Sali Berisha dhe Edi Rama në një krahasim simbolik të qeverisjeve të tyre

Çfarë fshihet pas mitit të “Rama djall”-“Berisha më djall”. Bilanci që disa nuk guxojnë ta bëjnë

Një krahasim mes dy epokash qeverisëse, të vërtetat që propaganda e Rilindjes dhe e “opozitarëve të opozitës” kanë mbuluar me mjeshtëri për vite me radhë

Dardan MITROVICA
5 Min Read

Në politikën shqiptare, pak narrativa kanë qenë aq të fuqishme dhe aq të montuara sa ajo që krijoi Edi Rama për Sali Berishën. Prej vitit 2013, kryeministri aktual, i ndihmuar mjeshtërisht nga një pjesë e madhe e medias së mirëfinancuar nga paratë e paligjshme, e ndërtoi gjithë identitetin e tij politik mbi një premisë të thjeshtë: ai vinte pas katastrofës, si shpëtimtari që do të mbyllte gropat e lëna nga paraardhësi.

Propaganda e Rilindjes e ktheu Berishën në një mit negativ, një djall politik që shërbente si justifikim për çdo dështim të mëvonshëm. Por kur hiqet perdja e retorikës dhe krahasohen bilancet reale, tabloja ndryshon rrënjësisht. Qeverisja e Berishës, megjithë të metat e saj të pamohueshme, la gjurmë konkrete zhvillimi që sot duken si fantazma. Infrastruktura u transformua në çdo sektor, nga rrugët nacionale te rrjeti energjetik, nga shkollat te ujësjellësat.

Integrimi euroatlantik shënoi kulme historike, me anëtarësimin në NATO dhe heqjen e vizave për zonën Schengen. Madje, kërkesa për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian u dorëzua pikërisht në atë periudhë. Këto arritje mbetën pa avokatë, pa zë, pa mbrojtje publike. Dhe pikërisht në këtë heshtje u ndërtua legjenda e errët që vazhdon të ushqejë politikën shqiptare edhe sot.

Bilanci që propaganda nuk deshi ta tregonte

Kur flasim për investimet në infrastrukturë, krahasimi bëhet i pakëndshëm për qeverinë aktuale. Gjatë mandateve të Berishës, vendi pa një transformim që preku jetën e përditshme të qytetarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë. Rrugët u zgjeruan, u ndërtuan akse të reja, shkollat u rikonstruktuan dhe rrjeti energjetik u stabilizua ndjeshëm. Sigurisht, fundi i mandatit të dytë solli një periudhë të errët, të cilën as nuk mund ta mohojmë.

Por lufta ndaj krimit dhe bandave në atë kohë la rezultate që sot duken si kujtime të largëta. Në kontrast, gjashtë vitet e qeverisjes së Ramës nuk kanë prodhuar asnjë rezultat që t’i afrohet atyre standardeve. As në rend, as në siguri, as në integrim. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për nostalgji politike, por për fakte që qytetarët i ndjejnë çdo ditë në jetën e tyre.

Një detaj që zbulon gjithçka: njerëzit në pushtet

Ndonjëherë, mënyra më e thjeshtë për të kuptuar një qeverisje është të shohësh kë ul në tryezën e saj. Ekipi i Sali Berishës përfshinte figura si Lulzim Basha, Majlinda Bregu, Bujar Nishani, Sokol Olldashi, Besnik Mustafaj dhe Eduart Halimi. Ishin personalitete me karriera të konsoliduara, me bagazh akademik dhe eksperiencë ndërkombëtare.

Krahaso tani me ekipin e Edi Ramës: Albana Koçiu, Ervin Demo, Ermal Nufi, Enea Karakaçi, Toni Gogu, e të tjerë anonimë. Mjafton një krahasim mes këtyre dy listave, njerëzve, formimeve dhe bagazheve të tyre, për të kuptuar kahjen e drejtimit të vendit. Rilindja nuk ka sjellë vetëm më shumë varfëri. Ka sjellë regres. Dhe ky regres është mbuluar dhe vazhdon, me propagandë, me një aparat mediatik të strukturuar dhe me një retorikë që e shpall Ramën si të zgjedhurin, si njeriun e ri që vjen nga natyra më e mirë, edhe pse sot gjithçka ka marrë erë.

Abuzimi dhe korrupsioni: heshtja që flet

Ekziston një temë që propaganda e Rilindjes e ka shmangur me kujdes: abuzimi në qeverisje. Përtej asaj që qytetarët prekin me duart e tyre çdo ditë, raportet e fundit të Bankës Botërore e kanë vendosur Shqipërinë në grupin e vendeve më të korruptuara në botë. Dhe kjo nuk është një akuzë politike — është një fakt i dokumentuar.

Kur mungojnë arritjet, kur bilanci nuk mbyllet, kur rezultatet nuk vijnë, mbetet vetëm një armë: propaganda. Ajo mund të mbajë një narrativë për ca kohë, mund të fshehë të vërteta për vite, por nuk mund të zëvendësojë realitetin për gjithmonë. Qytetarët shqiptarë e ndjejnë këtë çdo ditë, në çdo aspekt të jetës së tyre.

Herë tjetër për korrupsionin…

Share This Article
Leave a Comment