GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Nga Enton ABILEKAJ – Mundësia e fundit që fitoi PD në 6 mars

Lulzim Basha i befasoi të gjithë me daljen përpara mediave në mëngjesin pas disfatës. Pa folur akoma fituesi i zgjedhjeve të pjesshme, Edi Rama, pa folur fituesi i betejës opozitare në këto zgjedhje, Sali Berisha, mbajtësi i aseteve të PD-së, doli pa të keq, pa asnjë pendesë për katandisjen e partisë në forcë të tretë nga 3 garuesit dhe premtoi se do të vazhdojë në këtë rrugë.

Sigurisht që, edhe ata që prisnin nga Lulzim Basha që të mos shfaqej në publik disa ditë, me shpresën se disfata do kalonte në plan të dytë për shkak të luftës në Ukrainë, apo çmimeve që po rriten në progresion gjeometrik, nuk mendonin që në shfaqjen e parë publike do të dorëzonte vulën, logon dhe selinë. Kjo nuk është në stilin e Bashës, por mund të bënte minimumin për atë shumicë dërrmuese të Partisë Demokratike që votoi kundër tij ose nuk shkoi fare.

Ata që nuk dolën dje, duke shkaktuar mungesën më të madhe të votuesve në historinë e zgjedhjeve, përjashtuar 30 qershorin 2019 kur opozita bojkotoi, bërtitën më shumë se të gjitha votat në kuti. Ata refuzuan të shkonin në zgjedhjet ku fituesi ishte i paracaktuar për shkak të përçarjes së PD-së. Të dekurajuar nga lufta 6-mujore, të lodhur nga beteja për të shqyer PD-në për interesat personale të dy figurave që kanë marrë më shumë se kushdo nga vota e tyre, pa shpresë për të ardhmen, vendosën të mos niseshin në një kalvar të ri, që, pasi të rraskapiste, do t’i çonte përsëri në të njëjtin vend.

Mungesa ulëritëse e tyre, kërkonte sot një përgjigje dhe të parit i takon Lulzim Bashës. Ata janë të domosdoshëm që Edi Rama, pasi rrit cmimet, pasi kapet në shkelje flagrante nga opozita dhe media, pasi ka kapur Drejtësinë për të mos u kapur nga ligji, pasi i nxjerr njerëzit nga shtëpia në qiell të hapur në mes të dimrit, të mos e rrisë diferencën, të mos marrë më shumë se zgjedhjet paraardhëse.

Kryetari i PD-së që e nisi në 9 shtator kursin e përçarjes, që sot e quajti reformë, u detyrohet atyre që nuk shkuan dhe atyre që i kanë mbetur, në mos dorëheqje, një tërheqje. I detyrohet atyre që për herë të parë nuk e kanë votuar PD-në një mundësi për t’i rikthyer duke u dhënë garën e mohuar, u detyrohet atyre që nuk janë me PD-në por duan të heqin Edi Ramës, prishjen e bunkerit që krijoi për të fshehur kokën e tij, jo nga qysqitë e 8 janarit, por nga vota e lirë që mohon, të paktën prej 6 muajsh.

Edhe Sali Berisha u detyrohet atyre që munguan të dielën e 6 marsit. Pavarësisht se u nis nga roli i viktimës, në një betejë që më shumë se për rehabilitimin e Partisë Demokratike, ishte për rehabilitimin e vetes, pavarësisht se e kërkoi tek vota përplasjen me Bashën, beteja që nisi, shkaktoi dëmin e refuzimit spektakolar të së dielës.

Tani që kontesti brenda PD-së mori përgjigje, përgjegjësia e fituesit është më e madhe se e humbësit. Sali Berisha ka përgjegjësinë të tregojë rrugën për Bashkimin e partisë dhe më pas të opozitës më qëllim rrëzimin e një regjimi që bëhet çdo ditë më i fortë. Me një lider si ai, që bashkon demokratët, por largon elektoratin gri, që motivon militantët por tremb shoqërinë civile, PD mund të kompaktësohet, por nuk mund të konkurojë PS.

Nëse shton pastaj metodat speciale që përdor rilindja që nga 2017 me bekimin e ndërkombëtarëve që janë hapur kundër Berishës, sfida bëhet e pamundur. E ardhmja e opozitarizmit duket akoma më e pashpresë, kur Lulzim Basha deklaron se nuk do të tërhiqet, por, duke mbajtur me dhunë asetet e PD-së, do të shërbejë si përçarës i opozitës edhe në zgjedhjet e tjera.

Opozitarizmi nuk ka më vetëm një kundërshtar. Pasi Lulzim Basha bëri publik planin e tij për të vazhduar dëmtimin e opozitës, opozitarizmi ka përballë një koalicion që, për fat të keq, ka mbështetje ndërkombëtare. Ky koalicion është kundërshtari i deklaruar. Të padeklaruarit janë ata që, pavarësisht se u ka skaduar afati politik, nuk e lëshojnë vendin për një zgjidhje të re.

Pavarësisht bojkotit masiv, pavarësisht rezultatit spektakolar të Rilindjes, votuesit dje e bënë detyrën e tyre për të evidentuar opozitën që i përfaqëson. Sot ka një mundësi që opozita të rimëkëmbet. Mund të fillojë nga ata që qëndruan në selinë dhe logon e PD-së, pasi Basha e flaku shansin e tij, por më e rëndësishme është se nuk ka më kohë për të humbur dhe debate për të konsumuar, ndërsa rreziku i pushtetit totalitar të korruptuar po rritet me shpejtësi.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More