GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit


Kliko për më shumë



Kliko për më shumë

Nga Kim MEHMETI – Nuk është fitore humbja e popullit dhe e vendit!

Në Shqipëri morën fund zgjedhjet vendore. Dhe mëmëdheu u “vesh” me rozë, me ngjyrën që shënon fitoren e ’Rilindjes’, por për shumëçka edhe dështimin e vendit dhe popullit.

Dhe tani kur bëhen analizat se çka e si ndodhi, një gjë dihet: me këtë rrëgjim dhe me këtë opozitë që e lufton vetveten, në Shqipëri mund të ndodh shumëçka, por jo edhe zgjedhje të lira e të ndershme. Edhe atë nëse për hiçgjë tjetër atëherë shkaku se në mëmëdhe, zhbërja e shtetit është proporcionale me forcimin e ‘Rilindjes’ dhe se, jo votuesi, por pushteti ia përcakton popullit opozitën dhe drejtuesit e saj. 

Nga gjitha vlerësimet e këtyre zgjedhjeve, më i turpshëm është ai që mundohet ato t’i shpallë si të ndershme e të lira. Është i turpshëm ky vlerësim sepse poqe se do ishte ashtu atëherë del se Shqipëria ende nuk është e gatshme për sistem shumëpartiak dhe se, edhe votuesit e sotëm të saj të moshës tridhjetëvjeçare, janë mëkuar e rritur me mendësinë enveriste, me mendësinë se shteti është pronë e partisë e drejtuesi i partisë pushtetarë është punëdhënësi i vetëm i popullit. 

Zgjedhjet e fundit vendore në Shqipëri edhe nëse nuk pasqyrojnë mendësinë një partiak të shumicës së popullit, ato shpalosin diçka shumë më të dhembshme se kaq: se për shtetin vendos krim-politika dhe se, pjesëtarët e elitave jopolitike të mëmëdheut, janë bërë ‘dëshmitarë’ të mbrojtur dhe mirë të paguar të regjimit, e që kanë vetëm një obligim ‘intelektual’: ta mbulojnë krimin politik të ‘Rilindjes’.

Këto zgjedhje vendore në Shqipëri e shpalosën edhe fenomenin që kishte ndodhur dikur në Maqedoninë e Gruevskit, të cilin askush nuk mundi ta mposhtë me votë, sepse ai sundonte sipas parimit të cilin sot e praktikon Piktori: sa më shumë varfërohet shteti e populli, aq më shumë i bie çmimi votuesit.

E kur bëhet fjalë për ‘Rilindjen’ dhe drejtuesin e saj, ai në të vërtet akuzohet për aq veprime të paligjshme e kriminale, sa mund ta shpëtojë vetëm rruga nga është katandisur: që Shqipërinë ta mbulojë vetëm portreti i tij, por ndërkohë, duke shkatërruar gjitha vlerat njerëzore dhe duke e bërë mëmëdheun atë që e thotë një komentues i shkrimeve të mia – vend ku njeriu do jetojë si në dekadat e Enverit: pa identitet njerëzor, kombëtar e profesional!

Po zgjedhjet e fundit vendore shënuan një fitore të frikshme e dështuese për Shqipërinë, por të madhe për Piktorit, për atë që është shumë llafazan për të qenë artist i suksesshëm, e shumë kloun i madh për të qenë politikan që do lodhet me hallet e popullit dhe të vendit.  

Ku ta dish mbase duhet pranuar se Kryeministri i sotëm i Shqipërisë është fytyra më e vërtet e politikanit që doli nga plehu politik i tri dekadave demokratike të mëmëdheut, të shtetit tonë amë ku demokracia është kuptuar si mundësi që të lejon të bashkohesh me gjitha qelbësirat për të ardhur në pushte dhe me të gjithë djajtë e kësaj bote për t’u pasuar.

Pra ku ta dish, mbase mëkot ne shpresuam se mund të ndodh e pamundura: që Shqipërinë ta  bëjë shtet ai që hapur pranon se vertikalen e tij njerëzor e intelektual e përbënë ‘tallava’ muzika e Bregoviqit dhe filmat e kryeshovenit serb – ato të Kosturicës.


Ju, sigurisht, jeni të lirë t'i përdorni materialet tona, por në çdo rast duke cituar medien dhe autorin.
Ju gjithashtu mund të lexoni
VINI RE: Disa materiale në këtë hapësirë janë marrë nga interneti, duke u vlerësuar si në përdorim publik. Nëse subjektet e pranishme në foto ose video, apo autorët do të kenë diçka në kundërshtim me publikimin, do të mjaftojë të kërkojnë heqjen duke dërguar një email në: kontakt@gazetatjeter.com. Ne do të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More