“Shpesh herë më kaplon malli për Shkodrën time e të Teutës, Barletit dhe miqve të shtrenjtë të familjes, që nga heronjtë e pavdekshëm shkodranë Dasho Shkreli, Hamza Kazazi e Oso Kuka. Sa herë shkoj në Shkodër kridhem në batica mbresash e përfytyrimesh… Mallëngjehem kur futem në shtëpinë e famshme që na lanë të parët e më gëlon përbrenda nji muzikë e pashprehun, shuajtun me jonësinë e kangëve popullore shkodrane…”, – do të theksonte Sokoli në intervistat e mëvonshme.

Veper kushtuar Sokolit nga Buron Kaceli

PAKËZ DRITË PËR SHPIRTIN SOKOLIAN

Sokoli ishte fjalëpak e meditues, nuk i pëlqente politika dhe fliste gjithmonë me gjuhën figurative të artit, kulturës e të historisë. I ngjante një Sokrati të vuajtur, fliste ngadalë sepse i mendonte dhe i peshonte çka nxirrte nga goja dhe gjithmonë theksonte se fjalët, idetë dhe tingujt mund ta ndryshojnë botën, prandaj, sipas tij, “këngët duhet të këndohen dhe jo të flejnë” (dhe këtu kishte parasysh edhe fatin tragjik të kompozimeve vetjake).

Ai gjithmonë më ka folur me superlativa për bashkidealistët dhe bashkëpunëtorët e shumtë, që e ndihmonin për të jetësuar projektet për organizimin dhe gjallërimin e jetës kulturore e artistike, ndër të cilët veçonte mikun e shtrenjtë shkodran maestro-piktorin Vladimir Janin (që kish mbaruar gjithashtu akademinë e arteve në Firence), si dhe muzikantin e famshëm, maestro Robert Radojën.

Por pavarësisht brengave e privimeve të pafundme shpesh më shprehej se, në fundore, ndjehej fatlum ngaqë këngët popullore dhe romancat e tij ishin e janë kënduar nga këngëtarë ndër më të shquarit e shqiptarisë si Luçie Miloti, Vaçe Zela, Hafsa Zyberi, Marie Kraja, Shpresa Berisha, Pavlina Nikaj, Florinda Gjergji, Shqipe Zani, Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Ibrahim Tukiqi, Ramiz Kovaçi, Zihni Berati, Gjoni Athanas, etj.. Kurse kënga “Besa-besë” e kompozuar prej tij qysh në fundvitet ’30 u shndërrua në himn kombëtarist antiserb në Kosovë, që nga viti 1968 e deri në vitin 1999.

Kur e pensionuan në moshën më të mirë të pjekurisë intelektuale e profesionale, pa mbushur akoma 54 vjeç dhe bash kur u bë pedagog e studiues perfekt, për të mos rënë në depresion e në bjerrje pa kthim ai u zhyt në studime dhe shkencë, ndërkohë që kolegët e tij të përzënë nga liceu njëkohësisht me të si Paço, Buza e Kaceli u mbyllën në vetvete dhe ranë në Heshtje-theqafjen intelektuale…, duke i bërë padashje shërbimin e fundit komunizmit teksa shkëlqyen me mungesën e tyre.

Ndër vuajtje e mundime, Sokoli i madh u mundua gjithë jetën të ndërtojë universin shpirtëror të shqiptarëve, por njëherazi ndërtoi universin dhe panteonin vetjak ku u vetëlartësua e përjetoi meritueshëm lavdinë për së gjalli, si të paktët e të mëdhenjve në këtë jetë.

PATËR MËSHKALLA DHE SOKOL-PACIFISTI I PANDREQSHËM

Prof. Sokoli më rrëfente: “Na mijëra të burgosunit e kampit të punës së Bedenit të Kavajës po shkojshim në punë në pikë të sabahut, duke hecë nëpër kanalin kullues të thellë dy metra e të gjanë 70 centimetër, në njish kollonë. Rojet na shoqnojshin tuj hecë sipër kanalit, e na të burgosunit detyroheshim me mbajtë ritmin e tyne, ndryshe… Kanali ishte kaq i ngushtë sa me ba me u rrëzue ndonjeni, do ta shtypshin ata që vinin pas, sepse s’kishin si me e ruejtë e mbrojtë. Unë po hecja mbrapa Atë Mëshkallës, i cili më kish porositë t’i rrija afër, kudo, e unë zbatojsha urdhrin e atij burri të madh të racës, ngaqë e adhuroja bashkë me gjithë shokët e tjerë të kampit të punës që ishim ku e ku ma të rinj në moshë sesa Ati ynë i shenjtë.

Duke ditë pikërisht këtë gja, pra që po t’u rrëzojshe kishin me të shtypë ata që vinin mbrapa, nji i ri kokëmadh, i shëndoshë e i mirëushqyem, si të ishte vu n’majmëni aty n’burg ku buka ishte e pamjaftueshme e na të gjithë vuejshim ujet, natyrisht provokator, kishte ardh mbrapa meje dhe më shtynte që të ecja shumë ma shpejt, por unë nuk mundesha me shty Atë Mëshkallën, prandej i thashë të mos më shtynte ma… Por ai ishte tërbue… E unë i turpnuem i kërkova me za të mekun falje Patër Mëshkallës dhe i diftova që dikush që nuk e kisha pa kurrkund ma parë po më shtynte. Atë Mëshkalla kthehet mbrapsht nga un dhe me ton idhnak më urdhnoi: po ti pse i ke ato dy duer mor njeri, at’her po ta mësoj un çka me ba: bjeri Rado e diftoja vendin. Unë i gjegjem se nuk mundem Atë, se unë jam me Krishtin që na mëson se kur të bien në njenën faqe, kthe faqen tjetër…

“Asht e vërtetë që kte e ka thanë Krishti, por Ai nuk ka thanë ma anej se çfarë duhet me ba kur tjetri nuk ndalon e të bjen edhe faqes tjetër, siç po ban ky, e atëherë ta them unë se çfarë ka lan pa thanë Krishti. Ka thanë bjeri horit me grushta dhambëve e me shkelma bythëve, e ta çoni bash atje kah ka dalë. Njikte ka lan pa thanë i lumnuemi Jezu Krisht mor Rado, prandej djema tregojani vendin këtij pisi”, – vikati Ati trupvogël e zemërmadh…

Urdhni i tij ishte ligj për djelmëninë e kampit që e adhuronin dhe e ruenin si sytë e ballit. E iu turrën djemtë dhe e masakruen provokatorin tue e rrahë dhe shkelë me kambë sa që mendoj se me zor ka shpëtue gjallë. Pas kësaj rojet qe e ndanë sherrin, na dhanë dënim të randë tuj na ndëshku me birucë e me normë të shtueme në hapje kanali. Por pas atij rasti asnji provokator nuk guxoi me iu afrue grupit tonë që e rrethojte dhe e mbronte Atë Mëshkallën e shtrenjtë. Po unë mor Tosi kurrë nuk mujta me dalë prej natyrës time për mos me ba sherr e mos me poshtnu kërkan me duer, se burrin ma mirë vrite dhe mos e poshtno. Un kyt moral kam e kështu jam gatue”, – ma mbylli rrëfimin prej urtaku engjëllori im i shtrenjtë.

Veper kushtuar Sokolit nga Vladimir Metani

SHKOLLA SOKOLIANE PËRBALLË SHKOLLËS IDEOLOGJIKE

Iliria e vonë dhe “Moti i Madh i Arbërit” i dhanë shqiptarisë figura madhore si Niketë Dardani, Jan Kukuzeli, Gjon Gazulli, Leonik Tomeu…, kryesisht prelatë të krishterë, e të tjerë dijetarë e artistë myslimanë, jo laikë, ndër 40 figurat që Sokoli trajtoi tek vepra madhore “16 shekuj” dhe më pas dhjetëra të tjerë tek vepra “Përtej 16 shekujve”. Por në studimin e tyre si dukuri dhe si prurje vlerash ai bazohej tek ligjësitë, parimet, kriteret dhe standardet e kontributeve dhe përfundimeve të nxjerra nga analiza e krijimit artistik vetëm me mjete të artit (e jo me mjete të tjerë joartistikë), pa u ndikuar nga ngjyresa apo kontributet fetare të figurës së marrë në shqyrtim.

Sokoli na mëson se për të depërtuar në folklorin muzikor nuk mjafton të shqyrtosh veçantitë ritmiko-metrike, melodike e harmonike me gamat e me polifoninë popullore. Sipas tij “Njoftimet më të hershme për muzikën dhe vallet e stërgjyshërve ilirë na i jep arkeologjia nëpërmjet skulpturës monumentale e asaj dekorative, si dhe numizmatikës e pikturave të poçerive”. Po sipas tij, shkrimet e dhjetëra autorëve më të shquar antikë na kanë lënë mjaft përshkrime për vallet, muzikën dhe mjetet muzikore të ilirëve.

Nga studimi vetjak i gjetjeve (objekteve) arkeologjike ilirike, Sokoli konstaton dhe kumton se ilirët kanë kërcyer valle (gëzimi e luftarake) njëshe, dyshe e treshe e në grup (kolektive), dhe se vallet mortore të tyre ngjajnë me gjamat e malësorëve të trojeve etnike të Veriut…

Ai më thoshte se “Gjatë studimit të arteve dhe krijimtarisë artistike studiuesit duhet të shmangin doemos elementët që nuk janë specifikë e studimit të tyre. Koncepti i studimit të arteve epokalë, por edhe i atyre religjivë, duhet projektuar dhe shtrirë gjithmonë në rrafshet kulturor, gjuhësor e filozofik dhe aspak në rrafshin teologjik, duke u nisur thjesht dhe vetëm nga mendësia naive dhe absurde se nuk mund të veprojmë ndryshe ngaqë kemi të bëjmë me arte religjivë!? Dhe duhet vepruar kështu e jo ndryshe, sepse specifikë e përjetshme e artit është shqyrtimi i gjithçkaje në rrafshin estetik: 1) është karakteri dhe sfondi kulturor; 2) është krijimi me mjete të gjuhës artistike relevante; 3) është thelbi filozofik i krijimit e i mesazheve që ky krijim përcjell; 4) janë teknikat dhe teknologjitë. Pra në studimin e arteve e të krijimtarisë artistike nuk është e nuk mund të jetë specifikë studimore përcaktuese karakteri fetar i besimit që ai art apo krijim pasqyron dhe shërben…”.

Duke vlerësuar maksimalisht konceptet e tij estetike në artet pamore, e prita me kërshëri studimin Sokolian “Vizatimet prehistorike në vendin tonë”. Në këtë punim Sokoli iu referua zbulimeve arkeologjike brenda kufijve shtetërorë, duke përshkruar e shqyrtuar mjetet gdhendëse-gërricëse, ngjyrat e përdorura, objektet e vizatuara dhe qëllimin e realizimit të tyre.

Duke depërtuar në thelbin e Vizatimeve Prehistorike, Sokoli i madh thekson: “Dëshira për të kumtuar diçka nëpërmjet shenjave të ndryshme të këtyre vizatimeve i dha shkas shpikjes së sistemit shkrimor duke nisur që nga piktogramet e ideogramet, deri tek hieroglifet dhe germat e alfabetit. Veç të tjerash, vizatimet e stërlashta me gërricje në sipërfaqet e shkëmbinjve janë përmendore të mirëfillta prehistorike. Përmes tyre janë paraqitur kushtet e jetesës së stërgjyshërve tanë dhe qëndrimi i tyre kundrejt realitetit të asaj kohe, duke na lënë diçka të shkruar nga e kaluara e racës tonë autoktone. Me këto vizatime paraardhësit tanë na kanë lënë mesazhe që vijnë nga thellësitë e shekujve. Prandaj hulumtimi i tyre nuk i shërben vetëm studimit të prehistorisë së artit në vendin tonë, por i shërben gjithashtu edhe njohjes së botës shpirtërore dhe vizionit zhvillimor të pararendësve tanë pellazgo-ilirë”.

Me studimet speleologjike dhe konkretisht me ato të vizatimeve të shpellave në Shqipëri, Sokoli dëshmoi jo vetëm autoktoninë dhe lashtësinë e origjinës sonë qysh nga prehistoria, por dha një ndihmesë të shquar konceptuale e metodologjike në lëvrimin e historisë së artit pamor shqiptar nëpërmjet shqyrtimit shkencor të sistemeve vizatimore e piktorike në gjetjet arkeologjike.

Ndër të tjera, me këtë shërbesë shkencore Sokoli konfirmoi maksimën sipas së cilës kontributet kulturore dhe vlerat e popujve e të qytetërimeve nuk maten me sasinë e trangujve dhe domateve të eksportuara, por me sasinë dhe cilësinë e kulturës së prodhuar dhe emetuar.

Fatkeqësisht, asnjë prej 3 mijë akademistëve shqiptarë të arteve pamore, që nga Paskali, Paço, Buza, Kaceli e të tjerë profesorë pas tyre, e deri tek unë Fatos Kola, nuk u kujtuam që të merremi me botën e vizatimeve të shpellave që e kishim para syve, që klithte e fliste dhe ne shurdhërisht nuk e dëgjonim. Erdhi Sokoli i madh me na turpnu e me na tregu se ato janë vlerë e kalu vlerave… por në thelb, ky zhvillim në dukje rastësor, dëshmoi përplasjen dhe kundërpozicionimin e hapur konceptual midis shkollës Sokoliane të shqyrtimit të universit të objektit artistik dhe mjeranes “shkollë-zanat” që ne kishim mbaruar. Kjo përplasje midis këtyre dy shkollave na tregoi se shkolla Identitare shqip-shqip e modelit Sokolian dhe jo shkolla ideologjike e artit, duhet të ishte shkolla shqiptare e arteve pamore.

KADARE PËR STOIKUN SOKOLI

Për nga konstrukti psikomental Sokoli ishte dhe mbeti deri në fund të jetës stoik dhe qëndrestar. Ai kurrë nuk u ligështua sa ta lëshojë vehten dhe të pranojë humbjet prore.

Ndihmën më të madhe për ndërkombëtarizimin e famës ia dha botimi i trajtesave në periodikun e përkthyer në frëngjisht, titulluar “Les Letteres albanaise – Letrat shqipe”, e vetmja revistë shqipe që botohej asokohe në gjuhë të huaj e që drejtohej nga Ismail Kadare, i cili lidhur me kontributin Sokolian në këtë revistë, kujton: “Ramadan Sokoli ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të vyer dhe më të ngushtë të revistës. Kam botuar mjaft materiale të tij, më tepër se 200 faqe, ndonëse ai ishte person dhe muzikolog i padëshiruar nga regjimi. Tani është bërë zakon që shumë intelektualë të shpallen nga të tjerët apo të vetëshpallen si të pafavorizuar ose të padëshiruar, por Ramadan Sokoli ka qenë ndër intelektualët e mëdhenj shqiptarë të fyer e të përbuzur sistematikisht nga regjimi komunist. Ka qenë një kënaqësi e madhe për mua njohja me këtë personalitet të shquar të kulturës shqiptare. Si shkrimtar i një brezi tjetër kam patur gjithmonë një magjepsje ndaj përfaqësuesve të kulturës shqiptare që ishin ende gjallë, por që për arsye të ndryshme ishin mënjanuar nga jeta, siç ishte Lasgush Poradeci që ishte tipik, e plot të tjerë. Ndër këta ishte edhe Ramadan Sokoli, njëri prej personaliteteve të cilit i lejohej të shkruante tepër rrallë, që të mos dallohej e të mos binte në sy.

Në revistën ‘Les Letteres albanaise’ herë pas here kisha vërejtje dhe sinjalizime që emri i tij po dilte shumë dhe po teprohej. Natyrisht që unë bëja sikur harroja dhe vazhdoja. Por Ramadan Sokoli përveçse e duroi me trimëri këtë persekutim në atë kohë, edhe tani prapë me trimëri nuk është ndër ata që bërtasin më fort nga të tjerët, vetëm e vetëm që të vërë në dukje persekutimin dhe mundimet që hoqi. Ai vazhdon të ketë dinjitet të dyfishtë dhe kjo është një gjë e mrekullueshme. Do të thoja se karakteristika më e bukur e tij ka qenë se ai kurrë në atë kohë nuk e ngatërroi regjimin komunist me kombin shqiptar”.

Veper kushtuar Sokolit nga Zamfira Heta

VETËMËNJANIMI I LASGUSHIT DHE I TË TJERËVE

Dhuna dhe terrori sollën si pasojë shmangien e përballjes së intelektualëve më në zë me diktaturën. Madje për t’u vetëmbrojtur ata hoqën dorë edhe nga krijimtaria artistike, profesionale e diturore, duke zhgënjyer idealistët dhe qëndrestarët dhe duke i lënë fushë të lirë cmirëzinjve e inkuizitorëve. Më tipiku i kësaj kategorie, antikonformisti Lasgush, me heshtjen e tij të thellë i ndihu regjimit që e “vdiq” për së gjalli për mbi 4 dekada, pa ndërruar jetë akoma në nëntor 1987.

Në fundjetë, çifti Kadare i shkoi Lasgushit për vizitë pas mungesës së gjatë të tij në publik. Helena Kadare e pyeti disa herë Lasgushin se përse nuk shkruante, megjithëse ai këmbëngulte se shkruante por nuk e botonin. Mirëpo zonja Kadare e mirinformuar, i thoshte poetit se kjo që pretendonte ishte e pamundur…, se po të shkruante…, ajo si redaktore e shtëpisë botuese “Naim Frashëri” do ta merrte vesh e para!

I ndodhur para vështirësisë logjike, poeti i madh dha përgjigjen brilante Lasgushiane, “Unë shkruajta moj zonjë e bukur por atë që shkrova ata ma refuzuan… Ja, po ta them edhe ty atë që shkrova, provo e ma boto po deshe…”, dhe citoi strofën: “Moj leshverdha trëndelinë / pse s’shkruan për mua të zinë / po për Enverin dhe Partinë…?!”.

Zonja Kadare e mori mesazhin Lasgushian dhe u ngrit me vërtik, e tmerruar, ndërsa Ismaili e ndoqi pas…

Me refuzim allaPaskalian iu përgjigj Odhise Paskali propozimit të ardhur nga lart që të pranonte të merrte çelësat e kryecensorit të arteve pamore në vitin 1973, pas Pleniumit IV të KQ të PPSH. Ai u kish deklaruar propozuesve se nuk mund ta pranonte detyrën pasi kurrë nuk do të censuronte librat dhe katalogjet e arteve pamore konform kërkesë-detyrës së censorëve që arkivonin literaturën “armiqësore”.

Paskali ia konfidoi Sokolit këtë refuzim pa ia fshehur drojën deri në panik se mos “ata atje lart” hakmerreshin ndaj tij. Dhe hakmarrja nuk vonoi, por ishte më e butë sesa mendonte Paskali: Paskëtaj atij nuk i dhanë më asnjë porosi dhe “e mbytën” me harresë, për së gjalli…, ndërsa ai e pranoi në heshtje fatin që i caktuan deri kur mbylli sytë përjetësisht në shtator 1985.

Në heshtje e harresë i kaluan ditët e fundit të jetës edhe kolegët e Sokolit, perëndimoristët e artit pamor e të kulturës shqiptare: Abdurrahim Buza (1986), Janaq Paço (1991) e Sadik Kaceli (2000).

VEPRAT E SOKOLIT, BESTSELLERË NËPËR BOTË – Në foto: Galeri e një pjese të veprave të shkruara nga Profesor Ramadan Sokoli

Qysh gjatë monizmit, kërkesat e studiuesve të huaj e të bashkatdhetarëve jashtë kufijve, në trojet etnike e diasporë, për librat autorialë dhe organet ku ishin botuar studimet e Prof. Sokolit, ishin maksimale. Që të gjitha institucionet prestigjioze shkencore dhe bibliotekat nëpër botë kërkonin punimet e tij dhe shteti shqiptar në shumë raste dërgonte nëpër ambasadat tona në Perëndim nëpunës-korrierë me sasi të mëdha të këtyre librave e revistave, në çdo kohë të vitit dhe sipas fluksit të kërkesave.

Shërbime të tilla me dalje jashtë shtetit për të dërguar veprat e Sokolit (shërbime që asokohe ishin privilegj), më ka konfiduar se ka kryer vazhdimisht skulptori Niko Thana, që punonte në ministrinë e Arsim-kulturës.

Edhe në panairet ndërkombëtarë të librit kërkesat për veprat e Prof. Sokolit ishin maksimale dhe shpesh përdoreshin nga nëpunësit shqiptarë për të shpërndarë falas veprat e Enver Hoxhës.

Shteti shqiptar ishte shumë i interesuar për këtë reputacion Sokolian që rriste vëmendjen për “Shqipërinë socialiste” dhe shërbente për të reklamuar me më pak vështirësi vetë Enver Hoxhën. Sokoli nuk duhej kurrsesi të rehabilitohej brenda Shqipërisë, sepse nëse bëhej kjo do të nënkuptonte zbutjen e hapur të luftës së klasave dhe zhgënjimin e fashës sociale mbi të cilën mbështetej regjimi i Hoxhës, krahas prekjes në tela të zhdanovistëve që nuk kishin kënaqësi tjetër përveç keqtrajtimit të Prof. Sokolit, reputacioni ndërkombëtar i të cilit po u kujtonte se vetëm me shkencat nuk kishin punë dhe se si plagjiatë e dështakë lëkura nuk u vlente asnjë grosh.

Kryevepra Sokoliane “Folklori muzikor shqiptar (Morfologjia)”, të cilën etnologët më të shquar të planetit e cilësuan si “Gramatika dhe sintaksa e ligjëratës muzikore shqiptare”, është dorëzuar për botim qysh në vitin 1958 pas marrëveshjes kontraktore midis ministrisë së Arsimit dhe Kulturës të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Gjermanisë Lindore (botim i financuar nga kjo e fundit). Por censorët zhdanovistë Alfred Uçi e Zihni Sako e bllokuan për 8 vjet radhazi botimin. Menjëherë pas botimit (1966), anëtari i kryesisë së UNESCO-s, etnologu me famë botërore Albert Llojd e përshëndeti daljen në dritë të kësaj kryevepre me një artikull tejet vlerësues, të botuar në revistën e famshme “International Council of Folk Music”.

Ismail Kadare na ka deklaruar mua dhe gazetarit Flamur Gashi gjatë një interviste që do të përdoresh për një dokumentar televiziv kushtuar jetës dhe veprës së Sokolit në vitin 1995, se “Para vitit 1990 në çdo ambient intelektual në Perëndim më pyesnin për Prof. Ramadan Sokolin, për të cilin ekzistonte konsideratë dhe reputacion i pashoq. Vepra shkencore e Sokolit i ngjan një ajsbergu, të cilit sot për sot i është shpërfaqur mbi ujë vetëm maja. Kur ajo të shpërfaqet e plotë, atëherë ne të tjerët nuk do të dijmë ku të fshihemi: nga turpi; nga inferioriteti; nga përgjegjësia”.

ZHDANOVI DHE ZHDANOVIZMI STALINIST

Parulla leniniste “I gjithë pushteti dhe të gjitha pushtetet Sovjetëve”, shtiu në ngasje komunistë-marroqët pas pushteteve, që në fundore ishin pushtete mbi njerëzit dhe jetët njerëzore, çka u sillte vetëmotivim dhe kënaqësi karakteropatëve revolucionarë. Këta qëllimisht krijuan dhe institucionalizuan Shkollën e Realizmit Socialist, që ishte shkollë me koncepte thjesht utilitariste dhe aspak estetike. Në rastin më të mirë kjo shkollë prodhoi ilustrues idesh e bërësa zanatçinj, dhe jo estetë universalistë por fragmentaristë që estetizonin politikën dhe politizonin artin. Prandaj, qoftë në fushën teorike, qoftë dhe në veprën praktike, në “artin” komunist ndjehet dhe përhapet thellë frika dhe përulja ndaj autoritetit (pra ndjehet pushteti në art dhe pushteti si autoritet).

Krijuesit, kulturologët, kulturë-kultivuesit, shkrimtarët, poetët, estetët dhe në përgjithësi shkencëtarët dhe artistët, këto qenie me shpirt të lirë e me lidhje transhendendentale me Gjithëkrijuesin, ishin krijesat njerëzore më të pafajshme, në dukje mospërfillës dhe sfidantë ndaj të gjithpushtetshmëve të rinj, prandaj dhe u përzgjodhën për t’u ndëshkuar e viktimizuar. Por për t’u arritur kjo duhej që më parë e drejta e tyre për të krijuar të normohej ideopolitikisht dhe juridikisht. Këta fillimisht duheshin shpallur doemos “shërbëtorë të partisë e të proletariatit”, që ishin nocione fiktive, ngaqë thjesht nënkuptonin liderët dhe elitën politike të regjimit të ri… Pastaj, pasi të vetëpranohej shërbëtorllëku, këtyre duhej t’u caktoheshin detyrat që duhet të kryenin si shërbëtorë, bashkë me rregulloret e shërbesave, sipas gjinive të krijimit… Rregullore që do t’i kërrenin teoricienët karakteropatë të partisë në pushtet, që do të kryenin njëkohësisht edhe kontrollin për zbatimin pa gabime apo masat, llojet dhe ashpërsitë e ndëshkim-dënimeve për “shkarësit e qëllimshëm dhe armiqtë e pandreqshëm…”.

Kjo rregullore duhej shpallur si traktat-manifest allafilozofiko-ideologjik që të bëhej sa më imponues dhe sa më kompleks në interpretim, çka do t’u jepte pushtete të pakufizuara të vetëshpallurve kontrollorë dhe censorë.

Dhe meqenëse bëhej fjalë për pushtete të reja e speciale pikërisht ndaj atyre “sfidantëve…”, tek kjo “elitë” të gjithëpushtetshmish dëshironin të futeshin të gjithë karakteropatët e parti-pushtetit të “proletariatit”. Kësisoj i binte që përveç “Stalinit të madh” të ligjëroheshin edhe Stalinë të tjerë në çdo qytet, lagje e katund, që zbulonin “devijantë e armiq” izmash të “ideologjisë borgjezo-revizioniste”.

Ndër këta karakteropatë, më i dalluari në mbarë Bashkimin Sovjetik u shpërfaq aparatçiku i komitetit të Partisë së Leningradit, Andrei Zhdanovi, një teoricien i lexuar, i cili në një kongres të shkrimtarëve dhe artistëve sovjetikë shpalosi platformën teorike të Realizmit Socialist, që paskëtaj do të shërbente si rregullore orientuese në krijimtarinë e këtyre shkrimtarëve dhe artistëve. Kjo gjetje-grackë i pëlqeu jashtë mase Stalinit pasi i rriste sinoret e pushteteve mbi fashën sociale më të pavarur të shoqërisë dhe njëkohësisht legjitimonte ndëshkimet shembullore që diktatorit i kënaqnin epshet shtazarake.

Në shenjë aprovimi dhe pëlqimi për gjetjen djallëzore, Stalini e mori Zhdanovin në Moskë dhe e ngarkoi me poste tejet të rëndësishme. Jo vetëm kaq, por e bëri krushk teksa i dha të bijën, Svjetllanën për djalin dhe pothuajse e shpalli pasardhës. Por pas dy vitesh (1948) Zhdanovi vdiq dhe për këtë thuhet se u kujdes posaçërisht kryespiuni Laurenti Beria dhe të tjerë liderë që e panë shtrembër ngjitjen e tij të shpejtë në karrierë dhe përcaktimin si pasardhës…

Stalini nuk e besoi aspak ekspertizën e mjekëve për shkaqet e vdekjes së Zhdanovit, për çka edhe urdhëroi hapjen e dosjes dhe rinisjen e hetimeve intensive pasi dyshonte për një komplot të mjekëve hebrenj kundër jetës së Zhdanovit, e që u titullua me eufemizmin “Komploti i bluzave të bardha”. “Komplot” që nuk u “zbërthye” deri në fund pasi u ndërpre nga vdekja e Stalinit në vitin 1953…

Midis miqsh, ne pervjetorin e 80 te tij

HUMBJE-TRIUMFET E FOLKUT SHQIP-SHQIP

Pas vitit 1990, nëpërmjet korrespondencës tashmë të pacensuruar Prof. Sokoli u njoh me ftesat e panumërta, me tezat për debat teorik të kolegëve, apo me paqartësitë e tyre dhe opinionet që dikur i kishin kërkuar për probleme shkencore të veçanta, kryesisht atipike në rrafshin etnologjik ballkanik.

Pikërisht për sa më sipër më ka konfiduar dhimbjen që ndjente për fshehjen dhe zhdukjen gjatë monizmit të letrave të kolegëve të shquar, të cilët jo vetëm që e vinin në dijeni të faktologjisë së pafundme etnologjike që evidentohej në Perëndim dhe Lindje, por i kërkonin t’i ndihmonte për sqarimin e enigmave të mëdha shkencore si dhe për qëndrimet apo pozicionimet vetjake etno-kulturore. Sipas tij kjo agjendë e atëhershme, tashmë e kapërcyer në kohë, ishte një udhërrëfyes tematik i jashtëzakonshëm për kahjen e studimeve apo temave madhore që evidentoheshin në debatin, ligjërimin dhe diskursin shkencor antropologjik përtej kufijve të mbyllur shqiptarë. Po sipas tij, kjo agjendë e humbur do të kish prodhuar drejtime, hulumtim tematikash e rrafshe të tjerë etnologjikë me vlerë kolosale, që mund t’i prodhojë vetëm debati i vërtetë shkencor.

“Në shkencë debati dhe kundështitë janë jetike, sepse të mbajnë brenda objektit kryesor shkencor e nuk të lejojnë të humbasësh në subjektivizëm apo në vetkënaqjen e shijeve e preferencave. Është kërkesa shkencore ajo që përcakton edhe ofertën shkencore dhe orienton kah zgjidhjet më të ngutshme e më të nevojshme. Janë pikërisht debati e ballafaqimi shkencor ato që prodhojnë rezultate maksimale dhe jo autarkia e vetizolimi”, – më thoshte Profesori i dëshpëruar. Dhe sërish këmbëngulte e këmbëngulte se koha është një zhdukëse e pamëshirshme e vlerave, sidomos në Shqipëri. Prandaj kam bindjen se Sokoli i madh nxitoi që sa më parë të regjistronte gjithçka para se të zhdukej… Sepse sipas tij idealet, sidomos ato të përparimit, duhet të ushqehen, përndryshe ato kthehen në dogma ku idetë kulturore origjinale zhbëhen dhe kështu nuk i prekin dhe ndikojnë më njerëzit, gjeneratat.

Nuk ka dyshim se për Sokolin, refuzimi dhe fshehja e ftesave të kolegëve të shquar e të organizatorëve të aktiviteteve më të rëndësishme kulturore e shkencore ishin raste të humbura e të papërsëritshme të ballafaqimit dhe ndërkombëtarizimit të arritjeve gjeniale kulturore të folkut shqiptar. “Arti e kultura kanë lindur për t’u bërë publike e për t’u shijuar nga populli që i krijon dhe nga mbarë popujt. Ato janë pasuritë më të mëdha shpirtërore të kombeve dhe njerëzimit. Nuk merren me vehte në varr dhe u mbeten brezave si trashëgimi e si traditë”, – më thoshte Sokoli plot dhimbje.

E duke u endur ndër këto rravgime, Sokoli i madh më pohoi rëndësinë e jashtëzakonshme shkencore dhe etnokulturore të triumfit të vitit 1971 në Francë, në festivalin folklorik të Dizhonit, të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Triumf që sipas tij kish përligjur në mënyrë të shkëlqyer djersën, mundin dhe kontributet shkencore për të cilat ai ishte përkushtuar bashkë me etërit parardhës të folkloristikës dhe kolegët që kishin ngritur në art, nëpërmjet përpunimit me nivel bashkëkohor, arsenalin e folkut shqiptar.

Sipas tij, ansambli ynë ku shkëlqenin më së shumti artistët e dalë nga Liceu i Tiranës, apo ata të zbuluar si talente e të kultivuar prej dorës së tij, kish afro dy dekada që mrekullonte mbarë Lindjen komuniste, por triumfi në Dizhon në ballafaqimin me Perëndimin, përcillte dhe kulmonte bash atje ku ne mungonim, vlerat e mëdha dhe elitare të folkut shqiptar, shpesh të përvetësuara nga fqinjët. Pas këtij triumfi u shpërfaq madhërishëm, para shqiptarëve dhe mbarë botës, gjenia dhe fuqia e artit burimor, e kulturës dhe folkut tonë, tashmë të kulmuara në vlerë nëpërmjet perfeksionimit shkencor etnologjik.

Por në vend që ky triumf i certifikuar ndërkombëtarisht në Perëndimin e vlerave të zbuste censurën zyrtare dhe të hiqte leshterikët e “parimeve të Realizmit Socialist” nga gjymtyrët e artit popullor, ndodhi e kundërta, sidomos pas Pleniumit IV të KQ të PPSH të qershorit 1973, kur censorët u vërsulën edhe mbi Sokolin dhe “folkloristët”, dhe jo vetëm mbi “bartësit e izmave”.

Valët e xhelozisë dhe tërbimit përfshinë mbarë kopjativët e kulturave dhe shkollëzave të huaja që nuk i përfillte askush përtej kufijve, pasi kulturologjia botërore vlerësonte thesaret origjinale dhe jo imitim-kopjimet e kokëboshëve të patalentuar.

Ata u vërsulën të tërbuar sepse donin pushtet, donin dhunë dhe terror psikologjik. Dhe për këtë si mjet të përjetshëm torture kishin Realizmin Socialist, që si metodë nuk kishte e nuk mund të kishte kurrfarë lidhjeje me krijimtarinë në fushën e folkut, pasi kjo fushë i përkiste traditës mijëra-vjeçare të trashëguar dhe derdhur në art nga populli.

Për të garantuar vetëmbrojtje shkencore Prof. Sokoli kish gërmuar me kujdes për zbulimin e fijeve teorike të rrjetës së Zhdanovizmit, që t’i shmangej çdo përplasjeje me censurën zyrtare. Sipas tij, Zhdanovizmi përfaqësonte një rrjetë merimange në formën e një seti pseudoparimesh të nxjerra nga platforma staliniste dhe fjalimet programatike të Andrei Zhdanovit për shkrimtarët, artistët dhe shkencëtarët sovjetikë.

SOKOLI vs ZHDANOVIZMI SI NORMË VRASTARE

Përvojat e hidhura vetjake, njohja e vijësjelljes hakmarrëse dhe e praktikave zhbërëse të perandorive asimiluese e shkombëtarizuese ndaj popujve, kombeve e kombëtaristëve, sidomos në shkencë e kulturë, e kishin bërë Sokolin shumë të matur, të kujdesshëm dhe vigjilent në jetë e në veprimtarinë krijuese. Ai e dinte mirë se gjëmat mbi popujt e kombet perandoritë i realizonin nëpërmjet shërbëtorëve e tradhtarëve vendas, të cilëve qendrat perandorake u siguronin pushtetet, financat, mjetet dhe mbështetjen e duhur për të goditur dhe asgjësuar të projektuarit… Me këtë këndvështrim e kish vlerësuar dhe përcaktuar Sokoli i madh edhe Zhdanovizmin në artet dhe krijimtarinë artistiko-kulturore shqiptare.

Ai e dinte mirë se zhdanovistët shqipfolës të ardhur nga Rusia dhe vendet e tjera sllave, si njerëz të përzgjedhur nga përbërja politike dhe jo nga talenti, por me ambicje të stimuluara për pushtete të pamerituara e jashtëprofesionale, si Salierë të vërtetë padyshim që do t’u vërsuleshin “Moxartë”-viktimave me kleçka biografie. Kësisoj, me një rrugë e dy punë realizonin edhe “pllanin” e zbulimit të “armiqve e devijatorëve”, edhe ambicjet pushtetore.

Ky takëm imitonte udhëheqësin e madh dhe shndërrohej në Enver-udhëheqës në versionin vetjak, në fushën në të cilën militonte. Kësisoj enverucët u shtuan pafundësisht në të gjitha ndërmarrjet, institucionet, lagjet, qytetet e deri në fshatrat e thellë, duke u shumëzuar dhe perfeksionuar në mizori e dhunime të jetëve të viktimave të nëpërkëmbura.

Duke e vlerësuar vehten si gjah i preferuar i Zhdanovistëve, Sokoli më konfidoi se gabimisht kish menduar se meqë merrej me folklor-“vjetërsirën” që kërkonte mundim Sizifi dhe nuk i prishte punë askujt, do të shpëtonte nga goditjet dhe censura. Por më kot. enveruc-alfreducët e censurës komuniste nuk linin rast pa e censuruar dhe pa ia kujtuar se nga vinte…

E megjithatë, pavarësisht tmerreve të terrorizimit gjithëkohor, për Sokolin ishin të papranueshme ndërkalljet nëpër studime e trajtesa të parimeve Zhdanoviste si: Centralizmi partiako-ideologjik dhe modifikimet e tij “teoriko-shkencore e artistike”; Gjuha dhe mesazhet e qarta të ideologjisë komuniste; Dialektika revolucionare në leximin dhe shpjegimin e dukurive shkencore, ideore dhe artistike; Futja e tematikës dhe e subjekteve të trajtuara sipas matricave të “shkencës proletare, realizmit socialist dhe proletkultit”; Ndërtimi në gjithçka që strukturohej në shkencë e krijimtari artistike i “bazave kulturore dhe antropologjike të komunikimit socialisto-realist”; Qasja në çdo projekt dhe sipërmarrje e paradigmës “Njeriu i Ri në jetën e përditshme socialiste”; Vënia e ideologjisë proletare në vend të traditës; Identifikimi “nga lart”, pra nga pozitat e partishmërisë, i tematikës së përzgjedhur dhe zgjidhjeve e konkluzioneve përfundimtare sipas fillit të kuq ideologjik; Evidentimi i procesit të shndërrimit revolucionar të shoqërisë kah Njeriu i Ri dhe “referimi” i domosdoshëm tek ai; Krijimi dhe përshtatja e “situatave revolucionare të marra nga jeta e përditshme, nga lufta heroike e kllasës punëtore dhe fshatarësisë aleate të saj”; Ndërfutja në krijimtari e frymës së “komunitarizmit dhe solidaritetit socialist”; Adresimi tek “arti i partishëm” dhe “shkenca proletare”; Njohja në perfeksion dhe përsosja e metodës krijuese dhe e parimeve të realizmit socialist; Evidentimi i tipologjisë së krijuesve dhe artistëve revolucionarë që shndërrojnë realitetet, ndërtojnë socializmin dhe e çojnë atë përpara, drejt komunizmit; Orientimi i autorit kah shembulli i “udhëheqësit të madh” e deri tek avangarda revolucionare, për të arritur paskëtaj tek realiteti socialist dhe mbartës-krijuesit e tij; Adaptimi dhe konformimi teoriko-estetik i krijuesve me ideologjinë revolucionare të partisë dhe udhëheqësit; Rrënjosja e bazave teorike dhe e lidhjes midis shkencës dhe estetikës së Realizmit me Socializmin; Përdorimi i Realizmit Socialist për kontekstualizimin dhe vizualizimin e artit dhe kulturës; Përdorimi i “shkencës proletare” dhe i Realizmit Socialist si “mjete dhe metoda dekorimi të mënyrës socialiste të jetesës…”, e të tjera marrina ideologjiko-dogmatike si këto.

Muziktari Ramadan Sokoli, nga Fatos Kola

SOKOLI NË RRJETËN ZHDANOVISTE

Deri sa u nda nga jeta Sokoli nuk e harroi dhimbjen për shitjen e detyruar të pianos 200-vjeçare në fillimvitet ‘80, pas faturës financiare që i vuri në ngarkim kryezhdanovist-censori i komunizmit, drejtori i Institutit të Kulturës Popullore, Alfred Uçi.

Probleme e kleçka në krijimtari, Sokolit i kish nxjerrë edhe paraardhësi i Uçit, zhdanovisti tjetër i “kulturës”, Zihni Sako, por Uçi kish qenë më i egër se paraardhësi, të bënte gjëmën ngaqë ishte beniamini personal i diktatorit dhe mbante veshur qyrkun e estetit të arteve e të kulturës.

Sokoli nuk ngushëllohej aspak kur unë i deklaroja se inkuizitori i tij ishte vetëdëshmuar sharlatan me kërrenjën “Labirintet e modernizmit”, me të cilën vërtetoi sesa e pathemeltë dhe plot injorancë ishte kritika zhdanoviste zyrtare në artet pamore, në Shqipëri dhe mbarë vendet komuniste. Dhe kur e pyeta për herë të parë Sokolin sesi qëndronte e vërteta e përplasjes së Uçit me të, mbi çfarë bazash dhe argumentesh teorikë e kish ndëshkuar kryezhdanovisti i regjimit, Sokoli m’u përgjigj: “Unë si pensionist me Institutin e Kulturës Popullore mbaja vetëm lidhje pune e nuk isha vartës i Alfred Uçit që më thirri në takim, ndaj dhe vajta për korrektesë e pa droje, pasi nuk më shkoi mendja për keq. Por sapo u futa në zyrën e tij Uçi ulëriu duke më thënë se isha armik, se kisha guxuar dhe penetruar deri atje ku drejtonte ai, se nuk do të lejonte që të kaloja pa u lagur, dhe se do të më ndëshkonte financiarisht, që ta merrja vesh mirë se kush e bënte ligjin në Shqipërinë socialiste… Pas kësaj më pëplasi faturën e zhdëmtimit për shpenzimet e deriatëhershme të botimit të librit në radhë pritjeje tek shtëpia botuese, faturë që për ta zhdëmtuar më detyroi të shisja badiava pianon e shtrenjtë e të një cilësie të rrallë”.

Paskëtaj Sokoli mbushi sytë me lot dhe më tha se “Edhe Bet’hovenin gjenial Zoti e shurdhoi, i mori veshët por nuk i mori pianon. Nji kompozitori po i more pianon i ke marrë shpirtin…, se ku do t’i ndigjojë ai tingujt e krijimit të vet… E unë mbeta përgjithmonë shurdh e nuk i ndigjova kurrë ma tingujt e kompozimeve të mija. Prandej kur nxora pianon nga shtëpia m’u duk sikur nxora për së dyti herë babën me arkivol. Ja, kët ‘dhuratë’ më bani nipi i rilindësit Petro Nini mue, nipit të Hodo, Isuf e Ibrahim Sokolit”.

“Po çfarë motivacioni teorik kërreu esteti i lloqeve zhdanoviste për të përligjur gjobën dhe si munde ti, aq i ditur e i kujdesshëm, të biesh në rrjetën e tij?”, – e pyeta unë plot indinjatë dhe me zë të dridhur. Dhe mendjendrituri plot kujdes atëror të mbrojtjes së ithtarë-bijve shpirtërorë që të mos rebeloheshin publikisht ndaj padrejtësive flagrante e të ndëshkoheshin, me humorin brilant dhe ç’dramatizues m’u përgjigj: “Po ja, m’u lëvdue se kish zbulue devijimin nga vija e partisë në artet muzikore të Niketë Dardanit, Jan Kukuzelit të gjithë priftënve të tjerë të mëdhenj, të cilët si kombëtaristë nuk kishin pranue me hi në parti bashkë me Miladinin e Dushanin…”.

Na shpërtheu e qeshura në lot dhe unë e përqafova përplot dashuri atin tim shiprtëror që edhe në çaste dhimbjeje nuk hiqte dorë nga humori brilant me të cilin qeraste miqtë e bashkëbiseduesit.

“Kam ardhë me të pa e me të marrë të dalim jashtë se je mbyllë në kullë t’barotit si Oso Kuka n’kullë t’Vraninës”, – i thosha Profesorit sapo i hyja në shtëpi… E ai ma kthente: “Sa bukur që më krahasove me Oso Kukën që ka qenë baxhanaku i gjyshit tem e që tanë jetën e kam pasë nji ndër heronjtë ma të dashtun… E tash e mbrapa duhet me thanë se ‘i ngjan miku mikut jo 40 vjet, po 140 vjet përpara’…”.

Më quante “kritiku i djallit” dhe sa herë që vonohesha pa i shkuar për vizitë më priste buzagaz dhe më thoshte me fytyrën engjëllore që i shkëlqente: “Hajde mor yllkuq shallkuq se na thave sytë… Hajde mor fillkuq i artit e na difto a ke pre ken n’fyt për t’mirën e partisë, a jo… Pasi e përqafoja plot mall, i thosha: “Kam nda menen me t’pre ty, se nuk të nrrojnë për mish dashi…, lëkura jote u vyn fort atyne e un tue e shitë kisha me e siguru tanë jetën teme…”.

“Po çka jam tuj u ba unë atyne, unë nuk po i gërgas”, – ma kthente pacifisti i pandreqshëm, dhe më diftonte sërish ngjarjen e burg-kampit të Bedenit të Kavajës, me Atë Mëshkallën e madhërishëm…

MEKANIZMI GNOSEOLOGJIK I SOKOLIT

Për shkak të interesave të mirëfillta profesionale që i shtrinin në thellësitë e shekujve dhe mijëvjeçarëve hulumtimet e tij, Sokoli u shndërrua në një nga njohësit më skrupulozë të Ilirologjisë dhe arkeologjisë… Nëpërmjet kësaj njohjeje ai depërtonte thellësitë dhe mugëtirën e kohërave dhe arrinte tek rrënjët e dukurive etnologjike, për të përfunduar tek zbulimi dhe interpretimi i të panjohurave nëpërmjet parimit: nga të njohurat, gradualisht dhe me kujdes të mbërrihet tek më pak të njohurat dhe prej tyre të depërtohet tek e panjohura e të hulumtohet dhe zbërthehet ajo me durim derisa të njihet plotësisht. Pikërisht duke sintetizuar këtë trajektore Sokoliane në shkencë, etnologu i shquar kosovar Rexhep Munishi theksoi me bindje: “Prof. Sokoli i pajisi studiuesit shqiptarë me njohjen e sistemuar të lëndës folklorike, duke iu krijuar premisën për t’u shprehur me një gjuhë të pasur me elementë e frymë shqip”. Ndërsa etnomuzikologu më i shquar i Kosovës, Bahtir Shaholli deklaronte me krenari se ishte “dishepull i Sokolit, babait të etnomuzikologjisë shqiptare”.

Qëmtimi dhe hulumtini Sokolian i figurave madhore me origjinë iliro-arbërore të perandorëve, vezirëve, muzikantëve, skulptorëve, piktorëve, arkitektëve etj., krahas dukurive dhe zhvillimeve etno-kulturore në mijëra-vjeçarë…, dëshmoi përmasat e kontributeve dhe madhështisë së kombit shqiptar në arealin qytetërimor evropian e më gjerë.

Prof. Sokoli, që zotëronte një arsenal të tërë dijesh dhe faktesh të sjella nga autorët antikë grekë e romakë mbi qytetërimin iliro-shqiptar, e dinte mirë se jo vetëm në popull, por sidomos në amfiteatrot dhe odeonet e mbi 400 qyteteve të dhjetëra mbretërive ilire janë luajtur pjesë muzikore me të gjitha instrumentet dhe bashkë me to si shoqëruese është luajtur pothuajse e gjithë paleta e folkut iliro-shqiptar të valleve, lojërave të fëmijëve e të të rriturve, ninullave, këngëve mortore, etj… Dhe këtë sipas tij e dëshmojnë edhe gjetjet e shumta arkeologjike, të cilat Prof. Sokoli i regjistronte për t’i studiuar dhe për të deshifruar prej tyre të dhënat që formësonin korpusin e qytetërimit gjenial ilir, parak në pjesën tonë të Mesdheut dhe i denjë për të bashkëqendruar e ndërkomunikuar kulturalisht me qytetërimet epokale të mbarë pellgut mesdhetar, sikurse qytetërimet egjiptian, kretako-minoik, mesopotamik, asiro-babilonas, grek e romanik.

TINGUJT NË MUZIKOLOGJINË E SOKOLIT

Për shkak të formimit bazë profesional, që ishte ai muzikor, Sokoli në kokën e tij kish krijuar dhe lartësuar hierarkinë e fetisheve vetjakë kulturorë, mbi të cilat kulmonte idhujtaria Sokoliane ndaj tingujve muzikorë. Këta tinguj ai i gjurmonte si shenja të fosilizuara qysh nga kohërat më të vjetra, nëpërmjet përdorimit të instrumenteve të filozofisë së muzikës dhe sistemeve gnoseologjikë muzikorë, që si radarë mbi tentakula qëmtonin nëpër botën e tingujve të trashëguar nga shekujt e që derdheshin tek veçoritë e instrumenteve, veglave të llojeve të ndryshme, tek tekstet e këngëtimeve të lashta e tëhu, si dhe tek instrumentistët e rapsodët shqiptarë të të gjitha trevave.

Këtë sipërmarrje të stërmundimshme Sokoli e pohon edhe në veprat e tij, nga të cilat konkludojmë se ai kish shkuar shumë larg në studimin e laryshisë, lartësisë, dendësisë dhe ngjyresave të tingujve në muzikën instrumentale dhe në të kënduarit shqip-shqip, qysh nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Vetëmjaftueshmëri profesionale dhe emotive kjo që e shtynte natyrshëm Sokolin kah vetëpërcaktimi “muziktar”.

Thjesht zbulimi e më pas identifikimi i përkatësisë etnike të autorit të Himnit vatikanas “Te Deum Laudatum” të Niketë Dardanit ishte dëshmia e përdorimit efikas të metodologjisë së vërtetimit të rrënjësisë antropologjike më të kulmuar në vazhdimësinë iliro-arbëroro-shqiptare.

Por edhe identifikimi dhe definimi i shqiptarësisë së Jan Kukuzelit nëpërmjet analizës Sokoliane të sistemeve muzikorë në veprat e tij, krahas gjetjes së elementëve “barbarë” që konstatonte kritika greke në to, ishin avantazhe përcaktues për ta shpëtuar nga grabitja etnike këtë figurë madhore me përmasa mbarëbotërore të artit muzikor kristian.

Sipas Prof. Sokolit, sistemet e këngëtimit të shqiptarëve: qoftë ai monofonik, qoftë ai polifonik, janë më të vjetërit në gadishullin ballkanik.

ASHTI FILOZOFIKO-SHKENCOR TEK SOKOLI

Ramadan Sokoli ishte një diturak i klasit të parë, pra një epistemolog i vërtetë, që jo vetëm zotëronte dije enciklopedike të pafundme, por mbi gjithçka zotëronte Teorinë e Njohjes dhe sistemet e dijes në shumë fusha, veçanërisht në lidhje me metodologjitë, metodat, vlefshmërinë dhe qëllimet e përdorimit të tyre.

Si epistemolog i njimendtë ai dinte të ndante dyshim-besimin e arsyeshëm nga mendimi shkencor, ndaj dhe kurrë nuk binte pre e pasioneve dhe emocioneve në shkencë, pavarësisht se, si atdhetar i madh, i përjetonte me dallgë të fuqishme trazimesh shpirtërore shpërfaqjen, thelbin dhe domethënien gnoseologjike të dukurive etnologjike që ishin objekt i punës së tij.

Sokoli ishte njohës i filozofisë së arteve dhe filozofisë së historisë së arteve, që ishin gjithashtu objekt i studimeve të tij, çka e bënte atë një shkencëtar të lidhur ngushtë jo vetëm me Epistemologjinë, por edhe me Etikën, pra edhe me filozofinë e moralit në shkencë e kudo.

Ai ishte shembulli i edukatës së lartë aristokratike të trashëguar në komunikim me këdo, pavarësisht nga mosha, arsimimi, seksi apo statusi shoqëror. Ai ishte modest deri në përunjësi ndaj dijetarëve e dijes dhe ishte referues i kujdesshëm i autorëve, urrente plagjiaturën dhe plagjiatët që deklamonin e shkarrashkruanin pa referuar askënd. Veprat dhe punimet e tij janë shembull i ndershmërisë intelektuale e shkencore dhe i qashtërsisë konceptuale e gjuhësore. Tek ai shqipja amtare këndon në kantilena tingullore të një kompozitori të vërtetë dhe të magjeps e të troshit duke të zhvendosur pezull në ajri…

Prof. Sokoli gjithëherët kërkonte të arrinte në mënyrë të pavarur drejt e në thelbin e gjithçkaje që studionte. Me këtë mendësi të shndërruar në strategji shkencore të mirëfilltë ai hyri ndër studime me ngasje intelektuale, duke vetëpranuar sfidën e vështirë për t’u pozicionuar në dikotominë dilematike midis filozofisë metafizike dhe parimeve të sofistikuara të librave të shenjtë. Kësisoj në fundore ai kërkoi çfarë ishte vërtetë shenjtëri kozmike dhe jo vetëm religjioze. Ai kërkoi të zbulojë thelbin e dukurive etnologjike, jo dukjen sipërfaqësore, dogmën, slogan-metaforën.

Me këtë qasje teorike në qëmtimin fenomenologjik të hapësirave studimore ai vijoi të zbulonte atë që është specifike, që është gjuhë e paimitueshme, që veçohet poetikisht dhe filozofikisht, që është dhe mbetet jetë shpirtërore, e ndarë nga jetëvdekja fizike.

Ai e dinte mirë se ashtu si fjala lartoi qenien njerëzore, poashtu edhe tingulli, ngjyra dhe forma kanë të njejtin destin dhe rëndësi në gjuhën e artit.

Si njohës i thellë i gjermanishtes, Sokoli ishte idhtar i Kantit, Hegelit, Teodor Adornos dhe Heideggerit, ndaj e interpretonte arsyen e kulluar në shkencë jo thjesht si Epistemologji, por si Ontologji, Fenomenologji dhe Kozmogoni, për çka e ndihmonte edhe njohja e Semantikës dhe Logjikës.

Ai gjithashtu ishte njohës i filozofisë së religjioneve dhe i Metafizikës, çka e bënte atë një ontolog që për vetë thelbin e shkencave etnologjike që lëvronte u orientua natyrshëm dhe pa sforco kah përsosja e njohurive për natyrën dhe trajtën e qenies bartëse të folkut shqip-shqip si korpus etnologjik, dhe të dukurive folklorike të tij si komponentë përbërës ekzistencialë. Dhe meqenëse në shkenca, epistemologjia ndjek dhe bashkëshoqëron ontologjinë, qenia njerëzore detyrohet të përcaktojë çfarë është e vërtetë dhe çfarë nuk është e vërtetë në ato që ndesh dhe përjeton në jetë, si faktologji, si informacion, si dukuri, art dhe kulturë.

Një ontolog si Sokoli i madh përpiqet të përcaktojë se çfarë dukurish, objektesh dhe realitetesh etnologjikë ekzistojnë me të vërtetë dhe cilat janë entitetet themelorë folklorikë nga të cilat përbëhet bota marramendëse e Folkut shqip-shqip. Kjo është edhe arsyeja përse Sokoli është kaq i qartë në shkencë dhe kurrë nuk e humbi orientimin dituror në pafundësinë e kozmosit etnologjik të mbi njëmijë studimeve që kreu, pa rënë në manierizëm, në vetëpërsëritje, në kakofoni, në konfuzion shkencor e disiplinar… Dhe kjo sepse ai e kuptonte historikisht ontologjinë dhe dinte ta lexonte symbyllazi filozofinë e historisë së popullit të vet, histori gjatë së cilës ky popull mbrujti dhe kulmoi artet dhe folkun magjiplotë që i dhanë identitetin e pangatërrueshëm dhe magmën që la shakull, pa frymë, mbarë albanologët, veçmas etnologët më të mëdhenj të planetit.

Familja e Isuf Sokolit (Ramadani në këmbë, në krah të të atit)

KRYE-ZHDANOVISTI ALFRED UÇI

Pas festivalit XI të dhjetorit 1972, ku nuk pati asnjë këngë për Enver Hoxhën, ky vlerësoi se “Liberalizmi në arte e kulturë” po e kërcënonte hapur pushtetin e tij, fillimisht me injorim dhe pastaj… Ndaj Zeusi i komunizmit shqiptar lëshoi rrufetë dhe paralajmëroi shtrëngatën që po vinte.

Nëse Stalini kish përzgjedhur Andrei Zhdanovin si krye-estet në arte e kulturë, Enveri kishte përzgjedhur Alfred Uçin, të cilit pasi i kish dhënë skeptrin e kryezhdanovistit mbi gjithë artet dhe kulturën shqiptare, i dha edhe detyrën të hapte fushatën e luftës kundër devijatorëve në këto sektorë…

Për të kurorëzuar me sukses hapjen e kësaj fushate Alfred Uçi shfrytëzoi dhe përthithi gjithë arsenalin e estetikës bolsheviko-komuniste, nga Rusia e deri në Kinë. Për këtë qëllim ai përgatiti tezat e fjalimit programatik me të cilin Enveri do të masakronte “deviatorët dhe armiqtë në arte e kulturë”.

Pasi e përpunoi goditjen bazuar mbi tezat teoriko-estetike të Plehanovit, Leninit, Stalinit, Zhdanovit e Maos, Alfred Uçi e dha goditjen e parë në gazetën “Drita” më 3 qershor 1972, me artikullin e titulluar “Modernizmi – shprehje e degjenerimit të kulturës artistike borgjeze”, ku ndër të tjera theksonte: “… Lufta kundër çdo varianti të artit dekadent borgjez, lufta kundër çdo ndikimi të tij është një faktor i rëndësishëm për të mbrojtur pastërtinë ideologjike të artit proletar”.

Në vijim Alfred Uçi në këtë artikull i vërsulej Formalizmit, teksa shprehej se “Për të mbajtur një qëndrim të drejtë ndaj dekadentizmit borgjez duhet të kuptojmë se Formalizmi paraqitet si tendencë dominuese në pikturën abstraksioniste, ose në muzikën surrealiste, ku predominon përmbajtja ideore reaksionare mbi mjetet formale të shprehjes artistike”.

23 ditë më vonë, më 26 qershor 1973 Enveri dha goditjen fatale në Pleniumin IV të KQ të PPSH me anë të raportit me titull “Të thellojmë luftën kundër shfaqjeve të huaja dhe qëndrimeve liberale ndaj tyre”. Aty Hoxha me tezat e Uçit dënoi Fadil Paçramin e Todi Lubonjën dhe pas pleniumit përgatiti “qarkullimin e shkrimtarëve dhe artistëve në bazë, me qëllim që të njiheshin me hallet e kllasës punëtore e të popullit…”. “Qarkullim” të cilit iu përgjigjën mbi 180 shkrimtarë dhe krijues në artet pamore, muzikë, etj..

Mirëpo menjëherë pas pleniumit të IV Hoxha pësoi infarkt dhe u rëndua edhe më shumë psikologjikisht, tashmë i tmerruar nga paranoja se duke qenë i sëmurë me zemër, në rastin më të keq mund edhe të vdiste. Por paranoja nuk i shqitej edhe kur mendonte mundësinë më të mirë (pra nëse shpëtonte), sepse sërish e ndjente veten të rrezikuar pasi mendonte se “ata…” do të shfrytëzonin mundësinë për t’i rrëmbyer pushtetin e për ta eleminuar më pas fizikisht, bashkë me familjen, sikurse ai vetë kish vepruar me viktimat që kish goditur më parë brenda familjes së vet politiko-mafioze.

Pas përmirësimit të shëndetit, me shkrimin e radhës krrerë nga Uçi, Enveri u dha goditjen e dytë publike “devijatorëve” nëpërmjet artikullit të titulluar “Mbi disa probleme aktuale në fushën e arteve figurative”, botuar në gazetën “Drita” të datës 4 nëntor 1973, ku kërkoi hapur dënimin e të tjerë intelektualëve si “Armiq të popullit dhe Partisë” dhe “grupimeve që janë pozicionuar si përkrahës të vijës ideologjike të superfuqive kapitaliste e revizioniste”.

Pikërisht këtë situatë terrori anti-intelektual, zhdanovisti tjetër Andon Kuqali e vlerëson kështu: “Lufta kundër ndikimeve të huaja borgjeze e revizioniste që u kritikuan rreptë në Plenumin e IV të KQ të Partisë dhe shpartallimi i grupit të djathtë në fushën e kulturës, qenë faktorë të rëndësishëm për arritjet e arteve tona figurative kundër artit modernist borgjez, të zbrazët nga çdo përmbajtje…”, (Andon Kuqali, Historia e Artit Shqiptar nr. 2).

ENVER-HOXHË UÇI NË LICEUN ARTISTIK

Unë Fatos Kola i fillova studimet në liceun artistik “Jordan Misja” në shtator 1972 dhe, si fëmijë 14 vjeçar, bashkë me shokët, as që e kuptonim se çfarë ngjau në verën pas Pleniumit IV (1973). Por qysh në ditët e para të shkollës ne konstatuam se Profesori Krifëbardhë i muzikës, Ramadan Sokoli, vlerësohej maksimalisht nga i gjithë profesorati që, para tij, merrnin qëndrim gatitu dhe hiqnin duart nga xhepat, përfshirë edhe profesorët asokohe të pensionuar si Paço, Buza e Kaceli, që ishin më të mëdhenj në moshë sesa Sokoli, por që vinin sërish çdo ditë në shkollë. Ata e respektonin Krifëbardhin si kulturologu themelues i shkollës kombëtariste në Liceun artistik “Jordan Misja”, për çka ata ishin dakordësuar me të dhe kishin bashkuar kauzën e kontributet. Por ata e pranonin me kënaqësi autoritetin e padiskutueshëm të Krifëbardhit, ngaqë si të ardhur nga universitetet perëndimore nuk duronin dot imponimin e dhunshëm të “autoritetit të pushtetit” mbi të vetmin autoritet, atë e dijes, që ata njihnin dhe pranonin.

Nisur nga ato që më tregoi Sokoli më pas dhe nga faktet dokumentare, komunistët nuk kishin kurrfarë argumentesh për të sulmuar aristokratët e artit e të kulturës si Buza, Paço e Kaceli, që ndonëse mjeshtra të mëdhenj ishin tërhequr në heshtje nga krijimtaria, qysh para se të pensionoheshin, dhe nuk po u bënin kurrfarë rivaliteti kolegëve të shkollave lindore… Aq më tepër pacifisti Sokoli, që damkën “folklorist” nuk e shihte si fyerje nga injorantët e pushtetit që nuk e kuptonin se ky etiketim nuk mund të ishte fyerje për etnologun e madh të racës shqiptare.

Por e keqja qëndronte tek Enveruc-alfreduci, që nuk e linte shpirti rehat pa zbuluar “izma” tek Sokoli dhe pa e ndëshkuar atë në emër të shkollës Lindore që Uçi kryesonte estetikisht e ideologjikisht…

Në këtë sipërmarrje të pështirë Kryezhdanovisti i regjimit kishte edhe ndihmën dhe gatishmërinë e pakursyer të Enver-hoxhë Bozgos dhe Andon kuqalosh-Kuqalit.

Kur ne u kthyem në shtator 1973, në vitin e dytë, situata politike në lice ishte rënduar skajshëm dhe menjëherë filluan goditjet ndaj Sokolit dhe ithtarëve kombëtaristë e miqve të vjetër të tij, që me antikonformizmin e tyre të heshur, në tërheqje dhe me mungesë të dukshme entuziazmi për “fitorjet e mëdha…”, ishin vetëpozuar keq para partisë dhe zhdanovistëve në arte e kulturë.

Padyshim që këtë kryqëzatë e kryesonte kryezhdanovisti Enver-hoxhë Uçi, i cili kish ngarkuar Enver-hoxhë Bozgon t’i thoshte Sokolit në çdo mbledhje “Ngrihu e prano që je i padenjë t’u japësh mësim fëmijëve të popullit…, ngrihu e prano që duhet dhe meriton të shporresh nga shkolla jonë me biografinë që ke…”.

Ndërsa Andon kuqaloshKuqali, asokohe redaktor dhe “kritik” fuqiplotë i arteve dhe kulturës, nuk linte rast pa sulmuar dhe përbaltur Sokolin me opinione zyrash e tavolinash, si dhe me akuza dhe etiketime nga më të rrezikshmet.

Uç-uçilishte Sovjetiku, si Salier i vërtetë e urrente Sokolin e madh pasi i kish zili famën dhe lavdinë e përbotshme, ngaqë kërrenjat e veta për “Estetikën marksiste” nuk guxonte t’i nxirrte përtej kufijve sepse do t’ia “arrestonin” për plagjiaturë nga literatura ruse, për të cilën edhe e akuzuan një grup aparatçikësh të KQ të PPSH pas një kontrolli e një raporti hartuar prej tyre dhe dërguar Ramiz Alisë në mesvitet ’70.

Por Ramizi as që guxonte ta prekte Uç-uçilishten, që si sovjetik ia kalonte ku e ku Alisë, pasi e ndihte edhe llagapi. (“Uçilishte” quheshin kurset komunisto-revolucionare të punëtorë-fshatarëve kundër analfabetizmit në Rusi, bazuar në etimologjinë nga rrënja e foljes “Uçit”, që do të thotë “me mësu” – shënim i imi, F. K.).

Pas Pleniumit IV ky “Zhdanov” gjëmëbërës, nga zelli dhe deliri si “krye-estet zyrtar” kërreu llapërçinën e titulluar “Labirintet e modernizmit”, me të cilën na shqyente gazit kur “bënte copash” artin “dekadent” me pseudoargumente injorantësh, për të cilat paturpësisht kërkoi falje pas dy dekadash, sipas parimit komunist “pështyj e lëpij”, apo sikurse dje kundër “imperializmit” e sot “aleat” i tij, vetëm e vetëm për të qenë e mbetur përjetësisht spiunë perandorish dhe në pushtet, bashkë me bijtë…

Menjëherë pas kërrenjës “Labirintet e Modernizmit”, Uç-uçilishtja dha goditjen shkatërruese edhe në arkitekturë, në revistën “Nëntori, nr. 8 të vitit 1977, ku demaskoi “izmat” dhe devijimet, me pasojë rëndimin e situatës ligjore të arkitektëve devijantë, që u dënuan me burgje politike, me të cilat para tyre ishin dënuar me burg piktorët Edison Gjergo, Ali Oseku, Sadri Ahmeti e Maks Velo.

Ironia e fatit qëndronte në faktin se të dy ata, Andon Kuqali dhe Alfred Uçi kishin po të njejtat probleme biografike me Prof. Sokolin. Kuqalit që ishte vëlla i dy dëshmorëve dhe vetë ish partizan, i kish vdekur në burgun komunist, gjatë torturave, babai Kolë Kuqali, kombëtarist antikomunist dhe mik i ngushtë e komshi i gjyshit tim nga nëna. Kolën e gjorë Andon-biri e demaskoi fillimisht në lagje si armik, për ta spiunuar më pas e për t’ia qepur akuzat tek Sigurimi. Dhe kjo sepse atëvrasësi Andon Kuqali nuk kish duruar që ai të “tradhëtonte partinë duke shkelur mbi gjakun e vëllezërve dhe shokëve” të Andonit…

Ndërsa Alfred Uçit Sigurimi në fundvitet ’60 i kish mbytur të vëllanë, nip i denjë i rilindësit Petro Nini, inxhinier antikomunist që punonte në Laç dhe fliste kundër regjimit që kish “nëpërkëmbur idealet e Rilindjes”. Kish qenë bash Alfredi që e kish raportuar vëllanë tek Sigurimi dhe Partia, e cila ashtu si edhe në rastin e Andon Kuqalit, e vlerësoi drejt kontributin e Alfredit në zbulimin e këtij armiku të rrezikshëm, për çka e shpërbleu me garanci politike dhe mirënjohje vëllavrasësin për shërbimet kur e bëri edhe ministër të Kulturës në fundvitet ’80.

Ramadani dhe motra e tij Safeti (kengetare)

ENVER-HOXHË BOZGO

Asokohe çdo mëngjes, në orën 730 profesorati rreshtohej para derës kryesore të liceut me sy nga rruga, duke pritur atë, kolosin me Krifë të Bardhë që na sugjestiononte edhe ne fëmijëve që nuk na jepte mësim, sikurse ishim ne të figurativit. Dhe sapo Profesori shfaqej në krye të rrugës (ndanë derës së hyrjes së Radio-televizionit) shpërthenin pasthirrmat ngazëllyese: Erdhi…, erdhi…, të cilat zgjasnin derisa Krifëbardhi afrohej madhështor dhe me zë të ngrohtë përshëndeste kolegët dhe mbarë nxënësit.

Pasi Sokoli na kalonte në revistë profesoratin dhe ne nxënësit e rreshtuar tek porta e madhe e Liceut, paskëtaj të gjithë sëbashku kalonim në anën e pasme të oborrit të shkollës ku na priste i nervozuar drejtori Enver-hoxhë Bozgo, i cili me zë kërcënues na kalonte gjithashtu në revistë për të na kontrolluar paraqitjen.

Në atë periudhë në modë ishte që vajzat qetheshin fare shkurt ndërsa djemtë i mbanin flokët e gjata. Natyrisht që në të dyja rastet Enveruci synonte që askush të mos i shpëtonte matricës së Partisë, sipas së cilës djemve u kërkohej shkurtimi i flokëve me zbulim të kockës tek veshi, ndërsa vajzave flokëshkurtëra drejtori u ulërinte “nesër të më vini në shkollë me flokë të gjata, ndrishe nuk u pranoj në mësim”.

Aq i azhornuar me lëndët dhe instrumentet muzikore ishte Enveruci saqë nëpër korridore djemve me violonçel u thërriste “hej t’i çuni me violinën më të madhe”, ndërsa atyre me kontrabas u thërriste “hej ti çuni me atë violinën e madhe fare”. Dhe kur ne zbuluam se ai ishte gafaxhi proverbial, pasditeve bënim njolla me këpucë në tavan dhe të nesërmen çonim vajza të urta të vitit të parë t’i raportonin…, por menjëherë dëgjohej ulërima e drejtorit se do ta ndëshkonte atë që kish ecur me këpucë veshur në tavan, sapo ta kapte.

Pikërisht ky Enveruc në telefon impostohej vokalisht dhe fliste me dialekt gjirokastrit teksa prezantohej duke u vetëquajtur “jam shoku Enver”, për çka tmerronte edhe bashkëbiseduesit, derisa i doli nami…

Por një ditë kur po mbante në këmbë dhe kërcënonte Prof. Sokolin se do t’i bënte gjëmën, e lajmëruan se e kërkonin nga KQ i PPSH. Shkoi plot ngrefosje tek receptori dhe u prezantua “jam shoku Enver”. Pasi e tallën, nga ana tjetër e receptorit i thanë: “E di përse të morëm, atë Ramadan Sokolin”. Akoma pa mbaruar fjalinë Enveruci filloi të betohej se do ta shkatërronte atë Ramadan Sokolin, të cilin po e diskreditonte nëpër mbledhje derisa ta flakte nga shkolla. Por kur i thanë “merre atë Ramadan Sokolin dhe bashkë me të urgjentisht të vish në KQ sepse e kërkon shoku Ramiz”, Enver-hoxhë Bozgo u bë pulë dhe filloi të belbëzojë.

Prof. Sokolin e kishte kërkuar me këmbëngulje etnologu britanik me famë botërore, anëtari i Kryesisë së UNESCO-s Albert Llojd, i cili kishte disa ditë që kish ardhur në Shqipëri për të takuar Prof. Sokolin, për të cilin i kishin thënë se kish ndërruar shtëpinë e nuk e gjenin dot. Por kur ai kishte protestuar me forcë aq sa ishte bërë skandal në ministrinë e Arsim-kulturës, vetë Ramiz Alia kishte marrë përsipër t’i realizonte takimin me Prof. Sokolin.

SOKOLI, LLOJDI DHE RAMIZ ALIA

Llojdi i deklaroi Sokolit se ishte shumë i impresionuar prej studimeve të tij botuar në “Les Letteres Albanaise”, të cilat ia kishin bërë të cenueshme dhe pothuajse të pavlefshme veprën etnologjike, e ndikuar fort kjo edhe nga tezat tendencioze dhe disinformacionet e autorëve sllavë dhe grekë lidhur me trashëgiminë dhe fenomenet e realitetet etnologjike në Ballkan, të cilat këto autorë ua vodhën shqiptarëve.

Llojdi i kërkoi Alisë që ta lejonin Sokolin të shkonte në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare të organizuara nga UNESCO, pasi ftesat Sokoli i kishte të siguruara e nominale prej vetë atij si përfaqësues i lartë i UNESCO-s. Por fatkeqësisht Sokolin nuk e lanë të dilte në Perëndim kur i erdhën ftesat, me argumentin cinik se ai nuk kish çfarë të mësonte prej tyre dhe nuk kish nevojë për ta, përkundrazi, ishte bërë e qartë se ishte Llojdi ai që kish nevojë për Sokolin dhe jo e kundërta.

Llojdi mezi e kish përmbajtur zemërimin që në vend të Sokolit i kishin kërkuar të pranonte në komunikim të tjerë studiues që ia kishin servirur si talente të mëdha dhe ia kishin prezantuar si studiues me dije solide e të diplomuar në universitetet më të mira të BS dhe Lindjes… Por Llojdi u kish deklaruar se nuk kishte nevojë për kopjativë të shkollave lindore dhe se kishte ardhur të takonte një personalitet që kish tronditur botën shkencore me studimet etnologjike të nivelit më të lartë ballkanik e më gjerë… Sidomos në disiplinat krahasuese ku Sokoli kish demonstruar me forcë superioritetin e thellë të etnologjisë shqiptare ndaj atyre të fqinjëve.

Komunistët nuk e lejuan Prof. Sokolin të shkonte në aktivitetet me ftesë të garantuar deri në vitin 1990, por megjithatë Llojdi dhe Sokoli mbetën deri në fund miq dhe Sokoli i madh i mbeti përgjithmonë mirënjohës mikut britanik që për fat të mirë iu gjend në ditë të vështirë dhe me takt u bëri të ditur komunistëve se Sokoli paskëtaj nuk mund të keqtrajtohej, ngaqë tashmë e kishte të siguruar mbrojtjen e komunitetit ndërkombëtar të shkencëtarëve dhe të UNESCO-s.

VAZHDO PJESËN E TRETË>>>

Kush është autori, Fatos Kola

Është skulptor dhe pedagog i njohur shqiptar i lindur më 29 Janar 1958 në Burrel, Mat. Akademist i shkollës së mjeshtrave shqiptarë, vijon traditën në modernitet. Njihet si hartues i programeve didaktike për Atelierin e Skulpturës së Materialeve të Përziera Programeve dhe leksioneve respektive për këtë atelier dhe Historinë e Artit Botëror. Autor i eseve mësimore dhe kritikës profesionale si konsulent në mediat Radio Televizioni Shqiptar, ALSAT, mbi personalitete , epoka, autorë, rryma dhe vepra të ndryshme, vendase e huaja në skulpturë.

Veprat
Fatos Kola është autor i disa veprave domethënëse të rrafshit kombëtar e universal si Statuja “Skënderbeu”, (Muzeu Historik, Burrel, Mat) , Skulpturë “Tre pendat shqipe”: Poetët e mëdhenj Pjetër Budi; Naim Frashëri dhe Migjeni , Portret në bronz i personalitetit të shquar arbëresh Xh. Del Gaudio, (Melisa, Kalabri), Busti në allçi, kushtuar regjisorit dhe aktorit Kujtim Spahivogli, (Muzeu i TK); Projekti për varrin e aktorit të shquar Sandër Prosi në granit; Kompozimi në metal, “Skënderbeu” ; Portreti në grafikë grafik “Skënderbeu”, paraqitur në konkursin vjetor të Filatelisë; Portret në bronz, “Muziktari”, kushtuar muzikologut, Prof. Ramadan Sokoli, Skulpturë në allçi: “Amësia” ; Monument në bronz: “Arbëreshi”, kushtuar personalitetit të shquar të kulturës arbëreshe Dom Mario Ferraro Vrasaqi (Krotone – Kalabria), Itali,1996 Portreti në grafikë grafik “Skënderbeu”, paraqitur në konkursin vjetor të Filatelisë, Portreti në grafikë “Niketë Dardani”, paraqitur në konkursin vjetor të Filatelisë , Projekt dhe realizim (me porosi të Familjes Mbretërore) i aranzhimit të mjedisit të sallës së ceremonisë mortore në Hotel Dajti (Tiranë), me rastin e ndarjes nga jeta të bashkëshortes së Mbreti Zogu I, Nënës Mbretëreshë të Shqiptarëve,Géraldine Apponyi de Nagyappony; Projekt dhe realizim i Stemës së Familjes Mbretërore Shqiptare në plurimaterie, (granit, rezinë dhe pluhur mermeri); Projekt dhe realizim (me porosi të Familjes Mbretërore) i aranzhimit të mjedisit sallës së ceremonisë në Hotel “Dajti” Tiranë, me rastin e ndarjes nga jeta të bashkëshortes së Leka Zogu I, Mbretëresha Suzanë; Portret në polimermer, kushtuar Nënës Mbretershë Geraldinë, Paris-Francë.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More