Hatixha Mehmedoviq, trashëgimia e një nëne

Hatixha Mehmedoviq lindi në zonën përreth Srebrenicës në 1952. Para gjenocidit, ajo jetoi gjithë jetën e saj në Srebrenicë, ku ishte martuar me shokun e saj të fëmijërisë, Abdullahun, dhe kishte dy djem, Azmirin dhe Almirin. Hatixha dhe Abdullahu ndërtuan shtëpinë e tyre në Srebrenicë dhe jetuan një jetë të thjeshtë si familje para se të fillonte lufta dhe Srebrenica të shpallej një zonë e sigurt e OKB-së.

Një ditë, më 11 korrik 1995 ndryshoi gjithçka. Qyteti i Srebrenicës u mor nga forcat serbe të Bosnjës të udhëhequr nga Ratko Mlladiq. Hatixha u nda nga burri dhe djemtë e saj kur ata u bashkuan me Kolonën, emrin që i është dhënë autokolonës së gjatë nëpër pyje dhe male përreth Srebrenicës drejt zonës më të afërt të sigurt, Tuzllës.

Hatixha e përshkruan kështu momentin e ndarjes së tyre:

“Duart e më të voglit ishin mbështjellë rreth meje ndërsa ai thoshte, “Nënë, të lutem shko, të lutem!” Ndërsa ai e thoshte këtë, më shtrëngoi më fort me krahët e tij dhe këtë unë nuk mund ta harroj.”

Hatixha u inkurajua të shkonte në bazën e OKB-së në Potoçari. Kur pa për herë të parë mizërinë e madhe të njerëzve që kishin kërkuar strehim në bazën holandeze të OKB-së, ajo u pendua që nuk e mori familjen e saj me vete. Gjithçka ndryshoi, megjithatë, kur Mlladiq dhe forcat serbe të Bosnjës arritën në Potoçari dhe filluan të ndanin burrat dhe djemtë nga gratë dhe të moshuarit. Hatixha ende nuk e dinte se sa fatal do të ishte udhëtimi nga Srebrenica në Tuzlla për burrat që kishin formuar Kolonën. E vetmja gjë që ajo dinte ishte se mbijetesa në Potoçari për burrat dhe djemtë atje, nuk kishte gjasa.

Në përpjekjen e saj të tretë për të hipur në një autobus për t’i shpëtuar Srebrenicës, Hatixha pati sukses. Ajo arriti në Klladanj dhe më kot priti ndonjë lajm për familjen e saj. Ajo besonte se burrat e Kolonës do të ishin vetëm dy ose tre ditë larg, se ata do të mbërrinin të lodhur dhe të uritur, por të gjallë. Ajo nuk ishte në dijeni se forcat serbe të Bosnjës tashmë kishin dërrmuar me plumba shumicën e burrave që ndërmorën udhëtimin e rrezikshëm, duke u maskuar si ushtarë të OKB-së me uniforma të marra nga baza holandeze në Potoçari ose duke kapur burra nga kolona dhe duke i urdhëruar ata që t’u thërrisnin prindërve, djemve dhe gjyshërve të tyre, për t’i joshur nga pylli.

Hatixhës iu desh të priste më shumë se dy ose tre ditë të tjera për të zbuluar se çfarë i kishte ndodhur familjes së saj. Më 13 nëntor 1996, gati një vit pas përfundimit të luftës, Hatixha mori një telefonatë që e informonte atë se një trup që besohej të ishte një nga fëmijët e saj ishte gjetur në një varr masiv. Trupi ishte i djalit të saj më të vogël, Almirit, trupi i të cilit u gjet në tërësi i plotë.

Sidoqoftë, Abdullahu dhe Azmiri nuk u gjetën së bashku me eshtrat e Almirit. Vetëm në vitin 1998 Hatixha do të mësonte se çfarë kishte ndodhur me pjesën tjetër të familjes së saj. Nga Abdullahu, vetëm disa eshtra u gjetën. Nga Azmiri, vetëm dy kocka të këmbëve.

Për shkak të forcave serbe të Bosnjës që lëviznin trupat nga varret masive keyesore në varreza masive dytësore dhe tretësore duke përdorur gërmues mekanikë, familja e Hatixhës ishte shpërndarë kilometra larg, shpesh me eshtra të pjesshme në vende të ndryshme.

Hatixha priti gati 12 vjet me shpresën se do të gjendeshin edhe eshtrat e burrit të saj dhe djalit të madh. Por pritja qe e kotë. Në vitin 2010, Hatixha vendosi të vendosë Abdullahun, Almirin dhe Azmirin për t’u prehur në Kompleksin Përkujtimor në Potoçari.

Në duart e ushtrisë serbe të Bosnjës, Hatixha humbi më shumë sesa thjesht burrin dhe djemtë e saj.

“Mua nuk m’u vranë vetëm fëmijët e mi, e gjithë familja ime u vra. Dy vëllezërit e mi u vranë, dy djemtë e vëllait tim, djemtë e motrave të mia u vranë, kushërinjtë e mi dhe fëmijët e tyre. Nuk kishte mbetur askush pa u vrarë. ”

Edhe pasi u përball me vuajtje të tilla, Hatixha u kthye në Srebrenicë në vitin 2003, një nga të parat që e bëri këtë. Ajo u kthye në shtëpinë që kishte ndërtuar me Abdullahun, ku u desh të luftonte për të larguar familjen serbe të Bosnjës që e kishte pretenduar atë si ‘plaçkë lufte’. Por për Hatixhën, ai vend ishte më shumë sesa tulla dhe llaç:

“Unë kurrë nuk mund të jetoja në ndonjë vend tjetër përveç Srebrenicës. Unë them që Srebrenica është simboli i vuajtjes, vendi i kujtesës, është vendi ynë i shenjtë, pelegrinazhi ynë, trishtimi ynë … U ktheva të jetoj nga kujtimet e shtëpisë sime. Kam tre pemë që mbolli djali im i vogël. Ai ishte i ri atëherë; pemët janë të mëdha tani. Unë jetoj aty ku ecnin dikur fëmijët e mi, gjithmonë i përfytyroj duke ardhur, sa herë jam vetëm, gjithmonë i përfytyroj”.

Hatixha themeloi Shoqatën “Nënat e Srebrenicës”, e cila mbështet gratë që humbën familjet e tyre gjatë gjenocidit në Srebrenicë. Ajo i udhëhoqi gratë në projekte dhe fushata të shumta, përfshirë krijimin e Kompleksit dhe Varrezave Përkujtimore Srebrenica-Potočari dhe paditë civile kundër OKB-së dhe qeverisë holandeze për dështimin për t’i mbrojtur në Srebrenicë në 1995.

Hatixha vazhdoi të bëjë fushatë të palodhshme gjatë gjithë jetës së saj për drejtësi për Abdullahun, Almirin dhe Azmirin. Historia e saj e fuqishme sfidon ata që do të mohonin se gjenocidi ndodhi në Srebrenica. Edhe pse ishte dëshmitare e më të keqes së njerëzimit, Hatixha kurrë nuk iu dorëzua ndjenjave të hakmarrjes dhe i shkurajoi të tjerët nga hakmarrja.

“Nëse do të më jepnin një botë të tërë serbësh për të vrarë dhe do të më thoshin të hakmerrem për fëmijët e mi, nuk mund ta imagjinoja – lëre më të mbaj peshën e fajit sepse trishtimi dhe pikëllimi kanë mbetur miqtë e mi të vetëm. Nuk kam asgjë tjetër.”

Pas një beteje të gjatë me kancerin e gjirit, Hatixha vdiq në 22 korrik 2018 në një spital të Sarajevës në moshën 65 vjeçare. Gjatë gjithë sëmundjes së saj, ajo vazhdoi të bëjë fushatë për drejtësinë e viktimave dhe të mbijetuarve.

“Kush vjen sinqerisht në Srebrenicë më 11 korrik, ai është me të vërtetë një mik i yni dhe i këtyre varreve të bardha.”

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.