Ndeshja e futbollit mes Kosovës dhe Turqisë ishte shumë emocionuese. Një çast më duket se komentatori i ndeshjes tha diçka të bukur, pak a shumë kështu: shihni këtë kombëtare të Kosovës që doli pak kohë më parë nga lufta dhe sot sheh për të shkuar drejt ëndrrës amerikane.
Krahas ndeshjes që ngjalli shumë emocione, ajo që ra në sy ishte komentimi i saj nëpër rrjete sociale nga njerëz që kanë dy pare mend, të cilët barazojnë pushtimin osman me atë serb.
Mizoritë e kryera nën perandorinë Osmane janë të sqaruar gjerë e gjatë nga historianë të ndryshëm. Po ashtu edhe ato që kanë kryer serbët në Kosovë e më gjerë, që nga Lufta e Parë Ballkanike. Në pamje të parë kjo paralele duket interesante dhe më se e legjitimuar për t’u hequr.
Ku është kleçka?
Kur Shqipëria shpalli pavarësinë nga perandoria Osmane në vitin 1912 çarja brenda Portës së Lartë ishte e madhe. Dy linjat kryesore kishin të bënin me rëndësinë e detit Adriatik për Stambollin. Linja konservatore osmane ishte kundër pavarësisë, duke mëtuar autonominë, ndërsa xhonturqit ishin për pavarësinë, duke e konsideruar Shqipërinë avantpost të vetin përballë Perëndimit.
Në thelb ishte dhe mbetet çështje interesi. Pas astij rrugëtimi që kishim bërë me osmanët, vendosëm që të ndërtonim një udhë tjetër, drejt Evropës. Pikërisht në këtë çast fillon dhe shfaqet interesi i fuqive të tjera ndaj Shqipërisë, mes tyre edhe ai i Turqisë. Mbreti Zog lidhet me Italinë, fuqi e madhe asokohe, pasi ajo e konsideronte Adriatikun tonë bregun e saj të pestë.
Për shembull, në pikëpamjen e interesit për të qenë afër Evropës, qeveria komuniste bëri aleancë me sovjetikët. Ishte interesi i tyre për të dalë në Adriatik dhe Jon. Po ashtu, në këtë kuadër, duke qenë vend afër Evropës, qeveria komuniste bëri aleancë me Kinën. Edhe ata kishin thuajse të njëjtin interes. Deti. Gjeografia gjithnjë është mbivendosur ndaj historisë dhe politikës ditore.
Në këtë prizëm, kur shpallëm pavarësinë nga Osmanët, edhe ata bënë llogaritë e tyre dhe thanë se na duhet një aleat në Ballkan, më një këmbë brenda Evropës, një jashtë.
Le të heqim një paralele:
Sot, thuajse gjithë gjeopoliticienët bien dakord se interesi kinez dhe rus në Ballkan është për të pasur marrëdhënie me vende në periferi të Evropës, për t’i shfrytëzuar për tregti apo për për zinxhirët globalë të furnizmit. Hungaria ecën me këtë logjikë, Serbia ecën me këtë logjikë.
Rasti ynë
Duke qenë se parimi është për bashkëndarjen e interesave, ne nuk mund ta shohim aleancën me Turqinë me sytë e Serbisë, njëjtë si nuk mund ta shohim partneritetin me Greqinë me sytë e Ankarasë. Nuancat e partneriteteve dhe aleancave të ndryshme ndërtohen mbi themelet e interesit kombëtar.
Rast aktual
Përpara Revolucionit islamik në Iran, Izraeli dhe Teherani ishin aleatët më të mirë në Lindjen e Mesme. Partneriteti i tyre ishte i madh dhe strategjik. Vendet me shumicë arabe ishin kundërshtarë të Izraelit dhe Irani aleat. Gjatë periudhës së shahut, politika filloi të mendonte të ndërtonte armë atomike. Kjo e çonte Iranin në përplasje të drejtëpërdrejtë me Izraelin, pasi rajoni kishte vetëm një fuqi, Izraeli, i vetmi vend me armë atomike në atë rajon. Për shkak të kësaj politike që nisi me shahun dhe vijoi me regjimin e mullahëve, interesat u ndanë me thikë. Tisi ideologjik që i vishet meriton vëmendje për një artikull tjetër, porse në thelb kemi të bëjmë me përplasje interesash dhe çështje sigurie.
Disa projeksione të vogla
Përpara disa kohësh, dikush në Prishtinë bëri një postim të çuditshëm. Pak a shumë, e kishte të paqartë për cilën skuadër të bënte tifozeri për ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Kroacisë!!!
Gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri u ndërtua një përfytyrim për aleancat ku barazohej kontributi i Italisë për pavarësinë e vendit me Rusinë. Po ashtu, nuk kishte dallim mes Austrisë dhe Kinës, Britanisë dhe Tajlandës, Francës dhe Vietnamit, Gjermanisë dhe Argjentinës. Ky lloj ligjërimi është jo vetëm i gabuar, porse edhe i rrezikshëm. Gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri, ky ligjërim i shërbente pushtetit të Diktatorit. Sot, për shembull, barazimi i Turqisë me Serbinë apo Shqipërisë me Kroacinë është dashakeq dhe nuk përkon me interesin e Tiranës, as të Prishtinës.
Që në krye të herës, siç e kemi përsëritur, në Ballkan kalojnë dy linja të rëndësishme tregtare dhe, deri diku strategjike. Njëra është ajo që lidh Durrësin me detin e Zi, tjetra është ajo që lidh Selanikun me Vardarin. Linjat pikëtakohen në Maqedoni, ndërsa faktorët që ndikohen nga këto linja janë grekët dhe serbët, shqiptarët dhe bullgarët.
Lexuesit e kuptojnë më mirë dhe më qartë se vendet drejtohen prej interesit të tyre kombëtar, ndaj edhe e marrin me mend se disa persona janë emocionalë kur shkruajnë për këto tema, të tjerë janë pak të lexuar, ndërsa të tjerë janë thjesht dashakeq, teksa përdorin dijen e tyre për të shtrembëruar realitetet në terren, siç bënte elita kriminale komuniste në Shqipëri për dekada. Komunizmi shqiptar i shërbeu vetes, po aq sa i shërbeu fuqisë hegjemonike serbe në rajon, fatkeqësisht. Është tragjike dhe dashakeqe kur i fusim të gjithë në një thes.



