Edi Rama gjatë mbledhjes së socialistëve në Gjirin e Lalzit mes tensioneve politike

Kurora lakuriq në Gjirin e Lalzit! Socialistët përplasen hapur, Rama shpërfaq dobësitë e fshehura ndër vite

Nga resorti luksoz te lufta për mbijetesë politike, mbledhja që duhej të demonstronte unitet përfundoi duke ekspozuar krisjet më të thella të pushtetit. Për herë të parë pas vitesh e vitesh, drejtimi i Edi Ramës u duk i lëkundur, ndërsa konfliktet brenda socialistëve dolën në sipërfaqe pa asnjë filtër

GazetaTjeter
4 Min Read

Përballë detit, mes kamerave dhe skenografisë së kuruar deri në detaj, Partia Socialiste tentoi të shfaqej si një forcë e bashkuar. Por, pavarësisht kësaj, pamja e jashtme nuk arriti dot të mbulojë tensionin që dominonte takimin në Gjirin e Lalzit. Ajo që duhej të ishte demonstrim force, u kthye në demonstrim nervozizmi.

Fjalimet sollën më shumë pikëpyetje sesa siguri. Debatet e brendshme nuk u fshehën dot. Raportet mes figurave kryesore u shfaqën më të brishta se kurrë. Brenda pak orësh, opinioni publik pa një parti që nuk diskutonte vizionin për vendin, por balancat për pushtetin.

Në qendër të gjithçkaje ishte Edi Rama. Kryeministri tentoi të ruante autoritetin, mesazhet e tij dukeshin shpesh kontradiktore. Një moment shfaqej i ashpër ndaj kritikëve të brendshëm, më pas kërkonte paqe dhe bashkëpunim. Kjo krijoi përshtypjen e një drejtuesi që po negocion me vetë strukturën e partisë së tij.

E pikërisht ky perceptim po ushqen narrativën e kundërshtarëve dhe pse jo, edhe të opozitës. Edhe të atyre kritikëve, sipas të cilëve, socialistët nuk po përballen me kundërshtarët politikë, por me konfliktet e tyre të brendshme.

Një parti në pushtet, por me gjithnjë e më shumë pasiguri

Në qendër të vëmendjes në “Lalëz”, mbetën marrëdhëniet mes figurave më të rëndësishme të mazhorancës. Çdo deklaratë e bërë jep idenë e një mesazhi për dike, diku, brenda kampit socialist. Në fakt, edhe çdo heshtje u lexua si shenjë tensioni.

Vëmendje të veçantë morën raportet me figurat që konsiderohen kyçe për ekuilibrin e partisë. U vu re se nuk pati vendime të forta. Nuk pati as përjashtime. as përplasje të mbyllura apo ndonjë akt politik të prerë.

Në vend të tyre u panë formula kompromisi, u dëgjuan thirrje për unitet e u përsërit pambarimisht nevoja për bashkim. E megjithatë, sa më shumë flitej për bashkim, aq më e dukshme bëhej situata.

Që tregon më së miri një sinjal alarmi mbi qeverinë. Kështu, pas 13 vitesh në pushtet, sistemi i ngritur nga socialistët po tregon stërlodhje. Konfliktet nuk kanë të bëjnë me ideologjinë. Një betejë e vërtetë duket se po zhvillohet për kontrollin e institucioneve dhe për ndikim politik.

***

Në fund të takimit, propaganda zyrtare u përpoq të nxirrte mesazhe optimiste. Megjithatë, diskutimet publike u dominuan nga krisjet dhe jo nga arritjet.

Shqiptarët panë një njeri që përpiqej të tregohej ende në krye të situatës. Ka edhe nga ata që pane një drejtues të detyruar të bëjë lëshime. Dhe arritur në këtë pike, lind natyrshëm pyetja më e madhe e ditës: a e kontrollon ende Rama partinë, apo partia po i dikton gjithnjë e më shumë Ramës hapat e ardhshëm?

Kjo dilemë pritet të shoqërojë politikën shqiptare në muajt që vijnë. Ndërkohë, kriza e brendshme në PS, përplasjet mes socialistëve dhe sfidat e qeverisë Rama mbeten tema që do të dominojnë debatin publik.


BËHU PJESË E FAMILJES ONLINE GAZETATJETER.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME PËRKUSHTIM DHE ME DASHURI, JUA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU >>>>>>


Share This Article