Fatos KOLA – Krijime dhe flijime (Triptik, pjesa 1)
Të dashur miq e dashamirë!
Po hap me ju zemrën time për një nga miqtë e mi më të shtrenjtë e më të shenjtë të jetës. Për njeriun që frymoi e kulmoi tek unë dashurinë më supreme, atë për Atdheun, për Prof. Ramadan Sokolin… Për misionarin dhe apostullin e shqiptarizmës, që jo vetëm më mësoi me e dashtë pa kushte Atdheun, por më mësoi sesi me e dashtë…, fort e deri në ditën e mbrame…
Prof. Sokoli pushtonte hapësirat dhe e shumonte kohën që jetonte. Me atë nuk bashkëjetoje thjesht çastin e jetës, por jetoje vite plot jetë me pafundësinë e çasteve dhe përjetimeve që të dhuronte.
Titulli “Krijime dhe flijime” është titulli i veprës më të ndjerë të tij në fundjetë si përkushtim ndaj miqve krijues. Termi “flijime” flet dhe dëshmon sesa të shumta janë flijimet e jetëve e dashurive të mëdha në shpirtin dhe mendjen e një krijuesi të përmasave të Sokolit.
Se kush ishin për mua Prof. Sokoli dhe familja e Sokolëve, po ua rrëfej më poshtë:
VEPRA SHKENCORE E PROF. SOKOLIT
Më 14 qershor të këtij viti mbushen plot 100 vjet qëkurse në Shkodër lindi albanologu shqiptar me famën më të madhe ndërkombëtare, muziktari dhe etnologu Ramadan Sokoli. Lindi në një nga familjet më të pasura e më të shquara të Shkodrës.
Prof. Sokoli është shkencëtari dhe studiuesi ynë më i referuar për historinë e artit e të kulturës, Etnomuzikologjinë dhe Folkloristikën shqiptare e ballkanike. Ndaj dhe në 100-vjetorin lindjes, më e pakta që mund të bëhet për përkujtimin e merituar të emrit, jetës dhe veprës Sokoliane është prezantimi i kontributeve të tij me brerore kombin dhe shkencën, për të cilët Sokoli u përbetua e u përkushtua si një martir kauzash të mëdha.
Bibliografia e veprës së tij krijuese 60 vjeçare përmbledh: 20 libra autorialë; dhjetëra filma dokumentarë; emisione televizivë e radiofonikë; trajtesa studimore shterruese; këngë dhe pjesë muzikore autoriale për fëmijë e të rritur; qindra artikuj të botuar në dhjetëra organe mediesh të shkruara brenda vendit dhe në mbarë shqiptarinë; shkrime e studime në 9 organe shtypi të përkthyera e botuara në disa gjuhë e vende të kontinentit dhe më gjerë.
Aktualisht në fondin arkivor familjar të Prof. Sokolit gjenden të pabotuara shumica e studimeve në fusha të ndryshme dhe rreth 12 mijë vargje të këngëve të rralla popullore, epike e lirike, mijëra skeda e fashikuj me fjalë të rralla të leksikut të vjetër të gjuhës shqipe, me fjalë të urta, anekdota, rrëfenja, idioma, legjenda, etj..
Në arkivat familjare të Prof. Sokolit gjenden dhjetëra partitura të krijimtarisë së tij muzikore në të gjitha zhanret, krijime këto të paekzekutuara kurrë, e që ishin edhe pengu më i madh në të gjallë të tij. Edhe për ato pak vepra që janë luajtur, gjithmonë bëhej kujdes që të eliminohej me çdo kusht emri i tij si autor. Çka do të thotë se kundërshtarët e tij e kishin problem dhe merak të madh eliminimin me çdo kusht të emrit të Sokolit si kompozitor, duke i lënë vetëm veprat teorike që ua lehtësonin akuzën “folklorist”. Dhe këtë ia bënin atij që kish mbaruar për kompozicion shkollën më të famshme italiane të muzikës, e që kish dhënë prova të talentit të pashoq në kompozicion me prurje tejet cilësore qysh në adoleshencë.
Prof. Sokoli ishte dhe mbeti kompozitori më i dënuar për të mos ia ekzekutuar krijimet, megjithëse pothuajse të gjithë instrumentistët, dirigjentët, këngëtarët dhe teoritikët që kryen studimet në periudhën 1954-1974 në liceun artistik “Jordan Misja” ishin nxënësit e tij. Ai iku në parajsë i dëshpëruar thellësisht që veshët nuk ia dëgjuan muzikën që kompozoi, vrasje kjo e kadifejtë dhe e paprovuar nga asnjë koleg i tij. Asnjë urrejtje dhe cinizëm nuk mund të bënte më zi dhe më keq sesa kaq… Pra, të gjallët e vdekur nuk mundën të gjenin armë më vrastare sesa kjo për të mbytur famën e një krijuesi të formatit të tij…
Me shumicën e botimeve e studimeve, Prof. Sokoli jo vetëm u shqua si hulumtuesi i parë i disiplinave të reja etnologjike, por ishte gjithashtu studiuesi që hapi hullitë e para të lëvrimit në shumicën e shkencave albanologjike ku, në tërësi, trajtoi mbi 1200 punime në dhjetëra tema e fusha.
Në vitet ‘50 drejtoi dy ekspedita ndërkombëtare etnomuzikologjike me studiues të huaj: në Jug dhe në Veri të Shqipërisë.
Nga krijimtaria e Prof. Sokolit trashëgojmë sot mbi 60 biseda shkencore të transmetuara në emisionet e Radio Tiranës; mbi 25 skenarë dokumentarësh shkencorë televizivë; mbi 300 këngë, valle, pjesë instrumentale, tablo muzikore, etj..
Pas viteve ’90 Prof. Sokoli lektroi, ligjëroi e kumtoi në akademitë, institucionet shkencore dhe universitetet e shteteve më të mëdha të Europës, si dhe botoi mbi 200 trajtesa në periodikët brenda e jashtë vendit.
Në arkivin e tij gjejmë edhe një letërkëmbim voluminoz me qindra kolegë të kombësive të ndryshme, me bashkatdhetarë e shkencëtarë të të dy hemisferave, si dhe plot krijime vetjake në pikturë e gdhendje.

Pjesa më e madhe e veprave të botuara të Prof. Sokolit janë shtypur dhe sponsorizuar në Kosovë, para dhe pas vitit 1990.
Në vitin 2006, Instituti Amerikan i Biografive (ABI) e inkuadroi Prof Sokolin në “Listën e Ekspertëve më të Respektuar në Botë, zëri dhe kontributi i të cilëve është konsideruar si maja më e lartë për dijet shkencore, eksperiencën dhe ekspertizën”.
Ndërsa në vitin 2007, Shoqata e Akademive Botërore më të shquara në Studimet Etnologjike me qendër në Itali, e dekoroi Prof. Sokolin me medaljen “Oscar Mondiale del Folklore”, me motivacionin, “Për kontribute të shquara në nivel ndërkombëtar lidhur me studimet në fushën e Etnologjisë dhe Folklorit…, studime që kanë mundësuar diferencimin etnologjik dhe etnik midis kombeve e kulturave ballkanike, si dhe përcaktimin e autoktonisë e kufijve të shtrirjes së tyre në Ballkan”.
Në vlerësim të kontributeve dhe përmasave të pafundme të shtrirjes së veprimtarisë shkencore, Prof. Sokoli është përfshirë gjithashtu edhe tek “Enciklopedia e Personaliteteve më të Shquara të shek. XX”, botim i Universitetit të Kembrixhit.
TRAGJIZEM-FATALITETI HISTORIK SHQIPTAR
Pashallëqet e Shkodrës dhe Janinës nuk ishin produkt rastësor i realiteteve dhe rrethanave gjeopolitike të kohës. Lulëzimi dhe kulmimi i tyre padyshim që mbart vulën dhe gjenialitetin e KaraMahmut Bushatlliut e Ali Pashës përbrenda suazës së perandorisë së drobitur Otomane pas disfatave në ballafaqimet ushtarake me Rusinë. Por asgjësimi i përgjakshëm i këtyre dy Pashallëqeve ishte edhe shfaqja më brutale e tragjizëm-fatalitetit historik shqiptar, ku kombi ynë humbi fuqitë kryesore ushtarako-politike, ngjashëm me tragjizmin e periudhave të shkëlqim-rrënimit të Balshajve në shek 14 dhe Skënderbejane një shekull më vonë, pas të cilave na ra mbi krye robëria gati 5-shekullore.
Dhe tragjedia vazhdoi kur vetëm disa dekada pas shembjes së Pashallëkut të Shkodrës e 8 vjet pas rrënimit të Pashallëkut të Janinës, Otomanët asgjësuan 500 krerët më të shquar shqiptarë në Masakrën e Manastirit, në vitin 1830.
Pas këtij bilanci apokaliptik për një komb të vogël si i yni, jo rastësisht fuqitë tutore perëndimore dhe Rusia nxitën nacionalizmat ballkanikë për shpërbërjen e perandorisë Otomane dhe pavarësim-ekspansionin territorial të Greqisë, Serbisë, Malit të Zi e Bullgarisë në kurriz të territoreve dhe popullit shqiptar.
Dallimi strategjik midis tyre ishte se ndryshe nga Rusia, perëndimorët kërkonin ta ruanin me çdo kusht “kockën”, që ishte shteti i Turqisë, qoftë edhe pa perandorinë Otomane, thelat e së cilës duhej të mundësonin një shqyerje territoresh dhe nginje të kontrolluar bishash që do të bllokonte daljen e Serbisë dhe Bullgarisë në Adriatik dhe Egje.
E gjithë kjo masakër antishqiptare dhe modelim përfundimtar i Ballkanit prej shteteve ortodokse do të realizohej me projekte konkrete, kalkulime dhe harta në terren (si sot në Kosovë, me skema ruso-serbe dhe projekte lobistësh filosllavë të Perëndimit).
RIZGJIMI, RILINDJA DHE KRYENGRITJET
Masakra e Manastirit dhe terrori Otoman nxitën shpërthimin e kryengritjeve të viteve 1835-1847 në mbarë Shqiptarinë, por nxitën fuqishëm sidomos ato të viteve 1837-1845 që nga Elbasani e Manastiri në mbarë Pollogun e Rumelinë, drejt Veriut, në mbarë Kosovën e deri në Novi Pazar, Plavë e Guci, tashmë me ndikimin e fortë të Zogollëve të Matit, e personalisht të Xhelal Pashë Zogollit (gjyshit të Ahmet Zogut).
Këto kryengritje e kishin burimin tek varfëria ekstreme dhe pakënaqësia e thellë e shqiptarëve të këtyre trevave, të cilët diferencoheshin skajshëm në krahasim me nënshtetasit e tjerë të Perandorisë të besimit ortodoks (serbët, bullgarët, malazezët dhe grekët), si në taksa-xhelepet e papërballueshme, ashtu edhe në shërbimin e tejzgjatur ushtarak të nizamëve. Porta e Lartë i keqtrajtonte shqiptarët edhe politikisht në raport me popujt fqinjë, që gëzonin autonomi vetëqeverisëse, privilegje të fiksuara në Kushtetutën turke, arsimim në gjuhën amtare dhe zhvillim ekonomik të vrullshëm.
Në këtë ndërgjegjësim dhe rizgjim kombëtar të mbarë shqiptarëve ushtroi ndikimin e vet të fuqishëm Rilindja Kombëtare, me përfaqësuesit e shquar dhe idetë iluministe.
FAKTORIZIMI POLITIK I SHQIPTAREVE
Kryengritjet antiosmane i faktorizuan shqiptarët në opinionin europian dhe në planet e Fuqive të Mëdha.
Në fillimvitin 1853 shtypi austriak i kërkonte Vjenës zyrtare që të ndiqte shembullin e Anglisë e të Francës, por sidomos atë të Rusisë pro-ortodokse në marrëdhëniet preferenciale me popujt që kishin edhe besim katolik, sikurse ishin shqiptarët.
“Sot duhen respektuar interesat e shëndosha politiko-tregtare, të bazuara mbi principet e zhvillimit ekonomik të popujve, veçanërisht të atij shqiptar, që është edhe më i prapambeturi. Kështu ka punuar Rusia, qysh nga kohë e Pjetrit të Madh, ndaj dhe Austria duhet të bëjë të njejtën gjë dhe nuk duhet të ndalet derisa ta realizojë. Askush nuk mund të na ndalojë të mbrojmë katolikët tanë në Turqinë perëndimore. Anglia dhe Franca llogarisin të shtojnë koloni të reja në Afrikë dhe brigjet e lumit Gang, ndërsa për Austrinë këto koloni janë: Bosnja, Hercegovina, dhe një vend të cilin rrallë e ndërmendim, Shqipëria”, – shkruante gazeta “Triester Zeitung”, ndër më të mëdhatë e kohës.

KRIZA LINDORE DHE LUFTA E KRIMESE
Në korrik 1853 Rusia i shpalli luftë Turqisë dhe e shpartalloi ushtrinë e saj në të gjitha trevat danubiane. Gjithashtu ajo u kërkoi shteteve dhe principatave autonome ortodokse të Ballkanit që të hidheshin në luftë kundër Turqisë. Pikërisht kjo luftë shënoi edhe kulmimin e konfliktit që, në histori, njihet si Kriza Lindore.
Duke shfrytëzuar rrethanat e favorshme ushtria greke pushtoi Artën, Prevezën, Thesalinë dhe mbarë Vilajetin e Janinës në fillimvitin 1854. Ndërkohë flota ruse e Krimesë nisi marshimin drejt Bosforit dhe Dardaneleve.
Franca dhe Anglia u alarmuan nga rreziku i rënies së Turqisë dhe daljes së Rusisë në Mesdhe. Flotat e tyre pushtuan Pireun dhe e detyruan Greqinë të tërhiqej. Pastaj me shpejtësi rrethuan flotën ruse të Krimesë dhe e detyruan me forcë të kthehej mbrapsht. Ndaj dhe konflikti u quajt “Lufta e Krimesë”, që përfundoi në mars të vitit 1856 me nënshkrimin e një Traktati Paqeje në Paris.
Nga situata e rëndë e Turqisë përfitoi Austro-Hungaria, që shkëputi nga Porta e lartë të drejtën për t’u rikthyer në Shkodër dhe për të përfituar nga Traktati i Paqes “Kultusprotektoratin (Mbrojtjen fetare)” mbi krahinat katolike shqiptare, duke risjellë në Shkodër jezuitët dhe françeskanët e përzënë dhe duke rritur volumin tregtar me Shqipërinë nëpërmjet limanit të Shëngjinit, dhe sidomos atij të Shkodrës.
SHTETET ORTODOKSE DHE SHQIPTARET
Me miratimin e Rusisë, në vitin 1861 Serbia dhe Greqia hynë në bisedime të fshehta për një aleancë ushtarake kundër Turqisë. Me këtë plan ata u përpoqën të joshnin e të përdornin shqiptarët e pakënaqur me Stambollin. Ndaj dhe zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Hitrov, deklaroi: “Turqia jo vetëm nuk mund të shpresojë për përkrahjen e shqiptarëve, por përkundrazi, pikërisht në Shqipëri mund të përgatitet shkatërrimi i saj i shpejtë…”.
Gjatë kësaj periudhe Xhelal Zogu (gjyshi i Ahmet Zogut) dhe Zogollët në krye të Pashallëkut mbi 300-vjeçar të Zogollëve te Matit trashëgonin ndikim politik dhe lidhje të fuqishme familjare me krerët politiko-administrues e ushtarakë të krahinave që u hodhën në kryengritjet e sipërcituara. Pikërisht këto lidhje mundësuan mbështetjen politike për veprimtarinë intensive diplomatike 30-vjeçare të Xhelalit dhe emërimin njëzëri të vëllait të tij, Riza Pashë Zogollit, në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878.
Duke shfrytëzuar postet e larta, reputacionin e madh si diplomat brilant, poliglot, me kulturë dhe elokuencë të pashoqe, në 3 dekada Xhelal Pashë Zogolli jo vetëm përfaqësoi denjësisht perandorinë Otomane në tryezat diplomatike ballkanike e më gjerë në të gjitha kanceleritë europiane, por zhvilloi fshehurazi një diplomaci intensive për të ndihmuar bashkatdhetarët dhe interesat e tyre.
Lidhjet e forta dhe bashkërendimi i tij me elitën e Rilindjes kombëtare në Stamboll, i siguruan Xhelal Pashës “mandatin” e kontakteve të autorizuara me diplomatë ndër më të lartët e të gjitha Fuqive të Mëdha dhe shteteve të reja ortodokse të Ballkanit si Serbia, Greqia dhe Mali i Zi. Por ai u zhgënjye dhe konstatoi se ata, të gjithë bashkë e pa asnjë dallim, thjesht synonin të përdornin shqiptarët dhe të copëtonin trevat e tyre etnike në mënyrë klienteliste.
Paskëtaj Xhelal Pasha u përkushtua totalisht për organizimin sipëror të një rezistence mbarëshqiptare me një strukturë programuese, koordinuese dhe udhëheqëse, të cilën e pagëzoi “Lidhje”. Por koha nuk e ndihmoi pasi fatkeqësisht vdiq i helmuar nga Stambolli në vitin 1872, sikurse më vonë edhe pasardhësit e tjerë Zogollë…
Katër dekada më vonë, kur Ahmet Zogu 17-vjeçar mbërriti në Vlorë në Kongresin e Pavarësisë, Ismail Qemali e priti krahëhapur me fjalët: “Mirë se erdhe biri im. Këtu ku jemi sot, në këtë kuvend për shpalljen e mëvetësisë, na sollën gjyshi dhe babai yt, të cilët ishin miqtë e mi të shtrenjtë qysh në Komitetin Kombëtar të Stambollit”.
Në këtë komitet, Sejfi Vllamasi na bën me dije se u pranua të bënte pjesë si anëtar edhe Ahmet Zogu (i marrë peng në Stamboll), qysh në moshën 8-vjeçare, në vendin e lënë bosh nga i ati.
NAÇERTANIA DHE MEGALIDHEA
Jo rastësisht armiqtë tanë historikë të Veriut e titulluan “Naçertanie” (që përkthehet “Projekti”), platformën nga e cila na bënë gjëmën për 150 vjet. Ndërsa ata të Jugut e titulluan “Megalidhea-Idea e Madhe”, projektin e tyre famëkeq, hartuar pothuajse në të njejtën kohë me aleatët e tyre të Veriut të Ballkanit.
Ngjashëm me ta (pra me projekt shovinist antishqiptar) vepruan edhe malazezët e bullgarët… Por Rilindasit tanë u përgjigjën flakë për flakë me Megaprojektin e tyre shpëtimtar, që filloi me diplomacinë aktive të Xhelal Pashë Zogollit, kulmoi me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe u përmbyll me disfatë pas dështimit të kryengritjes së Rexhep Pashë Matit dhe Xhemal Pashë Zogollit në vitin 1903. (Zhvillime këto që dy dekadat e fundit janë trajtuar nga profesorët Qemal Velija e Sulejman Gjana, pas të cilave ka pasuar një heshtje varri!!?)
Për vdekjen e Rexhep Pashë Matit, Ismail Qemali në shënimet e tij shkruan se “Vrasja me helmim e Rexhep Pashës ishte humbja më e madhe, sepse solli dështimin e planit tonë të kryengritjes për mëvetësimin e Shqipërisë”.
Paskëtaj fqinjët shovenë e përmbyllën bilancin e copëtimit të trevave etnike shqiptare vetëm pas përfundimit të Luftës së Dytë ballkanike dhe rrethimit të Shkodrës në maj 1913, operacione ushtarake këto që bashkë me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve konturuan dhe pothuajse definuan kufijtë e sotëm politikë “londinezë” të shtetit shqiptar. Kufij që qysh atëherë kanë pësuar ndryshime të pakta dhe quhen “londinezë” pasi u vendosën nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913.
RILINDJA KOMBETARE
Ramadan Sokoli nuk ishte një meteor i rastit në qiellin e kulturës dhe shkencës shqiptare, por ishte një yll i zbritur nga yllnaja e Rilindjes kombëtare, me të cilën familjarisht dhe personalisht kishte lidhje të pazgjidhshme.
Rilindasit tanë qysh në fillimshekullin 19 hartuan projektin madhor ideologjik, politik, kulturor e organizativ për konceptimin e plotë, parashtrimin dhe më pas zgjidhjen përfundimtare të Çeshtjes kombëtare shqiptare.
Sipas projektit të Rilindjes, kjo zgjidhje do të niste me: Zgjimin kombëtar mbarëshqiptar; formatimin, edukimin dhe konsolidimin e identitetit kombëtar; do të vijonte me luftën e armatosur për çlirimin dhe pavarësimin e trojeve etnike; dhe do të përfundonte me krijimin e shtetit kombëtar shqiptar në kufijtë etnikë.
Në këtë megaprojekt rëndësi vendimtare merrte rrënjëzimi i tij në trojet etnike, që nuk mund të ishte tjetër veçse kultivimi i gjuhës amtare në të gjitha format dhe trajtat e komunikimit, fillimi dhe përhapja e arsimit nëpërmjet rrjetit shkollor dhe jashtë tij, krahas ruajtjes së traditave dhe mbrojtjes së kulturës kombëtare e visareve të saj, që janë elementët kryesorë formues dhe konsolidues të identitetit kombëtar.
Gjuha dhe kultura materiale e shpirtërore, të formuara qysh gjatë shekujve të parë të historisë sonë mijëra-vjeçare e të konsoliduara veçanërisht në shekujt e mesjetës, ishin dhe mbetën faktori më i rëndësishëm që ngjizi, sintetizoi dhe shprehu njësinë etnike të popullit shqiptar. Popull ky më i lashti në gadishull e kontinent, që popullonte një territor kompakt qysh nga prehistoria e të quajtur “Gadishulli Ilirik”.
Por pas 12 shekujsh tkurrjeje prej rrebesheve të ardhacakëve, ky territor kompakt në shekullin 19 përputhej përafërsisht me truallin e banuar në lashtësi nga “Ilirët e Jugut”, tashmë me një sipërfaqe prej afro 150 mijë km2.
Si ushtar i kultivuar i Atdheut, prej Megaprojektit rilindës Ramadan Sokoli zgjodhi të mbronte me penë në dorë e me të gjitha forcat racën dhe kombin e vet në frontin e arsimit dhe kulturës materiale e shpirtërore, çka përputhej me talentin e pashoq, natyrën hulumtuese dhe kulturën e thellë, të bazuar fort në njohjen e shkëlqyer të gjuhëve të huaja, sllave, latine e anglosaksone, të cilat fliteshin lirisht nga pjesëtarët e familjes së Isuf Sokolit. Ndikimi i kolosëve të Rilindjes e të kulturës kombëtare, krahas edukimit familjar me dashurinë e zjarrtë për lëndën e etnokulturës së trashëguar nga populli, u përthyen tek Sokoli në dashuri dhe përkujdesje për vetë popullin e martirizuar të tij, të trashëguar si amanet nga Rilindësit misionarë tek Sokolët misionarë.
SOKOLE V/S SLLAVE DHE OTOMANE
Prof. Sokoli lindi në një familje me tradita dhe kontribute të mëdha atdhetare.
Pas pushtimit otoman të Shqipërisë familjen Sokoli e ndeshim në Raguzë, ku gëzonte titullin fisnik “kalorës” dhe kishte stemën e saj kalorësiake.
Kryeideologu i Rilindjes, Pashko Vasë shkodrani, ishte mik për kokë i gjyshit të Prof. Ramadanit, Hodo Pashë Sokolit, i cili ishte gjithashtu edhe baxhanak i kryetarit-kryekomandant të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, Iljaz Pashë Dibrës (Çoku).
Në shtëpinë e Hodo Pashë Sokolit në Shkodër u detajua nga këta burra të mëdhenj ideja për një Lidhje mbarëshqiptare (sipas modelit të Lidhjes Kastriotiane të Lezhës të vitit 1444), pa dallim feje e krahine, që do të organizonte rezistencën e armatosur për mbrojtjen e popullit e të trojeve etnike nga fqinjët shovenë.
Gjyshi i Prof. Ramadanit, Hodo Pashë Sokoli, ishte anëtar i kryesisë së Lidhjes shqiptare të Prizrenit dhe kryetar i degës së Lidhjes për vilajetin e Shkodrës. Ishte ndër personazhet më të spikatur tek “Lahuta e Malcis” dhe i vetmi hierark i lartë i perandorisë Osmane që flaku spaletat e arta dhe mori kryesimin e rezistencës së përgjakshme të kryengritësve shqiptarë pas vendimit të kongresit të Berlinit për aneksimin prej Malit të Zi të Ulqinit, Tivarit, Hotit, Grudës, Rozhajës, Plavës e Gucisë.
Gazeta austriake “Tageblat” nëpërmjet korrespondentit Pal Shanto, thekson: “Zotërimi i Stambollit mori fund dhe në Mbledhjen e Madhe (Lidhje-kuvendin – shënimi im F. K.) që u mbajt me 17 Prill 1880 në Shkodër, u shpall zyrtarisht Shqipnija e Lirë… Hodo Pasha goditi me shpatë shtizën mbi të cilën ishte ngritur flamuri turk me gjysmë-hënën dhe mbi një shtizë tjetër u ngrit flamuri kombëtar shqiptar në mes të brohoritjeve të popullit”.
Këtyre ngjarjeve populli u këndoi: “Hot e Grudë ishin betue / ulen n’Shkodër me qa dert / pa gjak malet mos me i lshue…/ Shkodër e Malci jan çue / don me gjet nji komandant / Hodo Pashën kan emnue / nuk ka çajre pa na ardhë…”.
Pas shtypjes së përgjakshme të kryengritjes Hodo Pasha u tradhtua dhe iu dorëzua nga otomanët Rusi-kundërshtares më të egër të shqiptarëve, e cila e zhduku atë pa lënë gjurmë. Hodo Pasha ishte i vetmi nga krerët shqiptarë të Lidhjes që nuk vdiq në shtëpi si gjithë krerët e tjerë, që u dënuan me burg dhe më pas u liruan nga Porta e Lartë!!? Sot Sokolët kanë dalë fare në linjën mashkullore.
65 vjet më vonë, sikurse vepruan Otomanët që ia bënë “dhuratë” carit rus “armikun e sllavëve Hodo Pashë Sokolin”, Enver Hoxha ia dërgoi si dhuratë Stalin-carit sllavokomunist të Rusisë shpatën e artë të Hodo Pashës (pronë e konfiskuar nga familja Sokoli).
Vëllai i Hodos, Isuf bej Sokoli ishte përfaqësues i Shkodrës në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit. Ishte komandant i forcave vullnetare shqiptare që shkuan në frontin anti-malazez për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë (1879) dhe më pas për mbrojtjen e Ulqinit (1880), ku luftoi heroikisht dhe u plagos rëndë dhe vdiq pas disa ditësh në Shkodër.

SHKODRA, ZEMRA E SHQIPTARISE
Rilindësit e vlerësonin Shkodrën mijëra-vjeçare si zemrën e kombit. E tillë ishte ajo edhe për Ahmet Zogun, i cili dy herë me matjanët e tij shkoi të mbronte Shkodër-locen nga serbo-malazezët.
Revista e përmuajshme “Përparimi” e atdhetarëve të Shkodrës, në maj të vitit 1915 shkruante për Zogun: “… Ahmet Zogu asht ndër kto vendet t’ona ma i përndrituni atdhetar, e të gjithë ja njohin veprat, mundin, dijeninë, e e thrrasin shqyptar përnjimend. Asht i ri për moshë. Për mend asht i dijshëm e i hollë, sidomos n’ato punë që i përkasin t’mirës s’Atdheut t’onë. E përnjimend, ndër kto tri vjet turbullimesh e luftnash, kjarisht u diftue kundra anmiqve t’Shqypnisë, e nuk kje rrejt as me pare e as prej friget, për me i mbajt pah anmikut t’Shqypnisë…”.
Në një shkrim të tij, botuar në gazetën ”Dielli” të datës 16 shkurt 1916, kushtuar figurës së Ahmet Zogut, Fan Noli shkruan: “Nga letra që botuam dje, mësuam që i dëgjuari atdhetar, zoti Nikoll bej Ivanaj ndodhet në ushtërinë shqipëtare të Ahmet bej Matit. Ahmet bej Mati, me të cilin bashkëpunon Nikollë bej Ivanaj, është djalë fare i ri, … por luan nga zemra dhe hekur nga karakteri. Dhe e provoi me punë. Mati është i vetëm vend i Gegërisë që s’u shkel nga serbi, as në luftën ballkanike, as në luftën evropiane. Ahmet Zogolli, në krye të matjanëve të tij, e mprojti nga armiku i huaj dhe e mbajti lart flamurin e Skënderbeut. … nuk iu unj as serbit, as Esatit… E paçim sa malet.”.
Ndërsa mua Fatos Kolës, zotëri Ibrahim Sokoli, vëllai i madh i Prof. Ramadanit, më ka deklaruar: “Jam dhe do të mbetem jo zogist por Ahmetist, deri në vdekje, sa kohë që atij burri të madh, edhe sikur të kisha disa jetë, e jo një që po më soset, nuk mundem me ia shly borxhin që dy herë, bashkë me matjanët e tij ka ardhë dhe ka luftue për me mprojtë Shkodrën. Kur unë me shkodranët e mij të shkoj dy herë për me luftue e mprojtë Matin nga hasmit, atëherë kam me ia la borxhin burrit ma të shquem të kombit”.
SOKOLËT E RILINDUR
Me rilindjen e shtetit kombëtar shqiptar dhe marrjen nën administrim nga qeveria e dalë prej Kongresit të Lushnjes në mars 1920, Shkodra rilindi bashkë me djelmëninë e famshme shkodrane dhe Sokolët e rinj, duke shpërthyer ndër zhvillime të gjithanshme që ngjizën dhe kulmuan kontributorë e talente të mëdha në të gjitha fushat. E ndër këto vlaga jete të rilinduna shpërfaqet si pinjoll i denjë babai i Ramadanit, diplomati poliglot i karrierës Isuf Hodo Sokoli, punonjës besnik i shtetit shqiptar deri më 7 Prill 1939.
Pas tij spikat mbi gjithë rininë shkodrane e më gjerë vëllai i madh i Ramadanit, Ibrahimi, i cili mbaron shkëlqyeshëm dy fakultete radhazi, për filozofi dhe jurisprudencë, që ishte zotërues i shkëlqyer i 6 gjuhëve të huaja, 3 nga të cilat mësoheshin masivisht qysh në Gjimnazin e Shtetit të qytetit të Shkodrës.
Por jo më pak shkëlqeu qysh në fëmijëri edhe Ramadani, që bie një sy si dashnor i pangijshëm i muzikës teksa mësoi njëkohësisht 7 vegla muzikore dhe kompozoi në moshën e adoleshencës këngë që kanë mbetur në fondin e artë të muzikës popullore qytetare, shkodrane e mbarëshqiptare. Dhe jo vetëm kaq, por Ramadani u betua bashkë me shokët që të flakin nga muzika qytetare shkodrane e shqiptare të gjitha ndikimet sllave e italiane, që ushtronin trysni ngado, për çka këta artistë ia arritën qëllimit brenda një kohe të shkurtër.
Ramadani idealist ishte dhe mbeti deri në fund një ëndërrimtar i pandreqshëm dhe skllav i devizës rilindëse: Të bëhet me çdo kusht dhe me çdo çmim Shqipëria…
KOMBETARISTET PERBALLE PERANDORIVE
Ndërkohë në horizontin shqiptar ishin shfaqur hijet e dy perandorive të frikshme: të Zezës nazi-fashiste dhe të Kuqes komuniste, që bashkë me perandoritë e tjera të përbotshme po donin të mbysnin shtetin e ri kombëtarist shqiptar të porsaformuar… Shtet i projektuar dhe i realizuar nga Rilindësit e mbramë bazuar në modelet më të përparuara, në ligjet, zakonet dhe në traditën më të mirë shqiptare… Shtet i mbrojtur me fanatizëm prej tyre, që refuzonte fort tutelën dhe diktatin e perandorive të huaja dhe kish zgjedhur të realizonte modelin sovranist e vetëqeverisës të ideuar nga Rilindja… Shtet dhe model që kishin lulëzuar në këto troje dhe kishin fytyrëzuar plot lavdi qytetërimin mijëra-vjeçar iliro-arbëroro-shqiptar prej mijëra vjetësh… Shtet nga i cili kryeshtetari Ahmet Zogu, me një largpamësi profetike, qysh në vitin 1925 kish nxjerrë si të jashtëligjshme dy ideologjitë shkatërrimtare: Fashizmin dhe Komunizmin, si ideologji “subversive e në kundërshtim me vlerat dhe parimet e shenjta të racës shqiptare, si nderi, prona, familja, etj..”.
Ndaj jo rastësisht kjo filozofi konservatore bashkëkohore, pas 3 vjetësh (1928) u kurorëzua me lavdi pas shpalljes së Monarkisë parlamentare të titulluar Mbretëria e Shqiptarëve, hapur sfiduese përkundrejt republikanizmit dhe republikës së qiraxhinjve plangprishës, puthadorë të të huajve dhe tradhtarë…
Kultura e thellë dhe koha e mjaftueshme e konsumuar ndër zezona nga komunistët dhe fashistët në pushtet në Europë dhe Azi, i ndihu Sokolët të orientoheshin qysh në fillim pa vështirësi kah e Mira e kombit dhe të pozicionohen kah Kombëtarizmi rilindës përballë dilemës: nga duhet t’ia mbajnë shqiptarët?!! Pozicionim kombëtarist që Sokolëve u konvenonte me detyrimin rilindës për të realizuar ribashkimin kombëtar në suazën e Mbretërisë së Shqiptarëve, si i vetmi model etatist i Irredentizmit të zyrtarizuar në kushtetutën e vendit dhe në politikën shtetërore ndaj fqinjëve shovinistë.

MONARKIA SI VAZHDIM I MODELIT SHTETEROR
Me vendim të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në fillimvitin 1913 Shqipërisë iu njoh Pavarësia e shpallur nga Kuvendi i Vlorës dhe u shpall e u njoh ndërkombëtarisht si shtet monarkist i titulluar “Principatë autonome e mosvarun…”.
Në mars 1914 Fuqitë e Mëdha e rishprehën vullnetin politik të njohjes së shtetit monarkik shqiptar, në krye të të cilit me konsensus emëruan si monark Princ Vidin, të cilin e mbështetën njëzëri politikisht dhe financiarisht. Por sharlatani i huaj e pandehu veten të plotfuqishëm e pronar të Shqipërisë dhe nën presionin e fqinjëve shovenë e pa kurrfarë këshillimi me rilindësit shqiptare dhe Fuqitë e Mëdha garante të shtetit të ri shqiptar nisi pazarllëqet për faljen e trojeve…, për çka edhe u përzu me të drejtë nga Shqipëria.
Edhe Kongresi shpëtimtar i Lushnjes e rikonfirmoi karakterin monarkik të shtetit shqiptar të rinjohur më pas nga Fuqitë e Mëdha dhe Konferenca e Paqes e Versajës në kufijtë e vitit 1913. Ky kongres deri në njohjen dhe shpalljen e një monarku të ri instaloi me ligj institucionin e Regjencës (Kujdestarisë) të përbërë nga 4 regjentë të zgjedhur me votë të fshehtë, e që luante rolin edhe funksionin e kryetarit monark (të munguar) të shtetit.
Shpallja e shtetit shqiptar si Monarki kushtetuese (parlamentare) më 1 shtatot 1928 me Ahmet Zogun e Parë si Mbret i Shqiptarëve ishte përmbushje e ëndrrës rilindëse për një monarki irredentiste shqiptare në mes të Ballkanit që i kish të gjitha shtetet monarkike.
PROFECITE TRAGJIKE
Pushtimi fashist dhe Pakti i ribentropo-molotovcave fashisto-komunistë u dha të drejtë Sokolëve dhe kombëtaristëve monarkistë shqiptarë, të cilëve tragjikisht u dolën profecitë e dikurshme teksa paralajmëronin bashkatdhetarët që të mos u besonin perandorive të huaja, e sidomos fashistëve dhe komunistëve. Profeci fatale që u vërtetuan edhe nga pazaret e ndyra midis perandori-Plutokracive Liberale të Perëndimit, Fashistëve e Komunistëve të kontinentit e planetit, para, gjatë dhe pas Luftës Dytë Botërore.
Pushtimin fashist, Sokolët familjarisht, Ramadani dhe mbarë kombëtaristët e pritën me indinjatë dhe protesta të ashpra. Vetëm fashistët shqiptarë, vegla të Duçes, bashkë me ta edhe komunistët, pas paktit fashisto-komunist nënshkruar nga Ribentropi dhe Molotovi u bënë bashkë, morën frenat e pushtetit, filluan festimet dhe hakmarrjet kundër kombëtaristëve, krahas çmontimit të institucioneve dhe arritjeve tërësore të shtetit monarkist shqiptar. E si për ironi, fashistët liruan nën brohori komunistët dhe i mbushën burgjet me antifashistë kombëtaristë, të cilët me procese të montuara e të jashtëligjshme i dënuan me burgime të gjata dhe internime në ishujt e Italisë fashiste. Ndër këta të internuar në ishujt e Italisë menjëherë pas pushtimit fashist ishin edhe babai dhe daja i Ramadan Sokolit.
Sëpatat liktoriane, svastika dhe ylli i kuq u bënë simbolet e perandorive të huaja më në modë ndër shqiptarët e paformuar me idetë kombëtariste. Të rinj e të vjetër, anëtarë dhe simpatizantë të komunizmit u anëtarësuan në Partinë fashiste shqiptare, apo në Rininë fashiste, si “balilë”. Por më pas po këta u bënë prapë komunistë kur Hitleri prishi paktin Ribentrop-Molotov në qershor 1941 dhe i shpallën “luftë” atij fashizmi që e kishin larë me lotë gëzimi dhe brohori kur u kish pushtuar atdheun.
Për ironi, gjatë Luftës, për efekte propagandistike, komunistët filluan diskreditimin e “fashistëve” si “tradhtarë…”.
Pas “çlirimit” të gjithë krerët komunistë në luftën për pushtet filluan sërish të akuzojnë njëri-tjetrin për “fashistë”, por edhe kjo luftë ishte selektive sa kohë që shumë fashistëve, sikurse edhe vetë Nexhmije Hoxhës, iu mbajt i fshehur anëtarësimi në Partinë fashiste…
DAVIDI, HEROI ME I DASHUR I SOKOLIT
Në verën e vitit 1940 Ramadan Sokoli filloi studimet në konservatorin e famshëm të Firences “Luigi Cherubini”, dhe pasi diplomohet për flaut e kompozicion kthehet në atdhe, pranë familjes.
“Për 4 vjet me radhë, në Firence gdhihesha dhe ngrysesha shpirtërisht e fizikisht me figurën e Davidit që mundi Goliathin. Davidi ka qenë dhe mbetet figura që më frymëzoi më shumë nga gjithë heronjtë, mitologjikë, apo të gjallë… Tek Davidi përmblidhen të gjitha idealet e Rilindjes, popullit dhe rinisë sonë përballë të Keqes, dhunës dhe armiqve shekullorë…”, – më thoshte Prof. Sokoli.
Menjëherë pasi komunistët hynë në Shkodër në nëntor 1944, Ramadanin e mobilizuan dhe e dërguan ushtar në Gjirokastër, ku e angazhuan me grupet artistike të Divizionit të Ushtrisë, prej nga bie në sy të dirigjentit të njohur Gaqo Avrazi, i cili e merr në Tiranë si ndihmës për organizimin e Ansamblit të Ushtrisë. Këtu njihet dhe miqësohet me Musine Kokalarin, me të cilën ndan idealet atdhetare dhe dashurinë për artin.
TRADHTIA E IDEALEVE TE RILINDJES…
Menjëherë pas ardhjes në pushtet komunistët “çlirimtarë” futën serbishten nëpër shkolla dhe i përgatitën shqiptarët për t’u bërë republikë e 7 e “Jugosllavisë motër”.
Ata filluan çmontimin e të gjitha arritjeve rilindëse dhe realizuan diskreditimin, penalizmin, eliminimin fizik e rrënimin pronësor të rilindësve të mbetur gjallë dhe pinjollëve të tyre. U fshinë zyrtarisht emrat dhe llagapet e baballarëve të Pavarësisë, të atyre që themeluan shtetin modern shqiptar në Kongresin e Lushnjes dhe që e anëtarësuan Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve. Familjet e mëdha të pashallarëve, bejlerëve e klerikëve të shquar që bënë Shqipërinë u shpallën “armiq të popullit” dhe “kulakë”.
Pas këtij etiketim-kualifikimi, dënimi dhe zhdukja e tyre sipas manualeve e metodave të OZNA-UDB dhe NKVD-KGB jo vetëm u kremtua me bujë nëpër kongrese të pafundme të tejmbushura me delegacione sllavo-komunistësh, por u promovua si “kryevepër e socializmit” nëpër libra dhe “studime shkencore”.
Gjatë kohës së Komunizmit projekti madhor i Rilindjes i sintetizuar në veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” të Sami Frashërit, nga qarqet zyrtare e ato “shkencore” u etiketua “utopi e nacionalizmit romantik që shkau deri në shovinizëm”. Madje e gjithë filozofia kombëtariste e Rilindjes u shpall “e tejkaluar dhe jashtë kohe, jo konkrete, jo marksiste dhe jo materialiste”…, çka ishte qepje me penj të bardhë e qyrkut të zi të tradhtisë kombëtare.
“Nuk e kërkojmë dot Kosovën se nuk është marksiste, madje është shkarje në pozitat shoviniste të reaksionit shqiptaromadh, të cilit i dhamë dërrmën bashkë me vëllezërit komunistë jugosllavë të shokut Tito… Po hajde të ngrihemi kështu siç jemi, në krie të popullit, e të vemi para ambasadave amerikane e angleze e t’u kërkojmë me forcë, në emër të popullit shqiptar, që t’i japin Jugosllavisë motër Triesten dhe tërë gadishullin e Istrias, të marra padrejtësisht nga Italia në Versajë nëpërmjet vendimeve të padrejta të Fuqive të Madha imperialiste”, – deklaronin Enveri me shokë në vitin 1945.
Intelektualët të cilët kërkuan publikisht që në vend që të dërgohej populli para ambasadave amerikane e angleze për “Triesten dhe Istrian jugosllave”, të dërgohej para ambasadës së Jugosllavisë për të kërkuar Kosovën shqiptare – u shpallën “armiq të popullit shqiptar” dhe u dënuan me burgime të rënda.
Ndërkohë Shkodra ishte vënë nën regjim terrori nga pushtetarët e rinj sllavokomunistë. Kudo dëgjohej vetëm për vrasje, tortura, arrestime dhe për këngë partizane me vargje që kërkonin gjak e me muzikë sllave. Nëpër rrugë qarkullonin mbi 5 mijë partizanë shallkuqë e yllkuqë me bustina sllave dhe uniforma stofi angleze, të cilët thuhej se quheshin “ushtarë të Divizionit të Mbrojtjes së popullit”, por që në fakt tmerronin popullin që pretendonin se mbronin, ngaqë përdoreshin si detashmente torturuesish për mijëra të arrestuarit dhe të burgosurit për motive politike.
Në mbarë Malësinë vazhdonin përndjekja e kombëtaristëve me në krye heroin Prekë Cali dhe përpjekjet për kapjen e tij, në të cilat përveç mijëra partizanëve shqipfolës me në krye Mehmet Shehun ishin angazhuar edhe dy brigada komuniste malazeze.
“Hiqi partizan’t e shkive prej rrethimi, hiqe trobojnicën e shkive dhe yllin e kuq prej flamurit të Skënderbeut e prej kapelesh të ushtrisë, e mandej do t’i ul armët e do dorëzohem me gjithë djelmëni, por mos m’i prek gratë e cullët”, – i kërkoi Mehmet Shehut kryeheroi i luftërave antisllave dhe miku i madh i familjes së Sokolëve, Prek Cali, që ndonëse u dorëzua, u ekzekutua pa gjyq megjithë djemtë adoleshentë që e shoqëronin… E megjithatë komunistët nuk e ndalën që nuk e ndalën dorën mbi gratë dhe cullët…
TIVARI, POSTRIBA DHE DENIMET E SOKOLEVE
Sapo komunistët erdhën në pushtet, familja Sokoli menjëherë i nënshtrohet luftës së klasave dhe përndjekjes për shkak të qëndrimit të hapur pro Kosovës shqiptare, çka ishte e papranueshme për komunistët prosllavë.
Sokolëve u hiqen triska e Frontit e tollonat e ushqimeve, dhe Ibrahimi si kombëtarist zogist shpallet në kërkim për t’u arrestuar.
Fitili që i vuri flakën urrejtjes së kombëtaristëve për sllavokomunistët shqipfolës ishte pjesëmarrja e tyre në Masakrën e Tivarit dhe tradhtia e hapët e partizanëve shqiptarë në Kosovë, ku çarmatosën pabesisht bashkatdhetarët për t’ua dorëzuar reparteve të OZNA-s së Rankoviçit.
Vrasjet masive të rekrutëve kosovarë të çarmatosur e që kalonin me kolona nëpër Kukës, Pukë e Shkodër revoltuan popullin kudo ku kaluan.
Pas shtypjes së kryengritjes së Malësisë së Madhe me në krye Prekë Calin dhe pas Masakrës së Tivarit kaluan veçse pak muaj derisa shpërtheu kryengritja e Postribës, e para kryengritje antikomuniste në mbarë Lindjen komuniste.
Në shtator 1946 Isuf Sokoli me 3 djemtë arrestohen dhe u nënshtrohen torturave. Kockat e kërcinjve të Sokolit ishin bërë gropë nga torturat dhe shtrëngimet e xhelatit që tallej dhe ia shtrëngonte edhe më fort prangat, duke i thënë “hë ankohu tani e na thuaj a i dhëmbin kockat të birit të pashës(?!)”.
Akt-akuza, pretenca dhe diapozitivi i gatshëm i vendimit të dënimit ishte i njejtë për Ramadanin dhe dy vëllezërit Ibrahim e Hodo: “armiq të Bashkim-Vëllazërimit dhe vëllezërve jugosllavë…, shovinistë reaksionarë e luftënxitës, që gjoja ju digjet xhani për Kosovën që lulëzon bashkë me popujt e tjerë të Jugosllavisë komuniste motër nën udhëheqjen e lavdishme të PKJ dhe shoku Tito…”. Gjithsej Sokolët do të vuanin më shumë se një shekull burgje e internime, nga të cilët Ramadani vuajti 16 muaj tortura të rënda dhe 4 vjet dënim me punë të rëndë. Aty Sokoli u bë dëshmitar i tmerreve plot tortura e vrasje në qeli edhe të mjaft antikomunistëve që i njihte personalisht e për të cilët rrëfente çastet e mbrame…
Urrejtja kryesore e komunistëve binte mbi vëllanë e madh të Ramadanit, Ibrahimin, i cili akuzohej si kreu i Kryengritjes së Postribës, akuzë që nuk u arrit të provohej, pavarësisht torturave të ushtruara mbi të dyshuarit si bashkëpunëtorë e se kishin dijeni.
“AKADEMIA” SHQIP-SHQIP E BURGUT POLITIK
Ramadan Sokoli pati fatin e madh të kishte bashkëvuajtës burgu elitën kombëtariste të kulturës, enciklopedistët etër rilindës sikurse priftërinjtë e mëdhenj franceskanë Imzot Vinçenc Prendushi, At Pjetër Mëshkalla, Atë Lazër Shantoja, apo eruditë si gjuhëtari Justin Rrota dhe helenisti Gjergj Shllaku.
Këta burra të shquar e donin dhe e respektonin Sokolin 26 vjeçar, të cilit i njihnin dhe vlerësonin origjinën e shkëlqyer familjare dhe personalisht babanë, Isufin. Madje Imzot Prendushi, me një natyrë tejet të butë dhe plot mirësi, si një bari i denjë grigje, ishte mik personal jo vetëm i krerëve të klerit mysliman të Shkodrës e mbarë Shqipërisë, por dhe i mbarë myslimanëve, të cilët me respekt e quanin “melek”-engjëll.
Si filologë të shquar këta prelatë mendjendritur e orientuan Sokolin kah studimet folklorike dhe shkencat albanologjike, për çka i dhanë çelësat metodologjikë dhe konceptualë që i shërbyen atij si manuale për gjithë jetën.
I bindur se nuk do të dilte gjallë nga burgu, Imzot Prendushi i dha Sokolit “testamentin e trashëgimtarit” në etnologji dhe folkloristikë, fusha në të cilat Prendushi i madh gëzonte reputacion ndërkombëtar, teksa vlerësohej maksimalisht edhe nga albanologët Karl Patschi dhe Maksimilian Lamberc, të cilët i kish edhe miq personalë. Ishte pikërisht Patschi që i kish mundësuar Prendushit botimin në Sarajevë, në vitin 1911, të librit “Visaret e kombit”, një nga veprat më të njohura e më të vlerësuara ndërkombëtarisht të etnografisë shqiptare.
Imzot Vinçenc Prendushi e Patër Pjetër Mëshkalla e përzgjodhën Sokolin si misionarin rilindës që do të vazhdonte me çdo çmim studimet albanologjike për evidentimin e plotë të thesareve dhe gjenisë etnologjike të racës shqiptare.
Nga ç’më ka konfiduar Prof. Sokoli dhe nga eposi i veprës studimore e shkencore që la pas, sot kam bindjen se bash në burgjet ku bashkëvuajti me elitën e kombit ai njëherazi kreu universitetet e vërteta dhe u dha udhë ëndrrave për liri e lartime profesionale.
Prej këtyre bashkëvuajtësve të mëdhenj Sokoli i madh trashëgoi edhe detyrë-porosinë e misionarit: Kush të shpëtojë ka për detyrë… Sokoli ia doli të shpëtojë nga ferri dhe si shkencëtar dhe rapsod-lahutar i madh i shqiptarisë u dha dhe u rrëfeu shumëçka bashkatdhetarëve…
Kush është autori, Fatos Kola
Është skulptor dhe pedagog i njohur shqiptar i lindur më 29 Janar 1958 në Burrel, Mat. Akademist i shkollës së mjeshtrave shqiptarë, vijon traditën në modernitet. Njihet si hartues i programeve didaktike për Atelierin e Skulpturës së Materialeve të Përziera Programeve dhe leksioneve respektive për këtë atelier dhe Historinë e Artit Botëror. Autor i eseve mësimore dhe kritikës profesionale si konsulent në mediat Radio Televizioni Shqiptar, ALSAT, mbi personalitete , epoka, autorë, rryma dhe vepra të ndryshme, vendase e huaja në skulpturë.Veprat
Fatos Kola është autor i disa veprave domethënëse të rrafshit kombëtar e universal si Statuja “Skënderbeu”, (Muzeu Historik, Burrel, Mat) , Skulpturë “Tre pendat shqipe”: Poetët e mëdhenj Pjetër Budi; Naim Frashëri dhe Migjeni , Portret në bronz i personalitetit të shquar arbëresh Xh. Del Gaudio, (Melisa, Kalabri), Busti në allçi, kushtuar regjisorit dhe aktorit Kujtim Spahivogli, (Muzeu i TK); Projekti për varrin e aktorit të shquar Sandër Prosi në granit; Kompozimi në metal, “Skënderbeu” ; Portreti në grafikë grafik “Skënderbeu”, paraqitur në konkursin vjetor të Filatelisë; Portret në bronz, “Muziktari”, kushtuar muzikologut, Prof. Ramadan Sokoli, Skulpturë në allçi: “Amësia” ; Monument në bronz: “Arbëreshi”, kushtuar personalitetit të shquar të kulturës arbëreshe Dom Mario Ferraro Vrasaqi (Krotone – Kalabria), Itali,1996 Portreti në grafikë grafik “Skënderbeu”, paraqitur në konkursin vjetor të Filatelisë, Portreti në grafikë “Niketë Dardani”, paraqitur në konkursin vjetor të Filatelisë , Projekt dhe realizim (me porosi të Familjes Mbretërore) i aranzhimit të mjedisit të sallës së ceremonisë mortore në Hotel Dajti (Tiranë), me rastin e ndarjes nga jeta të bashkëshortes së Mbreti Zogu I, Nënës Mbretëreshë të Shqiptarëve,Géraldine Apponyi de Nagyappony; Projekt dhe realizim i Stemës së Familjes Mbretërore Shqiptare në plurimaterie, (granit, rezinë dhe pluhur mermeri); Projekt dhe realizim (me porosi të Familjes Mbretërore) i aranzhimit të mjedisit sallës së ceremonisë në Hotel “Dajti” Tiranë, me rastin e ndarjes nga jeta të bashkëshortes së Leka Zogu I, Mbretëresha Suzanë; Portret në polimermer, kushtuar Nënës Mbretershë Geraldinë, Paris-Francë.