Blog

  • Enton ABILEKAJ – Platforma e Edi Ramës, diktaturë e krimit dhe varfërisë

    Enton ABILEKAJ – Platforma e Edi Ramës, diktaturë e krimit dhe varfërisë

    Asnjë lajm të mirë nuk mundi të jepte Kryeministri. Tha që do të dalë ligji i ri për pronat dhe e ilustroi me pronat në Veri ku banorët i kanë ndarë me marrëveshje, siç u takonin përpara 1945. Pa e respektuar ligjin 7501, ata tashmë do të rregullohen me ligj. Në pamje të parë dukët lajm i mirë, por nuk është ashtu. Ka një tjetër ligj që nuk e njeh këtë model të ndarjes së tokës në bregdet. Me atë ligj Qeveria i ka futur pronat në shërbim të një grupi interesi, që shërbëhet nga Korporata e Investimeve. A mund të ketë trajtim më dy ligje të të njëjtave raste? Nëse po, ky nuk është lajm i mirë.

    Tha që do të legalizojë çdo ndërtim në fshat, por jo në qytet. Ata që kanë ndërtuar në fshat jashtë kritereve apo në gjurmën e një autostrade të ardhshme, do të legalizohen dhe shpronësohen me paratë tona, ndërsa ata që e kanë bërë të njëjtën gjë në qytet, nuk do të legalizohen dhe nuk do të shpronësohen. I njëjti fenomen i trajtimit të ndryshëm të të njëjtit rast, por akoma më keq këtu. Legalizimet e banesave në fshat, për arsye elektorale nuk do të reflektojnë as rrezikun ndaj fatkeqësive natyrore, përmbytjet që ndodhin çdo vit dhe shkatërrojnë pasuritë apo tërmetet që ndodhin më rallë dhe marrin jetët.

    Tha që do të shpallë amnistinë fiskale për paratë e emigrantëve që nuk dinë ku t’i çojnë. Në fakt nuk ka asnjë emigrant, as ata që kanë punuar në të zezë, që vuajnë deklarimin e parave. Aq pak sa janë ata nuk kanë përfituar nga sigurimet, por e kanë patur të drejtën e vetëdeklarimit në vendet ku jetonin dhe si rrjedhim kanë paguar takstat çdo vit. Kategoritë e emigrantëve që nuk bëjnë dot deklarimin, janë ata që nuk e justifikojnë dot pasurinë, janë trafikantët e drogës dhe të femrave që janë në hetim nga të gjitha organet ligjzbatuese në vendet ku jetojnë. Ata që ftoi Edi Rama kur premtoi aeroportin e Kukësit si lehtësim të infrastrukturës për shpenzimin e parave të pista. Meqë Aeroporti i Kukësit 3D nuk i solli dot, po mendon tani një mënyrë tjetër, të papranueshme.

    Legalizimin e parave të pista që Edi Rama e quan amnisti, ndërsa një shtet ligjor e quan pastrim parash. Kjo do të bëhet me ligj dhe brenda afatit të aktit normativ, pra brenda këtij viti. Paratë do t’i përdorë qeveria, tha Rama, për arsimin dhe shëndetësinë. Si do të ndodhë kjo? Si do t’i përdorë paratë që do të amnistohen? Si do jua marrë bankave? Apo do të përfshihen në një program të ri 1 miliard, që të shumëfishohen pas 10 vjetësh? Ky nuk është lajm i mirë për askënd, përveë atij që kërkon të përfitojë nga paratë e paligjshme, në kurriz të ekonomisë së ligjshme që dëmtohet.

    Jo më kot tha se amistia do të bëhet edhe nëse del kundër Perëndimi. Pastrimi i parave të krimit me ligj, me siguri nuk do të pranohet. Duke e bërë pa ligj dhe të kufizuar, Shqipëria vetëm javës që shkoi hyri në zonën gri të pastrimit të parave, duke tërhequr vëmendjen e institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare. Amnistia do të sjellë probleme jo vetëm me shumicën e shqiptarëve që kanë punuar ndershmërisht, jo vetëm me ata që punojnë në ekonominë e ligjshme me mundim, por edhe me SHBA-në dhe BE-në.

    Tha se nuk do të presim Bashkimin Europian të na hapë negociatat. Paralajmëroi një rrugë pa BE, një rrugë pa qëllim, ku politikat e tij do të vendosin orientimin e vendit. Ku korrupsioni i rritur, liria e ulur dhe krimi alarmant, nuk do të jenë më kritere vlerësimi për qeverisjen, ku votat do të blihen me paratë e amnistisë, ku drejtësinë do ta vendosë partia me akte normative dhe me insitucione të kapura, ku mediat do të kontollohen nga vartësit e Ramës me ligj. Kjo është e ardhmja e mandatit të tretë.

    Tha edhe që do të rritet paga minimale në janar 2021, gjashtë muaj para zgjedhjeve. Një lajm i mirë për punëtorët me pagë minimale, lajm i keq për ekonominë që prodhon papunësi dhe emigrantë. Politikat për rritjen e punësimit në Perëndim janë bazuar në heqjen e taksave për vendet e punës, në uljen e kostove për cdo vend pune. Edi Rama deklaroi se kostoja për cdo vend pune do të rritet me 30 për qind. Nga 1 janari do të ketë paga minimale më të larta dhe 30 për qind të punësuar më pak.

    Nëse kjo ofertë do të sjellë 800 mijë vota në 21 janar, ata do të jenë 800 mijë banorët e fundit në pronën private të Edi Ramës.

  • Hiqet taksa, vendoset reciprociteti me Serbinë

    Hiqet taksa, vendoset reciprociteti me Serbinë

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur në konferencë për medie se taksa ndaj produkteve serbe do të hiqet tërësisht dhe do të zëvendësohet me reciprocitet.

    Vendimi do të hyjë në fuqi sot para mesnatës dhe do të mbetet deri më 15 qershor kur do të bëhet një vlerësim se si ka ecur vendimi sa i përket implementimit, thotë Kurti.

    “Këtë vendim që po e marrim sonte detyrohen ta zbatojnë Policinë Kufitare, Dogana e Kosovës, Agjencia e Veterinarisë dhe institucionet e tjera. Në këtë mënyrë ne po e sjellim vendimin që hyn në fuqi menjëherë me rastin e nënshkrimit, ndërkohë që mbledhja do të zgjasë deri në orën 22:00”.

    “Ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor dhe do të bëjmë një vlerësim të gjithëmbarshëm për të parë se si ka ecur zbatimi dhe implementimi. Nuk do të mjaftohemi vetëm me këtë, por pika 3 e këtij vendim-propozimi thotë se do të rishikohen zbatimet së paku njëherë në muaj duke i mbledhur të dhënat nga zyrtarët tonë doganorë”.

    Më herët taksa ishte hequr vetëm për produkte të lëndës së parë që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

    “Po e fillojmë zbatimin si zëvendësim për tarifën dhe ne me këtë rast i referohemi vetëm Serbisë dhe jo Bosnje e Hercegovinës. Nuk duam që këto dy shtete t’i trajtojmë njësoj dhe e dimë që edhe Bosnja vuan nga Serbia. Neve na lufton prej së jashti, atë e lufton së brendshmi. Në këtë kuptim jemi të bindur se veprimi ynë si gjest i vullnetit të mirë që të hasë në mirëkuptim në popullin atje, por edhe institucionet ta pasojnë këtë me heqje të vizave. Ne s’e njohim dhe ata s’na njohin, por ne nuk e duam mosekzistencën e Bosnjës. Prishtina dhe Sarajeva të mos i kenë këto pengesa për qarkullim”

    Kurti tha se masa e reciprocitetit është në vijë me marrëveshjen e CEFTA’s dhe praktikat tregtare europiane.

  • Ergys MËRTIRI – Teatri Kombëtar, tërheqja mashtruese e qeverisë

    Ergys MËRTIRI – Teatri Kombëtar, tërheqja mashtruese e qeverisë

    Bashkia njoftoi sot se është tërhequr nga projekti Fusha, për shembjen e Teatrit Kombëtar në këmbim të lejes për ndërtimin e 6 kullave në truallin e tij. Bashkia thotë se do ta ndërtojë vetë Teatrin e Ri, me paratë e shtetit.

    Tashmë është e qartë. Qeveria po kërkon të gjejë një mënyrë për të dalë me sa më pak turp nga kjo histori. Ajo bën sikur nuk ka gjetur dot një dakordësim me kompaninë FUSHA, kur në fakt ka dy vjet që thotë se gjithçka ka përfunduar.

    Nga ana tjetër, pasi kanë shurdhuar opinionin per dy vjet rresht duke thënë se teatri mund të ndërtohet vetëm në partneritet me privatin, sepse shteti nuk ka para, tani del se shteti paska para!

    Në fakt, të gjithë e dime se kjo nuk ka qenë dhe nuk është cështje parash. Gjithcka ka qenë vetëm cështje kullash, të cilat ne ia rrëzuam tashmë kësaj qeverie në fytyrë. Gjithcka që ajo po bën sot, është të minimizojë kostot e turpit. E pra, një qeveri kaq e telendisur sa kjo, nuk ka sesi të mos bëhej kaq qesharake.

    E vërteta është se projekti u anullua vetëm e vetëm në saj të rezistencës sonë dhe kjo është një fitore e madhe, pavarësisht se akoma e pa plotësuar. Qeveria e di tashmë që nuk ka asnjë shanc ta shembë Teatrin dhe se e mbajtja ndezur e një proteste të tillë i krijon kosto, tashmë edhe në rrafsh ndërkombëtar, me Europa Nostra-n.

    Gjithsesi, protesta do vazhdojë, deri sa qeveria te ulë kokën përfundimisht dhe të pranojë rikonstruktimin e Teatrit. Lajmi i sotëm ishte vetëm fillimi, që sidoqoftë, na dha dëshminë se rezistenca është mjeti për ti arritur qëllimet.

    Protesta jonë eshtë një shembull që tregon sesi edhe një grusht njerëzish mund të zmbrapsin një pushtet kaq të fuqishëm sa ky, vetëm në saj të këmbënguljes dhe sakrificës. Në fakt, ky pushtet është i dobët përballë nesh. Ne jemi të fortë, sepse jemi ne të drejtën dhe dimë të sakrifikojmë për të, ndërsa Rama është i dobët, pikërisht sepse është i përlyer.

    Por, duhet thënë se ata që nuk u përfshinë në këtë proteste dhe deri dje bënin cinikun e fatalistin duke thënë se reagimi ynë nuk ia vlente, pasi Rama e kish ndarë mendjen për ta prishur Teatrin, sot duhet të kërkojnë falje. Ata duhet të kuptojnë tashmë, mbi të gjitha, se zullumqarë si Rama qendrojnë në pushtet, jo pse janë të fortë e të fuqishëm, por sepse kanë një popull si ata, apatik e fataliste.

  • Ja pse Presidenti i Republikës e akuzon Edi Ramën për grusht shteti

    Ja pse Presidenti i Republikës e akuzon Edi Ramën për grusht shteti

    Presidenti Meta ka e akuzuar Kryeministrin Rama se ka kryer një puç institucional, përmes një sërë veprimesh uzurpuese gjatë dy viteve të fundit. Meta ka bërë publike një sërë veprimesh dhe ngjarjesh që sipas tij tregojnë se qeveria Rama ka përqendruar gjithë pushtetet në duart e tij dhe po i bën grusht shteti vendit dhe demokracisë.

    1. Manipulimi i zgjedhjeve lokale dhe parlamentare

    Hetime të prokurorisë, të cilat vazhdojnë të zvarriten, kanë nxjerrë në dritë bashkëpunimin kriminalo-politik për blerjen e votave në zgjedhjet lokale në Dibër 2016 dhe në zgjedhjet parlamentare në Durrës 2017.

    Në prill-maj 2019 në publik rrodhën një sërë përgjimesh telefonike të realizuara nga prokuroria, të cilat u botuan të plota nga revista gjermane Bild në maj 2019.

    Në përgjime dëgjohen politikanë, përfshi ish-ministrin Gjiknuri dhe ish-kryebashkiakun Dako, dhe zyrtarë të lartë socialistë që flasin me figura të krimit dhe me vartës të tyre për të ushtruar trysni ndaj zgjedhësve, blerë vota, dhe manipulime të tjera.

    Në rastin e Dibrës në përgjime është edhe Kryemisnitri Rama, i cili flet me vartës të tij, në një mënyrë që le të nënkuptohet se ai është në dijeni të skemës për manipulimin e votave.

    Në rastin e Durrësit dëgjohen kriminelë të dënuar se si ata përcaktojnë kandidatë lokalë socialist për deputetë, se si zbatojnë një skemë të blerjes së votave dhe se si ushtrojnë trysni ndaj njerëzve për të votuar për kandidatët socialistë.

    2. Shkelja e dekretit të Presidentit për anullumin e datës së zgjedhjeve vendore 209

    Më 10 qershor 2019, me votat e 4 anëtarëve socialistë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi poshtë dekretin e Presidentit Meta për anullimin e datës së zgjedhjeve vendore. KQZ mori kështu përgjegjësitë e Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk funksiononte prej shumë muajsh dhe nuk funksion ende.

    KQZ, për rrjedhojë, nuk njohu as dekretin presidencial për caktimin e një date të re zgjedhjesh dhe i organizoi zgjedhjet më 30 qershor 2019.

    3. Zgjedhje vendore një-partiake

    Zgjedhjet e 30 qershorit 2019 u bojkotuan nga partitë e opozitës. Në 31 bashki të vendit kandidoi vetëm kandidati i Partisë Socialiste. Ndërsa në 21 bashki të vendit kandiduan veç atyre socialistë edhe kandidatë të Bindjes Demokratike—kjo e fundit u regjistrua në zgjedhje nga administrata socialiste në dhunim të ligjit pa qenë ende e regjistruar si parti politike.

    Zgjedhjet, edhe pse një partiake, u shënuan nga parregullsi dhe probleme në numërim.

    4. Parlamenti njëpartiak dhe i paplotë

    Pas lënies së mandatave nga deputetët e opozitës më 18 shkurt 2019, vendet e mbetura bosh në Kuvend u mbushën me kandidatët e renditur në fund të listave të opozitës. Por ku proces mbaroi pa plotësuar të gjitha vendet bosh.

    Më 17 qershor 2019, KQZ informoi Presidentit Meta se Parlamenti kishte 122 deputetë nga 140 vende të caktuata me Kushtetutë.

    5. Uzurpimi i KED nga Adrian Dvorani

    Ardian Dvorani është anëtar dhe kryetar i KED-it për shkak të qenies i vetmi anëtar në detyrë i Gjykatës së Lartë.

    Por, Dvorani nuk duhet të jetë gjykatës i Gjykatës së Lartë, pasi Ligji i Lustracionit ndalon ish-prokurorët e regjimit komunist të përfshirë në procese politike të shërbejnë në organet e sotme të drejtësisë.

    Dvoranit gjithashtu i ka mbatuar mandati 9-vjeçar, por ai nuk e ka lëshuar ende detyrën prej më shumë se 6 vjetësh duke shfrytëzuar paqartësi apo boshllëqe ligjore, edhe pse për mbarimin e mandatit të tij ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

    Në vitin 2020, ai u zgjodh në shkelje të ligjit si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi 2020, pasi ai ishte ndërkohë nën hetim penal në kohën e shortit, në bazë të një padie nga Presidenti Meta.

    Në drejtim të KED-it në vitin 2019, Dvorani ka ndërmarrë një sërë vendimesh të dyshimta të cilat përbëjnë, në dukje, shkelje ligjore dhe kushtetuese.

    6. Uzurpimi i hetimit dhe dublimi i SPAK nga policia

    E ashtuquajtura, paketa speciale Anti-KÇK, e miratuar nga qeveria më 31 janar, krijon praktikisht një polici dhe hetuesi në përbërje të ekzekutivit. Ajo krijon një njësi hetimi nën Policinë e Shtetit, nën varësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

    Strukturat dhe procedurat e reja, që krijon kjo paketë, dublojnë dhe marrin kompetencat që i janë dhënë prokurorisë antikorrupsion dhe antikrim SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

    7. Lufta kundë lirisë së shprehjes

    Paketa ligjore e njohur si anti-shpifje miratuar nga Kuvendi në dhjetor 2019 parashikon regjistrimin e të gjithë mediave online, mbikëqyrjen e materialeve të publikuara në to dhe gjobitjen ose mbylljen në rast së përmbajtja e tyre cilësohet shpifje nga insitucionet nën varësinë e kryeministrit, AKEP dhe AMA.

    E gjithë paketa ligjore u kthye për rishqyrtim nga Presidenti në janar duke argumentuar nga Presidenti se ato cënojnë lirinë e medias, veçanërisht përmes fuqizimit antikushtetues të “forcës shtrënguese” ndaj mediave të dy organeve rregullatore të medias dhe komunikimeve elektronike, AMA-AKEP.

    Por më 3 shkurt 2020 u botua në Fletoren Zyrtare, ndryshimet në ligji për komunikimet elektronike”, pjesë e kësaj pakete, duke i miratuar në mënyrë antikushtetuese pa u dekretuar nga Presidenti.

    8. Ndryshimi antikushtetues i betimit të gjyqtarëve

    Kuvendi miratoi javën e kalur ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, që e bën totalisht të panevojshëm betimin para Presidentit, përpara fillimit të punës së anëtarëve.

    Këto ndryshime janë anti-kushtetuese dhe shkelin parimet kushtetuese. Mënyra e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është e përcaktuar në Kushtetutë, dhe nuk mund të ndryshohet me ligj por vetëm me amendim të Kushtetutës. Gjithashtu, këto ndryshime cënojnë parimin se ligji nuk ka fuqi prapavepruese përveç në ato raste kur është ligj penal favorizues.

  • Rudyard Kipling – Në mundsh…

    Rudyard Kipling – Në mundsh…

    Në mundsh ta ruash arsyen kur bota humbet fillin

    E fajin ty ta hedh – vetes ti besosh,

    Sa herë të dyshojnë e s’të përfillin,

    Por edhe dyshimet drejtë t’i gjykosh.

    Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,

    A, kur të urrejnë, urrejtje mos të ushqesh

    Madje ndaj shpifjeve të rrish pa folur

    Me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh.

    Në mundsh të mendosh, por jo në shkatërrim

    Të ëndërrosh por jo rob ëndërrimesh,

    Dhe t’i trajtosh njëlloj e padallim

    Ngadhnjim e shpartallim – burim mashtrimesh.

    Në durofsh dot thënjet e tua të drejta

    Në kurthe për tradhtarët, kopukët të t’i kthejnë

    T’i shohësh të thyera gjërat më te shtrenjta

    E prap t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë.

    Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh

    Si në kumor, në një të vetme lojë,

    Të rrezikosh, të humbësh, e prap t’ia fillosh

    Dhe humbjen kurrë t’mos e zëshë në gojë

    Në durofsh dot muskul, nerv, puls e zemër

    Të të shërbejnë edhe kur gjithçka të duket e kotë,

    E të qëndrosh kur s’ke më asgjë veç vullnetit

    Që veç një fjalë “ QËNDRO” gjithnjë të thotë.

    Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin ta ruash

    A të ecësh përkrah mbretit pa krenari që t’vërbon

    Nëse armiku ose miku s’të bëjnë dot të vuash

    Dhe gjithçka e çmon, por veç sa meriton.

    Në mundsh të mbushësh dy minuta aq të rënda

    Me vepra që peshojnë-dije dhe mos ke asnjë dyshim

    Se jotja do jetë bota me cka ka brenda

    Dhe Burrë do jesh, o biri im!

  • Ndriçim MEHMETI – Besa mos e jep dorëheqjen!

    Ndriçim MEHMETI – Besa mos e jep dorëheqjen!

    Ditët e fundit ka zëra për dorëheqjen e Ministres së Arsimit, Besa Shahini. Madje u bë edhe një tubim simbolik për këtë qëllim nga një OJF. Përmes FB, kryetarja aktuale e Komisionit të Edukimit dhe Mediave, i ka kërkuar gjithashtu Besës të jap dorëheqjen. Arsyeja? Një video e dalë në një emision ku mësuesi kërkon favore seksuale ndaj një nxënëse.

    Dhe për kaq Besa duhet të jap dorëheqjen?

    Kurrsesi jo. Për shumë arsye që do ti rendis më poshtë. Besa nuk e dha dorëheqjen dhe askush nuk ja kërkoi nga subjektet e mësipërme, ku një fëmijë 13 vjeç, u përdhunua kolektivisht në shkollën “Rilindja” në Kavajë. Besa nuk doli të thotë asnjë fjalë, ndërsa Elisa na tregoi të gjithë bagazhin e saj të ligësisë, kur u shpreh: “Se ngjarje të tilla janë mëse të zakonshme e madje aludoj se mund të merrej si subjekt i ndonjë skenari hollivudian. Besa nuk e dha dorëheqjen kur një fëmijë në Durrës, deklaroi në polici se ishte ngacmuar seksualisht në mjediset e shkollës. Edhe në këtë rast Besa heshti e nuk foli asnjë fjalë.

    Besa nuk e dha dorëheqjen kur një nxënës 16 vjeç po në Durrës, u vra me thikë në zemër për motive krejt banale, në prag të derës së shkollës. Asnjë mësues, drejtues i nivelit më të ulët në Durrës nuk dha dorëheqje, nuk u shkarkua dhe nuk u mor asnjë masë disiplinore. Besa nuk e dha dorëheqjen kur na siguroi si zëvendësministre e arsimit parauniversitar se do të kishim provime të drejta, pa kopje, pa celularë dhe me rigorozitetet të plotë. Këtë na premtoi live Besa në të gjitha ekranet e televizioneve. Por çarë ndodhi në realitet? U kopjua apo më troç u vodh hapur në mes të ditës teza, u shpërnda me shpejtësi rrufe në gjithë vendin dhe Besa përsëri zgjodhi të bëjë atë që di më mirë: Të heshti dhe të bishtnoj nga përgjegjësitë e saj. Besa nuk dha dorëheqjen kur fëmijët e Dibrës u helmuan nga sistemi ngrohës, që u zgjodh për tu testuar pikërisht kur kishin fëmijët mësim dhe jo kur ata ishin pushim. Besa nuk u tut fare kur dëgjoi se fëmijët në Bulqizë, u helmuan brenda në klasë, në prani të mësuesit dhe zunë spitalin. Nuk na tha asgjë Besa përse ndodhi, nuk nxori asnjë zëdhënës të saj të na sqaronte situatën, nuk shkoi asnjë prej drejtuesve të Ministrisë së Arsimit për të parë gjendjen e fëmijëve.

    Besa doli e na tha se pas tërmetit të 21 shtatorit se “kishte vetëm shkolla me plasaritje dhe do të bëhej e pamundura që të riparoheshin sa më shpjet”. Kur tërmeti ra, bashkë me rrënjat e shkollave dolën në dritë të diellit edhe gënjeshtrat plot pathos e emocion të Besës. Ama Besa e bëri një punë të rëndësishme: Doli me defter në dorë e mbajti shënimet sesa ishte dëmi, në miliona euro por nuk foli kurrë për përgjegjësit që sollën këto rrënoja. P.sh, a mund të na thotë Besa, se kush e bëri tenderin e shkollës “Ramazan Jangozi,”, sa ishte fondi i Ministrisë së Arsimit në bashkë financim me Bashkinë Krujë? A ka dijeni Besa se kush fshihet pas këtij tenderi që rrëzoi shkollën brenda dy muajve, pas ndërtimit nga themelet të saj? A është Besa e përfshirë në këtë aferë korruptive që mund të sillte pasoja në humbje të jetëve të nxënësve? Nëse jo, pse nuk e çon dosjen në SPAK? E pra Besa edhe në këtë rast nuk dha dorëheqjen.

    A ju kujtohet Besa dhe premtimet e saj për Paktin e Universitetit (përndryshe Univerziteti, siç u thotë Besa)? Le ti risjellim edhe njëherë në vëmendje: “Bordet e Administrimit do të shkarkohet në të gjithë univeristetet dhe anëtarët e rinj do të zgjidhen nga një proces i hapur që do të jetë transparent. Anëtarët e Bordit do të jenë figura të njohura, dhe një prej tyre do të zgjidhet nga studentët. Prandaj u bëj thirrje studentëve që të nisin të mendojnë për procesin e zgjedhjeve, jo vetëm të anëtarëve të bordit por dhe për Këshillat Studentor, aty nuk ka pasur zgjedhje”. Dhe Besa e mbajti fjalën. Shkarkoi të gjithë anëtarët e Bordit dhe në vend të tyre në një proces të zvarritur për muaj të tërë emëroi mamatë e këshilltarëve të ministrisë së arsimit, ish-deputetë të PS-së, zyrtarë të bashkive socialiste, me një fjalë besnikë të denjë të partisë në pushtet.

    Po çfarë ndodhi me Këshillat studentor? Besa jo vetëm nuk pranoi zgjedhjen e tyre por bllokoi edhe formalizmin e atyre që dolën nga një proces i rregull zgjedhor. Besa nuk na tha asnjë fjalë për plagjiaturën që kishte hedhë rrënjë ndër kolegët e saj në qeveri e parlament, për bibliotekat digjitale, për shkarkimin e drejtuesve të konvikteve,m shkatërrimin e godinave të Qytetit Studenti. Ah po. Mos e harroni faktin që Besa doli, na njoftoi për lajmin e madh se do të bëheshin zgjedhje në universitete, duke na hequr veshin se “nuk duhet të zgjedhim njerëz si Rektori i Tiranës”.

    Pra Besa, nuk na rekomandoj, as orientoj po urdhëroi stafet akademike të votojnë jo atë që dëshirojnë ata, por atë që është më u përshtatshme për Besën e për rrjedhojë për vetë Komandantin. Besa shkeli hapur Kushtetutën, ligjin, Kodin Etik të një shtetari dhe askush nuk i kërkoj dorëheqjen Besës. Kjo ndodhi pak ditë më parë, jo vite më parë, por të gjithë e kanë “harruar”: Akademikët, studentët, OJF-të në mbrojtje të arsimit, Komisioni i Edukimit dhe Medias, organizmat e huaja në mbrojtje të arsimit, etj. Besa mesa duket nuk e tha nga koka. Ka marrë izmën gjithandej dhe ju fut edhe arsimit të lartë për ta bërë terbiet si ai parauniversitar.

    Nuk e kuptoj përse duhet t’u kërkohet dorëheqja Besës, për “kaq pak gjë”: Ngacmim seksual i një mësuesi play-boy, apo siç vetëquhej zhigolo. Lindita p.sh me Fatmir Xhafën, duhet të na shpjegojnë në këtë rast se nuk është Minsitrja e Arsimit që e zgjidh këtë punë por…, oficeri i sigurisë. Ai, oficeri i sigurisë, me bekimin e Lindita Nikollës dhe Fatmir Xhafajt, të cilët nënshkruan një marrëveshje, këtu e hyhy, dy vjet më parë, u vendos në shkollë për të gjitha hallet e nxënësve: Zënkat, problemet me tyre dhe mësuesve, mes tyre dhe komunitetit, etj, etj. Madje drejtuesja e gjimnazit, T.B, sipas skenarit të E.F, na siguruan se projekti pilot, kishte dhënë frutet e veta. “Të gjithë ne kemi ndjerë ndryshimin që ka ndodhur në shkollë që nga dita kur ka ardhur Oficerja e Sigurisë. Vërtet filloi si një projekt pilot vetëm në disa shkolla të Tiranës, por e ndjen veten të privilegjuar fillimisht që u caktuam një prej atyre shkollave.

    Por ndryshimin ne e kemi vënë re të gjithë, duke filluar nga ne mësuesit, nxënësit dhe prindërit” Po si ka mundësi që oficeri i sigurisë me nuhatjen e tij për zbulimin e krimit, nuk ka dalluar dot se më shumë se 1 mësues, abuzojnë apo kërkojnë favore seksuale më nxënëset? As mësuesi kujdestar i vajzave, nuk parë e nuk ka dëgjuar, gjë as drejtuesit e shkollave, nuk kanë parë e dëgjuar gjë.

    Por çfarë na përralliste më 1 maj 2018, Lindita?

    “Nëse shikojmë raportimet shumë serioze që vijnë dhe nga shkollat dhe nga oficerët e sigurisë, në javët e para numri i konflikteve ka qenë shumë më i madh, gjë që ka ardhur çdo muaj në zbritje, duke treguar edhe njëherë besimin në rritje, por ajo që është objektivi kryesor i këtij projekti, shkollat janë më të sigurta.”

    Pra Lindita dy vjet më parë e Besa sot ja kanë dal t’i kenë shkollat të sigurta, herë sipas mendjes së tyre dhe herë sipas skenarit hollivudian të Elisës. Tani mos kërkoni dorëheqjen e Besës kot më kot. Janë shembur shkolla, tavane, janë vrarë nxënës brenda dhe në prag të shkollës, pihet duhan, alkool, hashash, rrihen me njëri-tjetrin për 7 palë qejfe nxënësit, nga vendi 51 shkojmë në vendin 61 në PISA, ja mbathin çdo ditë e më shumë nxënës, mbyllen shkolla, adoleshentët mbushin burgjet dhe ju kërkoni dorëheqjen e Besës? Për besë është e tepërt t’ia kërkosh këtë ndjesi të lartë qytetare e përgjegjshmëri shtetari.

    Besë mos jep dorëheqjen. Rri aty sa ta kesh kismetin dhe sa të kesh bekimin e Komandantit. Çoje deri në fund kryeveprën më të madhe me të cilën do të mbaheni mend në historinë e shqiptarëve, ti, Lindita dhe Komandanti: Shkatërrimin me rrënjë e themel të arsimit kombëtar.

  • Erl KODRA – “Unë jam Edi Rama, Unë jam Corona”

    Erl KODRA – “Unë jam Edi Rama, Unë jam Corona”

    Tërmeti i 26 Nëntorit ishte fatkeqësia e shqiptarëve, por Edi Rama e kalëroi pa pikën e mëshirës. Katër ditë pas termetit, unë pata shkruar tekstin “I am the King, I am Edi Rama”. Në të vërtetë, ai u soll pikë për pikë ashtu siç e pata parashikuar unë; madje ai tejkaloi pritshmëritë e mia.

    Në Italinë fqinje mbërriti virusi i frikshëm, që në të vërtetë, ka vdekshmëri shumë të lartë, krahasuar me epidemitë e tjera virusale. Deri më tani, sipas statistikave zyrtare kineze, Shkalla e Vdekshmërisë është 2.1 % në shkallë kombëre, 4.9% Wuhan, 3.1% Hubei, dhe 0.16% në provincat e tjera. Këto të dhëna janë raportuar nga NHC e Kinës.

    Sipas të gjitha gjasave, shkalla mesatare vdekshmërisë është rreth ose mbi 3 % e të infektuarve. Në të vërtetë, një shkallë tepër e lartë.

    Gjendja ekonomike dhe sociale e shoqërisë shqiptare është tejet e vështirë, Në të vërtetë, ajo është në kufinjtë e pamundësisë absolute. Imunologjia e shtresave të tëra të popullsisë është shumë e dobët, kjo si rezultat i kequshqyerjes, mungesës së ushqimeve me përmbajtje e nevojshme të proteinave dhe vitaminave. Specialistet e kuptojnë mirë se çfarë do të thotë një organizëm i paushqyer. Familje të tëra ushqehen keq, ose shumë keq, ndërsa të tjera hanë vetëm një vakt në ditë. Me siguri, me përhapjen e mundëshme të Koronavirusit, viktimat e para do të jetë kjo shtresë e popullsisë.

    Kontrollet dhe masat që ka marrë qeveria janë qesharake. Ka dy ditë që Italia gjendet nën alarm kombëtar nga përhapja e virusit, ndërsa janë shënuar 3 viktima dhe mbi 100 të infektuar.

    Shqipëria vazhdon njëlloj rutine vrastare, ku shihen disa bluza të bardha teksa bredhin duke u zgërdhirë në terminalet e trageteve të sapoardhur nga Italia. Asgjë më shumë.

    Kjo sjellje është tronditëse. Është çmenduri fatale.

    Unë jam i bindur se Edi Rama e dëshiron Koronavirusin në Shqipëri. Sepse, në rrethanat aktuale, ai nuk mund të gjejë aleat më të mirë se sa “armën” që ngjallë frikë, shkakton gjendjen e rëndë, vdekjet. Kjo lloj situate do të “forconte” shtetin në emër sigurisë publike, dhe, në këto rrethana, në plan të parë do të ishte mbijetesa, asgjë tjetër.

    Unë u bëj thirrje mjekëve, atyre që u dhimbset vërtetë ky popull i mjerë, të marrin masat urgjente që gjendja në terren të ndryshojë. Përdryshe, në një përhapje të mundëshme të epidemisë, me siguri edhe Shqipëria mund të vihet në karantinë ndërkombëtare.

  • Andi BUSHATI – Reforma në drejtësi, kjo gërmadhë që na e shesin si histori suksesi

    Konflikti i fundit mes presidentit dhe mazhorancës, përpos fakteve të pakundërshtueshme të kapjes së shtetit, po nxjerr në pah edhe një problem shumë më të madh: dështimin total të reformës në drejtësi. Pavarësisht manipulimeve të Dvoranit, përpjekjeve për të bërë betimet e gjykatësit tek noteri, makinacioneve të gjithë aparatit qeveritar për të tjetërsuar procedurat, pra përveç këtyre mëkateve të përkohëshme, po rezulton se arkitektura e krejt reformës, sa herë vihet në provë, shkërmoqet si një karabina e vjetër pas tërmetit.

    Duke lënë mënjëanë se kush ka të drejtë, Meta apo Rama, se cili do ta kapë apo të mbrojë Kushtetuesen, ky konflikt po na dëshmon një mish mash të hartuar nën diktaturën e urgjencës, që më shumë krijon sesa zgjidh probleme.

    Le ti marrim me radhë të gjitha rastet që kemi mësuar si pasojë e përplasjes së fundit.

    Autoritetet të cilëve kushtetuta u ka lënë tagrin e emërimit të kanidatuarave, pra presidenti apo kuvendi, janë vënë nën trysninë e mospasjes së emrave. Nëse për çdo vend që duhet plotësuar, ligji parashikon që atyre tu çohet një listë me 3 anëtarë gjyqtarë, dhe 3 jo gjyqtarë (pra me 6 persona), të gjithë janë detyruar të përzgjedhin prej një liste të vetme me 3 mundësi. Kjo ka bërë që në fund të procesit, për katër vendet e mbetuara bosh, të kishte gjithsej vetëm 6 kandidatura. Ky fund qesharak procesi, ka reduktuar në mënyrë të turpshme principin e kontrollit mes pushteteve duke i privuar teorikisht edhe kreun e shtetit edhe paralamentin të bëjnë një zgjedhje të drejtë dhe të ndershme.

    Por e keqja nuk përfundon këtu, kuvendi ka shkelur rëndë ligjin, kur ka votuar në 11 nëntorin e shkuar dy kandidatet Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji. Ndërkohë që përzgjedhja duhej bërë mes së paku tre kandidatëve ajo është bërë mes dy të tillëve duke u shndërruar realisht nga një votim në një emërtesë.

    Ka edhe më. Ajo që po diskutohet aq shumë aktualisht, nëse presidenti e humbi afatin 30 ditor, që ligji i përcakton për të përzgjedhur kandidaturën e vet, është e lidhur me të ashtuquajturin “mekanizëm zhbllokues”, që parashikon të mënjanojë pengesat, nëse një autoritet politik do të zvarrisë krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Por përplasja e fundit na dëshmoi se megjithëse reforma në drejtësi ka menduar për këtë mekanizëm zhbllokues, askund nuk gjendet e shkruar se si aplikohet ai. Pra kush është institucioni që e vendos nëse kreu i shtetit është në afat, apo e ka tejkaluar atë. Pikërisht nga që kjo “kleçkë” mungon, rilindja u detyrua ti futet kalvarit të manipulimeve duke bërë shkresa të paligjshme pas shkresash, për të botuar emrin e Arta Vorpsit në fletoren zyrtare.

    Një tjetër anomali lidhet edhe me radhën aq shumë të përfolur sipas të cilës duhen plotësuar vendet bosh në kushtetuese. Sipas kësaj radhe një herë vendos presidenti, pastaj kuvendi dhe pastaj Gjykata e lartë. Por sot kjo e fundit është inekzistente duke e bërë çorap procesin e përzgjedhjes e duke i lënë secilës palë, të drejtën për të bërë inteprpetimet e veta spekulative.

    Pikërisht ky zinxhir anomalish, i dalë në sipërfaqe vetëm prej konfliktit publik mes presidencës dhe shumicës qeverisëse, tregon edhe njëherë se sa herë vihet nën testin e zgjidhjes së problemeve, arkitektura e reformës në drejtësi rrezulton një dështim. Ajo është një ngrehinë e projektuar me shpejtësi, me amatorizëm, si një ekperiment, që edhe nëse e zhvesh nga qëllimet e dyshimta politike, tregon se nuk i rreziston dot përballjes me realitetin.

    Prandaj, sado që të na e shesin si një histori suksesi, sado që të na e sheqerosin me serialin e videove të ambasadës amerikane, sado që të na japin shfaqe me testin e poligrafit, askush nuk mund të bindet më për shpëtimin që do të vijë nga kjo gërmadhë ligjore. Madje të parët që e kanë kuptuar këtë janë vetë ata që vazhdojnë ta eksperimentojnë në Shqipëri, por që tashmë kanë marrë vendimin, për të mos testuar si kavie përmes saj edhe fqinjët tanë.

  • Hotel me 900 euro në natë, Prokuroria pushon hetimin për zyrtarët e Bashkisë Tiranë

    Hotel me 900 euro në natë, Prokuroria pushon hetimin për zyrtarët e Bashkisë Tiranë

    Kontraktori më i madh i Bashkisë së Tiranës, Shkëlqim Fusha pagoi fatura hoteli deri në 900 euro nata për nënkryetarin Arbjan Mazniku dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë, por tre muaj pas nisjes së hetimeve, Prokuroria e Tiranës kërkon pushimin e tyre

    Në shtator 2019, Prokuroria e Tiranës deklaroi se po zgjeronte hetimet ndaj zyrtarëve të bashkisë së Tiranës që kishin përfituar pagesa nga biznesmeni Shkëlqim Fusha për akomodimin në një hotel luksoz në qershor 2018 në Barcelonë të Spanjës.

    Por në dhjetor 2019, hetimi u kthye në një “flluskë sapuni”, ndërsa Prokuroria kërkoi në gjykatë pushimin e çështjes.

    Procedimi penal u regjistrua pas publikimit në media të faturës që tregonte se biznesmeni Fusha kishte paguar 1816 euro për dy netë qëndrimi të nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku në hotelin me 5 yje “Alma” në Barcelonë në qershor 2018.

    Prokuroria e Tiranës regjistoi fillimisht akuzat e “korrupsionit aktiv të nëpunësve të huaj publikë”, “shpërdorimi i detyrës” dhe “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, por i rrëzoi ato brenda tre muajsh.

    Në një përgjigje me shkrim, Prokuroria e Tiranës i tha BIRN se kishte depozituar më 17 dhjetor në gjykatë kërkesën për pushimin e kësaj çështjeje, pa shpjeguar arsyet. “Për çështjen penale me nr.7207…lidhur me pagesën e faturave nga administratori i kompanisë Fusha sh.p.k., Z.Shkëlqim Fusha për akomodimin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Z.Arbjan Mazniku dhe të zyrtarëve të tjerë të Bashkisë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë më datë 17.12.2019 ka kërkuar në gjykatë pushimin e çështjes penale,” tha një zëdhënës i Prokurorisë së Tiranës.

    Prokurori i çështjes, Alket Mersini nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi arsyet që e shtynë të kërkonte mbylljen e procedimit penal. Kërkesa e Prokurorisë nuk është shqyrtuar ende nga gjyqtari paraprak.

    Kompania Fusha Sh.p.k është kontraktori më i madh i bashkisë së Tiranës dhe vetëm gjatë 4 viteve të fundit – kohë kur në krye të bashkisë ka qenë kryebashkiaku Erion Veliaj, ka përfituar mbi 28.6 milionë euro në fonde publike nga ky institucion.

    Fusha fitoi gjithashtu tenderin me vlerë 11 milionë euro për ndërtimin e sheshit Skënderbej, si e vetmja kompani konkurruese si dhe qëndron pas projektit kontrovers të partneritetit publik privat për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar.

    Nënkryetari i Bashkisë, Arbjan Mazniku nuk është zyrtari i vetëm që përfitoi pagesa prej 900 eurosh nata në hotelin luksoz nga zemërgjerësia e biznesmenit Fusha. Nga dëshmitë e dhëna në Prokurori doli që Fusha kishte paguar edhe për akomodimin e drejtorit të Urbanistikës, Ditjon Baboçi dhe anëtarë të tjerë të delegacionit. Ndërkohë, mbetet e paqartë se kush e ka paguar faturën e hotelit për kryebashkiakun Veliaj.

    Në një reagim për Zërin e Amerikës, Bashkia e Tiranës i justifikoi pagesat e Fushës me kursimin e fondeve publike.

    “Me rastin e marrjes së këtij çmimi prestigjoz, një grup nga Shqipëria udhëtoi për në Barcelonë për të marrë pjesë në ceremoni dhe për të tërhequr çmimin. Kompania ‘Fusha’ mori përsipër të mbulojë shpenzimet për grupin nga Shqipëria, kësisoj duke mos shpenzuar fonde të Bashkisë së Tiranës për një çmim që i jepej si bashkisë edhe kontraktorit për realizimin,” deklaroi Bashkia.

    Ky është hetimi i dytë i pushuar brenda një kohe të shkurtër nga Prokuroria e Tiranës për çështje që lidhen me zyrtarë të lartë të Bashkisë së Tiranës dhe biznesmenin Shkëlqim Fusha. Në tetor 2019, gjykata miratoi kërkesën e prokurorisë për të pushuar hetimet edhe për tenderin pa garë të mbjelljes së drurëve dekorativë në segmentin Kamëz-Kashar të autostradës.

    “Tenderi me negocim” me vlerë 332.5 milionë lekë u përdor për mbjelljen e pishave të buta përgjatë autostradës, ku vlera e një pishe rezulton të ketë kushtuar 1.17 milionë lekë (€8200).

    Por gjykata argumentoi se Drejtoria e Punëtorëve nr.1 e Qytetit e kishte pasur të pamundur të kryente një procedurë të hapur prokurimi për shkak se fondet rrezikonin të digjeshin në fund të vitit, ndërsa shtoi se vendimi për alokimin e fondeve ishte marrë nga një organ kolegjial si Këshilli Bashkiak.

  • Rama, një Opinion për të ofenduar gazetarët

    Rama, një Opinion për të ofenduar gazetarët

    I keni parasysh ata të fortët e lagjeve që pasi dënden me raki dhe me qofte nxisin një sherr në lokal (kush jet ti? pse më pe?) për të ikur pa paguar? Këtë strategji ka përdorur edhe Edi Rama mbrëmë në “Opinion” për të mos iu përgjigjur pyetjeve për aksionin shumë të diskutueshëm anti KÇK. Ai ka provokuar konflikt personal me gazetarët për të mos ju përgjigjur pyetjeve të tyre. “A je esëll, mos ke thithur gjë” iu drejtua ai Artan Hoxhës duke aluduar se kishte ardhur në emision i droguar, pasi ai i foli për fotot e kryeministrit me kriminelë”. Torrollis opinionin me budallallëqe, qenke tapë topi” e ofendoi Klodiana Lalën pasi kjo i foli për lidhjet e tij historike me krimin. “Ti je xheloz se unë do fitoj prapë dhe të vjen keq për Lulin” i tha Robert Rakipllarit i cili e kapi mat kur e pyeti nominalisht për miqtë e tij të cilët departamenti i shtetit i ka etiketuar si kriminelë. “Unë stë njof fare kush je…po ngri nivelin e bisedës..” iu tha Ervis Iliazajt.

    Pra më shumë se gjysmën e atyre dy orë e gjysëm bisedë kryeministri e shpenzoi me gër mërre me ata të cilët ishin aty për ti bërë pyetje. Në vend që të jepte llogari dhe të shpjegonte para publikut të gjitha pikpyetjet që rëndojnë mbi operacionin e paragjykuar, selektiv, të vonuar dhe të dyshuar si njjë manovër të re për të mbajtur krimin nën frerët e rilindjes, Rama zgjodhi të bëjë rolin e atij që i kanë vënë përballë gazetarë të pa aftë me të cilët nuk duhet të bëjë bisedë.

    Në fakt kjo alibi është një bllof. Askush nuk e beson se një manjak i sëmurë mediash si ai nuk e njihte një nga gazetarët që kishte përballë. Askush nuk e beson se ai nuk e dinte profilin e Klodiana Lalës. Askush se beson dyshimin se Artan Hoxhën që e ngriti në qiell në 21 janar, sot dyshon vërtet se merr drogë.

    Rama e dinte shumë mirë se ku po shkonte. Ai prej kohësh i zgjedh gazetarët me të cilët përballet në studio. Ai e bojkotoi për dy vite me radhë emisionin e Ylli Rakipit, pasi ky i fundit i nxorri me fakte skandalet e vjedhjeve galopante. Ai ka mbu dy dekada që nuk guxon ti dalë përballë një prej kritikëve të tij Fatos Lubonjës. Pra ai ka monololin e debatit që do të zhvillojë.

    Prandaj strategjia se dje u gjend papritur ndaj bashkëbiseduesve, injorantë, të papërgatitur, të politizuar apo të panjohur është një bllof që se beson askush. Rama shkoi i ndërgjegjshëm në “Opinion” për të provokuar zhurmën që prodhoi me të vetmin qëllim që të mbyste të vërtetën. Ata të vërtetë të frikshme që nuk e mbulon dot as me zyzet e asaj bjondinës së OFL dhe as me shoun e aksioneve sa për sy e faqe” lidhjen e tij të hershme me krimin.

    Sherret që kryeministi provokoi në “Opinion”

    1-“Jeni esëll apo keni pirë gjë”?

    Drejtuesi i emisionit Opinion e pyeti drejtpërdrejt kryeministrin për lirimin e Lulzim Berishës, i cili është në listën e OFL-së, teksa ky i fundit u lira me anë të një letre nga ish kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

    “Është një letër ordinere që jepen me qindra e qindra kur ia kërkon shërbimi i provës. Kryetari i bashkisë mund të jap edhe një letër që ku thotë është hero. Këtu çështja është çfarë bën gjykata, çfarë bën prokuroria. Nuk kemi patur aleatë kundër krimbnin, por aleatë me krimin dhe kundër policisë”, tha Rama.

    Edi Rama – Unë flas me fakte

    Artan Hoxha – Po fakt është ajo

    Edi Rama – Keni marrë ndonjë gjë sot apo jeni esëll

    Artan Hoxha – Unë jam nga krahu tjetër

    Klodiana Lala – Kryeministri ka ardhur…

    Edi Rama – Po pusho moj pusho

    (Edi Rama – Shshshshshshshshshshshshshhhhhh…..)

    Klodiana Lala – Kryeministri ka ardhur për të folur për këta personazhet e botës së krimit këtu, të cilët pjesa më e madhe e tyre janë liruar në kohën që zoti Rama vazhdon të jetë në pushtet. Lulzim Berisha është liruar me betimin e një prej anëtarëve të kryesisë të partisë socialiste.

    Edi Rama – Po si stë vjen turp moj zonjë kam ardhur këtu të jap përgjigje jot ë dëgjoj broçkullat e tua

    Klodiana Lala – Unë po të them fakte, ma kundërshto që nuk është liruar me bekimin e Vangjush Dakos dhe unë do të kërkoj falje publike

    Edi Rama – Zonjë nuk kam ardhur të kundërshtoj ty, nuk kam ardhur të kundërshtoj ty, nuk kam ardhur të kërkoj falje ty, nuk kam ardhur të bëj debat me ty, kam ardhur të flas me publikun. Ju vini ktu dhe torolisni opinionin publik me budallallëqe

    2-“Ti ke zili fitoret e PS”

    Kryeministri Edi Rama edhe njëherë ka mbrojtur ish-kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Ai është pyetur drejpërdrejt nga Robert Rakipllari të cilit i ka thënë se është ziliqar për fitoret e PS dh do të duhet të durojë edhe një fitore tjetër

    Fillimisht Rama ka refuzuar të përgjigjet duke thënë “Me këto do merremi ne??? Kemi ardhur për OFL-në tani”.

    Pas insistimit të gazetarit Robert Rakipllari, kryeministri nisi të përgjigjej… Rama tha se Dakon e kishte mik dhe se nuk e përcakton Departamenti Amerikan i Shtetit se kë do të kishte mik.

    Robert Rakipllari: Të të them një fakt…departamenti i shtetit sekretari i Departamentit të Shtetit ka nxjerrë dy emra nga Partia Socialiste, Vangjush Dako kryetar i Bashkisë së Durrësit është i përfshirë në korrupsion të madh ….

    Edi Rama: Ish nuk është më…

    Robert Rakipllari: Eshtë kryetar bashkie ai aty ishte në krahun tënd ai e pashë në krahun tënd kur shkove për tërmetin… Departamenti i Shtetit thotë ky zotëri është i përfshirë në korrupsion të madh, i ndalohet hyrja këtij zotërie dhe familjarëve të tij përjetësisht në SHBA ti e merr në krahë. Tom Doshi je i përfshirë në korrupsion të madh ti shkove bërë fushatën me të për Valdrin Pjetrin me një person tjetër përsëri që ra nga dekriminalizimi tani çfarë qëndrimi ke ti ndaj tyre, qëndrim etik , moral

    Edi Rama: Vangjush Dako ka qenë është dhe do të jetë miku im që të jesh i qartë ti …nuk ma përcakton departamentit i shtetit mua kë kam mik e kë jo .Mua më përcakton morali im dhe bindja ime …edhe në burg të shkojë nesër do të jetë miku im, por me Vangjush Dakon ama nuk kam bërë kurrë …kurrë as më ka kërkuar as i kam kërkuar as kemi bashkëpunuar as kemi kukuar bashkëpunim të tjerëve, asnjë shkelje të ligjit të republikës të Shqipërisë asnjë….

    3-”Kush je nuk të njoh?”

    Ervis Iliazaj – Me iniciativat e qeverisë barra e provës është e të akuzuarit jo e të të akuzuarve. Prandaj duhet edhe ta provoj zoti kryeministër. Kështu është se këtë filozofi po ndiqni

    Edi Rama – Dëgjo këtu se dhe s’të njoh fare se kush je

    Ervis Iliazaj – Unë skam ardhur për ty po kam ardhur se më ka ftuar Fevziu

    Edi Rama – Kisha shpresë se do ishe ndonjë i mënçur. Barra e provës i kalon të akuzuarit kur bëhet fjalë për mafioz, për terrorist

    Ervis Iliazaj – Është bërë si filozofi qeverisëse

    Edi Rama – Ku i gjen këta mo? Ku i gjen këta mo. Do e ngresh nivelin ti apo jo?

    Ervis Iliazaj – Nivelin tim nuk e certifikon dot ti

    Edi Rama – Cila filozofi qeverisëse

    Ervis Iliazaj – Nivelin tim nuk e certifikon ti se ma kanë certifikuar profesorë me mjekër derti te gjuri, madje më të gjatë edhe se tënden.